Grindja e gjatë dhe e vështirë për statusin e Katalonjës është acaruar javët e fundit. Stanislaw Strasburger është i bindur se kultura dhe identiteti janë çështje rajonale.
Është një e diel pasdite me diell, dita e parë e tetorit. Në një kohë që në Katalonjë zhvillohet referendumi i rrëmujshëm, unë rri ulur në arenën e demave të qytetit në Granadë. Para meje një festë e një natyre të veçantë, një përfundim shkolle. Një grusht nxënësish të veshur me rroba shumëngjyrëshe ka mbaruar shkollimin. Tani ata duan të tregojnë më në fund atë që kanë mësuar: vrasjen e demave të plagosur dhe të çorientuar.
Goya, Hemingway, Picaso – të gjithë ata qenë të mrekulluar nga Corrida. Ndeshja e demave sipas tyre ishte një metaforë e artit, madje e vetë jetës. Por banorët e sotëm të Katalonjës e shohin këtë ndryshe. Në vitin 2010 parlamenti i Komunitetit Autonom të Katalonjës e ndaloi ndeshjen e demave.
Gjashtë vjet më vonë, Gjykata Kushtetuese spanjolle e shpalli të paligjshëm këtë ndalim. Gjykatësit u bashkuam me interpretimin e qeverisë qendrore në Madrid, e cila e përcakton ndeshjen e demave si trashëgimi kulturore nacionale (patrimonio cultural). Ky vendim erdhi pa pritur: në bazë të statistikave të portalit të lajmeve Eldiario, vetëm një ndër dhjetë qytetarë të Spanjës ka qenë ndonjë herë në një ndeshje demash.
Tutelë nga qeveria qendrore
Kur u largova nga arena ndieja një përzierje zemërimi dhe hutimi. Dhe pyeta veten: çfarë u mbetet tjetër banorëve të Katalonjës, veç heqjes dorë nga Patrimonio së bashku me nacionalitetin spanjoll dhe ndërrimin e tij me ata katalanas? Ndeshja për Corridan është një shembull domethënës se si mund të shndërrohen iniciativat e rëndësishme për njerëzit të një rajoni të caktuar në një tutelë zhgënjyese nga politika nacionale. Katalonja u përball vitet e kaluara me një sërë përjetimesh të tilla kolektive. Kështu, katalanët i detyruan që interesat e tyre të justifikuara t’i shprehin në një gjuhë nacionale, sepse gjuha e vetëvendosjes autonome atyre iu ndalua. Fjalimi televiziv i Mariano Rajoy-t në ditën e referendumit në Katalonjë u përshtat qartësisht me këtë model. “Ju flas si kryeministër i qeverisë së Spanjës”, tha ai. “Spanja është një komb i madh, njëri prej më të vjetërve të Evropës dhe njëri prej kombeve të zhvilluara më mirë në botë (…), është kombi ynë.” Sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme, kryeministri i pështyn shprehimisht në fytyrë njerëzit, të cilët kishin formuar radhë të gjatë ditën e votimit para zyrave të dhënies së votës. Një referendum nuk ka ekzistuar fare, tha Rajoy.
Klishe që lëndojnë kudo
Por edhe pala tjetër ka faj. Disa ditë më vonë flas me një mësues në Granadë. “Nuk kam qenë kurrë nacionalist”, më dha ai siguri, “por nuk mund ta pranoj, që si anduluzian që jam të më damkosin si dembel, i cili gjoja ngrohet tërë ditën në diell dhe pi paratë e Katalonjës.”
Ajo me të cilën ndeshesh rregullisht është e njëjta pamje, e cila shpërndahet nga nacionalistët nëpër kontinent: “Ne” jemi një komb i fortë, i fuqishëm. “Ne” duam të distancohemi nga më të varfërit, nga ata që kanë marrë arratinë, shkurt nga gjithë “të tjerët”, pra prej atyre, të cilët duan të marrin me dredhi pasurinë për të cilën kemi punuar “ne”.
Andaluzia është simboli i kurbanit për luftëtarët katalanas të pavarësisë, përIndependentitas-it. Është fakt i njohur që para nga rajonet më të fuqishme ekonomikisht të Spanjës transferohen në jugun “me strukturë më të dobët” të vendit. “Nuk ishim ne që e zgjodhëm strukturën, bujqësinë tonë”, shpjegon bashkëbiseduesi im, mësuesi. Ai më tregon për luftën e gjatë e me traditë të fshatarëve të Andaluzisë me pronarët e mëdhenj të tokave ose me korrupsionin. “Neve nuk na duan para nga Katalonja. As nga BE. Neve na duhet një reformë agrare.”
Një pavarësi fiktive
Sa e gënjeshtërt mund të jetë tabloja e fuqisë ekonomike, këtë e tregon largimi i sipërmarrjeve nga Katalonja që prej 1 tetorit. Janë shënuar më shumë se 1300 firma që e zhvendosën selinë e tyre. Midis tyre janë edhe banka të mëdha, sipërmarrje prodhimi dhe shërbimesh. Tendenca në rritje.
“Koncepti i pavarësisë ka sjellë shumë vuajtje në botë. Askush nuk është i pavarur. As një njeri, as një popull. Ne të gjithë jemi qenie solidare”, shkroi shkrimtari spanjishtfolës Max Aub. Tingëllon banale, por ndoshta ia vlen ta përsëritësh: secili nga ne jeton në varësi, si individ, si pjesë e një grupi, në çdo strukturë sociale – pavarësisht nga fakti si kalojnë kufijtë. Kështu që çdo pavarësi politike është relative. Këtë e dinë fare mirë politikanët. Po të pohojnë diçka tjetër, janë thjesht cinikë.
Për një Evropë mbinacionale
Çfarë i pengon në fakt politikanët e të dyja palëve, që të nisin negociata për kushtet e solidaritetit që përmendëm? Katalonja nuk do të zhvendoset në Mars, por do të mbetet atje, ku është sot: midis Spanjës dhe Francës.
Unë jam evropian i bindur. Katalonja dhe Corrida flasin për mua që çështjet e kulturës dhe të identitetit duhet të negociohen në plan rajonal. Pavarësia nacionale përkundrazi është një gënjeshtër. Një Evropë mbinacionale, p.sh. si Republikë Evropiane do t’i mbante më në fund parasysh si duhet këto fakte dhe do të jetë në gjendje që t’u ofrojë qytetarëve të kontinentit tonë forma të përshtatshme të vetëvendosjes.
Stanisław Strasburger ka lindur në Varshavë. Ai jeton në Berlin e Varshavë. Ai është shkrimtar dhe menaxher kulture. Vepra të tij janë „Fiksimi Liban” dhe „Tregtari i historive”.