Modelet 3-D të zemrës ndihmojnë kirurgët

operacioni i zemresÇdo zemër është e ndryshme dhe kjo mund ta bëjë operacionin të vështirë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kevin Enochs na njeh me një teknologji të re që krijon një model me tre përmasa të zemrës së çdo pacienti për të ndihmuar kirurgun të përgatitet për operacion.

Mjekët e Universitetit të shtetit të Uashingtonit bëjnë operacione duke përdorur kateter.

Tuba të gjatë depërtojnë në zemër dhe u japin mundësi mjekëve që të bëjnë një operacion në zemër pa shkaktuar çarje të thella.

Doktor Mark Reisman e ka më të lehtë tani, pasi bën praktikë më parë me një model me tre përmasa të kësaj zemre, krijuar nga printera me tre përmasa, duke përdorur skanime ultrazanore.

“Këta printer me tre përmasa na japin mundësinë që të shohim fizikisht zemrën dhe të kuptojmë nuancat e anatomisë së saj dhe anatomisë së saj në raport me struktura të tjera”, thotë ai.

Dmitry Levin fut të dhëna ultrazanore në printerin me tre përmasa dhe krijon një model me saktësi dhe shpejtësi.

“Një nga avantazhet e mëdha është se fitojmë shumë kohë, Nga momenti kur unë marr të dhënat deri kur kam në dorë modelin, koha reduktohte në mënyrë drastike nga disa ditë, në disa orë”, thotë ai.

Ky rezultat kaq i shpejtë, i jep mundësi droktorit Reisman, që ta planifikojë opreacionin si kurrë ndonjëherë më parë.

“Me operacionet që bëj unë, më jep mundësinë që të bëjë praktikë paraprakisht, çka është shumë e rëndësishme sepse në vend që të bëj disa procedura dhe të ndacmoj valvolat për here të pare kur bëj operacionin tek pacienti, unë kam mundësinë të praktikoj jashtë trupit të tij”.

Studimet e fundit tregojnë se më shumë operacione të valvolës së aortës po bëhen me katerer sesa me mënyrën më të rrezikshme të hapjes së zemrës.

voa

Shqipëria nuk duhet ta humbasë sërish shansin për në BE

protesta trMijëra vetë protestuan në kryeqytetin e Shqipërisë kundër qeverisë socialiste, që e akuzojnë për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Opozita synon një qeveri teknike që të përgatisë zgjedhjet e parakohshme.

Shqipëria sërish u bë temë e kryeartikujve: Skenat nga bulevardi i Tiranës të shtunën (16.02) të zgjojnë kujtime nga ngjarje të së shkuarës. Një demonstratë e organizuar prej partive opozitare drejtuar kundër qeverisë së socialistëve nën kryeministrin Edi Rama dhe korrupsionit galopant në vend  përshkallëzoi në eksese dhune: Demonstrues që tentuan të hyjnë në selinë e kryeministrisë dhe u vunë flakën pemëve përreth nga njëra anë dhe policia, që përdori gaz lotësjellës dhe pompat e ujit për t’i ndaluar ata. Bilanci: 15 të plagosur nga të dyja palët. 16 vetë u arrestuan.
„E duam Shqipërinë si Europa”

„Shqiptarët nuk janë të varfër, por janë të vjedhur”, e duam Shqipërinë si Europa, ishte sllogani i protestës. Kryetari i Partisë Demokratike, më e madhja në opozitë, Lulëzim Basha, u ndje i inkurajuar nga masiviteti i protetës dhe deklaroi vazhdimin e saj të enjten (21.02). Po ashtu ai shpalli të hënën (18.02) bojkotimin e parlamentit me djegjen e mandateve. Ai theksoi, se „PD nuk do të shërbejë më si fasadë e një parlamenti të dalë nga vota e krimit”. Që pas zgjedhjeve të fundit më 2017 opozita vazhdimisht kërkon tërheqjen e qeverisë, të cilën e akuzon për klientelizëm, involvim në biznese kriminale dhe tendera jo transparentë.

„Mos na detyroni të emigrojmë”
Korrupsioni është fjala kyç e luftës politike në Shqipëri, por edhe plaga më e madhe që indinjon mbarë qytetarët e qytetaret në vend. Ata vazhdimisht ankohen, që po bëhet shumë pak në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndonëse Shqipëria aktualisht ka nisur të verë në zbatim një nga reformat, që konsiderohet si shembullore në rajon, vendi mbetet ndër më të korruptuarit në Europë. Shqiptarët e përjetojnë shtetin e tyre si një sistem të sëmurë klientelizmi dhe nuk kanë më aspak besim tek ai.

Protesta aktuale e opozitës vjen menjëherë pas protestës masive disa javore të studentëve, që kërkuan reformë radikale të sistemit të arsimit të lartë, kushte më të mira studimi dhe largimin e elitave drejtuese të korruptuara në universitete. „Mos na detyroni të emigrojmë, duam të studiojmë e të punojmë në vendin tonë”, ishin slloganet e studentëve.

