Banka Botërore nxjerr Raportin “Të bësh biznes”

banka boteroreBanka Botërore publikoi sot raportin kushtuar Europës dhe Azisë Qendrore “Të bësh biznes 2018”, ku për Shqipërinë theksohet se po vijon reformat për përmirësimin e mjedisit të biznesit.

Në një renditje të përgjithshme prej 190 vendesh, Shqipëria renditet në vendin e 65, krahasuar me vendin 58 të vitit të kaluar.

Ndërsa ka marrë 68.7 pikë nga 100 maksimale në treguesin e distancës, duke lëvizur me një pikë nga një vit më parë, kur ishte 67.7.

“Kjo do të thotë se gjatë vitit të shkuar Shqipëria ka përmirësuar në terma absolut rregullat e saj të biznesit sipas treguesve të raportit Të bësh biznes, pra vendi po ngushton diferencën me kufirin rregullator global. Kjo është një lëvizje pozitive” – thotë Përfaqësuesja e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim.

Sipas raportit, Shqipëria ka kryer përmirësime të rëndësishme gjatë 2016-2017 në kuadrin ligjor sa i takon falimentit dhe lehtësirave në kreditim.

Tirana po ashtu u vlerësua për faktin se garantoi me ligj që grave dhe burrave u jepet e njëjta pagesë për të njëjtën punë, duke ulur numrin e orëve të punës të lejuara gjatë një jave.

Kosova

Raporti i Bankës Botërore e radhiti Kosovën në mesin e 10 ekonomive të mbarë botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh në reformat e të bërit biznes.

Kosova radhitet në vendin 40-të nga 190 vende, sa i përket lehtësisë së të bërit biznes, krahasuar me vendin e 60-të ku ishte radhitur një vit më parë.

“Kosova ka përmirësuar në vazhdimësi rregulloret e saj për biznes, siç edhe është konstatuar nga treguesit e raportit dhe është duke ngushtuar hendekun me vendet me efektshëmri më të mirë”, citohet të ketë thënë Marco Mantovanelli, menaxher i grupit të Bankës Botërore për Kosovën. “Ky është një lajm i mirëseardhur për ekonominë e Kosovës. Megjithatë, nëse këto reforma nuk zbatohen si duhet dhe në mënyrë të qëndrueshme në praktikë, do të jetë e vështirë për Kosovën që të ndikojë në rritjen e prodhimtarisë dhe tërheqjen e më shumë investimeve”.

Çdo vit, raporti i “Të bërit biznes” në 190 ekonomi, mat aspekte të rregulloreve të biznesit që janë me rëndësi për sipërmarrësit, duke u përqendruar në dhjetë fusha: regjistrimin e një biznesi, trajtimin e lejeve të ndërtimit, furnizimin me energji elektrike, regjistrimin e pronave, marrjen e kredisë, mbrojtjen e investitorëve me pjesëmarrje të vogël, pagesën e taksave, tregtinë ndërkufitare, zbatimin e kontratave dhe zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës.

Përmirësimet në Kosovë janë mbështetur nga zbatimi i reformave rregullative të biznesit në fushat që kanë të bëjnë me ngritjen e biznesit, marrjes së kredisë etj.

Nëntë ekonomitë e tjera që kanë shënuar përmirësimet më të mëdha sipas raportit janë; Brunei Darussalam, Tajlanda, Malavi, India, Uzbekistani, Zambia, Nigeria, Xhibuti dhe El Salvadori. Rajonet me përqindjen më të madhe të ekonomive reformuese në Të Bërit Biznes 2018 janë Evropa dhe Azia Qendrore, Azia Jugore dhe Afrika nën-Sahariane. (voa)

Serbia thotë se Surinami ka tërhequr njohjen e Kosovës – Prishtina mohon

SurinamiAutoritetet në Kosovë mohuan të martën njoftimet se Surinami, një vend i vogël në Amerikën Latine, e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, u tha medieve në Beograd se Misioni i Surinamit në Selinë e Kombeve të Bashkuara e ka informuar qeverinë serbe se e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ai nxori para gazetarëve një shkresë në të cilën siq thuhet, Surinami “tërheq njohjen e Kosovës dhe Metohisë”, duke ju referuar me togfjalëshin që përdoret nga autoritet serbe për Kosovën.

Sipas ministri serb, qeveria e Surinamit e kishte marrë këtë vendim më 27 tetor dhe nota diplomatike i është dërguar Kosovës më 30 tetor.

