Kryediplomati turk paralajmëron për “luftra fetare” në Evropë

kryediplomati turkMinistri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu paralajmëroi për mundësinë e fillimit të “luftrave fetare” në Evropë, si reagim ndaj rizgjedhjes së Mark Ruttes si kryeministër I Hollandës.

Zoti Cavusoglu tha të enjten se “nuk ka ndryshim” mes zotit Rutte dhe kandidatit të krahut të djathtë që humbi, Geert Wilders, të cilin ai e kishte quajtur “fashist.”

“Në ç’drejtim po shkoni, ku po e çoni Evropën? Keni filluar ta shpërbëni Evropën dhe ta çoni në buzë të greminës. Së shpejti luftrat fetare do të fillojnë në Evropë”, tha Ministri Cavusoglu.

Partia për Lirinë e Wildersit, një forcë politike anti-islamiste, me 20 vende në parlament, doli e dyta me një diferencë të ndjeshme ndaj Partisë Popullore për Liri dhe Demokraci të zotit Rutte që fitoi 33 vende.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha të enjten gjatë një fjalimi se Rutte e kishte humbur miqësinë e Turqisë, megjithëse kishte fituar ndaj Wilders. (voa)

Ballkani Perëndimor dhe rruga e integrimeve evropiane

ballkan6Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, tha të enjten në Sarajevë se të gjitha vendet e bllokut janë të përkushtuara për integrimin e vendeve të Ballkanit perëndimorë, por tërhoqi vërejtjen se rajoni nuk duhet të lejojë pengesa në përparimin drejt këtij qëllimi.

Ai u bëri thirrje vendeve të Ballkanit që “të mos luajnë me zjarrin”, por të përfitojnë nga ripërtëritja e angazhimit të BE-së ndaj rajonit.

Zoti Hahn i bëri këto komente në takimin e lartë në Sarajevë të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, të cilët në një deklaratë të përbashkët ritheksuan se synimet kryesore të të gjitha vendeve të rajonit janë integrimi evropian, bashkëpunimi ekonomik dhe lidhja infrastrukturore. Në takim morën pjesë kryeministrat e Bonjës e Hercegovinës, Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedoninë.

Zoti Hahn tha se takimi i mbajt në një periudhë kur vendet e rajonit po përballen me kriza të brendshme politike që nganjëherë rrezikojnë edhe tensione të rënda etnike. Në të njëjtën kohë, tha ai, shihen edhe ndërhyrje të pashembullta nga lindja, ndërsa nuk është e qartë se cila është qasja amerikane ndaj rajonit.

Por, ai vuri theksin tek fakti se vendet anëtare të Bashkimit Evropian një javë më parë konfirmuan përkushtimin ndaj rajonit dhe atë në një kohë kur vete blloku po përballet me probleme.

Edhe njëherë i sigurova kryeministrat për seriozitetin dhe interesin e fuqishëm të Bashkimit Evropian për të punuar në integrimin e mëtejmë të rajonit, drejt anëtarësimit në të ardhmen të të gjitha vendeve të rajonit“, tha ai.

Zoti Hahn mbështeti idenë e kryeministrave te rajonit për një treg të përbashkët në rajon për të shmangur pengesat dhe për të lejuar lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve.

Kjo do të lejonte krijimin e mbi 80 mijë vendeve të punës në rajon deri në vitin 2025“, tha zoti Hahn duke nënvizuar se një treg i përbashkët i rajonit përfshinë 20 milionë banorë.

Takimi i sotëm ishte në vazhdën e atij që është quajtur procesi i Berlinit, i organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, me synim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimorë. Procesi qe hapur në gusht të vitit 2014 në një konferencë në Berlin ku i ishte kërkuar Bashkimit Evropian një ndarje më e favorshme e fondeve të tij për rajonin.