Klimë e pashëndetshme politike

Klima politike në Shqipëri prej gati tri dekadash që pas kthesës politike më 1992 praktikisht pa ndërprerje është karakterizuar prej konfrontimit pozitë-opozitë në grindjen për manipulime elektorale. Debati politik nuk zhvillohet me argumenta profesionale, por degradon shpesh në nivelin e armiqësive personale. Edhe ekseset në parlament nuk janë skenë e rrallë. Vetëm pak ditë më parë kryeministri u qëllua me bojë në sallën plenare. Një debat i tillë e ndez atmosferën në vend.

Si rrjedhojë u parashikua qysh në vigjilje të protestës së të shtunës, se mijëra vetë do t’i përgjigjeshin thirrjes së opozitës. Para demonstratës ekzistonte droja për përshkallëzim, ndaj pati thirrje për ruajtjen e qetësisë edhe nga përfaqësues të botës së jashtme, në radhë të parë nga përfaqësia e BE-së dhe ambasada e SHBA-së në Tiranë.

Politikanët drejtues të partive të mëdha me sa duket nuk munden e nuk duan të gjejnë një gjuhë të arsyes dhe pajtimit. Përkundrazi: konfrontimi është i pakompromis, secila palë ia hedhin fajin palës tjetër. Retorika e fyerjeve dhe mospranimit të përgjegjësisë është kundërproduktive. Ndërkohë që lipset zgjidhja e problemeve me frymën e kompromisit.
Nuk duhet humbur sërish shansi për në BE

Duket që ende politikanët në Shqipëri nuk e kanë përvetësuar mësimin e demokracisë për respekt të ndërsjelltë dhe dialog konstruktiv. Ata kapen pas pozicioneve të ngrutësuara të tyre – madje duke e pasur fare mirë parasysh, që një krizë në politikën e brendëshme e vështirëson procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Dialogu demokratik është rrugëdalja e vetme nga kriza, për të çuar përpara reformat e domosdoshme për konsolidimin e shtetit ligjor, kushti numër një ky nga BE-ja. Trazirat, paqendrueshmëria politike, mungesa e dialogut dhe e gjuhës së kompromisit, çdo vonesë mund të kenë pasoja në procesin e integrimit në BE. Vitin e kaluar Shqipëria e humbi shansin e një date për hapjen e negociatave me BE-në. Një shtyrje tjetër në samitin e BE-së në qershor sivjet do të ishte fatale për vendin.

Sondazhi në Gjermani: Rusia më e besuar se SHBA

Sondazhi GjermaniBrexit, populistë të djathtë – gjithnjë e më shumë gjermanë duan një BE të fortë, sipas një sondazhi. Në të njëjtën kohë rritet shqetësimi për sigurinë në Europë e Rusia shihet nga gjermanët si më e besueshme se SHBA.

Prej kohësh nuk flitet kaq shumë për Europën. Shqetësimi është shumë i madh. Nuk kalon asnjë ditë pa i hedhur sytë me shqetësim nga Londra. Loja e tejzgjatur për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian trazon ndjenjat e europianëve. Do të kemi një Brexit të pakontrolluar, pra pa marrëveshje, apo një marrëveshje me Britaninë e Madhe. Le të bëjnë si të fortë politikanët në Hungari, Austri, Itali…frika për një lamtumirë pa fjalë të mira po shtohet.

Pak dritë për miqtë e Europës

Në këtë situatë të turbullt ka një rreze shprese për ata që duan BE. Sepse në shtetin më të madh të BE, në Gjermani projekti “Europë” gëzon një mbështetje gjithnjë e më të madhe. Sipas një sondazhi të fundit të studiuesve të opinionit të “infratest dimap” me porosi të televizionit ARD dhe gazetës “Die Welt”, që vlerëson trendin në Gjermani, gjysma e të anketuarve shikon në një anëtarësi të Gjermanisë në BE “më shumë avantazhe”. Një rritje me 11% krahasuar me majin 2018, sondazhi i fundit i kryer. Në të njëjtën kohë numri i euroskeptikëve mbetet i palëvizur, 14%. Ata shohin “më shumë disavantazhe” nga qëndrimi i Gjermanisë në BE.

Duket se debati i lodhshëm për Brexit ka dhënë efektin e tij duke e rritur pranueshmërinë e BE mes gjermanëve. Kjo duket edhe në qëndrimin e gjermanëve për të ardhmen e BE. Një bashkëpunim të thelluar mes vendeve europiane e dëshirojnë 57% e të anketuarve.

Nëse do të pyeteshin gjermanët, shumica do të donte që britanikët të mbeteshin në BE. 79% e të pyeturve janë pro qëndrimit të Britanisë së Madhe në BE. Dhimbja e ndarjes është me sa duket e madhe, si në vitin 2016, kur vetëm 17% e gjermanëve  e përshëndetën votën pro Brexit.

