OSBE e shqetësuar për portalet shqiptare

OSCE DesirPërfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, shprehu të enjten shqetësimin pas lajmërimit për një sistem të ri regjistrimi për 44 faqe interneti në Shqipëri dhe mbylljen e mundshme të tyre.

“Shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrimin e detyrueshëm për mediat online si parakusht për punën e tyre, gjë që mund të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias. Kjo praktikë, kur vihet në zbatim, mund të kufizojë ndjeshëm aksesin e publikut në burime të larmishme informacioni dhe pluralizmin e zërave, si edhe gërryen të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të informimit online”, deklaroi Désir.

Përfaqësuesi u bëri thirrje autoriteteve shqiptare t’i rishikojnë këto masa, të shqyrtojnë të gjitha alternativat e mundshme për trajtimin e çështjes së shpifjes dhe të fillojnë një debat gjithëpërfshirës me aktorët relevantë të shoqërisë civile dhe medias.

“Është tejet e rëndësishme që të sigurohet më shumë informacion rreth objektivave të saktë të masave të shpallura, si edhe për kriteret mbi bazën e të cilave janë përzgjedhur këto 44 faqe interneti“, shtoi Désir.

Më tej, ai kërkoi sqarime për bazën ligjore të kërkesës për publikimin e NIPT-it nga ana e këtyre faqeve interneti, si edhe për bazën ligjore për mbylljen e faqeve të internetit.

Në një letër drejtuar Kryeministrit Edi Rama, për këtë çështje, Përfaqësuesi ofroi edhe asistencën e tij ligjore. Désir solli në vëmendje rekomandimet e Zyrës së tij për mbrojtjen e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes në rregullimin e përmbajtjes online në Evropën Juglindore, duke theksuar se çdo rregullim i përmbajtjes online duhet të mbajë parasysh detyrimet ndërkombëtare, përfshirë angazhimet në kuadrin e OSBE-së.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Shqipëri publikoi më 15 tetor,  një listë me 44 faqe interneti mediatike, që duhet të regjistrohet pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe të pajisen me NIPT brenda 72 orësh, të cilin duhet ta publikojnë pastaj online. Mosrespektimi i këtij urdhri rezulton në mbyllje të faqeve të internetit. Kjo nismë, e mbështetur nga qeveria, raportohet se është bërë për t’u dhënë zgjidhje shpifjeve online. (tch)

Pompeo informon Presidentin për çështjen e gazetarit të zhdukur saudit

PompeoSekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo informoi sot Presidentin Donald Trump rreth bisedimeve të tij me zyrtarët sauditë dhe turq dhe hetimet e tyre për zhdukjen e një gazetari saudit me banim në SHBA, që zyrtarët turq thonë se u vra nga agjentët e Arabisë Saudite në konsullatën e Riadit në Stamboll.

Takimi i zotit Pompeo me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë vjen pas një kërkimi të ri që hetuesit turq kryen në konsullatë, i dyti këtë javë. Por diplomati i lartë amerikan tha gjatë largimit nga Riadi se udhëheqësit sauditë nuk dëshironin të diskutonin asnjë fakt rreth çështjes, ndërkohë që ishin duke kryer një hetim për t’ia komunikuar publikut. Arabia Saudite ka mohuar se ka dijeni për zhdukjen e Khashoggit.

Zoti Pompeo qëndroi një ditë në Riad për të diskutuar mbi zhdukjen e gazetarit me Mbretin Salman dhe djalin e tij, princin e kurorës Mohammed bin Salman, udhëheqësi de facto i vendit.

Ai shkoi pastaj Pompeo në Ankara, për t’u takuar me Presidentin Rexhep Tajip Erdogan dhe Ministrin e Jashtëm Mevlut Çavusoglu. Media pro-qeveritare turke ka publikuar pohimet e hetuesve se agjentët sauditë i kanë prerë gishtat gazetarit, i kanë prerë kokën dhe i kanë coptuar trupin, pak pas arritjes së tij në konsullatën saudite më 2 tetor për të marrë disa dokumente martese.

Gazeta pro-qeveritare Sabah identifikoi zyrtarin e sigurimit saudit Maher Abdulaziz Mutreb si kreu i një “ekipi vrasësish” prej 15 anëtarësh që shkoi në Stamboll për të kryer ekzekutimin e Khashoggit. Gazetari jetonte në mërgim të vetimponuar në Shtetet e Bashkuara duke shkruar komente për gazetën Washington Post ku kritikonte princin e kurorës dhe përfshirjen saudite në luftën në Jemen.

Gazeta turke tha se Mutreb, është fotografuar shpesh pranë princit të kurorës gjatë udhëtimeve të tij jashtë vendit.

Ndërkohë, gazeta Washington Post boton sot atë që besohet të jetë shkrimi i fundit i Khashoggit, në të cilën ai kritikon mungesën e lirisë së shtypit në botën arabe.

“Bota arabe po përballet me versionin e saj të një Perdeje të Hekurt, të imponuar jo nga aktorë të jashtëm, por përmes forcave të brendshme që konkurrojnë për pushtet,” shkruan ai. (voa)

Kosovë, miratohen në parim projektligjet për ndryshimin e FSK

fsk1Parlamenti i Kosovës miratoi të enjten në parim tri projektligjet që i hapin rrugë ndryshimit të mandatit të Forcës së Sigurisë. Këto projektligje që mundësojnë rritjen e përgjegjësive për këtë forcë, u përkrahën nga të gjitha partitë politike në parlament, përveç Listës Serbe.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se ky është një moment që duhet t’i bashkojë të gjithë sepse nuk ka shtetësi të plotë pa një ushtri të mirëfilltë.

