Maqedonia e V. pret që në mars të ratifikohet pranimi i saj në NATO

PendarovskiPresidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se pret që Spanja – vendi i fundit që duhet ta ratifikojë pranimin e vendit të tij në NATO – ta bëjë një gjë të tillë në muajin mars.

“Nëse gjithçka shkon sipas planit, ky proces duhet të përfundojë rreth datës 10 mars. Pastaj do të mbeten disa detaje teknike që Parlamenti ynë në Shkup do të duhet t’i trajtojë”, tha Pendarovski gjatë një vizite në Poloni, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Vendet anëtare të NATO-s, vitin e kaluar, kanë nënshkruar marrëveshjen që i mundëson Maqedonisë së Veriut të bëhet anëtarja e 30-të e aleancës ushtarake.

Kjo ka ndodhur pasi Shkupi ka arritur një marrëveshje me Athinën për ndryshimin e emrit të shtetit.

Vendi i fundit që duhet ta ratifikojë pranimin e Maqedonisë së Veriut në NATO është Spanja dhe Pendarovski shfaqi shpresën se Madridi do ta bëjë një gjë të tillë muajin e ardhshëm.

Maqedonia e Veriut është në pritje të hapjes së negociatave të anëtarësimit edhe me Bashkimin Evropian.

rel

Albin Kurti mbledh qeverinë

Albin Kurti qeveriaKryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, mori edhe zyrtarisht detyrën. Pranim dorëzimi i detyrës u bë nga ish-zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli në emër të ish kryeministrit Ramush Haradinaj. i cili ndodhet për një vizitë në Washington

Ceremonia solemne përfshinte edhe parakalimin e Gardës së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Pak qaste pas ceremonisë, në një mbledhje solemne të qeverisë së re, kryeministri Albin Kurti u bëri thirrje ministrave që të përqendrohen në përmbushjen e pritjeve të qytetarëve.

“Energjia dhe entuziazmi i qytetarëve duhet të jenë motor për punën tonë prandaj nuk mund të pushojmë derisa ta shpërblejmë besimin e tyre. 100 ditët e para do të jenë ditë të zëna me angazhim e përkushtim maksimal”, tha kryeministri Kurti.

Ai tha se çdo sukses apo dështim do të jenë kolektiv dhe jo personal apo partiak.

“Partitë i kemi në parlament, atje janë grupet parlamentare, këtu punojmë si ekip. Në këtë qeveri nuk do të ketë LVV, LDK, NDS e LS. Do të jemi qeveria e Republikës së Kosovës që punon bashkë për të mirën e përbashkët. Në këtë drejtim dera ime është e hapur për çdo ditë në çdo orë e çdo minutë. Asgjë nuk është më e rëndësishme për mua se sa realizimi i programit qeverisës dhe zbatimi i pritjeve të qytetarëve. Qëllimet i kemi të mira e dëshirat për suksese të mëdha, energjitë e akumuluara në opozitë është koha që t’i kthejmë në veprim në qeveri”, tha zoti Kurti.

Të hënën parlamenti i Kosovës votoi formimin e qeverisë së re që do të drejtohet nga kryeministri Albin Kurti. Votimi i dha fund boshllëkut gati katër muajsh, përgjatë të cilëve lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike, që dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, negociuan për ndarjen e pushtetit.

Po të hënën, Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës u zgjodh në postin e kryetares së parlamentit, duke shënuar kësisoj rastin e parë në historinë e re të Kosovës që një grua drejton organin më të lartë ligjvënës.

Zonja Osmani priti të martën në takimin e parë zyrtar, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Prishtina, Philip Kosnett.

“Miqësia dhe partneriteti me SHBA-të janë ekzistenciale për Kosovën”, shkroi më pas ajo në rrjetet sociale.

Qeveria e re u përball me kritika të ashpra që në ditën e votimit nga opozita e re që përbëhet nga Partia Demokratike, e cila pas 12 vjetësh nuk do të jetë në pushtet dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Nisma Socialdemokrate.

Qeverinë e 44 vjeçarit Albin Kurti, e presin sfida të vështira, përfshirë edhe shtimin e trysnisë ndërkombëtare për rifillimin e bisedimeve të pezulluara me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

Kryeministri Kurti tha se është i gatshëm të drejtojë procesin e bisedimeve me Serbinë që do të përfshijnë çështjen e personave të zhdukur, dëmet e luftës, trashëgiminë e ish Jugosllavisë dhe njohjen e ndërsjellë.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës e cila u shpall në shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe.

Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme vjeshtën e kaluar pas dorëheqjes së ish kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili u thirr në Hagë në muajin korrik, për t’u marrë në pyetje nga prokuroria e Posaçme që trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.

voa

Qeveria Kurti – Jo më fjalë por vepra

Kurti 1Lëvizja VV e konsideruar deri më tani si radikale e majtë do të bashkëqeverisë në Kosovë me konservatoren-liberale LDK. Për të përmbushur premtimet elektorale dhe për të çuar përpara lipsen kompromise të forta.

Fillimi me pengesa për qeverinë e re u shënua qysh në krye të herës: Votimi në parlament u parapri nga nga bisedime të stërzgjatura koalicioni për çëshje personeli mes VV dhe LDK-së. Qeveria e koalicionit u votua pa praninë e shumicës së partive të opozitës. Nga deputetët e pranishëm 66 votuan pro dhe kjo është e mjaftueshme që Kosova tani të ketë qeverinë e re. Kryeministri i ri është Albin Kurti, ish-rebeli dhe Enfant Terrible i dikurshëm i Kosovës.

„Epokë e re” në varësi të strukturave të vjetra

Në fjalimin e tij para votimit në Parlament, Kurti premtoi qartazi zhvillimin ekonomik, i shpalli luftë të ashpër korrupsionit dhe theksoi, se do t’i përmbahet shtetit të së drejtës dhe rendit. Ai foli për një „epokë të re” dhe njëkohësisht u shpreh i gatshëm për dialogun me Beogradin, por mbi bazën e reciprocitetit në tregti, ekonomi dhe politikë. Objektiva tepër ambicioze! Si do t’i arrijë ai këto mbetet ende e paqartë. Marrëveshja e koalicionit është ende e panjohur për opnionin, madje as deputëtet nuk e kanë pasur atë në dispozicion deri tani. Kjo ishte edhe arësyeja përse deputëtet e opozitës në mënyrë demonstrative u larguan nga salla plenare para votimit. Dhjetë deputetët e partisë së pakicës serbe gjithashtu e bojkotuan votimin, sikurse kanë bërë vazhdimisht në Kosovë, ndonëse sipas Kushtetutës ata marrin pjesë automatikisht me dy ministri në përbërjen e qeverisë.

Për të miratuar ligje të rëndësishme në Parlament qeveria e re nuk do ta ketë të lehtë, sepse ka përballë një opozitë të fortë. Raportet e shumicës në kuvendin e Kosovës janë aktualisht thuaje 50 me 50 përqind me diferencë fare të vogël në favor të qeverisë. Edhe raportet e mandateve mes dy partive të koalicionit kanë dallim minimal.