Rusia gëzon më shumë besueshmëri se SHBA

Analistët e infratest dimap konstatojnë se gjendja globale ka ndryshuar dhe se konfliktet në rritje mes SHBA e Kinës, perëndimit dhe Rusisë i shqetësojnë edhe gjermanët. Asnjëra nga tre fuqitë kryesore, SHBA, Kinë, Rusi nuk shihet si partner shumë i besueshëm për Gjermaninë. Megjithatë Rusia merr pikët më të larta mes gjermanëve në drejtim të besueshmërisë, krahasuar me dy fuqitë e tjera. Rusia gëzon 35% të besueshmërisë mes të anketuarve, pastaj renditet Kina, me 28% e në fund SHBA, ndaj këtij vendi është rritur skepticizimi, vetëm 24%  e gjermanëve të anketuar e mbajnë atë për partnerin më të besueshëm të Gjermanisë.

Nga ana tjetër 39% e gjermanëve e cilësojnë si mjaft të rrezikuar paqen dhe sigurinë në Europë aktualisht, 59% pak të rrezikuar ose aspak.

dw

Konferenca e Sigurisë në Mynih – diplomacia e heshtur

mscNë Mynih debatojnë çdo vit nga 15-17 Shkurt të pushtetshmit e kësaj bote. Konferenca e Sigurisë nuk është vetëm një skenë e pushtetit, por edhe laborator i diplomacisë për mundësitë që ofrojnë takimet e dhomave të pasme

Rreth 35 krerë shtetesh dhe qeverish, afër 80 ministra të Jashtëm e të Mbrojtjes, 600 ekspertë për politikën e sigurisë takohen në Mynih nga e premtja, 15-17 Shkurt. Drejtuesi i Konferencës, Wolfgang Ischinger flet për konferencën e sigurisë “më të madhe dhe më të rëndësishmen” prej më shumë se 50 vitesh që nga themelimi i saj. Të premten pasdite fillon programi 48 orësh i ngarkuar me takime e diskutime – presidentë, ministra të Jashtëm e të Mbrojtjes debatojnë, aleatët, por edhe ata nga kampet kundërshtare. Në të njëjtën kohë hapet një laborator i mundësive diplomatike, ku merren në shqyrtim pozicionet e verifikohen të përbashkëtat. Në dhomat e pasme, heshturazi dhe të pashqetësuar.

Kjo mundësi krijohet edhe për shkak të vendit, ku zhvillohet konferenca. Hoteli tradicional, “Bayerischer Hof” është i shtrirë në disa godina të ngritura njëra pas tjetrës në vite. Me kthesat e kthinat e shumta ai ofron një mundësi të mirë për diplomacinë e dhomave të pasme. Qilimë të trashë zbusin zhurmat, shkallë pafund dhe meskalime ofrojnë rrugë të mbrojtura për të kaluar në dhoma pa u parë nga reporterët. Drejtuesit e konferencës kanë rezervuar 100 dhoma vetëm për takime të tilla kokë më kokë.

Platformë për politikë operative

“Konferenca e Sigurisë në Mynih është një vend ku testohen idetë, ku mund të zhvillohen aleanca dhe të nisin përgatitje për të çuar përpara procese të paqes, ose edhe për t’i filluar ato”, sqaron drejtuesi i saj Wolfgang Ischinger me vetëbesim. E ai nuk ka parasysh vetëm programin e konferencës. Ky është vetëm “maja e ajsbergut”, thotë Ischinger. Po kaq të rëndësishme janë takimet pa media mes delegacioneve, janë ato që e bëjnë këtë konferencë një platformë të politikës operative.

Si shembull Ischinger përmend bisedimet për një marrëveshje kontrolli të armatimit nuklear, “New Start”. Negociatat për këtë marrëveshje rrodhën nga bisedimet e brendshme në kuadër të konferencës së vitit 2009 tha Ischinger për revistën “Internationale Politik”. Dy vite më vonë, Sekretarja e mëparshme e Departamentit të Shtetit, Hillary Clinton dhe homologu rus, Sergej Lavrov nënshkruan dokumentin e ratifikimit po në Mynih në kuadër të konferencës së atëhershme.

Nëse ofrohen hapësira me përkthyes në krah dhe mund të zhvillohen takime në mirëbesim, pa dashur të kalosh rrugën, krijohet mundësia për zhvillime të papritura. Pa përmendur detaje, Ischinger, thotë se amerikanët e kanë përdorur një mundësi të tillë, “për të biseduar njëherë drejt me iranianët”.

Rruga më e shkurtër për takime të shumta

Pra nëse salla ka mjaft vende bosh, kur të mbajë fjalimin kancelarja Merkel, kjo jo sepse pjesëmarrësit kanë shkuar të vizitojnë bukuritë e Mynihut, por se ata ndodhen në bisedime bilaterale. Vetëm në konferencën e vitit të kaluar u zhvilluan 2.200 takime bilaterale apo trilaterale. Tobias Bunde bashkëpërgjegjës për programin e konferencës thotë, se “për shumë qeveri ndërkohë konferenca e Mynihut është një rrugë mjaft eficiente dhe efektive për të takuar shumë krerë të tjerë qeverish brenda një kohe të shkurtër. Ndryshe për këtë do duhej të bëje shumë kilometra rrugë.”

