Kosovë-Serbi, Hahn: Çdo marrëveshje t’i shërbejë stabilitetit

durresNë Shqipëri, komisioneri europian për Zgjerimin Johannes Hahn tha sot se çdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të vërë në rrezik stabilitetin e rajonit të Ballkanit. Ai i bëri këto komente në përfundim të takimit të drejtuesve të qeverive të vendit të Ballkanit të mbajtur sot në Durrës. Nga ana e tij kryeministri Ramush Haradinaj u shpreh se Kosova i ka kufijtë e saj dhe ato duhen respektuar.

Në debatin e hapur lidhur me mundësinë e korrigjimit apo rishikimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë si pjesë e një marrëveshjeje që do t’i jepte zgjidhje problemeve mes dy vendeve, komisioneri europian për Zgjerimin Johannes Hahn shmangu komentet e drejtpërdrejta. Ai u shpreh se për Bashkimin Europian “ ka vlerë stabiliteti në rajon dhe duhet të mbajmë parasysh se çdo lloj marrëveshje dypalëshe nuk duhet të rrezikojë stabilitetin e rajonit, por duhet të kontribuojë për më shumë stabilitet. Cilido qoftë objektivi përfundimtar, ky duhet të jetë objektivi kyç, sa më shumë stabilitet për rajonin, duke zgjidhur mirëfilli konfliktet dypalëshe”, tha zoti Hahn, ndërsa kujtoi se siç parashikon dhe strategjia e Bashkimit europan për Ballkanin Perëndimor “nuk do të pranohet asnjë anëtar i ri nëse nuk janë zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe”.

Por me herët, gjatë konferencës për shtyp në përfundim të takimit informal mes kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kreu i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, përsëriti qëndrimin e tij kundër, ndërsa tha se Kosova i ka tashmë kufijtë e saj me Shqipërinë, Malin e zi, Serbinë dhe Maqedoninë. “Ne i respektojmë këto kufij dhe nuk mendoj se duhet ndonjë kreativitet i ri për rishikim të tyre, por duhet të respektojmë kufijtë që kemi”, u shpreh kryeministri i Kosovës.

Deklarata e zotit Haradinaj ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë e komenteve të bëra dje gjatë Forumit të Alpbachut në Austri nga presidenti Hashim Thaci sipas të cilit ai dhe homologu i tij serb Aleksandër Vuçiç kanë vendosur të shqyrtojnë çdo mundësi “për të gjetur zgjidhje kreative dhe për të arritur një marrëveshje të pranuar reciprokisht”, duke siguruar “shtetet fqinje, shtetet anëtare të BE-së apo shtete të tjera të botës se nuk duhet të kenë frikë nga një marrëveshje potenciale paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe nëse një marrëveshje e tillë nënkupton një korrigjim të kufirit”

Në këtë debat që vlon prej javësh, Shqipëria nuk ka ndërhyrë. Edhe sot kryeministri Edi Rama, pyetjes mbi qëndrimin e Tiranës u mjaftua t’i përgjigjej duke thënë se mbështeste qëndrimin e shprehur nga komisioneri Hahn.

Takimi i sotëm në Durrës kishte si synim të bënte një analizë të ecurisë së proceseve të bashkëpunimit rajonal të ndërmarra nga vendet e Ballkanit dhe në kuadër të Procesit të Berlinit. Gjysma e kryministrave të ftuar nuk morrën pjesë. Kreu I qeverisë së Bullgarisë për shkak të shpalljes ditë zie kombëtare për një aksident tragjik të ndodhur ne vendin e tij, ai Maqedonisë Zoran Zaev për shkak të kushteve të këqija të motit që penguan fluturimin, ndërsa kryeministrja serbe kishte kërkuar ndjesë për pamundësinë e pjesmarrjes. Megjithatë kryeministri Rama foli për një takim të frytshëm, gjatë të cilit ishte bërë një bilanc i procesit të krijimit të zonës rajonale ekonomike, duke parë me radhë të gjitha aspektet e këtij procesi, qoftë cfarë ka ecur si duhet, qoftë cka nevojë për një shtysë më të fortë. Gjatë takimit, siç shpjegoi zoti Rama, ishte diskutuar më gjerësisht edhe për marrëdhëniet dhe ecurinë e përbashkët në rrugën e anëtarësimit në BE, të vendeve të rajonit. (voa)

Maqedonia do t’i kthejë 70 milionë euro Këshillit të Evropës

KESHILLI-I-EVROPESShteti do të kthejë 70 milionë euro në bankën e Këshillit të Evropës, të cilat ishin dedikuar për ndërtimin e Qendrës klinike në Shkup.

Deri më shtator së bashku me këtë institucion dhe ekspertët nga Komisioni Evropian do të filloj për gjetjen e zgjidhjes për Qendrën e Klinikës e cila do të japë shërbime shëndetësore të kohës në një vend.

