Stoltenberg, Merkel dhe Kurtz këtë javë vizitojnë Maqedoninë

stoltenberg-merkelNë prag të referendumit të planifikuar për më 30 shtator, në Shkup këtë javë për vizitë zyrtare do të qëndrojnë vijnë kancelarët e Gjermanisë dhe Austrisë, Angela Merkel dhe Sebastian Kurtz, si dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.

Ardhjen e tyre e paralajmëroi kryeministri Zoran Zaev, duke theksuar se vizita e tyre këtë javë është një sinjal pozitiv, mirënjohje dhe mbështetje për Maqedoninë.

“Të mërkurën në mbrëmje vjen Stoltenberg, për herë të dytë në gjashtë muaj, të premten kancelari austriak Kurtz, ndërsa të shtunën Merkel. Ardhja e tre burrështetasve botërorë është mirënjohje për Maqedoninë, sinjal pozitiv. Ata na e shtrijnë dorën që të shkojmë përpara”, theksoi Zoran Zaev, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas tij, edhe opozita është e vetëdijshme se ky është momenti për BE-në dhe NATO-n, moment kur të gjithë, siç theksoi, duhet të jemi së bashku dhe të bashkohemi për Maqedoninë evropiane. Zaev theksoi se është i bindur se qytetarët e Maqedonisë do ta njohin dhe nuk do ta humbin shansin historik që do ta sigurojë ardhmërinë e shtetit dhe gjeneratave të ardhshme.

Merkel të shtunën vjen në Shkup, siç paralajmëroi zëdhënësi i saj Steifen Zeibert, që nga dora e parë të formojë përshtypje për referendumin vijues.

Mesazh për inkurajim mbrëmë dërgoi edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federica Mogherini. Ajo porositi se Maqedonia duhet t’i shfrytëzojë mundësitë që i ofrohen edhe për fillim të negociatave për inkuadrim me BE-në. /Telegrafi/

Thaçi e Vuçiqi në shtator ”i hapin letrat”

Thaci-Mogherini-VuciqPresidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandër Vuçiq deri tani kanë dhënë deklaratë rreth asaj se cila mund të jetë përmbajtja e marrëveshjes ndërmjet të dyja shteteve. Megjithatë të dy presidentët pritet të fillojnë “t’i hapin letrat” gjatë këtij muaji. Thaçi ka thënë se në takimin e 7 shtatorit do ta prezantojë idenë e “korrigjimit të kufijve”, ndërsa Vuçiqi ka paralajmëruar se së shpejti do të dalë me propozim konkret për marrëveshjen me Kosovën, shkruan sot Gazeta “Zëri

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq pritet që qysh në takimin e së premtes të fillojnë “t’i hapin letrat” sa u përket propozimeve për përmbajtjen e marrëveshjes finale ndërmjet të dyja vendeve.

Thaçi tashmë ka bërë të ditur se në takimin e 7 shtatorit do ta prezantojë idenë e korrigjimit të kufijve, që sipas tij nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, shkruan më tutje Zëri.

Ndërsa Vuçiqi ka paralajmëruar se do të dalë me një propozim konkret për zgjidhjen e “çështjes së Kosovës”.

Subjektet politike opozitare në vend, si dhe analistët politikë thonë se duket sikur deklarimet e Thaçit për “korrigjim të kufijve” janë në koordinim me presidentin serb.

Ata thonë se propozimi i Vuçiqit sigurisht se nuk do të dalë përtej Kushtetutës së Serbisë, prandaj thonë se Kosova duhet të ketë një platformë të qartë për dialogun.

Zaev: Deri në maj të viti 2020-të do të jemi anëtare e plotë e NATO-s

berovo- zaevKryeministri Zoran Zaev sot në  mbrëmje në debatin në Berovë tha se pret që deri në maj të vitit 2020, Maqedonia do të jetë anëtare e plotë e NATO-s.

“Pres që të jem anëtare e plotë e NATO-s në mes janarit dhe majit të vitit 2020. Vendi ynë është afër Norvegjisë, ne e dimë edhe karrigen. Teli ynë është vendosur tashmë, flamuri ynë do të jetë atje. Dy arsye janë pse kemi ardhur këtu sot. E para është se ka ardhur koha, ajo është pjekur. Gjëja e dytë është ajo që na ndodh në rajon. Maqedonia është shumë afër Bashkimit Evropian. Zaev është i pari në ekzekutiv, ndoshta si më i informuari për pozitën, duhet të dini gjithçka sepse ju duhet të merrni një vendim. Unë jam një ekonomist dhe më së shumti kam ardhur për të zgjidhur ekonominë. Kjo rritje që kemi nuk është e kënaqshme, këto reforma nuk janë të mjaftueshme. Kjo është arsyeja pse ne duhet të presim dhe të marrim vendime të rëndësishme. Ne kemi nevojë për rritje prej 7 për qind, prej 11 për qind. Kjo është arsyeja pse jam i prerë”, tha Zaev.

