Vazhdon gara për gjetjen e një vaksine kundër Covid-19

VaksinaGati gjashtë muaj pas përhapjes së koronavirusit nga epiqendra e tij në Wuhan, qindra prova klinike janë duke u bërë për të gjetur një kurë dhe të paktën dyzet prej tyre për të gjetur një vaksinë. Është shtuar frika se më lehtësimin e masave kufizuese në të gjithë botën, mund të shohim një valë të dytë të infeksioneve. Dihet pak për virusin, shkencëtarët nuk mund të thonë madje as nëse njerëzit që janë shëruar nga COVID-19 kanë imunitet të mjaftueshëm për t’u mbrojur nga një infektim tjetër.

Që kur qeveria e Kinës publikoi të dhënat gjenetike të koronavirusit të ri, të njohur tani si COVID-19, laboratorët kanë punuar shumë në studimin e tij.

Fillimisht u investua në krijimin e mjeteve diagnostikuese për të testuar njerëzit për koronavirusin.

Qëllimi përfundimtar, megjithatë, është prodhimi i një vaksine që mund t’i mbrojë njerëzit nga virusi, veçanërisht të moshuarit dhe ata me probleme shëndetësore.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), janë duke u zhvilluar mbi dyzet vaksina për Covid-19, jo të gjithë kanë arritur në fazën e provave klinike me njerëz.

Kompania nga Kina, CanSino Biologics raportoi në revistën mjekësore Lancet se ka bërë prova klinike me një vaksinë, duke përfshirë ato në mbi njëqind njerëz të shëndetshëm në provincën Hubei, që tani do të kalojë në fazën e dytë.

Provat klinike tregojnë se vaksina nxit një reagim të sistemit imunitar, por ato nuk kanë vërtetuar se kjo do të ishte e mjaftueshme për t’u mbrojtur nga virusi.

Universiteti i Oksfordit në Britani ka njoftuar gjithashtu sukses në zhvillimin e vaksinës së tij për Covid-19.

Muajin e kaluar, shkencëtarët në Oksford filluan të imunizojnë më shumë se një mijë vullnetarë me vaksinën e tyre, në një provë paraprake të krijuar me qëllimin për të testuar sigurinë e saj.

Edhe kompani të tjera farmaceutike si Moderna po punojnë në prodhimin e vaksinave që funksionojnë në mënyra të ndryshme.

Bashkimi Evropian po financon gjithashtu kërkime për një vaksinë kundër koronavirusit.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit në Shtetet e Bashkuara, Dr. Francis Collins është optimist se do të ketë përparim në përpjekjet për prodhimin e një vaksine.

“Unë mendoj se do të shohim që në korrik fillimin e provave klinike në shkallë të gjerë për të paktën një, ndoshta dy nga vaksinat që kanë patur më shumë përparim dhe pastaj të tjerët shpresoj se do të ndjekin hapat e tyre brenda një periudhe jo shumë të gjatë”, tha ai.

Përveç vaksinave, shkencëtarët po bëjnë kërkime edhe për gjetjen e trajtimeve për Covid-19.

Midis tyre është edhe ilaçi remdesivir, i cili është duke u studiuar nga kompani dhe institucione të ndryshme, përfshirë një ekip shkencëtarësh në Universitetin Emory në Shtetet e Bashkuara.

Një studim zbuloi se ilaçi remdesivir shkurton kohën e shërimit të pacientëve të koronavirusit në spital me 31 për qind.

Nuk dihet nëse ilaçi ul numrin e vdekjeve.

Deri më tani, ai është testuar vetëm te njerëzit me nivel mesatar ose të rëndë të sëmundjes dhe është përdorur vetëm në spitale.

Prodhuesi i Remsidivirit, kompania Gilead thotë se është duke rritur prodhimin nga 140,000 doza trajtimi tani, në më shumë se 500,000 deri në tetor, dhe më shumë se një milion deri në 1 dhjetor. Ilaçi nuk është miratuar ende askund në botë për përdorim të gjërë.

“Si shumica e gjërave në mjekësi, ky ilaç nuk është një kurë për të gjithë. Pra, ky është një trajtim që përmirëson simptomat e pacientit, që shkurton kohën e shërimit. Ky ilaç ka potencialin për të shpëtuar jetë”, tha udhëheqësi i studimit, Dr. Andre Kalil nga Universiteti i Nebraskës.

