Maqedoni: Gjashtë vjet burg për të akuzuarin për rastin e Almir Aliut

Gjykata e Kumanovës i caktoi dënimin me gjashtë vjet burg të akuzuarit Boban Iliç për rastin e katër vjeçarit Almir Aliu, i cili vdiq si pasojë e shtypjes me makinë nga i akuzuari Iliç. Ky vendim i gjykatës ka shkaktuar mjaft reagime tek avokatët e familjes Aliu, të cilët këmbëngulnin se ekzistojnë dëshmi për vrasje të qëllimshme të fëmjës. Ndërkohë, edhe babai dhe xhaxhai i viktimës u dënuan me nga 6 deri në 9 muaj burg për shkak të përfshirjes në dhunë.
Masa e dënimit prej vetëm gjashtë vjetësh heqje lirie për Boban Iliçin e akuzuar për aksident trafiku me pasoja në njerëz në Kumanovë, ka habitur familjen e viktimës katërvjeçar, Almir Aliu dhe avokatët e saj.
Iliç kishte shtypur me makinë Almirin pas një zënke verbale që kishte pasur me babain e tij para një viti e gjysmë. Në një prej videoregjistrimeve të publikuara në internet duket se si makina me shpejtësi të madhe në një rrugë të ngushtë godet bashkëshortët Aliu dhe fëmijën e tyre katër vjeç.
Prokuroria e Kumanovës, fillimisht e akuzonte autorin e krimit për vrasje me paramendim, por më pas e rikualifikoi akuzën në “aksident të rëndë trafiku me pasoja në njerëz”.
Ky vendim i prokurorisë pati shkaktuar mjaft revoltë dhe protesta, madje mori dhe dimensione politike. Ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji kuadër i Bashkimit Demokratik për Integrim dha dorëheqje “për shkak se besimi në gjyqësor po lëkundej”, siç qe shprehur ai.
Avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahiq duke folur për gazetarët pas shpalljes së verdiktit e quajti rastin të montuar:
“Është turp të jepet një dënim prej gashtë vjetësh për një vepër të rëndë. Gjykata nuk i mori parasysh rrethanat që rëndonin të akuzuarin për shkaktimiin e humbjes së jetës së fëmijës katër vjeç, madje mori guximin të dënojë babain, xhaxhain dhe një kushëri të Almirit të vogël”, tha avokati.
Familja Aliu do ta apelojë vendimin e gjykatës së Kumanovës.
Ndërkaq, një numër ekspertësh ligjorë mendojnë se prokuroria dhe gjykata mund të kishin pasur trysni për këtë rast. Nga ana tjetër, gjyqësori në Maqedoni, në bazë të shumë raporteve ndërkombëtare, vazhdon të cilësohet i korruptuar dhe i pareformuar.

Prishtina kërkon epilogun e dialogut me Beogradin këtë vit

Ballkan 2017Samiti i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet më 17 maj në Sofje, rrezikon të shndërrohet në një dështim të madh për bllokun, derisa shtetet anëtare diskutojnë rreth asaj nëse takimi duhet të rezultojë me një deklaratë të përbashkët apo diçka më të vogël.

Drafti i parë i të ashtuquajturës “Deklarata e Samitit të Sofjes”, i krijuar nga 28 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe që është parë nga Radio Evropa e Lirë, ka qenë temë e diskutimit për ambasadorët evropianë fillimisht në fund të muajit mars.

Ndonëse deri më tash në draftin prej 13 paragrafëve ka shumë pak përmbajtje politike, është e qartë se pritjet nuk do të jenë të mëdha kur udhëheqësit evropianë të takohen me homologët e tyre nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, në takimin e tyre në kryeqytetin bullgar, pasi kanë kaluar më shumë se 15 vjet prej herës së fundit kur është mbajtur një samit i tillë.

Njëra prej pikave kryesore është prezenca e Kosovës në tavolinë, e cila përbën temë të diskutimit për pesë shtete të BE-së, siç janë, Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Dokumenti iu referohet vendeve të BE-së si shtete, ndërsa gjashtë të tjera si “partnere të Ballkanit Perëndimor”.

Bazuar në një diplomat të familjarizuar me bisedimet por që nuk ka pasur mundësi të flasë, është thënë se Spanja ashtu sikurse Qiproja, Greqia dhe Rumania nuk dëshirojnë që dokumentin ta cilësojnë si deklaratë dhe do të preferonin që të njëjten ta quajnë “Përfundimet e presidencës bullgare”, apo që vetëm të konsiderohet si deklaratë e nënshkruar nga shtetet e BE-së.

Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, ka dhënë shenja se mund të anashkalojë samitin me të gjitha palët në mënyrë të mos jetë pjesë e tavolinës së njëjtë ku do të jenë edhe përfaqësuesit e Kosovës.

Qasja e ashpër e Spanjës vjen si pasojë e referendumit në rajonin e Spanjës, Katalonjës në tetor të vitit 2017, të cilin Madridi e ka deklaruar joligjor.

Disa nga mosnjohësit janë po ashtu të pakënaqur me gjuhën e BE-së për zgjerim në këtë draft, në të cilin ceket se “BE-ja konfirmon mbështetjen e qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Rruga evropiane mbetet e bazuar në kritere dhe merita individuale”, duke pretenduar se takimi i muajit maj nuk do të jetë për zgjerimin e BE-së.

