SHBA, zgjedhjet dhe sulmet kibernetike

sulmet-kibernetikeZgjedhjet në Shtetet e Bashkuara po afrojnë me shpejtësi dhe zyrtarët e lartë amerikanë janë në gatishmëri për sulme kibernetike. Shqetësimet vijnë pas një vargu ndërhyrjesh në sistemet kompjuterike amerikane.

Ndërhyrja në email-at e Komitetit Kombëtar Demokrat. Ndërhyrja në sistemet e regjistrimit të votuesve në Illinoi dhe Arizona. Rusia dyshohet për të dyja. Në një séance dëgjimore në Komisionin për Shërbimet e Armatosura të martën, senatori John McCain ngriti pyejtjen nëse zgjedhjet e nëntorit do të jenë ndërhyrja tjetër e radhës.

“A ka ndonjë skenar të mundshëm që ata mund të sabotojnë rezultatet e votimeve?”

“Mendoj se ka skenarë dhe ne mund të shohim që këto aftësi të aplikohen në aspekte të caktuara.”

Admirali Michael Rogers, kreu i Komandës Kibernetike Amerikane, thotë se një sulm në shkallë të gjerë mund të jetë i vështirë pasi makinat dhe procedurat e votimit ndryshojnë mes 10 mijë juridiksioneve në mbarë vendin.

Zyrtarët po punojnë për të mbajtur listat dhe makinat e votimit larg hakerave dhe manipuluesve.

Ky ishte mesazhi që u dha në Kongres në seancën e Komisionit të Shkencës. Tom Schedler është sekretar i shtetit të Luizianës.

“A jemi të shqetësuar për një ndërhyrje të mundshme më sistemin e zgjedhjeve? Sigurisht që jemi. Por manipulimi i votës është më i vështirë nga sa mendoni.”

Schedler tha se makinat e votimit në Luiziana nuk lidhen asnjëherë me internetin. Fletët e votimit çohen fizikisht në qendër dhe numërimi i votave qarkullohet në një cikël të mbyllur dhe jo në internet.

Por ka mënyra të tjera për të sulmuar një kompjuter përveç internetit.

Stuxnet, është virusi që dëmtoi një impiant bërthamor iranian, thotë profesori i shkencave në universitetin Rice, Dan Wallach.

“Ai impiant bërthamor mendohej të ishte i siguruar dhe nuk ishte i lidhur me internetin. Megjithatë ky virus ishte në gjendje të vepronte.”

Ai thotë se sistemi zgjedhor i decentralizuar në Shtetet e Bashkuara ofron vetëm mbrojtje të pjesshme.

“Ata nuk kanë nevojë të sulmojnë çdo zonë në çdo shtet. Mjafton të sulmojnë shtetet kyçe, ku një ndryshim i vogël ka ndikim të madh.”

Por Schedler thotë se kërcënimi i sulmeve kibernetike është ekzagjeruar. Por thjesht kërcënimi mund të jetë i rrezikshëm.

“Njoftimet për sulme kibernetike i kanë bërë votuesit të ngrejnë në pikëpyejtje nëse vota e tyre do të numërohet. Dhe kjo është më shkatërruese sesa potenciali i një sulmi kibernetik.”

Në fund të fundit, një fletë-votimi është mbrojtja më e mirë, thonë ekspertët. Tre të katërtat e votave këtë vit do të lënë gjurmë në letër.

Më shumë shtete po kërkojnë mbështetje të sistemeve kompjuterike të votimit me fletë-votimi. Por ato nuk do të jenë gati tani që mbeten vetëm dy muaj nga zgjedhjet. (voa)

Amb. Walker: Sistemi politik në Kosovë nuk funksionon

amb-walkerAmbasadori William Walker, ish-shefi i Misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, thotë se kriza aktuale në Kosovë dhe gjithë problemet që e shqetësojnë vendin, tregojnë se sistemi politik nuk po funksionon. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori Walker ia atribuon përgjegjësinë jo vetëm politikanëve të vendit, sidomos qeverisë, por edhe problemeve të trashëguara nga ato që ai i quan gabime të organizatave dhe faktorëve ndërkombëtarë që kanë vepruar në vend që pas çlirimit. Në bisedën me kolegen Keida Kostreci, ambasadori Walker foli edhe për planin e tij për të organizuar diasporën shqiptare nga të gjitha vendet e Ballkanit, për të rritur ndikimin e tyre.

