Gruevski dhe udhëheqësit e lartë të VMRO-DPMNE – të lirë, por pa pasaporta

GruevskiGjykata në Shkup ka refuzuar kërkesat e Gjykatës Speciale për të arrestuar zyrtarët e lartë të VMRO-DPMNE-së. Por janë marrë masa të tjera parandaluese dhe janë konfiskuar pasaportat.

Ish-kryeministri Nikola Gruevski dhe zyrtarë të tjerë të lartë të partisë VMRO-DPMNE-së mbeten të lirë, por ata nuk munden të largohen nga vendi. Kështu vendosi Gjykata e Faktit në Shkup. Ish-kryeministri, Gruevski, ish-ministrat Gordana Jankullovska dhe Mile Janekieski, deputeti Ilija Dimovski, dhe zyrtarë të tjerë të partisë janë akuzuar në rastin „Titanik” për veprën penale – manipulim të zgjedhjeve dhe votave.

Nga gjithsej 17 raste të Gjykatës Speciale me 94 të akuzuar, Gjykata e Shkupit nuk ka pranuar kërkesën për t’i vendosur ata në paraburgim, por ka shqiptuar disa masa paraprake. Pa pasaporta kann mbetur ish-ministrat Milevska dhe Vlladimir Peshevski, dhe ish-drejtori i UBK-së, Sasho Mijallkov. Lideri i VMRO-DPMNE-së Gruevski ka kërkuar heqjen e imunitetit të tij nga parlamenti, edhe pse një kërkesë e tillë dërgohet në adresën e gabuar. (dw)

 

Çfarë mund të pritet nga fjalët e Vuçiqit dhe Thaçit?

thaci vucic1Pas pesë muajt “heshtjeje”, në Bruksel u takuan presidentët e Serbisë dhe Kosovës, për të vazhduar dialogun. Thaçi dhe Vuçiq dolën për herë të parë në opinion me mesazh të njëjtë.

Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq thonë se dialogu mes shqiptarëve dhe serbëve “është futur në një fazë të re”. Vuçiq pohon se kjo nënkupton bisedime shumë më “serioze dhe të guximshe” për raportet mes Beogradit dhe Prishtinës. Ndërsa Thaçi thotë se “negociatat duhet të çojnë drejt normalizimit të raporteve mes dy popujve dhe shteteve”.

Palët thonë se do të nisin përgatitjet serioze për fazën e re të bisedimeve. Ndërsa në Qendrën për Politikë Evropiane në Bruksel kontestojnë seriozitetin e fjalëve të thëna në procesin për normalizimin e raporteve. “Trajtimi serioz dhe i guximshëm tingëllon mirë, por duhet të shohim veprat dhe jo fjalët”, thotë për DW, Korina Stratulat.

Dialogu Kosovë – Serbi

Dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë ka filluar me 8 mars 2011. Formatet e bisedimeve kanë ndryshuar disa herë, nga niveli i kryeminsitrave deri tek ministrat dhe të ngarkuarit për dialog. Marrëveshja e Brukselit është nënshkruar në vitin 2013, por shumë gjëra nuk janë zbatuar kurrë. Vetëm në disa muajt e fundit ka pasur një ashpërsim të dukshëm të retorikës dhe ngjarjeve. Ka pasur mure, trena, ndërhyrje të forcave speciale, arrestimi i Ramush Haradinajt etj.

Në Bruksel mendojnë se do të jetë vështirë të flitet për normalizimin e raporteve, nëse palët nuk janë të gatshme t’i realizojnë marrëveshjet. Politikanët serbë dhe shqiptarë arrijnë marrëveshje, por si të largohen nga Brukseli dhe kthehen në vendet e tyre, ata paraqesin marrëveshjet sipas dëshirës së tyre. Në Bruksel thuhet se palët nuk duhet të presin prej BE që të gjejë ndonjë përgjigje konkrete, definitive për problemet dhe raportet mes tyre.

“Nëse BE vazhdon me përpjekjet që të jetë neutral, kjo do të konsiderohet nga palët si mbështetje e palës tjetër. Ndaj BE duhet të jetë më i saktë në qëndrime. Por aktualisht nuk ka ndonjë format tjetër që mund të zëvendësojë formatin e tanishëm të bisedimeve”, thotë Stratulat.

