Në Bundestagun gjerman përplasje për eurointegrimet e Maqedonisë së Veriut

bundestagParlamenti gjerman sot debatoi dhe mbështeti anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, por deputetët hynë në një konflikt të hapur për shkak të anulimit të debatit për bisedimet me BE-në.

Atmosfera u prishi deputeti i opozitës të partisë së Gjelbër, Jurgen Tritin, i cili vlerësoi se rreth fillimit të negociatave të Shkupit me Brukselin ekziston një konflikt brenda vetë qeverisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Kancelarja është kundër, ndërsa ministria e Jashtme është e angazhuar për fillimin e negociatave. Koalicioni nuk mund të pajtohet për këtë çështje”, tha Tritin. Qeveria e koalicionit në Gjermani përbëhet nga partia Angela Merkel-CDU dhe Partia Socialdemokrate (SPD), në të cilën bënë pjesë ministri i Jashtëm, Heiko Maas.

“Dëshira e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut është jo vetëm që të jenë pjesë e NATO-s, por edhe pjesë e një Evrope të bashkuar”, tha deputeti i të Gjebërve.

Tritin vlerësoi se kryeministri grek Alexis Tsipras flijoi karrierën e tij politike për të arritur marrëveshjen e Prespës dhe për shkak të kësaj ai do të humbas pushtetin në zgjedhjet e ardhshme.

Tritini pyeti nëse dikush dëshiron që Maqedonia e Veriut të hyjë vetëm në NATO, por jo edhe në BE dhe nëse qytetarët e saj duhet të trajtohen si “evropianë të klasës së dytë”.

Ndërsa Krisitijan Shmit nga CDU tha se interesi strategjik i Gjermanisë është që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e BE-së dhe informoi se për fillimin e negociatave me BE-në do të flitet së shpejti. Shmit tha se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet në pako t’i fillojnë bisedimet./Telegrafi/

Aleatët e Bashës: Të shtyhen zgjedhjet me 6 muaj

Grupimi i qendres se djathteKamza ishte ndalesa e radhës e ‘Grupimit të Qendrës së Djathtë’.

 Krerët e 5 partive aleate historike të Partisë Demokratike, Fatmir Mediu i PR, Agron Duka i PAA, Nard Ndoka i PDK, Dashamir Shehi i LZHK dhe Vangjel Dule i PBDNJ, zhvilluan një bashkëbisedim të hapur me qytetarët.

Në këtë organizim, që tashmë njihet si ‘Forumi për Zgjedhje të Lira’, u diskutua mbi për krizën politike, institucionale dhe ekonomike në të cilin ndodhet vendi.

Krerët e partive opozitare kërkuan nga qytetarët që të vijojnë rezistencën e tyre, të marrin pjesë masivisht në protestën e datës 2 qershor, si dhe i bënë thirrje Presidentit të Republikës, si i vetmi autoritet kushtetues, të deklarojë ‘shtyrjen e zgjedhjeve lokale me 6 muaj’.

Duka: E shihni, sot dhe përditë, që vazhdon të mbretërojë si një sulltan në të gjitha institucionet shqiptare. Ka kaluar në delir. Krye ‘skifteri’ është ky vet, i cili ka vjedhur zgjedhjet. Kështu që ju bëj thirrje të gjithëve të vazhdojmë të jemi qëndrestarë, dhe të mblidhemi në protestën e ditës së shtunë, të jemi edhe shumë më tepër, sepse besoj se jeni irrituar me këto që po dëgjoni mbi ato që ai ka bërë gjatë zgjedhjeve. Nuk kanë vjedhur persona të veçantë, apo kryetarë bashkish, ka qenë ky shefi i vjedhjeve. Nuk mund të vidhte Dako pa bekimin e këtij, i ka bekuar ky këta, por ç’është më e keqja, mirë se i ka bekuar për vjedhje, por këta njerëz i ka marrë dhe i ka çuar në pushtet.

Mediu: I kërkoj Presidentit të Republikës, si autoriteti kushtetues i vetëm i këtij vendi, i cili duhet të garantojë unitetin e popullit; i cili duhet të garantojë një shoqëri demokratike e pluraliste; i cili duhet të garantojë nga pikëpamja kushtetuese një shoqëri që bazohet mbi votën e lirë, të deklarojë shtyrjen e zgjedhjeve lokale me 6 muaj. Në qoftë se Presidenti i Republikës ka deklaruar që është i gatshëm, në qoftë se do të ketë mirëkuptim politik, ne sot kuptojmë që nuk ka mirëkuptim nga pushteti i krimit.

Prandaj është e rëndësishme që të shtyjmë zgjedhjet për 6 muaj dhe të ndërtojmë një qeverisje tranzitore. Me burra dhe gra me integritet nga të dyja krahët politike, por edhe akademikë, të cilët të çojnë vendin në një qeverisje për të garantuar atë që është më e rëndësishmja: Zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Dule: Pak nga pak, ngjan sikur jemi përshtatur edhe ne me pabarazinë, me padrejtësinë, me votën e vjedhur, shpeshherë edhe duke mitizuar pushtetarët, qeveritë, duke u dhënë pushtete të pa kontrollueshme. Këto gjera Europa nuk i pranon, janë realitete të ndaluara, me të cilat nuk mund të bashkëjetojë. Në tavolinën europiane politikanë të korruptuar si Edi Rama nuk mund, dhe nuk do të rrinë asnjëherë të barabartë. Jemi brez i humbur, ne po se po, por mbi ne rëndon edhe përgjegjësia nëse do të jetë i humbur edhe brezi i fëmijëve tanë. Nuk mund t’ia falim një brez të tërë, të shoqërisë sonë, Edi Ramës dhe interesave të tij okulte. Duhet të ndërgjegjësohemi!