Ministria e Jashtme e Kosovës, tha se nuk ka marrë asnjë dokument zyrtar lidhur me këtë çështje dhe “në këto rrethana, i referohet vetëm frymës së mirë të marrëdhënieve miqësore në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Surinamit dhe Notës Verbale të njohjes zyrtare nga ky shtet, të datës 8 Korrik 2016, nëpërmjet së cilës Qeveria e Surinamit e kishte njohur Republikën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”.

Më tej në njoftim theksohet se kjo ministri “është e vetëdijshme për interesimin e jashtëzakonshëm, përpjekjet e fuqishme dhe qëllimet malinje që ka shteti fqinj, Serbia përkitazi me minimin e legjitimitetit ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës”.

Megjithëkëtë, thuhet në komunikatë, ministria e Jashtme “flet me gjuhën e fakteve dhe gjendjen e realitetit. Gjuha e fakteve dhe gjendja e realitetit është se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, me legjitimitetin e vulosur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ku ishte dërguar nga vet Serbia, është njohur nga 114 shtete nga çdo kontinent, ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 88 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur gati 40 Misione Diplomatike dhe Poste Konsullore dhe ka të akredituar Ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete gjithandej nëpër botë”.

Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008 e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, ndërsa kundërshtohet nga Serbia e cila megjithatë është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian.

Ajo mbështetet nga aleatja e saj Rusia, e cila tash e tri ditë ishte mikpritëse e ministres së jashtme të Surinamit Yldiz Pollack-Beighle më të cilën shefi i diplomacisë ruse Sergey Lavrov ka diskutuar për bashkëpunimin ekonomik e ushtarak.

Askush në Misionin e Surinamit në Kombet e Bashkuara nuk është përgjigjur ne përpjekjet e Zërit të Amerikës për t’i kontaktuar.

Surinami, një ish koloni holandeze, me mbi 550 mijë banorë i kishte dërguar Kosovës një notë për njohjen e saj më 8 qershor të vitit 2016, ndërsa i kishte njohur pasaportat e Kosovës në vitin 2012. (voa)

Diamantët e rritur në laboratorë

diamantetIndustria e diamanteve po kalon kohë të vështira. Shitjet e gurëve të çmuar, tradicionalë për martesa, janë ngadalësuar, ndërsa brezi i mijëvjeçarit e vonon martesën, dhe diamantet e shtrenjta nuk janë më guri i preferuar, siç ka qenë dikur. Një faktor tjetër është se në treg kanë filluar tyë hyjnë diamantë të krijuar në laboratorë.

Diamantët kanë qenë gjithmonë sinonim i dashurisë dhe përkushtimit, por me një çmim të lartë.

Ndërkohë në treg kanë filluar të hyjnë diamantë të prodhuar në laborator.

“Përbërja kimike është saktësisht e njëjtë. Është një diamant i vërtetë. Kemi krijuar të njëjtin proces që ndodh në natyrë dhe e kemi prodhuar diamantin në laborator”, thotë Kelly Good me kompaninë Grown Diamonds.

Vëzhgesit e industrisë thonë se diamantët e krijuar në laboratorë janë identikë me ata që nxirren nga miniera.

“Diamantet kanë një përkufizim. Ata kanë një ngurtësi të caktuar. Kanë një strukturë dhe përbërje kimike të caktuar. Në këtë drejtim, diamantët e krijuar në laboratorë janë vërtet të njëjtë me diamantët e nxjerr nga miniera “, thotë specialisti David Weinstein.

Ndryshimi i vetëm i vërtetë është se prodhimi i diamantit në laborator kërkon vetëm disa muaj kohë.

Inxhinierët marrin diamantë nga toka që shërbejnë si farë për të rritur diamante në laborator. Ata i bombardojnë me një burim karboni në temperatura të larta dhe pas disa javësh diamantët rriten si kristale.

Procesi natyror kërkon mijëra vite.

Në fakt e vetmja mënyrë për të treguar ndryshimin është mungesa e papastërtive në diamantet e krijuara në laborator.

“Kam një kristal, një diamant dhe në të shoh një peridot jeshil dhe e kuptoj menjeherë se ky diamant nuk është krijuar në laborator. Pra përmbajtja mund të tregojë shumë për origjinën e materialit. Këtë kërkojnë të veçojnë specialistët tanë”, thotë David Weistein.

Diamantët e krijuar në laboratorë janë bërë sot një inddustri prej 14 miliardë dollarësh.