Trajtimet e tjera që po studiohen përfshijnë përdorimin e plazmave të gjakut të pacientëve të shëruar nga Covid-19 për të forcuar sistemin imunitar të atyre që vuajnë nga sëmundja.

Shkencëtarët po anlizojnë edhe vaksinën e vjetër BCG, që është përdorur kundër turbekulozit, për të forcuar sistemin imunitar.

Studimet e kësaj vaksine po zhvillohen në Australi dhe Holandë.

“Mund të jetë një mjet shumë i rëndësishëm për të kapërcyer periudhën e rrezikshme derisa të kemi në treg një vaksinë specifike të duhur kundër koronavirusit,” tha Dr. Mihai Netea nga Qendra Mjekësore e Universitetit Radboud.

Kërkimet për trajtime dhe vaksina po vazhdojnë, por nuk ka garanci se njëra prej tyre do të funksionojë.

voa

Kostoja psikologjike dhe emocionale e shkaktuar nga COVID-19

psikologen Earta Norwood dhe neuropsikiatrin Bashkim KadriuNdërsa Evropa dhe Shtetet e Bashkuara po rihapen me hapa të kujdesshëm, pas masave shtrënguese të izolimit në përgjigje të koronavirusit, ekspertët thonë se pasojat emocionale dhe psikologjike të krizës do të ndjehen për një kohë të gjatë. Kombet e Bashkuara u kanë rënë kambanave të alarmit për mundësinë e rritjes së rasteve të vetëvrasjeve dhe abuzimit me drogën dhe alkoolin duke u bërë thirrje vendeve të investojnë për shëndetin mendor. Kolegia Keida Kostreci bisedoi me psikologen Earta Norwood dhe neuropsikiatrin Bashkim Kadriu.

Që nga frika për shëndetin tonë dhe të të dashurve tanë, tek pasiguria për të ardhmen, pyetjet ende pa përgjgje dhe tek ndryshimet dramatike në mënyrën e jetesës, kriza e koronavirusit ka sjellë ankth dhe stres të jashtëzakonshëm. Dr. Earta Norwood, është psikologe me praktikë në Nju Xhersi dhe Virxhinia.

“Kur mendojmë për ngjarje që shpesh janë zanafilla e stresit, depresionit apo stresit pas traumatik, këto janë ngjarje të pazakonta, janë shqetësuese, të frikshme, janë ngjarje në të cilat ne ndjehemi të pafuqishëm dhe nuk kemi rrugëdalje. Pandemia i plotëson të gjitha këto kushte”, thotë ajo.

“Ne presim të ketë impakt, numër të madh sëmundjesh mendore. Ajo që njihet si psikiatria e krizava këtu në Shtetet e Bashkuara, tregon që çdo krizë e madhe globale, qoftë kriza (financiare) e vitit 2008, apo pandemitë e mëhershme, kanë ndikuar që frekuenca e sëmundjeve neuropsikiatrike të rritet proporcionalisht me krizën”, thotë Dr. Bashkim Kadriu, neuropsikiatër dhe hulumtues shkencor në Institutin Kombëtar të Shendetit Mendor, në Bethesda të Merilendit.

Ai shton se grupe që përpara pandemisë kanë qenë në një pozitë të brishtë psikologjikisht apo fizikisht janë më të rrezikuar nga sëmundjet mendore, përfshirë ata që kanë prirje për abuzim me alkool dhe substanca të ndryshme.

“Në kohë krize, një pjesë e madhe njerëzish tentojnë të gjejnë mekanizma kompensatorë që të tejkalojnë këtë gjendje të rënduar psikologjike dhe shpeshherë këta mekanizma kompensatorë, mund të jenë mekanizma keqadaptues, të cilat mund të kenë pasoja tek personi edhe në të ardhmen.”

Shkencëtarët thonë se ndikimet në shëndetin mendor të COVID-19s mund të zgjasin edhe pasi të ketë mbaruar pandemia, jo vetëm për ata që kanë qenë të sëmurë por edhe për publikun e gjerë.

“Sa më i pafuqishëm ndjehet një person i ballafaquar, i përballur me këto kushte, aq më të rënda dhe më jetëgjata do të jenë pasojat që do të kenë muaj dhe vite më pas”, thotë Dr. Norwood.

Ajo shton se njerëzit po privohen nga kënaqësitë e vogla të jetës dhe nga ritet e traditat të rëndësishme, si lindjet, martesat, vdekjet. Dhe mbi të gjitha është mungesa e kthimit në ritmin normal të jetës.