Kjo u tha në seancën e sotme të kuvendit për financim dhe buxhet, nga ministri për financa, Dragan Tevdovski i cili tha se parat do të kthehen pa paguar shteti penalti ose mjete shtesë.

Ai tha se marrëveshja është nënshkruar për 97 milionë euro nga të cilat 70 për Qendrën Klinike në Shkup të cilat do të kthehen, ndërsa 27 milionë euro janë për spitalin klinikë në Shtip, dhe ky projekt do të realizohet. /Telegrafi/

Vaji i falsifikuar në treg, gjenden disa punishte që mashtronin me përbërjen

aku“Top Channel faktoi gjatë këtyre ditëve mashtrimin që bëjnë prodhuesit e vajit të ullirit, duke shitur një përzierje industriale që nuk ka lidhje me ullirin.

Investigimi ynë ka nxitur së fundmi edhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, i cili gjobiti katër prodhues vaji në Tiranë dhe Vlorë, pasi tregtonin vaj të falsifikuar të ullirit.

Ndaj subjekteve Saranda al. Jolant shpk, O dhe B, Ylli Saraçi dhe Leart Iljazi, Qeparo, AKU u ka sekuestruar vajin jo cilësor të ullirit, si dhe ka vendosur masa administrative prej 4 milionë lekësh.

Ndërkohë çdo markë në treg si vaj ulliri është duke u analizuar nga AKU për të gjetur se kush tjetër mashtron me prodhimet. Vaji i ullirit Qeparo prodhohej në Sukth të Durrësit dhe në tetor të 2017-ës, AKU ka konstatuar që subjekti në fjalë nuk kishte licencë për ushtrimin e veprimtarisë së tij përpunuese.

Dhe vaji i ullirit që tregtohej në markën Qeparo, loti Sukth, në bazë të analizave laboratorike ishte një përzierë më lëndë të huaja. Më pas çështja ka kaluar në prokurorinë e rrethit të Durrësit, ku administratori Fatmir Drabo është deklaruar fajtor dhe është dënuar penalisht me gjobë.

Por vaji i ullirit Qeparo, rishfaqet përsëri tek konsumatori në mars të 2018-ës. AKU gjatë inspektimit dhe rezultatit të analizave laboratorike konstatoi që vaji i Ullirit Qeparo, nuk është vaji ulliri, për këtë arsye ai është rigjobitur dhe investigimi ndaj këtij subjektit vazhdon nga autoritet përkatëse.

Top Channel

McCain, letër lamtumire

McCainLETËR LAMTUMIRE

Senatori John McCain, i cili vdiq të shtunën në moshën 81-vjeçare nga kanceri në tru, ka lënë një letër lamtumire për bashkëkombasit e tij.

“Jetova dhe u largova nga jeta si një amerikan krenar,” shkruan McCain.

“Ne e dobësojmë madhështinë tonë kur ngatërrojmë patriotizmin tonë me rivalitetet klanore që kanë mbjellë armiqësi, urrejtje dhe dhunë në të gjitha anët e globit. Ne e dobësojmë atë kur fshihemi prapa mureve, në vend që t’i rrëzojmë ato, kur dyshojmë në fuqinë e idealeve tona, në vend që t’u besojmë atyre si forcë e madhe për ndryshim, ashtu siç kanë qenë gjithmonë,” thuhet në letër.

“Ne jemi treqind e njëzet e pesë milionë individë, secili me mendimin e vet dhe që debatojmë zhurmshëm. Ne zihemi dhe konkurojmë madje nganjëherë fyejmë njëri-tjetrin në debatet tona të ashpra publike. Por gjithnjë kemi pasur shumë më tepër gjëra të përbashkëta me njëri-tjetrin sesa mosmarrëveshje. Nëse e ngulisim këtë në mendje dhe i japim njëri-tjetrit të kuptojë se ne të gjithë e duam vendin tonë, atëherë do të arrijmë t’i kapërcejmë këto momente sfidash dhe do të dalim prej tyre më të fortë se më parë, ashtu si gjithmonë.”

“Mos e humbni shpresën nga vështirësitë e tanishme, por besoni gjithmonë në premtimin dhe madhështinë e Amerikës, sepse këtu asgjë nuk është e pashmangshme. Amerikanët kurrë nuk largohen nga gara. Ne kurrë nuk dorëzohemi. Kurrë nuk i fshihemi historisë. Ne bëjmë histori.”

“Lamtumirë, vëllezër amerikanë. Zoti ju bekoftë dhe Zoti e bekoftë Amerikën”, përfundon letra e Senatorit McCain.

FLAMURI MBI SHTËPINË E BARDHË

Flamuri mbi Shtëpinë e Bardhë, i cili u ul gjatë fundjavës në gjysmë shtizë si shenjë respekti për senatorin John McCain, u ngrit përsëri i plotë, por të hënën pasdite u ul përsëri.