“Kur ne kërkojmë mandat të ri për Forcën e Sigurisë së Kosovës për ta bërë ushtri të mirëfilltë ne nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa që kanë fqinjët tanë. Dëgjojmë zëra nga fqinji verior kundër ushtrisë së Kosovës, është e qartë se vetëm ata që janë kundër NATO-s janë kundër mandatit të ri që duhet të ketë Forca e Sigurisë, vetëm ata që janë kundër interesave euroatlantike në Kosovë dhe rajon janë kundër që shteti i Kosovës të ketë ushtri, vetëm ata që promovojnë interesa të tjera në Ballkan, si ato të Federatës Ruse apo tjera ët ngjashme, janë kundër ushtrisë së Kosovës”, tha zoti Hoti.

Shndërrimin e Forcës së Sigurisë e mbështetën edhe Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Socialdemokrate, Nisma Socialdemokrate si dhe partitë e komuniteteve jo serbe.

Lista Serbe, përfaqësues të së cilës lanë sallën e parlamentit para se të votohej për projektligjet, i kundërshtuan ato duke thënë se bien ndesh me aktet juridike ndërkombëtare.

“Serbët, shqiptarët dhe të gjithë ata që jetojnë në Kosovë, para së gjithash kanë nevojë për zhvillim ekonomik dhe paqe dhe jo militarizim të ndonjë formacioni ushtarak dhe larg qoftë ndonjë luftë. Projektligjet për te cilat po flasim janë në kundërshtim me të gjitha aktet juridike para së gjithash ato ndërkombëtare, të cilat ende janë në fuqi në këto territore. Këtu e kam fjalën për rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244, Marrëveshjen e Kumanovës, por siç e dini edhe ju vet është në kundërshtim edhe me aktet e tjera ligjore por edhe me Kushtetutë”, tha deputeti Igor Simiq.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar miratimin e këtyre projektligjeve si një nga ditët më përcaktuese për vendin në konsolidim të shtetit dhe në rrugën drejt NATO-s.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për punën që po kryejmë sot, unë nuk dëshiroj të marr pjesë në diskutime e debat por ju siguroj se një Kosovë e sigurtë, dhe të gjithë kanë arsye të ndihen të sigurtë, edhe komunitetet, të gjitha komunitetet, kjo është një punë që po bëhet për të gjithë qytetarët e vendit”, tha kryeministri Haradinaj.

Pas miratimit në parim të projektligjeve për Forcën e Sigurisë, pritet që të vazhdojë shqyrtimi i dytë për miratimin e tyre përfundimtar, para se të mund të nënshkruhen nga presidenti dhe të publikohen në gazetën zyrtare.

Autoritetet në Prishtinë po avancojnë kësisoj legjislacionin për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë me synimin që ajo të shndërrohet në ushtri të Kosovës. Ata thonë se tashmë Kosova ka mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara si në aspektin strukturor po ashtu edhe në atë stërvitor për këto ndryshime.

Në pranverën e vitit të kaluar, nisma e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë nëpërmes një ligji kishte nxitur reagimin e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara që kërkonin krijimin e ushtrisë së Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese.

Partitë politike kanë kërkuar që këto ndryshime të bëhen përmes ligjeve pasi janë shuar shpresat se transformimi i Forcës së Sigurisë mund të arrihet me ndryshime kushtetuese të kërkuara nga ndërkombëtarët por që kundërshtohen nga Beogradi dhe nga deputetët serbë.

Në selinë e NATO-s mbahen bisedime për Maqedoninë

nato mkNë selinë e NATO-s në Bruksel, të enjten filluan bisedimet në mes delegacionit të Maqedonisë dhe zyrtarëve të Aleancës, për anëtarësimin e këtij vendi ballkanik. Bisedimet përfshijnë aspektet politike, ushtarake e juridike, ndërsa pritet të caktohet një afat kohor për përfundimin e procesit, që sipas pritjeve në Shkup, kjo do të ndodhë në muajin dhjetor.

Delegacionin e Maqedonisë e drejton Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Sheqerinska. Delegacioni u prit nga Nën-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Alehandro Alvaro Gonzales.

Autoritetet e Shkipit thonë se Maqedonia ka realizuar reforma të dukshme kundrejt arritjes së standardeve të vendeve anëtare të Aleancës Veriatlantike. Megjithatë, vendi i vogël ballkanik duhet edhe më tej ta modernizojë ushtrinë dhe të shtojë buxhetin për të.

Për anëtarësimin në Aleancë, duhet që ligjvënësit në Shkup t’i miratojnë ndryshimet kushtetuese që burojnë nga Marrëveshja e Prespës, lidhur me emrin e Republikës së Maqedonisë.

Sipas pritjeve, Maqedonia mund të bëhet anëtare fuqiplotë e Aleancës së NATO-s në pranverën e vitit 2020. (voa)

Kosovë: Kuvendi miraton ligjet për ushtrinë e Kosovës

fskMe votat unanime të shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës u miratuan ligjet që e shndërrojnë FSK-në në ushtri të Kosovës. Miratimi i këtyre ligjeve u kundërshtua nga deputetët serb të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës me vota unanime, pa praninë e deputetëve të serbëve të Kosovës, miratoi tri ligjet që transformojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, por pa ia ndryshuar emrin. Me 101 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët miratuan në lexim të parë këto projektligje. Përmes këtyre tre projektligjeve po synohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të transformohet në një forcë me kapacitete shtesë, duke përfshirë edhe përgjegjësi të mbrojtjes.

