Basha: Rama, afat deri të premten. Të shtunën, populli do ta zërë në çark si minjtë

BashaPesë ditë nga protesta e 16 shkurtit, Policia e Shtetit dhe Partia Demokratike replikuan në distancë për atë që mund të ndodhë të shtunën. Policia ndau shqetësimin për përfshirjen e individëve me precedentë penalë, të cilët synojnë sipas saj destabilitetin e vendit, skenar që u hodh poshtë nga selia blu.

“Partia Demokratike garanton çdo qytetar për sigurinë e tij në datën 16 shkurt. I bëjmë thirrje të heqë dorë nga çdo skenar destabilizues që ka mbi tryezën e tij! Në të kundërt, Edi Rama do të jetë i vetmi që do të mbajë përgjegjësi”, tha Bardhi.

Nga Elbasani reagoi edhe kryedemokrati.

“Do të jenë në krahun tonë edhe shumica e policëve të ndershëm. As policia s’ka për t’i mbrojtur ata minj, se policia është me popullin dhe s’mund të mbrojë kriminelët dhe politikanët e lidhur me ta”, tha Basha.

Në turin dyjavor të takimeve, udhëheqësi i opozitës ka zbuluar se, në protestë do të ketë më shumë aksion sesa fjalë. Në ndalesën e Pogradecit, Basha i vendosi si afat të fundit Ramës 15 shkurtin, duke e paralajmëruar me tone kërcënuese, për fatin që e pret.

“Deri të premten, 15 shkurt, ke kohë të hapësh rrugën, se më 16 shkurt, populli do të të trajtojë si kryeqen, kryehajdut dhe kryetrafikant. Populli do t’i zërë në çark si minjtë”, tha kryetari i opozitës.

Pogradecarët e kritikuan kryedemokratin se nuk ka bërë aq sa duhet për zgjidhjen e çështjes së pronave. Lulzim Basha, pasi fajin ua hodhi medieve, u premtoi anulimin e ligjit.

“Opozita pse nuk ka folur kaq vite për pronat? Nuk e keni ngritur zërin mjaftueshëm”, tha një qytetar.

“Spartak, arsyeja përse nuk e ke dëgjuar fjalën tonë është se mediet janë të kapura. Ligji që ata kanë bërë për të hequr kompensimin me vlerë tregu është rishpronësim. Atë që e bëri Enver Hoxha para 60 vitesh, e bën edhe ky ligj. Ne do ta rrëzojmë këtë ligj dhe ne do t’iu dëmshpërblejmë me vlerë tregu”, u përgjigj Basha.

Top Channel

Prodhimet nga Kosova dhe Shqipëria po zëvendësojnë importet nga Serbia

efekti i taksesTregu i mallrave në Kosovë, që nga vendosja e taksës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, ka pësuar ndryshime. Produktet e këtyre vendeve janë zëvendësuar me produktet vendore, ato nga Shqipëria, Maqedonia dhe nga disa vende të Bashkimit Evropian.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën doganore ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina fillimisht 10 për qind e më pas 100 për qind, është në fuqi që nga muaji nëntor i vitit të kaluar.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci, thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga vendosja e kësaj takse, ka pasur lëvizje të importeve të produkteve nga vendet tjera.

“Që nga vendosja e taksës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, ka pasur lëvizje të importit nga vendet tjera. Kryesisht në këtë lëvizje prin Shqipëria me rritje të importit prej 40 për qind, po ashtu ka rritje të produkteve me origjinë nga Maqedonia me 15 për qind. Nga vendet e Bashkimit Evropian është Gjermania, pastaj vendet si Sllovenia, Kroacia. Së fundit kemi pasur rritje të importit edhe nga Bullgaria dhe Italia”, thotë Stavileci.

Para vendosjes së takës doganore 100 për qind, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë.

Ky shtet në ditë ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro, derisa tani, sipas të Stavilecit, në ditë mesatarisht eksporton mallra në vlerë prej rreth 8 mijë euro.

“Tani kemi rënie të importit nga Serbia për 99 për qind. Ka raste kur në ditë kemi zero import të produkteve nga ky shtet. Nëse më herët kemi pasur 1.2 milion euro në ditë produkte të importuara nga Serbia, tani mesatarisht janë 7 deri në 8 mijë euro. Importi nga Serbia është kryesisht lëndë e parë dhe një pjesë e vogël e produkteve që paguajnë taksën 100 për qind”, tha Stavileci.

Përfaqësues të bizneseve thonë se tanimë bizneset tregtare në Kosovë kanë gjetur alternativa tjera të zëvendësimit të produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tha se kanë monitoruar tregun dhe furnizimin që nga vendosja e taksës dhe se janë parë ndryshime të mëdha në treg.

“Bizneset në muajin e parë kanë pasur vështirësi që të gjejnë zëvendësimet, në veçanti në sektorin e prodhimit, por edhe disa tregtarë të cilët e kanë pasur biznesin e tyre të orientuar në Serbi. Por, që tani këto produkte dhe lëndë të parë janë zëvendësuar”.

“Fillimisht ka pasur hezitim se kjo taksë nuk do të vazhdojë dhe ka pasur raste kur disa biznese e kanë ndalur prodhimin duke menduar se taksa do të hiqet, por deklaratat e kryeministrit (të Kosovës, Ramush Haradinaj) se taksa nuk do të hiqet deri në njohjen e Serbisë nga Kosova, i ka siguruar bizneset se kjo ka një afat të gjatë dhe se kjo taksë nuk do të hiqet dhe duhet të gjenden alternativa të tjera. Vendi i parë ku bizneset kanë kërkuar alternativa është Shqipëria. Vlen të theksohet se vitit i 2018 për herë të parë ka regjistruar shkëmbime tregtare me Shqipërinë në vlerë prej rreth 270 milionë”, thekson Shahini.

