Përfundon takimi i sotëm, opozita maqedonase thotë se është arritur marrëveshje xhentëlmene

sdsm-vmroGrupet punuese të pushtetit dhe të opozitës maqedonase sonte u takuan në Kuvendi për Propozim-ligjin për Prokurori Publike.

Opozita maqedonase nuk dëshironte të komentojë nëse sonte janë përafruar qëndrimit, por shkurtimisht u përgjigjën se kanë arritur ‘marrëveshje xhentëlmene’, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska tha se nuk ka përafrim të qëndrimeve në lidhje me lëndët e PSP-së që janë hapur pas afatit, si dhe vazhdimi i punës së prokurorëve të PSP-së në Prokurorinë e re.

Për këtë ligj u dorëzuan 51 amendamente, të cilët 10 u miratuan të enjtën në ditën e parë të debatit në Komisionin për Çështje Evropiane./Telegrafi/

Sesioni i ri parlamentar, në fokus Reforma zgjedhore

kuvendiNë Shqipëri parlamenti nisi sot pasdite sesionin e tij të ri, në një sallë e cila do të vijojë të ketë 18 vend bosh, pas largimit të opozitës në muajin shkurt, dhe djegien e mandateve të 58 përfaqësuesve të saj. Vetëm 40 prej tyre u zëvendësuan nga emrat që ndodheshin në listat e Partisë Demokratike dhe Partisë Lëvizja socialiste për integrim, të cilët nuk ju nënshtruan vendimit politik të drejtuesve të tyre.

“Parlamenti përballoi me dinjitet sfida të jashtëzakonshme dhe unike. Demokracia liberale si asnjëherë gjatë tre dekadave u provua si demokraci kushtetuese dhe vetë konstutucionalizmi si tendencë solide e saj. Si asnjëherë në historinë e pluralizmi, Kushtetuta u rezistoi aventurave duke shpëtuar kështu sistemin demokratik të Shqipërisë nga anarkia dhe kaosi. Rreth 70% e mandateve janë zëvendësuar shumë shpejt nga deputetët e rinj të opozitës, gjë që ndihmoi në rikthimin e normalitetit të Parlamentit”, deklaroi në fjalën e tij hapëse kryetari Gramoz Ruçi duke ju referuar pikërisht situatës së paprecedentë të krijuar në vend.

Emëruesi i përbashkët i diskutimeve të përfaqësuesve të të gjithë krahëve politikë në sallë, ishte reforma zgjedhore. Komisioni i Posaçëm ka afat deri në muajin tetor. Shumica, siç e ka bërë të qartë kryeministri Edi Rama synon përmbylljen e saj në javët e ardhshme, në mënyrë që të realizojë rekomandimin e vitit të kaluar të Këshillit europian, për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Ky Këshill pritet të thotë fjalën e tij në mesin e muajit të ardhshëm si për Shqipërinë ashtu dhe për Maqedoninë e Veriut.

Shumica, siç u shpreh dhe kryetari Ruçi por dhe drejtuesi i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, i mbetet ftesës për ta realizuar këtë reformë dhe me Partinë Demokratike, duke i lënë asaj sërish përfaqësim në Komision së bashku me të drejtën e vetos. Por megjithatë, miratimin e Reformës, shumica do të duhet ta bëjë me votat e opozitës në sallë. Përfaqësuesit e kësaj të fundit i kanë mëshuar idesë së ndryshimit të sistemit zgedhor. Dhe këtë e theksoi me forcë dhe drjteusja e grupit Demokrat Rudina Hajdari. “Reforma zgjedhore do ti japë fund këtij sistemi që ka mmbytur demokracinë e brendshme. Nuk do kemi qeverisje të mirë me një qeveri autokratike. Ndryshimi i sistemit duhet të jetë kryefjala e ndërhyrjes në reformën zgjedhore. Si opozitë jemi pro ndryshimeve kushtetuese për një sistem të ri që ofron kandidatë të denjë dhe konkurrencë të drejtë”, u shpreh zonja Hajdari, e cila përmendi gjithashtu dhe nevojën e depolitizimit të administratës zgjedhore, dhe garantimin e votës së emigrantëve.

Por ndërsa për këto dy pikat e fundit, mund të gjendet dakortësia me shumicën, ndërhyrjet në sistemin zgjedhor që kërkojnë dhe ndërhyrje kushtetuese, duken të pamundura për t’u realizuar në harkun e pak javëve. Edhe kryetari i grupit Socialist Balla nënvizoi faktin se reforma duhet të mbështetet te rekomandimet e OSBE-ODIHR-it.

Deputetët do të nisin punën në këtë sesion me një sërë projektligjesh të rrëzuara nga Presidenti Ilir Meta, që nga kontratat koncesionare për ndërtimin e dy akseve rrugore, të ndryshimet në ligjin për Koncesionet, ato në Kodin Penal apo dhe ligjin për Akademinë e Shkencave.