Zyrtarë të FSK-së thonë, se emri i kësaj trupe mbetet i njëjtë, (FSK), ndërkaq, mandati, misioni, autorizimet, kompetencat sikurse edhe struktura e Ministrisë do të ndryshojnë në përputhje të plotë me planin 10-vjeçar të tranzicionit të FSK-së.

Prezantimin e tre projektligjeve për FSK-në para deputetëve e bëri ministri i kësaj trupe Rrustem Berisha. Ai tha, se hartimi dhe procedimi është mbështetur në normat kushtetuese në mënyrë që të mundësohet riorganizimi dhe kalimi nga Ministria e FSK-së në Ministrinë e Mbrojtjes.

“Ministria e Mbrojtjes do të hartojë dhe zbatojë politikat e përgjithshme shtetërore të mbrojtjes në nivel strategjik si dhe do të ushtrojë funksionet dhe kompetencat e saj në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, tha ministri Rrustem Berisha.

Të gjitha grupet parlamentare i mbështetën pa rezervë tre projektligjet që e shndërrojnë FSK-në në ushtri.

Para se tre ligjet për FSK-në të votoheshin në kuvend, lista Srpska, që ka 10 deputet në kuvendin e Kosovës, kundërshtoi miratimin e këtyre ligjeve, duke thënë, se “ky transformim është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshilllit të Sigurimit dhe akteve të tjera ndërkombëtare, si dhe do të dëmtojë të ardhmen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”

“Këto ligje nuk janë kundër serbëve, por edhe kundër shqiptarëve, sepse shpenzimet janë aq të mëdha sa do të rëndojnë edhe më shumë ekonominë e pazhvilluar të Kosovës”, tha Igor Simiq, shef i grupit parlamentar të Srpska, deputetët e së cilës pas paraqitjes së kundërshtimit të tyre u larguan nga salla e kuvendit.

Tre ligjet e miratuara në kuvendin e Kosovës janë: Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës si dhe Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes.

1.Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës – përcakton kompetencat, organizimin dhe funksionimin e FSK-së , si forcë multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor në mbrojtje të integritetit territorial, qytetarëve, pronës dhe interesave të Republikës së Kosovës, dhe e cila i nënshtrohet kontrollit civil demokratik.

2. Projektligji për Shërbimin në FSK – Ky projektligj rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit në FSK si një shërbim i ndërtuar mbi bazën e parimit të ligjshmërisë, profesionalizmit, komandës, disiplinës, respektit, nderit, ruajtjes së informacionit, komunikimit, jo diskriminimit dhe mundësive të barabarta, paanshmërisë politike, transparencës dhe llogaridhënies.

3.- Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes – Më këtë Ligj bëhet riorganizimi dhe kalimi i MFSK-së në Ministri të Mbrojtjes në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës me qëllim të mbikëqyrjes dhe kontrollit civil demokratik mbi FSK-në me strukturën e saj organizative, që siguron funksionalizimin e plotë dhe përmbushjen e përgjegjësive të saj. Ministria e Mbrojtjes do të hartojë dhe zbatojë politikat e përgjithshme shtetërore të mbrojtjes në nivelin strategjik, si dhe do të ushtrojë funksionet e kompetencat e saj në përputhje me Kushtetutën.

Forca e Sigurisë së Kosovës në mandatin aktual është forcë e armatosur me armë të lehta dhe e gatshme të ndërhyjë në rast të katastrofave natyrore. Kjo trupë aktualisht numëron më shumë se 2000 pjesëtarë. 200 prej tyre janë pjesëtar të pakicave. Një pjesë e serbëve të Kosovës tashmë kanë dhënë dorëheqje nga FSK dhe sipas qeverisë së Kosovës ata janë detyruar të largohen nga presion i Beogradit zyrtar. (dw)

Mickoski: Marrëveshja e Prespës ka vdekur

MickovskiKreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski thotë për Deutsche Wellen se partia e tij nuk do ta mbështesë marrëveshjen historike për emrin me Greqinë, që do të hapte rrugën e integrimit të Maqedonisë për në NATO e BE.

Në kohën që Parlamenti i Maqedonisë ka hyrë në ditën e tretë të debatit për të aprovuar apo jo marrëveshjen për ndryshimin e emrit, rezistenca e partisë opozitare nacionaliste, VMRO-DPMNE është ashpërsuar. Kryetari i kësaj partie, Hristijan Mickoski tha për Deutsche Wellen, se ai e konsideron marrëveshjen me Greqinë „të vdekur” dhe i kërkoi qeverisë të ndërpresë procedurën parlamentare. Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev aktualisht është duke punuar fort për të arritur shumicën me dy tretat që do të ndryshonte emrin e vendit në Maqedonia e Veriut, e që do të sillte ecjen përpara në integrimin në BE dhe anëtarësimin në NATO. Por Zaevit i duhet të bindë të paktën 10 deputetë të opozitës në një parlament prej 120 deputetësh.