Por në vend të diplomacisë së rafinuar dhe politikës së jashtme sot përdoren më shumë mesazhet në twitter. Presidenti Donald Trump i ka suprizuar shpeshherë aleatët e kundërshtarët, kur vendime të rëndësishme të politikës së jashtme i ka bërë të ditura përmes twitterit. Magjithatë këtë vit vjen në Mynih delegacioni më i madh amerikan që ka ardhur ndonjeherë në këtë konferencë. Krahas zvendëspresidentit, Mike Pence pritet edhe Sekretari i Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo, zëdhënësja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi. Kjo të bën të shpresosh, që edhe në Uashington kërkohen rrugë tjera përtej diplomacisë së twitterit. (dw)

Protesta e opozitës, vijojnë tensionet

protesta trNë Tiranë vijon tensioni para godinës së Kryeministrisë ku po zhvillohet që pak para mesditës, protesta e thirrur nga opozita për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Që në fillim, manifestuesit kanë çarë kordonin e policisë dhe janë grumbulluar të shumtë në hyrje të saj. Ndërsa është tentuar të hapin dyer e hyrjes kryesore, ata janë sprapsur ndërsa nga brenda forcat e sigurisë kanë përdorur pompat e ujit apo dhe gaz lotsjellës. Kjo është skenë që po përsëritet pa ndërprejrej, me manifestuesit që afrohen dhe godasin portën hyrëse të godinës, dhe forcat e sigurisë që lëshojnë gazlotsjellës. Disa nga manifestuesit janë ndjerë keq nga gazi dhe në ndihmë të tyre kanë ardhur ambulancat.

Kryetari demokrat Lulzim Basha akuzoi policinë se ajo me qëllim ka hapur radhët e punonjësve të saj që gjendeshin përballë godinës “sepse kanë një skenar për të nxitur dhe për të stimuluar dhunë. Ka nisur para katër ditësh me deklarata të papërgjegjshme të Policisë, ka vazhduar gjithë mbrëmjen e djeshme, ditën e sotme, gjatë kohës që kanë qarkulluar protestuesit. Dhe tani ndërkohë që protesta filloi plotësisht në mënyrë paqësore dhe s’kam asgjë me efektivët, se efektivët kanë marrë lule nga ne në fillim të protestës. Ndërkohë me presionin më të vogël të turmës, që natyrisht që janë të irrituar sepse janë banorë të Unazës së Re, kanë shkuar për t’u prishur shtëpitë për t’u vjedhur 18 milionë euro, papritur shohim që hapet kordoni policor. Kjo do të thotë që ka një plan për të nxitur dhunë. Ka një plan për të nxitur dhunën që t’i drejtojë gishtin e akuzës opozitës dhe kjo është e papranueshme”, është shprehur zoti Basha.

Presidenti Ilir Meta, reagoi duke bërë “thirrje për vetëpërmbajtje nga të gjithë për evitimin e konfrontimeve dhe dhunës. Qytetarët duhet të protestojnë të lirë dhe duhet të respektohen institucionet”.

Edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj kërkoi nga “të gjithë drejtuesit politikë që të distancohen nga dhuna që po ushtrohet ndaj institucioneve të Shqipërisë. Ftoj qytetarët të distancohen nga elementët e dhunshëm”.

Në një reagim të saj ambasada e Shteteve të Bashkuara “dënon me forcë dhunën dhe shkatërrimin që ndodhën gjatë protestave të sotme në Tiranë. Mbështesim të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, por dëmtimi i pronës publike dhe dhuna nuk janë të pranueshme. Nxisim të gjitha palët që të tregojnë vetëpërmbajtje më të mirë dhe të rivendosin qetësinë. Iu bëjmë thirrje të gjitha partive politike që t’i denoncojnë këto akte dhe të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme për t’u siguruar që situata të shndërrohet në paqësore dhe konstruktive”, thekson deklarata e ambasadës amerikane.

Në të njejtën linjë dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe ambasadat e shteteve anëtare në Tiranë bënë “thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje të menjëhershme. E drejta e qytetarëve për të shprehur veten përmes protestës paqësore është një vlerë thelbësore e një demokracie moderne evropiane. Megjithatë, dëmtimi i pronës publike dhe përdorimi i dhunës nuk janë të pranueshme. Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të bëjnë çmos për të shmangur dhunën dhe përçarje të mëtejshme”. Ndërsa Prania e OSBE-së thekson se “përshkallëzimi i dhunës së rrugës sot përbën një shkelje të parimeve të protestës demokratike paqësore. Nxitësit dhe autorët e dhunës mbajnë përgjegjësi për incidentet e sotme”.

