“Serbët me zemër janë në Rusi, e materialisht furnizohen nga Perëndimi”

Rusia SerbiSerbia dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por nuk i mohon lidhjet shumë të ngushta vëllazërore me Rusinë. Rusia nuk është kundër anëtarësimit të Serbisë në BE, por në NATO.

Serbia është vendi i vetëm në Evropë i cili nuk i ka vënë sanksione Rusisë. Këto dy vende kanë nënshkruar shumë marrëveshje bashkëpunimi mes vete, në fushën e tregtisë, informatikës, bashkëpunimit digjital dhe teknologjik, si dhe shfrytëzimit të energjisë bërthamore në kushtet e paqes. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq gati gjithmonë e përmend “Rusinë mike”, kur flet për çështjet madhore. Vizita e fundit e presidentit të Rusisë Vladimir Putin në Beograd, ka zgjuar vëmendjen e të gjithë qytetarëve të Serbisë. Nga kjo vizitë kanë kaluar dy muaj, por Vuçiqi ende flet shpesh për qëndrimin e Putinit në Beograd dhe lidhjet e ngushta me Moskën.

Shoqatat e shumta ruso-serbe

Shumica në Serbi beson se Rusia e do popullin serb dhe anasjelltas. Vitet e fundit në Serbi janë krijuar shumë shoqata per ruajtjen e miqësisë dhe traditave serbo-ruse. Vetëm në Nish (qytet në jug të Serbisë) ekzistojnë disa shoqata të këtilla. Më e madhja është shoqata “Naisus”, e cila është themeluar në vitin 2009. Anëtar i kësaj shoqate është edhe gazetari Borivoje Ugrinoviq.

“Familja ime është rritur dhe shkolluar mbi bazën e letërsisë dhe traditave ruse. Babai ka qenë profesor i gjuhës ruse, franceze dhe letërsisë. Të gjithë në shkollë kemi mësuar rusisht. Fëmijët tanë e dinë shumë mirë gjuhën ruse dhe janë të njoftuar me traditat, kulturën dhe edukatën ruse”, thotë për DW Borivoje Ugrinoviq, kryetari i bordit të shoqatës Naisus. Shoqata numëron rreth 400 anëtarë dhe përpiqet të afirmojë, siç thuhet, vlerat e miqësisë mes popullit serb dhe atij rus, kulturën, traditat dhe fenë e përbashkët.

“Përveç shkrimtarëve klasikë me të cilët jemi rritur, siç janë Gogoli, Pushkini, Dostojevski dhe të tjerë, afërsia me Rusinë shihet edhe tek gjuha, feja dhe afërsia shpirtërore mes këtyre popujve. Ka shumë çështje që kanë ndikuar në përcaktimin e familjes sime, dhe shumë familjeve të tjera, për anëtarësim në këtë shoqatë. Historia e Serbisë dhe Rusisë ka lidhje të përbashkëta që nga shekulli 18, kur Rusia ka filluar të ndihmojë Serbinë, si në arsim ashtu edhe në luftëra”, thotë Ugrinoviq.

Ndihma ruse nuk është ndalur kurrë

Ugrinoviq pohon se ndihma e Rusisë nuk është ndalur kurrë. Një numër i madh arkitektësh rusë ka projektuar shumë godina të spitaleve dhe universiteteve në Serbi. Një shembull i ndihmës është edhe rikonstruktimi i kishës “Sveti Sava” (Shën Sava) në Beograd, për të cilën Rusia ka ndarë 10 milionë euro. Një shembull tjetër është edhe qendra humanitare në Nish, në të cilën në shtatë vitet e fundit janë investuar 30 milionë euro. Këtu është investuar shumë edhe në stërvitjen e personave për veprim në situata të jashtëzakonshme.

Ugrinoviq mendon se Rusia nuk “dëshiron të përzihet në punët e brendshme të vendeve të tjera”, por edhe vet e ka vërejtur se shumë media ruse shkruajnë për zhvillimet në Serbi. Ato shkruajnë për protestat e fundit, por edhe për Kosovën dhe zhvillimet atje. Në Serbi mendohet se Rusia nuk do të lejojë që në Kosovë të vendosë vetëm BE dhe vendet, të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Besohet se një rol shumë të rëndësishëm këtu ka edhe qëndrimi i Kishës Ortodokse Serbe, e cila dëshiron që Kosova të mbetet në Serbi. Ugrinoviq mendon se çështja e kufijve të jashtëm është një çështje kombëtare dhe shpirtërore.

