Borxhi, 8 miliardë euro. Qeveria ka pjesën më të madhe

kryeministriaStoku i borxhit të jashtëm Shqipërisë, publik dhe privat, ka arritur në gati 8 miliardë euro në gjashtë mujorin e parë të vitit.

Banka e Shqipërisë ka bërë një analizë të detajuar mbi borxhin e jashtem bruto të vendit tonë, kur rezulton se në raport me Prodhimin e Brendshëm bruto, borxhi i jashtëm ka rënë me 5 pikë përqindjeje, duke arritur në nivelin 70% të PBB.

Qeveria zë peshën më të madhe ne strukturen e borxhit të jashtëm me 43,2% të totalit ose rreth 3,4 miliard euro. Në raport me PBB-në borxhi i jashtëm qeveritar vlersohet 30.2%, me rënie 1.7 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.

Pas qeverisë në marrjen e borxhit renditen huate ndër kompani të investimeve të huaja direkte, me 22.3%, të totalit, dhe vazhdojnë huatë e korporatave depozituese, borxhi i sektorëve të tjerë dhe ai i autoritetit monetar.

Raporti ndërmjet borxhit të jashtëm dhe eksporte tona është në nivelin 183.6%, me rënie krahasuar me një vit me pare. por banka e shqiperese vlereson se ky tregues është përsëri mbi pragun kritik prej 150%.

Stoku i rezervës valutore në vendin tonë është i mjaftueshëm për të përballuar goditjet negative të mundshme nga jashtë. Kjo rezervë mbulon mbi 6 muaj e gjysme importe mallrash dhe shërbimesh.

Top Channel

Brian Yee: Shkupi dhe Athina kanë mundësinë e shkëlqyer për zgjidhjen e çështjes së emrit

Hoyt_Brian_YeeHoyt Brian Yee, ndihmës-sekretari i shtetit amerikan, ka deklaruar për agjencinë greke AMNA se Shkupi dhe Athina kanë mundësi të shkëlqyer për të zgjidhur çështjen e emrit në vitin 2018, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Yee beson se pas zgjedhjeve lokale, kryeministri Zoran Zaev ka mandat të pastër nga populli që të vazhdoj me reformat themelore. Ai inkurajon tonin pozitiv të kryeministrit të Maqedonisë, posaçërisht në aspekt të përmirësimit të marëdhënieve me shtetet fqinjë.

Në deklaratën e tij për AMNA, që e sjell portali European Western Balkans, Yee edhe një herë deklaroi se nuk ka plane që Washingtoni ta caktoj si ambasador të SHBA-ve në Shkup./Telegrafi/

Serbia i dorëzon një kurd Turqisë

Erdogan VucicPolitikani kurd, Cevdet Ayaz u ekstradua nga Serbia në Turqi. Këtë e konfirmoi ministria serbe e Drejtësisë. Komisioni i OKB-së kundër torturës pati paralajmëruar kundër ekstradimit.

Fjalën e fundit e kishte ministrja serbe e Drejtësisë Nela Kuburoviq. Në fund ajo ndoqi vendimin e gjykatave serbe, të cilat në dy instanca e patën gjykuar të lejueshëm nga ana ligjore ekstradimin e Cevdet Ayazit. Njëkohësisht ajo me sa duket injoroi një letër të Kombeve të Bashkuara, në të cilën paralajmërohej që të mos kryhej ekstradimi.

Shtetasi turk Ayaz është dënuar në atdheun e tij për shkak të “rrezikimit të rendit kushtetues” me 15 vjet arrest. Por arriti që të arratiset nga Turqia. Në portale kurde dhe rrjete sociale ai e paraqet veten si funksionar të Partisë Kurde të Lirisë në provincën lindore turke Mus. Ayazi e ka pranuar fajësinë përballë drejtësisë turke, por pasi mbërriti në Serbi tha se pranimin e pati bërë nën tortura.

Sipas medieve të Beogradit, Ayazi paraqiti në tetor 2016 kërkesë për azil në Serbi, por njëkohësisht nga Turqia ishte paraqitur për të një urdhër arresti. Procesi për ekstradimin para një gjykate serbe zgjati një vit.