Ndërsa kryetari i Komunës së Berovës, Zvonko Pekevski tha se 20 vjet më parë qyteti kishte tre herë më shumë banorë dhe me pasaportat bullgare ata ikën për vendet që janë anëtare të NATO-s dhe BE-së. Por ai tha se bashkëqytetarët e tyre që morën pasaporta bullgare ndihesh maqedonas dhe asnjë letër nuk mund ta ndryshojë këtë. Pekevski tha se ata që pohojnë se identiteti është rrezikuar, sipas tij, po gënjen për arsye egoiste. /Telegrafi/

Mogherini: Të shfrytëzohet mundësia për fillimin e bisedimeve me BE-në

mogherini-Viti i ardhshëm do të jetë intensiv për përgatitjet për fillimin e bisedimeve të pranimit të Maqedoninë dhe Shqipërinë. Këto mundësi duhet të shfrytëzohen tani, ky vit është ai vit. Nuk është çështje e koncesioneve, është në interes të qytetarëve evropianë, brenda BE-së dhe jashtë kufijve të saj, tha Ministri i Punëve të Jashtme i Federica Mogherini në fjalimin e sotëm për ambasadorët e BE në Bruksel, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Mogherini më parë kujton se këtë verë Athina dhe Shkupi arritën një marrëveshje dhe se referendumi për këtë çështje do të mbahet brenda disa javësh.

“Në Ballkan sot është shumë e qartë se BE është një pikë referimi. Më lejoni t’u tregoj të gjithëve që kanë frikë se pushtetet e tjera janë ende më të pranishme në rajon, sa herë që jemi të pranishëm në rajon, nuk ka vend për të tjerët”, theksoi përfaqësuesi e lartë i BE-së për çështjet e jashtme dhe të sigurisë. /Telegrafi/

Shkencëtarja shqiptare që krijoi retinën artificiale në Angli

prof_majlinda_lakoRetina artificiale dhe gjetja e shkakut të verbërisë, Majlinda Lako rrëfen zbulimet e fundit që ka bërë me ekipin e saj në Angli. Si arriti ish-studentja e Fakultetit të Shkencave të Natyrës në majat e shkencës ndërkombëtare, familja dhe lidhja që ruan me vendin e saj

Jeni duke kërkuar një mrekulli? Atëherë i hidhni sytë nga shkenca. Albert Anshtajn thoshte se njeriu takon Zotin pas çdo dere që shkenca arrin të hapë. Kësaj here, matanë derës së dijes, zëri i zbulimeve të reja shkencore bëhet një shqiptare. Bëhet fjalë për Majlinda Lakon, shkencëtaren e mjekësisë gjenetike si dhe pedagoge në Universitetin Newcastle në Angli, e cila së bashku me ekipin që drejton me bashkëshortin e saj kanë arritur të krijojnë retinën artificiale duke pasur si model miun. Por kjo nuk është e vetmja e re që na vjen prej Lakos, ish studente e Biokimisë dhe Gjenetikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Një tjetër studim i saj pritet të botohet së shpejti në revistën prestigjioze të zbulimeve të larta shkencore “Nature Communications”, bëhet fjalë për gjetjen e shkakut të verbërisë tek pacientë të veçantë. Po cila është historia e shqiptares që është bërë frymëzim për brezat e rinj të shkencës në Angli? “Për mua, transmetimi i pasionit shkencor arrihet në radhë të parë duke dhënë shembullin personal”. Lako në këtë intervistë për “Shekullin” rrëfen periudhën e studimeve në Shqipëri dhe si arriti të bëhej pjesë e shkencëtarëve të gjenetikës humane në Newcastle, ende pa mbaruar doktoraturën. Pas rezultateve maksimale të Masterit në këtë universitet, rrugëtimi i saj profesional nis me një letër dhe me një dashuri të madhe për shkencën, që do ta nxisë të sfidojë vetveten. Edhe pse në majat e shkencës në Mbretërinë e Bashkuar, ajo do ta ruaj të fortë lidhjen me vendlindjen, Tiranën dhe Fakultetin ku mori bazat e profesionit. Kulturën dhe dashurinë për atdheun ua ka transmetuar edhe fëmijëve të saj, të cilët kanë emra shqiptarë dhe ndihen krenarë për Shqipërinë.

Zonja Lako, i keni përfunduar studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë si e kujtoni atë periudhë?

Unë e kujtoj atë periudhë me shumë nostalgji jo vetëm për kolegët e mi me të cilët u diplomova dhe jam në kontakt të vazhdueshëm, por dhe pedagogët, të cilët me sa kishin mundësi na bënë që ta dashurojmë biologjinë dhe shkencën si dhe na dhanë një bazë shumë të mirë formimi që mundësoi për shumë nga ne të kontribuojnë në vende të ndryshme të botës. Nga kujtimet më të bukura ishin ekspeditat e botanikës dhe të zoologjisë që ne bënim në Vlorë dhe Shëngjin si dhe punët e laboratorit.

Më pas në moshë të re u bëtë pjesë e departamentit të  Gjenetikës Njerëzore (Newcastle), a ka qenë rrugëtimi juaj i vështirë?

