SHBA: Shembet një tunel me përmbatje mbeturinash radioaktive

tuneli berthamorNjë tunel i nëndheshëm, me përmbatje mbeturinash radioaktive u shemb dje pasdite në shtetin e Uashingtonit. Autoritet i kërkuan qindra punëtorëve që punojnë aty të tregohen të kujdesshëm.

Sipas njoftimeve zyrtare në kompleksin bërthamor të Hanfordit nuk pati rrjedhje rrezatimi dhe në momentin e rrëzimit brenda në tunel nuk ndodhej asnjë punëtor.

Ende nuk dihen arsyet që shkaktuan incidentin.

Rezervuari bërthamor i Hanfordit është përdorur për të prodhuar plutonium për bombën që i dha fund Luftës së Dytë Botërore. Reaktori i saj i fundit u mbyll në vitin 1987, por miliona litra mbetjesh radiaktive mbahen në fuçi.

Shembja e tunelit, u zbulua gjatë një inspektimi rutinë dhe ndodh në një periudhë pastrimi masiv që ka filluar që prej vitit 1980 me një vlerë më shumë se 2 miliardë dollarësh në vit.

Puna pritet të zgjasë deri në vitin 2060 dhe do të kushtojë më shumë se 100 miliardë dollarë. (voa)

Rasti i Kumanovës – shkaqet e konfliktit mbeten enigmë

KumanovaEdhe dy vjet pas ngjarjeve të 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Lagjen e Trimave në Kumanovë, mbeten enigmat se çfarë në të vërtetë ndodhi në këtë zonë urbane të këtij qyteti, ku nga luftimet e ashpra mes forcave policore dhe një grupi të armatosur që prezantohej si Ushtria Çlirimtare Kombëtare mbeten të vrarë 18 persona, 8 policë dhe 10 anëtarë të grupit të armatosur.

Një numër prej 37 personash u arrestuan, shumica shtetas të Kosovës, të cilët po gjykohen për terrorizëm.

Drejtuesit e grupit, tashmë të vrarë, por edhe ata që po gjykohen, në dëshmitë e tyre kanë thënë se qëllimi i tyre nuk ka qenë nxitja e ndonjë konflikti të armatosur, por tërheqja e vërejtjes institucioneve shtetërore për mos realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

Lideri i Lidhjes Social-Demokrate Zoran Zaev, kandidat për kryeministër disa herë ka premtuar se do të angazhohet për zbardhjen e plotë të asaj që ka ndodhur në këtë lagje të Kumanovës të banuar me popullatë shqiptare e që rrezikonte përfshirjen e Maqedonisë në një konflikt të rëndë ndëretnik.

Por, nga ana tjetër, VMRO DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit e cila akuzohet për përfshirjen e strukturave të saj në këtë incident të armatosur ka akuzuar LSDM-në për siç thuhet mbajtjen e anës së atyre që kishin sulmuar vendin.

“Oliver Spasovski, ish Ministër i Punëve të Brendshme dhe Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së, në vend se të brengoset për ata që po viktimizoheshin për Maqedoninë, ata shkuan dhe u fotografuan në vendin ku u vranë heronjtë maqedonas”, ka deklaruar Orce Gjeorgjievski nga VMRO DPMNE-ja.

Avokati Naser Raufi, beson se elementë të shërbimeve të caktuara sekrete janë infiltruar dhe kanë nxitur konfliktin e armatosur për shpërqendrimin e vëmendjes nga afera e përgjimeve që po trondiste Maqedonisë.

“Mendoj se me dëshmitë edhe të personave tjerë që i kemi propozuar do të dëshmojmë se këta ta akuzuar janë sakrificë e skenarit të huaj, janë të manipuluar. Kauza kombëtare ka qenë i vetmi motiv për ardhjen e tyre këtu, s’ka asnjë motiv tjetër, prandaj mendoj se nuk mund të flitet për akuzën e terrorizmit”, thotë Raufi.

Edhe avokatja Artene Iseni, vlerëson se në këtë rast ka gisht politika dhe se kjo sipas saj është vërtetuar nga dëshmitë e të arrestuarve gjatë 50 seancave gjyqësore që janë zhvilluar deri më tani.

“Në bazë të këtyre deklaratave ekziston dyshimi i bazuar, prezumimi i fajësisë së shumë personave përgjegjës të institucioneve të cilët duhet të vijnë dhe të shfajësohen apo edhe të fajësohen apo të dëshmohet fajësia e tyre qoftë për veprim apo mosveprim në këtë rast”, thotë Iseni.

Në mesin e të vrarëve janë edhe dy ish komandantë të njohur të Ushtrive Çlirimtare në Kosovë e Maqedoni, Mirsad Ndrecaj dheBeg Rizaj. Ata sipas dëshmive të prezantuara nga pala mbrojtëse e të arrestuarve të tjerë, janë ekzekutuar nga policia pas dorëzimit edhe pse autopsia e bërë në Shkup kishte dëshmuar të kundërtën.

