Transformimi i FSK-së në ushtri mund të zgjasë deri në shtatë vjet

Gjeneral KastratiForcës së Sigurisë së Kosovës i nevojiten të paktën shtatë vite për të ngritur kapacitetet operacionale dhe për transformimin e saj në Ushtri të Kosovës. Kështu tha për Radio Kosovën ish komandanti i FSK, gjeneral Kadri Kastrati. Ai tha se vendimi i institucioneve të Kosovës për shndërrimin e FSK-së në ushtri, është bërë në koordinim me aleatët tanë.

RADIO KOSOVA: Z. gjeneral, Kuvendi i Kosovës ditë më parë ka miratuar në lexim të parë projektligjin për transformimin e FSK-së. Cili është komenti i juaj për këtë?

GJENERAL KADRI KASTRATI: Unë mendoj se të gjithë qytetarët e Kosovës janë jashtëzakonisht të kënaqur,gjithashtu edhe unë si ish komandant i FSK-së, për arsye se është ngjarja më e rëndësishme pas 17 shkurtit 2008. Ashtu që ne me kalimin e këtyre tri projektligjeve në leximin e parë, faktikisht i kemi hap rrugë krijimit të Ushtrisë së Kosovës, dhe pres që pas 20 nëntorit do të kalohet edhe në leximin e dytë dhe FSK mund të ecë tutje me kapacitetet e veta ushtarake.

RADIO KOSOVA:Forca e Sigurisë së Kosovës edhe gjatë kohës sa ju keni qenë komandant, në vitin 2013, zyrtarë të NATO-s patën thënë se FSK-ja ka plotësuar të gjitha kapacitetet. Tash, kur FSK të shndërrohet në ushtri, çfarë kapacitetesh duhet të plotësojë?

GJENERAL KADRI KASTRATI: Fillimisht FSK i pati plotësuar kapacitetet e saja operacionale për misionin që e ka. Mirëpo tash me këto tri projektligje, më mirë të them me Ligjin për FSK-ën, në këtë ligj parashihet ndryshimi i misionit të FSK-së nga misioni gjysmë ushtarak, për arsye se misioni i FSK –së ka qenë civilo- ushtarak dhe tash me ligjin e ri do ta ketë misionin ushtarak. Çka do të thotë se misioni i Forcës së Sigurisë do të jetë mbrojtja e integritetit dhe sovranitetit të vendit, pjesëmarrja në misione paqeruajtëse dhe mbështetja e autoriteteve qendrore dhe lokale. Për t’i arritur të gjitha këto detyra normal që tash do të duhen edhe pajisje shtesë përfshirë edhe  armatimin. Për atë arsye tash duhet ecur përpara, duhet të zhvillohet kjo forcë për t’i arritur ato kapacitete tash me misionin ushtarak.

RADIO KOSOVA:Forca e Sigurisë së Kosovës ka dërguar në shkollim një numër të konsiderueshëm të oficerëve të saj. Sipas jush, a do të mjaftojë kjo dhe çka është parësore në këtë moment?

GJENERAL Kadri Kastrati: Forca e Sigurisë së Kosovës në vazhdimësi ka dërguar oficerë në shkollime dhe trajnime jashtë vendit. Forca e Sigurisë, unë tashmë nuk e kisha quajtur FSK por Ushtria e Kosovës, duhet t’i ketë pesë mijë ushtarë aktivë. FSK sot i ka 2 mijë e 200 ushtarë aktivë dhe 800 rezervë. Do të thotë, që ne si Kosovë dhe FSK në veçanti në shtatë vitet e ardhshme, sa nevojiten me i ngrit këto kapacitete, duhet të rekrutojmë pjesëtarë të rinj bazuar në planet e veprimit që ata kanë. Ngritja e kapaciteteve për çdo vit bazohet edhe në kapacitetet që ka tash për tash FSK. Kjo do të thotë se për çdo vit nga 300 ushtarë të rinj duhet rekrutuar, por edhe buxheti duhet të ndahet për këtë pjesë, për arsye se çdo ushtar që rekrutohet duhet t’i ketë pajisjet individuale, përkatësisht armatimin individual. Mirëpo tash duhet të blihet edhe armatim i nevojshëm për ta përmbushur këtë mision. E misioni do të jetë mbrojtja e kufijve. E për këtë do të ketë nevojë që forca ushtarake në të ardhmen të ketë armatim të sofistikuar.

RADIO KOSOVA: Në cilat faza duhet të armatoset Forca Ushtarake, ne e dimë që FSK-ja është forcë e armatosur lehtë?