Serbia dhe anëtarësimi në BE

Takimi i fundit Thaçi-Vuçiq ka pasur karakter joformal, por presidenti serb ka kërkuar që Serbia të anëtarësohet sa më parë në BE. Ekspertët në Bruksel thonë se kjo kërkesë ka ardhur në momentin kur BE ka vënë në qendër të vëmendjes Ballkanin dhe kur në Kosovë nuk dihet se kush do të formojë qeverinë dhe si do të vazhdojë dialogu, që prapë kushtëzon rrugën e Serbisë drejt BE. Ata që përcjellin më gjatë zhvillimet në Bruksel e dinë se zgjerimi ndonjëherë është bërë edhe për shkaqe praktike dhe gjeostrategjike. Por edhe ata e kanë të qartë se shpejtësia e afrimit të Serbisë me BE varet nga zbatimi i reformave në këtë vend.

“BE ka qenë gjithmonë i qartë në pohimet se Serbia ka perspektivë evropiane. Përshëndes qëndrimin e Vuçiqit për të vazhduar këtë rrugë. Reformat e para kanë dhënë rezultate konkrete, sepse janë hapur 10 kapituj në negociata. Por shpejtësia e afrimit të Serbisë me BE varet nga zbatimi i reformave”, thotë për DW, raportuesi i PE për Serbi, David McAlister. Ai megjithatë nuk mendon se për Serbinë apo Ballkanin gjërat do të përshpejtohen në qoftë se mungojnë rezultatet konkrete.

Vuçiq ka bërë të ditur se këtë vit do të bisedojë për raportet e Serbisë me BE edhe me Presidentin e KE Donald Tusk. Por nuk është e qartë nëse Tusk mund të ndihmojë kërkesat e Serbisë. Diplomatët dhe analistët në Bruksel thonë se bërja e prognozave për anëtarësimin e ndonjë vendi të Ballkanit në BE janë shumë të vështira. “Koha e anëtarësimit të mundshëm sot është më e paqartë se më parë. Tani më shumë vëmendje po i kushtohet raporteve mes vendeve të Ballkanit dhe më pak flitet për anëtarësimin”, thotë Korina Stratulat. (dw)

Thaçi dhe Vuçiq: “Duhet të jemi të guximshëm dhe serioz”

thaci vucicNë Bruksel u takuan Presientët e Kosovës dhe Serbisë, pas disa muaj “heshtjeje” mes këtyre dy vendeve. Takimi është pritur me kureshtje në Prishtinë, Beograd dhe Bruksel.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar nga i gjithë spektri politik në Kosovë, që të lihen anash dallimet politike dhe partiake dhe që të gjithë të mbështesin dialogun Kosovë-Serbi, për normalizimin e raporteve mes këtyre dy shteteve. Presidenti i Kosovës, në një intervistë për RTK, tha se “rruga e vetme e Kosovës është ajo e dialogut dhe e integrimit euroatlantik”. Ndaj këtu “nuk duhet të  ketë divergjenca politike”. Thaçi u shpreh optimist se dialogu do të vazhdojë dhe se do të ketë një “fund të kënaqshëm për qytetarët e Kosovës dhe për shtetet mike të saj, SHBA-në por edhe BE-në, si ndërmjetësuese e dialogut”.

Forma dhe esenca e dialogut

Përfaqësuesit e Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian në takimin e mbajtur në Bruksel konstatuan se dialogu duhet të vazhdojë. Por palët duhet të jenë më serioze dhe më të guximshme. “Na mbeten edhe një muaj apo një muaj e gjysmë për të përgatitur kornizat e dialogut në të ardhmen. Do të merremi me çështje esenciale, sepse duhet të shohim se në ç’baza do të vendosen raportet tona pas një viti, dy apo pesë vitesh. Pra duhet të jemi më serioz dhe më të guximshëm në debatet tona në Serbi, ndërsa shqiptarët në Kosovë e Metohi“, theksoi Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, pas takimit me homologun e tij Hashim Thaçi dhe ndërmjetësuesen Federica Mogherini. Vuçiq tha se “për herë të parë ka kërkuar qartë që të përshpejtohet procesi i futjes së Serbisë në BE”. “Kam kërkuar qartë që të saktësohen afatet, se kur mund të bëhemi anëtarë të BE-së dhe të mos mbetemi në tym.“

