Melescanu: Mbështesim ftesën për negociatat me Shqipërinë

MelescanuMinistri i Jashtëm i Rumanisë, Teodor Melescanu, vend që mban kryesinë e radhës në BE, shprehet se duam që Shqipëria e Maqedonia të marrin një ftesë të qartë për hapjen e negociatave.

Ballkani Perëndimor do të jetë në axhendën e takimit të ministrave të Jashtëm të BE më 31 janar në Bukuresht. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm rumun, Teodor Melescanu, – vend që mban presidencën e BE, – ekskluzivisht për Deutsche Wellen dhe radion Digi FM të hënën se “këtë prioritet e kemi marrë nga presidencat e mëparshme të BE, sidomos nga Bullgaria dhe Austria”. Sipas Melescanit po planifikojmë së afërmi të flasim për këtë, përfshirë edhe takimin më 31 janar në Bukuresht, “fillimisht mes nesh, vendeve anëtare dhe pastaj më vonë do të ftojmë në dialog të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.”

Pozicioni i Rumanisë – mbështetës i Ballkanit në BE

“Pozicioni ynë kombëtar është mbështetja e përshpejtimit të negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi në drejtim të anëtarësimit në BE, hapja e kapitujve të rinj për negociim. Ne dëshirojmë, -dhe ky do të jetë propozimi im-  që ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (ose që nga ky moment Maqedonia Veriore) dhe Shqipëria të marrin një ftesë të qartë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Ministri i Jashtëm rumun, Melescanu thekson se “na mbeten dy vende në Ballkan, Bosnje-Hercegovina dhe Kosova, që janë në një fazë fillestare, me ta ne do të jemi gati të flasim dhe të shohim si mund të mbështeten përpjekjet e tyre europiane, nëse kjo është ajo që ato dëshirojnë në nivel qeverish dhe shtetesh në fjalë.” (dw)

Synime ambicioze për programet hapësinore gjatë këtij viti

Satelit2019-ta premton suksese historike në fushën e eksplorimit të hapësirës. Një numër arritjesh janë realizuar që në muajin e parë të këtij viti, që nga udhëtimi i largët i sondës New Horizons e deri tek zbritja e kapsulës kineze në anën e errët të Hënës. Këtë vit do të shënohen edhe përvjetorë të rëndësishëm që na kujtojnë “hapin e madh të njerëzimit” të realizuar 50 vjet më parë. 2019-ta premton vërtetë të jetë një vit i “arritjeve stratosferike”.

Janari i këtij viti ka qenë një periudhë e ngarkuar për eksplorimin e hapësirës. Shkencëtarë të NASA-s publikuan më 15 janar imazhe kompiuterike të Ultima Thule, objekti më i largët hapësinor i eksploruar ndonjëherë nga njeriu. Ky objekt i vogël, i mbuluar nga akulli është 6.4 miliardë kilometra nga Toka dhe duket si një burrë prej bore, i krijuar nga dy masa sferike të lidhura së bashku. Pamjet u realizuan nga fotografi të marra ditën e vitit të ri nga sonda hapësinore “New Horizons” që po udhëton pranë këtij objekti. Shkencëtarët thonë se presin të konfirmojnë brenda pak ditësh, pasi të arrijnë fotografitë e reja në Tokë, nëse Ultima Thule ka në orbitë rrotull vetes hëna apo unaza rrethuese.

Kina dërgoi në fillim të janarit një sondë në Hënë. Imazhet e transmetuara nga televizioni publik kinez tregojnë sondën “Jade Rabbit 2” duke realizuar zbritje të butë në anën e errët të Hënës, e cila nuk është asnjëherë përballë Tokës. Ky moment shënon një triumf në programet hapësinore të Kinës, e cila po avancon me shpejtësi drejt nivelit të arritjeve që kanë shënuar Amerika dhe Rusia. Brenda këtij viti, Kina ka në plan të lëshojë sondën “Chang’e 5” për të mbledhur dhe për të sjellë në Tokë mostra nga ana e afërt e Hënës, gjë që nuk është bërë që në vitin 1976.

Në shkurt, një mjet hapësinor izraelit do të përpiqet të zbresë në Hënë, duke u bërë mjeti i parë i financuar privatisht që e realizon këtë operacion, si dhe mjeti i parë izraelit në Hënë. Projekti, i pagëzuar “Beresheet”, që në gjuhën hebraike do të thotë “Gjeneza”, do të realizohet në shkurt dhe financohet nga miliarderi jugafrikano-izraelit, Morris Kahn, si dhe donatorë të tjerë privatë. Nëse përmbushet me sukses, Izraeli bëhet vendi i katërt që arrin të dërgojë një mjet hapësinor në Hënë, pas Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës.

Menaxheri i Programit Hapësinor të Izraelit thotë se kjo do të jetë një arritje historike që do të mundësojë mbledhjen e të dhënave mbi karakteristikat magnetike të Hënës që do të shërbejnë për kërkime të mëtejshme:

“Do të jetë një udhëtim i vështirë drejt Hënës. Po e realizojmë me një metodë të vështirë. Ka mënyra të tjera, më të drejtpërdrejta, mund të përdoret një raketë që shkon drejt e në Hënë, por ne nuk kemi raketë të madhe, prandaj po i biem rrugës së gjatë. Do të na duhet rreth një muaj e gjysëm për të shkuar, me plot peripeci rrugës. Zbritja do të jetë e vështirë, por ka shumë mundësi të jetë një ndër momentet më ekzaltuese,” thotë menaxheri Opher Doron.

Kjo zbritje do të hapte një kapitull të ri në arritjet e Izraelit në kërkimet hapësinore.

