Vuçiç, megjithatë shkon në Kosovë

VucicPresidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të premten mbrëma se gjatë fundjavë do të vizitojë Kosovën, ndonëse në 24 orët e fundit ishte paralajmëruar mundësia që ai të heq dorë nga planet e tij.

Në një fjalim drejtuar opinionit serb ai tha se “do të shkojë në Kosovë dhe do ta fillojë vizitën në Gazivodë dhe në qendrën ekologjike atje. Pres që gjithçka të kalojë mirë dhe pres që atje, në mënyrën më normale t’iu drejtohem njerëzve dhe t’u tregoj se sa është i rëndësishëm liqeni i Gazivodës, jo vetëm për serbët por edhe për shqiptarët në Kosovë”, tha ai.

Të premten zyrtarët serbë thanë se presidenti Vuçiç ka urdhëruar ushtrinë, policinë dhe shërbimin serb të zbulimit, që të shkëpusin çdo kontakt me autoritetet vendase e ndërkombëtare në Kosovë dhe se të premten në mbrëmje, do të vendosë nëse do të shkojë apo jo në Kosovë.

Zyrtarët serbë thanë se kjo ishte rrjedhojë e refuzimit të Prishtinës zyrtare për t’i dhënë leje atij që të qëndrojë për një vizitë në liqenin e Gazivodës, që është edhe një nga pikat e nxehta të bisedimeve.

Presidenti Thaçi tha se ai ka leje për të vizituar Kosovën duke vlerësuar se është i nevojshëm një komunikim për të dërguar mesazhe paqeje tek qytetarët serb.

Ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli tha se për çdo vizitë zyrtarët serbë duhet të bëjnë kërkesë të qartë dhe të arsyetojnë atë.

“Nëse vjen një kërkesë tjetër dhe artikulohet arsyeja e vizitës tek Ujmani, do ta konsiderojmë sigurisht”, tha zoti Pacolli.

Pak para fjalimit të presidentit serb, autoritetet në Kosovë kanë dhënë lejen që ai të qëndrojë edhe në liqenin e Gazivodës, me kërkesën e diplomatëve perëndimorë.

Presidenti i Serbisë e kishte paralajmëruar ditë më parë një vizitë në veriun e Kosovës duke thënë se është duke përgatitur fjalimin më të rëndësishëm të jetës së tij, për t’u shpjeguar qytetarëve serbë procesin e bisedimeve dhe çfarë mund të përfitojnë ata dhe Serbia prej tij.

Presidenti serb Vuçiç kishte thënë se do t’u shpjegojë hapur qytetarëve serbë mundësitë e kufizuara të Serbisë në Kosovë në dritën e diskutimeve që kanë përshirë edhe mundësinë e ndryshimit të kufijve.

Këto mundësi, përveç reagimeve të brendshme në Serbi dhe Kosovë, nxitën ndarje edhe në skenën ndërkombëtarë midis atyre që mbështesin një ndryshim nëse bëhet me pajtimin e palëve dhe atyre që e kundërshtojnë atë, për shkak të pasojave që mund të kishte për rajonin.

Të premten presidenti serb refuzoi të takohet me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi në Bruksel, për shkak të siç u tha qasjes së Prishtinës ndaj procesit. Ai tha se gjatë tre ditëve të fundit kishte pasur shumë trysni posaçërisht mbi Listën Serbe, që të votojë për shef të delegacionit negociues Kosovës me Serbinë, Fatmir Limajn, të cilin Serbia e akuzon për krime lufte. Ai përmendi edhe trysni të tjera siç tha ndaj serbëve dhe Serbisë.

Megjithatë, sipas tij, me gjithë zhvillimet e së premtes në Bruksel, bisedimet do të vazhdojnë sepse ndërprerja e tyre është e pamundur dhe do të kishte pasoja të rënda për popullin serb dhe popullin shqiptar. (voa)

Merkel në Maqedoni: Në kërkim të historisë së suksesit në Ballkan

MerkelReferendumi i 30 Shtatorit do të tregojë, nëse Maqedonia do të ndryshojë emrin e saj në Maqedonia e Veriut, si pjesë e marrëveshjes historike me Greqinë fqinje. Por pikëpyetje ka, Maqedonia ka nevojë për çdo lloj ndihme.

