Pasaporta që nuk mundëson udhëtim nëpër botë

Pasaporta ksPasaporta e Kosovës në radhitjen e fundit ndërkombëtare të fuqisë së saj, është renditur në vendin e 96-të, marrë parasysh se qytetarët e saj mund të udhëtojnë në vetëm 38 vende të botës pa viza.

Vendin e 96-të, Kosova e ndan me Iranin. Pasaporta më e “fuqishme” është cilësuar ajo e Gjermanisë, e cila u jep qytetarëve qasje në 177 vende të botës. Derisa vendin e fundit, të 104-të, e mban pasaporta e Afganistanit.

Ky është rezultati i një hulumtimi të kompanisë ‘Henley Passport Index”, që flet për fuqinë e pasaportave të shteteve të botës, bazuar në ‘lirinë e lëvizjes së bartësit të një pasaporte në shtete të ndryshme, pa pasur nevojë për vizë’.

Qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë ndajnë të njëjtin mendim me këtë hulumtim. Ata thonë se pasaportën e tyre shumë pak e shfrytëzojnë, pasi që në vendet si ato të Bashkimit Evropian iu duhet të pajisen me vizë.

Merita Kastrati, studente në Universitetin e Prishtinës e konsideron pasaportën e Kosovës si një pasaportë jo edhe aq të vlefshme, për faktin, siç thotë ajo, “nuk mund të udhëtosh me të në asnjë nga vendet e BE-së”.

“Me pasaportë të Kosovës askund nuk mund të udhëtosh. As që e kam përdor ndonjëherë. Në Shqipëri e Maqedoni atje ku shkoj më shpesh, udhëtoj vetëm me letërnjoftim. Pasaportën e mbaj në dollap nuk më hyn në punë fare”, thotë ajo.

Ngjashëm shprehet edhe Arjeta Sylejmani:

“Unë e kam pasaportën e Kosovës, por po presim që po bëhet liberalizimi i vizave, përndryshe me pasaportën time nuk mund të udhëtoj askund”.

Adonis Kryeziu, qytetar nga Prishtina, thotë se është pajisur me pasaportë biometrike të Kosovës qysh para dy viteve kur edhe ishte premtuar se Kosova do të ketë liberalizim të vizave.

Megjithatë, ai thotë se këtë pasaportë nuk e ka përdorur as për një herë të vetme.

“Me këtë pasaportë të Kosovës, përveç shteteve të rajonit ku mund të shkosh pa viza, si në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni nuk mund të shkosh askund. Derisa ne, si qytetarë, nuk kemi mundësi të udhëtojmë pa viza, liderët e institucioneve kanë marrë pasaporta të Shqipërisë, me të cilën ata mund të udhëtojnë në vendet e BE-së, por jo edhe ne qytetarët”, thotë ai.

Një numër i madh i udhëheqësve shtetëror, i deputetëve, por edhe i njerëzve me funksione të larta, kanë shtetësinë e Shqipërisë dhe pasaportat, për të cilat nuk vlen regjimi i vizave me Bashkimin Evropian.

Përmes dekretit të presidentit të Shqipërisë, gjatë kësaj jave pasaportën e Shqipërisë e ka marrë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe bashkëshortja e tij, Anita.

Ndërkaq, duke u thirrur në të drejtën e dyshtetësisë, pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë e kanë shfrytëzuar të drejtën që të pajisen me dokumente të Serbisë.

Njësoj, kanë vepruar edhe qytetarët shqiptarë nga Lugina e Preshevës, të cilët jetojnë në Kosovë, por posedojnë dokumente të Serbisë.

Përveç qytetarëve, të cilët thonë se me pasaportën e Kosovës nuk arrijnë të udhëtojnë në vendet e BE-së pa viza, me këtë problem po ballafaqohen edhe kompanitë vendore.

Sylejman Konushevci pronari i kompanisë “Inter Company”, që merret me prodhimin e vajit ushqimor, kohë më parë i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se ka qenë i detyruar të punësojë shoferë nga vendet tjera të rajonit që kanë pasaportë, më të cilën udhëtojnë pa viza.

Pamundësia për të lëvizur pa viza në vendet e BE-së, e ka detyruar atë që të largojë nga puna qytetarë nga Kosova dhe të punësojë qytetarë nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe nga rajoni.