Edhe Sasha Saviq mendon se patriotizmi është shumë me rëndësi. Ai është kryetar i klubit “Noćni vukovi iz Rusije” (Ujqët e natës nga Rusia)”, anëtar nderi i të cilit është edhe Putini. Saviq ka lindur në Berlin, në një familje punëtorësh. Në kohën e rrëzimit të Murit të Berlinit, babai tij thoshte: “Kjo nuk është aspak punë e mirë”. Pas shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, Saviq është përcaktuar kundër influencës perëndimore në Serbi, kundër kulturës, muzikës dhe të gjitha gjërave tjera që vijnë nga Perëndimi. “Unë kam qenë i ri, por në vete kam zbuluar inatin dhe nevojën e luftimit të të gjitha gjërave që vijnë nga Perëndimi. Jam lajmëruar në njësitë vullnetare dhe një kohë kam qenë në luftëra. Shoqërohem edhe me shoferë të motorëve, të cilët kanë ideologji interesante. Unë gjithmonë e kam dashur lirinë, por lirinë sipas traditës serbe dhe jo perëndimore. Kështu kam zbuluar edhe klubin “Ujqët e Natës”, dhe kam shkuar në Rusi, për herë të parë në vitin 2010”, thotë ai për DW.

Respekti i traditës ruse

Saviq pohon se në klubin e tij vlerësohet tradita ruse, feja ortodokse dhe kultura ruse. Merremi me punë humanitare, ruajtjen e familjes dhe vlerave familjare, thotë ai duke shtuar se “nga dëshira për t’ua kthyer shërbimet e vëllezërve rusë, për pjesëmarrje në luftërat e ish-Jugosllavisë, ai ka shkuar dhe ka luftuar në Krime”.

Në një bisedë me ministrin rus të Mbrojtjes Shojgu në Beograd, Saviq thotë se ministri rus e ka pyetur pse ke shkuar në Krime? “Në Krime kam shkuar për të ndihmuar Rusinë që ta kthejë ate që i takon, ndërsa ju tani duhet të na ndihmoni që Serbisë t’i kthehet ajo që i takon (fjala është për Kosovën)”.

Saviqi kujdeset për këtë klub edhe në Republikën Serpska dhe në Mal të Zi, por marshimet e tyre me motorë, nën moton “Ballkani Rus”, janë kundërshtuar nga ambasada amerikane në Bosnje-Hercegovinë, e cila e ka klasifikuar këtë ekskursion si të rrezikshëm për stabilitetin dhe paqen. Ky klub është në listën e zezë amerikane për shkak të lidhjeve me seperatizmin në Krime. Saviq mendon se “të gjithë serbët në zemër e kanë Lindjen ndërsa materialisht furnizohen nga Perëndimi”.

dw

Natasha Kandiq: “I kam parë vetë krimet serbe”

Natasha KandicAktivistja më e njohur serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, flet për bombardimet dhe luftën e Kosovës. Ajo ka qenë edhe vetë shpesh në Kosovë, në kohën e luftës.

„Pak kohë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, pra me 25 mars në orët e para të mëngjesit, diku nga ora dy apo tre, ra zilja e telefonit”, kujton Natasha Kandiq. „Ishte Nekibe Kelmendi. Më tha se policia është futur në shtëpinë e tyre dhe ka marrë me vete burrin e saj Bajramin, një avokat shumë i njohur, dhe dy djemtë e tyre. Nuk e di çfarë të bëj. I them se është mirë që po punojnë linjat telefonike dhe nesër në mëngjes menjëherë duhet të shkojë në polici apo shërbimin sekret të shtetit dhe të kërkojë sqarime… Këtë bisedë nuk do ta harroj kurrë. Një ditë më pas kanë gjetur trupat e pajetë të Bajramit dhe dy djemve, pranë një pike të karburanteve, në dalje të Prishtinës. Policia thoshte se ka nisur hetimet. Por ky ishte vetëm maskim i një krimi, sepse këtu nuk ka pasur hetime, nuk ka pasur asgjë. Nekibe Kelmendi ka vdekur në vitin 2011 dhe kurrë nuk e ka kuptuar zyrtarisht se kush i ka vrarë burrin dhe dy djemtë e saj. Ka mbetur vetëm vajza e saj, e cila ende kërkon të vërtetën. Edhe ne në Fondin për të Drejtën Humanitare po kërkojmë të vërtetën, por pa sukses.”

