Greqia miraton kërkesën e Maqedonisë për ekstradimin e dy ish-agjentëve

Goran NikollaNjë gjykatë greke në Selanik ka miratuar kërkesën e autoriteteve maqedonase për ekstradimin e dy ish-agjentëve maqedonas të sigurisë, të akuzuar nga Prokuroria e Posaçme për përgjimin ilegal dhe shkatërrimin e materialeve, në skandalin e përgjimit të bisedave telefonike.

Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski patën arritur të largohen nga Maqedonia para pak muajsh, në kohën që ndaj tyre zhvillohej procesi gjyqësor. Ata u kapën nga mesi i muajit tetor në aeroportin e Selanikut me pasaporta bullgare, me emra të rremë, duke tentuar të arratiseshin për në Hungari.

Avokatët e Grujevskit dhe Boshkovskit janë ankimuar tek autoritetet gjyqësore greke për vendimin e ekstradimit.

Procesi gjyqësor për lëndën e përgjmeve, i njohur si “Kështjella”, përfshin edhe të akuzuar të tjerë, si ish-drejtori i shërbimit sekret Sasho Mijallkov dhe ish-ministrja e punëve të brendshme, Gordana Jankullovska.

Skandalin e publikoi para tre vjetësh drejtuesi i opozitës së atëhershme, Zoran Zaev, tani kryeministër i vendit. Sipas tij, më shumë se njëzet mijë qytetarë, kryesisht politikanë, biznesmenë, gazetarë, etj. kishin qenë prej vitesh viktima të përgjimit të paligjshëm të shërbimit të zbulimit të Maqedonisë.

Në bazë të këtij skandali, Prokuroria e Posaçme ka hapur një sërë hetimesh dhe po zhvillon procese gjyqësore kundër dhjetra përfaqësuesve të ish-qeverisë Gruevski, përfshirë vetë ish-kryeministrin dhe zyrtarë të lartë të sistemit të kaluar në Maqedoni. (voa)

Dënimi i bankierit turk kërcënon lidhjet SHBA -Turqi

HalkbankAnkaraja vazhdon të kritikojë dënimin nga një juri amerikane të një bankieri turk për shkelje të sanksioneve amerikane kundër Iranit.

Duke folur me gazetarët të premten në aeroportin e Stambollit, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se rasti ishte pjesë e një “zinxhiri komplotesh serioze” kundër vendit të tij. Ai shtoi se marrëveshjet dypalëshe ligjore me Shtetet e Bashkuara “po humbasin vlefshmërinë”.

Të mërkurën Mehmet Hakan Atilla, zëvendës shef ekzekutiv i Halkbank, u dënua nga një gjykatë e Nju Jorkut me 5 nga 6 akuzat e ngritura ndaj tij, për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Iranin. Prokurorët kanë paraqitur dëshmi të disa bankave turke të përfshira në pastrim parash për të shmangur sanksionet iraniane dhe analistët paralajmërojnë se “dera është e hapur” për një gamë më të gjërë të mundshme sanksionesh financiare.

Masat variojnë nga gjobat ndaj bankave turke në kufizime të mëdha të aftësisë së tyre për të marrë hua në tregjet financiare amerikane.

Përvoja e bankave të huaja që kapen duke shkelur sanksionet amerikane sugjerojnë se pasojat mund të jenë të rënda për bankat turke. (voa)

Kaliforni: fillon përdorimi rekreativ i marijuanës

marijuhanaKalifornia u bë më 1 janar shteti i gjashtë amerikan që legalizon përdorimin rekreativ të marijuanës. Deri tani përveç Kalifornisë, konsumimi i marijuanës për qejf, pra jo për arsye mjekësore, lejohet në Nevada, Oregon, Uashington, Alaska dhe Kolorado si dhe në kryeqytetin e vendit.

San Diego, San Jose, Oakland, Berkeley dhe Eureka janë ndër qytetet ku dyqanet ku shitja e marijuanës pa recetë mjekësore u bë e ligjshme pas ndërrimit të viteve.

Masa, e miratuar nga votuesit e Kalifornisë në nëntor të vitit 2016, në referendumin e njohur si Propozimi 64, vjen më shumë se dy dekada pasi Kalifornia u bë shteti i parë amerikan që legalizoi përdorimin e marijuanës për trajtime mjekësore.

Ndërsa ky është një lajm i mirë për entuziastët e kanabisit, ata që shpresojnë për një përdorimi të pakufizuar të marijuanës në Kaliforni do ta kuptojnë shumë shpejt se realiteti nuk është aq i thjeshtë.