“Të gjithë shoferët që kemi për transport ndërkombëtar, i kemi nga shteti i Maqedonisë dhe Bullgarisë, kurse maunet i kemi të regjistruara në Kosovë. Pra, për shkak të mungesës së liberalizimit detyrohemi të punësojmë qytetarë nga vende të ndryshme, që kanë mundësi të lëvizin pa viza”, ka thënë Konushevci.

​Liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës po e mban peng mosratifikimi i demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Mungesa e ratifikimit, ndërlidhet me kundërshtimet e brendshme nga një pjesë e spektrit politik, i cili vlerëson se me anë të kësaj marrëveshjeje, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë tokë.

Thirrjet ndërkombëtare për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi datojnë për më gjatë se dy vjet. (rel)

Shqipëri: Qeveria dhe opozita po ashpërsojnë retorikën politike

bashaPartia Demokratike e opozitës ka nisur një tur tubimesh në degët e rretheve, duke ftuar qytetarët që të marrin pjesë në protestën e njoftuar për në fund të janarit.

Pas një tubimi në qytetin bregdetar të Vlorës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha sot në Vorë se qeveria nuk ka si përparësi të zgjidhë problemet e qytetarëve, por kujdeset vetëm të mbrojë njerëzit e krimit, me të cilët mban lidhje.

Ai tha se shqiptarët duhet të imponojnë me protesta largimin e qeverisë Rama dhe krijimin e një qeverie antimafia, e cila të kryejë reformën zgjedhore, të ndajë drejtësinë nga krimi dhe do të kthejë lirinë e votës.

“Kjo është vendosmëria e demokratëve. T’u japë shqiptarëve një qeveri e cila paratë nuk i çon tek oligarkët por i çon tek qytetarët. Çmimi energjisë, çmimi i naftës, çmimi i ujit, çmimi i ushqimeve bazë janë shqetësime themelore të njerëzve. Papunësia, varfëria, mungesa e shpresës janë pasojat e drejtpërdrejta të këtyre mënxyrave që janë dhurata dhe prodhimi i vetëm i Edi Ramës për popullin. Sundimi i Edi Ramës dhe bandës së tij në Shqipëri kanë marrë fund dhe janë të papranueshëm”- u shpreh Basha.

Zoti Basha tha se koncensionet e shumta qeveria po ua lëshon klientëve të vet, që ndajnë paratë me pjesëtarët e qeverisë, ndërkohë që qytetarët e thjeshtë po varfërohen nga dita në ditë.

Por kryeministri Edi Rama i hodhi poshtë këto akuza. Ashtu si një ditë më parë gjatë tubimit me policinë në Lezhë, edhe sot në tubimin me rininë socialiste, ai tha se reformat janë në rrugën e duhur dhe se ato po e afrojnë vendin me Bashkimin Europian, megjithë pengesat e shumta që, sipas tij, po sjell opozita në këtë proces.

“Ne po e afrojmë Shqipërinë me BE-në, ne po reformojmë drejtësinë. Qeverisja jonë po jep rezultate dhe kjo po acarron politikën e vjetër të opozitës” – tha zoti Rama.

Dy forcat politike kryesore në Tiranë e kanë shtuar ditrët e fundit retorikën e tyre politike mbi temat kryesore që shqetësojnë vendin dhe kundër njëra tjetrës.

Parlamenti pritet të nisë nesër procedurat për të plotësuar me anëtarë strukturat e fundit të institucioneve të reja në sistemin e drejtësisë.

Prokurorja e përgjithshme e përkohshme u zgjodh në parlament mes protestave të opozitës brenda dhe jashtë sallës plenare.

Tensionet e fundit e shtynë opozitën drejt një proteste të re në fund të janarit, ndërsa SHBA dhe BE po kërkojnë rezultate në luftën konkrete ndaj krimit dhe korrupsionit dhe pastrimin e sistemit të drejtësisë nga anëtarë që kanë abuzuar me pushtetin. (voa)

SHBA-ja kërkon nga qytetarët e saj të jenë të kujdesshëm në Kosovë

StatedepartamentShtetet e Bashkuara i kanë paralajmëruar qytetarët amerikanë që të “shtojnë kujdesin në Kosovë për shkak të terrorizmit”. Në një paralajmërim të Departamentit Amerikan të shtetit që mban datën 10 janar, përmenden komunat veriore të Kosovës të banuara më shumicë serbe si zona me shkallë të shtuar të rrezikut.

