Spanja shkarkon qeverinë e Katalonjës dhe shpall zgjedhje të reja

Katalonja 1Spanja shkarkoi të premten qeverinë rajonale të Katalonjës, shpërndau parlamentin e saj dh shpalli zgjedhjet e parakohshme për 21 dhjetorin në një përpjekje për të tejkaluar krizën më të rëndë politike në Spanjë në 40 vjetët e fundit.

“Ne besojmë se është emergjente që të dëgjojmë qytetarët e Katalonjës, të gjitha ata, në mënyrë që ata të mund të vendosin për të ardhmen e tyre dhe askush të mos mund të veprojë jashtë ligjit në emrin e tyre”, tha kryeministri spanjoll Mariano Rajoy në një fjalim në televizion.

Vendimi i qeverisë spanjollë pasoi votimin në senatin spanjoll në favor të masave për pezullimin e autonomisë së Katalonjës e cila të premten shpalli pavarësinë nga Spanja.

Mocioni për shpalljen e pavarësisë në parlamentin rajonal të Katalonjës prej 135 vendesh mori 70 vota, ndërsa 10 ishin kundër.

Ligjvënësit nga Partia Socialiste, Partia Popullore dhe Ciudadanos, braktisën parlamentin në shenjë proteste para votimit.

Departamenti amerikan i shtetit tha se Katalonja është pjesë integrale e Spanjës dhe Shtetet e Bashkuara mbështesin masat kushtetuese të qeverisë spanjolle për të mbajtur Spanjën të bashkuar e të fuqishme.

Në Bruksel, Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, i bëri thirrje qeverisë spanjolle që “të përdorë forcën e argumentit në vend të argumentit e forcës”, duke e siguruar Madridin se Bashkimi Evropian do të flasë vetëm me Spanjën.

Më pak se gjysma e popullsisë prej 7.5 milionë banorësh të Katalonjës morën pjesë në referendumin e 1 tetorit, megjithëse 90 për qind e pjesëmarrësve votuan në favor të pavarësisë.

Historia e lëvizjeve separatiste në Katalonjë, që është një nga 17 zonat autonome të Spanjës shtrihet në disa shekuj, duke përfshirë një vendim në vitin 1640 për t’u lidhur me Francën fqinje. (voa)

Brnabiq: Gjykatësit serbë nuk janë betuar para Thaçit

kryeministre e serbiseKryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, tha të premten se gjykatësit dhe prokurorët serbë nuk e kanë bërë betimin para presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, porse kanë dhënë deklaratë të veçantë dhe neutrale.

“Që të keni informacione të sakta: gjykatësit tanë nuk kanë bërë kurrfarë betimi, por kanë dhënë një deklaratë të veçantë, neutrale ndaj statusit. E vërteta është e rëndësishme”, tha Brnabiq.

Siç transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Brnabiq ka reaguar ndaj një teksti të betimit që është shfaqur në mediat sociale.

Sipas këtij teksti, gjykatësit dhe prokurorët serbë, para presidentit Thaçi, kanë thënë: “Solemnisht deklaroj se gjatë shërbimit si gjykatës i Republikës së Kosovës, do t’i mbetem besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe do të kryej punën e gjykatësit me nder, përgjegjësi dhe në mënyrë të paanshme, duke respektuar rregullat e etikës profesionale”.

Në zyrën e presidentit të Kosovës, më 20 tetor, janë betuar 40 gjykatës dhe 13 prokurorë nga veriu i Kosovës. (rel)

 

Maqedoni, ulen parashikimet për rritjen ekonomike

paraRritja ekonomike në Maqedoni këtë vit nuk do të jetë më e lartë se 1.5 për qind, sipas një vlerësimi të Bankës Botërore, shifër kjo shumë më e ulët në krahasim me projektimet e Qeverisë në fillim të vitit për një rritje prej 3 për qind.

Sipas të dhënave të Bankës Popullore, Bruto Prodhimi Vendor këtë vit do të realizojë rritje prej 1.5 për qind, në vitin 2018 prej 3.2 për qind dhe 3.9 për qind në vitin 2019.