Mickoski: Fajtori i vetëm – Zoran Zaev

I pyetur, nëse ka ndonjë shans që ai dhe kryeministri, Zoran Zaev të arrijnë një marrëveshje, Mickoski u tregua i pakompromis. „Edhe ky është një shans, pra të arrish në konkluzionin, se marrëveshja ka vdekur. Dhunimi i mëtejshëm i këtij procesi do të prodhojë vetëm tensione shtesë dhe polarizim në shoqëri, dhe fajtori i vetëm për këtë është Zoran Zaev, i cili premtoi diçka që nuk mund ta realizonte dot.”

Mickoski dhe partia e tij vendosën të abstenonin votën për referendumin e fundit për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, duke e bërë kështu të pamundur arritjen e numrit të duhur të pjesëmarrjes së nevojshme 50%. Asistenti i Sekretarit Amerikan të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchel ishte të martën nga të fundit pas shumë politikanëve të BE-së dhe SHBA-së që e nxisin Mickoskin të lëvizë nga pozicioni i tij. „Nuk do të jetë si një habi për ju, që ne kemi qenë të zhgënjyer me pozicionet e lidershipit të VMRO-DPMNE-së në lidhje me referendumin dhe hapat në parlament për të ndryshuar kushtetutën”, shkroi Mitchell dje në një letër personale për Mickoskin, që u bë publike nga ambasada amerikane në Shkup.

Letra ishte pak a shumë e njëjtë me kreun e partisë popullore europiane, Joseph Daul, i cili javën e kaluar deklaroi se ishte i zhgënjyer me qëndrimin e VMRO-DPMNE-së. Të dy politikanët i thanë Mickoskit se ai dhe partia e tij do të mbajnë përgjegjësinë për dështimin e marrëveshjes së emrit.

„Zaev pranoi diçka, që askush nuk kishte menduar ta pranonte më parë”

Por Mickoski kundërshton. „Përgjegjësia është e atyre që e sollën marrëveshjen të dështojë. Nuk është opozita që drejtoi negociatat, nuk është opozita që e rrënoi marrëveshjen, nuk është opozita që e theu procesin e referendumit. Por është qeveria ajo, që e drejtoi, e implementoi dhe shkatërroi procesin. Ai që duhet të mbajë përgjegjësinë është Zoran Zaevi. Ai i hyri një rruge aventure, arrogante, egocentrike pa përgatitur ambientin, duke pranuar diçka, që askush nuk kishte menduar ta pranonte më parë dhe shumica e njerëzve në të dy vendet e shprehën opinionin e tyre. Në Maqedoni kemi një referendum katastrofik, dhe në Greqi 70% të qytetarëve që nuk e pranojnë marrëveshjen. Një pemë e mbjellë keq do të rrijë shtrembër dhe do të kalbet”, tha Mickoski për Deutsche Wellen.

Kreu i opozitës konkludon, se ai dhe partia e tij nuk do të lejojnë „ndryshimin e kushtetutës në mënyrë që të ndryshojnë emrin kushtetues të vendit”. (dw)

Çfarë ndodhi me Nikos Kotzias? Kriza e Athinës

Tsipras KotziasNë shenjë proteste kundër partnerit populist, pjesë e koalicionit qeverisës, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias dha dorëheqjen të mërkurën. Sa e rrezikon ky hap kompromisin për emrin me Maqedoninë?

“Me dhimbje në zemër” – kështu e ka pranuar  kryeministri grek, Aleksis Tsipras dorëheqjen e ministrit të të Jashtëm, Nikos Kotzias. Tani këtë detyrë ai do ta ushtrojë vetë. Tsipras e falënderoi ish-ministrin e tij. Rrallë tingëllon reagimi pas dorëheqjes së një ministri kaq emocional. Gazeta me orientim të majtë, “Gazeta e Redaktorëve” shkruan, se “ministri i gabuar duhej të paguante faturën.” Ndërsa gazeta konservatore, “Eleftheros Typos” shkruan me tone kritike për Tsipras, se “ai po sakrifikon Kotziasin për të qëndruar edhe më shumë në pushtet.”

Por pse duhej të largohej ministri i Jashtëm?

Si shkak për largimin e ministrit shërbeu një grindje mes Kotzias- që nuk është pjesë e Partisë së majtë, Syriza – dhe ministrit të Mbrojtjes, populistit të djathtë, Panos Kamenos gjatë një mbledhjeje të kabinetit qeveritar grek. Bëhej fjalë për sheshimin e grindjes për emrin me Maqedoninë përmes Marrëveshjes së Prespës, të cilën Kotzias e reklamon si sukses të tij, dhe Kamenos e refuzon. Kryeministri Tsipras heshti gjatë grindjes mes dy ministrave.

Kotzias nuk u ndje i mbështetur nga kryeministri i tij, mendon Konstantions Filis, drejtor i sektorit të studimeve në Institutin për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Athinë. “Përfytyrojeni këtë njëherë -Kotzias e mbështet marrëveshjen për çështjen e emrit në kurriz të vet dhe duhet të shohë me sytë e tij, se si Kamenos avancon në ministrin e jashtëm anësor, dhe Tsipras nuk i tregon vendin.” Edhe analisti politik konservator, Aris Portosalte është i sigurtë “Ka pasur një grindje mes Kotzias dhe Kamenos, dhe Tsipras vendosi qartësisht për Kamenosin.”

Kompromisi me Maqedoninë nuk rrezikohet apo jo?

