Diplomatët amerikanë kërkojnë rihapjen e bisedimeve Kosovë – Serbi

Ambasadoret Prishtine BeogradAmbasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett dhe ai ne Beograd, Kyle Scott, thanë të premten se Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin veprimet që sigurojnë rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe nëse e bëjnë këtë, është e mundur një marrëveshje normalizimi brenda vitit 2019.

Ata i bënë këto komente në një shkrim të përbashkët në të cilin theksohet se “udhëheqja politike e matur e vizionare mund të çojë te një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, marrëveshje që në thelb e ka njohjen e ndërsjellë”.

Ata shkruajnë se kjo do të vinte themelin për një të ardhme më paqësore dhe më të begatshme për të gjithë popujt në rajon.

Për këtë arsye sot bëjmë thirrje: është koha që Kosova ta pezullojë taksën, që Serbia të përgjigjet në mënyrë konstruktive, që të marrin fund provokimet nga të dy anët, që Beogradi dhe Prishtina t’i kthehen dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe që të dyja palët ta përqafojnë paqen guximshëm. Nëse e bëni këtë, jemi optimistë se mund të arrini një marrëveshje historike për normalizim në 2019-ën”.

Diplomatët theksojnë se palët e kanë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës “dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju ndihmuar që të keni sukses dhe të ndërtoni besimin e nevojshëm për ta ndërtuar dhe zbatuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse”.

Në shkrim citohen letrat që presidenti Donald Trump u dërgoi udhëheqësve të Serbisë dhe Kosovës për t’i nxitur të dyja vendet që “ta shfrytëzojnë këtë çast dhe për të treguar udhëheqje politike në marrjen e vendimeve që i marrin parasysh interesat e të dy vendeve”.

Në shkrim theksohet se “Shtetet e Bashkuara nuk e caktojnë dhe nuk do të caktojnë se si duhet të duket zgjidhja, por besojnë se duhet të jetë e zbatueshme në Kosovë dhe në Serbi dhe duhet t’i ndihmojë qëndrueshmërisë afatgjatë të rajonit. Iu takon prijësve dhe ekipeve të tyre për t’i rifilluar bisedimet që udhëhiqen nga BE-ja për të hulumtuar çka është e mundshme dhe për të komunikuar në mënyrë të hapur me qytetarët e tyre – për të siguruar se negociatat pasqyrojnë vullnetin e popullit dhe për t’ju ndihmuar për të tejkaluar ankthin dhe dyshimin”.

E kuptojmë se kjo nuk është e lehtë”, thuhet në shkrim. “Nuk jemi të verbër përpara ngjarjeve historike dhe tensioneve të vazhdueshme që kanë sjellë te mosbesimi dhe keqkuptimi që e rëndojnë marrëdhënien. Për këtë arsye, çfarëdo marrëveshje duhet të jetë e gjerë dhe e leverdishme për të anët, për t’ju dhënë të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë hise në suksesin e saj. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për të punuar me Serbinë dhe Kosovën për të siguruar që të dy anët në mënyrë efektive e ndërtojnë dhe e zbatojnë një marrëveshje jetëgjatë. Hapat e kohëve të fundit të ndërmarrë si nga Beogradi, po ashtu edhe nga Prishtina që ngrenë tensionet duhet të ndalen nëse do të ketë ndonjë shpresë për të mundësuar paqe, mbarësi dhe drejtësi të përhershme në rajon. Nëse të dy anët dështojnë për ta shfrytëzuar këtë mundësi, rrezikoni ta humbisni mundësinë më të mirë në një brez”.

Ata tërheqin vërejtjen se “status quo-ja ka shkaktuar ngecje të përparimit ekonomik dhe politik në të dy vendet, si dhe ka bërë që profesionistët dhe të rinjtë ta kërkojnë të ardhmen e tyre në vende më të qëndrueshme, me ekonomi më dinamike. Në vend të tyre po zënë rrënjë krimi i organizuar, korrupsioni dhe elementet e tjerë ekstremistë duke kërcënuar sigurinë në rajon dhe në Evropë”.

Në shkrim theksohet se asnjëri vend nuk përfiton nga pengesat dhe vonesat e vazhdueshme. “Qytetarët e Serbisë dhe Kosovës meritojnë të ardhme ku fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve të njohin paqen dhe mbarësinë e jo konfliktin dhe vështirësitë ekonomike.