Kur mbërriti letra

“Gjykatat kompetente kanë konstatuar se janë plotësuar të gjitha kushtet për ekstradimin e Ayazit dhe ministrja Kuburoviq e konfirmoi këtë. Letra e OKB-së erdhi më pas. Kur u mor vendimi, nuk ishte paraqitur letra”, citon shoqata investiguese serbe Insajder një shkresë të ministrisë së Drejtësisë.

Avokatja e Ayazit, Jelena Trkulja pohon të kundërtën: letra thotë ajo erdhi në 11 dhjetor – tri ditë para se gjykata e apelit të miratonte ekstradimin në Turqi.”Përballë gjendjes aktuale në Turqi dhe mënyrës se si vepron qeveria e atjeshme me disidentët politikë, druhem se e pret atje diçka serioze”, i tha Trkulja radiostacionit të Beogradit N1.

Serbia është një kandidat për anëtarësim në BE, por përpiqet që të ruajë marrëdhënie të mira me Lindjen. Krahas Rusisë dhe Kinës këtu bën pjesë gjithnjë e më shumë Turqia, prej së cilës në Serbi presin investime dhe bashkëpunim në furnizimin energjetik.

Në fillim të tetorit, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u prit në Serbi me një delegacion të madh me ceremoni të mëdha. Ministri i Jashtëm Ivica Daciq e mori personalisht mikrofonin dhe këndoi për Erdoganin – edhe në turqisht. (dw)

Historia e këngës më të njohur amerikane të Krishtlindjes

Carol of the BellsPër disa dekada, kënga Carol of the Bells ose Kremtimi i Këmbanave ka qenë një pjesë thelbësore e traditës amerikane të Krishtlindjes, ashtu si pemët e Krishtlindjeve apo dhuratat. Kënga mund të dëgjohet pothuaj çdo ditë në radio ose në reklamat televizive, në versionet rok, xhaz ose metal. Por, çfarë e bën atë aq të paharrueshme dhe popullore? Korrepondentët e Zërit të Amerikës nga shërbimi ukrainas, Mariia Prus dhe Dmytro Savchuk biseduan me disa muzikantë profesionistë për të mësuar më shumë për historinë e kësaj kënge.

Është e vështirë të imagjinohet Krishtlindja në Amerikë pa këngën Carol of the Bells.

“Kënga më bën të mendoj për reshje dëbore dhe këmbanat e kishës në sfond, që vijnë e shkojnë. Dhe është interesante se si kjo këngë është ngulitur në mendjen kolektive amerikane”, thotë presidentja e korit “Capitol Hill Chorale”, Kate Hibbs.

“Është mahnitëse thjesht për shkak të vargjeve përsëritëse, të cilat ruajnë ritmin energjitik të këngës dhe pastaj pasurohen me vargje të tjera.Kështu që mbarimi i këngës në mënyrën se si është kompozuar duket i pashmangshëm. Ajo është lehtësisht e dallueshme. Kështu që njerëzit mund ta kuptojnë atë me lehtësi. Me pëlqen”, thotë Frederick Binkholder, drejtor i korit “Capitol Hill Chorale”.

‘Carol of the Bells’ ka qenë një këngë ukrainase e lashtë, para-kristiane rreth ardhjes së pranverës dhe urimeve për një vit të begatë. Në vitin 1916, kompozitori ukrainas Mykola Leontovich kompozoi muzikën për këtë këngë. Punimi i kompozitorit Leontovich arriti në Amerikë më 1921, kur ai dha një shfaqje në Carnegie Hall.

Peter Wilhovski, drejtor kori dhe kompozitor me origjinë ukrainase, ishte i pranishëm në atë shfaqje. Kënga i kujtoi atij këmbanat. I frymëzuar nga këto dy elemente, ai shkroi tekstin e këngës dhe mori të drejtën e autorit në vitin 1936. Nga fundi i viteve 1930, “Carol of the Bells”, e njohur edhe si “The Ukrainian Bell Carol”, filloi të fitonte popullaritet dhe të lidhej me sezonin e festës së Krishtlindjeve, duke reflektuar gëzimin që shumë njerëz ndjenin në këtë periudhë të vitit.