Zëri i Amerikës: Ambasador Walker, Kosova gjendet në krizën më të rëndë politike që kur shpalli pavarësinë për shkak të mospajtimeve rreth marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, e cila është tërhequr tashme nga parlamenti, dhe asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Si i shihni ju këto zhvillime?

William Walker: Mendoj se është një krizë shumë serioze, jo vetëm politike, por e përgjithshme që tregon se çfarë ka ndodhur në Kosovë që nga pavarësia, madje që nga çlirimi i saj. Ka shumë çështje që janë akumuluar, si për shembull radikalizimi i të rinjve të Kosovës. Kush mund ta mendonte se Kosova do të kishte një përqindje kaq të lartë të rinjsh që bëhen xhihadistë, në raport me popullsinë? Është pastaj krimi i organizuar, mungesa e shtetit ligjor, korrupsioni, të gjitha këto çështje vijnë para një parlamenti, një qeverie që nuk po funksionon. Sistemi politik nuk funksionon dhe të gjitha këto probleme janë manifestim i kësaj dukurie. Të gjitha këto sipas mendimit tim, e kanë fillesën tek hapat që u morën pas çlirimit dhe pas pavarësisë. Unë fajësoj klasën politike, fajësoj ndërkombëtarët që erdhën për t’u bërë mentorë dhe kam frikë se disa herë kanë udhëzuar në drejtimin e gabuar. Mendoj se një pjesë e mirë e korrupsionit në Kosovë, është pasqyrim i korrupsionit që ishte tek UNMIK-u, tek disa nga ndërkombëtarët, detyra e të cilëve ishte që t’i tregonin Kosovës se si të bëhej një shtet modern evropian.

Zëri i Amerikës: Cilat do të ishin disa nga zgjidhjet e krizës politike në Kosovë, sipas jush? Çfarë duhet bërë për ta kapërcyer atë?

William Walker: Mendoj se qeveria duhet të dëgjojë opozitën në vend që ta detyrojë të hedhë gaz lotsjellës në parlament, apo të organizohet për të dalë nëpër rrugë, siç ka bërë Vetëvendosja. Nuk duhet ta shohin opozitën si armik dhe të mendojnë se është shumë më mirë të kënaqin komunitetin ndërkombëtar, sesa opozitën në vend. Mendoj se mënyra e vetme për reformimin e sistemit politik është përfshirja e opozitës në diskutime, sesa të thonë “jo, jo, jo” dhe të dëgjojnë vetëm atë që u thotë komuniteti ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës: Ju keni qenë i afërt me opozitën, veçanërisht me Vetëvendosjen. Ju po thoni që opozita është shtyrë të ndërmarrë këto veprime, por përgjegjësia nga vëzhguesit e jashtëm të paktën, është vendosur jo vetëm mbi qeverinë që nuk e dëgjoi opozitën por edhe mbi metodat që ka përdorur opozita, që në një vend demokratik nuk do të ndodhnin dhe mënyra sesi ka vepruar opozita është konsideruar jokonstruktive…