Takimi i Sarajevës ndodhi në një periudhë marrëdhëniesh të tensionuara në Ballkanin Perëndimor, dhe shqetësimeve në rritje për paqëndrueshmërinë e rajonit dhe ndërhyrjen e Rusisë, e cila nuk i sheh më sy të mirë integrimet evropiane dhe posaçërisht anëtarësimin e vendeve të rajonit në NATO. (voa)

Shqipëri, Dhoma Amerikane, klima e biznesit u përmirësua në 2016

dhoma amerikaneAmbasadori Donald Lu: Zbatimi i Reformës në Drejtësi, do të transformojë përgjithmonë mjedisin e biznesit për të gjithë

Anëtarët e Dhomës amerikane të Tregtisë kanë vërejtur një përmirësim të klimës së biznesit në Shqipëri gjatë vitit 2016 në krahasim me vitin 2015. Sipas raportit të publikuar sot, indeksi i Biznesit, u ngjit në kuotën e 43.78 pikëve, përkundrejt 37.94 pikëve të një viti më parë, ndërsa pritshmëritë për vitin 2017 janë gjithashtu më të larta, duke u ngjitur në 45.52 pikë. Nga të 27 indikatorët që përbëjnë Indeksin e Biznesit, vetëm njëri prej tyre ka pësuar përkeqësim, ai që lidhej me gjetjen e punonjësve vendas të kualifikuar.

Megjithatë, sipas raportit, 42.4% e anëtarëve të Dhomës Amerikane vazhdoi ta shohë klimën e biznesit në Shqipëri në vitin 2016, si të pafavorshme, ose shumë të pafavorshme, kundrejt 65 përqind që kishin të njejtin perceptim në 2015. Pritshmëria për klimën e biznesit në 2017 (indeksi 44.13 pikë është më e lartë se në vitin 2016 (41.48 pikë).

Pesë shqetësimet më të mëdha të raportuara nga të anketuarit për vitin 2016 përfshinin Nivelin e përgjithshëm të taksimit (30.45 pikë), Burokracinë e institucioneve (31.11 pikë), Monopolet dhe Konkurrencën e pandershme (31.11 pikë), Gjetjen e stafeve lokale të kualifikuara (31.82 pikë), dhe Informalitetin në ekonomi (33.33 pikë).

Sa i përket Nivelit të përgjithshëm të taksimit, 63,2 përqind e anëtarve të Dhomës Amerikane e konsiderojnë atë të lartë ose shumë të lartë, kundrejt 69,7 përqind që kishin të njejtin perceptim në 2015. Ndërkohë që vetëm 2,3 përqind e vlerësojnë si të ulët. Lidhur me Burokracinë e Institucioneve, 65,2 përqind e të anketuarve e konsiderojnë si të lartë (47.4 përqind) ose shumë të lartë (17,8 përqind), ndërsa 28,1 përqind janë neutralë, ose e konsiderojnë në nivele normale. Ndërsa për situatën e Monopoleve dhe Konkurrencën e pandershme, gjatë vitit 2016, është rritur përqindja e atyre që i shohin si një pengesë të madhe ose shumë të madhe, 63.7 përqind (4 pikë përqindje më shumë), por paralelisht është rritur dhe masa e atyre që mendojnë se ato përbëjnë një pengesë të vogël ose shumë të vogël, 9,6 përqind (5.2 pikë përqindje më shumë se në 2015).

Për të tretin vit radhazi, gjetja e stafeve lokale të kualifikuara është vështirësuar më tej në 2016, sipas anëtarëve të Dhomës Amerikane të Tregtisë. Të paktën kështu e vlerësojnë 67,5 përqind e tyre, ndërkohë që vetëm 8,3 përqind e cilësojnë të lehtë ose shumë të lehtë gjetjen e punonjësve që janë të kualifikuar. Sa i përket Informalitetit në ekonomi, 11,9 përqind e konsiderojnë shumë të lartë, ndërsa 51,9 përqind të lartë.Vetëm 6,6 përqind e të anketuarve e shohin si të ulët ose shumë të ulët. Në krahasim me një vit më parë ka një përmirësim prej vetëm 1.9 pikë përqindje, ndonëse qeveria nisi që në fund të 2015 një aksion masiv kundër informalitetit.

Përmirësim ka shënuar dhe perceptimi lidhur me korrupsionin. Në vitin 2015, 58,2 përqind e të anketuarve e vlerësonin si të lartë ose shumë të lartë, dhe vetëm 6,7 përqind e konsideronin të ulët ose shumë të ulët. Në vitin 2016, anëtarët që janë shprehur se korrupsioni është i lartë ose shumë i lartë, përfaqësonin 51,8 përqind të të anketuarve, ndërsa ishin rritur ata që vlerësonin se është i ulët ose shumë i ulët, 12,6 përqind. Sidoqoftë, pavarësisht rënies, percetimi mbetet sërish në nivele shqetësuese.