Që qeverisja nuk do të jetë e lehtë për Kurtin, kjo u duk qysh gjatë bisedimeve të koalicionit: Në shumë pika LDK-ja dominoi duke e detyruar Kurtin të bëjë lëshime. Qeveria nuk i ka 12 ministri, siç mendohej në fillim, por 15. VV pretendonte Ministrinë e Brendshme duke parashikuar ta ketë vet nën kontroll luftën kundër korrupsionit. Në fund këtë dikaster e mori LDK-ja. Po kështu ndodhi edhe me postin e kreut të kuvendit. secila parti ka nga gjashtë ministri, ndërsa tri ministri do të drejtohen nga partitë e pakicave kombëtare. Shkaku kryesor i grindjes mes partive të koalicionit kishte të bënte me postin e presidentit, i cili do të zgjidhet vitin e ardshëm nga parlamenti. Kjo temë u shty për më vonë. Por pikërisht kjo çështje mund të sprovë e fortë për qeverinë Kurti. Për zgjedhjen e presidentit kërkohet madje bashkëpunim edhe me opozitën, sepse në Parlament duhet të jenë dy të tretat e deputetëve, të cilët koalicioni në pushtet nuk i ka.
Përgatitje për kompromise të nevojshme

Qeveria do të ketë përballë një opozitë shumë të fortë:  PDK-ja e drejtuar dikur nga presidenti Hashim Thaçi dhe AAK-ja e paraardhësit të Kurtit, Ramush Haradinajt. Të dy ata kanë luftuar në radhët e UÇK-së për çlirimin e Kosovës. Që nga fundi i luftës ata kanë qenë në rotacion të vazhdueshëm në pushtet. Edhe LDK-ja pacifiste ka qenë vazhdimisht në pushtet përgjatë dy dekadave dhe ka përvojë në qeverisje. Në të kundërt VV-ja me politikanë relativisht të rinj dhe të konsideruar si rebelë në opozitën jashtëparlamentare nuk ka përvojë qeverisjeje.
Albin Kurtin e pret një detyrë herkuliane: Ai nuk duhet t’i zhgënjejë zgjedhësit, e njëkohësisht atij i duhet të hyjë në kompromise të dhimbshme me Beogradin nën ndërmjetësimin ndërkombëtar. Presioni nga SHBA dhe BE ndaj kësaj qeverie do të vazhdojë dhe koha nuk pret. Qytetaret dhe qytetarët në Kosovë, që ka popullsinë më të re në Europë, duan zgjidhje për një jetë më të mirë në vendin e tyre. Velja prej politikës është e madhe. Tani tek Kurti zgjedhësit e zhgënjyer deri më sot kanë vendosur shpresa të mëdha. Kurti përfaqëson kursin kundër establishmentit të deritanishëm, ekonomisë së tarafeve dhe stanjacionit. Tani ai duhet të dëshmojë, se i qendron me seriozitet kësaj linje!

Nga ana tjetër raportet e mazhorancës në perlament flasin për ndarjen e shoqërisë kosovare sa u përket bisedimeve me Serbinë. Proceset që priten në Gjykatës Speciale në Hagë për krimet e dyshuara të luftës prej shqiptarëve mund ta ndezin atmosferën në vend. Ish-luftëtarët e UÇK-së konsiderohen si heronj në popull dhe gjejnë mbështetje të madhe. VV dhe LDK, si përgjegjëse në qeveri, do t’u duhet të respektojnë këto ndjenja dhe tradita kombëtare si dhe të ruajnë qetësinë dhe ta mbajnë situatën nën kontroll në vend. Kurti duhet t’ia dalë të përgatisë shoqërinë kosovare për kompromiset e nevojshme.

Marrëveshja jo vetëm me Serbinë, por edhe uniteti brenda Kosovës, janë të domosdoshme për të ardhme të sigurtë e të paqtë. Ai duhet të ketë rezultate dhe të përmbushë premtimet. Prej kësaj do të vlerësohet puna e tij në qeverisje. Nëse qeveria e re nuk ia del të sjellë në Kosovë hopin ekonomik dhe politik, ajo është e predestinuar të dështojë. Kjo nuk do t’i brengosë partitë e tjera, madje as LDK-në në bashkëqeverisje. Pëkundrazi! Reforma rrënjësore në Kosovë është domosdoshmëri dhe VV-ja ka tani shansin të dëshmojë, se është në gjendje ta ndërmarrë atë.

dw

QUINT për qeverinë e re: Rend, ligj, reforma dhe marrëdhënie të mira fqinjësore

Albin 1Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti zyrtarisht pranoi detyrën si kryetar i qeverisë. Bashkimi Europian përmes Joseph Borrell i rikujton Kurtit dialogun me Serbinë dhe detyrimin për përmirësim të raporteve.

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti me një ceremoni zyrtare mori detyrën e kreut të qeverisë. Pranim dorëzimi i detyrës u bë nga Behxet Pacolli, zëvendëskryeministër i parë i qeverisë së shkuar të Ramush Haradinajt, pasi ky i fundit nuk gjendet në Kosovë e ndodhet për një vizitë të planifikuar më herët në SHBA.

Ambasadorët e vendeve më të industrializuara QUINT, e përshëndetën formimin e qeverisë së re të Kosovës me kryeministër Albin Kurti, duke kërkuar nga ai forcim të rendit dhe ligjit, zhvillim ekonomik dhe marrëdhënie të mira të Kosovës me fqinjët.

Rrugë e vështirë përpara

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, shkroi të twitter se të gjithë kanë pritur shumë për këtë moment. “Qeveria e re Kosovës tashmë është këtu. Urime vendit dhe qytetarëve të Kosovës pas një pritjeje të gjatë. Ne jemi këtu për të mbështetur qëllimet e përbashkëta. Kryeministrit të ri dhe kabinetit të tij i dëshiroj forcë dhe guxim”, shkroi ambasadori gjerman Heldt. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett e përgëzoi Kosovën për formimin e qeverisë. “Mezi pres të punoj me të gjitha institucionet e Kosovës, partitë e tjera dhe palët e interesuara të shoqërisë civile për të forcuar drejtësinë dhe përparimin dhe për të ndihmuar Kosovën të vendosë marrëdhënie paqësore me fqinjët e saj”, shkroi në twitter Kosnett.

Edhe ambasadori britanik Nicholas Abbot, përgëzoi qeverinë e re dhe kryeministrin Albin Kurti. “Ka një rrugë të vështirë përpara për administratën në ardhje dhe çështjet urgjente duhet të trajtohen, përfshirë buxhetin e shtetit për vitin 2020, vendimet e bllokuara administrative dhe sundimin e ligjit. Më 6 tetor, qytetarët e Kosovës votuan për ndryshim. Qeveria e re duhet të tregojë guxim dhe kreativitet në zbatimin e dëshirave të elektoratit dhe shpresat e të gjithë qytetarëve”, shkroi  ambasadori britanik Nicholas Abbot.