Avokati Naser Raufi, disa herë ka përsëritur qëndrimin se ata janë ekzekutuar për të mos u zbuluar motivet kryesore të ngjarjeve në Kumanovë si dhe përfshirjen e shërbimit sekret në këtë rast. Nga Ministria e brendshme veprën e kishin cilësuar si terrorizëm dhe agresion nga jashtë.

Nga ana tjetër, lagja e Trimave e cila para dy viteve ishte bërë arenë e luftimeve të ashpra, i është kthyer normalitetit, por banorët ende jetojnë me trauma të cilët besojnë se vështirë do të hiqen nga memoria e tyre.

“Fëmijët kanë pasoja dhe vazhdimisht përmendin atë që kanë ndodhur këtu pasi shumë prej tyre kanë qenë këtu dhe më sytë e vet kanë parë atë që ka ndodhur. Kanë pasoja, kanë trauma edhe unë kam qenë këtu për 14 orë dhe normal se edhe unë kam trauma e lëre më fëmijët të cilët asnjëherë nuk do ta harrojnë atë që na ka ndodhur”, thotë një banor i Lagjes së Trimave.

Nga luftimet e dyditore në këtë lagje të Kumanovës ishin dëmtuar apo shkatërruar dhjetëra shtëpi e prona tjera të banorëve të cilat janë rindërtuar me ndihma të shumta dhe fonde të akorduara nga qeveria. (REL)

Rama: Për vettingun në 18 qershor

ramaMe porosi për kandidatët për deputetë, premtime për 4 vitet e ardhshme, batuta, por edhe ironi për çadrën e PD apo mungesën e opozitës në zgjedhjet e radhës. Për më shumë se 75 minuta fjalim, teksa bëri një përmbledhje të 44 muajve qeverisje, Edi Rama çeli zyrtarisht nga Durrësi fushatën elektorale për 18 qershorin, ku prezantoi edhe programin qeverisës për 4 vitet në vijim.

Edhe pse i vlerësoi zgjedhjet e ardhshme si sfidën më të vështirë për PS, kryetari i saj shprehu keqardhje për mungesën e demokratëve.

“Tani heshtje, është e pabesueshme por e vërtetë, partia që lindi 27 vjet më parë, PD ka ikur në drejtim të paditur. Ka vendosur të dalë nga zgjedhjet e udhëhequr nga frika, frikë e madhe më e madhe sesa një kope lepujsh në bark nga drejtësia. Mbyllur në një bunker plastmasi që ka shpallur luftë me kufijtë e erës tërë dynjasë, jo mua apo neve, por Shqipërisë, Gjermanisë, BE, Amerikës, s’duan zgjedhje sepse s’duan vettingut, s’duan drejtësinë, sepse nuk flenë më gjumë qysh se u detyruan ta votojnë reformën në drejtësi në korrik me iluzionin që do mbeste një tjetër letër që do e merrte lumi. Pa votuar vettingun si dalin dot para asnjë shqiptari për ti kërkuar votën. Ndaj duan të hedhin në erë zgjedhjet, për të hedhur në erë vettingun drejtësinë edhe me çmimin që të hedhin në erë Shqipërinë siç bënë 20 vjet më parë. Më vjen keq dhe jam i sinqertë, më vjen keq që erdhi puna deri këtu. Bëra çmos që kështu të mos ndodhtë…”, u shpreh Kryeministri.

Rama tha se këto zgjedhje do të donte ta kishte përballë PD, e cila sipas tij ka zgjedhur vetë politikën e inatit.

“Churchill thotë: problem me vetëvrasjen politike nuk vdes por jeton gjithë jetën me pishmanin pse e bëre. Ashtu le të jetojnë. Vetë e zgjodhën politikën e inatit, tani le ta vuajnë inatin e politikës. Doja t’i kishim përballë më 18 qershor, jo në bunkerin prej plastmasi, por t’i mundnim këtë herë edhe më thellë se 23 qershorin e 2013. Por kur u dorëzova edhe unë që dola më i duruari, na mbetet veçse t’i lëmë pas e të vazhdojmë përpara”, tha Rama.

18 qershorin, Kryeministri nuk e sheh vetëm si ditën e zgjedhjes së qeverisë së re.

“18 qershori do të jetë dita e vettingut të popullit ndaj politikës së vjetër, të marrjes zvarrë të Shqipërisë në emër të interesave partiake dhe parlamenti i ri do ta nisë jetën me zhbllokimin e vettingut menjëherë pas betimit të qeverisë së re”, u shpreh Edi Rama.

Rama kishte një përgjigje edhe për kritikët e opozitës në parlamentin e ri.

“Kujto që mendon se parlamenti i ri do e ketë jetën e shkurtër pa PD, gabon. I them gabon sepse liria e zgjedhjeve do prodhojë opozitën e re, ajo nuk është 1 apo 2 fytyra apo një elitë frikacakësh në krye të saj, por është elite”.