Në paralajmërim thuhet se “grupet terroriste vazhdojnë të planifikojnë sulme të mundshme në rajonin e Ballkanit, duke përfshirë Kosovën. Terroristët mund të sulmojnë me pak ose pa paralajmërim, duke synuar zonat turistike, qendrat e transportit, tregjet dhe qendrat tregtare, objektet e qeverisjes vendore, hotelet, klubet, restorantet, vendet e adhurimit, parqet, ngjarjet kryesore sportive dhe kulturore, institucionet arsimore, aeroportet dhe zona të tjera publike. Përveç kësaj, dhuna e motivuar politikisht ndodh në të gjithë Kosovën”.

DASH-i thekson se “tensionet brenda dhe ndërmjet komuniteteve vazhdojnë të nxisin dhune, demonstrata dhe trazira të tjera në Mitrovicën e Veriut, Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan. Ndonëse trazirat e fundme të motivuara politikisht, nuk dhe nuk kanë përfshirë turistët apo pjesëtarët e komunitetit ndërkombëtarë, kalimtarët mund të preken nëse ndodhin incidente të dhunshme”.

Nuk ka pasur ndonjë shpjegim për kohën dhe arsyet e këtij paralajmërimi që është lëshuar në një periudhë kur Kosova përballet me tensione politike në prag të shënimit të dhjetë vjetorit të pavarësisë së saj që vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi dhe aleatja e saj Rusia. Veriu i Kosovës vazhdon të jetë zonë e kundërshtimit më të madh të pavarësisë së Kosovës dhe shtrirja e sovranitetit të Prishtinës është pjesë e një procesi të gjatë bisedimesh me Serbinë.

Në dhjetor 2017, një grup deputetësh hodhi nismën për shfuqizimin e Gjykatës ë Posaçme që do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës dhe të pasluftës, duke sfiduar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj kryesor që paralajmëruan për pasoja të rënda nëse ndodhë shfuqizimi i gjykatës.

Kosova po ashtu përballet që nga viti 2012 me dukurinë e përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat në Lindjen e Mesme. Ndonëse gjatë dy viteve të fundit numri i përpjekjeve për të shkuar atje ka rënë, edhe më tej në zonat e konfliktit besohet se janë rreth 140 qytetarë të saj. (voa)

Kosova kërkon ekstradimin e izraelitit të akuzuar për trafikim organesh

veshketKosova i kërkon Qipros ekstradimin e një shtetasi izraelit që akuzohet si kreu i një rrejti për rekrutimin e dhuruesve dhe identifikimin e marrësve të veshkave.

Moshe Harel, i cili u arrestua më 5 janar në Qipro, akuzohet për përfshirje në rekrutimin e 20 shtetasve nga Moldavia, Kazakistani, Rusia, Ukraina e Turqia, të cilëve pretendohet se u ishin premtuar nga 20 mijë dollarë për dhurimin e veshkave, ndërsa marrësve të organeve u ishte kërkuar që të paguanin nga 80 mijë deri në 100 mijë dollarë. Ai ishte shpallur i kërkuar që në vitin 2010.

Ministri i Drejtësisë në Kosovë, Abelard Tahiri shkroi në rrjetet sociale se “do të bëj çfarëdo që është e mundur që ky person, i cili përveç veprave penale, ka bërë një dëm të madh ndaj imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, të sillet para organeve të drejtësisë për t’u përgjigjur për veprat e bëra”.

Në prill të vitit 2013, një gjykatë e drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, shpalli fajtor dhe dënoi me gjithsej 20 vjet e tre muaj heqje lirie pesë persona nën akuzat për përfshirje në trafikim dhe transplantim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë.

Aktakuza përfshinte edhe shtetasin izraelit, Moshe Harel, si kreun e e rrjetit për rekrutimin e dhuruesve dhe identifikimin e marrësve të organeve, ndërsa mjekun turk Yusuf Sonmez, për kryerje të operacioneve në klinikën private Medicus në Prishtinë. Por, asnjëri nuk është vënë para drejtësisë në Kosovë.

Gjithçka i zbulua në vitin 2008 kur një shtetas turk u gjet në gjendje të rëndë në aeroportin e Prishtinës pasi i ishte marrë veshka.

Në vitin 2016 Gjykata e lartë e Kosovës urdhëroi rigjykimin që aktualisht është në proces e sipër.

