Kotzias dorëzon “stafetën”: Zgjerojmë ujërat territorialë në Perëndim

KotziasGreqia është gati të zgjerojë ujërat e saj territorialë në krahun perëndimor, nga 6 në 12 milje detare.

Ky është njoftimi i ish-ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, i dhënë këtë të shtunë gjatë ceremonisë së dorëzimit të portofolit ministror te kryeministri Alexis Tsipras.

Njoftimi, në fakt, zgjeron zonën detare nga ishujt Diapontia, një grup ishujsh të vegjël në detin Jon, deri në Antikythera, një ishull që shtrihet mes Peloponezit dhe Kretës.

“Ky është një zgjerim i rëndësishëm politik i sovranitetit të vendit, për herë të parë që prej kohës kur Greqia përfshiu grupin e ishujve Dodecanese (më i madhi i të cilit është ai i Rodosit)”, tha Kotzias, duke shtuar se dekretet presidenciale janë gati.

Kotzias dha dorëheqjen këtë javë për shkak të mosmarrëveshjeve me kreun e partnerit në koalicionin e qeverisë së majtë, njëkohësisht ministër i Mbrojtjes, Panos Kammenos. (tch)

Maqedoni, parlamenti miraton propozimin për ndryshimin e emrit

parlamenti RSM1Parlamenti i Maqedonisë miratoi të premten një propozim për të ndryshuar emrin e vendit, duke e sjellë një hap më afër zgjidhjes mosmarrëveshjen shumëvjeçare me Greqinë për këtë çështje.

Tetëdhjetë deputetë në parlamentin me 120 vende votuan në favor të riemërtimit të vendit Republika e Maqedonisë së Veriut, duke arritur shumicën e dy të tretave që nevojiten për të miratuar ndryshime kushtetuese.

Tetë ligjvënës të opozitës maqedonase të drejtuar nga VMRO-DPMNE votuan pro nevojës për ndryshimet kushtetuese që do të çonin në ndryshimin e emrit. Ata janë: Elizabeta Kançevska Milevska, Sasho Vasilevski, Kërsto Mukovski, Vlladanka Aviroviç, Emilija Aleksandrova, Luben Arnaudov, Nolla Ismailovska Starova dhe Zeqir Ramçilloviç. Por pa votat e partive shqiptare të opozitës, Aleancës për Shqiptarët dhe krahut tjetër të Lëvizjes Besa, nuk do të arrihej shumica e kërkuar.

Votimi u desh të përsëritej pas këmbënguljes së bashkërenduesit të grupit të deputetëve opozitarë maqedonas, Dragan Danevski dhe votimi i herës së dytë u bë në mënyrë publike duke u prononcuar secili ligjvënës në mënyrë individuale.

Ndërkohë, tetë deputetët opozitarë njoftuan se votën e tyre e japin me disa kushte, që janë:

1. Të pranohet një amendament që do të garantojë identitetin maqedonas.

2. Të jepen garanci, nëse Greqia nuk e ratifikon marrëveshjen me Republikën e Maqedonisë, atëherë të anulohen amendamentet që do të miratohen nga parlamenti i Maqedonisë lidhur me ndryshimin e emrit të vendit.

3. Ndryshimi i emrit (në Republika e Maqedonisë së Veriut) të bëhet shkallë-shkallë.

4. Nisma e Kryeministrit Zoran Zaev për faljen e personave të akuzuar në lidhje me ngjarjet e dhunshme në parlament në prillin e 2017-s.

Votimi i vendimit për nevojën e ndryshimeve kushtetuese i hap rrugën përgatitjeve të projekt amendamenteve dhe debatit në parlament.

Qeveria, si propozuese e ndryshimeve kushtetuese ka një afat prej pesëmbëdhjetë ditësh që t’i dorëzojë parlamentit projekt-amendamentet.

Në fazën e fundit, pasi të ketë përfunduar debati dhe të jenë miratuar ose refuzuar amendamentet që mund të paraqiten edhe nga deputetët, duhen dy të tretat e votave të përgjithshme, ose 80 vota gjithsej për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Megjithatë, marrëveshja midis Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë do të jetë e vlefshme vetëm atëherë kur atë ta ketë miratuar edhe parlamenti grek.

Sidoqoftë, votimi i së premtes në mbrëmje në parlamentin e Maqedonisë shikohet si një sinjal se votat e nevojshme janë siguruar dhe ndryshimet kushtetuese do të realizohen.