Vendosja e taksës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia, përveç efekteve ekonomike-tregtare, ka edhe efekte politike. Ajo po shihet si pengesë për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se bisedimet nuk do të vazhdojnë pa u hequr taksa.

Derisa, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Kosovës që ta heqë këtë masë, duke thënë se ajo nuk përkon me interesat amerikane.

Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cili vazhdon të mbetet në fuqi.

rel

Zgjidhja ende e largët: kriza e Kosovës

MitrovicaKa 20 vjet që “kriza e Kosovës” shfaqet në titujt e gazetave. Gjendja e staus quo-së ngjan më shumë me një paqe të bllokuar se sa me një paqe të vërtetë. Një prezantim i fakteve.

Si këto ditë 20 vjet më parë, në Rambouillet të Francës filloi konferenca ndërkombëtare e paqes për konfliktin që zgjaste disa dekada midis Serbisë dhe Kosovës, të banuar nga shqiptarët. Beogradi nuk pranonte asnjë propozim që i prezantohej. Më 24 mars 1999, NATO filloi ndërhyrjen ushtarake, të parën ndërhyje gjatë ekzistencës së saj. Bombat e NATO detyruan ushtrinë serbe dhe shumë njësi paramilitare, që të tërhiqeshin nga Kosova, pasi kishin detyruar dëbimin e 800 mijë shqiptarëve. Që prej asaj kohe, Kosova, e cila u bë më 2008 shteti më i ri i Europës dhe u nda nga Serbia, u vendos pak a shumë nën vëzhgimin ndërkombëtar. Trupa mbrojtëse e Kosovës, e drejtuar nga NATO, KFOR-i, u bë garanci për sigurinë. BE u përpoq për dhjetë vjet me radhë, që të formonte me misionin e saj më të madh jashtë BE-së, EULEX-in, një shtet juridik demokratik.

Gjendja

Kosova vazhdon të jetë një nga shtetet më të korruptuara. Mediat dhe drejtësia kanë ngelur varur në klanet e politikës. Kontrabanda e armëve, drogës dhe qenieve njerëzore janë „sektorët ekonomikë” më të rëndësishëm. Papunësia është e madhe. Kush ka mundësi të largohet migron në Europën Perëndimore. Në Serbi gjendja është e njëjtë, megjithëse vendi është zyrtarisht kandidat për t’u pranuar në BE. Komisioni i BE-së, ka parashikuar madje vitin 2025, si datë e mundshme pranimi. Megjithëse BE është duke ndërmjetësuar prej vitesh midis fqinjëve të armiqësuar, përparime për qetësimin e konfliktit të vazhdueshëm nuk janë bërë. Parlamenti serb sapo u tall me BE-në, duke e quajtur „tigër pa dhëmbë”.

Pse nuk janë duke u arritur përparime në këtë krizë, megjithëse SHBA dhe BE kanë vënë në dispozicion ushtri me diplomatë dhe ekspertë, si dhe miliarda euro? Gjendja është ashpërsuar madje javët e fundit. Linjat e bisedave midis Beogradit dhe Prishtinës janë shumë larg njëra-tjetrës.

Shqiptarët e Kosovës kanë marrë vendim të krijojnë ushtrinë e tyre. Reagimet e Serbisë luhaten midis indinjatës dhe mungesës së fuqisë. Prishtina vuri taksa 100 përqind për mallrat serbe, sepse Beogradi nuk do që ta njohë Kosovën, nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Dëmet ekonomike të Serbisë vlerësohen mbi 100 milionë euro. Javën e kaluar, parlamenti i Kosovës nxorri ligjin që e bën minierën e Trepçës kombëtare, megjithëse kjo sipërmarrje e rëndësishme është prej kohësh një pikë e diskutueshme midis dy vendeve fqinjë.

Mungon interesi në arritjen e përparimeve në konfliktin e Kosovës

Ekzistojnë disa pengesa të rëndësishme, që e pengojnë zgjidhjen e krizës së Kosovës. Sepse praktikisht askush nuk ka interes në zbutjen e shpejtë dhe afatgjatë të konfliktit. Presidenti i gjithëpushtetshëm serb, Aleksandar Vuҁiҁ, është një aktor shumë i mirë. Nuk dihet nëse ai është po aq i apasionnuar me shahun sa kolegu i tij rus, Vladimir Putin. Sidoqoftë, të dy politikanët e nivelit të lartë janë mjeshtra taktike në shahun politik të Ballkanit.

Sipas studimeve të fundit ka dalë se Moska nuk ka interes që t‘ i japë një përgjigje përfundimtare çështjes së Kosovës. Sepse nëse do ta bënte do të humbiste ndikimin në rajon. Prandaj pengon me veton e saj Këshillin e Sigurimit të OKB, që të marrë vendime për Kosovën, kundër interesave të aleatit të ngushtë, Serbisë. Dhe kështu qëndron e lidhur ngushtë me Serbinë, si vendin më të madh dhe më të rëndësishëm të Ballkanit Perëndimor.

Serbia

Vuҁiҁi i Serbisë është rritur me temën e Kosovës. Fillimisht ai ka qenë një nga mbështetësit e partisë së Slobodan Millosheviçit, që vdiq në Hagë, në Gjykatën ndërkombëtare për krimet e luftës, dhe që iu ngarkuan luftërat që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë. Vuҁiҁi ka shtatë vjet që qëndron në pushtet. Kjo falë premtimeve që i ka bërë Berlinit, Uashingtonit dhe Brukselit se do të punojë për një zgjidhje në çështjen e Kosovës. Për këtë Perëndimi i la dorë të lirë në politikën e brendshme. Askush nuk ka ushtruar kritika të ashpra që Vuҁiҁi ka ndërtuar një sistem autokratik pushteti. Nëse presidenti i jep vërtet fund konfliktit të Kosovës, atëherë ai nuk do trajtohej më në mënyrë speciale nga Perëndimi. Vuҁiҁi do të duhej të merrej me kritikat për mosrespektimin e institucioneve demokratike si dhe vënin nën kontroll të drejtësisë dhe mediave. Përveç kësaj, sipas të dhënave të veta, Beogradi i jep çdo vit 500 milionë euro pakicës serbe në Kosovë. Paratë administrohen pa kontrollin e askujt. Kështu që gjithnjë mund të mbetet diçka për xhepat e veta.