Shtetet e tjera që kanë më shumë prirje për atë që shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen BE-së, sikurse Austria, Kroacia dhe Italia, janë duke shtyrë përpara gjuhën ambicioze për të ruajtur deklaratat e samitit të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Thessaloniki më 2013, ku është thënë se të gjitha shtetet në rajon një ditë do të bëhen anëtare të BE-së.

Në paragrafë të tjerë të draftit përfshihen pjesë ashtu që “vendet partnere të Ballkanit Perëndimor njohin rëndësinë primare të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe të atyre që u përkasin minoriteteve. Zbatimi efektiv i këtyre reformave e ka bazën në këto parime”.

Duke përmendur disa çështje bilaterale në rajon, në dokument theksohet se të gjashtë shtetet “zotohen për përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore, stablitet rajonal dhe bashkëpunim.

Pavarësisht asaj se asnjë nga shtet nuk përmendet në tekst, duket se krijohet një referencë për Rusinë dhe Turqinë duke thënë se, “ne kemi vendosur për të luftuar së bashku tentimet e jashtme për dezinfomata, përmes një komunimimi strategjik e kibernetik”.

Një aneks i deklaratës është i bazuar në propozimin konkret për të rritur lidhjet në mes të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

Në mesin e sugjerimeve përmendet edhe kompletimi i rrjetit rajonal të energjisë elektrike në tërë Ballkanin Perëndimor, krijimi i strategjisë për hekurudha, lansimi i një agjende digjitale për Ballkanin Perëndimor që përfshin uljen e shpenzimeve të romingut dhe dyfishimin e financimit të programit Erasmus+, për shkëmbimin e studentëve.

Në këtë draft është përmendur mbështetja për projektin që lidh zonat bregdetare të Kroacisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe projektin Autostrada e Paqes që lidh Nishin me Prishtinën. (rel)

 

Qeveria gjermane kritike ndaj samitit të Ankarasë

rohani putin erdoganKritikë e fortë nga Berlini për samitin e presidentit turk, Erdogan me homologët Vladimir Putin e presidentin e Iranit, Rohani. “Një samit lufte”, tha ministri gjerman i Shtetit në Ministrinë e Jashtme, Niels Annen.

Ministri gjerman i Shtetit në Ministrinë e Jashtme, Niels Annen kritikoi samitin e Ankarasë. Të tre palët janë përfshirë ushatrakisht në luftën në Siri, por nga takimet e deritanishme të këtyre presidentëve jemi zhgënjyer, pasi nuk kanë kontribuar në një zgjidhje politike, tha Nils Ahnen. “Parë hollë ky është samit i luftës”, tha Annen.

Të mërkurën (04.04) presidenti Erdogan, Vladimir Putin dhe presidenti iranian, Hasan Rohani pritet të diskutojnë në samitin e Ankarasë për mënyrën e mëtejshme të veprimit në Siri. Gjendja humanitare, përpjekjet për një kushtetutë të re dhe zonat e përjashtuara nga konflikti janë temat kryesore të bisedimeve.

Palë të kundërta – gjuhë e zbutur

Para samitit të tre presidentëve, atij turk, iranian dhe presidentit rus, Erdogan është takuar më vete me presidentin iranian, Rohani. Më parë Erdogan ishte shprehur, se “jemi të një mendimi, se duam të vazhdojmë përpjekjet për një zgjidhje politike në Siri”. Ndërsa presidenti iranian, Rohani kishte theksuar se nuk ka zgjidhje ushtarake për Sirinë dhe se e ardhmja e Sirisë është vetëm tek zgjedhjet e lira demokratike.

Rusia dhe Turqia qëndrojnë në konfliktin e Sirisë në palë të kundërta. Ankaraja mbështet rebëlt, ndërsa Moska si Teherani presidentin, Bashar al-Asad. Ndikimi i këtyre tre vendeve me gjasë mund të rritet në Siri, ndërkohë që presidenti, Trump ka bërë të ditur fundin e shpejtë të misionit në Siri.

la/(afp, dpa)

Fillon puna në themelimin e Asociacionit të komunave serbe

thaci mogherini vucicLista Srpska i ka dhënë ultimatum qeverisë së Kosovës që deri me 20 prill të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ndryshe do të shpallte njëanshëm një asociacion. Në Prishtinë nisen hapat e parë…

Qeveria e Kosovës me mbështetje edhe të Presidentit Hashim Thaçi, riaktivizoi ekipin menaxherial, i cili do të bëjë draftimin e statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Riaktivizimi i këtij grupi punues bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Njoftimin e bëri të ditur kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili thotë se në këtë proces do të ketë përfshirje edhe të faktorit ndërkombëtar.

Përbërja e ekipit

“Draftimi i statutit do të jetë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, i cili do të përbëhet nga 3 mekanizma punues: Ekipi menaxhues, Komiteti zbatues si dhe Grupi nacional konsultativ, të cilët do të garantojnë përfshirje të gjithë spektrit politik, shoqërisë civile dhe mekanizmave të tjerë relevant të shoqërisë. Në këtë proces do të jenë të përfshirë edhe mekanizma ndërkombëtarë, të cilët e kanë ndihmuar Kosovën në të gjitha fazat dhe ky do të jetë një hap i rëndësishëm i Kosovës në rrugën e saj të integrimeve euro-atlantike”, thotë në njoftimin për medie kryeministri Ramush Haradinaj. Sipas tij, “drafti final i statutit, në fund të procesit bashkë me direktivën, do të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese, për t’u siguruar se është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Riaktivizimin e ekipit menaxherial, i cili do të bëjë draftimin e statutit për asociacionin e komunave me shumicë serbe, e përshëndeti Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili thotë se “Kosova është e përkushtuar për dialog dhe për të ndërtuar marrëdhënie të mira në mes të të gjitha komuniteteve në Kosovë”.

