Dialogu s’do të jetë peng i mungesës së Ekipit të Unitetit

Thaci Mogherini VucicPuna përgatitore për fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë në Bruksel, është duke vazhduar, thonë zyrtarët e institucioneve të larta të vendit. Sipas tyre, faza e fundit e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të duhej të përfundonte me njohjen e ndërsjellë të të dyja vendeve.

Bekim Çollaku, shef i kabinetit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se presidenti i vendit është duke punuar në të gjitha rrafshet për ndërtimin e një Ekipi të Unitetit apo një grupi gjithëpërfshirës, i cili do ta përfaqësojë Kosovën në fazën, siç e ka quajtur ai, përfundimtare të dialogut në Bruksel. Sipas tij, me grupin e unitetit nënkuptohen përfaqësuesit e partive politike parlamentare.

“Nëse partitë politike parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të arrijnë të gjejnë një konsensus të tillë, që të merren vesh aty dhe të nxjerrin një rezolutë të përbashkët për këtë çështje, aq më mirë. Mirëpo, nëse jo, atëherë pse jo edhe presidenti, si përfaqësuesi më i lartë institucional dhe si përfaqësues i unitetit të popullit dhe i partive politike, mund të krijojë ekipin politik për qëllimin e njëjtë. Kështu që, në cilëndo formë që të bëhet, suksesi është i garantuar. Ajo çfarë është më e rëndësishme, është që të ketë konsensus të gjerë politik për këtë çështje, ndërsa mënyra se si do të ndërtohet kjo, mendoj se është e një rëndësie dytësore”, thotë Çollaku.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se Kuvendi i Kosovës tashmë e ka të miratuar një rezolutë, me të cilët i autorizon krerët institucionalë të Kosovës për dialog me Serbinë.

Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës është e angazhuar për arritjen e një konsensusi ndërmjet partive politike për krijimin e një grupi gjithëpërfshirës për përfaqësim të vendit në dialogun me Serbinë.

“Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me krerët institucionalë të Kuvendit dhe me presidentin, janë duke ndërtuar një ekip, një strategji të unifikuar, që të rinisë, përkatësisht, që dialogu me Serbinë të hyjë në fazën përfundimtare, duke e afatizuar në kohë dhe që rezultati përfundimtar i tij të jetë njohja e ndërsjellë e të dy shteteve”, thotë Matoshi.

Por, përfaqësuesit e partive politike parlamentare në vend, tashmë kanë shprehur mendime të ndryshme lidhur me mundësinë e krijimit të një ekipi gjithëpërfshirës apo të unitetit për dialogun me Serbinë.

Përderisa Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë kundër dialogut pa kushte me Serbinë, si dhe kundër asaj që përfaqësimin e Kosovës në dialog ta udhëheqë presidenti Thaçi, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk e ka mohuar në parim mundësinë e krijimit të një ekipi gjithëpërfshirës. Megjithatë, sipas tyre, për nivelin e përfaqësimit politik në dialog, fjalën e fundit duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës, si dhe ka shprehur mendimin që dialogun duhet ta udhëheqë Qeveria dhe jo nga presidenti.

Por, Çollaku konsideron se kjo qasje e partive opozitare është e gabuar, duke thënë se Kushtetuta e Kosovës i përcakton qartë rolet e institucioneve të larta.

“Në këtë rast, dialogu është një çështje e politikës së jashtme dhe Kushtetuta e përcakton qartë që me politikë të jashtme udhëheqë presidenti i vendit. Mirëpo, do të ishte tepër e mirëseardhur në qoftë se Kuvendi i Republikës së Kosovës do të kishte ndërgjegje dhe vetëdije të lartë politike, që të arrijë një konsensus të tillë, të gjerë, për një çështje kaq të rëndësishme, siç është dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kështu që, ne e mirëpresim një konsensus të tillë, nëse ai buron nga Kuvendi. Mirëpo, nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, atëherë sigurisht që Presidenti i Republikës së Kosovë nuk do ta lë peng një proces të tillë për shkak të divergjencave brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Ndërkaq, Matoshi thotë se më e rëndësishme është arritja e një konsensusi ndërmjet partive politike parlamentare për dialogun me Serbinë sesa çështja se kush do t’i prijë ekipit në dialog.

“Nuk është shumë e rëndësishme se kush do t’i udhëheqë bisedimet. E rëndësishme është që të ketë një gjithëpërfshirjedhe ne mendojmë se në Ekipin e Unitetit duhet të përfshihet edhe opozita parlamentare”.