Ngritja e flamurit mbi Shtëpinë e Bardhë u prit me kritika nga e majta dhe e djathta, duke përfshirë organizatën e veteranëve American Legion.

Ndërkohë, flamuri në selinë e Kongresit vazhdon të jetë në gjysmë shtizë për nder të senatorit të Arizonës.

Presidenti Donald Trump ka shprehur ngushëllimet e tij në Twitter për familjen e senatorit McCain, por deri të hënën pasdite nuk kishte lëshuar një proklamatë për nder të tij.

Të hënën pasdite ai lëshoi një deklaratë ku thoshte: “Megjithë mosmarrëveshjet tona politike, unë e respektoj shërbimin që Senatori John McCain i ka bërë vendit dhe për nder të tij kam nënshkruar një proklamatë për të ulur flamurin amerikan në gjysmë shtize deri në varrimin e tij. I kam kërkuar nënpresidentit Mike Pence të mbajë një fjalim në ceremoninë për nder të senatorit McCain në ndërtesën e Kapitolit të premten”.

Presidenti Trump dhe Senatori McCain kanë shkëmbyer prej kohe kritika mes tyre.

Kodi i Flamurit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkon që flamujt të ulen “në ditën e vdekjes dhe të nesërmen e asaj dite për një anëtar të Kongresit.”

Megjithatë, sipas një tradite të hershme, për njerëzit me kontribut të shquar për vendin, flamuri qendron i ulur deri në varrimin e tyre.

Në vitin 2009, pas vdekjes së Senatorit demokrat Ted Kennedy, Presidenti Barak Obama urdhëroi uljen në gjysmë shtize të flamujve në ndërtesat qeveritare, të cilët qëndruan ulur për disa ditë.

Presidenti Trump nuk iu përgjigj gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë kur u pyet nëse e konsideronte senatorin e ndjerë një hero.

CEREMONI NË ARIZONA DHE UASHINGTON

Senatori John McCain, i cili vdiq të shtunën pas një beteje të gjatë me kancerin e trurit, do të nderohet me ceremoni në Arizona dhe Uashington.

Trupi i tij do të vendoset së pari në kapitolin e shtetit të Arizonës, ku të mërkurën do të mbahet një ceremoni private, me rastin e 82-vjetorit të ditëlindjes.

Të enjten, në një kishë baptiste të qytetit Feniks do të mbahet një shërbim përkujtimor privat me pjesmarrjen e publikut.

Në Uashington, ku flamujt në institucionet e ndryshme janë ngritur në gjysmë shtizë, trupi i senatorit McCain do të vendoset të premten në ndërtesën e Kapitolit, ku njerëzit do të bëjnë homazhe.

McCain do të jetë senatori i 13-të amerikan, trupi i të cilit nderohet në sallën rrethore të Kapitolit, një nder që u rezervohet “qytetarëve më të shquar” të vendit, sipas zyrtarëve të Kapitolit.

Të shtunën në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit do të mbahet një shërbim përkujtimor, ku do të flasin ish-presidentët Barak Obama dhe Xhorxh W. Bush.

Senatori McCain do të prehet në Varrezat e Akademisë Detare në Anapolis të shtetit Marilend, pranë mikut më të ngushtë që ai kishte gjatë viteve të Akademisë detare, Admiralit Chuck Larson.

Thaçi dhe Vuçiq flasin së bashku për “korrigjim të mundshëm territori”

Alpbach konference shtypiNë Alpbach të Austrisë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaci dhe ai serb, Aleksandër Vuçiq kërkuan mbështetje nga të gjithë për një marrëveshje finale Kosovë-Serbi, që mund të derivojë edhe me “korrigjim territori”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq, folën hapur rreth mundësisë së korigjimit të kufirit, por të dy në mënyrë të kujdesshme e shprehën këtë ide, pa dashur të shkaktojnë shqetësime në opinion për ndonjë tensionim të mundshëm në Ballkan.

Hahn: Gjëja më e rëndësishme është stabiliteti në rajon

Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi, morën pjesë në forumin e Alpbach-ut në Austri, ku të pranishëm ishin edhe Presidenti i Austrisë, Aleksander Van der Bellen ai i Sllovenisë, Borut Pahor dhe komisioneri i BE-së për zgjerim Johanes Hahn. Madje edhe ky i fundit tha se çfarëdo marrëveshje që del nga të dyja palët, ajo duhet përkrahur. “Pa marrë parasysh se cila është zgjidhja dhe ne nuk përjashtojmë asgjë, duhet ta dimë se gjëja më e rëndësishme është stabiliteti në rajon. Kjo lloj marrëveshje nuk duhet të shtyjë ide të tjera në rajon”, tha Johanes Hahn.

