Diaspora shqiptare kushtëzon mbështetjen për referendumin

flamuri mk albDiaspora shqiptare kërkon zgjidhjen e çështjes shqiptare, si kusht për mbështetjen e referendumit të 30 shtatorit për marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Drejtuesit e Lidhjes Shqiptaro-amerikane dhe të Lidhjes së Diasporës Shqiptare në Evropë, thonë se e mbështesin plotësisht integrimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, si synim shumëvjeçar i popullit shqiptar. Mirëpo, integrimi, sipas tyre, duhet të bëhet me të drejta të barabarta me maqedonasit, si dy bashkësitë më të mëdha etnike në Maqedoni.

Mahmut Skënderi nga Lidhja Shqiptaro-amerikane, thotë për Radion Evropa e Lirë, se me marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit, forcohet identiteti maqedonas, por jo edhe ai shqiptar, pasi, sipas tij, gjuha shqipe vazhdon të quhet si gjuhë që e flasin 20 për qind e popullatës, bartës të sovranitetit nuk do të jenë edhe shqiptarët, ndërsa në dokumentet personale shqiptarët do të figurojnë si maqedonas.

“Askush nuk është kundër referendumit, por së pari duhet të njihet e drejta shqiptare para se popullit të dalë dhe të votojë. Me këtë, shteti maqedonas përfiton identitetin e tij kombëtar dhe tani me këtë ne do të paraqitemi si popull unitar maqedonas. Më nuk thuhet se populli maqedonas dhe populli shqiptar janë dy etnitetet më të mëdha këtu, aty nuk përmenden shqiptarët, por vetëm maqedonasit dhe sistemi unitar maqedonas… Ku mbeti çështja shqiptare në këto 25 vjetët e fundit, pse nuk zbatua platforma shqiptare nga Qeveria e Maqedonisë, ku mbeti decentralizimi i pushtetit lokal? Ku mbeti dygjuhësia dhe shtet-formimi? Ku mbetën këto katër çështje kryesore”, thotë Skenderi.

Edhe Lidhja e Diasporës Shqiptare është kundër çdo marrëveshjeje që bëhet për të ardhmen e Maqedonisë pa zgjidhjen e, siç thuhet, statusit shtet-formues të shqiptarëve me ndryshime të paevitueshme kushtetuese.

“Po manipulohet hapur me ndjenjat pro-perëndimore dhe pro-eurointegruese të shqiptarëve për të imponuar një marrëveshje që vulos trajtimin e tyre si qytetarë të rendit të dytë, duke konsumuar mundësinë e përgatitjes së një marrëveshjeje që nuk do të kontestohej nga shqiptarët për zgjidhjen e kontestit për emrin mes Greqisë dhe IRJM-së”, thuhet në reagimin me shkrim të Lidhjes së Diasporës Shqiptare.

Nga Lidhja Shqiptaro-amerikane thonë se në rast se nuk zgjidhen çështjen e hapura, sipas tyre, dhe nuk investohet në zonat e banuara shqiptare, nuk do të ketë perspektivë dhe, për pasojë, do të vazhdojë eksodi i popullatës.

“Integrim për t’i zbrazur trojet shqiptare, gjithë rininë ta dërgojnë në Evropë dhe këtu të nisë kolonizimi i ri? A thua ky është integrimi i partive politike? Ku e kemi rininë sot? Të gjitha shkollat janë boshatisur! E tmerrshme, fshati ku unë jetoj, ka shtatë nxënës kur është me mbi 1 mijë shtëpi, por të gjitha të boshatisura!”.

“Unë e dua integrimin, por integrimi duhet të bëhet në vendin tënd, të zhvillohet, të krijosh ardhmëri për rininë këtu, e jo të marrë valixhet dhe të largohet nga vendi”, thotë Mahmut Skenderi, duke kritikuar partitë shqiptare, të cilat, sipas tij, prioritet kanë mbetjen në pushtet e jo zgjidhjen e çështjeve të hapura që për më shumë se dy dekada demokraci, nuk po gjejnë zgjidhje.

Partitë politike pa përjashtim, si ato shqiptare, ashtu edhe ato maqedonase, e kanë ftuar diasporën që të mos e humbë, sipas tyre, rastin historik dhe të japë kontributin për suksesin e referendumi, nga i cili varet integrimi në NATO dhe BE.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, disa herë kanë theksuar qëndrimin se me miratimin e Ligjit për gjuhët, është zgjidhur edhe çështja e fundit që ka të bëjë me shqiptarët dhe se angazhimi i tyre edhe në të ardhmen do të jetë në drejtim të forcimit të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.