Thaçi: Mirëpres qeverinë e re

Nga ana tjetër, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka mirëpritur krijimin e qeverisë së Kosovës, duke  e ftuar siç thotë “që të fillojnë sa më shpejt punën për përmbushjen e premtimeve të dhëna karshi qytetarëve, duke kompensuar ditët e humbura dhe vazhduar angazhimin institucional për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Republika e Kosovës ka sfida të shumta përpara, të cilat mund të tejkalohen vetëm me punë, me përkushtim, me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri shtetërore” shkroi Presidenti Thaçi.

Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, shkroi se “Votimi i Qeverisë së re nga ana e Parlamentit të Kosovës është lajm i mirë për gjithë qytetarët e Kosovës. Uroj që ky konstalacion politik të arrij t’i çoj përpara proceset e rëndësishme për vendin”, shkroi Ramush Haradinaj.

Borrell: Detyrim i palëve për dialogun

Formimin e qeverisë së re të Kosovës me kryeministër Albin Kurtin e përshëndeti edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borell, i cili të premten e shkuar ishte për vizitë në Kosovë. Borrell përmes një deklarate të lëshuar nga zyra e tij, i rikujton Kurtit

dialogun me Serbinë, dhe siç shprehet “detyrimin që kanë palët për dialogun e normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës-Serbisë, si edhe nevojën e vazhdimit sa më të shpejtë të këtij procesi”. “Status-quoja aktuale është e padurueshme. Nuk ka asnjë alternativë për një rifillim të shpejtë të bisedimeve për normalizimin e raporteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. BE-ja kërkon fuqizim të bashkëpunimit rajonal dhe një angazhim të Kosovës në iniciativat rajonale, të cilat janë në dobi të Kosovës”, thuhet në deklaratën e Joseph Borrell. Sipas tij, BE-ja do ta ndihmojë Kosovën.

“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë Kosovën sa i përket agjendës evropiane të reformave si dhe të vazhdojmë mbështetjen tonë në forcimin e sundimit të ligjit për të gjithë, përmirësimin e administratës publike dhe krijimin e vendeve të punës “, thuhet në deklaratën e shefit të diplomacisë evropiane Joseph Borrell.

dw

Albin Kurti: Nuk mund të ketë ndryshim të kufijve të Kosovës

AlbinNë intervistën e zhvilluar në dhjetor me Deutsche Wellen para zgjedhjes si kryeministër, Albin Kurti, flet për programin e parashikuar të qeverisë së ardhshme, dialogun me Serbinë dhe integrimin e ardhshëm me Shqipërinë.

Pjesë nga intervista e Deutsche Welles, e zhvilluar nga Adelheid Feilcke në dhjetor 2019, kur Albin Kurti pritej të ishte kryeministër i Kosovës.

Deutsche Welle: Le të mos flasim vetëm për politikanët, por të flasim edhe për programin. Megjithëse nuk është krijuar ende qeveria, ju shpesh udhëtoni në Gjermani dhe me sa duket kanë filluar bisedime politike në Gjermani dhe në vende të tjera. Cilat janë kërkesat kryesore të Gjermanisë për qeverinë e ardhshme?

Albin Kurti: Me Gjermaninë kemi edhe një lidhje shtesë për faktin se atje kemi një diasporë gjysmëmilionëshe, e cila përbën pjesën më të madhe të reminitancave tek ne. Gjermania është motori ekonomik i Bashkimit Europian. Përveç kësaj Lidhja Demokratike e Kosovës i ka raportet me CDU (kristiandemokratët), ndërsa ne i kemi me SPD (socialdemokratët), e dihet se këto të dy parti në Gjermani janë në koalicion. Prandaj sa herë unë shkoj atje takoj edhe diplomatët e zyrtarët shtetërorë, takoj edhe deputetët e SPD, ku së fundi mora pjesë edhe në Kongresin e tyre. Por, takoj edhe deputetë të CDU dhe CSU (kristiansocialë). Sepse në mandatin tonë, në legjislaturën e shtatë si qeveri e re, duam t’i zgjerojmë edhe t’i thellojmë marrëdhëniet me Gjermaninë. Aty diskutojmë dy çështje kryesore. Çështja e parë janë reformat e brendshme në Kosovë, si të nxirret shteti i Kosovës nga kriza, si të zbutet papunësia dhe varfëria, si të luftohet krimi dhe korrupsioni…

Deutsche Welle: Cilat janë konceptet tuaja në këto çështje?

Albin Kurti: Ata janë shumë optimistë për programet dhe zotimet tona. Ne duam një reformë të pesëfishtë, reformë në drejtësi, reformë në ekonomi, reformë në arsim, në shëndetësi dhe reformë në siguri. Reforma në drejtësi dhe reforma në siguri do të bëhet nëpërmjet një procesi vettingu, sepse shoshitja duhet të ngjajë jo vetëm tek prokurorët dhe gjykatësit, por edhe tek pozicione të veçanta dhe në rangjet e larta të inteligjencës dhe policisë. Duam që ta marrim sistemin ekonomik dual, edukativ siç është në Gjermani, por edhe në Zvicër dhe Austri, ku studentët dhe nxënësit kalojnë disa ditë në shkolla e fakultete dhe një ose dy ditë në ndërmarrje. Duam që të kemi investime të huaja duke filluar me investimet nga diaspora, sepse vështirë të kemi investime të huaja kur nuk investon as diaspora jonë për shkak të korrupsionit në Kosovë. Dhe mbi të gjitha do ta ndalojmë korrupsionin në qeveri, dhe do ta luftojmë kudo në institucione dhe në shoqëri.

Deutsche Welle: Nuk besoj se në këtë fushë ka ndonjë mosmarrëveshje midis jush, LDK dhe palës gjermane. Por nuk e di për fushën e dytë, për të cilën nuk keni folur ende. Besoj se fusha e dytë është politika e jashtme e Kosovës. Ku është pika më e vështirë këtu, sepse dihet që pozicioni i Gjermanisë është për vazhdimin e dialogut, sa më shpejt, dhe me heqjen e taksave. Çfarë kërkohet prej jush nga pala gjermane në këtë rast?

Albin Kurti: Është e vërtetë që fusha e dytë e bisedimit është raporti ynë me Serbinë dhe raportet midis shteteve në Ballkanin Perëndimor. Ne si Lëvizje Vetëvendosje jemi dakord me LDK dhe me partnerët tanë gjermanë dhe europianë për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian, sa më parë aq më mirë. Por e dimë që nuk do të ndodhë së shpejti. Ne nuk shkojmë si shtet në Bashkimin Europian, por e ndërtojmë Europën brenda nesh, prej nesh. Kemi edhe traditë, kulturë e histori, por kemi edhe kapacitete njerëzore të tjera për këtë gjë. Sa i përket raporteve me Serbinë, ne jemi dakorduar që kemi nevojë të takohemi me pasardhësin e zonjës Mogherini, me Josep Borrell, përfaqësuesin e lartë europian përgjegjës për politikën e jashtme dhe sigurinë, për të diskutuar përgatitjen e dialogut të ardhshëm me parime të qarta dhe të sakta. Ne nuk mund të dështojmë sërish. Ai ka paralajmëruar tanimë, se vizitën e parë do e ketë në Kosovë dhe unë pres që ta takoj atë kur të jem kryeministër. Në anën tjetër kemi 33 marrëveshje me Serbinë gjatë dialogut gjashtëvjeçar 2011- 2017, dhe është e rëndësishme që ato t’ i shqyrtojmë, jo për t’u obsesionuar me to e për të humbur kohë, por për të ditur shkallën e zbatimit dhe të ndikimit, në mënyrë që të nxjerrim mësime për të ecur përpara. Dhe me LDK po ashtu jemi dakord që ta zëvendësojmë tarifën 100 përqind me reciprocitetin e plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, siç është aprovuar në rezolutën e Kuvendit të Kosovës më 7 dhjetor të vitit 2011.