William Walker: E di që ka shumë njerëz që mendojnë se unë kam shumë simpati për Vetëvendosjen. Kur Vetëvendosja u shndërrua nga një lëvizje popullore nën Albin Kurtin dhe (lëvizjes iu tha) se ndërkombëtarët nuk duan t’ju flasin, Ambasada amerikane nuk donte t’i fliste Albin Kurtit, por më thanë mua që nëse Vetëvendosja bëhet parti politike dhe hyn në jetën politike, atëherë ndërkombëtarët do të bisedonin me ta, do t’i ndihmonte që të tregonin se janë një forcë e opozitës, por gjithsesi një forcë pozitive. Kur u realizua kjo, unë thashë se kjo ishte diçka e mirë për demokracinë, që tani ky grup njerëzish që ishte jashtë sistemit, ishte përfshirë në sistem. Disa muaj pasi unë po bëja këto deklarata në favor të Vetëvendosjes, edhe unë u zhgënjeva me mënyrën se si po vepronte Vetëvendosja si parti politike. Pa dyshim që unë nuk jam në favor të dhunës që është provokuar në parlament dhe nëpër rrugë. Për protestat e dhunshme që kanë qenë të shpeshta vitet e fundit, Vetëvendosja ka një pjesë të mirë të përgjegjësisë, por kjo ka lidhje edhe me refuzimin e qeverisë për të hyrë në dialog me ta, duke thënë se Ambasada amerikane, apo ambasada të tjera na kanë thënë se duhet të veprojmë kështu e ashtu lidhur me Malin e Zi dhe çështjet e tjera. Unë nuk flas më në favor të Vetëvendosjes. Unë nuk besoj se gjendja është e mirë në Kosovë, si edhe në vende të tjera të rajonit. Politikanët nuk po punojnë si patriotë për qytetarët por vetëm po përpiqen të pasurojnë veten, të mbajnë veten në pushtet. Qeveria duhet të flasë me të gjithë në vend. Ata nuk i flasin Vetëvendosjes, nuk i flasin Ramush Haradinajt dhe njerëzve në partinë e tij dhe kjo mungon atje.

Zëri i Amerikës: Ju flisni për luftëtarët e huaj, xhihadistët që bashkohen me luftra të huaja në Lindjen e Mesme. Fakti tjetër shqetësues është që ata vijnë nga një vend që është ndoshta më proamerikani në botë. Si e shpjegoni këtë?

William Walker: Kur unë ika nga Kosova popullsia myslimane e Kosovës ishte ndër më laiket. Unë e kam vizituar vazhdimisht Kosovën, rreth 50 herë në 15 vitet e fundit. Për mua ka qenë befasi që Kosova është bërë tani një nga kontribuesit e numrit më të madh të xhihadistëve që shkojnë në Siri, në Lindjen e Mesme për të luftuar për ISIS-in, në raport me numrin e popullsisë. Është shumë e vështirë të gjesh një përgjigje, përveç faktit që papunësia mes të rinjve në Kosovë është në shifra astronomike, rreth 75-80 për qind. Këta të rinj nuk kanë se për çfarë të shpresojnë. Po ashtu, pas luftës, një numër faktorësh nga konfliktet e Lindjes së Mesme, filluan të dërgojnë fonde për ngritjen e qendrave ku predikohej një lloj islamizmi që ishte më radikal nga ai tradicional i Kosovës, para se ata të vinin. Filluan të vijnë para nga Lindja e Mesme, duke kërkuar vende ku mund të vendoste rrënjë ky lloj radikalizimi. Dhe u konsolidua ngadalë. Në fillim askush nuk po i kushtonte vëmendje. Është një prirje shumë shqetësuese dhe as komuniteti ndërkombëtar, as qeveria e Kosovës nuk e panë që ishte një problem në rritje. Këtij problemi i duhet kushtuar vëmendje e jashtëzkonshme dhe duhet të zmbrapset.

Zëri i Amerikës: Ju keni ndërmarrë një nismë për të bashkuar në një zë diasporat shqiptare nga të gjitha vendet e rajonit, për t’i mobilizuar që të jenë më forta si grupim vetë, por edhe që të kenë një zë më të fortë në vendet e origjinës. Mund të na jepni disa detaje?

William Walker: Unë jam i interesuar për mënyrën sesi funksionojnë sepse kam qenë i angazhuar me diasporën salvadoriane dhe atë vietnameze. Diasporat kanë disa të përbashkëta, përfshirë ato që vijnë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi megjithëse vijnë nga kontekste të ndryshme. Shumë prej tyre duan të punojnë dhe të kthehen në vend të hapin biznese me përvojën që kanë marrë këtu. Por shumë pak nga këto përpjekje kanë qenë të suksesshme, sepse kur kthehen shohin që qeveritë e vlerësojnë faktin që ata dërgojnë remitanca në vendet e tyre, sepse shumë vetë varen prej tyre. Për shembull në Kosovë, ato përbëjnë një përqindje të madhe 30-40 për qind të prodhimit të brendshëm kombëtar dhe qeveria e vlerëson këtë, por nuk do asnjë këshillë ose opinion nga diaspora, nuk duan që asnjë organizatë e diasporës t’u thotë se çfarë të bëjnë, që të sjellin përvojë nga jashtë, nga Shtetet e Bashkuara, Evropa.

