Kryesia e radhës së OSBE-së, paraqet mundësi dhe sfida për Shqipërinë

delegacioni ne OSBEShqipëria e fillon kryesinë e radhës së OSBE-së për vitin 2020, ndërkohë që rajoni ku vepron organizata përballet me sfida të konsiderueshme sigurie dhe të demokracisë. Në një diskutim në Komisionin e Helsinkit, anëtarë të delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, folën për përparësitë që do të ndjekë Tirana në vitin kur mban kryesinë. Por siç njofton kolegia Keida Kostreci, mangësitë që vazhdon të ketë Shqipëria në procesin e demokracisë brenda vendit, mund ta kufizojnë efektivitetin e saj për zgjidhjen e problemeve të ngjashme në zonën e OSBE-së.

Këshilltari Politik i Komisionit të Helsinkit, Bob Hand tha se kryesia e radhës organizatës më të madhe rajonale në botë, është një nder por edhe një sfidë, në kushtet e agresionit rus kundër Ukrainës dhe kërcënimeve ndaj vendeve të tjera fqinjë, disa konflikteve rajonale, rezistencës ndaj reformave demokratike në disa vende dhe zmbrapsjes serioze të demkracisë në vende të tjera.

“Ne në Komisionin e Helsinkit besojmë se përfaqësuesi më i lartë i OSBE-së, duhet të mishërojë frymën e 10 parimeve të Helsinkit dhe zbatimit të të gjitha angazhimeve të OSBE-së. Kjo nuk do të thotë që duhet të ketë një rekord të përkryer, dhe madje as një nga më të mirët mes 57 vendeve. Do të thotë që të jetë duke ecur qartë në drejtimin e duhur dhe të jetë qartësisht i përkushtuar ndaj asaj rruge. Kryesia kërkon kompetencë dhe dhe aftësi, por edhe besueshmëri”, tha zoti Hand.

Ditmir Bushati, kryetar i delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së dhe ish-Ministër i Jashtëm, tha se pas anëtarësimit në NATO (në vitin 2009), kjo është arritja më e madhe e politikës së jashtme të Shqipërisë.

“Ne në Shqipëri, veçanërisht ky delegacion, jemi shumë të kënaqur me këtë sukses dhe ne synojmë ta transformojmë këtë, në një projekt uniteti kombëtar”.

Zoti Bushati tha se proceset demokratike që pas vitit ’90 kur Shqipëria ishte konsumatore e sigurisë, ishin të vështira dhe shpesh të dhimbshme, por shtoi se Shqipëria është tanë një faktor stabiliteti.

Rudina Hajdari, anëtare e opozitës në delegacionin e Shqipërisë, the se ky është një hap madhor për vendin.

“Mendoj që është e rëndësishme që kur vihemi përpara sfidave që janë goxha të rëndësishme për interesin e Shqipërisë, siç është kryesimi i OSBE-së, duhet të kemi vullnetin që të shfaqemi bashkë me njëri tjetrin krah për krah, për të treguar se Shqipëria është në gjendje që të ketë një untitet kombëtar kur vjen fjala për interesin e Shqipërisë”, tha ajo për Zërin e Amerikës.

“Tani ne ndodhemi në një udhëkryq goxha të vështirë, sepse kemi probleme, sfida brenda vendit tonë, por edhe në kuadër të dialogut Serbi Kosovë”, shtoi ajo.

Por ndasitë the krizat politike në Shqipëri, ishin një temë e pashmangshme duke pasur parasysh që disa nga ato sfida me të cilat përballet OSBE-ja dhe do t’i duhet të merret Shqipërisë si kryetare e radhës, ajo i ka ende të pazgjidhura plotësisht vetë, si sistemi zgjedhor, lufta kundër korrupsionit dhe shteti ligjor, si edhe demokratizimi.

Një shembull është debati i fundit për paketën anti-shpifje, që OSBE-ja ka sugjeruar të rishikohet por që qeveria deri tani duket se nuk ka synim ta bëjë.

Zoti Hand tha se çështje si kjo vënë në pikëpyetje autoritetin moral të Shqipërisë kur trajton çështje të lirisë së medias në vende të tjera.

“Shqetësimi im kryesor është se është problematike për Shqipërinë ë Shqipëria t’i ketë këto ligje, por edhe do të jetë e vështirë që Shqipëria që të ngejë zërin për lirinë e shprehjes në ato vende të OSBE-së që kanë më shumë kufizime se Shqipëria në këtë drejtim”, i tha Zërit të Amerikës, zoti Hand.

“Shqipëria duhet të përparojë në këto fusha, nëse do që si kryetare e OSBE-së, t’u bëjë thirrje vendeve të tjera të marrin hapa në një drejtim pozitiv”, tha ai.

Zoti Bushati parashtroi përparësitë e Shqipërisë si kryetare e radhës, përfshirë mbështetjen e misionit të OSBE-së në Ukrainë, operacionet në terren me personelin e plotë dhe aktual, promovimin e lirive themelore, misionet e ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe nxitjen e diplomacisë parlamentare në shërbim të dialogut.

Zoti Hand solli edhe një perspektivë historike, duke rrëfyer se si në vitin 1991, në një seancë të Komisionit të Helsinkit, shkrimtari Ismail Kadare bëri thirrje që Shtetet e Bashkuara ta mbështesnin aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Këshillin e Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Evropë, jo si mbështetje për regjimin por për t’u dhënë shpresë njerëzve.

Ai iu drejtua zonjës Hajdari, vajza e heroit të demokracisë, Azem Hajdari.

“Babai juaj, ndërhyri menjeherë duke thënë ‘e mbështes plotësisht zotin Kadare dhe kjo do të ishte një mbështetje e madhe morale për popullin e Shqipërisë që ka vuajtur aq shumë’”.