Thaçi kërkon ndihmën e ekspertëve

Presidenti i Kosovës i ka ftuar të gjtha partitë, liderët, mediat, shoqërinë civile, por edhe ekspertët që të japin kontributin e tyre në këtë proces. “Vetëm nëpërmjet bisedimeve dhe integrimit do të ecim përpara në rrugën e paqes dhe stabilitetit e integrimit. Të gjithë duhet të jemi të përgjegjshëm në detyrat tona” theksoi Thaçi, duke shtuar se “ne dhe ndërkombëtarët janë të interesuar që çështjet të ecin përpara”, sepse “vetëm me bisedime mund të ecë përpara edhe procesi integrues”. Thaçi tha se në këtë proces nuk duhet të ketë populizëm dhe duartrokitje, por duhet që ai të përfundojë në kornizat e Kushtetutës dhe vendi të shkojë përpara. Ai tha se mandatim për krijimin e qeverisë së re do t’i jepet fituesit të zgjedhjeve, me shpresë se vendi do të ecë shpejt përpara me procese demokratike. (dw)

Spiunazh intensiv kundër Gjermanisë

spiunimiRaporti i fundit i Mbrojtjes Kushtetuese tërheq vëmendjen: Rusia, Kina dhe Turqia përmenden si kombe, që bëjnë spiunazh kundër Gjermanisë. Veçanërisht para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani kërkohet vigjilencë.

Pak para takimit të nivelit të lartë të G-20-ës në Hamburg, Mbrojtja Kushtetuese, shërbimi i fshehtë i brendshëm i Gjermanisë i ka akuzuar shtete të rëndësishme pjesëmarrëse, si Rusinë, Kinën dhe Turqinë për aktivitete spiunazhi në rritje në Gjermani. “Federata Ruse, Republika Popullore e Kinës dhe Republika Islamike e Iranit janë aktorët kryesorë të veprimtarisë së spiunazhit kundër Gjermanisë”, thuhet sipas të dhënave të Agjencisë Gjermane të Lajmeve DPA në raportin më të fundit të Mbrojtjes Kushtetuese. Në këtë kuadër përmendet edhe Turqia.

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere (CDU) dhe Presidenti i Zyrës Federale të Mbrojtjes së Kushtetutës, Hans-Georg Maaßen e prezantuan dokumentin prej 300 faqesh në Berlin. Mbrojtja e Kushtetutës është përgjegjëse për Kundërspiunazhin në Gjermani.

Sulme sistematike kundër institucioneve

Të dy kryetarët e shtetit, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe Presidenti kinez, Xi Jinping pritet të vijnë në takimin e G-20-ës në Hamburg. Xi po zhvillon sot konsultime me Putinin në Moskë, pastaj ai do të vazhdojë rrugën për në Berlin, ku të mërkurën pritet nga Kancelarja Angela Merkel. Rusia dhe Kina janë shfaqur disa herë si autore të sulmeve kibernetike drejtuar Gjermanisë, thuhet në raport. “Vazhdimësia dhe zgjedhjave e objektivave” tregojnë qartë përpjekjen për të spiunuar në mënyrë strategjike politikën dhe administratën federale. Në radhë të parë, të prekura nga sulmet janë Ministria e Jashtme Gjermane dhe përfaqësitë e saj në botën e jashtme, ministria e Financave si dhe ministria e Ekonomisë. Edhe Zyra Kancelarore dhe zyra të Bundeswehrit e të Forcave të Armatosura gjermane janë në fokus të sulmeve.

Kujdes me emailet e manipuluara

Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës paralajmëron më tej edhe për rrezikun e ndikimit të zgjedhjeve parlamentare me anë të sulmeve kibernetike ruse kundër partive dhe politikanëve gjermanë. Si pasojë, viktimat e “përgjimit të emaileve konfidenciale ose të dhënave të tjera delikate duhet të llogarisin që përmbajtje të rrezikshme ose kompromentuese të publikohen”, citon Bild-Zeitung nga raporti.

Njëkohësisht, mbrojtja kushtetuese paralajmëron për aksione përgjimi të shërbimeve të fshehta të huaja në lagjen qeveritare në Berlin. Për këtë përshtaten “për shkak të gjendjes së përshtatshme dhe të statusit extraterritorial veçanërisht ndërtesat e ambasadave në qendër të Berlinit” dhe përfaqësi të tjera të krahasueshme diplomatike, thuhet në raport. Në të gjitha lidhjet e komunikimit që kryhen me radiolidhje”, si në bisedat me telefona celularë ose lidhje me WLAN duhet llogaritur edhe përgjimi.

Sulmet shtohen rregullisht në lidhje me takime të rëndësishme ekonomike dhe të politikës së financave, thuhet më tej. Vendimmarrës të nivelit të lartë dhe bashkëpunëtorët e tyre të drejtpërdrejtë përfshihen në e-maile të formuluara me mjeshtëri në një komunikim të simuluar të kryenegociatorëve në nivel qeveritar. Marrësve u kërkohet të hapin një dokument bashkangjitur emailit, duke shkaktuar kështu infektimin e sistemeve.