Zëri i Amerikës: Dhe cili do të ishte roli juaj?

William Walker: Mendoj se diasporat nuk e kanë të qartë se çfarë pushteti do të kishin po të bashkoheshin dhe të punonin si një. Dhe ndryshime duhet të ketë në vetë këto vende. Për shembull në Kosovë, 20 vende në parlament janë të rezervuara për pakicën dhe ata kanë të drejtë vetoje. Por aq shumë vetë sa kanë lënë Kosovën dhe kontribuojnë në ekonominë e saj, kanë të drejtën që të kenë vende të rezervuara si diasporë në parlament, duhet të kenë zërin e tyre në procesin politik, sepse aktualisht janë krejtësisht të përjashtuar. Gjithashtu diaspora duhet të ketë të drejtën të votojë nga çdo vend ku janë në botë. Ka një proces që mund të votojnë në mungesë, por është shumë i komplikuar. Kur ata të kenë të drejtën të votojnë, politikanët do të dëgjojnë. Ajo që po përpiqem të bëj është që mes gjithë atyre organizatave të diasporës shqiptare, me platforma të ndryshme t’i bind tëm harrojnë politikën, dhe se kë mbështesin në vendin e origjinës dhe të bashkohen. Diaspora është aq e përçarë dhe e çorganizuar saqë unë do të përpiqem t’i bind njerëzit që të bashkohen, që të fitojnë peshën e duhur që të ndikojnë në vendet e tyre.

Kosovë – Serbi: Marrëveshje për targat e makinave

flamujt-euDelegacionet e Kosovës dhe Serbisë në bisedimet për çështje teknike janë pajtuar në Bruksel për mënyrën e përdorimit të targave të makinave në mes të dyja vendeve.

Në një komunikatë të ministrisë për dialog në qeverinë e Kosovës thuhet se pas 11 orë bisedimesh të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, palët janë pajtuar që “ajo që vlen për tabelat e njërit shtet do të vlejë edhe për tabelat e shtetit tjetër, si dhe kjo marrëveshje i jep fund përdorimit të tabelave “prova” të cilat njëanshëm ishin vendosur nga ana e Serbisë ndaj veturave me regjistrimin RKS të Kosovës”, citohet të ketë thënë ministrja për dialog Edita Tahiri.

Deri tash, makinat e Kosovës që kanë tabela regjistrimi me shenjën RKS, gjatë lëvizjes nëpër territorin e Serbisë, detyroheshin të vënë tabela të përkohshme, ndërsa nga muaji nëntor, shenjat do të mbulohen me letër të bardhë.

Sipas qeverisë së Kosovës, me këtë marrëveshje u jepet fund tabelave të paligjshme të automjeteve “të cilat aty-këtu kanë qarkulluar në pjesën veriore të Kosovës” dhe kjo “është në funksion të sundimit të ligjit në këtë fushë si dhe i kontribuon integrimit të plotë të qytetarëve të komunitetit serb në sistemin shtetror të Kosovës. Kjo marrëveshje finalizon zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë që është arritur në vitin 2011 në Bruksel“.

Në komunikatë thuhet se “parimi i reciprocitetit në këtë marrëveshje dëshmon se marrëdhëniet fqinjësore në mes të dyja shteteve mund dhe duhet të përparojnë në frymën e reciprocitetit dhe gatishmërisë për normalizim sipas parimeve euro-atlantike”.

Marrëveshja është mirëpritur nga Bashkimi Evropian. Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini tha në një komunikatë se Bashkimi Evropian “mirëpret rezultatet e bisedimeve dhe pret nga palët që të vazhdojnë përparimin edhe në temat e mbetura, veçanërisht për çështjen e Telekomit, të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe çështjeve që ndërlidhen me energjinë“. Këto çështje pritet të debatohen në Bruksel më 26 shtator.

Kosova dhe Serbia kanë arritur një varg marrëveshjesh në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, në këmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian.

