Komunikimi nëpërmjet rrezeve të dritës

rrezet e dritesValët radiofonike përdoren në shumicën e paisjeve që komunikojnë nëpërmjet frekuencave për të shkëmbyer të dhënat. Por, informacioni në rritje mund të ngadalësojë procesin. Me mbështetjen e Fondacionit Kombëtar të Shkencës, një shkencëtare po përdor komunikimin me rrezet e dritës për të transmetuar informacionin. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kevin Enochs, kjo metodë është më e shpejtë dhe më e sigurtë se nëpërmjet valëve të radios.

Studiuesja e shkencave kompjuterike Xia Zhou ka gjithnjë në mendje trafikun e rënduar të shkëmbimit të të dhënave.

“Problemi krijohet nga nevojat vazhdimisht në rritje për shkëmbim të dhënash mes paisjeve gjithnjë e më të shumta që zotërojmë sot”, thotë zonja Xia.

Po rritet numri i paisjeve pa tela dhe ndërsa shtohet trafiku i shkëmbimit të të dhënave, po ashtu krijohet edhe mbingarkesë.

Shumica e informacionit transmetohet nëpërmjet radiofrekuencave, të cilat nuk mjaftojnë për të gjitha paisjet kompjuterike që po ndërlidhen.

“Në komunikimin e sotshëm përdorim radiovalët. Ideja ime është që të shqyrtojmë mundësinë e komunikimit nëpërmjet spektrit të dritës së dukshme”, thotë zonja Xia.

Me mbështetjen e Fondacionit Kombëtar të Shkencës, zonja Xia dhe një ekip i Kolegjit Dartmouth po zhvillojnë teknologjinë e quajtur Li-Fi, për të transmetuar të dhënat duke përdorur paisjet e ndriçimit në shtëpitë tona.

“Ideja është që t’i shndërrojmë llampat në transmetues të dhënash nëpërmjet variacioneve të dritës”, thotë zonja Xia.

Me montimin e një moduli të vogël, çdo llampë LED mund të shndërrohet në një paisje komunikimi në distancë.

“Ka një spektër shumë më të gjerë komunikimi. Është gjithashtu shumë më e sigurtë, pasi drita nuk mund të penetrojë muret. Pra, mund ta izolosh komunikimin brenda një dhome pa u shqetësuar se mund të përgjohet nga të tjerë”, thotë zonja Xia.

Mund të funksionojë madje edhe në errësirë, duke përdorur të ashtuquajturën “dritën e errët”.

“Lëshojmë impulse shumë të shkurtra nga llampat LED, të cilat janë të pakapshme nga sytë tanë, por që kapen nga sensorë që mundësojnë kështu transmetimin e të dhënave”, thotë ajo.

Kjo teknologji gjithashtu mundëson shkëmbim informacioni thjesht nëpërmjet gjesteve në ajër. Kjo do të ketë përdorim gjithnjë e më të madh, ndërsa vazhdojnë të prodhohen paisje me përmasa më të vogla.

Dritat në tavan p.sh. mund të pikasnin të gjitha lëvizjet e trupit tonë. Ekipi e ka testuar këtë lloj sistemi për të kontrolluar ndërveprimin në realitetin virtual, por potenciali i tij shtrihet përtej lojërave elektronike.

“Nëse infrastruktura në mjedisin që na rrethon, është gjithnjë e informuar për lëvizjet e trupit tonë, atëherë mund të komunikojmë pa patur asnjë paisje në trup”, thotë zonja Xia.

Teknologjia LI-FI kufizohet nga pamundësia për të përçuar muret.

Kjo do të thotë që çdo llampë në godinë duhet të jetë e lidhur individualisht me internetin, gjë që do ta shtonte shumë koston. Megjithatë, në të ardhmen ndoshta llampat e lidhura me internetin do të vendosen në të gjitha ndërtesat.

Zaev: S’besoj se Ivanov do t’i amnistojë të dënuarit e 27 prillit

ZaevKryeministri Zoran Zaev në emisionin “Clicl Plus” në TV21 tha se nuk beson se mund të ndodhë amnistia nga Gjorge Ivanovi për shkak se sipas tij neni 11 i Ligjit për falje nuk e lejon një gjë të tillë dhe se nuk nënshkruan akte me emrin ku shkruan Republika e Maqedonisë së Veriut.

