Konferenca e donatorëve, 1.15 mld euro për Shqipërinë

donatoret albaniaNjë shumë prej 1.15 miliard euro në formë financimesh direkte, investimesh për ndërtime banesash apo rikonstruksione të infrastrukturës, granteve, huave apo mbështetjes për programe zhvillimi u grumbullua sot në mbrëmje në përfundim të Konferencës ndërkombëtare të donatorëve, e zhvilluar në Bruksel për të ndihmuar Shqipërinë për të përballuar pasojat e tërmetit që goditi vendin më 26 nëntor të vitit të shkuar. Shuma e grumbulluar shkon përtej dëmeve të përllogaritura në 1.08 miliard euro.

Për Komisionerin e Zgjerimit Oliver Varhelyi, i cili drejtoi sesionin ku secili vend pjesmarrës në konferencë ofroi kontributin e tij “ky është një mesazh mjaft i fortë për popullin shqiptar për të ditur se sa shumë e kemi për zemër”, tha Harvelyi

Kryeministri Edi Rama, në reagimin e parë menjëherë pas publikimit të shifrës tha se “kjo është përtej imagjinatës më të shfrenuar”.

Konferenca e donatorëve e organizuar nga komisioni europian, nisi pasdite me një paraqitje të situatës. Në hapje të saj, kryeministri Edi Rama, nisi ndërhyrjen e tj duke shqiptuar në disa gjuhë të huaja fjalët “Faleminderit” dhe “Të lutem”, të cilat më pas do t’i përdorte disa herë në gjuhën shqipe. Ai theksoi se ndjehej “thellësisht i prekur” nga prania e një numri të madh vendesh dhe institucionesh ndërkombëtare.

Kryeministri shqiptar falenderoi Bashkimin Europian për ndihmën e menjëhershme që ofroi në orët pas tërmetit e po ashtu dhe shumë vende të tjera: “Nuk ka kufi për mirënjohjen që ndjej. Vetëm fakti që jeni këtu me mbush zemrën dhe është emocionuese për mua dhe të gjithë shqiptarët”

Sipas raporti të vlerësimit të dëmeve, përveç 51 viktimave dhe 900 të plagosurve, tërmeti i nëntorit “zhvendosi nga banesat e dëmtuara rreth 17 mijë njerëz. Në total prej kësaj katastrofe natyrore u prekën 202 291 persona në 11 njësi të qeverisjes vendore”. MBi 62 mijë janë ndërtesa e dëmtuara. Raporti i vlerësimit arriti në përfundimin se “për të përballuar efektet e dëmit dhe të ardhurave të humbura si rezultat i tërmetit, do të duheshin gati 1.08 miliardë Euro në të gjithë sektorët për rimëkëmbje. Sektorët që reflektojnë nevojat më të mëdha janë strehimi, që përfaqëson pothuajse 76 për qind të të gjitha nevojave, pasuar nga arsimi dhe infrastruktura”. Vetëm për të përballuar dëmet e krijuara për strehim përllogaritet se do të duhen afro 696 milion euro. I gjithë dëmi është i barabartë me 6.4 për qind të Prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë.

Për ne është një shumë e madhe. Nuk mund ta përballojmë këtë të vetëm. Na mungojnë paratë e më shumë se kaq, nuk kemi dhe aq shumë kohë. Ndaj jam këtu me një thirrje dhe një kërkesë të dretpërdejtë. Ju lutem na ndihmoni me grante dhe hua të përballueshme për të cilat kemi nevojë për të ndërtuar shtëpitë, komunitetet dhe besimin e shkatërruar. Ju lutemi përgjigjuni vuajtjes sonë me bujarinë që duhet. Ne do të bëjmë gjithë çka mundemi, e madje edhe më shumë. Ju lutemi, ju të bëni vetëm aq sa mundeni. Të na ndihmoni! Ju lutem!”, u shpreh kryeministri Rama.

Edhe presidentja e Komisionit europian Ursula Von Der Leyen, tha se “është e qartë se Shqipëria e vetme nuk e përballon dot këtë barrë. Sot I premtojmë popullit shqiptar se do jemi aty për një kohë të gjatë dhe solidariteti ynë do të vijojë të jetë po aq i fortë sa ishte në orët e para pas tërmetit”.