Kreu i socialistëve nuk ngurroi të tregonte sesi e imagjinon parlamentin e ri pa deputetin Sali Berisha.

“Do jetë parlamenti i parë pa Saliun, por jo pa opozitë. Pas 27 vjetësh tamam si bylmezi që e gjen vetë rrugën, ashtu edhe Saliu pas 27 vjetësh cenoi çdo normë edukate njerëzore. Shkeli çdo porosi të kanunit, shau, shpifi dhe kërcënoi tërë dynjanë në një ditë më shumë se gjithë pijanecët e Shqipërisë në një vit. E rrëmbeu PD nga duart e studentëve në ’90, e çoi në humnerë në ‘97, e ringriti dhe tani e mbyti me duart e tij duke e kthyer nga një alternativë qeverisëse në një fantazmë të frikës nga drejtësia. Më besoni ju, në qoftë se ‘97 ishte rrëzimi tragjik i Shqipërisë për shkak të marrëzisë së Saliut, 2017 do jetë rënia tragjikomike për shkak të budallallëkut të Lulëzimit”.

Programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme e prezantuan njëri pas tjetrit ministrat, ndërsa Kryeministri u kujdes të përcjellë edhe një porosi të fundit:

“Njësoj me ne nuk është askush sepse ne e kemi emrin PS. Përpara dhe vetëm përpara, të bashkuar”, tha Rama.

/ Top Channel

Linda Halimi eliminohet nga Eurovision

Linda HalimiLinda Halimi bëri një interpretim shumë të mirë në natën e parë të gjysmëfinaleve të Eurovisionit në Ukrainë.

Me këngën “Botë”, ajo përfaqësoi Shqipërinë në edicionin e këtij viti, teksa në natën e parë garuan 18 shtete, me Lindën që interpretoi e katërta.

Gjithsesi, këngëtarja shqiptare nuk arriti të kualifikohet për në natën finale, duke i dhënë fund garës së saj, që në natën e parë të konkurrimit.

Më 11 maj është nata e dytë gjysmëfinale, ndërsa të shtunën është finalja e Eurovision.

Gjatë ditëve të provave në Kiev, këëngëtarja shqiptare ka marrë vlerësime për potencën vokale.

Në performancën e saj të sotme, Linda, krahas vokalit, shkëlqeu edhe përmes gurëve të shndritshëm në ngjyrë argjendi, të cilët zbukuronin veshjen e dizenjuar nga Joni Peçi, por pavarsisht të gjithave, nuk arriti të bindë publikun europian për ta votuar për në finale.

/ Top Channel

SHBA: seancë në Senat për sigurinë kibernetike

paswordShtetet e Bashkuara përballen thuajse çdo ditë me një incident kibernetik dhe me “një numër kërcënimesh të ndryshme, në rritje”, sipas Drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Mike Rogers.

Në dëshminë e tij të martën para Komisionit të Forcave të Armatosura të Senatit, Rogers tha se Shtetet e Bashkuara po mbeten prapa, kur është fjala për luftën kundër sulmeve kibernetike dhe se vendi vazhdon të mos ketë një politikë për sigurinë kibernetike.

“Ekipi i ri administratës amerikane është duke punuar për këtë”, – i tha ai Komisionit.

Senatori John McCain tha se ai kishte shprehur shqetësim lidhur me mungesën e një politike për këtë çështje në të kaluarën. “Administrata Trump premtoi se do të kishte një politikë për këtë çështje brenda 90 ditëve të para pas inaugurimit, por 90 ditë kaluan”, – tha ai.

“Fatkeqësisht, vendi ynë mbetet i papërgatitur për trajtimin e këtyre kërcënimeve”, – tha zoti McCain.

Mendohet se Rusia ka qenë prapa operacionit të hakerimit të vitit të kaluar, i cili synonte të ndikonte tek rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Komisionet e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve, së bashku me zyrtarë të FBI-së, janë duke hetuar lidhur me përpjekjet e Rusisë për të ndikuar tek zgjedhjet.

Edhe Kina është akuzuar për pirateri kibernetike të vazhdueshme ndaj qeverisë amerikane, përfshirë një operacion i vitit 2015, gjatë të cilit u vgrabitën më tepër se 20 milionë të dhëna personale nga qeveria amerikane.

Zoti Rogers i tha Komisionit se kohët e fundit nuk ka patur ndonjë pakësim të operacioneve kibernetike nga Kina, apo Rusia.