Pasi mora diplomën nga Fakulteti i Shkencave në vitin 1992, unë erdha në Angli (Manchester) për të bërë Masterin dhe kjo u bë e mundur nëpërmjet një burse. Ëndrra ime ishte që të bëja doktoraturë në gjenetikën humane dhe në Mançester pata mundësinë të njihesha me punën që bëhej në një nga laboratorët ndër më të suksesshmit në këtë fushë dhe që drejtohej nga dy profesorë shumë të njohur, Tom Strachan and Susan Lindsay në Universitetin e Newcastle. Me shumë ndrojtje po dhe dëshirë, u shkrova një letër ku u shpjegova ëndrrën time për doktoraturë dhe ata më ftuan për një intervistë. Kur arrita në Newcastle, më shpjeguan që vendi i punës që ata kishin ishte në fakt për një person që kishte mbaruar doktoraturën, por ata ishin të përgatitur të ma ofronin mua në qoftë se unë e bëja punën gjatë orarit të ditës dhe doktoraturën në kohën e lirë (gjatë natës dhe në fundjavë). Unë e pranova këtë sfidë dhe brenda 4 vjetëve arrita t’i bëj të dyja, duke u diplomuar me doktoraturë në vitin 1998 dhe duke publikuar 8 artikuj. Kjo kërkoi një dedikim të plotë, por për mua ishte një ëndërr që po realizohej dhe unë me të vërtetë e shijova çdo moment të sfidës.

Prej 15 vitesh punoni në Newcastle University, ç’mund të na thoni për punën tuaj me studentët? Si ua transmetoni atyre pasionin për shkencën mjekësore?

Unë kam kënaqësi të veçantë të punoj me studentë dhe për këtë më kanë frymëzuar dhe prindërit të cilët kanë qenë të angazhuar në këtë fushë (mami si mësuese e ciklit të lartë të 9 vjeçares) dhe babi (inxhinier hidrogjeolog, por dhe lektor në fakultetin e gjeologjisë). Puna ime këtu në Newcastle është me studentët e vitit të tretë ose të katërt që bëjnë një projekt 8 javësh, me studentët e Masterit që bëjnë projekte 6 mujore dhe me studentët PhD  që bëjnë projekte për doktoraturën (3-4 vjet) në laboratorin tim. Gjatë 15 vjetëve të fundit, unë kam drejtuar 18 PhD, 14 MSC dhe 12 BSc students.  Mentorimi i shkencëtarëve të rinj vazhdon dhe pas doktoraturës, dhe unë kam pasur kënaqësinë të kem në laboratorin tim 36 shkenctarë postdoktoral, shumë prej tyre janë tani në vende të ndryshme në Angli dhe në botë (SHBA, Australi, Rusi etj.) ku vazhdojnë të punojnë në këtë fushë në mënyrë të pavarur. Për mua, transmetimi i pasionit shkencor arrihet në radhë të parë duke dhënë shembullin personal. Arrihet duke bërë një punë të vazhdueshme dhe sistematike, duke folur me pacientët, kolegët dhe mjekët për të ditur cilat janë nevojat klinike që ne duhet t’i zgjidhim në laborator. Pasioni përçohet duke mësuar në çdo çast dhe moment të rejat e shkencës, duke mos u tërhequr nga disfatat,  duke mos u kënaqur me suksesin e arritur por duke kërkuar gjithnjë të renë. Unë shpesh i mbyll leksionet e mia me këtë këshillë për shkencëtarët e rinj: “Gjenitë janë 1% frymëzim dhe 99% punë”, siç ka thënë Edison. Pse ne bëjmë kërkime shkencore: sepse është interesante! Vendos objektivat dhe ndiq ëndrrat e tua: Argëtohu!

Zonja Lako, ju dhe bashkëshorti juaj drejtoni një ekip kërkimor në fushën e shkencës mjekësore, mund të na thoni diçka më tepër?

Fokusi i kërkimit tonë shkencor është përdorimi i qelizave staminale (janë qeliza nënë që kanë potencial për të prodhuar çdo lloj qelize të trupit) për rigjenerimin e syrit dhe veshit (dëgjimit). Këto qeliza mund të prodhohen në dy mënyra: (1) Nga embrionet e fekondimit artificial pasi është marrë aprovimi i çiftit që bën këtë trajtim. Ekipi ynë në Newcastle ka qenë një nga dy grupet në Angli që ka prodhuar qelizat embrionale të cilat u depozituan në “UK Stem cell Bank” në vitin 2004. (2) Metoda e dytë realizohet nga kthimi i qelizave që gjenden në trupin e njeriut në gjendjen embrionale. Ky fenomen është zbuluar nga fituesja e çmimit Nobel në 2007-ën Shinya Yamanaka dhe ekipi ynë ka arritur ta riprodhojë këtë sukses në vitin 2008 në Newcastle. Brenda 10 vjetësh, ne kemi arritur të prodhojmë qeliza të tilla nga më shumë se 600 pacientë që vuajnë nga sëmundje degjenerative (për shembull Parkinson,Alzheimer etj). Avantazhi i këtyre qelizave është që këto mund të prodhohen nga çdokush dhe nuk ka nevojë për të përdorur embrione. Ne mund të marrim disa qeliza gjaku ose të lëkurës dhe me disa manipulime gjenetike, brenda 4-5 javëve i kthejmë këto në qeliza “pothuajse” të njëjta me qelizat embrionale. Mandej këto të fundit brenda 4-6 muajve mund të vazhdojmë t’i shndërrojmë në qeliza të zemrës, qeliza të gjakut, të trurit. Fakti që këto qeliza vijnë nga pacienti, është shumë i vlefshëm për kërkimet tona, sepse ato mbartin informacionin gjenetik të pacientit, çka na lejon të studiojmë sëmundjen në laborator, të korrektojmë defektin gjenetik por dhe të testojmë ilaçe dhe terapi të ndryshme.