Më e rëndësishmja, ndërkohë që gjashtë shtete amerikane dhe kryeqyteti i vendit, Uashington kanë legalizuar përdorimin e marijuanës rekreative, është se qeveria federale e Shteteve të Bashkuara e konsideron atë ende një substancë të kontrolluar, të klasifikuar me heroinën dhe drogat LSD, si droga të paligjshme.

Njëzetë e nëntë shtete kanë legalizuar përdorimin e marijuanës për trajtime mjekësore, dhe Shteti i Mejnit dhe Masaçusetist pritet ta legalizojnë përdorimin rekreativ të marijaunës në vitin 2018. (voa)

Dronët që diktojnë peshkaqenët

drone peshkaqeniËshtë ende e vërtetë se ka më shumë gjasa të goditesh nga rrufeja se sa të sulmohesh nga një peshkaqen. Por, kjo nuk ishte e vërtetë për më shumë se 150 njerëz që e kanë përjetuar ndeshjen me peshkaqenët gjatë një periudhe njëvjeçare. Megjithatë, australianët kanë filluar të përdorin dronët për të monitoruar peshkaqenët në ujërat pranë plazheve të tyre.

T I M E:

Përmes algoritmeve të komplikuara, ky mjet i pajisur me kamera është në gjendje të dallojë peshkaqenin nga delfini ose nga një njeri që noton në det.

“Deri tani, studimet kanë treguar se saktësia e njeriut për të diktuar peshkaqenët përmes imazheve ajrore është maksimumi rreth 20 deri në 30 për qind. Ndërsa kompjuteri e bën këtë në mënyrë të automatizuar me një saktësi prej më shumë se 90 për qind.”

Duke filluar nga shtatori, dronët e pajisur me kamera do të patrullojnë disa plazhe australiane, duke monitoruar ujërat përreth dhe duke dërguar informacion në kohë reale për çdo gjë të rrezikshme që mund të diktohet në ujë.

“Në këtë projekt ne po testojmë algoritme me shumë mostra të peshkaqenëve, balenave, llojeve të ndryshme të anijeve, sërferëve dhe shumë objekteve të tjera të cilat zakonisht mund të shihen ose gjenden pranë plazheve”.

Droni quhet Little Ripper dhe kompania që e ka prodhuar mjetin fluturues dëshiron që ai të bëjë shumë më tepër sesa thjesht të identifikojë peshkaqenë në ujë.

“Në mjediset detare si plazhet, ne lëshojmë një mjet lundrues për katër veta. Në këtë mjet ne vendosim një pajisje e cila komunikon me një satelit dhe përmes të cilës mund të kërkosh ndihmë kur je në rrezik duke treguar edhe vendndodhjen. Ne po ndërtojmë një pajisje elektronike që mund të frikësojë peshkaqenët, kështu që nëse një peshkaqen është afër njerëzve, pajisja aktivizohet dhe peshkaqeni nuk sulmon njerëzit. Dhe nëse është e nevojshme ne mund të lëshojmë pajisje të tjera si defibrilatorin më të vogël në botë.”

Shanset që të përballesh me një peshkaqen janë ende tepër të vogla, por kjo lloj teknologjie do të shtojë një shtresë tjetër sigurie për frekuentuesit e plazheve australiane. (voa)

Zonat rurale në Amerikë dhe qasja në internet

internetMë shumë se 19 milion amerikanë ende nuk kanë qasje në internet në shtëpitë e tyre, sipas Komisionit Federal të Komunikacionit. Në komunën Garret në shtetin Meriland, udhëheqësit lokalë dolën me një plan novator për të sjellë internet tek komuniteti i tyre. Materiali në vazhdim na njeh me këtë plan interesant që edhe shtëpitë më të largëta të mund të kenë internet.

Banorët e kësaj pjese të largët të Merilandit e mbajnë mend ditën që u futën në internet për herë të parë.

“Ishte një bekim që të kisha internet në shtëpi.”

“Interneti që kemi tani është shumë më i mirë nga ai që kishim më parë.”

Është e vështirë të kesh internet në disa zona rurale në Shtetet e Bashkuara. Kompanitë qëndrojnë larg këtyre zonave. Cheryl Deberry është specialiste me Departamentin e Zhvillimit Ekonomik në komunën Garret.