Kryeministri grek nuk vë pikëpyetje mbi marrëveshjen për emrin pas dekadash grindjeje mes Athinës dhe Shkupit. Përkundrazi: Vendimi për të marrë përsipër edhe postin e ministrit të Jashtëm e nënvizon edhe më fort vendosmërinë e tij për “marrëveshjen historike”, tha vetë Tsipras në televizionin shtetëror, ERT. Për kujtesë: Me iniciativën e Kotzias, Athina dhe Shkupi mundën të arrinin një kompromis në grindjen e gjatë për çështjen e emrit. Sipas tij Maqedonia do të quhet Maqedoni e Veriut dhe do ta ndryshojë kushtetutën në atë mënyrë që të përjashtohen pretendimet territoriale ndaj vendeve fqinje.

Ministri grek i Mbrojtjes, Kamenos është kundër këtij kompromisi dhe kishte njoftuar votën kundër në parlament. Tek Tsipras që në këtë moment duhet të kishin rënë zilet e alarmit. Kamenos është kreu i partisë populiste të djathtë, ANEL, dhe partneri më i vogël i koalicionit qeverisës. Nëse parlamenti në Shkup e miraton ndryshimin e emrit, (gjë që nuk është e sigurtë), atëherë marrëveshja duhet të futet për votim edhe në parlamentin grek, më së voni në Mars 2019.

Tani Aleksis Tsipras ndodhet para një situate paradoksale: Ai e mbështet Marrëveshjen e Prespës, por lejon largimin e Kotzias, mbështetësit më të madh të kësaj marrëveshjeje. Kamenos, nxitësi kundër saj qëndron ende ulur në tryezën e kabinetit qeverisës. Politologu Filis e kupton këtë qëndrim si një cinizëm të hapur politik. “Çfarëdo që të ndodhë në Mars, kryeministri me sa duket ka bërë llogari, që më mirë të qeveris me Kamenos deri në atë kohë, se sa ta largojë dhe të rrezikojë me këtë zgjedhje të reja.”

Po Kotzias vetë, çfarë thotë ai lidhur me zhvillimet e fundit? “Kryeministri dhe një sërë ministrash e bënë zgjedhjen e tyre, prandaj edhe unë bëra zgjedhjen time.” shkroi Kotzias në twitter të mërkurën në mbrëmje. Me interes pritet në Greqi e hëna. Se për këtë ditë ministri i dorëhequr kishte planifikuar një fjalim në Kretë, që do të mbahet sipas gjasave. Mediat greke kanë mësuar se Kotzias kërkon “të shkaktojë një tërmet politik” me deklaratat e tij. Kjo nuk konfirmohet, por mund të kujtohet një deklaratë e dikurshme e ish-ministrit. “Një ministër i Jashtëm nuk duhet të flasë shumë, me qëllim që, kur të flasë ta dëgjojnë.”

Fillim i ri në marrëdhëniet ruso-greke?

Mbetet e hapur pyetja, nëse tani do të ketë edhe një riorientim të politikës së jashtme të Athinës. Sipas politologut Filis, nuk priten lëvizje tektonike, me një përjashtim: “I mundshëm është një riafrim me Rusinë. Pas dëbimit të dy diplomatëve rusë në korrik, ka pasur grindje mes Athinës dhe Moskës. Kotzias nuk ka bërë asgjë për të çtensionuar gjendjen. Përkundrazi ai i ka provokuar rusët me deklarata thumbuese.”

Sipas mediave greke, arsyeja e dëbimit të diplomatëve ishte përpjekja e Rusisë “për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të Greqisë” dhe veçanërisht minimi i përpjekjeve për zgjidhjen e konfliktit për emrin. Sipas televizionit Skai, tensionet me Moskën që atëherë shkaktuan ftohjen mes kryeministrit dhe ministrit të tij të Jashtëm, Kotzias. Tani Tsipras do të guxojë për një fillim të ri. Në fillim të dhjetorit, kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Aleksis Tsipas pritet për një vizitë në Moskë.

dw / Janis Papadimitriou

Ekspert gjerman i nivelit të lartë në Policinë e Shtetit në Shqipëri

Dieter RomanGjermani-Shqipëri: Bashkë kundër krimit të organizuar, migracionit ilegal, terrorizmit ndërkombëtar. Përfundoi vizita zyrtare në Tiranë e Dieter Romann, Drejtor i Policisë Federale Gjermane.

Me premtimin se Gjermania do të vazhdojë bashkëpunimin dhe mbështetjen ndaj Shqipërisë në ҫështjet e sigurisë dhe të rendit publik, Dieter Romann, Drejtor i Policisë Federale Gjermane, përfundoi të enjten, (18.10.2018) vizitën e tij zyrtare dyditore  në Tiranë. Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, Dieter Romann sqaroi në Tiranë, se për ҫfarë ҫështjesh bëhet fjalë. “Çështje që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, emigracionit illegal, korrupsionit dhe sigurisht terrorizmit ndërkombëtar”, tha Dieter Romann.

Ai tha se Gjermania dhe Shqipëria “kanë interesa të përbashkëta, që përputhen 100 % me njëra-tjetrën për të cilat duhet të punojmë bashkërisht që t’i realizojmë”.

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, tha në konferencën e përbashkët për shtyp, se “Shqipëria e konsideron Gjermaninë një partnere të rëndësishme strategjike në fushën e sigurisë dhe rendit publik”.