Së fundmi keni mundur të prodhoni retinën artificiale në një eksperiment me minjtë. Në çfarë konsiston në fjalë të thjeshta? Sa janë gjasat që ky eksperiment të rezultojë i suksesshëm edhe tek njerëzit?

Krijimi i mini organeve në laborator është një fenomen që na ndihmon me të vërtetë për të prodhuar qeliza për transplantim, për të studiuar sëmundjen në laborator (pa pasur nevojë të marrim biopsi nga pacientet në mënyrë të vazhdueshme) dhe për të testuar terapi të ndryshme. E financuar nga Komuniteti Evropian, ekipi im ka arritur të krijojë një retinë artificiale që i ka të gjitha llojet e qelizave si retina që gjendet në syrin e njeriut dhe që i përgjigjet dritës si një foshnjë e sapolindur. Ky kërkim shkencor është bërë në bashkëpunim të ngushtë me kolegët e mi në Newcastle që punojnë në fushën e elektrofiziologjisë së retinës por dhe me farma kompanitë si Roche, Novartis, Merck, Byers etj., që janë të interesuar në këtë fushë. Për momentin, transplantet e qelizave të retinës artificiale janë bërë nga ekipi im dhe disa ekipe të tjera në botë por deri tani te miu si model. Unë mendoj, që do na duhet të paktën 5-10 vjet për t’i përmirësuar procedurat tona eksperimentale, por dhe për të marrë miratim nga agjencitë rregullatore.  Shkenca në këtë fushë ka ecur me hapa të shpejtë, dhe për momentin, ka teste klinike që transplantojnë qelizat pigmentare që janë shumë të nevojshme për shëndetin e retinës te pacientët me degjeneracion të makulës (pjesë e retinës e specializuar për pamje qendrore dhe të dalluarit e hollësirave më të imëta). Unë shpresoj që këto do të ndiqen së shpejti nga transplanti i qelizave të retinës.

Përveç retinës, cilat janë disa nga zbulimet më interesante lidhur me shikimin dhe sytë që ekipi juaj ka bërë?

Ndër zbulimet më interesante ka qenë rigjenerimi i kornesë (pjesa e përparme e syrit që duhet të jetë transparente të lejojë kalimin e dritës te retina) te pacientet që kanë pasur dëmtime në sy si rezultat i aksidenteve në punë. Ky projekt ka nisur në vitin 2003 në bashkëpunim të ngushtë me mjekun okulist, Francisco Figueiredo.  Ne marrim një biopsi të vogël nga syri i padëmtuar i pacientit, i rrisim këto qeliza në laborator për dy javë dhe pastaj i transplantojmë te syri i sëmurë. Deri tani, ne kemi trajtuar 33 pacientë me sukses të plotë duke u sjellë atyre shikim të plotë në syrin e sëmurë. Kjo ka qenë një rrugë e gjatë dhe interesante, por që ka dashur shumë përkushtim dhe bashkëpunime jo vetëm shkencore, por dhe me agjencitë rregullatore që miratojnë çdo hap të këtij procesi në mënyrë që mos të ketë asnjë pasojë negative nga transplanti i qelizave staminale. Për momentin, një studim tjetër që më ka dhënë shumë kënaqësi dhe që do të botohet së shpejti në gazetën “Nature Communications”, është gjetja e shkakut të verbërisë në pacientet që kanë një mutacion në një gjen që funksionon në gjithë qelizat e trupit, por në fakt vetëm në retinë shkakton problem. Na u deshën 7 vjet, bashkëpunim me pesë laboratorë të njohura në Angli, USA dhe Gjermani, por tani kemi arritur të gjejmë përgjigjen e kësaj pyetje që do na lejojë të identifikojmë terapinë më të mirë për këta pacientë që humbin shikimin që nga mosha 30 vjeçare.

Si është për një shqiptare të jetë në majat e shkencës në Mbretërinë e Bashkuar?

Me të vërtetë që nuk është një rrugë e lehtë, por unë kam pasur shumë fat që prindërit më kanë ndihmuar jashtëzakonisht me fëmijët duke më lejuar mua t’i dedikohem punës dhe shkencës. Kur fëmijët kanë qenë të vegjël ata kanë shpenzuar muaj dhe vite të tëra në Angli duke iu kushtuar fëmijëve të mi, pavarësisht klimës jo të mirë si dhe mungesës së shoqërisë, apo ambientit të tyre familjar. Pa këtë ndihmë dhe inkurajim, po ashtu dhe nga bashkëshorti që e kupton shumë mirë “që puna s’mbaron në punë, po vazhdon dhe në shtëpi dhe në fundjavë”, do të ishte pothuajse e pamundur, kështu që unë u jam shumë mirënjohëse të treve.