“Fibrat optike për një kilometër mund të kushtojë nga 10 deri 20 mijë dollarë. Varet po të gërmosh në zona shkëmbore apo shtresa argjilore, gjërat vështirësohen.”

Interneti celular apo satelitor ishte e vetmja mundësi për disa. Por sinjali ishte ende i dobët dhe fatura tejet e lartë. Drejtuesit lokalë kërkuan të gjenin zgjidhje.

“Morëm një firmë konsulente për të parë mundësitë për ne në male. Ata dolën me një plan për të dërguar internet përmes sinjaleve të vjetra televizive”, thotë zonja Deberry.

Një sistem i komplikuar që përdor kanalet e pashfrytëzuara televizive dhe antenat. Një nga përfituesit është sipërmarrësi Steve Kauffman. Tani biznesi i tij po korr sukses.

‘Koha është flori, ndaj kur e bëjmë punën më shpejt dhe më me efikasitet, kjo do të thotë më shumë para.”

Kompania e tij jo vetëm që merr sinjalin, por e përçon tek shkolla duke sjell buzqeshje tek mësuesit dhe nxënësit. Arlene Lants është mësuese.

“Më duhej që të shkoja në shtëpi për të bërë vlerësimin e nxënësve pasi interneti në shkollë ishte shumë i ngadaltë. Kjo ishte pengesë si për mësuesit asthtu edhe për nxënësit.”

Një vit më parë 200 shtëpi u lidhën në internet. Rreth 3 mijë klientë po presin të regjistrohen. Banorët lokalë shpresojnë që kjo do të përshpejtojë ritmin e zhvillimit ekonomik në komunë. (voa)

Arritjet më të rëndësishme hapësinore në vitin 2017

SaturniNdërsa vëmendja e shumicës së botës ishte e zënë me ngjarje të tjera, shkencëtarët e hapësirës shënuan disa arritje të dukshme gjatë vitit 2017, duke filluar nga projektet e reja deri tek fundi spektakolar i së paku një programi hapësinor. George Putic i Zërit të Amerikës i hedh një vështrim ngjarjeve kryesore të vitit në fushën e hapësirës.

Le të fillojmë me fundin e lavdishëm të një misioni shumë të suksesshëm.

Sonda hapësinore Cassini-Huygens u dërgua në atmosferën e Saturnit për t’u djegur në mënyrë që të mos ndotë hënat e tij me mikrobe nga Toka, të cilat në mënyrë të pashmangshme kanë udhëtuar bashkë me anijen.

Për 20 vjet me radhë, sonda eksploroi Jupiterin dhe Saturnin, dërgoi një mini-sondë në Titan, hëna më e madhe e Saturnit, dhe zbuloi ujë në një hënë tjetër të Saturnit, Enceladus.

Ajo që shkencëtarët thanë në vitin 2004 vlen për të gjitha zbulimet e sondës Cassini.

“Nuk mendoj se duhet të jesh shkencëtar i unazave të Saturnit për ta kuptuar rëndësinë e asaj që ndodhi natën e kaluar për ne. Ishte një moment i papërshkrueshëm”, tha Carolyn Porco drejtuese e ekipit të Nasa-s për imazhet e Cassinit.

Një tjetër mision i rëndësishëm në vitin 2017 ishte dërgimi në hapësirë i satelitit Sentinel 5 nga Agjencia Evropiane e Hapësirës. Ai do të monitorojë ndotjen e ajrit të shkaktuar nga njeriu dhe natyra, duke njoftuar njerëzit rreth përqendrimit të ndotësve që mund të ndikojnë në shëndetin e tyre.

“Misioni do të përpiqet të kuptojë burimet e gjurmëve të këtyre gazeve, ndotësve, prej nga vijnë ato, dhe si lidhen me aktivitetet njerëzore dhe natyrore”, thotë Ralph Cordey nga kompania Airbus and Space.

Në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, astronautët e NASA-s realizuan ecjen e tyre të 200-të në hapësirë dhe astronautja Peggy Whitston vendosi një rekord të ri amerikan për kohën e kaluar në hapësirë.

Në Tokë, shkencëtarët ishin të zënë me përgatitjen e misioneve të reja të rëndësishme për vitin 2018.

Mes tyre edhe teleskopi me rreze infra të kuqe James Webb, i cili do të jetë në gjendje të shikojë planetet e sapo zbuluara që i ngjajnë tokës për nga madhësia rreth yjeve të largëta.