Zoti Hand sugjeroi që me kryesinë e radhës së Shqipërisë plotësohet një cikël dhe shprehu shpresën që kjo të jetë një nxitje për të çuar përpara procesin e demokracisë dhe tranzicionit deri kur t’i plotësojë të gjitha aspiratat për integrim evropian.

voa

Albin Kurti: Nuk mund të ketë ndryshim të kufijve të Kosovës

Albin KurtiNë intervistën me Deutsche Welle, Albin Kurti, kryeministri i ri i pritshëm në Kosovë, flet për programin e qeverisë që Vetëvendosja është duke krijuar me LDK, dialogun me Serbinë dhe integrimin e ardhshëm me Shqipërinë.

Deutsche Welle: Kanë kaluar më shumë se dy muaj që kur Vetëvendosja doli fituese në zgjedhjet në Kosovë, e megjithatë nuk e ka marrë ende pushtetin, sepse pret marrëveshjen e koalicionit. Cilat janë pengesat kryesore? Pse nuk përfundon krijimi i koalicionit?

Albin Kurti: Bisedimet për harmonizimin e programit qeverisës i kemi filluar prej kohësh. Që me mbarimin e zgjedhjeve të 6 tetorit kemi kontaktuar me LDK, dhe kemi filluar që të harmonizojmë programet me ekipet tona. Në këtë mënyrë kemi treguar një kulturë të re të formimit të qeverisë, ku së pari diskutohet për programin. Këtë e kemi përmbyllur në masën 100 përqind. Megjithatë, bisedimet për ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv i kemi filluar vonë, pas certifikimit të rezultateve, i cili u vonua me numërime dhe rinumërime të ndryshme. Tani jemi në një pikë ku po i finalizojmë edhe bisedimet për qeverinë. Unë jam optimist. Ka vështirësi, ka sfida, por kur ka vendosur populli më 6 tetor, ai ka bërë një lloj zgjedhjeje që nuk na ka lënë neve mundësi tjetër zgjedhjeje më tutje. Pra nuk ka mundësi për aritmetika të tjera, përveçse për qeverinë e nesërme që përbëhet nga opozita e djeshme me udhëheqjen e Vetëvendosjes, në bashkëqeverisje me LDK, me mua kryeministër.

Deutsche Welle: Që të jemi pak më konkret, bëhet fjalë për postin e Presidentit, apo jo?

Albin Kurti: Është e vërtetë që kemi diskutuar për ministrat, jemi dakorduar që t’i kemi dy zëvendëskryeministra, zëvendëskryeministri i parë nga LDK, zëvendëskryeministri i dytë nga Vetëvendosja. Jemi dakorduar që t’i kemi nga pesë ministri, ku dy ministri shtesë i vijnë pakicave. Kësisoj kemi gjithsej dymbëdhjetë ministra. Në bazë të Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutës ne na takon automatikisht kreu i Kuvendit, por kemi treguar gatishmëri për ta biseduar edhe këtë post. Por, ndonëse e dimë që çështja e Presidentit do të bjerë nën mandatin tonë dhe ne si subjekte politike do të duhet të jemi të angazhuar, kemi shprehur besimin që është më mirë të mbyllet çështja e qeverisë para se të hapet ndonjë çështje për presidentin. Ju e dini që në Kushtetutën tonë thuhet që “Presidenti përfaqëson unitetin e popullit”, pra nuk është një çështje e thjeshtë. Është e vërtetë që ka vështirësi, por besoj se me mirëbesim të ndërsjelltë dhe sidomos me dëshirën e madhe për ndryshime në Kosovë do ta tejkalojmë edhe këtë në ditët në vijim.

Deutsche Welle: Le të mos flasim vetëm për politikanët, por të flasim edhe për programin. Megjithëse nuk është krijuar ende qeveria, ju shpesh udhëtoni në Gjermani dhe me sa duket kanë filluar bisedime politike në Gjermani dhe në vende të tjera. Cilat janë kërkesat kryesore të Gjermanisë për qeverinë e ardhshme?

Albin Kurti: Me Gjermaninë kemi edhe një lidhje shtesë për faktin se atje kemi një diasporë gjysmëmilionëshe, e cila përbën pjesën më të madhe të reminitancave tek ne. Gjermania është motori ekonomik i Bashkimit Europian. Përveç kësaj Lidhja Demokratike e Kosovës i ka raportet me CDU (kristiandemokratët), ndërsa ne i kemi me SPD (socialdemokratët), e dihet se këto të dy parti në Gjermani janë në koalicion. Prandaj sa herë unë shkoj atje takoj edhe diplomatët e zyrtarët shtetërorë, takoj edhe deputetët e SPD, ku së fundi mora pjesë edhe në Kongresin e tyre. Por, takoj edhe deputetë të CDU dhe CSU (kristiansocialë). Sepse në mandatin tonë, në legjislaturën e shtatë si qeveri e re, duam  t’i zgjerojmë edhe t’i thellojmë marrëdhëniet me Gjermaninë. Aty diskutojmë dy çështje kryesore. Çështja e parë janë reformat e brendshme në Kosovë, si të nxirret shteti i Kosovës nga kriza, si të zbutet papunësia dhe varfëria, si të luftohet krimi dhe korrupsioni…

Deutsche Welle: Cilat janë konceptet tuaja në këto çështje?

Albin Kurti: Ata janë shumë optimistë për programet dhe zotimet tona. Ne duam një reformë të pesëfishtë, reformë në drejtësi, reformë në ekonomi, reformë në arsim, në shëndetësi dhe reformë në siguri. Reforma në drejtësi dhe reforma në siguri do të bëhet nëpërmjet një procesi vettingu, sepse shoshitja duhet të ngjajë jo vetëm tek prokurorët dhe gjykatësit, por edhe tek pozicione të veçanta dhe në rangjet e larta të inteligjencës dhe policisë. Duam që ta marrim sistemin ekonomik dual, edukativ siç është në Gjermani, por edhe në Zvicër dhe Austri, ku studentët dhe nxënësit kalojnë disa ditë në shkolla e fakultete dhe një ose dy ditë në ndërmarrje. Duam që të kemi investime të huaja duke filluar me investimet nga diaspora, sepse vështirë të kemi investime të huaja kur nuk investon as diaspora jonë për shkak të korrupsionit në Kosovë. Dhe mbi të gjitha do ta ndalojmë korrupsionin në qeveri, dhe do ta luftojmë kudo në institucione dhe në shoqëri.