“Një pjesë e familjes sime, 5-6 breza më parë që erdhi nga zona e Kievit (në Ukrainë) ishte çifute, kështu që këndimi i këngëve për Krishtlindjet ka qenë gjithmonë diçka interesante dhe e çuditshme për mua. Por unë kam kënduar në kore që kur kam filluar shkollën, pra unë kam kënduar këngë Krishtlindjesh dhe e vlerësoj faktin që kjo nuk është një këngë veçanërisht fetare. Prandaj më pëlqen ajo”, thotë Gabrielle Levy, anëtare e korit “Capitol Hill Charole”.

“Unë mendoj se një nga arsyet e suksesit të këngës në Amerikë tani është sepse ajo është e përshtatshme për konsumatorët. Nuk ka shumë imagjinatë fetare në përmbajtjen e saj, të paktën në tekstin e saj në gjuhën angleze. Kështu që nuk mund të ofendojë njeri. Ajo gjithashtu nuk ka shumë fjalë, kështu që është shumë e përshtatshme për mjediset e dyqaneve“, thotë Paul Selker, anëtar i korit “Capitol Hill Chorale”.

Melodia e këngës nuk është teknikisht e komplikuar, duke e bërë më të lehtë interpretimin e saj. Fillimisht një këngë popullore, ajo tani është përpunuar në zhanre të ndryshme të muzikës si klasike, xhaz, rok, dhe pop, dhe është shfaqur në filma, seriale televizive, dhe në reklama. (voa)

Maqedoni: “Aleanca për Shqiptarët” do të qëndrojë në koalicion

SelaAleanca për Shqiptarët (ASH) nuk do ta braktisë koalicionin qeveritar të Maqedonisë. Kështu bëri të ditur të dielën kryetari i partisë shqiptare, Ziadin Sela pas një takimi disa orësh me anëtarët e ASH-së në Gostivar.

Drejtuesit e kësaj partie kanë qenë mjaft kritik ndaj qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev pasi ai nuk deshi që ministrinë e Shëndetësisë t’ia lërë ASH-së që prej zgjedhjeve lokale kur Arben Taravari e la postin e ministrit për atë të kryetarit të komunës së Gostivarit.

Zoti Zaev tashmë ka dërguar në parlament propozimin për ministër të ri të Shëndetësisë që është këshilltari i tij aktual, kirurugu Venko Filipçe.

Ndërkaq, zoti Sela megjithatë u tha gazetarëve pas takimit se shpresonte që me kryeministrin Zaev të takohet përsëri për të biseduar rreth kushteve të qëndrimit në koalicionin qeveritar.

“Ne – tha z. Sela – kemi vendosur të jemi pjesë e qeverisë për realizimin e programit që u është premtuar votuesve. Kemi premtuar se do t’i zhbllokojmë proceset, se ligji për gjuhën shqipe do të miratohet dhe se do të hapen rastet e montuara gjyqësore”.

Aleanca për Shqiptarët aktualisht ka vetëm dy deputetë, pasi Vesel Mehmeti i njërit fraksion të Rilindjes Demokratike Kombëtare që bënte pjesë në ASH, vendosi të veprojë më vete.

ASH-ja kishte postin e ministrit të Shendëtësisë, tre zëvendës-ministra dhe zyrtarë e drejtorë të tjerë në poste të larta qeveritare e publike. Kryeministri Zaev i ofroi z. Sela një post të ri në shkëmbim të shëndetësisë, atë të zv.kryeministrit për reforma, një gjë që drejtuesi shqiptar e cilësoi me ironi si “zëvendës-kryeministër për byrek që do t’ia kalonte menjëherë BDI-së”.

Sidoqoftë, Ziadin Sela konsiderohet si mjaft meritor për formimin e qeverisë së Zoran Zaevit, me që ai në asnjë mënyrë nuk deshi një koalicion qeveritar me VMRO-DPMNE-në, e cila kishte fituar numrin më të madh të ligjvënësve në parlament nga zgjedhjet e dhjetorit të kaluar. Votat e ASH-së në parlament ishin vendimtare për qeverinë e re.

Por tash, të paktën tre deputetë janë shkëputur nga koalicioni i VMRO-së dhe kanë dhënë shenja afërsie me politikat e qeverisë, duke bërë kështu që rëndësia e votave të ASH-së në parlament të mos jetë më jetike, ndërsa nga ana tjetër, të paktën sipas spekullimeve, Partia Demokratike Shqiptare ka treguar gatishmëri për të hyrë në koalicinin qeveritar të drejtuar nga Lidhja Social Demokratike. (voa)

Krishtlindjet motor për tregtinë me pakicë

dhuratatBizneset e vogla dhe të mesme gjermane të kënaqura me shitjet gjatë periudhës së Krishtlindjeve.Tregtia online po shënon rritje.

