Haley: S’ka diskutim që Rusia u përzie në zgjedhje

HaleyNikki Haley, ambasadorja amerikane në OKB tha të dielën se Presidenti Trump nuk e ka penguar të kritikojë Rusinë, edhe nëse vetë vazhdon të sulmojë grupet mediatike që raportojnë për hetimet për të zbuluar nëse ka pasur kontakte të parregullta mes ndihmësve të presidentit dhe zyrtarëve rusë për ta ndihmuar zotin Trump të fitonte në zgjedhje.

“Presidenti nuk më ka telefonuar asnjëherë për të më thënë ‘Mos sulmo Rusinë’,” tha zonja Haley.

Ambasadorja Haley nuk shprehu asnjë dyshim se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane.

“Kam thënë gjithnjë se nuk mund t’i zëmë besë Rusisë dhe besoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm se Rusia u përzie në zgjedhje,” tha Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley në emisionin This Week të rrjetit ABC.

Ambasadorja amerikane në OKB tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të dënojnë dhe të bëjnë thirrje që t’i jepet menjëherë fund pushtimit rus të Krimesë. Ajo shtoi se sanksionet e vëna kundër Moskës pas agresionit në Krime do të mbeten të pandryshuara deri kur Rusia t’i rikthejë Ukrainës kontrollin mbi Krime. (voa)

Nxënësit kërkojnë të hiqet testimi ekstern

nxenes testi eksternNxënësit e shkollave të mesme të Maqedonisë thonë se shpresojnë që këtë fundvit nuk do t’i nënshtrohen testimit ekstern (i jashtëm), i cili, sipas tyre, përpos presionit, kjo mënyrë e kontrollimit të dijes nuk ka kontribuuar në asnjë mënyrë për ngritjen e cilësisë së arsimit në Maqedoni.

“Vlerësimi i dijes së nxënësve përmes tridhjetë pyetjeve që duhet të zgjidhen vetëm përmes rrethimit të një përgjigjeje nga tri të mundshme, nuk mundet aspak të evoluojnë diturinë reale të nxënësve. Të mos përmendim atë kaosin që shkaktohet javën e fundit të vitit, kur ne duhet t’i nënshtrohemi testimit ekstern, zhvillohet një luftë e ashpër cili profesor do t’i rrijë afër nxënësit të caktuar për ta ndihmuar”, thotë Symeje Ramadani, nxënëse e vitit të tretë në Shkollën e Mesme Ekonomike në Shkup.

Ndërkaq, Ylber Gashi nga Shkolla e Mesme e Orientuar e Kimisë thotë se dikasteri i arsimit duhet të kontrollojë punën e mësimdhënësve përmes kontrolleve të Inspektoratit të arsimit dhe sukseseve që sjellin nxënësit me përfshirjen në garat e ndryshme dhe jo duke krijuar presion te nxënësit që brenda një ore të evoluohet dija që ata kanë marrë brenda vitit duke anashkaluar faktorët shumë të rëndësishëm siç është prania dhe aktiviteti në orë dhe puna praktike.

“Ministria e Arsimit nëse nuk ka besim në cilësinë e mësimdhënies, pse duhet të na viktimizojnë neve si nxënës duke iu nënshtruar testimeve të jashtme që krijojnë shumë presion te ne, si nxënës?! Nuk është faji ynë si nxënës, që mungon cilësia në sistemin arsimor, që duket se ka vrima të shumta që na bën të pasuksesshëm në tregun e punës. Testimi i jashtëm tregoi se asgjë nuk u ndryshua sa i përket ngritjes së cilësisë së arsimit”, thotë nxënësi Ylber Gashi.

Gjatë kësaj javë në foltoren e Parlamentit, në kuadër të seancës konstituive, është zhvilluar një debat i ashpër ndërmjet dy partive kryesore maqedonase VMRO DPMNE-së dhe Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë rreth efekteve të testimit ekstern.

Socialdemokratët janë zotuar se me formimin e Qeverisë së re të vendit që në mbledhjen e parë të saj do ta heqin testimin ekstern, por bllokimi i Parlamentit është duke e zvarritur këtë proces.

“Qershori i sivjetmë nuk do të jetë më muaji më stresues i vitit përnxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit. Qeveria e re, që në mbledhjen e saj të parë, do të shfuqizojë mbajtjen e testimit ekstern, i cili përpos presionit ndaj nxënësve dhe dënimeve ndaj mësimdhënësve, nuk solli asgjë të mirë në funksion të ngritjes së cilësisë së arsimit”, ka theksuar Petar Atanasovski, deputet i LSDM-së

Por, nga VMRO DPMNE-ja e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski kanë theksuar se testimi eksten ka ngritur cilësinë e arsimit, madje i ka detyruar të jenë më të përgjegjshëm gjatë notimit të gjithë mësimdhënësit, duke mos i fryrë notat për nxënësit e preferuar.

Ndërkaq, Sulejman Rushiti, ish-ministër i Arsimit, thotë se përmes testimit ekstern strukturat udhëheqëse bëjnë presion të vazhdueshëm ndaj punonjësve të arsimit.