Deutsche Welle: Domethënë vendoset recipriciteti dhe pastaj hiqen tarifat?

Albin Kurti: Së pari është reciprociteti, por le të mos harrojmë që edhe faktorët ndërkombëtarë, ambasadortë e Quintit në Kosovë i kanë vënë gjithashtu kushte Serbisë, që të ndërpresë fushatën kundër njohjeve të Kosovës dhe pjesëmarrjes së Kosovës, anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Pra edhe faktorët ndërkombëtarë nuk e shohin heqjen e tarifës pa një shprehje të vullnetit të mirë dhe pa një ndryshim në sjelljen e Serbisë. Ndërkohë që kemi ca hapa negativë në Beograd, sepse atje kreu i shtetit është deklaruar, se nuk do ta lejojë Kosovën që të hyjë në UNESCO. Nga ana tjetër ka dallime të qarta jo vetëm sa i përket vlerave por edhe sa i përket fakteve. Është mospajtim i thellë, përderisa ne e kemi të qartë qëndrimin karshi Rusisë, Serbia thotë edhe me Rusinë edhe me Bashkimin Europian. Ne nuk kemi kësi dilemash. Nuk dëshirojmë që siç themi ne shqiptarët, të hamë me dy lugë.

Deutsche Welle: Por një faktor nuk e keni përmendur ende. Amerikën. Ambasadori Grenell në Berlin është një nga personat me të cilin jeni takuar. Cili është mesazhi, apo kërkesa e SHBA për qeverinë e ardhshme?

Albin Kurti: Unë jam në kontakte të rregullta me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, i cili është një ambasador aktiv, i cili është angazhuar shumë për emancipimin shoqëror e institucional kundër korrupsionit në Kosovë. Po ashtu kam takime të shpeshta me përfaqësuesin e Departamentit të Shtetit, Matthew Palmer, me të cilin jam takuar për herë të parë 22 vjet më parë në SHBA dhe së fundi kam takuar edhe ambasadorin amerikan në Berlin, zotin Grenell i cili është caktuar si përfaqësues special i Presidentit Trump. Pra kemi bashkëbisedim në disa nivele. Nganjëherë mund të duket se ka dallime, por nganjëherë vëren njeriu edhe kompletaritet, për plotësim. Unë shpreh të qartë qëndrimin tonë.

Gjithashtu e kam kuptuar qëndrimin e zotit Grenell, i cili thotë që ky vend ka nevojë për investime ekonomike dhe investimet ekonomike kanë nevojë për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk e mohoj një gjë të tillë. Por, nga ana tjetër besoj se nuk duhet të ngutemi e të dështojmë sërish. Sepse kemi pasur shumë dështime në dialogun e deritanishëm. Dhe në bazë të studimeve që janë bërë në Kosovë theksohen tre faktorë shtesë pse nuk ka investime ekonomike: varfëria e popullsisë, pra kërkesa e ulët agregate apo fuqia e dobët blerëse e popullsisë, e dyta është qasja e vështirë në financa për shkak të kamatave të larta të kredive bankare për bizneset tona, dhe e treta është korrupsioni në institucione. Sipas disa raporteve jo vetëm ndërkombëtare, por edhe vendore Kosova është një vend ku ka elementë të kapjes së shtetit, që do të thotë se jo vetëm që kemi korrupsion në institucione por kemi edhe institucione në korrupsion. Neve na duhet që t’i rregullojmë këto për të patur investime, sepse nuk ka garanci se një marrëveshje me Serbinë, e ngutshme, shpërblehet sepse sjell investime.

Deutsche Welle: A pajtoheni me mendimin se duhet të arrihet një kompromis sa më shpejt, dhe duhet konsensus, dhe siç është biseduar shpesh veçanërisht nga përfaqësuesit amerikanë, duhet të ketë ndoshta edhe një kompromis me marrëveshje të reja, apo ndryshime të kufijve, si një kompromis që i bëhet Serbisë për të hyrë në dialog dhe për të pranuar Kosovën si shtet të pavarur?

Albin Kurti: Në fillim të viteve 90-të në një intervistë për mediat gjermane dhe në një intervistë për mediat franceze ish- presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova ka deklaruar se “Pavarësia është kompromis”. Pas përfundimit të luftës kemi pasur kompromis me kompromis Planin e Ahtisarit, i cili ka shumë defekte që na pengojnë edhe sot në shtet-ndërtimin demokratik. Tani Serbia kërkon kompromis të ri. Kjo është ajo taktika, që merr çfarë mund të merret, ngel i pakënaqur që të marrësh edhe më shumë së shpejti…

Deutsche Welle: Atëherë me ju nuk ka kompromis për kufijtë…

Albin Kurti: Nuk mund të ketë ndryshim të kufijve të Kosovës. Kosova i ka kufijtë e vet. Kosova ka qenë element konstituiv i Federatës Jugosllave. Në këto kufi na kanë njohur rreth 110 shtete, përfshirë edhe SHBA dhe Gjermania dhe ne nuk kemi tokë për t’i dhënë Serbisë. Principi i marrëveshjes së ardhshme midis Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë vajtimi i Serbisë për Kosovën e humbur, me ç’rast ajo duhet të ngushëllohet me një kompesim territorial, por duhet të vihet në spikamë jeta e qytetarëve, nevojat praktike, të drejtat njerëzore dhe vuajtjet që kemi pësuar pikërisht nga një shtet si Serbia, që nuk ballafaqohet me të kaluarën e saj. Ne nuk kemi dilema. SHBA janë aleati ynë i pazëvendësueshëm. Menjëherë aty, është Gjermania. Ne nuk do ta zëvendësojmë asnjëherë Gjermaninë me Rusinë, e siç mund të ketë menduar edhe dikush tjetër që është angazhuar në tezën e gabueshme, të dëmshme, dhe fort të rrezikshme të shkëmbimit territorial.

Deutsche Welle: Por, nga ana tjetër kur flasim për ndryshimin e kufijve, në mediat gjermane dhe perëndimore ju shpesh jeni personi që i vini në pikëpyetje kufijtë duke folur për bashkimin e trojeve shqiptare si ultranacionalist. Kjo shpesh po përmendet në mediat e Gjermanisë dhe të Europës. A qëndron akoma kjo si formulë e Vetëvendosjes? A duhet menduar për bashkimin e trojeve shqiptare, apo mbeteni tek “Kosova i ka kufijtë e përcaktuar dhe ato nuk ndryshojnë”?