Shumica e të anketuarve kishin një perceptim pozitiv, apo neutral në lidhje me autoritetet doganore, pushtetit vendor, ministritë dhe autoritetet tatimore gjatë vitit 2016. Perceptimet e të anketuarve për “Rendin dhe siguria në vend” (58.15 pikë), dhe “Klima politike e brendshëm” (39.26 pikë) gjatë vitit 2016, ishin më të mira se sa në vitin 2015. Po ashtu dhe perceptimi për infrastrukturën dhe furnizimit me energji elektrike janë përmirësuar edhe në vitin 2016.

Anëtarët e Dhomës Amerikane, perceptuan një tendencë pozitive të ecurisë së ekonomisë shqiptare në vitin 2016 (42.67 pikë), e cila ishte më e mirë se në 2015 (31.44 pikë). Ata presin që kjo tendencë të vazhdojë edhe në vitin 2017 (duke arritur 50 pikë). Përveç kësaj, kërkesa për “Mallra dhe shërbime” dhe “Mallra dhe Shërbime për Eksport” është përmirësuar edhe në vitin 2016, dhe pritet të rritet më tej në vitin 2017.

Shumica e anëtarëve të Dhomës Amerikane, kanë ruajtur të njejtin nivel ose kanë rritur investimet e tyre në vitin 2016, dhe presin që kjo prirje të vazhdojë dhe në vitin 2017. Pavarësisht vazhdimit të investimeve, 34.1% e të anketuarve të Dhomës Amerikane deklaroi se ishte ende e vështirë për ta për të financuar aktivitetin e tyre. Perceptimi për “Ndryshimet në punësim” është rritur pak në vitin 2016 dhe pritet të vazhdojë prirjen pozitive në 2017.

Për ambasadorin amerikan Donald Lu, “2017 do të jetë një vit i shkëlqyer për Shqipërinë”. Duke folur gjatë takimit për prezantimin e rezultateve të vrojtimit të kryer me 141 drejtues të kompanive anëtare të Dhomës Amerikane të Tregtisë, ai u shpreh se “ky është viti kur Shqipëria nis zbatimin e reformës në drejtësi, që do të transformojë përgjithmonë mjedisin e biznesit për të gjithë ju. 2017 është viti kur Shqipëria do të trajtojë korrupsionin në nivele të larta, përmes krijimit të strukturës së posaçme antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. 2017 do të jetë viti në të cilin BE dhe SHBA mbështesin përpjekjet e Shqipërisë për t’u përballur me sfidën e stërmadhe shoqërore të krimit të organizuar dhe të drogave të paligjshme. Kjo do të krijojë mundësi edhe më të mëdha për biznesmenët e ndershëm. Disa njerëz mendojnë se unë jam optimist. Nuk jam dakord! Unë jam realist dhe shoh të vijnë gjëra të mira për popullin shqiptar”, theksoi ambasadori amerikan. (voa)

Odiseja e Vettingut, puna nuk ka nisur ende

vettinguQë kur Parlamenti vendosi të kthejë procesin e rivlerësimit për kandidatët e organeve të Vettingut kanë kaluar 10 ditë, por deri tani nuk ka nisur asnjë veprim për verifikimin e aplikantëve, të cilët janë kualifikuar dhe u mungon një pjesë e dokumentacionit.

Top Channel mësoi se për disa ditë, Avokati i Popullit i ka bërë rezistencë Kuvendit për të marrë dosjet në dorëzim, derisa dosjet u protokolluan të gjitha ditën e hënë.

Burime nga të dy institucionet pohuan për Top Channel se pavarësisht marrjes në dorëzim, Avokati i Popullit nuk ka nisur ende procesin e verifikimit dhe as nuk ka hapur thirrjen për kandidatët e rinj.

Avokati i Popullit thotë se më parë i duhet të inventarizojë çdo dokument që gjendet në secilën prej dosjeve, në mënyrë që asnjë prej aktorëve të përfshirë në proces të mos këtë pretendime për korrektësinë e procedurave nga Avokati i Popullit.

Për ta kryer këtë, avokati ka kërkuar një grup të përbashkët pune me Kuvendin, por Top Channel mësoi se puna nuk do të nisë as deri të premten.