Sa i përket ngadalësimi apo uljes së parashikimit për këtë vit, nga Banka Botërore bënë të ditur se në këtë ka ndikuar pasiguria politike në pjesën e parë të vitit, ndërsa shtytësit kryesorë të zhvillimit pritet të jenë konsumimi i nxitur nga rritja e punësimit dhe investimeve në sektorë të ndryshëm.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Sllobodan Najdovski thotë se të dhënat e Bankës Botërore duhet të shihen në dy aspektet, në ndikimin e rritjes ekonomike vjetore dhe në bazë të shpenzimeve buxhetore.

Duhet të bëhet një analizë se cilat janë sektorët që kanë ndikuar për uljen e rritjes ekonomike dhe cilat janë arsyet e ngecjes së ekonomisë. Nëse ato janë të karakterit momental, përkatësisht për një periudhë më të shkurtër kohore, si ngjarjet politike apo lëvizje tjera të caktuara në tregun botëror të metaleve, atëherë kjo nuk do të ketë ndikim afatgjatë. Në aspekt të shpenzimeve buxhetore, mund të thuhet se bëhet fjalë për një periudhë të shkurtët që të ketë dallime thelbësore. Në këtë periudhë vlerësoj se duhet që shpenzimet buxhetore të jenë në harmoni me rritjen e parashikuar”, thotë Najdovski.

Arben Halili, ekspert i ekonomisë dhe ish-drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore thotë se Qeveria gjatë këtij viti, si ajo e kaluara ashtu edhe kjo e tanishmja, kanë lënë anash ekonominë në interes të zgjedhjeve nëpër të cilat po kalon vendi, andaj edhe sipas tij vlerësimet janë më se reale.

Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në dhjetor të vitit të kaluar, subjektet politike më shumë ishin të interesuar për të punuar për zgjedhjet lokale që do të mbahen edhe këtë të diel, sesa për ndonjë reformë strukturore që do të mund të gjeneronte ndoshta ndonjë efekt më të shpejtë gjatë kësaj periudhe. Gjithsesi se të dhënat e fundit të Bankës Botërore janë më se reale dhe unë nuk pres ndonjë rritje evidente në sektorin e ekonomisë”, thotë Halili.

Kryetari i Konfederatës së punëdhënësve të Maqedonisë, Mile Boshkov, thotë se biznesi po heziton të zgjerojë aktivitete ekonomike pikërisht për shkak të pasigurisë politike, andaj edhe për momentin sipas tij nuk mund të parashikohet se sa kompani do të përfshihen në aktivitete të reja.

Ai thotë se vlerësimet e fundit të Bankës Botërore duhet të merren seriozisht parasysh dhe të bëhet një analizë e detajuar mbi rrjedhat e zhvillimit ekonomik.

Muajin e kaluar edhe misionit i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka dalë me vlerësime thuajse të ngjashme me ato të Bankës Botërore lidhur me aktivitetet e ngadalësuar ekonomike në vend. (rel)

Tahiri merret në pyetje

TahiriNë Tiranë, ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i akuzuar për lidhje me një grup shqiptar që merrej më trafikun e lëndëve narkotike drejt Italisë, u paraqit sot për herë të parë përpara prokurorëve që po hetojnë ndaj tij

Zoti Tahiri qëndroi në zyrat e Prokurorisë për Krimet e Rënda për më shumë se dy orë, gjatë së cilave ai u mor në pyetje. Ish ministri i Brendshëm shoqërohej nga dy avokatët e tij mbrojtës. Pas daljes nga Prokuroria zoti Tahiri tha se kishte dhënë shpjegimet e tij përpara prokurorëve dhe se ka shprehur gatishmërinë për t’ju përgjigjur çdo kërkese të prokurorisë.

Dy ditë më parë me votat e së majtës Parlamenti rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për të marrë autorizimin për arrestimin e tij, ndërkohë që pranoi lejimin e kontrollit të banesës apo dhe ndalimin e lëvizjeve të tij jashtë vendit. Opozita nga ana e saj e konsideroi vendimin e shumicës një dëshmi të lidhjeve të saj të ngushta me krimin.