Deutsche Welle: Nuk besoj se në këtë fushë ka ndonjë mosmarrëveshje midis jush, LDK dhe palës gjermane. Por nuk e di për fushën e dytë, për të cilën nuk keni folur ende. Besoj se fusha e dytë është politika e jashtme e Kosovës. Ku është pika më e vështirë këtu, sepse dihet që pozicioni i Gjermanisë është për vazhdimin e dialogut, sa më shpejt, dhe me heqjen e taksave. Çfarë kërkohet prej jush nga pala gjermane në këtë rast?

Albin Kurti: Është e vërtetë  që fusha e dytë e bisedimit është raporti ynë me Serbinë dhe raportet midis shteteve në Ballkanin Perëndimor. Ne si Lëvizje Vetëvendosje jemi dakord me LDK dhe me partnerët tanë gjermanë dhe europianë për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian, sa më parë aq më mirë. Por e dimë që nuk do të ndodhë së shpejti. Ne nuk shkojmë si shtet në Bashkimin Europian, por e ndërtojmë Europën brenda nesh, prej nesh. Kemi edhe traditë, kulturë e histori, por kemi edhe kapacitete njerëzore të tjera për këtë gjë. Sa i përket raporteve me Serbinë, ne jemi dakorduar që kemi nevojë të takohemi me pasardhësin e zonjës Mogherini, me Josep Borrell, përfaqësuesin e lartë europian përgjegjës për politikën e jashtme dhe sigurinë, për të diskutuar përgatitjen e dialogut të ardhshëm me parime të qarta dhe të sakta. Ne nuk mund të dështojmë sërish. Ai ka paralajmëruar tanimë, se vizitën e parë do e ketë në Kosovë dhe unë pres që ta takoj atë kur të jem kryeministër. Në anën tjetër kemi 33 marrëveshje me Serbinë gjatë dialogut gjashtëvjeçar 2011- 2017, dhe është e rëndësishme që ato t’ i shqyrtojmë, jo për t’u obsesionuar me to e për të humbur kohë, por për të ditur shkallën e zbatimit dhe të ndikimit, në mënyrë që të nxjerrim mësime për të ecur përpara. Dhe me LDK po ashtu jemi dakord që ta zëvendësojmë tarifën 100 përqind me reciprocitetin e plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, siç është aprovuar në rezolutën e Kuvendit të Kosovës më 7 dhjetor të vitit 2011.

Deutsche Welle: Domethënë vendoset recipriciteti dhe pastaj hiqen tarifat?

Albin Kurti: Së pari është reciprociteti, por le të mos harrojmë që edhe faktorët ndërkombëtarë, ambasadortë e Quintit në Kosovë i kanë vënë gjithashtu kushte Serbisë, që të ndërpresë fushatën kundër njohjeve të Kosovës dhe pjesëmarrjes së Kosovës, anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Pra edhe faktorët ndërkombëtarë nuk e shohin heqjen e tarifës pa një shprehje të vullnetit të mirë dhe pa një ndryshim në sjelljen e Serbisë. Ndërkohë që kemi ca hapa negativë në Beograd, sepse atje kreu i shtetit është deklaruar, se nuk do ta lejojë Kosovën që të hyjë në UNESCO. Nga ana tjetër ka dallime të qarta jo vetëm sa i përket vlerave por edhe sa i përket fakteve. Është mospajtim i thellë, përderisa ne e kemi të qartë qëndrimin karshi Rusisë, Serbia thotë edhe me Rusinë edhe me Bashkimin Europian. Ne nuk kemi kësi dilemash. Nuk dëshirojmë që siç themi ne shqiptarët, të hamë me dy lugë.

Deutsche Welle: Por një faktor nuk e keni përmendur ende. Amerikën. Ambasadori Grenell në Berlin është një nga personat me të cilin jeni takuar. Cili është mesazhi, apo kërkesa e SHBA për qeverinë e ardhshme?

Albin Kurti: Unë jam në kontakte të rregullta me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, i cili është një ambasador aktiv, i cili është angazhuar shumë për emancipimin shoqëror e institucional kundër korrupsionit në Kosovë. Po ashtu kam takime të shpeshta me përfaqësuesin e Departamentit të Shtetit, Matthew Palmer, me të cilin jam takuar për herë të parë 22 vjet më parë në SHBA dhe së fundi kam takuar edhe ambasadorin amerikan në Berlin, zotin Grenell i cili është caktuar si përfaqësues special i Presidentit Trump. Pra kemi bashkëbisedim në disa nivele. Nganjëherë mund të duket se ka dallime, por nganjëherë vëren njeriu edhe kompletaritet, për plotësim. Unë shpreh të qartë qëndrimin tonë.

Gjithashtu e kam kuptuar qëndrimin e zotit Grenell, i cili thotë që ky vend ka nevojë për investime ekonomike dhe investimet ekonomike kanë nevojë për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk e mohoj një gjë të tillë. Por, nga ana tjetër besoj se nuk duhet të ngutemi e të dështojmë sërish. Sepse kemi pasur shumë dështime në dialogun e deritanishëm. Dhe në bazë të studimeve që janë bërë në Kosovë theksohen tre faktorë shtesë pse nuk ka investime ekonomike: varfëria e popullsisë, pra kërkesa e ulët agregate apo fuqia e dobët blerëse e popullsisë, e dyta është qasja e vështirë në financa për shkak të kamatave të larta të kredive bankare për bizneset tona, dhe e treta është korrupsioni në institucione. Sipas disa raporteve jo vetëm ndërkombëtare, por edhe vendore Kosova është një vend ku ka elementë të kapjes së shtetit, që do të thotë se jo vetëm që kemi korrupsion në institucione por kemi edhe institucione në korrupsion. Neve na duhet që t’i rregullojmë këto për të patur investime, sepse nuk ka garanci se një marrëveshje me Serbinë, e ngutshme, shpërblehet sepse sjell investime.

