Rreziqet nga fundi i globalizimit?

Fundi i globalizimit po afrohet dhe ky nuk është ndonjë lajm i mirë. Ndonëse Trump dhe disa të tjerë premtojnë…

top-ten-globalisierungFundi i globalizimit duket për shembull kështu: prodhuesi i artikujve të sportit Adidas kthehet dhe prodhon vetëm në Gjermani. Për ekonominë gjermane duket ky si një lajm i mirë, por nuk është. Pse?

Presidenti i ardhshëm amerikan Donald Trump u ka premtuar zgjedhësve se do t’i kthejë vendet e punës në SHBA. Nga Kina, Meksika dhe vendet tjera ku prodhojnë sipërmarrjet amerikane. Për shumë amerikanë kjo tingëllon mirë, në veçanti për të papunët apo ata që paguhen pak. Por nuk është mirë. Pse?

Globalizimi dhe problemet

Fjala e madhe që përshkruan këto zhvillime është – globalizimi. Globalizimi është kuptuar së fundi si një lloj shpallje lufte. Por përhapja e ekonomisë dhe prodhimet edhe në vendet tjera nuk janë ndonjë zbulim i kapitalistëve radikalë neoliberalë. Që nga mesi i shekullit 12, tregtarët e kanë kutpuar rëndësinë e paraqitjes së përbashkët në treg. Vendet kanë shkëmbyer prodhime të gatshme në këmbim për karburante nga veriu i Rusisë.

Prej atëherë ka filluar përhapja e tregtisë dhe është zhvilluar në mbarë botën. Zhvillimi teknologjik i ka shndërruar vendet në zhvillim në një pikë shumë të rëndësishme për prodhim. Në radhë të parë koncernet e mëdha kanë kaluar fabrikat e tyre në këto vende, për shkak të konstove më të ulëta. Ndaj mund të thuhet se globalizimi ka ndihmuar rreth një miliardë njerëz të dalin nga varfëria. Një efekt tjetër pozitiv: çmimet për qytetarët në vendet e zhvilluara janë zvogluar.

Hija e globalizimit

Por globalizimi ka dhe shumë hije, si për shembull, kushtet e dobëta të punës në vendet në zhvillim, eksploatimi dhe një lloj skllavërie. Ndërsa njerëzit në vendet e industrializuara kanë humbur punën e tyre. Ata e shohin veten si humbës të globalizimit ndaj edhe kanë votuar për Donald Trump. Por ky nuk është një zhvillim që ka të bëjë vetëm me 2016. Shumë më shumë ka të bëjë me krizën e filluar në vitin 2007. OBT ka renditur rreth 2000 pengesa të ndryshme për tregti të vendosura prej vitit 2008. Mes vitit 2012 – 2015, tregtia ka qenë dyfish më e ngadalshme mes vendeve, prej vitit 1960.

Politikanët e vendeve të mëdha po përpiqen të mbrojnë ekonominë e vendeve të veta, përmes proteksionizmit. Por këtu bëhet fjalë për një veprim subtil të koncerneve të mëdha dhe krerëve të shtetit. As kjo nuk është e re. Megjithatë, viti 2016 do të futet në histori si fillimi i fundit të globalizimit. Edhe për shkak të dështimit të marrëveshjes mes SHBA dhe BE për tregti.

be-kanadaParashikimet

Proteksionizmi sjellë përparësi afatshkurtëra, dhe këtë do ta mësojë tash apo më vonë edhe Donald Trump. Në fakt, kështu vetëm sa mund të mbulohen problemet e brendshme. Fundi i globalizimit nuk ëshë një pamje e mirë për vendet si Gjermania (kampione bote në eksport), por as për vendet në zhvillim. Kjo do të rezultojë me humbjen e mirëqenjes.

Kthehemi tek Adidasi dhe prodhimet “made in Germany”. Reparti i Adidasit në Ansbach prodhon pa punëtorë fare, vetëm me teknologji. Dhe kjo e bën prodhimin më të lirë se në Vijetnam për shembull, ku edhe më tej ka të punësuar shumë njerëz. Ndaj ky vërtetë nuk është një lajm i mirë. As për Gjermaninë dhe as për punëtorët në Vijetnam. Por këto janë gjërat që na presin. (dw)

Maqedoni: Rivotimi nuk solli ndryshim në mandate

rivotimi-tearceKomisioni Shtetëror Zgjedhor ka konfirmuar se pas rivotimi të së dielës në Tearcë të Tetovës nuk ka ndryshuar numri i mandateve të fituara në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit.