Bashkëpunimi gjermano-shqiptar afatgjatë dhe strategjik

Bashkëpunimi i deritanishëm mes dy vendeve në këto fusha ka  sjellë rezultate të prekshme në Shqipëri. Dieter Romann solli shembuj konkretë të progresit në sajë të bashkëpunimit me Gjermaninë. “Drejtoria e Policisë së Kufirit në Shqipëri ka shënuar një progres të konsiderueshëm në aplikimin e procedurave të përbashkëta me ato gjermane, në luftën kundër krimit të organizuar”, tha Dieter Romann.

Më e rëndësishmja shkëmbimi intensiv i informacioneve

Diapazoni i bashkëpunimit mes Gjermanisë dhe Shqipërisë në fushën e sigurisë dhe të rendit publik është i gjerë: që nga shkëmbimi i informacionit, kualifikimi, projekte të përbashkëta, mbështetje me logjistikë e policisë shqiptare. “Do të punojmë së bashku për një asistencë dhe bashkëpunim afatgjatë dhe strategjik. Për këtë duhet angazhim. Më e rëndësishmja është angazhimi ynë i përbashkëet  në shkëmbimin intensiv të informacionit”, tha Dieter Romann në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë.

Shkëmbimi i informacionit është në fakt ҫelësi i rezultateve në të dyja vendet, kur  është fjala për luftën kundër krimit të organizuar trans-nacional, emigracionit ilegal dhe terrorizmit ndërkombëtar.

Ekspert gjerman i nivelit të lartë në Policinë e Shtetit në Shqipëri

Dieter Romann bëri me dije se në kuadër të forcimit të mëtejashëm të bashkëpunimit mes dy vendeve së shpejti do të vijë në Shqipëri një ekspert gjerman i nivelit të lartë që do të ndihmojë “koordinimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve”. Një oficer ndërlidhës gjerman është angazhuar pranë Policisë së Shtetit që prej vitit 2013. Ndërkohë është dizenjuar edhe një projekt binjakëzimi mes dy vendeve në fushën e kualifikimit të strukturave dhe  punonjësve të policisë në Shqipëri, që do të mundësojë zbatimin e standardeve gjermane në këtë fushë.  Gjermania do të ndihmojë Shqipërinë edhe për të sjellë pikat kalimit kufitar në standardet e atyre në vendet e BE-së. (dw)

Problemi me “Maqedoninë e Veriut”

