Opozita në Tiranë: Zgjedhje e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme puç

Basha1

Opozita protestoi në Tiranë dhe deputetët e saj hodhën tym të kuq në sallën e parlamentit për të kundërshtuar zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme.

Arta Marku, zv. Prokurore e rrethit të Shkodrës, u zgjodh të hënën (18.12) Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme. Në seancën plenare, e fundit për këtë vit, Arta Marku u votua me 69 vota pro, 2 dy kundër dhe 2 abstenime. Opozita zhvilloi një protestë  të paralajmëruar para parlamentit, ku morrën pjesë rreth 3.000 vetë, deputetë, simpatizantë të dy partive partive opozitare, PD dhe LSI për të kundërshtuar atë që këto dy forca politike e quajnë „puҫ kushtetues” me qëllim „ kontrollin e Prokurorisë nga qeveria”.  Sipas opozitës Kushtetuta kërkon që kreu i organit të akuzës të zgjidhet me 84 vota ose 3/5 e 140 deputetëve të Parlamentit. Maxhoranca ka një interpretim tjetër të situatës. Ajo i është referuar dispozitave kalimtare në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë” për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, në kushtet kur, pas mbarimit të mandatit të ish- Kryeprokurorit  Adriatik Llalla, më 5 dhjetor dhe mosngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, (KLP) që ka kompetencën të emërojë Prokurorin e Përgjithshëm me mandat 7 vjeҫar. Sipas ligjit miratimi i një Prokurori të Përgjithshëm të Përkohshëm mund të bëhet me votat e më shumë se ¼ e numrit të të gjithë deputetëve (140 gjithsej). Opozita kërkoi që ish- Kryeprokurorit Llalla t‘ i zgjatej mandati edhe 2 vjet derisa të mbarojë vettingu i prokurororëve dhe të funsksionojë KLP.

Acarimi i protestës me pasojë të plagosur dhe të arrestuar

Protesta që nisi paqësisht para parlamerntit u tensionua, kur protestuesit kërkuan të ҫajnë kordonin e forcave të rendit dhe atyre të ndërhyrjes së shpejtë për t’u futur në sallën e parlamentit. Ndërhyrja e policisë për t’i penguar solli kundërshtimin e protestuesve. Dy policë u plagosën, njëri prej tyre ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Pati lëndime fizike edhe  nga rradhët e protestuesve si dhe arrestime. Ambasada e SHBA-së në një deklaratë zyrtare paralajmëroi qytetarët amerikanë, që jetojnë në Tiranë t’i largoheshin zonës së protestës duke theksuar se ajo nga paqësore “mund të kthehet e dhunshme”. Por brenda sallës së parlamentit ndodhi një akt i paprecedentë në historinë 25 vjeçare të parlamentarizmit post- komunist në Shqipëri. Deputetë të opozitës, në kundërshtim me rregullat e parlamentit, hodhën tym të kuq në drejtim të kryemnistrit Rama dhe kryetarit të Parlamentit Gramoz Ruҫi, kur po kryhej procesi i votimit për kryeprokuroren e përkohshme, Arta Marku.  Pati konfrontimim fizik në foltoren e parlamentit mes ish-kryemnistrit Sali Berisha, deputetëve opozitarë nga njëra anë dhe punonjësve të Gardës së Republikë në sallë kur Berishës nuk ia dha fjala nga kryetari i Parlamentit Gramoz Ruҫi, konfrontim që deri tani  besohej se i ishte lënë së shkuarës se konfliktualitetit ekstrem mes palëve. Seanca u ndërpre, protesta u shpërnda dhe palët kundërshtare dolën me deklaratat përkatëse.

Rama: Askush nuk e ndal dot reformën në Drejtësi 

Kryeministri Rama e quajti protestën e opozitës dhe ngjarjet e dhunshme në parlament “shfaqjen më të fundit të përpjekjes së dëshpëruar të opozitës për të bllokuar reformën në drejtësi, ҫmimin e së cilës e paguan Shqipëria, që është në prag të hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE”.

„Shfaqje të tilla i bëjnë dëm Shqipërisë Ato i japin argumenta atyre që jo domosadoshmërisht duan që të hapen negociatat e anëtarësimi duke bërë që Shqipëria, të jetë i vetmi vend në historinë e integrimit europian të ish-vendeve komuniste ku opozita i kundërvihet reformës në drejtësi. Reformën në Drejtësi nuk mund ta ndalë askush”, tha kryemnistri Rama.

Basha: Në fillim të janarit fillon vala e protestave 

Vendim i opozitës pas ndërprerjes së seancës për shkak të dhunës është fillimi i një vale protestash në të gjithë vendin në javën e parë të janarit. “Morëm vendimin për të nisur një valë protestash popullore për të ndaluar çmendurinë e kryemnistrit, që sot u bë edhe prokuror”, tha kryetari i PD, Basha.