Zoti Tahiri u vu nën hetim 10 ditë më parë. Dje 4 oficerë të policisë gjyqësore kontrolluan për më shumë se dy orë banesën e tij. (voa)

Parlamenti i Katalonjës shpall pavarësinë nga Spanja

KatalonjaParlamenti i Katalonjës shpalli të premten pavarësinë nga Spanja. Ligjvënësit kanë mbajtur votim të fshehtë, por pa pjesëmarrjen e opozitës.

Në bazë të rezultatit, 70 deputetë votuan për, dhjetë kundër, ndërsa dy fletëvotime kanë qenë të pavlefshme.

Senati i Spanjës, në anën tjetër, autorizoi qeverinë qendrore në Madrid të marrë menjëherë kontrollin direkt të Katalonjës.

Senati votoi me 214 vota në favor të lejimit të Madridit për të marrë kontrollin e Katalonjës, për të shkarkuar liderin katalanas,Carles Puigdemont, dhe ministrat e tij. Dyzeteshtatë senatorë kanë qenë kundër.

Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, bëri thirrje për qetësi dhe tha se sundimi i ligjit do të rikthehet në Katalonjë.

Këtë muaj, Katalonja ka mbajtur referendum për pavarësi, të cilin Madridi e ka shpallur jokushtetues. Asnjë vend nuk ka shprehur mbështetje për shkëputjen.

Rajoy tha se kërkon masa të jashtëzakonshme, sepse nuk ka zgjidhje tjetër dhe se në Katalonjë duhet të kthehet “ligji, demokracia dhe stabiliteti”.

Ai e akuzoi Qeverinë e Katalonjës për ndarje të familjeve dhe përçarje të shoqërisë.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Katalonja është pjesë integrale e Spanjës dhe se Uashingtoni i mbështet masat e Qeverisë spanjolle për ta mbajtur Spanjën të bashkuar.

Presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, shkroi në Twitter se për bllokun “nuk ndryshon asgjë” pas deklaratës së Katalonjës për pavarësi.

Ai tha se BE-ja do të vazhdojë të merret vetëm me Madridin, por shfaqi shpresën se Qeveria e Spanjës “do të favorizojë forcën e argumentit dhe jo argumentin e forcës”.

Një zëdhënës në zyrën e prokurorit të Spanjës tha se ai do të kërkojë akuza për rebelim kundër përgjegjësve për shpalljen e pavarësisë.

Ai tha se prokurori do të përcaktojë nëse akuzat duhet të lidhen vetëm me kabinetin katalanas, përfshirë Puigdemontin dhe nënpresidentin Oriol Junqueras, apo do të përfshijnë edhe anëtarët e parlamentit.

Katalonja, rajoni më i pasur i Spanjës, ka gjuhë dhe kulturë të veçantë dhe përfshin qytetin e Barcelonës. Ajo ka qenë pjesë e Spanjës qysh në shekullin 15, por ka histori të gjatë të ndjenjës separatiste.

Me një popullsi prej 7.5 milionë banorësh, Katalonja përbën rreth 20 përqind të prodhimit ekonomik të Spanjës. (rel)

Hetuesit: qeveria siriane, përgjegjëse për sulmin me gaz

gazi helmuesNjë grup hetuesish ndërkombëtarë ka përfunduar se qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad, është përgjegjëse për një sulm vdekjeprurës me gaz sarin më 4 prill.

Sulmi mbi qytetin e kontrolluar nga kryengritësit, Khan Sheikhoun, vrau apo sëmuri shume njerëz dhe çoi në një sulm ajror amerikan tri ditë më pas në një bazë ushtarake siriane, që Washingotni tha se regjimi e kishte shfrytëzuar për të kryer sulmin.

Na raportin e tyre përfundimtar prej 33 faqesh dërguar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kopjen e të cilit e ka parë Zëri i Amerikës, hetuesit e Kombeve të Bashkuara dhe të Organizatës për ndalimin e armëve kimike, thonë se kanë shqyrtuar tetë skenarë të mundshëm se si është hedhur gazi.