Një marrëveshje kompromisi, e qëndrueshme dhe e zbatueshme, është në interes të të dy vendeve. Qëndrueshmëria dhe mbarësia afatgjatë e Kosovës dhe Serbisë varen në kthimin te dialogu i udhëhequr nga BE-ja dhe guximi për të tejkaluar të kaluarën dhe të për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët. Nëse Serbia dhe Kosova janë të gatshme për tu nisur në këtë shtegtim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë përkrah jush në çdo hap të rrugës”, shuhet në shkrimin e përbashkët të diplomatëve amerikanë.

Aktualisht bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës që për pak ditë do të kremtojë 11 vjetorin e pavarësisë dhe Serbisë që refuzon të njohë atë, janë pezulluar për shkak të tensioneve ndërmjet të dyja palëve.

voa

Refuzim vizave amerikane 170 zyrtarëve shqiptarë

USA AmbasadaJanë mbi 170 zyrtarë dhe ish zyrtarë shqiptarë, së bashku me familjet e tyre, të cilëve, që prej vitit 2017 e deri më sot, u është mohuar ose revokuar viza për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky fakt u bë i ditur sot nga ambasada amerikane në Tiranë në një deklaratë për gazetën Panorama. ““Ambasada e SHBA vazhdon të ushtrojë autoritetin e vet të gjerë për të mohuar dhe revokuar viza bazuar në informacione që tregojnë se një individ mund të jetë i papranueshëm në Shtetet e Bashkuara dhe do të vazhdojë ta përdorë këtë autoritet për të çuar përpara përpjekjet antikorrupsion në Shqipëri”, shpjegon selia diplomatike amerikane ndërsa thekson më tej se ajo i merr “shumë seriozisht pretendimet për korrupsion dhe do të vazhdojë të shqyrtojë vizat dhe aplikimet për vizë të zyrtarëve publikë me kontroll shtesë”.

Në fillim të vitit 2017, ambasada amerikane njoftoi se i kishte refuzuar vizën një grupi prej disa gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë të nivelit të lartë, mes të cilëve dhe Prokurorit të Përgjithshëm të kohës Adriatik Llalla. Në 2018-ën, me vendim të Sekretarit amerikan të Shtetit, zotit Llalla dhe familjes së tij, ju ndalua përgjithmonë hyrja në Shtetet e Bashkuara. Ndaj zotit Lalla që prej vitit të shkuar ka nisur një hetim, nën dyshimet për disa vepra penale, që nga korrupsioni te pastrimi i parave. Një vendim i ngjashëm me atë ndaj ish kryeprokuorit është marrë dhe ndaj deputetit Tom Doshi, i rreshtuar në krah të shumicës aktuale.

“Pozicioni i Ambasadës së SHBA kundër korrupsionit dhe synimi i saj për t’iu mohuar hyrjen në Shtetet e Bashkuara zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar mbetet i pandryshuar”, përfundon deklarata e sotme e selisë diplomatike amerikane në Tiranë.

Në Shqipëri fenomeni i korrupsionit vlerësohet të jetë gjerësisht i përhapur dhe në nivele shqetësuese. Raporti i fundit i Trasparency International, e renditi Shqipërinë në vendin e 99-të, ndryshe nga një vit më parë kur ajo ishte e 91-ta. Raporti që përfshinë 180 vende të botës përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zero tregon për një vend shumë të korruptuar. Sipas Trasparency International “duke qenë vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Shqipëria ishte përmirësuar gjatë pesë viteve të fundit me pesë pikë. Por, krahasuar me një vit më parë ajo ka shënuar rënie për dy pikë, nga 38 në 36 në krahasim me vitin e kaluar. Kjo mund të jetë për shkak të një ngërçi politik që bllokoi disa reforma anti-korrupsion të ecin përpara. Me një proces të ri të vettingut dhe kuadrin institucional të kundër korrupsionit pothuajse të plotë, mbetet për t’u parë nëse Shqipëria do të përmirësojë rezultatin e saj në të ardhmen”, vlerësonte raporti.

voa

Ulet frekuenca e takimeve të KS për Kosovën

K;shilli i SigurimitAnëtarët e Këshillit të Sigurimit kanë rënë dakord për uljen e frekuencës së takimeve për Kosovën.

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit kanë gjetur një kompromis në çështjen e ndryshimit të frekuencës së takimeve që mban për tu për aktivitetet e UNMIK-ut dhe për gjendjen në Kosovë nga raportimi i Sekretarit të Përgjithshëm.

Që nga viti 1999, kur u nxorr rezoluta 1244, ka qenë kthyer në rregull që çdo tre muaj Sekretari i Përgjithshëm i OKB të informonte Këshillin e Sigurimit për gjendjen e sigurisë, të drejtave të njeriut dhe të tjera në Kosovë. Po ashtu Këshilli i Sigurimit informohet një herë në tre muaj nga shefi i misionit të OKB, për aktivitetet e UNMIK. Ky ritëm nuk ka ndryshuar që atëherë, pavarësisht ndryshimeve që kanë ndodhur në Kosovë.