Javë vendimtare për qeverinë e Kosovës

Qeveria e Kosovës përballet këtë javë me dy sfida: procedimin në kuvend të marrëveshjes së demarkacionit dhe votimin në kuvend të mocionit të opozitës për rrëzimin e qeverisë Mustafa.

mustafaQeveria e Kosovës nuk arriti ta procedojë për në kuvend marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, megjithë paralajmërimin e kryeministrit Isa Mustafa, se kjo do të ndodhë këtë të hënë (08.05). Vendimi për ditën e procedimit në kuvend të marrëveshjes së demarkacionit pritet të merret ndërmjet dy partnerëve kryesorë të koalicionit, PDK-LDK. Në një njoftim të qeverisë së Kosovës, thuhet se “pas diskutimeve të partnerëve të koalicionit qeverisës PDK-LDK, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u arrit dakordimi që mbledhja e kabinetit qeveritar, ku do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, të mbahet pas seancës së Kuvendit të Kosovës, ditën e mërkurë”, datë (10.05). Në këtë ditë do të votohet edhe mocioni i mosbesimit i opozitës për rrëzimin e qeverisë Mustafa.

Qeveria shpreh përkushtimin

“Qeveria e Kosovës shpreh përkushtimin e saj të plotë, që në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, SHBA-në dhe BE-në, të adresojë me prioritet dhe përkushtim të plotë çështjen e Ratifikimit të Kufirit me Malin e Zi, si një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës”, thuhet në kumtesë.

Marrëveshja për demarkacionin po kundërshtohet ashpër nga opozita si dhe një numër i deputetëve nga partitë në pushtet. Opozita thotë se me nënshkrimin e këtij versioni të demarkacionit Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë.

Në fundjavë, kryeministri Mustafa, njoftoi se ka pasur një telefonatë me zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të shtetit Hoyt Yee, ku është “diskutuar për nevojën që të procedohet pa vonesë në kuvend Projektligji për ratifikimin e marrëveshje për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, si një prej marrëveshjeve më të rëndësishme për vendin”. “Zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Yee, e konsideroi vendim të duhur adresimin e kësaj çështjeje të rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj, duke shprehur bindjen se kjo marrëveshje do të votohet nga të gjithë deputetët e Kuvendit”, u tha në njoftimin e qeverisë së Kosovës.

Koalicioni në krizë

Çështja e demarkacionit duket se ka lëkundur partnerët e koalicionit PDK-LDK. Ata po kritikojnë njëri tjetrin për mungesë të rezultateve. Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, që është edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se partia e tij udhëheq një qeveri të pakorruptuar. “Në qoftë se qytetari i Kosovës dëshiron të ketë qeveri të pa korruptuar, në qoftë se qytetarët e Kosovës duan të kenë ministra të pakorruptuar, në qoftë se qytetarët e Kosovës dëshirojnë të kenë ministra që e dinë punën e vet dhe që e bëjnë punën e tyre, një qeveri qe ka marrëdhënie shumë të mira me institucionet e Bashkimit Evropian, me SHBA-në, me institucionet financiare ndërkombëtare, atëherë ata e dinë zgjedhjen e tyre”, tha Isa Mustafa.

PDK akuza ndaj LDL

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës akuzon Lidhjen Demokratike për nxitim në çuarjen në kuvend të marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, pa garanci, se mund të sigurojë votat e deputetëve të saj. Kryetari i Partisë Demokratike Kadri Veseli, që është edhe kryetar i Parlamentit të Kosovës, tha se kryeministri Mustafa duhet të sigurojë së pari votat e partisë së tij për demarkacionin. “Unë shpresoj se LDK-ja do t’i sjellë 33 nënshkrime të grupit parlamentar. Në të njëjtën kohë, në momentin që LDK-ja është e gatshme me 33 nënshkrime, do t’i sjellim edhe ne 36 nënshkrimet tona dhe i kemi mundësitë të mbajmë një seancë të jashtëzakonshme”, tha Kadri Veseli.

Këtë situatë analistët e cilësojnë si një gjendje të paqëndrueshme politike në Kosovë. Ramush Tahiri i tha DW-së, se presioni mbi LDK po shtohet edhe nga partneri i koalicionit PDK, përderisa kjo e fundit nuk deklarohet publikisht nëse e përkrah ose jo mocionin e mosbesimit të opozitës. “Qëndrimi i PDK-së  në kundërshtim me marrëveshjen e koalicionit qeverisës, që palët nuk përkrahin mocionin e votëbesimit të Qeverisë, po kuptohet si presion mbi LDK dhe opinionin. Një lloj shtensionimi do të ishte sikur PDK të deklarohet sot, se nuk e përkrah mocionin për votëbesimin e Qeverisë. Korrekte do të ishte edhe sikur PDK tash të deklarohet për prishjen e koalicionin me LDK. Miqtë ndërkombëtar, zyrtarët e SHBA -së, u deklaruan për detyrat qe ka për t’i kryer ky koalicion qeverisës: demarkacioni, asociacioni, reforma, lufta kundër krimit dhe korrupcionit. Duket se po presin që Kryeministri të japë dorëheqjen”, thotë Ramush Tahiri.