Ata përfundojnë se vetëm dy skenarë janë të mundshëm: gazi është hedhur me një bombë nga ajri, ose nga një mjet i improvizuar shpërthyes.

Pas shqyrtimit të fotografive, videove dhe pamjeve satelitore, dhe duke marrë parasysh raportet e dëshmitarëve dhe analizat e mjekësisë ligjore, hetuesit përcaktuan se ishte e mundshme që “një bombë e hedhur nga ajri me një mbudhje të vogël shpërthyese” shkaktoi incidentin vdekjeprurës.

Hetuesi thanë se kishin “dëshmi mjaftueshëm të besueshme” se një fluturake lëshoi municionet mbi Khan Sheikhoun herët më 4 prill dhe një avion ushtarak sirian ishte në afërsi në atë kohë. Grupi tha se shpërthimi i bombës shkaktoi një krater të gjerë “nga i cili rrodhi sarini”.

Siria dhe Rusia me parë kishin thënë se gazi ishte liruar nga një bombë në tokë dhe jo nga ajri.

Hetuesit thanë se nuk e kanë vizituar vendin e ngjarjes në Khan Sheikhoun, sepse ishte me shumë rrezik. Po ashtu, ata thanë se krateri është mbushur me pas me beton.

Ky ishte rasti i katërt i konfirmuar i përdorimit të armëve kimike nga regjimi i Assadit.

Grupi hetues gjeti se një sulm me gaz mustard në fshatin sirian Um Hosh në shtator të vitit 2016 ishte vepër e militantëve të grupit Shteti Islamik.

Në një deklaratë të enjten, ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, dënoi përdorimin e armëve kimike nga regjimi i Assadit.

“Këshilli i Sigurimit duhet të dërgojë mesazhin e qartë se përdorimi i armëve kimike nga kushdo qoftë, nuk do të tolerohet dhe duhet të mbështesë plotësisht punën e hetuesve të pavarur”, tha ambasadorja Haley. “Vendet që dështojnë ta bëjnë një gjë të tillë, nuk janë më të mirë se diktatorët apo terroristët që përdorin këto armë të tmerrshme”.

Të martën, Rusia i vuri veto një rezolute të Këshillit të Sigurimit për t’i zgjatur mandatin grupit të hetuesve edhe për një vit. Moska tha se dëshiron të pres për rezultatet e raportit para se të vendosë si të shkohet më tutje.

Këshilli ka ende kohë për zgjatjen e punës së hetuesve, meqë mandati i grupit nuk skadon deri më 16 nëntor. (voa)

Kina punon drejt turizmit hapsinor

turizmi hapsinorKina është shumë pranë ndërtimit të një mjeti ajror që një ditë mund të çojë turistë në hapësirë.

Ajo njoftoi tha se ka kryer një provë të suksesshme fluturimi të minikapsulës “Traveller 3″ në rajonin autonom Xinjiang Uygur.

Minikapsula, një model i anijes, me përmasa të zvogëluara, u ngrit në ajër me ndihmën e një balone me gaz heliumi, në lartësinë 20 metra nga Toka dhe fluturoi për 4 orë.

Në kapsulë ishte futur një breshkë, me qëllim që të viheshin në provë sistemet që mbështesin elementet e nevojshme për jetën gjatë fluturimit-provë. (voa)

Zgjedhjet dhe vakuumi institucional ndikojnë në Raportin e Progresit

BERaporti i Vendit i Komisionit Evropian për vitin 2017, i njohur si Raporti i Progresit, ndryshe nga praktika e deritashme e publikimit në muajt e fundit të viti, do të publikohet në vitin e ardhshëm, thonë zyrtarët e Ministrisë së Integrimeve Evropiane e Qeverisë së Kosovës. Raporti, sipas tyre, pritet në muajin prill të vitit 2018, ndërkohë që institucionet e Kosovës tashmë kanë pranuar mbi 1 mijë e 500 pyetje specifike, për të gjitha fushat për të cilat do të raportohet në kuadër të Raportit të Vendit.

Demush Shasha, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Integrimeve Evropiane i Qeverisë së Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se tash e rreth një muaj e gjysmë, kjo ministri i ka shpërndarë të gjitha pyetjet tek institucionet përgjegjëse.