Deutsche Welle: A pajtoheni me mendimin se duhet të arrihet një kompromis sa më shpejt, dhe duhet konsensus, dhe siç është biseduar shpesh veçanërisht nga përfaqësuesit amerikanë, duhet të ketë ndoshta edhe një kompromis me marrëveshje të reja, apo ndryshime të kufijve, si një kompromis që i bëhet Serbisë për të hyrë në dialog dhe për të pranuar Kosovën si shtet të pavarur?

Albin Kurti: Në fillim të viteve 90-të në një intervistë për mediat gjermane dhe në një intervistë për mediat franceze ish- presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova ka deklaruar se “Pavarësia është kompromis”.  Pas përfundimit të luftës kemi pasur kompromis me kompromis Planin e Ahtisarit, i cili ka shumë defekte që na pengojnë edhe sot në shtet-ndërtimin demokratik. Tani Serbia kërkon kompromis të ri. Kjo është ajo taktika, që merr çfarë mund të merret, ngel i pakënaqur që të marrësh edhe më shumë së shpejti…

Deutsche Welle: Atëherë me ju nuk ka kompromis për kufijtë…

Albin Kurti: Nuk mund të ketë ndryshim të kufijve të Kosovës. Kosova i ka kufijtë e vet. Kosova ka qenë element konstituiv i Federatës Jugosllave. Në këto kufi na kanë njohur rreth 110 shtete, përfshirë edhe SHBA dhe Gjermania dhe ne nuk kemi tokë për t’i dhënë Serbisë. Principi i marrëveshjes së ardhshme midis Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë vajtimi i Serbisë për Kosovën e humbur, me ç’rast ajo duhet të ngushëllohet me një kompesim territorial, por duhet të vihet në spikamë jeta e qytetarëve, nevojat praktike, të drejtat njerëzore dhe vuajtjet që kemi pësuar pikërisht nga një shtet si Serbia, që nuk ballafaqohet me të kaluarën e saj. Ne nuk kemi dilema. SHBA janë aleati ynë i pazëvendësueshëm. Menjëherë aty, është Gjermania. Ne nuk do ta zëvendësojmë asnjëherë Gjermaninë me Rusinë, e siç mund të ketë menduar edhe dikush tjetër që është angazhuar në tezën e gabueshme, të dëmshme, dhe fort të rrezikshme të shkëmbimit territorial.

Deutsche Welle: Por, nga ana tjetër kur flasim për ndryshimin e kufijve, në mediat gjermane dhe perëndimore ju shpesh jeni personi që i vini në pikëpyetje kufijtë duke folur për bashkimin e trojeve shqiptare si ultranacionalist. Kjo shpesh po përmendet në mediat e Gjermanisë dhe të Europës. A qëndron akoma kjo si formulë e Vetëvendosjes? A duhet menduar për bashkimin e trojeve shqiptare, apo mbeteni tek “Kosova i ka kufijtë e përcaktuar dhe ato nuk ndryshojnë”?

Albin Kurti: Ne nuk e shohim kufirin karshi Serbisë njësoj si kufirin karshi Shqipërisë. Sepse ne nuk kemi si t’i barazojmë Shqipërinë dhe Serbinë. Kufiri midis Kosovës dhe Shqipërisë nuk është kufi shqiptar, është kufi i Serbisë dhe i Jugosllavisë. Në mandatin tonë qeverisës ne do të përqëndrohemi në dy prioritete: në punësim dhe në drejtësi. Sepse ne duhet të arrijmë së pari që shteti i Kosovës të ketë sukses. Afrimin, integrimin e bashkimin një ditë dikur në të ardhmen me Shqipërinë unë nuk e shoh nëpërmjet dështimit të shtetit të Kosovës, por nëpërmjet suksesit. Ne duhet të bëjmë së pari që ky shtet të ketë sukses. Dhe populli shqiptar i ka ende traumat e Konferencës së Londrës së viti 1913, kur ministri i Jashtëm britanik i asaj kohe, sir Edward Grey pati thënë: “Ia bëmë një padrejtësi të madhe shqiptarëve për të ruajtur paqen në Europë”.  Por pa kaluar viti shpërtheu Lufta e Parë Botërore. Afrimi, integrimi, bashkimi me Shqipërinë ne nuk e shohim kurrsesi me mjete jopaqësore dhe me mjete jodemokratike, dhe me mjete jokushtetuese. Por po e them që kjo nuk mund të bëhet së shpejti, me të ardhur unë në zyrën e re të kryeministrit. Së pari duhet të ngremë shtetin e Kosovës, ku përqëndrimi ynë do të jetë tek ekonomia dhe drejtësia. Një ndër prioritetet do të jetë edhe dialogu parimor me Serbinë, por ky nuk do të jetë prioriteti kryesor. Prioritetet kryesore do të jenë drejtësia dhe punësimi.

Deutsche Welle: Me këtë formulë akordoheni edhe me partnerët tuaj në SPD dhe vendet e tjera të Europës?

Albin Kurti: Padyshim. Ata na kanë përkrahur neve edhe në fushatë, sidomos dy deputetë kanë qenë fort aktiv gjatë fushatës sonë, Stefan Schwartz dhe Josip Juratovic. I falenderoj me këtë rast…

Deutsche Welle: Pyetja e fundit. A do të dalë Vetëvendosja në garë kur bëhet fjalë për fushatën e ashpër elektorale në Shqipëri?