Natasha Kandiq ka qenë një ndër të rrallët në Beograd, që ka justifikuar ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 dhe këtë e ka thënë hapur. Ajo më pas ka mbështetur edhe pavarësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008. Ishte mysafirja e vetme nga Serbia në Kuvend, në ceremoninë e shpalljes së pavarësisë.

Themelimi i Fondit për të Drejtën Humanitare

„Fondi për Drejtën Humanitare është themeluar në vitin 1992″, thotë Kandiq, “me qëllim dokumentimin e krimeve dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në Serbi, atje ku jetojnë grupet etnike – shqiptarët në Kosovë dhe myslimanët në Sanxhak.”

Natasha Kandiq ka diplomuar në vitet 70-të në Fakultetin filosofik në Beograd, në sociologji. Në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë ka punuar në Shoqatën e Sindikatave, ndërsa në vitet 80-ta ka qenë bashkautore e librit “Nyja e Kosovës”, në të cilën kritikohen ashpër autoritetet serbe në Kosovë, për politikë dhune, pas ardhjes së Sllobodan Millosheviqit në pushtet. Pas botimit të këtij libri, Kandiq e ka ndërprerë punën në sindikatë dhe ka filluar hulumtimet e opinionit publik. Në fund të vitit 1992 e ka themeluar Fondin për të Drejtën Humanitare. Gjatë luftërave të viteve 90-të, Fondi ka mbledhur të dhënat për krimet e luftës në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Këto dokumenta kanë qenë më pas ndër dëshmitë kryesore në proceset e Tribunalin e Hagës për krime lufe në ish-Jugosllavi.

Kosovë – aktive prej vitit 1996

„Zyrën e parë në Prishtinë e kemi hapur në vitin 1996″, thotë Kandiq. “Aty kanë punuar së bashku shqiptarë dhe serbë. Detyra e tyre ka qenë mbledhja e të dhënave për gjendjen. Gjatë vitit 1997 kemi mbledhur të dhëna për ftesat masive të njerëzve në të ashtuquajtura biseda informative në polici. Gjatë marrjes në pyetje, ka pasur kërcënime masive ndaj atyre që janë angazhuar për pavarësinë e Kosovës. Atyre u është thënë se ky është terrorizëm dhe u është mohuar e drejta që me mjete paqësore të angazhohen për idetë e tyre politike.”

Kosova ishte lënë pasdore në kohën luftës në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë. Lëvizja paqësore e shqiptarëve të Kosovës, në krye me Ibrahim Rugovën dhe Fehmi Aganin, ka ofruar rezistencë paqësore gati një dekadë të tërë. Ata kanë organizuar edhe sistemet paralele të pavarura në shkolla dhe shëndetësi. Sistemi paralel ka funksionuar me vite. Në vitin 1997, në skenë është paraqitur edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe situata ka ndryshuar radikalisht. Në vitin 1998 kanë filluar konfliktet e armatosura mes forcave serbe dhe UÇK. Bashkësia ndërkombëtare, e cila me vite të tëra kishte injoruar lëvizjen paqësore të rezistencës, tani përpiqej të ndalte luftën. Në vitin 1999 janë mbajtur edhe negociata në Rambuje të Francës, por pala serbe nuk e ka nënshkruar marrëveshjen paqësore.