“Kur do rikthehet ritmi normal? Nuk e dimë. Ritmi normal do të jetë njësoj si dikur apo do të na duhet të mësohemi me një normale të re? Të gjithë këta faktorë do të ndikojnë në aftësinë e njerëzve për t’u rehabilituar”.

Punonjësit e shëndetësisë janë më të ekspozuar se grupet e tjera dhe stresi i tyre është i shumëfishtë. Dr. Kadriu thotë se ai dhe kolegët e tij në Instituti i tij, po bën një studim pikërisht për pasojat tek ky grup.

“Studimet e mëparshme në Wuhan të Kinës ose në Evropë, tregojnë që mjekët ose infermierët që kanë punuar direkt me njerëz që vuajnë nga COVID-19, kanë shfaqur pasoja të rënda të shëndetit mental, ose shenja të rëndimit të gjendjes emocionale”.

Sipas një publikimi në Lancet Pschyciatric deri në 15 për qind e tyre ka shfaqur simptoma të rënda depresionit, ankthit ose çrregullimit me gjumë dhe deri 50-60 për qind e këtij grupi shfaqi simptoma të lehta, mesatare të depresionit dhe ankthit.

Dr. Norwood, thotë se sipas studimeve, 50 për qind e pacientëve të shtruar në njësitë e kujdesit intensiv, vuajnë nga stresi post-traumatik. Me pacientët e koronavirusit pasojat janë edhe më të rënda:

“Është ndërprerja e lidhjeve miqësore dhe izolimi që ndodh pas daljes nga spitali, është mungesa e stabilitetit, apo pasiguria ekonomike që gjithashtu ndjek daljen nga spitali”.

Ndërsa disa njerëz do t’i provojnë simptomat e ankthit, stresit post-traumatik dhe depresionit për herë, të parë, Dr. Norwood thotë se për ata që kanë vuajtur që më parë nga sëmundje mendore do të jetë më e vështirë.

“Nga një anë shpesh këta njerëz ose janë mësuar, ose përvoja i ka mësuar që të kërkojnë ndihmë të drejtohen tek mjeku, tek profesionisti. Por nga ana tjetër, në këtë situatë, edhe familjarët që shpesh janë burim mbështetjeje, tani edhe ata janë duke përjetuar depresion dhe stres për veten e tyre, kështuqë njerëzit që ndërkohë kanë pasur depresion janë të privuar edhe prej ndihmës së të afërmve”, thotë dr. Norwood.

Dr. Kadriu ka kryer disa studime për vetëvrasjen dhe mënyrat e parandalimit. Ai thotë se në 20 vitet e fundit, numri i vetëvrasjeve në Amerikë, është rritur me rreth 30 për qind.

“Për njerëz që e gjejnë veten në këtë krizë, në këtë ankth emocional, këtë mungesë të shpresës, trajtimi i përshtatshëm, trajtimi me kohë dhe bisedat që ne si individë zhvillojmë me njëri-tjetrin, mund të ndikojnë jo vetëm në përmirësimin e gjendjes emocionale të tyre, por edhe në ndryshimin e kahjes së vetëvrasjeve.”

Sëmundjet mendore kanë edhe një kosto të lartë ekonomike, duke kapur në Shtetet e Bashkuara shifrën 1 trilion dollarë, pasojë direkte e mungesave në punë, rënies së produktivitit, si dhe kostoja financiare e trajtimit të këtyre semndjeve.

Dr. Kadriu, thotë se simptomat që njerëzit ndjejnë në këto momente, nuk janë shumë të ndryshme nga ato që kanë përjetuar njerëz në shoqëri me konflikte dhe trazira sociale si Kosova dhe Shqipëria.

“Për shembull për ne në Kosovë, vetëizolimi gjatë bombardimeve të NATO-s është jashtëzakonisht i freskët dhe për shumë vetë ky izolim, karantinim, ka ngjallur përafërsisht një ndjenjë të njëjtë edhe pse ambjenti i jashtëm ka qenë komplet tjetër”.

Por ai thotë gjithashtu se kriza të mëdha kur të gjithë kanë nevojë për mbështetje psikologjike, mund të ndihmojnë në uljen e stigmës ashtu siç ndodhi në Kosovë, thotë ai kur pothuajse të gjithë vuanin pas luftës nga stresi post-traumatik.