“Edhe po ta bëjë një gjë të tillë, në afat prej 30 ditë do të anulohet ai vendim”, tha Zaev për amnistinë e mundshme për personat e përfshirë në dhunën në Kuvend më 27 prill të vitit 2017, njofton Telegrafi Maqedoni.

pyetur për rastin e “Almirit” për refuzimin e kërkesës së mbrojtjes nga gjykata që ekspertiza të pranohet ekspertë që ju ka skaduar afati për punë si dhe për uljen e dënimit për vrasjen Frosinën nga gjashtë në 3 vjet, Zaev potencoi se tani në Maqedoni nuk mund të ndërrohen gjyqtarë dhe se të gjitha proceset po udhëhiqen në mënyrë transparente dhe llogaridhënëse dhe se të gjitha rastet do të shkojnë në nivel të dytë.

“Kam qëllime serioze të bëj reforma si në gjyqësi, poashtu edhe në shëndetësi, ekonomi”, tha mes tjerash Zaev./Telegrafi/

Europa ime: Beteja e fundit e Merkelit zhvillohet në Ballkan

BodoNë konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë është në lojë trashëgimia e kancelares Merkel në politikën e jashtme, stabiliteti i Europës, por edhe e ardhmja e aleancës perëndimore, mendon Bodo Weber.

Në negociatat e drejtuara nga Bashkimi Europian mes Kosovës dhe Serbisë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse e përfundimitare për normalizimin e plotë të marrëdhënies  së dyanshme vihet re që nga fillimi i vitit një ofensivë e madhe diplomatike e SHBA për të arritur një marrëveshje bazuar në idenë e këmbimit të territoreve. Ideja publikisht u propagandua nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, në verën e vitit 2018. Sidomos Beogradi nuk është lodhur të flasë për “kompromis” që nga fillimi i fazës finale të dialogut politik në vitin 2012 nën drejtimin e kancelares, Angela Merkel.

Presidenti Thaçi solli për herë të parë idenë e këmbimit të veriut të banuar kryesisht me serbë në Kosovë me territorin serbojugor të Luginës së Preshevës të banuar kryesisht me shqiptarë, përfshirë edhe njohjen reciproke të të dy vendeve. Për këtë nuk kanë bërë bërë publik ndonjë plan asnjë nga të tre pjesëmarrësit, në bisedimet e mbajtura plotësisht sekret të drejtuara nga e ngarkuara e BE për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini.

Aleancë jo fatsjellëse e liderëve autoritarë ballkanikë

Kundër këtij propozimi janë shprehur qeveria gjermane dhe kancelarja Merkel, që nga mbështetësit e idesë paraqiten si ideprishës. Pse duhet të jenë kundër një ideje të tillë BE dhe SHBA, pyesin ata, nëse të dyja palët bien dakord dhe pse?

Në të vërtetë në këtë propozim bëhet fjalë për diçka tërësisht tjetër, se e paraqesin protagonistët: Për një aleancë jofatsjellëse të dy liderëve autoritarë ballkanikë me të ngarkuarën e BE për Politikën e Jashtme dhe administratën e paparashikueshme të Trumpit, e cila kthen përmbys dialogun politik si parimet bazë të tre dekadave stabilizim dhe demokratizim të Ballkanit Perëndimor.

Pas luftës së Kosovës ishte Beogradi që e hodhi poshtë kompromisin realist, përfshirë edhe planin e të ngarkuarit të OKB-së, Matti Ahtisaari, të cilin Prishtina u detyrua ta zbatojë njëanshëm duke e shndërruar në rend kushtetues të Republikës së sotme të Kosovës. Vite më vonë ishte kancelarja Merkel, që përpjekjet e Beogradit për integrim në BE i përdori për zgjidhjen e konfliktit të ngecur të statusit, duke e lidhur anëtarësimin e Serbisë me njohjen e realitetit të humbjes së Kosovës, dhe kështu e mbështetur nga Britania e Madhe dhe SHBA arriti një sukses historik. Në Marrëveshjen e Prillit në vitin 2013, Beogradi e njohu faktikisht Kosovën. Kryeminisitri i atëhershëm, Ivica Daçiç foli publikisht, se politika dhe shoqëria e kanë gënjyer veten një dekadë me radhë, se Kosova është ende pjesë e Serbisë.

Negociatat sekrete si kthim politik mbrapa

Megjithëse BE asokohe nuk e kishte theksuar në mënyrë eksplicite pikën finale të dialogut, të dyja palët e kishin të qartë që kjo do të thotë normalizim i plotë i marrëdhënieve përfshirë dhe njohje e dyanshme. Kësaj i shërbyen edhe deklaratat e shprehura nga Merkel dhe ministri i atëhershëm i Jashtëm, Westerwelle, se koha  e ndryshimeve të kufijve në Ballkan ka marrë fund.