Albin Kurti: Aktivistët tanë në Tiranë kanë qendrën e tyre që ka emrin “Lëvizja Vetëvendosje”, por kanë autonominë e qëndrimeve dhe të veprimeve dhe të vendimeve. Besoj që emri Vetëvendosje është shumë demokratik, sepse vjen prej poshtë jo nga lart dhe është e kundërta e shkëmbimeve territoriale që vijnë nga lart, prej krerëve që silleshin në mënyrë monarkike. Vetëvendosja në Tiranë ka për qëllim që të ndërgjegjësojë dhe organizoj sa më shumë popullin atje për aktivitete në frymën e lëvizjes, por jo duke marrë direktiva nga Prishtina.

 

Intervistën e zhvilloi Adelheid Feilcke 

Ndotja e ajrit në Maqedoni, Tetova në krye të listës

Në pjesën veriore të vendit ndotja e ajrit është me e theksuar.

Qyteti i Tetovës është në krye të listës për nga ndotja e ajrit, ndërsa ndotje mesatare sonte ka Shkupi, Koçani dhe Strumica, njofton Telegrafi Maqedoni.

Si qytete me ndotje më të vogël janë qyteti i Gostivarit, Kërçovës, Velesit dhe Kavadarit.

Sipas aplikacionit ‘Ajri im’, pas Tetovës si qytet më i ndotur në Maqedoni për momentin vijon Kumanova ndërsa sot gjatë ditës Strumica ishte në vend të parë.

/Telegrafi/

5G, qeveria shqiptare ia mbyll derën përgjithmonë Kinës

5gPërmes një vendimi, qeveria shqiptare ka miratuar në parim memorandumin e bashkëpunimit me SHBA-në, sa i takon sigurisë së rrjetit 4G dhe 5G; një vendim që hyn në fuqi menjëherë.

E gjitha kjo ndodh në një kohë kur SHBA ka kërkuar vazhdimisht nga Shqipëria që të ketë kujdes në dhënien e së drejtës për azhornimin e rrjetit 5G.

Lexoni më poshtë vendimin:

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, PËR SIGURINË 4G DHE 5G

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për sigurinë 4G dhe 5G, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Top Channel

Portokalli zvogëlon rrezikun nga kanceri

portokalliPortokajtë ofrojnë mbrojtje të shkëlqyeshme për shëndetin e syve, zorrëve dhe stomakut, por ata ndihmojnë edhe për largimin e toksinave nga trupi.

Ata përmbajnë sa më shumë 170 fitonutrientë të ndryshëm dhe më shumë se 60 flavonoide të ndryshme, shumë prej të cilave kanë veti antiinflamatore, antikancerogjene dhe antioksiduese.

Këto komponime do të parandalojnë formimin e mpiksjes së gjakut. Kombinimi i antioksiduesve dhe flavonoideve e bën portokallin një nga llojet më të shëndetshme të frutave.

Është plot me vitaminë C, e cila shoqërohet me një rrezik të zvogëluar të kancereve të ndryshme, ndihmon në luftimin e dëmtimit të radikalëve të lirë të ADN-së dhe është e shkëlqyeshme kundër virusit.

Portokalli përmban përbërësin e quajtur liminoid, i cili zvogëlon rrezikun e kancerit të gojës, lëkurës, mushkërive, gjinjve, stomakut dhe zorrës së trashë.

Gjithashtu, nën lëvoren e portokallit gjendet sinofrina, një përbërës që zvogëlon prodhimin e kolesterolit në mëlçi, ndërsa antioksiduesit gjithashtu ulin nivelin e kolesterolit të keq në gjak.

Flavonoidet dhe vitamina C mbrojnë shëndetin e të gjithë sistemit kardiovaskular dhe zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Studimet kanë treguar që flavonoidi hesperidin i portokallit ul ndjeshëm presionin e lartë të gjakut

Top Channel

Ska marrëveshje, Kurti dhe Mustafa do të intensifikojnë takimet

Kurti MustafaLëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, as sot nuk kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.

Më shumë se një orë ka zgjatur takimi në mes liderit të VV-së Albin Kurti dhe atij të LDK-së Isa Mustafa, e krejt çka të dy ata janë marrë vesh është intensifikimi i takimeve deri në arritjen e marrëveshjes finale.

Pas përfundimit të takimit, zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa, ka thënë se të dy liderët janë pajtuar që të intensifikojnë takimet në ditët në vijim.

Mustafa nuk ka dhënë detaje nëse mos pajtimet kanë të bëjnë për ndarjen e postit të presidentit për të cilin insiston LDK.

Kujtojmë se të dy partitë nuk janë takuar që nga e hëna e javës së kaluar, kur edhe kishin filluar deklarimet se LDK po insiston të marrë postin e presidentit, për të cilën nuk po pajtohet Lëvizja Vetëvendosja.

Ndryshe, sot presidenti i vendit Hashim Thaçi, e ka thirrur mbledhjen për konstituimin e Kuvendit të Kosovës për datën 24 dhjetor.

rtk

Raport i ri mbi gjendjen e gazetarëve në botë

CPINumri i gazetarëve të burgosur në botë mbetet afër shifrave rekord, sipas një studimi vjetor të publikuar të mërkurën nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), i cili identifikon Kinën, Turqinë, Arabinë Saudite dhe Egjiptin si vendet me numrin më të madh të burgosjeve të gazetarëve në botë.

“Për të katërtin vit radhazi, qindra gazetarë u burgosën në shkallë globale, ndërsa udhëheqësit autoritarë si Xi Jinping, Rexhep Tajip Erdogan, Mohamed bin Salman dhe Abdel Fattah el-Sissi nuk tregojnë shenja të zbutjes të kritikave ndaj mediave”, sipas studimit për burgosjet e gazetarëve në vitin 2019 të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Edhe pse numri i gazetarëve të burgosur në të gjithë botën pati një rënie të lehtë në 2019, nga 253 në 245, organizata me seli në Nju Jork që ndjek lirinë e shtypit tha se numri i gazetarëve të akuzuar për raportim të “rremë” ose “lajme të rreme” vazhdon të rritet.