Viti 2017 ka qenë një vit i zgjedhjeve, prandaj kjo do të nënvizohet në Raport të Vendit. Por, njëkohësisht, ka pasur përparim konkret në disa fusha, që nga fillimi i institucioneve. Nëse flasim për sundimin e ligjit, me këtë rast, është bërë koncept -dokumenti për suspendimin dhe largimin e zyrtarëve, të cilët janë të përfshirë në akte të korrupsionit apo krimit të organizuar dhe se do të largohen nga shërbimi publik. Nëse është fjalë për Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, Qeveria tashmë e ka miratuar. Ka pasur një numër të veprimeve, të cilat Qeveria, në afat sa më të shkurtë i ka ndërmarrë dhe besojmë që të gjitha këto do të pasqyrohen në kudër të Raportit të Vendit, si progres i menjëhershëm, i cili ka filluar pas themelimit të institucioneve”.

Në anën tjetër, Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kriza politike, e cila u pasua mezgjedhje lokale, mbajtja e këtyre zgjedhjeve, si dhe e atyre lokale, i kanë marrë Kosovës kohë, e cila vështirë se mund të kompensohet për përmbushjen e obligimeve, fillimisht ndaj qytetarëve të Kosovës, por edhe sa i përket përmbushjes së kërkesave që burojnë nga agjenda evropiane.

Raporti i Progresit për Kosovën, unë pres që në rend të parë ta adresojë çështjen e jostabilitetit politik, duke iu referuar institucioneve apo krizës institucionale, e cila e ka përshkruar Kosovën gjatë viti 2017. Natyrisht, pastaj, pamundësia e legjislativit për të nxjerrë ligje të nevojshme, mungesa e ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, mungesa e fuqizimit të sundimit të ligjit. Do të potencohet mbase edhe problemi me zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë, pa i harruar edhe ngecjen në zhvillimin ekonomik, reformat adekuate, zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim”.

Profesor Ujkani ka shtuar se ka mbetur ende kohë që institucionet e vendit t‘i miratojnë një pjesë të ligjeve dhe politikave. Por, ai është shprehur skeptik se kjo do të ndodhë.

Duke u nisur nga fakti që kemi një shumicë (parlamentare), e cila nganjëherë gati se është ngushtë me numra, kjo edhe mund të jetë pengesë. Do ta shohim se si do të funksionojë Kuvendi në miratimin e këtyre ligjeve. Unë nuk është se jam shumë optimist, ndonëse do të doja që ndodhte që të kemi një dinamikë më të madhe, veçanërisht në miratimin dhe ndryshimin e ligjeve, që janë të nevojshme”.

Por, Shasha shprehë mendimin se një nga vështirësitë kryesore është zbatimi i legjislacionit, ndonëse siç thotë ai, aktiviteti legjislativ duhet vazhduar dhe korniza ligjore duhet të shkojë drejt avancimit, në të gjithë sektorët.

Prandaj, nuk e konsideroj aq pengesë, në kuadër të procesit të integrimit, mungesën e miratimit të ligjeve të reja ose plotësim- ndryshimin e ligjeve ekzistuese. I rëndësishme është zbatimi efektiv i kornizës ligjore në fuqi”, tha Shasha.

Ai ka shtuar se ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, më 3 nëntor do ta bëjë dorëzimin zyrtar të përgjigjeve për Raportin e Vendit. Gjithashtu, sipas tij, në fillim të vitit të ardhshëm do të ketë edhe një mundësi të raportimit për zhvillimet shtesë. (rel)

Gjuhë agresive në balotazh

Flamuri i maqedoniseNjohësit e çështjeve politike në Maqedoni konsiderojnë se partitë politike ditët e fundit të fushatës për raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, që do të mbahen më 29 tetor, kanë vënë në funksion gjithë arsenalin politik, jo për të prezantuar projektet në funksion ngritjes së cilësisë së jetës së qytetarëve, por në denigrimin, dhe nxirjen e kundërshtarëve politikë për paaftësi profesionale, lidhje me struktura të errëta kriminale, apo marrëveshje të fshehta.