Prandaj negociatat e fundit sekrete paraqesin një kthesë të fortë politike në të kundërt. Motivimi i të dy aktorëve kryesorë është i ndryshëm: Për presidentin Vuçiq është përpjekja të përdorë dobësinë aktuale politike të BE për të nxjerrë më shumë se sa është e mundur nga kuadri i dialogut, për të cilin është rënë në ujdi. Në të njëjtën kohë ai kërkon të tërheqë vëmendjen nga problemet e brendshme politike, pasojë e konsolidimit autoritar-autokratik të pushtetit me tolerimin e perëndimit.

Kurse presidenti Thaçi i privatizoi negociatat përkundër të gjithë rezistencës të të gjitha partive politike të shqiptarëve të Kosovës, me shpresën e ikjes nga kërcënimi i një akuze nga Gjykata e Posaçme e BE për krime lufte në fundin e luftës së Kosovës.

Federica Mogherini, paaftësia e së cilës si negociuese e çoi dialogun në një krizë ekzistenciale tani përpiqet dëshpërimisht që dështimin e saj ta kthejë në sukses, duke e kthyer në parim mungesën e saj të parimeve. Emëruesi i përbashkët me administratën e Trumpit, i një aksi të pazakontë Bruksel-Uashington qëndron në detyrën e kalimit të parimeve perëndimore liberal-demokratike në favor të një “dealmaking” – ujdibërjeje, në kuptimin që “çdo lloj ujdie është ujdi e mirë”.

Këmbimi i territoreve do të destabilizonte Ballkanin

Pasojat potenciale të një këmbimi territoresh, legjitimimi shtojcë që perëndimi do t’i bënte parimit etnoterritorial tre dekada pas përfundimit të Luftërave Ballkanike do të ishin të paimagjinueshme: Eksodi i serbëve që jetojnë me shumicë në jug të Kosovës, që me vetëdije në llogarinë e Vuçiqit lihen mënjanë, do të ishte i pamënjanueshëm, i ndjekur nga konflikte edhe të armatosura mes popullatës serbe në shumicë dhe shqiptarëve të Kosovës në veri.

Do të pasonte destabilizimi etnonacionalist i të gjithë rajonit  nga Bosnje-Hercegovina deri në Maqedoni. Procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të harrohej për një kohë të gjatë. BE e dobësuar nga brenda nga populistët dhe nacionalistët do të rrezikohej ekzistencialisht edhe më shumë. Një ndarje etnoterritoriale e mbështetur nga aktorët perëndimorë do të kishte pasoja të mëdha në përballjen me Rusinë për ruajtjen e integritetit territorial të Ukrainës, me pasoja të paparashikueshme gjeopolitike.

Merkel duhet të marrë rol drejtues

Për kancelaren Merkel zhvillimi aktual do të thotë një lloj beteje e fundit në politikën e jashtme dhe europiane. Brenda BE, Merkeli si edhe ministri i saj i Jashtëm socialdemokrati, Heiko Maas janë shprehur më qartazi publikisht kundër idesë. Ky pozicion mbështetet nga shumica e vendeve anëtare, mes tyre edhe Spanja e Sllovakia, që nuk e njohin Kosovën. Por ato fshihen sa të munden pas Gjermanisë, duke shpresuar në rolin drejtues të kancelares. Merkel duket aktualisht, se po heziton t’i futet kësaj beteje për trashëgiminë politike në fund të epokës së saj.

Për të penguar një marrëveshje këmbimi territoresh me të gjitha pasojat e saj, duhet që kancelarja të rimarrë pozicionin e saj drejtues europian në dialogun politik. Në të njëjtën kohë, ajo duhet t’i japë të kuptojë publikisht si Beogradit edhe Prishtinës që në rast të një nënshkrimi të marrëveshjes së këmbimit të territoreve, për shkak të rrezikut për paqen dhe demokracinë në Ballkanin Perëndimor do të shuhej për një kohë të gjatë perspektiva e anëtarësimit në BE. Edhe Bundestagu mund të miratojë një rezolutë përkatëse të grupeve të ndryshme parlamentare.

Përveç kësaj Berlini duhet të grumbullojë pas vetes vende të tjera anëtare të BE për një iniciativë të rifillimit të negociatave të dialogut, të kuadrit fillestar të dialogut. Mbetet të pritet, nëse samiti i synuar më 29 prill, i thirrur nga kancelarja Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron do të jetë një hap i parë në këtë drejtim.