Demarkacioni mollë sherri

Çështja e demarkacionit me Malin e Zi, e nënshkruar në vitin 2015, ka nxitur përplasje të thella ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kosovë. Mospajtimet rezultuan me protesta dhe dhunë në kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij, ndërmjet kundërshtarëve të versionit aktual të demarkacionit dhe Policisë së Kosovës. Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, është kusht për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave. Kosova është i vetmi vend në Ballkan që ka regjim vizash. (dw)

Fosilet e gjetura në Afrikën e Jugut përballë teorisë së evolucionit

FosiletEkipi shkencor që bëri bujë në vitin 2015 duke zbuluar një të afërm të lashtë me njeriun, thotë se zbulimet e fundit mund të ndryshojnë mënyrën se si e shikojmë evolucionin njerëzor.

Gjetjet, të cilat do të publikohen këtë javë një revistën shkencore “Elife” përfshijnë zbulimin e një shpelle të dytë me fosile të species me tru të vogël të quajtur hominin “Homo Naledi” dhe moshën çuditërisht të re të fosileve.

“Kocka të reja”

Kockat e gjetura në këto shpella të pasura me fosile në verilindje të Johanesburgut, fillimisht mendohej se ishin mbi 2 milion vjet të lashta, duke i bërë këto specie, kandidatë për paraardhës të mundshëm të njerëzimit. Madje disa në komunitetin shkencor shtruan pyetjen për “hallkën e munguar” në lidhjen mes majmunit dhe njeriut.

Megjithatë, analiza të pavarura të grupit të parë të fosileve e përcaktojnë moshën e tyre mes 236 mijë deri 335 mijë vjet të vjetra. Kjo do të thotë se ata jetonin në një njëjtën kohë me njerëzit e lashtë. Shkencëtarët thonë se ata besojnë se këto specie kanë një origjinë shumë më të hershme dhe mbijetuan për më shumë se 2 milion vjet.

Drejtuesi i ekipit shkencor, Lee Berger me Universitetin Witwatersrand të Johanesburgut, thotë se disa artifakte dhe gjeste që mund t’u atribuohen vetëm njerëzve të hershëm, si për shembull mjete pune, zbukurime dhe varrosja e të vdekurve, mund të mos jenë vepër e njeriut.

“Kjo kohë përkon me atë që shumica e arkeologëve dhe paleontropologëve dhe të tjerë, sugjerojnë se vihet re zhvillimi injeriut modern”, thotë ai. “Shumë njerëz argumentojnë se ky zhvillim ndodhi në jugun afrikan. Por tani kemi edhe një specie të re këtu. Nga ky moment, gjithçka është shumë komplekse.”

“Dhoma e të fshehtave”

Shkencëtarët vlerësuan gjetjen, vetëm 100 metra nga shpella ku u gjenden fosilet,një dhomë e ngjashme e ngushtë dhe e vështirë për t’u futur që përmbante eshtrat – duke ngritur mundësinë se speciet Naledi mund ta kishin përdorur këtë hapësirë për të groposur të vdekurit.

”Kjo ka gjasa të bëjë më të besueshme hipotezën se speciet Homo naledi përdorën vende të errëta dhe të largëta për të varrosur të vdekurit e saj”, tha antropologu John Hawks me “Universitetin Wisconsin-Madison”. “Sa shans ka që një varrezë të dytë, pothuajse identike, të jetë një rastësi?”

Mes fosileve të gjetura në guvën e dytë, thotë Lee Berger me Universitetin Witwatersrand në Johanesburg, ndodhet një kafkë thuajse e plotë e një të rrituri, të cilën shkencëtarët e quajtën Neo, që në gjuhën SeSotho (gjuha zyrtare në Lesotho dhe Afrikën e Jugut) do të thotë “dhuratë”.

“Neo ofron një pamje reale se si mund të duket trupi dhe fytyra e kësaj specieje të re jashtëzakonshme. Tregon se kemi qenë paksa të gabuar. Kishim menduar se kishte hundë më të madhe. Aktualisht “Homo Naledi” ka një fytyrë më të sheshtë, më primitive nga sa mendonim, dhe për këtë arsye e kemi vënë më mbrapa një trungu familjar të lidhjes me hominidet (majmunët) e hershme. Është e qartë se pjesë të Homo Naledi të ekzaminuara nga kafka Neo janë shumë primitive, nga më primitivet të para në hominids. Pjesë të tjera janë çuditërisht të avancuara. Faktikisht mund të krahasohen më së shumti me njeriun.”

“Një Epokë e Artë”

Zoti Hawks, bashkëautor i tre botimeve të kësaj jave, thotë se ky zbulim mund të çojë në fillimin e një epoke të re në fushën e tij.

“Ka kaq shumë territor ende të paeksploruar; aq shumë zbulime që duhen bërë saqë ne tani po hyjmë në atë që mendoj se është një epokë e artë”, tha ai për Zërin e Amerikës. “Do të gjejmë më shumë guva me fosile të cilat do të na tregojnë histori që të nuk i presim”.

