Tiranë: Qeveria dhe opozita shkëmbyen replika mbi gjendjen e rendit

kanabisOpozita dhe qeveria shkëmbyen sot kritika dhe vlerësime të kundërta mbi veprimtarinë e policisë së shtetit.

Në përvjetorin e krijimit të policisë shqiptare, kryetari i partisë demokratike të opozitës, Lulzim Basha, tha se forcat e rendit janë të kompromentuara dhe të tradhëtuara nga drejtuesit e tyre politikë të lidhur me botën e krimit.

“Shqipëria është në këtë gjendje, sepse Policia e Shtetit i është dorëzuar nga politika, nga pushteti i korruptuar i Edi Ramës, i Saimir Tahirit dhe drejtuesve të tjerë politikë të kësaj aleance me krimin, krimit dhe veprimtarisë kriminale. Shqipëria është kthyer në një zonë të lirë të krimit, si pjesë e paktit kriminal, midis Edi Ramës dhe atyre që e ndihmuan të vijë në pushtet me vota të blera, vota të shitura. Vettingu nga Fatmir Xhafa, apo Edi Rama, apo kjo shumicë e bërë njësh me krimin, është si t’i varësh mëlçitë ujkut në qafë. Policia do të pastrohet, kur qeverisja të pastrohet nga politikanët e lidhur me krimin” – tha zoti Basha.

Por qeveria ka një vlerësim krejt të kundërt për punën e forcave të rendit.

Kryeministri Edi Rama tha në një ceremoni mbi përvjetorin e krijimit të policisë se ato kanë rilindur pas një gjendje amullie të trashëguar, ndërsa pritet përzgjedhje më e mirë edhe në radhët e saj.

“Në vitin 2017, Shqipëria doli nga harta e vendeve që kultivojnë dhe trafikojnë lëndë narkotike. Në vitin 2017, Shqipëria mbylli një plagë të vjetër, të thellë, e cila pati të gjitha ato infeksione që ne njohim. Sot, në 2018-ën, Shqipëria nuk ka as Lazarat, as lazaratër të shpërndarë në trupin e territorit të saj” – tha zoti Rama.

Në vitin 2017, Policia hoqi nga duart e organizatave kriminale mbi 40 milionë euro pasuri. Ndërkohë që 4 vite më parë, kjo shifër nuk kalonte 1 milionë euro.

Polemikat mes palëve mbi narkotikët dhe përfshirjen e policisë në këtë veprimtari kriminale po vazhdojnë dhe janë në qendër të ballafaqimit politik dhe fjalimeve publike.

Secila palë minimizon rezultatet e tjetrës, dhe i quan sulmet e ndërsjella të motivuara politikisht.

Ndërkohë ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri i qeverisë Rama 1 po hetohet mbi mundësinë e përzjerjes në këtë veprimtari kriminale.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbështetje me prokurorë federalë për hetimet që po zhvillohen ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Ambasadori amerikan në Shqipëri Donald Lu tha pas një takimi me ministrin e ri Fatmir Xhafaj, se “çështja e zotit Tahiri kërkon një hetim të plotë dhe proces të paanshëm ligjor”, dhe se “është ofruar mbështetja e prokurorëve federalë amerikanë dhe agjencive të zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë ndihmë teknike Prokurorisë në kryerjen e një hetimi të plotë, i cili ka për qëllim zbulimin e të vërtetës”.

Ish ministri i Brendshëm është nën hetim pasi dyshohet sipas prokurorisë, se ka patur lidhje me një grup narkotrafikantësh shqiptarë, pjesë e një organizate italo-shqiptare që dërgonte marijuanë drejt Italisë. (voa)

Maqedoni, reagime ndaj ligjit për gjuhët

talatPas miratimit të ligjit për gjuhët në Maqedoni janë shtuar reagimet e ndryshme nga qarqe që vlerësojnë se me avancimin e gjuhës shqipe rrezikohet sistemi unitar i vendit dhe vetë gjuha maqeonase. Partia më e madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE dhe personalitete me pikëpamje konservatore i bëjnë thirrje presidentit të vendit që të mos e dekretojë ligjin e ri.

Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve nga parlamenti i Maqedonisë të enjten, ka nxitur reagime tek një pjesë e faktorëve politik konservativë maqedonas dhe tek disa personalitete publike, të cilët thonë se avancimi apo zyrtarizimi i gjuhës shqipe rrezikon sistemin unitar të Maqedonisë dhe vetë gjuhën maqedonase.

Këto qarqe i bëjnë thirrje presidentit Gjorgje Ivanov të mos e dekretojë ligjin e ri; Nga ana tjetër, të vetëdishëm për qëndrimet e parlaentit që në një rast të refuzimit nga presidenti, ligjvënësit do ta votonin ligjin në një lexim të tretë, pritjet e disa profesorëve maqedonas të universiteteve dhe analistëve propozitarë janë që Gjykata kushtetuese ta rrëzojë ligjin për gjuhët, i njohur në opinionin publik si ligji për gjuhën shqipe.

Ndërkaq, kryetar i parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi shpjegon procedurat ligjore që do të pasonin refuzimin eventual të nënshkirmit të ligjit nga presidenti:

“Në aspekt hipotetik, nëse nuk ndodh brenda dhjetë ditëve, pas skadimit të atij afati, pra nëse nuk dekretohet, brenda një afati tjetër prej 30 ditësh ligji duhet t’i kthehet parlamentit që nënkupton vetëm aktin e votimit të sërishëm”, thotë ai.

Ndërkaq, ekspertët kanë mendime të ndryshme në lidhje me atë se a bëhet gjuhë zyrtare shqipja në Maqedoni apo bëhet vetëm avansimi i saj. Osman Kadriu i cili u emërua para tre ditësh gjykatës në Gjykatën Kushtetuese, vlerëson:

“Që të sigurohet gjuha shqipe e barabartë me atë maqedonase në nivel të shtetit dhe jashtë tij, është e nevojshme të ketë paraprakisht ndërhyrje ndaj kushtetutës aktuale. Pa intervenim në kushtetutë nuk mund të parashikojmë dispozita të cilat do të ishin në kundërshtimme vetë kushtetutën”, shprehet eksperi i njohur ligjor.

Ligji u miratua nga 69 deputetë të shumicës parlamenatre dhe të partive opozitare shqiptare. Poashtu në një votim të dyfishtë nga ligjvënësit e komuniteteve të ndryshme nga maqedonasit, ligji mori mbi 96 përqind të votave.

Ligji, mes tjerash thekson se “gjuhë zyrtare në Maqedoni është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik”, ndërsa në nenin vijues thuhet: “Krahas maqedonishtes, gjuhë tjetër zyrtare është edhe gjuha të cilën e flasin së paku 20 përqind e popullatës dhe alfabeti i saj”.

Gjuha shqipe do të ketë shtrirje të gjerë edhe në instituciont e lara shtetërore dhe publike, gjyqësore e vendore ku nuk përdorej deri më tani. Do të zërë vend edhe në uniformat e policisë dhe organeve të tjera shtetërore. Seancat e parlamentit do të mund të drejtohen në gjuhën shqipe kur kryetari ose kryesuesi të jetë shqiptarë, apo ministrat shqiptarë në qeveri të flasin në gjuhën e tyre amtare dhe vendimet e shkresat të jenë në të dy gjuhët, maqedonisht dhe shqip.

Zbatimi i ligjit nuk pritet të jetë i lehtë; nevojiten mjete financiare për këtë dhe punësimi i një numri të madh përkthyesish si dhe formimi i një agjencie që do ta kontrollonte dhe ndihmonte zbatimin e tij. (voa)

Dakota e Veriut ose Lugina Silikon për Dronët

droneRrafshinat e Dakotës së Veriut njihen për tokat pjellore, kullotat si dhe për nxjerrjen e naftës. Por vitet e fundit, këto fusha janë bërë edhe qendra për studimin dhe testimin e dronëve komercialë.

Lësho një dron në qiellin e Dakotës së Veriut, vështro horizontin e hapur dhe prit se çfarë mund të ndodhë. Nick Flom drejton qendrën e testimit të mjeteve robotike hapsinore.