Prandaj vendet anëtare të Këshillit të Siiguriit që e kanë njohur Kosovën kanë kohë që kërkojnë që ritmi i takimeve informuese të ndryshojë, sepse gjendja në Kosovë është më e stabilizuar dhe se kriza të tjera në botë kërkojnë forcat dhe energjitë e Këshillit të Sigurimit. Por ato vende që nuk e kanë njohur Kosovën kanë këmbëngulur në të kundërtën.

Në muajin gusht të 2018, Mbretëria e Bashkuar, mbajti presidencën e radhës së Këshillit të Sigurimit dhe inicoi zgjerimin e afatit të mbajtjes së takimeve për Kosovën nga tre në katër muaj. Ideja u kundërshtua nga Rusia dhe anëtarë të tjerë të KS. Edhe tani në muajin shkurt, Mbretëria e Bashkuar inicoi diskutimin për të gjetur një kompromis në ciklin e raportimeve, duke mos e mbajtur takimin tani në muajin shkurt. Deri një ditë më parë, nuk ishte e sigurt nëse takimi do të mbahej apo jo.

Një kompromis ka qenë mbajtja e takimit të KS tani në muajin shkurt, dhe shtyrjen e afatit për takimet e tjera. Në vitin në vijim do të ketë edhe dy takime të tjera, një në qershor dhe një në muajin tetor. Kurse vitin e ardhshëm, më 2020 Këshilli i Sigurimit do të mblidhet vetëm dy here në vit, më prill dhe tetor. Se si do të zhvillohet më tej do të varet nga situata në vend, thotë në një njoftim presidenti i Këshillit të Sigurimit.

Vendet e P3 të Këshillit të Sigurimit, pra treshja e përhershme, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca kërkojnë edhe ndryshimin e mandatit të UNMIK. Nuk dihet çfarë është diskutuar dhe rënë dakord për këtë pikë.

dw

Fjalimi i Presidentit Trump drejtuar vendit dhe përgjigja e demokratëve

TrumpNë fjalimin e tij të dytë drejtuar vendit, Presidenti Donald Trump parashtroi një axhendë, ku u përfshinë thirrjet për bashkëpunim dhe unitet mes dy partive kryesore politike në Shtetet e Bashkuara. Por Presidenti u shpreh me kritika për ato që ai i cilësoi “hetime qesharake me ngjyra partiake” dhe i qëndroi fort kërkesës së tij për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit jugor të vendit.

Presidenti Trump theu traditën, duke e filluar fjalimin e tij drejtuar vendit pa pritur prezantimin nga kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, me të cilën ai ka patur përplasje gjatë javëve të fundit.

“Ne duhet të hedhim poshtë politikat hakmarrëse, të kundërshtimit dhe ndëshkimit,”- tha Presidenti.

Siç është zakon, zoti Trump dha një listë të gjatë të arritjeve të tij.

“Nuk ka asgjë në botë që mund të konkurrojë me Amerikën.”- tha ai.

Por nuk vonoi t’i vinte radha imigracionit një çështje për të cilën Presidenti ka hasur në rezistencën e demokratëve, që vazhdojnë të kundërshtojnë kërkesën e tij për një fond prej $5.7 miliradë dollarësh për ndërtimin e murit me Meksikën.

“Në të kaluarën, pjesa më e madhe e njerëzve të kësaj Dhome kanë votuar për murin, por kurrë nuk u ndërtua muri i duhur. Unë kam për ta ndërtuar atë.”- tha zoti Trump.

Mosmarrëveshja për murin solli mbylljen e pjesëshme të qeverisë për 35 ditë. Nëse deri më 15 shkurt nuk arrihet një marrëveshje, rrezikon të ketë një mbyllje tjetër të qeverisë.

“Ai nuk u dha demokratëve asgjë nga ato që ata duan të dëgjojnë. Nuk u bëri ndonjë ofertë, nuk propozoi ndonjë kompromis. Unë mendoj që ai nuk ju afrua një zgjidhjeje.” – tha Todd L. Belt, nga Universiteti “George Washington”.

Ligjvënëset gra të Partisë Demokrate ishin veshur në mënyrë simbolike me të bardha, për të nderuar lëvizjen militante që u kurorëzua me të drejtën e grave për të votuar.

Pjesa më e madhe e tyre nuk duartrokitën gjatë fjalimit të Presidentit, me përjashtim të pjesës kur ai ofroi “degën e ullirit”, për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve dhe kur tha se sot, një shekull pas lëvizjes së grave për të drejtën e votës, një numër rekord grash janë të zgjedhura në Kongres.

