Ndikimi i koronavirusit në ekonominë globale

OMDPërhapja në rritje e koronavirusit ka tronditur tregjet e aksioneve. Autoritetet në Kinë dhe vendet e tjera të prekura rëndë nga virusi kanë vendosur bllokada që kanë paralizuar prodhimin dhe kanë ndërprerë turizmin apo sektorë të tjerë të rëndësishëm. Zëri i Amerikës shqyrton rreziqet për ekonominë globale nëse koronavirusi bëhet një pandemi, pasi disa ekspertë të shëndetit druhen se një skenar i tillë mund të bëhet realitet.

Tregjet e aksioneve nga Shtetet e Bashkuara në Azi dhe Evropë janë goditur rëndë, pasi autoritetet shëndetësore konfirmojnë zona të reja të infeksionit të koronavirusit nga Lindja e Mesme në Evropë.

“Tregu tani po arrin të kuptojë se kjo epidemi nuk ka arritur kulmin, tani duket se po përhapet dhe do të shkaktojë shumë ndërprerje në zinxhirët e furnizimit global në industrinë e udhëtimit, turizëm, e më gjerë”, thotë Desmond Lachman në Institutin American Entreprise.

Koronavirusi ka shkaktuar frikë të madhe dhe reagime gjithnjë e më të ashpra nga autoritetet në shumë vende, duke imponuar bllokime me efekte paralizuese për tregtinë, veçanërisht në Kinë – ekonomia e dytë më e madhe në botë.

“Në Kinë është një situatë ku 150 milion njerëz janë të bllokuar, ju e dini, këta njerëz që shkuan në shtëpi për pushimet e Vitit të Ri, tani nuk mund të kthehen në punë”, thotë Desmond Lachman.

Ndërsa kompanitë ndjejnë efektin, të njëjtën gjë do të ndjejnë edhe konsumatorët.

“Do të shohim ndikime reale ekonomike nga ky shpërthim. E kemi parë tashmë në fakt. Për shembull, kur Apple thotë se do të ketë një ndikim të dukshëm në aftësinë e saj për të prodhuar iPhone në planin afatshkurtër”, thotë eksperti Mark Hamrick.

Disa besojnë se ndikimi ekonomik do të jetë intensiv, por afatshkurtër. Analisti Mark Hamrick e krahason koronavirusin me një uragan – pasi të kalojë, fillon rimëkëmbja dhe aktiviteti gradualisht kthehet në normalitet.

“Për investitorët që janë përqendruar vetëm në planin afatshkurtër, këto janë ndikime shumë reale. Për investitorët që janë përqendruar në terma afatmesme dhe afatgjatë, ata do të shikojnë përtej kësaj dhe do të thonë, “kjo do të kalojë dhe do të vazhdojnë të investojnë”.

Por studiuesi Desmond Lachman beson se ndikimi në Kinë do të jetë më i gjatë, me kompani që do të kërkojnë të diversifikojnë zinxhirët e tyre të furnizimit, në mënyrë që të mbështeten më pak tek Kina në të ardhmen.

“Kompanitë do të nxjerrin mësime nga kjo përvojë. Pritshmëria ime është që kjo do të ketë pasoja afatgjatë për ekonominë kineze. Kina nuk do të duket tërheqëse për investimet e huaja”.

Koronavirusi nuk do të jetë patogjeni i fundit me efekte ekonomike që përhapet përtej kufijve dhe kontinenteve. Pyetja, thonë analistët, është se çfarë mësimesh do të nxjerrin vendet dhe kompanitë nga shpërthimi dhe nëse ekonomia globale do të bëhet më elastike ndaj tronditjeve të ardhshme.

voa

Trump: Ambasadori Grenell do të vazhdojë angazhimin në bisedimet Kosovë-Serbi

TrumpPresidenti Trump e konfirmoi këtë të dielë në Shtëpinë e Bardhë, pasi u pyet nga Zëri i Amerikës se si ndikon emërimi i Ambasadorit Grenell si kreu në detyrë i shërbimeve inteligjente amerikane, ndërkohë që është edhe ambasador në Gjermani dhe ndërmjetës në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit.