Presidenti i mirëpret vedimin

“E mirëpres gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që të bëjë funksional Ekipin Menaxhues për draftimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky është një hap tjetër i rëndësishëm i Kosovës në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare. Kosova është shembull i akomodimit të të gjitha komuniteteve dhe i promovimit të dialogut si mjet i vetëm për ndërtimin e paqes së qëndrueshme, në Kosovë dhe në rajon”, shprehet Presidenti Thaçi.

Krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe është tema me e debatueshme në dialogun Kosovë-Serbi që zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Serbia vazhdimisht akuzon Prishtinën zyrtare se nuk po përmbushë këtë pikë të marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Javën e shkuar lista Srpska që në kuvendin e Kosovës përfaqësohet me 10 deputetë, u largua nga qeveria e Kosovës, pasi që autoritetet e Prishtinës arrestuan dhe dëbuan shefin e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Duke marrë shkas për këtë arrestim, lista Srpska me mbështetjen edhe të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i dhanë ultimatum Prishtinës zyrtare, që deri më datën 20 prill, nëse nuk fillon puna në hartimin e statutit të asociaciont, atëherë ata do ta bëjnë në mënyrë të njëanshme.

Ultimatumi serb

“Asociacioni nuk është kundër askujt, por është institucion edhe i serbëve edhe i shqiptarëve edhe i goranëve edhe i romëve. Policia dhe forcat paqëruajtëse KFOR, duhet të ofrojnë sigurinë e çdo qytetari. Së bashku me shqiptarët do ta ruajmë qetësinë. Ne jemi për qetësi dhe paqe dhe dua të paraqes një porosi të presidentit Vuçiq se ai dhe shteti i Serbisë, nuk do të lejojnë që serbët të maltretohen apo vriten”, pati deklaruar Goran Rakiq, kryetar i listës Srpska. Sipas tij, statuti i Asociacionit, do të hartohet në bashkëpunim me Prishtinën dhe Beogradin, sipas Marrëveshjes së Brukselit të 19 prillit 2013, por ku nuk merret parasysh vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. E vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, parashikon që Asociacioni i komunave serbe mund të themelohet vetëm në bazë të kushtetutës së Kosovës e që këtij Asociacioni nuk i jepet autonomi.

Kundërshtimet e Asociacionit

 

Më e zëshmja kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është lëvizja Vetëvendosja. Kryetari i kësaj partie deputet në kuvendin e Kosovës, Albin Kurti, tashmë disa herë e ka përsëritur që ai është kundër dialogut me Beogradin për këtë temë, por jo kundër dialogut me serbët e Kosovës. “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë i akorduar në Bruksel në vitin 2013 është projektuar si një republikë serbe brenda në Kosovë, duke ndjekur shembullin e asaj në Bosnje-Hercegovinë. Për ne kjo është e papranueshme dhe këtë nuk do ta lejojmë që të ndodhë”, thotë Albin Kurti.

Faza e re e dialogut

Kosova dhe Serbia për më shumë se pesë vjet zhvillojnë dialog për normalizimin e marrëdhënieve. Të dy presidentët, ai i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tashmë janë dakorduar që të hyhet në një fazë të re të dialogut Kosovë-Serbi. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, tha sot në një konferencë për dialogun që po zhvillohet në Prishtinë, me temën “Skenarët e ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, se “shoqëria kosovare, ka një pajtim të gjerë që duhet kryer punët e papërfunduara në raportet me Serbinë.

“Përmbyllja e dialogut politik me Serbinë, me marrëveshjen ligjërisht obligative, është interes nacional i Kosovës, i cili nuk njeh vijat ndarëse qeveritare dhe opozitare. Në këtë proces, ne duhet të jemi të bashkuar për ta mbyllur këtë kapitull të rëndë dhe tragjik historik dhe për t’i hapur udhë Kosovës për të qenë shtet i barabartë me të gjitha shtetet e tjera në OKB, në BE, dhe në paktin NATO”, u shpreh Thaçi.

E për një marrëveshje finale me Kosovën ka folur edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke thënë se Serbia është e gatshme për kompromis me shqiptarët e Kosovës, ndërsa, më herët ka thënë se Gjermania insiston për një marrëveshje obligative me Kosovën.

“Gjermania insiston në marrëveshje juridikisht obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që nga viti 2008, por për të gjitha këto vite disa në Serbi kanë gënjyer se nuk është kështu”, është shprehur ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. (dw)

Kosovë: Parlamenti heton deportimin e gjashtë shtetasve turq

parlamenti ksKuvendi i Kosovës e ka mandatuar Komisionin Hetimor që të shqyrtojë përputhshmëritë e procedurave të ndjekura me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, lidhur me arrestimin dhe deportimin nga Kosova të gjashtë shtetasve turq.