Shehi: Ky njeri na ka futur dorën në xhep të gjithëve neve, dhe e ndan me këto 10-15 vetë. Një pjesë e këtyre parave kanë ardhur edhe nëpërmjet
duarve të zeza fare, nga duart e drogës dhe të krimit e po shërbejnë për të blerë votat. Tani ky lloj rrethi, që merr lekët për të blerë votat, mbasi merr votat merr pushtetin për të vjedh lekët, për të blerë votat përsëri, për t’u rrotulluar përsëri këtu, në qoftë se ne nuk do ta ndalojmë do të na ndjekë gjithë jetën. Duhet me e ndalu’, me e thy’, këtë lloj rrethi të keq. Na takon të ngrihemi, të rezistojmë, kjo është betejë jetë a vdekje.

Ndoka: E vetmja mënyrë me të është përballja, dhe përballja është protesta. Çdo gjë e ka një lloj fundi, për atë, të merituar. E kanë shoqëruar skandalet, nuk është thjeshtë dëshira jonë për ta larguar, apo e opozitës për të ardhur në pushtet. Nuk ka kërkuar pushtet opozita, nuk kërkon pushtet Lulzim Basha, ne kërkojmë largimin e këtij kryeministri që është kapur peng nga grupet kriminale. Ta mbyllim me një ‘Rama ik’ të fuqishëm!

Top Channel

Përgjimet mbi lidhjet e Dakos me Avdulajt

DakoNë Shqipëri, disa përgjime pjesë e dosjes hetimore për grupin e vëllezërve Avdylaj, të dyshuar për aktivitet në fushën e drogës, e të botuara gazetën gjermane Bild, kanë rikthyer dhe një herë temën e lidhjeve të zyrtarëve socialist në Durrës me elementë të krimit dhe ndkimin e këtyre të fundit në fushatën zgjedhore të vitit 2017. Përgjimet vënë në dukje lidhjet direkte që Astrit Avdylaj, kreu i grupit, mbante me kryetarin e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, por dhe me kandidatin aktual të Partisë socialiste për Bashkinë e Shijakut Elton Arban, si dhe angazhimin e Avdylajt për të siguruar vota për Partinë socialiste dhe një prej kandidatëve të saj, deputetin aktual Ilir Ndraxhi:

Pas publikimeve të përgjimeve të para, në mënyrë të përsëritur kryetari aktual i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka mohuar njohjen tij me drejtuesit e grupit të Avdulajve, duke deklaruar se gjatë një fushate zgedhore ai takohet me shumë njerëz. Në të njejten linjë, atij i ka dalë në mbrojtje dhe kryeministri Edi Rama, duke folur gjithashtu për kontakte rastësore gjatë aktiviteteve elektorale. Por publikimi nga gazeta gjermane Bild, i bisedave të përgjuara nga Prokuroria shqiptare, dëshmojnë se zoti Dako kishte shumë më tepër se një njohje rastësore me Astrit Avdulajn, madje dhe me një ish të dënuar për vrasje Vath Alla. Madje Avdulaj rezulton të ishte në dijeni dhe të takimeve që Dako zhvillonte me kryeministrin

Astrit Avdylaj: A të ka zënë gjumi mbrëmë mo vëlla, se ke takuar Ramën dje, keni ndejtur jeni kënaqur

Vangjush Dako: Ça bone

Astrit Avdylaj: Ça bëhet

Vangjush Dako: Mirë, mirë

Astrit Avdylaj: Nga je vëllai…

Vangjush Dako: Dëgjo

Astrit Avdylaj: Hë vëlla…

Vangjush Dako: Thuaj byrazerit që unë po iki në Ishëm tek ata çunat atje

Astrit Avdylaj: Jo pra tashi se do ta lemë një çik më vonë, se jam këtu me çunat unë (Vath Alla).

Vangjush Dako: Ku je ti?

Astrit Avdylaj: Këtej nga hipoteka me Anin (Ani Dyrmishi, drejtor në Durrës), Ani do vij të takoj një çik drejtorin apo…..?

Vangjush Dako: Ato Allat janë aty apo…?

Astrit Avdylaj: Po Vath Alla është këtu me mu drejtëpërdrejtë, e kam këtu live, përballë në tavolinë, po na dëgjon tashti.

Vangjush Dako: Epo mirë takohemi në Durrës atëherë.

Përgjimet zbulojnë se Avdulaj kishte kontakte të ngushta dhe me drejtuesë të tjerë socialist dhe dretuesë institucionesh. AI komunikon lirshëm me kryebashkiakun e Shijakut ndërsa koordinon me të një takim së bashku me zotin Dako dhe persona të tjerë, mes të cilëve dhe Ilir Ndraxhin, person që do të përfshihet në listat e kandidatëve të Durrësit dhe do të zgjidhet më pas deputet

Astrit Avdylaj: Nesër kemi një takim në orën 10 të mëngjesit…alo?

Kryebashkiaku i Shijakut: Po, po, të dëgjoj, po.

Astrit Avdylaj: Unë, ti, Gjushi, Liri, vllai i Lirit dhe Jupi. Do pim një kafe nesër në Durrës në orën 10:00. Prandaj të mora sot me një fjalë.

Kryebashkiaku i Shijakut: Atëhere, nesër në 10:00 do jemi 5 minuta te Pallati i Kulturës…. Pa merak pa merak.

Një tjetër përgjim tregon angazhimin direkt të Avdulajt për të mbledhur vota për kandidatin socialist, ndërsa flet me një votues

Astrit Avdyli: Rrofsh edhe ti. Të kam marrë për votën, e din vetë me një fjalë.

Votuesi: Ma the një dite tek shpija.

Astrit Avdyli: Që ta kesh të qartë, nuk duhet t’i thuash asnjërit, as Gon Dukës. Ne jena për PS-në, për Ilir Ndraxhin.