Kosova

Edhe në Kosovë udhëheqësit politikë nuk janë të interesuar në ndonjë paqe afatgjatë me fqinjin, Serbinë. Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj janë rritur në luftën e armatosur kundër Serbisë. Edhe sot ata marrin simpatinë nga populli nëpërmjet antiserbizmit. Si në Serbi ashtu edhe në Kosovë, opozita është shumë më radikale se sa qeveritarët. Në Beograd opozita nacionaliste akuzon Vuҁiҁin për tradhëti kombëtare, për shkak të gatishmërisë për bisedime me Prishtinën. Partia opozitare nacionaliste në Kosovë, Vetevendosje, do donte që sot të ndërpriste çdo lloj kontakti me Serbinë, derisa pavarësia të njihej nga Beogradi.

Vështrim

SHBA ka nën presidentin Donald Trump probleme krejt të tjera botërore, që e lënë Ballkanin mënjanë. BE duket se e ka ulur angazhimin, pas shumë proceseve të pasuksesshme ndërmjetësimi. Askush nuk beson se duke pasur parasysh zgjedhjet për Parlamentin Europian në maj, e ngarkuara me politikën e Jashtme të BE, Federica Mogherini, do të përdorë gjithë fuqinë që ka për të ofruar një zgjidhje të konfliktit të Kosovës. Çdo gjë tregon për ngrirjen e konfliktit të Kosovës. Kjo gjendje nuk e minimizon rrezikun e konflikteve të dhunshme.

dw

Pompeo porosit Evropën: Rezistoni ndikimit rus dhe kinez

PompeoSekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, porositi vendet e Evropës Lindore dhe Qëndrore që t’i rezistojnë ndikimit rus dhe kinez.

Pompeo po merr pjesë në manifestimet për 30 vjetorin e rënies së komunizmit.

Ai tha në Bratisllavë të Sllovakisë se Kina dhe Rusia përbëjnë një kërcënim të dyfishtë për përparimin e demokracisë dhe tregun e lirë, që nga rënia e Murit të Berlinit në vitin 1989.

Vendet e Evropës Lindore dhe Qëndrore, sipas tij, janë më të ndjeshme për shkak të “investimeve grabitqare” dhe ndërhyrjeve politike.

Sekretari amerikan i Shtetit, tha se për të luftuar këtë kërcënim, Shtetet e Bashkuara po rrisin angazhimin në rajon përmes një marrëveshjeje mbi bashkëpunimin e mbrojtjes dhe programeve të shkëmbimit.

Sekretari amerikan e filloi turin në Evropë me vizitën në Hungari ndërkaq ndalesa e dytë e tij ishte Sllovakia. Ai gjithashtu do të vizitojë Poloninë, Belgjikën dhe Islandën.

rel

Më 21 prill Maqedonia zgjedh presidentin e ri

parlamenti rmvKryetari i Parlamentit të Maqedonisë Talat Xhaferi ka shpallur edhe zyrtarisht zgjedhjet presidenciale, të cilat do të mbahen më 21 prill ndërsa raundi i dytë do të jëetë m 5 maj të këtij viti.

Kryetari i Parlamentit tё Maqedonisё, Talat Xhaferri, shpalli zyrtarisht zgjedhjet presidenciale duke bёrё thirrje pёr zbatimin e normave ligjore: “Qytetarë të nderuar unë jam i bindur se të gjithë palët e përfshira do të jenë të përgjegjshme për të organizuar zgjedhje të lira dhe demokratike meqë ato do të jenë kyç që vendi të marrë datë për fillimin e negociatave me BE-në”, theksoi kryeparlamentari. Partitë politike deri tani nuk kanë shpallur kandidatë për zgjedhjet që pasojnë.

Dy partitë më të mëdha maqedonase LSDM dhe VMRO-DPMNE kandidatët e tyre kanë vendosur t’i zgjedhin përmes konkursit publik. Nga partia e  kryeministrit Zoran Zaev LSDM  ende nuk kanë dalё me emër konkret për kandidat për president, një vendim të tillë sipas paralajmërimeve të deritanishme kjo parti do ta marrё më 3 mars kur edhe do të mbahet Kongresi i partisë.

“Duhet të bëjmë një analizë të përgjegjshme dhe te gjejmë personalitete, që mund të qëndrojmë ne si politikanë dhe parti politike.Të gjejmë një personalitet ku qytetarët do qëndrojnë bindshëm pas tij, ai do të ishte kandidati konsensual, i cili do t’i implementojë politikat e kësaj jete të shekullit 21. I bëj thirrje BDI, BESËS së Gashit, BESËS se Kasamit, Aleancës, Partive turke ti bashkojmë forcat. Deri mё 21 mars parashtrohen kandidaturat dhe ka mjaftueshëm kohë të analizojmë. Duhet të gjithë së bashku te gjejmë personalitetin e vërtetë ”, deklaroi Zoran Zaev kryeministër i Maqedonisë.