Një burim zyrtar bëri të ditur se Avokati i Populit i dërgoi të mërkurën Kuvendit një shkresë për të kryer inventarizimin së bashku duke nisur nga e premtja, një propozim që Kuvendi e cilëson si shtyrje të paarsyeshme të kohës, pasi administrata e tij ka qenë në çdo kohë e gatshme të punojë bashkë me Avokatin e Popullit.

Nëse nuk do të ketë shtyrje të tjera, procesi i verifikimit të kandidatëve aktualë për organet e Vettingut dhe thirrjes për kandidatë të rinj, pritet të hapet të hënën.

Bashkë me kohën që mund të marrin vëzhguesit ndërkombëtarë, procesi mund të rikthehet në Parlament në fillim të prillit, një periudhë shumë delikate politike.

/ Top Channel

Senatorët kërkojnë shpjegime për ndihmat në Maqedoni, Shqipëri

SenatiNjë grup ligjvenësish amerikanë i kanë kërkuar Sekretarit amerikan të Shtetit Rex Tillerson sqarime për ndihmat amerikane në Maqedoni dhe Shqipëri.

Duke ngritur shqetësimin se ato mund të mos jenë në shërbim të interesave strategjike apo ekonomike amerikane, grupi i përbërë nga 6 senatorë, shumica anëtarë të Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, në letrën e tyre, që mban datën 14 mars theksojnë se “Ne kërkojmë që ju të përdorni autoritetin tuaj për të hetuar gjithë fondet amerikane që lidhen me nxitjen e demokracisë dhe mirë-qeverisjes dhe të rishikoni programet, llogaritë dhe shumëllojshërinë e organizatave të ndryshme amerikane që janë të përfsshira në këto aktivitete.”

Senatorët kërkojnë shpjegime mbi aktivitetin e misionit diplomatik amerikan në Shkup, pasi shprehen se kanë marrë “njoftime të besueshme se gjatë viteve të fundit ky mision ka ndërhyrë në mënyrë aktive në politikat partiake në Maqedoni, si dhe në zhvillime që u japin formë mjedisit mediatik dhe jetës civile në vend, shpesh herë në favor të forcave politike me kahje majtiste”.

Në letrën e tyre senatorët përmendin fondet e qeverisë amerikane të ndihmave që u janë akorduar shoqatave si Fondacionit Shoqëria e Hapur të biznesmenit George Soros. Senatorët ngrenë shqetësimin se përmes këtyre fondeve, Fondacioni Shoqëria e Hapur po mbështet një agjendë politike të grupeve të majta, ndërkohë që duhet të mbështesë politika që u shërbejnë interesave strategjike amerikane, pa shkaktuar dëme në marrëdhënie me vende ku përdoret kjo ndihmë.

Senatorët shprehen të shqetësuar lidhur me pretendimet që kanë dëgjuar “nga udhëheqës të respektuar në Shqipëri se diplomatë amerikanë dhe organizata të mbështetura nga Sorosi po i mëshojnë një objektivi politikë” atje. Në letrën e tyre senatorët ngrenë pretendimin se Zyra e Fondacionit Shoqëria e Hapur në Shqipëri, me ekspertët e saj, e mbështetur me fonde nga USAID, “ka krijuar Dokumentin Strategjik për Reformën e Gjyqësorit në Shqipëri. Disa udhëheqës në vend besojnë se këto ‘reforma’ kanë për synim t’i japin kryeministrit dhe qeverisë së qendrës së majtë kontroll të plotë mbi sistemin gjyqësor,” thuhet në letër.

Senatorët paralajmërojnë se efektet destabilizuese të këtyre veprimeve janë të qarta dhe përbëjnë kërcënim për një shkallëzim të mëtejshëm të situatës në Shqipëri, ndërkohë që vendi përgatitet për zgjedhje.

Letra mban firmat e senatorëve Michael Lee, James Inhofe, Thom Tills, David Perdue, Ted Cruz dhe Bill Cassidy.

Fondacioni Shoqëria e Hapur, “Soros” u gjet nën kritika posaçërisht pas zgjedhjeve të dhjetorit në Maqedoni dhe reformës së sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Ish kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski e akuzoi miliarderin George Soros se financon Organizatat Joqeveritare, të cilat, sipas tij, “gjithë veprimtarinë e tyre e kanë të programuar kundër partisë së tij” VMRO-DPMNE.