Fillimi i bombardimeve

Pas dështimit të bisedimeve në Rambuje, NATO filloi aksionin e bombardimeve me emrin „Operation Allied Force”, me 24 mars 1999. „Ditën e tretë pas fillimit të bombardimeve jam nisur për Kosovë. Nuk e kam ditur se çfarë po ndodh me bashkëpunëtorët tanë në Prishtinë. Ka qenë problem të shkosh në Kosovë, sepse nuk ka pasur mjete transporti. Kam marrë një taksi nga Beogradi deri në Bujanovc. Por taksia fillimisht është dashur të sigurojë benzinë, sepse në ato kohëra nuk ka pasur mjaft. Në Bujanovc mbërritëm disi, por nuk dija si të shkoj deri në Prishtinë. E pyeta taksistin të më çojë deri atje. Ai kishte shumë frikë, por kur i thashë se atje ka vetëm forca serbe, ai pranoi. Zyra jonë ishte thyer, kompjuterët ishin plaçkitur. I kam gjetur bashkëpunëtorët tanë nëpër shtëpi, të gjithë ishin tepër të frikësuar dhe nuk e dinin çfarë të bëjnë. U kam propozuar të shkojmë së bashku në Maqedoni, por ky u dëshmua si një plan i keq dhe nuk u realizua. Në Prishtinë ishte tmerr, në rrugë nuk kishte më shqiptarë. Kur kam shkuar të kërkoj një bashkëpunëtore të Fondit, para godinës së saj ishin mbledhur shumë njerëz. Policia i nxirrte me dhunë nga godina dhe i urdhëronte të shkojnë në drejtim të stacionit hekurudhor, e pastaj në Shqipëri. Pas katër ditësh në Prishtinë, katër shqiptarë dhe unë, me një taksi, jemi nisur për në Beograd. Taksisti ishte një njeri i mirë, ai e shihte se çfarë po bëjnë me shqiptarët. Nuk fliste shumë. E pyeta a është i gatshëm të transportojë katër shqiptarë për në Beograd, sepse duhet të kalojmë kontrollet policore? Le ta provojmë, tha ai. Kontrollin e parë kaluam pa problem. Në pikën e dytë na ndalën. Unë heshta, ndërsa shoferi i taksisë e pyeti policin, ku mund të gjej karburante, sepse nuk kam asnjë pikë? Polici u përqendrua tek pyetja dhe nuk na kontrolloi fare. Kaluam.”

Zgjatja e luftës

Strategët e NATO-s kishin planifikuar një luftë më të shpejtë. Ushtria dhe policia serbe nuk kanë bërë ndonjë rezistencë tepër të madhe ndaj bombardimeve të NATO-s, por janë fshehur mirë dhe kanë evituar humbjet e mëdha. Lufta u zgjat, ndërsa vuajtjet e popullit në Kosovë shtoheshin nga dita në ditë.

„Unë kam shkuar në Kosovë gati çdo dhjetë ditë”, kujton Natasha Kandiq. “Gjithmonë me të njëjtin taksist, i cili mësoi rrugën dhe njihte njerëzit në rrugë. Kam shkuar dhe kam kërkuar miqtë shqiptarë, kam shikuar a janë ende gjallë. Kam qenë në Prishtinë tek disa miq, kur erdhi lajmi për ndalimin e Fehmi Aganit, gruas së tij dhe djalit të tyre. Më lajmëruan se e kanë marrë, ndërsa një ditë më vonë është gjetur trupi i tij i pajetë. Agani është vrarë ndërkohë që Millosheviqi i lejoi Rugovës të dalë nga vendi. Fehmi Agani ka menduar se edhe ai duhet të dalë nga Kosova dhe t’i bashkohet Rugovës. E gjithë fuqia e Rugovës ka qenë në mençurinë e Fehmi Aganit. Vdekja e Aganit është një humbje tepër e madhe jo vetëm për shqiptarët, por për tërë rajonin. Po të kishte mbetur gjallë ai, zhvillimet pozitive do të ishin më të shpejta dhe të gjitha do të ishin më ndryshe.”

Libri i kujtimeve në Kosovë

Në vitin 2015, Fondi ka botuar “Kosovske Knjige Pamćenja” (Librat e Kujtimeve në Kosovë). Synimi i këtij projekti ishte përcaktimi i numrit të saktë të viktimave në Kosovë. Koordinatore e projektit ishte Natasha Kandiq. Numri i të vrarëve në periudhën prej 1 janarit 1998 deri me 31 dhjetor 2000 është 13.535 persona. Prej tyre 10.812 janë shqiptarë, 2.197 serbë, ndëra 526 janë romë, boshnjakë, malazezë dhe të tjerë.