Thaçi: Duhet arritur marrëveshja për kufirin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në përfundim të forumit tha në një konferencë të përbashkët për medie se “Prishtina dhe Beogradi kanë nevojë për ndihmën e të gjithëve, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta arritur një marrëveshje finale. “Presim marrëveshjen për kufirin, ngase nëse nuk e arrijmë këtë e rrezikojmë të ardhmen evropiane. Andaj, kemi vendosur të eksplorojmë shumë mënyra dhe jemi të gatshëm të arrijmë deri te marrëveshja”, tha Presidenti Thaçi, duke shtuar se “askush nuk duhet të ketë frikë nga një marrëveshje e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë edhe nëse kjo marrëveshje do të thotë korrigjim kufiri”. Sipas tij, “Kosova dhe Serbia nuk do të jenë as të parat, as të fundit që bëjnë korrigjim kufiri”.

Pa marrëveshje bllokimi i dyanshëm Kosovë – Serbi vazhdon

Sipas Presidentit të Kosovës, “pa arritjen e një marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia do ta bllokojnë njëra-tjetrën në rrugën drejt BE-së dhe rajoni do të vuajë nga rreziku i jostabilitetit”.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nga ana e tij, thotë se shqiptarët dhe serbët si dy popujt më të mëdhenj në rajon, duhet të arrijnë një marrëveshje historike. “Ne duhet t’i zgjidhim problemet tona me shqiptarët, për hir të serbëve për hir të shqiptarëve dhe për hir të gjithë rajonit. Sepse serbët e shqiptarët janë bindshëm popujt më të mëdhenj në rajon”, tha Aleksandër Vuciq, duke shtuar se megjithatë, “njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, pa fituar asgjë në këmbim, nuk ka gjasa të ndodhë”.

Vuçiq: Të bëjmë më të mirën për të zgjidhur problemin qindravjeçar

“Nuk jam i sigurt se njerëzit në Serbi do të mbështesin ndonjë marrëveshje, por ne do të bëjmë më të mirën për të zgjidhur problemin qindravjeçar. Premtimi për njerëzit e mi është se do të investojmë të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje finale për problemin me shqiptarët. Zgjidhja do të jetë e dhimbshme për të dyja vendet, por kjo do të thotë që në të dyja anët do të ketë sadopak kënaqësi gjithashtu”, tha Vuçiq. Sipas tij, konflikti i ngrirë me shqiptarët nuk duhet të vazhdojë sepse në fund “dikush dikur do ta shkrijë dhe më pas do të kemi luftë”.

Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, i cili ishte nikoqir i takimit, të Forumit Evropian në Alpbach, tha se “procesi i integrimit dhe zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të vazhdojë”, ndërsa duke ju referuar dialogut Kosovë-Serbi, ai tha se “Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje historike. “Dialogu mbetet esencial në rrugën e Kosovës dhe Serbisë për integrim. Jam i bindur se të dy presidentët Thaçi dhe Vuçiq janë të përkushtuar në arritjen në një marrëveshje historike”, tha Presidenti i Austrisë, Van der Bellen.

Opozita në Kosovë e shqetësuar

Në një kohë që presidenti Thaçi dhe Vuçiq folën në Alpbach të Austrisë për një marrëveshje të mundshme finale ndërmjet dy vendeve, në Prishtinë partitë opozitare janë të shqetësuara për këtë debat, duke akuzuar Presidentin e Kosovës se ai ”nuk ka mandat nga parlamenti të flasë për një marrëveshje finale me Serbinë, ku mund të ketë edhe lëvizje kufiri”. Më i zëshmi në këtë mes, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, tha pas këtyre qëndrimeve të Thacit, Vuçiq dhe Johannes Hahnit, se “Kosova nuk do të përfitojë asgjë nga ky dialog”.

“Kosovën po duan ta bëjnë kurban për integrimin evropian të Serbisë dhe për çintegrimin e Thaçit nga Gjykata Speciale. Vuçiqi do marrëveshje fitimtare për Serbinë, që ta fitojë bindshëm referendumin për ndryshimet kushtetuese atje. E tillë mund të jetë vetëm një marrëveshje fort e keqe për Kosovën”, shkroi në rrjetin social Albin Kurti.

Presidenti Hashim Thaci dhe Aleksandër Vuçiq do të takohen me Bruksel më 7 shtator në zyrën e shefes së diplomacisë evropiane Federica Mogherini. Edhe Thaçi edhe Vuçiq, thonë se takimi pritet të jetë i vështirë, ndërsa, nuk e konfirmuan nëse në këtë takim do të hapet zyrtarisht “tema e korigjimit të territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. (dw)

 

Google, projekti Dragonfly dhe çështja e privatësisë

googleGoogle ka qenë në qendër të vëmendjes kohët e fundit, por këtë radhë për arsye negative. Kompania e teknologjisë u tërhoq nga tregu kinez para tetë vjetësh për të protestuar ndaj censurës së Pekinit, por tani duket se është gati të kthehet në Kinë me një motor të ri kërkimi. Por projekti po realizohet në fshehtësi, pavarësisht thirrjeve të punonjësvet të kompanisë Google për transparencë. E gjithë kjo po ndodh ndërkohë që kompania po përpiqet të mbrojë veten nga akuzat se ajo ka shkelur në mënyrë aktive privatësinë e përdoruesve, pavarësisht se në të kaluarën Google kishte thënë se nuk po e bënte këtë.