Pas një seance të jashtëzakonshme dhe debateve të gjata deri në orët e mbrëmjes së ditës së mërkurë (04.04), Parlamenti i Kosovës me shumicë votash miratoi një rezolutë me të cilën do të formohet një komision hetimor parlamentar, për të ndriçuar rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova. Tre drejtuesit kryesorë të shtetit: presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit kanë deklaruar se nuk kanë pasur informacione për këtë operacion që u zhvillua me (29.03) nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Përbërja e rezolutës

-Formohet Komisioni Hetimor Parlamentar për ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq me datë 29 mars 2018.

-Kërkohet nga Grupet Parlamentare që brenda tre ditësh të dërgojnë në Kryesinë e Kuvendit emrat e përfaqësuesve të tyre në këtë Komision, në përputhje me Ligjin për Hetime Parlamentare

.

-Në funksion të ndriçimit të kësaj çështjeje, Kuvendi obligon të gjitha institucionet relevante që lidhen me çështjen në fjalë t’i përgjigjen kërkesave të Komisionit Hetimor

-Kuvendi mandaton Komisionin Hetimor të shqyrtojë përputhshmëritë e procedurave të ndjekura lidhur me këtë rast me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Gjashtë shtetasit turq me datën 29 mars u arrestuan në Kosovë dhe të njëjtën ditë u deportuan në Turqi. Ata ishin drejtues dhe profesorë në kolegjin “Mehmet Akif” në Kosovë, pjesë e rrjetit të shkollave “Gulistan”, të organizatës Feto, që në Turqi cilësohet organizatë “terroriste”.

Autoritetet kanë shkelur të drejtat e njeriut

Shumë organizata të shoqërisë civile në Kosovë që angazhohen për të drejtat e njeriut, thanë se gjashtë shtetasve turq u janë shkelur të drejtat dhe ata u deportuan në Turqi, pa ju dhënë e drejta e ankesës për heqjen e leje-qëndrimit në Kosovë. Një hetim për këtë rast e ka nisur edhe avokati i popullit, i cili tha për mediet lokale se, shqetësimet e tij kanë të bëjnë me “zbatimin e ligjeve vendore, përkatësisht ligjit për të huajt që në një vlerësim paraprak këto ligje nuk janë zbatuar”.

“Kemi hapur hetime në momentin kur kemi kuptuar që ata janë deportuar nga Kosova. Kjo është në kundërshtim të plotë me standardet ndërkombëtare që janë të zbatuesh

me në Kushtetutën e Kosovës. Kjo konsiderohet si një prej shkeljeve më të rënda që ka të bëjë me mbrojtjen nga keqtrajtimi, turpërimi, trajtimi ç’njerëzor dhe degradues që është neni 3 i Konventës Evropiane”, thotë avokati i popullit, Hilmi Jashari.

“Konventa Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj, saktëson qartë garancitë procedurale në lidhje me dëbimin e të huajve. Në kuptim të nenit 3, nenit 6, nenit 8 dhe nenit 13 të KEDNJ-së, ashtu siç edhe Parimit themelor të mos-kthimit, sipas Konventës për Refugjatë të vitit 1951, përgjegjësia bie tek autoritetet shtetërore kompetente lidhur me situatën e krijuar”, thuhet në një njoftim të avokatit të popullit.

Akuzat mes Erdoganit dhe Haradinajt

Deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova dhe dorëzimi tek autoritetet e Turqisë, për të cilin veprim pasi e mori vesh nga mediet, ishte kundër kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj. Menjëherë ka reaguar edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili kërcënoi kryeministrin Ramush Haradinaj. “Haradinaj do ta paguajë”, tha Erdogan, pas vendimit të kryeministrit Haradinaj  që ta shkarkojë ministrin e Brendshëm dhe shefin e AKI.

Gjashtë shtetasit turq akuzohen nga autoritetet turke për “terrorizëm”, si pjesëtarë të organizatës që drejtohet nga kleriku Fetullah Gylen, i strehuar në SHBA-së. E Ramush Haradinaj në kundërpërgjigjen e tij për Presidentin Erdogan, tha se “Kosova nuk ka hyrë në asnjë punë të brendshme të Turqisë”.

“Për ata që nga larg na gjykojnë dua t’u them se nuk na njohin, ju mungon njohja për shqiptarët në trojet e tyre, në atdheun e tyre. Bëjnë mirë të na njohin, sepse kur na njohin e dinë mirë se nuk është në traditën tonë me hy në punët e shtëpisë së dikujt tjetër”, tha Haradinaj. Ai shtoi se “Kosova dhe unë nuk kemi hyrë në asnjë punë të brendshme të Republikës së Turqisë. E punët tona të shtëpisë nuk do t’i bëjë kurrë askush në emër tonë në Kosovë, do t’i bëjmë vetëm ne, atëherë kur i bëjmë”.

Arrestime edhe në vendet tjera?