Kjo do t’i hapte rrugën vendit ballkanik për anëtarësim të shpejtë në NATO dhe për çeljen e bisedimeve me Bashkimin Evropian në qershorin e vitit të ardhshëm.

Kryeministri Zaev, pas procesit të votimit, duke folur në një konferencë për mjetet e informimit e quajti këtë një ditë historike.

“Së bashku e shkruam historinë. Deputetët e opozitës të cilët e dhanë votën, e ndoqën vullnetin e popullit”, u shpreh zoti Zaev duke shpresuar se Maqedonia do të jetë pjesë e familjes evropiane.

Ai përsëriti nevojën për pajtim dhe falje në lidhje me ngjarjet e dhunshme të 27 prillit, 2017 në parlament.

Tre nga deputetët opozitarë të cilët votuan pro, akuzohen për pjesëmarrje në këto ngjarje, ndërsa një tjetër për shpërdorim të detyrës dhe buxhetit gjatë periudhës sa ishte ministre. (voa)

Emri i i Maqedonisë: Parlamenti voton pro ndryshimeve kushtetuese

parlamenti RSMMe 80 vota pro, deputetët e Parlamentit të Maqedonisë miratuan propozimin e qeverisë për ndryshimet kushtetuese. Tani komisionet duhet të hartojnë ndryshimet e duhura për votimin e dytë dhe të fundit.

Deputetët e Parlamentit të Maqedonisë e miratuan propozimin e qeverisë për ndryshimet kushtetuese. 80 deputetë votuan pro, kundër votuan 39 deputetë të partisë opozitare VMRO DPMNE, ndërkohë që 8 deputetë të koalicionit opozitar votuan për kërkesën e qeverisë, me çka u siguruan votat e nevojshme prej dy të tretash, aq sa janë të domosdoshme për të kaluar kërkesa e qeverisë. Pas këtij votimi, komisionet duhet të hartojnë ndryshimet, për t’u rikthyer më pas në votimin e dytë dhe të fundit në seancë plenare.

Reagimi i VMRO-DPMNE

Këto ndryshime janë të domosdoshme për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit të Maqedonisë. VMRO përjashton deputetët e padëgjueshëm të saj menjëherë pas mbarimit të seancës plenare, ku u votua nisma për ndryshimet kushtetuese dhe pro të cilave votuan edhe 7 deputetë të VMRO-DPMNE-së dhe Zeqir Rançilloviq që është pjesë e koalicionit të kësaj partie, vendosi që të përjashtoj nga partia deputetët që votuan në kundërshtim me qëndrimin e partisë.

“Dua të shpreh falënderim ndaj deputetëve që nuk u përkulën kundrejt kërcënimeve dhe shantazheve. Dita kur duhej të votoheshin këto ndryshime u shndërrua në gjah ndaj deputetëve. Deputetët që votuan pro ndryshimeve, unë si person nuk mund t’i arsyetoj, ata ndoshta kishin qëllimet e tyre, por unë nuk mund t’i arsyetoj”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski.

“Shtatë deputetët që votuan kundër qëndrimit të partisë dhe vullnetit të qytetarëve, më dëshpëruan mua, edhe pse kjo nuk është me rëndësi, por është e rëndësishme se dëshpëruan partinë dhe qytetarët. Për këtë arsye Komiteti i VMRO-së mbajti mbledhje dhe përjashtoi 7 deputetët që votuan pro ndryshimeve”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Zaev: Fitoi Maqedonia                      

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev pas përfundimit të votimit në Parlament ka thënë se ky është moment historik, andaj i falënderoi çdo deputet që mori guximin dhe tejkaloi interesat partiake, për të zgjedhur të ardhmen e vendit. “Unë si kryeministër do të mbaj llogari për sigurinë tuaj dhe të familjeve të juaja. Udhëtimi ynë drejt BE-së dhe NATO-s sapo ka filluar, na pret shumë punë që këtë rrugë ta bëjmë më të shkurtër. Na pret miratimi i amendamenteve. Duhet të fokusohemi në realizimin e reformave. Duhet ta vazhdojmë këtë që e filluam sot dhe kthim pas nuk ka. Jam i bindur që bashkë Maqedoninë do ta shpijmë drejtë një të ardhme më të mirë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Deputetët e të gjitha partive politike shqiptare të përfaqësuara në Parlament i kanë dhënë mbështetje të plotë nismës për ndryshimet kushtetuese. Votimin pro ndryshimeve kushtetuese e kanë përshëndetur ndërmjetësi i OKB-së për çështjen e emrit Metju Nimits, eurokomisioneri për zgjerim Johanes Hahn, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg dhe pothuajse të gjithë liderët e vendeve të rajonit.  (dw)

Arabia Saudite konfirmon vrasjen e kritikut të regjimit Xhamal Khashogi

gazetari KhashogiGazetari saudit, sipas të dhënave zyrtare nga Riadi është vrarë në konsullatën saudite në Stamboll. 18 vetë janë arrestuar. Për vdekjen e Khashogit regjimi paraqet një variant të ri.