Qindra punonjës të kompanisë Google janë zemëruar me vendimin e kompanisë për të ndërtuar në mënyrë sekrete një version të censuruar të motorrit kërkues për Kinën. Burimet thonë se projekti, me nofkën Dragonfly, është ndërtuar me aftësinë për të bllokuar disa faqe interneti dhe fjalë kërkimi.

Sipas një raporti të gazetës The New York Times të publikuar të enjten, një peticion i ri që kërkon më shumë transparencë dhe llogaridhënie për projektin, tashmë ka grumbulluar më shumë se një mijë nënshkrime.

Drejtuesit e kompanisë ende nuk kanë bërë komente publike mbi projektin Dragonfly.

Por në një letër që është parë nga Reuters, shefi ekzekutiv i kompanisë Google, Sundar Pichai u ka thënë punonjësve se është ende “shumë e paqartë” nëse Google do të kthehej në Kinë, duke thënë se zhvillimi është në fazat e hershme të tij dhe se ndarja e çdo informacioni shumë herët mund të “shkaktonte probleme”.

Google po merret tashmë me një çështje tjetër të ngritur javën e kaluar pas publikimi të një raporti hetimor të agjencisë së lajmeve Associated Press, i cili pretendonte se Google i përcjell lëvizjet e përdoruesve edhe pa lejen e tyre.

Aplikacionet si Google Maps ndihmojnë përdoruesit të gjejnë vendin ku ata dëshirojnë të shkojnë. Por, për ta shfrytëzuar këtë aplikacion, Google kërkon leje nga përdoruesit që të zbulojnë vendndodhjen e tyre. Problemi është se Google vazhdon të ndjekë dhe të ruajë automatikisht informacionin e vendndodhjes në çdo kohë nga të gjithë përdoruesit e saj, madje edhe kur ata vendosin të refuzojnë kërkesën për të zbuluar vendndodhjen e tyre. Kjo çështje prek të gjithë ata që kanë një pajisje Android ose iPhone dhe përdorin aplikacionin Google Maps.

“Shumë aplikacione kërkojnë që të dhënat e vendndodhjes që të funksionojnë, nuk ka asgjë të keqe me këtë, por ata duhet të jenë transparentë në lidhje me mënyrën se si përdoren këto të dhëna dhe njërëzit duhet të lejohen të tërhiqen nëse dëshirojnë. Problemi është se sa më shumë që një kompani ka informacione rreth jush, dhe vendndodhja është një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj, aq më lehtë ata mund të kenë ndikim mbi ju”, thotë Frederike Kaltheuner nga kompania “Privacy International”.

Kjo ka shqetësuar shumë përdorues të telefonave inteligjentë për privatësinë e tyre.

“Unë nuk mendoj se ata duhet të kenë të drejtë të mbledhin këto të dhëna pa kërkuar leje”, thotë Didem Dayanch, përdoruese e telefonave inteligjent.

“Unë mendoj se ata nuk duhet ta bëjnë këtë pa kërkuar leje, por nëse ju i jepni lejen, nëse i lejoni ata ta bëjnë këtë, atëherë është në rregull”, thotë Rosielyn Bartolazo, përdoruese e telefonave inteligjentë.

Çështjet e privatësisë po bëhen gjithnjë e më të zakonshme pasi njerëzit po mbështeten gjithnjë e më shumë në telefonat e tyre dhe në shërbimet online. (voa)

Shtypi gjerman: Kufijtë në Ballkan – kutia e Pandorës

shtypi DShtypi gjerman i kushton vëmendje zhvillimeve në Ballkan. Gjermania nuk mbështet këmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.

Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” i kushton vëmendje debatit aktual për kufijtë në Ballkan. Nën titullin “Zgjidhje kreative për Ballkanin”, FAZ nënvizon, se Serbia dhe Kosova po diskutojnë për këmbim të territoreve. Ka disa partnerë që e shohin me përmbajtje këtë propozim, por rezistencë vjen nga kancelarja gjermane.