Kryeprokurorja do të qëndrojë në këtë detyrë deri sa Këshilli i Lartë i Prokurorisë të zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm me mandat shtatë vjeçar. (dw)

Opozita: Valë protestash. Rama: Frikë nga Drejtësia

BashaPas zgjedhjes së Kryeprokurores së përkohshme Arta Marku, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim morën vendim për të nisur një valë protestash në të gjithë vendin. Ndërsa për kryeministrin Rama, veprimi i sotëm i opozitës ishte një përpjekje e dëshpëruar për të bllokuar reformën në drejtësi. Për ngjarjet e sotme reagoi dhe ambasada amerikane në Tiranë sipas së cilës “dëmtimi i pronës publike, hedhja e granatave tymuese në Parlament dhe dhuna nuk janë të pranueshme”. Sipas ambasadës amerikane lufta mes partive politike “po tregon se Reforma në Drejtësi më në fund po zbatohet”

Dy partitë kryesore të opozitës thirrën një mbledhje të përbashkët të grupeve parlamentare, në të cilin, siç njoftoi kryetari demokrat Lulzim Basha u vendos në unanimitet “nisja e një vale protestash popullore për të ndalur çmendurinë e narkokryeministrit, që sot është dhe kryeprokurori i vendit, duke rrëzuar shtyllat kushtetuese të bashkëjetesës demokratike, duke rrezikuar stabilitetin, demokracinë dhe integrimin europian të vendit”. Sipas zotit Basha, protestat do të nisin ne fillim të janarit në Tiranë për t’u pasuar më pas nga një valë manifestimesh të tjera.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama i cili nuk ndërhyri në seancën e sotme të parlamentit, reagoi nga selia e Qeverisë për ngjarjet. Ai e nisi fjalën e tij me një ndjesë ndaj qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë të vendit “për shfaqjen më të fundit të përpjekjes së dëshpëruar për bllokimin e Reformës në Drejtësi. Shfaqjen e sotme e dha opozita, por faturën e kësaj shfaqjeje e merr fatkeqësisht përsëri, e gjithë Shqipëria, e cila është më afër se kurrë çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe nuk e meriton as baltën, as tymin, as dëshpërimin e kësaj opozite, që prej dy vitesh udhëhiqet nga frika e Reformës në Drejtësi”.

Sipas kryeministrit, zgjedhja e kryeprokurores së përkohshme vetëm me votat e shumicës “ishte një zgjedhje plotësisht legjitime, kushtetuese, e konfirmuar shkresërisht edhe nga misionet e drejtësisë së Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian, të cilat asistojnë qysh prej ditës së parë, procesin e vështirë të Reformës në Drejtësi”.

Për ngjarjet e sotme reagoi dhe ambasada amerikane në Tiranë përmes një deklarate ku shprehet se ajo “dënon me forcë dhunën që ndodhi në protestën e sotme në Tiranë”. Ndërsa shpjegon se mbështet të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, ambasada thekson se “dëmtimi i pronës publike, hedhja e granatave tymuese në Parlament dhe dhuna nuk janë të pranueshme” duke i bërë thirrje të gjitha partive që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të nxisin qetësi”.

Sipas ambasadaës amerikane “populli shqiptar nuk duhet të habitet që politikanët e tyre po luftojnë njëri-tjetrin. Kjo do të thotë se reforma në drejtësi më në fund po zbatohet. Komisionet e Vetingut do të kenë së shpejti rezultatet e tyre të para”, thuhet në deklaratën përmes së cilës duket qartë aprovimi për largimin e drejtuesit të deritanishëm të Prokurorisë, Adriatik Llalla: “Prokurori i Përgjithshëm që refuzonte të ndiqte penalisht politikanë është i ikur”, shkruhet në deklaratë ndërsa paralajmërohet se “së shpejti do të shohim krijimin e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilat do hetojnë dhe ndjekin penalisht zyrtarë të korruptuar të nivelit të lartë. Qytetarët shqiptarë presin me padurim për drejtësi. Dhe politikanët kanë frikë”, përfundon deklarata e ambasadës amerikane. (voa)

Bruksel: Darka e një rëndësie të madhe

KryeministratShefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini takohet të hënën (18.12.) me kryeministrat e vendeve të Ballkanit. Ata do të flasin për gjendjen në rajon, por edhe perspektivën e anëtarësimit në BE.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini do të vazhdojë të hënën traditën e takimeve jo formale me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shkëmbimi i mendimeve mes liderëve dhe konsultimet me BE për vazhdimin sa më të shpejtë të rrugës së integrimeve, janë temat për të cilat Mogherini dëshiron të flasë në këtë takim jo formal. Mogherini në këtë mënyrë i mbetet besnike përkushtimit të saj që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të bëjnë hapa të shpejtë dhe të pakthyeshëm në drejtim të afrimit me BE.

”Prioriteti im në 12 – 18 muajt e ardhshëm do të jetë Ballkani Perëndimor, krahas politikës së sigurisë dhe mbrojtjes evropiane”, theksoi Mogherini në qershor të këtij viti. Mbështetja e saj pa rezerva e Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimit të BE është mbështetur gjatë këtij viti zyrtarisht edhe nga institucionet dhe përfaqësuesit më të rëndësishëm të BE. Këshilli i Evropës në mars ka kumtuar se “dyert e BE mbeten të hapura” dhe ka premtuar mbështetje në këtë rrugë. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude – Juncker ka nënvizuar në fjalimin e tij edhe zgjerimin e BE në Ballkan, si një prej temave më të rëndësishme të BE në të ardhmen.