Në zgjedhjet e 11 dhjetorit VMRO DPMNE ka siguruar 51 deputetë, Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë 49 deputetë, Bashkimi Demokratik për Integrim 10 deputetë, Rilindja me Besën 5 deputetë, Aleanca për Shqiptarët 3 deputetë dhe Partia Demokratike Shqiptare 2 deputetë.

Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, në bazë të rezultatit zgjedhor, edhe pas rivotimit mbetet me dy mandate më pak se VMRO- DPMNE. Kryetari i LSDM-s Zoran Zaev u shpreh i prerë, se partia që përfaqëson ai do të jetë ajo që do ta formojë Qeverinë e re të Maqedonisë. Lideri i LSDM-së Zoran Zaev përgëzoi banorët e Tearcës duke thënë se ata me votën e tyre kanë konfirmuar gjendjen e përgjithshme në Maqedoni.
“Fitorja e shumicës së qytetarëve të vendit, që kanë votuar për ndryshime u konfirmua në një Tearcë multietnike. Urime të sinqerta për qytetarët e Tearcës që me votën e tyre shumë precize konfirmuar disponimin e përgjithshëm në Maqedoni. “Maqedonia zgjodhi Ndryshime dhe Jetë! Tearca zgjodhi Ndryshim dhe Jetë”, shkroi Zoran Zaevi në rrjetet sociale.

Nga VMR- DPMNE, përmes një komunikate, kanë theksuar se Tearca të dielën e 25 dhjetorit parandaloi falsifikimin zgjedhor. “Për VMRO- DPMNE-në zgjedhjet kanë përfunduar qysh më 11 dhjetor. Sot edhe ne sikurse mbarë opinioni kuptuam se edhe pavarësisht të gjitha përpjekjeve, banorët e Tearcës e penguan tentimin për manipulim zgjedhor. Si fitues të zgjedhjeve mbetemi të përkushtuar në hapat e ardhshëm rreth formimit të Qeverisë së re”, thuhet në komunikatën për shtyp të VMRO-DPMNE- së.

Mobilizim i partive shqiptare për qeverinë e re

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka zhvilluar një takim me disa nga liderët e partive politike shqiptare që fituan mandate në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, për të bashkërenduar veprimin e faktorit politik shqiptar në Maqedoni. Ftesës së Ali Ahmetit i janë përgjigjur tri partitë që garuan bashkërisht në zgjedhjet e 11 dhjetorit si koalicion “Aleanca për shqiptarët”, përkatësisht Zijadin Sela nga Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare,Vesel Memedi nga Rilindja Demokratike Kombëtare, dhe Gëzim Ostreni nga partia Uniteti. Në takim nuk ishin përfaqësues të Lëvizjas Besa, dhe PDSH-së.Çështjet për të cilat partitë shqiptare duhet të merren vesh kanë të bëjnë me zyrtarizmin e gjuhës shqipe, zgjidhjen e kontestit të emrit që do të përshpejtonte integrimin euroatlantik, statusi i ish-ushtarëve të UÇK-së, ndarjen e barabartë të buxhetit, drejtimin e njërit nga postet më të larta në shtet dhe aspektet e përfaqësimit në institucionet shtetrore. “Dallimet mes nesh janë shumë më të vogla sesa çështjet e mëdha që na bashkojnë që ne si shqiptarë, të dalim me një zë për çështjet që kanë të bëjnë me të gjithë qytetarët shqiptarë në Republikën e Maqedonisë, pa dallim se cilës parti i takojnë, sepse gjërat që kanë të bëjnë me shqiptarët, janë shumë të përbashkëta”, ka theksuar kryetari i BDI-s Ali Ahmeti.

Kreu i Lëvizjes për Reforma në PDSH, Zijadin Sela thotë se qeveria e re është në duart e shqiptarëve dhe partitë e tyre përfaqësuese, sipas tij, duhet të shfrytëzojmë këtë rast për të mbyllur shumë çështje që nuk kanë marrë zgjidhje edhe 15 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit.