Merkel kundër ndarjes së kufijve

Duhet të jetë pritur si bezdisëse në Beograd, shkruan gazeta gjermane, që pikërisht kancelarja gjermane, mjaft e nderuar për një kohë të gjatë nga Vuçiq, del kundër dhe paralajmëron se “‘integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor është i përcaktuar dhe i paprekshëm. Këtë duhet ta themi gjithmonë, sepse gjithmonë ka përpjekje, të flasim ndoshta edhe njëherë për kufijtë. Këtë nuk mund ta bëjmë.’ Tingëlloi ndërkohë si një përgjigje indirekte ndaj kancelares Merkel, kur Vuçiq të shtunën në një prezantim të përbashkët me presidentin Thaçi në Forumin Europian të Alpbachut në Austri kërkoi që serbët dhe shqiptarët të gjejnë vetë një zgjidhje. Thaçi nga ana e tij shtoi se ‘koha  për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është tani’. Komisioneri Hahn ëndërron për një ‘moment historik’.

Zëra kritikë dhe përkrahës

Por Frankfurter Allgemeine Zeitung e drejton vëmendjen edhe tek rreziqet e planeve të tilla, që mund të sjellin një reaksion zinxhir të pakontrolluar në Ballkan. “Wolfgang Ischinger, kreu i Konferencës së Sigurisë në Mynih paralajmëron nga hapja e ‘kutisë së Pandorës’. Ndërsa ish-ministri i Jashtëm i Suedisë dhe përfaqësuesi i dikurshëm i bashkësisë së shteteve në Bosnje, Carl Bildt u shpreh në “Washington Post”, se ‘të luash me kufijtë dhe ndarjet në Ballkan ka qenë e rrezikshme në fillim të viteve 90-të dhe është e rrezikshme edhe sot.’ Sipas tij ‘Ballkanizimi i Ballkanit’ është ‘recetë për katastrofë’.

Vetëm austriaku, Wolfgang Petritsch, ish-i dërguari i posaçëm për Kosovën thotë me siguri se ndryshime ‘kozmetike’ të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të kenë ndikime negative në rajon.” FAZ nënvizon deklaratën e Petritsch, se dikur ka qenë kundër ndryshimit të kufijve, por në disa “raste duhet të mendohesh dy herë”, dhe thekson se ai ka harruar të përmendë se punon për studion e madhe ligjore “Lansky, Ganzger+Partner”, ku klient është edhe qeveria serbe.

Ushtria e veteranëve

Ndërsa gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” me artikullin “Ushtria e veteranëve të luftës rritet në Kosovë”, i kushton vëmendje rritjes së numrit të ish-ushtarëve të UÇK-së që marrin pension, dhe pengesave që iu bën qeveria hetimeve të drejtësisë për rastet e keqpërdorimit.

“Grindja për rrjetet e pensioneve të ish-luftëtarëve të UÇK-së në Kosovë ashpërsohet. Javën e kaluar demonstruan partitë opozitare dhe qytetarë të zemëruar kundër shpërndarjes së milionave nga buxheti për gjoja “veteranë” të luftës në vitin 1999. Shkak ishte dorëheqja e prokurorit, Elez Blakaj, që duhet të hetonte listat e ekzagjeruara….Sipas medieve, presioni kundër Blakajt u rrit pasi ai filloi të marrë në pyetje funksionarë të lartë të dalë nga UÇK-ja”.

Klientela e përkrahësve

Gazeta “Neue Zürcher Zeitung” thekson se në Kosovë kanë shënuar një rritje të madhe shpenzimet për veteranët. “Nga viti 2015 shpenzimet vjetore janë rritur vazhdimisht nga 24 milionë euro dhe në vitin 2018 pritet të kapin shifrën e 76 milionë eurove. Paratë janë dhënë pjesërisht edhe për persona që gjatë luftës kanë qenë foshnje ose më shumë se 70 vjeç, pra jo në moshë për t’u mbrojtur, shkruan portali Prishtina Insight.”

NZZ nënvizon se ish lidershipi i UÇK-së dominon edhe dy dekada pas luftës politikën dhe shoqërinë në Kosovë. Këtu asaj i ndihmon edhe fakti që me skemën e pensioneve të UÇK-së ka lidhur pas vetes një klientelë me njerëz të varur dhe përkrahës, që është rritur me çdo zgjedhje parlamentare.” (dw)

Sot vazhdon gjykimi në lëndën “Monstra”, do të dëgjohet sërish dëshmitari i mbrojtur

MonstraNë Gjykatën Penale sot me dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur do të vazhdojë gjykimi për lëndën “Monstra”, të cilën e udhëheq Prokuroria Speciale, ndërsa ka të bëjë me vrasjen e pesëfishtë më 12 prill në vitin 2012.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor Ognen Stavrev, seancën e fundit e ndërpreu për shkak të lodhjes së dëshmitarit të mbrojtur, pasi u mor në pyetje nga Prokuroria Speciale dhe avokatët mbrojtës, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Dëshmitari i mbrojtur në seancën e kaluar tha se mbetet në dëshminë e tij që e ka dhënë më herët. Ai në seancë tha se i njeh disa nga të akuzuarit, pasi i ka parë ditën e vrasjes.