Bilanci paraprak i Shoqatës së Sipërmarrjeve të Tregtisë me Pakicë është “i përzier”. Paratë që shpenzuan klientët për dhurata për Krishtlindjet në Gjermani qenë pak më shumë se një vit më parë,” tha përfaqësuesi i kësaj shoqate, Stefan Genth. Por sipas shoqatës pritet që gjatë ditëve pas Krishtlindjeve të ardhurat për sipërmarrjet e tregtisë me pakicë pritet të shtohen, sepse shumë njerëz dhurojnë para dhe për këtë shumë vetë blejnë ato çfarë duan pas Krishtindjeve.

Sipas drejtorit ekzekutiv të Shoqatës së Sipërmarrjeve të Tregtisë me Pakicë, Stefan Genth, “kompanitë e mëdha janë më të kënaqura se bizneset e vogla dhe të mesme.” Po ashtu sipas tij edhe tregtia online po rritet në mënyrë dinamike dhe pritet që sipërmarrjet që i shesin mallrat e tyre nëpërmjet internetit të shënojnë gjatë Krishtlindjeve një rritje prej dhjetë për qindësh.

Dhuratat më të preferuara

Dhuratat më të preferuara janë sipas Shoqatës së Sipërmarrjeve të Tregtisë me Pakicë librat, lodrat dhe veshjet, si dhe artikujt sportivë dhe kozmetikë. “Sidomos të rriturit i dhurojnë njëri-tjetrit para ose çeqe.” – tha drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sipërmarrjeve të Tregtisë me Pakicë, Stefan Genth.

Kjo shoqatë vlerëson se prej çeqeve të dhuruara gjatë sezonit të Krishtlindjeve pritet të gjenerohen rreth tre miliardë euro.

Për periudhën nëntor dhe dhjetor Shoqata e Sipërmarrjeve të Tregtisë me Pakicë kishte parashikuar se shitjet me pakicë do të ishin rreth 94.5 miliardë euro, pra tre për qind më shumë se një vit më parë. Më shumë se dymbëdhjetë miliardë euro nga kjo shumë janë gjeneruar nga tregtia përmes internetit. Për vitin 2017 Shoqata e Sipërmarrjeve të Tregtisë me Pakicë pret që sasia e përgjithshme e shitjeve të arrijë një shifër prej 501 miliardë euro. (dw)

Hidroavioni më i madh i botës

HidroavioniKina ndërmerr një hap tjetër i fuqi udhëheqëse botërore në fushën e teknologjisë dhe të ekonomisë.

Inxhinierët kinezë të avionëve shënuan gjatë Krishtlindjeve një arritje superlative. Hidroaeroplani më i madh në botë i prodhuar në Kinë bëri më 24 dhjetor fluturimin e tij të parë.

Avioni AG600 i prodhuar nga sipërmarrja  shtetërore e avionëve Avic, u nis për një fluturim njëorësh nga qyteti jugor i Zhuhait. Agjencia shtetërore të lajmeve Xinhua njoftoi se ky avion i tipit turboprop është projektuar për 50 pasagjerë.

Avionët mund të përdoren edhe për qëllime ushtarake, por ata janë të destinuar për operacione shpëtimi në det dhe për fikjen e zjarreve në pyje. Avioni i ri hidraulik ka afërsisht madhësinë e një avioni Boeing 737 dhe është në këtë mënyrë shumë më i madh se çdo aeroplan tjetër që mund të ulet në ujë. Krahët e avionit kanë një hapje prej 38.8 metrash. Ai mund të fluturojë në një distancë deri në 4,500 kilometra dhe mund të qëndrojë në ajër dymbëdhjetë orë. (dw)

“Blockchain”, fjala e re që duhet të mësojnë përdoruesit e internetit

BlockchainNë gjuhën angleze ka hyrë një fjalë e re, që të gjithë përdoruesit e internetit është mirë ta mësojnë, pasi mund të bëhet përcaktuese për të ardhmen e transaksioneve financiare globale. Kjo fjalë mund të mos jetë e përkthyeshme në shumë gjuhë të tjera, kështu që mund të bëhet një term ndërkombëtar, i ngjashëm me fjalët “kompjuter” apo “internet”, që përdoret në të gjithë botën. Fjala është “blockchain”.