Protestuesit vijojnë të qëndrojnë përpara godinës së qeverisë. Kryetari demokrat Lulzim Basha deklaroi se “janë qytetarët ata që do të vendosin se si do të vijojë protesta”.

Përpjekje për sulme të mundshme terroriste në Maqedoninë e Veriut

isisMinistria e Rendit në Maqedoninë e Veriut, njofton se ka kryer bastisje në disa vende, për të parandaluar një sulm të mundshëm terrorist nga mbështetës të Shtetit Islamik.

Sipas autoriteteve operacionet u kryen pas marrjes së informacionit nga një vend partner, por pa dhënë hollësi se cili është ky vend.

Ministria e Rendit njofton se ka konfiskuar një sërë mjetesh që lidhen me sulmin e mundshëm, por pa i identifikuar ato.

Ndërkohë, ambasada e Shteteve të Bashkuara lëshoi një paralajmërim për shtetasit amerikanë ku thekson “rrezikun e lartë nga mundësia e sulmeve terroriste të frymëzuara nga ideologjia ekstremiste në Maqedoninë e Veriut”.

Sipas vlerësimeve rreth 130 shtetas të Maqedonisë së Veriut i janë bashkuar grupit Shteti Islamik.

Javën e kaluar Maqedonia e Veriut nënshkroi protokollin e anëtarësimit në aleancën e NATO-s, pas miratimit të marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit, nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut.

voa

Zoran Zaev: Nuk ka ndryshim kufijsh të Maqedonisë së Veriut

ZaevNë Konferencën e Sigurisë që zhvillohet në Mynih (15-17.02) merr pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Deutsche Welle e pyeti kryeministrin Zaev për debatin aktual të kufijve mes Kosovës e Serbisë.

Në bisedë me Deutsche Wellen, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev lidhur me debatin për ndryshim kufijsh mes Kosovës e Serbisë theksoi, se pas zgjidhjes së problemit të Maqedonisë së Veriut me Greqinë, tani mbeten çështja e Kosovës dhe Bosnja si problemet që duhen zgjidhur. “Ja pse ne e mbështesim çdo zgjidhje dhe do të promovojmë bashkëpunimin, të garantojmë paqen dhe çojmë përpara axhendën tonë dhe ajo është integrimi në BE. Dhe kjo është e mundur të arrihet. Nuk po hyj në detaje, sepse nëse dikush nga vendet fqinjë komenton detajet, kjo mund të kthehet në një problem. Kjo është çështje mes Beogradit dhe Prishtinës, unë besoj, se ata do ta gjejnë një zgjidhje. Shpresoj për një zgjidhje pozitive dhe miqësore, dhe dua t’i ndihmoj të dy presidentët dhe qeveritë e tyre.”

“Ata vetëm mund të ëndërrojnë për ndryshimin e kufijve të Maqedonisë së Veriut”

Ndërsa i pyetur, nëse mund të ketë pasoja hapja e çështjes së ndryshimit të kufijve edhe për Maqedoninë, kryeministri Zoran Zaev tha se “tani ata vetëm mund të ëndërrojnë për ndryshimin e kufijve të Maqedonisë Veriore. Ne jemi anëtar i NATO-s. Nuk do të ketë ndryshim kufijsh në Maqedoninë Veriore. Ne jemi të sigurtë dhe (anëtarësia në NATO) na e jep këtë siguri.”

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në bisedë me Deutsche Wellen theksoi, se “qëllimi ynë i përbashkët është integrimi në BE, në zonën Shengen dhe hapja e kufijve. Të jemi në një kufi të përbashkët europian, kjo është gjëja më e rëndësishme. Nëse mendojmë në këtë drejtim, duhet të veprojmë në këtë mënyrë. Më në fund duhet të ndalim të mendojmë, se bota ka filluar të ekzistojë me kombet tona. Jo. Ne mund të jemi të gjithë më ambiciozë, të tregojmë më shumë solidaritet, të ndihmojmë më shumë njëri-tjetrin për një jetë më të mirë, ne kemi të gjithë vetëm një jetë. Dhe shumë varet nga politikanët. Nëse e lëmë mënjanë nacionalizmin, do të jemi më europianë dhe do të jetojmë më shumë një jetë europiane.”

dw

Prishtina del me platformë zyrtare për dialog me Serbinë

PlatformaPrishtina zyrtare në platformën e saj për dialogun kërkon garanci paraprake të delegacionit serb se e ka autoritetin për njohjen e shtetit të Kosovës. Ky është kushti para uljes në tryezën e bisedimeve me Serbinë.

11 vjetori i shpalljes së pavarësisë e gjen Kosovën nën një presion të pashembullt ndërkombëtar që të ulet për dialog me Serbinë me synimin e arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese që do t’i jepte fund problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një tarifë 100% për prodhimet serbe e vendosur nga qeveria e Kosovës, siç thuhet si kundërpërgjigje “ndaj agresionit politik dhe diplomatik të Serbisë kundër Kosovës”, ka bërë që procesi i  bisedimeve finale Kosovë-Serbi të mbetet në vendnumëro.