Maqedonia nuk ka parë shumë personalitete të larta politike dhe diplomatë të lartë që nga fundi i luftës në Kosovë në vitin 1999. E kyçur në mes të Greqisë në jug, Bullgarisë në lindje, Shqipërisë dhe Kosovës në perëndim e Serbisë në veri, ish-republika jugosllave me 2 milionë banorë nuk ka qenë opcioni i parë i vizitës për ndonjë lider botëror. Deri më tani. Historitë e suksesit mes politikanëve europianë janë të rralla këto kohë, aq më pak ato të Ballkanit të trazuar. Maqedonia ka shansin të bëhet një histori e tillë suksesi, por vetëm, nëse e ndryshon emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Më 17 Qershor, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe ai grek, Aleksis Tsipras nënshkruan marrëveshjen, të njohur si marrëveshja e Prespës, gati 27 vjet pas negociatave të vështira dhe grindjeve lidhur me emrin historik, Maqedoni. Shumë politikanë europianë psherëtinë të lehtësuar, ndërkohë që të tjetë, si përfaqësuesja e BE për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini dhe ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas e cilësuan atë “historike”.

Menjëherë pas kësaj, Maqedonia mori ftesën për t’iu bashkuar NATO-s, e megjithëse Berlini bëri përpjekje për hapjen e shpejtë të negociatave me BE, ato u bllokuan nga Franca e Holanda dhe u shtynë me një vit. Të dyja këto hapa u panë si inkurajim për qeverinë e Shkupit dhe qytetarët e Maqedonisë për të mbështetur referendumin e 30 Shtatorit.

Shumicë e brishtë

Por siç gjërat janë tani ka një pikëpyetje të madhe. Që të ketë sukses referendumi e të ndryshohet emri, qeveria ka nevojë për një shumicë mbi 50% të votuesve që thonë “Po”. Megjithëse sondazhet e fundit të thonë se shumica do ta aprovojë marrëveshjen për emrin, çështja që shkakton ende shqetësim, është se partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE ende nuk ka vendosur, nëse do t’u thotë përkrahësve të saj të shkojnë të votojnë, edhe nëse nuk e mbështesin marrëveshjen.

Disa organizata nacionaliste kanë bërë thirrje për bojkotim të referendumit, duke shpresuar në dështimin e referendumit për shkak të pjesëmarrjes së ulët. Sipas një sondazhi të publikuar më 6 shtator nga Instituti Maqedonas për Demokraci pjesëmarrja në referendum do jetë afër 46%. Edhe nëse referendumi ka sukses, parlamenti duhet të aprovojë marrëveshjen me një shumicë të cilësuar, 2/3, që është e vështirë për qeverinë aktuale ta arrijë.

Shkupin e vizitoi këtë javë Sekretari i Përgjithëshm i NATO-s, Jesn Stoltenberg. Ai e cilësoi “një mundësi historike” referendumin në një konferencë shtypi me kryeministrin Zoran Zaev. Kjo është mundësi një herë në jetë për t’iu bashkuar komunitetit ndërkombëtar, për t’u bërë anëtar i NATO-s, por më parë duhet rënë dakord ër marrëveshjen e emrit. Kancelari austriak, Sebastian Kurz qëndron të premten në kryeqytetin maqedonas në një përpjekje për të dhënë mbështetjen pozitive për marrëveshjen me Greqinë.

Vizita “historike” e Merkelit

E shtuna është dita, kur kancelarja, Angela Merkel viziton Maqedoninë. Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Dimitrov u shpreh për Deutsche Wellen se kjo vizitë “dërgon një sinjal të fuqishëm në një moment historik udhëkryqi – ne kemi shansin historik të ecim përpara drejt anëtarësimit të NATO-s dhe të hapim bisedimet e anëtarësimit”. Perspektiva euroatlantike e Maqedonisë u bllokua nga Greqia në samitin e Bukureshtit në vitin 2008, për shkak të çështjes së emrit. “Kjo është e rëndësishme për Maqedoninë, por edhe për Ballkanin si pjesë e Europës”, shton Dimitrov.

Dita e vizitës së Merkelit u zgjodh me kujdes, si dita e festimeve të Ditës së Pavarësisë, më 8 shtator. Asnjëherë më parë një kancelar gjerman nuk e ka vizituar Maqedoninë, përveç një qëndrimi të shkurtër të kancelarit Gerhard Schröder gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999.” Diplomati gjerman, Christian Hellbach është shprehur se “vizita e kancelares duket qartë në mbështetje të zgjidhjes së çështjes së emrit. Dhe ne besojmë se ky është një moment i diplomacisë së mirë, sepse nuk i kemi të shpeshta momente të tilla në botë apo rajon.”

Por mbështetja nuk do të mbetet me kaq. Një javë më vonë e viziton Shkupin, minstsri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, dhe më 19 e 20 Shtator do të qëndrojë ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen.

Ish-ambasadorja e Gjermanisë në Maqedoni, Gudrun Steinacker mendon, se kancelarja Merkel sjell një mesazh të qartë për referendumin. “Merkel me gjasë dëshiron t’i inkurajojë qytetarët e Maqedonisë për të vendosur mbi kompromisin që arritën Zaevi dhe Tsipras”, thotë njohësja e Ballkanit.