“Numri i gazetarëve të akuzuar për ‘lajme të rreme’ u rrit në 30, nga 28 që ishte vitin e kaluar,” thuhet në raport, duke shpjeguar se akuza, e përdorur më shpesh nga Egjipti, “ka patur rritje të ndjeshme që nga viti 2012, kur Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) gjeti vetëm një gazetar në mbarë botën ndaj të cilit ishin ngritur akuza për lajme të rreme”.

“Vitin e kaluar, vendet shtypëse, përfshirë Rusinë dhe Singaporin, miratuan ligje që kriminalizojnë botimin e ‘lajmeve të rreme’”, thuhet në raport.

Raporti i këtij viti, për herë të parë që nga viti 2015, nuk e radhit Turqinë si një nga vendet me numrin më të lartë të gazetarëve të burgosur në botë, pjesërisht sepse Ankaraja, “pasi kishte shtypur pothuajse të gjitha raportimet e pavarura, i liroi gazetarët në pritje të gjyqit ose apelit”.

Kina, e dyta në listë pas Turqisë si një nga mjediset më shtypëse të mediave në botë për vite me radhë, ka 47 gazetarë në burg, numër i ngjashëm me atë të vitit 2018, që kryesisht rezultoi nga përpjekjet e gazetarëve për të dokumentuar shtypjen në shkallë të gjerë të pakicave etnike, kryesisht të ujgurëve në provincën Xinjiang.

“Në një rast të kohëve të fundit, Sophia Huang Xueqin, një gazetare e pavarur, e cila më parë kishte punuar si gazetare investigative, u arrestua në tetor menjëherë pasi solli në blogun e saj përvojën e marshimit me protestuesit pro-demokracisë në Hong Kong,” thuhet në raport.

Arabia Saudite, “ku numri i gazetarëve të burgosur është rritur në mënyrë të qëndrueshme që nga viti 2011″, thuhet në raport, po mban të burgosur 26 gazetarë, mes pohimeve për torturë.

Numri në rritje i arrestimeve dhe abuzimeve të dokumentuara, thonë studiuesit e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, reflektojnë një goditje brutale të kritikëve nën Princin e Kurorës Mohamed bin Salman, të cilin zyrtarët amerikanë dhe ata të OKB-së e fajësojnë për vrasjen në tetor të vitit 2018 të kolumnistit të gazetës Washington Post, Jamal Khashoggi në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

Princi i kurorës saudite i tha emisionit “60 Minutes” të kanalit CBS News në shtator, se pranon përgjegjësinë për vdekjen e gazetarit Kashoggi, por mohoi akuzat se vrasja është bërë me urdhër të tij.

Shumica e 26 gazetëarëve të burgosur në Egjipt, thuhet në raport, u arrestuan dhe gjykuan në grupe, zakonisht për t’u përballur me akuza për terrorizëm dhe “lajme të rreme”.

Zyrtarët e qeverisë egjiptiane, ashtu si homologët e tyre në Turqi, Kinë, Rusi dhe Iran, zakonisht këmbëngulin se vënë në shënjestër vetëm gazetarët që synojnë të destabilizojnë vendet e tyre përkatëse.

Raporti për vitin 2019 i Komitetit për Mbrotjen e Gazetarëve gjithashtu thotë se në Iran ka patur një rritje të burgosjes së gazetarëve në vitin 2019, ashtu si edhe në Rusi, e cila mban shtatë gazetarë të arrestuar.

“Nga 38 gazetarë të burgosur në Afrikën nën-Sahariane, pjesa më e madhe janë në Eritre”, thuhet në raport. Kameruni radhitet i dyti për nga numri i gazetarëve të arrestuar në kontinentin e Afrikës, ndërsa ka pasur një rënie të mbrojtjes së lirisë së shprehjes edhe në Etiopi dhe Nigeri.

Tre gazetarë janë burgosur në vendet e Amerikës Jugore, në Venezuelë, Honduras dhe në Kubë.

“Numri më i madh i gazetarëve të burgosur në një vit, që kur Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve filloi t’i regjistronte rastet, ndodhi në vitin 2016 kur ishin burgosur 273 gazetarë”, thuhet në raport.

Raporti vjetor i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve nuk përfshin gazetarët e zhdukur ose ata të mbajtur nga aktorë jo shtetërorë. Raporti përfshin vetëm gazetarët e ndaluar nga qeveritë deri më 1 dhjetor të vitit 2019.

voa

Parlamenti i ri i Kosovës, mblidhet më 24 dhjetor

parlamenti ksPresidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vendosi të mërkurën që mbledhja e parë e parlamentit të ri, të dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit të mbahet më 24 dhjetor.

Në një njoftim të zyrës së tij thuhet se “Kryetari dhe Kryesia e Legjislaturës së Gjashtë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi, do të përgatisin propozimin e rendit të ditës për Mbledhjen e Parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Mbledhja e parë do të mbahet tre ditë para përmbushjes së afatit prej një muaji që filloi të numërohet më 27 nëntor kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, certifikoi rezultatet e votimeve, duke i hapur rrugën procesit të ngritjes së institucioneve të reja.

Sipas atyre rezultateve Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 26.27 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës 24.54 për qind, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 21.23 për qind, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate ka fituar 11.51 për qind, Lista Serbe ka fituar 6.40 për qind dhe koalicioni i Nismës Socialdemokrate, Aleancës Kosova e Re dhe Partisë së Drejtësisë ka fituar 5 për qind.