Gjatë javës së parë të dhjetorit, tregjet financiare botërore u tronditën nga rritja e shpejtë e vlerës së monedhës virtuale më popullore – bitcoin, e cila u shfaq fillimisht në vitin 2009.

Shqetësimi me paratë elektronike si ‘bitcoin’ është se si çdo gjë tjetër në internet, njerëzit mendojnë se mund të hakerohet dhe vidhet.

Por mbështetësit thonë se kjo nuk është e mundur, falë bllokimit apo ‘blockchain’-it, teknologjisë së re, se si kompjuterat regjistrojnë transaksionet në mënyrë të decentralizuar.

“Është njësoj sikur unë të të jap një filxhan. Në momentin që ti e merr, ai është në dorën tënde dhe unë nuk e kam më. E njejta gjë mund të bëhet përmes internetit”, thotë Simon Schwerin, menaxher me kompaninë Xain.

Ndryshe nga një foto dixhitale, e cila mund të kopjohet dhe të ndahet në internet, blockchain-i mundëson që “filxhanin”, ose çdo lloj objekti tjetër dixhital, ta ketë në pronësi vetëm një person në të njëjtën kohë.

Ndryshimi nga sistemi bankar tradicional është se të dhënat nuk janë në një kompjuter të vetëm qendror, që mund të hakerohet.

Kjo, për arsye se të gjithë kompjuterat në ‘blockchain’ regjistrojnë çdo transaksion, duke krijuar një sistem gjigant të decentralizuar.

“Në një sistem të decentralizuar, ne kemi mundësinë të rihartojmë plotësisht mënyrën se si krijojmë paranë, si e shpërndajmë, si e ndjekim dhe si e vlerësojmë” thotë Galia Benartzi, me fondacionin Bprotocol.

Përdorimi i ‘blockchain’-it megjithatë ka gjasa të shkojë përtej bitcoin-it dhe transaksioneve financiare.

“Blockchain-i mund të aplikohet në shumë, shumë gjëra të ndryshme. Mund të ndjekë hallkat e furnizimit, ose mund të gjurmojë çdo gjë në qytete. Kjo është teknologji revolucionare për të cilën njerëzit po flasin shumë për momentin”, thotë Mike Butcher, me revistën Techcrunch Europe.

Shumë analistë presin që koncepti ‘blockchain’ të luaj një rol të rëndësishëm në garantimin e privatësisë online, duke identifikuar mallrat e falsifikuara dhe të gjitha llojet e mbajtjes së të dhënave, në 5 apo 10 vitet e ardhshme. (voa)

Bugajski: Shqipëria mund të kishte abstenuar në OKB

BugajskiEksperti amerikan për çështjet e Ballkanit, Janusz Bugajski, tha se nuk beson se vota e vendeve që u shprehën pro rezolutës do të ketë ndonjë efekt mbi këto vende.

Shtetet e Bashkuara, tha ai, nuk mund të ndëshkojnë tërë ato vende që votuan pro, sidomos vendet myslimane.

Zoti Bugajski tha se deklaratat amerikane më tepër se një kërcënim janë një paralajmërim. Për shembull, SHBA mund të shkurtojnë ndoshta kontributin e tyre ndaj Kombeve të Bashkuara në tërësi. Por nuk mendoj, tha zoti Bugajski, se do të kishte pasoja në kuptimin e marrëdhënieve dypalëshe me vendet që votuan kundër Shteteve të Bashkuara.

“Çdo marrëdhënie dypalëshe, – tha ai, – do të shqyrtohej në bazë të meritës së saj dhe jo në bazë të një vote të vetme në OKB.”

Lidhur me argumentin e ministrisë së Jashtme të Shqipërisë se Shqipëria votoi në linjat e Bashkimit Evropian, zoti Bugajski tha se ky argument nuk është dhe aq bindës, sepse nuk ekziston një qëndrim i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe në fakt disa vende të BE-së abstenuan: Polonia, Hungaria, Rumania e të tjera.