Por drejtuesja e këtij fondi në Maqedoni Fani Karanfilova Panovska, tha më herët gjatë këtij viti se “Gruevski përmes ideve konspirative synon të sulmojë veprimin e sektorit civil për të penguar aktivitetet e Organizatave Joqeveritare të cilat kërkojnë përgjegjësi politike nga drejtuesit e institucioneve për keqqeverisje”.

VMRO-DPMNE nuk arriti të krijojë qeverinë pas zgjedhjeve, ndërsa partia rivale, Lidhja Social-Demokrate e cila siguroi mbështetje të mjaftueshme për formimin e qeverisë, u refuzua nga presidenti Geroge Ivanov, për shkak të marrëveshjes së LSDM-së me partitë shqiptare ku përfshihej edhe platforma e kësaj force politike shqiptare për përdorimin e gjerë të gjuhës shqipe në Maqedoni.

Ambasadori amerikanë në Shkup, Jess Baily, krahas përkushtimit për të mbështetur procesin e tejkalimit të situatës në Maqedoni, ritheksoi të mërkurën se vendimi i presidentit Ivanov, “nuk ishte një vendim i drejtë dhe mendojmë se ai do ta rishikojë atë”.

Në Shqipëri, opozita e ka akuzuar fondacionin Soros, për siç u tha “dirigjim” të reformës në drejtësi.

Shefi i fondacionit “Soros” në Shqipëri, Andi Dobrushi, tha më herët se mbështetja që fondacioni i jep procesit të reformës, është bërë me një marrëveshje me Kuvendin e Shqipërisë. “Kemi pasur përfshirje që në momentin e parë, kemi mbështetur financiarisht bashkëpunimin me ambasadën amerikane dhe partnerët evropianë”, tha në komentet për shtyp zoti Dobrushi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se të gjithë ata që po e akuzojnë Sorosin kanë përfituar prej tij, ndërsa theksoi se fondacioni “ka kontribuar me një mbështetje financiare për mbarëvajtjen e punës së Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi. Kjo padyshim ka qenë diçka pozitive sepse ka lehtësuar disa shpenzime jo të vogla për ekspertizë”, tha ai. (voa)

Rama: Çadrën e duan jomiqtë; Basha shpjegon takimin me rusët

ramaKryeministri Rama e shpjegoi me detaje idenë e tij për mbështetjen që po merr çadra e protestës nga njerëz jashtë, që jo domosdoshmërisht i duan të mirën Shqipërisë. Rama tha në “Top Story” se partnerët e Shqipërisë do të dëshpëroheshin, nëse vendi do të shkonte në drejtimin e gabuar.

“Do të dëshpëroheshin nëse për arsye të politikës dhe për interesa pushteti, apo për instikte frike, në Shqipëri do të ndodhnin gjëra që i shkojnë kundër të gjithë këtij procesi, ku ne si Shqipëri kemi një mbështetje kaq të madhe nga partnerët tanë strategjikë. Dhe e fundit, kryetari i opozitës është në të drejtën e tij që të mos i dallojë kush janë miqtë më të mirë të Shqipërisë dhe kush janë ata që nuk janë miqtë më të mirë të Shqipërisë. Ashtu sikundër është në të drejtën e tij, që t’iu kërkojë ndihmë këtyre të dytëve. Në parim po flas. Një kryetar opozite mund të shkojë deri në pikën që të thotë ‘më ndihmoni mua të hedh në erë këtë pengesë që kam dhe unë jam në dispozicionin tuaj’. Këto gjëra kanë ndodhur”, tha Rama.

Rama tha se me Rusinë kemi marrëdhënie të ftohtë, por Rusia nuk është armik i Shqipërisë dhe nuk e shikojmë si armik.

“Prandaj flas për gjëra që lidhen me qarqe të caktuara, lidhen me interesa të caktuara. Potencialisht, çdo situatë e tillë është një oportunitet dhe historia ka treguar se, kur krijohen oportunitete të tilla, gjenden edhe oportunistët që janë gati, jo flamurin, jo dinjitetin e atdheut, por gjithçka ta vënë në dispozicion të një qëllimi, që është një qëllim mizerabël”, tha Rama.

Pak minuta pas kësaj deklarate është pyetur edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, specifikisht për Rusinë apo qarqe ruse, nëse e kanë kontaktuar atë. Ai tregoi se ishte takuar me ambasadorin rus në Tiranë.