 

Bodo Weber është studiues i asociuar (Senior Associate) i Institutit Transatlantik të Këshillit për Politikën e Demokratizimit, DPC, me qendër në Berlin.

SHBA: Vullnetarët kujdesen për foshnjet e lindura para kohe

foshnje para kohe te linduraAmbjenti në një njësi të kujdesit intensiv për të porsalinsurit është tepër i veçantë, ndërsa ekipi mjekësor kujdeset për foshnjet e sëmura ose të lindura para kohe. Shumë prindër të tejlodhur dhe të dashurit e tyre nuk mund të qëndrojnë për 24 orë rresht me të porsalindurit e tyre; për këtë arsye, në një spital në Long Beach të Kalifornisë, vullnetarë të trajnuar shkojnë për të ndihmuar. Ata u ofrojnë foshnjeve kontaktin njerëzor, që është jetik për çdo fëmijë.

Reginaldi më në fund është gati të shkojë në shtëpi.

Ai lindi një muaj para kohe dhe kaloi disa javë në njësinë e kujdesit intensiv për prematurët. Carolyn Quijano, një nga vullnetaret në spital – kaloi shumë kohë duke e mbajtur në dorë dhe duke lëkundur Reginaldin kur nëna e tij nuk ishte atje:

“Më pëlqen shumë sepse janë kaq të ëmbël. Disa prej tyre kanë shumë nevojë, por të gjithë janë të mrekullueshëm. U jam shumë mirënjohëse prindërve që më lejojnë t’i mbaj e t’i përkund me orë të tëra foshnjet e tyre”.

Vullnetarët si Carolyn Quijano janë kujdestarë profesionistë në Spitalin e Fëmijëve Miller, në Long Beach. Spitali i përzgjedh me kujdes vullnetarët, puna e të cilëve është t’u ofrojnë kontakt njerëzor të porsalindurve, ndërsa të dashurit e tyre nuk janë të pranishëm.

“Vullnetarët janë të moshave të ndryshme, nga 21 ndoshta deri 82 vjeç. Disa janë në pension, disa janë studentë, kemi burra, gra; ata kanë interesa nga më të ndryshmet, por interesi i tyre kryesor është se duan të ndihmojnë foshnjet. Ata i duan me të vërtetë foshnjet dhe kjo është arsyeja përse vijnë këtu”, thotë koordinatorja e vullnetarëve.

Carolyn doli në pension disa muaj para se t’i bashkohej programit:

“Për rreth gjashtë muaj, nga qershori deri në dhjetor qëndrova në shtëpi: pastrova kuzhinën, dollapët, pastrova garazhin dhe pastaj i thashë vetes: e di çfarë? Tani do bëj punë vullnetare”, thotë ajo.

Çdo sesion përkujdesjeje zgjat rreth 45 minuta. Pastaj një pushim dhe fillon sesioni tjetër.

“Nga ana fiziologjike kur një njeri mban një tjetër, të dyja palët lëshojnë hormonin endorfin. Pra, personi që kujdeset përfiton nga relaksimi i që jep lëshimi i këtij hormoni ndërsa foshnjet nga ana e tyre përfitojnë, duke patur më pak stres”, – thotë koordinatorja.

Ky program 13-vjeçar bën që vullnetarët të ndjehen të nevojshëm, foshnjet ndjehen më mirë, prindërit po ashtu ndjehen mirë, ngaqë fëmijët janë nën kujdes të vazhdueshëm, edhe në mungesën e tyre.

“Nuk e dija që spitali ka program për vullnetarët. Një ditë kur shkova të shoh djalin dhe pashë që po e mbante një vullnetar, u ndjeva shumë mirë…”

Edhe spitale të tjera amerikane kanë programe të ngjashme vullnetarësh, që i ndihmojnë të porsalindurit prematurë të forcohen dhe të shkojnë në shtëpi sa më shpejt të jetë e mundur.

voa

Zjarr i tmerrshëm në katedralen Notre-Dame në Paris

KatedraleNë një prej katedraleve më të njohura në botë, Notre-Dame në Paris, sot pasidte ka shpërthyer një zjarr i madh. Shkaku i zjarrit, sipas informacioneve të para, punimet në meremetimin e katedrales.