Më shumë se dy javë pas zhdukjes së gazetarit e kritikut të regjimit, Xhamal Khashogi, Arabia Saudite konfirmoi zyrtarisht vdekjen e tij. Khashogi ka ndërruar jetë si pasojë e një ndeshjeje me grushta me disa persona në ndërtesën e konsullatës, raportoi agjencia shtetërore saudite e lajmeve, Spa. 18 qytetarë sauditë janë arrestuar. Hetimet vazhdojnë. Nuk ka dijeni mbi vendndodhjen e kufomës.

Shkarkohet kreu i shërbimit sekret dhe këshilltari i mbretit

Deri më tani qeveria e Arabisë Saudite kishte hedhur poshtë vazhdimisht e me forcë versionin e vrasjes së gazetarit në konsullatë. Por versioni i paraqitur nga regjimi bie ndesh me variantin e vrasjes të publikuar nga mediat turke të afërta me qeverinë. Sipas informacioneve të tyre Khashogi u pre për së gjalli nga një komando speciale prej 15 vetësh e ardhur qëllimisht për këtë nga Arabia Saudite. Hetuesit turq kontrolluan të premten një pyll në veri të Stambollit dhe ndërtesën në qytetin Yalova në Detin e Marmarasë. Khashogi që jetonte në ekzilin amerikan, kishte shkelur territorin e konsullatës më 2 Tetor për të marrë dokumente për martesën. Nga ajo ditë ai u zhduk.

Në të njëjtën kohë me konfirmimin për vdekjen e Khashogit, mediat shtetërore saudite bënë të ditur edhe shkarkimin nga detyra të zëvendëspresidentit të Shërbimit Sekret, Ahmad Al-Asiri dhe këshilltarin për mediat ë mbretit, Saud al-Khatani të dy të afërt me princin trashëgimtar Mohamed bin salman. Mbreti saudit Salman dhe presidenti turk Erdogan telefonuan edhe njëherë lidhur me rastin. Ata ranë në ujdi që palët të bashkëpunojnë ngushtë për të zbardhur vrasjen.

Reagime të tronditura nga bota

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres u tregua „thellësisht i shqetësuar” për vrasjen e dhunshme të „disidentit të njohur”.  Ai theksoi nevojën e një hetimi transparent, të shpejtë dhe të thellë. Ndërkohë në kongresin amerikan janë shprehur dyshime të thella për versionin e vrasjes të paraqitur nga Arabia Saudite. „Do të ishte vetëpërmbajtje, nëse them se jam skeptik ndaj variantit të ri të paraqitur saudit për vdekjen e Khashogit”, shkroi në Twitter senatori amerikan, Lindsay Graham. Deputeti Eliot Engel, përfaqësuesi më i lartë demokrat në komisionin e jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve e cilësoi po ashtu të pabesueshëm variantin e sauditëve. Senatori demokrat, Eric Swalwell anëtar në komisionin e shërbimit sekret të Dhomës së Përfaqësuesve ka kërkuar të dijë se ku ndodhet kufoma.

Reagimi i Shtëpisë së Bardhë

Shtëpia e Bardhë nuk është shprehur në një deklaratë të parë për pasojat në marrëdhëniet me Arabinë Saudite. Në një deklaratë të saj thuhej vetëm se „ Shtetet e Bashkuara kanë marrë në dijeni për deklaratën e Mbretërisë Saudite, që hetimet për fatin e Xhamal Khashogit vazhdojnë dhe se po veprohet ndaj të dyshuarve të verifikuar.” Presidenti amerikan, Donald Trump bëri fjalë për një hap të mirë të sauditëve.