Kemi katër stinë të plota. Në verë temperaturat arrijnë mbi 30 gradë celsius dhe në dimër temperatura bie në minus 10 gradë. Kemi ditë me erëra të forta dhe ditë të qeta, një vend unik për të bërë prova.”

Kjo është arsyeja që Dakota e Veriut ka shpenzuar 38 milionë dollarë për të tërhequr biznesin e testimit të dronëve, përfshirë këtë park industrial civil pranë Bazës Ajrore Grand Forks. Thomas Swoyer është president i kompanisë “Grand Sky”.

“Këtu qendron vlera e Dakotës së Veriut, sepse faktori i sigurisë llogaritet tek numri i avionëve në qiell me të cilët mund të përplasesh. Sa njerëz do të preken në tokë në rast të një aksidenti? Këtu terreni është i hapur dhe i favorshëm për prova.”

E ndërtuar në vitin 2015, “Grand Sky” është fusha e parë komerciale për testim të mjeteve ajrore pa pilot. Dakota e Veriut investoi 17 milionë dollarë për kompaninë private “Grand Sky”. Parku 88 hektarësh u shërben kompanive të mëdha dhe të vogla për të kryer prova me dronët komercialë. Chris Theisen është drejtor për kërkimet.

“Ka fusha të ndryshme për përdorimin e dronëve. Nga këndvështrimi i Dakotës së Veriut, bujqësia dhe sektori energjetik mund të përdorin dronët për qëllime të ndryshme. Si për kontrollin e rrjetit elektrik, tubacioneve të gazit, drithërave e shumë gjëra të tjera”.

Nick Flom drejton qendrën e provave “Northern Plains”, një nga gjashtë pistat që përdor Administrata Federale e Aviacionit për testimet. Ai thotë se dronët do të zëvendësojnë punët e lodhshme dhe të rrezikshme dhe të krijojnë mundësi të reja. Zyrtarët shtetërorë shpresojnë që industria e dronëve do të krijojë vende pune me paga të mëdha.​
“Komandimi i dronëve ka nevojë për drejtues të mjetit dhe një personel mbështetës që kërkon njerëz të përgatitur.”

Në këtë mes ka edhe sfida. Rregulloret federale kërkon që dronët të fluturojnë drenda një rrezeje vizuale nga toka, çfarë përbën një sfidë për industrinë në rritje. Por disa muaj më parë Presidenti Trump njoftoi një nismë për të rishikuar rregullat, me synimin që të gjendet balanca mes përftimeve nga teknologjia e re dhe uljes së rreziqeve për sigurinë publike. (voa)

Kriptomonedhat dhe gratë sipërmarrëse

KriptomonedhatPër shumë njerëz, kriptomonedhat si Bitcoin vazhdojnë të mbeten një mister. Por, për kompani të reja të drejtuara nga gra, kriptomonedhat janë një mënyrë alternative për të krijuar të ardhura në industrinë e teknologjisë.

Në botën e kompanive të reja të teknologjisë, nuk mungon kapitali për të investuar tek idetë e reja… nëse idetë vijnë nga burrat. Gratë shpesh ngelen pa mbështetje financiare.

“Skena e kapitalit për investime dominohet në masën 94% nga burra. Për arsye të ndryshme, ndër to edhe paragjykimi gjinor, bëhet objektivisht më e vështirë për gratë dhe minoritetet që të mbledhin fonde”, thotë Lisa Wang, drejtore e kompanisë “Sheworx”.

Tashmë, sipërmarrëset gra janë duke eksploruar burime alternative të fondeve. Ato po orientohen drejt fenomenit më të zhurmshëm në teknologji dhe financë – kriptomonedhat nëpërmjet teknologjisë blockchain.

“Vlera e teknologjisë blockchain është se eliminon ndërmjetësimin, pra nuk ka më nevojë për ndërmjetësa”, thotë Carolyn Rechkow, drejtore e operacioneve në firmën “Consensys”.

Heqja e ndërmjetësve krijon edhe më shumë mundësi. Tashmë mund të krijohen fonde nëpërmjet një monedhe dixhitale specifike për biznesin e tyre.