Këto bisedime i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova marrëveshjen e stabilizim asociimit me BE-në. (voa)

Han me Hovit, Vajgëll e Kukan: Temë e bisedimeve gjendja në Maqedoni: Zgjedhjet kredibile çelës për kthimin e vendit në rrugën euroatlantike

han-hovit-vajgel-dhe-kukanEurokomisioneri për zgjerim Johanes Han sot në Strazburg është takuar me tre eurodeputetët Richard Hovit, Ivo Vajgëll dhe Eduard Kukan me të cilët ka biseduar kryesisht për gjendjen politike në Maqedoni, njofton Zhurnal.

Ai pas takimit në profilin e tij në Twitter ka shënuar se është e nevojshme të kenë zgjedhje të besueshme.

”Strazburg: Bisedë e mirë me Richard Hovit, Ivo Vajgëll dhe Eduard Kukan për zhvillimin e ngjarjeve në Shkup. Zgjedhjet kredibile janë celës për kthimin e vendit në rrugën e reformave për integrimet euroatlantike”, ka shkruar kështu Han.

Të tre eurodeputetët dhe eurokomisioneri Han kanë qenë pikërisht të kycur nga afër në zgjidhjen e krizës politike në vend si dhe arritjen e marveshjes së Përzhinos, transmeton Zhurnal.

Ademi ose Zekiri, bartës liste për LSDM-në në njësinë e 6-të

edmond-ademi-muhamed-zekiri-sdsmNga partia më e madhe opozitare informojnë se po bëhen përpjekje për formimin e një fronti sa më të gjerë opozitar ku do të marrin pjesë të gjithë figurat publike me renome që do të shpallin interes. Po diskutohet me individë dhe parti më të vogla edhe nga blloku shqiptar.

Edhe pse nuk bëhen të ditur emra të përveçëm, burime të gazetës “Dnevnik” kanë thënë se disa nga protestuesit e “Revolucionit Lara-lara” do të ndodhen në vende të sigurta në listën për deputet. Përveç Pavle Bogoevskit dhe Uranija Pirovska, që ishin përfolur edhe më herët, në vende fituese do të ndodhen edhe Marjan Zabërçanec dhe Simona Spirovska – transmeton Zhurnal.

Një luftë e heshtur bëhet për bartësin e listës në njësinë e gjashtë ndërmjet ish-kryeredaktorit të Alsat-M Muhamed Zekiri dhe anëtarit të komitet qendror të partisë me prejardhje nga Tetova, Edmond Ademi. Fjalën e fundit do ta ketë dyshja Zaev – Sheqerinska.

Prishtina e Tirana bashkëpunojnë në shumë fusha

veliaj-ametiThellimi i bashkëpunimit në shumë fusha të ndryshme të qeverisjes lokale, ka qenë temë e takimit që kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ai i Tiranës, Erion Veliaj mbajtën të martën në Prishtinë, raporton KTV.

Të dy homologët theksuan se shkëmbimi i përvojave është tejet i rëndësishëm mes dy kryeqyteteve.

Ahmeti ka përgëzuar Veliajn për reformën që po bëhet në Tiranë.
Ndërkohë, Veliaj në pyetjen se a pajtohet me kauzën e Lëvizjes Vetëvendosje për bashkim, ka deklaruar se bashkimi bëhet duke bashkëpunuar në projekte konkrete.

Një takim tjetër i përbashkët ku pritet të marrin pjesë edhe kreu i Ulqinit, Preshevës dhe Tetovës është paralajmëruar më 26, 27 dhe 28 Nëntor në Tiranë. (koha)

Tiranë: Dita e parë e shkollës për 27 mijë fëmijë

shkolla-nisiMbi 27 mijë fëmijë nisën sot klasat e para të arsimit fillor shqiptar plot ëndrra për t’iu kushtuar dijes dhe kulturës, një pjesë me mungesa në libra dhe në objekte shkollore, por një pjesë me shkolla të rindërtuara dhe kushte optimale.

Fëmijët e klasave të para iu bashkuan sot afro 392 mijë nxënësve, djem e vajza të arsimit 9-vjeçar që iu drejtuan shkollave për të nisur procesin mësimor.

126 shkolla në gjithë vendin janë rindërtuar dhe një pjesë e shkollave të kryeqytetit, si shkolla “1 Maji”, ishin të rindërtuara tërësisht dhe me kushte normale mësimore.

Sistemi arsimor shqiptar ka sivjet tekste të reja për 155 mijë nxënës, afro sa gjysma e numrit të përgjithshëm.