Ajo deklaroi me tej se “sot jemi në anën e Shqipërisë në një moment nevoje. Shqipëria do të ngrihet nga hiri i tërmetit, si një vend më i fortë e më i sigurt në zemër të familjes sonë europiane”.

Vetëm Komisioni europian, sipas asaj që deklaroi zonja Von Der Leyen do të angazhojë i vetëm ​”100 mln euro nga buxheti i Bashkimit europian, përtej 15 milion eurove të njoftuara në Dhjetor, dhe nuk përfshin kontributin e shteteve tona anëtare”

Në total, kontributi i Komisionit dhe vendeve anëtare shkon në afro 400 milion euro, bëri të ditur në përfundim të Konferencës, presidentja e Komisionit europian e cila u shfaq së bashku me kryeministrin shqiptar. Ky i fundit përsëriti se “është nga ato momente që dikush beson e mendon se diçka magjike ka ndodhur”.

Reagimet

Ndërsa Konferenca e donatorëve ishte drejt fundit, president Ilir Meta e përshëndeti zhvillimin e saj duke shprehur “mirënjohjen e thellë për solidaritetin dhe kontributin e vendeve pjesëmarrëse dhe kontribuese”.

Nga ana e tij kryetari demokrat Lulzim Basha u shpreh përmes një postimi në Facebook se “të gjitha donacionet ndërkombëtare për popullin shqiptar për dëmet e pas tërmetit të 26 nëntorit janë të bekuara dhe të mirëpritura. Falenderime dhe mirënjohje për çdo vend, çdo organizatë dhe çdo institucion ndërkombëtar që i gjendet pranë qytetarëve shqiptarë në këtë moment të vështirë. Detyra jonë – theksoi zoti Basha – është të bëjmë gjithçka që këto kontribute të shërbejnë vërtet për ndihmë ndaj njerëzve në nevojë. Është e rëndësishme që të nisë menjëherë puna dhe fondet të përdoren me përgjegjshmëri dhe transparencë për të ndalur keqpërdorimin dhe abuzimin me to”.

Në të njejten linjë dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi. Ndërsa shprehet se “miqtë i qëndruan në krah Shqipërisë në këto momente të vështira. Mirënjohje për kontributin e tyre për të ndihmuar qytetarët shqiptarë dhe infrastrukturën e dëmtuar pas tërmeteve, që goditën vendin”, ajo shton se “tani është koha që kjo mbështetje t’u shkojë sa më parë, në radhë të parë familjeve që janë të pastreha. Çdo euro ndihmë është e çmuar dhe duhet të administrohet me transparencë dhe përgjegjësi të plotë”.

voa

Koronavirusi, OBSH paralajmëron për kujdes megjithë raportimet nga Kina

Koronavirus 2Zyrtarët kinezë të shëndetësisë raportuan të martën se numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit e ka tejkaluar shifrën 72,000 ndërsa numri i të vdekurve ka arritur në rreth 1,900. Megjithatë, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetit paralajmëroi për kujdes pasi prirjet mund të ndryshojnë kur infektohen segmente të reja të popullsisë.

Përditësimi i fundit përfshin 98 vdekje të tjera dhe 1.886 raste të reja të virusit që ka tensionuar sistemin e kujdesit shëndetësor të Kinës dhe ka bërë që autoritetet të vendosin zona të tëra në karantinë, në përpjekje për të ndalur përhapjen e tij.

Televizioni shtetëror i vendit njoftoi se të martën vdiq nga virusi Liu Zhiming, drejtori i Spitalit Wuchang të Wuhanit, kryeqytet i provincës Hubei që është epiqendra e shpërthimit.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetit, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se të dhënat kineze nga ditët e fundit duket se tregojnë për një rënie të rasteve të reja.

“Kjo prirje duhet të interpretohet me shumë kujdes. Trendet mund të ndryshojnë kur infektohen segmente të reja të popullsisë. Është shumë herët për të treguar nëse do të vazhdojë kjo rënie që është njoftuar. Të gjithë skenarët janë ende në tryezë”, tha zoti Ghebreyesus.

Ghebreyesus gjithashtu tha se më shumë se 80% e pacientëve “kanë sëmundje të lehtë dhe do të shërohen”.