Në prill të vitit 2012, trupi gjykues i drejtuar nga EULEX-i kishte vendosur të thërras raportuesin e Këshillit të Evropës Dick Marty, si dëshmitar në proces. Atëbotë u tha se “Dick Marty pretendon e se ka disa informata të rëndësishme për këtë çështje, prandaj do të kërkohet që ai të tregojë se çfarë lloj të informacioneve ka dhe cilat janë burimet e këtyre informacioneve”.

Por, gjykata tha se nuk ka siguruar dot përkrahjen e Këshillit të Evropës, meqë asambleja Parlamentare e këtij këshilli kishte refuzuar kërkesën e tij.

Mbrojtja e të akuzuarve, kishte vlerësuar atëbotë se përfshirja e zotit Martty, do t’i jepte drejtim politik procesit, i cili nuk ka të bëjë me pretendimet e raportuesit të Këshillit të Evropës.

Në fund të vitit 2010, Dick Marty ngriti pretendimet se pjesëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mund të ishin përfshirë në rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Raporti i tij çoi në një proces të gjatë hetimesh që u pasuan me ngritjen e në Gjykate të Posaçme me seli në Hagë, që do të trajtojë këto pretendime. Gjykata që do të veprojë sipas ligjeve të Kosovës, u ngrit në gusht të vitit 2015 nga parlamenti i Kosovës.

Më shumë se dy vjet më pas, në dhjetor të vitit 2017, një grup deputetësh hodhi nismën për shfuqizimin e saj, duke sfiduar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj kryesor që paralajmëruan për pasoja të rënda për shtetin e ri, që muajin e ardhshëm kremton dhjetë vjetorin e pavarësisë. (voa)

Eksperti i Facebookut: Të dhënat tona – ari i zi i Facebookut

facebookFacebook ka vendosur të rivlerësojë përmbajtjet në faqen e tij. Në të ardhmen do të kenë prioritet postimet e miqve dhe jo lajmet. Eksperti Martin Giesler shpjegon efektet e këtij hapi të Facebookut.

Deutsche Welle: Si duhet t’i kuptojmë ndryshimet e deklaruara nga themeluesi i Facebookut, Mark Zuckerberg?

Martin Giesler:Facebook është ndeshur vitin e kaluar me një stuhi të paparë ndonjëherë dhe u bë përgjegjës për shumë gjëra. Rol të rëndësishëm ka luajtur edhe debati për hapësirat që i japin jehonë në facebook vetëm pikëpamjeve të tua duke të futur në një filtër që nuk të lejon të dëgjosh më mendimin e të tjerëve. Madje Facebook u bë përgjegjës edhe për gjendjen shëndetësore të përdoruesve. Për shkak se debati ka të bëjë me Newsfeed, pra vendin ku shpërndahen lajmet, FB duhet të reagonte në këtë pikë.

“Rregulli i Facebookut: Përdoruesi nuk duhet t’i dijë të gjitha”

Çfarë roli luan algoritmi që është në bazë të këtij Newsfeed?

Duhet thënë se si i jashtëm nuk mund ta kuptosh tërësisht, se mbi cilën bazë i shpërndan ky algoritëm përmbajtjet dhe informacionet. Ai është një lloj „blackbox”, sekreti nr 1 i biznesit të Facebookut, asnjë nga jashtë nuk duhet të dijë diçka. Por kjo ka ndikime të jashtëzakonshme për përdoruesit, sepse Facebooku nuk i tregon të gjitha përmbajtjet, por vetëm një pjesë të tyre. Kjo përzgjedhje mund të jetë e mirë e ta orientojë përdouresin në xhunglën digjitale, por ajo mund të jetë edhe problematike, sepse ajo është një përzgjedhje në bazë të rregullave të Facebookut. E këto të thonë se përdoruesi nuk duhet të dijë gjithçka, por në radhë të parë të ndjehet mirë tek kjo platformë dhe të kalojë maksimalisht shumë kohë aty.

Çfarë do të thotë kjo për modelin e biznesit të Faceboout, personalizim i reklamës?

Newsfeed-i ku bashkohen përmbajtjet e një përdoruesi është i kufizuar. Kjo i rrit çmimet, që do të thotë, se duhet të paguash më shumë, që të mbërrish tek lexuesi si firmë mediatike. Por ky nuk është modeli parësor i Facebookut. Vëmendja përqëndrohet tek plotësimi i dëshirave të 2 miliardë përdoruesve dhe motivimi i tyre për përdorimin më të shpeshtë të FB. Me gjurmët që lenë përdoruesit, me dëshirat e tyre, me reagimet, me kohën kur ata reagojnë –me këto arrin FB të fitojë shumë para, këto të dhëna janë ari i zi.