“Është një takim i kërkuar nga ambasadori rus për t’i shpjeguar situatën politike në vend. Ka qenë një takim publik, me fotografë dhe evidentim të gjithçkaje që është folur, e padyshim që është në kuadrin e një kontakti normal që Partia Demokratike ka me të gjithë përfaqësuesit e huaj në Shqipëri. Siç kam pasur një drekë me përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së sot dhe që do të kem nesër dhe të enjten, që janë takime të rregullta. Por kontakte me qarqe politike për të diskutuar fatet e Shqipërisë, Partia Demokratike nuk ka dhe nuk ka për të pasur”, tha Basha.

/ Top Channel

Basha takon ambasadorët: Opozita do vetëm qeveri teknike

BashaKryetarët e partive opozitare u takuan me ambasadorët nga vendet e Bashkimit Europian për të diskutuar zhvillimet e fundit.

Edhe një ditë më parë është zhvilluar një takim i ngjashëm, ndërsa opozita kishte rritur numrin e kryetarëve në takim.

Pas bisedës së zhvilluar në një restorant në kryeqytet, Basha foli për qëndrimin e pandryshuar të opozitës.

“Bashkë me përfaqësuesit e tjerë të koalicionit opozitar bëmë të qartë vendimin tonë për të mos u tërhequr nga beteja qytetare e popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme, deri në realizimin e kushtit të vetëm të opozitës, që është një qeveri teknike me vullnet të gjerë politik për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Bashkëbisedimi mund të them që ishte shumë i frytshëm, dashamirës, mbështetës për qëllimet europiane dhe europianizuese të qëndresës dhe lëvizjes sonë popullore. Unë, besoj se edhe kryetarët e partive të tjera të koalicionit, ndahemi edhe nga kjo drekë me shumë optimizëm dhe më shumë vendosmëri për t’i shkuar deri në fund kauzës sonë”, tha Lulzim Basha.

/ Top Channel

Ballokumet, “sekreti” i simbolit të Ditës së Verës

ballokumeSi çdo 14 mars, të gjithë kanë rendur pas ballokumeve, ëmbëlsira simbol e ditës së verës edhe në Tiranë.

Shpendi, me profesion pastiçier ka punuar edhe si bukëpjekës në emigracion, ndërsa sot na njeh me recetën e përgatitjes së një sheqerpareje në kushtet e shtëpisë, të cilët thotë se e ka mësuar nga mjeshtrit e Elbasanit.

“Ka miell misri, sheqer, gjalpë, vezë. Miellin e kam të shtëpisë time, është bio. Procesi zgjat afro 20 minuta, duhet bërë rrahja e vezëve bashke me gjalpin. Vezët hidhen 1 nga 1 që të shkrihet edhe sheqeri. Pastaj i futet edhe mielli. Pastaj në furrë 10-15 minuta”, shprehet pasticieri Shpend Patria.

Pastiçieri na tregon edhe për numrin e ballokumeve që shiten në ditën kur kjo është ëmbëlsirë është edhe karakteristika e ditës, traditë që sipas tij ka ndryshuar me vitet.
“Në 2006-ën kemi shitur gati 1 mijë copë në ditë. Tani ka rënë 100-150 e shumta”, shprehet ai.

Për t’ju përgjigjur shijeve të qytetarëve janë angazhuar edhe shitësit ambulantë, të cilët i kanë sjellë ballokumet edhe më pranë vendbanimeve të tyre.

/ Top Channel

Maqedonia në krizë, PE shtyn progresraportin

shkupiParlamenti Europian shtyu sesionin plenar mbi progresraportin e Maqedonisë, të planifikuar të mbahej këtë javë. Arsyeja, përse eurodeputetët vendosën që votimi të mos kryhej tani, është pikërisht kriza e tejzgjatur politike.

Dokumenti mbi përparimin e vendit përfshin ndër të tjera edhe rekomandimin për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit. “Radio Europa e Lirë” sqaron ndërkohë se, Lidhja Social-Demokrate po zhvillon bisedime me partitë politike shqiptare për zgjedhjen e kryetarit të ri të Parlamentit, i cili me gjasë mund të mblidhet këtë javë.

Edhe Lëvizja Besa është në pritje të marrjes së nismës për zhbllokimin e Parlamentit.

Njohësit e çështjeve politike mendojnë se, në situatën kur kreu i shtetit refuzon të japë mandatin e krijimit të qeverisë nuk duhet humbur kohë, por duhet zgjedhur kryetari i ri i Kuvendit, duke reflektuar shumicën parlamentare, që erdhi si rezultat i zgjedhjeve të 11 dhjetorit.