Interesi i Gjermanisë për sigurinë

Interesi i shtuar i politikanëve gjermanë mund të duket i papritur, por ai reflekton rritjen e vëmendjes së Berlinit për rajonin në kuadër të një rritjeje të influencës kineze dhe ruse në Ballkanin Perëndimor. Me Bosnje-Hercegovinën dhe konfliktet e vazhdueshme etnike, me alarmin që shkaktojnë idetë për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë- duket se Maqedonia ka shansin të prezantohet si mundësia për një histori suksesi në rajonin e brishtë. “Ne jemi të gëzuar që shohim, se Maqedonia po bën përpara, sepse është në interesin tonë, interesin tonë ekonomik. Kemi edhe interesin e sigurisë për vendin tuaj që t’i bashkohet BE dhe NATO-s.”

Një dështim i referendumit do të mund të godiste forcat reformiste në Shkup dhe ndoshta mund të hapë hendeqe të rinj me shumicës maqedonase dhe komunitetit të madh shqiptar në vend. Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka bërë të ditur, se do të largohet nga posti, në rast se referendumi nuk e miraton marrëveshjen për emrin me Greqinë. Ministri i Jashtëm Dimitrov vëren se “kancelarja nuk do të vinte, nëse do të bëhej fjalë për politikanët apo partitë. “Vizita zhvillohet, sepse referendumi është për të ardhmen e qytetarëve të Maqedonisë.” (dw)

Takim për Sirinë mes Rusisë, Turqisë dhe Iranit

siriaUdhëheqësit e Rusisë, Turqisë dhe Iranit takohen sot për të diskutuar fatin e provincës Idlib në Siri – zona e fundit e kontrolluar nga rebelët në atë vend. Ka shqetësime se forcat siriane dhe ruse janë gati të ndërmarrin një offensive madhore – e cila ka të ngjarë të nxisë një katastrofë humanitare dhe të fillojë një konfrontim me rebelët e mbështetur nga Turqia.

Një çantë plastike, një gotë letre dhe disa garza; një maskë e improvizuar gazi që do të japë pak mbrojtje nga një sulm kimik – janë këto përpjekjet e dëshpëruara të një babai për të mbrojtur fëmijët e tij nga një sulm i pashmangshëm…

“Rusia po pretendon se terroristët janë pas sulmeve, por e gjithë bota e di se Rusia dhe Bashari do të na godasin me armë kimike.”

Në shtëpitë aty pranë, civilët po hapin transhe. Bombat po bien tashmë në Idlib, me avionët rusë që vunë në shënjestër këtë javë ato që ata i quajnë enklava të terroristëve.

2.9 milionë njerëz jetojnë në provincën e Idlibit, qëndresa e fundit e forcave rebele të mbështetura nga Turqia dhe grupet rivale anti-Assad. Të gjitha këto janë pjesë e strategjisë afatgjatë të Sirisë dhe Rusisë thotë analisti, Kyle Orton.

“Ata i shtynë të gjithë në Idlib në mënyrë që kur të vinte fundi, të mund të ndërmerrnin, në gjuhën e luftës, një ofensivë kundër terrorit. Objektivi i tyre megjithatë është popullata civile që u ngrit kundër Assadit shtatë vite më parë. Synimi është t’i jepet fund rebelimit dhe të rivendoset kontrolli në të gjithë vendin.”

Kombet e Bashkuara paralajmërojnë për një katastrofë të pashmangshme humanitare.

“U bëj thirrje presidentit Putin dhe presidentit Erdogan të bisedojnë dhe të shkojnë përtej diskutimeve teknike për të gjetur një zgjidhje.”

Turqia ka shtuar praninë e saj ushtarake në Idlib dhe përgjatë kufirit sirian.

“Situata sjell këtë konfrontim pasi rusët kanë qënë në gjendje të kenë deri tani aleatë apo marrëdhënie të mira me Iranin dhe Assadin në Damask, me Izraelin dhe me Turqinë. Tani atyre u duhet të zgjedhin mes dy partnerëve – Turqisë nga njëra anë dhe Assadit e Iranit nga ana tjetër. Ata po përpiqen të veprojnë me finesë duke krijuar një marrëveshje që ia dorëzon provincën Assadit dhe Iranit pa konflikt.”

Nëse presidenti Erdogan do ta pranojë një marrëveshje të tillë kjo mbetet për t’u parë.

“Nëse Turqia mund të jetë e sigurtë se PKK nuk do të vijë në Idlib, atëherë mund ta bëjë këtë. ka një shans se do ta bënin këtë. Dhe nëse ata nuk do të mbyteshin me refugjatë do ta bënin atë. Problemi është se irani dhe regjimi sirian kanë filluar të stërvisin PKK-në dhe po reklamojnë faktin se po hyjnë me trupat e tyre”, thotë Kyle Orton.