GJENERAL Kadri Kastrati: Faza e parë është paraparë që të jetë ristrukturimi. Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes parasheh ristrukturimin e kësaj ministrie. Do të ketë strukturë të brendshme ndryshe prej asaj që ka sot. I nevojitet një kohë e caktuar, në vitin e parë them unë të ristrukturohet Ministria e Mbrojtjes dhe të ristrukturohet struktura e FSK-së. Kjo strukturë nuk përputhet me strukturën që është paraparë ta këtë ushtria. Pastaj janë edhe fazat e tjera, që janë paraparë qysh atëherë kur kam qenë unë komandant. Plani i veprimit apo plani i ngritjes së këtyre kapaciteteve siç është edhe blerja e armatimit. Ngritja e kapaciteteve ushtarake është paraparë të bëhet brenda planit dhjetëvjeçar. Mirëpo, ne jemi me vonesë, kjo është dashtë të ndodhë në vitin 2014 . Unë mendoj se FSK ka kapacitete të mjaftueshme infrastrukturore por edhe buxhetore që ky plan të mos zgjasë dhjetë vjet por të shkurtohet në shtatë vite.

RADIO KOSOVA:Si do të ndikojë rishikimi i pozicionit të NATO-s karshi FSK-së pas ndryshimeve ligjore që u bën në Kuvend rreth kapaciteteve dhe mandatit të FSK-së, pasi që zyrtarë të NATO-s me herët kanë deklaruar se transformimi duhet të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese?

GJENERAL KADRI KASTRATI: Jo vetëm unë por të gjithë qytetarët e Kosovës dëshirojnë që ne ushtrinë ta kemi me ndryshime kushtetuese. Mirëpo, ne jemi dëshmitarë se që nga viti 2014 e deri më sot Lista Serbe apo përfaqësuesit e serbeve të Kosovës, ose dora e zgjatur e politikës së Beogradit, kisha thënë çdo herë ka dhënë mesazh negativ. Asnjëherë ata nuk janë pajtuar që Kosova ta ketë ushtrinë e vet. Dhe ata jetojnë në ëndrra që Kosova është pjesë e Serbisë dhe se Kosova do të kthehet atje ku ka qenë përpara. Ky veprim i Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është bërë pa koordinim të aleatëve tanë. Ata në heshtje, ju e keni parë edhe vetë se asnjë partner i yni e asnjë shtet i NATO-s nuk ka thënë se kjo nuk bën të ndodhë. Mirëpo ata në heshtje e kanë parë se formimi i ushtrisë është çështje e brendshme e Republikës së Kosovës dhe kanë pritur deri tash. U kanë kërkuar institucioneve të Kosovës që të jenë të durueshëm, që t’i shterin të gjitha mundësitë e bisedimeve me palën serbe apo përfaqësuesit e tyre këtu në Kosovë. E kanë parë që nuk binden , nuk bindet as Beogradi, atëherë në  mënyrë të heshtur e kanë lejuar që Kosova të ecë në ngritjen e këtyre kapaciteteve. Pse, arsyeja është shumë e thjeshtë, këtë benefit e ka edhe NATO-ja, edhe shtetet që janë prezentë në Kosovë me trupat e tyre. Misioni i NATO-s në Kosovë është misioni më i gjatë në historinë e NATO-s. Paramendoni sa mjete financiare, mjete të taksapaguesve të shteteve të tyre kanë shpenzuar për të qëndruar në Kosovë dhe mekanizmat përcjellës që ata i kanë në Kosovë. Nuk shoh absolutisht prishje të marrëdhënieve të FSK-së dhe KFOR-it apo NATO-Kosovë. Dhe jam i bindur që KFOR-i do ta ndihmojë këtë forcë ushtarake që t’i ngritë kapacitetet sa më shpejt. Bile, pres shumë shpejt, pasi të kalojnë ligjet edhe në leximin e dytë, që Këshilli i NATOS të ulët dhe ta bëjë rishikimin e mandatit të KFOR-it në Kosovë.

RADIO KOSOVA:Sipas jush, a do të duhej të ishte ushtri e obligueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, apo ushtri profesioniste?