Presidenti tha se zoti Grenell do të vazhdojë në detyrën e dërguarit amerikan për Kosovën dhe Serbinë:

Ambasadori do të vazhdojë pasi po bën një punë shumë të mirë. Ai i njeh mirë zyrtarët. Ka bërë punë fantastike. Do ta vazhdojë. Të gjithë thonin se ishte një marrëveshje e paarritshme por ai e realizoi. Ishte dicka shumë pozitive për këto të dyja vende“, tha presidenti duke iu referuar marrëveshjes së fundit për rihapjen e transportit hekurudhor e rrugor Kosovë-Serbi.

Presidenti i bëri komentet në Shtëpinë e Bardhë para se të nisej për vizitën e tij në Indi.

voa

Shqipëria shton masat përballë koronavirusit në portet detare e ajrore

Shqiperi KoronavirusAutoritetet shëndetësore në Shqipëri pohuan shtimin e masave për të parandaluar hyrjen e koronavirusit në vend.

Zyrtarët thanë se nuk ka vend për panik dhe se qytetarët duhet t’u besojnë mjekëve në përballimin e këtij rreziku.

Shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, tha se “janë mbajtur nën kontroll gjatë vet-karantinës të gjithë shtetasit kinezë që u kthyen në Shqipëri pas vitit të ri kinez dhe strukturat janë plotësisht të pajisura dhe të afta për të zbuluar këtë sëmundje të re”.

Shqetësimi u rrit kur ndryshe nga fillimet e visurit në Kinë, ai tashmë është afruar deri në veri të Italisë fqinje, me të cilën Shqipëria ka përditë afro 14 linja udhëtimesh ajrore si dhe disa tragete në linja të rregullta detare.

Shqipëria ka caktuar edhe një strukturë spitalore si vend karantine, që plotëson të gjitha standardet e përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, por për arsye sigurie dhe etike mjekësore vend-ndodhja nuk bëhet e ditur.

“Kemi përcaktuar një strukturë spitalore si vend karantine, e vlerësuar edhe nga ne si komitet teknik, që plotëson standardet. Karantina nuk është vendi ku trajtohen të sëmurët, por është vendi për personat e shëndoshë të dyshuar ose që kanë patur kontakte me persona të sëmurë. Ne kemi gati edhe struktura të tjera, nëse do të jetë e nevojshme. Kini besim tek strukturat shëndetësore”, – tha zonja Bino.

Shqipëria dyfishoi personelin e njësive shëndetësore në pikat kufitare në përpjekje për të forcuar kontrollet e udhëtarëve që vijnë nga vendet e prekura prej koronavirusit.

Masat shëndetësore u shtuan në portet detare, aeroportet dhe pikat tokësore të Shqipërisë pas lajmeve mbi praninë e koronavirusit në Italinë fqinje.

Qeveria ka ngritur një ekip të posaçëm për parandalimin, kontrollin dhe mbrojtjen e popullatës ndaj koronavirusit të ri.

Ekspertët dhe drejtuesit e institucioneve shëndetësore kërkuan shtimin e mjeteve mbrojtëse personale, spitalore, laboratorike dhe shtimin e kontrolleve për të parandaluar depërtimin e koronavirusit në Shqipëri.

Itali, zyrtarët: 132 raste me koronavirus

Itali KoronavirusNumri i personave të prekur në Itali nga koronavirusi u rrit të dielën. Me dhjetëra raste janë raportuar në Lombardi, një rajon në veri të Italisë që përfshin atë që njihet si kryeqyteti financiar i vendit, Milano.

Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në vend me koronavirus ka arritur në 132, bëri të ditur shefi i Mbrojtjes Civile italiane Angelo Borrelli. Ndërkohë një ditë më parë autoritetet italiane bënë të ditur se dy persona kanë humbur jetën në Itali si pasojë e virusit.

Koreja e Jugut ka rritur nivelin e alarmit lidhur me koronavirusit në shkallën më të lartë të tij. Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in u bëri thirrje zyrtarëve që të mos hezitojnë të marrin “masa të pashembullta e të fuqishme” siç tha ai, për t’u përballur me situatën. Qendrat e Koresë për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njoftuan 123 raste të reja personash të infektuar që e çon numrin e përgjithshëm në 556.

