Hoxhaj: Kosova shpreson për marrëveshje me Serbinë deri në pranverë

E HoxhajKosova parashikon të arrijë një marrëveshje me Serbinë, gjë që do t’u mundësonte të dyja vendeve të përparonin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian e shumta deri pranverën e ardhshme, tha të martën për agjencinë Reuters, zv/kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Një marrëveshje është parakusht për dy vendet që të hyjnë në Bashkimin Evropian. Beogradi dhe Prishtina u angazhuan për një dialog me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në vitin 2013 por që atëherë nuk është arritur pothuajse asnjë përparim.

I pyetur se kur pret që të arrihet marrëveshja, zoti Hoxhaj i tha agjencisë Reuters: “Mendoj ose nga fundi i vitit, ose pranverën e ardhshme, duhet të kemi arritur në atë pikë”.

Duke folur në Bled të Sllovenisë ku ndodhej për një forum mbi politikën dhe biznesit, zoti Hoxhaj tha se Kosova do të nënshkruante vetëm një marrëveshje që përfshin njohjen e saj.

“Ne nuk mund të nënshkruajmë asnjë marrëveshje tjetër”, tha ai.

Ai shtoi se Presidenti serb Aleksandër Vuçiç “është njeriu i fundit që do të besonim”.

Por ai shprehu shpresën se besimi mund të ndërtohet gjatë procesit të negociatave, duke thënë se nuk ka asnjë njeri tjetër me të cilin të negociohet, pasi “ai kontrollon çdo gjë në Serbi”.

Zoti Hoxhaj tha se nuk mund të pohonte se çfarë do të përfshinte marrëveshja, por la të kuptohej se një shkëmbim territoresh mes dy vendeve, është ende në tryezë.

“Se çfarë elementesh do të kishte marrëveshja, është herët të thuhet, sepse jemi në fazën e parë të negociatave”, tha zoti Hoxhaj për Reuters, duke mos dhënë detaje për territoret e mundshme që do të shkëmbeheshin. (voa)

Ambasadori Jess Baily hapi Qendrën e të rinjve në Gostivar

baily gostivarAmbasadori i ShBA-ve në Maqedoni, Jess Baily lëshoi në përdorim Qendrën e të rinjve dhe bashkësinë (Youth and Community Center) në Gostivar duke thënë se nga sot të rinjtë e Gostivarit do të kenë vend ku do t’i përparojnë marrëdhëniet mes tyre.

Në ceremoni solemne me rastin e hapjes së kësaj qendre ishin paraqitur disa nga aktivitetet që filluan të zbatohen në këtë qendër. Ambasadori Baily theksoi multikultrën e Gostivarit si përparësi dhe porositi që kësaj t’i kushtohet vëmendje, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Hapja arriti shumë shpejtë nga që të gjithë ne shpresonim. Ajo është dhe për shkak se kishte bashkëpunim të shkëlqyer me Komunën e Gostivarit, me Kryetarin e Komunës, me biznes-sektorin dhe shumë të tjerë që siguruan përkrahjen e tyre dhe mundësuan e gjithë bashkësia të ngjitet. Ky projekt ka të bëjë me nevojat tashmë që i kemi dëgjuar, nevojat e të rinjve. Ky është vend ku njerëzit do të lumturohen dhe do të bisedojnë aty për aty, jo online dhe jo nëpër rrjete. Konsideroj se kjo është përparësi e fuqishme që do t’ju ndihmojë njerëzve të ri të kuptohen mes vete”, tha ambasadori Baily, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Qendra e të rinjve në Gostivar ka për qëllim të ndihmojë popullatën e re si në aspektin personal ashtu edhe në aspekt profesional. Në të zbatohen projekte për përkrahjen dhe ndërtimin e karrierës, sipërmarrje dhe ngjarje të ndryshme kreative për nxënësit. Funksionimi i kësaj qendre është financuar dhe përkrahur nga Ambasada e ShBA-ve në Maqedoni.

Ambasadori Baily gjatë vizitës në Gostivar kishte takim një orësh më Kryetarin e Komunës së Gostivarit, Arben Taravari./Telegrafi/

A sjell paqe ndryshimi i kufijve Kosovë-Serbi?

Kosove_Serbi

Muajin e kaluar, këshilltari i sigurisë kombëtare, John Bolton tha se, Shtetet e Bashkuara “nuk do të qëndronin në krye” të një marrëveshjeje shkëmbimi territorial midis Serbisë dhe Kosovës. Raportet e fundit sugjerojnë se të dyja vendet, janë pranë një marrëveshjeje që do të zgjidhë një nga pengesat më sfiduese politike të Evropës, që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Plani do të rishkruante ndarjen Serbi-Kosovë, për të lejuar një territor serb në Veriun e Kosovës të bashkohet me Serbinë, ndërsa një rajon shqipfolës në jug të Serbisë do të bashkohej me Kosovën. Aksionet janë të larta: Zgjidhja e këtij bllokimi, ndoshta do të hapë rrugën që Kosova të fitojë një vend në Kombet e Bashkuara. Kjo do të rriste gjasat që edhe Kosova dhe Serbia të bashkoheshin me Bashkimin Evropian dhe potencialisht me NATO-n. Vërejtjet e Boltonit janë në kundërshtim me shumë liderë evropianë, të cilët kanë shqetësime se, ndonjë marrëveshje e tillë do të jetë destabilizuese. Por a mund të sjellë një marrëveshje ripajtimi paqe? Ja çfarë ju duhet të dini.