NGJARJA E 27 PRILLIT NË PARLAMENTIN E MAQEDONISË – SFIDA E RADHËS PËR SHQIPTARËT

Shpesh më mundon të kuptoj se çfarë është ajo që na dëmton kujtesën tonë historike (madje dhe atë të afërt), gjykimin tonë politik dhe instinktin për mbijetesë si komb në përgjithësi!? E në veçanti, çfarë është ajo që në momente të volitshme për të ndryshuar pozitën e tyre përmes ndryshimit të statusit kushtetues në Maqedoni, i bën shqiptarët që të fillojnë të flasin për multietnicitet, multikulturë, stabilitet të regjionit etj?

Gjërat që lexova në dy shkrime të këtyre ditëve dhe deklaratat e politikanëve aktual dhe mbështetësve të tyre militante, më tmerruan me idetë e vëllazërim-bashkimit të kohës së RSFJ.

Është mentaliteti prej skllavi i nënshtruar, i rrënjosur thellë në vetëdijen e një popullate që ka jetuar me breza nën kushte terrori? Apo mbisundon zëri i profiterëve injorantë “të shkathët” që fërkojnë duart të kënaqur që nga kjo fatkeqësi e bashkëkombësve bëhen të pasur brenda natës, ndërkohë që pjesa tjetër qëndrojnë të nënshtruar dhe të heshtur, të lumtur që kanë arritur të sigurojnë mbijetesën fizike për vete dhe familjet e tyre?

Pas ngjarjes së 27 prillit në parlamentin maqedonas dhe rrahjes barbare para kamerave të z. Selës, nuk u besoja syve se çfarë lexoja në një shkrim të stilit “Boro e Ramizi “ të kohës së RSFJ, me titull “Sela dhe Zaev u gjakosën për ne”: Zoran Zaev, líder i partisë maqedonase LSDM, në luftën e tij për pushtet na paraqitej si shpëtimtar i shqiptarëve, ndërsa z. Sela si hero, sepse sipas artikullshkruesit, u largua nga vendi ku ishin bashkë me z. Zaev, për të tërhequr pas vetes paramilitarët e VMRO dhe me këtë për ta mbrojtur z. Zaev, pothuajse me jetën e tij! Dhe qe kjo çmenduri të jete akoma më “e besueshme”, edhe vetë z. Zaev në një intervistë deklaron se kjo është e vërtetë, dhe se këtë ja ka deklaruar vetë z. Sela gjatë vizitës që i bëri në spital!?
Në një shkrim tjetër të po atyre ditëve, me titull “Po të vdiste Sela, mbaronte Maqedonia” lexova gjëra akoma më tmerruese. Nuk di se çfarë ka dashur të thotë artikullshkruesi, por nga ajo që ka shkruajtur në këtë shkrim del që ai i konsideron asgjë viktimat e shumta të pafajshme shqiptare, të vrara nga njëra nga këto dy parti maqedonase në pushtet, para ngjarjes së 27 prillit në Parlamentin e Maqedonisë, kur siç thotë ai “ra shteti, u vra demokracia”. Paramendoni sa përzemër e ka Maqedoninë me rregullimin shtetëror unitar, ky opinionist shqiptar! Sipas tij, demokracia në Maqedoni ka funksionuar në kohën kur u masakruan shqiptarët në Kumanovë, Brodec, Gostivar, Reçicë të Vogël – Tetovë, Bit Pazar të Shkupit, kur u likuidua pa gjyq Harun Aliu me shokë …!?
Njëkohësisht, në rrjetet sociale vërshuan shpalljet e heronjve, datave historike …
Sinqerisht, prisja qe ndonjëri nga intelektualët, anëtarë të LRPDSH, disa nga ta miq të mi, në pamundësi të z. Sela, te dalin me një deklarate të matur, sqaruese dhe kthjelluese për anëtarësinë dhe simpatizantët e tyre, por edhe për opinionin e gjerë, me kërkesën që të ndalojnë me shpalljen patetike të heronjve. Të sqarojnë opinionin se kjo që ndodhi në parlament, nuk tregoi heroizmin tonë, po pafuqinë tonë dhe faktin e të qenit akoma sot e kësaj dite viktimë brutale e shovinizmit maqedonas, në saje të pozitës dhe statusit akoma të parregulluar kushtetues. Se z. Sela u rrah në mënyrë barbare nga shovinistët maqedonas jo duke bërë heroizma, por duke tentuar themelimin e një qeverie koalicioni, për shqiptarët pothuajse e njëjtë me atë të kaluarën. Me po ata shqiptarë që ishin në pushtet, që nga viti 2001, në koalicion herë me njërën parti maqedonase e herë me tjetrën, ndjekur nga dhuna dhe masakrat ndaj shqiptarëve gjatë gjithë kohës të qenit në pushtet.
Por kjo, për fat të keq nuk ndodhi. Përkundrazi, ngjarja e 27 prillit në parlament për shqiptarët la pas vetes shumë pyetje dhe dyshime: rrëzimi i z. Gruevski dhe VMRO-së nga pushteti dhe zëvendësimi me LSDM-në në krye me z. Zaev, u bë qëllim në vete për shqiptarët? Kanë besim shqiptarët akoma tek z. Zaev dhe LSDM pas deklaratave mospërfillëse lidhur me kërkesat e platformës dhënë gazetës serbe Kurir pak ditë pas ngjarjes së 27 prillit? Do kthehet pas kësaj z. Sela në po atë parlament të Maqedonisë, ku u rrah dhe u tërhoq zvarrë në mënyrën më jonjerëzore? Çfarë mbrojtje të interesave të votuesve të tij do t’u sigurojë ai me pjesëmarrjen e tij të mëtutjeshme në këtë parlament, ku ai nuk ishte në gjendje për të mbrojtur as jetën e tij?
E vetmja shpresë ngelet që kjo ngjarje shumë domethënëse dhe e freskët, t’u shërbejë si mësim shqiptarëve se nuk ua mbron jetën, mirëqenien dhe të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre buzëqeshja dhe “fjala e nderit” e Zaevit, apo cilido përfaqësues tjetër nga pala maqedonase. Platforma “as mish as peshk”, konfuze, të paqarta dhe me kërkesa gjysmake, të pathëna deri në fund, nuk “qetësojnë” palën maqedonase e as zgjidhin çështjen shqiptare në Maqedoni. Në Maqedoninë si shtet unitar, edhe me angazhimin e deklaruar të z. Zaev, shqiptarët do vazhdojnë të jenë të diskriminuar dhe të pasigurt as për jetën e tyre, por edhe maqedonasit sado të privilegjuar të jenë nga ky sistem unitar, do të jenë peng i pakënaqësisë dhe pozitës së rëndë të shqiptarëve. E ardhmja e shqiptarëve por edhe e ardhmja e maqedonasve do vazhdojë të jetë përplot rreziqe e të papritura nga statusi i parregulluar i shqiptarëve dhe kështu do të jetë derisa edhe për shqiptarët të vlejë si për të gjithë kombet e tjera në Evropë, parimi themelor i demokracisë, ai i vetëvendosjes. (Afrim Fanda)