“Në këto lloj rastesh ekziston një ndjenjë e normalizimit të stigmës që është një mundësi shumë e mirë për neve si mjekë dhe për fushën në përgjithësi që ne në mënyrë më të mirë t’i qasemi njerëzve që vuajnë nga sëmundje të ndryshme dhe të gjejmë mënyra se si t’i ndihmojmë këta njerëz”, thotë ai.

Dhe Dr. Norwood, thotë se nëse ka një gjë të mirë që mund të dalë nga kjo situatë është pikërisht zbutja e stigmës dhe zhvillimi i një të kuptuari të vuajtjes së të tjerëve.

“Nganjëherë mendoj që kur përballemi me situata të vështira, situata ka një çmim dhe këtë çmim, vendosim vetë se si ta paguajmë. Mund ta paguajmë me dëshpërim, me stres, me izolim? Apo duke kërkuar ndihmë dhe ndoshta duke na ardhur pak turp që po kërkojmë ndihmë, por ndoshta thyerja e stigmës është më e mirë sesa dhimbja dhe trishtimi”, thotë ajo.

Si Dr. Norwood edhe Dr. Kadriu, përmendin disa shenja të cilat duhet t’i ndjekim vetë për të dalluar shenja se po ndjejmë ankth apo depresion si çrregulllimet e gjumit, ankth I tepruar në krahasim me rrethanat, humbja e energjisë dhe motivimit dhe mbi te gjitha humbja e shpresës.

“Është shumë e rëndësishme që njeriu t’i vërë një qëllim vetvetes.Të krijojë një farë larmie në jetën e tij: ta zëmë të merret me aktivitete të përditshme, qoftë aktivitete sportive ndikojnë shumë pozitivisht në përmirësimin e gjendjes emocionale, meditimi ndikon mjaft në atë që njihet si mirëqenie psikologjike”, thotë Dr. Kadriu.

Dr. Norwood thotë se kjo është edhe koha që të lidhemi më shumë me miqtë dhe të afërmit.

“Të pyesim prindërit, gjyshërit, gjyshet për historitë e familjes, anekdotat e familjes, të mësojmë një recetë të re ashtu siç e bën gjyshja, apo të fillojmë të lexojmë një libër që kemi dashur gjithmonë ta lexojmë dhe gjithmonë e kemi lënë pas dore. Mbajtja e lidhjeve me familjarët dhe miqtë është shumë e rëndësishme.”

Të dy ekspertët mendojnë se media sociale është thikë me dy presa. Mund të jetë e mirë për të mbajtur lidhjet, por është mirë që të përdoret për lidhje që sjellin pozitivitet.

Por mbi të gjitha, e rëndësishme është që të jemi të duruar dhe tolerantë me veten.

“Mendja dhe trupi kanë nevojë të çlodhen dhe të rekuperohen sepse thjesht menaxhimi i të rejave dhe shqetësimi i situatës, është një punë më vete, është një peshë më vete. Kështuqë patjetër angazhohuni me projekte për të shtëpinë dhe receta të reja, por edhe atyre që u ka dalë receta shumë-shumë mirë, javën që kaloi iu dogj keku, kështuqë nuk kemi gjithmonë fitore”, thotë Dr. Norwood.

voa

Prania ushtarake e SHBA në Gjermani dhe e ardhmja e saj

U.S. soldiersPresidenti Donald Trump ka urdhëruar ushtrinë amerikane që të largojë 9,500 trupa nga Gjermania, gjë që do ta reduktonte kontigjentin e saj në Gjermani në 25,000.

Ja disa fakte për këtë kontigjent:

– Prania ushtarake amerikane vazhdon që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, kur Gjermania u mbajt e pushtuar nga trupat aleate, nga viti 1945 deri në 1955. Në atë kohë, disa miliona trupa amerikane, britanike, franceze dhe sovjetike u vendosën brenda Gjermanisë. Trupat amerikane ishin përqendruar në jug.

– Më 25 qershor 1948, gjenerali Lucius D. Clay, që përgjigjej për zonën amerikane të pushtimit në Gjermani dha urdhër për furnizimin e Berlinit me anë të ajrit, në përgjigje të bllokadës sovjetike të Berlinit Perëndimor, që përfshinte sektorët e qytetit të pushtuar nga Aleatët Perëndimorë. Bllokada u hoq në 12 maj 1949.