Socilogu Ali Pajaziti konsideron se fushata zgjedhore para raundit të dytë zgjedhor po përcillet me një makevializëm të paparë, ku partitë politike atakojnë kundërshtarët politikë.

Sipas tij kjo ndodh si rrjedhojë e ndryshimit të përllogaritjeve të numrave se kush do të dalë fitues pas bashkimit të dy partive politike, Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa, koalicion ky që do të përballet me kandidatët e Bashkimit Demokratik për Integrim, që është në koalicion me Lidhjen Social-Demokrate të Maqedonisë, që drejtohet nga kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev.

Në këtë drejtim, pushteti aktual komunal (tek shqiptarët) ka një disavantazh të madh, për shkak të projekteve të parealizuara e që shfrytëzohet nga blloku opozitarë, i cili sa i përket menaxhimit të komunave nuk ka aspak mëkat sepse nuk ka qenë pjesë e drejtimit të tyre, nuk e ka arritur të gjejë mënyrën për të shprehur vizionin e vetë sa i përket të ardhmes së komunave me shumicë shqiptare, përkatësisht se si do të duhej ato të dukeshin me një menaxhim të ri”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ali Pajaziti, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Përderisa në kampusin politik maqedonas, ku socialdemokratëtkanë arritur të sigurojnë drejtimin e 37 komunave që në raundin e parë, kundrejt tre komunave që ka arritur të sigurojë VMRO-DPMNE e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, ka munguar përballja mes kandidatëve për kryetarë komune edhe në raundin e parë.

Por, në mediat sociale zhvillohet një luftë e ashpër, ku paritë politike ofendojnë njëra-tjetrën për tradhti kombëtare apo korrupsion, në vend se të komunikojnë me qytetarët për projekte konkrete.

Në këtë drejtim komunikologu maqedonas, Klime Babunskiligjërues në Universitetin e Shkupit, për Radion Evropa e Lirë thotë se nxitja e fushatës negative zgjedhore para mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve vendore në Maqedoni, ka të bëjë me mungesën e kulturës politike, por dhe faktin se për disa drejtues të partive humbja në zgjedhje do të thotë dhe fund i karrierës politike.

Në esencë, përmes propagandës negative synohet të aktivizohet ajo pjesë e elektoratit e cila nuk është e përcaktuar. Në këtë mënyrë tentohet të përfitohet vëmendja këtij trupi elektoral i cili qëndron inert ndaj zhvillimeve”.

Në më shumë raste kemi të bëjmë dhe me ndërhyrjen në jetën private të kandidatëve që garojnë në këto zgjedhje, madje dhe liderëve të partive politike me qëllim që të nxitet sa më shumë që është e mundur oponenti politik. Kjo ndodh kur nuk ka ofertë kualitative për zgjidhjen e problemeve konkrete me të cilat përballen qytetarët”, thotë Babaunski.

Fushata negative përmes mediave sociale është më prezentë në kampusin politik shqiptarë, ngase në balotazh janë futur pothuajse të gjitha komunat me shumicë shqiptare, siç janë ato dy të Shkupit Çair dhe Saraj, si dhe komunat e mëdha siç është ajo e Tetovës, Gostivarit, Strugës, Dibrës etj.

Në këtë drejtim, Ali Pajaziti konsideron se përderisa partitë politike atakojnë ashpër njëra-tjetrën, në elektoratin shqiptarë ndërhyn influenca e partive maqedonase, përkatësisht ajo e social-demokratëve të kryeministrit Zoran Zaev.

Thënë kushtimisht goditjet ‘poshtë belit’ nuk i kontribuojnë kauzës shqiptare, por vetëm se acarojnë, tendosin situatën, krijojnë elektrizimi brenda elektoratit shqiptarë, duke krijuar hapësirë për gjuajtjen e peshkut nga partitë politike maqedonase, përkatësisht kultura e re e politikë bërjes që unë e kam quajtur si një ‘Zaevizëm’ që tenton të kolonizojë hapësirën politike të shqiptarëve”, thotë Pajaziti.