Ngarkesën e programeve të reja e përballojnë 30 mijë mësues, nga të cilët 1500 mësues u punësuan rishtas nga një sistem i ri.

Por ndërsa fëmijët e klasave të para dhe gjimnazeve e dinë së paku klasën ku po shkojnë, kjo nuk mund të thuhet sivjet për arsimin e lartë, i cili u përfshi në paqartësi dhe konfuzion, si rrallë ndonjë herë në dekadat e fundit.

Pjesa më e madhe e maturantëve ende nuk kanë përgjigje nga autoritetet se ku do të vazhdojnë studimet e larta, edhe pse arritën rezultate të larta në gjimnaze.

Greqia dhe Shqipëria projekte për rrjetet hekurudhore

hekurudhaEnti i Hekurudhave të Greqisë, OSE, dhe Hekurudhat shqiptare kanë rënë dakort të bashkëpunojnë për ngritjen e një linje të re hekurudhore që lidh qytetin grek të Follorinës me Pikën kufitare të kapshticës dhe më tej me qytetin e Pogradecit, në juglindje të Shqipërisë. Sipas burimeve zyrtare greke, që i referohen Ministrisë së Transporteve, projekti pritet të mbështetet nga fondet IPA të Bashkimit Europian në kuadër të Programit INTEREG-2 për vitet 2014-2020.

Projekti për lidhjen hekurudhore Greqi-Shqipëri, parashikon që të ngrihet një linjë hekurudhore nga fillimi, e cila do të jetë njëkalimshe dhe e elektrifikuar. Transporti pritet të realizohet, sipas studimit paraprak, me tren elektrik. Kosto e projektit vetëm për pjesën greke nga qyteti i Follorinës deri në Kapshticë, rreth 50 km, parashikohet të shkojë në 397 milion euro. Në pjesën shqiptare linja hekurudhore, sipas studimit, pritet të shkojë nga Pika kufitare e Kapshticës deri në Pogradec, gati 61 km dhe kosto pritet të jetë më e lartë. Të dy vendet, në nivel ministror, kanë rënë dakort për propozimin e përbashkët që shihet si mjaft i rëndësishëm për lehtësimin e qarkullimit si të emigrantëve edhe për lëvizjen turistike dhe qarkulimin e mallrave. Pika e Kapshticës nuk e përballon aktualisht ritmin e lëvizjes dhe shpesh në kufi shfaqen radhë të gjata.

Në proçes një projekt për linjën Janinë –Kakavijë

Pak kohë më parë nisi dhe hartimi i një projekti për linjën hekurudhore Janinë –Kakavijë. Këshilli i Rajonit të Epirit, në Greqinë Veriore, shpalli konkurimin për këshillim teknik dhe studimin mbi zhvillimin e ndërtimit të rrjetit hekurudhor.Faza e parë e projektimit mbështetet me nëj financim nga qarku grek dhe më pas përmes organizmave të të dy vendeve do të synohej gjetja e fiancimeve.

Ngritja e rrjetit hekurudhor mes Greqisë dhe Shqipërisë, në kuadër të projekteve të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor, do t`i ndihmonte jo vetëm përmirësimit të lëvizjes së mjeteve dhe mallrave, por edhe nxitjes së turizmit. Sipas zyrtarëve të Prefekturës së Janinës, komiteti i përbashkët Shqipëri – Greqi, në parim, e ka miratuar këtë projekt dhe mbetet të hidhen hapa konkretë për realizimin e tij.

Hekurudhat shqiptare në krizë; në tetor shpallet gara për Tiranë-Rinas-Durrës

Gjendja e hekurudhave shqitare mbetet ende mjaft e vështirë për shkak të mungesës së investimeve në këtë sektor. Por së fundi qeveria pritet t`i kthehet projektit të hekurudhës Tiranë – Durrës, rikonstruksioni i së cilës dështoi në vitet 2000. Sipas Ministrisë shqiptare të Transportit në tetor pritet të hapet tenderi ndërkombëtar për rindërtimin e segmentit të hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës.