Në shkurt të këtij viti në Kazakistan dy astronautë do të tentojnë për herë të dytë të realizojnë misionin që ndërmorën vjeshtën e kaluar, i cili përfundoi me një zbritje emergjente disa minuta pas nisjes si rezultat i një avarie të rrezikshme. Astronauti i NASA-s Nick Hague dhe kozmonauti Alexey Ovchinin, të cilëve këtë radhë u bashkohet edhe Christina Hammock Koch e NASA-s do të nisen me një raketë Soyuz drejt Stacionit Hapsinor. Vjet në tetor misioni u ndërpre pak minuta pas lëshimit të raketës:

“Gjatë nisjes të Soyuz MS10-ës, raketa kaloi në status balistik për rikthim në atmosferën e Tokës pak pas lëshimit. Kjo nënkupton se ekuipazhi nuk do të shkojë në Stacionin Orbital Hapsinor, por do të realizojnë një zbritje të rëndë në Tokë,” shpjegojnë kontrollorët gjatë misionit të dështuar në 2018.

Specialitët rusë po përpiqen të kuptojnë çfarë problemesh shkaktuan avarinë në raketën Soyuz gjatë lëshimit në tetor 2018.

NASA tha në tetor 2018 se në 2019-ën do të realizohen fluturimet e para për të provuar udhëtimet hapësinore komerciale. SpaceX synon të lëshojë së shpejti raketën Falkon 9 së bashku me kapsulën Dragon, për një fluturim provë. Kapsula do të dërgojë mallra të ndryshme në Stacionin Orbital, por pa ekuipazh, ndërsa nga vera pritet të vihen në provë udhëtime me ekuipazh. Kapsula do të realizojë vizita të shkurtra në Stacionin Orbital. Deri tani udhëtimet e astronautëve amerikanë për në Stacionin Orbital realizoheshin me mjetet ruse Soyuz dhe një biletë kushton rreth 81 milionë dollarë për person.

Astronautët që do të udhëtojnë me raketën SpaceX Dragon flasin për krenarinë që ndjejnë për këtë udhëtim të parë:

“Nuk ka si të jem më me fat, për faktin që jam pjesë e këtij programi të jashtëzakonshëm dhe që më jepet mundësia të jap një kontribut të vogël për këtë mjet të ri fluturimi. Shansi që të realizosh fluturimin e parë me një anije të re hapësinore është një mundësi që i ofrohet vetëm një herë një brezi. Ndjehem shumë mirënjohës por kemi ende shumë punë për të bërë,” thotë astronauti Doug Hurley.

Deri tani misioni është shtyrë disa herë, për arsye të problemeve teknike. Në korrik mbushen 50 vjet që nga ecja historike e astronautëve Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin në Hënë.

Neil A. Armstrong, Edward E. Aldrin dhe Michael Collins përmbushën një ëndërr të vjetër të njerëzimit, duke hedhur hapa në një objekt jashtëtokësor. Kjo zbritje dhe ecje mbi Hënë shënoi një triumf të Amerikës në garën hapësinore me Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. (voa)

Studime shpresëdhënëse për të parandaluar goditjen në zemër

laborNjë nga anët më interesante të algoritmave të kompjuterave dhe të mësuarit e paisjeve elektronike, është aftësia e tyre për të nxjerrë të dhëna të reja nga teknologjitë e vjetra. Ekspertët e Universitetit të Londrës në Oksford për shembull kanë gjetur një mënyrë për të bërë grafitë e rregullta dhe për të parashikuar problemet e zemrës, që herët.

Shpresa për këtë teknologji të re është se u jep mundësi pacientëve që të marrin masat për të parandaluar probleme të mëtejshme të zemrës.

Ja se si funksionon: aktualisht, grafitë e zemrës mund të tregojnë lehtësisht nëse kanë ngushtim të rrezikshëm të arterieve, por vetëm kaq.

“Me teknologjinë e re, mund të bëjmë më shumë dhe të zbulojmë për shembull se arteriet nuk janë ngushtuar por ato janë të pezmatuara dhe ngushtimi ka gjasa të ndodhë pas pesë vjetësh. Në këtë mënyrë pacienti merr masa parandaluese, mund të marrë ilaçe, për të shmangur bllokimin e arterieve”, thotë profesori i Universitetit të Oksfordit, Charalambos Antoniades.

Studiuesit thonë se aftësia për të identifikuar pezmatimin përreth arterieve që herët është një arritje e rëndësishme në luftën për të parandaluar goditjet në zemër.

“Objektivi kryesor në diagnostikimin kardiovaskular ishte të gjendej një mënyrë për të identifikuar pezmatimin në arteriet e zemrës sepse jemi përpjekur ta realizojmë këtë prej 50 vjetësh, pasi nëse je në gjendje të dallosh pemzatimin e arterieve të zemrës, atëherë mund të gjesh se cilat arterie do të ngushtohen, do të sëmuren dhe se cilat do të shkaktojnë goditje në zemër”, thotë profesor Antoniades.

Studiuesit e Oksfordit besojnë se puna e tyre mund të identifikojë deri në 30 mijë persona në vit që janë në rrezik për një goditje në zemër.

“Në Britani, kemi 100 mijë raste goditjeje në zemër çdo vit. Me këtë teknologji të re, megjithëse nuk e kemi llogaritur shifrën e saktë të goditjeve që mund të parandalojmë, shanset janë që të identifikojmë të paktën 20 ose 30 për qind të njerëzve para se të pësojnë goditje, sepse këta njerëz i bëjnë grafitë si pjesë e kujdesit shëndetësor”.

Sëmundjet e zemrës dhe goditjet e tensionit të lartë, së bashku përbëjnë shkakun kryesor të vdekjeve në gjithë botën. (voa)

Kosovë: Investim gjermano-izraelit në energjitë e rigjenerueshme

PrishtinaSOWI Kosova, është kompania gjermano-izraelite që planifikon të investojë 169 milionë euro në turbina eolike. Ky është investimi direkt i jashtëm më i madhi në Kosovën e pasluftës.

169 milionë euro është vlera që pritet të investohet në Kosovë në prodhimin e energjisë së rigjenereushme nga era. Ky investim pritet të bëhet nga një kompani gjermano-izraelite në partneritet me Kosovën, e njohur me emrin SOWIKosova. Lajmi u bë i ditur nga vet kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas një takimi (28.01) të Këshillit Ndërministror për Investime Strategjike, ku u vlerësua se kompania gjermano-izraelite ka plotësuar kriteret teknike të parapara për investime strategjike.