Por, qëndrime të ngjashme me diasporën ka opozita shqiptare, e drejtuar nga Aleanca për Shqiptarët, e cila mbështet referendumin, por që fazën e ndryshimeve kushtetuese do ta kushtëzojë me zgjidhjen e kërkesave që janë të ngjashme me ato të diasporës shqiptare. (rel)

F-35 avioni luftarak më i avancuar ndonjëherë

f35Është avioni luftarak më i avancuar ndonjëherë, thonë projektuesit e tij. Bëhet fjalë për modelin F-35, projektin trilion dollarësh të debatuar të Pentagonit. Avioni luftarak i gjeneratës tjetër ka tani rastin të tregojë se çfarë është në gjendje të bëjë.

Marina amerikane u dha një rast të rrallë gazetarëve që të shikojnë nga afër modelin F-35 se si testohet për betejë.

Këto lloj provash të quajtura “integrim i flotës” kanë për qëllim të tregojnë se modeli F-35, me kosto prej 120 milion dollarësh secili, funksionon mjaft mirë në bashkërendim me avionët e tjerë në misione luftarake.

Admirali Dale E. Horan drejton projektin për integrimin e modelit të ri në flotën luftarake.

“Është hera e parë që testojmë modelin F-35C në det, të integruar në rrjetin Marinës dhe duke kryer misione të caktuara që nga trajnimi i pilotit për ngritjen dhe uljen nga luftanija.”

Kompania “Lockheed Martin” fitoi tenderin në fillim të viteve 2000 për të prodhuar këtë avion, që njihet edhe si “Joint Strike Fighter”, duke patur në mendje një mjet ajror të pazbulueshëm nga radari me fuqi zjarri të pashembullt, me aftësi elektronike të avancuara për t’u përballur me kërcënimet në rritje nga Kina dhe Rusia.

“Mund të them se, që nga integrimi i ekipeve sëbashku me luftanijet dhe ardhja e tyre këtu, gjithçka po shkon sipas parashikimeve. Po ta shikosh nga posti i vëzhgimit, modeli i ri duket njëlloj si avionët e tjerë në fluturim dhe nga nisja”, thotë zoti admirali.

Por projekti u përball me pengesa që nga fillimi. Një raport i fundit gjeti pothuajse 1 mijë probleme teknike që duheshin rregulluar.

Këtu përfshiheshin që nga helmeta e avancuar e pilotit që mund të pengonte pamjen e deri tek mbulesa speciale që e bën të padukshëm avionin tek radarët, e cila mund të shkrihej nga nxehtësia kur avioni tejkalon shpejtësinë e zërit.

“Duam të shohim se sa përshtatet me aeroplan-mbajtësen, si mund të mirëmbahet, si mund të sigurohen pjesët e këmbimit dhe riparimi. Sa i mirë është për misione apo cilat janë përfitimet. Këto do të përfshihen në raportet e ekipit të provave”, thotë admirali Horan.

Marina luftarake shpreson që vitet e shpenzuara për rregullimin e këtyre problemeve, do të tregojnë rezultate. Vitin që vjen, qeveria do të vëndosë nëse do të fillojë prodhimin në seri të modelit F-35. Kjo nënkupton një investim prej 400 miliardë dollarësh gjatë 10 vjetëve të ardhshëm duke ofruar avionë luftarakë edhe për aleatët në mbarë botën. Nëse modeli F-35 e kalon provën finale, dislokimi i tij do të bëhet në vitin 2021. (voa)

Ministrat e Jashtëm të BE-së janë skeptikë ndaj shkëmbimit të territoreve

Ministrat e jashtem VjeneMinistrat e jashtëm të BE-së paralajmërojnë që të kihet kujdes me planet për shkëmbime territoriale. Kur vihen në diskutim kufijtë, hapet kutia e Pandorës, deklaruan ata.

Organizatorja, Karin Kneissl, është krejtësisht në frymën e Kongresit të Vjenës, që rivendosi rendin në Europë pas Luftërave të Napoleonit në vitin 1814. Krahas negociatave në atë kohë thuhej edhe se “Kongresi vallëzon”. Ministrja e Jashtme e Austrisë e sheh veten tërësisht në këtë traditë. Qesënditë dhe kritikat për aspektet politike të vallëzimit të saj me Vladimir Putinin, dy javë më parë, në festën e dasmës së saj, i kaloi pa kokëçarje. Pas darkës me kolegët e BE-së të enjten në Vjenë, ajo raportoi tejet e vetëkënaqur, se kishte bërë të kërcenin samba dhe bossanova edhe ministrat e e jashtëm të Britanisë, Greqisë, Polonisë dhe Rumanisë. Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, paskësh shpëtuar. “Diplomacia është më shumë se të vrasësh veshët me raporte”, do të justifikohej Kneissl për stilin me kaq shumë lëvizje të politikës së saj.