OBSH tha në raportin e saj të fundit se kishte 794 raste të konfirmuara jashtë Kinës. Rreth 454 raste kanë qenë pasagjerë në një anije lundrimi në karantinë në Yokohama, të Japonisë, ndër ta 88 raste të reja të raportuara të martën.

Shtetet e Bashkuara thanë të hënën se kishin evakuar mbi 300 qytetarë të saj dhe anëtarët e familjes së tyre të ngushtë që kishin qenë në bordin e anijes Diamond Princess. Një fluturim që transportonte pasagjerët mbërriti herët të hënën në Bazën e Forcave Ajrore Travis në Kaliforni, ndërsa një tjetër u ul disa orë më vonë në Bazën e Forcave Ajrore Lackland në Teksas.

Një grup prej 14 personash që nuk shfaqnin simptoma, por që rezultuan pozitivë në testet për virusin, u lejuan në avion në një zonë të izoluar nga pjesa tjetër e pasagjerëve. Të gjithë të evakuarit janë mbajtur në karantinë për 14 ditë.

Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit po shikon gjithashtu rastin e një shtetase amerikane, e cila u diagnostikua me koronavirusin pasi u nis me një anije tjetër lundrimi, Westerdam, pasagjerët e të cilit rezultuan negativë gjatë testeve për virusin përpara se të niseshin për në Kamboxhia.

Autoritetet mjekësore në Malajzi thanë se gruaja 83-vjeçare, u testua dy herë pozitivisht për virusin kur mbërriti në Malajzi pasi tregoi shenja të një infeksioni viral, njoftoi të dielën një zëdhënës i Departamentit të Shtetit. Ajo është personi i parë nga anija Westerdam që rezulton të ketë marrë koronavirusin. Testimi i burrit të saj rezultoi negativ.

Anija Westerdam dhe 2,257 pasagjerët dhe ekuipazhi i saj kaluan pothuajse një javë në det pas udhëtimit fillestar dhe nuk u pranuan nga Japonia, Tajvani, Filipinet dhe Tajlanda, nga frika se dikush në bord ishte infektuar me koronavirus. Anija më në fund u lejua të ankorojë në Kamboxhia të enjten e kaluar.

voa

Koronavirusi, mbi 1 mijë e 800 të vdekur

KoronavirusAutoritetet shëndetësore në Kinë njoftuan sot se numri i të infektuarve me koronavirus ka shkuar në mbi 70 mijë, ndërsa numri i të vdekurve është rreth 1 mijë e 800. Deri tani askush nuk mund të thotë se kur mund të marrë fund epidemia, ndërsa virusi po infekton çdo ditë e më shumë njerëz jashtë Kinës.

Në provincën Hubei, epiqendra e shpërthimit të sëmundjes, vetëm të hënën u njoftua për 100 vdekje të reja.

Ndërsa rreth 11 mijë të infektuar u nxorën nga spitali pasi u trajtuan, thonë autoritetet kineze.

“Mes rasteve të konfirmuara, 15.9 ishte përqindja e rasteve kritike më 27 janar dhe kjo ka rënë në 7.2 për qind më 15 shkurt. Ky ndryshim tregon se parandalimi dhe kontrolli i virusit po jep rezultate”, tha Mi Feng nga Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë.

Shumica e rasteve të identifikuara jashtë territorit kinez, janë pasagjerë të një anijeje që është izoluar në Yokohama të Japonisë.

Shtetet e Bashkaura njoftuan se evakuuan më shumë se 300 shtetas të tyre që ndodheshin në bordin e anijes “Diamond Princess. Disa prej tyre po mbahen në një bazë ajrore në Kaliforni e disa tjerë në Teksas.

Një grup prej 14 personash që nuk dhanë simptoma, por rezultatet e analizave për koronavirus u dolën pozitive, u lejuan në këto fluturime por në zonë të ndarë me udhëtarët e tjerë.

Të gjithë të evakuuarit do të qëndrojnë në një karantinë 14 ditore.

Vende të ndryshme po ndërmarrin masa të reja për të penguar përhapjen e virusit tek qytetarët, duke shtuar kontrollet kufitare por edhe kontrollet në dyqanet e mishit.

Kjo çështje u diskutua edhe në konferencën e sigurisë në Gjermani.