Fondi për të Drejtën Humantiare në Beogad dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë kanë botuar në vitin 2014 listën e personave të vrarë si pasojë e bombardimeve të NATO-s. Nga bombardimet kanë humbur jetën 754 persona, 454 civilë dhe 300 pjesëtarë të forcave të armatosura. Ndër civilët janë 207 serbë dhe malazezë si dhe 219 shqiptarë civilë, 14 romë dhe 14 të nacionaliteteve të tjera. Ky burim thotë se janë vrarë 274 ushtarë dhe policë të ish-Jugosllavisë dhe 26 pjesëtarë të UÇK. Mbledhja e këtyre të dhënave ka filluar që në kohën e luftës.
„Mendoj se gati të gjithë do të reagonin si unë, po të shihnin këto kolona të refugjatëve, frikën dhe tmerrin që mbretëronte. Një ditë shkova për të blerë bukë në një dyqan në Prishtinë, në rend ishte një shqiptare. Dy serbe të tjera filluan të bërtisnin dhe nuk e lejuan të blejë bukë. Fillova edhe unë të bërtas kundër tyre… këto janë gjëra që nuk mund t’i harrosh. Në situata të këtilla e harron sigurinë personale, ajo më nuk është me rëndësi”, kujton Kandiq.

Udhëtimet e mija në Kosovë kanë qenë të tmerrshme, sepse kam parë edhe vet se çfarë po ndodhë. Shqiptarët kanë qenë në fillim të mbyllur në shtëpitë e tyre, nuk kanë guxuar të dalin në rrugë. Kam parë kolona të gjata refugjatësh, njerëz me qese në dorë, të humbur dhe pa orientim. Kur i pyesja ku po shkoni?, ata thoshin: Policia serbe na ka urdhëruar të shkojmë në Shqipëri. Njerëzit iknin në Shqipëri, ndërkohë që askush nuk i ndihmonte, nuk kishte asnjë organizatë të huaj humanitare atje.

U ktheva në Beograd dhe shihja njerëzit që rrinin nëpër kafene, shikonin drejt qiellit dhe flisnin për kinse padrejtësitë e mëdha që po i bëhen Serbisë me bombardime. Kurrë askush nuk më ka pyetur se çfarë po ndodh në Kosovë, si është gjendja atje! Më ka zemëruar tepër një letër e një grupi intelektualësh të organizuar nga Open Society, me të cilën kërkohet përfundimi i bombardimeve në Serbi. Më ka zemëruar ky fokusim tek vetvetja, pa kurrfarë interesimi për atë se çfarë u ndodhte të tjerëve, pa kurrfarë interesimi për ndalimin e veprimeve të policisë dhe ushtrisë, vrasjeve, djegieve dhe shkatërrimeve në Kosovë.”

“E vërteta” kombëtare

Pas përpjekjeve intensive diplomatike të trojkës së drejtuar nga presidenti finlandez, Marti Ahtisari, e ku ishin edhe diplomatët amerikaën dhe rusë Strob Talbot dhe Viktor Çernomirdin, në qershor të vitit 1999, Sllobodan Millosheviqi pranoi kushtet e NATO-s. Me 9 qershor 1999 në Kumanovë u nënshkrua marrëveshja për tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosja e misionit paqësor KFOR në Kosovë. Lufa përfundoi ndërsa nga Kosova u largua një numër i madh i serbëve nga frika e hakmarrjes. Ata që kanë mbetur kanë jetuar në frikë nga mundësia e krimeve, të cilat kanë ndodhur kohë pas kohe edhe një vit më pas. Fondi ka mbledhur fakte edhe për këto krime.

„Ne shohim sot se në Serbi ekziston vetëm “një e vërtetë”, e vërteta kombëtare. Është krijuar edhe një komision për hetimin e pasojave të bombardimeve të NATO-s, me qëllim që të dëshmohet se Serbia ka qenë viktimë. Paraqiten shifra që nuk kanë lidhje me faktet dhe harrohet në tërësi përgjegjësia e forcave serbe për një numër të madh të njerëzve të vrarë atje”, thotë Kandiq. “Harrohet se pse dhe si erdhi deri tek ndërhyrja e NATO-s. Çfarë i ka paraprirë ndërhyrjes dhe cili ishte roli i Serbisë në këtë mes. Ndërhyrja e NATO-s ka qenë një masë drastike, por mjeti i vetëm për të ndaluar ushtrinë dhe policinë serbe.”