Deklarata është e besueshme dhe se ai nuk beson se udhëheqja saudite do ta gënjente. Në të njëjtën kohë ai siguroi se do të marrë në konsideratë kongresin para çdo lloj vendimi. Më parë Trump ishte shprehur kundër heqjes dorë nga bashkëpunimi disa qindra miliarda dollarë me Arabinë Saudite, sepse „kjo do të dëmtonte SHBA”. Ai iu referua bashkëpunimit të ngushtë me sauditët. „Arabia Saudite është një aleat i jashtëzakonshëm, prandaj kjo është kaq e trishtueshme”, tha presidenti amerikan.

la/se/ml (rtr, dpa, afp, ap)

Seanca e shtyrjeve për ndryshimet kushtetuese, akuza për ofrim të miliona eurove për një votë

makedonijaKuvendi i Maqedonisë nuk ka arritur ende të nisë seancën për ndryshimet kushtetuese pasi shumica parlamentare nuk është e sigurt nëse ka shumicën e dy të tretave, apo 80 nga 120 deputetë sa ka Kuvendi.

Seanca është shtyrë tre herë nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ndërsa partitë kanë shkëmbyer akuza për presione, shantazhe dhe ofrim të parave për votat e deputetëve.

Sekretari i Përgjithshëm i VMRO-DPMNE, Igor Janushev ka deklaruar para mediave se “një deputeti të VMRO-së i është ofruar 1 milion euro, një tjetri 2 milionë euro dhe një të treti madje 2.5 milionë për të mbështetur ndryshimet kushtetuese”.

Janushev ka thënë se disa deputetë janë kërcënuar me ngritje të padive nëse nuk mbështesin nismën e Qeverisë.

Zëdhënësi i Qeverisë, por edhe deputetë të LSDM-së kanë hedhur poshtë akuzat dhe për presion e kërcënime të deputetëve kanë akuzuar VMRO DPMNE-në.

Partia opozitare ndërkohë i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit, që sa më parë të mbajë seancën dhe të vendosë për votimin në pikën për ndryshimet kushtetuese, që të shihet qartë siç ka thënë deputeti Antonio Milloshoski nëse i ka ose jo numrat pushteti për ndryshimet kushtetuese.

Jo zyrtarisht bëhet e ditur se për miratimin e propozimin të Qeverisë janë siguruar 79 vota dhe se mungon vetëm se një për të kaluar faza e parë e ndryshimeve kushtetuese të nevojshme për procesin e zbatimit të marrëveshjes për emrin.

Vazhdimi i radhës është caktuar për në orën 21.

(rel)

Top Channel Exclusive: Greqia financon portale në Shqipëri

Top Channel mëson se Greqia financon me fonde sekrete portale, media dhe gazetarë në Shqipëri dhe vende të tjera të rajonit.

Ky lajm po diskutohet nga burime që tregojnë detajet e largimit të ministrit të jashtëm Niko Kotzias nga qeveria.

Pas dorëheqjes flitet edhe për një një skandal financiar, pasi sherri mes tij dhe ministrit të mbrojtjes Panos Kamenos ka ndodhur për shkak të parave që financohen në Shqipëri për mediat, gazetarë, zyrtarë të minoritetit apo dhe ndërtime në jug.

Një shumë prej 1 milionë euro është dhënë në muajin tetor për disa portale edhe në Shqipëri, siç mëson Top Channel.

45 milionë euro është shuma të cilën Kamenos ia faturon Kotziasit si e shpenzuar në mënyrë abuzive nga ai që konsiderohet buxhet sekret i ministrisë së Jashtme greke.

Kotzias ka deklaruar se paratë e buxhetit sekret të ministrisë, kryesisht financonin Kishën orthodokse, por edhe aktivitete të ndryshme në rajon, por pa dhënë detaje.

Burime pranë ministrisë së Jashtme në Athinë bëjnë me dije se një pjese e madhe e buxhetit sekret të kësaj ministrie jepet në formë grantesh dhe ndihmash në media dhe organiza të ndryshme në rajon, për të paguar gazetarë, portale, por edhe media të caktuara në Shqipëri dhe Maqedoni.

Gjithashtu mësohet se miliona euro janë dhënë për biznese në Shqipëri, kryesisht ndërtimin e hoteleve në jug të vendit, apo per finacimin e ndërmarrjeve, pronë e të afërmve të politikanëve të ndryshëm të minoritetit grek që jeton në Shqipëri.

Para në subvencione janë dhënë për zyrtarë të ndryshëm të minoritetit, në formë kompensimi rroge, në mënyrë që të mos largohen nga Shqipëria, për të emigruar në Greqi.