Orton thotë se mosveprimi i Perëndimit i ka lënë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj jashtë përcaktimit të fatit të Idlibit.

Presidenti Donald Trump thotë se bota po vëzhgon dhe paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara – sipas fjalëve të tij – do të nervozohen shumë nëse ndodh një masakër. (voa)

Kancelari Kurz viziton Shkupin

Kurz ZaevKancelari austriak Sebastian Kurz ishte në Shkup në një përpjekje për të bindur kundërshtarët e ndryshimit të emrit të Maqedonisë se vetëm me ndryshimin ky vend do të mund të integrohet në Bashkimin Evropian.

Zoti Kurz e përshëndeti kompromisin e arritur midis qeverive të Athinës dhe Shkupit për çështjen e emrit të Maqedonisë, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të Maqedonisë që të dalin në numër sa më të madh të votojnë pozitivisht në referendumin e tridhjetë shtatorit.

SB: “Bashkimi Evropian do të jetë i tërë vetëm atëherë kur në të do të integrohet Ballkani Perëndimor. Për Maqedoninë, zgjidhja e problemit të emrit paraqet mundësi të madhe për të arritur një dinamikë në këtë rrugë por dhe për të gjithë rajonin”, – tha Kancelari Kurz.

“Kjo është zgjedhje e secilit qytetar veç e veç, por si mik i vendit tuaj mendoj se do të ishte mirë nëse ka një dalje të madhe në referendum”, – shtoi ai.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev tha se Maqedonia është një shembull i mirë për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon.

SB: “Mbështetja juaj, erdhi në një kohë kyçe dhe historike kur Republika e Maqedonisë vetëm për një vit bëri një hap të madh drejt demokracisë funksionale dhe institucioneve të pavarura në shërbim të qytetarëve”, – tha Zaev, për të shtuar se për Shkupin është nxitje që Austria e njohu shpresën e Maqedonisë për në Evropë.

“Vizita juaj, – shtoi ai – paraqet një mesazh të fuqishëm të kthimit të Maqedonisë në rrugën e drejtë, në rrugën evropiane”.

Zaev u shpreh i bindur se bashkëvendësit e tij do të votojnë për një të ardhme të ndritur të shtetit të tyre.

Ndërkohë, Kancelari austriak foli edhe për marrëdhëniet ekonomie, duke theksuar se Austria është investitori numër një në Maqedoni.

Autoritetet maqedonase gjatë pritjes së Kancelarit Sebastian Kurz, vendi i të cilit është kryesues i radhës me BE-në, bënë një gabim protokollar, duke ngatërruar flamurin austriak me atë të Letonisë, për çka pastaj kërkuan falje.

Kancelari Kurz pati takime të ndara me kryetarin e VMRO-DMNE-së Hristijan Mickovski, partia e të cilit e kundërshton marrëveshjen me Greqinë për ndryshimin e emrit të Maqedonisë dhe me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti. Ky i fundit i ka thënë zotit Kurz se: Erdhi koha t’i ecim bashkë edhe hapat e fundit drejt suksesit të dëshiruar, që është integrimi euroatlantik”. Ndërkohë, Mickovski është shprehur se marrëveshja me Greqinë e vë Maqedoninë në pozitë të palakmueshme dhe ajo nuk nuk i pasqyron interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Maqedonisë.

Të shtunën në Shkup pritet të vijë Kancelarja gjermane Angela Merkel. Kjo do të jetë vizita e saj e parë në Maqedoni, në përpjekje për ta çuar vendin e vogël ballkanik drejt integrimit më të shpejtë në BE dhe NATO. (voa)

Shkodra nën blind / Gjashtë persona të vrarë, 2 të zhdukur, Prokuroria lëshon 4 urdhër – arreste, 20 të shoqëruar

Shkodra2Policia thuajse ka shkuar e gjitha në Shkodër, me repartet e saj më të specializuara. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Shqiponjat dhe të tjera njësi të njohura të forcave blu ndodhen në qytet. Ata kanë bërë të mundur krehjen e zonës dhe më në fund kemi edhe arrestime, sikundër persona që janë shoqëruar në komisariate.  Prokuroria ka lëshuar 4 urdhër – arreste, për 4 të dyshuar si të përfshirë në ngjarjet e fundit kriminale që kanë tronditur kryeqendrën e veriut të vendit. Policia ka sekuestruar celularë, fishekë, karikatorë dhe armë të sofistikuara.