Rreth dy muaj më parë, në një debat të organizuar ndërmjet shefave të grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, ishte kërkuar që legjislativi të ketë rol shumë më aktiv në procesin e dialogut, si dhe për marrëveshjet e arritura me Serbinë.

Përfaqësimi politik në dialog, deri më tash, ishte në nivelin e kryeministrave, por në dy takimet e fundit, gjatë këtij viti, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, kanë përfaqësuar Kosovën dhe Serbinë nga pozitat e presidentëve. (rel)

SHBA, plane për rikthimin e njeriut në hapësirë

kosmonautPresidenti Donald Trump i kërkoi Administratës Kombëtare të Hapësirës të rigjallërojë programin e eksplorimit të hapësirës, që synon dërgimin e astronautëve amerikanë në Hënë dhe përfundimisht në Mars.

Presidenti Trump e nënshkroi direktivën e re për agjencinë e hapësirës të hënën në Shtëpinë e Bardhë.

“Presidenti ka vendosur të ndryshojë politikën e fluturimeve me njerëz në hapësirë që Amerika të bëhet forca lëvizëse për industrinë e hapësirës, të fitojë njohuri të reja mbi kozmosin dhe të krijojë teknologji të papara,” tha në një deklaratë të hënën zëvendës sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley.

“Që nga fillimi i administratës së tij, Presidenti Trump ka ndërmarrë hapa për ta përqendruar NASA-n te misioni i saj kryesor i eksplorimit të hapësirës”, tha ai.

Zoti Trump e ka bërë të qartë se ai dëshiron që Shtetet e Bashkuara t’i rikthehen në përmasa të mëdha eksplorimit të hapësirës.

Zëvendëspresidenti Mike Pence, që është kreu i Këshillit Kombëtar të Hapësirës, tha në tetor se qëllimi i programit do të ishte rikthimi i rolit udhëheqës të Amerikës në eksplorimet me njerëz në hapësirë.

Ne do t’i kthejmë astronautët amerikanë në Hënë, jo vetëm për të lënë atje gjurmët e këmbëve dhe flamuj, por për të ndërtuar bazat që na nevojiten për të dërguar amerikanët në Mars dhe më gjerë”, tha zëvendëspresidenti. (voa)

Maqedoni, jep dorëheqjen kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve

CicakovskiKryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoni, Aleksandar Çiçakovski dhe dy anëtarë të tjerë të komisionit kanë njoftuar dorëheqjet nga posti.

Vendimi vjen pas një skandali që ka të bëjë me përvetësimin e një shume parash prej rreth dhjetë rrogave mesatare. Megjithëse anëtarët e KSHZ-së nuk kishin shkelur ligjin, vendimi për bonuset ishte marrë në mënyrë jotransparente, në një seancë të mbyllur.

Ambasadori amerikan Jess Baily para pak ditësh bëri të njohur skandalin. Kjo pasoi kritika nga mjetet e informimit në adresë të anëtarëve të KSHZ-së.

Zoti Çiçakovski më pas njoftoi se bonusin e tij ia dhuronte një organizate humanitare, por pas shtimit të kritikave ai bëri të ditur të hënën se jep dorëheqjen.

Edhe dy anëtarët e tjerë të propozuar nga Lidhja Social Demokrate në KSHZ, Violeta Duma dhe Igor Milev kanë dhënë dorëheqjet për shkaqe morale.

Ndërkaq, anëtarët e tjerë të komisionit nuk janë prononcuar. Dorëheqjet duhet t’i miratojë parlamenti me dy të tretat e votave. Vendimin e kryetarit dhe dy anëtarëve të dorëhequr e ka përshëndetur kryeministri maqedonas Zoran Zaev, duke i quajtur ata profesionistë dhe duke premtuar se “do të kujdeset për ta”.

“Duhet të ekzistojnë mekanizma për shpërblime, por për këtë duhet të vendosin institucionet të cilat i zgjedhin ata”, është shprehur Zaev të hënën.