Duke folur për politikën e jashtme, Presidenti Trump shprehu mbështetje për ndryshimin e regjimit në Venezuelë dhe mburri sukeseset e tij, si lufta tregtare me Kinën, tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga traktati për armët bërthamore me Rusinë, pakësimi i tensioneve me Korenë e Veriut dhe vazhdimi i presionit ndaj Iranit.

Zoti Trump theksoi në fjalim elemente të axhendës dypartiake, si fuqizimi i infrastrukturës, lejet e paguara, ulja e kostos së shërbimit shëndetësor, çrrënjosja e virusit HIV që shkakton SIDË-n dhe kancerit tek fëmijët. Por ai po ashtu bëri thirrje për çështje të rëndësishme për bazën politike të partisë së tij, si ligjin për ndalimin e aborteve në fazat e avancuara të shtatzanisë dhe kritikoi hetimin mbi mundësinë e bashkëpunimit të fushatës së tij presidenciale me Rusinë në zgjedhjet e 2016-ës.

“Nëse duam paqe dhe miratimin e ligjeve, kjo nuk arrihet me luftë dhe hetime,”- tha Presidenti.

Përgjigjen e demokratëve ndaj Fjalimit të Presidentit për Gjendjen e Vendit, e dha Stacey Abrams, Kryetare e Demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit Xhorxhia. Ajo foli për të drejtën e votimit:

“Duhet ta refuzojmë cinizmin, sipas të cilit të lejosh të numërohet çdo votë legjitime është ‘kapje e pushtetit’”.

Zonja Abrams parashtroi axhendën e partisë së saj, që nga barazia martesore, shërbimi shëndetësor, apo kundërvënia ndaj racizimit.

“Unë mendoj se mesazhi i zonjës Abrams, një grua me ngjyrë, e cila nuk vjen nga klasa politike është në fakt vizioni i Partisë Demokrate sot”- tha analistja Sherri Bebitch Jeffe.

Një tjetër moment i rëndësishëm i mbrëmjes, ndoshta për të parën herë gjatë një fjalimi drejtuar vendit, ishte kur ligjvënësit shpërthyen në këng për njërin prej të ftuarve të Presidentit, Judah Samet, një i mbijetuar i masakrës në Sinagogën e Pitsburgut, me rastin e 81-vjetorit të ditëlindjes.

voa

Ardian Fullani merr postin e anëtarit të Bordit Këshillues në Bankën e Malit të Zi

Ardian-FullaniIsh-guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani do të jetë pjesë e Bankës Qendrore të Malit të Zi, si një prej 10 anëtarëve të Bordit Këshillues. Ky emërim ka sjellë reagime në shtypin malazez.

Kjo për shkak të akuzave të ngritura ndaj Fullanit, kur u vodh Banka e Shqipërisë. Pyetur për mediat, Guvernatori i Bankës në Mal të Zi ka preferuar të mos përgjigjet në lidhje me akuzat në Shqipëri ndaj Fullanit. Bordi ka 11 anëtarë, njëri prej të cilëve është edhe ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Lajmi është bërë me dije në mediat më të rëndësishme malazeze të tilla si “Vijesti”.

“Guvernatori i Bankës Qendrore të Malit të Zi Radoje Zhugiç ka vendosur si anëtar të Bordit Këshillues të Bankes, ish guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Arian Fullanin, i cili në shtetin e tij është shkarkuar dhe arrestuar sepse nga kasaforta e Bankës së Shqipërisë janë zhdukur 713 milionë lekë”, thuhet në artikull. Në atë kohë, Prokuroria e Shqipërisë kërkoi 5 vjet burg për Ardian Fullanin, por gjykata në fund vendosi “pafajësi” për të shkruan gazate shekulli, por pa njoftuar nëse ish guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Arian Fullanin disponon aksione apo pasuri në Malit të Zi.

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës presin të jenë pjesë e dialogut

Perfaqsues te PreshevePërfaqësuesit politikë të shqiptarëve të komunave në jug të Serbisë Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, që në terminologjinë politike njihen edhe si Lugina e Preshevës, thonë se po presin që Prishtina të reflektojë pozitivisht për përfshirjen e kërkesave të tyre në dialogun e Brukselit.

Shaip Kamberi, kryetari i Komunës së Bujanocit, tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht po punohet që çështja e Luginës së Preshevës të jetë në agjendën e bisedimeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se deri më tani nuk ka ndonjë ftesë nga Prishtina zyrtare që ndonjëri nga përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës të jetë pjesë e Ekipit negociator të Kosovës.