Të shtunën Departamenti Amerikan i Shtetit lëshoi këshilla për udhëtimet drejt Japonisë e Korenë e Jugut për shkak të shpërthimit të koronavirusit, duke u kërkuar udhëtarëve të “rrisin kujdesin” nëse vizitojnë këto vende.

Kina raportoi 648 infeksione të reja të dielën dhe një total prej 76.936, ndërsa numri i vdekje ka shkuar në 2.442. Jashtë Kinës më shumë se 1200 persona janë infektuar dhe më shumë se 12 vetë kanë vdekur.

Megjithëse Kina ka raportuar një rënie të fortë të numrit të vdekjeve dhe raste të reja me koronavirus, zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëruan se është ende shumë herët për të bërë parashikime rreth situatës në kushtet kur po rriten rastet e të infektuarve rishtazi në vende të tjera të botës. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shprehur shqetësim mbi numrin e të infektuarve në vende të tjera pa ndonjë lidhje të qartë me Kinën siç mund të jetë një vizitë atje apo kontakti me një person të infektuar, rreth të cilit autoritet kanë informacion.

voa

Vuçiç: Serbia do të përballet me ultimatum për Kosovën gjatë këtij viti

VucicPresidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i tha të dielën televizionit proqeveritar Prva, se deri në fund të vitit Serbia do të marrë një ofertë të cilën nuk do të jetë në gjendje ta pranojë, por nuk do të guxojë ta refuzojë.

“Do të provojnë të na japin garanci për anëtarësim në Bashkimin Evropian por me kusht që ta njohim Kosovën dhe do të ofrojnë status të posaçëm për serbët në fusha të caktuara”, tha presidenti serb, duke theksuar se për këtë do të pyes pastaj qytetarët e Serbisë.

Ai tha se tre vjet më parë kishte hedhur idenë e tij për këtë çështje por nuk ishte pranuar nga serbët, duke ju referuar idesë së tij për “vënien e kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, që nënkuptonte ndarjen e Kosovës.

Në verën e vitit 2018 presidenti serb Vuçiç dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi folën për idetë e “korrigjimit të kufijve” apo “vënies së kufijve”, që nga analistët janë interpretuar si synime për shkëmbim territoresh.

Në nëntor të vitit 2018, qeveria e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave nga Serbia si kundërveprim ndaj fushatës serbe kundër shtetësisë së Kosovës.

Ish kryeministri Haradinaj ka theksuar më pas në disa raste se tarifat e penguan formalizimin e ndarjes së Kosovës.

Idetë për prekje kufijsh nxitën reagime të ndara edhe në skenën ndërkombëtare. Disa nga vendet e mëdha të BE-së kundërshtuan idetë e tilla që sipas tyre mund të nxisin reagime zinxhirore në rajonin e Ballkanit, që ende nuk është ripërtërirë nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.

Shtetet e Bashkuara thonë se të dyja palët duhet të arrijnë një marrëveshje normalizimi e cila “në thelb duhet të ketë njohjen e ndërsjellë”.

Në vjeshtën e vitit 2018 Beogradi u tërhoq nga bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian duke kushtëzuar vazhdimin e tyre me heqjen e tarifave, por qeveria Haradinaj refuzoi deri në fund edhe trysninë ndërkombëtare për heqjen e tyre.

Thirrjet për heqjen e tarifave janë shtuar pas formimit të qeverisë së re të kryeministrit Albin Kurti, i cili është zotuar të bëj një gjë të tillë, por duke i zëvendësuar tarifat me masat e reciprocitetit të plotë me Serbinë.

Krahas thirrjeve për heqjen e tarifave nga Prishtina, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Beogradit të pushojë fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Ambasadori amerikan Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, ndërmjetësoi dy marrëveshje për më pak se një muaj për linjën ajrore, atë hekurudhore dhe autostradat ndërmjet të dyja vendeve.

Marrëveshjet u nënshkruan pa praninë e Bashkimit Evropian, i cili muajin e ardhshëm pritet të emërojë një të dërguar të posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi. (b.a.)