Kushti i Prishtinës

Prej disa ditësh grupi negociator i Kosovës punoi për hartimin e një platforme për bisedime, të cilën e ka finalizuar ndërkohë. Për këtë platformë janë pajtuar edhe tre udhëheqësit më të lartë të shtetit, Presidenti Thaçi, kryetari i kuvendit Veseli dhe kryeministri Haradinaj, por jo partitë opozitare. Prishtina zyrtare në platformën e saj ka vënë një kusht për t’u përfshirë në dialogun për marrëveshjen finale me Serbinë. Kushti i saj është që përpara se të ulet në tryezën e bisedimeve në Bruksel, “do zotimin paraprak të delegacionit serb se e ka autoritetin që të bjerë dakord për njohjen e shtetit të Kosovës”. Platforma e Prishtinës me 11 parime paraqet edhe qëndrimin zyrtar të shtetit të Kosovës për dialogun, ku thuhet se “marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme duhet tё jetë e qartë dhe pa dykuptimësi”.

Pikat e platformës së dialogut

Parimi 1 i platformës, që u publikua  në Prishtinë thekson se “qëllimi kryesor i Republikës së Kosovës është që nga Republika e Serbisë të sigurojë njohjen dhe pranimin e qartë të sovranitetit të Kosovës, si shtet i pavarur, me zotime ligjërisht të detyrueshme”, duke vazhduar më tej se “nuk do të ketë marrëveshje për asgjë deri sa të mos ketë marrëveshje për gjithçka”.

“Kushtetuta e Kosovës, e cila ka pёrfshirё obligimet e dala nga Plani i Ahtisarit nuk është e hapur për negociim”, prandaj objektivat politike të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut synojnë zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura me Republikën e Serbisë, duke përfshirë:

(a) heqjen e të gjitha pengesave të mbetura ndaj ushtrimit të pavarur të kompetencave sovrane të qeverisjes, në përputhje me parimet e mos-intervenimit dhe mos-ndërhyrjes;

(b) avancimin e të drejtave të komunitetit shqiptar që jetojnë në Republikën e Serbisë, në reciprocitet të plotë me komunitetin serb në Republikën e Kosovës;

(c) promovimin e respektimin nga të gjitha palët e së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe refugjatët, së bashku me standardet përkatëse ndërkombëtare të qeverisjes demokratike, llogaridhënëse dhe transparente;

(d) krijimin e mekanizmave të përshtatshëm për të adresuar krimet e luftës, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe drejtës humanitare, përfshirë zbardhjen e fatit tё tё pagjeturve, si dhe reparacionin.

Në platformë më tej theksohet, se “çdo marrëveshje përfundimtare duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila parasheh që “sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacënueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj”. Në fund të platformës thuhet se “Pёr Republikën e Kosovës marrëveshja përfundimtare, ligjërisht e detyrueshme hyn nё fuqi, vetёm pas plotësimit të kushteve nё vijim a) që Serbia e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, b) referendumi për marrëveshjen ёshtё mbajtur nё Kosovë, dhe c) marrëveshja ёshtё ratifikuar nga Kuvendet e tё dyja shteteve.

Reagimi i opozitës

Partitë politike opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, vazhdimisht e kundërshtojnë ekipin ngociator të Kosovës, duke e cilësuar si një “delegacion jolegjitim”, siç thonë pa mbështetjen e shumicës. Ato kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe pas kësaj, qeveria e re ta ketë legjitimitetin e dialogut me Serbinë.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, në një postim në profilin e tij, thotë se “LDK, është kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës”, duke shtuar se “hapja e dialogut për kufijtë, është vetagresion ndaj shtetit dhe territorit të vendit. Kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm dhe se dialogu për kufijtë është i ndaluar”, shkruan Mustafa. Ky reagim i LDK-së dhe kreut të saj është nxitur nga deklarimet e mëhershme të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili ka thënë se “në marrëveshjen përfundimtare gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të jetë edhe korrigjimi i kufijve mes dy vendeve”. Javën e kaluar gjatë një vizite në SHBA, presidenti Thaçi  tha se “një nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë.”