“Ky sistem i ri nuk dominohet nga meshkujt, pasi nuk sjell trashëgimi me vete. Pra, pse të mos fillojmë të ndërtojmë diçka?”, thotë Michelle McCormack, themeluese dhe drejtore e kompanisë “Casting Coin”.

Zonja McCormack krijoi kripto-monedhën Casting Coin, të cilën ajo synon ta përdorë për mbledhje fondesh.

“Kjo del përtej botës së vogël të financierëve që kontrollojnë fondet, dhe hap një botë ku gratë janë të lira të dëshmojnë vlerat e tyre”, thotë zonja Rechkow.

Por, është ende fillimi për këtë teknologji…

“Po shikojmë prurje të shpejta parash. Por, nuk dua ta quaj sukses menjëherë, pasi ende nuk dimë çfarë jetëgjatësie do të kenë këto procese për mbledhje fondesh”, thotë zonja Wang.

Për këto gra ambicioze, suksesi afatgjatë do të varet nga drejtimi që do të marrë kjo prirje e re. (voa)

Shtetet e Bashkuara goditen rëndë nga gripi

vakcinaMjekët thonë se sezoni i gripit këtë vit në Shtetet e Bashkuara ka qenë mjaft i rëndë dhe mund të keqësohet. Një numër pacientësh janë shtruar në spital dhe ka pasur edhe viktima nga gripi ose ndërlikimet që shkakton sëmundja. Siç na njeh materiali në vazhdim, shumë nga pacientët mendojnë se janë me rrufë dhe nuk i kushtojnë vëmendje një sëmundjeje që mund të jetë vdekjeprurëse:

Gripi është shfaqur në mbarë Shtetet e Bashkuara. Numri i pacientëve të shtruar në spital dyfishohet çdo javë. Kalifornia është goditur më rëndë dhe spitalet kanë ngritur tenda për pacientët pasi janë mbushur mbi kapacitet:

“Pjesa më e madhe e njerëzve mendojnë se janë me rrufë dhe do e kalojnë. Disa shërohen, por jo të gjithë,” thotë Dr. Adrian Cotton.

Shtatë vjeçari Cisco Galvez vdiq nga virusi. Ishte shumë e rëndë për nënën e tij:

“Sëmundja avancoi shumë shpejt, për pak ditë. Nuk e prisja, ai ishte shumë i shëndetshëm”.

Në shkallë vendi, janë raportuar mbi 41 mijë raste. Në Kaliforni afro 30 vetë kanë vdekur.

“Këtu, gripi ka goditur rëndë dhe duhet të bëjmë ç’është e mundur për të parandaluar dhe kufizuar përhapjen,” thotë Dr. Sayone Thihalolipavan.

Varianti dominues është H3N2 i gripit A, që në të kaluarën ka shkaktuar ritme më të larta të rrezikut për shtrim në spital ose vdekje.

Vaksinat për gripin krijohen çdo vit duke u bazuar tek varianti dominues i muajve të dimrit në hemisferën jugore.

Ndonjë vit, variantet e gripit që përdoren për të krijuar vaksinën janë të ndryshëm nga gripi që godet Shtetet e Bashkuara, prandaj vaksina nuk ka shumë efekt. Vaksina e sivjetshme pritet të ketë sukses nga 10 përqind deri në 30 përqind të rasteve.

Megjithatë, mjekët po këshillojnë popullatën të vaksinohet për gripin.

“Vaksina e gripit po funksionon, mendoj unë, pasi kjo vaksinë përmban virusin që kemi parë në qarkullim,” thotë Dr. Christelle Ilboudo.

Edhe në rastet kur vaksina nuk ka të njëjtin variant të virusit që ka goditur në sezonin e gripit, ajo ndihmon për të parandaluar ndërlikime si pneumonia dhe pasoja të tjera vdekjeprurëse.

Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve dhe agjenci të shëndetësisë në 46 vende kanë publikuar në revistën Lancet një studim me ritme të reja më të larta vdekshmërie.