“Unë besoj se edhe pse nuk jemi pjesë e Ekipit negociatar do të kemi mundësi që bashkë me ekipin e presidentit (Hashim Thaçi) dhe delegacionin shtetëror, t’i shprehim brengat dhe interesat tona, të cilat do të adresohen në Bruksel. Besojmë se është momenti i fundit që çështja e Luginës së Preshevës të trajtohet dhe të gjendet një zgjidhje e drejtë”, tha Kamberi.

Ai konsideron se në asnjë rast nuk mund të ketë një marrëveshje të drejtë nëse nuk trajtohet edhe çështja Luginës së Preshevës, e cila, siç thotë ai, mund të mbetet një burim i tensioneve të vazhdueshme mes dy shteteve.

“Ne jemi deklaruar shumë qartë se nëse Kosova vendosë që në marrëveshje me Serbinë të shqyrtohet edhe mundësia e korrigjimit të kufirit, interesi ynë është që ne të bashkohemi me Kosovën. Në të kundërtën, nëse Kosova si prioritet sheh diçka tjetër, atëherë minimumi që duhet të bëjë Kosova, është që të vendosë reciprocitet me të drejtat e serbëve në Kosovë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, sepse nuk mund të këtë në asnjë moment marrëveshje që sjell stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor nëse edhe Lugina e Preshevës nuk trajtohet në këto bisedime”, tha Kamberi.

Përfshirja e komunave, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc në kuadër të territorit të Kosovës si pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është përmendur në disa raste nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Sipas tij, marrëveshja gjithëpërfshirëse, duhet të ketë edhe mundësinë e korrigjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ide kjo që deri më tani nuk ka gjetur mbështetje në spektrin politik në Kosovë.

Njëherësh, Thaçi gjatë dy-tri takimeve që ka zhvilluar me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës u ka premtuar atyre se kërkesat e banorëve të këtyre komunave për bashkim me Kosovën, do t’i prezantojë në tavolinën e bisedimeve me Serbinë në Bruksel, në kuadër të procesit që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

Idetë e presidentit Thaçi, janë kundërshtuar ashpër sidomos nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, tha për Radion Evropa e Lirë, se normalizimi i marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, domosdo do të kalojë përmes Luginës së Preshevës.

Ai tha se pa e trajtuar çështjen e Luginës së Preshevës konform kërkesave, sipas tij, legjitime të shqiptarëve të atjeshëm, nuk mund të arrihet një marrëveshje paqeje në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në konsultime e sipër me të gjithë, ne kemi kërkuar që tema e Luginës së Preshevës të vendoset në tavolinë sepse konsiderojmë që kjo e përbën ekuivalencën me trajtimin e çështjes së pakicave, përkatësisht serbëve në Kosovë. Në kuadër të saj, jemi konsultuar edhe për modalitetet, por derisa nuk përfundon çështja e platformës, nuk e besoj se mund të ketë involvim të drejtpërdrejtë. Mund të theksoj që në të gjitha takimet që kemi pasur, të gjitha institucionet, përfshirë këtu edhe Këshillin Kombëtar Shqiptar, të gjithë jemi vënë në dispozicion të Ekipit të dialogut, përkatësisht jemi vënë në dispozicion të negociatave për të ndihmuar këtë proces”, tha Mustafa.

Mustafa pranon se procesi i bisedimeve në Bruksel është i ndërlikuar, por thotë se spektri politik në Luginën e Preshevës beson që aty do të trajtohet edhe çështja e Luginës.

“Shqiptarët e Luginës së Preshevës asnjëherë nuk kanë dashur të involvohen në mes politikës që zhvillohet në Prishtinë. Megjithatë, ajo që për ne është e rëndësishme është që të përfaqësojmë denjësisht interesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përkatësisht kërkesat legjitime rreth dialogut dhe duke shprehur ambicien legjitime për t’iu bashkuar”, u shpreh Mustafa.

Përfaqësuesit e këtyre komunave, që shpesh përkufizohen edhe si Luginë e Preshevës, thonë se vullneti i tyre politik është që t’i bashkohen Kosovës dhe rikujtojnë se këtë vullnet e kishin shprehur edhe përmes referendumit të mbajtur në vitin 1992.

Në atë referendum, të cilin autoritetet serbe nuk e njohin, rreth 97 për qind e votuesve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të shpërndarë në 71 vendbanimeve, ishin deklaruar për “autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën”.

rel

Mbyllet greva në Universitet. Pedagogët vendosin të rikthehen në mësim

fakulteti-shkencaPas ditë të tëra debatesh dhe kërcënimesh për greva urie, pedagogët e Universitetit të Shkencave Sociale vendosën të rikthehen në mësim.