Disa lloje të ndarjes funksionojnë më mirë se të tjerat

Hulumtimi im më i hershëm, mbi ndarjen, si një zgjidhje për luftën civile etnike, sugjeron që ndarja e territoreve dhe grupeve etnike në mënyrë të konsiderueshme rrit mundësinë e paqes – krahasuar me ndarjet që përqendrohen vetëm tek territoret. Duke përdorur një set të të dhënave të Bankës Botërore, pashë 17 ndarjet që përkojnë me fundin e luftërave civile etnike, midis viteve 1945 dhe 2004. Unë krijova një indeks për të përcaktuar shkallën në të cilën ndarjet edhe grupet etnike janë përfshira në konflikt. Kjo ndodhi vetëm në tetë nga 17 ndarjet territoriale. Nga këto tetë ndarje, asnjëra nuk përjetoi dhunë të konsiderueshme gjatë pesë viteve të para. Një numër kritik, sepse shumica e përfundimeve të luftës civile përjetojnë përsëritjen e konflikteve dhe rreziku është më i lartë në vitet e hershme. Ky është një rezultat i pakëndshëm për shumicën prej nesh, që janë të përkushtuar ndaj konceptit të shteteve multietnike, sepse sugjeron se, të paktën për luftërat etnike,  një nga mënyrat më të mira për të arritur paqen fillimisht, mund të bëhet përmes ndarjes.

Grupet etnike pas ndarjes së Kosovës

Si funksionoi ndarja e Kosovës? Ndarja e Kosovës e vitit 1999 nga Serbia (më herët Jugosllavia), mori parasysh një rezultat të indeksit të mesatares, ku pakicat e rëndësishme mbetën në të dy anët e kufirit. Siç parashikohej në hulumtim, dhuna e armatosur vdekjeprurëse u rikthye, dhe pikërisht në ato rajone ku ishin vendosur pakicat etnike, më së shumti në periudhën 2000-2001 në luginën e Preshevës në Serbi dhe, në vitin 2004 në Mitrovicën e Kosovës. Shpërthimi i fundit u përhap shpejt në të gjithë vendin në zonat e serbëve dhe grupeve të tjera minoritare. Këto përplasje çuan në dhjetëra të vrarë dhe dhjetëra mijëra të shpërngulur, me fushata të rinovuara nga spastrimi etnik. Hulumtimet e mia sugjerojnë se, nëse ndarja e Serbisë dhe Kosovës për vitin 1999, do të bëhej për të pasqyruar më saktë demografinë e vendit, në vend që të ndiqte verbërisht kufijtë e vendosur në vitin 1947, kjo mund të kishte pasur dukshëm më pak dhunë gjatë pasluftës.

A duhet të ndahet sot Kosova?

Jo domosdoshmërisht. Hulumtimi i studimit të rastit në fjalë, i kryer nga mikro-mekanizmat e dhunës, pas ndarjes në Gjeorgji dhe Moldavi, sugjeron që shkaqet e konfliktit në Kosovë janë të shtyrë më pak nga urrejtja etnike dhe më shumë nga kapaciteti i dobët i shtetit, i cili është i përhapur në vendet pas luftërave civile. Kur shtetet arrijnë të mbajnë infrastrukturën e tyre shtetërore ose ta rindërtojnë atë kapacitet pas konflikteve, dhuna përsëritet më rrallë – edhe kur pakicat e zhvendosura kthehen në shtëpitë e tyre para luftës. Kjo sugjeron që anëtarët e grupeve etnike që luftuan njëri-tjetrin gjatë një lufte civile, mund të jetojnë së bashku paqësisht për sa kohë që shteti është mjaft i fortë (nëse shteti ka vullnetin politik për të lejuar kthimin e pakicave është një çështje kritike, por e ndryshme). Urrejtja etnike mund të jetë e pranishme, por dhuna mund të reduktohet në minimum – një rezultat inkurajues për ndërtimin paqësor të multietnicitetit të pasluftës.

Si mund ta arrijnë paqen Serbia dhe Kosova?