“Klientët tanë janë brezi i mijëvjeçarit. Të gjithë që fejohen blejnë diamantë të krijuar në laborator. Atyre u pëlqen gjithashtu aspekti i mbrojtjes së mjedisit. Ai rritet në laborator, pa lëvizur dheun, pa ndotje mjedisore.”, thotë Kelly Good me kompaninë Grown Diamonds.

Diamantët sintetikë kushtojnë 30 deri në 40 përqind më pak se diamantët e nxjerr në miniera.

Vëzhguesit e tregut thonë se diamantët e rritur në laboratorë janë në rrugën e duhur për të kapur mbi 15 për qind të tregut deri në vitin 2020. (voa)

Fitorja e fundit e Vettingut, Kushtetuesja rrëzon Unionin e Gjyqtarëve

gjykataaNë ditën që filloi punën, ligji i Vettingut kaloi sërish provën e Gjykatës Kushtetuese.

Mbledhja me dyer të mbyllura vendosi rrëzimin e kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve, që ankimoi 4 muaj më parë disa nene të ligjit të Vettingut dhe të dy ligjeve të tjera të reformës në drejtësi, atë të statusit të gjyqtarëve dhe të organeve të qeverisjes së drejtësisë, për një pikë të të cilit, Gjykata Kushtetuese u ka dhënë të drejtë.

Por, pika më delikate që Unioni ankimoi në Kushtetuese lidhej me kontrollin e figurës së njerëzve të drejtësisë. Vettingu përfshin në verifikim lidhjet e gjyqtarëve apo prokurorëve “me persona të dyshuar për lidhje me krimin e organizuar” sipas “informacioneve konfidenciale” pa një vendim të formës së prerë.

Shqetësimi i Unionit ishte se kjo mund të çonte në vendime abuzive të Komisionit të Vettingut, që do të bashkëpunojë në këtë proces me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, prej nga mund të vijnë informacione konfidenciale që partnerët kanë për krimin e organizuar, si foto, video apo biseda.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë pretendimin e gjyqtarëve për kontrollin e figurës duke lënë të pandryshuar ligjin e Vettingut, i cili sapo ka nisur të zbatohet dhe duke regjistruar kështu fitoren e fundit ligjore të Vettingut, pikërisht ditën kur organet e tij filluan punë zyrtarisht.

Top Channel

Nis procesi i Vettingut, Lu: Ditë shprese për Shqipërinë

VetinguNjë vit me vonesë nga hyrja në fuqi e Vettingut, godina e re u jep mundësi 3 organeve të ngritura pas ndryshimeve kushtetuese që të nisin punën për filtrimin e gjykatësve dhe prokurorëve.

Sipas Kryetares se Kolegjit të Apelimit, vonesat që iu bënë procesit si pasojë e mos krijimit të kuadrit ligjor dhe gjetjes së burimeve njerëzore nuk do të cenojnë misionin e organeve të reja.

“Është fakt se ato e kanë frenuar dhe penguar punën e sistemit në të gjithën e saj. Është fakt i pakundërshtueshëm se pa pastruar radhët tona, pa e konfirmuar përpara publikut se jemi ndarë nga elementët që janë shkaktarë të reputacionit tonë të dëmtuar rëndë në sy të publikut, do të ishte e pamundur të rifillojmë dhe të fillonim përmbushjen e njërës prej betejave tona me madhore, atë të krijimit të bindjes tek publiku se edhe drejtësia shqiptare është ashtu siç duhet të jetë, e drejtë dhe e ndershme”, tha Natasha Mulaj, kryetare e Kolegjit të Apelimit.

Procesi i Vettingut nis me kontrollin e pasurisë, figurës dhe kualifikimit të njerëzve të drejtësisë. Të parët në sitë, gjykatësit kushtetues. Por procesi do të ketë pasoja mbi gjithë shoqërinë përfshirë edhe sistemin politik.

“Ky është hapi i parë për të formatuar një sistem drejtësie, një sistem politike dhe shoqëror që duhet të ekzistojë vetëm mbi bazën e ligjit. Ky proces do të davarisë hijet e korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë dhe do të hedhë dritë mbi drejtësinë, drejtësinë që meritojnë shqiptarët dhe Shqipëria Europiane”, u shpreh Genta Tafa, kryetare e Komisionit të Kualifikimit.

Vettingu pritet të jetë një proces dinjitoz, edhe për shkak të monitorimit që do t’i bëjnë atij ndërkombëtarët.