Ata mbajtën këtë të mërkurë asamblenë e tyre dhe dolën edhe me një deklaratë. Megjithëse thonë se nuk tërhiqen nga kërkesat që kanë për ligjin e arsimit të lartë, pedagogët kanë vendosur t’i rikthehen mësimit javën që vjen. Ata do të mblidhen sërish që të vendosin formën e protestës, por ajo do të jetë një ditë në javë grevë.

Sipas pedagogëve, të martën e javës tjetër studentët e shkencave sociale do të kthehen në mësim. Në këtë mënyrë, mësimi nis në të gjitha universitetet, edhe pse në disa fakultete ka studentë të ngujuar që kanë bllokuar edhe hyrjet.

Pas daljes nga greva 3-ditore, pedagogët e Shkencave Sociale deklarojnë se do të vazhdojnë më tej me nisjen e një peticioni të përbashkët me studentët dhe qytetarët drejtuar qeverisë për shfuqizimin e ligjit për arsimin e lartë.

Ndërkaq, takimet periodike të pedagogëve me studentët e mbledhjet e asambleve do të jenë shenjat e mbetura nga greva.

Top Channel

BE: Agjenda e dialogut vendoset nga Prishtina dhe Beogradi

Kocijancic

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, të mërkurën (06.01) sqaroi, se BE si lehtësuese e dialogut nuk e përcakton agjendën se çfarë do të diskutohet në negociatat Prishtinë-Beograd dhe se kjo bëhet nga palët.

Ky reagim vjen pas komenteve, që janë bërë pasi mediat në Kosovë raportuan, se kinse BE-ja ka kërkuar përfshirjen e Trepçës në kuadër të dialogut. “Në pyetjen nëse Trepça është pjesë e dialogut – BE-ja si lehtësues gjithmonë ka qenë e qartë se agjenda e dialogut vendoset nga Prishtina dhe Beogradi, ne nuk komentojmë për pikat që ata duan t’i diskutojnë. Ato i sjellin në debat çështjet që i konsiderojnë të hapura dhe ato duhet të pajtohen a do të diskutojnë për secilën çështje në mënyrë që të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme lidhur me të gjitha çështjet e diskutueshme”, ka thënë Koçijançiç.

Ajo këto komente i ka bërë një ditë pas takimit të bashkë-kryesuesve të Ekipit Shtetëror për Dialog, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj me diplomatë në Bruksel. Takimi i bashkëkryesuesve është bërë pa njoftimin e mediave dhe pa u dhënë ndonjë deklaratë. Në Prishtinë ky takim u vlerësua edhe si i fshehtë, për shkak të mungesës së plotë të komunikimit me gazetarë apo pjesëtarë të tjerë të publikut.

BE-ja e ka quajtur punën e ekipit të Kosovës si konstruktive dhe ka shtuar, se e mirëpret “angazhimin e ekipit të Dialogut dhe përkushtimin e tyre për të shfrytëzuar shansin dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet e kahmotshme në kuadër të mandatit të qartë nga Kuvendi i Kosovës”.

Më tej në deklaratën e Koçijançiq thuhet, se BE-ja nuk dëshiron që mosmarrëveshjet në rajon t’i importojë në BE së bashku me destabilitetin që ato bartin me vete.

“Pa normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd përmes një dialogu të lehtësuar nga BE-ja nuk mund të ketë paqe të qendrueshme në rajon”, ka thënë ajo.

dw

Maqedonia nënshkruan Protokollin për anëtarësim në NATO

Nato Stoltenberg DimitrovNATO-ja e nënshkruajti Protokollin me Republikën e Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e kësaj të fundit në Aleancë, si vendi i tridhjetë. 29 ambasadorë dhe përfaqësues të vendeve anëtare të NATO-s e nënshkruan Protokollin, i cili i lejon zyrtarëve të Shkupit të marrin pjesë në çdo seancë dhe organizim të Aleancës Veriatlantike në Bruksel, por ende pa të drejtë vote.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha gjatë ceremonisë se ky është fillimi i procesit të ratifikimit, ndërsa shpresonte se do të vazhdojë pa pengesa për ta ftuar Shkupin si anëtar fuqiplotë të Aleancës. “Ju do t’i vazhdoni reformat, ndërsa NATO do të japë mbështetje dhe ndihmë. Prej sot, përfaqësuesit tuaj do të na shoqërojnë në këtë tryezë dhe do të ftohen për në takimet e NATO-s”, theksoi ai. Zoti Stoltenberg shprehu mirënjohje për guximin, siç tha të Kryeministrave Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjithashtu tha se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të sjellë më shumë qëndrueshmëri dhe siguri në rajon.