The Observer: “Shqipëria e madhe” është realitet

AutochthonousPerëndimi duhet të heqë dorë nga fantazia se paqja afatgjate në Ballkan mund të arrihet me izolimin e Serbisë, por edhe Beogradi duhet të bëjë kompromis e ta njohë Kosovën shtet, ka vlerësuar në The Observer eksperti amerikan për siguri dhe ish-analisti i Agjencisë Kombëtare për Siguri (NSA) John Schindler, transmeton Koha.net.

Sipas Schindlerit, “Shqipëria e madhe gjithsesi po vjen dhe është më mirë që ajo të vijë në kushte paqësore”.

Ai mendon se Kosova duhet t’i bashkohet Shqipërisë, ndërsa Serbisë duhet t’i takojë rajoni i Mitrovicës verore e Kosovës Lugina e Preshevës. Autori shton se objektet fetare serbe duhet të vihen nën mbrojtjeje të KB-së dhe të shpallen eksterritoriale.

Autori thotë se nga korrigjimi i hartës në Ballkan, humbëse e madhe do të jetë Maqedonia dhe se Shkupi, në këmbim për humbjen e pjesës veriperëndimore të vendit, që me shumicë popullohet nga shqiptarët, duhet që para të gjithë të tjerëve ta marrë ftesën për anëtarësim në BE e ndihma nga Perëndimi.

Sipas Schindlerit Putin po përpiqet të shkaktojë probleme në Ballkan, porse, thotë ai, nga Moska mund të pritet bashkëpunim në këmbim të territoreve nëse Kremlini trajtohet partner i barabartë.

Ai e përshkruan Be H-në si “pseudo-shtet që nuk është shëruar kurrë nga katastrofa e viteve 1992 – 1995” dhe ka shtuar se “miliarda dollarë të ndihmës perëndimore janë humbur nga kriminaliteti e korrupsioni “.

“Le t’i bashkohet Republika Srpska Serbisë”, ka shkruar Schindler, duke thënë se askush nuk mund të shpjegojë në mënyrë racionale pse kufijtë e Serbisë nga koha e komunizmit mund të ndryshojnë e kufijtë e Bosnjës nuk munden.

Autori i tekstit thekson se “kroatëve etnikë nga Hercegovina perëndimore duhet lejuar t’i bashkohen Kroacisë dhe përkujton se shumica e kroatëve të atjeshëm tashmë kanë pasaporta kroate.