Ndërsa në bisedë me vëllanë e kandidatit socialist, Avdylaj flet për angazhimin e tij për një fitore 10 me 0 në zgjedhje, aq “sa të habitet dhe ail art”

Në një rast tjetër Astrit Avdylaj, telefonon Ivo Doçin, drejtor i kompanisë së ujësjellësit dhe kanalizimeve në qytetin e Durrësit, të cilit i kërkon listën e punonjësve që mund të jenë kundër kandidatëve socialist, të cilëve sipas tij u duhet bërë e qartë se mund të hiqen nga puna

Astrit Avdylaj: I du të gjithë ata emra që mund të kesh kundra.

Drejtor i Ujësjellësit në Durrës: I kam nda unë, i ke të ndarë komplet.

Astrit Avdylaj: A ashtu, këtë kërkoj unë.

Drejtor i Ujësjellësit në Durrës: I kam bërë para unë, kshu që i ke gati

Astrit Avdylaj: Eee ashtu. Kur të kesh kohë, se duhet me i thirr atyre që ti tundim nga një çik.

Drejtor i Ujësjellësit në Durrës: E kuptoj, s’bëhet fjalë fare.

Astrit Avdylaj: O te puna, o të na japin votën, ose të ikin te shpija.

Drejtor i Ujësjellësit në Durrës: As bëhet fjalë fare.

Avdylaj duket qartë se ka një ndikim të fortë te drejtuesit socialist lokal, ndërsa i telefonon me tone urdhëruese kryetarit socialist të Shijakut duke i kërkuar të ndërhyjë pranë drejtorit të Inspektoriatit të Ndërtimit në mënyrë që ai të anullonte një gjobë vendosur një biznesi.

Astrit Avdylaj: Po merre o vlla se ska qenë aty Vangjushi, ka shku ka vënë gjoba në fermë të Sukthit. Merre o vlla, thuj o ….. ke shku aty ke vënë gjoba ka 5 milion. Vangjushi s’është aty është në Zvicër ne Edin

Elton Arbana: Ke nai emër konkret? Kujt i ka von

Astrit Avdylaj: Kujt konkret? Thuj ke vonë gjoba në Fermë, ktheje gjobë. Se nuk është aty Vangjushi. Je tu bo gabim thuj or pis.

Elton Arbana: E mor unë tani direkt. E more vesh që më hoqën mua para na 1 javë.

Astrit Avdylaj: Unë se di kur kush si qysh tek

Elton Arbana: Më hoqën isha unë tek INUK, bëra dhe unë si këto edhe më hoqën fare.

Astrit Avdylaj: Nuk e di unë, po merre atë thuaj se Vangjushi është në Zvicër me Edi Ramën dhe s’du me e marr vetë.

Në një regim në Facebook, kryetari demokrat Lulzim Basha u shpreh se përgjimet e publikuara “janë radiografia e pushtetit mafioz dhe ilegjitim të Edi Ramës. Bisedat tregojnë fuqinë e krimit të organizuar, Për të ndikuar në emërimin e deputetëve dhe të kryebashkiakëve të PS; Për të blerë votat për llogari të Edi Ramës sipas objektivit të caktuar prej tij; Për të urdhëruar administratën publike të identifikojë kundërshtarët politikë të Edi Ramës, që t’i kërëcënojë për votën e tyre; Për të marrë favore shtetërore në kundërshtim me ligjin; Për t’u informuar për axhendën politike brenda dhe jashtë vendit të kryeministrit”.

Sipas zotit Basha “përgjimet që mbahen peng nga prokuroria e kontrolluar prej Edi Ramës, janë konfirmim i pakundërshtueshëm se parlamenti i dalë nga zgjedhjet e vitit 2017 është produkt i krimit të organizuar, Qeveria e Edi Ramës është ilegjitime dhe se me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme”, shkruan zoti Basha.

voa

Kërkesa për dëmshpërblim: Athina e ka seriozisht

GreqiaGreqia ka kërkuar zyrtarisht nga Gjermania që të negociojë për dëmshpërblimet për dëmet e pësuara në Luftën e Dytë Botërore. Një notë përkatëse verbale i është dërguar qeverisë gjermane, u bë e ditur në Athinë.

Të ashtuquajturën notë diplomatike verbale – zakonisht mesazh me shkrim nga një shtet tjetër për Ministrinë e Jashtme Gjermane – Athina e pati lajmëruar që në fund të prillit. Në atë kohë, parlamenti e ngarkoi qeverinë e kryeministrit Alexis Tsipras të kërkojë kompensim nga Gjermania për mizoritë e kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 2016 një komision ekspertësh arriti në përfundimin se ky kompensim duhet të arrijë një shumë deri në 290 miliardë euro.

Tsiprasi pati thënë se pas përfundimit të programeve të ndihmës për Greqinë e kërcënuar nga falimentimi, do të ishte momenti i duhur për të bërë këtë. Për të kishte rëndësi që të afrohej në një nivel të barabartë dhe miqësor me Gjermaninë, deklaroi ai.

Dëmshpërblimet janë për popullin grek me rëndësi të veçantë, “moralisht dhe materialisht”, bëri tani të ditur Ministria e Jashtme.

Gjermania i refuzon dëmshpërblimet

Berlini e ka refuzuar në mënyrë të përsëritur një kompensim më të lartë ndaj Athinës për krimet gjermane në Luftën e Dytë Botërore. Qeveria Federale Gjermane argumenton se të gjitha kërkesat financiare të Greqisë për këtë periudhë janë kompensuar. Kjo vlen edhe për çdo pretendim që rrjedh nga një kredi e imponuar, të cilën Gjermania naziste ia kishte kërkuar si fuqi pushtuese Greqisë, në fillim të viteve 1940. Në vitin 1960 Gjermania i ka paguar Greqisë 115 milionë marka dëmshpërblim.