Agjencia gjermane e lajmeve DPA, shkruan se “Qeveria e Turqisë është zotuar se do të kryejë operacione tjera jashtë territorit të saj, për të sjellë në Turqi mbështetësit e klerikut fetar Gulen, të cilin Ankaraja zyrtare e akuzon për përpjekjen për grushtshtet në Turqi në gusht të vitit 2016. Bekir Bozdag, zëvendëskryeministër turk, ka thënë madje se  “Shërbimi kombëtar i inteligjencës turke deri tash ka kapur 80 anëtarë të FETO-s në 18 vende dhe i ka sjellë ata në Turqi”. Por ai nuk ka dashur të saktësoj në cilat vende ka qenë aktiv shërbimi sekret turk. Më pas zëdhënësi i Erdoganit, Ibrahim Kalin, tha se Turqia nuk është përfshirë në asnjë aktivitet ilegal jashtë vendit. Në Kosovë për shembull, sipas tij, kthimi i personave me shtetësi turke është bërë në marrëveshje me autoritetet lokale. Dhe pikërisht sqarimi i veprimit të autoriteteve vendore duhet të jetë detyra kryesore e Komisionit hetimor parlamentar. (dw)

Financimi partiak në Shqipëri – xhungla gati e padepërtueshme

euroPartitë e një prej vendeve më të varfra të Europës paguajnë shuma të majme për lobing. Transparenca e financimit të tyre mund të quhet dështimi më i dëshiruar në politikën shqiptare. KQZ mbetet një tigër pa dhëmbë.

Lajmi i publikuar nga revista amerikane “Mother Jones” ishte një bombë politike në Shqipëri. Sipas kësaj reviste, në favor të një fushate lobimi për Partinë Demokratike e të kryer nga Nick Muzin Company janë paguar qindra mijëra dollarë nga një firmë hije Biniatta Trade. Partia Demokratike e kundërshtoi ashpër artikullin. Ajo pranon kontratën me Nick Muzin, por thekson se pagesa e saj ka qenë vetëm 25.000 dollarë në muaj.

E mbetur pezull

Demokratët akuzojnë kundërshtarin politik për fushatë shpifjeje kundër PD-së. Por Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla nuk e pranon këtë. Afera e parave prek edhe sigurinë kombëtare, thotë ai për Deutsche Wellen. “Kjo çështje është një çështje që prek sigurinë kombëtare të Shqipërisë, po të kemi parasysh edhe një prirje të kahershme të Rusisë për të shtrirë ndikimin e saj. Ndoshta Shqipëria dukej i vetmi vend imun deri më tani.”

Një aferë me lëndë shpërthyese, po të kujtosh se tradicionalisht shqiptarët nuk e kanë parë si ndonjë vend-mik të veçantë Rusinë, përjashto kohën e miqësisë me sovjetikët në kohën e diktaturës. Po fusin hundët rusët edhe në Shqipëri? Politologu Afrim Krasniqi thekson se në Shqipëri “pranohet gjerësisht se asnjë parti politike shqiptare nuk përfaqëson ndikim rus në politikë.” Efekti i kësaj afere është më shumë politik, thotë ai. Për momentin çështja e burimeve financiare për fushatën lobuese të PD-së ka mbetur pezull, por edhe e pazbardhur përfundimisht.

Shuma luksoze që tejkalojnë buxhetin e shtetit

Ndërkohë që furtuna e ngritur për burime të pasqaruara financimesh duhet të ishte kthyer në një uragan të vërtetë derisa opinioni publik shqiptar të dijë se si e nga kush financohen partitë politike, të cilave votuesi u jep votën? Por heshtja flet nganjëherë më shumë. Dihet se transparenca e financimit të partive politike është një problematikë e vjetër në Shqipëri, një problematikë realisht gjithmonë e dështuar.

Prej vitesh partitë politike japin shuma luksoze për të lobuar jashtë apo për të organizuar fushata e mitingje që në një vend të varfër si Shqipëria tingëllojnë më shumë si tallje për njerëzit në nevojë. Rreth 2 milionë euro dhanë tre partitë kryesore politike për lobim në SHBA në vitet e fundit, sipas Institutit të Studimeve Politike në Shqipëri. Ndërkohë buxheti i shtetit shqiptar jep mesatarisht (sipas vitit zgjedhor) rreth 2 milionë dollarë (rreth 1,6 milionë euro) për të gjitha partitë politike në Shqipëri. Nga vijnë kaq shumë para?

Drejtori i Institutit për Studime Politike, Afrim Krasniqi, që e vëzhgon prej vitesh këtë problem, konstaton një sistem klientelist dhe abuzues.”Formalisht partitë i deklarojnë financimet e shpenzimet, por pa dhënë detaje mbi pagesat. Shifrat e deklarimit jashtë sistemit (pa transparencë e deklarim të rregullt në KQZ) janë shumëfish më të mëdha.”

Mungesa e transparencës së financimit – problem rajonal

Një problem që nuk prek vetëm Shqipërinë. Johanna Deimel, eksperte në Shoqatën e Europës Juglindore thekson për DW se është shumë e vështirë t’ia gjesh burimin fluksit të parave që hyjnë tek partitë e vendeve të Ballkanit. “Problemi i financimeve të fshehura apo ilegale të partive dhe mungesa e transparencës bën pjesë ndër problemet kryesore në rajon. Paratë rrjedhin ose drejt e tek politikanët apo partitë, ose jo drejtpërdrejt përmes kanaleve të tjera, si financimi i mediave përkrahëse apo firmave të rëndësishme e besnike.”

KQZ- Tigër pa dhëmbë

Institucioni më i rëndësishëm i kontrollit për partitë politike në Shqipëri është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Por ai i ngjason më shumë një tigri pa dhëmbë. E si mund të jetë ndryshe, kur anëtarët e tij përcaktohen nga partitë proporcionalisht, e më pas ky komision emëron auditët, që do të kontrollojnë partitë. E kush e kafshon dorën që e ushqen?