“Mendoj se është një moment historik që t’i zgjidhim disa çështje të hapura që ju interesojnë shumë shqiptarëve, që të mos jemi të detyruar që më pas apo në zgjedhjet e ardhshme t’iu premtojnë shqiptarëve gjuhën shqipe, por këtë ta bëjmë tani”, ka deklaruar Ziadin Sela.

Pritet konstituimi i Parlamentit

Pas rivotimit të së dielës (25.12)në Tearcë, KSHZ-ja pritet të ҁertifikojë rezultatin zgjedhor, kurse më pas pritet konstituimi i përbërjes së re parlamentare dhe nisja e afateve për formimin e qeverisë së re. Në bazë të Kushtetutës, mandati do t’i jepet partisë më të madhe fituese, në këtë rast VMRO-DPMNE-së, e cila ka nevojë edhe për mbështetjen e partive shqiptare për të siguruar shumicën parlamentare prej 61 deputetësh. Sipas nenit 63 të Kushtetutës, përbërja e re e Parlamentit grumbullohet në seancë konstituive më së voni 20 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve. Seancën konstituive e cakton kryetari i Parlamentit nga mandati i kaluar. Nëse nuk caktohet seancë në afatin e paraparë, deputetët mblidhen vet dhe e konstituojnë Parlamentin. Sipas Kushtetutës, presidenti i Maqedonisë është i detyruar që në afat prej 10 ditëve nga konstituimi i Parlamentit t’i japë mandatin për formimin e qeverisë kandidatit të partisë, gjegjësisht partive që kanë shumicë në Parlament. Mandatari në afat prej 20 ditëve nga dita e dorëzimit të mandatit, Parlamentit i dorëzon program dhe propozon përbërjen e Qeverisë. Qeveria, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedh Parlamenti me shumicë votash. (dw)

Maqedoni: rivotimi në Tearcë nuk ndikoi në rezultatin e përgjithshëm

votimet-rmNë Maqedoni, pas rivotimit dje në një qendër votimi në Tearcë pranë Tetovës, megjithëse Lidhja Social Demokrate arriti të marrë numrin më të madh të votave, nuk mundi ta përmbysë rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve parlamentare.

VMRO DPMNE vazhdon të ketë 51 mandate, ndërsa Lidhja Social Demokrate 49. Sipas ligjit, parlamenti i ri duhet të mblidhet jo më vonë se 20 ditë pas zgjedhjeve. Pas kësaj, presidenti brenda një afati prej dhjetë ditësh duhet t’i dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë partisë e cila do të formojë shumicën e nevojshme prej 61 vendesh.

Nga partitë shqiptare, vetëm Lëvizja Besa, e cila ka marrë pesë vende në parlament, është shprehur se nuk do të hyjë në koalicion qeveritar me një parti, zyrtarët e së cilët dyshohen nga Prokuroria e posaçme për vepra kriminale.

Bashkimi Demokratik për Integrim, që mori 10 vende, nuk ka thënë nëse do të shkonte me VMRO-në apo me Lidhjen Social Demokrate në koalicion qeveritar. Aleanca për shqiptarët mori tre vende, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare vetëm dy. (voa)

Beogradi trysni Prishtinës për asociacionin e komunave me shumicë serbe

vucic-rksPërfaqësues të Beogradit thanë që nëse gjatë disa javëve të ardhshme nuk do të ketë hapa konkretë për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, atëherë përfaqësuesit serbë do ta themelojnë vetë atë.

Këto komente pasuan një takim të përfaqësuesve serbë të Kosovës me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç të hënën, për të tejkaluar, siç u tha, ndarjet që ekzistojnë në kudër të Listës serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës.

Ndarjet pasuan vendimin e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa për të shkarkuar ministrin e pushtetit lokal Lubomir Mariç për shkak të siç është thënë kundërshtimeve të vazhdueshme të tij ndaj institucioneve të Kosovës

Ky vendim sipas qeverisë, qe marrë me propozim dhe këshillim me përfaqësuesit e Listës Serbe në parlamentin e Kosovës. Në vend të tij u emërua Mirjana Jevtiç, e cila deri tash ishte zëvendësministre e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Kjo çoi në ndarje në Listën Serbe përfaqësuesit e së cilës u këshilluan të hënën në Beograd që të veprojnë të bashkuar dhe të ndryshojnë vendimet rreth ndryshimeve në përfaqësimin e tyre në qeverinë e Kosovës deri më 31 janar.