Hekurudha shqiptare ka tashmë gati projektin e ndërtimit dhe rikonstruksionit të këtij segmenti hartuar me konsulencë ndërkombëtare. Sipas burimeve zyrtare vlera e investimit pritet të jetë 81.5 milionë euro. Projekti, parashikon rikonstruksionin e segmentit aktual Tiranës-Durrës, dhe ndërtimin e një segmenti të ri që do të lidhet me Rinasin, në një gjatësi 50 kilometër. Për fazën e ndërtimit që do të zgjasë tre vjet do të përfshihen në punime rreth 1400 punonjës. (voa)

Hyn në fuqi armëpushimi në Siri

Armëpushimi i negociuar nga Rusia dhe SHBA-ja që nga mbrëmja (12.09) ka hyrë zyrtarisht në fuqi. Armët duhet të heshtin menjëherë. Eshtë megjithatë e paqartë, nëse palët e konfliktit do t’i përmbahen marrëveshjes.

siriaDeri para pak pas fillimit të armëpushimit kishte dyshime nëse ai do të realizohet, sepse luftimet në orët e fundit para mbrëmjes u intensifikuan. Gjatë sulmeve nga ajri në provincën Idlib të kontrolluar prej rebelëve janë vrarë të pakëtn katër civilë. Avionët luftarakë fluturuan edhe në afërsi të metropolit verior të Sirisë Aleppo, siç njoftuan qendra vorjtimi të afërta me opozitën. Luftime ka pasur edhe në terren.

Armëpushimi prej 48 orësh duhet të vlejë për të gjitha forcat, që nga OKB-ja nuk janë klasifikuar si terroriste. Ndaj milicët terroristë të “Shtetit Islamik” janë të përjashtuar ngamarrëveshja. Nëse armëpushimi respektohet për shtatë ditë, atëherë SHBA dhe Rusia duan të veprojnë bashkarisht kundër grupeve terroriste në Siri.

Ndërkaq kreu i pushtetit Asad demonstron vendosmëri për të rimarrë të gjitha territoret e vendit nën kontroll, siç deklaroi ai gjatë një vizitë në Daraja pranë Damaskut pas një lutjeje me rastin efestës mysliamne të kurbanit Eid al-Adha. Udhëheqja në Damask e miratoi armëpushimin të shtunën, e po ashtu edhe sipas të dhënave nga Moska, marrëveshja është negociuar me qeverinë.

Disa grupe rebelësh sinjalizuan se do t’i përmbahen marrëveshjes së armëpushimit.

Ndërkohë që Turqia do të vazhdojë ofensivën e nisur në fund të gushtit, siç deklaron derisa „të mposhten të gjithë terroristët dhe kufijtë tanë të jenë të sigurtë“. Këtë e tha shefi i shtabit të përgjithshëm Hulusi Akar gjatë një vizite tek trupat, vë në dukje agjencia e lajmeve Anadolu.

Plani Kerry-Lavrov parashikon, që Moska t’i bindë trupat qeveritare siriane të tërhiqen nga qyteti i rrethuar Aleppo dhe të sigurojnë kështu aksesin e ndihmësve humanitarë. Në këmbim SHBA duhet të verënë lëvizje grupet aleate të rebelëve që të mos bashkëpunojnë me me frontin islamist Fateh-al-Scham. (dw)

Një kompjuter riprodhon kopje të përsosura të shkrimit me dorë

pc-shkrim-doreInformaticienët kanë krijuar një program që mund të riprodhojë shkrimin e dorës të kujdo, që nga Platoni e deri tek Shekspiri. Ata thonë se me këtë program mund ta bësh Shekspirin të vazhdojë të shkruajë vepra në 2016-n; por programi mund të shërbejë edhe për industrinë e botimeve dhe për parametrat e sigurisë në operacionet bankare.

Informaticienët në Universitetin e Londrës po programojnë kompiuterat për të gjeneruar pasazhe që duken si të shkruara me dorë nga një individ i caktuar.

Studiuesi Tom Haines thotë se deri tani e vetmja dëshmi që teksti nuk është shkruar me dorë është fakti që dallohet nga boja dhe gjurma në letër se është printuar. Kjo diktohet duke e parë me mikroskop.

Zoti Hanes tregon se për ta kthyer një tekst në shkrimin e një individi të caktuar, kompiuteri regjistron një nga një çdo shkronjë si dhe hapësirën mes fjalëve.