“Bota shpenzon miliarda dollarë në përgatitjet për sulme terroriste por shpenzon shumë pak për sulmin nga një virus, i cili mund të jetë shumë më vdekjeprurës dhe më i dëmshëm për ekonominë, politikën dhe shoqërinë”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Udhëheqës fetarë në botë, përfshirë Rusinë dhe Izraelin, u bënë thirrje njerëzve të luten për fundin e epidemisë.

voa

URREJTJE ME PASOJA TË MËDHA

Shqiperi KosoveAs kryeministri i Serbisë mbretërore, Nikolla Pashiqi, as ministri i Sigurimit të Brendshëm Shtetëror – UDB-së së Serbisë dhe Jugosllavisë Komuniste, Aleksandër Rankoviqi e as kryetari i Serbisë pseudodemokratiko-fashiste, Sllobodan Millosheviqi, që aq shumë e kanë dëshiruar zhbërjen e shtetit shqiptar, nuk kanë propaganduar kaq haptas, kaq botërisht, aq urrejtje shoviniste kundër Shqipërisë sa e si po propagandon Masmedia e Prishtinës me disa radio, televizione e portale, e sidomos me televizionin T7 dhe me gazetën portal “Express”.

Kjo urrejtje ndaj Shqipërisë shtetërore nuk është urrejtje as e çastit e as e rastit. Jo. Kjo është urrejtje me motive jo vetëm politike më gjatë e menduar dhe më gjerësisht e organizuar dhe e strukturuar!

Kësaj urrejtjeje të organizuar shoviniste brendakombëtare kundër Shqipërisë, me të punësuar e bashkëpunëtorë, me ide, me mendime, me projekte, me propozime po i kontribuojnë edhe ndonjë institucion e edhe individë të tjerë të këtushëm.

Është naivitet të besohet se këtë urrejtje shoviniste brendakombëtare ndaj shtetit shqiptar, Shqipërisë, nuk e nxisin edhe mjete financiare të brendshme e të jashtme!

Dhe, është e palejueshme të presim gojëmbyllur e të shohim se çfarë pasojash, dhembjesh e plagësh po i sjell kjo urrejtje e propaganduar aq gjatë e aq vendosmërisht njësisë së Kombit shqiptar dhe marrëdhënieve të Dy shteteve shqiptare!

Në qoftë se nuk janë mirëkuptues të kësaj urrejtjeje të propaganduar haptas, botërisht e pa ndërprerje tani e sa kohë kundër Shqipërisë, institucionet e larta politike e shtetërore të Kosovës do të duhej të marrin qëndrim ndaj bartësve të saj siç po marrin shtetet e mëdha të Bashkimit Evropian ndaj propaganduesve të organizuar të fashizmit dhe të nazizmit në jetën e tyre politike, shoqërore e shtetërore.

Heshtja e tyre ndaj saj s’mund të kuptohet ndryshe përpos si pajtim me të!

Rexhep QOSJA

Maqedonia e Veriut: Përplasjet politike vënë në rrezik zgjedhjet e parakohëshme

Projekt-ligji për Prokurorinë publike dhe ai për Mbrojtjen kanë përlasur dy partitë më të mëdha rivale maqedonase dhe kjo vë në pikëpyetje mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme që pritet të mbahen më 12 prill. Parlamenti duhet shpërndahet këtë të diel, më 16 shkurt, në mënyrë që të shpallet zyrtarisht data e zgjedhjeve. Nga Shkupi njofton korrespondenti Isak Ramadani.

Parlamenti ka filluar seancën e shumëpritur për Propozim-ligjin për Prokurorinë publike, një prej reformave të rëndësishme ligjore dhe kusht i vënë nga Lidhja Social Demokrate për zgjedhjet e parakohshme. Mirëpo, deputetët e opozitës maqedonase të drejtuar nga VMRO-ja dhe të pushtetit, përkatësisht të Lidhjes Social Demokrate kanë dallime rreth ligjit; Secila prej palëve akuzon kundërshtarët se “përmes ligjit synon amnistinë e zyrtarëve të korruptuar dhe të inkriminuar”.

Për miratimin e ligjit duhen 2/3 e votave në parlamentin prej 120 vendesh.

Debatet rreth ligjit po rrezikojnë madje mbajtjen e zgjedhjeve të paralajmëruara për më 12 prill. Afati i fundit kushtetues për shpërndarjen e parlamentit është data 16 shkurt.