Martin Giesler“Ëndrrat e dëshirat tona – lënda e parë për Facebook

Kohët e fundit përdoruesit e kanë përdorur pasivisht FB, atyre iu janë servirur të dhëna, kanë klikuar apo parë një video, por nuk kanë dhënë shumë të dhëna personale. Të bëjnë të ditur, se çfarë i preokupon, çfarë ëndrrash e dëshirash kanë, – pikërisht kjo është lëndë e parë ku do të ketë zotërim Facebooku.

Facebook kërkon të forcojë tani kontaktin mes përdoruesve e reagimet mes tyre. A mundet që këto reforma të rrisin urrejtjen në internet?

Facebooku ka një interes të madh t’i ofrojë përdoruesit atë që atij i pëlqen, apo çfarë nuk e bezdis apo sfidon, kjo është pjesë e strategjisë së përftimit të të ardhurave. Sigurisht algoritmi i Facebookut do të synojë që përdoruesit të ndërveprojnë më shumë me miqtë e të njohurit. Kjo mund të krijojë ndarje të reja, por të ketë edhe efektin që fake news apo përmbajtje me polarizim të madh të mos luajnë ndonjë rol për përdoruesit. Mund të ndodhë që ata të mos nxiten nga të tjerët, por t’i kërkojnë vetë lajmet e tyre.

A është paniku aktual i mediave i justifikuar?

Ai është i justifikuar në kuptimin që mediat duhet të shohin njëherë nga vetja. A nuk e kanë bërë veten shumë të varur nga rregullat e lojës të Facebookut? E kanë humbur shansin të orientohen tek një publik besnik, në vend që të rendin pas klikimeve apo likes. Tani ata detyrohen nga Facebooku të bindin përdoruesin që oferta e programit të tyre është e nderuar dhe se ia vlen të hedhësh një sy tek ta, pavarësisht Facebookut. E kuptoj, se tani mediat janë trembur, sepse qarkullimi i tyre do të bjerë fillimisht. Por në plan afatmesëm e shoh se Facebooku u jep mediave një shans për të gjetur vërtet publikun besnik.

Martin Giesler është ekspert për rrjetet sociale dhe drejton platformën „”Social Media Watchblogs”.

Intervistën e zhvilloi Maximiliane Koschyk.

Metodat e rejat që të mbajnë në formë

peshengritseNë Shtetet e Bashkuara vetëm një në tre fëmijë është aktiv çdo ditë. Dhe më pak se pesë për qind e të rriturve kryejnë ushtrime të paktën 30 minuta çdo ditë. Megjithatë kjo nuk i ka ndalur sipërmarrësit e palestrave të ekspozojnë produktet e tyre të reja. Kevin Enoh sjell materialin në vazhdim.

Ndoshta është stërvitja mbi një trampolinë është ajo çka dini të bëni më mirë…. ose ruatja e ekuilibrit, apo dashuri të vjetra si Zumba.

Çfarëdo ushtrimi të zgjidhni, do ta gjeni këtu në Kaliforni në një ekspozitë kushtuar shëndetit fizik.

Sipas organizatorëve këtu ka diçka për të gjithë:

“Kemi mbledhur këtu të gjithë elementet e ndryshëm që të mbajnë në formë. Në një anë do të shihni ata që zhvillojnë ushtrime të fuqishme me trupin dhe sportet fizike, ndërsa në anën tjetër kurset e stërvitjes në grup, ato që njihen si “Spartan Race” që përfshin një seri garash me pengesa të distancave të ndryshme, por gjithashtu do të gjeni CrossFit-in, gjimnastikën. Pra njerëz të ndryshëm që e kanë shdërruar palestrën në mënyrën e tyre të jetësës, të gjithë në një vend, njëkohësisht”, thotë Marc Missioreck i National Fitness Productions.

Por nuk bëhet fjalë vetëm për pajisje palestrash dhe kurse. Ekspozita pasqyron të gjitha llojet e mënyrave që të vënë në lëvizje. Gjithçka, nga një lojë emocionuese si dodge ball, një lojë ku dy skuadra i hedhin topa njëra-tjetrës, duke u përpjekur të mos goditen nga topi, tek mënyrat e reja për ngritur metale të rënda.