Ai mendon se pjesës së mbetur të B e H-së duhet mundësuar që të shkojë rrugës së vet dhe me procedurë të përshpejtuar të pranohet në NATO dhe në BE

“Vetëm pasi Perëndimi të pranojë se popujt e Europës Juglindore mund të arrijnë paqen pasi të jetojnë në kombet –shtete koherente, sikur Gjermania, Polonia ose Danimarka, mund të presim që Ballkani të qetësohet dhe të fillojë së zgjidhuri problemet serioze të varfërisë, kriminalitetit e korrupsionit”, thotë Schindler .

Është koha që Perëndimi të pranojë dështimin e vet dhe që Europës Juglindore t’ia japë atë që vërtetë i duhet, shtetet-kombe normale me kufij koherentë duke përmirësuar kështu hartën e Titos, ka thënë Schinlder. (koha)

DW para një muaji kishte paralajmëruar struktura paramilitare dhe luftë civile!

sulmet parlamentPërhapja e psikozës së konflikteve është vetëm një flluskë e kotë apo rrezik real në Maqedoni? Opinioni maqedonas pyet: kush qëndron pas të ashtuquajturit “Fronti Patriotik Maqedonas”, ndërsa autoritetet po heshtin. Ministri i Punëve të Brendshme “është në rrugë zyrtare”, ndërsa të tjerët nuk përgjigjen në pyetjet e Deutsche Welles.

Mediat qeveritare njoftojnë se “qytetarët po mblidhen vullnetarisht dhe po organizojnë brigadat popullore për mbrojtje me të gjitha mjetet, nëse socialdemorkatët i uzurpojnë institucionet”.

Përveç “brigadave popullore” që po themelohen, në Maqedoni janë regjistruar dhe veprojnë edhe rreth 20 të ashtuquajtura shoqata patriotike, të cilat kanë për qëllim “mbrojtjen” e Maqedonisë. Grupi nga 10 anëtarë “Pere Toshev” nga Prilepi ka sulmuar edhe gazetarin Bozhidar Barlakoski dhe e ka quajtur “kopil i shitur”. Ai e ka paraqitur rastin në polici.

Ta bashkuar në një front!

“Pere Toshev” është themeluar me 11 shkurt në Prilep, pas grupeve „Аndon Koseto” në Veles dhe “Todor Aleksandrov” në Bitol. Para banorëve të Bitolit u tha se “qëllimi i tyre është ruajtja e integritetit dhe vlerave të vërteta nacionale maqedonase nga të gjithë ata që punojnë kundër shtetit dhe popullit të Maqedonisë”. Kjo si dhe 23 organizata të tjera paramilitare kanë mbajtur në Veles një takim të përbashkët për unifikimin e forcave, me qëllim “vendosjen e bashkëpunimit strategjik dhe mbrojtjen e interesave vitale nacionale dhe shtetërore në Republikën e Maqedonisë”. Ata janë zotuar se do të veprojnë dhe organizojnë aksione së bashku.

„Populli ka nisur të organizohet vet, sikur në vitin 1903. Të gjithë maqedonasit duhet të angazhohen kundër qendrave dhe strukturave që veprojnë kundër kombit tonë”, thotë Jane Çento, një nga iniciatorët e Frontit Nacional Maqedonas.

24 grupe të ndryshme kanë nënshkruar edhe një platformë të përbashkët ku zotohen se do të angazhohen për interesat vitale të shtetit dhe kombit maqedonas. “Të gjitha forcat patriotike në vend do të luftojnë me të gjitha mjetet dhe metodat e mundshme për mbrojtjen nga ata që duan të rrënojnë Republikën e Maqedonisë”, thuhet në dokument.

Lojal ndaj partisë

Gruevski pas njësive paramilitare? Po kush qëndron pas këtyre grupimeve? Bllagoje Markovski, analist ushtarak dhe politik, thotë se këto organizime nuk janë “spontane”, por të përgatitura mirë. “Këto grupe janë paraqitur pas ftestave të VMRO-DPMNE kundër “desorosizimit”, apo për krijimin e grupeve që do të jenë lojale ndaj partisë. Kjo është shumë e rrezikshme dhe cënon përpjekjet e forcave demokratike për të ruajtur rendin shtetëror në Maqedoni. Kam frikë se këto grupe mund të keqpërdoren për të penguar edhe punën e Kuvendit, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe të qeverisë së re”, pohon Markovski.

Shenjat se aktivitetet po koordinohen nga një qendër janë paraqitur edhe në një deklaratë të iniciativës “Për Maqedoni Unike”, të botuar në Facebook, ku thuhet: “Duhet të jeni të gatshëm, sepse do të vije koha e fitores përfundimtare”. Një numër i madh i të ashtuquajturave organizata patriotike po merr pjesë edhe në protestat e organizuara nga VMRO-DPMNE. Atyre nuk mund t’ju bësh asgjë, që do të thotë se ata e kanë mbështetjen e ndonjë force politike, thonë analistët. (ina)