Ndërsa Lugina e Preshevës ka shumicën e popullatës shqipfolëse, Serbia e ka kontrolluar fort këtë territor, që nga Marrëveshja e Konçulit e vitit 2001 dhe banorët e luginës, nuk kanë mundësi të rebelohen në të ardhmen, pa mbështetje të konsiderueshme të jashtme nga Kosova, një ngjarje që nuk ka gjasa të ndodh, për shkak të qëllimeve të politikës së jashtme të Kosovës, që ka të bëjë me integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ndërsa pakica shqiptare mund të preferojë të jetojë nën sundimin kosovar, shumica ka gjasa të vazhdojnë të punojnë në mënyrë paqësore me Serbinë, për sa kohë që institucionet shtetërore të Serbisë mbeten të forta. Kjo sugjeron se është logjike, që Lugina e Preshevës të mbetet brenda Serbisë. Dorëzimi i kontrollit të këtij rajoni paqësor mbi Kosovën tani, mund të çojë në dhunë destabilizuese, ndërsa forcat serbe të sigurisë u tërhoqën dhe grupet minoritare të Preshevës, duke përfshirë më shumë se 15,000 serbë, ndoshta ikën. Mitrovica veriore e Kosovës nga lumi “Ibër”, deri në kufirin me Serbinë është një histori e ndryshme. Ky territor është pothuajse ekskluzivisht serb dhe ka qenë në mënyrë efektive i pavarur nga Kosova që nga viti 1999 – një ndarje de facto. Megjithëse Marrëveshja e Brukselit për vitin 2013, ka ndërmarrë hapa për integrimin e rajonit në Kosovë, duke përfshirë vendosjen e forcave veriore të sigurisë në mënyrë formale brenda një force të vetme policore të Kosovës, rajoni është i ndarë etnikisht dhe funksionon në mënyrë autonome. Serbët etnikë ende kontrollojnë sigurinë e rajonit. Ri-integrimi i asaj zone në Kosovë sot, mund të bëhet vetëm me forcë dhe kjo ndoshta do të çonte në dhunë masive, nëse qeveria e Kosovës përpiqet të kontrolloj ose të përzihet më forcat e sigurisë serbe, kuazi-shtetërore. Serbia pothuajse, me siguri do ta mbështesë enklavën e tij në Veri të Kosovës në një konflikt të tillë, qoftë haptazi apo joformalisht – një skenar ndoshta i ngjashëm me mbështetjen e Rusisë në Ukrainën lindore sot. Një mënyrë për të ruajtur paqen do të ishte për Kosovën, që të heqë dorë nga kontrolli formal i zonave Serbe në veri, duke pranuar ndarjen që ka ndodhur tek të gjitha. Nëse kjo mund të përfundojë në këmbim të njohjes së Kosovës nga Beogradi, mundësia e paqes afatgjatë do të ishte edhe më e lartë. Kritikët e ndryshimeve të kufirit argumentojnë se, duke bërë kështu, ka rreziqe për “hapje të një kutie të sfidave të reja të Pandorës për të gjithë rajonin”. Por ky pozicion nuk arrin të vlerësojë aftësinë e bashkësisë ndërkombëtare, për të pranuar pozicione jobindëse pa shkaktuar paqëndrueshmëri. Rreziqet e njëjta, për shembull, janë vërejtur kur dhjetëra vende u rreshtuan për të njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, duke mohuar të njëjtën të drejtë në Republikën Srbska, një rajon me ambicie separatiste brenda Bosnje-Hercegovinës. Megjithatë, nuk pati paqëndrueshmëri. Ndryshimi i kufirit Kosovë-Serbi mund të sjellë shumë debate, por nuk ka nevojë të hapë derën për ndryshime të mëtejshme në vende të tjera.

Carter Johnson / Washington Post

“Magjia” e TAP drejt mbarimit; Investimet e huaja bien me 70 milionë euro

tapPas rritjes së fortë në tremujorin e parë të vitit, investimet e huaja direkte janë ngadalësuar në periudhën prill-qershor, duke reflektuar faktin që punimet për ndërtimin e gazsjellësit TAP po shkojnë drejt fundit.

Statistikat e bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se në tremujorin e dytë, investimet e huaja direkte ishin 212 milionë euro, me një rënie prej 70 milionë eurosh në krahasim me tre muajt e parë të vitit, kur ato arritën në nivelin rekord të dy viteve të fundit, duke shënuar 282 milionë euro.

Niveli i lartë në tremujorin e parë kishte të bënte me faktin që punimet për gazsjellësin TAP ishin në një terren të vështirë, teksa tubat kaluan poshte lumenjve në zonën e Skraparit, sipas burimeve zyrtare nga TAP, dhe njëkohësisht u ndërtua dhe stacioni i mikrokompresorëve të Çorovodës.

TAP është investimi më i madh në Shqipëri. Sipas burimeve zyrtare nga kompania, të bërë të ditura për Monitor, investimi total për ndërtimin e segmentit të gazsjellësit TAP në Shqipëri përllogaritet në rreth 1.5 miliard euro. Këtu përfshihen të gjitha kostot që nga tubat, ndërtimi i stacionit të kompresorëve, atij të matjes, valvulat e bllokimit, pajisjet, makineritë, dhe çdo gjë tjetër për ndërtimin e gazsjellësit.

Sot, rreth 80% e punimeve totale për ndërtimin e segmentit tokësore të TAP në Shqipëri është i përfunduar. Në muajt në vazhdim ndërtimi do të fokusohet tek segmenti më i vështirë i të gjithë gazsjellësit, në malin e Ostrovicës në rreth 2100 metra mbi nivelin e detit. Këtu ndodhet edhe pika më e lartë e të gjithë gazsjellësit TAP nga kufiri turko-grek e deri në Itali.

Duke lëvizur nga pika më e lartë tek pika më e ulët, në Shtator pritet të fillojnë punimet para-përgatitëse për pikën e daljes së tubacionit në det e për të vijuar me tej punimet për segmentin detar nga anija.