Shumica ka paralajmëruar rivotimin e tyre, ndërsa nesër do të rifillojë nga puna dhe Komisioni hetimor i ngritur për shkarkimin e Kreut të Shtetit. Parlamenti i është drejtuar Komisionit të Venecias, një delegacion i të cilit pritet të mbërrijë në shqipëri në filim të javës së ardhshme. Opinioni i këtij institucioni oritet të jetë vendimtar, ndërkohë që procesi në vetvete do të dojë kohë, pasi fjalën e fundit do të duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese e cila nuk do të mund të plotësohet ende më numrin e nevojshëm të anëtarëve që do të lejonin funksionimin e saj.

Mungesa e gravitetit vret qelizat e kancerit

qeliza kancerMjaftojnë 24 orë pas vendosjes në gjendjen e mungesës së gravitetit që të shuhen më shumë se 80% e qelizave kanceroze të testuara, kanë zbuluar studiuesit australianë.

„Shumë vetë në shoqërinë tinë papritur u sëmurën me kancer, dhe kjo më ka motivuar që të studioj, se çfarë ndodh me qelizat e kancerit”, thotë Joshua Chou, studiues në Universitetin Teknologjik të Sydneyt. „Nuk ka ndonjë çelës të artë për të shëruar kancerin, sepse çdo tip kanceri është i ndryshëm nga tjetri dhe njerëzit reagojnë ndryshe ndaj tij. Megjithatë dëshiroja të dija, a ka diçka, që kanë të përbashkët këto qeliza kanceroze? Prandaj i futa ato në aparatin e mikrogravitacionit”.

Eksperimentet me vendosjen artificiale në gjendjen e mungesës së rëndesës ishin jashtëzakonisht të suksesshme: „Ne kemi testuar katër lloj qelizash kanceroze, nga pjesë të ndryshme të trupit – të gjoksit, vezoreve, mushkërive dhe hundës – i vendosëm ato në në gjendjen e mungesës së gravitetit. Këtu zbuluam, se brenda 24 orësh 80%-90% e këtyre qelizave ngordhën komplet”, thotë Chou.

Përgatitje për studime në gjithësi

Bashkë me asistentin e tij, Anthony Kirollos, studiuesi kërkon të dërgojë në stacionin kozmik ndërkombëtar, ISS qeliza kanceroze. „Ne duam të zbulojmë, nëse është vërtet mikrograviteti, që ndikon tek qelizat kanceroze, apo janë gjëra të tjera në gjithësi, si për shembull rrezatimi diellor?”

Përgatitjet për këtë hap kanë filluar intensivisht, eksperimente të tilla janë vërtet shumë të komplikuara. „Nga ana teknike është e vështirë, por ndodhemi edhe para sfidës, që t’i mbajmë gjallë këto qeliza dhe t’i kthejmë sërish në Tokë.”

Konfirmim i studimeve të mëparshme

Këto sfida i njeh edhe studiuesja, Prof.Dr. Daniela Grimm nga Universiteti i Magdeburgut, dega e biologjisë së gravitacionit dhe mjekësisë regjenerative. Në intervistë me Deutsche Wellen ajo shprehet e entuziazmuar për rezultatet nga Australia. „Gëzohem shumë! Ky është një konfirmim i madh i rezultateve tona studimore, në një kohë që kolegu australian ka bërë eksperimente me lloje të tjera të kancerit.”

Në vitin 2017 një anije kozmike kineze ka dërguar disa eksperimente të biologëve të mbledhur me Prof. Dr. Daniela Grimm në stacionin kozmik, ISS. Në enët e posaçme, të mëdha sa një celular, „Thyroid Cancer” ishin futur qeliza kanceroze të tiroideve. Ka dy dekada që studiuesit shohin se si zhvillohen qelizat në gjendjen e mungesës së gravitetit në grumbuj qelizorë tredimensionalë, të quajtur sferoidë. Cilësitë e këtyre sferoidëve i ngjasojnë tumoreve në trupin e njeriut, shumë më tepër se kulturat qelizore dydimensionale të mbjella në laboratorë. Këto sferoidë përdoren për kërkimin e biomolekulave, të cilave mund t’u përngjitet një substancë. Sepse në sferoidë ka proteina të ndryshme, të cilat ndër të tjera mund të shkaktojnë „vdekjen e programuar të qelizave.”

Ky urdhër „vetëvrasës” biologjik, kujdeset që në qelizat e shëndetshme të ngordhin qelizat e plakura ose të dëmtuara. Tek qelizat kanceroze kjo vdekje qelizore nuk funksionon më. Qeliza e sëmurë jeton dhe vazhdon të ndahet më tej, duke bërë të lindë sëmundja e kancerit.

Qëllimi i studiuesve është zhvillimi i ilaçeve  që aktivizojnë apo bllokojnë proteina të caktuara. Për këtë bota studimore ka nevojë për gjendjen e mungesës së gravitetit. dw

Reagon Beogradi e Prishtina pas incidentit në Urën mbi Ibër

ura mitroviceNë Mitrovicë një i ri serb plagoset me thikë pas përleshjes me të rinj shqiptarë. Prishtina e quan incidentin mbi lumin Ibër të izoluar, ndërsa, Beogradi zyrtar thotë se ura mbi Ibër nuk duhet të hapet.