“Kosova ka vënë në fuqi Ligjin për Investime Strategjike dhe ka vendosur procedura të tjera të nevojshme të parashikuara që të mund të hyjë në marrëdhënie të tilla me investitorët strategjik. Kjo është historia, është nisja jonë me investitorin e parë strategjik”, tha kryeministri Ramush Haradinaj, duke falënderuar edhe qeverinë e shkuar për punën e bërë në ligjin për investimet strategjike.

“Dëshiroj të falënderoj qeverinë Mustafa që ka kryer detyrat e asaj kohe për punën që e kanë bërë. Nga sot mund të themi që filloi historia. Po fillojmë me investitorët strategjik, me partnerët, me investime, dhe është shumë me rëndësi të theksojmë se një kompani gjermano-izraelite SOWI Kosova LL.C., i ka përmbushur parametrat e parë për shqyrtim”, Haradinaj theksoi shpresën, se së shpejti në qeveri do të ketë propozimin për ta përkrahur atë në realizimin e investimit.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, nga ana e tij tha, se investimi prej 169 milion eurosh në energjinë e ripërtëritshme të erës është investimi i huaj direkt më i madhi në Kosovën e pasluftës.

“Investitori i parë strategjik i ka përmbushur kriteret teknike për të kaluar në fazën tjetër të vlerësimit nga ana e grupit operacional, që u themelua sot me vendim të grupit ndërministror. Subjekti aplikues “SOWI Kosovo LLC” planifikon të investojë 169 milionë euro në ndërtimin e parkut me erë në Komunën e Mitrovicës. Ky është investimi më i madh direkt në Kosovë që nga pas lufta, i realizuar në fushën e investimeve në energji alternative”, tha ministri Endrit Shala.

Sipas tij, nga kompani të ndryshme dhe për investime në fusha të ndryshme deri tash ka pasur 12 aplikime që kapin vlerën e afër 2 miliardë eurosh. E gjithë kjo po mundësohet pasi Kosova tashmë ka igjin për Investime Strategjike.

Nga investimi prej 169 milion eurosh në energjinë e rigjenerueshme të erës nga kompania gjermano-izraelite, parashikohet ndërtimi i 30 turbinave eolike që do të prodhojnë 105 megavat energji elektrike. Një investim më i vogël në turbinat me erë me kapacitet prej 32 megavat u bë nga një kompani turke edhe vitin e shkuar në Kosovë. E ndërkaq, vitin e ardhshëm Kosova planifikon ndërtimin e termocentralit të ri me kapacitet mbi 500 megavat, ku parashihet investim i jashtëm në vlerë deri në 1.3 miliard euro. Ky projekt vazhdon të kritikohet nga ambientalistët, të cilët vazhdojnë të këmbëngulin që Kosova duhet të krijojë kushtet në prodhimin e energjisë së rigjenerueshme, e jo në termocentrale që ndotin mjedisin. (dw)

Unaza, 3.8 mln euro më pak. Tenderi me konkurrencë uli vlerën e projektit

Ofertet unazaPërsëritja e tenderit për “Unazën” e Tiranës ka nxjerrë në pah diferenca të mëdha çmimesh, krahasuar me tenderin e parë. Në tenderin e anuluar, pas shpërthimit të skandalit me falsifikimin e dokumenteve, kompania “DH Albania” e fitoi kontratën për ndërtimin e lotit të parë me një çmim prej 2.24 miliardë lekësh, ose rreth 18 milionë euro.

Por, në tenderin që u zhvillua këtë të henë, ofertat kanë zbritur ndjeshëm. Sipas dokumenteve të tenderit, një bashkim kompanish shqiptare ka ofruar ta ndërtojë lotin e parë të “Unazës” me çmim 1.77 miliardë lekë, ose 14.1 milionë euro. Pra 3.8 milionë euro më pak sesa tenderi i parë.

Kjo është një diferencë e konsiderueshme, pasi vlera e kursyer në vetëm një lot do të mjaftonte për ndërtimin e një shkolle të re, e nëse do të ishte zhvilluar e njëjta garë edhe në dy lotet e tjera, atëherë taksapaguesve mund t’u kurseheshin deri në 10 milionë euro.

Por, këto janë vetëm ofertat financiare. ARRSH-ja thotë se ka nisur shqyrtimin e dokumentacionit të kompanive pjesëmarrëse, nëse ato plotësojnë kriteret e tenderit. Kjo duket se ka hapur një luftë të re. Top Channel ka mësuar se, në Departamentin Antikorrupsion, Agjencinë e Prokurimeve Publike dhe Ministrinë e Sipërmarrjes kanë mbërritur ankesa për kriteret e vendosura nga ARRSH-ja.

Sipas tyre, një pjesë e kritereve, si detyrimi për të pasur një vinç me kapacitet 450 tonë, apo licencat për punime telekomunikacioni, janë përjashtuese dhe mund të çojnë në skualifikimin e padrejtë të kompanive që kanë dhënë ofertat më të ulëta.

Por, këto akuza janë hedhur poshtë nga ARRSH-ja. Ndërkohë, një ditë më parë, Partia Demokratike akuzoi se fituesi i tenderit për “Unazën” është paracaktuar të jetë kompania “Gjoka shpk”, e cila për nga oferta financiare renditet e treta, me çmim rreth 17.5 milionë euro.

Top Channel

Aeroporti, 84 milionë euro më shumë

dividenti-aksioneret aeroporti trKoncesionari i aeroportit të Rinasit ka fituar 84 milionë euro më shumë nga sa ishte parashikuar në skenarin fillestar të marrëveshjes koncesionare.