Pavarësisht ngadalësimit në tremujorin e dytë, për 6 mujorin, investimet e huaja arritën në total në 494 milionë euro, me një rritje prej 28% në krahasim me 6 mujorin e parë 2017, si rrjedhojë e intensifikimit të punimeve për gazsjellësin. Por për fat të keq, ky projekt  është drejt mbarimit, duke e lënë vendin “zbuluar” ndaj investimeve të huaja. Institucionet e huaja ndërkombëtare kanë kërkuar vazhdimisht që investimet e huaja të diversifikohen, drejtor sektorëve të teknologjisë së informacionit dhe atyre me vlerë të shtuar të lartë, por deri tani pjesën më të madhe të tyre e ka përbërë energjia (punimet për gazsjellësin TAP dhe HEC e Devollit), nafta (që kryesisht është nxjerrje e naftës bruto nga nëntoka e pasur dhe jo përpunim) , dhe bankat (që më së shumti është shtimi i kapitalit, si rrjedhojë e kërkesave rregullatore të Bankës së Shqipërisë).

Sipa raportit të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, që i referohet tremujorit të parë, investimet e huaja ishin kryesisht të përqëndruara në sektorin e energjetikës (në masën 62%), në sektorin e hidrokarbureve (me rreth 10%) dhe atë të ndërmjetësimit financiar (në masën 8%). /Monitor/

Pastrimi i mbetjeve në hapësirë

toka me mbetjet ne hapsireShkencëtarët e hapësirës thonë se satelitët dhe objekte të tjera të hapësirës që flururojnë rreth Tokës, përfshirë Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, ndodhen në një rrezik përherë e më të madh për përplasjen me mbeturina në hapësirë. Inxhinierët janë duke punuar me intensitet për heqjen e mbeturinave që kërcënojnë satelitët me vlerën e miliona dollarëve.

Problemi i mbeturinave të hapësirës mund të zgjidhet me dy mënyra, thotë Luisa Innocenti, drejtoreshë e zyrës për një Hapësirë të Pastër, në Agjencinë Europiane të Hapësirës, ESA:

“Pikësëpari, ne duhet të ndalojmë ndotjen. Së dyti, duhet të heqim mbetjet nga hapësira.”- thotë ajo.

Të dyja këto metoda janë të vështira për t’u zbatuar.

Nuk ka ende një marrëveshje ndërkombëtare për minimizimin e mbetjeve në hapësirë, megjithëse vende të veçanta kanë rregulla për heqjen nga orbita të pajisjeve jo funksionale, apo eleminimin e të ashtuquajturave “varrezave në orbitë”.

Ndërkohë, sasia e mbetjeve vazhdon të rritet, ngaqë përplasjet e ndryshme në hapësirë lenë pas copra të vogla, të pakapshme.

Shkencëtari i ESA-s Jesus Gil Fernandez, thotë se agjencia po eksperimenton me një krah robotik, që kap copra të mëdha mbetjesh dhe i çon ato në zona më të sigurta:

“Ne përdorim kamera, që vendosen tek krahu robotik, për të riprodhuar lëvizjen e satelitit rreth objektit që duam të kapim dhe ta nxjerrim nga orbita.”- thotë ai.

Shkencëtari italian Michele Lavagna thotë se satelitët e vjetër mund të kapen me rrjeta speciale:

“Koncepti është i ngjashëm me veprimet e peshkatarit në det. Kemi një rrjetë shumë të madhe dhe nga distanca përpiqemi të mbështjellim me të satelitët,- thotë Lavagna.

Të tjerë shkencëtarë të ESA-s, si Benoit Bonvoisin, po studjojnë mundësinë e ndërtimit të satelitëve më pak të rrezikshëm, duke pakësuar ndotjen si të hapësirës, edhe të Tokës.

“Tani po përpiqemi të kuptojmë se ç’ndodh me materialet që përdorim. Pastaj do të shohim se si t’i përmirësojmë ato, – si mund të punojmë për një koncept sateliti. Duam të kuptojmë si lidhen apo si shkëputen pjesët e satelitit nga njëra-tjetra në mënyrë që të kemi satelitë më të sigurtë kur i afrohen fundit të jetëgjatësisë që krijojnë më pak mbetje në Tokë,”- thotë Bonvoisin.

Por tani për tani, nuk është caktuar ndonjë datë për operacionin e parë të mbledhjes së mbetjeve hapësinore në botën reale.

(voa)

Teatri politik e cinik për Kosovën vazhdon…

mitrovicaIshte vërtet kaq afër zgjidhja? Përse u fol kaq shumë për një ujdi të afërt Kosovë-Serbi, për shkëmbim territoresh? Kur dy politikanë e duan një zgjidhje së bashku duhet t’i rezistojnë furtunave, mendon Adelheid Feilcke.

Për disa javë me radhë nuk ka pasur temë tjetër në Balkan: Serbia dhe Kosova janë pak para një ujdie! Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq po punojnë së bashku për një zgjidhje! As shkëmbimi i territoreve nuk përjashtohet! Pika kulmore e këtij inskenimi të diskutuar në rajon e të orkestruar ndërkombëtarisht do të ishte fjalimi i presidentit Vuçiq para serbëve në Veriun e Kosovës. Whumë spekuluan, se ky udhëtim do të ishte udhërrëfyesi i ri: Pajtimi, normalizimi i marrëdhënieve dhe një bashkëjetesë paqësore, pranimi i Kosovës në OKB. Por asgjë nga këto!