Pas takimit të së hënës shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, tha se deri më 15 shkurt do të pritet për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe pas asaj kohe serbët do të veprojnë vet për themelimin e tij dhe do të merren vesh mes vete se si do të duket asociacioni dhe çfarë përgjegjësishë do të ketë.

Më 25 gusht të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas marrëveshjes, serbët në veriun e Kosovës do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni do të ketë përgjegjësinë për disa fusha siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e planifikimi urban e rural si dhe do të ketë të drejtë të marrë fonde nga Beogradi.

Qeveria thotë se asociacioni është në pajtim me ligjet e kushtetutën e Kosovës dhe propozimin e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari në bazë të të cilit është shpallur edhe pavarësia e Kosovës, ndërsa kanë mohuar çdo mundësi që ai të ketë përgjegjësi ekzekutive. Por, për opozitën asociacioni mund të çojë në ndarjen e brendshme të Kosovës.

Debatet rreth kësaj marrëveshjeje si dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi, çuan në krizën më të thelë politike në Kosovë.

Marrëveshja ishte pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. (voa)

Bordoja përballë së tashmes dhe së shkuarës

bordoQyteti Bordo në jugperëndim të Francës, është i njohur si kryeqyteti botëror i verës, por ka patur një të kaluar të errët, si porti i dytë më i madh i Francës nga ku bëhej tregtia e skllevërve. Ndryshe nga disa qendra të tjera të njohura për tregtinë e skllevërve, atje nuk ekziston një memorial i madh, për ta shënuar këtë histori të pakëndshme të qytetit dhe zyrtarët e konsiderojnë atë si shumë të kushtueshme. Por ndërsa shtohet shqetësimi për rastet e racizmit dhe të ksenofobisë në mbarë Europën, një njeri ka marrë përsipër misionin për të hedhur më shumë dritë tek e kaluara.

Është një destinacion i preferuar për anijet e pasagjerëve dhe specialistët e verës. Por Karfa Diallo ka më shumë interes për një tjetër aspekt të Bordosë, si një prej qendrave më të mëdha të tregtisë së skllevërve.

Nga shekulli i 17, deri tek i 19-i, ky qytet dërgonte anije që transportuan deri në 130 mijë skllevër nga Afrika drejt Amerikës. Ato ktheheshin me ngarkesa pambuku, cigaresh, sheqeri dhe rumi.

Qyteti e ka vënë pasurinë e tij pjesërisht me tregtinë e skllevërve.

“Këtu ndodhemi tek Sheshi i Bursës, një prej më të bukurve në Francë. Bordoja ishte më e pasur se sa vetë mbretëria e Francës” thotë Karfa Diallo.

Diallo, emigrant nga Senegali, është kryetar i një shoqate për të rritur ndërgjegjësimin për ekzistencën e skllavërisë, si dhe ofron vizita tek qendrat e tregtisë së skllevërve në Bordo, me të cilën ai beson se qyteti nuk pajtohet.

“Imazhi i verës është shumë i vështirë të pajtohet me atë të skllavërisë. Kjo është arsyeja përse qyteti u tregua shumë i vonuar për t’i dhënë historisë vendin që meriton.”

Shenjat e pakta të së kaluarës këtu është e vështirë të dallohen.

Diallo thotë se në Bordo ka më tepër se 12 rrugë me emrin e tregtarëve më të njohur të skllevërve.

“Unë e di këtë sepse e kemi mësuar në shkollë, në lëndën e historisë. Por nuk di më shumë,”- thotë Alexandre, një student.

Zyrtarët e qytetit janë dakord se duhet bërë më shumë, në një kohë kur në Francë është fuqizuar e djathta e ekstreme kundër imigracionit.

“Duhet të luftojmë për të mbrojtur të drejtat themelore dhe barazinë e qytetarëve. Por kjo nuk ka lidhje me të ndjerit fajtor dhe me pendesën. Qytetarët e Bordosë nuk mbajnë përgjegjësi për ato që kanë bërë të parët e tyre,”- thotë Marik Fetouh, nënkryetari i bashkisë.