Natasha Kandiq ka marrë një numër të madh vlerësimesh ndërkombëtare për punën e saj. Në vitin 2003 ka qenë edhe në listën e 36 heronjve evropianë, të botuar në revistën „Time”. Në vitin 2005 është shpallur qytetare nderi e Sarajevës dhe person i vitit në Bosnje-Hercegovinë, sipas revistës „Slobodna Bosna”. Me 2013 është nderuar me çmimin Hrant Dink në Turqi, ndërsa kongresmenët amerikanë Eliot Engel dhe Roger Viker e kanë propozuar Natasha Kandiqi në vitin  2018 edhe për çmimin Nobel për paqen.

Studimi i ri: rënie e ndjeshme në popullsinë e insekteve

Insektet janë grupi me më shumë biodiversitet i gjallesave të planetit. InsektetDhe është gjë e mirë që ekzistojnë kaq shumë prej tyre, pasi janë përgjegjës për shumë prej proceseve që mundësojnë jetën në planet, që nga pjalmimi deri në dekompozim. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kevin Enochs, një raport i ri sugjeron se insektet po zhduken dhe se kjo mund të ketë pasoja katastrofike.

Një pjesë gjithnjë e më madhe e insekteve të botës tashmë ekzistojnë vetëm në koleksione ekspozitash.

Një përmbledhje e re e mbi 70 studimeve të popullsive të insekteve sugjeron se presioni njerëzor po shkakton tkurrjen e popullsisë së insekteve, madje me një ritëm prej 1/4-tën për çdo dekadë.

“Disa nga kolegët e mia e krahasojnë me lojën ‘Jenga’. Kur heq një copëz nga kulla Jenga, gjithçka vazhdon të duket mirë. Heq një pjesëz tjetër dhe e gjitha shembet. Nuk e di paraprakisht se heqja e cilës pjesë do ta shkaktojë rrëzimin dhe pasi e ke hequr nuk e vendos dot më në vend. Pra, humbja e specieve është shumë shqetësuese, pasi shpesh nuk dimë se çfarë funksioni kanë këto specie. Nuk dimë sa specie të tjera varen prej tyre”, thotë Max Barclay, i Muzeut të Historisë së Natyrës të Londrës.

Insektet përbëjnë klasën më të madhe të kafshëve në tokë dhe përfaqësojnë mbi gjysmën e të gjitha organizmave të gjalla. Ato kanë një diversitet të jashtëzakonshëm dhe në shumë mënyra bëjnë të mundur jetën në tokë.

Bletët dhe fluturat pllenojnë ushqimin tonë, lulet dhe pemët. Ato ushqejnë një sërë kafshësh të mëdha, si dhe njerëzit.

Insektet luajnë një rol jetësor në dekompozimin e të gjitha llojeve të lëndëve organike, që nga gjethet dhe deri tek kafshët e shtypura aksidentalisht nga makinat.

Kolapsi i insekteve po shkaktohet kryesisht prej aktivitetit njerëzor; që nga trafiku, tek fermat industriale, pesticidet dhe ndriçimi i tepërt artificial.

Shkencëtarët thonë se nuk mundemi të rrimë pa gjetur një zgjidhje.

“Një pjesë e madhe e të korrave, me të cilat ushqehemi, pllenohen nga insektet. Pra, imagjinoni një botë ku nuk ndodh ky pllenim. Ka shumë raste në botë ku po detyrohemi ta zhvillojmë pllenimin artificialisht, me kosto të lartë ekonomike, thjesht sepse insektet që e bënin këtë punë falas nuk gjenden më aty. Imagjinoni përmasat e problemit tek të korrat, nëse insektet nuk do të ekzistonin më”, thotë Mark Wright, i Fondit Botëror për Natyrën e Egër.

Një paralajmërim i madh është se të gjitha këto studime vijnë nga vende të industrializuara në Evropë dhe Amerikën e Veriut.