Top Channel ka mësuar se kompania BDO ka prezantuar raportin e auditimit ekonomik të kontratës koncesionare të Rinasit. Burime konfidenciale thanë se raporti është prezantuar në Ministrinë e Infrastrukturës, ku kanë qenë të pranishëm drejtuesit e kompanisë koncesionare, ministri në ikje i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, ai i Financave, Arben Ahmetaj si dhe dy zëvendësuesit e tyre, Belinda Balluku dhe Anila Denaj.

Sipas raportit, për periudhën 2004-2017 skenari fillestar i koncesionit parashikonte që kompania Tirana International Airport të realizonte një fitim neto prej 66 milionë eurosh. Por në të vërtetë gjatë kësaj periudhe kjo kompani ka realizuar nga koncesioni i aeroportit një fitim neto prej 150 milionë eurosh, pra 84 milionë euro më shumë.

Raporti i auditimit ka gjetur se të gjithë treguesit financiarë të kompanisë janë dukshëm më të larta se ato që parashikonte skenari fillestar i koncesionit. Kështu, gjatë kësaj periudhe aksionerët e koncesionit kishin parashikuar të merrnin 23 milionë euro dividentë, por në të vërtetë kanë marrë 90 milionë euro ose gati 4.5 herë më shumë.

Disbalanca e madhe ekonomike e koncesionit, tashmë e konfirmuar zyrtarisht edhe nga eksperti i pavarur që auditoi kontratën, i jep të drejtë qeverisë shqiptare që të kërkojë negociata me kompaninë për të vendosur ekuilibrin. Kjo do të thotë se qeverisë i lind e drejta të kërkojë kompesim financiar nga koncesionari, i cili mund të vijë në disa rrugë, ose përmes pagesave që kompania duhet të derdhë në buxhetin e shtetit ose përmes uljes së tarifave aeroportuale, të cilat do të çonin automatikisht në uljen e çmimit të biletave.

Top Channel

Para votimit – Apeli i fundit i Theresa Mayt

Theresa MayDeri në fund luftoi Theresa May për marrëveshjen e negociuar me Bashkimin Europian për daljen nga BE. Të gjitha shenjat të thonë se ajo të martën (15.01) do të anulohet në parlamentin britanik.

Në fund të fjalimit të saj në Parlamentin e Britanisë së Madhe, kryeministrja britanike, Theresa May përmendi edhe librat e historisë: Kur të pëmendet më vonë ky votim në parlament, atëherë njerëzit do të pyesin, “nëse e vumë në jetë vendimin që kemi marrë të ndahemi nga BE, nëse e kemi mbrojtur ekonominë dhe sigurinë tonë si edhe atë të BE, nëse i kemi zhgënjyer qytetarët britanikë.” Por pas apelit të saj në parlament erdhën vetëm të gajasura.

Dështimi i paralajmëruar

“Mendoni edhe njëherë për marrëveshjen”, u kërkoi deputetëve Theresa May. Tek disa parlamentarë të partisë së saj kjo zile duket se është dëgjuar. Pesë të dyzuar nga konservatorët duket se e kanë ndërruar mendimin e tyre e do ta mbështesin marrëveshjen. Por 100 deputetë konservatorë dhe Partia Irlandezoveriore, DUP, që i ofron Mayt shumicën e duhur parlamentare, ka thënë se nuk do të votojnë marrëveshjen. Sipas parashikimeve më shumë se 400 deputetë do të hedhin poshtë marrëveshjen, dy të tretat. May nuk mund të mënjanojë më këtë dështim të paralajmëruar, ajo vetëm mund të përpiqet të zvogëlojë dëmin.

Kurs i paqartë i opozitës

I vetmi avantazh që ka kryeministrja britanike është dobësia e madhe e opozitës laburiste. Kreu i partisë, Jeremy Corbin edhe më tej vazhdon të pretendojë, se do të arrijë një “deal” më të mirë me BE në negociata, nëse do të bëhet kryetar qeverie. Megjithëse kreu i opozitës ende nuk po vendos dot, nëse duhet të guxojë të kërkojë një votë mosbesimi në parlament. Ai do të vijë “shpejt”, tha ai para deputëteve. Por Corbyn e di, se ai në një rast të tillë do të humbasë. Sepse rebelët brenda konservatorëve do të shtrëngonin radhët, kur vjen fjala për ruajtjen e pushtetit dhe mbajtjen në këmbë të partisë konservatore.

Shumica e laburistëve mbështet tanimë kërkesën për një referendum të dytë si rrugëdalje nga kriza. Por Corbyn e refuzon këtë dhe shpreson se do të dëbojë “Toryt” nga “Downing Street”. Ndoshta në fund ai do të ndërrojë udhë, por deri në këtë pikë ai mund të humbasë të gjitha shanset që dalin nga përçarja e konservatorëve.

Dhurata që nuk i duhen kujt

Krerë të BE-së një ditë para votimit në parlament (të marten 15.01) u përpoqën të ndihmonin Theresa Mayn. Në një letër të gjatë ata siguruan britanikët, se ndalimi për shkak të kufirit irlandezoverior është vetëm i përkohshëm, dhe se askush nuk do t’i mbajë britanikët për një kohë të gjatë. Përveç kësaj pas pranimit të marrëveshjes së daljes nga BE, mund të fillohet menjëherë me bisedimet për një marrëveshje tregtare. Megjithë përpjekjet e Theresa Mayt që kjo letër të kuptohej si një akt ligjor, askush nuk u impresionua. DUP dhe konservatorët thonë JO.

Si do të veprohet pas dështimit?

Theresa May ka vetëm pak ditë, që t’i prezantojë parlamentit një Plan B pas dështimit të marrëveshjes, siç pritet. Por ajo është e izoluar mes rezistencës brenda partisë së saj dhe vijave të saj të kuqe. Skenari më i mundshëm është, që ajo të kthehet në Bruksel, për të kërkuar lëshime të tjera nga Brukseli dhe për ta ofruar sërish marrëveshjen nga parlament. Por nuk dihet, nëse do të ketë sukses.