Juristë dhe historianë kanë qëndrime të ndryshme lidhur me të drejtën e grekëve për dëmshpërblime të mëtejshme. Historianë dhe juristë grekë arrijnë në përfundimin se Gjermania duhet ta dëmshpërblejë ende Greqinë. Kurse ekspertë gjermanë, duke përfshirë edhe Shërbimin Shkencor të Bundestagut, kanë arritur në përfundimin e kundërt. Kriza e madhe ekonomike e çon qeverinë greke të bëjë edhe hapa, prej të cilave realisht ajo nuk pret shumë.

 

dw (dpa, rtr)

Gjykata e Lartë e Podgoricës dënon me burg një shtetas malazez për krime lufte në Kosovë

Vlada ZmajevicVlada Zmajeviç u shpall fajtor për vrasjen e katër civilëve shqiptarë në fshatin Zhegër të Gjilanit në vitin 1999.

Kryetari i Trupit Gjykues, Dragoje Jovoviç, në arsyetimin e aktgjykimit, theksoi se dëshmitë e paraqitura vërtetojnë se me këtë rast janë kryer krime të luftës, pasi, sipas tij për ato kanë dëshmuar dëshmitarët, por edhe vetë i akuzuari që e ka pranuar në fazën e parë hetimore fajësinë por i ka mohuar më vonë këto deklarata. Në bazë të aktgjykimit Zmajeviç shpallet fajtor për vrasjen e katër civilëve shqiptarë në fshatin Zhegër të Gjilanit në vitin 1999. Në atë ngjarje Zmajeviq, si pjesëtar i forcave paraushtarake, vrau tre vetë me një armë zjarri si dhe qëlloi për vdekje me thikë një femër.

Në gusht të vitit 2016, Prokuroria Speciale e Mali të Zi për krim të organizuar dhe krime lufte konfirmoi se kishte arrestuar Vlada Zmajeviqin (47 vjeç) nga Nikshiqi i Malit të Zi, qytet në kufi me Bosnjën dhe Hercegovinën, me dyshimin se “ka kryer krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë më 1999”.

Ky është rasti i parë që gjyqësori në Mal të Zi ka dhënë një vendim përfundimtar për vrasjen dhe trajtimin çnjerëzor të shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.

Oda e Avokatëve të Malit të Zi dhe shoqatat civile, disa herë e kanë kritikuar gjyqësorin në këtë vend se nuk është i gatshëm dhe nuk dëshiron që të ballafaqohet me të kaluarën. Dështimet ligjore dhe pasiviteti i prokurorisë dhe gjykatave vendore kanë bërë që në Mal të Zi të mos ketë dënime për krime lufte.

I tillë ishte edhe rasti i lirimit nga akuza të 8 ushtarëve të ish-Ushtrisë Jugosllave për vrasjen e 15 refugjatëve nga Kosova në fshatin Husaj afër Rozhajës në Mal të Zi, gjatë luftës në Kosovë, ku pas një procesi disa vjeçar, të gjithë të dyshuarit u lanë të lirë. voa

75-vjetori i D-Day

D dayEdhe pse fotografitë tregojnë diçka tjetër, në operacionin e trupave aleate, që zbarkuan në Normandi, kishte ushtarë nga 14 vende.

Çlirimi erdhi nga ajri. Pak pas mesnatës së 6 qershorit të vitit 1944, kontigjentet e parë të trupave aleate zbarkuan në Normandi. Ata ishin 24.000 parashutistë që kishin si detyrë, që para se të fillonte në të gdhirë zbarkimi i trupave nga deti, të vinin nën kontrollin e tyre ura dhe pika të rëndësishme rrugore dhe të vendosnin sinjale drite për forcat ajrore. Por plani nuk funksionoi sipas parashikimeve. Era e fortë i shtyu parashutistët thellë në brendësi të Francës dhe vetëm një e dhjeta e tyre arriti në kohë në zonën e frontit. Ky sulm i gjeti gjermanët në befasi. Edhe në orën dy të natës gjeneralët e trupave gjermane të dislokuara në zonën e Atlantikut vlerësonin se situata ushtarake qe jo e rrezikshme. Në një bisedë telefonike me Berlinin ata njoftuan se lajmet për zbarkim ajror janë “të ekzagjeruara” dhe se situata është e qetë

Manovër mashtruese

Në fakt gjendja ishte ndryshe. Në brigjet e Anglisë qe grumbulluar në orët e mbrëmjes së 5 qershorit një armatë e tërë, që është dhe armata më e madhe e forcave detare dhe ajrore në historinë e luftërave. Duke shfrytëzuar errësirën e natës armata u nis në drejtim të brigjeve franceze. “Dita-D ishte një ndërmarrje ndërkombëtare dhe jo thjesht vetëm amerikane. Në të merrnin pjesë edhe trupa britanike e kanadeze dhe me kontingjente më të vogla edhe ushtarë norvegjezë, belgë, çekë dhe sllovakë,” sikurse analizon historiani ushtarak Peter Lieb në një bisedë për DW. “Atyre iu shtuan pastaj edhe njësi nga Polonia si dhe anije greke. Po ashtu ka pasur edhe një kontigjent të vogël francezësh.”

Për përforcimin e kontigjenteve kishin dërguar trupa edhe aleatët nga vendet e Komonuellthit, pra Australia dhe Zelanda e Re. Kanadezët morën përsipër me divizionin e tyre të 3-të misionin luftarak për vijën bregdetare me emrin e koduar “Juno”. ”

“Natyrisht që kemi dy aktorët kryesorë, amerikanët dhe britanikët,” vërren Lieb. “Këta të dy përcaktuan dhe strategjinë e sulmit. Por ata ishin të vetëdijshëm se kjo është një luftë në koalicion dhe se atyre u duhej të përfshinin edhe vendet më të vogla, për t’i treguar botës se kishim të bënim një ndërmarrje universale pra së bashku në luftë kundër Gjermanisë së Hitlerit.