Shkencëtarët thonë se ata nuk kanë të dhëna për të matur speciet e insekteve në rajonet më tropikale.

Por, në këto vende të industrializuara, raporti parashikon se të gjitha speciet mund të zhduken brenda një shekulli.

Projekt botëror për mbarëvajtjen e bletëve

BletetShifrat paraprake të Departamentit amerikan të Bujqësisë tregojnë se popullata e bletëve në Shtetet e Bashkuara vazhdon të bjerë. Kjo rënie është pjesërisht rezultat i pesticideve, por edhe i faktorëve natyrorë si isektet që infektojnë kosheret. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kevin Enochs, kompania teknologjike Oracle ka bashkuar forcat me rritësit e bletëve në shkallë globale për t’i ndihmuar të kontrollojnë mbarëvajtjen e kolonive.

Rritësi i bletëve nga Londra, John Davey po merr pjesë në një eksperiment unik për të mbledhur të dhëna për bletët nga e gjithë bota.

“Kemi dy kabllo, njëri mbledh të dhëna nga kosherja, si përqindjen e lagështisë, tjetri regjistron temperaturën në koshere. Këto janë shumë të rëndësishme gjatë gjithë sezonit”.

Në koshere ka edhe ndjesorë të tjerë që analizojnë zhurmën dhe përcjellin të dhënat në një sistem kompjuterik në hapësirën kibernetike të krijuar nga kompania teknologjike Oracle. Kjo kompani po punon me shoqatën jofitimprurëse britanike ‘Projekti Botëror i Bletës’ që drejtohet nga Sabiha Malik dhe synon të garantojë që njerëzimi do të vazhdojë të ketë bletë për procesin jetik të pllenimit që na siguron ushqimin.

“Kjo është hallka e domosdoshme që shumë prej nesh shpesh e harrojmë. Bletët nuk janë të nevojshme thjesht për të prodhuar mjaltë, por edhe për polenizimin, pasi pa këtë proces nuk prodhohet ushqim,” thotë Sabiha Malik.

Të gjitha të dhënat e mbledhura nga sensorët, analizohen përmes inteligjencës artificiale për të identifikuar mënyra për dallimin e koshereve me probleme. John Abel punon për Oracle:

“Regjistrojmë të dhëna për lëvizjen e bletëve, vendndodhjen, ndotjen e mjedisit, rastet kur bletët janë pranë zonave industriale. Mund të dallojmë si ndikon vendndodhja pranë një hekurudhe apo një lumi. Të gjitha shërbejnë për të analizuar se si do të reagojë kosherja në lidhje me mjedisin”.

Por të dhënat nga një koshere e vetme nuk mjaftojnë për analiza, prandaj kompania Oracle po krijon një rrjet gjigand kosheresh nën vëzhgim. Sistemi do të krahasojë të dhënat dhe do të nxjerrë konkluzione mbi faktorët që mundësojnë koshere të shëndetshme:

“Po përdorim një sistem të hapur ku kushdo mund të regjistrojë të dhëna, në mënyrë që të mbledhim sa më shumë informacione. Na duhen miliona koshere që sistemi të funksionojë në mënyrë të pavarur,” thotë zoti Abel.

Një sistem i pavarur do të jetë në gjendje t’u dërgojë rritësve të bletëve paralajmërime nëse diçka nuk është si duhet në koshere, si dhe do t’u dërgonte studiuesve informacion mbi pikat e globit ku bletët janë më të shëndetshme. Bletët e shëndetshme mundësojnë një sistem të shëndetshëm për prodhimin e ushqimit.

“Bletërritësit mund të përdorin këto të dhëna për të kuptuar se si mund të krijojnë një ekosistem dinamik që krijon mundësi për polenizim më të mirë gjë që nënkupton më shumë prodhime ushqimore për vendin, për komunitetet e tyre, por edhe për mbarë botën,” thotë zoti Abel.

Sistemet monitoruese për kosheret kanë kosto relativisht të ulët, thotë zoti Abel. Ai shpreson se çdo bletërritës që e konsideron me interes këtë projekt, do të kontaktojë kompaninë Oracle për t’u përfshirë në rrjetin e të dhënave.