Diallo mendon se dija është përgjigja më e mirë për t’iu kundërvënë racizimit të sotëm dhe të kaluar. Sa më të shumta janë njohuritë, aq më e vogël është urrejtja. (voa)

Robotët për rastet e fatkeqësive

robotet-per-fatkeqsiteNdërsa Italia përpiqet të rindërtohet pas tërmeteve vdekjeprurëse, shkencëtarët shpresojnë se një brez i ri robotësh do të ofrojë mbështetje më të mirë teknike për ekipet e shpëtimit në të ardhmen. Robotët janë ndërtuar për të kryer veprime të ndryshme në hapësira të rrezikshme dhe mjaft të vështira që kufizojnë qasjen e ekipeve të shpëtimit. Robotët njëkohësisht mund të ofrojnë të dhëna nga vendngjarja.

Një “krijesë metalike” me katër këmbë po tregon aftësitë mbi një terren shkëmbor. Roboti HyQ ose “katërkëmbëshi hidraulik” është prodhim i hulumtuesve të Departamentit të Avancimeve Robotike në Institutin italian të Teknologjisë në Xhenova.

Me katër gjymtyrë hidraulike dhe sensorë që kontrollojnë pozicionin dhe fuqinë, roboti mund të kryejë veprime në terrene të ndryshme si vrapim, ecje para dhe prapa si dhe të ngrihet nëse rrëzohet.

Këto janë pikërisht cilësitë që i nevojiten një roboti për të penetruar në terrene të paqëndrueshme dhe të rrezikshme si ndërtesat e rrënuara si pasojë e tërmeteve.

Menaxheri i projektit HyQ, Claudio Semini, thotë se ndërtimi i robotit me katër gjymtyrëve është çelësi që i mundëson robotit lëvizjen në një zonë fatkeqësie.

“Roboti katërkëmbësh në të ardhmen do të jetë në gjendje të ecë në terrene të rrezikshme. Mes aftësive të veçanta është ngjitja e shkallëve apo futja në cepat e ndërtesave të shkatërruara. Aftësia e madhe për lëvizje është nxitësi kryesor për të ndërtuar pajisje të tilla që kanë këmbë në vend të rrotave apo zinxhirëve”.

Edhe ekipet e shpëtimit kanë nevojë për mbrojtje kur shkojnë në zonat e goditura nga tërmeti në kërkim të të mbijetuarve nën rrënoja. Puna mbi strukturat e dëmtuara i vë ata përballë rreziqeve të mëdha, sidomos nga pasgoditjet që regjistrohen pas tërmetit.

Inxhinierët italianë duan ta përdorin robotin HyQ që të ndihmojë ekipet emergjente gjatë operacioneve të rrezikshme, duke i përdorur “krijesat metalike” që të transportojnë materiale apo të shkojnë në zona të paarritshme për njeriun.

Roboti ka një gjatësi prej një metri dhe peshon 75 kilogramë. Ekipi krijues thotë se makineria ka aftësi të masë presionin që ushtron mbi sipërfaqen ku lëviz dhe ndryshon veprimet në bazë të kushteve.

“Roboti është shumë i shkathët dhe bën lëvizje të ndryshme. Mund të vetë-drejtohet, të ecë mbi rrënoja, të ngjisë dhe zbresë shkallë, kapërcejë hendeqe etj. Robotët e tjerë kryesisht përqendrohen në një aftësi si ecja e shpejtë apo ngjitja. Roboti ynë i ka bashkuar të gjitha aftësitë në një makineri të gjithanshme,” thotë zoti Semini.

Luca Ciarleglio është menaxher për fatkeqësitë pranë agjencisë italiane për mbrojtjen civile në Firence. Ai ishte mes specialistëve në terren pas termetit vdekjeprurës në Amatrice më 24 gusht ku humbën jetën 300 vetë. Gjatë muajve që pasuan, tre lëkundje të fuqishme goditën zonën.

Zoti Ciarleglio është i impresionuar nga aftësitë e robotit dhe shikon potencial tek kjo makineri.