Albin Kurti: Ne nuk e shohim kufirin karshi Serbisë njësoj si kufirin karshi Shqipërisë. Sepse ne nuk kemi si t’i barazojmë Shqipërinë dhe Serbinë. Kufiri midis Kosovës dhe Shqipërisë nuk është kufi shqiptar, është kufi i Serbisë dhe i Jugosllavisë. Në mandatin tonë qeverisës ne do të përqëndrohemi në dy prioritete: në punësim dhe në drejtësi. Sepse ne duhet të arrijmë së pari që shteti i Kosovës të ketë sukses. Afrimin, integrimin e bashkimin një ditë dikur në të ardhmen me Shqipërinë unë nuk e shoh nëpërmjet dështimit të shtetit të Kosovës, por nëpërmjet suksesit. Ne duhet të bëjmë së pari që ky shtet të ketë sukses. Dhe populli shqiptar i ka ende traumat e Konferencës së Londrës së viti 1913, kur ministri i Jashtëm britanik i asaj kohe, sir Edward Grey pati thënë: “Ia bëmë një padrejtësi të madhe shqiptarëve për të ruajtur paqen në Europë”. Por pa kaluar viti shpërtheu Lufta e Parë Botërore. Afrimi, integrimi, bashkimi me Shqipërinë ne nuk e shohim kurrsesi me mjete jopaqësore dhe me mjete jodemokratike, dhe me mjete jokushtetuese. Por po e them që kjo nuk mund të bëhet së shpejti, me të ardhur unë në zyrën e re të kryeministrit. Së pari duhet të ngremë shtetin e Kosovës, ku përqëndrimi ynë do të jetë tek ekonomia dhe drejtësia. Një ndër prioritetet do të jetë edhe dialogu parimor me Serbinë, por ky nuk do të jetë prioriteti kryesor. Prioritetet kryesore do të jenë drejtësia dhe punësimi.

Deutsche Welle: Me këtë formulë akordoheni edhe me partnerët tuaj në SPD dhe vendet e tjera të Europës?

Albin Kurti: Padyshim. Ata na kanë përkrahur neve edhe në fushatë, sidomos dy deputetë kanë qenë fort aktiv gjatë fushatës sonë, Stefan Schwartz dhe Josip Juratovic. I falenderoj me këtë rast…

Deutsche Welle: Pyetja e fundit. A do të dalë Vetëvendosja në garë kur bëhet fjalë për fushatën e ashpër elektorale në Shqipëri?

Albin Kurti: Aktivistët tanë në Tiranë kanë qendrën e tyre që ka emrin “Lëvizja Vetëvendosje”, por kanë autonominë e qëndrimeve dhe të veprimeve dhe të vendimeve. Besoj që emri Vetëvendosje është shumë demokratik, sepse vjen prej poshtë jo nga lart dhe është e kundërta e shkëmbimeve territoriale që vijnë nga lart, prej krerëve që silleshin në mënyrë monarkike. Vetëvendosja në Tiranë ka për qëllim që të ndërgjegjësojë dhe organizoj sa më shumë popullin atje për aktivitete në frymën e lëvizjes, por jo duke marrë direktiva nga Prishtina.

 

Intervistën e zhvilloi Adelheid Feilcke në dhjetor 2019

Amelie de Montchalin: Nuk ka automatizëm për hapjen e negociatave në mars

Amelie-de-MontchalenSekretarja shtetërore franceze për Çështje Evropiane Amelie de Montchalin, në konferencë për shtyp në Bruksel shprehu bindje se metodologjia që e publikoi Komisioni Evropian të mërkurën do të jetë e kënaqshme për Francën, por ende nuk garanton hapje të negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në mars.

Franca insiston që metodologjia e re të përfshijë katër parime të rëndësishme: kthyeshmërinë, menaxhimin politik me procesin gradual dhe specifik.

Sipas diplomatëve në Bruksel të cilët janë të njoftuar me projektin e KE-së këto kërkesa të Parisit do të jenë të kënaqshme. Pastaj vendet anëtare do të duhet gjatë muajit të ardhshëm ta pranojnë këtë metodologji të re dhe të vendosin nëse japin dritë të gjelbër për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Sekretarja shtetërore franceze për punë evropiane në konferencën e sotme për shtyp në Bruksel tha se nuk mund të tregojë tani për tani se cila do të jetë pozita e Francës derisa nuk publikohet reforma e procesit si dhe raporti i Komisionit Evropian për reformat në vende, i cili pritet në mars gjithashtu.

“Duhet të ketë marrëveshje midis vendeve-anëtare, të miratohet, të sigurohemi se në raportin e KE-së në mars jep diagnozë pozitive edhe po të ketë udhërrëfyes të vërtetë ekonomik, ndërsa jo monopol gjyqësor dhe administrativ në rajonin në të cilin duam të kemi peshë, duhet të ketë propozime konkrete ekonomike, ndryshe flasim për politikën në sinjal siç e quaj që të ndjehemi mirë moralisht”, tha de Montchalin në pyetjen e AIM nëse Franca do të japë dritë të gjelbër për negociata përderisa metodologjia është e kënaqshme për Parisin.

Amelie de Montchalintha se pret të ketë “diskutim të hapur me vendet tjera anëtare në këtë temë dhe ta shikojë raportin e Komisionit Evropian për reformat”, duke shtuar se “nuk ka automatizëm”./Telegrafi/

Koment i të ftuarit: Daytoni e bëri Bosnje-Hercegovinën të paqeverisshme

Parlamenti i BHPas 25 vitesh, Bosnje-Hercegovina ka nevojë urgjente për një reformë të Marrëveshjes së Daytonit. Por kjo nuk bëhet pa një konferencë të përgatitur mirë nga fuqitë e atëhershme, shprehet Christian Schwarz-Schilling.

Krerët politikë në shtetin e Ballkanit Perëndimor, Bosnje-Hercegovinë dhe në Kroacinë fqinje duhet ta kuptojnë, se politika e tyre nacionaliste-shoviniste ndërkohë refuzohet nga populli. Kështu partia “Bashkësia Demokratike Kroate”, HDZ në zgjedhjet në Bosnje-Hercegovinë në vitin 2018 pësoi një humbje të ndjeshme: Në presidiumin tre anëtarësh nuk u zgodh Dragan Covic, por i moderuari, Zeljko Komsic. Shuplakën tjetër duhet ta merrte në fillim të vitit HDZ-ja në Kroaci. Presidentja e vendit anëtar më të ri në BE, Kolinda Grabar-Kitarovic, që ashtu si Covic mbështet një kurs nacionalist-populist, humbi në zgjedhje kundrejt kandidatit socialdemokrat, Zoran Milanovic.