Si e ndani jetën mes familjes dhe karrierës?

Kjo balancë është me të vërtetë e vështirë për t’u realizuar dhe unë përpiqem shumë që të kaloj çaste të mira me fëmijët dhe t’i ndjek ata në aktivitetet e tyre shkollore dhe jashtë shkollore, por shpesh puna, gazeta “Stem Cells” ku unë punoj si redaktore e asocuar dhe udhëtimet e vazhdueshme marrin shpesh herë prioritet. Kur djali (tani 16 vjeç) dhe vajza (tani 11 vjeç) ishin të vegjël, shpesh ankoheshin që unë mungoja në disa aktivitete të tyre, që nuk isha e pranishme t’i merrja nga shkolla në orën 3 e gjysmë si nënat e tjera, por tani që janë më të rritur e kuptojnë dhe vlerësojnë natyrën e punës dhe dedikimin  tim. Madje shpesh ju pëlqen që të vijnë në laborator me ne, të angazhohen me ekipin tonë dhe të tregojnë dhe në shkollë për punën që bëjmë unë dhe bashkëshorti.

Cila është lidhja që ruani me Shqipërinë? A ua transmetoni fëmijëve kulturën shqiptare?

Të dy fëmijët e mi kanë emër shqiptar dhe janë shumë krenarë për prejardhjen tonë. Vizitat në Shqipëri janë me të vërtetë momentet më të bukura të vitit, unë mundohem që të vij 1-2 herë në vit, shumicën e rasteve për të parë familjen dhe për t’u takuar me shoqërinë e gjimnazit dhe të fakultetit. Por kur mundem, arrij të jap leksione te Fakulteti i Shkencave të Natyrës ose të kumtoj në konferenca shkencore. Fëmijët i sjell gjithmonë, ata e konsiderojnë Tiranën si qytetin e tyre të dytë dhe kanë shumë kënaqësi të takohen me familjen time, shoqërinë, si dhe të shijojnë ushqimin dhe klimën tonë të mrekullueshme. Djali luan ‘Rugby’ në shkollë dhe shpesh herë vesh këpucët dhe bluzën qe i ka me flamur shqiptar, në shkollë ai njihet “si shqiptari i ekipit të shkollës” dhe kjo është diçka që ai e ka kultivuar vetë me moshë dhe me vizitat në Shqipëri.

Përsa i përket shikimit çfarë këshillash mund të jepnit për një kujdes më të mirë?

Ndër këshillat më të rëndësishme që mund të jepja janë, ekzaminimi i syve në mënyrë të rregullt, njohja e historisë familjare për sa i përket shikimit, mbajtja e një peshe normale dhe diete që është e pasur me antioksidantë dhe vitamina, mbajtja e syzeve të diellit dhe mospirja e duhanit.  Këtu vlen tamam shprehja jonë “si sytë e ballit”.

Anila Dedaj

Porosia e Mogherinit: Të hapen negociatat me Shqipërinë

MogheriniNë fjalimin e saj të fundit përpara vitit elektoral 2019 për Parlamentin Europian, në Konferencën e përvitshme të Ambasadorëve të BE-së që largohen dhe ata që marrin detyrën nga tani, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini ka theksuar ndër të tjera se përgjatë këtij viti duhet bërë ende shumë për të ngurtësuar gjithçka është arritur deri më tani.

“Kemi shumë për të bërë për të përmbushur punën tonë dhe për t’i lënë pasardhësit, që do të ketë nderin dhe kënaqësinë të bëjë këtë punë pas meje, vitin e ardhshëm, të gjitha instrumentet e nevojshme dhe të domosdoshme që të punojë siç duhet”, do të shprehej në fillim Mogherini, e cila la edhe “amanetet” e saj.

“Do të jetë një vit intensiv për përgatitjet drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Më lejoni të jem e qartë: kjo mundësi duhet të kapet tani! Nuk është një lëshim që po bëjmë ne, është në interesin e qytetarëve europianë, brenda dhe jashtë Bashkimit Europian. Në Ballkan, sot është më se e qartë se Bashkimi Europian është pikë reference. Më lejoni t’u them diçka edhe atyre që kanë frikën se fuqi të tjera po bëhen gjithnjë e më të pranishme në rajon: për sa kohë që ne të jemi të pranishëm në rajon, nuk ka hapësirë për të tjerë”, tha Mogherini.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së solli në vëmendje se, viti i kaluar ishte jashtëzakonisht intensiv, por muajt e ardhshëm do të jenë edhe më vendimtarë, duke u ndalur edhe te marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

“Besoj se ekziston një mundësi reale që presidentët Vuçiç dhe Thaçi të arrijnë një marrëveshje që do të adresojë të gjitha çështjet e hapura mes Beogradit dhe Prishtinës. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, detyruese ligjërisht për të normalizuar marrëdhëniet mes dy palëve. Një marrëveshje që të jetë në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar, e që do të mund të ndihmojë në qendrueshmërinë e të gjithë rajonit. Më lejoni të përmend edhe data, sepse viti i ardhshëm 2019 do të jetë edhe 20-vjetori i luftës në Kosovë. Për këtë arsye besoj se ka ardhur koha që t’i jepet fund atij konflikti”, tha më tej Mogherini.