GJENERAL Kadri Kastrati: Nuk është e paraparë, shumica e shteteve të NATO-s e kanë heq shërbimin e detyrueshëm në ushtri, edhe rajoni e ka hequr. Duke pasur parasysh ekonomin e Kosovës, nevojat buxhetore që do të jenë shumë-shumë më të mëdha për ushtrinë e Kosovës. Kësaj duhet shtuar edhe faktin se popullata e Kosovës është shumë e re, dhe ne nuk do të kishim mundur të përballojmë të kemi një shërbim të detyrueshëm, për çka mendoj se nuk është i nevojshëm. Mendimi im është që ne mund ta kemi një edukim ushtarak te të rinjtë në mënyra të tjera që nuk kërkon implikime buxhetore. Për shembull, nëpërmjet ligjëratave, familjarizimin e të rinjve me kazerma, vikendeve, pse jo!? Kosova në të ardhmen do të këtë nevojë edhe për gjëra të tjera, për situata emergjente. Në Slloveni të rinjtë trajnohen nëpër bjeshkë, kërkim- shpëtim, zjarrshuarje dhe për shumë gjera të tjera që në të ardhmen në rast nevoje nëse ndodh. Ne si Kosovë, si ushtri e Kosovës nuk do të përgatitemi vetëm për luftë, dashtë Zoti që të mos ketë luftë më kurrë. Ne po e shohim se çdo vit po ballafaqohemi me situata të llojllojshme. Ushtria nuk është që do të rrijë vetëm në kazerma dhe të përgatitet me topa, helikopterë, e etj, por duhet të përgatitet edhe për të mirën e qytetarëve. Një prej detyrave të misionit do të jetë edhe mbështetja e institucioneve qendrore dhe lokale. Unë mendoj që të rinjve mund t’u japë një edukim ushtarak pa harxhime buxhetore për nevoja në të ardhmen.

Autor: Mejreme Tahirukaj

Gjenden pjesë të trupit të gazetarit të vrarë saudit

JamalPjesë të trupit të pajetë të gazetarit të vrarë saudit, Jamal Khashoggi, janë gjetur këtë të martë në kopshtin e Konsullatës së Përgjithshme të sauditëve në Stamboll.

Sipas raportimeve të fundit, që vijnë nga hetuesit turq që po hetojnë çështjen pasi siguruan të drejtën për të hyrë në mjediset e selisë diplomatike saudite, trupi i tij është prerë në copa dhe është varrosur pjesë pjesë.

Thuhet gjithashtu se fytyra e tij është shpërfytyruar. Ky njoftim vjen vetëm pak orë pasi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan kërkoi të dinte se “ku fshihej trupi” dhe se “cilët fshiheshin pas vrasjes” në një fjalim publik përpara anëtarëve të partisë së tij në pushtet.

Gjithashtu, CNN publikoi më herët pamjet e kamerave të sigurisë, që tregonin se gazetari Khashoggi kishte hyrë në Konsullatë, ndërsa një tjetër person kishte dalë prej andej, me veshje të njëjtë me gazetarin, por me këpucë të ndryshme.

Top Channel

Top Talk/ Financimet greke, Kocaqi: “Zien” Athina, hesht Tirana

helena kocaqiSkandali i financimeve greke ka tronditur opinionin dhe politikën në Greqi. Opozita greke kërkon zgjerim hetimesh për sasinë dhe destinacionin e parave, ndërsa në vendin tonë nuk ka asnjë reagim.

Profesoresha e Shkencave Politike, Helena Kocaqi, e ftuar në studion e “Top Talk” me gazetarin Denis Dyrnjaja, deklaroi në lidhje me financimet greke se “çdo shtet që i thotë vetes shtet duhet të reagojë” mbi këtë skandal, siç e quajti ajo.

“Heshtja e politikës shqiptare nuk më pëlqen aspak për një skandal të tillë. Të paktën duhet të kishim një deklaratë publike. Çdo shtet që i thotë vetes shtet duhet të reagojë. Ky është skandal, nuk është gjë e vogël. Ndërhyrja në media është diçka e madhe sepse media është super pushtet. Është një heshtje e pajustifikuar e Presidentit, qeverisë dhe opozitës”, deklaroi Kocaqi.

Ajo shtoi se edhe ministri i Jashtëm turk sot “kundërshtoi zgjerimin e Greqisë në detin tonë”, ndërsa vetë ne nuk kemi pasur reagim.

Kocaqi: Një vend i NATO-s nuk mund të ndërhyjë në një vend tjetër të NATO-s

Profesoresha e Shkencave Politike, Helena Kocaqi i konsideroi financimet greke në Shqipëri një “ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Shqipërisë që ka qëllim cenimin territorial të Shqipërisë”.