Ky komision u miratua pas marrëveshjes politike të Përzhinës para më shumë se dy vjetësh ndërmjet katër partive, atëherë më të mëdhatë në vend. Komisioni me përbërjen aktuale realizoi dy palë zgjedhje, në dhjetor të vitit të kaluar dhe në tetor të këtij viti për të cilat vlerësimet ndërkombëtare ishin kryesisht pozitive, ndonëse nuk munguan vërejtjet ndaj KSHZ-së për lëshime teknike. (voa)

Kosovë: Koalicioni me dy qendrime për demarkacionin me Malin e Zi

jugosllaviaKalimi në kuvend i marrëveshjes së demarkacionit ka nxjerrë në pah dallimet brenda koalicionit. Partnerët ndërkombëtarë: kuvendi duhet ta ratifikojë marrëveshjen. Analistët: mosratifikimi vë në pikëpyetje qeverinë.

Kuvendi i Kosovës ende nuk ka bërë të ditur, se kur marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi mund të vihet në rendin e ditës për votim, për të parë nëse kjo marrëveshje ratifikohet nga deputetët apo jo. Për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit nevojiten 81 vota nga 120 deputetë që ka kuvendi i Kosovës. Qeveria dy ditë më parë e procedoi në kuvend për votim marrëveshjen së bashku me konstatimet e komisionit të ri për shënjimin e vijës kufitare i themeluar nga kryeministri Ramush Haradinaj. Por procedimi në kuvend i marrëveshjes ka njxerrë në pah dallimet e thella brenda koalicionit qeveritar, që përbëhet nga Partia Demokratike e Kosovës, (PDK) Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) Nisma për Kosovën dhe lista Srpska. Vet kryeministri Ramush Haradinaj dhe partia e tij është kundër versionit aktual të demarkacionit dhe marrëveshja që ai e dërgoi për votim në kuvend është e qeverisë së kaluar të kryesuar nga ish-kryeministri Isa Mustafa.

Kundër ratifikimit të kësaj marrëveshjeje është edhe Nisma për Kosovën, por edhe partia opozitare Vetëvendosje, e cila ka 32 deputet.

Partneri më i madh i koalicionit aktual qeverisës, Kadri Veseli, kryetar i PDK-së, thotë se partia e tij do të votojë pro ratifikimit të marrëveshjes, sepse sipas tij, në këtë mënyrë forcohet sovraniteti i Republikës së Kosovës dhe kjo i hap rrugë liberalizimit të vizave.

“Qëndrimi im, por edhe i subjektit tim që përfaqësoj është i qartë. Marrëveshja me Malin e Zi duhet të ratifikohet. Marrëveshja duhet të kalojë dhe vota jonë është ‘pro’, siç e kemi thënë në vazhdimësi. Gjithësesi, unë besoj se duhet të ketë një konsensus të plotë për këtë marrëveshje”, shprehet Kadri Veseli, duke ritheksuar se Bashkimi Evropian duhet të veprojë shpejt dhe qartë sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Është Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesja e këtij mekanizmi në Kosovë, Natalya Apostolova, e cila u rikujton deputetëve të kuvendit të Kosovës, se çështja e shënjimit të kufirit me Malin e Zi duhet përfunduar, sepse është kusht për liberalizimin e vizave. Ajo thotë se “politikanët nuk duhet t’i mbajnë peng të rinjtë e Kosovës”.

“Dua t’u kujtoj edhe njëherë politikanëve që demarkacioni i kufirit me të vërtetë është thelbësor për t’u zgjidhur. Nuk dua që politikanët të mbajnë peng të rinjtë e Kosovës, një rini fantastike që meriton lëvizje të lirë, që ndoshta nuk iu kujtohet konflikti dhe duan të jenë pjesë e Evropës. Kërkoj nga të gjithë ata që do ta kenë rastin të votojnë të kenë këtë në mendje”, thotë Natalya Apostolova në një konferencë, ku u fol për integrimet e Kosovës.

Pro ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit është shprehur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila madje akuzon qeverinë Haradinaj për izolim të qytetarëve të Kosovës duke bllokuar demarkacionin me Malin e Zi.

Komisioni për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi i themeluar nga kryeministri Ramush Haradinaj, dy ditë më parë prezantoi raportin me konstatimet e tij për kufirin. Ata thanë se komisioni i kaluar ka gabuar në shënjimin e kësaj vije dhe vazhdojnë të mbajnë qëndrimin se Kosova me marrëveshjen e vitit 2015 me Malin e Zi humbet territor. Por, është ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili raportin e komisionit të qeverisë Haradinaj për kufirin e quajti “një grumbull broçkullash të tyre”. Ai rikujtoi që ishin edhe ekspertët amerikanë nga State Departamenti, që  në vitin 2016 e verifikuan marrëveshjen e demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi dhe konstatuan, se me këtë marrëveshje Kosova nuk humbet territor.