“Komisionet e Vettingut janë të pavarura, por po kështu janë edhe vëzhguesit ndërkombëtar. Ne do të kërkojmë dhe investigojmë, do të vëzhgojmë dhe monitorojmë. Do t’i dokumentojmë opinionet dhe rekomandimet tona, duke pasqyruar vlerësimin tonë të ndershëm dhe të paanshëm për çdo rast. Nëse ato do të jenë në të njëjtën linje me vlerësimet e komisioneve të Vettingut, aq më mirë. Nëse nuk do të jetë kështu, ne nuk do të hezitojmë që t’u kërkojmë fort komisionerëve publik që të apelojnë”, Theo Jacobs, zv drejtor i ONM.

“Lajme të këqija, por kjo është ditë shprese për Shqipërinë”, tha ambasadori amerikan Lu.

Top Channel

Dialogu i brendshëm për Kosovën, puna më e rëndë për Serbinë

Marko GjuriqGrupi punues për ofrimin e mbështetjes për dialogun e brendshëm të Serbisë për Kosovën, dialog ky i iniciuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mbajtur mbledhjen e parë.

Pas mbledhjes, kryetari i këtij grupi, Marko Gjuriq, njëkohësisht edhe shef i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, ka thënë se detyrë e tyre është “dialogu për Kosovën përmes diskutimit më të gjerë shoqëror”.

Kjo është mbështetja për njërën prej punëve më të rënda, me të cilat është ballafaquar Serbia në vitet e fundit”, ka thënë Gjuriq për rolin e grupit punues, në krye të së cilit e ka emëruar Qeveria e Serbisë më 16 tetor.

Grupin punues e përbëjnë përfaqësuesit e ministrive të Qeverisë së Serbisë, të Zyrës për bashkëpunim me shoqërinë civile, si dhe Sekretariatit republikan për ligjvënie.

Sipas Gjuriqit, qëllimi i punës së grupit është që përmes kompetencave të të gjithë resorëve që përfaqësohen “të shohin se cilat janë ato institucione, grupe shoqërore dhe institute, që do të mund të ndihmojnë shtetin e Serbisë në forcimin e kapaciteteve institucionale për tu marrë me çështjen e Kosovës”.

Ajo duhet të përfshijë institucionet e shtetit, opinionin akademik, përfaqësuesit e organizatave të ndryshme të shoqërisë civile dhe sa më shumë që është e mundur edhe qytetarë të rëndomtë”, ka thënë Gjuriq, duke shtuar se për mënyrat konkrete të punës, do të flitet më tepër në të ardhmen.

Pritet që në ditët në vijim të shpallet se kur do të fillojë formalisht dialogu dhe se kujt do t’i bëhen ftesat e para për konsultime lidhur me Kosovën.

Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, konsideron që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me formimin e grupit punues është mbështetur në kapacitetet e Qeverisë së Serbisë dhe Zyrës për Kosovën të kësaj Qeverie, gjë që, sipas tij, është racionale, sidomos për shkak se për punët administrative dhe teknike i ka shfrytëzuar njerëzit që janë në rrjedha të kësaj çështjeje dhe me mënyrën e punës. Por, siç thotë ai, në këtë model, ekzistojnë edhe kufizime.

Në qoftë se ky është ekip administrativ dhe burokratik, gjë që do të duhej të ishte sipas asaj që flasin detyrat e tij që së pari të organizojnë logjistikën dhe të përcjellë se çfarë po ngjanë në kuadër të procesit të dialogut të brendshëm, atëherë problem është komoditeti i ekipit. Kjo për shkak se ekipin e udhëheqë politikani, nënkryetari i partisë dhe përfaqësuesi i një politike, i cili do të duhej që në dialogun e brendshëm të shqyrtohet seriozisht. Përndryshe, dialogu i brendshëm nuk ka kuptim”, tha Janjiq.

Formimit të grupit punues i ka paraprirë deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilën e kishte bërë në muajin korrik,për nisjen e dialogut të brendshëm për Kosovën.

Ndërkohë, Vuçiq ka thënë se pret që me një propozim për Kosovën do të dilet në mars të vitit 2018. Deri më tash ai nuk ka zbuluar shumë se çfarë është ai propozim që pret, por siç ka thënë ai, zgjidhja nuk është “as në mitet dhe konfliktet”, por “as në heqjen dorë nga interesat nacionale”.