Blindimi i Shkodrës dhe të shoqëruarit në polici

Pasi kanë ndodhur ngjarjet e fundit kriminale, policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor për të zbardhur çdo krim të rëndë të ndodhur në Shkodër. Që prej së martës, Shkodra thuajse është në shtet-rrethim. Me urdhër të drejtpërdrejtë të ministrit të Brendshëm të Shqipërisë Fatmir Xhafaj janë bërë kontrolle në lagjet ku banojnë njerëz të dyshuar apo që më herët kanë precedentë të theksuar kriminalë ose që janë të shpallur në kërkim. Deri të mërkurën u konfirmuan 4 makina të blinduara që janë bllokuar në vend. Forcat policore janë fokusuar sidomos në zona si Dobraçi dhe Kirasi, pasi cilësohen si më problematiket sa i takon rendit dhe sigurisë publike.

Personat që janë shoqëruar në polici

Janë 6 vrasje dhe 2 persona që rezultojnë të zhdukur deri në këto momente në Shkodër. Në lidhje me këto ngjarje të rënda kriminale, janë arrestuar 4 persona, për të cilët është lëshuar urdhër – arrest nga Prokuroria e Shkodrës, ndërsa janë shoqëruar 20 persona, për të cilët ka dyshime se janë të përfshirë në ngjarjet e fundit kriminale. Që të gjithë këta të dyshuarit janë duke u marrë në pyetje dhe në mënyrë të thelluar nga oficerë të Policisë Gjyqësore, duke bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë, sikundër edhe me Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, duke qenë se çështjet janë delikate dhe mjaft të rënda. Kontrolle të policisë janë zhvilluar edhe në qytete si Tirana, Durrësi, Elbasani etj. Kjo për shkak të dyshimit se personat pasi kanë kryer krimet janë larguar nga Shkodra, ndërsa ka pasur edhe post-blloqe në qytete e kontrolle në pikat e kalimit kufitar. Ndërsa për të shmangur ndonjë ngjarje të rëndë kriminale për momentin, janë ngritur spajper në “ajër” (tarraca) prej policisë, që të mos ketë ndodhi të rëndë në qytetin e Shkodrës.

Fisi Lici dhe Bajri

Kontrollet më së shumti janë bërë në lagjet Kiras dhe Dobraç. Kjo për shkak se familjet Lici dhe Bajri jetojnë në këto lagje. Bëhet me dije se një nga personat, për të cilin Prokuroria zyrtarisht ka lëshuar urdhër – arrest është nga fisi Bajri. Mirëpo nuk ka version zyrtar se personi ndaj të cilit u lëshua urdhër – arresti ka me patjetër gisht në vrasje apo tjetër vepër të rëndë kriminale. Ndërkohë, të shoqëruar ka pasur edhe nga fisi Lici, por se arrest ndaj tyre deri më tashmë nuk ka. Policia ia ka dalë të bllokojë një ditë më parë makina të blinduara që janë nën pronësi të fisit Lici dhe Bajri. Nga këto fise ka persona me precedentë penalë kriminalë. Mirëpo, deri tani nuk ka autor të konfirmuar për vrasje.

/D.Xh/shekulli

Kosovë: Parlamenti dështon të mblidhet sërish për bisedimet me Serbinë

prishtinaParlamenti i Kosovës nuk arriti as të mërkurën të vazhdojë punimet e seancës së jashtëzakonshme e cila filloi dje me kërkesë të qeverisë për të miratuar përbërjen e ekipit të saj negociues në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Seanca e caktuar për orën 14:00 u shty për në 16:00 por dështoi sërish për shkak të mungesës së deputetëve.

Kjo seancë duhej t’i paraprinte mbledhjes tjetër, po ashtu të jashtëzakonshme, të kërkuar nga partitë opozitare lidhur me, siç thuhet, angazhimet e presidentit të Kosovës për “shkëmbimin e territoreve” apo “korrigjimin e kufijve” në bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Opozita, e cila ka bojkotuar seancën e kërkuar nga qeveria, thotë se shtyrja e saj po bëhet me qëllim që të pamundësohet edhe mbajtja e seancës së kërkuar nga partitë opozitare.

Kryetari i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se mos thirrja e seancës së propozuar nga opozita është antikushtetuese.

“Ne jemi në pritje të gjithë deputetët e opozitës, më shumë se 24 orë prej se kemi kërkuar që të mbahet seanca e jashtëzakonshme, nuk është diskrecion i askujt të shtyhet kjo seancë, është obligim kushtetues dhe sipas rregullores së parlamentit duhet të mbahet seanca në kohën kur është kërkuar nga së paku 40 deputetë. Kjo formë se si po sillet kryetari i parlamentit dhe ky koalicion qeverisës është praktikisht kapje e institucioneve, kapje e parlamentit duke mos lejuar fjalën e opozitës në parlamentin e Kosovës”, tha zoti Hoti.

Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, kërkoi që sa më parë të thirret seanca e propozuar nga partitë opozitare.