Nëse edhe Plani B i Mayt dështon, atëherë vjen në radhë Plani C i grupimeve ndërpartiake në parlament. Deputetët në një seri votimesh mund të përcaktojnë, se për cilat variante të Brexit arrihet shumica. Ose Laburistët kërkojnë një referendum të dytë dhe mbledhin për këtë vota tek pala kundërshtare. Por ndërkohë koha ikën dhe afati shkurtohet gjithnjë e më shumë. Ende Theresa May nuk e do një shtyrje të Brexit deri në fund të qershorit, por mund të ndodhë që ajo të jetë e detyruar për këtë.Sido që të shkojë votimi në parlamente të martën, kriza e thellë politike dhe institucionale e Britanisë së Madhe nuk ka marrë fund. Përkundrazi – dobësia e qeverisë, e opozitës dhe sistemit politik ka gjasë që të shpërthejë edhe më hapur në ditët e ardhshme.

dw

A do të pezullohen taksat ndaj Serbisë?

qeveria e ksKryeministri Ramush Haradinaj thotë se Qeveria e Kosovës do t’a pezullonte përkohësisht taksën, vetëm pas garancës ndërkombëtare, se do të ulemi për ta nënshkruar marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Presioni ndërkombëtar mbi qeverinë e Kosovës, për heqjen e taksave 100% ndaj mallrave të Serbisë, ka vazhduar. Qëllimi është, siç thuhet, “Zhbllokimi i dialogut Kosovë-Serbi”. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se “përderisa ka vetëm sugjerime për takime dialoguese të pafrytshme, pa objektiv dhe pa afate qartë të përcaktuara, pa kontratë të paradakorduar dhe garancë ndërkombëtare, që do të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare që rezulton me njohje, taksa vazhdon të mbetet në fuqi”. Këtë deklaratë kryeministri e bëri pasi që mediet në Prishtinë publikuan një letër me tetë pika nga Këshilli për Siguri Kombëtar dhe Departamenti amerikan i Shtetit, ku thuhet se “Kosovës i kërkohet që të hiqet taksa ndaj produkteve serbe, në të kundërtën institucionet kosovare do të përballen me sanksione amerikane”. Përmbajtja e letrës nuk është konfirmuar nga autoritetet e shtetit, përkundër insistimit të medieve.

Kryeministri Haradinaj në një postim të tij në rrjetin social thotë se ai është i bindur “për mundësinë e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese me Serbinë, që rezulton me njohje”.

Haradinaj kushtëzon heqjen e taksave

“Vendosja e taksës ndaj produkteve të Serbisë nuk ka për qëllim pengimin dhe prolongimin e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese me Serbinë, që rezulton me njohje. Përkundrazi, Qeveria e Kosovës do ta pezullonte përkohësisht taksën, vetëm pas garancës ndërkombëtare, se do të ulemi për ta nënshkruar marrëveshjen përfundimtare, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke. Garanca do të thotë që ekziston një materie, kontratë e dakorduar në parim dhe pret vetëm nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, që rezulton me njohje”, shkruan kryeministri Ramush Haradinaj.

Televizioni “Al Jazeera Balkans”, njoftoi ndërkohë se bazuar në burime nga Departamenti Amerikan i Shtetit, kryeministrit të Kosovës, i është refuzuar viza amerikane – për shkak të taksës së vendosur ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Sipas këtyre burimeve, Haradinaj nuk do të mund të marrë pjesë në një konferencë për Ballkanin, e cila mbahet në fillim të muajit shkurt në SHBA. Sipas “Al Jazeera Ballkans”, mospjesëmarrjen e Haradinajt në këtë konferencë e ka konfirmuar edhe njëri nga organizatorët.

“Nuk kemi pranuar përgjigje zyrtare”

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, deklaroi për mediet lokale se zyra e kryeministrit nuk ka pranuar përgjigje zyrtare nga Ambasada e SHBA-së, në lidhje me kërkesën për pajisje me vizë nga ana e kryeministrit Ramush Haradinaj. Ajo tha se “arsye e vetme për udhëtimin e Haradinajt në SHBA, do të ishte pjesëmarrja në organizimin e Lutjes së Mëngjesit”.

Sidoqoftë, në Prishtinë përpjekja për tu koordinuar dhe unifikuar skena politike kosovare në një grup të unitetit për dialog me Serbinë po vazhdon.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj, takuan të hënën grupin negociator të Kosovës, për të koordinuar veprimet e mëtutjeshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ndonëse akoma një takim i drejtpërdrejt me Beogradin zyrtarë nuk është zhvilluar. Në këtë takim ndonëse ishin të ftuar, nuk morën pjesë partitë opozitare LDK-së dhe Vetëvendosja. Gupi negociator i Kosovës, ishte në Bruksel javën e shkuar në takim me shefen e diplomacisë evropiane Federika Mogherini, në një takim konsultues me BE-në.

“Kemi thënë se do të ketë transparencë dhe llogaridhënie para qytetarëve dhe institucioneve. Ky është takimi i parë që është zhvilluar pas takimit të parë të delegacionit shtetëror në Bruksel. Po e them në mënyrë shumë të qartë, ka vetëm një vendimmarrje ajo është Kosova e pavarur dhe sovrane, Kosova e pacenueshme territorialisht, që nënkupton njohjen e Kosovës nga Serbia dhe sigurimin e ulëses në OKB”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli. Ai akuzoi LDK “për papërgjegjësi politike”, për shkak që nuk po i bashkohet grupit negociator për dialog me Serbinë. Ndërsa kreu i LDK-së, Isa Mustafa, pyeti publikisht udhëheqësit e institucioneve të Kosovës të shpjegojnë se “çfarë po ndodhë në veriun e vendit?