Janjiq thotë se kur Vuçiq kishte paralajmëruar për herë të parë dialogun e brendshëm, kishte thënë se është e dëshirueshme arritja e një konsensusi nacional, por ndërkohë, siç thotë ai, Vuçiq i është afruar realitetit dhe këtë e dëshmon formimi i grupit punues.

Dialogu i brendshëm, në esencë, do të shndërrohet në konsultime profesionale – politike të Presidentit dhe Qeverisë dhe Kryeministrit, me grupin punues dhe njerëzit të cilët ata do t’i zgjedhin. Do të thotë, ky është faktori i parë kufizues dhe nuk duhet pritur që aty do të hyn edhe opozita. Kjo nuk është e mjaftueshme për zgjidhjen e problemit të Kosovës. A munden këto konsultime profesionale -politike ta avancojnë politikën që është udhëhequr deri më tash, kjo edhe mund të ndodhë në qoftë se dëshiron ai i cili e ka ftuar të ashtuquajturin dialog, e ky është Aleksandar Vuçiq”, tha Janjiq.

Që nga paralajmërimi i dialogut të brendshëm e deri më sot, kjo temë ka nxitur reagime të ndryshme në opinion, që nga ato se “qëllimi i Vuçiqit është krijimi i alibisë për pranimin e pavarësisë së Kosovës”, përmes mbështetjes së Brukselit, deri tek qëndrimet, sikurse ajo e patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, i cili beson që “për çështjen e Kosovës, Vuçiq mendon njëjtë sikurse populli serb dhe Kisha, si dhe që mbështetet në Rusinë që do t’i ndihmojë Serbisë që të ruajë atë që gjithmonë ka qenë serbe”.

Dialogu i brendshëm për Kosovën, sipas paralajmërime të mëhershme, është dashur të fillojë në shtator, por është shtyrë për tetor. Pjesëmarrjen, në parim, deri më tash e kanë pranuar Kisha Ortodokse Serbe, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë, organizatat joqeveritare dhe një pjesë e opozitës. (rel)

OSBE/ODIHR: Balotazhi në Maqedoni, kryesisht demokratik

zgjedhjet kutiteMisioni vëzhgues i OSBE/ODIHR balotazhin e së dielës e ka vlerësuar kryesisht demokratik, por me disa parregullsi të regjistruara në disa qendra të votimit si presione ndaj votuesve, tentime për blerje të votës, votimi familjar e parregullsi tjera më të vogla. Përkundër kësaj, dita e zgjedhjeve sipas misionit vëzhgues është menaxhuar mirë, kurse publikimi i rezultateve ka qenë efikas dhe në mënyrë transparente.

Ambasadorja e OSBE-ODIHR, Auderey Glover, tha se në disa komuna janë vërejtur tensione jashtë vendvotimeve për shkak të prezencës së aktivistëve partiakë, të cilët në disa raste ushtruan presion mbi votuesve.

Në këto zgjedhje kemi evidentuar raste të blerjes së votave, fotografim të fletëve të votimit duke mos përjashtuar edhe votimin familjar. E kemi vërtetuar këtë në disa vende dhe sigurisht Policia është duke i proceduar këto raste. Sa i përket pretendimeve për dhunë, raste të tilla nuk kemi vërejtur. Ne kemi parë fotografi të tilla, por në ato nuk ka asgjë të qartë për ne që të konstatojmë dhunën. Megjithatë ne nuk jemi polici zgjedhore. U takon partive që të denoncojnë këto akte me prova në institucione”, ka deklaruar Glover.

Sa i përket rolit të KSHZ-së, ambasadorja Glover tha se institucioni më i lartë në vend për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor ka përmirësuar transparencën ndërmjet dy rretheve zgjedhore, por edhe këtu kishte vërejtje para se gjithash për mos përditësimin e listës, si pasojë e së cilës disa votues të moshës 18 vjeçare dhe 900 të burgosur mbetën jashtë listës zgjedhore.

Sipas OSBE/ODIHR, zgjedhjet lokale kanë qenë konkurruese kurse respektimi i lirive themelore ka kontribuar për zbatimin e zgjedhjeve demokratike.

Vlerësimet për rrethin e dytë zgjedhor ka dhënë edhe asociacioni qytetar “Most” që kishte numrin më të madh të votuesve. Zgjedhjet sipas Most-it, kanë kaluar në atmosferë të qetë dhe demokratike ku qytetarët lirshëm kanë mundur ta shprehin vullnetin e tyre zgjedhor.