“Nëse duam të keni një fqinjësi më stabile, atëherë duhet të ofrojmë perspektivën e antarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Gjatë këtij mandati të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, nuk do të ketë zgjerime të reja, sepse ato nuk kanë plotësuar kushtet. Por në të ardhmen BE do të ketë më shumë se 27 vende anëtare”, theksoi Juncker.

Ai ka bërë të ditur se do të hartohet edhe një Strategji për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi, deri në vitin 2025, që është edhe përcaktimi i parë kohor që Brukseli e ka saktësuar, kur flitet për vendet e Ballkanit Perëndimor. Pritet që Mogherini të dërgojë mesazhe pozitive për përkushtimin e BE ndaj Ballkanit Perëndimor.

Planet e BE deri në vitin 2025

Krahas rezultateve gjatë këtij viti, në këtë darkë të përbashkët do të flitet edhe për hapat që vendet e rajonit duhet të bëjnë gjatë vitit 2018. ”Viti i ardhshëm do të jetë vendimtar. Komisioni Evropian po punon Strategjinë për një perspektivë të qendrueshme për zgjerimin dhe anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, e cila do të prezantohet në shkurt të vitit 2018. Në prill do të kemi një paketë të re për zgjerimin, ku do të qartësohet se ku gjenden vendet që pretendojnë të anëtarësohen në BE. Për këtë çështje do të bisedohet edhe në samitin e BE në qershor. Ndërkohë do të kemi edhe një samit shumë të rëndësishëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sofje”, theksoi drejtori i Drejtorisë së KE për negociata dhe zgjerim, Christian Danielson.

Mogherini do të njoftojë kryeministrat se deri ku është mbërritur në hartimin e Strategjisë për zgjerim. Në Bruksel jo zyrtarisht merret vesh se KE do të prezantojë në këtë dokumet afate të sakta kohore për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi në BE. Në këto dokumente pune përmendet viti 2025 si vit i mundshëm i anëtarësimit të Serbisë në BE, me kusht që marrëveshja për normalizimin e raporteve me Kosovën të arrihet deri në fund të vitit 2019 dhe që negociatat e anëtarësimit të përfundojnë deri në vitin 2023. Jo zyrtarisht thuhet se në këtë dokument parashikohet që Bosnje-Hercegovina të fitojë statusin e kandidates për anëtarësim, deri në fund të vitit 2019. dhe që ”të intensifikohen negociatat për anëtarësimin” e Shqipërisë dhe Maqedonisë, nëse Tirana i realizon pesë reformat me prioritet, e Shkupi zgjidh problemin e emrit me Greqinë. Në Bruksel pritet që Strategjia do të nxitë këtë rrugë, të cilën vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta vazhdojnë, drejt anëtarësimit në BE.

Nuk do të flitet për dialogun

Në Bruksel thonë se BE po punon intensivisht në procesin e zgjerimit, por procesi varet nga reformat e vendeve kandidate – në radhë të parë nga reformat e shtetit juridik, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, funksionimi i institucioneve demokratike, liria e mediave dhe liria e shprehjes së mendimit të lirë. Federica Mogherini do të theksojë edhe domosdoshmërinë e vazhdimit dhe intensifikimit të bashkëpunimit rajonal, si elementi më i rëndësishëm për përparimin e këtyre vendeve në rrugën drejt anëtarësimit. Në kornizat e takimit do të ketë mundësi edhe për takime bilaterale mes kryeministrave të këtyre vendeve, por deri tani nuk ka ndonjë plan për takimin e kryeministrave të Kosovës (Ramush Haradinaj) dhe Serbisë (Ana Brnabiq), lidhur me dialogun për normalizimin e raporteve mes këtyre dy vendeve. Por në Bruksel nuk përjashtohet mundësia që në këtë takim të flitet për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si një prej projekteve më të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kjo darkë pune do të shërbejë edhe për takimin e parë mes kryeministrave të Kosovës Haradinaj dhe Serbisë, Brnabiq. Në këtë darkë Haradinaj do të takohet sërish edhe me Mogherinin, pas takimit të muajit të kaluar, ku ka pasur mosmarrëveshje serioze, pas kërkesës së Haradinajt që në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të jenë prezent edhe përfaqësuesit e SHBA-së.

(dw/Marina Maksimovic)

Rama-Zaev: Niveli më i lartë i bashkëpunimit dhe përkushtimi për zhvillim rajonal janë ardhmëria e përbashkët e dy shteteve

zaev-ramaKryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama realizuan konferencë të përbashkët për shtyp pas seancës së përbashkët të Qeverive të dy shteteve të mbajtur në Pogradec të Shqipërisë.

Kryeministri Zaev e vlerësoi si historik vendimin e dy shteteve fqinje për seancë të përbashkët qeveritare, në të cilën janë nënshkruar, siç tha ai, memorandume të rëndësishme nga sfera e sigurisë, kulturës dhe punëve të jashtme.