Dështimi momental i kandidatit konsensual midis BDI-së dhe LSDM-së erdhi si pasojë e mungesës së reciprocitetit midis partnerëve të koalicionit qeverisës, deklaron kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. “Unë nuk mund të votoj një kandidat që votohet në kongresin e LSDM-së, sepse nuk e duron elektorati. Unë në dasmë të huaj nuk shkoj, as në dasmë pa thirrur nuk shkoj dhe këto lëvizje që u bënë nga LSDM-ja janë të

papërgjegjshme, nga disa anëtarë të udhëheqjes, mua më vendosën në një situatë ta them me shpatulla për muri para elektoratit tim. Ne as patericë s’kemi qenë, as bisht nuk jemi, as nuk bëhemi dhe është bërë një analizë goxha e thellë dhe ne vendosëm që të dalim me kandidat tonin”,thekson kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. Megjithatë, Ahmeti i lë të hapura të gjitha opsionet deri në publikimin e kandidaturave në mars. Kreu i BDI-së fton edhe partitë shqiptare të jenë të matur në deklarimet e  tyre sa i përket mundësisë së kandidatit të përbashkët. Ahmeti thotë, se BDI është kundër një krize të re politike, e cila mund të krijohej me dështimin e presidencialeve.

BDI dhe LSDM ende besojnё në kandidatin konsensual

Deputeti i BDI-së Xhevat Ademi është shprehur optimist, se partnerët e koalicionit do të pajtohen për një kandidat të përbashkët. “LSDM-ja nuk ka përcakuar kandidaturë. Ata i ndjekin procedurat e veta partiake ashtu siç i ndjek BDI-ja. Ashtu siç BDI është larg nga emri i kandidatit për president, ashtu edhe LSDM-ja është larg nga kandidatura. Unë shpreh një mendim personal, kam informacion, bindje dhe shpresë se shumica parlamentare në emër të filozofisë së re që po ndërtohet në Maqedoni, në zgjedhjet  presidenciale, të bëj çmos që të dalë me kandidat konsensual”, thekson Xhevat Ademi deputet i BDI-së.

Zëvendëskryetarja e LSDM-së Radmilla Shekerinska beson se LSDM dhe BDI do të gjejnë zgjidhje të përbashkët mbi kandidatin për president të shtetit. “Unë besoj se koalicionet janë partneritet. Kjo do të thotë se askush nuk duhet të besojё verbёrisht. Jo vetëm me partnerët e koalicionit qeveritarë+, por edhe me partnerët e koalicionit parazgjedhor neve do të bisedojmë. Besojmë se parteritetet janë për t’u dëgjuar, biseduar dhe gjetur zgjidhjen e përbashkët për Maqedoninë”, thotë Radmilla Shekerinska.

Opozita maqedonase me më shumë kandidatë për president

Në partinё më të madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE janë kandiduar nëntë persona për postin e presidentit. Kandidatët do të prezantojnë programet e tyre deri më 16 shkurt kur do të mbahet konventa e partisë në Strugë, ku edhe do të përzgjidhet kadidati për president.

“VMRO-DPMNE do t’u mundësojë të gjithë të paraqiturve qasje të barabartë deri tek komitetet komunale të parties në periudhën deri më 16 shkurt, me qëllim që ata të prezantojnë programin dhe vizionin për Maqedoninë. Të gjithë kandidatët do të kenë trajtim të njëjtë dhe mundësi të njëjta për t’u përzgjedhur, në përputhje me parimet dhe demokracinë”,deklaron nënkryetari i VMRO-DPMNE-së Vllado Misajllovski.

Opozita shqiptare në kërkim të kandidatit për president

Aleanca për Shqiptarët është duke i shqyrtuar disa emra për kandidatë përzgjedhjet presidenciale thotë kryetari i ASH-së Ziadin Sela. “Ne nuk kemi nevojë të bëjmë garë që të dalim menjëherë me emra, në shqyrtim kemi disa emra të cilat do të diskutohen në Kryesinë Qendrore”, pohon Sela. Ai nuk deshi të bëjë të ditur emra pasi tha, se debati është duke vazhduar. Përveç zgjedhjeve presidenciale, ASH-ja është duke diskutuar edhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nënkryetari i Partisë Demokratike Shqiptare PDSH Azem Sadiku ka deklaruar se partia e tyre ende nuk ka vendosur se a do dalin në zgjedhje presidenciale me kandidatin e tyre. “Ne ende nuk kemi marrë vendim nëse do të dalim me kandidat për president, por mbisundon ideja të mos nxjerrim kandidat tonin partiak. Një gjë është e sigurtë, kandidati shqiptar nuk fiton dhe është detyrë e jona që të maksimalizojmë peshën e votës shqiptare”, shprehet Sadiku.

dw

Epidemi e fruthit në Shtetet e Bashkuara

VaksinaZyrtarët e shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje prindërve të vaksinojnë fëmijët për fruthin, pasi janë shtuar rastet e përhapjes së kësaj sëmundje. Më 5 shkurt, u njoftuan 50 raste të reja në shtetin Uashington, dhe pesë raste në Hjuston, të Teksasit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carol Pearson, shumica e rasteve janë fëmijë të pavaksinuar.

Fruthi u eliminua plotësisht në Shtetet e Bashkuara 19 vjet më parë. Rastet që shfaqen tashmë janë të importuara nga vende të tjera. Kjo po ndodh më shpesh.

“Fruthi është tmerrësisht ngjitës. Po hyri në komunitet është shumë i vështirë pasi transmetohet përmes ajrit”, thotë Dr. Camille Sabella, i Klinikës Cleveland.

Tetëmbëdhjetë shtete i lejojnë prindërit të mos i vaksinojnë fëmijët nëse kanë kundërshtime morale, personale ose filozofike.

Një epidemi e fruthit në shtetin e Uashingtonit ka alarmuar zyrtarët e shëndetësisë që po përpiqen ta izolojnë përhapjen.

“Shpresoj të jem gabim, por mendoj se rastet do të shtohen dhe do të përhapen në mbarë vendin nga kjo epiqendër”, thotë Dr. Jason Hanley, i Qendrës Mjekësore “PeaceHealth Southwest”.

Zonat rurale në Shtetet e Bashkuara kanë më shumë fëmijë të pavaksinuar. Por, edhe në qytete si Hjuston, Ostin dhe Siatëll ka nivel domethënës immunizimi të pamjaftueshëm.