Pavarësisht nga qëndrimi i BE-së, tha eksperti, ky ishte një votim më tepër simbolik. “Megjithatë, – tha ai, – SHBA vëzhgojnë se cilët vende e mbështesin në kohë të vështira, prandaj, qëndrimi më i mirë për Shqipërinë do të kishte qenë që ajo të kishte abstenuar.”

Reagimi i DASH

Ndërkohë, Departamenti amerikan i Shtetit reagoi duke thënë se mënyra se si kanë votuar vendet e ndryshme nuk është i vetmi faktor që administrata amerikane do të mbante parasysh në marrëdhëniet e SHBA me vendet që zgjodhën të votojnë pro rezolutës. ​(voa)

Fjala e Albin Kurtit në seancën gjyqësore mbajtur me 20 dhjetor 2017

AlbinFjala e Albin Kurtit në seancën gjyqësore mbajtur me 20 dhjetor 2017
(E regjistruar në sallën e gjyqit, më pas e daktilografuar)

Data: 20 dhjetor 2017

Më datë 25.08.2015, në Bruksel, është nënshkruar marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ndërmjet kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Isa Mustafës dhe homologut të tij nga Serbia, Aleksandër Vuçiqit. Një ditë më vonë më 26.08.2015, në Vjenë është nënshkruar marrëveshja për Demarkacionin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, nga pala kosovare, zv.kryeministri i athershëm Hashim Thaçi dhe ministri i brendshëm, Skender Hyseni, me homologët e tyre malazezë.

Të dyja këto marrëveshje janë nënshkruar atëherë kur Kuvendi i Kosovës ndodhej në pushim. Nuk kishte asnjë seancë plenare, në të cilën do të diskutohej përmbajtja dhe forma e atyre marrëveshjeve. Në qershor të po atij viti, Kuvendi i Republikës, deputet i së cilës isha edhe asokohe, ka miratuar një rezolutë në bazë të së cilës duhet që të diskutohet në Kuvend të Republikës, paraprakisht, çfarëdo marrëveshje ndërkombëtare, përkatësisht marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi. Në muajin shtator dhe tetor të vitit 2015, ne e kemi alarmuar opinionin publik në Kosovë, për këto dy marrëveshje jodemokratike, jokushtetuese, e të dëmshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj.

Marrëveshja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, krijon një nivel të ri të pushtetit në Kosovë, që do të ketë kompetenca të plota në fushën e zhvillimit ekonomik, të kujdesit social, të planifikimit urban e rural. Parashihej që ai Asociacion, ta ketë Presidentin e vet, ta ketë Bordin Ekzekutiv me shtatë anëtarë edhe ta ketë një Asamble të vetën me tridhjetë anëtarë. Ai Asociacion, apo më mirë të themi Zajednicë, fitonte të drejta që të vendoste edhe marrëdhënie ndërkombëtare, me asociacione të ngjashme nëpër botë. Po të instalohej Zajednica, marrdhënia e Qeverisë së Kosovës me komunat me shumicë serbe do të bëhej e ndërmjetësuar me vetë Zajednicën. Një komune do të duhej t’i qasemi nëpërmjet Zajednicës dhe një komunë do të na drejtohej neve nëpërmjet Zajednicës. Shembulli historik ishte i freskët, me datën 26 prill 1991, katërmbëdhjetë komuna me shumicë serbe në Bosnje formuan Asociacionin e tyre. Se vetëm në Bosnje dhe Hercegovinë e formojnë Asociacionin e tyre. Me 9 janar të vitit 1992, ato shpallin pavarësinë. Me 28 shkurt të vitit 1992, fitojnë Kushtetutën. Ndërkaq me 14 dhjetor 1995, në Dejton të Ohajos edhe njohjen ndërkombëtare, të asaj që sot njihet si Republika Serbe. Ne asnjëherë s’kemi pasur dilema, në shekullin e XXI Serbia po përpiqej që ta bënte Serbinë e madhe, me shumë Serbi të vogla rrotull. Ky është imitimi i modelit rus, ku atje Federata Ruse ka shumë satelitë në fqinjësi, në formën e parashteteve vasale. Ngjashëm edhe në Kosovë, po na kërcënonte bosnjëzimi. Ne as nuk kemi qenë dhe as nuk jemi kundër serbëve por kemi qenë dhe jemi kundër Serbisë, sepse ajo është kundër nesh edhe si shtet edhe si komb. Kjo është arsyeja themelore pse ne nuk kemi dashur të lejojmë normalizimin e asaj marrëveshje në institucionet e vendit.