Kryeministri i përkohshëm Oliver Spasovski tha tw premten se pa miratimin e ligjit për Prokurorinë dhe disa ligje të tjera nuk do të shpërndahet parlamenti.

Ne së pari duhet t’i mirartojmë ligjet që janë jashtëzakonisht të rëndësishme për të ardhmen e këtij shteti dhe më pas të shkojmë në zgjedhje. Ky, – tha Kryeministri Spasovski,- është qëndrimi që e kemi edhe si qeveri edhe si parti, që nga çasti i pare, kështuqë, të gjitha ligjet dhe para së gjithash Ligji për Prokurorinë publike që duhet të japin argumente pozitive në vendimet e Këshillit Evropian mbi bisedimet me BE-në, duhet të jetë me përparësi për të gjitha partitë politike dhe për çdo deputet në parlament”, u shpreh zoti Spasovski.

Bashkimi Demokratik për Integrim, ndërkohë ka lënë të kuptohet se i mbështetë të gjitha ligjet e paketës së reformave ligjore, teksa ligjvënsi Artan Grubi ka theksuar shpresat se deri të dielën do të kapërcehen dallimet dhe parlamenti të shpërndahet për t’i lënë vend zgjedhjeve të parakohshme. “Nuk ka probleme midis BDI-së dhe Lidhjes Social Demokrate”, tha ligjvënsi, duke hedhur poshtë dilemat në opinionin publik për animin e partisë shqiptare kah VMRO-ja e opozitës.

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi u sugjeron partive që të mblidhen në një takim ndërmjet drejtuesve politik për të zgjidhur mosmarreveshjet.

Nga ana tjetër, ligjvënësit e VMRO-DPMNE-së thonë se Lidhja Social Demokrate dhe kryetari i saj Zoran Zaev kanë frikë nga humbja në zgjedhje. VMRO-ja, ndërkaq e akuzon ish-kryeministrin Zaev për përfshirje në skandalin e zhvatjes, që aktualisht është duke u proceduar në gjykatë, por social-demokratët u përgjigjen rivalëve djathtisë që ta paraqesin në prokurori çdo dëshmi që mund ta kenë për ngritjen e akuzave eventuale ndaj zotit Zaev.

voa

Përplasjet e para mes Kurtit dhe Vuçiqit

Albin Kurti MynihNë Mynih në kuadër të Konferencës për Sigurinë u zhvillua të premten një debat edhe për Ballkanin Perëndimor. Paneli i diskutimit ka qenë me dyer të mbyllura, por DW ka mësuar disa detaje nga burimet e saj.

Bashkimi Evropian dhe SHBA nuk ia kanë kthyer shpinën Ballkanit Perëndimor. Ky ishte mesazhi që dhanë organizatorët e takimit për Ballkanin Perëndimor, siç merret vesh nga burime të informuara mirë. Debati i organizuar të premten në mbrëmje në Mynih ka zgjuar një interesim jashtëzakonisht të madh. Në tubim ishin organizatori i Konferencës së Mynihut Wolgang Ischinger, shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borell, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq, kreu i shtetit të Malit të Zi Milo Gjukanoviq, të Maqedonisë së Veriut, Pendarovski, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, lideri bullgar Boiko Borisov dhe shumë personalitete të tjera. Megjithatë me shumë interes në këtë takim është pritur edhe paraqitja e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili ishte për herë të parë pjesë e këtyre takimeve.

Takimi me dyer të mbyllura

Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura sipas parimit “Chatam Haus”, që do të thotë se pjesëmarrësit nuk kanë të drejtë të publikojnë detaje nga takimi. Megjithatë në rrjetet  sociale është publikuar një video e fjalimit të kryeministrit Kurti, i cili është deklaruar kundër idesë së tanishme të Minishengenit, duke kërkuar që kjo ide të kthehet në kuadër të Procesit të Berlinit. Kurti ka paraqitur edhe tri parime për bisedime me Serbinë. I pari – s’ka marrëveshje pa dialog. I dyti – s’ka dialog me harta dhe i treti – pa presidentë rreth hartave”. Në këtë mënyrë ai kritikoi tërthorazi presidentin Thaçi dhe atë Vuçiq, por edhe kryeministrin Rama, për të cilin në media u përhapën zëra, se ka qenë i përfshirë në çështjen e ndryshimit të mundshëm të kufijëve të Kosovës dhe Serbisë.