“Ne kemi qenë inferiorë gjithmonë dhe në vend që të kërkojmë të drejtat e Çamëve, vetëm lëshojmë. Një vend i NATO-s nuk lejohet që të ketë ligj lufte me vend tjetër të NATO-s, e jo më të ndërhyjë. Janë fondet e të gjitha ministrive, kështu që shuma është qindra miliona euro”, tha Kocaqi.

Profesoresha shtoi se “duhet të ketë deklaratë nga kryeministri për t’i kërkuar shpjegime qeverisë greke”,

“Për çfarë janë fondet dhe pse sillen në Shqipëri? Ky shpjegim duhet kërkuar. Presidenti duhet të mbledhë Këshillin e Sigurisë dhe në fund, prokuroria duhet të nisë hetim. Të paktën të hapet dosja”, deklaroi Kocaqi.

Profesoresha e Shkencave Politike, Helena Kocaqi deklaroi në studion e “Top Talk” se “politika greke di shumë dhe nëse aktorët politikë shqiptarë flasin mbi financimet greke kanë frikë se mos vënë veten në objekt sulmi të grekëve që ia di të gjitha të palarat”.

“Financimi është sekret, emrat njihen nga Ministria e Jashtme greke dhe janë me kode. Ka kode të ndryshme për pagesa banesash e deri te telefoni. Buxheti votohej në Parlament dhe votohej pa pyetur si dhe për kë. Thjesht thuhej është për shtetin. Skandali doli si rezultat i konfliktit brenda qeverisë greke”, shpjegoi Kocaqi, e cila shtoi se edhe më e pajustifikueshme është heshtja e opozitës dhe Presidentit.

“Unë e mirëkuptoj qeverinë sepse ka pasur negociata me grekët, por heshtja e opozitës dhe Presidentit është e pajustifikueshme”, tha Kocaqi.

Top Channel

Ja cilat janë ushqimet që luftojnë kancerin

lufta-kunder-kancerit-Duke qenë se jemi ende në muajin e luftës ndaj kancerit, dhe si e tillë do ju njohim me dy produktet ushqimore, të cilat po u konsumuan herë pas here mund të rezultojnë mjaft të shëndetshëm për organizmin.

Dy produktet kryesore që kanë rezultuar gjithmonë si medikamente kanë qenë brokoli dhe hudhra, ushqime këto që vetë studiuesit e Universitetit të Kopenhagenit kanë bërë të ditur se përmbajnë një përbërës që lufton sëmundjet kancerogjene.

Sipas tyre brokoli dhe hudhra përmbajnë selenium, përbërës që lufton qelizat kancerogjene tek meshkuj por edhe tek femrat.

Studimi u publikua në Journal Biological Chemistry. Sipas studiuesve sistemi imunitar është i predispozuar të largojë nga trupi gjëra që nuk i përkasin atij.

Ky proces ndodh edhe me qelizat kancerogjene, edhe pse disa prej tyre kanë aftësinë të bllokojnë sistemin imunitar që të mos i identifikojë këto qeliza, duke u përhapur dhe zhvilluar në këtë mënyrë gjithmonë e më shumë. (shekulli)

“Zgjidhja”: Të ndalohen fondet e fshehta që vijnë nga jashtë për komunitetet fetare!

k.kokedhimaPartia “Zgjidhja” e drejtuar nga Koço Kokëdhima ka kërkuar sot nga qeveria shqiptare që të bëjë transparencë për fondet e komuniteteve fetare që merren nga jashtë, pas informacioneve se ministria greke bënte pagesa sekrete për kishën ortodokse.

“Zgjidhja” ngre pyetjet “përse jepen këto para, që të mos bëhen meshat në gjuhën shqipe? Që të ndryshojë statuti i Kishës Autoqefale që ka lënë trashëgim Fan Noli?”

Mandej në reagimin e partisë së drejtuar nga Kokëdhima theksohet se “sigurisht, nuk jemi në mesjetë dhe nuk presim që kisha greke të vrasë dhe helmojë si dikur rilindësit e gjuhës shqipe, por diçka që jepet në mënyrë të fshehtë, nuk ka qëllime të mira”.

Në fund të deklaratës kërkohet që të shpallen “non grata” priftërinjtë e huaj që nuk i shërbejnë Shqipërisë dhe që nuk e duan gjuhën shqipe.