fyromEmri i ri, të njëjtat deluzione të vjetra

Këtë verë, Greqia dhe Maqedonia – e njohur ndërkombëtarisht me emërtimin në OKB si Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë ose IRJM – bënë bujë në media me njoftimin e pazakontë: sipas një marrëveshje të përkohshme, të njohur si Marrëveshja e Prespës, IRJM do të ndryshonte emrin e saj në “Republikën të Maqedonisë Veriore”. Përkrahësit e marrëveshjes argumentuan se shtimi i kualifikuesit “Veriore” do të largonte frikën greke se fjala “Maqedoni” nënkuptonte pretendime territoriale ndaj regjionit me të njëjtin emër të Greqisë, duke zgjidhur kështu një mosmarrëveshje të gjatë. Por mosmarrëveshja për identitetin midis dy vendeve është shumë larg zgjidhjes. Pas dështimit të referendumit mbi këtë çështje në IRJM, për shkak të pjesëmarrjes së ulët të votuesve, krerët e vendit po përpiqen të grumbullojnë së bashku vota të mjaftueshme për të shtyrë çështjen e ndryshimit të emrit përmes parlamentit. Gjërat nuk duken më të ndritshme as në Greqi, ku mbetet që parlamenti të ratifikojë marrëveshjen, në një kohë që 72 përqind e publikut nuk pranon marrëveshjen. Ka pak gjasa që të dyja qeveritë të mbijetojnë për t’a parë marrëveshjen e përmbushur.
Në artikullin e tij të fundit në Foreign Affairs (“Maqedonia e emrit, Maqedonia e Veriut”) Victor Friedman argumenton se qeveritë greke dhe maqedonase duhet të shtyjnë përpara marrëveshjen, pavarësisht nga kundërshtimi I opozitës. Marrëveshja është garancija më e mirë e rajonit për stabilitet, duke i siguruar IRJM-së njohjen dhe legjitimitetit, pa cënuar kuptimin e Greqisë për unitet territorial, dhe që mund të hapë rrugën për pranimin e IRJM-së në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Më e rëndësishmja, shkruan Friedman, marrëveshja “pranon se i njëjti term – maqedonas- mund të ketë kuptime të ndryshme, varësisht nga koha dhe vendi. Ajo sugjeron, në thelb, se ka më shumë se një interpretim të historisë. “Megjithatë, leximi ynë i historisë nuk duhet të bazohet në pasaktësi faktike, dhe këtu, argumenti i Friedman-it bie në disa raste.
Le të fillojmë me çështjen e gjuhës. Friedman me të drejtë thekson se maqedonishtja moderne nuk ka të bëjë fare me maqedonishten e lashtë dhe se çdo sugjerim për të kundërtën është një “marrëzi linguistike”. Megjithatë, qëndrimi i Friedmanit mund të ishte akoma më I drejtë me lidhjet e padiskutueshme midis maqedonishtes së lashtë dhe greqishtes së lashtë. Në fund të fundit, maqedonishtja e lashtë ishte një dialekt grek që ngjante fortë me dialektet e Thesalisë dhe të Greqisë veriperëndimore. Identiteti grek i maqedonasve të lashtë është i pamohueshëm në historiografi. Friedman anashkalon këtë fakt, duke shkruar vetëm se “marrëdhënia ndërmjet maqedonishtes së lashtë dhe greqishtës së lashtë është e pasigurt”. Ka më shumë se një interpretim të historisë, por leximi ynë i historisë nuk duhet të bazohet në pasaktësi faktike. Friedman gjithashtu pohon se Greqia, Bullgaria dhe Serbia, të gjithë kishin sytë e tyre drejt “zonës gjeografike të quajtur Maqedoni” gjatë shpërbërjes graduale të Perandorisë Osmane në fillim të shekullit të njëzetë. Megjithatë, nocioni i një “Maqedonie gjeografike” përtej kufijve të Greqisë moderne ishte një risi në atë kohë, e paraqitur nga kartografët në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Nën sundimin otoman nga shekulli i pesëmbëdhjetë deri më 1912, asnjëherë nuk ekzistonte një entitet administrativ me emrin Maqedoni. Dhe pothuajse të gjitha hartat evropiane të botuara midis shekujve të trembëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë vendosin kufijtë verior të Maqedonisë në jug të Shkupit, kryeqyteti modern i IRJM-së.
Para shekullit nëntëmbëdhjetë, thënë shkurt, rajoni gjeografik i Maqedonisë përkonte kryesisht me atë që sot është provinca e Maqedonisë brenda Greqisë. Sipas Friedman, kur kufijtë e Greqisë u zhvendosën drejt veriut pas Luftërave Ballkanike të 1912-13, “shumica e njerëzve në territorin e aneksuar flisnin maqedonisht, jo greqisht.” Kjo thjesht nuk është e saktë. Një raport i vitit 1926 nga Komisioni i Lartë për Refugjatët i Kombeve të Bashkuara, listoi popullsinë e rajonit në 1913 si 42.6 përqind grekë, 39.4 përqind muslimanë, 9.9 përqind bullgarë dhe 8.1 përqind “të tjerë”. Sipas një studimi statistikor grek të kryer në gusht 1915, numri i përgjithshëm i sllavë -folësve në rajon mezi tejkalonte 200,000 njerëz. Me fjalë të tjera, rajoni duket se ka pasur shumicë grekë-folësish, para, dhe në vitet menjëherë pas aneksimit të saj Greqisë. Territori në veri të kufirit grek ishte inkorporuar fillimisht nga Serbia dhe Bullgaria. Në fund të Luftës së Parë Botërore në vitin 1918, pjesa më e madhe e saj u bë pjesë e shtetit të sapo krijuar të Jugosllavisë. Megjithëse u konceptua në mënyrë eksplicite si një shtet shumëkombësh, Jugosllavia fillimisht nuk bëri asnjë referencë zyrtare as për “maqedonasit” si një grup i veçantë etnik ose “Maqedoni” si një ndarje gjeografike e dallueshme. Në vend të kësaj, rajoni rreth Shkupit u quajt Provinca Vardar, sipas lumit lokal. Përtej kufirit në Bullgari, termi “maqedonas” nuk ka përcaktuar një grup etnik të dallueshëm; në vend të kësaj ky term përcaktoi bullgarët që jetonin në krahinën bullgare jugperëndimore të Maqedonisë Pirine. Vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, kur Jugosllavia u rindërtua si një shtet komunist nën Josip Broz Tito, autoritetet jugosllave filluan të promovonin qëndrimin se popullata sllavo-folëse rreth Shkupit formoi një grup etnik të veçantë, duke i quajtur Maqedonas. Qëllimi i shtetit ishte të dobësonte lidhjet historike të rajonit me Bullgarinë. Ideja e një etnie të dallueshme maqedonase jashtë kufijve të sotëm të Greqisë është pra në thelb ideja e regjimit komunist të Jugosllavisë, e konceptuar për arsye tërësisht strategjike. Ky identitet i ri maqedonas i tejkaloi krijuesit e saj. Në vitin 1991, ndërsa Jugosllavia ishte nën peshën e rritjes së tensioneve etnike, rajoni i Vardarit shpalli pavarësinë e tij si “Republika e Maqedonisë”. Shteti i ri u tërhoq në një të kaluar imagjinare prekomuniste, në të cilën një komb i bashkuar maqedonas u nda nga shtetet fqinje, përfshirë Greqinë.
Në dekadën që pasoi, udhëheqësit maqedonas shpesh përdornin propagandë armiqësore anti-greke. Për shembull, ata nxorën harta që sugjeronin se Maqedonia “e bashkuar” do të kërkonte shkëputjen e provincave veriore të Greqisë. Edhe sot e kësaj dite, kushtetuta e vendit përmban referenca për “personat që i përkasin popullit maqedonas në shtetet fqinje”. Eshtë shum e pritshme që IRJM-ja do të evoluojë në një njësi konfederate të ndarë përgjatë vijave sllavo shqiptare në dekadat e ardhshme. Nocioni i një identiteti të vetëm maqedonas përjashton gjithashtu pakicën e konsiderueshme të shqip-folësve jo-sllavë brenda IRJM-së, e cila u rrit nga 13 përqind në 1961, në 25.2 përqind në vitin 2002. Disa vlerësime tani e vënë atë mbi 30 përqind, por autoritetet shtetërore nuk kanë kryer një tjetër regjistrim të popullsisë që nga viti 2002, ndoshta në mënyrë që të mos njohin realitetin e një popullsie gjithnjë në rritje te populates shqip-folëse. Anëtarësimi në NATO nuk do të fshijë me magji problemet e IRJM-së me fqinjët e saj. Në kundërshtim të këtij sfondi ndarës, vendi do të bënte mirë të riorganizonte veten si një shtet multietnik me një emër neutral, të tillë si “Republika e Evropës Jugore” ose “Republika e Vardarit”, që mund të strehojë të gjitha grupet e saj etnike, duke përfshirë sllavo-folësit dhe shqip-folësit, Romët, vllehët dhe turqit. Etiketa “maqedonase”, e cila pretendohet nga elementi sllavo-folës i vendit, nuk mund të veprojë si ngjitës unifikues. Për fat të keq, Marrëveshja e Prespës në disa mënyra përforcon nocionin e një identiteti dominues maqedonas në Maqedoni: sipas marrëveshjes, shtetësia e qytetarëve të Maqedonisë Veriore do të jetë “maqedonas/shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut” – një paradoks në vetvete , pasi kombësia/shtetësia nuk korrespondon me emrin e propozuar të shtetit. Çështja e Victor Friedmanit për Marrëveshjen e Prespës është pjesërisht pragmatike: marrëveshja do të lejojë pranimin e IRJM-së në NATO, gjë që, Friedman pretendon se do të rrisë stabilitetin rajonal. Megjithatë, ideja se anëtarësimi në NATO do të fshijë me magji problemet e IRJM-së me fqinjët, si Shqipëria dhe Bullgaria, duket se është shumë e vështirë. Greqia dhe Turqia iu bashkuan NATO-s në vitin 1952, por kjo ka bërë pak për të zhdukur tensionet midis të dyve. Në mos tjetër, hyrja e IRJM-së në NATO thjesht do ta ngarkojë aleancën me shumë tensione ndërshtetërore. As FYROM nuk do të ofronte përfitime të prekshme për aleancën. NATO tashmë ka siguruar krahun e saj lindor kundër Rusisë me përfshirjen e Rumanisë dhe Bullgarisë në aleancë. Greqia dhe Turqia formojnë krahun e saj jugor. Duke shtuari FYROM-in, një shtet i mbyllur, përafërsisht në madhësinë e New Jersey-it, nuk do të ndryshojë as përafërsisht balancën e forcave. Cila është pra, rruga më e arsyeshme përpara? Një strategji realiste për IRJM-në, një shtet i varur nga porti grek i Selanikut për importin e energjisë dhe mallrave, do të ishte përmirësimi i marrëdhënieve të saj të tensionuara me Greqinë, e cila pavarësisht nga problemet e saj të fundit vazhdon të jetë shteti më i pasur dhe më i fuqishëm i rajonit më të madh Evroprian të Ballkanit, një anëtar i NATO-s dhe BE-së. E ardhmja e IRJM-së qëndron në marrëdhënie të veçanta me Greqinë dhe Bashkimin Evropian, ndoshta modeluar në lidhjet e ngushta ekonomike të BE me Turqinë. Megjithatë, çdo përparim afatgjatë varet nga aftësia e elitave qeverisëse të IRJM-së për të liruar vendin dhe popullsinë e saj multietnike nga identitetet e imponuara nga shteti, të periudhës së Luftës së Ftohtë. (Ioannis Kotoulas/foreign affairs)