Partitë bëjnë sikur kontrollojnë veten, por realisht krijohet një qark i mbyllur. Kushte më të favorshme për të vazhduar lojën e vjetër kukafshehthi të financimeve zor se gjen. Politologu Afrim Krasniqi, i cili ka ndjekur edhe raste kur deputetë shqiptarë flisnin hapur për qindra mijëra euro të paguara për partitë, pa asnjë pasojë konkrete, është mjaft kritik. “Arsyeja kryesore e kësaj gjendjeje është konsesusi politik për të evituar transparencën financiare për shkak të shpenzimeve të larta që kanë fushatat elektorale dhe tregut informal që funksionon në këto fushata.”

Problemet i pranoi edhe kryetari i KQZ-së, Klement Zguri para Komisionit Parlamentar të Ligjeve para disa ditësh. “Partitë politike në njëfarë mënyre tentojnë për të fshehur, ndërkohë që institucioni do të kërkojë transparencë…do të kemi punë.”

“Baza ligjore është gjysmake”

Kush kërkon transparencë duhet t’i drejtohet ligjit, mund të thotë dikush. Por partive shqiptare duket sikur u vjen në ndihmë edhe ligji. “Baza ligjore është gjysmake, e bazuar në verifikimin formal të deklaratës e pa forcë konkrete verifikimi në burimin e financimit, legjitimitetin e financimit he konfliktet e interesit”, kritikon Afrim Krasniqi.

Edhe OSBE pranon problemet me legjislacionin në një prononcim për Deutsche Wellen, ku theksohet se në legjislacion ka ende boshllëqe që duhen plotësuar. “Ligji nuk garanton transparencë të mjaftueshme për raportimin e financimit të fushatave, pasi nuk imponon detyrime raportimi para ditës së zgjedhjeve.” OSBE kërkon që “KQZ-kja, ekspertët financiarë dhe votuesit duhet të kenë akses në informacion të plotë rreth financimit. Financimet e partive politike duhet të dalin në dritë, që qytetarët shqiptarë të informohen se kush financon dhe kush influencon në skenën politike të vendit të tyre.”

Kërkesë e drejtë por që në Shqipëri tingëllon si një ëndërr e largët, aq larg sa ç’duket për momentin edhe anëtarësimi në BE. Sepse pa hyrë drita në xhunglën e financimeve të partive shqiptare, që publiku të ketë siguri se aty nuk kanë dorë grupet kriminale, BE do ta mbajë Shqipërinë tek pragu, por nuk do ta fusë brenda. (dw)

OSBE shton ndihmën Shqipërisë kundër radikalizmit dhe ekstremizmit

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Europian zhvilloi sot në Tiranë konferencën për parandalimin dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, që çojnë në terrorizëm në institucionet e privimit të lirisë dhe shërbimit të provës në Shqipëri.

Drejtuesi i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt tha se prania e ekstremistëve islamikë radikalë në burgje është problem, me të cilin po ndeshen shumë prej shteteve anëtare të OSBE-së.

Sipas ekspertëve, rreziku i prekjes së të burgosurve të zakonshëm nga radikalizmi është i lartë, sepse burgjet janë vendi i parë i radikalizimit.

Ambasadori Boshardt tha se të burgosurit gjenden në situata acaruese, në monotoni dhe ua hedhin fajin të tjerëve, ndaj ata bien lehtësisht pre e radikalizmit.

“Radikalët pretendojnë se Perëndimi është në luftë me botën myslimane, se myslimanët nuk kanë vend në shoqëritë perëndimore, ndaj ata i hyjnë botës së krimit, ata pretendojnë se shteti laik nuk mund t’i dënojë, i vetmi që mund ta bëjë këtë është Zoti” – tha zoti Borchardt.

Radikalët, shpjegoi ai, përkundër kësaj, ofrojnë edhe alternativa: aventurat e xhihadit apo kënaqësitë e parajsës për martirët apo thjesht ndjesinë i të qenit i pushtetshëm.

“Në Shqipëri ekstremizmi radikal është i kufizuar, por problemi ekziston. Shifrat po rriten me të kthyerit nga e ashtuquajtura “luftë e shenjtë” dhe pritet që ata t’u qëndrojnë bindjeve të tyre” – tha ai.

OSBE po e ndihmon Shqipërinë në këtë proces, duke sjellë praktikat më të mira ndërkombëtare si të identifikojë ekstremistët në burgje dhe personat në rrezik.

Pas trajnimit të mbi 100 punonjësve të burgjeve, ata po përpiqen të bëjnë për vete sa më shumë radikalë që të jetë e mundur, duke u shpjeguar të dënuarve në rrezik se si radikalët i joshin të tjerët për t’i shfrytëzuar më pas. Edhe klerikët mund të qëndrojnë më pranë tyre, pohojnë ekspertët.

Mes shumë vendeve të tjera, edhe Shqipëria ka hartuar Strategji Kombëtare dhe Plan Veprimi si duhet luftuar ekstremizmi i dhunshëm.