Qyteti i Hjustonit njoftoi dy raste fruthi tek fëmijë nën 2 vjeç.

Doktorët dhe Shërbimit Mjekësor i SHBA-së po u bëjnë thirrje prindërve të vaksinojnë fëmijët.

“Dua që të jenë të gjithë vetëdijshëm se mbrojtja më e mirë është vaksinimi”, deklaroi për publikun amerikan kreu i Shërbimit Mjekësor, Gjeneral Jerome Adams.

Vaksina ka efikasitet prej pothuajse 100%. Doktorët rekomandojnë që fëmijët të marrin dy doza.

“Me një dozë të vaksinës, rreth 95% e fëmijëve imunizohen kundër fruthit. Arsyeja pse japim një dozë të dytë është pasi tek 5% e fëmijëve nuk ka efekt doza e parë. Pra, me dy doza, mbi 99% e fëmijëve janë të mbrojtur nga fruthi”, thotë Dr. Sabella.

Fruthi është sëmundje e rëndë dhe është veçanërisht e rrezikshme tek fëmijët e vegjël.

“Një e treta e këtyre rasteve përfundojnë në spital për arsye të ndryshme”, thotë Dr. Roberta DeBiasi, e Qendrës Kombëtare Mjekësore të Fëmijëve.

Komplikacione si pneumonia, encefaliti dhe enjtja e trurit, mund të shkaktojnë vdekjen ose dëmtime të pariparueshme.

Për këtë arsye, doktorët u bëjnë thirrje prindërve të vaksinojnë fëmijët.

voa

Revolucioni iranian që u kthye në një tmerr

HomeiniRegjimi në Iran i ka deri tani pozitat të forta falë dhunës dhe cenzurës, konstaton nga përvoja personale Jamshid Barzegar, në komentin e tij me rastin e 40 vjetorit të revolucionit. Por ndoshta jo edhe për shumë kohë.

Kur revolucioni islamik para më shumë se dyzet vjetësh arriti të dëbojë Shahun, unë isha vetëm shtatë vjeç. Por kisha qenë në demonstrata, në të cilat më merrte me vete familja. Për ta thënë më saktë, ajo pjesë e familjes që e mbështeste revolucionin. Edhe familja ime, si shumë të tjera, ishte ndarë në dy kampe: në një shumicë kundër shahut dhe në një pakicë kundër revolucionit.

Në muajt e fillimit diskutimet politike në shtëpi dhe në rrugë ishin të përditshme. Ndërsa në shkollë ne viheshim në radhë për të brohoritur parulla në nderim të Ayatollah Khomeinit dhe aleatëve të tij, mund të ndodhte që në rrugë përkrahës të partive kundërshtare të na mblidhnin për të thirrur slogane kritike kundër klerikëve, që kishin ardhur në pushtet. Në shtëpi ne fëmijët porositeshim vetëm që të ishim të kujdesshem dhe t‘i rrinim larg çdo rreziku.

Sepse pyetja, se me cilën palë duhej të ishe, nuk shtrohej fare më. Ne na merrnin nga shkolla dhe na çonin për të parë se si vareshin në litar „armiqtë e revolucionit”. Ky „emërtim kriminelësh” u ngjitet akoma edhe sot kundërshtarëve të Republikës Islamike dhe mjafton si arsyetim për dënime tepër të ashpra. Ekzekutimet, burgosjet, dhe dëbimet në mërgim janë instrumentet e preferuara të udhëheqësve të Republikës Islamike në konfliktet politike. Kjo nisi me ekzekutimet e oficerëve të ushtrisë dhe punonjësve të qeverisë së Shahut pak pas marrjes së pushtetit nga revolucionarët. Në vitet 80-të u likuiduan kryesisht pa gjyq mijëra ish kundërshtarë të shahut, që iu kundërvunë regjimit të Chomeinit. Dhe as më vonë sundimtarët nuk hezituan të hapnin zjarr mbi demonstruesit, si në vitet 2009 dhe 2018.

Dhunë kundër armiqve të sistemit

Një tjetër ngjarje, që ma bëri të qartë, se regjimi donte të mbahej në pushtet me ҫdo mjet, ishin të ashtuquajturat vrasje të njëpasnjëshme, ndër të tjera të shkrimtarëve. Unë atëherë isha gazetar dhe anëtar i Qendrës së Shkrimtarëve të Iranit. Në vjeshtën e vitit 1988 u gjenden në shtëpinë e tyre kufomat e copëtuara të Dariush dhe Parvaneh Forouhar, dy aktivistë me pikëpamje politike nacionaliste. Dy ditë më vonë u gjenden në shkretëtirë para dyerve të Teheranit kufomat e dy shkrimtarëve miq me njëri-tjetrin, Mohammad Mokhtari dhe Mohammad Jafar Pouyandeh, po ashtu anëtarë të Qendrës së Shkrimtarëve.

Pak më parë kishte patur një përpjekje për të rrëzuar në humnerë një autobuz udhëtarësh, në të cilin gjendeshin më shumë se njëzet shkrimtarë iranianë. Nëse takimet tona, ku sundonte një frikë e vagullt, ishin për anëtarët e rinj si unë një përvojë e re, ata më të moshuarit kujtonin atmosferën e viteve të para pas revolucionit, një kohë kur një poet i majtë u arrestua gjatë festës të dasmës së tij dhe u vra pak më pas nga një komando ekzekutimi. Megjithëse me këmbënguljen e presidentit reformator Khatami u zbulua, se ishin punonjësit e ministrisë famëkeqe të Sigurisë MOIS organizuesit e vrasjeve dhe pati edhe dënime, sistemi nuk pësoi tronditje nga kjo. Përkundrazi cenzura e shtypit u forcua edhe më shumë, pati valë të reja arrestimesh kundër gazetarëve dhe autorëve reformatorë.