Ministri maqedonas i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov i cili e nënshkroi Protokollin si përfaqësues i Maqedonisë së Veriut theksoi angazhimin e gjeneratave të tëra për arritjen deri tek kjo ditë. Ai tha se kjo ndodhi pasi “Kryeministrat Zaev dhe Tsipras e shtruan rrugën për këtë synim dhe pajtim dhe se dëshmuan që e pamundura është e mundur”. “Për Maqedoninë, NATO-ja paraqet kalimin e vijës së sigurisë dhe ajo është një familje shtetesh për siguri, qëndrueshmëri dhe që ka për qëllim ta bëjë botën më të qetë për ta jetuar”, tha ministri Dimitrov.

Para anëtarësimit të plotë, secili vend anëtar i NATO-s duhet ta ratifikojë protokollin. Greqia pritet të jetë vendi i parë që do t’i japë dritën jeshile fqinjit të saj për anëtarësim në Aleancën e NATO-s, pasi kishte bllokuar rrugët e integrimit të Maqedonisë për gati tre dekada, për shkak të problemit të emrit Maqedoni, me që një rajon në Greqinë veriore e mban të njejtin emër dhe për shkak të pretendimeve të mundshme të Shkupit ndaj territorit dhe historisë greke. Parlamenti grek pritet ta ratifikojë protokollin të premten.

Pas kësaj, Marrëveshja e Prespës e arritur më 17 qershor, 2017, përkatësisht emri Republika e Maqedonisë së Veriut hyn në fuqi dhe në përdorim zyrtar. Shkupi do ta njoftojë Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat tjera ndërkombëtare për emrin e ri dhe t’u kërkojë atyre që ta përdorin atë.

voa

Projektet PPP nuk kanë lidhje me rrjetin ndërlidhës me Europën

TENTEuropa synon që të përfundojë dhe modernizojë rrugët e transportit deri në vitin 2030, nëpërmjet Programit Trans-Europian të Rrjetit të Transporti (TEN-T).

Programi TEN-T u krijua në vitin 2006 nga Komisioni Europian për të mbështetur ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së transportit në të gjithë Bashkimin Europian, por tashmë është shtrirë edhe në Ballkan, që prej vitit 2015. Ai mundëson përkrahje financiare për realizimin e projekteve të rëndësishme të infrastrukturës së transportit – në përputhje me synimin për rritjen e konkurrencës europiane, krijimin e vendeve të punës dhe ndërveprimin. Projektet e Programit TEN-T mbulojnë të gjitha mënyrat e transportit – ajri, hekurudha, rrugët, rrugët ujore, si dhe logjistika dhe sistemet e transportit inteligjent.

Ndonëse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë ende në Bashkimin Europian, që prej angazhimit të Samitit të Berlinit të vitit 2014, dhe më pas në një takim të ministrave përkatës në Riga në vitin 2015, Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia janë pjesë e axhendës së ndërlidhjes europiane.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë përfshirë si një zgjerim indikativ në rrjetin transeuropian të transportit (TEN-T) duke përfshirë rrjetin bazë, korridoret e rrjetit bazë dhe projektet prioritare të paracaktuara për investime në infrastrukturë. Zgjerimi i korridoreve të rrjetit thelbësor TEN-T në Ballkanin Perëndimor siguron një integrim më të ngushtë me BE-në, si dhe bazën për shfrytëzimin e investimeve në infrastrukturë, siç është mbështetja e BE-së nëpërmjet Mekanizimit Investues të Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe Mekanizimit të Ndërlidhjes së Europës (CEF).

Violeta Bulc, komisionerja për transportin në Komisionin Europian, pohoi në një takim me mediat në kuadrin e takimit TEN-T në Lubjanë se ka marrë konfirmim se në Serbi do të krijohet zyra qendrore, që do të menaxhojë projektet e Ballkanit Perëndimor. “Për Ballkanin kemi miratuar disa projekte, në kuadër të Samitit të Triestes, i zhvilluar në 2017-n, ku përfituesit kryesorë kanë qenë Bosnja, Serbia dhe Maqedonia”.

Shqipëria përfshihet në rrjetin europian TEN-T, përmes autostradave Adriatiko – Joniane (që në pjesën më të madhe në territorin shqiptar përputhet me aksin rrugor Veri – Jug) dhe që është i Korridorit të Mesdheut, që fillon nga Spanja (Almeria) dhe kalon nëpër 6 vende Europiane (Spanjë, Francë, Itali, Slloveni, Kroaci dhe Hungari) në një gjatësi 6,000 km. Autostrada Adriatiko – Joniane lidh korridorin TEN-T Mesdhetar, që kalon në bregdetin kroat, me rrugët përgjatë bregdetit malazez dhe përshkon Shqipërinë nga Muriqani në Lezhë-Tiranë-Fier-Tepelenë-Gjirokastër dhe përfundon në Kakavijë.