Në bazë të këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka 29 vende në parlamentin 120 vendesh, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 28 vende, Partia Demokratike 24 vende, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate ka 13 vende dhe koalicioni NISMA-AKR-PD ka 6 vende. Lista Serbe ka fituar 10 vende aq sa i takojnë komunitetit serb.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, sot vazhdojnë bisedimet për një marrëveshje për bashkëqeverisje. Megjithëse të dyja subjektet kanë arritur pajtim për programin qeverisës, ato po përballen me një ngërç për ndarjen e pushtetit.

Një pikë ndarëse ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike mbetet çështja e postit të presidentit të vendit, pasi që kjo e fundit po kërkon që në kuadër të marrëveshjes për bashkëqeverisje të jetë edhe ky post dhe ai t’i takojë asaj në vitin 2021.

Të dyja partitë kanë gjithsej 57 vende në parlamentin me 120 deputetë, ndërsa për ta miratuar formimin e qeverisë duhen së paku 61 vota. Për këtë ato llogarisin në votat e deputetëve të komuniteteve jo serbe.

voa

Serbët e nderojnë Handken në Graçanicë

gracanica-Për shkak të qëndrimit të tij pro serb gjatë bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe në vitin 1999 dhe vizitave të shpeshta në komunitetet serbe në Kosovë, shkrimtari austriak Peter Handke, që mori çmimin Nobel në letërsi, që njihet edhe si mbështetës i Sllobodan Millosheviqit, po konsiderohet si mik nga serbët e Kosovës dhe për nder të tij u mbajt sot një akademi solemne në shtëpinë e kulturës në Graçanicë.

Në mesin e shumë të ftuarve ishte edhe ish-ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, i cili u dënua me 2 vjet burgim pasi e quajti masakrën e Reçakut një trillim.

Todosijeviq gjithashtu i ka quajtur shqiptarët si terroristë dhe po i njejti është regjistruar sot si deputet i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës.

“Kur Handke mori këtë çmim, me të cilin në mënyrë diskrete, tha se zëri i tij duhet të dëgjohet dhe të lexohet përsëri, ishte një mundësi për ne që të thoshim atë që kishim thënë për një kohë të gjatë dhe nuk kishte njeri që të dëgjonte. Me Peter Handke kemi fituar maksimumin që mund të marrim, një njeri që është gjithmonë i prirur t’i shikojë gjërat nga një kënd i veçantë, i cili është shumë i rreptë dhe që nuk do të devijojë. Ai njohu efektin e thellë të besëlidhjes së Kosovës te serbët “, tha Prof. Dr Dragan Staniq.

“Handke ishte përcaktuar nga vlerat, ai u bë dëshmitar në një mënyrë që të gjithë neve na ktheu në dëshmitarë, dhe ata që e sulmojnë dhe dëshmojnë janë pjesë e historisë. Ai që më kundërshton mua është engjëlli im mbrojtës. Këta janë njerëzit e vërtetë që na njohin”, tha Zhivojin Rakoçeviq, drejtor i shtëpisë së kulturën në Graçanicë.

“Hanke do të na pyeste për fytyra, sepse një gjeni është në gjendje t’ju lexojë ju njësoj si një prift, të kalojë nëpër eshtra, të vërtetat dhe mashtrimet tona, Dhe ai e bëri këtë në një kohë kur po pyesnim nëse dikush na donte? Ai ishte ai”, përfundoi Rakoçeviq, përcjell Metro.

Afganistani, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia e Veriut  dhe Kosova po bojkotojnë ceremoninë e ditës së martë për dhënien e çmimit Nobel në shenjë proteste për nderimin me këtë çmim të autorit Peter Handke, të cilin ata e akuzojnë për përkrahje të Sllobodan Millosheviçit dhe mohim të krimeve të luftës.

Telegrafi

 

Rikthehen tensionet në lidhje me Ligjin për shqipen në Maqedoninë e V.

flamurjtOpozita maqedonase paralajmëron amendamente për ndryshimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në përputhje, siç thotë, me mendimin e Komisionit të Venecias, i cili ka vërejtje serioze për disa dispozita të zgjidhjes ligjore që avancon përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.

“VMRO DPMNE-ja do të paraqes amendamente në Ligjin për përdorimin e gjuhëve, të cilat kryesisht do të përmbajnë vërejtjet e Komisionit të Venecias, dhe që do të jenë në përputhje me Kushtetutën e Maqedonisë. Këtë ligj antikushtetues duhet ta bëjmë kushtetues, në frymën e praktikave evropiane, e në të cilin do të përfshihen vërejtjet e Komisionit të Venecias. Askush në këtë shtet nuk duhet të ndjehet i dëmtuar. Kjo është arsyeja pse këto ndryshime duhet të mbështeten nga Zaevi dhe koalicioni i tij qeveritar me çka do të demonstrohet pjekuri, por edhe të dëshmojmë se nuk do të ketë kompromise me drejtësinë”, ka deklaruar Mickovski.

Sipas opozitës, amendamentet do të përfshijnë vërejtjet e Komisionit të Venecias, që kanë të bëjnë para se gjithash me gjyqësorin meqë ekspertët e Komisionit kanë konstatuar se përmbajtja e ligjit mund të ngadalësojë në mënyrë domethënëse funksionimin e të gjithë gjyqësorit, duke rrezikuar shkelje serioze të së drejtës për gjykim të drejtë, e garantuar me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Nga LSDM-ja nuk kanë komentuar nismën e opozitës, por theksojnë gatishmërinë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme.

“Vërejtjet e Komisionit në përgjithësi kanë të bëjnë me procedurat gjyqësore ndërsa për çështjet tjera Komisioni i Venecias ka qëndrim me liberal. Nëse duam të gjejmë zgjidhje të mira kjo mundësi tani po na jepet. Me këtë ne do të dëshmojnë se edhe rekomandimet e këtij komisioni i kemi përmbushur, por edhe qytetarët e këtij shteti pa marrë parasysh nëse janë shqiptar apo maqedon, janë më të kënaqur”, ka deklaruar zëvendëskryetarja e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska.