Zaev ka konkluduar se Maqedonia dhe Shqipëria i udhëheqin në mënyrë të përgjegjshme politikat shtetërore, pa paragjykime, duke sjellur vendime në mënyrë të sinqertë, transparente dhe të hapur me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve të dy vendeve, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Integrimet në BE dhe NATO nuk janë vetëm orientim politik, por edhe nevojë ekonomike e qytetarëve të dy shteteve fqinje, tha Zaev dhe paralajmëroi intensifikim të bashkëpunimit në infrastrukturë në të ardhmen, siç është lidhja e Maqedonisë me Durrësin.

Zaev tha se shpreson për përparim të integrimeve euro-atlantike të Maqedonisë gjatë vitit 2018, dhe për këtë shkak Qeveria e Maqedonisë në mënyrë të përqëndruar punon në reformat e brendshme, marrëdhëniet e mira ndër-fqinjësore dhe zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Është shumë e rëndësishme që edhe Republika e Shqipërisë e ka dalluar çastin e mundësive të mira për zhvillim rajonal, duke pasur parasysh vullnetin pozitiv të shteteve anëtare të BE-së.

Kryeministri Zaev vlerësoi se niveli më i lartë i bashkëpunimit dhe përkushtimi për zhvillim rajonal janë ardhmëria e përbashkët e dy shteteve./Telegrafi/

Pronat e Balilit, kush i dha 21 Ha tokë dhe historia e “Santa Quaranta”

santaErjon Braçe akuzoi një ditë më parë në Parlament ish-ministrin e Bujqësisë se i ka dhënë toka me qira familjes Balili gjatë kohës që ushtronte detyrën.

“Është një kontratë dhënë për këta njerëz, nga partia e tyre për njerëzit e tyre”, akuzoi Braçe.

“Ju sfidoj që të provoni që kjo garë nuk ka qenë e ndershme. Merrni dosjet me vete dhe shkojmë në prokurori”, iu përgjigj ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

Për të hedhur dritë mbi këtë çështje, Top Channel ka siguruar të gjithë procedurën ligjore të njërës prej kontratave. Bëhet fjalë për rreth 21 hektarë në Buronjë të Delvinës.

Gjithçka ka nisur më 28 dhjetor të 2015, kur me një vendim të Qeverisë “Rama” kjo sipërfaqje toke kalon në menaxhim nga Ministria e Arsimit tek ajo e Bujqësisë, me qëllim “të shtohet në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, për nxitjen e investimeve në bujqësi dhe blegtori nëpërmjet shfrytëzimit të tokës bujqësore”.

Në mars të 2016 Ministria e Bujqësisë shpall garën për dhënien me qira të 21 hektarëve, ndërsa ofertat mbyllen më 5 prill. Më 20 maj të 2016, Ministria e Bujqësisë shpall fitues kompaninë “Alb Universal 95”, e themeluar në fund të dhjetorit 2015, Albin Balili, i cili një muaj më pas, më 22 janar 2016 ia dhuron Xhesjana Ballaçit është pikërisht kjo e fundit që ka hedhur firmën në kontratën me Ministrinë e Bujqësisë. Kontrata ka marrë fuqi ligjore me nënshkrimin nga palët.

Një pronë tjetër e Balilëve, resorti “Santa Quaranta”, ka një histori më të gjatë. Historia e përfitimit të kampit të punëtorëve në Sarandë nga Bashkim Balili, vëllai i Klement Balilit, nis në vitin 2000. Atëherë ky objekt prej 30 mijë metrash/katrorë zotërohej nga dy pronarë: firma e shpallur piramidale “Kamberi” me 60 për qind dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura me 40 për qind. Në mesin e viteve ’90 prona kishte qenë e tëra në zotërim të sindikatës.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura e kishte përfituar pronën në vitin ‘94 pas një aktmarrëveshje mes sindikatave të Shqipërisë për ndarjen e pronave të përfituara me një dekret të Presidentit Berisha.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura u lidh me një kompani italiane me të cilën krijuan shoqërinë “DEA” për ofrimin e shërbimeve të hotelerisë. Kuotat u ndanë 60 për qind për italianët, që do të investonin 100 mijë dollarë dhe 40 për qind për Bashkimin e Sindikatave të Pavarura.

Në vitin 1996 aksionet e italianëve u blenë nga firma “Kamberi”. Në vitin 1997 firma “Kamberi” u shpall piramidale, por në vitin 2000, kur asetet e saj administroheshin nga shteti, rezultonte ende bashkëpronare e ish-Kampit të Punëtoreve. Në 18 maj po të vitit 2000, kuota prej 40 për qind e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura u mor me kontratë qiraje nga shoqëria “Titan Konstrukstion”, që zotërohej nga Bashkim Balili, kundrejt një çmimi prej 4 milionë lekësh në vit.

Pa kaluar një vit, me 7 shkurt 2001, Bashkim Balili bleu kuotat e tjera, 60 për qind të firmës “Kamberi” për rreth 85 milionë lekë. Shuma u likujdua plotësisht në Bankën e Kursimeve.