Testimi ekstern u keqpërdor si një nga elementet për të shantazhuar ose për të mbajtur nën kontroll të punësuarit në arsim, që t`i keqpërdorin dhe shfrytëzojnë si makineri votuese në konton e pushtetit dhe absolutisht nuk ka qenë qëllimi i vendosjes së testimit të jashtëm si normë për të përmirësuar cilësinë e arsimit”, vlerëson Rushiti.

Për realizimin e testimit ekstern në shkollat fillore dhe ato të mesme, partitë opozitare thonë se nga arka e shtetit të Maqedonisë nga viti 2011 deri në vitin 2016 pra për pesë vjet, janë shpenzuar mbi 150 milionë denarë, përkatësisht 2.5 milionë euro, ndërkohë që në më shumë shkolla të vendit mungojnë kushtet elementare për mësim.(REL)

Aleksandër Vuçiç kryeson në zgjedhjet presidenciale serbe

VucicProjeksionet e para pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi e nxjerrin kryeministrin Aleksandër Vucic, fitues të tyre me rreth 58 për qind të votave.

I dyti pas tij radhitet kandidati opozitar Sasha Jankoviç, ish Avokat i Popullit të në Serbi që ka fituar 14 për qind të votave, sipas grupit vëzhgues Ipsos.

Serbët hodhën të dielën votën e tyre për të zgjedhur presidentin e ri, në ato që shihen si sprovë për popullaritetin e kryeministrit aktual, Aleksandër Vuçiç.

Anketat e opinionit publik kishin parashikuar që ai të fitojë që në raundin e parë.

Vuçiç, vendosi të heqë dorë nga posti i kryeministrit para se të mbushej një vit nga fillimi i mandatit të dytë, me premtimin për të ruajtur një drejtpeshimin ndërmjet aspiratave për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe për të ruajtur lidhjet tradicionale me Rusinë.

“Politika e Serbisë është që të qëndrojë në rrugën evropiane. Ky është qëllimi ynë strategjik. Arsyeja kryesore është që ne duam të jemi dhe të kemi një shoqëri sikurse në shumicën e vendeve të zhvilluara evropiane. Në anën tjetër, unë u them Bashkimit Evropian dhe Washingtonit se Serbia dëshiron të ruajë marrëdhënie të mira më Federatën Ruse, të kemi bashkëpunim të mirë ekonomik dhe ta përmirësojmë atë, sepse kemi pasur rënie të tregut vitin e kaluar”, tha ai gjatë fushatës.

Në Serbi, zyra e kryeministrit ka më shumë fuqi sesa ajo e presidentit. Vuçiç nuk ka dhënë shpjegime përse ka zgjedhur të largohet nga një zyrë me fuqi institucionale për të mbajtur një post kryesisht ceremonial. Por, analistët thonë se ai druante që presidenti aktual, Tomislav Nikoliç, mund të humbte zgjedhjet dhe posti t’i mbetej opozitës.

Opozita e rimëkëmbur kishte pak shpresë, meqë udhëheqësit e ndarë të saj nuk u morën vesh për një kandidat të përbashkët dhe Vuçiç u përball 10 syresh.

Kritikët e tij paralajmërojnë se zoti Vuçiç po kërkon të kopjojë llojin e autokracisë së Rusisë nën Vladimir Putinin që i ka dhënë tashmë mbështetje kandidaturës së tij. Rivalët e kanë akuzuar zotin Vuçiç për përbaltje të kandidatëve, për kontroll të medieve dhe për frikësim të votuesve.

Zoti Vuçiç, një ish-ministër i informacionit dhe propagandist i vijës së ashpër nën presidentin Sllobodan Millosheviç i kundërshton akuzat. Partia e tij Përparimtare Serbë në pushtet bleu ditën e enjte hapësirat e faqeve të para të pothuajse të gjitha gazetave të përditshme, për të reklamuar logon kuq e blu të kandidatit të saj.

Serbia u bë republikë e pavarur në vitin 2006, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Serbia është vend kandidat për në BE që në vitin 2012 dhe ka filluar negociatat për anëtarësim në vitin 2014.

Serbët e Kosovë në zgjedhjet presidenciale serbe

Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, ndërmori të dielën operacionin e quajtur “grumbullimi i votave” për t’u mundësuar serbëve të Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale të Serbisë.

Misioni kishte hapur katër qendra të grumbullimit të votave me degë të ndryshme në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, siç u veprua për zgjedhjet e kaluara.

Misioni i OSBE-së , planifikon që pas përfundimit të operacionit, votat e grumbulluara do t’i dërgojë në Rashkë dhe Vranjë të Serbisë dhe do t’ia dorëzojë ato Komisionit të atjeshëm Zgjedhor.

Serbët e Kosovës janë lejuar të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë meqë kjo u është garantuar me parimin e dyshtetësisë, që është i përfshirë në Kushtetutën e Kosovës. Mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë shpesh është kundërshtuar nga një numër subjektesh politike, të cilat pohojnë se në këtë mënyrë po pengohet integrimi i komunitetit serb.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian. (voa)