Ata bazohen tek të dhënat e fundit në parashikimin se numri i viktimave vjetore mund të jetë nga 300 mijë deri në 650 mijë në shkallë botërore. Raporti thekson gjithashtu se rreziku i vdekshmërisë është më i lartë në rajonet më të varfra të botës, përfshirë Afrikën nënsahariane. (voa)

Juncker: Bullgaria ka bërë mirë kur e ka vënë Ballkanin si prioritet

JunckerIntervistë e Deutsche Welles me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i cili flet për rolin e Bullgarisë si presidente e radhës së BE dhe perspektivën e Ballkanit Perëndimor.

Deutsche Welle: Zoti Juncker, a jeni të bindur se Bullgaria do ta kryejë si duhet detyrën e kryesueses së radhës së BE, për gjashtë muajt e ardhshëm?

Juncker: Bullgaria është e përgatitur jashtëzakonisht mirë, sepse Bullgaria ka krijuar madje edhe një ministri të posaçme për presidencën e radhës së BE. Ministrja Lilyana Pavlova është sikur edhe kryeministri Boiko Borissov jashtëzakonisht mirë e përgatitur. Së bashku me Mariya Gabriel, e cila në Komisionin tim është duke bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, Bullgaria do të shënojë përparime të mëdha për Evropën, jam i bindur për këtë. Bullgaria është përcaktuar në tërësi për agjendën evropiane dhe ka vënë në qendër temat që janë të rëndësishme për evropianët: migracionin, digjitalizimin, një lloj unioni për mbrojtje dhe perspektivë evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Përveç kësaj me shkronjën “B” fillon jo vetëm emri i Bullgarisë, por edhe fjala bullgare “budeshte“, që do të thotë “ardhmëria”. Presidenca bullgare do të drejtojë debatin e rëndësishëm për të ardhmen e Evropës, e viti 2018 do të jetë vendimtar për shumë çështje të Bashkimit Evroipian, prej forcimit të ekonomisë dhe politikës monetare të BE, sistemit të ardhshëm të migrimit e deri tek buxheti i BE. Bullgaria do të luajë në këtë drejtim një rol të rëndësishëm ndërmjetësimi për të gjetur konsensusin e të gjitha vendeve anëtare.

DW: Mediat evropiane kanë kritikuar pjesërisht shumë ashpër Bullgarinë. Por më së shumti flitet për vendin më të varfër dhe më të korruptuar në BE. A i meriton Bullgaria këto kritika?

Juncker: Kur dëgjoj për klishe të këtilla, atëherë do të doja që së pari të shikojmë faktet. E ato duken më ndryshe – jo vetëm nga koha e marrjes së presidencës bullgare. Unë e njoh Bullgarinë shumë mirë, sepse unë kam qenë kryeministër i Luksemburgut në kohën kur Bullgaria është anëtarësuar në BE. Asokohe Luksemburgu ka qenë kryesues i radhës i BE. Prej atëherë, Bullgaria ka bërë shumë, ndër tjerash edhe në ekonomi. Ekonomia e këtij vendi vitin e kaluar është rritur për 3,9%. Punësimi po zhvillohet pozitivisht ndërsa buxheti është nën kontroll shumë të mirë. Borxhet e shtetit janë nën 30% të prodhimit bruto, që në krahasim me vendet e tjera anëtare të BE, është shumë pak.

Bullgaria është po ashtu një ndër vendet më pro-evropaine. Ndaj pritjet janë shumë pozitive, jo vetëm për kohën e presidencës së radhës, por edhe për luftimin e korrupsionit. Këtu jemi duke punuar së bashku me Bullgarinë në të ashtuquajturin mekanizëm bashkëpunimi për rishikimin e hapave që po bëhen në luftën kudër korrupsionit.

DW: Sofja e ka vënë si prioritet afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE. Si e shihni ju perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE?