Kushtetuta ishte pjesë e Marrëveshjes së Daytonit

Megjithatë HDZ nuk e kupton, as në Kroaci, e as në Bosnje, që politika e saj reaksionare-shoviniste në të dyja vendet është një politikë e së djeshmes dhe nuk vlerësohet më në popull. Kjo duhet t’i kishte rënë në sy kujtdo në Ballkan, pra që humbjet e nacionalistëve kroatë do të kishin pasoja politike. Kështu fituesi i zgjedhjeve, Milanovic foli menjëherë në telefon me presidentin turk, Erdogan, që njihet si mbështetës i Bosnjes. Nër të tjera flitet, se është biseduar edhe për një reformë të Marrëveshjes së Paqes së Daytonit, që para 25 vitesh i dha fund luftës në këtë vend të Ballkanit. Pjesë e marrëveshjes ishte kushtetuta aktuale e Bosnjes, që u përpilua atëherë nën presionin e të ngarkuarit të posaçëm amerikan, Richard Holbrook në Dayton, SHBA. Kushtetuta e Daytonit e ndan vendin në dy etnitete – Republika Srpska, ku banojnë kresisht serbë ortodoksë, dhe Federata e Bosnje-Hercegovinës, ku kryesisht banojnë boshnjakë myslimanë dhe kroatë katolikë.

Dayton e ka bërë të paqeverisshme Bosnje-Hercegovinën

Ky konstrukt i komplikuar shtetëror me disa nivele qeverisjeje do duhej të siguronte interesat e të tre etnive kryesore. Faktikisht Daytoni e ka bërë Bosnjen një vend të paqeverisshëm. Holbrooke vetë e kishte theksuar vetë disa herë, se Marrëveshja e Daytonit nuk është bërë për të lenë të pandryshuar gjendjen e vështirë në Bosnje, por për ta bërë të mundur, që hap pas hapi të arrihet progresi dhe vendi të hyjë në BE.

Legjitimiteti i Marrëveshjes së Daytonit vihet sot në pikëpyetje për tre arsye: Ai nuk është krijuar në mënyrë demokratike dhe përmban disa përcaktime që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare – kështu për shembull për postin e presidentit të shtetit mund të kandidojnë vetëm anëtarë të tre etnive më të mëdha. Pakicat e tjera (romët apo hebrenjtë) janë të përjashtuar nga kandidimi. Por Daytoni duhet të ndryshohet sidomos për shkak të mosfunksionimit. Ko deri më tani dukej si një mision i pamundur. Që nga viti 2006 asnjë propozim për ndryshim nuk ka arritur të shkojë në parlament, sepse përfaqësuesit e tre etnive më të mëdha nuk bien në ujdi. Sot shumë vetë në Bosnje e ngrenë zërin për një Dayton të dytë.

Kushtetuta e Bosnjes – një çështje e brendshme

Por nëse e përmend këtë në Republikën Srpska ndesh me refuzim. Liderët e serbëve boshnjakë kanë frikë nga një “Dayton 2″, sepse ata entitetin e tyre e kanë falë Marrëveshjes së Daytonit nga dëbimi i boshnjakëve e kroatëve në kohën e luftës. Ata nuk duan të rrezikojnë aspak vënien në dyshim të ekzistencës së tyre. Edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka theksuar se “pa miratimin nga ana serbe nuk mund të ketë ndryshime të Marrëveshjes së Daytonit”. Që kushtetuta e një vendi është çështje e brendshme e këtij vendi, atij nuk i intereson. Në vend të kësaj ai i referohet asaj që Serbia e ka nënshkruar Daytonin si fuqi garantuese në vitin 1995. Nuk duhet ta ndryshojë Bosnja asnjëherë kushtetutën, pa i pyetur vendet fqinje, Kroacinë e Serbinë jo gjtihmonë miqësore? Natyrisht që mundet! E kjo rrugë duhet të hapet, por për këtë është e nevojshme mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare dhe sidomos e BE.

Reformat janë një çështje e vullnetit politik

Zhvillimet në Bosnje-Hercegovinë ndiqen me vëmendje në Bruksel. Në dhjetor të vitit të kaluar juristi i njohur, Reinhard Priebe publikoi me porosi të BE, një raport për gjendjen e shtetit ligjor në vendin ballkanik. Aty theksohet nevoja për reformimin e autoriteteve të drejtësisë në BH, zbatimi i vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe forcimi i shtetit ligjor. Por kjo ka për të funksionuar vetëm, nëse bëhet edhe një reformë kushtetuese. E për këtë është e nevojshme njëherë një konferencë ndërkombëtare e përgatitur mirë. Presidenti i ri kroat mendon, se kjo është pamundur, se për një “Dayton 2″ duhet të bëhen bashkë të gjitha palët në luftën e Bosnjes, gjë që nuk do ishte e mundur. Natyrisht që është e mundur. Ajo që nevojitet për këtë është vetëm vullneti politik.

dw / Christian Schwarz-Schilling

(Autori Christian Schwarz-Schilling, ish-ministër gjerman dhe ish-përfaqësues i lartë ndërkombëtar në Bosnje-Hercegovinë)

Kosovë: Albin Kurti zgjidhet kryeministër i Kosovës

Albin Kurti 1Kryeministri i ri i Kosovës Albin Kurti, premtoi zhvillim të ekonomisë me rritje buxheti prej 3 miliard eurosh. Në raport me Serbinë, ai tha se do të vendosë reciprocitet të plotë.

Me 66 vota pro asnjë kundër dhe 10 abstenime, Albin Kurti lider i lëvizjes Vetëvendosje u zgjodh kryeministër i ri i Kosovës. Albin Kurti do të qeverisë në koalicion me partinë e dytë që doli në zgjedhje Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), e cila në qeverinë Kurti ka gjysmën e përgjegjësive. Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, do të ketë 15 ministri dhe partnerët e koalicionit (VV-LDK) kanë ndarë nga gjashtë ministri, ndërsa, tri ministri u takojnë pakicave, dy nga ato serbëve të Kosovës. Qeveria Kurti ka dy zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra. Në bazë të marrëveshjes së koalicionit, Glauk Konjufca i Vetëvendosjes që për një muaj mbajti postin e kryetarit të kuvendit, mori përgjegjësi në qeverinë Kurti, si ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës. Vjosa Osmani, pritet të jetë kryetare e kuvendit të Kosovës nga LDK në bazë të marrëveshjes së koalicionit. Vjosa Osmani, në zgjedhjet e tetorit ishte kandidate për kryeministre nga LDK.

Në prezantimin e një ekspozeje për prioritetet e tij para deputetëve, kryeministri i ri Albin Kurti tha se qeveria e tij do të kujdeset për rend dhe ligj, siguri e paqe. Kurti premtoi se do ta rrisë ekonominë dhe buxheti i Kosovës do të arrijë në 3 miliardë euro, duke luftuar ekonominë informale.