Teknologjia bën Shqipërinë më konkuruese! Policia e gjykatat besohen më pak

Ilir CikoForumi ekonomik botëror e renditi Shqipërinë si ekonominë e 76 më konkurruese në botë me një përmirësim prej 5 vendesh krahasuar me një vit më parë.

“Shqipëria ndodhet pak a shumë në të njëjtën pozitë që ndodhej vitin e kaluar me një përmirësim të lehtë në të gjitha shtyllat e raportit që masin klimën e të bërit biznes, por nuk duket ndonjë ndryshim thelbësore, ka një përmirësim të lehtë”, u shpreh Ilir Ciko

Sipas forumit ekonomik, Shqipëria është bërë një ekonomi lehtësisht më konkurruese falë adoptimit të teknologjisë, jo vetëm në shërbimet publike, por edhe tek biznesi privat.

“Faktori që ka ndikuar më shumë është shkalla e dixhitalizimit të endit, përdorimi i internetit nga biznesi”, tha Ciko.

Por në disa tregues, të cilët lidhen me institucionet si besueshmëria e policisë, përhapja e krimit të organizuar apo pavarësia e gjyqësorit, renditja e Shqipërisë është përkeqësuar krahasuar me vjet, edhe pse lehtësisht.

“Ndoshta bizneset ende nuk e perceptojnë që reforma në drejtësi në të cilën është fokusuar e gjithë vëmendja e në Shqipëri, ende nuk është bërë e prekshme për biznesin”, tha Ciko.

Raporti i konkurrueshmërisë globale konsiderohet si skaneri më i plotë i një ekonomie, pasi përmbledh rreth 140 tregues që lidhen jo vetëm me ekonominë, por edhe me qeverisjen si dhe zhvillimin social. Shqipëria rezulton një ekonomik më konkurruese se Maqedonia dhe Bosnja, por ajo renditet pas malit të zi, Serbisë dhe gjithë vendeve të Bashkimit Europian.

Top Channel