Në 2008, ndodhi kthesa e madhe, ku Balilët morën të gjithë pronësinë mbi ish-Kampin e Punëtorëve. Palët, Bashkim Balili dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura, nënshkruan më 22 dhjetor 2008 një kontratë shkëmbimi pasurie. 40 përqindëshi i 30 mijë metrave/katrorë të ish-Kampit të Punëtorëve zotëruar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura u shkëmbye me një pasuri prej 3500 metrash/katrorë në Linzë të Tiranës, që sipas dokumentacionit hipotekor zotërohej nga Bashkim Balili.

Në fakt kjo kontratë ka qenë e paligjshme, pasi një ligj i ’98-ës, ende në fuqi, ndalon tjetërsimin deri në vitin 2020 të pasurive të zotëruara nga sindikatat, por në pronësi publike.

E megjithatë, kontrata e shitblerjes nga Sindikata mbeti në fuqi. Në vitin 2015 ish-Kampi i Punëtorëve, tani, me emrin “Santa Quaranta” u përurua me bujë, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale.

Por nuk përfundon këtu. Ky biznes me këtë emër, “Santa Quaranta Resort” u rregjitrua si i tillë vetëm para dy javësh, më 1 dhjetor të 2017, pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, ose, një javë pasi policia ekzekutoi vendimin e Gjykatës për Krime të Rënda për vënien nën sekuestro të kësaj pasurie.

Top Channel

Gara për kreun e VV, tensione të brendshme në partinë që themeloi Albin Kurti

vvVetëvendosja në Kosovë, nga mënyra e strukturimit mund të konsiderohej pa frikë si organizata më hermetike për sa i përket unitetit, por edhe mosrrjedhjes së informacioneve.

Ndaj për shumëkënd, përçarja që u shpërfaq nga një mesazh i një prej anëtarëve të Kryesisë ishte e papritur. Fraza e thënë gjatë një diskutim në grup, në një platformë sociale, mund ta çojë partinë edhe në ndarje.

Por kryetari Visar Ymeri, i cili e mori partinë nga Albin Kurti në vitin 2015, nuk pranon ekzistencën e fraksioneve. Në një intervistë ku Visar Ymeri doli kundër Albin Kurtit, i cili sot ndodhet në burg, ai për herë të parë në publik flet për dallime.

“Problemi i vërtetë sipas mendimit tim, që po zgjat prej një kohe të gjatë tani në Lëvizjen Vetëvendosje, është një mospajtim thelbësor që kanë persona të ndryshëm brenda Vetëvendosjes, pra të strukturave drejtuese për atë sesi do të duhej që në të ardhmen ta kemi Vetëvendosjen si organizatë politike dhe cili është ai mekanizëm apo metodë që do ta siguronte demokracinë e brendshme në VV”, deklaroi kryetari aktual Visar Ymeri.

Përçarja vjen në momentin më të suksesshëm politik për Vetëvendosjen. Në zgjedhjet e fundit, kjo parti mori më shumë vota si forcë politike, sesa të gjitha partitë e tjera. Brenda partisë ka nga ata, që thonë se e gjithë kjo bëhet për të penguar Albin Kurtin për të rikandiduar.

Liburn Aliu, anëtar i Kryesisë dhe deputet i Vetëvendosjes, tregon se situata nisi me kushtet që vendosi deputeti tjetër, Dardan Molliqaj.

“Ekziston një grup, ku Dardan Molliqaj pretendon që do të ndahet nga Lëvizja Vetëvendosje në rast se nuk plotësohen 4 pika, njëra prej të cilave ka qenë kandidimi i Albin Kurtit. Të thuhet që, për shkak se ekzistojnë dallimet në metoda organizative, e për shkak të këtyre dallimeve duhet të mos kandidojë zoti Kurti për kryetar, kjo është diçka që nuk ka të bëjë fare me Lëvizjen Vetëvendosje”, tha Liburn Aliu, anëtar i Kryesisë dhe deputet i VV.

Pas daljes së mesazhit që tregoi diferencat në parti, Aida Dërguti dha dorëheqjen si anëtare e Kryesisë. Në skenë doli hapur deputeti Dardan Molliqaj, që dha versionin e tij të situatës.

“Ajo çfarë kam parë nga zoti Kurti në këtë periudhë është një fundamentalizëm politik. Kjo nënkupton një kthim në rrënjët e Lëvizjes Vetëvendosje. Nëse në 2015-2016 është dashur të hedhim gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës për të ndalur formimin e Zajednicës dhe miratimin e Demarkacionit, sot nuk kemi nevojë për demarkacion, sepse sot nuk ka shumicë prej 2/3-tave për ta miratuar. Kohët e fundit kemi nisur një diskutim për çështjen e bashkimit kombëtar, por mendoj se dallimi është mënyra sesi e shtrojmë bashkimin kombëtar. Unë shoh një shtim të folklorizmit në raport me bashkimin kombëtar”, thotë Dardan Molliqaj, deputet i VV-së.