“Ne do të përdorim teleskopin Jame Webb për të studiuar atmosferat e atyre planeteve për të parë se çfarë përbërësish kimikë kanë ato atmosfera. Pra, do të përpiqemi ta kuptojmë nëse ka ujë apo ozon atje”, thotë Eric Smith nga programi James Webb Space Telescope.

Është gjë e mirë që teleskopi i ri do të pozicionohet 1.5 milionë kilometra nga Toka, sepse, siç paralajmëruan shkencëtarët gjermanë këtë vit, hapësira rreth planetit tonë po bëhet gjithnjë e më e ndotur nga mbetjet hapësinore.

“Energjia që përmban një grimcë një centimetër e gjatë, duke goditur një satelit në shpejtësi, përafërsisht korrespondon me atë të shpërthimit të një granate”, thotë Holger Krag nga Agjencia Evropiane e Hapësirës.

Shkencëtarët kanë hedhur një numër idesh për zvogëlimin e sasisë së mbeturinave hapësinore, por, deri më tani, asnjëra prej tyre nuk është përzgjedhur. (voa)

Në prag të panairit më të madh të elektronikës

cesMe ardhjen e janarit, të apasionuarit e teknologjisë po presin me padurim të njihen me paisjet më të reja elektronike. Panari ndërkombëtar i pajisjeve elektronike për konsumatorët, shkurtimisht CES, është vendi ku kompanitë e ndryshme teknologjike prezantojnë produktet e tyre, me shpresën se ato do të bëhen preferuara në mbarë botën.

Vit pas vitit, panairi në Las Vegas ka thyer rekorde. Janarin e shkuar më shumë se 4 mijë kompani prezantuan produktet e tyre, duke tërhequr më shumë se 180 mijë profesionistë të industrisë. Kjo, padyshim për faktin se në panair mund të shohin porthuajse gjithshka që ka rëndësi në botën e teknologjisë. Gary Shapiro është me Shoqatën e Teknolologjisë për Konsumatorët.

“Robotika dhe inteligjenca artificiale kanë marrë përparësi, pajisje që të ndihmojnë të jesh i shëndetshëm dhe parashikojnë nëse do të sëmuresh, ose si mund të kurohesh. Është një prirje e madhe drejt makinave pa pilot… Po ashtu, edhe pajisjet elektronike me inteligjencë artificiale të lidhura me internetin, që mund të flasin, mund të mësojnë rreth konsumatorit dhe të japin ndihmën e tyre.”

Specialistët thonë se presin një zhvillim të mëtejshëm të robotëve të vegjël argëtues, si dhe makineritë e mëdha që mund të sherbejnë në hollet e hoteleve, aeroporte dhe vende të tjera publike.

“Po punojmë me qendrat tregtare, tani kemi edhe robotët e vegjël që do të shërbejnë për marrjen e porosive, apo pagesat elektronike nëpër dyqane dhe restorante, thotë Paul McManus me kompaninë “Future Robotics”.

Asistentët personalë dhe altoporlantët inteligjentë janë bërë shumë popullorë, ndaj panairi mund të sjell më shumë pajisje që veprojnë me komanda zanore dhe kryejnë detyra të ndryshme.

Ndërsa qytetet luftojnë ndotjen dhe bateritë bëhen më të mira dhe kushtojnë më pak, shumë lloje mjetesh elektrike të transportit personal mund të jenë pjesë e panairit të sivjetshëm. Phil Labonty është me firmën “Cycleboard”.

“Kur kthen trupin, “Cycleboard” ndjek drejtimin tënd, pra është si timon. Kështu që masa trupore është gjithnjë në anën e duhur.”

Shkollat, bizneset e madje edhe individët në mbarë botën përdorin printerat tre dimensionalë për prodhimin e modeleve, apo produkteve për treg.

“Është rreth katër deri gjashtë herë më i shpejtë se një printer normal 3D”, thotë Hugo Wond me firmën “Print-Rite”.

Po ashtu mund të priten frigoriferë dhe pjatalarëse inteligjente, fshesa robotike, pastrues dritaresh e madje edhe modele të reja të tualetesh.

“E bukura e këtyre pajisjeve është se mund të kesh qasje tek ato edhe kur nuk je në shtëpi”, thotë Warren Katz me kompaninë “iDevices”.

Pamja tërheqëse dhe çmimi i përballueshëm i paisjeve të realitetit virtual sa vjen dhe shtohet, ndaj edhe surprizat në panair janë të pritshme, ndërsa priten edhe modele të reja dronësh. (voa)