Akuzat e Veselit dhe LDK

“Si Kryetar i LDK-së dhe qytetar i Kosovës pyes institucionet përgjegjëse të vendit, Presidentin, Kuvendin, Qeverinë, institucionet e drejtësisë: a po ushtrohet sovraniteti shtetëror në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, në një sipërfaqe prej 1005 km katror, (jo hektar) të cilat përbëjnë 10% të territorit të Kosovës? Në fund të nëntorit kryetarët e këtyre komunave deklaruan se dorëhiqen dhe e ndërprejnë komunikimin me Prishtinën (organet qendrore)”, shkroi në profilin e tij Isa Mustafa, duke shfaqur frikën sipas tij që “konservimi i gjendjes në veri jashtë komunikimit me institucione qendrore, është akt i paramenduar për pazare territoriale me Serbinë, për çfarë LDK nuk pajtohet dhe nuk do të pajtohet me asnjë kusht”.

Që të gjitha partitë politike të marrin përgjegjësi në këtë fazë të dialogut po kërkon edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke konstatuar se “Kosova me vështirësi po e ndërton unitetin e domosdoshëm në çështjet e interesit shtetëror”.

“Nëse do të jemi të bashkuar, ne do ta përmbyllim me sukses edhe këtë kapitull të shtetndërtimit. Si President i Republikës së Kosovës, vlerësoj lart përpjekjet e kryeparlamentarit Veseli për koordinimin ndërinstitucional dhe atë ndërmjet grupeve parlamentare për forcimin e unitetit politik. Pavarësisht shkaqeve të mundshme, ikja nga përgjegjësia politike dhe bojkotimi i këtij procesi është në kundërshtim me interesin tonë shtetëror dhe atë të partnerëve tanë strategjikë”, shkroi në profilin e tij Presidenti Hashim Thaçi.

Prandaj sipas tij, “askush nuk duhet të hezitojë që të marrë përgjegjësi në këtë fazë përfundimtare të dialogut, i cili pritet të përfundojë me një marrëveshje paqësore dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë”. “´Kjo do t’ia sigurojë njohjen Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin në OKB, NATO dhe BE”, pohon Presidenti Thaçi.

dw

Shqipëri – Diplomacia në ngërҫ

BushatiKriza institucionale e Tiranës detyron ministrin e Jashtëm në detyrë, Bushati të anulojë takimin në Berlin me ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas. Edhe takime të rëndësishme për integrimin në Bruksel nuk zhvillohen.

Kriza institucionale Kryeministri-Presidencë e ka ҫuar në ngërҫ diplomacinë e Tiranës në aktivitete jashtë vendit. Ministri i Jashtëm në detyrë, Bushati, anuloi vizitën në Berlin dhe takimin me ministrin e Jashtëm, Heiko Maas, të planifikuar për të mërkurën, (16.01). Burime zyrtare nga Ministria e Jashtme në Tiranë i thanë Deutsche Welles (15.01) se ”fokusi i bisedimeve Bushati-Maas ishte procesi i integrimit europian, pritshmëritë e Shqipërisë dhe ecuria e reformave për të hapur negociatat e panimit me BE në qershor të këtij viti, situata në rajon, sidomos në Maqedoni”.

E pyetur për arsyen e anulimit të vizitës së Bushatit në Berlin, Edlira Prendi, zëdhënëse në Ministrinë e Jashtme i tha DW-së, se kjo është bërë “për shkak të situatës, pritjes së ҫdekretimit të ministrit Bushati dhe dekretimit të kryeministrit Rama si ministër i Jashtëm nga Presidenti Meta”. Bllokimi i ri ka bërë të anulohen edhe takime të rëndësishme për integrimin e vendit. Që nga shkarkimi i tij nga detyra e Ministrit të Jashtëm, në 28 dhjetorin e kaluar, Bushati, ka anuluar disa takime të planifikuara në Bruksel, si ato me Johannes Hahn, Komisionerin për Zgjerim të BE dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE, për Politikën e Jashtme, Federica Mogherimi. Të vetmet bisedime zyrtare zhvillohen në Tiranë. Ministri në detyrë, Ditmir Bushati takon të martën ministrin e Jashtëm të Italisë, Emzo Milanesi dhe të mërkurën mnistrin e Jashtëm të Hollandës, Stef Blok.

Përplasja Rama-Meta

Aktualisht diplomacia e Shqipërisë është në pritje të dy proceseve të kundërta: firmosje për shkarkim dhe pranim. Fjalën tani e ka Presidenti Meta, që duhet të firmosë dy dekretime: të shkarkojë Ministrin e Jashtëm në detyrë Ditmir Bushati, si pjesë e ndryshimeve të thella, në funddhjetorin e kaluar të qeverisë Rama 2, në përgjigje të protestës së studentëve dhe të dekretojë propozimin e ri të Ramës, për të qënë ai vetë edhe Kryeministër edhe ministër i Jashtëm.

Propozimi u paraqit në Presidencë të hënën (14.01.2019) pas skadimit të afatit që Kushtetuta parashikon për dekretime shkarkimesh të anëtarëve të qeverisë. “Presidenti nuk e ka dekretuar shkarkimin e ministrit të Jashtëm në afatin kushtetues. Shkelje e rradhës që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese. Deri atë ditë, që vjen shumë shpejt, unë do të jem „de jure” në këtë rol, sepse s’kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit” bëri me dije të hënën Rama. Presidenti, Ilir Meta i përligj veprimet e tij me vendosmërinë për të kontribuar në funksionimin e një shteti të vërtetë dhe jo të rremë: “Nuk ka më shtet fals. Presidenti në krye të punës. Për Presidentin e para është Kushtetuta dhe sundimi i ligjit. NO MORE FAKE STATE. Shqipëria e para!”, i përgjigjet ai kryeministrit Rama, po në median sociale.