Por, Komisioni i Venecias vërejte serioze ka edhe sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe në komunikim ndërinstitucional dhe të brendshëm mes shërbyesve administrativë dhe atyre civilë, duke rekomanduar që gjuha shqipe të kufizohet në komunikim zyrtar të shkruar.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se nuk do të pranojnë asnjë ndryshim të ligjit të cilin e konsiderojnë si baraspeshën e fundit dhe më të mirën e mundshme mes dy komuniteteve në vend.

“Ne publikisht e themi se me miratimin e këtij ligji është rrumbullakuar Marrëveshja e Ohrit për sa i përket miratimit të ligjeve. Çfarëdo qoftë hapja e këtij ligj, nënkupton edhe hapjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe hapja e kësaj marrëveshjeje nënkupton kthimin e raporteve mes komuniteteve para arritjes së saj në vitin 2001”, ka deklaruar Bujar Osmani, zëvendëskryeministër dhe zëdhënës i BDI-së.

Opozita shqiptare gjithashtu është shprehur kundër ndryshimit të Ligjit për shqipen, por druan se gjithë këtë situatë tani partitë në pushtet do ta keqpërdorimin për fushatë parazgjedhore. Lëvizja ka ftuar partitë shqiptare në një takim për të ndërtuar një qëndrim të përbashkët.

“Është momenti i fundit që partitë politike shqiptare të ulen dhe të marrin një qëndrim në përputhje me deklaratën e partive politike shqiptare, pra kushdo qoftë të thërras tryezën e partive dhe të marrim një qëndrim që gjuha shqipe të zgjidhet në kuadër të ndryshimeve kushtetuese dhe të jetë zyrtare, e barabartë me gjuhën maqedonase”, ka deklaruar Bilall Kasami nga Lëvizja Besa.

Ligji për përdorimin e gjuhëve me të cilin rregullohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është miratuar më 14 mars të vitit 2018, por hyrja e tij në fuqi është zvarritur për një kohë meqë ish-presidenti, Gjorge Ivanov refuzonte dekretimin e tij.

Ja vërejtjet e Komisionit të Venecias:

Komisioni i Venecias me vërejtje për Ligjin për shqipen

Komisioni i Venecias ka publikuar raportin përfundimtar sa i përket ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut me ç’rast u ka bërë thirrje institucioneve që të rishqyrtojnë dispozitat e tij në konsultim me të gjitha palët. Vërejtjet kryesore të ekspertëve juridik të Këshillit të Evropës, kanë të bëjnë me përdorim e ligjit në gjyqësor, që sipas raportit mund të dalin përtej mundësive të institucioneve, në veçanti sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe në seanca gjyqësore të shoqëruara me sanksione të rënda në rast të mos zbatimit dhe mundësisë së rikthimit të vendimeve gjyqësore nëse do të kishte mungesë të përkthimit dhe interpretimit.

Ligji për përdorimin e gjuhëve që avancon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe është miratuar është miratuar më 14 mars të vitit 2018, por hyrja e tij në fuqi është zvarritur për gjatë kohë meqë ish presidenti, Gjorge Ivanov refuzonte dekretimin e tij.

Për shkak të kundërshtimeve e vërejtjeve të shumta në opinion, në veçanti nga opozita maqedonase, VMRO DPMNE, qeveria kishte vendosur që ligjin ta dërgoj për vlerësim në Komisionin e Venecias.

Sipas raportit, kjo qasje mund të ngadalësojë në mënyrë domethënëse funksionimin e të gjithë gjyqësorit duke rrezikuar shkelje serioze të së drejtës për gjykim të drejtë, e garantuar me të Konventën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Komisioni gjithçka ka vërejtë, siç thuhet, mungesë të qartë sa i përket dispozitave që zbatohen vetëm ndaj shqipes dhe ato ndaj gjuhëve të komuniteteve tjera.

Komisioni i Venecias gjithashtu rekomandon që detyrimi i përdorimit të gjuhës shqipe në komunikim ndër institucional dhe të brendshëm mes shërbyesve administrativ dhe atyre civil të kufizohet në komunikim zyrtar të shkruar ose futja e tij në fuqi të shtyhet deri në zbatimin e duhur të asaj dispozite sa të jetë e pranueshme.

Sipas raportit të miratuar, ekspertët kanë theksuar se në krahasimin me ligjin e vitit 2008, ky ligj në mënyrë të konsiderueshme zgjeron përdorimin e gjuhës shqipe dhe në disa raste shkon përtej standardeve Evropiane të vendosura në Konventën kornizë për mbrojtjen e minoriteteve dhe Kartën Evropiane për gjuhët minoritare dhe rajonale.

Për sa i përket gjobave të larta ekspertët ligjor të Këshillit të Evropës thonë se këto dispozita sanksionuese duhet të shtyhen derisa ligji të amendohet me qëllim që të ofrohet qartësi ligjore e mjaftueshme, të ulet lartësia e gjobave si dhe të prezantohet elementi i shkeljes dhe parimi i proporcionalitetit.

Ligji që është në fuqi parasheh përdorimin e plotë të gjuhës shqipe, apo siç thuhet të gjuhës që e flasin më shumë se 20 për qind e popullatës, ndryshe nga maqedonishtja, në Qeveri, Kuvend, organet e pushtetit gjyqësor dhe administratën publike. Për dallim nga më parë, tani edhe drejtuesit e seancave, qoftë të Qeverisë apo Kuvendit, nëse janë shqiptarë, ato do të mund t’i udhëheqin në gjuhën e tyre. Edhe mbishkrimet e të gjitha institucioneve në nivel qendror janë në dy gjuhë, ndërsa në nivelin lokal gjuha shqipe do të përdoret në të gjitha komunat ku më shumë se 20 për qind e popullatës flasin gjuhën shqipe.

REL