“Pra dyzet orë nuk i kanë mjaftuar pushtetit që ta përfundojë një seancë. Këtu nuk është qëllimi fare që të përfundohet, por që të zgjatet deri me 7 shtator. Kështu që ne i bëjmë thirrje kryetarit të parlamentit me urgjencë që të thrrasë seancën të cilën ai e ka obligim. Kjo nuk është le të themi e thirrur vetëm nga një numër simbolik i deputetëve, kjo është kategori kushtetuese”, tha zoti Konjufca.

Kryeministri Haradinaj kritikoi dje bojkotimin e seancës nga ana e partive opozitare, duke thënë se ata duhet të marrin pjesë, qoftë edhe vetëm për t’i treguar mospajtimet e tyre.

Qeveria ka propozuar ekip negociues që sipas saj duhet të drejtohet nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj. Pjesë e ekipit do të jenë edhe Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli, Dardan Gashi, Avni Arifi dhe Mahir Yagcillar, e vendet e tyre në këtë ekip i kanë edhe partitë opozitare dhe shoqëria civile.

Seancat e jashtëzakonshme në parlament u kërkuan pak ditë para takimit të radhës ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të cilët kanë kërkuar mbështetje për një marrëveshje në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që do të mund të përfshinte edhe ndryshimin e kufijve. (voa)

Perëndimi mbështet referendumin e emrit në Maqedoni

radmilaKancelarja gjermane Angela Merkel, ai austriak Sebastian Kurz, si dhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg do të vizitojnë që të 3 këtë javë Maqedoninë, një sinjal i qartë ky i mbështetjes së Perëndimit për referendumin e emrit më 30 shtator.Nëse vota shkon në favor të marrëveshjes me Greqinë, atëherë ajo do të heqë një pengesë të madhe në rrugën e integrimit euroatlantik të vendit. I pari mbërrin në Shkup Stoltenberg, për një vizitë dyditore. Shefi i ekzekutivit austriak Kurz e ka caktuar ndalesën e tij të premten, ndërsa Merkeli pritet në Maqedoni të shtunën.

Ajo do të kthehet në kryetaren e parë të një qeverie gjermane që viziton Maqedoninë në thuajse dy dekada. Mbërritja e Merkelit më 8 shtator përkon gjithashtu me Ditën e Pavarësisë së vendit, kur kancelarja është parashikuar të takohet me udhëheqësit kryesorë, e ndoshta të mbajë edhe një fjalim drejtuar kombit.

Në bazë të marrëveshjes së vulosur me Greqinë këtë verë, pas negociatash të gjata e të mundimshme, Maqedonia pranoi ta ndryshojë emrin e saj në “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Në këmbim, Athina do të heqë veton me të cilën i bllokonte vendit fqinj anëtarësimin në NATO dhe BE. Që ujdia historike të arrijë të implementohet plotësisht duhet të marrë më parë mbështetjen e popullit maqedonas, duke grumbulluar më shumë se gjysmën e votave.

Situatën e komplikon qëndrimi i VMRO-së në opozitë, e cila e përshkruan votimin si “kapitullim kombëtar” dhe ka bërë thirrje për bojkotimin e tij.

Top Channel

Thaçi: Mund të shkoj në shtëpi por nuk pranoj republikë serbe në Kosovë

thaciPresidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të mërkurën se korrigjimi i kufirit e shpëton Kosovën nga ndarja, shkëmbimi i territoreve dhe nga themelimi i një Republike serbe.

Ai i bëri këto komente gjatë një diskutimi të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, lidhur me idetë për korrigjimin e kufirit me Serbinë.

Presidenti Thaçi tha se ai asnjëherë nuk ka folur për ndarje të vendit apo shkëmbim të territorit, por, të korrigjimit të padrejtësive që kanë ndodhur nëpër vite.

Korrigjimi i kufijve e shpëton Kosovën nga ndarja, shkëmbimi dhe themelimi i Republikës serbe. Për mua më e rrezikshme është Republika serbe se sa korrigjimi i kufirit. Korrigjimi është fitore e madhe për Republikën e Kosovës. Republika serbe është defunksionalizimi i plotë i Republikës së Kosovës. Edhe me miq ndërkombëtarë që propozojnë Republikë serbe unë nuk pajtohem dhe nuk do të lejojë diçka të tillë të ndodhë, kushdo që të jetë, unë mund të shkoj në shtëpi por diçka të tillë nuk pranoj”, tha ai.

Presidenti Thaçi tha se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, shkëmbim të territoreve apo një asociacion komunash me fuqi ekzekutive.

Këto ditë kam dëgjuar ide të ndryshme prej partive të ndryshme dhe individë të ndryshëm të institucioneve të Kosovës, që me të vërtetë kanë qenë shqetësuese, por e ritheksoj, nuk do të lejojmë as diskutim për ndarje, nuk do të lejojmë as diskutim për shkëmbim sikurse që nuk do të lejojë asociacion me kompetenca ekzekutive, së paku sa do të udhëheq unë zyrën e presidentit të Kosovës. Pra, në këtë drejtim unë jam për me marrë, e kushdo që dëshiron të jap, është tjetër”, tha ai.