Reagimi i partisë Zgjidhja për financimet greke

Të mos lejohet helmimi me fonde sekrete i komuniteteve fetare! Nën dritën e informacioneve të fundit që vijnë nga Greqia, ku mësohet se ministria e Jashtme e vendit fqinjë bënte pagesa sekrete për kishën ortodokse, Qeveria shqiptare duhet të bëjë transparencë për fondet e komuniteteve fetare që merren nga jashtë. Ka ardhur koha që të dihet saktë se kush bëjnë dhurata e financime të fshehta dhe të zbardhen qëllimet. Dihet dëmi që iu shkaktua shqiptarëve, pasi u mbyllën sytë para fondeve arabe që për një kohë të shkurtër e mbushën vendin me minare dhe krijuan celula ekstremistësh që kur erdhi koha, morën armët dhe luftuan nën flamujt e ISIS, të terroristëve të Irakut dhe të Sirisë.

Dihet dhe është i njohur dëmi që na vjen nga paratë e Turqisë së Erdoganit për ruajtjen e trashëgimisë që relativizon luftën e Skënderbeut dhe i trajton osmanët jo si pushtuesit tanë për 5 shekuj. Tashmë po tregohet indiferencë ndaj parave që paguan fshehurazi Greqia për Kishën Ortodokse. Kuptohet se këto nuk janë fonde legale, si ato që mund të jepen për restaurime apo për aktivitete fetare, ndryshe do të deklaroheshin. Përse jepen, që të mos bëhen meshat në gjuhën shqipe? Që të ndryshojë statuti i Kishës Autoqefale që ka lënë trashëgim Fan Noli? Sigurisht, nuk jemi në mesjetë dhe nuk presim që kisha greke të vrasë dhe helmojë si dikur rilindësit e gjuhës shqipe, por diçka që jepet në mënyrë të fshehtë, nuk ka qëllime të mira. Është detyrë kushtetuese e qeverisë që të kujdeset dhe të mbikëqyrë mbarëvajtjen e këtyre institucioneve.

Qeveria shqiptare të ndalojë marrjen e këtyre fondeve të fshehta, sepse populli shqiptar paguan nga taksat e tij 1 milion euro çdo vit që iu kalojnë këtyre komuniteteve për paga dhe investime. Qeveria të mos lejojë injektimin e politikave të huaja antikombëtare përmes fondeve të fshehta. Komiteti i Kulteve, pranë qeverisë, të bëjë detyrën dhe duhet të kontrollojë urgjentisht se çfarë janë këto fonde sekrete që paguhen për Kishën Ortodokse, sipas shpjegimit të ish-ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, cituar nga mediat greke. Nuk duam të paragjykojmë se Greqia po e përdor Kishën Ortodokse për qëllimet e saj politike, por nuk mund të lejohet të zhvillohet asnjë aksion i fshehtë, jashtë kornizës kushtetuese dhe statutit të Kishës Autoqefale të Shqipërisë. Ata priftërinj të huaj që nuk i shërbejnë Shqipërisë dhe që nuk e duan gjuhën shqipe, të shpallen menjëherë “non grata”. Kisha Ortodokse Autoqefale të distancohet publikisht nga ata që kanë marrë fonde sekrete nga qeveria greke dhe të shpjegojë besimtarët se nuk ka lidhje me politikën, aq më pak me atë të shtetit grek ndaj Shqipërisë.

(shekulli)

Ankaraja ndalon Athinën. Cavusoglu: Nuk lejojmë zgjerim të ujërave greke

cavusogluAnkaraja i është kundërvënë sërish Athinës, pas deklaratave të ish-ministrit të Jashtëm, Nikos Kotzias, i cili ndërsa dorëzonte mandatin tha se Greqia do të zgjerojë vijën e saj bregdetare nga 6 në 12 milje, duke filluar nga ishulli Otonos e deri në Kythira, e në vazhdim deri në përcaktimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike me Egjiptin.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu ka bërë të qartë se Ankaraja nuk do të lejojë zgjerim të ujërave greke në asnjë pjesë të detit, as në Jon dhe as në Egje.

“Greqia bën shpesh njoftime të tilla për të shkaktuar tensione, apo në një kornizë populiste. Populizmi për ta është e vërteta. Kjo kërkohet edhe nga opinioni publik. Në rastin tonë, qytetarët bazohen te logjika. Ne jemi në favor të një zgjidhjeje paqësore të problemeve ekzistuese mes Greqisë dhe Turqisë. Ne nuk preferojmë tensione. Por, nëse Greqia përpiqet të na provokojë, ne reagojmë në mënyrën e duhur dhe i ndalim. Parlamenti ynë e ka thënë fjalën përfundimtare në lidhje me 12 miljet detare dhe ajo është në fuqi. Greqia duhet të marrë në konsideratë nëse do ta zgjidhë këtë çështje mes diplomacisë, apo nëse ne duhet ta zgjidhim atë ndryshe”, tha Cavusoglu.