Sidoqoftë, analistët politikë thonë, se qeveria Haradinaj e ka të vështirë të vazhdojë qeverisjen me këtë ndarje që ka brenda koalicionit rreth çështjes së demarkacionit.

“Çështja e Demarkacionit nuk mund të mbetet pezull, duhet të ketë zgjidhje apo alternativa. Qeveria Haradinaj nuk guxon të thotë ne jemi kundër këtij formati të demarkacionit dhe në të njëjtën kohë ta dërgojë atë për miratim në kuvend”. Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj do të ketë probleme të mëdha edhe brenda koalicionit qeverisës, por edhe në raport me partnerët ndërkombëtarë, që ta arsyetojë vazhdimësinë e qeverisjes, nëse nuk ka ide se si të ballafaqohet me problemin e demarkacionit”, shprehet në një shkrim të tij, analisti Artan Muhaxheri.

Deputetët e kuvendit të Kosovës tashmë e kanë në dorë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi të nënshkruar në vitin 2015 nga qeveria e Isa Mustafës dhe po ashtu bashkangjitur edhe raportin e komisionit për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi të kryeministrit Haradinaj, me të gjeturat që e kundërshtojnë marrëveshjen e parë. Kryesia e kuvendit ende nuk ka rënë dakord, se kur do ta verë në votim marrëveshjen e demarkacionit, mirëpo, siç u tha kjo do të ndodhë shumë shpejtë. (voa)

Gripi sezonal mund të jetë më vdekjeprurës se lufta

vakcinaViti që vjen shënon 100 vjetorin e epidemisë së gripit më vdekjeprurës në histori. Gripi pandemik i vitit 1918 shkaktoi më shumë viktima se sa Lufta e Parë Botërore. Siç na njeh edhe materiali në vazhdim, ndonëse shkencëtarët kanë bërë përparime në kontrollin e një sërë sëmundjesh, gripi ende nuk është një prej tyre.

Çdo vit shkencëtarët prodhojnë një vaksinë për gripin, që është parashikimi i tyre më i mirë lidhur me viruset që mendojnë se mund të jenë në atmosferë një vit më pas. Por ka edhe raste kur ata gabojnë.

Dr. Anthony Fauci, ekspert për sëmundjet ngjitëse në Insitutin Kombëtar të Shëndetit, thotë se edhe pse vaksina parandalon shtrimin në spital dhe vdekjet, ende nuk është e përkryer.

“Madje edhe gjatë një viti të mirë efikasiteti i përgjithshëm i një vaksine gripi është rreth 60 përqind. Edhe pse gjithmonë është më mirë të vaksinohesh kundër gripit se sa jo, ne kemi nevojë për një vaksinë më të mirë.”

Disa vite më parë, efekti i vaksinës ishte në nivele dëshpëruese prej 10 përqindësh. Vaksina të tjera, si ato për fruthin dhe ethet e verdha, kanë efekt të plotë. Po ashtu 90 përqind e të vaksinuarve për poliomelit mbrohen nga sëmundja.

Edhe prodhuesit e vaksinave të gripit nuk janë të kënaqur. Dr. David Vaughn është me firmën “GSK Vaccines” .

“Sëmundja që po përpiqemi të parandalojmë është shumë e përhapur. Deri 20 përqin e popullatës do të preket nga gripi gjatë këtij viti.”

Në rastet e rënda nga gripi si penumenia, tani ka trajtime më të mira. Mjekët janë të shqetësuar se popullatat janë të pambrojtura për epidemi gripi si ajo e vitit 1918 që shkaktoi 50 milion viktima në mbarë botën. Por shtrohet pyetja, se pavarësisht përparimeve të shumta mjekësore gjatë 100 viteve të fundit, a është e mundur përsëritja e një epidemie të tillë? Ja si shprehet Dr.Anthony Fauci i Institutit Kombëtar të Shëndetit.

“Sigurisht. Kemi patur epideminë e gripit të derrit H1 N1 në vitin 2009 që nuk shkaktoi shumë vdekje. Ishte një epidemi e një virusi relativisht të ri, infeksioni i të cilit ishte përhapur në të gjithë botën.”

Një pjesë e virusit të gripit nuk ka ndryshime të shumta nga një vit tek tjetri, prandaj hulumtuesit ndjejnë nevojën urgjente për të krijuar një vaksinë universale që ka në shënjerstër atë pjesë të virusit.