Burime të sigurta thonë se janë financuar edhe programe të ndryshme për studime Master të zyrtarëve shqiptarë në Greqi, por edhe për pritje, përcjellje dhe udhëtime turistike të disa prej gazetarëve shqiptarë.

Në listë nuk mungojnë as fondacione mediatike dhe kulturore në Tiranë dhe Gjirokastër.

Janë qindra mijera euro që jepen në aktivitete në Shqipëri, ndërsa ajo çka thuhet jo zyrtarisht nëpër korridoret e ministrisë së Jashtme greke, është fakti që për të bërë marrëveshje mes dy vendeve, duhet të paguash mirë portalet shqiptare.

Madje, janë disa portale që operojnë në Shqipëri, me domain “.al”, por që finacohen prej Athinës zyrtare.

Top Channel mësoi se ekziston një listë e detajuar e kodeve dhe llogarive, por edhe emrat e pritësve të këtyre parave, e cila shoqëron kërkesën prej nëntë faqesh të dorëheqjes, që ministri i Jashtëm i dorëzoi kryeministrit grek, Tsipras.

Top Channel

Turqia kërkon mbylljen e aktiviteteve të FETO-s në Shqipëri

CavusogluNë Shqipëri, ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu përsëriti sot kërkesën drejtuar autoriteteve shqiptare për bllokimin e aktivitetit të strukturave të organizatës FETO, të Fetullah Gulen, i akuzuar nga Ankaraja dhe si përgjegjës për tentativën e grushtit të shtetit 2 vjet më parë.

Sipas shefit të diplomacisë turke, “në Shqipëri ka një strukturë fetoiste tepër serioze të shtrirë në të gjitha fushat. Si dhe në vendet e tjera, tha ai, ata kanë përdorur sistemin arsimor dhe kanë depërtuar në sistemin shtetëror. Turqia –shtoi më tej ministri – pret që të mbyllen institucionet që zhvillojnë veprimtari antiturke në Shqipëri”.

Zoti Cavusoglu tha se “organizata FETO është një organizatë terroriste, e cila sipas tij përbën kërcënim dhe për Shqipërinë. Turqia nuk strehon asnjë terrorist që vjen nga Shqipëria. Këtë presim dhe nga miqtë tanë shqiptarë”, deklaroi ministri turk.

Para tij, për këtë çështje ishte shprehur ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati i cili ndërsa kujtoi se Shqipëria ishte ndër vendet e para që u solidarizua me çka ndodhi në Turqi në rrethanat e grushtit të Shtetit, nënvizoi se “nga ana tjetër Shqipëpria është anëtar i Natos, kandidat për në Bashkimin Europian, se ka aderuar në disa dokumenta të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e ekstradimit, dhe se çdo politikë ndiqet në rrugë diplomatike”, u shpreh ministri shqiptar.

Pak muaj më parë, kryeministri Edi Rama ishte shprehur se “elementët që dyshohen për lidhje me organizatën Feto, po mbahen nën mbikqyrje”. (voa)

TAP, nisin punimet për tubacionet nën det

TAPGazjellësi TransAdriatik Pipeline (TAP) nisi sot punimet për realizimin e pjesës ndoshta më të vështirë të projektit, atë të instalimit të tubave të cilët do të kalojnë nën detin Adriatik për të lidhur kështu segmentin shqiptar të gazsjellësit me atë italian. Në një ceremoni të zhvilluar në Fier, Drejtori Menaxhues i TAP-it, Luca Schieppati tha se “ky është një tjetër hap i rëndësishëm përpara në ndërtimin e TAP, përfundimin e punimeve dhe vënien në punë në vitin 2020. TAP është një nga projektet më strategjike dhe më të qëndrueshme që po ndërtohet në Evropë dhe do të ofrojë një burim të ri energjie për përdoruesit familjarë dhe bizneset e rajonit duke rritur alternativat për furnizim me energji. Tashmë, mbi 80% e projektit është përfunduar dhe ne jemi krenarë që punimet po kryhen në përputhje me standardet më të larta dhe praktikat më të mira të industrisë.”