Më shumë armë ruse për Serbinë me gjithë kërcënimet për sanksione amerikane

armet ruseSerbia ka blerë një sistem të sofistikuar kundërajror nga Rusia, pavarësisht sanksioneve të mundshme amerikane kundër shtetit ballkanik, që zyrtarisht synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i tha të dielën televizionit proqeveritar Prva se sistemet kundërajrore Pantsir S1, janë blerë pas këshillave nga presidenti rus Vladimir Putin.

“Blijeni Pantsirin. Është treguar shumë i efektshëm në Siri”, citoi ai presidentin rus t’i ketë thënë në njërin nga takimet e tyre të shpeshta kohët e fundit.

“Ky sistem kundërajror është shumë efektiv kundër dronëve që janë bërë shumë thelbësorë në luftën moderne”, tha presidenti serb.

Me gjithë synimet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, Serbia nën udhëheqjen populiste të presidentit Vuçiç, ka forcuar lidhjet politike e ushtarake me aleaten e saj sllave, Rusinë.

Serbia është zotuar të qëndrojë jashtë NATO-s dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të politikës së saj ndaj Ukrainës.

Armatosja e Serbisë nga Rusia shihet me shqetësim në perëndim, në një periudhë tensionesh në rritje në Ballkanin që u përfshi në luftëra shkatërruese në vitet e 90-ta. NATO ndërhyri kundër Serbisë në vitin 1999 për t’u dhënë fund mizorive ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Zyrtarët amerikanë kanë folur hapur për vendosjen e sanksioneve kundër Serbisë në rast se Moska i shet më shumë armë, veçanërisht të tilla që mund të rrezikojnë sigurinë e vendeve fqinje anëtare të NATO-s.

Presidenti serb Vuçiç tha se shpreson që nuk do të ketë sanksione sepse ai ka folur hapur për blerjen e sistemeve Pantsir. Ai tha se beson që kërcënimi me sanksione ka të bëjë me shumë me blerjen e mundshme të sistemeve kundërajrore S-400 që kanë një gamë shumë më të gjerë veprimi dhe janë armë sulmuese.

Serbia mori të shtunën dy nga gjashtë sistemet e raketave të blera ruse, vetëm disa ditë pasi që ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, vizitoi Beogradin, ku deklaroi se bashkëpunimi ushtarak midis dy shteteve ka arritur në një nivel “thelbësisht” të ri.

*Mbështetur në agjencinë e lajmeve Associated Press

voa

Bernie Sanders fiton Nevadën

Bernie SandersBernie Sanders fitoi të shtunën zgjedhjet brenda partisë në garën për zyrtarizimin e kandidatit demokrat që do të garojë kundër presidentit Trump në zgjedhjet e nëntorit.

Me fitoren në Nevada zoti Sanders ka forcuar pozitat e tij si kryesues i garës mes demokratëve. Këto zgjedhje pasojnë proceset e ngjashme të mbajtura në Ajoa dhe Nju Hepshër në fillim të këtij muaji. Në dallim nga këto dy të fundit, me një popullsi dërrmuese të bardhë, Nevada është një shtet etnikisht i larmishëm. Popullsia është afërsisht gjysmë e bardhë ndërsa pjesa tjetër janë rreth 30 për qind hispanike, 10 për qind afro-amerikane dhe 10 për qind aziatike.

Pas senatorit Sanders u rendit ish-Nënpresidenti Joe Biden, në vend të tretë u rendit ish-kryetari i bashkisë së South Bendit Pete Buttigieg dhe në vend të katërt senatorja Elizabeth Warren.

Sipas sondazheve kujdesi shëndetësor ishte një çështje thelbësore e fushatës në Nevada. Më shumë se 40 për qind e votuesve thanë se kjo ishte çështja më e rëndësishme për ta në zgjedhjen e një kandidati, ndjekur nga rreth një e katërta, të cilët përmenden ndryshimin e klimës si shqetësimin e tyre më të madh.

voa

Koronavirusi në Itali, Shqipëria do dyfishojë kontrollet në kufi

Ogerta ManastirliuPas evidentimit të situatës shëndetësore me prezencë komunitare të koronavirusit në Itali, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu mblodhi sot Task-Forcën për parandalimin, kontrollin dhe mbrojtjen ndaj koronavirusit të ri.