“Shumica e viktimave janë në vende në zhvillim ku vaksinimi është shumë i paktë”, thotë. Dr. David Vaughn me firmën “GSK Vaccines”.

Deri në prodhimin e një vaksine unversale për gripin, më shumë jetë mund të shpëtohen nëse njerëzit vazhdojnë të vaksinohet edhe pse vaksina aktuale nuk është e përkryer. Vaksinimi, jo vetëm që parandalon përhapjen e virusit, por ul rrezikun e epidemisë vdekjeprurëse si ajo e vitit 1918. (voa)

Trajanov, koordinator shtetëror për rreziqet

Pavle-TrajanovIsh-ministri për punë të brendshme në Maqedoni, Pavle Trajanov, është caktuar koordinator shtetëror për parandalim të rreziqeve nga faktorë të jashtëm në Maqedoni.

Këtë vendim e solli Qeveria e Maqedonisë, në mbledhjen e sotme.

Trajanov tani do të duhet të hartojë strategji vjetore për vitin 2018 që të ruajë Maqedoninë prej rreziqeve eventuale nga faktorë të jashtëm.

Trajanov kthehet në ndonjë pozicion zyrtar pasi disa viteve si analist politik. /Telegrafi/

Kryeprokurori, çfarë do të ndodhë pas së enjtes?!

Top storyNga dita e enjte, Kryeprokurorit të Republikës i mbaron formalisht mandati. Këtu është edhe debati, që është sa juridik dhe kushtetuese, po aq politik. A do të vazhdojë apo jo Adriatik Llalla në detyrën e tij? A do kërkojë mazhoranca ta zëvendësojë atë, me kë dhe për sa kohë?

Sipas Reformës në Drejtësi, institucionet që duhet ta zgjedhë Kryeprokurorin e ri nuk janë ngritur akoma. Natyrisht edhe te pika e zëvendësimit apo jo është dilema që duhet të zgjidhet me 3/5 apo me shumicë të thjeshtë.

Për këtë në “Top Story” janë ftuar Theodhori Sollaku, ish-Kryeprokuror; Çlirim Gjata, konstitucionalist; Arian Vasjari, analist; Roland Lami, jurist.

Për ish-kryeprokurorin Theodhori Sollaku, mandati i Llallës përfundon dhe kjo nuk ka edhe shumë vend për diskutim, por për të problemi është zgjedhja e Kryeprokurorit të përkohshëm, që do të mbajë detyrën deri në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë që do të zgjidhte Prokurorin e ri të Përgjithshëm, duke theksuar se duhet një votim me 3/5 në Kuvend.

“Ka një debat lidhur me kohëzgjatjen e mandatit dhe zgjedhjen e të riut. Ndërhyrje e sforcuar e ligjit përkatës për zgjedhjen e Kryeprokurorit të përkohshëm. Kuvendi organi kompetent për emërimin e Kryeprokurorit të përkohshëm. Nëse dikush ka pretendime shkohet tek Gjykata Kushtetuese. Për të vajtur në Gjykatën Kushtetuese duhet marrë vendimi nga Kuvendi. Problemi është se çfarë shumice duhet në Kuvend. Ai mbetet Kryeprokurorit, edhe pse i përkohshëm, prandaj për vlerësimin tim duhet një shumicë prej 3/5. Mandati i Llallës ka përfunduar, nuk ka as nga opozita ndonjë pretendim për këtë”, u shpreh Theodhori Sollaku.

Për juristin Roland Lami, nëse i ka mbaruar apo jo mandati Adriatik Llallës është një çështje e mirëfilltë Kushtetuese, e nuk ka vend për interpretim, duke theksuar se kjo i jep të drejtën mazhorancës që të zgjedhë një Kryeprokuror të përkohshëm.

“Do ishte shumë mirë që të ishte një debat mes ekspertëve të ligjit e konstitucionalistët. Ndërsa aktorët politikë, qoftë duke e mbrojtur, qoftë duke sulmuar, duhet të ishin të distancuar nga ky debat. Nëse do t’i referohemi bilancit të këtij Kryeprokuror do të mbahet mend për premtimi, jo për realizimi. Është lehtësisht i atakueshëm nga pikëpamja e eficencës në krye të Prokurorisë. E gjitha duket si një parodi me justifikimin se kanë një sensibilitet në aspektin juridik, por po të shohësh historinë, kupton se nuk janë aspak seriozë”, thotë më tej ai.