Të dielën, më 29 tetor mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve vendore në Maqedoni në 35 komuna. (rel)

Schmid ia rikujton Haradinajt se Demarkacioni është kusht për liberalizimin

Helga RamushRatifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, mbetet kusht që duhet plotësuar sa më parë, në mënyrë që qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet lëvizja pa viza në Zonën Shengen, ka deklaruar Sekretarja e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, Helga Schmid.

Këto komente, ajo i ka bërë në Prishtinë gjatë një konference për media e shoqëruar nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj. Ajo, përveç Haradinajt, ka takuar edhe presidentinHashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe përfaqësuesit politikë të opozitës.

Schmid ka u ka bërë thirrje përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës që sa më par t’i kryejnë obligimet që kanë marrë përsipër, përfshi edhe reformat e nevojshme, në mënyrë që vendi të ecë drejt Bashkimit Evropian.

Kosova është Evropë dhe e ardhmja e Kosovës është me Bashkimin Evropian, ka deklaruar ajo.

Mesazhi im i sotëm, si për përfaqësuesit në Qeveri ashtu edhe ata në opozitë është që të shfrytëzoni momentumin, mendoni në mënyrë strategjike dhe shfrytëzoni mundësitë që t’i bëni përparimet e duhura që të afroheni me BE-në sa më shpejt që është e mundur“,tha Schmid.

Ajo rikujtoi fjalët e komisionari Jean-Claude Juncker se dyert e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor janë të hapura kurdo që këto shtete t’i plotësojnë kushtet për anëtarësim.

Schmid, u ndal edhe te procesi i liberalizimit të vizave, si një prej çështjeve që vazhdon të mbetet e pazgjidhur në raportet e Kosovës me vendet e Bashkimit Evropian. Ajo tha se Kosova, duhet t’i plotësojë kriteret, duke ratifikuar Demarkacionin me Malin e Zi.

Ne gjithashtu e dimë se sa i rëndësishëm është liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Prandaj, është esenciale që autoritetet të përmbushin kushtet e mbetura për liberalizimin e vizave dhe në veçanti në ecjen përpara me Marrëveshjen për demarkacion të kufirit me Malin e Zi, që është absolutisht çështje kryesore, dhe po ashtu lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të vazhdojë“, u shpreh Schmid.

Ndërkaq në lidhje me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbinë, të lehtësuar nga BE-ja, ajo tha se të dyja vendet duhet të avancojnë për të mirën e stabilitetit në rajon.

Dialogu po jep rezultatet e veta dhe ashtu siç e kemi parë këtë javë është zbatuar Marrëveshja për drejtësinë dhe ky ishte një hap i rëndësishëm përpara. Më lejoni që t’ju konfirmoj se përfaqësuesja e lartë e BE-së, Fererica Mogherini është plotësisht e përkushtuar për fazën e re të dialogut“, tha Schmid.

Ajo tha gjithashtu se edhe implementimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian ka një rëndësi të madhe dhe, sipas saj, absolutisht është e nevojshme që të zbatohet.

Implementimi i kësaj marrëveshjeje ka të bëjë me ndryshimet pozitive për të ardhmen e Kosovës.

Kjo marrëveshja ka të bëjë veç tjerash me standardin e jetës, përmirësimin e jetës, çka nënkupton më shumë investime dhe me shumë vende pune“, tha Schmid.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Kosova është e vendosur në zbatimin e detyrave që i janë caktuar.

Dinamika e Kosovës me BE-në po intensifikohet. Mendoj se edhe takimi i sotëm me zonjën Schmid që është Sekretare e Përgjithshme vërteton edhe rëndësinë e kësaj dinamike, por është edhe një shtyrje për një punë më intensive me zbatimin e agjendës evropiane për Kosovën, që fokusohet në reforma të përgjithshme, forcimin e rendit dhe ligjit, pra që ka në fokus luftën kundër korrupsionit dhe krimit në vend, e njëkohësish reformën ekonomike që e kemi si detyrë të përbashkët të dakorduar“, tha Haradinaj.

Sekretarja e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, Helga Schmid, është takuar me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, por edhe përfaqësuesit e partive politike opozitare të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. (rel)