Një prej katedraleve më të njohura në botë, Notre-Dame në Paris, është përfshirë nga flakët e një zjarr i madh. Zjarri ka shpërthyer në katet e sipërme të katedrales dhe shumë shpejt është përpahur në pjesë të tjera. Si pasojë e zjarrit është rrënuar edhe një kullë 96 metra e lartë e katedrales. Zjarri është zbuluar në ora 18:50 në mbrëmje, njoftojnë agjensitë e lajmeve. Në katedrale kanë qenë duke u bërë restaurime. Nuk ka të dhëna për viktima eventuale apo të lënduar. Por katedralja gjendet në qendër të Parisit, ndërsa zjarri ka shpërthyer në kohën kur pranë ishin shumë njerëz. Punimet në katedrale kanë qenë të një vlere prej gjashtë milionë euro. Ndërkohë që dëmet e shkaktuara nga zjarri janë për momentin të pallogaritshme, për shkak se vlera e brendshme e katedrales është e jashtëzakonshme. Mediat franceze dhe pamjet nga vendi i ngjarjes dëshmojnë, se “dëmet janë të tmerrshme”. Francezët janë të shokuar.

Presidenti i Francës Emmanuel Macron e ka shtyrë një fjalim të planifikuar për sonte, për shkak të zjarrit në Notre-Dame. Zona rreth katedrales është bllokuar, ndërsa ekipet e zjarrëfikësve po përpiqen ta venë zjarrin nën kontroll. Por që tani mund të thuhet, se flakët ka përfshirë pjesët më të mëdha të katedrales.

Katedralja Notre-Dame është një prej atraksioneve më të mëdha të Parisit, të cilën gjatë një viti e vizitojnë me miliona turistë. Katedralja ka filluar të ndërtohet në shekullin e 12, ndërsa ndërtimi ka zgjatur rreth 200 vjet. Katedralja ka frymëzuar edhe shkrimtarin e madh Victor Hugo për të shkruar një vepër për Notre-Dame dhe është një prej objekteve me vlerë botërore.

bc/ehl/fab (dpa, afp, rtr)

Një sukses i ri për aviacionin

avion gjigantNjë avion gjigand, sidomos për nga shtrirja rekord e krahëve, ka përfunduar fluturimin e parë mbi shkretëtirën Mohave të Kalifornisë.

Korporata e Sistemeve Stratolaunch e cila është zotëruese e avionit tha se fluturimi u realizua dje me sukses.

Mjeti fluturues i përbërë nga dy trupa avioni të lidhura bashkë u nis nga aerodromi i shkretëtirës Mohave dhe u ngjit në një lartësi prej 112 kilometrash në veri të Los Anxhelosit, fluturoi për dy orë e gjysmë dhe arriti shpejtësinë maksimale prej 304 km/orë, sipas zyrtarëve të kompanisë.

Avioni ka të njëjtin tip motorri si Boeing 747 dhe mund të transportojë raketa për të lëshuar satellite në orbitë. Raketat mund të vendosen nën krahun qendror me gjatësi 117 metra.

Raketat mund lëshohen nga lartësia 10 mijë e 668 metra, në atë moment aktivizohet motorri i raketës për të kaluar në stratosferë për lëshimin e satelitit.

voa

Kujdes! Në internet nuk ka më hapësira të mbrojtura

internetUrrejtja që shfaqet në mediat sociale mund të kalojë shpejt në dhunë në realitet. Viktima më e re -një 14 vjeçare në Indonezi. Në luftën kundër ngacmimeve në internet, ekspertët këshillojnë masa të hershme parandalimi.

Edhe fëmijët mund të jenë mizorë. Këtë e di kush është ngacmuar e tallur në shkollë, ose kush ka fëmijë që e kanë kaluar një përvojë të tillë. Aktualisht një rast në Indonezi e ka tronditur vendin. Një 14 vjeçare, sipas informacioneve të mediave lokale është rrahur kaq keq nga 12 nxënëse të tjera më të mëdha në moshë sa u dërgua në spital. Shkas për këtë janë bërë komentet, që viktima ka postuar në Facebook.

Në twitter ky rast shkaktoi reagime të mëdha nën hashtagun: “Justice for Audrey”. „Përmasa e dhunës është tronditëse, por që një konflikt mes të rinjve fillon online dhe përfundon „offline” në botën reale, kjo nuk është e pazakontë”, thotë Birgit Kimmel, eksperte për pedagogjinë e fëmijëve dhe drejtuese e iniciativës së BE, „Klicksafe”. Projekti ekziston nga viti 2004 dhe synon më shumë siguri në internet. „Mobingu mund të fillojë në internet dhe të vazhdojë në jetën reale, ose e kundërta”, thotë Birgit Kimmel.

“Ky nuk është spiunim!”