Fundjavë zhgënjyese!

Pas javësh shpresash politike erdhi një fundjavë plot tensione politike me një fund zhgënjyes. Dialogu mes presidentit të Kosovës, Thaçi dhe atij serb, Vuçiq dështoi në Bruksel, sepse presidenti serb ndjehej i mashtruar nga kosovarët. Dhe fjalimi udhërrëfyes në Mitrovicën e Veriut ishte vetëm një përsëritje e pozicioneve të vjetra. Në vend të një rruge të re, kështu duket, Vuçiç zgjodhi rrugën e vjetër duke e çimentuar madje atë me fjalë të forta: Asnjë njohje të Kosovës, asnjë ndryshim kufijsh.

Çfarë ka ndodhur, që të gjitha pritshmëritë për një “deal” me gjasë mes dy presidentëve u shpërbënë kaq papritur? Ka ndodhur vërtet diçka, apo e gjitha kjo ishte një akt i ri në teatrin e njohur politik të Ballkanit? Sipas presidentit serb, duhet të ketë ndodhur diçka me peshë, sepse i ngarkuari i tij për Kosovën përdori të premten akuza të rënda: Kosovarët e kanë gënjyer dhe mashtruar Vuçiqin. Përse? Për këtë spekulohet shumë.

Ende shumë pika të ndjeshme mes Kosovës dhe Serbisë

Fakt është që presidenti i Kosovës ndryshe nga ai serb ndodhet nën presion të madh të brendshëm politik duke pasur reagime të forta si nga qeveria ashtu edhe opozita. Po ashtu dihet, se ka shumë pika të ndjeshme mes Kosovës dhe Serbisë që duhen sqaruar derisa të arrihet një zgjidhje. Kosova kërkon para së gjithash njohjen, ose jo bllokimin nga Serbia për pranimin në Kombet e Bashkuara. Serbia nga ana e saj para së gjithash kërkon ta zgjidhë problemin e Kosovës duke ruajtur fytyrën, me qëllim që të ecë përpara me anëtarësimin në BE. Deri këtu në rregull, por në mes të këtyre qëndrojnë shumë çështje të hapura: sidomos sqarimi i të drejtave të minoriteteve, mbrojtja e kishave dhe monumenteve të kulturës, përdorimi i burimeve, sidomos në veri të Kosovës, e shumë të tjera.

Por megjithatë, çfarë është i gjithë ky teatër? Si është e mundur, që dy presidentë njëherë tentojnë të gjejnë drejtpërdrejt një zgjidhje, dhe pas kësaj nuk rezistojnë me furtunën e parë që u del përballë për të vazhduar kursin e dialogut dhe kompromisit. Atë që e arritën me kaq sukses të dy kryeministrat e Greqisë dhe Maqedonisë, vazhdimi i kursit me gjithë erën e fortë në radhët e veta.

Për fat të keq të ngjallet dyshimi, se dëshira për një zgjidhje me ujdi përmes bisedimeve direkte nuk ishte aq e pjekur. Sepse problemi i përfolur i madh i së premtes në bisedimet e Brukselit, se Kosova nuk do ta lejonte vizitën e Vuçiqit në Gazivodë u mënjanua përmes presionit ndërkombëtar. Edhe frika e kosovarëve se Serbia me Veriun e Kosovës kërkon të krijojë një tip Republika Srpska do të mund të ishte sqaruar përmes negociatave të mirëmoderuara nga ndërkombëtarët.

Koha nuk pret

Po si mund të përgatitet popullsia për një zgjidhje, kur politikanët kryesorë nuk janë në gjendje të përfaqësojnë së bashku një koncept. Ose të paktën një rrugë të përbashkët? E gjitha mbetet një teatër politik cinik. Tani mbetet shpresa për një ndërmjetësim intensiv europian, si e kërkon e ngarkuara e BE-së, Federica Mogherini. Koha nuk pret, sepse vitin e ardhshëm janë zgjedhjet europiane dhe nuk është aq e lehtë e parashikueshme, se çfarë do të ndodhë pas kësaj. Forca rrezatuese e një BE-je ndërmjetësuese, që josh me anëtarësimin në BE ka kohë që është dobësuar.

Pasi sot Vuçiq foli jo vetëm për muaj, por për vite, madje dekada deri sa të arrihet një normalizim i marrëdhënieve, shtrohet pyetja, nëse vërtet tek ai e të tjerë ekziston shtysa për një zgjidhje finale e të afërt në kohë? Por dihet se pa përfshirjen e politikanëve kryesorë në të dyja vendet, veçanërisht Vuçiqin në Serbi, nuk do të ketë zgjidhje. Ne duhet të përgatitemi për momente të tjera dramatike, se një fund i lumtur i këtij teatri politik është ende shumë larg. (dw)

Shtypi gjerman “Pajtimi është anuluar”

shtypi DPas një fundjave të tensionuar që shënoi vizita e presidentit serb në Kosovë, gazetat gjermane i kushtojnë vëmendje zhvillimeve atje duke theksuar se zgjidhja e konfliktit Kosovë-Serbi është ende larg.

Gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” në një analizë të së hënës me titullin “Pajtimi është anuluar” thekson se presidenti serb nuk sheh shanse për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit dhjetëravjeçar. “Ai mbeti shumë pas pritshmërive që i ndezi vetë. Ai së bashku me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi me planet për një këmbim territoresh bënë të tërhiqej vëmendja për zgjidhjen e konfliktit. …Sfondi i këtij teatri negociues ka gjasa të qëndrojë në politikën e brendshme, si atë kosovare ashtu edhe serbe. Nacionalistët serbë, nga radhët e të cilëve vjen vetë Vuçiqi, e refuzojnë çdo kompromis për Kosovën si tradhti, e mbështeten këtu nga kisha ortodokse. Nga ana tjetër edhe Thaçi nuk gjen mbështetje për dorëzim eventualisht të territoreve si nga qeveria ashtu edhe nga opozita.”

Ndërsa gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” thekson të hënën se Vuçiqi donte në fjalimin e tij të bërë të ditur prej kohësh në media të paraqiste zgjidhje për konfliktin shqiptaro-serb. “Në vend të kësaj fjalimi i tij përbëhej nga pasazhe të vjetra të fjalimeve të dikurshme për Kosovën dhe tekste të kreut të shtetit serb.” Pra asnjë zgjidhje në horizont, thekson FAZ. Megjithatë ai do të vazhdojë përpjekjet, këtë e bëri të qartë presidenti serb. “As ai nuk e pëlqen Thaçin, as Thaçi atë, por për shkak se shqiptarët dhe serbët janë fqinjë dhe do të mbesin fqinjë, duhet të gjejmë mënyrën e veprimit ndaj njëri tjetrit.”

Po një analizë tjetër të gazetës “Süddeutsche Zeitung'” të së hënës me titullin “Vuçiq -fitilndezësi” nënvizohet me kritikë se “Vuçiq procesionin e tij diplomatik e demonstroi para BE-së, që në çështjen e ndërrimit të kufijve u prezantua si një tufë e rrëmujshme pulash. Në një kohë që Gjermania e të tjerë me të drejtë këtë e refuzuan si rast precedent të rrezikshëm, përfaqësues nga Komisioni në Bruksel u treguan mjaft të hapur ndaj kësaj ideje.”

Ndërsa gazeta tjetër gjermane “Märkische Oderzeitung” vëren se “Gjithçka ishte teatër. Ballkani Perëndimoir i mbetet besnik vetes – një rajon i tensionuar, që të jep pak shpresa për progres. Brukseli është për rajonin si stacioni i fundit, por mes vete ka shumë pak elementë pajtues, dhe shumë takticizëm. Inskenim politik në vend të politikës.” (dw)

Politika kthen djathtas kudo në Europë

djathtasSuedia është shembulli më i ri. Më fillimin e krizës së refugjatëve, gati në të gjitha zgjedhjet në vendet e BE-së kanë fituar terren të madh partitë populiste të djathta. Në disa vende ato madje bashkëqeverisin.

Itali

Shokëve të idealit, ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini i uroi gjithë të mirat për votimet. Në Itali partia e tij “Lega Nord” është politikisht shumë më përpara se Demokratët Suedezë. Lega Nord vërtet që zuri vendin e tretë në zgjedhje, por bashkë me lëvizjen “Pesë Yjet” ajo u fut në koalicion si partneri më i vogël. Që atëherë, Salvini sundon skenën politike europiane me një politikë të fortë kundër të huajve, ai është aq prezent, sa madje disa e mbajnë atë për kreun e qeverisë. Gjuha e tij nxitëse dhe politika kundër të huajve gjejnë rezonancë. Gati 100 ditë pas hyrjes në koalicion, Lega Nord ndodhet në krye të sondazheve me 30%. Kujtojmë se në zgjedhje ajo arriti vetëm 17% të votave. Në drejtim të Merkelit, Salvini tha se ajo “nënvleftësoi rrezikun e konflikteve sociale, kur mendoi se kishte vend për qindra mijë njerëz në Gjermani.”

Matteo SalviniMinistri i Brendshëm, Matteo Salvini

Austri

Partia populiste austriake e lirisë, FPÖ ka pasur përvojë qeverisëse më të gjatë. Në vitin 1999, kjo parti doli partia e dytë më e fortë në zgjedhjet e atëhershme parlamentare, dhe krijoi një koalicion me ÖVP. Tani po kjo aleancë qeveris nga viti i kaluar me kancelar, Sebastian Kurz. Por FPÖ nuk duhet të luftojë shumë për një kurs të fortë në politikën e azilit. Sebastian Kurz vetë u zhvendos djathtas me politikën e tij për të mbajtur refugjatët larg Austrisë. Por FPÖ shkon edhe një hap më tej. Ministri i Brendshëm, Herbert Kickl kërkon t’i mbajë refugjatët “të përqëndruar”, gjë që solli reagime të forta dhe akuzën se ai po përdor gjuhën e nacionalsocializmit.