Në anën tjetër, me marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, ne humbisnim 8200 ha, duke e zbritur kufirin prej kurrizit të vargmaleve, të bjeshkëve të Rugovës, poshtë në luginë. Kemi konsideruar që ujëndarja si kriter natyror dhe kontrolli efektiv i territorit si kriter politikë, i paraprijnë çfarëdo kriteri kadastral. Demarkimi i kufirit është çështje e ndarjes së sovranitetit midis shteteve, e jo e pronave private të qytetarëve. Duke qenë të bindur se ne po humbisnim territor nuk mund të lejonim një marrëveshje të tillë, të bëhej fakt i kryer në institucionet e Republikës. Ka qenë gabim i pafalshëm që pala kosovare ka pranuar që ne ta kemi barrën e provës për të dëshmuar se toka jonë është territor i yni.

Kur na është pamundësuar që të flasim në seancat e Kuvendit për këto çështje në muajin shtator dhe kur krerët shtetëror në rastin më të mirë dëshironin të binin vetëm një njoftim apo informatë në Kuvend për marrëveshjet që kishin bërë, ne filluam të organizojmë protestë edhe jashtë edhe brenda Kuvendit, praktikojmë padëgjueshmëri parlamentare sepse nuk mund të lejonim që të sillemi thuajse diçka normale ngjau më 25 dhe 26 gusht të vitit 2015. Kemi provuar me pipa fërshëllyes, kemi provuar me vezë e me ujë, e kemi provuar edhe me gaz lotësjellës që të mos lejojmë kurrsesi normalizimin e Zajednicës në Kosovë – Zajednicës së Serbisë në Kosovë, dhe Demarkacionit me Malin e Zi.

Më datën 23 dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur në aktgjykimin e saj se Zajednica e Serbisë, gjithsej në 23 nene të Kushtetutës së Republikës të Kosovës, përbën shkelje, përkatësisht nuk është në përputhje me të. Në kërkesën e Presidentes së atëhershme zonjës, Atifete Jahjaga, të datës, 30 tetor 2015, ajo kërkon edhe masën e përkohshme, me ç’rast thotë “njëra nga arsyet e pengesës fizike të mbajtjes së seancave plenare të Kuvendit të Kosovës janë pretendimet e partive opozitare për mospërputhshmëri kushtetuese të përmbajtjes së parimeve të Asociacionit”. Për shkak të situatës së krijuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe pamundësisë që puna e Kuvendit të zhvillohet normalisht, Presidentja konstaton se duhet të pezullohet efekti i parimeve të Asociacionit, pasiqë është në interesin publik të evitohet përshkallëzimi i normalitetit. Secili kapitull, prej shtatë gjithësej, të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, përmban elemente që nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Neni 74, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës thotë që deputetët e Kuvendit të Kosovës ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës, pra ne më datën, 8.10.2015 dhe në seancat në vijim, kemi qenë plotësisht në ushtrimin e funksionit tonë si deputetë të Republikës për interesin më të mirë të saj, siç e ka vërtetuar më pastaj edhe Gjykata Kushtetuese. Asociacioni i Komunave me shumicë serbe parashihej që të ketë edhe kompetenca shtese, madje, të cilat do të mund t’i delegoheshin nga autoritetet qëndrore, pra përcaktonte një shkallë të re të të drejtave që mund të rriteshin, por kurrë më të mos zvogëloheshin. Pas datës 23 dhjetor të vitit 2015, asnjë serb i Kosovës, jo që nuk ka bërë protestë por as letër proteste nuk ka dërguar pse u rrëzua Zajednica, e vetmja instancë që ishte e zemëruar ishte ajo që e kishte bërë projektin, dhe dërgoi notë proteste, Beogradi. Prandaj konteksti politik në të cilin ne vepronim si deputetë të Kuvendit të Republikës ishte mbrojtia e të mirave shoqërore dhe juridike jo nga qytetarët e Kosovës apo komunitetet në Kosovë por pikërisht nga një shtet i huaj. Po të instalohej Zajednica e Serbisë në Kosovë, do të kishim dy lloj shqiptarësh në Kosovë, shqiptarët shumicë në Kosovë dhe shqiptarët pakicë në Zajednicë, sepse përderisa në Kosovë jetojmë mbi 92% shqiptarë, në atë Zajednicë do të jetonin çereku i popullësisë joserbe, e shumica e tyre dërrmuese, natyrisht, shqiptarë. Ajo Zajednicë do të ishte e paprekshme nga institucionet e Kosovës, por ajo vetë do të kishte të drejtë që t’i drejtohej gjykatave në Kosovë, deri te Gjykata Kushtetuese. Zajednica do të themelohej prej institucioneve të Kosovës por ajo nuk do të mund të shpërbëhej pastaj prej institucioneve të Kosovës. Ajo do të mund të shpërbëhej vetëm me vendimin e 2/3 të komunave anëtare. Kuvendi i Republikës së Kosovës mund ta rrëzojë Kryeministrin, Presidenti i Republikës së Kosovës mund ta shpërbëj Parlamentin, por as Kuvendi, as Qeveria, e as Presidenti nuk do të mund ta shpërbënin Zajednicën, në rast se ajo do të formohej. Ne kemi vepruar në një situatë ekstreme ku po cënohej sovraniteti, integriteti territorial dhe funksionimi i Republikës, por kemi vepruar edhe në një rrethanë urgjente. Sot këto rreziqe nuk janë eliminuar, por janë jashtëzakonisht më të vogla se që ishin para dy vjetëve. Dhe unë jam shumë i lumtur për këtë!