Mbrojtja theksoi se dëshmitari “E1” është konfuz në përgjigjet e tij dhe për këtë dyshojnë në vërtetësinë e dëshmive të tij. Ato thanë se mbi dëshminë e tij është bazuar edhe aktgjykimi i parë për lëndën “Monstra” që u shfuqizua nga Gjykata e Lartë, ndërsa lënda u kthye për rigjykim.

Për vrasjen në Liqenin e Smillkovës më 12 prill 2012, me burg të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq, Ezim dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.

Ndërsa Gjykata e Lartë në dhjetor të vitit të kaluar shfuqizoi aktgjykimin dhe liroi nga burgu Agim Ismailoviq, Haki Aziri, Sami Luta dhe Fejzi Azirin dhe ju shqiptoi masat e përkujdesit./Telegrafi/

Ekskluzive/ Lu: Politika t’i trembet SPAK-ut. Vetting-u po ecën. Reforma, në fazën e re

luKur flitet për reformën në drejtësi dhe për politikanët e korruptuar, ambasadori amerikan Dolald Lu në fund të mandatit të tij është po aq energjik sa në fillim.

“Politikanët e korruptuar duhet të kenë frikë!” Kjo është një nga frazat më të njohura të Donald Lusë, e cila nuk mungoi as në përgjigjjet që ai i dha disa pyetjeve të Top Channel për ecurinë e vetting-ut dhe të ngritjes së institucioneve të reja. Optimizmi dhe besimi se procesi po ecën në drejtimin e duhur është mesazhi kryesor i ambasadorit amerikan, i cili mbështet pa rezerva organet e vetting-ut.

“Kam besim që reforma në drejtësi po prodhon rezultate reale për popullin shqiptar. Po largon gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar dhe të paaftë dhe po konfirmon ata të ndershmit për të vazhduar punën e rëndësishme të gjykatave. Rezultatet janë mbresëlënëse. Komisioni i vetting-ut ka shkarkuar 21 gjyqtarë dhe prokurorë si dhe ka konfirmuar 27. Ndërkohë që disa nga rastet do të apelohen, procesi përfaqëson një hap madhor përpara drejt një gjyqësori të drejtë dhe të pavarur. Qytetarët e zakonshëm tani duhet të presin të kenë gjyqtarë dhe prokurorë të rivlerësuar dhe të pastër, që nuk do të kërkojnë më ryshfete dhe nuk do t’i përgjigjen më trysnisë politike. Më në fund, qytetarët mund të kërkojnë dhe të presin drejtësi të vërtetë”, deklaron Donald Lu.

Por, a është ambasadori amerikan i shqetësuar nga vonesa në ngritjen e KLGJ-së dhe KLP-së? Ambasadori Donald Lu thotë se ndan të njëjtin shqetësim sikurse edhe opozita për vonesën në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, por beson se ky proces nuk do të vonojë.

Me këtë rast, Donald Lu ka një apel për të gjithë: “Jam dakord me opozitën se është imperative që organet e reja gjyqësore të ngrihen shpejt. Kjo do të lejojë emërimin e një prokurori me mandat të plotë, emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, si dhe krijimin e SPAK dhe BKH. Besoj se jemi pranë krijimit si të KLP edhe të KLGJ. Këshillit të Lartë Gjyqësor i duhet vetëm një gjyqtar i guximshëm i gjykatave të apelit për të dalë vullnetar që të shërbejë në Këshill. Kam besim që në javët e ardhshme ky proces do të përmbyllet dhe do të ecet përpara me emërimin e gjyqtarëve të rinj, SPAK dhe BKH. Procesi i vetting-ut po funksionon. Jemi shumë pranë hyrjes në fazën tjetër të reformës”.

Top Channel

Përfaqësuesit e Preshevës vijnë në Tiranë, kërkojnë mbështetje

Bushati Perfaqsues L PreshevesPërfaqësuesit e Luginës së Preshevës takojnë ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.  Gjatë takimit shmanget tema e “korrigjimit të kufijve” flitet për dialogun Kosovë-Serbi nën mbështetjen e BE-së. Reagon Thaçi: Nuk ka ndarje, po bashkëngjittjes së Preshevës.