Pas diskutimeve mes ekspertëve dhe drejtuesve të institucioneve, u vendos përforcimi i masave në pikat kufitare, sigurimi i sasisë së shtuar të mjeteve të mbrojtjes personale dhe përforcimi i gjurmimit të rasteve për të rritur kontrollin për parandalimin e depërtimit të koronavirusit COVID-19.
Task Forca vendosi:
Dyfishim të personelit në Njësitë Shëndetësore në pikat kufitare, aeroport, porte dhe pika kufitare tokësore.
Përforcim i kontrolleve në pikat kufitare, për çdo udhëtar për cdo udhëtar që vjen nga harta gjeografike e vendeve me shpërthime komunitare, e përcaktuar nga OBSH.
Shtimi i informacionit dhe rritja e vizibilitetit të mesazheve në pikat kufitare, për të dhënë më shumë informacion për udhëtarët mbi vetëdeklarimin në strukturat shëndetësore, në rast të një shenje klinike apo kontaktit me raste të konfirmuar me koronavirus në këto vende.
Rritja e sasisë së mjeteve të mbrojtjes personale për të gjitha hallkat e shërbimit, nga pikat kufitare, në strukturat shëndetësore spitalore e deri në nivel të diagnozës laboratorike.

Task Forca vendosi që masa e paracaktuar për vetëkarantinim të personave që vijnë nga vende me shpërthime komunitare të virusit duhet të vijojë.
Gjithashtu sic është bërë me dije, tashmë është përcaktuar vendi i karantinës në rast se do të jetë e nevojshme, që është një strukturë SPITALORE, e vlerësuar edhe nga komiteti teknik, që plotëson të gjitha standardet e përcaktuara nga OBSH.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Task Forca për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri REKOMANDON të gjithë qytetarët që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 në rast të shfaqjes së cdo shqetësimi apo shenje klinike, pa u drejtuar menjëherë në spital.

Top Channel

Borrell propozon Lajçakun për përfaqësues të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi

LajcakMirosllav Lajçak u propozua edhe zyrtarisht përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë burimet diplomatike në Bruksel.

Sipas tyre, shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Joseph Borrell, u ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së emrin e Lajçakut si përfaqësues i ardhshëm i bllokut, i cili para së gjithash do të merret me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe me çështje të tjera në rajon.

Propozimi formal i Lajçakut mësohet se ka qenë edhe arsyeja e bisedave telefonike që Borrell ka zhvilluar të premten me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pritet që emërimi i Lajçakut në detyrën e re të bëhet më 23 mars, në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian.

Emërimi i mëhershëm thuhet se nuk është i mundur pasi ai vazhdon të kryejë funksionin e ministrit të Jashtëm të Sllovakisë.

Deri në takimin e ardhshëm të ministrave të BE-së, Lajçak do ta përfundojë mandatin si ministër në Qeverinë e Sllovakisë, pasi në këtë vend, më 29 shkurt, mbahen zgjedhjet parlamentare.

Pas propozimit formal do të ketë debate të grupeve të ndryshme të punës, si dhe në Komitetin e Sigurisë Politike të BE-së, ndërsa vula përfundimtare do të jepet në Këshillin e Ministrave të BE-së.

Për përfaqësuesin e posaçëm të BE-së duhet miratimi i të gjitha vendeve anëtare.

Ai do të bëhet pjesë institucionale e sistemit dhe do t’i përgjigjet jo vetëm përfaqësuesit të lartë të BE-së, në këtë rast Borrellit, por edhe Këshillit të Ministrave

të BE-së.

Lajçak ka përvojë të gjatë në rajonin e Ballkanit.

Ai ka qenë ambasador i Sllovakisë në Serbi dhe Mal të Zi. Pastaj është emëruar i dërguar evropian për referendumin për pavarësi të Malit të Zi dhe ka shërbyer si përfaqësues i lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë. (V.T.)