Edhe kësaj radhe ishim dëshmitarë të ndërhyrjes së shpejtë dhe efikase të institucioneve në ditën e zgjedhjeve ndaj parregullsive brenda dhe jashtë qendrave të votimit. Në këtë rreth u eliminuan problemet teknike gjatë realizimit të votimit që ishin vërejtur në rrethin e parë”, ka deklaruar Darko Aleksov, drejtor i Most-it.

Ndryshe nga kjo Most, shoqata tjetër që vëzhgoi zgjedhjet “Civil”, ka kërkuar hetimin e të gjitha parregullsive, në veçanti të pretendimeve të liderit të opozitës, Nikolla Gruevskit për harxhimin e 20 milionë eurove nga partitë në pushtet për siç ka thënë blerjen e votave.

Prokuroria duhet të iniciojë hetim edhe sipas informacionit të marrë për këtë akuzë duhet të hetohet se kush dhe me sa fonde ka disponuar ose ka tentuar të bëjë intervenim serioz në procesin zgjedhor”, ka deklaruar Xhabir Deralla nga “Civil”. (rel)

Hetimet mbi Rusinë; dalin aktpaditë e para

Paul ManafortIsh-menaxheri i fushatës presidenciale të Donald Trumpit, Paul Manafort dhe një ish-partner i tij biznesi, Rick Gates akuzohen për vepra penale, ndër të cilat komplot kundër Shteteve të Bashkuara, shkelje të ligjit për regjistrimin si përfaqësues të një qeverie të huaj si dhe akte të tjera penale që lidhen me evazion fiskal dhe larje parash. Akuzat u ngritën sot në kuadër të procesit hetimor për të zbuluar si ka vepruar Rusia në përpjekjet e saj për të manipuluar zgjedhjet presidenciale të 2016:

Aktpaditë iu lexuan sot dy të akuzuarve që u dorëzuan vetë tek autoritetet federale për të shmangur ballafaqimin me agjentët e FBI-së para kamerave dhe publikut.

Këto janë aktpaditë e para që ngrihen në kuadër të procesit gjithnjë e më të gjerë hetimor që po zhvillon prokurori special Robert Mueller. Prokurorit Mueller i është besuar detyra për të drejtuar hetimet mbi rolin që ka luajtur Rusia në zgjedhjet e vjetshme presidenciale, kontaktet me shtetas amerikanë, në veçanti me punonjës të fushatës presidenciale Trump dhe nëse në këto kontakte ka pasur shkelje të ligjit federal.

Aktpadia e paraqitur në gjykatën federale në Uashington i akuzon Manafort-in dhe Gates-in se kanë kaluar miliona dollarë në llogari bankare në vendet që shërbejnë si “parajsa fiskale”, jashtë Shteteve të Bashkuara, pa deklaruar pagesat që kanë marrë për punën në interes të qeverisë së Ukrainës. Të dy ata akuzohen se kanë shkelur ligjin që kërkon që kushdo që vepron në emër të një qeverie të huaj të regjistrohet në Departamentin e Drejtësisë si përfaqësues i një shteti tjetër. Akuzat e tjera lidhen me evazion fiskal, fshehje të llogarive bankare, deklarata të rreme para autoriteteve federale e vepra të tjera.

Më parë, të dy të akuzuarit kishin mohuar se kishin kryer akte të paligjshme. Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar të komentojë për aktpaditë.

68-vjeçari Manafort u shkarkua nga detyra e menaxherit të fushatës në gusht 2016 pasi dolën fjalë se kishte organizuar një operacion të kamufluar lobizmi në favor të interesave ruse në Ukrainë. Aktpadia e akuzon Paul Manafort-in dhe Rick Gates-in se kanë orkestruar një operacion të fshehtë thuajse për një dekadë për interesat e partisë së Yanukoviçit në Ukrainë dhe për të transferuar fshehtazi miliona dollarë në llogari të huaja bankare.

Ndërkohë aktpadi të tjera priten në ditët në vazhdim në kuadër të hetimeve nën prokurorin special Robert Mueller, i cili e mori detyrën në maj për të drejtuar procesin hetimor të Departamentit të Drejtësisë lidhur me ndërhyrjet e Kremlinit në zgjedhjet presidenciale dhe rolin që mund të kenë luajtur punonjës të fushatës Trump.

Manaforti është përmendur prej muajsh si një ndër të dyshuarit.