Dhe ndërsa stërviteni, njiheni me ushqimin e shëndetshëm dhe mënyrat për t’u dukur mirë.

Bodybuilding, CrossFit dhe të ushtruarit për t’u bërë i fortë është bërë diçka e zakonshme në Amerikë. Një prirje që nuk e gjeje pesë vite më parë, kjo është pjesë e kulturës tashmë”, thotë Roy Wallack, i Los Angeles Times

Por të ushtruarit për të qenë në formë është pjesë e kulturës së një grupi të vogël në Amerikë. Sipas qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve rreth 35 për qind e burrave në SHBA dhe 40 për qind e grave janë mbipeshë dhe ky numër vazhdon të rritet. Vetëm rreth pesë për qind e të gjithë të rriturve në Amerikë janë aktive të paktën 30 minuta në ditë. Që do të thotë se mbetet shumë për të bërë për t’i ngritur Amerikanët nga shtrati. (voa)

Robotët humanoid në Panairin e Elektronikës në Las Vegas

HumanoidRevolucioni i industrisë së prodhimit të robotëve ka mbërritur në Paniarin e Elektronikës në Las Vegas këtë javë. Shumë kompani të teknologjisë po prodhojnë robotë humanoid që ndërveprojnë me njerëzit dhe mund të bëhen pjesë e familjes. Por, a do të fillojnë njerëzit t’i përdorin robotët ashtu siç i përdorin tani telefonat inteligjentë? Korrespondetja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Lee sjellë hollësitë nga panairi në Las Vegas.

Robotë të llojeve të ndryshme nga mbarë bota që mund të përdoren për veprime të lloj-llojshme janë paraqitur në Panairin e Elektronikës në Las Vegas.

“Mendoj se ky është viti i parë që mund ta prekim këtë revolucion”, thotë Rodolphe Hasselvander nga kompania “Blue Frog Robotics”.

Këtë vit në treg po dalin robotë humanoid që mund të shërbejnë si shoqërues të njeriut. Ata bashkëveprojnë me njerëzit, dhe disa madje edhe flasin dhe mund të shprehin ndjenja njerëzore. Robotë të tjerë mund të shërbejnë si kafshë shtëpiake. Ky robot mund të plotësojë fjalëkryqet.

“Here’s a sharpener for you. Keep your mind sharp.”

Përveç aftësive për të plotësuar fjalëkryqe dhe për të luajtur ping-pong, këta robotë mund të kryejnë edhe funksione të tjera praktike.

“Ky është një robot humanoid. Është i mirë ndoshta për të moshuarit, për fëmijët dhe për të rriturit që mund të ndërveprojnë me atë”, thotë Sean Wang nga Instituti i Studimeve Teknologjike Industriale.

Ata mund të bëjnë të njejtat gjëra që bëjnë telefonat inteligjentë, dhe më shumë. Shumica e këtyre robotëve janë të pajisur me kamera që veprojnë si sytë e njeriut. Për ata që janë të shqetësuar nga sulmet kibernetike ndaj një roboti me synim përgjimin e shtëpisë dhe fëmijëve tuaj….

“Është si laptopi apo telefoni juaj inteligjent. Ne kemi telefona inteligjentë të pajisur me aparat fotografik, të cilët mund të hakerohen”, thotë Rodolphe Hasselvander nga kompania “Blue Frog Robotics”.

Roboti “Buddy” është i pajisur me kamera.

“Kur kamera e tij aktivizohet, ndizet ekrani dhe dritat specifike, kështu që ju e dini se dikush po përdor aparatin tuaj”.

Disa kompani do të kenë në dispozicion robotët socialë për konsumatorët këtë vit dhe prodhuesit e robotit “Buddy” thonë se 2018 është viti kur njerëzit do të jenë gati të pranojnë robotët socialë në shtëpitë e tyre.

“Ky lloj roboti është hapi tjetër sepse pajisja echo e kompanisë Amazon dhe Google Home nuk mund të lëvizin. Ato nuk janë të gjalla. Nuk janë personazhe që mund t’i njihni. Pra, ky lloj roboti është hapi tjetër. Unë mendoj se ky lloj roboti, shpresoj që do të jetë “Buddy”, do të përdoret nga të gjithë në vitet e ardhshme”.

Por, çfarë mendojnë këta konsumatorë për përdorimin e robotëve në shtëpi?