Ministria e Jashtme turke ka thirrur edhe ambasadorin grek në Ankara, Petro Mavroidis, për të dhënë sqarime. Reagimi i prerë i ministrit të Jashtëm turk vjen në një kohë kur Athina pothuajse ka përfunduar marrëveshjen me Shqipërinë për përcaktimin e vijës bregdetare mes dy vendeve, e pritet edhe firmosja e një sërë marrëveshjesh të tjera të karakterit historik, apo të çështjeve që përmirësojnë jetën e banorëve të të dy vendeve.

Ndërsa Turqia nuk ka vonuar në reagim, ende nuk ka pasur një deklaratë zyrtare nga qeveria shqiptare, që sidoqoftë pak ditë më parë kishte thënë se është e drejtë e Greqisë të shtyjë vijën e saj bregdetare nga 6 në 12 milje, atje ku kjo është e mundur.

Top Channel

Top Talk/ Doda për financimet greke: Presidenti të mbledhë Këshillin e Sigurisë

mensila dodaSekretarja e Përgjithshme e PDIU-së, Mesila Doda kërkoi nga Presidenti Ilir Meta në studion e “Top Talk” që të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare në lidhje me çështjen e financimeve greke.

“Nuk ka qenë vetëm Ministria e Jashtme greke që ka dhënë fonde. Edhe ministritë e tjera kanë fondet e tyre, kështu që shifra është shumë e madhe. Është folur shpesh për këto fonde, por tani ka pohime zyrtare. Ne kemi kërkuar që Presidenti të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare”, tha Doda.

Në studion e “Top Talk”, Mesila Doda gjithashtu  theksoi se qeveritë shqiptare janë të “kompleksuara” që të bisedojnë për çështjen çame.“

Komisioneri Hahn foli para dy vitesh kur ne ishim në mazhorancë dhe tha se në axhendën e bisedimeve do të flitej për detin, minoritetet dhe çështjen çame. Por, nuk u diskutua çështja çame. Ka një tendencë për ta hequr nga të gjitha axhendat. Qeveritë janë të kompleksuara për këtë çështje. Është sakrificë për të mbajtur pushtetin e ditës nga politikanët shqiptarë”, tha Sekretarja e Përgjithshme e PDIU-së.

Top Channel

Ulen temperaturat, ndotet ajri në Maqedoni

ajri i ndoturMe uljen e temperaturave dhe me fillimin e sezonit të ngrohjes qendrore, automatikisht është rritur niveli i ndotjes në vend.

Qyteti i Shkupit ka filluar të mbulohet nga një shtresë e bardhë e cila jep alarmin për ndotje.

Ndërkohë në shumë stacione matëse është vërejtur prani e lartë e grimcave Pm10 dhe kjo do vazhdojë të shtohet edhe më shumë gjatë dimrit.

Matjet e fundit tregojnë se Lagjja e Lisiçes është ndër më të ndoturat ku koncentrimi i grimcave PM10 arrin në 70.06 për metër kub nga 35 të lejuara. Lisiçja pasohet nga Komuna Qendër ku koncentrimi i grimcave Pm10 arrin në 59.5, më pas vijon Komuna e Karposhit me 58.

Si vende me ajër të ndotur rezultojnë edhe Buteli, Manastiri, Tetova, Gostivari, Strumica, Kavadari dhe Kumanova.

Sipas analizave të realizuara nga Qyteti i Shkupit, ngrohja me dru është ndotësi më i madh i ajrit dhe për këtë nga kompania propozuan që shteti dhe autoritetet e qytetit të subvencionojnë furnizimin e inverterëve.

Kreu i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov në fillim të këtij viti paralajmëroi se në bashkëpunim me MPB-në dhe Ministrinë e ambientit jetësor do të kryejnë kontrolle të vazhdueshme ndaj firmave të mëdha prodhuese nëse të njëjtat kanë vendosur filtrat e duhur.

Ndryshe dimrin e kaluar gjatë ditëve kur ndotja e ajrit ishte alarmante Qeveria pati kumtuar një sërë masash urgjente si lirimi i të sëmurëve kronik dhe të moshuarve nga puna periudhën derisa do jetë ajri i ndotur, pastrimi i përditshëm i rrugëve, reduktimi i komunikacionit rrugor etj. Ndër masat që kohë më parë u paralajmëruan nga qyteti i Shkupit në rast të ndotjes enorme të ajrit janë edhe ndalimi i punimeve ndërtimore, fabrikat e mëdha të reduktojnë procesin e prodhimit deri në 50 %, vendosjen e filtrave nëpër vende të caktuara si dhe pastrimin e rrugëve.