Fronte të reja politike

Represioni i vazhdueshëm dhe i kudogjendshëm i ka lënë deri tani pak mundësi opozitarëve që të riorganizohen. Por në prag të dyzetvjetorit të revolucionit përvijohen edhe ndryshime në peisazhin politik, që në të ardhmen mund të çojnë në ndryshime të vërteta politike.”

Brenda aparatit të pushtetit ndarja në kampe – deri tani „hardliner” në njërën anë dhe „reformatorë” në tjetrën – është aq e paqartë si kurrë më parë në dhjetëvjeçarët e fundit. Por me zvenitjen e shpresës për një rrugëdalje nga gjendja e mjerë ekonomike, shtohet qartësia, që i distancon ithtarët e ndryshimit të sistemit si nga mbrojtësit e pakompromis të sistemit ashtu edhe nga reformatorët. Me fjalë të tjera: Tani ka dy kampe te reja, të cilat u përballën për herë të parë në protestat kombëtare gjatë ndërrimit të viteve 2017/2018. Në njërën anë mbrojtësit e status quosë dhe të Republikës Islamike, në anën tjetër përkrahësit e ndryshimeve rrënjësore, që do të nënkuptonin rrëzimin më në fund të sistemit sundues.

Në këta rreth njëzet vjet, që kur jam larguar nga Irani, në intervista dhe nga miqtë jam pyetur shpesh, se si do të vazhdojnë gjërat në Iran. Edhe tani më duhet të them, nuk e di. Por gjendja e sotme është e krahasueshme me atë të dyzet viteve më parë. Dhe ajo që ndodhi atëherë, e pati kapërcyer forcën e imagjinatës të shumicës së njerëzve.

dw

Konferenca e Sigurisë në Mynih: Bota si rebus dhe imagjinatë

BotaRendi botëror po shpërbëhet dhe europianët pyesin të shqetësuar: “Kush do i mbledhë copëzat?” Me këtë pyetje merret sivjet Konferenca e Sigurisë në Mynihut. Përgjigja nuk jep vetëm kurajo.

Konferenca e Sigurisë që zhvillohet në Mynih, është një nga më të rëndësishmet dhe më të mëdhatë në botë, në konferencat e kësaj natyre. Në të takohen rreth 40 kryetarë shtetesh dhe qeverish dhe 100 ministra, mes tyre kancelarja gjermane Angela Merkel, zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov. Kur delegacionet do të vijnë ditën e enjte në kryeqytetin e landit të Bavarisë, atëherë ata do të gjejnë në dosjen me dokumenta të konferencës, raportin e ashtuquajtur “Raport i Sigurisë së Mynihut” (MSR). Ky raport flet në 100 faqe për temat dhe rëndësinë e tyre para këshillimeve për gjendjen në të cilën gjendet bota.

Dhe kjo siç dihet është shqetësuese. Kryetari i konferencës, Wolfgang Ischinger shkruan në raport: “Një fazë e re matje forcash është duke filluar midis SHBA, Kinës dhe Rusisë, paralelisht me vakumin e pushtetit të krijuar nga jo që shihet si rendi ndërkombëtar liberal”.

SHBA dhe presidenti Donald Trump tregojnë pak interes për pakte ndërkombëtare, ato venë hapur në pikëpyetje institucione si NATO dhe Kombet e Bashkuara. Edhe më keq: SHBA me Trumpin duan që të mos luajnë më rol drejtues mbi botën e lirë. Në vend të kësaj, ata kanë nxjerrë në rend të ditës, “entuziazmin irritues për “burra të fortë””. Aleatët transtatlantikë duhet ende ta kapërdijnë kur Trump lëvdon udhëheqësit joliberalë, qoftë të Brazilit apo të Filipineve, thuhet në Raportin e Sigurisë.

“Por ka edhe dritë,” thotë Ischinger në një konferencë shtypi të mbajtur të hënën, lidhur me raportin e sigurisë. Si “sinjal jashtëzakonisht të shkëlqyeshëm,” sheh Ischinger për shembull që mbas irritimeve me Trumpin, “dyfishi apo trefishi i anëtarëve të kongresit amerikan që marrin pjesë kanë kërkuar të flasin, në krahasim me të kaluarën”. Shprehimisht ai përmendi praninë e Nancy Pelosit, zëdhënëses së Dhomës së Përfaqësuesve amerikanë dhe senatorin repoblikan, Mitt Romney.

Rivalitete të reja

SHBA ka identifikuar “Kinën dhe Rusinë si sfiduesit më të rëndësishëm strategjik”, thuhet në raport. Rivaliteti i ri midis tre fuqive të mëdha shprehet në mënyra të ndryshme. Kështu për shembull aktualisht është ndezur konflikti midis Uashingtonit dhe Pekinit, kryesisht për çështjet tregtare dhe ekonomike. Rusia dhe Kina nga ana tjetër e shohin veten në aleancën e tyre të autokratëve, si kundërshtarë të bashkuar të perëndimit, por ata përgjojnë njëri tjetrin në konkurencën gjeopolitike.

Midis Rusisë dhe SHBA nga ana tjetër, ekziston rivalitet kryesisht në politikën e armatimit. Edhe këtu raporti jep pak shpresë për ndonjë përmirësim të shpejtë. Pas daljes nga pakti INF për ndalimin e raketave me rreze të mesme veprimi, edhe pjesë të tjera të kontrollit të armatimeve paraqiten keq. Kështu për shembull, duket si “pak e mundshme”, që Moska dhe Uashingtoni të kërkojnë të ashtuquajturën “Pakt të ri për START”, paktin për armët nukleare strategjike, i cili skadon më 2021. Dhe Europa, që nuk duket të përparojë në gjithë këto lojëra të planeve strategjike?