“Nuk e di. Unë mendoj se kjo do të varet nga përdorimi që robotët do të kenë, çfarë do të bëjnë për ju”, thotë Shane Hoalst.

“Mendoj se sot njerëzit nuk kanë kohë të mjaftueshme për të kaluar me të moshuarit ose fëmijët, dhe përdorimi i tij është i përsosur sepse duket si një njeri, ndërvepron si një njeri dhe është një produkt i butë”, thotë Roseline Le Thomas.

Çmimet e robotëve janë ndryshme. Roboti “Buddy” kushton rreth 1.500 dollarë.

“Nëse shpenzoni 1,000 dollarë për një iPhone, ju mund të shpenzoni 1,000 dollarë për një robot të vogël si ky”, thotë Shane Hoalst.

Ashtu si qeni apo macja, robotët socialë mund të bëhen pjesë e rregullt e shumë familjeve në një të ardhme jo shumë të largët. (voa)

Raundi i ri i bisedimeve Athinë-Shkup për emrin në Nju Jork

NimicBisedimet për kontestin e emrit të Maqedonisë mes Athinës dhe Shkupit me ndërmjetësimin e OKB-së zhvillohen sërish në Nju Jork, ku takimi i fundit ka qenë në vitin 2014.

Burime të Kombeve të Bashkuara i bënë të ditur, të mërkurën, Deutsche Welle-s se javën e ardhshme në Nju Jork do të mbahet një takim për t’ i dhënë shtysë zgjidhjes së çështjes së emrit për Maqedoninë, ish-republikën jugosllave. Zyra e shtypit e Sekretarit të Përgjithshëm informoi se i dërguari personal i sekretarit të përgjithshëm, Matthew Nimetz do të takohet me përfaqësues të “Republikës helenike dhe ish-Republikës jugosllave të Maqedonisë”, në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork më datën17 janar. Takimi që do të zhvillohet larg pranisë së shtypit “është pjesë e përpjekjeve të Kombeve të Bashkuara për t’i qëndruar pranë palëve për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të dy palët në çështjen e “emrit”, thotë kumtesa.

Kohët e fundit janë zhvilluar disa takime në rangje të larta midis Greqisë dhe Maqedonisë. Hera e fundit kur negociatat janë mbajtur në Nju Jork ka qenë nëntori 2014.

Problemi

Konflikti politik ka lindur midis Greqisë dhe Maqedonisë në vitin 1991 me shpalljen e pavarësisë të Maqedonisë. Republika ish-jugosllave e quajti veten Republika e Maqedonisë dhe zgjodhi një flamur, i cili i kujtonte Greqisë simbolet helene. Greqia tha se bashkë me emrin Maqedonia mund të ngrejë pretendime rajonale ndaj veriut të Greqisë, rajon që po ashtu është quajtur Maqedoni.

Megjithëse me këmbënguljen e Greqisë, Maqedonia e shkruajti në kushtetutë shprehimisht se nuk ka pretendime territoriale, Greqia tha se kishte hallin e flamurit, i cili përmbante yllin e vergines. Edhe flamuri u ndryshua, duke e kthyer yllin shumëcepash të flamurit, në yll me tetë cepa që simbolizon diellin.

Kombet e Bashkuara - FYROM

Kombet e Bashkuara (KB) mezi e kuptuan se ekzistonte një problem, i cili nuk ishte më qesharak. Me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara të dy vendet filluan bisedimet për të rënë dakord për emrin përfundimtar. Por propozimi i bërë nga KB që vendi të quhet Republika e Maqedonisë së Shkupit, nuk pranohet nga Greqia. Greqia nuk do fare që fjala “Maqedoni” të përdoret në emërtim.

Greqia e njeh Maqedoninë me emrin Skopje, Shkup, banorët skopjanë dhe gjuhën skopjanishte. Këto emërtime maqedonasit i shohin si ofenduese. Edhe emrin ish-Republika jugosllave e Maqedonisë, FYROM, nuk e durojnë dot. Kështu e quan Maqedoninë edhe OKB-ja.

Edhe Gjermania përdor emërtimin ish-Republika jugosllave e Maqedonisë.