Mobingu prek të rinjtë sidomos në internet, thotë Kimmel, pasi shumica e ka nga një smartphone. Viktimat nuk gjejnë qetësi as në shtëpi, sepse ngacmimet, thumbat, kërcënimet vazhdojnë në rrjet. „Nuk ka më hapësirë të mbrojtur, mund të sulmohesh 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Gati çdo lloj mobingu që fillon në shkollë, vazhdon në rrjet.” Për shkak të kësaj lidhjeje kaq të ngushtë, ekspertët nuk e bëjnë më dallimin mes mobing në internet dhe atë jashtë tij.

Në Gjermani nuk ka rregullore që prekin drejtpërdrejt ngacmimin në rrjet, por investohet shumë për parandalimin e tij. „Kemi punonjës që shkollohen për parandalimin e një fenomeni të tillë, dhe ata shkojnë në shkolla në bashkëpunim me organizata në terren”, thotë Erika Krause-Schöne, kryetare e Sindikatës Federale të Grave në Polici për Deutsche Wellen. Përpjekjet për parandalimin nuk përfshijnë vetëm fëmijët në moshën e adoleshencës por edhe ata të shkollës fillore.

„Me masat parandaluese duhet filluar shumë herët”, thotë ekspertja Kimmel. Fëmijët duhet të dinë, se çfarë ndodh në internet, dhe se është e rëndësishme që të merret ndihmë, nëse ndodh që të sulmohesh verbalisht në internet. „Ne themi, se nuk është spiunim, nëse kërkon ndihmë”, thotë Kimmer. Kjo luan një rol të madh tek fëmijët.

Foto intime në grupin e Whatsapp-it

Në klasat më të larta është e rëndësishme, që të rinjve t’u shpjegohet se ka një dallim mes hapësirës private dhe asaj publike. Një temë me mjaft rëndësi, thotë pedagogja janë fotot intime, të cilat nuk duhet të dërgohen, as tek i dashuri. Sepse nëse lidhja prishet, ato mund të „zbarkojnë” në grupin e whatsapp-it të klasës. Dhe shumë shpejt e gjithë shkolla sheh pamjet që janë shumë private, një përfytyrim i tmerrshëm për viktimat.

„Shumë e rëndësishme për viktimat është që të zhduken pamje të tilla”, thotë Kimmel. Ajo kujton një rast, kur një nxënëse kishte dërguar skena seksuale të dashurit të saj, e ky film qarkullonte mes nxënësve. Kur kjo ndodhi, personeli ka shkuar në çdo klasë dhe ka kërkuar që videoja të shuhej menjëherë nga të gjithë telefonët. Pak kohë më vonë videoja nuk u pa më. Por ende për fat të keq, thotë Kimmel, nuk ka përgjegjës për ngacmimet online në shkolla.

Prindërit shpesh të painformuar

Por jo vetëm të rinjtë duhet të informohen për ngacmimin në internet. „Mund të them nga përvoja ime, se shkollat ndërkohë informojnë drejtpërdrejt edhe prindërit”, thotë Krause-Schöne nga Sindikata e Policisë. Nevoja për informacion është e madhe. Shumë prindër nuk e njohin snapchat dhe instagramin, dhe nuk e dinë se çfarë postojnë fëmijët e tyre aty. Dhe instalimi i sferës private në rrjetet sociale është shpesh një kalim nëpër xhungël edhe për përdoruesit e rregullt. „Prindërit duhet të merren rregullisht me këtë temë.”

Kur prindërit e mësojnë, se vajza apo djali janë viktimë e ngacmimit në rrjet, reagimi i parë është shpesh – menjëherë në polici. Mund të bësh denoncim për fyerje, përgojim apo kërcënim, si në jetën reale. Por duhet menduar,edhe nëse kjo është rruga e duhur, thotë Kimmel. Deri sa të kryhen procedurat, kërkohen javë ose muaj. Dënimet e gjykatave janë „sanksione për keqbërësit, por nga kjo nuk kanë ndonjë përfitim të madh viktimat”, thotë ekspertja. Parandalimi në shkolla, mbështetja psikosociale që japin ekspertët, prindërit e miqtë ka për viktimat një rëndësi më të madhe.

dw

Hulumtuesit zbulojnë specie të re njerëzore

kafkaNdërsa shkencëtarët bëjnë përparime në metodat e kërkimeve mbi të kaluarën, gjithnjë e më shumë variacione të qënieve njerëzore po gjenden në gërmimet arkeologjike. Në fillim të viteve 2000, në Indonezi u zbulua një specie hominide e familjes së primatëve i quajtur burri Flores. Por këtë javë një arkeolog thotë se ka zbuluar eshtrat e një kushëriri tjetër njerëzor nga gërmimet në një shpellë në Filipine.