Hetimet e prokurorit Mueller përfshijnë edhe rrethanat e shkarkimit të drejtorit të FBI-së, James Comey. Hetuesit kanë kërkuar nga Shtëpia e Bardhë dokumente të shumta lidhur me veprimet e Presidentit Trump dhe kanë intervistuar disa zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm të administratës. (voa)

Maqedoni: Kontestime të rezultateve në zgjedhjet e balotazhit

zgjedhjet fletvotimeLSDM dhe BDI shpallin fitoren në zgjedhjet lokale të së dielës. 35 komuna të Maqedonisë dolën në balotazh. LSDM dhe VMRO-DPMNE garuan në 20 komuna ndërsa partitë shqiptare në 15 komuna.

35 komuna të Maqedonisë dolën në balotazh të dielën. LSDM dhe VMRO-DPMNE garuan në 20 komuna ndërsa partitë shqiptare në 15 komuna. Partitë politike ishin të parat që kanë shpallur rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoni.

Ahmeti: Kanë fituar të gjithë qytetarët

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti shpalli fitore në pjesën më të madhe të komunave me shumicë shqiptare. Ai ka konfirmuar fitoren e madhe të BDI-së në Tetovë, Strugë, Çair, Dibër, Saraj, Likovë, Dollnen, Tearcë, Pllasnicë dhe Kërçovë. “Të gjitha komunat janë të të gjithë qytetarëve, BDI do të ndihmojë edhe në ato komuna ku mund të ketë humbur. Uroj të gjithë fitimtarët, të gjithë qytetarët. Kjo fitore është për të gjithë qytetarët shqiptarë, për gjithë ata të cilët kanë votuar, por edhe ata që nuk kanë votuar për ne, kryetarët e ardhshëm do të jenë kryetarë të të gjithë qytetarëve”, ka deklaruar Ali Ahmet lider i BDI-së.

Sela: Nuk pranojmë rezultatet, na është bërë shantazh

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka folur për një proces zgjedhor të parregullt, me presione të papara direkt nga policia e shtetit. Ajo që ndodhi në raundin e parë, u përsërit në raundin e dytë, ndodhi një falsifikat zgjedhor. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela ka garuar në komunën e Strugës, për humbjen e tij ai akuzoi kryeministrin Zoran Zaev, duke theksuar se ai mbetet fitues absolut në elektoratin shqiptar.

“Nëse kemi parasysh votat e shqiptarëve, ne kemi dyfishin e votave në krahasim me kundër kandidatin tonë. Kemi rreth 3 mijë vota më tepër se BDI-ja. Në çdo fshat të Strugës ne kemi fituar. Vota shqiptare në qytet është e jona, ai ka marrë votat e LSDM-së. Shqiptarët e kanë fituar këtë betejë. Për ne është i papranueshëm ky rezultat”, ka deklaruar Zijadin Sela. Aleanca për Shqiptarët në koalicion me Lëvizjen Besa shpalli fitore në komunën e Gostivarit, Vrapcishtes, Bogovinës dhe Zhelinës.

Bilalli: Vendi duhet të shkoj në zgjedhje të parakohshme parlamentare

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami tha se koalicioni Aleanca me Besë ka fituar ndaj aparatit shtetëror. ”Manipulimet e bëra e dhanë rezultatin. Sonte u shua një parti shqiptare. Tanimë nuk ka BDI por ka LSDM. Në kampin shqiptar, fitues jemi ne të koalicionit Aleanca me Besa. Koalicioni ishte këtu për të penguar ndërhyrjen e LSDM. Të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, ka deklaruar Bilall Kasami kryetar i Lëvizjes BESA.

Zaev: Zgjedhjet ishin të drejta -rezultati duhet pranuar

Socialdemokratët e kryeministrit Zoran Zaev kanë shpallur fitore pothuajse në të gjitha komunat ku ka garuar me kandidatët e saj, përfshirë dhe komunat që janë pjesë e Shkupit. Zgjedhjet ishin kristal të pastra, ka thënë lideri i socialdemokratëve Zoran Zaev.

Ai kërkuar nga VMRO-DPMNE që të njoh rezultatin zgjedhor:

“Besoj se VMRO-ja do të grumbullojë forcat dhe do ta njohë rezultatin zgjedhor. U bëj thirrje liderëve të VMRO-së që në plan të parë të vendosin interesat e Republikës së Maqedonisë”, ka thënë Zaev.