Skepticizëm për planet serbo-kosovare

Por përveç ushtrimeve shtendosëse të austriakes, duhej kaluar edhe lista e gjatë e krizave në politikën e jashtme: Aktit balancues në raportet me Iranin, çështjes së financimit të Autoritetit të palestinezëve dhe frikës nga një betejë finale në Idlib të Sirisë, i është shtuar tani edhe një tjetër dhimbje koke: propozimi më i ri presidentëve Aleksandar Vuçiç dhe Hashim Thaçi për shkëmbim territoresh ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Propozimi i tyre: që të shkëmbejnë një pjesë të Kosovës Veriore që banohet kryesisht nga serbë me Luginën e Preshevës në jug të Serbisë, ku jetojnë kryesisht shqitparë. Këtu ka potencial shpërthyes, sepse jo vetëm që do të ketë shkëmbim territoresh, por sepse ky këmbim do të bëhet përgjatë kufirit etnik.

Prandaj edhe tre ish-të ngarkuarit e posaçëm për shtetet pasardhëse të ish-Jugosllavisë, suedezi Carl Bildt, britaniku, Paddy Ashdown, dhe gjermani, Christian Schwarz-Schilling, i kanë dërguar një letër Federica Mogherinit, kryediplomates së BE-së, ku kritikojnë këtë propozim dhe shpjegojnë se një paqe e qëndrueshme mund të realizohet „vetëm në një shoqëri shumëetnike”.

Edhe qeveria gjermane ka shprehur dyshime ndaj këtij propozimi: Angela Merkel theksoi në fillim të javës se integriteti terrritorial aktual është një dimension i rëndësishëm. Edhe ministri i Jashtëm, Heiko Maas, tha në Vjenë se shkëmbimi i territoreve „nuk zgjidh punë, përkundrazi hap shumë plagë të vjetra në popullsi.”

Ndërsa homologu i tij luksemburgas, Jean Asselborn, që parapëlqen të shprehet troç, paralajmëron që „rajoni të mos copëtohet”. Kjo mund të sillte pasoja negative për të tjerët, për shembull, të inkurajonte Republikën Srpska në Bosnjë-Herzegovinë që të bashkohej me Serbinë ose presidentin rus, Vladimir Putin, që ta shikonte këtë rast si një mundësi për të justifikuar aneksimin e Krimit.

Mogherini tërhiqet

Diplomatja e BE-së, Federica Mogherini, në fillim dyshohej se ishte dakord për një shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës. Por në Vjenë ajo u tërhoq. Në radhë të parë duam të mbrojmë dhe të nxisim dialogun e filluar ndërmjet dy kryeqyteteve, tha ajo. Ajo shtoi se nuk donte t’i pengonte bisedimet e vështira, duke i  përcaktuar rezultatet që më parë, dhe konfirmoi takimin e saj me dy liderët, Vuçiç dhe Thaçi, të premten e ardhshme, më 7 shtator, në Bruksel. Mogherini përpiqet të mbështesë „çdo rezultat” të këtyre bisedimeve, me kusht që ai të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë europiane. Dhe kjo do të thotë, sipas saj, refuzim të çdo rezultati që synon shtete të pastra etnikisht – një refuzim i shprehur me gjuhën e komplikuar të diplomacisë ndaj planeve për „spastrime etnike” në territoret e dy shteteve.

Cili është qëllimi i negociatave të saj atëherë? Duam një marrëveshje, thotë Mogherini, që do të zgjidhte të gjitha „problemet e hapura” dhe ajo përfshin këtu në mënyrë të qartë edhe njohjen e Kosovës. Plani kohor është  ambicioz, sepse ajo shpreson të arrijë një sukses brenda muajve të ardhshëm, gjithsesi deri në fund të këtij viti.

Sinjal i BE-së ndaj Beogradit dhe Prishtinës

Sinjali që ministrat e BE-së i dërgojnë nga Vjena dy liderëve, Vuçiç dhe Thaçi, është i qartë: Këta të dy bëjnë mirë t’i shpenzojnë energjitë për zgjidhjen e problemeve që kanë mbetur, për pajtimin dhe kompensimin. Ideja e dy presdentëve për shkëmbime territoresh nuk gjen mbështetje. Ka mjaft çështje të pazgjidhura, siç janë përmirësimi i mbrojtjes së pakicave etnike ose zgjidhja e çështjeve të hapura mbi pronat, thonë ministrat.

Edhe Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn, tani thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të merren njëherë me çështje të tjera. Serbia është tashmë kandidate e BE-së, megjithëse përparimet e saj nuk quhen përsa kohë që Beogradi nuk ka arritur të njohë pavarësinë e ish-krahinës jugosllave.

Nëse arrihet që ky konflikt të zbutet në muajt e ardhshëm, atëherë vërtet që do të ishte një sukses i madh diplomatik i BE-së. Por se a mund të zgjidhet kjo nyje politike, pa krijuar konflikte të reja, kjo mbetet e hapur. (dw)