Eshtrat pranë këtyre kafkave të paraardhësve të tjerë njerëzorë janë mes gjetjeve të tre individëve që mund të shtojnë një kapitull të ri në librin e njerëzimit.

Arkeologu Armand Mijares i gjeti eshtrat në një shpellë të një ishulli të vogël në Filipine dhe thotë se janë nga 50 deri 67 mijë vjet të lashta.

Duke studiuar eshtrat që nga këmba, kofsha apo kocka që lidh gjurin me legenin si dhe një pjesë të dhëmbëve, arkeologu doli në përfundimin se këto eshtra nuk mund të jenë vetëm kocka të lashta njerëzore, por një specie e re.

“Në atë kohë menduam për një “Homo Sapien” trup vogël…por me kalimin e viteve kemi një koleksion më të mirë të dhënash. Kemi diagnostikim të mjaftueshëm dhe elemente të mjaftueshme që na mundësojnë të themi se kemi të bëjme me specie të reja.”

Krijesa ishte e vogël dhe iu vu emri shkencor “Homo Luzonensis”. Arkeologu thotë se krijesa ishte indigjene në rajon por se nuk kishte vdekur në shepllë.

“Krijesa nuk vdiq këtu por rrëketë e sollën në shpellë. Pra, ato krijesa nuk e përdornin shpellën. Mendoj se gjendeshin përreth shpellës dhe ndoshta vdiqën aty afër dhe me kalimin e kohës eshtrat përfunduan në shpellë. Nuk dihen sakstësisht lidhjet dhe si të rindërtohet plotësisht skema.”

Arkeologu Mijares gjithashtu nuk e di se çfarë ndodhi me atë lloj specie por thotë se mbërritja e njerëzve më të mëdhenj dhe më të fuqishëm mund të ketë çuar në zhdukjes e saj.

voa

Teknologjia 5G dhe përpjekjet për bllokimin e Kinës

tehnologjia 5GChinese Telecom equipment company Huawei Consumer Products division CEO Richard Yu gestures as he speaks on stage during the presentation the new P30 smart-phone, in Paris, on March 26, 2019. (Photo by ERIC PIERMONT / AFP)

Një zyrtar i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit tha të mërkurën se shqetësimet e sigurisë që qeveria ka ngritur lidhur me firmat kineze të telekomunikacionit Huawei dhe ZTE shtrihen tek të gjitha kompanitë me seli në Kinë, duke thënë se ato janë në mënyrë efektive “nën drejtimin” e Partisë Komuniste Kineze.

“Është shumë e rëndësishme të dallojmë se si veprojnë demokracitë perëndimore në lidhje me kompanitë dhe shitësit e sektorit privat dhe se si qeveria kineze operon me kompanitë e saj”, tha ambasadori Robert L. Strayer, zëvendës ndihmës sekretar i i Komunikimeve Ndërkombëtare dhe Politikës Informatike në një konferencë telefonike me gazetarët.

Kompanitë kineze nuk kanë aftësinë për të ngritur sfida ligjore ndaj direktivave nga qeveria e tyre, tha zoti Strayer.

“Ata nuk kanë mundësinë të shkojnë në gjykatë”, tha ai. “Ata janë në thelb nën drejtimin – e asaj që ne e quajmë komandë jashtë-gjyqësore – të Partisë Komuniste të Kinës .. për të ndërmarrë veprime, kur kërkohet nga qeveria. Nuk ka të njëjtin nivel të sundimit të ligjit si në demokracitë perëndimore që ne e konsiderojmë pjesë të jetës sonë të përditshme dhe në të gjitha marrëdhëniet tona të biznesit “.

Zoti Strayer ka qenë personi kryesor në përpjekjet e administratës Trump për të bllokuar firmat kineze, Huawei në veçanti, të marrë pjesë në garën globale të teknologjisë së komunikimeve 5G, duke këmbëngulur se ligji kinez kërkon që kompanitë të bashkëpunojnë me shërbimet e inteligjencës të Pekinit.

Strayer dhe zyrtarë të tjerë kanë paralajmëruar se firmat kineze të telekomunikacioneve mund t’u japin shërbimeve të inteligjencës së Pekinit qasje të fshehtë në rrjete të ndjeshme të komunikimit.

Komentet e tij ishin ndër arsyetimet më të hollësishme të administratës për përpjekjen për të bllokuar hyrjen e kompanisë Huawei në tregjet amerikane dhe evropiane të teknologjisë 5G.