Federica Mogherini u ndal edhe në çështjen e emrit mes Athinës dhe Shkupit.

“Mes palëve u manifestua një marrëveshje gjatë verës, ndërkohë që në Maqedoni do të zhvillohet brenda pak javësh një referendum për emrin. Shpresoj që së shpejti, ai vend të quhet Republika e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Mogherini.

Top Channel

Kosovë: Të martën seancë e jashtzakoshme për dialogun final me Serbinë

kuvendi i ksOpozita përmes një rezolute po do që t’ia ndalojë presidentit që ta diskutojë me Serbinë korrigjimin e kufijve. Presidenti Thaçi kërkesën për korrigjim kufiri do ta shtrojë zyrtarisht në takim me Vuciqin në Bruksel.

Kuvendi i Kosovës mblidhet të martën me (04.09) në një seancë të jashtëzakonshme e thirrur nga partitë opozitare  për “t’ia ndaluar presidentit Hashim Thaçi, që të diskutojë me Serbinë mundësinë e korrigjimit të kufijve të Kosovës”. Seanca e jashtëzakonshme mbahet vetëm tri ditë para takimit në Bruksel ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi. Ky i fundit tashmë ka njoftuar zyrtarisht se “kërkesën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për t’iu bashkuar kjo pjesë territorit të Kosovës, do ta paraqesë në tavolinën e bisedave me Vuçiqin”, bisedime këto që lehtësohen nga shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogherini.

Asnjeri nga presidentët, as Hashim Thaçi dhe as Aleksandër Vuçiq, nuk kanë dhënë detaje se si mund të ndryshohen kufijtë, mirëpo, pavarësisht kësaj, vet fekti që mund të diskutohet për kufijt është e papranueshme për opozitën në Kosovë.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK) Avdullah Hoti, thotë se nga seanca e nesërme pritet të nxirret një rezolutë e kuvendit dhe përmes saj synohet të dërgohet një sinjal i qartë se cili është qëndrimi i Kosovës për këtë temë. “Unë pres që mbështetja për këtë rezolutë të planifikuar për t’u miratuar në parlamentin e Kosovës të mbështetet nga të gjitha grupet parlamentare pa përjashtim të opozitës dhe koalicionit qeverisës, sepse është në të mirë të qytetarëve të vendit. Është informatë dhe qëndrim i mirë që u dërgohet miqve tanë ndërkombëtarë që na kanë ndihmuar të vijmë deri në këtë pikë, për vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur përmes deputetëve në parlamentin e Kosovës dhe mbi të gjitha është sinjal i qartë për presidentin e vendit që ai duhet të ndalet me veprimet e tij antikushtetuese për të rrënuar shtetin e Kosovës”, thotë Avdullah Hoti.

Një parti tjetër opozitare Partia Social Demokrate e Kosovës (PSD) ka kohë që po kërkon seancë të jashtzakoshme për të diskutuar rreth dialogut me Serbinë.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Dardan Sejdiu, thotë se kuvendi i Kosovës është vendi ku caktohet se çfarë duhet biseduar me Serbinë dhe çfarë jo. “E para është presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili jashtë kompetencave të tij po vazhdon me aventura sa i përket organizimit të kësaj republike. Dhe e dyta ka të bëjë me faktin se kjo po ndodh jashtë kuvendit. Dialogu duhet t’i kthehet kuvendit. Ne jemi që të kemi një seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje. Besoj që rezoluta që do të prezantohet nesër do të ketë mjaftueshëm vota që të kalojë. Çdo lloj diskutimi me palët e tjera jashtë parlamentit, pa mandat të tij dhe pa mbikëqyrje të parlamentit nuk është në përputhje edhe me frymën që e ka kushtetuta e kësaj republike që e përcakton Kosovën si republikë parlamentare”, thotë Dardan Sejdiu.

Partitë parlamentare pjesë e koalicionit qeverisës, ndërkaq, akoma nuk janë deklaruar qartë nëse do ta mbështesin rezolutën që ia “ndalon” presidentit që të diskutojë me Serbinë për korrigjimin e kufijve të Kosovës. Shumica nga këto parti thonë, se gjatë seancës së nesërme do ta paraqesin qëndrimin e tyre rreth kësaj çështjeje. Që një rezolutë të kalojë në kuvendin e Kosovës nevojitet shumica e thjeshtԹ 61 vota nga 120 deputetë sa i ka kuvendi. Por seanca mund të edhe dështojë në rast se parlamenti nuk ka kuorum të nevojshëm e që së paku duhet t’i ketë 61 deputet pjesëmarrës.