Presidenti Thaçi tha se do të nënshkruaj një marrëveshje me Serbinë vetëm nëse ajo do të jetë në përputhshmëri me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Ai tha se idetë e ndryshme për ndryshimin e kufijve kanë ardhur nga individë të ndryshëm në Kosovë dhe se sipas tij asnjëherë kjo çështje nuk është shtruar në takimet e deritashme.

Unë nuk e di se çka mendon Beogradi, aty ku unë kam qenë ulur si president i Kosovës, kurrë në asnjë rrethanë, askush nuk e ka ngritë idenë as të ndarjes as të shkëmbimit. Kur të flet Beogradi flas edhe unë, por diçka të tillë nuk kam dëgjuar. Unë kam fol vetëm për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, dikujt i duket e parealizueshme, unë ju kuptoj, por ja që mua më duket e realizueshme dhe unë besoj që do ta realizoj, sinqerisht besoj dhe jam i bindur”, tha ai duke nënvizuar se do të ishte i gatshëm të heqë dorë nga përgjegjësia në bisedime, nëse do të kishte zgjidhje më të mirë për të ardhmen e Kosovës.

Nëse dikush nga ju ose kushdo që të jetë, më bind si president i vendit ose i bind edhe akterët që janë vendim marrës në botë që mund të lëvizë shteti i Kosovës drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian pa marrëveshje paqësore, pa marrëveshje për fqinjësi të mirë me Serbinë dhe Serbia mund të lëvizë drejt perspektivës evropiane pa marrëveshje paqësore pa fqinjësi të mirë me Kosovën, unë jam i gatshëm jo që të jem pjesë e ekipit të tij negociator, por edhe letrat i mbaj, vetëm le të më bind”, tha presidenti Thaçi.

Ai pritet të takohet të premten në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pak ditë pasi të dy kërkuan mbështetje për një marrëveshje në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që do të mund të përfshinte edhe “korrigjimin e kufijve”.

Partitë opozitare në Kosovë kundërshtojnë idetë e presidentit Thaçi dhe kanë paralajmëruar rezolutë në parlament kundër tij si dhe protesta për të penguar siç thuhet, idetë e tij që janë sulm mbi shtetësinë e Kosovës.

Ndarjet ndërmjet pushtetit dhe opozitës rreth bisedimeve me Serbinë janë shfaqur ashpër edhe në debatet në parlamentin e Kosovës.

Vuçiç: Prishtina nuk do të bisedojë për asgjë me rëndësi

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të mërkurën se zhvillimet e fundit në Prishtinë tregojnë se “zyrtarët shqiptarë nuk duan të flasin as për bashkësinë e komunave serbe, as për veriun e as për Gazivodën…Duket se nuk duan të flasin për asgjë me peshë”, tha ai.

Ai tha se Serbia nuk ka kohë për të humbur dhe dëshiron të bisedojë për të gjitha temat që janë me rëndësi për serbët dhe shqiptarët, ndërsa nënvizoi se është koha që Beogradi dhe Prishtinë të marrin përgjegjësitë në duart e tyre.

“Është koha të vendosim për fatin tonë dhe jo që dikush ta përcaktojë atë nga jashtë”, tha ai.

voa

20 vjet Google – Kërkohet më shumë kontroll mbi koncernin

googleNë dy dekada Google është zhvilluar nga një firmë e krijuar në një garazh në Kaliforni në koncernin më të fuqishëm të internetit në botë. Për shkak të pushtetit që ka Google duhet të na interesojë të gjithëve.

Kur presidenti amerikan Donald Trump godet Google, e bën këtë me sjelljen tipike alla Trump. Një njeri egoman kërkon që bota t’ i përshtatet ideve të tij, dhe jo anasjelltas. Një gjë Trump megjithatë e ka kuptuar, pushtetin e madh që ka Google. Algoritmet e Google vendosin tashmë cilat lajme lexohen dhe cilat kalojnë pa u ndier. Shefat e koncernit pretendojnë madje se nuk ka pse t’ i vrasë ndërgjegja, sepse aty nuk manipulohet asgjë. Gjithçka zhvillohet sipas një principi, në sipërfaqe dalin ato gjëra që u interesojnë njerëzve më shumë. Relevanca është principi bazë. Vetëm me këtë mënyrë koncerni është bërë kaq i madh.

Ne jemi të mirët!