“Bashkimi Europian është i përgatitur keq”, për konkurencën e re të të mëdhenjve; këtë e tregon jo vetëm debati për “autonomi strategjike” të kontinentit të vjetër. Aktualisht kurrkush nuk ka ndonjë “plan B” në sirtrar, me anë të së cilës Europa të emancipohej nga politika e sigurisë. “2019 nuk do të jetë më vit i fatit për Bashkimin Europian në kuptimin e ngushtë të fjalës,” thotë Ischinger në konferencën e shtypit të mbajtur të hënën, duke patur parasysh zgjedhjet europiane dhe krijimin e një komisioni të ri. BE duhet të tregojë se është e gatshme që ” përmes vetë-pohimit të luftojë për zbatimin e interesave të veta”.

Ku janë rojet e rendit liberal

Ndërkohë që rendi botëror po rrëshqet drejt “një interregnumi të ri”, mbrojtësit e vlerave liberale që kanë mbetur janë duke u munduar me ndershmëri, që të kapërcejnë këtë fazë të mungesës së sigurisë dhe stabilitetit, thuhet më tej në raport. Raporti thotë se “disa kandidatë nuk janë në gjendje të luajnë rolin e mbrojtësve të rendit liberal, megjithëse kanë vullnetin për ta bërë këtë. Të tjerët janë pak në gjendje, por nuk kanë vullnetin ose janë të paaftë për të nxjerrë në pah aftësitë e tyre”.

Në raport diskutohet cilat janë hapësirat dhe potencialet e vendeve si Kanadaja apo Japonia. Një kapitull më vete merret me Britaninë e Madhe si një vend, që ka venë vulën për rendin liberal botëror dhe ka shumë për të ofruar në politikën e sigurisë, por është ekspozuar tani së bashku me partnerët në Brexitin. Edhe nëse në Londër, Paris dhe Berlin thuhet gjithnjë se edhe në të ardhmen do të vazhdojë bashkëpunimi, është e qartë që tani “se procesi i Breksitit do të lerë plagë në të dyja anët e kanalit”.

Thirrje për aleancë të multilateralistëve

Kush do i mbledhë copëzat e shkëputura të rendit botëror? Duke patur parasysh Konferencën e Sigurisë që mbahet në Mynih, kancelarja Angela Merkel tha në një mesazh të dhënë me video, se do të punojë për ruajtjen e institucioneve ndërkombëtare. Kjo është tani “po aq e rëndësishme sa në kohët e Luftës së Ftohtë”. Gjermania mbështet rendin liberal botëror. Ministri gjerman i Jashtëm, Heiko Maas bëri para pak kohësh thirrje për krijimi e një “aleance globale të multilateralistëve”. Por sa e vështirë është ajo, që ta vësh në jetë e tregon bashkëpunimi me Francën, partnerin pa dyshim më të rëndësishëm të Gjermanisë në Europë.

Një sondazh i ri i Fondacionit Friedrich Ebert, tregon se 42 përqind e francezëve, por edhe 59 përqind e gjermanëve janë që vendi i tyre të qëndrojë të paktën neutral në rendin ndërkombëtar. Intervenimet ushtarake në konflikte, i refuzojnë për vendin e tyre më shumë gjermanë (65 përqind) se sa francezë (50 përqind). Kjo pasqyrë tregohet në proceset e ndryshme politike dhe kulturën strategjike në Berlin dhe Paris. “Kriza aktuale e partneritetit transatlantik është për Gjermaninë një sfidë më e madhe se sa për Francën, e cila ka ndjekur gjithnjë një afrim të pavarur të kësaj çështjeje,” thuhet në raport.

Se si do të zgjidhen këto dallime politikisht, duhet sqaruar shpejt midis Berlinit dhe Parisit. Por kancelarja gjermane Merkel dhe presideneti francetz Macron, nuk do të kenë mundësi për këtë në Mynih. Kryetari i shtetit francez njoftoi pak ditë më parë se nuk do të marrë pjesë në konferencë, për shkak të vështirësive në detyrimet e politikës së brendshme.

dw

Këshilli i Sigurimit shkurton numrin e mbledhjeve për Kosovën

United NationAnëtarët e Këshillit të Sigurimit u pajtuan të enjten që të shkurtohet numri i takimeve për Kosovës që mbaheshin çdo tre muaj deri tash. Me kërkesën e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane, u vendos që gjatë këtij viti të mbahen tri, ndërsa në vitin 2020 dy takime.

Vendimi u mor para takimit të së enjtes i cili sërish u përshkua me qëndrime tërësisht të kundërta të Kosovës dhe Serbisë ndërsa u mbizotërua nga çështja e tarifave të Prishtinës ndaj mallrave serbe, që ishte edhe pjesë e raportit të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, tha se vënia e tarifave “është e palogjikshme” dhe politikisht e motivuar. Sipas tij, tarifat po e pengojnë vazhdimin e bisedimeve dhe se vendi i tij beson se bisedimet janë e vetmja mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura”.

Ai mirëpriti kërkesat ndërkombëtare për heqjen e tarifave, por kërkoi më shumë trysni ndaj Kosovës për një gjë të tillë. Shefi i diplomacisë serbe kërkoi që të mos shkurtohet Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe të vazhdojnë takimet e Këshillit të Sigurimit.

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, tha se është e papranueshme që takimet në Këshillin e Sigurimit “janë shndërruar në teatër nga Serbia përmes gënjeshtrave që as ata nuk iu besojnë. Kjo dhomë është duke u keqpërdorur për të treguar përralla e tregime fiktive nga Serbia”.

Ajo theksoi se UNMIK-u nuk ka rol dhe as mandat për ta ushtruar në Kosovë, ndërsa i bëri thirrje Serbisë që të “çlirohet nga Kosova” dhe ta njohë realitetin.

Ambasadorja Çitaku tha se vendimi i qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarifave ndaj mallrave serbe, shtoi ajo, nuk ishte përgjigje ndaj fushatave agresive të Serbisë kundër Kosovës dhe se ajo po përdoret nga Serbia për të kushtëzuar bisedimet.