Shqipëria dhe Kosova: Republika e Maqedonisë

Në vitin 2004, tre nga pesë anëtarët e Këshillit të Sigurimit, Rusia, SHBA dhe Kina e njohën Maqedoninë me emërtimin Republika e Maqedonisë. Franca dhe Mbretëria e Bashkuar nuk pranuan. Por 104 vende, mes tyre Shqipëria dhe Kosova përdorin në marrëdhëniet bilaterale emërtimin Republika e Maqedonisë. (dw)

Bisedime mes dy Koreve për të konkurruar së bashku në Lojrat Olimpike

Koreja Koreja e Jugut ka sugjeruar formimin e një ekipi të përbashkët të hokejt për femrat me Korenë e Veriut për të konkurruar në Olimpiadën Dimërore muajin e ardhshëm, një zhvillim i mundshëm historik në marrëdhëniet ndërmjet rivalëve të hidhur.

Propozimi u bë të martën kur delegacionet nga të dy vendet zhvilluan bisedime në fshatin kufitar Panmunjom dhe u konfirmua të shtunën nga përfaqësuesi i Koresë së Veriut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, Chang Ung.

“Kjo është një temë në diskutim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar,” u tha Chang gazetarëve në aeroportin ndërkombëtar të Pekinit. Chang po kthehej në kryeqytetin Phenian të Koresë së Veriut pas një vizite në selinë qendrore të organizatës olimpike në Zvicër. Chang nuk tha nëse Koreja e Veriut e mbështet propozimin.

Pas diskutimeve të tyre të para zyrtare në më shumë se dy vjet, të dy vendet ranë dakord të martën se Veriu do të merrte pjesë në lojëra dhe do të zhvillonte bisedime ushtarake për të përmirësuar marrëdhëniet.

Marrëveshjet u arritën në takimet e nivelit të lartë ndër-koreane të mbajtura të martën në Panmunjom, i ashtuquajturi “fshati i paqes” që shtrihet në kufirin mes të dy vendeve dhe ku u nënshkrua armëpushimi i vitit 1953 që i dha fund Luftës Koreane.

Vendet rivale kanë formuar ekipe të përbashkëta sportive vetëm dy herë më parë – të dyja herët në vitin 1991 – kur ata morën pjesë së bashku në një turne të futbollit të të rinjve dhe në një kampionat të pingpongut. Seancat e mëparshme negociuese të hartuara për të dërguar një ekip të përbashkët në Lojërat Olimpike nuk ishin të suksesshme.

Vendet fqinje pritet të diskutojnë më tej në lidhje me propozimin në Panmunjom të hënën pasi ranë dakord të shtunën për të mbajtur diskutime në nivel pune në anën e Koresë së Veriut të fshatit të paqes.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka sugjeruar që të mbahet një takim më 20 janar në selinë e tij në Zvicër për të diskutuar pjesëmarrjen e Veriut në lojrat, që do të zhvillohen në Pyeongchang të Koresë së Jugut. (voa)

Kurti paraqet programin, figura të Vetëvendosjes mungojnë

kurtiKandidati për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh themelues i kësaj lëvizjeje, paraqiti para anëtarëve të saj platformën me të cilën ai kandidon për të rimarrë drejtimin e partisë.

 Megjithëse pas dhe paraardhësi i tij Visar Ymeri nuk ishte fare në sallë, Kurti nuk harroi t’i drejtohej atij dhe tha se do të vazhdojë bashkëpunimin me të.

“Dua ta falënderoj Visar Ymerin për udhëheqjen e drejtimin gati trevjeçar të Lëvizjes, për punën, kontributin e angazhimin e vazhdueshëm të tij shumë të dobishëm e shumë të vlefshëm për Lëvizjen tonë. Visari është anëtar në Lëvizje bashkë me ne. Visari është deputet i Vetëvendosjes në Kuvend bashkë me ne”, tha Kurti.

Kryetari i ri “de facto” i Vetëvendosjes, pasi nuk ka asnjë rival tjetër në garë, tha se platforma e tij trajton me shumë rëndësi çështje siç janë barazia gjinore, organizim i aktivistëve në baza profesionale dhe avancimi i demokracisë së brendshme, mes të tjerave.

Kurti shprehu keqardhjen e tij për mungesën e rivalëve në garë dhe premtoi se në parti do të dëgjohet zëri i të gjithëve. Veç kryetarit të dorëhequr, Visar ymeri, në prezantim munguan edhe emra të tjerë si ish-sekretari organizativ Dardan Molliqaj, kryetari i i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kreu i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, si dhe gjysma e 32 deputetëve të kësaj force.

Top Channel