Juncker: Bullgaria ka bërë mirë kur e ka vënë Ballkanin Perëndimor si një prej pikërëndesave të presidencës. Vendet e Ballkanit Perëndimor meritojnë që të kenë një perspektivë për anëtarësim në BE. Kjo nuk do të ndodhë gjatë kohës sa jam unë president i Komisionit Evropian, por tani duhet të vihen piketat, ndërsa këto vende duhet të bëjnë reformat e duhura dhe ate sa më parë. Qeveria bullgare ka bërë disa hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, sepse samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sofje me 17 maj do të jetë një prej zhvillimeve më të rëndësishme.

Bullgaria është shumë e përshtatshme për të ndërtuar ura drejt Ballkanit Perëndimor, sepse e njeh këtë rajon, e njeh kulturën, gjuhët dhe ka pasur edhe vet një proces të suksesshëm të anëtarësimit në BE.

DW: A do të ketë Bullgaria gjatë kësaj presidence një rol të rëndësishëm edhe në komunikimin e BE me Ankaranë?

Juncker: Bullgaria mund të luajë këtu një rol të rëndësishëm për thellimin e këtyre raporteve. Ne jemi të interesuar që të kemi një partneritet të ngushtë me Turqinë. Njëkohësisht Turqia, e cila dukej se është larguar, duket se sërish dëshiron të afrohet me Evropën. Bullgaria si fqinje e Turqisë, mund të angazhohet për thellimin e raporteve me Turqinë, intensifikimin e dialogut dhe mund të shërbejë si një lloj përkthyesi në këto raporte. Gjithmonë është më mirë të bisedohet mes vete dhe jo të flitet për njëri-tjetrin.

Indeksi, demokracia amerikane kategorizohet “e brishtë”; Shqipëria në vendnumëro

hartaNjësia e Inteligjencës e The Economist ka publikuar raportin e radhës për gjendjen e demokracisë në botë. 167 vende kanë kaluar në sitën e ekspertëve, që kanë nxjerrë përfundimet për vitin 2016.

Ajo që bie në sy është një përkeqësim i demokracisë në Shtetet e Bashkuara për këtë vit, që shënoi 7.98 pikë, nga 8.05 që kishte në vitin 2015.

Sipas “The Economist”, demokracia e Shteteve të Bashkuara, që merret si shembull në shumë vende të tjera të botës, vetë ka rrëshqitur në rangun “e brishtë”.

Janë 60 indikatorë nga pesë fusha të ndryshme, si proceset zgjedhore dhe pluralizmi politik, funksionimi i qeverisë, përfshirja në politikë, kultura demokratike e shoqërisë civile dhe liritë e qytetarëve. Këta tregues analizohen e shqyrtohen për përcaktimin e gjendjes së demokracisë në një vend të caktuar, që vlerësohet më pas nga 1 deri tek 10.

Sa i takon vendit tonë, “The Economist” vëren se demokracia shqiptare mbetet ende e brishtë dhe për 2016 u vlerësua me 5.91 pikë, po aq sa në 2015.

Vlerësimin maksimal ka marrë Norvegjia me 9.93 pikë, ndjekur nga Islanda me 9.50, Suedia, Danimarka, Kanadaja e Australia.

Top Channel

“Çështja Tahiri”, Lu: Kemi ofruar prokurorë federalë

LuNë Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu tha sot se Shetet e Bashkuara kanë ofruar mbështetje me prokurorë federalë për hetimet që po zhvillohen ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Këto komente ambasadori Lu i bëri për portalin e lajmeve BalkanWeb në përfundim të një takimi që ai pati sot me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Ambasadori amerikan, u shpreh se “çështja e zotit Tahiri kërkon një hetim të plotë dhe proces të paanshëm ligjor”, dhe se “është ofruar mbështetja e prokurorëve federalë amerikanë dhe agjencive të zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë ndihmë teknike Prokurorisë në kryerjen e një hetimi të plotë, i cili ka për qëllim zbulimin e të vërtetës”, deklaroi ambasadori Lu. Ai nënvizoi se do të donte të shihte “një hetim më aktiv nga prokurorët dhe policia gjyqësore” duke shtuar se ky është një mesazh që i është përcjellë palës shqiptare.