Shqipëria po ashtu ka krijuar Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhjetorin e kaluar dhe ka marrë mbështetje për mirëfunksionimin e saj. (voa)

Fëmijët nuk mësojnë më shpejt se të rriturit

degjimi mesimiFranca vendos arsimin e detyrueshëm për trevjeçarët. Por a është ky fillim i hershëm vërtetë më i mirë për fëmijët? Dhe a mësojnë ata më shpejt se të rriturit?

Fati i Francës varet nga sistemi arsimor, thotë Presidenti Macron. Prandaj duke nisur nga muaji shtator arsimi parashkollor do të jetë i detyrueshme për të gjithë fëmijët. Në vend që detyrimi shkollor të nisë nga mosha gjashtë vjeçare, fëmijët francezë duhet të shkojnë tani në shkollë që nga mosha tre vjeçare. Sistemi parashkollor është mjaft i preferuar në Francë dhe rreth 97 për qind e të gjithë fëmijëve marrin pjesë në të edhe pa detyrim. Megjithatë për shkak se presidenti Macron ka frikë se tre përqind që nuk shkojnë janë kryesisht fëmijë nga familjet e pafavorizuara, sistemi parashkollor do të bëhet i detyrueshëm dhe duke nisur nga muaji shtator edhe ushqimi në shkolla do të jetë falas.

Avantazh për Francën, por mirë edhe për fëmijët?

Ndoshta arsimi i hershëm me detyrueshëm është një avantazh për Francën, por a është i mirë edhe për fëmijët? Jo, thotë prof. Brigitte Rollett, sepse fëmijët nuk mund të mësojnë kaq shpejt sa të rriturit. Sidomos tek trevjeçarët nuk janë zhvilluar mirë të gjitha sektorët e trurit, si psh. dallimi majtas-djathtas.

Kjo vlen edhe për gjuhët, sepse në tru ka dy qendra për gjuhën lidhja mes të cilave bëhet e qëndrueshme me kalimin e kohës. E vetmja gjë që fëmijët e mësojnë më mirë dhe më shpejt se të rriturit, thotë psikologia Brigitte Rollett është shqiptimi i saktë. Kur fëmijët mësojnë një gjuhë të huaj, ata tingëllojnë shpesh si ta kenë gjuhën e nënës, ndërsa për të rriturit kjo është më e vështirë.

Njeriu mund të mësojë në çdo moshë

Eksperimentet neurologjike kanë treguar se truri i njeriut mund të zhvillohet dhe njerëzit mund të mësojnë në çdo moshë. P.sh. tek shoferët e taksive në Londër neurologët konstatuan në vitin 2011 se pas katër vjetësh në profesion zona e e tyre e trurit përgjegjëse për orientimin ishte më e madhe se sa ajo e qytetarëve të zakonshëm. Pra nevoja dhe stërvitja e vazhdueshme për t’u orientuar në rrugët e Londrës çoi në një ndryshim të strukturës së trurit të shoferëve të taksive. Ky është një zbulim tepër i rëndësishëm, sepse tregoi se edhe të rriturit mund të mësojnë.

Në kopsht po, por në bankat e shkollës ….

Sipas psikologes Brigitte Rollett kopshti është shumë i rëndësishëm për fëmijët, sepse ata mësojnë aty aftësi si të sillen në shoqëri dhe si të kooperojnë. Po ashtu shumë mirë është që ata të mësojnë përmes lojërave edhe si të numërojnë apo të shkruajnë dhe të lexojnë. Por këto duhen bërë në përgjigje të moshës.

Nga ana tjetër në qoftë se fëmijët i detyron tepër herët, pra para moshës 6-vjeçare, që të fillojnë të mësojnë me strukturë dhe t’u kërkosh llogari në bankat e shkollës, ata mund të humbasin motivimin dhe të ndihen të mbingarkuar. Fëmijët janë tepër të ndryshëm. Ka të tillë që dinë të mbledhin e të zbresin që në moshën 3-vjeçare, por ka të tjerë që në këtë moshë fillojnë të mësojnë dallimin shumë dhe pak. (dw)

Opozita maqedonase kthehet në Parlament

Hristijan Mickoski VMROPas më shumë se tre muaj të bojkotimit të parlamentit, VMRO-DPMNE-ja opozitare kthehet në punimet e seancave të Parlamentit të Maqedonisë. Zoran Zaev Optimist për dialogun me opozitën

“Morëm vendimin që të marrim pjesë në punimet e Parlamentit që të luftojmë për çdo propozim që është në dobi të qytetarëve dhe të kundërshtojmë çdo masë të dëmshme dhe politikën antishtetërore që është duke u zbatuar nga shumica parlamentare”, ka thënë lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski duke deklaruar kthimin në parlament. Disa herë ishin kthyer deputetët e VMRO-DPMNE-së në seancat e parlamentit për të penguar miratimin e ligjeve të caktuara, siç ishte rasti me ligjin për përdorimin e gjuhëve, për të cilin parashtruan mbi 35 mijë amendamente, të cilat bllokuan punën e parlamentit.

Kërkesat e opozitës

Por kthimin në Parlament VMRO-DPMNE-ja e kushtëzon me disa kërkesa politike, para se gjithash me vendosjen në rend dite votëbesimin e Qeverisë. “Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së do të iniciojë votimin e mosbesimit të qeverisë, pasi nga ajo që kemi parë deri më tani bëhet fjalë për një qeveri me humbje të kredibilitetit. Deputetët e VMRO-së në detaje do të argumentojnë këtë qëndrim lidhur me qeverinë arrogante dhe anti-shtetërore që duhet të largohet sa më parë”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski. Ai ka kërkuar sa më shpejt largimin e qeverisë. Po ashtu kjo parti i ka dërguar LSDM-së edhe një listë me kërkesa të tjera, të cilat pritet të publikohen gjatë javës.