StracheZëvendëskancelari, Heinz-Christian Strache

Gjermani

Në zgjedhjet e Bundestagut në shtator 2017, Alternativa për Gjermaninë, AfD arriti 12,6 të votave dhe me 94 vendet në Bundestag është partia e tretë më e fuqishme, dhe partia më e madhe opozitare. Miratimi për këtë parti vazhdon të rritet. Në sondazhet e fundit kjo parti ka arritur 15% të votave, dhe nganjëherë ajo arrin të kalojë vetë Partinë Socialdemokrate. Në disa sondazhe në Lindje AfD madje kryeson, duke kaluar edhe partinë CDU. Edhe pse ekspertët e politika e akuzojnë këtë parti për afrimitet me ekstremistët e djathtë dhe kërkojnë që të vëzhgohet nga Mbrojtja Kushtetuese, duket se asgjë nga këto nuk e ka dëmtuar AfD-në. Së fundmi kjo parti pritet të hyjë edhe në dy parlamentet e fundit të landeve në Bavari më 15 tetor dhe në Hesen më 28 tetor.

GaulandAlexander Gauland, kryetari i grupit parlamentar të partisë djathtiste gjermane, AfD

Francë

Kur Marinë Le Pen nga Front National doli në raundin e dytë për ballë Emmanuel Macron, shumë vëzhgues kishin theksuar se bëhej fjalë as më pak e as më shumë, por për të ardhmen e Europës. Proeuropiani Macron fitoi dukshëm përballë Marine Le Pen 66% kundrejt 34%. Prej atëherë duket sikur Le Pen doli nga skena, në fund ajo arriti të ndërrojë emrin e partisë në Lëvizja Kombëtare e Përgjithshme. Por shumë përkrahës presin që mbesa e Le Pen, Marechal Le Pen të marrë timonin për ta arritur me të fitoren. Megjithatë edhe në Francë armiqësia ndaj të huajve dhe skepticizmi ndaj Europës janë bërë pjesë normale.

Le PenMarine Le Pen

Holanda

Para zgjedhjeve parlamentare në Holandë në mars 2017, në të gjithë Europën sundonte paniku mes partive tradicionale se çfarë rezultati do të arrinte Partia e Lirisë PVV e Geert Wilders. Rezultatet treguan kjo parti nuk doli triumfuese, por me rezultatin 13%, kjo parti zuri vendin e dytë, ndërkohë që socialdemokratët gati u shuan politikisht. Pas koalicionesh të vështira u arrit më në fund të krijohej një aleancë e qendrës më të djathtën. Por Wilders me qëndrimin e tij refuzues ndaj migrantëve dhe islamit vazhdon të sundojë skenën politike në Holandë. Ndërkohë me Thierry Baudets është krijuar një parti tjetër e ekstremit të djathtë që ndjek qëllime identike si Wilders. Baudet paraqitet si njeri i kulturës, luan piano dhe flet latinisht, duke iu drejtuar kështu shtresës së arsimuar. Kështu djathtistët nuk do i marrin vota njëri-tjetrit, por më shumë do t’i shumojnë ato.

WildersHolandezi që rregullisht lëshon tirada kundër islamit, Geert Wilders

(dw)

Veliaj: Tirana do të ketë teatër të ri

veliaj-Tirana do të ketë një teatër të ri kombëtar, ashtu siç ka të reja disa shkolla, sheshin “Skënderbej”, Pazarin e Ri apo Parkun Olimpik, deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranësm Erjon Veliaj.

Ai inspektoi punimet për rikonstruksionin e shkollës së mesme “Andon Zako Çajupi”, ku edhe u shpreh se procesi për ndërtimin e teatrit të ri do të jetë transparent dhe i hapur për të gjithë.

“Në fazën ku jemi, kemi një diskutim të hapur ditor edhe me miqtë dhe dashamirësit e Tiranës në Komisionin Europian, për të mbërritur në një draft, i cili sigurisht kënaq shumicën dërrmuese të popullsisë së Tiranës dhe të Shqipërisë, që do një teatër të ri. Por, sigurisht u heq alibinë, ankesat, sebepet për sherr, edhe asaj minorance që do të bllokojë zhvillimin e Tiranës. Dhe besoj në një draft të dakordësuar me Komisionin Europian”, u shpreh Veliaj.

Duke folur per rikonstrukionin e shkollës se mesme “Andon Zako Çajupi”, kryebashkiaku Veliaj iu drejtua me një apel edhe prindërve, duke kërkuar bashkëpunimin e tyre që të regjistrojnë fëmijët në shkollën më të afërt, për të shmangur mbipopullimin në shkollat e tjera.

Top Channel

Dështon takimi në Bruksel – Vuçiç refuzon të takohet me Thaçin

Thaci MogheriniPresidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u takuan secili veç e veç me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, në Bruksel, por jo edhe më njëri tjetrin, meqë presidenti serb refuzoi të takohej për shkak të siç u tha, “qasjes kërcënuese të Prishtinës”.

Megjithatë, zonja Mogherini, tha nëpërmjet një komunikate se ajo zhvilloi disa takime dypalëshe për të gjitha çështjet e hapura.

“Vështirësitë mbeten. Besoj në përkushtimin e plotë të të dy presidentëve për të vazhduar procesin dhe për të arritur më muajt e ardhshëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse , detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Unë do ta organizojë takimin e radhës para javës ministrore në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për t’i bërë bashkë palët që të punojnë në përmbajtjen e marrëveshjes”, thuhet në njoftimin e zonjës Mogherini.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se vetëm sa po rriten vështirësitë për arritjen e një marrëveshjeje.