Procesi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, ka sjellë në Tiranë, përfaqësuesit e Luginës së Preshevës. Deklaratat e fundit të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe e mbështetur në unison, nga ana e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës, ka shqetësuar politikën e Tiranës. Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare të Preshevës, Ragmi Mustafa njihet ndërkohë si një nxitës dhe përkrahës i nismës për bashkimin e Luginës se Preshevës me Kosovën. Ai ndërkohe e ka quajtur të vonuar deklaratën e presidentit Thaçi për korrigjim te kufijve. Ka kohë që politika e jashtme e Shqipërisë është e orientuar drejt vijës së Bashkimit Evropian, në lidhje me qëndrimin ndaj ngjarjeve në Ballkan. Stabiliteti i rajonit, është një nga interesat kryesore të Bashkimit Evropian, si rrjedhojë edhe diplomacia shqiptare është e orientuar drejt kësaj qasje. Takimi i djeshëm me Ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, bëhet për të përçuar zërin e Përfaqësueses së Lartë të Politikës së Jashtme te BE-së, Federica Mogherini. Vazhdimësia e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë është në qendër të politikës së Bashkimit Evropian. Kësaj linje nuk i ka lëvizur as Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. Pavarësisht shqetësimit kryesor aktual, që ka të bëjë me çështjen e kufijve dhe shkëmbimeve territoriale, zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme, thekson se, “Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati priti dje një grup të përfaqësuesve politikë të Luginës së Preshevës. Në qendër të diskutimit ishin situata e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, si dhe zhvillimet e tanishme në rajon. Ministri Bushati dëgjoi mendimet dhe kërkesat e parashtruara nga përfaqësuesit e spektrit politik të Luginës, me fokus kryesor shqetësimin e tyre për ecurinë socio-ekonomike, kulturore e arsimore, si dhe mungesën e shërbimeve dhe të standardeve parësore, që po çojnë drejt humbjes së perspektivës për të rinjtë dhe largimin e tyre nga Lugina. Ai ritheksoi angazhimin tonë për mbështetje të pakushtëzuar në adresimin e kërkesave të tyre, çka është materializuar edhe në një sërë iniciativash e kontributesh për nxitjen e kapaciteteve zhvillimore nga ana e Qeverisë shqiptare dhe i siguroi bashkëbiseduesit se shteti shqiptar do të vijojë të kërkojë nga Serbia për shqiptarët e Luginës atë që atyre u takon, më shumë mirëqenie, më shumë respekt dhe më shumë përfshirje në proceset integruese të Serbisë. “Është detyrim i drejtpërdrejtë i autoriteteve serbe të sigurojë përmbushjen tërësore të të drejtave për popullsinë shqiptare në Serbi në respekt të angazhimeve që burojnë nga procesi i negocimit me Bashkimin Evropian, si edhe të normave të gjithë pranuara ndërkombëtare. Ajo çka kërkojmë nga Serbia për ju është të sigurojë as më shumë e as më pak sesa të drejtat që gëzojnë serbët në Kosovë”, u shpreh Ministri. Përfaqësuesit e Luginës parashtruan mendimet e tyre edhe mbi zhvillimet e tanishme në rajon, veçanërisht procesin e Dialogut Kosovë-Serbi. Në këtë kontekst, Ministri Bushati ndau me bashkëbiseduesit qasjen e Shqipërisë në raport me këto zhvillime, duke e vënë theksin tek rëndësia e vijimësisë së dialogut dhe orientimin e tij në mënyrë efektive, në terma të qartë, pa ekuivok dhe të balancuar për sa i përket zbatimit të plotë të marrëveshjeve dhe avancimin e proceseve integruese të Kosovës. “Ne i qëndrojmë bindjes tonë se procesi i dialogut duhet të përmbyllet me një Marrëveshje për njohje të ndërsjellë mes dy vendeve, që do të sillte jo vetëm normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes tyre, por edhe do të ishte një garanci e fortë për stabilitetin demokratik të të gjithë rajonit”, tha ai. Mbas takimit me Bushatin, delegacioni i Luginës së Preshevës, është takuar edhe me Kryeministrin Edi Rama. Edhe pse zyra e shtypit të kryeministrisë nuk ka bërë ndonjë deklaratë publike, ajo që mësohet është se diskutimi është përqendruar tek çështja e kufijve dhe marrëdhëniet me Serbinë. Kujtojmë se shteti shqiptar nuk ka dalë akoma me një deklaratë zyrtare, për sa i përket pretendimeve të ngritura nga ana e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Hashim Thaçi reagon

Dje, me anë të një statusi në Facebook, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka përsëritur idenë e tij, se mbështet korrigjimin e kufijve dhe jo shkëmbimin apo ndarjen territoriale të Kosovës. Ai shkruan se, “Jo ndarje të Kosovës, por po shkëmbimit të territoreve, ky ishte qëndrimi realist dhe i guximshëm i Presidentit Ibrahim Rugova në vitin 1994. Ndërsa, qëndrimi im sot si President i Republikës së Kosovës ka evoluar dhe është i qartë: jo ndarje, jo shkëmbim, po korrigjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të mundësuar bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës me Kosovë”, përfundon statusin e tij Hashim Thaçi. Deklarata e tij vjen pas takimit të përfaqësuesve të Luginës së Preshevës me Ministrin e Jashtëm Shqiptar, Ditmir Bushati. (Erjon Dervishi)