Dita vendimtare

Në orën 6.30 – pak pas lindjes së diellit – në muzgun e mëngjesit të datës 6 qershor në brigjet e Francës u shfaqën luftanijet e para amerikane. Ato filluan menjëherë sulmin me artileri të rëndë ndaj fortifikimeve gjermane. Një orë më vonë zbarkuan njësitë britanike, kanadeze dhe franceze, që të mbështetura ndër të tjera nga luftanija polake “Dragon” sulmuan në një brez bregdetar prej rreth 80 kilometrash, i cili u shndërrua në një kohë shumë të shkurtër në një fushë të përgjakshme beteje me shumë të vdekur.”

4.200 varka zbarkimi, 1.200 luftanije, 155.892 ushtarë të vendeve aleate nga 14 kombe ishin në veprim në D-Day të mbështetur nga ajri prej avionëve ushtarakë. Kombet më të vogla u inkuadruan në trupa ushtarake të përziera. Shumica e varkave të zbarkimit i përkisnin Marinës Mbretërore Britanike, edhe pse disa nga fotografitë dhe pamjet filmike nga dita e zbarkimit sugjerojnë diçka tjetër, sipas historianit Peter Lieb: “Kjo lidhet me faktin se amerikanët kishin marrë me vete gazetarë dhe kameramanë në varkat e zbarkimit. Prandaj ne kemi shumë më shumë fotografi nga amerikanët se sa nga britanikët apo kanadezët.”

Humbjet më të mëdha

Megjithatë D-Day është ndër ditët e Luftës II Botërore dita, në të cilën amerikanët dhe kanadezët pësuan humbjet më të mëdha, thotë historiani Peter Lieb. Në orët para të sulmit gjetën vdekjen më shumë se 50% e ushtarëve, për shkak se shumë u mbytën, i zuri deti dhe nuk ishin në gjendje të mbroheshin, pra u vranë, apo sepse tanket ngecën në rërë.”

Nga dreka gjermanëve iu mbaruan municionet dhe për këtë shumica e fortifikatave të murit mbrojtës të Atlantikut ranë brenda disa orësh në duart e trupave aleate. Megjithatë përparimi i trupave aleate në brendësi të Francës nuk qe i lehtë. Dhe Charle De Gaulle arriti të marshonte me një divizion tankesh në Parisin e çliruar vetëm më 25 gusht.

Beteja e Normandisë u kurorëzua në fund të fundit me fitore, por edhe me humbje të mëdha jetësh njerëzore. Ajo mbetet një moment kyç në historinë e luftës kundër Gjermanisë naziste në dy fronte, e cila u vendos edhe në frontin lindor.

dw

Përpjekje për t’i bërë të sigurta makinat autonome

Automjete autonomeNjë shqetësim i madh lidhur me automjetet autonome është se kompjuterët ndonjëherë ndeshen me probleme që kanë të bëjnë me çrregullimet në botë. Për shembull, vitin e kaluar në Arizona një këmbësor u godit dhe u vra nga një makinë autonome. Por kohët e fundit, janë bërë përpjekje që disa algoritme të reja t’i zgjidhin problemet që mund të shkaktojnë vdekje. Kronikën e përgatiti korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kevin Enoh:

Përfitimet nga automjetet autonome janë të shumta: më pak trafik, ndotje, dhe më pak aksidente vdekjeprurëse. Por inxhinierët kanë ende shumë punë për të bërë për të testuar sigurinë e këtyre makinave. Dhe për këtë qëllim është hapur një qendër testimi në Suedi.

“Kemi krijuar gjithçka të nevojshme për makinat pa shofer. Pra, kemi katër mjedise prove: një qytet, një rrugë rurale, zona shumë e hapur me shpejtësi të lartë dhe pastaj autostrada; këto janë situatat tipike në rastet e makinave pa shofer. Kjo është unike, “- thotë Peter Janevik i firmës Astazero.

Por është edhe problemi i këmbësorëve. Njerëzit në rrugë ndonjëherë mund të reagojnë më shpejt se një makinë autonome. Pra, testimi përfshin edhe njerëzit, ose të paktën me manekin. Programimi i kësaj makine zakonisht përfshin situata me këmbësorë virtualë, që e detyrojnë makinën të reagojë shpejt.

Prodhuesit thonë se pak nga pak, po i zgjidhin problemet që kanë penguar përdorimin e automjeteve autonome.

“Ne kemi zgjidhur tre probleme: kemi zgjidhur problemin e bllokimit të trafikut, kemi zgjidhur problemin e transportit dhe atë të parkimit. Ne besojmë se këto tre janë pikat më të rëndësishme kur i japim makinës,”- thotë Dennis Nobelius, i firmës “Zenuity”.

Zgjidhja e këtyre problemeve i hap rrugën një bote në të cilën të gjitha llojet e ngarjes së makinës – nga shërbimet e taksive tek kamionët, të lëvizin pa shofer. ​

“Ne gjithashtu do të shohim automjete pa shofer si makina Einride që shkon nga një pikë në tjetrën, këtu ne shohim një të ardhme të madhe”, – thotë Magnus Castell, i firmës Ericsson.

Një tjetër mundësi sigurie është pajisja e makinave me opsionin që njerëzit të mund të marrin kontrollin e tyre kur është e nevojshme.
Ky kamion për shembull, është duke u nisur nga një stacion qindra kilometra larg nga rruga e testimit.

“Në dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet, unë mendoj se do të shohim një shtim të objekteve që janë të lidhura me rrjetet celulare 5G; mund të jenë automjete, mund të jenë persona ose përdorues të tjerë të rrugëve si këmbësorë, ose biçikleta. Ato do të mund të përdoren edhe për transportimin e pakove”- thotë Castell.