“Gjërat po bëhen edhe më të vështira sepse mospajtimet po thellohen dhe dallimet po shfaqen edhe pse sot kemi diskutuar vetëm përmes zonjës Mogherini dhe ato shfaqje të dallimeve të mëdha kanë ndikuar që të jemi në këtë fazë të reflektimit për vazhdimin e mëtutjeshëm. Këto takime janë shumë të rënda, shumë të vështira, pothuajse me gjasa teorike për arritjen e ndonjë marrëveshjeje”, por sipas tij, “dialogu nuk ka alternativë”.

Ai sërish shtroi kërkesën për bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën, me gjithë mospajtimet në skenën politike në Kosovë rreth ideve të tij për “korrigjimin e kufirit”.

Shefi i zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriç, tha se presidenti serb kishte vendosur të refuzojë takimin pas, siç tha ai, “kërcënimeve, madje edhe ndaj vajzës 16 vjeçare të presidentit, sulmeve, shantazheve, si dhe përpjekjeve që t’i ndalohet vizita në veri të Kosovës dhe tek liqeni i Gazivodës” nga ana e autoriteteve në Prishtinë.

Ai tha po bëhen përpjekje nga Prishtina për ta bërë të pakuptimtë çdo bisedë, duke përcaktuar që më parë se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bisedohet dhe sipas tij, “nuk dihet nëse do të ketë mundësi të vazhdohen bisedimet me njerëz të tillë”. Ai tha se në tryezën e bisedimeve është “territori i diskutueshëm i Kosovës” dhe jo Lugina e Preshevës që është pjesë e Serbisë.

Dy javë më parë të dy presidentët kërkuan mbështetjen ndërkombëtare për çfarëdo marrëveshje që arrihet në bisedime, qoftë edhe nëse ajo nënkupton ndryshim kufijsh. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e ka shpallur politikë të tij vënien e kufijve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, që nënkupton ndarjen tokësore të Kosovës.

Presidenti Thaçi shkoi në Bruksel duke lënë në shtëpi një skenë politike thellësisht të ndarë rreth bisedimeve me Serbinë. Partitë opozitare thonë se do të ndërmarrin çdo veprim politik, përfshirë edhe protestat, për të penguar presidentin dhe këdo tjetër të negociojë për tërësinë tokësore të Kosovës.

Vuçiç, shkëputë kontaktet me Kosovën

Zyrtarët serbë thanë se presidenti Vuçiç ka urdhëruar ushtrinë, policinë dhe shërbimin serb të zbulimit, që të shkëpusin çdo kontakt me autoritetet vendase e ndërkombëtare në Kosovë dhe se të premten në mbrëmje, do të vendosë nëse do të shkojë apo jo në Kosovë.

Zyrtarët serbë thanë se kjo ishte rrjedhojë e refuzimit të Prishtinës zyrtare për t’i dhënë leje atij që të qëndrojë për një vizitë në liqenin e Gazivodës, që është edhe një nga pikat e nxehta të bisedimeve.

Presidenti Thaçi tha se ai ka leje për të vizituar Kosovën duke vlerësuar se është i nevojshëm një komunikim për të dërguar mesazhe paqeje tek qytetarët serb.

Ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli tha se për çdo vizitë zyrtarët serbë duhet të bëjnë kërkesë të qartë dhe të arsyetojnë atë.

” Nëse vjen një kërkesë tjetër dhe artikulohet arsyeja e vizitës tek Ujmani, do ta konsiderojmë sigurisht”, tha zoti Pacolli.

Zyrtarët serbë pohojnë se ata kishin bërë kërkesën me kohë duke akuzuar Prishtinën se qëllimisht e ka ndarë çështjen e vizitën në liqen ndarazi nga pjesa tjetër e vizitës.

Presidenti i Serbisë e kishte paralajmëruar ditë më parë një vizitë në veriun e Kosovës duke thënë se është duke përgatitur fjalimin më të rëndësishëm të jetës së tij, për t’u shpjeguar qytetarëve serbë procesin e bisedimeve dhe çfarë mund të përfitojnë ata dhe Serbia prej tij.

Madje në mediet serbë ishte vlerësuar se ai mund të jetë fjalimi më i rëndësishëm pas atij të ish presidentit serb Sllobodan Millosheviç në Gazimestan afër Prishtinë në qershorin e vitit 1989, kur ai kishte shënuar rrënimin e autonomisë së Kosovës dhe kishte paralajmëruar luftërat në ish Jugosllavi.

Presidenti serb Vuçiç kishte thënë se do t’u shpjegojë hapur qytetarëve serbë mundësitë e kufizuara të Serbisë në Kosovë në dritën e diskutimeve që kanë përshirë edhe mundësinë e ndryshimit të kufijve.

Këto mundësi, përveç reagimeve të brendshme në Serbi dhe Kosovë, nxitën ndarje edhe në skenën ndërkombëtarë midis atyre që mbështesin një ndryshim nëse bëhet me pajtimin e palëve dhe atyre që e kundërshtojnë atë, për shkak të pasojave që mund të kishte për rajonin. (voa)