“Në një demokraci të vërtetë, askush nuk është mbi ligjin”, tha ambasadori amerikan duke shtuar se “bota, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, po e ndjek nga shumë afër këtë çështje dhe çështje të tjera sensitive, si ato të Emiljano Shullazit, Lul Berishës dhe tre gjykatësve të apelit në Durrës”.

Ish ministri i Brendshëm është nën hetim pasi dyshohet sipas prokurorisë, se ka patur lidhje me një grup narkotrafikantësh shqiptarë, pjesë e një organizate italo-shqiptare që dërgonte marijuanë drejt Italisë. (voa)

Panairi i teknologjisë, mbizotërojnë pajisjet inteligjente

BytonNë panairin më të madh të pajisjeve elektronike për konsumatorët që po zhvillohet këtë javë në Las Vegas, kompanitë po prezantojnë të rejat më të fundit ndërsa vizitorët kanë mbushur pavionet. Një e veçantë e panairit është dominimi i sensorëve në produktet elektronike.

Makina futuriste “Byton”, e kontrollur nga një tabletë dhe gjestet me dorë, ka tërhequr vëmendjen në panairin e sivjetshëm. Krijuesit e cilësojnë atë si një “pajisje inteligjente”.

Aty pranë gjen edhe pajisje të tjera inteligjente në panairin që cilësohet si tubimi më i madh global i novacioneve. Më shumë se 170 mijë njerëz, një a treta nga Shtetet e Bashkuara, po marrin pjesë në këtë panair për të parë nga afër pajisjet elektronike më të fundit.Phair Tsai ((PRONOUNCED FAIR SIGH)) i kompanisë “HiMirror” ka ardhur për të treguar se si ka evoluar pasqyra.

“Është pasqyra e parë inteligjente në botë.Përmes fotografimit, pasqyra mban shënime dhe analizon shëndetin e lëkurës së përdoruesit.”

Nëse të pëlqen regjistrimi, pasqyra të mundëson ta ndash me miqtë duke dërguar një mesazhme video.

Pajisjet inteligjente janë dizajnjuar për të gjithë trupin. Kompania “Digitsole” ofron një shollë këpuce me sensorë që komunikon me telefonat inteligjentë. Karim Oumnia i kompanisë “Digitsole” tregon se si funksionon sholla inteligjente e këpucës.

“Sholla vendoset brenda këpucës dhe lidhet me telefonat inteligjentë. Ajo ndjek aktivitetin e përdoruesit dhe kupton se pse ka dhimbje të kyçit të këmbës, dhimbje të shpinës apo të tjera. Nëse një ushtar rrëzohet kur është plagosur, këpuca inteligjente i dërgon mesazh ekipit të tij për ta shpëtuar.”

Makinat inteligjente, këpucët inteligjente, pasqyra inteligjente — shenja këto që tregojnë se po jetojmë në një botë gjithnjë e më të kontrolluar nga elektronika. (voa)

Mediat serbe citojnë IFIMES-in: Gjykata Speciale është formuar për Thaçin dhe Haradinajn – dhe jo vetëm!

ramush thaciInstituti Ndërkombëtar IFIMES në Lubjanë, siç citojnë mediat serbe ka vlerësuar se “nuk është i befasishëm nervozizmi i udhëheqjes aktuale në Prishtinë dhe iniciativa e nxituar për të shfuqizuar Gjykatën Speciale për krime lufte”.

Kjo pasi që, siç thuhet më tej, përcjell Telegrafi, “sipas vlerësimeve të analistëve nga ky Institutit edhe për Studime Ballkanike, Gjykata Speciale për Krime Lufte në Kosovë janë formuar për të gjykuar kryetarin aktual të Kosovës dhe bashkëpunëtorët e tij për krimet e kryera në Kosovë”.

“Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është ende nën hipotekë të rëndë për krime lufte, e (Hashim) Thaçi është nën hipotekë të krimeve të luftës dhe forma të tjera të krimit”, thuhet në analizën, citojnë mediat serbe.

Po sipas tyre, ky institut kujton se Kadri Veseli, kryetari aktual i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe tani kreu i Kuvendit të Kosovës ishte kreu Shërbimit (SHIK) në Kosovë dhe subjekt i hetimeve të shumta. /Telegrafi/