Për Arjan Vasjarin nuk ka asnjë dispozitë ligjore që të thotë se Kryeprokurori i përkohshëm të zgjidhet me tre të pestat.

“Kushtetuta aktuale është e qartë, Prokurori i ri ka një mandat 7-vjeçar, zgjidhet me 3 të 5. Dy elementë e përjashtojnë zotin Llalla. Kushtetuta aktuale i referohet prokurorit se si duhet të jetë, si duhet të zgjidhet dhe asnjëherë prokurorit aktual. Në nenin 179 përcaktohet mandati i gjykatësve aktual të Gjykatës Kushtetuese, e të tjerë, por nuk preket fare Prokurori i Përgjithshëm aktual sepse këtë çështje e trajton vetëm ligji 97. Në asnjë nën nuk është përcaktuar që prokurori i përkohshëm duhet të zgjidhet me tre të pastat, por që është shumë e nevojshme që palët të respektojnë frymën e kushtetutës, të ndryshimeve që bënë në korrik të vitit 2016. Debati politik ka sens të zhvillohet këtu”, tha Vasjari.

Sa i përket mbarimit të mandatit të Prokurorit, Çlirim Gjatën u shpreh se ai shpallet vetëm me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe jo nga Parlamenti.

“Thelbi ka qenë që politika të mos fuste duart në organet e drejtësisë. Në jemi gjeni me gjërat e vogla dhe me to ja hedhim edhe ndërkombëtarëve. E gjithë reforma në drejtësi është përplasur me nenin 73 të Kushtetutës, në fund do të shkosh t’u kërkosh leje deputetëve. Aftësia e politikës tonë për ta hedhur për gjëra të vogla është problemi. Çfarë do të thotë dispozitë kalimtare përdoret vetëm në një kallëzues. A e kemi ne këtë rast? Këtu qëndron çështja. Dispozita thotë që të jetë ndërprerë para afatit dhe të mos kemi KLP. Dispozita nuk ka rast dhe nuk hyn në këtë gjë. Kushtetuta ka përcaktuar proceduarat e saj. Mbarimin e mandatit e shpall me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe ky nuk është numër. Por kush e përcakton mbarimin e mandatit dhe këtë nuk e përcakton Parlamenti. Ai do të qëndrojë sa të krijohet KLP që të deklarojë mbarimin mandatit”, tha Gjata.

Sollaku thotë se heshtja e palëve politike justifikohet me fakti se tashmë Prokurori i Përgjithshëm nuk është më një figurë e fortë.

“Si nga mazhoranca dhe nga opozita ka një heshtje totale. Sot Prokurori i Përgjithshëm është një prokurori i zakonshëm, me ndryshimet e fundit”, thotë Sollaku.

Top Channel

Demarkacioni rrezikon Qeverinë Haradinaj

RamushQëndrimet krejtësisht të kundërta të partnerëve të koalicionit qeverisës në Kosovë, lidhur me çështjen e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, rrezikojnë qëndrueshmërinë e Qeverisë së Kosovës, të cilën e udhëheqë kryeministri Ramush Haradinaj, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Përderisa Partia Demokratike e Kosovës, si subjekti më i madh politik brenda koalicionit qeverisës, ka shprehur qëndrimin se deputetët e saj do të votojnë në favor të ratifikimin të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi , Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë deklaruar se do të votojnë kundër ratifikimit të kësaj marrëveshjeje.

Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë, se qëndrimet e kundërta të partnerëve të koalicionit qeverisës lidhur me Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, do ta vënë në pikëpyetje të madhe vazhdimësinë e këtij koalicioni.

“Dallimet që janë në mes partnerëve të koalicionit, do të shprehen në votim. Ndërsa, interesi i partnerëve mbetet a do ta vazhdojnë bashkëqeverisjen apo jo. Një arsye është Demarkacioni ose shënjimi i vijës kufitare, por nuk është arsyeja kryesore. Mund të jetë vetëm shkasi”, tha Tahiri.

Artan Muhaxhiri, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që në rast se Qeveria e kryeministrit Haradinaj nuk e tejkalon problemin e Demarkacionit me Malin e Zi, do ta ketë problem të madh moral që të vazhdojë qeverisjen.