Rrjetet e reja 5G do t’i lejojnë njerëzit t’i japin makinës kur ajo has në pengesa të pazakonshme, ose të ndërlikuara.

Sipas parashikimeve, deri në vitin 2022 mund të ketë deri në 5 milionë automjete autonome nëpër rrugë.

voa

Tërmet, 6 lëkundje të forta godasin Korçën

termeti korceNjë seri goditjesh tërmeti u rregjistruan mëngjesin e së shtunës në Shqipëri, në juglindje të vendit, në zonën e Korçës. Sipas të dhënave nga Instituti i Gjeoshkencës, ato arritën në një intensitet prej 5.3 gradësh të Shkallës Richter, me epiqendër rreth 17 kilometra në jug dhe jug lindje të Korçës, dhe zgjatën në një interval prej gati dy orësh nga 04:26 deri në 06:20 minuta kur është rregjitruar goditja e fundit me intensitet më të lartë, e pasuar dhe në orët në vijim nga lëkundje të tjera.

Të paktën 4 persona rezultojnë të jenë lënduar nga dëmet në banesat e tyre. Sipas të dhënave zyrtare ata janë paraqitur “në urgjencën e spitalit për të marrë ndihmën e parë pasi nga rënia e mureve të disa banesave, kanë pësuar lëndime të lehta. Dy prej tyre kanë marrë ndihmën e shpejtë në spital”.

Ministria e Mbrotjes bën të ditur se janë disa dhjetra banesa të dëmtuara në disa fshatra të zonës. Bilanci deri në mesditë flet për çarje muresh, shembje çatie dhe shembje suvash në 70 shtëpi në fshatin Floq dhe Dvoran, nga të cilat sipas të dhënave zyrtare “50 banesa janë të vjetra dhe të pa banuara prej shumë vitesh”. Po ashtu në fshatin Qafëzezë janë të dëmtuara nga tërmeti 10 banesa, ndërsa në fshatin Vidohovë kanë pësuar çarje të mureve 20 banesa të vjetra.

Goditjet e tërmetit kanë shkaktuar panik mes banorëve të cilët kanë braktisur banesat duke qëndruar jashtë. Për orë të tëra kanë qenë të shumtë ata që nuk janë rikthyer në shtëpitë e tyre nga frika e lëkundjeve të tjera.

voa

Sieg: Shqipëria në BE- nxitje në drejtimin e duhur për investitorët e huaj

Stephanie SiegStepanie Sieg , Presidente e DIHA-s , ( Deutsche Industrie und Handelsvereinigung in Albanien- Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregëtisë në Shqipëri)

Presidentja e DIHA-s në Shqipëri, Stephanie Sieg, thotë për DW, se krahas krizës politike ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë tek investitorët e huaj lidhur me angazhimin ekonomik në Shqipëri.

Krizës politike në Shqipëri nuk po i duket fundi. Deri tani nuk ka asnjë shenjë që palët mund të ulen në tryezën e bisedimeve për të gjetur një zgjidhje. Opozita ka paralajmëruar të zhvillojë më 2 qershor protestën e 7-të kombëtare antiqeveritare  Ndërsa qeveria nën kryeministrin Edia Rama dhe partia e tij PS hapin  më 1 qershor fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, të cilat opozita jashtë parlamentare, e kryesuar nga Partia Demokratike, (PD) do t’i bojkotojë.

Mungesa e dialogut dhe kompromisit brenda sistemit politik demokratik po dëmton  ekonominë e vendit dhe po i bën investitorët e huaj të distancohen nga idetë e tyre për të investuar në Shqipëri, në një kohë kur investimet e huaja mbeten karburanti kryesor për të zhvilluar ekonominë e vendit.

Stepanie Sieg , Presidente e DIHA-s , ( Deutsche Industrie und Handelsvereinigung in Albanien- Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregëtisë në Shqipëri) thotë për DW se situatat politike kanë përherë ndikim ndaj investimeve të huaja, por edhe atyre vendase.

“Ne, si DIHA, mund të shohim mes anëtarëve të shoqatës shqetësimin e tyre për vazhdimin e situatave të tilla, që i mban ata larg nga përqendrimi në ҫështje të domosdoshme si emigrimi i punonjësve me kualifikim të lartë, përmirësimi i arsimit dhe politikave për të tërhequr investime të huaja. Pavarësisht situatës politike, atraksioni i Shqipërisë duhet të jetë më i dukshëm, më i pranishëm dhe të ketë më shumë publicitet në tregun global, thotë për DW, Presidentja e DIHA, Stephanie Sieg.

Turizmi i viktima kryesore e krizës politike

Por treguesit e ndikimit negativ tanimë janë shfaqur. Për investitorët vendas ato janë më të dukshme në sektorin e turizmit. Sipas statistikave zyrtare vitin e kaluar Shqipërinë e vizituan 6,5 milion turistë të huaj, shifër rekord, që këtë vit nuk ka gjasa të arrihet.

Luan Bregasi, President i Shoqatës “Biznes Albania”, thotë, se imazhi i vendit tek turistët e huaj nga mediat ndërkombëtare po zvogëlon dukshëm fluksin e ardhjes së tyre në Shqipëri këtë verë dhe po ul numrin e prenotimeve për vitin e ardhshëm.

” Çdo ditë anulohen prenotime hotelesh dhe nënshkrime kontratash. Shqipërisë i është dashur një punë e madhe për të marketuar atraksionet turistike, monumentet kulturore dhe historike të vendit , që të tërheqë interesin e turistëve të huaj. Kriza politike, pamjet nga Shqipëria me tym dhe flakë po ngjallin frikë jashtë vendit.  Po mungojnë prenotimet për vitin e ardhshëm, që bëhen sivjet. Mendoj se do të duhet një 10 vjeҫar për ta rikthyer Shqipërinë si destinacion turistik në nivelin e vitit të kaluar” thotë për DW , Luan Bregasi.