Sidoqoftë, megjithë zhvillimet politike brenda Kosovës, me datën shtatë shtator është paralajmëruar takimi ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Shefja e diplomacisë evropiane Federika Mogherini që lehtëson këtë dialog, u shpreh të premten (310.08) se “pret një takim të vështirë në kërkim të një marrëveshjeje përfundimtare ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. (dw)

Parlamenti i Kosovës të martën në seancë të jashtëzakonshme për bisedimet me Serbinë

parlamenti i ksParlamenti i Kosovës pritet të mblidhet të martën në një seancë të jashtëzakonshme të kërkuar nga opozita lidhur me siç thuhet, angazhimet e presidentit të Kosovës për “shkëmbimin e territoreve” apo “korrigjimin e kufijve” në bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Seanca mbahet pak ditë para takimit të radhës ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të cilët kanë kërkuar mbështetje për një marrëveshje në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që do të mund të përfshinte edhe ndryshimin e kufijve.

As njëri dhe as tjetri nuk kanë dhënë hollësi se si mund të dukej një ndryshim i tillë, por presidenti serb e ka shpallur politikë të tij ndarjen ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në vija etnike. Presidenti i Kosovës, thotë se korrigjimi i kufijve do të nënkuptonte bashkimin me Kosovën të luginës së Preshevës, një zonë me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Por, idetë e presidentit po kundërshtohen nga opozita e cila është shprehur kundër çdo ndryshimi të kufijve të Kosovës.

Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se nëpërmjet sëancës dhe miratimit të një rezolute do të dërgohet një sinjal i qartë për qëndrimet e Kosovës.

“Unë pres që mbështetja për këtë rezolutë të planifikuar për të miratuar në parlamentin e Kosovës të mbështetet nga të gjitha grupet parlamentare pa përjashtim të opozitës dhe koalicionit qeverisës sepse është në të mirë të qytetarëve të vendit, është informatë dhe qëndrim i mirë që u dërgohet miqve tanë ndërkombëtarë që na kanë ndihmuar të vijmë deri në këtë pikë, për vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur përmes deputetëve në parlamentin e Kosovës dhe mbi të gjitha është sinjal i qartë për presidentin e vendit që ai duhet të ndalet me veprimet e tij antikushtetuese për të rrënuar shtetin e Kosovës”,tha zoti Hoti.

Dardan Sejdiu nga Partia Social Demokrate tha se çështja e bisedimeve duhet të merret përsipër nga parlamenti i vendit.

“Çdo lloj diskutimi me palët tjera jashtë parlamentit, pa mandat të tij dhe pa mbikëqyrje të parlamentit është në shpërputhje edhe me frymën që e ka kushtetuta e kësaj republike që e përcakton Kosovën si republikë parlamentare. Duhet të jemi seriozë në orvatjet që i kemi përpara, partnerët tanë ndërkombëtarë po na thonë që kësaj radhe nuk do të jenë dado të Kosovës, po kërkojnë nga Kosova të bëhet gati vet dhe parlamenti është vendi i vetëm ku mund të bëhemi gati të bëhemi gati mirë e mbarë”,tha zoti Sejdiu.

Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, do të bisedojnë të premten në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini në kuadër të asaj që quhet periudha përfundimtare e bisedimeve.

Zonja Mogherini tha të premten në Vjenë se pret një takim të vështirë në kërkim të një marrëveshjeje ligjore ndërmjet të dyja vendeve, ndërsa theksoi se “do të do të mbështesë çdo zgjidhje që nuk çon në krijimin e shteteve njëetnike”.

Një pjesë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në radhë të parë Gjermania e Britania e Madhe, kanë kundërshtuar idenë e ndryshimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve për shkak të pasojave që mund të kishte për Ballkanin Perëndimorë që ende po rimëkëmbet nga pasojat e luftërave të përgjakshme të fundshekullit të kaluar.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre është kusht për integrimet evropiane. (voa)

Turqia kërkon afrim me Evropën

CavusogluNë takimin e ministrave të Jashtëm në Vjenë qenë ftuar si kandidatë jo vetëm shtetet ballkanike, por natyrisht edhe Turqia. Qeveria e Ankarasë përpiqet dukshëm t’i përmirësojë marrëdhëniet me BE.

Nuk ka kaluar shumë kohë, kur politikanët turq mbanin pas takimeve të BE, në të cilat qenë ftuar, konferenca shtypi që tërhiqnin vëmendjen. Në to ata ankoheshin me zë të lartë për mungesë mirëkuptimi dhe mbështetjeje nga ana e evropianëve, pas dështimit të përpjekjes për puç në Turqi. Krahasuar me ato konferenca shtypi, tonet në konferencën e ministrit të Jashtëm turk Mevlyt Cavusoglu këtë herë mund t’i cilësosh të kadifenjta. “Kemi një atmosferë pozitive, është përmirësuar”, thotë ai. Por ai nuk harron as të përmendë se Turqia ka hequr së fundi edhe gjendjen e jashtëzakonshme dhe tani u është vënë zbatimit të reformave.