Mandati i kryetarit të Vetëvendosjes, Visar Ymeri mbaron në shkurt, por të dielën, me mbajtjen e Këshillit të Përgjithshëm, i hapet rruga zgjedhjeve në parti. Nuk dihet sesa do të ndikojë kjo në shuarjen e tensioneve, por në skenën politike kosovare, të gjithë mundohen t’i japin një shpjegim asaj që po i ndodh partisë opozitare në kulmin e suksesit politik.

Analisti Enver Robelli thotë se, në një parti ku pengohet dikush si Kurti të kandidojë, vetëm demokraci nuk ka, ndërsa sherret po shpërfaqin para opinionit marrëzi dhe intriga. Ndërsa Haki Abazi sheh konsipiracion, duke parë lojën e shërbimeve informative, që sipas tij duan të ndikojnë jetën politike në Kosovë.

Top Channel

Një studim i ri: gjykatat shqiptare, të mbingarkuara me procese

Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Xhezair Zaganjori, fajësoi sot institucionet shtetërore dhe qarqet politike për ngarkesën e madhe të punës nëpër gjykata.

“Politika i ndryshon ligjet dhe njerëzit pas çdo rotacioni pushteti për qëllime elektorale dhe kjo mbingarkon gjykatat me dhjetëra mijëra procese, të cilat vonohen dhe gjykohen pa cilësi” – tha ai.

Zoti Zaganjori shtoi se mijëra nëpunës hiqen nga puna pa asnjë motiv dhe ata dynden nëpër gjykata, po ashtu pronarët, ushtarakët dhe pensionistët.

Zoti Zaganjori i bëri këto komente në një konferencë të qendrës INFOÇIP, ku u publikua një studim mbi punën dhe gjendjen e gjykatave administrative, mbështetur nga National Endowment for Democracy, NED, në Washington D.C, SHBA.

Studimi, i bazuar në shqyrtimin e mbi 10 mijë vendimeve gjyqësore, zbuloi se koha gjykimit të një çështjeje gjyqësore nga 90 ditë sipas ligjit, në fakt shkon deri në 1 vit e gjysmë.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, foli me shqetësim për vonesat në ngritjen e organeve të reja të drejtimit të sistemin gjyqësor si Këshilli i Lartë Gjyqësor

“Moskrijimi i këtij këshilli vonon plotësimin të trupës gjyqësore, ndaj forcat politike, Kuvendi, shoqëria civile dhe sistemi gjyqësor sa më shpejt dhe transparent të ndërmarrin veprime konkrete, sipas Kushtetutës dhe Komisionit të Venecias, të ndërmarrin hapa serioze e transparentë, në mënyrë që kjo reformë e madhe të kryhet sa më shpejt, larg politizimit të skajshëm dhe për interesa partiake të ditës” – tha zoti Meta.

Çdo vonesë e mëtejshme është, sipas tij, në dëm të interesit publik, të gjykatave, në dëm të vetë reformës në drejtësi, dhe të qytetarëve shqiptarë. (voa)

Shqipëri-Francë fazë e re bashkëpunimi kundër emigracionit ilegal

ministri francezMinistri i Brendshëmi i Francës zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë. Bashkëpunimi mes dy vendeve ka hyrë në një fazë të re në luftën kundër migracionit ilegal nga Shqipëria.

Numri ende shqetësues i qytetarëve  nga Shqipëria që kërkojnë azil në Francë dhe vlerësim i reduktimit të tyre në tre muajt e fundit ka sjellë në Tiranë, ministrin e Brendshëm të Francës, njëherazi edhe Ministër Shteti, Gerard Collomb. Sipas shifrave zyrtare rreth shtatë mijë qytetarë nga Shqipëria kërkuan azil në Francë në gjashtë mujorin e parë  të këtij viti.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryemnistrin shqiptar Rama, të zhvilluar të premten ( 15.12.2017) ai bëri me dije se numri i azilkërkuesve nga Shqipëria mbetet shqetësues.

“20 përqind  e vendeve të strehimit që ka Franca për azilkërkuesit i zenë qytetarët nga Shqipëria. Jemi të kënaqur me progresin dhe rezultatet e arritura në muajt e fundit për reduktimin dhe frenimin e emigracionit të paligjshëm në drejtim të Francës. Kemi besim në vullnetin e Shqipërisë dhe atë të Francës për të rritur bashkëpunimin mes dy vendeve për të luftuar së bashku fenomenin si edhe rrjetet e krimit të organizuar”,  tha ministri Collomb.

Kryemnistri Rama tha, se ka një dinamikë dhe cilësi të re në marrdhëniet mes dy vendeve nga bashkëpunimi për të ndalur emigracionin e paligjshëm. “Po punojmë për t’ua bërë të qartë qytetarëve shqiptarë se rruga e azilkërkimit jo vetëm që përbën në vetvete një rrugë të paligjshme, por edhe një rrugë pa krye. Vullneti ynë është i plotë dhe procesi i frenimit që ka nisur do të vazhdojë deri në fund”, tha kreu I qeverisë Rama.

Mes dy vendeve në verën e këtij viti u nënshkrua një marveshje bashkëpunimi për të frenuar fluksin e azilkërkuesve nga Shqipëria në Francë. Por Franca kërkon intensifikim të masavedhe bashkepunimit për këtë qëllim.