Thellim i krizës institucionale

Gjuha e ashpër dhe akuzat e palëve, njëra për “dhunim të kushtetutës” dhe tjetra për”Fake state” nuk lënë vend për hamendje lidhur me thellimin e krizës mes institucionit të Kryeministrisë dhe atij të Presidencës. Dhe ka pak gjasa që ajo të zbutet në ditët dhe javët në vijim. Përkundrazi. Gjasat janë që kriza të vazhdojë për muaj të tërë. Shqipëria aktualisht nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Kjo gjykatë tani ka mbetur vetëm me një anëtar.  Vettingu ka nxjerrë jashtë sistemit gjyqtarë të Kushtetueses që nuk pëqrligjën pasuritë e tyre apo ishin të dyshuar për lidhje me krimin e organizuar. Të tjerë kanë dalë në pension. Dhe emërimi i  gjykatësve për Gjykatën e re Kushtetuese kërkon kohën e vet. Deri atëherë kur kjo Gjykatë do vendosë për fatin e Presidentit Meta, gjasat më të shumta janë që kryemnistri Rama të kryejë edhe detyrën e Ministrit të Jashtëm.

A do ta dekretojë Meta, kryeministrin Rama në detyrën e Ministrit të Jashtëm?

Argumentat janë më shumë për po.  Situata të tilla kanë ndodhur edhe në vende të tjera. Rasti më i freskët është ai në Greqinë fqinjë, kur kryeministri Cipras mori edhe detyrën e Ministrit të Jashtëm, Nikos Kotzias, pas dorëheqjes së këtij të fundit, në tetor të vitit të kaluar. Lidhur me kohën, se kur do ta dekretojë Ramën si Ministër të Jashtëm, Presidenti Meta, deklaroi të hënën, se i duhet ”kohë e mjaftueshme për t’u këshilluar dhe dhënë një vlerësim të plotë, në respekt të Kushtetutës, marrjes në konsideratë të çdo kërkese të vetë Kushtetutës për të dhënë përgjigje të qartë, të plotë dhe shteruese për kandidatin e vetëpropozuar”.

dw

Ligji për Gjuhët, si dhe ku është zyrtare gjuha shqipe

flamuri AL MKKryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dje pasdite ka firmosur Ligjin për gjuhët. Ligji me firmën e Xhaferit u dërgua në Gazetën Zyrtare dhe  pas shpalljes në Gazetën Zyrtare menjëherë hyn në fuqi.

Ky Ligj kryesisht ka të bëjë me avancimin dhe përdorimin më të gjërë zyrtar të gjuhës shqipe, si gjuhë e dytë zyrtare në vend, informon INA.

Detaje nga ligji

                                      Ligji për përdorimin e gjuhëve

Neni 1

(1) Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në raportet e saja ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik.

(2) Gjuhë tjetër që e flasin më së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe shkrimi I saj (shqip) në pajtim me këtë ligj.

(3) Në të gjitha organet e pushtetit shtetërorë në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, organizata dhe ente, komisione, persona juridik që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucione tjera, gjuhë zyrtare përveç gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj është edhe alfabeti dhe gjuha që flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, në mënyrën e përcaktuar me këtë ligj.

(4) Në njësitë e vetëqeverisjes lokale gjuha dhe shkrimi që e përdorin më së paku 20% e qytetarëve është gjuhë zyrtare, përveç gjuhës maqedonase dhe alfabeti I saj cirilik. Për përdorimin e gjuhëve dhe alfabetin që e përdorin më pak se 20% e qytetarëve në njësitë e vetëqeverisjes lokale, vendosin organet e njësive të vetëqeverisjes lokale.

(2) Në pajtim me të drejtën e qytetarëve për ta përdorur cilën do prej gjuhëve zyrtare të nenit 1 paragrafi (1) dhe (2) të këtij ligji, në procedurat gjyqësore, administrative, përmbaruese, procedurave para hetimore dhe hetimore, procedurave penale dhe procedurave për kundërvajtje, procedurës kontestimore dhe jashtëkontestimore, procedurave për zbatimin e sanksioneve dhe procedurave tjera të parapara me ligje tjera, gjykatat, prokuroritë publikë dhe të gjitha organet, subjektet dhe institucionet tjera janë të obliguara ta mundësojnë shfrytëzimin dhe përdorimin e cilësdo gjuhë zyrtare nga neni (1) dhe (2) dhe alfabetet e tyre në këto dhe procedura tjera.

(3) Në institucionet nga neni 1 paragrafi (3) të këtij ligji të pushtetit shtetërorë në Republikën e Maqedonisë gjuhë zyrtare përveç gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha që e flasin më së paku 20% të qytetarëve në R.M. dhe alfabeti I tyre dhe atë në: komunikimin, përdorimin dhe zbatimin në të gjitha procedurat e qytetarëve para të gjitha organeve që e përbëjnë pushtetin qendrorë (Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, Kryetari I Republikës së Maqedonisë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë, gjykatat, Prokuroria publike), Gjykata Kushtetuese, Avokati I Popullit, në procesin zgjedhor, arsimor, shkencor, shëndetësor, kulturor, zbatimin e autorizimeve policore, veprimtarisë radiodifuzive, noteriatit, përmbarimit, objekteve infrastrukturore, evidentimit amë, dokumentet personal, financat, ekonomia si dhe në sferat tjera.

Neni 3

Funksionarët e zgjedhur ose të emëruar të institucioneve nga neni 1 paragrafi (3)dhe neni 2 paragrafi (3) të këtij ligji si dhe institucionet tjera selia e të së cilave është në Shkup apo në komunat në të cilat më së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase, në komunikimin e tyre zyrtarë e përdorin gjuhën maqedonase dhe alfabetin cirilik të saj si dhe gjuhën që e flasin më së paku 20% e qytetarëve dhe alfabetin е saj në qoftë se më së paku një nga të zgjedhurit ose të emëruarit që është funksionar flet gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase.

Neni 5

(1) Në punën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti I saj cirilik si dhe gjuha që e flasin më së paku 20% e qytetarëve në RM dhe alfabeti i saj.

(2) Seancat e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë udhëhiqen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik.

(3) Kur me seancat e Qeverisë, komisionet si dhe kolegjiumet gjeneralë udhëheq funksionar i zgjedhur apo i emëruar i cili flet gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase dhe të cilën gjuhë e flasin më së paku 20% e qytetarëve në RM, të njëjtat i udhëheq në atë gjuhë dhe shkrim.