“Ky lloj roboti me aftësi të shumëllojshme mund të përdoret në zonat e shkatërruara nga termeti. Katërkëmbëshi ka stabilitet më të madh dhe shpërndan peshën tek të katër gjymtyrët ndërsa ecën mbi strukturat e rrëzuara. Sa më pak peshë vëmë në strukturat e rrëzuara aq më të mëdha janë shanset për të zbuluar të mbijetuar nën rrënoja. ”

Për momentin roboti nuk mund të futet vetë në ndërtesat e dëmtuara. Por ekipi shpreson që së shpejti roboti të ketë edhe aftsësinë të futet në ndërtesa dhe të bëhej pjesë e operacioneve në rastet e emergjencave. (voa)

Teknologjia ndihmon të verbrit të “shohin” kryeveprat e artit

verberit-shohinThesaret e muzeumeve të artit tani mund t’i shijojnë edhe të verbrit, apo vizitorët me problem shikimi. Printimi 3-dimensional e sjell në jetë veprën e punuar në telajo. Vizitorët mund të prekin me dorë relievin e printimit, të dallojnë fytyrat, apo pejsazhet e pikturës. Në Vjenë një printer ka krijuar në forma tre-dimensionale disa nga kryeveprat më të njohura të botës:

“Puthja” e Gustav Klimtit ndërthur stilin bizantin me vezullimin e arit. Ajo është një ndër veprat më të njohura të “Periudhës së Artë” të artistit austriak të fillimit të shekullit XX.

Vizitorët në muzeun Belvedere në Vjenë mund të shohin veprën origjinale ose një kopje të printuar të saj të cilin mund ta prekin edhe me dorë.

Tani, të verbrit apo kushdo që ka probleme shikimi mund ta përjetojnë këtë kryevepër duke prekur detajet e një riprodhimi 3-dimensional.

Andreas Reichinger ka punuar që nga viti 2000 për të transformuar veprat 2-dimensionale në punime artistike që mund të përjetohen përmes prekjes. Projekti i tij realizohet falë një pajisjeje të teknologjisë së lartë. Ai thotë se “Puthja” ishte projekti më i vështirë:

“Kjo vepër ka elementë figurativë dhe fizikë. Ka edhe pjesë 2-dimensionale dhe ornamentale. Ka rëndësi të gjendet balanca, që të përcillen pjesët që mund të përfaqësohen me 3 dimensione, por edhe të mos humbasin elementët dy dimensionalë në këtë reliev”.

Dominika Raditsch thotë se ai e arrin me sukses synimin:

“Shumë bukur! Tamam ashtu si piktura! Ka shumë detaje”.

Vizitorja Raditsch, e cila humbi shikimin kur ishte katër vjeçe, thotë se mund t’i imagjinojë pamjet në mendje, kur prek me dorë relievin 3-dimensional:

“Pak a shumë ka forma të rrumbullakta, të ndërthurura. E dallon me dorë. Në shumë pjesë është e sheshtë dhe mendoj se është e ndritshme”.

Falë mjeshtërisë së inxhinierit Reichinger, gjenialiteti i Klimtit dhe bukuria e veprës së tij “Puthja” tani kënaqin jo vetëm syrin, por edhe shqisa të tjera. (voa)

Argjentina, plane ambicioze për riciklim

panele-dielloreNë Argjentinë, vullnetarë lokalë e nga vende të tjera po punojnë nga afër me komunitetet e varfra për të shtuar vëllimin e riciklimit dhe për të ndërtuar impjante me energji diellore. Shpresat janë të mëdha që Argjentina të fuqizohet nga potenciali i jashtëzakonshëm që ka ky vend i Amerikës Latine për prodhimin e energjisë së ripërtëritshme.

Vullnetarët në Argjentinë po ndihmojnë banorët në lagje të varfra të riciklojnë mbeturinat për të prodhuar energji. Organizata joqeveritare “Sumando Energias” ndërtoi një panel diellor për dy orë që do të ndihmojë një familje të varfër në Garin, një komunitet 40 km larg Buenos Airesit.

Vullnetarët punuan pa pushim, megjithë shiun e rrëmbyer, duke mbledhur kanaçe, shishe plastike dhe kontenierë qumështi për t’i ricikluar. Sistemi që kanë ndërtuar është i thjeshtë dhe mund të kopjohet nga komunitete të tjera që kanë energji të bollshme diellore.

Tubat e sistemit lyhen në ngjyrë të zezë për të thithur sa më shumë diellin. Në këtë mënyrë, uji ruan nxehtësinë, pa qenë nevoja të përdoret energji elektrike apo nga gazi.

Tamara Legnazzi, studente për agronomi në Universitetin e Buenos Airesit, ka ardhur disa herë si vullnetare për projektet e shoqatës “Sumando Energias”.