Analisti Nikola Dujovski arsyeton se, nuk ka përse të ekzistojë frika nga protestat kundër të drejtave të shqiptarëve, të cilat sipas tij janë thjesht lëvizje në funksion të mbrojtjes së pushtetarëve aktualë, që duhet të japin llogari para organeve të drejtësisë.

Konstituimi i Parlamentit pritet të zhvillohet në një atmosferë tejet të tensionuar, me presidentin Ivanov që refuzon dhënien e mandatit dhe udhëheqësin e VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski, nga ana tjetër, që ka shtuar kërcënimet për destabilizimin e vendit, duke mbuluar me gjoja revoltën e popullatës faktin që nuk arriti të krijonte qeverinë, edhe pse nga zgjedhjet fitoi dy vende më shumë në Parlament sesa LSDM-ja.

Makthin që i shkakton miratimi i “platformës shqiptare”, ish-kryeministri e tregoi edhe njëherë me përsëritjen e ftesës drejtuar Zaevit për mbështetje në krijimin e ekzekutivit, nëse angazhohet për një Maqedoni të bashkuar dhe shumetnike, e jo një shtet dygjuhësh.

/ Top Channel

FoxNews: A rrezikon përhapjen në gjithë rajonin kriza në Maqedoni?

foxnewsUrrejtja është e rrënjosur thellë në Ballkan dhe prova më e mirë për këtë janë ngjarjet më të fundit në Maqedoni. Me këtë fjali nis shkrimi i Profesor Gjovalin Shkurtaj, që ka zënë hapësirë në versionin online të “FoxNews” në Shtetet e Bashkuara.

Këto kohë, vendi është në prag të destabilizimit për të drejtën e shqiptarëve që gjuha e tyre të njihet si gjuha e dytë zyrtare në vend.

“Këto kërkesa janë cilësuar si të papranueshme nga Presidenti Gjorge Ivanov, i cili, në një lëvizje antikushtetuese, nuk lejon që koalicioni mes partisë maqedonase, LSDM dhe partive shqiptare të formojë qeverinë”, vijon më tej analiza.

Gjovalin Shkurtaj pyet nëse vërtet Ivanov po kundërshton gjuhën shqipe, apo bëhet fjalë për diçka tjetër? Përgjigjjen kesaj pyetjeje, ai e jep pasi bën një rezyme të ngjarjeve të ndodhura në Shkup pas zgjedhjeve të dhjetorit.

“Nikolla Gruevski nuk bindi shqiptarët që t’i bashkohen atij në bashkëqeverisje. E kundërta ndodhi me social-demokratët e Zoran Zaev, që nënshkruan një marrëveshje duke siguruar 67 vota në Parlament”, thotë Shkurtaj.

Pikërisht në këtë moment aktivizohet Ivanov, që FoxNews kujton se konsiderohet si i afërt me Gruevskin.

Presidenti Ivanov dhe ish-Kryeministri Gruevski janë të shqetësuar se Zoran Zaev mund të përdorë pushtetin si Kryeministër i vendit për të rihapur hetimet për skandalin e përgjimeve dhe të tjera dosje për korrupsion, që kanë shoqëruar Gruevskin që nga ditët e para të 2015.

Ky jo vetëm mund të ishte fundi i karrierës politike të liderit të VMRO-DPMNE-së, por do të ishte edhe më reale mundësia që ai të përfundonte në burg. Për të shmangur këtë dhe për të mbrojtur edhe miqtë e tij, Presidenti Ivanov, po nxit përplasjen ndëretnike në Maqedoni për një çështje që nuk ekziston, si ajo e përdorimit të shqipes në institucionet publike.

Shkurtaj kujton se shqipja si gjuhë zyrtare sanksionohet edhe në Marrëveshjen e Ohrit të 2001, që i dha fund konfliktit, ndërsa sjell në kujtesë edhe reagimin e Kryeministrit Edi Rama menjëherë pas vendimit të Ivanov për të refuzuar mandatimin e Zaev.

Në fund, në analizën e publikuar nga “FoxNews”, Profesor Gjovalin Shkurtaj u bën thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian që të ndërhyjnë për të shmangur gjakderdhje të mëtejshme në Ballkan.

/ Top Channel