– Konventa për praninë e forcave të huaja në Republikën Federale të Gjermanisë, e nënshkruar në vitin 1954, lejoi tetë vende të NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për të stacionuar forca në Gjermaninë Perëndimore, pas përfundimit të pushtimit aleat.

– Elvis Presley u dërgua në Gjermaninë Perëndimore nga viti 1958 në 1960

gjatë shërbimit të tij ushtarak. Në fund të viteve 1980, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo shërbeu si ushtar në Gjermaninë Jugore, për të patrulluar kufirin e fortifikuar midis Gjermanisë Perëndimore dhe Lindore, pjesë e Perdes së Hekurt, që ndante Evropën Lindore komuniste nga Perëndimi.

– Që nga rënia e Murit të Berlinit në 1989, numri i trupave amerikane në Gjermani është zvogëluar në mënyrë të vazhdueshme, nga rreth 200,000 që ka qenë, por ato përgjithësisht kanë qenë gjithmonë të mirëpritura në mesin e gjermanëve.

– Qendra Mjekësore Rajonale Landstuhl, ngjitur me Bazën Ajrore Ramstein, në jug-perëndim të Frankfurtit, është spitali ushtarak më i madh amerikan jashtë Shteteve të Bashkuara.

– Komanda Evropiane e SHBA me seli në Shtutgart, koordinon forcat amerikane në 51 vende, kryesisht evropiane.

– Partia gjermane SPD tha në vitin 2017 se donte tërheqjen nga territori gjerman të armëve bërthamore amerikane, për të cilat shumë gjermanë kanë rezerva. Shtetet e Bashkuara nuk kanë pranuar ta konfirmojnë ose mohojnë praninë e tyre.

voa

Aristoteli: Miku i të gjithëve nuk është miku i askujt

aristotleAristoteli ishte student i Platonit dhe ishte i pari që e kritikoi atë. 47 nga punët e tij kanë mbijetuar.

Aristoteli është i fundit nga filozofët e mëdhenj të antikitetit dhe konsiderohet si biologu i parë.

Ai themeloi shkencën e logjikës, shtroi terrenin për metodën shkencore dhe shkroi rreth shumë subjekteve.

Aristoteli ishte gjithashtu mentori i Aleksandrit të Madh për disa kohë. Ai ka pasur influencë të madhe në mendimin e Tomas Akuinit dhe për rrjedhojë mbetet një ndër influencat kryesore në edukimin dhe teologjinë katolike.

Aristoteli, një nga mendjet më të ndritura dhe më të thella të të gjitha kohëve, shkroi mbi shumë probleme dhe nga më të ndryshmet.

Me përjashtim të matematikës, lëroi të gjitha fushat e dijes, si politika, shkencat e natyrës, artin etj.

Rreth 120 veprat e tij formojnë një lloj enciklopedie, ku përfshihen njohuri nga të gjitha fushat e diturisë. Në të gjitha veprat e Aristotelit të bie në sy dashuria për të mirën dhe të vërtetën. Megjithëse e adhuronte dhe e nderonte shumë mësuesin e tij, filozofin Platon, në mjaft pikëpamje filozofike dhe estetike nuk ishte në një mendje me të. Në një nga veprat e tij thotë se midis miqve dhe së vërtetës është gjë e shenjë të duash më shumë të vërtetën.

Aristoteli, besonte se gjithçka ndodh për një arsye, gjithmonë. Dhe se çdo eksperiencë në jetën tënde, vjen për të të formuar dhe për të të sjellë në versionin tënd më të mirë. E vetmja gjë që e pengon këtë, është të kesh zgjuarsinë për ta parë.

2- Fillimisht ki një objektiv të qartë. Së dyti, gjej mjetet për ta arritur. Së treti përshtat mjetet.

3- Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfërit dhe jo të pasurit.

4- Shtresat e ulëta ngrenë krye për të qenë të barabartë, dhe të barabartët ngrenë krye sepse duan të jenë shtresë sunduese. Kjo është gjendja mendore që i krijon revolucionet.

5- Njerëzit i krijojnë zotat sipas vetes, jo vetëm për nga pamja, por edhe për nga mënyra e jetesës.

6- Edukimi i mendjes pa edukimin e zemrës nuk është aspak edukim.

7-Miku i të gjithëve nuk është miku i askujt.

8- Një qytet i madh nuk duhet ngatërruar me një qytet të populluar.

9-Miku i vërtetë është një shpirt në dy trupa.