Në kërkim të afërisë me Evropën

Nuk ka dyshim, qeveria e Ankarasë kërkon afërinë me BE. Një afëri të re, të cilën Bashkimi Evropian megjithatë është i gatshëm ta lejojë vetëm me kushte të caktuara: ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas kërkoi në takimin në Vjenë konkretisht lirimin e shtatë gjermanëve, që mbahen si të burgosur politikë në burgjet e Turqisë. “Këto raste duhet të zgjidhen. Ky do të ishte një hap për normalizimin e raportit me Gjermaninë dhe me BE”, u shpreh Maas.

Heiko Maas do të vizitojë javën e ardhshme Turqinë. Në fund të shtatorit, Presidenti Rexhep Tayyip Erdogan do të vijë pastaj në Gjermani. Arrestimi i gazetarëve dhe i kritikëve të qeverisë, edhe fakti që Presidenti i Turqisë Erdogan e pajisi veten me më shumë pushtet, me anë të një referendumi të kontestueshëm kushtetues, e rriti distancën e Turqisë nga BE. Por kohët e fundit Erdogani ka hequr dorë në një masë të madhe nga retorika e tij kundër BE. “Ne shohim që në aspektin ekonomik ka rënie në Turqi. Turqia ka nevojë për Evropën”.

“Të hapen burgjet”

Kjo është diagnoza që bën ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn. Monedha turke ka shënuar rënie të mëdha muajt e fundit. Këtë e nxiti grindja me Uashingtonin. Por ministri i Jashtëm turk Cavusoglu e kundërshton që vendi i tij po e rizbulon BE për këtë shkak. “Ne duam t’i normalizojmë marrëdhëniet tona me të gjithë. Jo vetëm sepse kemi një problem me SHBA. SHBA nuk kanë aktualisht vetëm me Turqinë një problem, por thuajse me çdo shtet të BE”.

E sigurtë është që Turqia është kaq e varur nga BE, sa nga asnjë partner tjetër i kësaj bote. Por aktualisht bisedimet për heqjen e barrierave doganore janë bllokuar, gjë të cilën e kërkon Ankaraja. Jo vetëm qeveria gjermane, por edhe shtete të tjera të BE e paralajmërojnë qeverinë e Erdoganit që të ndryshojë kursin në çështjen e të drejtave të njeriut. “Që thjesht të hapen dyert e burgjeve”, kërkon Jean Asselborn. Me hapjen e dyerve të burgjeve, Turqia do t’i hapë vetes edhe mundësi të reja, sipas tij. (dw)

May kundërshton një referendum të dytë për Brexit

MaySa më shumë që afrohet dalja nga BE, aq më shumë spekulohet në Britaninë e Madhe për një referendum të dytë. Kryeministrja Theresa May u ndje e detyruar të bëjë një sqarim. Negociatori i BE, Barnier shton presionin.

Në fazën përfundimtare të negociatave të anëtarësimit me BE, kryeministrja britanike Theresa May i kundërshtoi në mënyrë të prerë kërkesat në vendin e saj për një referendum të dytë për Brexitin. “Që ta shtrosh këtë pyetje të gjithën edhe një herë nga e para do të ishte mashtrim në stil të gjerë për demokracinë tonë”, shkroi May në një artikull e ftuar në gazetën “Sunday Telegraph”.

Së fundi, edhe deputetë nga partia konservatore e Mayt janë shprehur për nevojën e mbajtjes së një referendumi të dytë, po ta refuzojë parlamenti britanik rezultatin e negociatave të daljes nga BE me Brukselin. Një grup politikanësh proevropianë përpiqet që ta vërë këtë në rend të ditës në kongresin e partisë laburiste në fund të shtatorit.
Deri tani, krerët e dy partive të mëdha e refuzojnë në parim mbajtjen e një referendumi të ri. Sondazhet megjithatë tregojnë se është e mundur që në popull të krijohet një shumicë mbështetëse për mbajtjen e një referendumi të dytë.

Barnier kundërshton

Deri në këtë moment nuk është as e qartë, nëse deri në daljen në BE në 29 mars 2019 do të arrihet një marrëveshje, për të cilën të mund të votohet. Negociatat ecin me vështirësi. Me këtë shtohen gjasat që Britania e Madhe të dalë pa marrëveshje nga BE – gjë që do të kishte pasoja të rënda.

Por një shtyrje e datës së daljes së Britanisë së Madhe nga BE nuk vjen në diskutim për kryenegociatorin e BE Michel Barnier. “Neve nuk na duhet më tepër kohë. Ajo për të cilën kemi nevojë janë vendimet politike”, i thotë ish-ministri i Jashtëm francez dhe ish-Komisar i BE gazetës “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”. Bisedimet, rithekson ai, duhet të kenë përfunduar deri në mes të nëntorit.

Qeveria britanike kërkon për vendin e saj një marrëveshje të posaçme me akses të privilegjuar në tregun e brendshëm të BE për degë të veçanta. Për Brukselin vjen në diskutim vetëm një marrëveshje e tipit të zakonshëm të tregtisë së lirë.

(dw/dpa)