Seksioni detar i projektit është 105 kilometra i gjatë. Realizimi i punimeve i është besuar kompanisë së njohur italiane “Saipem”. Afërsisht 10 anije do të merren me ndërtimin e seksionit detar: dy anije do përdoren për shtrimin e tubacionit dhe anije të veçanta për drenazhimin, furnizim me tuba, punimet e vogla ndërtimi, rimorkimin dhe analiza. Për shtrirjen e tubave në ujëra të thella, deri në 810 metra, do të përdoret një anije shtrimi gjysmë e zhytur në ujë, ndërsa për shtrirje në ujëra të cekëta do të përdoret një anije shtrimi për ujëra të cekëta. Janë 9 mijë tuba, me një peshë të përgjithshme prej 100 mijë ton, saldimi i të cilave do të bëhet fillimisht në anije, përpara se të shtrihen në fund të detit. Një kabull me fibra optike do të instalohet përgjatë tubacionit për të mundësuar komunikimin me dy drejtime, nga tubacioni në qendrën e mbikëqyrjes dhe kontrollit, gjatë fazës operacionale. (voa)

Palmer: “Konflikti i ngrirë” Kosovë – Serbi, paraqet rrezik

PalmerZëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer, u bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të mos e humbin “mundësinë historike” për të arritur një marrëveshje nga e cila “të dyja palët do të dilnin fituese”.

“Nëse dikush është fitues dhe tjetri humbës, atëherë askush nuk fiton”, tha zoti Palmer në Beograd gjatë punimeve të Forumit të Sigurisë, me temën “Fuqizimi i vendeve të Ballkanit”, citojnë mediet në Beograd.

Zoti Palmer tha se Shtetet e Bashkuara nuk janë duke përcaktuar ndonjë rezultat të caktuar të bisedimeve.

“Ne po inkurajojmë palët të gjejnë rrugën përpara si dhe një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme të cilën do ta pranonin dyja palët”, tha ai.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të dëgjojnë dhe ndihmojnë, por nuk mund të flasë për ndonjë hollësi lidhur me një ndryshim të mundshëm të kufirit, pasi nuk është paraqitur asnjë plan i tillë. Për Shtetet e Bashkuara, tha ai, është i kuptueshëm shqetësimi për mundësinë që ndryshimi i kufijve të nxisë krizë në vendet tjera të rajonit, mirëpo, konflikti i pazgjidhur dhe i ngrirë “po ashtu rrezikon qëndrueshmërinë e rajonit”.

Zoti Palmer, i cili u takua edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se vendi i tij e mbështetë themelimin e ushtrisë së Kosovës. “Ky është një kalim që kërkon kohë dhe ne po punojmë me kujdes me partnerët tanë në Prishtinë që ta mbështesim atë dhe të sigurohemi se kjo do të ndodhë në një atë mënyrë që të ndihmojë rajonit dhe qëndrueshmërisë së tij”, citohet të ketë thënë ai.

Beogradi reagoi me zemërim pasi që një ditë më parë parlamenti i Kosovës miratoi në parim tri projektligje që i hapin rrugë ndryshimit të mandatit të Forcës së Sigurisë dhe shndërrimit të saj në ushtri.

Presidenti serb, tha të premten se shpreson që Shtetet e Bashkuara do të kuptojnë qëndrimin e Serbisë se “formimi i ushtrisë së Kosovës mund të rrezikojë paqen e qëndrueshmërinë dhe mund të çojë në pasoja tragjike”.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që është kusht për integrimin e të dyja palëve në Bashkimin Evropian. (voa)

Lotaria ‘Megamillions’ arrin 970 milion dollarë

loto megamilionNjerëzit në Shtetet e Bashkuara po blejnë bileta lotarie për një shans tejet të vogël për t’u bërë multi-milionerë. Sonte hidhet shorti i madh për lotarinë ‘Mega Millions’.

Shumë njerëz që shpresojnë të bëhen milionerë po blejnë bileta lotarie për të provuar fatin në shorteun që hidhet të premten në darkë për shumën 970 milion dollarë, shumë e cila mund të tejkalojë miliardëshin deri në momentin e shitjes së të gjitha biletave. Pandora Jones po provon fatin e saj.

“Po fitova, do t’i them mirupafshin gjithçkaje këtu.”

Ndërsa Eliot Barnharst, ka mendime të tjera.

“Ndoshta një pjesë të fitimeve do ta përdorja për të udhëtuar jashtë vendit.”

Ndërkohë, një tjetër lotari që quhet ‘Powerball’ ka arritur shumën 430 milion dollarë, shorteu i së cilës do të hidhet të shtunën. Shanset për të fituar çmimin kryesor në sejcilën prej llotarive është 1 në 302 milion. Çmimi i biletave varion nga 2 deri 3 dollarë për t’u bërë milioner brenda ditës. (voa)