“Drejtësia jonë duhet të jetë e pavarur, e paanshme. Nuk do të ketë as individ as parti më të fuqishme se shteti. Do ta luftojmë korrupsionin në institucione, do të krijojmë Vetting në drejtësi. Ky proces do të kryhet me partnerët ndërkombëtarë. Do të departizojmë shërbimin e jashtëm, do të jemi qeveri e zhvillimit ekonomik dhe punësimit, për të ndalur emigrimin masiv duhet të rrisim vendet e punës. Do të mbështesim zhvillimin e sipërmarrjeve me fokus të veçantë ndihmën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Do të heqim monopolet dhe evazionin fiskal”, tha ndër të tjera kryeministri Kurti. Ai tha se shërbimi ushtarak do të bëhet i detyrueshëm për të gjithë.

“Qeveria e re do të miratojë ligjin për krimet e luftës dhe gjenocidin dhe do të përgatisë padi kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet e luftës në Kosovë”, tha Kurti. Sa i përket dialogut me Serbinë, Kurti tha se “në bisedimet me Serbinë do të përfshijnë çështjen e personave të zhdukur, dëmet e luftës, trashëgiminë e ish- Jugosllavisë dhe njohjen e ndërsjelltë”, duke shtuar se qeveria e tij do të vendosë reciprocitetin e plotë me Serbinë.

Partitë politike opozitare e kundërshtuan ekspozenë e kryeministrit Kurti, madje duke e quajtur, siç tha Lideri i PDK-së, ish-kryetari i kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, “një politikan që ndërron parimet dhe qëndrimet”.

“E vërteta e parë, është se si po ua lemë Kosovën sot, të cilën ti Albin Kurti as nuk e njeh, as nuk e ndjen dhe as nuk e mendon si vend për të jetuar. E vërteta e dytë, fatkeqësisht tregon se ti je sot këtu mbi rrënojat e një tregimi të zi për shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. Ti ke protestuar kundër gjithçkaje të mirë që i ka ndodhur Kosovës”, tha Kadri Veseli.

Partitë opozitare i rikujtuan Kurtit, kundërshtimin e tij të mëhershëm, për pakon Ahtisari, Flamurin e Kosovës dhe përfshirjen e listës Srpska në qeveri, ndonëse kësaj të fundit ia garanton Kushtetuta përfshirjen në qeveri.

Qeveria e re e Kosovës me kryeministër Albin Kurti, ka 15 ministri. Në bazë të marrëveshjes së koalicionit, Vetëvendosje do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Jashtme, atë të Drejtësisë, të Financave, të Ekonomisë, të Shëndetësisë dhe atë të Integrimeve Evropiane.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës në qeverinë Kurti do të udhëheqë me Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Punëve të Brendshme, atë të Mbrojtjes, Arsimit, Kulturës dhe të Bujqësisë.

Nga pakicat do të drejtohet Ministria e Pushtetit Lokal, Ministria për Kthim dhe Komunitete dhe Ministria për zhvillim Rajonal.

Lista “Srpska”, që ka 10 deputetë në parlament, nuk e votoi qeverinë e Kosovës. Këtë vendim ata e morën pas një takimi që zhvilluan një ditë më parë në Beograd me kryeministren serbe Ana Bernabiq. Megjithatë ky subjekt politik serb bëhet pjesë e institucioneve të Kosovës dhe qeverisë Kurti, sepse, këtë ua garanton Kushtetuta e Kosovës.

“Kemi mësuar nga mediat, se është arritur njëfarë koalicioni dhe kemi vendosur të mos e përkrahim atë qeveri sepse i besojmë vetëm Beogradit. Ne do të marrim pjesë në institucionet e Kosovës, pavarësisht se nuk e mbështesim qeverinë. Duam ta përmbushim mandatin tonë”, tha Goran Rakiq, kryetar i listës Srpska pas takimit në Beograd.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë u mbajtën me 6 tetor të vitit të shkuar, pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj nga posti i kryeministrit në korrik të vitit 2019, i cili u ftua nga Gjykata Speciale për krime lufte në cilësinë e të dyshuarit. Nga rezultati i zgjedhjeve lëvizja Vetëvendosja doli partia e parë, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës LDK. Pas dymbëdhjetë vjetësh në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës PDK doli në opozitë. Qeveria e re e Kosovës me kryeministër Albin Kurti ka para vetes shumë sfida, ndër më të rëndësishmen dialogun me Serbinë i ndërprerë që nga nëntori i vitit 2018 pas vendosjes së taksës nga qeveria e Kosovës për mallrat e Serbisë, si kundërpërgjigje ndaj fushatës së Serbisë kundër njohjeve të Kosovës. Albin Kurti disa herë ka deklaruar se ai do t’i rishikojë të gjitha marrëveshjet e dala nga dialogu me Serbinë.

dw

Albin Kurti – kryeministër i Kosovës

Albin KurtiMe 66 vota parlamenti i Kosovës miratoi sot qeverinë e koalicionit ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Qeveria e re do të drejtohet nga kryeministri Albin Kurti, kryetar i lëvizjes Vetëvendosje, e cila doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit të vitit të kaluar.

Kosova u bë me qeveri të re gati katër muaj pas atyre zgjedhjeve dhe miratimi i saj pasoi negociatat e gjata ndërmjet dy partive.

Votimi i sotëm pasoi disa orë diskutime gjatë të cilave partitë në opozitë kritikuan koalicionin e ri qeverisës dhe kryeministrin Albin Kurti.

Duke paraqitur programin dhe përbërjen e kabinetit të tij, zoti Kurti, tha mes tjerash se qeveria e tij do të jetë e zhvillimit dhe punësimit dhe se buxheti i vendit do të arrijë në 3 miliardë euro.

Përbërja e qeverisë së Kosovës

Qeveria e re e Kosovës do të ketë gjithsej 15 ministri, dy zëvendëskryeministra, dhe 33 zëvendësministra.

Kryeministër i Kosovës – Albin Kurti (VETËVENDOSJE)

Zëvendëskryeministër i parë – Avdullah Hoti (LDK)

Zëvendëskryeministër i dytë – Haki Abazi (VETËVENDOSJE)

Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporë – Glauk Konjufca (VETËVENDOSJE)

Ministër i Integrimit Evropian -Blerim Reka (VETËVENDOSJE)

Ministre e Drejtësisë – Albulena Haxhiu (VETËVENDOSJE)

Ministre e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit -Hykmete Bajrami (LDK)

Ministër i Financave dhe Transfereve – Besnik Bislimi (VETËVENDOSJE)

Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike – Agim Veliu (LDK)

Ministër i Ekonomisë, Punësimit Tregtisë, Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Investimeve Strategjike – Rozeta Hajdari (VETËVENDOSJE)

Ministër i Mbrojtjes – Anton Çuni (LDK)

Ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit- Lumir Abdixhiku (LDK)

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Besian Mustafa (LDK)

Ministër i Shëndetësisë – Arben Vitia (VETËVENDOSJE)

Ministre e Kulturës Rinisë dhe Sportit – Vlora Dumoshi (LDK)

Ministre e Administrimit të Pushteti Lokal – Emilia Rexhepi (Grupi 6+, pakicat joserbe)

Ministër për Komunitet dhe Kthim – Dalibor Jevtiç (Lista Serbe)

Ministër për Zhvillim Rajonal – Ivan Milojeviç (Lista Serbe)

Ai tha se siguria e jashtme do të jetë përparësi e qeverisë bashkë më përgatitjet për anëtarësim në NATO. Zoti Kurti tha se askush nuk do të jetë më i fortë se shteti dhe do të luftohet korrupsioni ndërsa paralajmëroi një proces të vetingut në sistemin e drejtësisë.