Vitin e kaluar, Shkupi dhe Tetova disa herë ishin qytetet më të ndotura në botë. Një studim i Bankës Botërore tregon se si pasojë e ajrit të ndotur në Maqedoni, në vit vdesin rreth 1,300 njerëz, raporton Alsat.

Çavuşoğlu: Kosova të dëbojë pjesëtarët e “Organizatës FETO”

Cavusoglu ThaciMinistri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, gjatë një vizite të shkurtër në Prishtinë u kërkoi autoriteteve kosovare të dëbojnë në Turqi pjesëtarët e organizatës “Feto”, organizatë terroriste për Turqinë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu u ka kërkuar autoriteteve kosovare kthimin në Turqi të pjesëtarëve të organizatës “Feto”, që Turqia e cilëson si organizatë terroriste. Të premten në orët e vona, ministri i Jashtëm i Turqisë u prit në Prishtinë fillimisht nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli dhe më pas edhe nga Presidenti Hashim Thaçi. Dy zyrtarët e lartë të Kosovës nuk folën për kërkesën e Turqisë, por ishte vetë Çavuşoğlu, i cili ka thënë se Kosova nuk duhet të lejojë shtrirjen e veprimtarisë së organizatës “Feto”, në Kosovë.

Ne presim që t’i ekstradojnë ata

“Ne nuk duam që Kosova t’i lejojë terroristët, të cilët kanë bërë puç në Turqi të jetojnë këtu. Ne presim që t’i ekstradojnë ata. Ne ata i konsiderojmë të rrezikshëm për Turqinë dhe sigurinë e Kosovës. Ne nuk do të lejonim që dikush në Turqi të bënte ndonjë veprimtari ilegale për Kosovën e lëre më ndonjë puç. Ne do t’i dorëzonim në Kosovë të gjithë ata që do të tentonin diçka të tillë”, është shprehur ministri i jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu.

Të njëjtën kërkesë shefi i diplomacisë turke e bëri edhe për qeverinë e Shqipërisë gjatë vizitës që zhvilloi të njejtën ditë atje.

“Në Shqipëri ka një strukturë fetoiste tepër serioze të shtrirë në të gjitha fushat. Si dhe në vendet e tjera. Ata kanë përdorur sistemin arsimor dhe kanë depërtuar në sistemin shtetëror. Turqia pret që të mbyllen institucionet që zhvillojnë veprimtari antiturke në Shqipëri”, citojnë mediet në Shqipëri Cavusoglun.

Arrestimi i 6 qytetarëve turq

Në 29 mars të këtij viti, ndërkaq, Policia e Kosovës pati arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq. Pesë prej tyre ishin punonjës në rrjetin e shkollave  “Mehmet Akif”. Lëvizja e Gylenit ka gjithsej katër shkolla në gjithë Kosovën. Shkollat “Mehmet Akif” ku punonin gjashtë shtetasit e Turqisë, janë të shtrira në disa qytete të Kosovës dhe i  përkasin Institucionit Arsimor turk “Gylistan”. Zyrtarë të ministrisë së Arsimit të Kosovës disa herë kanë deklaruar se këto institucione shkollore, veprojnë në përputhje me ligjet e Kosovës. Gylistan, në Kosovë ka edhe kopshte fëmijësh, institucione parashkollore e shkolla fillore dhe të mesme pothuaj në të gjithë Kosovën.

Arrestimi dhe dëbimi i gjashtë turqëve për në Turqi, pati ngritur debat të ashpër në skenën politike kosovare. Kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës ishin kundër këtij dëbimi dhe kjo ndodhi siç thanë ata “pa dijeninë e tyre”. “Arrestimi i sotëm i gjashtë shtetasve turq, banorë me leje të vlefshme qëndrimi në Kosovë dhe punonjës në Kolegjin Mehmet Akif të akredituar sipas standardeve përkatëse të Kosovës, nuk përfaqëson as formën e duhur të zhvillimit të sundimit të ligjit, as konsolidimit të nevojshëm të demokracisë. Ndërmarrja e veprimeve të tilla pa respektim të procedurave përkatëse dhe mungesë transparence lë hapësirë të theksuar për mëdyshje për veprimet arbitrare të autoriteteve në fjalë”, pati deklaruar Kadri Veseli. E rasti i arrestimit  dhe dëbimit brenda ditës i gjashtë shtetasve turq, bëri që të japin dorëheqje ministri i Punëve të Brendshme dhe shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Turqia mbështet dialogun Kosovë-Serbi