Nuk është vetëm kriza aktuale politike

Por nuk mungojnë faktorë të tjetë me rëndësi që kanë rol në investimete huaja. Presidentja e DIHA-s, Stefanie Sieg, thotë se investitorët që janë tani të pranishëm në Shqipëri i njohin situatat dhe problemet në kohë zgjedhjesh. Ndryshon puna me ato që duan të vijnë.„Kompanitë që janë të interesuara të investojnënë Shqipëri, natyrisht që dëgjojnë ҫfarë thonë mediat dhe e vlerësojnë vetë riskun potencial për biznesin e tyre dhe investuar në një vend tjetër. Faktorët nuk janë vetëm momentet politike por edhe të tjerë, gjithë paketa, gjithë kuadri si p.sh. reforma në drejtësi, siguria, taksat, forca e punës etj. që janë të rëndësishme për kompanitë që të investojnë në një vend tjetër”.

Për Presidentin e “Business Albania”, Luan Bregasi. kriza politike ka një ndikim të madh negativ tek investitorët që kanë ide të investojnë në Shqipëri.

” Investitorët pyesin dhe duan të dinë se ҫfatë po ndodh në Shqipëri, a po i vjen fundi krizës politike. Ata ndruhen të investojnë për shkak të ndikimit të madh negativ që ka kriza politike. Shumë sipërmarrës vendas, që punojnë me kompani të huaja, deklarojnë se investitorët e huaj presin normalizimin e situatës politike që t’u rikthehen ideve të tyre për të investuar në Shqipëri”, thotë për DW, Luan Bregasi.

A janë miqësore me biznesin politikat fiskale dhe ҫmimet?

Ndikimi negativ i krizës politike ka nxjerë në pah ato që komuniteti vendas i biznesit i quan” mangësi të politikave stimuluese të qeverisë” . Është fjala për taksat, tatimet ҫmimet e lëndëve të para për prodhimin vendas. “Shqipëria është  vendi  me ҫmimin më të lartë në rajon të lëndëvë të para si uji dhe energjia elektrike. Rajoni i ka dyfish më të ulta ҫmimet e këtyre lëndëve në krahasim me Shqipërinë. Kjo diferencë bën që ekonomia shqiptare të mos jetë konkurruese jo vetëm me produktet që vijnë nga Bashkimi Europian por edhe me produktet që vijnë nga rajoni”, thotë për DW Luan Bregasi.

Sipas Z.Bregasi, politika të tilla kanë ulur besimin e sipërmarrjes private vendase për të investuar, për të hapur vende të reja pune dhe mundësuar që njerëzit ta kenë perspektivën e jetës në vendin e tyre. Kjo ndodh në një kohë kur sektori privat në Shqipëri jep rreth 89 % të Prodhimit të Brendshënm Brutto,(GDP)  dhe mban rreth 85%, rreth 600 mijë vetë,  të të gjithë të punësuarve në Shqipëri. Kurse sektori publik punëson vetëm 100 mijë. Këtu nuk përfshihen të punësuarit në tregun informal të punës.

Presidentja e DIHA-s, Stephanie Sieg, thotë se biznesi i huaj, që operon në Shqipëri, mendon ndryshe. “Ne, si gjermanë, mendojmë që ҫmimet e lëndëve  të para si energjia dhe uji janë të arsyeshme. Natyrisht përmirësimi, sidomos i tregut të energjisë me energji diellore, të erës dhe ujit do të kenë ndikim pozitiv mbi ҫmimet. Vetë investitorët e huaj po investojnë në infrastrukturë. Ne besojmë që duke hyrë në BE, Shqipëria do të marrë një nxitje drejt drejtimit të duhur dhe do të shohim më shumë investime të huaja në Shqipëri” thekson për DW, Stephanie Sieg.

Biznesi vendas që ndjen më shumë se investitorët e huaj në Shqipëri,ndikimin e krizës politike, i ka brë thirje qeverisë dhe opozitës të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të nxjerrin vendin nga kriza.

A pritet luftë për pushtet mes Gjermanisë dhe Francës?

Merkel MacronFragmentarizimi politik i Parlamentit Evropian pas zgjedhjeve ndikon në ndërlikimin e raporteve të pushtetit në Evropë. Disa vëzhgues shohin një duel midis Gjermanisë dhe Francës për postet kryesore në Evropë.

“Luftë për pushtet në Evropë”, “Duel midis Merkelit dhe Macronit për postet kryesore evropiane”. Tituj mediatikë të tillë sigurisht synojnë të tërheqin vëmendjen. Në fund të fundit, në postet kryesore drejtuese të BE zgjidhen periodikisht përfaqësues të rinj nga shtete të ndryshme evropiane.

Konkretisht është fjala për zgjedhjen e posteve kryesore politike në Evropën e Bashkuar. Ose të posteve me ndikim te politika në Evropë: për zgjedhjen e Presidentit të Komisionit Evropian – si të thuash të kryetarit të qeverisë së Evropës; të Presidentit të Këshillit Evropian, ku janë të përfaqësuar kryetarët e qeverive e shteteve evropiane; të Presidentit të Parlamentit Evropian, ku mblidhen deputetët e zgjedhur në shtetet anëtare; posti i të Ngarkuarit të Politikës së jashtme të BE – në njëfarë mënyre, ministri i Jashtëm i Evropës; si dhe të Presidentit të Bankës Qendrore Evropiane – që vendos për politikën monetare në zonën e euros.