„Do të ketë një bashkëpunim të ngushtë mes ministrit të Brendshëm të Shqipërisë dhe atij të Francës. Kemi një marrdhënie të ndërsjelltë besimi. Procedurat për azilin dhe emigrimin në Francë duhet të trajtohen me kriteret europiane dhe ato gjermane. Po punojmë edhe me vendet fqinjë, se shqiptarët nuk nisen vetëm nga Tirana, por edhe nga kryeqytetet e vendeve fqinjë, ndaj ne kemi propozuar që nga katër oficerët shqiptarë, dy të punojnë në Francë, në Paris me forcat ajrore dhe të kufirit në zonat, ku janë përqëndruar azilkërkuesit shqiptarë, sidomos në Lion, zonë shumë e prekur nga azilkërkues.

“Kemi vullnet të plotë për të frenuar azilkërkimin dhe këtë do ta vazhdojmë deri në fund. Ky proces është pjesë e rëndësishme e sfidës sonë të madhe për  të hapur me BE-në negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë. Presim që në gjashtë muajt e parë të vitit 2018 të marim një rekomandim pozitiv dhe të pakushtëzuar nga Komisioni Europian dhe më pas një miratim nga Këshilli Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE-në” tha kryemnistri Rama në konferencën e përbashkët për shtyp.

Qëndrimi zyrtar i Francës ndaj hapjes së negociatave – Presidenti Macron ka dhënë sinjale pozitive

Cili është qëndrim i Francës, vendit me peshë në BE për hapjen e këtyre negociatave kur ambicia e qeverisë Rama është që ato të hapen Brenda gjashë mujorit të parë të vitit 2018? “Qëndrimin zyrtar për këtë ҫështje do ta thotë Presidenti i Francës, Macron. Ai po përpiqet të luajë një rol pozitiv në të gjitha ҁështjet e rëndësishmë europiane dhe kërkon që ëndrrës europiane t’i jepet një frymë e re në kuadrin e humbjes së besimit tek Europa”, tha ministri Collomb.

Ai përmendi fjalimin që presidenti Macron mbajti në Universitetin e Sorbonës për të ardhmen europiane dhe faktin që Macron u ndal në mënyrë të veҁantë tek rajoni i Ballkanit Perëndimor, kur theksoi në Sorbonë që citoj ministrin Collomb në konferencën e shtypit (15.12) në Tiranë, se “është shumë e rëndësishme që Ballkani Perëndimor të stabilizohet dhe BE nuk mund t’i lërë vendet e këtij rajoni jashtë familjes europiane”

Ministri Collomb tha, se ” Përmendja nga Presidenti Macron i Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë në fjalimin e tij është një tregues pozitiv”.

BE duhet t’i fusë vendet e Ballkanit perëndimor në një dinamikë të re drejt afrimit me BE-në

Ministri Collomb vlerësoi qeverinë Rama si një qeveri reformash.”Të gjitha vendet e botës kanë nevojë për një botë në  lëvizje të shpejtë. Çdo vend të shohë veten në pasqyrë, të bëjë reforma dhe të ecë perpara. Shqipëria po e bën sepse ia kërkon BE-ja por e bën edhe për vete, sepse  vetëm duke reformuar vendin mund të ecet përpara, si në pikëpamjen kombëtare ashtu edhe ndërkombëtare. BE-ja duhet t’i fusë vendet e Ballkanit Perëndimor në një dinamikë të re ecjeje drejt integrimit europian”, tha ministri Collomb në Tiranë. (dw)

Pajisje italiane me lazër për të zbuluar ushqimet e falsifikuara

mashtrimi me ushqimMashtrimi me ushqimet, fallsifikimi i tyre, i kushton industrisë së ushqimit dhe pijeve rreth 30 miliard dollarë çdo vit. Mashtrimi me ushqimet është zëvendësimi i qëllimshëm ose keqinterpretimi i produkteve ushqimore për përfitime ekonomike. Në disa raste, si hollimi i vajit të ullirit është me pak rrezik dhe në raste të tjera, përdorimi i niseshtes ose lëndëve plastike për të zëvendësuar orizin, rreziku është shumë i madh. Siç na njeh edhe materiali në vazhdim, një test me lazër i zhvilluar në Itali mund të zbulojë me saktësi të pabesueshme ushqimet e falsifikuara.

Mashtrimi me ushqimet ndodh për herë dhe në të gjitha llojet e produkteve, që nga lëngjet e frutave, vaji i ullirit e deri tek pijet alkoolike apo peshku ton. Hulumtuesit italianë kanë krijuar një pajisje që zbulon menjëherë ushqimet e falsifikuara. Adriana Puiu është me Qendrën Kërkimore Frascati Enea.

“Synimi është të zbulojmë rastet e falsifikimit të ushqimit. Për shembull, prania e vajrave me cilësi të ulët të përzjera me vajin e ullirit ekstra të virgjër, ose metanoli në pijet alkoolike, apo fshehja e përmbajtjes së sheqerit në etiketat e lëngjeve të frutave, dhe kryesisht histamina në produktet e peshkut.”