Serbia: Nuk ka dialog pa heqjen e taksës

Megjithë përpjekjet e Prishtinës zyrtare që të flasë me një zë për dialogun me Serbinë, kjo e fundit sipas Presidentit Aleksandër Vuçiq, “nuk rifillon dialog me Kosovën, përderisa Prishtina nuk e heq taksën  ndaj prodhimeve të Serbisë”. E heqjen e taksës po e kërkon edhe BE-ja dhe SHBA. Madje tre zyrtarë të lartë të administratës së SHBA-së, Matheë Palmer, zëvendës asistenti i Sekretarit të shtetit, Laura Cooper zëvendës assistentja e sekretarit të mbrojtjes, dhe zëvendës drejtori për çështje të Evropës në këshillin e sigurisë kombëtare, John Erath, dërguan një letër në Prishtinë ku shprehet shqetësimi i SHBA-së, që qeveria e Kosovës po e refuzon këshillën amerikane që ta pezullojë taksën ndaj produkteve të Serbisë në mënyrë që t’i hapet rruga dialogut Kosovë-Serbi.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të gatshme të ndihmojnë Kosovën për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse e normalizuese me Serbinë, e cila do të përqëndrohej në njohje reciproke, gjë që do të ishte e implementueshme, jetëgjatë dhe në të mirë të të dyja palëve”. Ndërsa, në fund të letrës thuhet shumë qartë se qëllimi i SHBA-së është që të shohin Serbinë dhe gjithashtu Kosovën, të veprojnë me përgjegjësi dhe që t’i kthehen dialogut. “Hapi i parë drejt këtij qëllimi do të ishte pezullimi i taksës. Derisa nuk e bëni një gjë të tillë, ne nuk mund të kemi raportet e fuqishme që kishim më parë me ju”, thuhet fund të letrës dërguar në Prishtinë  të tre zyrtarëve të lartë të administratës së SHBA-së.

(dw)

Sondazh i ri në Shqipëri: pa punë, pa shpresa, të rinjtë gati për mërgim

gjendja ekonomike
Qendra Shqiptare për Qeverisje të Mirë publikoi sot sondazhin e vitit 2018, sipas të cilit papunësia është shqetësimi kryesor i qytetarëve, krahas korrupsionit dhe besimit të ulët tek politika.

Sondazhi me 5600 vetë në 18 qytete të mëdha të vendit zbuloi se qytetarët ankohen për varfërinë ekonomike, ndaj shprehin gadishmërinë për emigrim, sepse nuk kanë besim tek një e ardhme më e mirë.

Qendra për Qeverisje të Mirë i kryen këto sondazhe prej disa vjetësh me mbështetjen e Fondacionit gjerman “Konrad Adenauer” për të matur perceptimin e opinionit publik mbi qeverisjen dhe nivelin e demokracisë në vend. Shqetësimi kryesor i qytetarëve të intervistuar nga 20 – 45 vjeç është papunësia dhe sidomos mungesa e perspektivës për të gjetur një vend pune.

Gjatë vitit të kaluar të anketuar dy herë në qershor dhe në dhjetor, afro 60 për qind e qytetarëve pohuan se gjendja ekonomike është më keq se një vit më parë, afro 30 për qind se ekonomia ishte njëlloj si më parë dhe vetëm afro 10 për qind thanë se ekonomia është më mirë.

Sondazhi gjeti se papunësia dhe moszhvillimi ekonomik ndikuan tek niveli i përgjithshëm i të ardhurave familjare.

Rënia e të ardhurave bëri që 58 % e qytetarëve nuk arritën të kursejnë asgjë, dhe paguan vetëm detyrimet kryesore dhe ushqimet e përditshme.

Gjysmën e dytë të vitit sondazhi zbuloi një rritje të borxheve ose kredive, në pamundësi për të plotësuar nevojat bazike.

Sipas studimit, perceptimi i përgjithshëm i opinionit publik është se kemi një rritje të korrupsionit dhe mungesë serioze të luftës kundër tij.

Të pyetur në qershorin e kaluar 2018, se a po luftohej korrupsioni në nivelet e larta, më shumë se gjysma e qytetarëve (50.77 %) thanë “jo”, 18.14 % thanë “po” dhe 31.09 %, thanë se lufta kundër korrupsionit është “vetëm propagandë”.

Emigracioni vazhdon të mbetet një plagë serioze, sidomos në moshat 18-45 vjeç. Në dhjetorin e kaluar 44% e të rinjve pohuan se kanë aplikuar për emigrim, ndërsa rreth 20 përqind thanë se kishin në plan të aplikonin.

Pra, mbi 60% e popullsisë së re në moshë kërkon të largohet. Edhe në sondazhin e vitit 2017, për pyetjen “a e shihni emigrimin si rrugëzgjidhje për problemet tuaja?” afro 67% e qytetarëve thanë “po”, kundrejt 33% që thanë “jo”.

Mbështetjen më të madhe e ka marrë pyetja nëse duhej bërë një veting në radhët e politkës. Afro 94.52 % e qytetarëve thanë “Po”, se duhej një veting në politikë, ashtu siç po bëhet për gjyqtarët dhe prokurorët, ndërsa vetëm 5.48 % thanë “jo”.

Ky tregues, thanë autorët e studimit, dëshmon për pritshmëritë e qytetarëve nga drejtësia e munguar si dhe një apel që pandëshkueshmëria të marrë fund.

Sipas tyre, kjo shifër e lartë tregon se “ka një koalicion të gjerë të qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike, që të bëhet një pastrim i politikës nga persona që kanë lidhje me krimin, korrupsionin, abuzimin me ligjin dhe fondet publike.

voa

Luigi Soreca për DW: Manifestim paqësor, jo dhunë më 16 shkurt

Luigi SorecaAmbasadori i BE në Tiranë bën apel ekskluziv në Deutsche Welle për zhvillimin e një manifestimi paqësor në demonstratën e 16 Shkurtit në Tiranë. Mendoni për të ardhmen, thotë ai.