Ai tha se shërbimi ushtarak do të bëhet i detyrueshëm për të gjithë.

Qeveria e re do të miratojë ligjin për krimet e luftës dhe gjenocidin dhe do të përgatitet padi kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet e luftës në Kosovë.

Zoti Kurti paralajmëroi edhe reforma në sistemin e arsimit dhe ndërprerjen e “rrjedhjes së trurit”. Ai u zotua për qasje të drejtë në shëndetësi dhe rritjen e buxhetit për këtë sistem.

Zoti Kurti tha se në bisedimet me Serbinë do të përfshijnë çështjen e personave të zhdukur, dëmet e luftës, trashëgiminë e ish Jugosllavisë dhe njohjen e ndërsjellë. Ai tha se qeveria e tij do të vendosë reciprocitetin e plotë me Serbinë.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, kritikuan programin dhe përbërjen e kabinetit qeveritar të zotit Kurti, duke vënë theksin tek qëndrimet politike të deritashme të tij.Qeverinë e re e presin shumë sfida dhe ndër më të mëdhatë është ajo e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, e cila refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës.

voa

Shqipëri: Koha për të goditur të paprekshmit dhe të fortët

OFLNjësia speciale, “Operacioni Forca e Ligjit”

Në Shqipëri ka filluar nga puna një njësi speciale e policisë, “Operacioni Forca e Ligjit”, e cila synon konfiskimin nga shteti të pasurive të personave të dënuar apo nën hetim për aktivitete kriminale apo terroriste.

Në Shqipëri fillon aktivitetin në terren të hënën (3.02.2020) “Operacioni Forca e Ligjit”, (OFL) një njësi speciale operacionale e policisë, e angazhuar në zbatimin e një pakete ligjore të sapomiratruar nga qeveria Rama, që synon konfiskimin nga shteti të pasurive të personave të dënuar apo nën hetim për aktivitete kriminale apo terroriste. Në përurimin e kësaj njësie të dielën, (2.02) kryeministri Rama tha, se “erdhi koha të përgjigjen të gjithë ‘të fortët’ dhe ‘të paprekshmit’ e këtij vendi, për të gjitha pasuritë e tyre”.

Paketa ligjore e njohur si Anti KÇK (Anti Kap-ҫfarë të kapësh) dhe e miratuar nga qeveria ditët e fundit me akt normativ, përfshin edhe skanimin e pasurive të gjykatësve dhe prokurorëve, që si pasojë e korrupsionit në rradhët e tyre, kanë mundësuar që persona të inkriminuar t’i shpëtojnë drejtësisë.

Zbatimi i saj në praktikë fillon sot pikërisht me gjykatësit dhe prokurorët: ata brenda dy ditëve duhet të plotësojnë një formular për burimin e pasurisë së tyre. OFL do të bashkëpunojë më Strukturën e Posaҫme Anti-Korrupsion, (SPAK) dhe do të ketë një mandat të përkohshëm, deri në fund të këtij viti.

Vettingu dhe paketa ligjore Anti KÇK

Deri më sot gjykatësit dhe prokurorët që nuk përligjin me burime të ligjshme pasuritë e tyre, vettingu i nxjerr jashtë sistemit të drejtësisë, të tjerë japin dorëheqjen pa kaluar vettingun dhe të dyja kategoritë e mësipërme nuk hetohen për pasuritë e tyre. Burime zyrtare thanë për Deutsche Wellen, se ata mund të hetohen lidhur me burimin e pasurive të papërligjura vetëm në rast se ndaj tyre bëhen denoncime apo ngrihen padi. Kjo pasi vettingu nuk është as Gjykatë e as Prokurori.

Vettingu i gjykatësve dhe prokurorëve vazhdon. Ndërkohë gjykatësit dhe prokurorët, që duke filluar nga dita e sotme, duhet që brenda 48 orëve, të plotësojnë formularët për burimin e pasurisë së tyre, janë ata që punojnë në gjykata dhe Prokurori, që ende nuk e kanë kaluar vettingun, që gëzojnë të drejtën të japin kur të duan dorëheqjen, t’i shmangen vettingut dhe të largohen pa i hyrë gjemb në këmbë, nëse kanë pasuri të paligjshme apo kanë marre vendime në favor të kriminelëve. Këtë situatë synon ta përmbysë paketa ligjore Anti KÇK.

Pasuritë e paligjshme, minojnë shtetin ligjor

SHBA dhe BE e përshëndetën përforcimin e legjislacionit për të goditur më fort krimin e organizuar përmes sekuestrimit të pasurive të paligjshme dhe masave kufizuese ndaj personave të dënuar apo nën hetim për veprimtari kriminale. Ambasada amerikane në Tiranë deklaroi se “SHBA mirëpresin përpjekjet e intensifikuara nga Qeveria e Shqipërisë për të parandaluar krimin e organizuar që të përdorë pasurinë e paligjshme për të minuar themelet e shtetit ligjor”. Delegacioni i BE në Shqipëri, theksoi në median sociale, se “ndjekja e parasë” është vërtetuar si një mënyrë shumë efikase për t’u përballur më konkretisht me organizatat kriminale. Ligji i posaҫëm dhe masat e reja parandaluese për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit shkojnë në këtë drejtim”.

Zëra kritikë – akti normativ antikushtetues 

Akti normativ Anti KÇK ka 39 nene dhe fuqi vepruese deri në 31 dhjetor 2020.  Ndaj tij ka zëra kritikë nga opozita dhe organizatat e të drejtave të njeriut. Opozita jashtë parlamentare e quan një ligj politik dhe antikushtetues. Sipas saj ai dhunon të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës me fuqinë e madhe që i jep Policisë së Shtetit për të sekuestruar pasuri pa vendime gjykate dhe Ministrit të Drejtësisë, në një kohë kur reforma në drejtësi, thekson opozita jashtë parlamentare synon pavarësinë e drejtësisë nga politika. Për 12 organizata të shoqërisë civile, akti normativ shkel kushtetutën. Ato kritikojnë miratimin e tij pa përfshirë në diskutim grupet e interesit.

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë një nismë ligjore hyn në fuqi menjëherë përmes një akti normativ dhe votohet më vonë në Parlament, në kushtet e një emergjence. Sipas 12 organizatave të mësipërme nuk ka asnjë sqarim nga qeveria për një situatë të tillë emergjente.

Kryeministri Rama tha të dielën, se  Shqipëria është në një „kohë ekstreme, që kërkon masa ekstreme”. Rezultatet e qëndrueshme ndaj krimit të organizuar janë një nga kushtet kryesore të BE ndaj Shqipërisë për hapjen potenciale të negociatave të anëtarësimit në pranverën e sivjetme. (dw)