Gruevski: Nuk pranojmë rezultatet, kërkojmë zgjedhje të parakohshme

Udhëheqësi i VMRO-DPMNE Nikola Gruevski tha se zgjedhjet e sotme ishin mafioze dhe të falsifikuara. Ai kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare. “Për shkak të dhunës së zgjedhjeve, për shkak të përdhunimit të demokracisë dhe shtetit dhe parregullsive të tjera të regjistruara, për shkak të terrorit të egër, presioneve dhe ryshfetit, VMRO-DPMNE-së vendosi që të mos i njohë këto zgjedhje dhe nuk do të merren parasysh si të drejta dhe demokratike”, ka deklaruar Nikolla Gruevski.

Në komunën e Studeniçanit, sipas të dhënave të shtabeve partiake, Azem Sadiku i PDSH-së ka arritur të shënojë fitoren e vetme të kësaj partie.

Janë shënuar disa parregullsi gjatë votimit

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka konfirmuar se policia ka arrestuar një person për shkak të përfshirjes në një rrahje me disa persona të tjerë. “Gjatë procesit zgjedhor është regjistruar prishje e rendit publik në Shuto Orizare. MPB-ja ka dalë menjëherë në terren ku është ndaluar një person për shkak të përfshirjes në një rrahje jashtë qendrës votuese. Ende nuk dihen arsyet e incidentit”, ka deklaruar zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski.

Vëzhguesit e Asociacionit “Most” kanë vërejtur parregullsi më të theksuara në Komunën e Shuto Orizarës, Butelit, Demir Kapisë, Çairit, Tetovës dhe Gazi Babës.”Most” ka raportuar edhe për votime familjare në disa komuna. Asociacioni “MOST”e vëzhgoi procesin e votimit me mbi 1000 vëzhgues. (dw)

LSDM e BDI shpallin fitoren në zgjedhjet komunale

zgjedhjetLidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim po festojnë fitoren pas balotazhit të së dielës në zgjedhjet vendore.

BDI-ja shpalli fitoren e kandidatëve të saj për kryetarë komunash në Tetovë, Strugë, Çair, Dibër të madhe, Likovë, Tearcë, Dollnen, ndërsa në raundin e parë fitoi Kërçovën dhe Pllasnicën, një komunë të vogël pranë Kërçovës.

Aleanca për Shqiptarët ka fituar Gostivarin dhe komunat rurale të Zhelinës, Bogovinës e Vrapçishtës në perëndim të Maqedonisë.

Lëvizja “Besa” e cila ishte në koalicion balotazhi me Aleancën për Shqiptarët është ankuar për një sërë parregullsish dhe incidentesh në proces. Kryetari i saj, Bilall Kasami garonte për kreun e Tetovës, ku Teuta Arifi e BDI-së me përkrahësit po festojnë tashmë fitoren.

Partia Demokratike Shqiptare ka arritur ta mbajë komunën e Stundeniçanit, në jug të Shkupit.

Ndërkaq, Lidhja Social Demokrate ka fituar edhe tre komuna në kuadër të qytetit të Shkupit duke marrë kështu shumicën dërrmuese të 81 komunave sa ka Maqedonia.

Por, partia opozitare VMRO-DPMNE nuk i njeh këto zgjedhje. Kryetari i saj Nikolla Gruevski u tha medieve kishte pasur një mori parregullsish në zgjedhje dhe se Komiteti Ekzekutiv i partisë ka vendosur të mos i njohë fare zgjedhjet. Ai vuri disa kushte, si: organizimi nga një qeveri teknike i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërrimi i drejtorit të Agjencisë së shërbimeve audio-vizive, dorëheqja e kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe të dy institucionet t’i drejtojnë kuadro të VMRO-së, hetime për pretendimin e përgjimeve të paligjshme të funksionarëve të saj nga shërbimi i sigurimit, lirimin pa kusht të personave të paraburgosur dhe të akuzuar në lidhje me ngjarjet e dhunshme në parlamentin e vendit dhe kushte të tjera.

Këto zgjedhje të politizuara kanë zgjuar interes edhe ne Bruksel dhe mbarëvajtja e tyre pritet ta diktojë rrugën e Maqedonisë drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.

Balotazhin e ndoqën 470 vëzhgues të huaj, të misionit ODIHR të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, të Asambleve të disa organizatave evropiane dhe nga ambasadat perëndimore në Shkup si dhe mbi pesë mijë vëzhgues vendas, të organizatave joqeveritare.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pritet t’i shpallë të hënën rezultatet e para. (voa)