Por kjo nuk mund të vazhdojë gjithë kohën. Google është përpjekur gjithnjë të prezantojë veten si “shok” dhe “partner” i mirë. Në përshtatje me moton e ditëve të para të themelimit:”Don’t be evil” – “Mos u bëj i keq”. Kjo moto është për t’u mbajtur mend sepse përmban brenda vetes shumë moral. Ekziston e mira, ekziston edhe e keqja. Dhe ne, thonë themeluesit e Google, kemi marrë vendim të jemi të mirët.

Ndërkohë Google e ka ndryshuar slloganin. Tani ai është: “Do the right thing” – “Bëj atë që duhet”. Në shikim të parë duket po aq simpatik sa sllogani i mëparshëm, megjithatë nuk është ashtu. Nëse për shembull do të pyesnit Donald Trumpin çfarë mendon ai për “the right thing”. Google sot është në çështjet e moralit shumë më fleksibël se sa në vitet e fillimit.

Kjo duhet të trembë të gjithë ata që besojnë se interneti do të bëhet vendimtar për të ardhmen e demokracisë dhe shoqërisë sonë. Ne na duhet dikush që kontrollon mirë këtë gjë. Që kontrollon neutralitetin e Google dhe respektimin e neutralitetit. Jo autoritete, politikanë por institucione neutrale. Për shembull një fondacion. Ai duhet të mbrojë Google nga përpjekjet për t’ u kthyer në mish për top për politikën dhe ekonominë. Sepse sa më pak konkurencë ekziston në internet aq më të prekshme bëhen këto rreziqe. Donald Trump do të preferonte shumë që t’ ia shkruante me ligje motorrave të kërkimit idetë që ka ai për motorat e kërkimit.

Monopolist neutral?

Që Google ka mbetur neutral, ka ndodhur deri tani prej vetë sipërmarrjes. Po ashtu siç duhet të mbrohet vetë nga përpjekjet dhe sulmet për manipulim. Kurse ne përdoruesit duhet të besojmë se koncerni do vërtet që të mbetet neutral. E rrezikshme kjo është kur sipërmarrja ka sot një pozicion gati monopolist. Prandaj Google duhet të gëzohet edhe vetë të ketë një kontroll të pavarur nga jashtë, dhe të mos vazhdojë ta pengojë këtë me forcë si deri tani.

dw

Forca e rëndesës mund të jetë burim energjie të ripërtëritshme

kablotNë një botë që ka gjithmonë e më shumë nevojë për energji, shkencëtarët po studiojnë vazhdImisht të gjitha burimet e mundshme të ripërtëritshme, në përpjekje për identifikimin e rrugëve të rritjes së efikasitetit. Një studiues në Hollandë beson se edhe forca e rëndesës mund të përdoret për të prodhuar energji elektrike falas. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, George Putic sjell më shumë hollësi.

Disa materiale, si kristalet e kuarcit dhe disa qeramika, kur ekspozohen ndaj stresit mekanik prodhojnë sasi të vogla energjie. Ky efekt, që quhet piezo-elektricitet përdoret në ndezësit e barbekyve për të krijuar shkëndijën që shkakton flakën.

Efekti mund të përdoret edhe për të krijuar sinjale zanore në bobinat fonike të kristalit dhe në mikrofonët me grimca kristali.

Por piezo-elektriciteti funksionon vetëm kur forca e përdorur ndryshon nga presioni në çlirim. Nga ana tjetër forca e rëndesës është një forcë e vazhdueshme.

“Problemi me gravitetit është se vepron vetëm në një formë”.

Arkitekti hollandez, Janjaap Ruijssenaars e vuri re një gjë të tillë kur një shufër e gjatë vertikale mbi një platformë të sheshtë, shtyhet duke humbur balancën, ka prirjen të luhatet për një kohë të gjatë, duke ushtruar presion herë pas here në skajet e platformës.

“Pra kjo shpikje, kjo paisje e energjisë nga forca e rëndesës realizon diçka të re. Pra kur graviteti shndërrohet në një forcë në ndryshim atëherë mund të prodhosh elektricitet dhe këtë po vërejmë në këtë rast”.

Materiali piezoelektrik që vendoset mes paltformës së luhatshme dhe terrenit të qendrueshëm ekspozohet ndaj një presioni vazhdimisht në transformim, duke prodhuar elektricitet.

“Me një ndërhyrje fare të lehtë, krijohet paqendrueshmëri në sistem; rezultati diktohet nga forca e rëndesës”.

Luhatja e shufrës mund të shkaktohet edhe kur ajri i nxehtë i krijuar nga një llambë, fillon të vërë në lëvizje një helikë të vogël.

“Është diçka fare e re dhe ne ende na duhet të zbulojmë mënyrën më optimale, por nuk është ende e përcaktuar se sa material piezo mund të shtosh”.

Ruijssenaars thotë se i njëjti parim mund të përdoret në eksperimente me përmasa më të mëdha për të karikuar bateritë e makinave ose për të operuar gjeneratorë të pavarur energjie. (voa)