Të vetmet akse që janë konsideruar me rëndësi për lidhjet me rrjetin europian të transportit, të cilat do të ishin në dobi të vendit për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave me partnerë tregtarë të zhvilluar, ishin Korridori 8 dhe së fundmi autostrada joniane Veri-Jug, që lidh Kroacinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë, në një autostradë kryesisht të kategorisë A, që i shërben edhe zhvillimit të turizmit në këto shtete.

Autostrada Adriatiko – Joniane ishte e vetmja që u vlerësua me fizibilitet edhe nga Nisma e Berlinit 2014 për Ballkanin Perëndimor, ku BE u angazhua për financimin e saj. Por historia shqiptare e kësaj rruge ndërlikohet, donatorët kanë financuar një studim fizibiliteti për pjesën shqiptare, i cili është në fazë pune, ndërsa qeveria, nga ana tjetër, ka nënshkruar tre kontrata me Partneritet Publik-Privat, që synojnë ndërtimin e 83 kilometrave, me një kosto 159 miliardë lekë (1.2 miliardë euro) të kësaj autostrade ende pa dalë rezultati i fizibilitetit.

Një kompani shqiptare është nënkontraktuar për studimin e fizibilitetit të autostradës Adriatiko – Joniane. Burime konfidenciale pohuan se deri më tani, rezultojnë tre vlera që mund të merren në konsideratë për përfundimin e autostradës ku, më e ulëta është 2.6 miliardë euro, një variant tjetër me 2.9 miliardë euro dhe një i tretë ku përfshihen edhe PPP-të, kalon shifrën 3.6 miliardë eurove.

Studimi i fizibilitetit ende nuk ka përfunduar, por qeveria shqiptare ka vendosur të ndërtojë nëpërmjet kontratave me Partneritet Publik – Privat tre akse të Korridorit Jonian, si Milot-Balldren, Thumanë-Kashar dhe Kashar–Rrogozhinë, me të paktën 1.2 miliardë euro teksa ekspertët që janë të përfshirë në studim pohojnë se ndërtimi i akseve në fjalë nuk kushton në realitet më shumë se 600 milionë euro me çmimet aktuale në manualet e ndërtimit.

Qeveria shqiptare po ndërton këto akse nga propozimet të pakërkuara të kompanive, të cilat përveç kostos së punimeve, përfshijnë edhe interesat bankare dhe normat e fitimit. Një ekspert i njohur i rrugëve, i cili pranoi të prononcohet në kushtet e anonimatit, tha se aksi strategjik që duhej të ndërtohej i pari në vend është Thumanë – Rrogozhinë, por ndër vite, qeveritë shqiptare nuk e morën në konsideratë ndërtimin e tij. Një kompani kroate i ka propozuar qeverisë shqiptare në vitin 2013 që ta ndërtonte këtë aks, kundrejt vlerës 480 milionë euro, por oferta përkoi me zgjedhjet e përgjithshme dhe diskutimet për projektin u shtynë.

Projekte të tjera me ndikim

Ka dhe projekte të tjera me ndikim rajonal dhe që do të shërbejnë si zgjatimet për t’u lidhur me rajonin dhe Europën, si rehabilitimi i linjës hekurudhore nga Durrësi në Tiranë dhe lidhja hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, pjesë e Zgjatimit të Rrjetit Indikativ TEN – T për hekurudhat në Ballkanin Perëndimor; rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë – Shkodër – Hani i Hotit (në kufi me Malin e Zi), me gjatësi 120 kilometra dhe rehabilitimi i 12 stacioneve hekurudhore të pasagjerit dhe mallrave; rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Pogradec – Lin dhe ndërtimi i linjës së re Lin – kufiri me Maqedoninë (korridori VIII hekurudhor); mundësia e lidhjes së rrjetit tonë hekurudhor, me korridorin hekurudhor TEN-T Orient/East Med në Greqi nëpërmjet Kapshticës dhe Follorinës, përkatësisht në linjën hekurudhore Durrës – Elbasan – Pogradec – Kapshticë – Follorinë Selanik /Athinë (Pireu) që lidh Portin e Durrësit në Detin Adriatik me Portin e Selanikut dhe të Pireut në Athinë, të cilat janë nga portet më të mëdha të mallrave në Mesdhe, etj./Monitor