Prova bëhet përmes analizës të quajtur spektroskopi fotoakustike me rreze lazër. Një rreze lazër kalon përmes verës, vajit të ullirit apo peshkut dhe zbulon të gjitha kimikatet e ndryshme në të.

“Rrezja lazër përshkron artikullin dhe ndërvepron me përbërësit e tij. Rrezja lazër është ndërtuar posaçërisht për këtë qëllim dhe na lejon të zbulojmë me përpikmëri të lartë molekulat e falsifikuara”, thotë hulumtuesja italiane Adriana Puiu.

Sikurse të gjitha teknologjitë e reja, pajisja nuk është shumë praktike. Por ekipi po punon për të prodhuar një pajisje të vogël që të mbahet në dorë.

Luca Fiorani është me laboratorin e Qendrës Kërkimore Frascati Enea.

“Duam të prodhojmë një sistem portativ si një çantë dore që autoritet mund ta marrin me vete për të analizuar produktet. Kur pajisja sinjalizon për probleme në produkte, mostrat dërgohen në laborator për analizë të hollësishme, çfarë kërkon kohë, kushton dhe është komplekse.

Hulumtuesit thonë se një variant portativ do të jetë i mundshëm gjatë tre viteve të ardhëshme. (voa)

San Francisko, emigrantët dhe industria e teknologjisë

BingHarry Shum, executive vice president of Microsoft’s Artificial Intelligence and Research, speaks at a Microsoft event in San Francisco, California, Dec. 13, 2017.

Vlerësohet se më shumë se një milion emigrantë me arsim universitar në Shtetet e Bashkuara bëjnë punë për të cilat duhen kualifikime të nivelit të ulët. Ata kanë vështirësi në gjetjen e vendeve të punës në profesionet e tyre, duke përfshirë edhe industrinë amerikane të teknologjisë, e cila ka nevojë për punonjës të kualifikuar. Një panair i veçantë i industrisë së teknologjisë këtë javë në San Francisko mblodhi së bashku refugjatë dhe emigrantë të rinj me punëdhënës potencialë. Korespondentja e Zërit të Amerikës, Michelle Quinn sjell hollësitë.

Panairet e punës janë rutinë këtu në Silicon Valley. Por ky panair është i veçantë. Pesëdhjetë emigrantë dhe refugjatë të rinj të ardhur nga vende të ndryshme, përfshirë Rusinë, Iranin dhe Eritrenë po kërkojnë punë.

Khaled Turkmani nga Siria ka diplomuar në degën e shkencave kompjuterike. Gjatë nëntë muajve të parë në San Francisko, ai bëri punë të ndryshme për të mbijetuar, si shitës i këpucëve, montues i mobilieve, zhvillues i faqeve të internetit, për 10 dollarë në orë.

“Ishte e dhimbshme për mua kur mësova se për të njëjtën punë dikush tjetër që është lindur këtu paguhet 50 dollarë në orë. Por për mua, puna është punë”, thotë refugjati nga Siria, Khaled Turkmani.

Zoti Turkmani ndoqi një program me organizatën Upwardly Global, e cila trajnon emigrantët dhe refugjatët e kualifikuar se si të kërkojnë punë në Shtetet e Bashkuara në profesionet e tyre. Këtu, ai mësoi se si amerikanët krijojnë lidhjet profesionale dhe tani ai është një menaxher projekti në industrinë e Teknologjisë së Informacionit.

Emmanuel Iman, një tjetër i diplomuar, i cili tani punon në organizatën Upwardly Global, thotë se gjërat e vogla kanë rëndësi të madhe kur kërkoni punë në Shtetet e Bashkuara.

“Këtu në Shtetet e Bashkuara gjatë bisedës duhet ta shikoni direkt në sytë personin me të cilin flisni. Dhe kur takoni dikë, ju duhet t’i shtrëngoni dorën fortë. Këto elemente tregojnë se ju keni vetëbesim”.

Zoti Imani, një emigrant nigerian, thotë se emigrantët e rinjë që kërkojnë punë duhet të mësojnë një mënyrë të re të të folurit.

“Ata thonë, ekipi, grupi, kompania, organizata. Në Shtetet e Bashkuara është shumë ndryshe. Ata thonë: “Unë e bëra këtë”.

Ivan Vislov, një emigrant rus, i cili erdhi në panair me bashkshorten e tij, gjashtë muaj më parë mendonte se gjetja e një vendi pune në industrinë e teknologjisë në Silicon Valley do të ishte e lehtë.

“Ne jemi menaxher të produkteve dhe analistë biznesi në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe për këtë arsye kemi ardhur në San Francisko dhe në Silicon Valley, sepse këtu është qendra e kësaj industrie dhe e teknologëve të njohur”.

Zoti Vislov planifikon të ketë takime të tjera me kompanitë Yelp, TaskRabbit dhe të tjerë. Ai planifikon të zgjeroj lidhjet profesionale, duke marrë pjesë në panaire të tjera pune. Vislov duhet ta bëjë këtë sepse ai nuk dëshiron të dorëzohet. (voa)