10- Të gjitha veprimet njerëzore kanë një ose më shumë prej këtyre shkaqeve: fati, natyra, detyrimi, zakoni, arsyeja, pasioni, dëshira.

11- Në më të mirën e tij, njeriu është më fisniku i të gjitha kafshëve; po të mos ishin ligji dhe drejtësia ai do të ishte kafsha më e keqe.

12- Ka vetëm një mënyrë për të shmangur kriticizmin: mos bëj asgjë, mos thuaj asgjë dhe ji thjesht asgjë.

13- Gabimi vjen në shumë mënyra, ndërsa për të bërë gjërat siç duhet ka vetëm një rrugë.

14- Familja është shoqata e krijuar nga natyra për të siguruar nevojat e njeriut.

15- Dinjiteti nuk matet me titujt që zotëron, por me vetëdijen që i meriton.

16- Mirë është që në jetë ashtu si në gosti, të mos dalësh as i etur as i dehur.

17- Të këqijtë binden prej frikës, të mirët prej dashurisë

18- Droja është një stoli për të rinjtë, por një turp për të moçmit.

19- Trimëria është cilësia e parë njerëzore, sepse ajo është cilësia që i garanton të gjitha cilësitë e tjera.

20 -Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfërit dhe jo të pasurit.

21- Shkollimi është parapërgatitja më e mirë për pleqërinë.

22-  Ashtu si sytë e lakuriqëve janë të verbuar nga drita, për të njëjtën arsye edhe shpirtrat tanë janë të verbër përballë gjërave të cilat shihen më qartë se gjithçka.

23- Sikurse një dallëndyshe e vetme nuk sjell pranverë, sikurse si një ditë e vetme nuk sjell pranverë; ashtu një ditë, një kohë e shkurtër nuk e bën njeriun të bekuar e të lumtur.

24- Sikurse ne i duam sa të vërtetën aq edhe miqtë tanë, nderi na thotë që të parën ta respektojmë të vërtetën.

25- Lumturia varet nga ne.

26- Ai që ka shumë miq, nuk ka asnjë.

27- Ai që do të ishte një sundimtar i mirë, duhet së pari të ketë qenë i sunduar.

28- Ai që është i paaftë të jetojë në shoqëri, ose ai që nuk ka nevojë ngaqë i mjafton vetvetja, duhet të jetë ose një bishë, ose një perëndi.

29- Homeri i ka mësuar të gjithë poetët e tjerë artin e të treguarit të gënjeshtrave me zotësi.

30- Shpresa është një ëndërr që nuk fle.

31- E quaj më të zotin atë që i tejkalon dëshirat e tij se atë që i pushton armiqtë e tij; sepse fitorja më e vështirë është ndaj vetvetes.

32- Për të hartuar një fjalim njeriu duhet t’i studiojë tri pika: së pari, mjetet e arritjes së bindjes; së dyti, gjuha; së treti, organizimi i përshtatshëm i pjesëve të ndryshme të fjalimit.

33- Nga nëntë raste në dhjetë, gruaja shfaq më shumë dashuri sesa ndjen.

34- Shtresat e ulëta ngrenë krye për të qenë të barabartë, dhe të barabartët ngrenë krye sepse duan të jenë shtresë sunduese. Kjo është gjendja mendore që i krijon revolucionet.

35- Është shenja e një mendje të ditur të jetë e aftë që ta mirëpresë një mendim pa u pajtuar me të.

36- Njeriu nga natyra është një kafshë politike.

37- Njerëzit veprojnë më shumë për shkak të frikës se për shkak të respektit.

38- Fatkeqësia i tregon ata që nuk janë miq të vërtetë.

39- Shumë njerëz parapëlqejnë të japin më shumë dashuri se të marrin.

40- Nënat janë më të dashura se etërit për fëmijët e tyre, sepse ato janë më të sigurta se ata janë të tyret.

41- Natyra nuk bën asgjë kot.

42- Asnjë shpirt i shkëlqyer nuk është i përjashtuar nga përzierja me çmendurinë. Nuk ka ekzistuar kurrë një gjeni i madh pa njëfarë çmendurie.

43- Bukuria vetjake është rekomandimi më i madh se çdo letër reference.

44- Qëllimi i të mençurve është jo për të sjellë kënaqësi, por për të shmangur dhimbjen.

45- I ditur ndryshon nga i padituri sa i gjalli nga i vdekuri.

46 – Rrënjët e shkollimit janë të hidhura, por frutet janë të ëmbla.