Opozita në Shqipëri ka paralajmëruar se të shtunën (16.02.2019) do të zhvillojë në Tiranë një protestë masive me sloganin ”Shqiptarët nuk janë të varfër, por janë të vjedhur”, me protestues nga i gjithë vendi. Sipas pohimeve publike pritshmëritë e opozitës nga rezultati i protestës janë largimi i kryeministrit Rama dhe formimi i një qeverie kalimtare që “do të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Burime zyrtare bëjnë me dije se Policia e Shtetit ka informacione që në protestë do të marrin pjesë edhe individë që mund të kryejnë akte dhune. Në këtë kontekst vëmendja e BE dhe e faktorit ndërkombëtar në Shqipëri që protesta të jetë paqësore është maksimale.

Soreca thirrje për të gjitha palët e përfshira

Deutsche Welle në Tiranë pyeti Ambasadorin e Delegacionit të BE në Shqipëri, Luigi Soreca, për domethënien e protestës dhe mesazhin e tij, në prag të zhvillimit të saj. “Ky është një moment me rëndësi për Shqipërinë në kuptimin që e drejta e tubimit, e drejta e fjalës, janë një pjesë thelbësore e çdo shoqërie demokratike. Por është gjithashtu e vërtetë që këto të drejta duhet të ushtrohen në mënyrë paqësore. Prandaj, presim një manifestim paqësor, që të mos kthehet në dhunë. Kjo është një thirrje për të gjitha palët e përfshira. Është e rëndësishme që të gjithë të jenë konstruktivë. Shqipëria duhet të fokusohet te detyrat që ka përpara dhe të gjitha palët duhet të bashkëpunojnë. Nuk ka kohë për të humbur, është koha për të shprehur mendime dhe pastaj të mendojmë për të mirën e të gjithë shqiptarëve.” theksoi ambasadori Soreca.

Ai i tha DW se “nga deklaratat më të fundit të organizatorëve, kuptohet që ata duan të sigurojnë që do të marrin të gjitha masat për të bërë të mundur që siguria e qytetarëve të përfshirë të jetë e garantuar. Ky është lajm i mirë dhe shpresoj që të gjitha palët e përfshira do ta respektojnë”.

Flisni pa dhunë, mesazhi juaj do të dëgjohet

Thirrja e BE për të shmangur incidentet e dhunës në protestën e të shtunës (16.02.) vjen kur opozita kërkon largimin e kryeministrit Rama, rënien e qeverisë së tij, formimin e një qeverie kalimtare me akademikë, për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të ndershme, që sipas opozitës qeveria Rama nuk mund t’i garantojë. Opozita akuzon qeverinë Rama se është e lidhur me krimin dhe ka fituar mandatin e saj të dytë, në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, me vota të vjedhura në Dibër, Lezhë, Durrës dhe Kavajë, bazuar në përgjimet e publikuara telefonike të prokurorisë. I pyetur nga DW për gjasat që palët të bëjnë ҫmos për të shmangur dhunën, ambasadori Soreca theksoi: “Mendoj që të gjithë e duan Shqipërinë dhe të ardhmen. Dhuna nuk do t’i lejojë ata që dëshirojnë të flasin që zëri i tyre të dëgjohet. Dhuna nuk ndihmon në përçimin e mesazhit. Ndaj thirrja ime është për ta: Flisni pa dhunë dhe mesazhi juaj do të dëgjohet.”

Masa të rrepta për shmangien e destabilitetit

Për të shmangur dhunën dhe destabilitetin e vendit, si pasojë e saj, policia është ngritur në këmbë. Albert Dervishaj, Drejtori  i Rendit, në Policinë e Shtetit, u bëri një apel publik  protestuesve që të ruajnë gjakftohtësinë gjatë zhvillimit të protestës. “Policia e Shtetit është duke u organizuar për mbarëvajtjen e tubimit duke bashkëpunuar me struktura brenda dhe jashtë vendit, me misionet policore të BE që janë në Shqipëri, me të cilat shkëmbejmë informacione. Ka indicie që individë të veçantë mund të tentojnë të kryejnë akte dhune. Thirrja ime si zyrtar i policisë është që secila palë të ruajë gjakftohtësinë. Policia do përpiqet të jetë garante e sigurisë. Nëse protesta përshkallëzohet do të veprohet në bazë të ligjit.”

Shqetësimi për shkarje të situatës drejt destabilitetit është i bazuar në precedentë të trazirave dhe dhunës në protestat e opozitës së djathtë në 1998 dhe asaj të majtë në vitin 2011, ku u vranë 4 protestues që nuk kishin armë. Prandaj protesta e 16 shkurtit do të jetë një test për shpresat e hapjes së negociatave me BE në qershor.

dw