“Më pëlqen puna vullnetare, pasi më jep mundësi të ndihmoj të tjerët dhe të njihem me njerëz të tjerë, të mësoj për ta dhe prej tyre. Po ashtu është mirë të jesh me njerëz që janë të gatshëm për veprim dhe të punosh me ta në një vend me energji pozitive”.

Shoqata ofron një trajnim dy ditësh për ata që duan të mësojnë si t’i kthejnë lëndët e ndryshme të mbeturinave në sisteme ngrohjeje për personat në nevojë.

Vullnetarët paguajnë rreth 40 dollarë për kursin, por më pas mund të angazhohen falas në projekte.

Sot ata po mësojnë se si të përdorin mbushjen e dyshekëve si izolant për banesat.

Ndërkaq, dielli nxeh tubat e impjantit të ngrohjes së ujit. Kjo u ofron familjeve ujë të ngrohtë për gjithë natën.

Pablo Castano, bashkëthemelues i shoqatës, thotë se ky projekt ndihmon komunitetet e varfra në një vend ku potenciali për energji të ripërtëritshme është tepër i madh:

“Argjentina ka një potencial të madh për energji diellore dhe ere. Po të kemi të njëjtin kapacitet si Gjermania, e cila ka të njëjtën lartësi nga niveli i detit si provinca Santa Cruz, ne do të mund të furnizonim me energji jo vetëm Argjentinën, por edhe vendet fqinje vetëm me energjinë nga Buenos Aires dhe pjesa veriore e vendit ku kemi shumë diell. Po ashtu Patagonia ka potencial të madh për të prodhuar nga era disa here më shumë energji se nevojat e Argjentinës”.

Një e treta e popullatës në Argjentinë jeton në komunitete ku shërbimet komunale janë të dobëta ose të pamjaftueshme. Rreth 17% e tyre nuk kanë ujë, sipas një statistike të fundit mbi popullatën. Angel Guelari është banor i Garinit, ku banorët do të kenë së shpejti një banjo që operohet me energji diellore, falë punës së vullnetarëve.

Angel po mëson edhe vetë si ta shfrytëzojë energjinë diellore. Angazhimi i banorëve është një ndër objektivat kryesore të shoqatës për të mobilizuar popullatën lokale në projektet e riciklimit dhe energjisë së ripërtëritshme.

“Këto gjëra që hedhim në plehra ndotin ambjentin, por ato mund të përdoren për nevoja praktike. Riciklimi është gjë e mirë. Më parë nuk ricikloja kurrë, hidhja edhe shishet. Qeset e plehrave mbusheshin plot dhe mbeteshin këtu se nuk vinte kush t’i mblidhte plehrat”.

Me ndihmën e vullnetarëve organizata “Sumando Energia” shpreson të ndërtojë impjante për prodhimin e energjisë nga dielli për 3000 familje në vit.

Luis Alberto Quinona, baba me tre fëmijë, ka parë shumë përmirësim në jetën e përditshme nga impjanti i ri. 28-vjeçari Quinona thotë se uji i nxehtë që merr nga impjanti ofron shumë lehtësira krahasuar me ujin që nxehte dikur në tenxhere për të larë fëmijët dhe për nevoja të tjera:

“Kjo është lagje e varfër dhe nganjëherë nuk kemi drita. Nuk kemi ujë. Ky panel që shfrytëzon energjinë diellore na ndihmon shumë, pasi kemi fëmijë. Prej tij kemi ujë të nxehtë, megjithëse është ndrëprerë rryma elektrike”.

Përpjekjet e Argjentinës kanë tërhequr jo vetëm të rinj vendas, por edhe plot vullnetarë të huaj që e shohin energjinë e ripërtëritshme si shpresa e së ardhmes për të përballuar zhvillimin.

Argjentina ka plane ambicjoze përpara. Në 2005, Argjentina u bë vendi i parë në Amerikën Latine që votoi për politika për riciklim të plotë të mbetjeve. Sipas zotimeve të qeverisë argjentinase, vendi synon të riciklojë çdo ditë 4000-5000 tonë mbetje urbane. (voa)

Trageti i pasagjerëve që punon me bateri

trageti-me-bateriNdërsa industria energjetike po transformohet ngadalë nga mbështetja tek lëndët djegëse me bazë fosile drejt burimeve të ripërtëritshme, një prej komponenteve thelbësore- bateria- po ashtu po njeh përparime. Bateritë moderne tani kanë kapacitete më të mëdha për ruajtjen e energjisë dhe marrin më pak kohë për t’u karikuar. Kjo nënkupton që përdorimi i tyre si burime energjie mund të zëvendësojë serbatorin e benzinës.