“Një gjë duhet të jetë e qartë që çështja e Demarkacionit nuk mund të mbetet pezull. Pra, duhet të ketë zgjidhje apo alternativa. Nuk guxon Qeveria Haradinaj që të thotë ‘ne jemi kundër këtij formati të Demarkacionit’. Qeveria Haradinaj do të ketë probleme të mëdha edhe brenda koalicionit (qeverisës), por edhe në raport me partnerët ndërkombëtarë, që ta arsyetojë vazhdimësinë e saj, nëse nuk ka ide se si të ballafaqohet me problemin e Demarkacionit”.

Në anën tjetër, vet kryeministri Haradinaj ka thënë ditë më parë se vota e tij do të jetë kundër ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Dallimet rreth kësaj çështje, kanë vazhduar edhe të martën.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, lider i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se çështja e kufirit me Malin e Zi, duhet të përfundojë.

“Lërini ato pallavra me maja të kodrave, të cilat janë… nuk dua të ndalem më aty. Jemi duke e dëmtuar një krijesë, e cila është shtet i pavarur dhe sovran, siç është Republika e Kosovës”, ka thënë Veseli.

Por, shefi i grupit parlamentar i Nismës për Kosovën, Sherif Bilalli, ka theksuar se deputetët e këtij subjekti politik, brenda koalicionit qeverisës, do të jenë kundër ratifikimit të marrëveshjes.

“Kanë qenë kundër Demarkacionit dhe vazhdojnë të jenë kundër këtij versioni. Nuk është fundi i botës”, ka thënë Sherifi.

Politologu Tahiri, vlerëson se Qeveria aktuale e vendit është në krizë, të cilën nuk do të mund ta kalojë.

“Debatet e ardhshme në Kuvend do të jenë shkak që njëri partner i koalicionit ta lëshojë koalicionin dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Unë pres që pas shqyrtimit të Demarkacionit, në cilindo variant, kaloj ose jo, do të jetë në rend të ditës votëbesimi i Qeverisë”, thekson Tahiri.

Analisti Muhaxhiri vlerëson që partnerët e koalicionit qeverisës kanë gabuar, që në fillim të arritjes së marrëveshjes së tyre, që nuk e kanë pasur një ide për daljen nga nyja që ka krijuar çështja e Demarkacionit.

“Ky ka qenë një gabim i madh i tre liderëve, të PDK-së, AAK-së dhe Nismës, të cilët e kanë krijuar një koalicion qeverisës pa pasur vizion sesi ta zgjidhin problemin kryesor, i cili është si një lloj ‘pyke’ që në çdo moment mund ta çajë koalicionin qeverisës. Këtu ka qenë lëshimi dhe më nuk ka më asnjë arsyetim, sepse duhet të japin zgjidhje”, tha Muhaxhiri.

Qeveria e Kosovës tashmë e ka proceduar për në Kuvendin e Kosovës, Projektligjin për ratifikimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, bashkë me të gjeturat e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit, përbërja e re e të cilit është emëruar nga Qeveria e kryeministrit Haradinaj, me në krye Shpëtim Bulliqin, pas shkarkimit të përbërjes së vjetër, të cilën e drejtonte Murat Meha. (rel)

Kryeministri Edi Rama takohet me drejtuesit e Parlamentit dhe Komisionit Europian

Rama MogheriniKryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po zhvillon një vizitë dyditore në Bruksel, ku u takua me drejtuesit kryesorë të Parlamentit dhe Komisionit Europian.

Presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, tha se trajtuan temat kryesore që lidhen me qëndrueshmërinë e Ballkanit, luftën kundër terrorizmit, dialogun ndërfetar dhe raportet midis Shqipërisë dhe BE.

“Shqipëria kryer një seri reformash në dobi të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, si reforma në drejtësi, e cila ka një rëndësi shumë të madhe” – tha ai.

Sipas tij, Shqipëria në vitet e ardhshme do të jetë një anëtar me të drejta të plota i Bashkimit Europian, me vende të reja pune, me zhvillim dhe punësim, sipërmarrje të përbashkëta, kompani të mëdha, të mesme e të vogla anembanë vendit.

“Tek Shqipëria kemi besim të madh, duam të përforcojmë lidhjet e bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe BE-së, në rrugëtimin e çeljeve të negociatave të anëtarësimit” – tha zoti Tajani.

Kryeministri Rama tha se mund të flasë me fakte dhe me rezultate për të hapur negociatat me Europën.

“Shqipëria sot mund të dëshmojë që ka hedhur hapa përpara e do të vijojë me të njëjtën vendosmëri për të arritur në prill e maj gjithçka të nevojshme për në tryezën e negociatave me Europën” – tha ai.