Turqia spiunon opozitarët

Shërbimin civil informativ turk MIT, mbrojtësit gjermanë të kushtetutës e akuzojnë se përmes stacionimit në përfaqësi të ndryshme zyrtare të Turqisë në Gjermani, përpiqet “edhe përtej komunitetit turk në Gjermani që të ushtrojë ndikim në formimin e opinionit në Gjermani”. Detyrë kryesore e MIT është megjithatë puna zbuluese ndaj opozitarëve, thuhet në raport. Në takimin e G-20-ës të premten dhe të shtunën pritet të vijë edhe Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyp Erdogan. Me të ka tensione të tjera, ndër të tjera sepse qeveria gjermane ka ndaluar daljet në publik të tij në Gjermani, para shokëve të partisë së tij dhe mbështetësve. (dw)

Prova e Phenianit me raketë acaron shqetësimet ndërkombëtare

prova PhenianKoreja e Veriut tha se ka kryer me sukses një provë me raketë balistike ndërkontinentale, një hap i rëndësishëm ky në përpjekjet e Phenianit për të zhvilluar aftësinë e tij të armëve bërthamore, duke sfiduar sanksionet ekonomike të vendosur nga Kombet e Bashkuara.

Raketa, e cila u lëshua nga një aeroport pranë kufirit verilindor mes Kinës dhe Koresë së Veriut, ra në zonën speciale ekonomike të Japonisë, duke krijuar reagim të fortë në qarqet politike të Tokios dhe duke konfirmuar se Pekini nuk po arrin të ushtrojë presionin e duhur mbi aleatin e tij.

Lëshimi i raketës që sipas Phenianit mund të “godasë kudo në botë” do të krijojë presion të ri mbi Pekinin për t’u treguar më i prerë me masat ndëshkuese ndaj Koresë së Veriut. Por reagimi që do të marrë Kina mbetet i paqartë. Në një konferencë të rregullt për shtyp,prova raketa zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze tha se Pekini ka bërë përpjekje të pandalura për të zgjidhur sfidat në Gadishullin Korean. Ai tha se roli i Kinës metet i pazëvendësueshëm tha se dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të ruajnë qetësinë.

Televizioni shtetëror i Koresë së Veriut tha se raketa fluturoi për 39 minuta dhe arriti një lartësi prej 2 mijë e 800 kilometrash para se të binde në Detin e Japonisë.

Pheniani ka punuar për të zhvilluar një raketë me mbushje bërthamore të aftë për të goditur Shtetet e Bashkuara, në kundërshtim me sanksionet ekonomike të vendosura nga Kombet e Bashkuara.

Gjatë një takimi sot me këshillin e tij të sigurisë kombëtare, Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in lëshoi një paralajmërim për Phenianin që t’i japë fund programit të tij të armëve bërthamore.

“Koreja e Veriut duhet ta dijë se provokimet bërthamore do të krijojnë vetëm vështirësi ekonomike. Qeveria jonë bën thirrje të fuqishme për çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut. Armët bërthamore të Koresë së Veriut dhe raketat janë çështje jete a vdekjeje që kërcënon sigurinë e popullit tonë dhe të aleatëve tanë. Ne nuk do të tolerojmë asnjë kërcënim të tillë në asnjë rrethanë.”

Duke u përgjigjur përmes Twitter-it, presidenti amerikan Donald Trump përsëriti thirrjet që Kina të përdorë pozitën e saj si aleatja kryesore e Koresë së Veriut për të ushtruar ndikim.

Ministria e Jashtme kineze bëri thirrje për qetësi dhe përmbajtje pas provës së sotme.

“Aktualisht situata në gadishull është komplekse dhe sensitive. Ne shpresojmë që të gjitha palët të qëndrojnë të qeta dhe të ushtrojnë përmbajtje, të ulin tensionet në gadishull sa më shpejt që të jetë e mundur dhe ta vendosin atë përsëri në rrugën e drejtë të dialogut të paqes”, tha Geng Shuang, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.

Presidenti Trump ka thënë se të gjitha opsionet, përfshirë forcën ushtarake, janë në tryezë për të luftuar kërcënimet nga Koreja e Veriut.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Trump dhe homologu i tij kinez Xi Jinping diskutuan “angazhimin e tyre për çarmatimin bërthamor në Gadishullin Korean,” gjatë një bisede telefonike që zhvilluan të dielën. (voa)