Këtë herë e gjitha tërheq vëmendjen më fort në Gjermani e Francë, sepse Franca kundërshton kandidatin e Partisë Popullore Evropiane, konservatore, në Parlamentin Evropian, gjermanin Manfred Weber. Kurse Gjermania e ka deklaruar atë si kandidatin më të mirë dhe e mbështet. Konservatorët e PPE vërtet e humbën në këto zgjedhje evropiane shumicën absolute në Parlamentin Evropian, por sërish janë grupi më i madh parlamentar. Dhe tradicionalisht nga grupi më i madh parlamentar del Presidenti i Komisionit.

Shanset që Gjermania ta imponojë zgjedhjen e Weberit – jo të mëdha

Këto shanse janë 50:50, tipike për ndërlikimin që ka çdo vendimmarrje në strukturat evropiane. Macroni kundërshton parimin që grupi më i madh parlamentar të ketë të drejtë të nxjerrë automatikisht Presidentin e Komisionit Evropian. Në fakt, Lëvizja e tij En Marche nuk i përket asnjërit nga blloqet e mëdha. Lëvizja e Macronit dërgon pas këtyre zgjedhjeve evropiane vetëm 23 deputetë në Parlamentin Evropian; por është bërë aleate me Liberalët, duke mbledhur kështu 102 deputetë nga 751 sa ka Parlamenti Evropian. Kjo është një shumicë që mund të pengojë vendimmarrjen e Presidentit të Komisionit. Macroni mund të krijojë aleanca bllokuese me Spanjën, Portugalinë e ndoshta Greqinë edhe në Këshillin Evropian. Pasi Presidentin e propozojnë kryetaret e qeverive në Këshillin Evropian, por atë duhet ta zgjedhë edhe shumica e Parlamentit Evropian.

Merkeli: “ta trajtojmë me kujdes njëri-tjetrin”

Me këtë thënie në Bruksel, në samitin e posaçëm pas zgjedhjeve evropiane, Merkeli nuk pati në mendje vetëm interesat gjermane, por edhe Evropën. Jo më kot atë e quajtën edhe të enjten, në Universitetin e Harvardit, lidere faktike të Evropës. Kancelarja kërkoi kujdes që të mos hapen plagë, që dëmtojnë bashkëpunimin e mëtejshëm në strukturat evropiane.

Vëzhguesve u tërheq këtë herë vëmendjen mënyra e pazakontë se si liberalët, por edhe socialdemokratët përpiqen t’ia marrin kontrollin nga duart Merkelit. Korrespondentë të mediave gjermane treguan se në samitin e posaçëm që u mbajt në Bruksel pas zgjedhjeve, për të fituar aleatë, Macroni u premtonte të gjithëve gjithçka: evropianojugorëve se do të mbështesë si President të Komisionit, socialdemokratin Frans Timmermans; Liberalëve se do të mbështesë Komisioneren daneze Margarethe Vestager; evropianolindorëve, që duan dikë nga Lindja si President, se do t’i pengojë si Timmermansin, ashtu edhe Vestagerin e Veberin.

Pse vepron në këtë mënyrë Presidenti Macron? 

E gjitha është pjesë e lojës politike. Zyrtarisht Macroni thotë që bavarezit Manfred Weber i mungon përvoja ndërkombëtare dhe ekzekutive. Por në thelb, një politikan francez si Macroni, që e zgjodhën në post me një program proevropian, dhe që në këto zgjedhje evropiane e mundi radikalja e djathtë Marine Le Pen, është në presion për të dëshmuar diçka. Ndoshta do të dëshmojë se ai dhe Franca janë megjithatë vendimtarë në Evropë. Edhe pa Gjermaninë ose madje edhe kundër vullnetit të saj.

Por Manfred Weberin e kundërshton edhe Spanja, pasi socialisti Pedro Sanchez preferon për President socialdemokratin Timmermans; njësoj si kryeministri i Portugalisë, Antonio Kosta; edhe holandezi Mark Rutte, kërkon një person me përvojë ndërkombëtare. Sigurisht, francezët do të preferonin si President Komisioni një francez, negociatorin e Brexitit, Michel Barnier. Por sipas burimeve nga Brukseli, gjermanët e kanë bërë të qartë: po nuk u zgjodh një gjerman, nuk zgjidhet as një francez në këtë post. Kjo shton shanset e danezes Vestager.

A pritet një çarje në marrëdhëniet Gjermani – Francë?

Për këtë gjasat janë të vogla. Kancelarja Merkel deklaroi se gjermani Weber mund të zgjidhet edhe kundër dëshirës së shteteve të veçanta. Por njëkohësisht ajo tha që BE duhet të mbetet “i aftë për të vepruar”, pra të mos bllokohet pas këtij emërimi. Sepse p.sh. pas kësaj pune duhet miratuar buxheti i BE. Dhe ai miratohet vetëm njëzëri, pra nëse askush nuk vendos veton. Kjo do të thotë se Gjermania do të vërë në peshore çfarë fiton dhe çfarë humbet nga zgjedhja me çdo kusht e Manfred Weberit si President të Komisionit Evropian. Merkeli nuk është e interesuar për çarje në Evropë. Po as Franca nuk ka interes që të denigrohen publikisht Gjermania dhe Merkeli.

Njëkohësisht: pas një fitoreje hipotetike (me pengimin e Weberit) në Parlamentin Evropian, Franca mund të jetë më pak konfrontuese. Nëse Gjermania lëshon pe në rastin e Weberit, Franca p.sh. mund ta mbështesë për zgjedhjen e një gjermani, si drejtues të Bankës Qendrore Evropiane. Ose të tregohet më tolerante ndaj prioriteteve gjermane në BE.

Deri në samitin e ardhshëm të BE, në 20/21 qershor Manfred Weberi duhet të sigurojë shumicat pro tij në Parlamentin Evropian. Ndërsa kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk, me ndihmën e grupeve parlamentare do të konstatojë se cili kandidat ka shanse më të mëdha, që t’ia propozojë Këshillit Evropian. Deri atëherë negociatorët e të gjitha palëve kanë shumë punë.

dw