Të njëjtën vendosmëri për fillimin e negociatave të anëtarësimit zoti Rama e shprehu edhe në takimin me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

“Shqipëria është në një çast të rëndësishëm në rrugën drejt BE-së. Ajo ka bërë një punë të jashtëzakonshme, veçanërisht me reformën e drejtësisë, luftën kundër drogës dhe korrupsionit. Për këtë ne e mbështesim e duhet të vazhdojë përpara në mënyrë që të hapë rrugën e procesit të integrimit në BE” – tha ajo.

Kryeministri Rama u takua në Bruksel ditën e parë të vizitës me Presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk.

Zoti Rama i shprehu mirënjohjen si një ndër mbështetësit më të mëdhenj të përafrimit të Ballkanit dhe të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Ndërsa zoti Tusk tha se bashkëpunimi dhe bisedimet do të jenë si gjithmonë të hapura dhe të sinqerta.

“Keni vetëm miq këtu në Bruksel, ndoshta jo në çdo kryeqytet, por këtu në Këshillin Europian mund të jeni të sigurt në mbështetjen tonë për përpjekjet tuaja. Ne e vlerësojmë vërtet procesin tuaj të thellë dhe mjaft të guximshëm të reformave. Ju jeni një nga shembujt më të mirë në rajon të kësaj ambicieje europiane dhe të kësaj ëndrre evropiane” tha zoti Tusk. (voa)

 

Shërbimi i fshehtë gjerman kthen vështrimin nga Ballkani, fokusohet në Bosnjë

BNDShërbimi Federal Informativ gjerman, BND e ka përqendruar vëmendjen gjithnjë e më shumë në Ballkan, veçanërisht në Bosnjë-Hercegovinë, bën të ditur Berliner Zeitung. Shtetet e brishta të rajonit janë shqetësim për BND.

Shërbimi Federal Informativ gjerman për botën e jashtme, BND është gjithnjë e më i shqetësuar për tendencat islamike në Bosnjë-Hercegovinë. Këtë e deklarojnë burime nga shërbimi i fshehtë, të cilat citohen në numrin e së martës të gazetës Berliner Zeitung. Shërbimi i fshehtë raportohet se po e kthen vëmendjen tek i gjithë rajoni i brishtë i Ballkanit.

Për shumë dekada, popullata myslimane e Bosnjë-Hercegovinës ka përqafuar një interpretim shumë liberal të fesë islame. Por dallimet fetare u gjallëruan në procesin e shpërbërjes së shtetit socialist në vitet 1990 dhe që atëherë ndikimi i fesë në rajon ka qenë në rritje. Bosnja po përballet me një ndikim në rritje të shteteve të Gjirit.

Sipas raportit të së martës, Arabia Saudite dhe shtete të tjera të Gjirit po investojnë shumë para për të nxitur në shoqërinë boshnjake një doktrinë shumë më strikte vahabiste të drejtimit sunit të fesë islame. Fondacione bamirësie saudite po pompojnë fonde në ndërtimin e qendrave të faljes, duke përfshirë edhe Xhaminë e Mbretit Fahd në Sarajevë, xhamia më e madhe në Ballkan, e cila dominohet nga Vahabitët.

“Shtetet e brishta”

Qindra vetë nga Bosnja dhe shtete të tjera me popullatë kryesisht myslimane në rajon, Kosovë dhe Shqipëri kanë shkuar vitet e fundit në Lindjen e Mesme për t’u bashkuar me milicët xhihadistë.

Dy javë më parë, shefi i BND, Bruno Kahl foli për lindjen e shteteve të dobëta në rajon, të cilat mund të preken lehtë nga luftërat civile dhe që mund t’u shërbejnë terroristëve si zonë tërheqjeje ose zonë operative. Në fjalën e tij në Fondacionin e afërt me CSU, Hanns-Seidel Kahl tha konkretisht:

“Indeksi i shteteve të brishta për 2016 ofron në këtë kuadër një pamje pak inkurajuese nga vështrimi gjerman. Në të, shtete si Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Bjellorusia, Moldavia, Ukraina dhe Rusia grupohen në kategoritë Warning deri High Warning (paralajmërim deri paralajmërim i fortë)”. Kahl sqaroi më tej në fjalën e tij se kjo nuk do të thotë se në këto vende ka pësuar kolaps sistemi shtetëror. Por se “me sa duket ai gjithsesi nuk u përgjigjet standardeve të Evropës Perëndimore e Qendrore”. (dw)