(4) Funksionar i zgjedhur ose I emëruar I cili flet gjuhë ndryshe nga gjuha maqedonase, të cilën e flasin më së paku 20% e qytetarëve në RM, në seanca të Qeverisë, në komisione të Qeverisë dhe në kolegjiume gjeneralë flet në atë gjuhë.

Neni 8

(1) Monedhat e letrës dhe të farkuara, si dhe pullat postare do të mbajnë simbole të cilat do ta paraqesin trashëgiminë kulturore të qytetarëve të cilët e flasin gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe gjuhën të cilën e flasin më së paku 20% e qytetarëve në RM dhe alfabetin e saj.

(2) Markat postare, fletëpagesat, raportet fiskale që dalin nga institucionet e nenin 1 paragrafi (3) dhe neni 2 paragrafi (3) të këtij ligji, banderolat, shkruhen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe gjuhën të cilën e flasin më së paku 20% e qytetarëve dhe shkrimin e saj.

(3) Uniformat e policisë; zjarrfikësve; shëndetësisë; në Shkup dhe në komunat në të cilat së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare ndryshe nga gjuha maqedonase janë të shkruara në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik si dhe në gjuhën të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe alfabetin e saj.

Neni 9

(1) Në procedurat gjyqësore, administrative, përmbaruese, procedurat për ekzekutimin e
sanksioneve, para hetimore dhe hetimore, procedurat penale dhe për kundërvajtje, procedurat kontestimore dhe jashtëkontestimore si dhe procedurat tjera para gjyqeve, prokurorive publike si dhe të gjitha organeve tjera, trupave dhe institucioneve, aplikohet gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik si dhe gjuha të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe alfabeti I saj.

(4) Institucionet e cekura në paragrafin (1) të këtij neni janë të detyruara të mundësojnë përkthim të të gjitha dokumenteve të nevojshme dhe materialeve si dhe përkthim simultan të prononcimeve, deklaratave dhe seancave në punën apo procedurën të cilat udhëhiqen.

(5) Mossigurimi i përkthimit të të gjitha dokumenteve të nevojshme dhe materialeve gjegjësisht mossigurimi I përkthimit simultan përgjatë gjithë procedurës paraqet shkelje thelbësore të procedurës.

Neni 10
9
(1) Në procedurë para noterit, dokumentet dhe verifikimet materiale mund të lëshohen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj dhe në gjuhën të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve në RM dhe alfabetin e saj.

(2) Po ashtu edhe në procedurën para përmbaruesit…

Neni 11

(1) Institucionet kompetente për menaxhimin e institucioneve për ekzekutim të sanksioneve si dhe vetë institucionet kompetente për zbatimin e sanksioneve (burgje) janë të detyruara në komunikim dhe procedurë të zbatojnë gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj si dhe në gjuhën të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve në RM dhe alfabetin e saj nëse personi për të cilin bëhet fjalë e flet gjuhën të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve në RM.

Neni 13

Dokumentet personale me kërkesë personale shtypen edhe në shqip….sqarimi si më poshtë:

(1) Qytetarëve të cilët flasin gjuhë ndryshe nga gjuha maqedonase e cila gjuhë nuk është gjuhë të cilën e flasin 20% të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, me kërkesë të tyre personale, formulari I pasaportës dhe fletudhëtimi shtypen edhe në gjuhën dhe alfabetin të cilin e përdor qytetari.

Neni 15

(1) Në mbledhjet e Komisionit shtetërorë zgjedhorë dhe komisionet komunale zgjedhore do të përdoret gjuha shqipe apo siç shkruhet në ligj së paku 20% të qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase gjatë realizimit të zgjedhjeve në punën dhe procedurat e të gjitha komisioneve, dhe trupave tjerë dhe institucioneve në mënyrë të barabartë, përdoren dhe zbatohen gjuha maqedonase dhe alfabeti I saj cirilik dhe gjuha të cilën e flasin së paku 20% të qytetarëve dhe alfabetin e saj.

Neni 16

(1) Emri I rrugës, sheshit, urës dhe objekteve tjera infrastrukturore në të gjithë njësitë e
vetëqeverisjes lokale te të cilat 20% e qytetarëve flasin gjuhë ndryshe nga gjuha maqedonase dhe në Shkup shkruhet në gjuhë maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik si dhe në gjuhën të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe alfabetin e saj si dhe në gjuhë të cilat janë gjithëpërfshirëse nga bashkësia ndërkombëtare.

(2) Në vendkalimet kufitare të Republikës së Maqedonisë si dhe aeroportet në rajonet ku 20% e qytetarëve flasin gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase, titujt e institucioneve mbishkrimet tjera dhe udhërrëfyesit shkruhen në gjuhë maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik si dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe alfabetin e tyre.

Neni 18

(1) Për të realizuar qëllimet e këtij ligji, promovimin, mbrojtjen dhe zbatimin e njëtrajtshëm të gjuhës zyrtare që e flasin 20% të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabetin e saj, themelohet Agjenci për zbatim të gjuhës të cilën e flasin më së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.

Neni 20

(1) Për monitorim të zbatimit të plotë dhe të përpiktë të dispozitave të këtij ligji që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhës, formohet Inspektorat për përdorim të gjuhëve (në tekstin e mëposhtëm: Inspektorati) në përbërje të Ministrisë së drejtësisë me cilësi të personit juridik.

Neni 22
(1) Gjoba pre 4.000 deri 5.000 euro në kundërvlerë të denarit për kundërvajtje do t’ju shqiptohen organeve nga neni 1 paragrafi (3) dhe neni 2 paragrafi (3) si dhe gjitha institucioneve tjera për mosrespektim të dispozitave të këtij ligji.

(2) Gjoba nga 30% e gjobës së matur do t’i shqiptohet zyrtarit apo personit përgjegjës në organet e paragrafit 1 të këtij neni.