Arsyetimet kanë përfshirë paralajmërimet se Shtetet e Bashkuara mund të kufizojnë informacionet e inteligjencës që ndan, madje edhe me aleatët e ngushtë, nëse Uashingtoni nuk është i kënaqur me sigurinë e rrjeteve të komunikimit.

Shtetet e Bashkuara nuk ka arritur të prodhojë prova të forta se kompanitë Huawei apo ZTE janë angazhuar në spiunazh për qeverinë kineze. Megjithatë, të dy firmat janë akuzuar për vjedhje të pronës intelektuale nga kompanitë rivale, dhe Huawei është akuzuar për komplot për shkelje të sanksioneve amerikane kundër Iranit.

Huawei dhe ZTE vazhdimisht kanë mohuar se kanë ose do të veprojnë si një vegël e shërbimeve të inteligjencës kineze.

Fotoja e parë e një vrime të zezë hap horizonte të reja

vrima e zezeShkencëtarët kanë studiuar prej vitesh si ndikojnë vrimat e zeza tek hapësira rrotull tyre. Forca e tyre e rëndesës tjetërson kohën e hapësirën në një mënyrë që tani vërtetohet, ashtu siç e kishte parashikuar Albert Ajnshtajni. Por vrimat e zeza kanë qenë të padukshme për shkencëtarët, një fakt që tani është kapërcyer nga shkenca:

Shkencëtarët kanë shpenzuar 10 vjet për të lidhur tetë teleskopë të ndryshëm në mbarë botën në një projekt mjaft të vështirë.

Dy vjet më parë, duke përdorur orë atomike tepër të sakta, secili nga teleskopët u kthye drejt galaktikës M-87 që ndodhet 55 milionë vite drite larg.

Pas analizimit të një morie të dhënash dhe pas verifikimit të rezultateve, shkencëtarët e projektit “Event Horizon Telescope” nxorën fotografinë e parë të një vrime të zezë:

“Në prill 2017 të gjitha panelet e teleskopëve u kthyen në drejtim të galaktikës që ndodhet 55 milionë vjet dritë larg. Galaktika M-87 përmban një vrimë gjigande të zezë dhe jemi shumë të gëzuar që sot ju njoftojmë se kemi parë atë që mendohej se ishte e pamundur të shihej. Kemi parë dhe fotografuar një vrimë të zezë. Ja ku e kemi,” tha Sheperd Doeleman, një ndër shkencëtarët e përfshirë në projekt.

Në pamje nuk është shumë impresionuese: një formë sferike ngjyrë të verdhë në portokalli që pluskon në hapësirë. Por shkencëtarët gjithmonë e kanë imagjinuar të tillë formën e vrimës së zezë. Në qendër është zona e errësirës së plotë ku forca e rëndesës është aq e fortë saqë nuk lejon reflektimin e dritës. Rrotull saj ka një shtresë gazi dhe pluhuri në temperaturë tepër të lartë prej miliarda gradë celcius, që lëviz thuajse me shpejtësinë e dritës.

“Mendohet se vrimat e zeza krijohen në fund të jetës së yjeve, kur ylli shpërbëhet brenda vetes dhe krijon një objekt me dendësi të lartë. Në rastin e galaktikës sonë, e dimë se ajo përmban një vrimë të zezë masive në qendër të saj. Është thuajse aq e madhe sa orbita e Mërkurit, me masë disa miliona herë më të madhe se ajo e Diellit tonë. Tani mendojmë se këto vrima të zeza masive gjenden në zemër të çdo galaktike,” thotë drejtori i Muzeut të Shkencës, Roger Highfield.

Vrimat e zeza janë tepër të fuqishme. Shtullungat e gazit përhapen në distanca prej miliona vjet drite nga qendra e vrimës së zezë. Forca e rëndesës është aq e fuqishme saqë tjetërson dritën që çlirojnë edhe diej masivë që ndodhen pranë tyre.

Shkencëtarët thonë se fotografia shërben si udhërrëfyese për studime të tjera më të suksesshme:

“Kjo fotografi shërben si hallka që lidh vrimat e zeza masive me forcën përbërëse të galaktikave. Tani e dimë se vrimat e zeza janë forca brenda strukturave masive të gjithësisë. Tani, për herë të parë, kemi një mënyrë të re për të studiuar relativitetin e përgjithshëm të vrimave të zeza. Ashtu siç ndodh kur ka zbulime të reja, ky është vetëm fillimi,” thotë zoti Doeleman.

Shkencëtarët tani presin të marrin fotografi të tjera si dhe të përdorin teleskopë më të mëdhenj nga observatorë të lëshuar në hapësirë për të kapur imazhe më të qarta të këtyre objekteve misterioze.