Ligjet që kanë mbetur pa u miratuar, e që kërkojnë dy të tretat e votave, kanë të bëjnë me gjyqësorin, reformat në polici dhe shërbimet e inteligjencës, për zgjedhjet e organeve drejtuese të transmetuesit publik, agjencisë së medieve dhe ligje tjera në sferën sociale dhe administratën publike.

Analistët: Kthimi i VMRO-së përshpejton proceset reformuese

Analistët vlerësojnë se kthimi i VMRO-DPMNE-së në Parlament do të përshpejtojë proceset reformuese të domosdoshme për Maqedoninë drejt anëtarësimit në BE. Albert Musliu nga “Asociacioni për Iniciativa Demokratike” vlerëson se me kthimin e opozitës maqedonase në Parlament nuk pritet të përsëriten bllokimet e seancave siç ka ndodhur në të kaluarën. “Nuk besoj se për ligjet që dalin nga reformat urgjente prioritare të ketë filibustering, (diskutime  pa fund). Parlamenti është skenë për promovimin e opozitës dhe qëndrimeve të saj, gjithsesi se do të ketë debate të nxehta, por nuk besoj se do të përsëritet bllokimi i punës.”

Ndërsa opinionisti Sasho Ordanovski thotë se kthimi i VMRO-së në Kuvend, do t’i ndihmojë shtetit demokratik, që në mënyrë më të relaksuar dhe urgjente, të merret me rastet gjyqësore, për të cilat opinioni pret përgjigje. “Kjo për VMRO-në në fakt do të thotë fillim i eliminimit nga partia të “kriminelëve” të Familjes. Do të jetë një rrugë e gjatë dhe e lodhshme, por nga diku duhet të fillohet. Në muajt e ardhshëm në fakt, do të shihet nëse kryetari i VMRO-DPMNE-së Mickovski, do të arrijë të mbijetojë politikisht, nëse ish- krerët e partisë përfundojnë në burg”, thotë opinionisti Sasho Ordanovski.

Zaev: Optimist për dialogun me opozitën

Kthimi i opozitës në Kuvend do të kontribuojë për funksionimin e demokracisë, mendon kryeministri Zoran Zaev. Ai e përshëndeti vendimin e Mickovskit, që t’i kthejë deputetët e tij në Kuvend për të marrë pjesë në debat. Zaev vlerëson se dialogu me opozitën është duke ecur në drejtim të mirë.

“Dialogu me opozitën në të vërtetë po lëviz pozitivisht.Grupet punuese po punojnë dhe për një pjesë të madhe të ligjeve reformuese është gjetur gjuhë e përbashkët që të mos them të gjitha. Kjo do të thotë se pritjet janë që deri më 17 prill, kur edhe do të vijë raporti për Maqedoninë, t’i votojmë këto ligje në Parlament” , shprehet kryeministri Zoran Zaev. VMRO-DPMNE-ja e kishte bojkotuar punën e Parlamentit të Maqedonisë që nga 13 dhjetori i 2017-s si shenjë revolte ndaj arrestimit të deputetëve të saj për sulmet e 27-prillit të 2017-s në parlament. (dw)

Kina rrit tarifat ndaj importeve nga SHBA

KinaKina ka rritur me 25 për qind taksat ndaj importeve amerikane, për produkte ushqimore, si mishi i derrit, frutat e mallra të tjerë, duke e çuar totalin e taksave në 3 miliardë dollarë.

Tarifat që hynë në fuqi sot, i bëri të njohura Ministria e Financave e Kinës, përmes një deklarate, ku thuhej se ky vendim ishte përgjigje ndaj rritjes së menjëhershme të tarifave amerikane ndaj çelikut dhe aluminit kinez, që hynë në fuqi më 23 mars. Kina e publikoi listën e mallrave amerikanë që do të preknin tarifat e reja po atë ditë.

Ministria e Tregtisë e Kinsë tha përmes një deklarate sot, se po i pezullonte detyrimet ndaj Organizatës Borëtore të Tregtisë, për pakësimin e tarifave ndaj 120 mallrave amerikanë, mes tyre frutat dhe gazi etanol. Taksat e importit ndaj këtyre produkteve do të rriten edhe me 15 për qind të tjera.

Tarifat e reja kineze vijnë si një veprim hakmarrës, pas shkallëzimit të mëtejshëm të tensioneve tregtare mes Pekinit dhe Washingtonit.

Analistët e ekonomisë thonë se nuk ka për të patur ndikime të menjëhershme nga tarifat e reja, por investitorët druhen se grindjet tregtare mes të dy vendeve mund të dëmtojnë tregtinë botërore dhe për rrjedhojë, edhe rritjen ekonomike.

Ndërkohë, Presidenti Donald Trump po përgatitet që vendosë tarifa me vlerën e 50 miliardë dollarëve ndaj mallrave kineze, si ndëshkim ndaj Pekinit, për akuzat se Kina ka kryer vjedhje intelektuale ndaj Amerikës, një akuzë që Pekini e mohon. (voa)