Ambasadorja britanike në Kombet e Bashkuara, Karen Pierce, shprehu keqardhjen që “nuk dëgjoi nga njëri prej folësve asnjë keqardhje, asnjë pranim të fajësisë për krimeve të luftës që janë bërë në terren dhe krimet që janë përcaktuar dhe përkufizuar nga Gjykata Ndërkombëtare që u themelua nga ky Këshill”, tha ajo

Ajo u bëri thirrje të dyja vendeve që të shfrytëzojnë bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe të shmangin veprimet që nxisin tensione.

Përfaqësuesi amerikan, Jonathan Cohen, tha se është e mundshme që një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, të arrihet në vitin 2019, ndërsa vuri theksin tek mbështetja që kësaj mundësie i ka dhënë presidenti Donald Trump.

Ambasadori i Gjermanisë në Këshillin e Sigurimit, tha se e vetmja rrugë për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian është njohja e Kosovës, ndërsa kritikoi fushatën e ministrit serb Daçiç për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

“Duke i nxitur vendet që ta tërheqin njohjen e Kosovës, ju jeni duke e qëlluar veten në këmbë dhe nuk e kuptoj këtë”, tha ai.

Ai tha se vendi i tij kundërshton çdo mundësi për ndryshimin e kufijve në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi.

“Asnjë në marrëveshje e Brukselit nuk flet për ndryshimin e kufijve apo shkëmbimin e territoreve. Ne në Gjermani mendojmë se këto përpjekje janë të rrezikshme për rajonin dhe e destabilizojnë atë”, tha ai.

Të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit i kërkuan Kosovës heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe.

Maqedonia në pritje të dekretimit të zgjedhjeve presidenciale

fletevotimetZgjedhjet presidenciale në Maqedoni pritet të shpallen të premten nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. Bazuar në deklarimet e deritanishme të zyrtarëve, ato pritet të mbahen më 21 prill dhe 5 maj, në dy rreth zgjedhore. Partitë politike nga ana tjetër ende nuk kanë zyrtarizuar kandidatët e mundshëm për pasardhësin e Gjorge Ivanovit, kreut aktual të shtetit.

Kryeministri Zoran Zaev, njëherësh kryetar i Lidhjes Social Demokrate (LSDM) në pushtet, deklaroi se në ditët në vijim do të bisedojë me partnerët e koalicionit, partitë jashtëparlamentare, por edhe me drejtues të shoqërisë civile, për gjetjen e një kandidati sa më të pranueshëm për të parin e shtetit.

“Ju bëj thirrje të gjitha palëve që të bëjmë një analizë të përgjegjshme dhe të gjejmë personalitet që mund të qëndrojmë ne si politikanë dhe parti politike. Të gjejmë një personalitet që do të ketë mbështetjen e qytetarëve, që do të ishte një kandidat konsensual, i cili do t’i zbatojë politikat e shekullit 21… Deri më 21 mars parashtrohen kandidaturat dhe ka kohë të mjaftueshme që të analizojmë situatën. Duhet të gjithë së bashku të gjejmë personalitetin e vërtetë”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Si kandidat të mundshëm për president nga LSDM-ja më parë janë përmendur, Stevo Pendarovski, ish-kandidat për president në zgjedhjet e kaluara, Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm, Nikolla Dimitrov, ministër i Jashtëm dhe Radmilla Sheqerinska, ministre e Mbrojtjes.

Nga ana tjetër, për Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) – që është pjesë e koalicionit qeverisës – emrat e tillë bazuar në qëndrimet e fundit, janë të papranueshëm, pasi kjo parti kërkon një kandidat konsensual, që të jetë i pranueshëm nga të gjithë, e jo i propozuar nga organet e LSDM-së.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në një intervistë për televizionin publik ka thënë se “BDI nuk dëshiron të jetë vasal apo bisht i LSDM-së dhe të mbështesë ndonjë kandidat të propozuar nga LSDM-ja”.

Kjo parti ka dalë me disa emra për kandidat konsensual, por që janë hedhur poshtë nga LSDM-ja.

Megjithatë, dy partitë ende nuk e konsiderojnë të mbyllur çështjen e kandidatit të përbashkët.

“Kam edhe informacion, kam edhe bindje, kam edhe shpresë se shumica parlamentare, në emër të filozofisë së re që po ndërtohet në Maqedoni, në zgjedhjet presidenciale do të bëjë çmos që të dalë me një kandidat të përbashkët”, ka deklaruar deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi.

Ndërkohë, VMRO-DPMNE-ja e opozitës në zgjedhje me gjasë do të garojë e vetme dhe kandidatin e saj për president do të zgjedhë në kongresin partiak të caktuar për javën e ardhshme në Strugë. Në lojë janë nëntë emra, por si më seriozë shihen kandidaturat e Gordana Siljanovskës, profesoreshë universitare dhe e Vllatko Gjorçevit, deputet i kësaj partie.

Partitë opozitare shqiptare ende nuk kanë një qëndrim të prerë, por zyrtarë të Aleancës për Shqiptarët dhe të Lëvizjes Besa nuk e kanë përjashtuar mundësinë e caktimit të një kandidati të përbashkët. Paraprakisht, thirrje për një kandidat të përbashkët shqiptare kishte edhe nga BDI-ja, por kjo është hedhur poshtë nga Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët duke theksuar se “shqiptarët duhet të përbuzin çdo fjalë që del nga goja e BDI-së”.

Zgjedhjet presidenciale shihen si test për partitë e pushtetit dhe të opozitës, pas arritjes së Marrëveshjes për emrin, pasi dy blloqet politike maqedonase kanë pasur dallime e akuza të rënda mes tyre, lidhur me marrëveshjen që i ndërron emrin shtetit në Maqedonia e Veriut. (rel)