Shumë qytete në mbarë botën, madje edhe ato me transport të mirë publik, po përballen me pasojat e trafikut dhe ndojten e ajrit, prandaj po shtohet rëndësia e përdorimit të energjisë elektrike.

Deri tani, pengesa kryesore për përdorim të gjerë të energjisë elektrike ishte teknologjia e baterive. Bateritë ishin shumë të rënda dhe nuk përmbanin energji të mjaftueshme, ndërsa karikimi merrte shumë kohë. Kjo ka ndryshuar. Hans Thornell drejton kompaninë “Green City Ferries”.

“Teknologjia e baterive po zhvillohet shumë shpejt. Disa vite më parë, kur dolëm me karikimin e shpejtë, ishte diçka e re ndërsa tani është bërë normë”.

Ky zhvillim ka rëndësi për prodhuesit e mjeteve të transportit. Modeli S nga Tesla mund të kapë distanca mbi 500 kilometra me një karikim. Leaf nga Nissan, më pak e kushtueshme, e karikuar gjatë natës mund të përshkojë 160 kilometra, më shumë nga sa duhet për distancat e përditshme. Kompanitë po premtojnë distanca më të largëta në të ardhmen ndërsa makinat me bateri po futen edhe në transportin publik.

Mercedesi ka një autobus që karikon baterinë përmes paneleve diellore ndërsa një kompani në Suedi ka testuar me sukses një traget pasagjerësh që punon me bateri dhe përdor një teknologji të re për fuqinë lëvizëze.

Trageti që nuk ndot mjedisin po ashtu lundron më shpejt se sa anijet e zakonshme me naftë. Ulf Tudem drejton kompaninë “Effect Ships International”.

“Kur njerëzit flisnin për anije elektrike pa ndotje, në mendje kishin modelet e vjetra që kapnin shpejtësinë deri 15 kilometër në orë. Ne menduam të rrisnim shpejtësinë ose ta dyfishonim atë. Kureshtja ishte e madhe se si mund të lundrojë një anije me shpejtësi 55 kilometra në orë.”

Trageti eksperimetal “AiriEl” furnizohet nga bateritë me litium-titanat që karikohen për 15 minuta dhe përshkon më shumë se 25 kilometra.

Trageti ka edhe një projekt inxhinierik të veçantë. Dy motorët elektrikë janë lidhur me dy helika ballore, bazuar në sistemin IPS të kompanisë Volvo. Sistemi mundëson pakësimin e lëkundjeve dhe forma novatore e anijes e ndihmon atë të ngrihet pjesërisht nga ujë kur arrin shpejtësi të madhe.

“Kemi ndërthurur teknologjinë e anijeve që pluskojnë mbi dyshekun e ajrit me teknika të fjalës së fundit të strukturës si fibrat e karbonit duke shtuar sistemin IPS të Volvos në helika”, thotë Ulf Tudem me kompaninë “Effect Ships International”.

Projektuesit e anijes thonë se në trageti mban deri në 70 pasagjerë dhe biçikletat e tyre. Ata thonë se trageti është shumë i përshtatshëm për qytete të ndërtuara në breg të ujërave të lundrueshme. (voa)

Demë Shehu dhe Elham Arifi nga Grupi i Kumanovës: Njësitet speciale po na torturojnë

rasti-i-kumanovesDemë Shehu nga grupi i Kumanovës dhe Elham Arifi janë ankuar për dhunë nga njësitet speciale të policisë gjatë transportimit të tij të sotëm për në gjykim.

Sipas pohimeve të avokatit mbrojtës Asmir Alispahiç, Shehu dhe Arifi janë ankuar se policët i kanë keqtrajtuar në momentin që i kanë hypur në makinë dhe e kanë rrahur deri në gjykatë.

Alispahiç njoftoi se edhe sot janë prezantuar materiale të mbledhura me masa të veçanta të hetimit dhe prandaj publiku nuk mund të jetë prezent në seancë.

Seancat e mbyllura me gjasë do të vazhdojnë edhe gjatë muajve të parë të 2017-ës pasi provat e mbledhura me masa të veçanta të hetimit janë voluminoze. (ina)