Atmosfera e nxehtë

Nga burime të DW-s është mësuar, se presidenti i Serbisë Vuçiq ishte më së shumti i shqetësuar pas pohimeve të Kurtit se “bota e ka ndihmuar Kosovën të çlirohet nga Serbia, tani duhet të ndihmojë Serbinë të çlirohet nga Kosova”, sepse ajo paraqet vetëm ngarkesë për Serbinë.

Nga burime të informuara mirë po ashtu mësohet, se Vuçiq i ka kundërshtuar këto pohime me fjalët se “Kosova ende është pjesë e Serbisë sipas Rezolutës 1244 dhe se Kosovën ende nuk e kanë njohur gjysma e shteteve anëtare të OKB dhe më shumë se gjysma e popullatës botërore”.

Kurti ishte në këtë takim i vetmi, i cili ka kërkuar që të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkëngjiten Bashkimit Evropian njëkohësisht. “Nëse një apo dy shtete hyjnë para tjerave në BE, do të ketë edhe më shumë probleme”, tha Kurti i cili ka kundërshtuar idenë e Minishengenit dhe shtoi se vendeve të Ballkanit i duhet tani një ‘Mini-Marshall Plan’.

Mbrojtësit e Minishengenit

Vendet, të cilat kanë nisur iniciativën për Minishengen e kanë mbrojtur këtë ide, me fjalët se ajo ofron lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave. Përfaqësuesit e këtyre vendeve kanë pohuar se kjo ide rrjedh edhe nga Procesi i Berlinit. Mësohet se njëri prej tyre ka hedhur poshtë edhe të gjitha pohimet se ai mbron ndonjë ide për krijimin e ndonjë Jugosllavie të tretë dhe ka përdorur madje edhe fjalë si ato  – boll me këtë “bullshit”.

Një ndër temat më të trajtuara ka qenë domosdoshmëria e hapjes së një perspektive më të qartë të vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE. Ka pasur dallime mes folësve për procedurat që duhen ndjekur deri në anëtarësim dhe mënyrën e anëtarësimit. Por të gjithë folësit ishin të mendimit se perspektiva e vendeve të BP për anëtarësim në BE duhet të mbahet e hapur.

Një prej folësve ka kritikuar edhe tendencat jo evropiane në Ballkan, duke sugjeruar se në Ballkan ka vende dhe shtete të cilat frenojnë dhe pengojnë këtë rrugë. Ai nuk ka emërtuar qartë se cilat vende janë këto, po megjithatë mendohet se fjala është për vendet më të afërta me Rusinë.

Nga burime të mirëinformuara marrim vesh se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka kërkuar një angazhim më të fuqishëm të BE në zgjidhjen e problemeve, në radhë të parë për liberalizimin e vizave për kosovarët. BE është kritikuar për mosveprim dhe neglizhencë, ndërsa kosovarët ndjehen të mashtruar nga BE, sepse Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara. Nga BE kërkohet më shumë unitet në zgjidhjen e problemeve të ngjashme, por edhe në procesin e zgjerimit. Disa herë është përmendur edhe domosdoshmëria e hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE. Kjo do të jetë edhe një prej temave që do të trajtohen në takimet e ardhshme të BE në Bruksel dhe në veçanti në samitin e Zagrebit në maj.

dw

Partitë bien dakord për ndryshimet e Kodit Zgjedhor në Maqedoni

Është arritur marrëveshje për Kodin zgjedhor. Përveç ndryshimeve që burojnë nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-së, partitë politike tashmë kanë marrëveshje edhe për ndryshimin e kufijve të dy njësive zgjedhore, për balancimin e numrit të votuesve në to. Propozimi/ndryshimi në fjalë është i BDI-së.

“Është pranuar edhe amendamenti i BDI-së për transferimin e disa vendvotimeve nga zona gjashtë në zonën pesë në mënyrë që të balancohen dallimet mes njësive zgjedhore, në veçanti njësisë së gjashtë”, tha Artan Grubi, BDI.