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu, gjatë qëndrimit në shkurtër të premten në Prishtinë, ndër të tjera u shpreh edhe rreth dialogut Kosovë-Serbi. Ai tha se Turqia e mbështet këtë dialog duke potencuar faktin që Turqia i kushton një rëndësi të madhe stabilitetit dhe paqes në rajon. “Ne me popullin e Kosovës kemi lidhje historike dhe integriteti territorial i Kosovës është bazë për ne. Ne do të bisedojmë edhe me vendet që nuk e kanë njohur Kosovën. Për integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtarë jemi duke u angazhuar. Kemi arritje të mëdha, ne e mbështesim edhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe paqen e konsiderojmë të rëndësishme”, u shpreh Çavuşoğlu.

Nga ana e tij, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se “Kosova po kërkon të arrijë marrëveshje paqësore me Serbinë, që do të hapë perspektivë evropiane për të dy vendet. Marrëveshja është në interes të të dyja vendeve”, ka thënë Presidenti Thaçi pas takimit me ministrin e Jashtëm të Turqisë. (dw)

Studimi, ndryshojnë tendencat e emigrimit të shqiptarëve: 52% mendojnë largimin

shpernguljetMë shumë se gjysma e popullsisë shqiptare do të donte të shkonte në vendet më të pasura dhe me shkollim më të mirë, tregoi një studim i publikuar ditën e premte.

Studimi, i udhëhequr nga Russell King i Universitetit të Sussex dhe studiuesi shqiptar Ilir Gedeshi, zbuloi se migrimi potencial i vendit ishte rritur nga 44 përqind në 2007-ën, në 52 përqind në 2018-ën.

Që kur Shqipëria rrëzoi komunizmin më 1991, më shumë se 1.4 milion shqiptarë, gati gjysma e popullsisë aktuale të vendit, kanë emigruar kryesisht në Italinë dhe Greqinë fqinje, dhe më pak në Britani, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara.

Studimi tregoi se motivet ekonomike ishin akoma faktori kryesor i migrimit, por me ndryshimin se tani shqiptarët preferojnë të largohen drejt Gjermanisë dhe SHBA-ve, duke mos u joshur më nga vendet fqinje.

Rreth 65,000 shqiptarë kërkuan azil në Gjermani në vitet 2015-16, por shumica e tyre u refuzuan, pasi vendi përballej edhe me fluksin e sirianëve që iknin nga lufta. Gjermania që nga fillimi ka mirëpritur gati të gjithë mjekët dhe infermierët e rinj, të sapodiplomuar, duke shprehur edhe një interes në rritje ndaj kësaj kategorie.

Ndërsa kriza globale dhe ekonomike që nga viti 2008 goditën ekonomitë e Italisë dhe të Greqisë, që ishin edhe “shtëpi” për rreth një milion shqiptarë, remitancat në Shqipëri, kyçe për lehtësimin e varfërisë, u tkurrën me një të tretën dhe 133.544 emigrantë u kthyen në atdhe.

“Të papunët, të pa kualifikuarit dhe të paarsimuarit ishin kategoria prej nga buronin emigrantët më parë. Tani ka ndryshuar, pasi janë të aftët, të arsimuarit, ata me një punë dhe gjendje të mirë ekonomike, që duan të emigrojnë”, tha Gedeshi për Reuters.

“Ne gjithashtu kuptuam se arsyet ekonomike kishin rëndësi më të vogël, sepse njerëzit tani duan të emigrojnë për një arsimim më të mirë. Një grup gjithashtu dëshiron të largohet sepse nuk sheh asnjë të ardhme në Shqipëri”, shtoi ai.

Duke pasur parasysh profilin në rritje të edukimit të migrantëve potencialë, studimi rekomandoi që Shqipëria të kërkonte marrëveshje për “migrimin e menaxhuar të të aftëve, gjithmonë duke mbajtur parasysh rreziqet e rrjedhjes së trurit dhe aftësive”.

“Duhet gjithashtu të bëhen përpjekje për të përmirësuar dhe zgjeruar strukturën e punësimit dhe mundësive të biznesit në Shqipëri, në mënyrë që më pak njerëz të jenë pesimistë për të ardhmen e tyre në Shqipëri dhe ta shohin migrimin si” rrugë të vetme”, thuhet gjithashtu në studim.

Top Channel

Qendra Informative Shqiptare "Liria"