Është tejet e rëndësishme që veprimet tona të rezistencës, e protestës të mos shkëputen nga arsyeja e qëllimi ynë. Nuk mund të ndërpritet kronologjia e zhvillimeve duke u nisur nga tymi në sallë sepse asisoj gjithçka reduktohet në spektaklin e gazit, ku sikurse në çdo spektakël ajo që është interesante, e me interes është ajo që shihet dhe vetëm ajo që shihet, e jo ajo që mendohet dhe besohet. Veprimi ynë nuk është i reduktueshëm në imazhin e spektaklit televiziv. Pra për ta kuptuar veprimin tonë duhet ta inkuadrosh mendjen edhe zemrën, e jo vetëm syrin. Gjer më tani ky proces gjyqësor është udhëhequr me fokusim prej syrit të tymit, pa mendje dhe pa zemër. Ne jemi të bindur që me veprimet tona politike dhe publike i kemi sjellur dobi Kosovës dhe kemi penguar dëme të mëdha. Kurse pasojat tona janë aq të vogla saqë të papërfillshme, aqë të atypëratyshme saqë tërësisht të paqëndrueshme. Objekti mbrojtës i normës penale është mbrojtia e të mirave shoqërore dhe juridike brenda territorit të caktuar. Ne deputetët që kemi ndërmarrë aksione politike brenda autorizimeve që na i beson Kushtetuta e Kosovës, kemi bërë veprime që kanë marrë legjitimitetin e plotë shoqëror dhe juridik. Në njërën anë kemi nënshkrimin e mbi 205 mijë qytetarëve, që i kundërshtojnë këto dy marrëveshje, e që paraqet legjitimitet politik ndërkaq në anën tjetër kemi vendimin e autoritetit më të lartë kushtetues, që paraqet instancën përfundimtare për interpretim të Kushtetutës, Gjykatën Kushtetuese, përkatësisht legjitimitetin juridik. Këto të dyja përbëjnë bërthamën legjitimuese të veprimeve tona për kundërshtim politik ndaj këtyre marrëveshjeve të cilat kanë cënuar si të mirat shoqërore po ashtu edhe të mirat juridike, të faktuara tashmë edhe juridikisht. Meqë këto dy marrëveshje kanë cënuar të mirat shoqërore dhe juridike të shtetit të Kosovës, kjo procedurë nuk ka asnjë kuptim. Norma penale të cilën po tenton ta zbatojë kjo gjykatë, ka humbur kuptimin e objektit mbrojtës, thjesht nenet e Kodit Penal në këtë rast nuk kanë çka të mbrojnë. Objekti mbrojtës i këtyre normave penale do të duhej të ishin veprimet e personave që kanë ndërmarrë veprime politike me të cilët kanë cënuar të mirat shoqërore dhe juridike të shtetit të Kosovës.

Falemnderit!