Një 17-vjeçar me përkatësi etnike serbe mori plagë me thikë në mbrëmjen e shkuar gjatë një përleshje me një grup të rinjsh shqiptarë në Urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Megjithëse deri tani ngjarja është cilësuar si një incident i izoluar, kanë ardhur menjëherë reagimet e Beogradit zyrtar si edhe autoriteteve të Prishtinës.

Policia vazhdon hetimet

Zëvendëskomandanti i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti thotë, se policia po punon intensivisht për të zbardhur rastin, ndëkohë që ende nuk dihen motivet. I riu serb është jashtë rrezikut për jetën. “Ende nuk i dimë arsyet dhe motivet, se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, jemi në drejtim të hulumtimit. Hetuesit policorë janë duke punuar intensivisht në bashkëpunim edhe me drejtorinë rajonale të Jugut duke parë kamerat mbi lumin Ibër, incizimet e ngjarjes dhe për të parë në të vërtetë çfarë ka ndodhur”, tha Besim Hoti.

Kryeministri i Kosovës në detyrë Ramush Haradinaj, e dënoi incidentin, ku një i ri serb mori plagë dhe u kërkoi organeve të drejtësisë që të zbardhin sa më shpejt rastin dhe të kapen autorët. “Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe në vazhdimësi ka qenë shembull i tolerancës dhe diversitetit. Veprimet e tilla janë raste të izoluara dhe asnjëherë nuk do të cenojnë paqen dhe sigurinë në vend”, thotë në reagimin e tij Ramush Haradinaj.

Vuçiq: Të mos hapet Ura e Ibrit

Për Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, incidenti “ndëretnik”, siç e cilësoi ai. është i rëndë. Ura mbi Lumin Ibër nuk duhet të hapet për qarkullim, tha kërkuar Vuçiq. “Sulmi ndaj një të riu serb në Mitrovicën Veriore tregon se sa e rrezikshme është hapja e Urës së Ibrit. Ekziston një adhurim i shqiptarëve me veriun e Kosovës. Këto janë gjëra dhe lajme të këqija. Kjo është arsyeja pse unë them se sa e rrezikshme ishte të hapej Ura e Ibrit, pasi dëshira e shqiptarëve është Veriu i Kosovës dhe rruga e ‘Mbretit Petar’ në Mitrovicë”, tha Aleksandër Vuçiq, sipas medieve në Serbi.

Veseli: Beogradi të heqë dorë nga provokimet

Ndaj deklaratave të Presidentit të Serbisë, reagoi ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke i bërë thirrje Vuçiqit që “këtë rast të izoluar të mos e përdorë për interesa personale që e cenojnë sigurinë e Kosovës dhe rajonit”. “Loja që Aleksandër Vuçiq po luan, për interesa të tij të ngushta dhe për konsum të brendshëm politik, është në dëm të bashkëqytetarëve tanë serbë të Kosovës. Deklarata e tij ka për synim cenimin e sigurisë së Kosovës dhe dëmtimin e stabilitetit rajonal. Prandaj, i bëj thirrje Beogradit, që të heqë dorë nga provokimet dhe të lërë bashkëqytetarët tanë serbë rehat të lirë”, thotë në reagimin e tij Veseli duke e dënuar incidentin dhe duke u bërë thirrje organeve të drejtësisë që ta zbardhin rastin.

Shqiptarët dhe serbët nuk kanë probleme në vendbanimet e tjera brenda Kosovës, Shtërpcë, Graçanicë, Novobërdë dhe shumë vende të tjera ku jeton shumica dërmuese e komunitetit serb në Kosovë, sipas Veselit. “Problemet ekzistojnë vetëm aty ku Serbia ka interes që të shkaktojë konflikt. Kosova është një shtet evropian demokratik, multi-etnik që garanton maksimumin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve jo-shumicë dhe kurrsesi nuk do të lejojë krijimin e mureve artificialë të ndarjes apo urrejtjes ndër-etnike”, thotë Kadri Veseli.

Incidenti i mbrëmshëm në Urën mbi Lumin Ibër ndodh pas një periudhe të gjatë, ku nuk janë shënuar incidente ndëretnike, ndonëse në veri të Kosovës, kohë pas kohë lehtësisht tensionohet gjendja. Ura mbi Lumin Ibër që disa herë pas luftës ka qenë arenë përleshjesh ndëretnike, e ndanë qytetin e Mitrovicës në dy pjesë, veriu i banuar me shumicë serbe dhe jugu me shumicë shqiptare. Tash e disa vite Ura vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim, ndërsa një projekt i Komisionit Evropian për rikonstruktimin e saj akoma po vazhdon, ndonëse tash e dy vjet sipas planifikimeve ishte dashur të hapej për qarkullim.