“Tani po veçoj shkronjat një nga një. E drejtoj programin që O-ja të fillojë këtu dhe M-ja të mbarojë këtu; pastaj shtyp shkronjën M në tastjerë, për t’i treguar kompiuterit që simboli i ri është shkronja M; bëj të njëjtën gjë edhe për O-në. Pra, pak a shumë procesi kërkon që të bëhet kjo punë për çdo shkronjë. Kjo këtu është shkronja S, megjithëse nuk duket krejt si S”.

Ky proces mund të përdoret për shkrimin e kujdo, pasi një dokument i shkruar prej personit skanohet në kompiuter dhe krijohet një kopje dixhitale e tekstit.

Programi krijon shqetësimin se mos përmes tij mund të falsifikohen dokumenta të shkruara me dorë. Por ekspertët që vërtetojnë nëse një pasazh është shkruar vërtetë nga një individ i caktuar, nuk bazohen vetëm tek stili i shkrimit. Ka një numër mënyrash për të diktuar nëse një tekst është falsifikuar. Për shembull gabimet drejtshkrimore. Shpesh falsifikuesit e teksteve harrojnë ta shkruajnë tekstin me gabimet që bën personi i caktuar, prej të cilit pretendohet se është shkruar dokumenti, gjë që sinjalizon një dokument të falsifikuar.

“Do të thosha që mungesa e gabimeve drejtshkrimore është mënyra më e shpejtë për të vërtetuar një dokument të falsifikuar. Sistemi nuk e riprodhon gabimet. Po ashtu, një pasazh me shkrim shumë të keq e ngatërron sistemin. Por nëse sistemi e pranon atë që është shkruar, në variantin që prodhon kompiuteri shkrimi duket shumë më i rregullt se në realitet”.

Programi është ende diçka e re dhe Dr. Haines thotë se ata që nuk dyshojnë se mund të ketë falsifikime në një dokument të caktuar, mund të mashtrohen nëse mes fletëve të dokumentit futet një faqe e realizuar me këtë program:

“Mund të arrish të mashtrosh nëse fut një letër të realizuar me këtë program kompiuterik në një stivë me letra të tjera të shkruara me dorë. Pra nëse dikush nuk dyshon se mund të ketë dokumente të falsifikuara, mund të mos kontrollojë me kujdes dhe nuk e dallon një letër të tillë. Por nëse dikush do të ndryshojë diçka në një dokument testamenti me këtë program, për sa kohë që askush nuk ka arsye të dyshojë dhe nuk i kontrollon një për një faqet e dokumentit, mund të arrijë të mashtrojë”.

Zoti Haines i kërkon një kolegu të shkruajë një pasazh që ia dikton nga një libër. Programi kompiuterik kopjon shkrimin e personit, por duke e bërë më të rregullt dhe më të lexueshëm. Sipas studiuesve që punuan për këtë program, synimi është që të shmanget përdorimi i tij për qëllim falsifikimi të dokumentave.

Programi mund t’u shërbejë bankave për të shkruar adresën mbi zarfa që të duket si një letër e shkruar me dorë dhe të mos tërheqë vëmendjen si dokument zyrtar me informata personale që mund të duan t’i vjedhin falsifikuesit.

Edhe kompanitë që prodhojnë kartolina, apo mesazhe përshëndetjeje janë të interesuara dhe mund ta përdorin programin në të ardhmen.

Lind pyetja: me gjithë opsionet që ofron kompiuteri për ta prodhuar një tekst në një font të caktuar, përse vlen një program i tillë për përdoruesin e përditshëm?

“Nëse thjesht do të shkruash një mesazh, mjafton të përdorësh një program me tekst normal; por diçka e shkruar me dorë ofron një element më personal, në një farë mënyre të thotë: “Këtë po ta dërgoj me shkrimin tim, pra i kam kushtuar pak më shumë mundim këtij mesazhi”. Pra diçka që të vjen me shkrim dore, sjell me vete një konteks më emocional, prandaj njerëzit ende marrin mundimin për të shkruar letra”.

Në botën tonë të automatizuar, ky program kompiuterik i quajtur “Teksti im, me shkrimin tënd” përpiqet të rikthejë një imazh të individualitetit në komunikim. (voa)