Megjithatë problemi nuk është zgjidhur. Ky ndryshim rregullon brenda kufirit +-5% vetëm njësinë e gjashtë zgjedhore por jo edhe njësitë tjera. Në tre nga gjashtë njësitë akoma shkelet kufiri duke mos u eliminuar disbalanci.

Njësia e dytë ka +5,74% votues; njësia e tretë, -7,64% dhe njësia katër, -6,36% lëvizje nga mesatarja ligjore prej -+5%.

Problemi me disbalancin e numrit të votuesve në njësitë zgjedhore përsëritet përpara çdo cikli zgjedhor. Zakonisht, partitë gjejnë zgjidhje vetëm duke bërë kombinimet më të përshtatshme matematikore me kalimin e disa vendvotimeve nga njëra njësi në tjetrën. Nga BDI-ja ditë më parë thanë se mosrregullimi i disbalancit do të nënkuptonte një proces zgjedhor joligjor i cili do të mund të kontestohej në Gjykatën Kushtetuese nga cilido qytetar./Alsat/

Maqedoni, rriten shpenzimet për jetesë dhe çmimet në pakicë

ushqimShpenzimet për jetesë dhe çmimet në pakicë në janar janë rritur për 0.1% në krahasim me muajin e kaluar, ndërsa në krahasim me janarin e vitit 2019 shënojnë rritje prej 0.6%.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistika, rritje të shpenzimeve të jetesës në janar në krahasim me muajin e kaluar është vërejtur te perimet përveç patateve, pemët, prodhimet ushqyese, qumështi, gjiza, buka, sheqeri, mjalti, çokollata dhe birra, njofton Telegrafi Maqedoni.

Rritje të shpenzimeve ka edhe te shërbimet tjera financiare siç është higjiena personale, te biçikletat, aranzhimet turistike, telefoni dhe pajisjet e telefaksit etj.

Ulje të shpenzimeve është vërejtur te vena, te transporti ajror, mobilje dhe amvisëri, prodhimet mjekësore, pajisjet e mëdha elektronike për amvisëri etj./Telegrafi/

Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje për hekurudhën dhe autostradën

Grenell Thaci VucicNë Munih u nënshkrua një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për linjën hekurudhore dhe autostradën që lidhë të dyja vendet.

Marrëveshja u ndërmjetësua nga i dërguari i posaçëm amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, i cili tha se me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është pajtuar se duhet përqendrim në zhvillimin ekonomik.

Më 27 janar, ekipet teknike të Kosovës dhe Serbisë, zhvilluan një takim në Berlin për të rihapur linjën hekurudhore ndërmjet tyre, me ndërmjetësimin ambasadorit Grenell, vetëm pak ditë pasi që palët nënshkruan një marrëveshje për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ky është një hap tjetër i përparimit pas marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë-Beograd.

“Marrëveshja e sotme për hekurudha dhe autostrada është mesazhi më i mirë që rajoni do të ketë paqe, zhvillim ekonomik, progres, vende të punës, pra ajo çka ju duhet njerëzve tonë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”, tha presidenti Thaçi, duke nënvizuar se “Kosova beson në lidershipin e presidentit Trump dhe administratën që gjatë gjithë kësaj periudhe dhe viti po punojnë për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi. Kjo është rruga që duhet të ndjekim në të ardhmen dhe të mos mbetemi peng i të kaluarës së hidhur mes vendeve dhe popujve tanë”.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se “kjo është e rëndësishme për lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve. Jam i kënaqur që po shoh përparim dhe falënderoj Trumpin dhe Grenellin në emër të Serbisë, sepse të gjithë e ndjejmë se nga kjo do të kemi një të ardhme me të mire dhe do të sigurojmë paqen për dekadat e ardhshme”.

Ambasadori Grenell, ngulë këmbë se përmirësimi i lidhjeve ekonomike midis dy vendeve dhe hapja e vendeve të punës, do të ndihmojë tërë procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Bisedimet janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018, kur qeveria e Kosovës vendosi tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën me heqjen e këtyre tarifave.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë heqjen e tarifave një kërkesë kjo që u ritheksua të enjten nga sekretari i Shtetit Mike Pompeo në një letër dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Qeveria e re është zotuar ta bëj një gjë të tillë, por duke kushtëzuar heqjen e tarifave me vendosjen e masave të reciprocitetit të plotë më Serbinë.

voa