47- Sekreti i humorit është befasia.

48- Shpirti nuk mendon kurrë pa një përfytyrim.

49- Ato që i di, bëji. Ato që nuk e kupton, mësoji.

50- Ne bëjmë luftë që të jetojmë në paqe.

Kult

Fragmente nga Ukshin Hoti

ukshin hoti“Edhe nëse ky qe fati im, unë pajtohem me të, pavarësisht nga çmimi që mund ta paguaj, sepse fëmijët e mi dhe jo unë vetë, janë kuptimi i jetës sime. Atdheu e fiton kuptimin me ta dhe jo pa ta, pasi që për atdheun mund të luftohet vetëm në emër të njerëzores dhe kurrsesi ndryshe.”

“Historia e shqiptarëve nuk duhet të bëhet nga të tjerët, por duhet njohur nga të tjerët.”

“Populli duhet të jetë i kujdesshëm, të mos zgjedh për udhëheqje persona që sillen para të tjerëve në mënyrë inferiore, inferioriteti i liderëve i jep imazh inferior edhe vendit, shtetit e shoqërisë. Shtetet e liderët e fortë nuk i duan afër vetes lider e shtete që sillen në mënyrë inferiore.”

“Një Serbi që e mban të pushtuar Kosovën nuk është as vetë e lirë. Liria e vërtetë e Kosovës është një premisë themelore edhe për lirinë e vërtetë të Serbisë. Kosova për Serbinë është kulti i robërisë së vetvetes, nëse nuk bëhet shans i lirisë dhe i evropianizimit të saj të ardhshëm.”

Ukshin Hoti

Covid 19: 111 raste të reja, 2 të vdekur dhe 6 persona të shëruar

NdalesaMinistria e Shëndetësisë informon se gjatë 24 orëve të fundit sipas informatave të deritashme janë realizuar 854 teste dhe janë regjistruar 111 raste të reja të covid-19 edhe atë në – Shkup 63 – Shtip 12 – Kumanovë 11  – Koçani 9 – Tetovë 8 – Gostivar 3  – Veles 3 – Ohër 1  dhe Kriva Pallanka 1.

Gjatë 24 orëve u regjistruan 2 viktima, në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile ndërroi jetë një paciente 53-vjeçare nga Struga dhe një pacient 80-vjeçar nga Prilepi.

Sot, Instituti i Shëndetit Publik regjistroi 6 pacientë të rikuperuar në  – Tetovë 4 – Manastir 1 dhe Prilep 1.

Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara që nga fillimi i epidemisë është 3025, numri i pacientëve të rikuperuar është 1646, numri i të ndjerëve është 153, dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend për momentin është 1226.

Në bazë të dhënave, duket sikur virusi pëson një zbritje dhe se kulmi ishte më 5 qershor.

Ndërsa sot, në territorin e Tetovës, gjatë 24 orëve të shkuara u regjistruan 8 raste të reja dhe kemi 4 të shëruar, numri i përgjithshëm i rasteve aktive me covid-19 është 119.

Ja edhe renditja e qyteteve me  rastet më të larta aktive :

  • Shkup – 1264, aktiv 658 (territori i Shkupit me 617.646 banorë)
  • Kumanova – 556, aktiv 140 (me 109.228 banorë)
  • Shtip – 174, aktiv 136  (me 43.625 banorë)
  • Tetovë – 281, aktiv 119 (territori i Tetovës me 200.678 banorë: Komuna e Tetovës me 91.760 banorë, Komuna e Bogovinës me 30.928 banorë, Komuna e Zhelinës me 28.044 banorë, Komuna e Tearcës me 22.916 banorë, Komuna e Bërvenicës me 16.590 banorë dhe Komuna e Jegunovcës me 10.440 banorë)
  • Velesi – 144, aktiv 30 (me  54.384 banorë)
  • Gostivar – 50, aktiv 29 (111.252 banorë)
  • Prilep – 218, aktiv 27 (me 75.132 banorë)
  • Struga – 98, aktive 25 (me 65.801 banorë)
  • Ohër- 31, aktiv 14 (51.591 banorë)
  • Manastir – 30, aktiv 3 (me 91.983 banorë)
  • Kërçova – 3, aktiv 1 (me 56.937 banorë)
  • Dibra  – 52, aktiv 1 (me 20.863 banorë)

Përndryshe vazhdon ndalesa për lëvizjen e qytetarëve ne cila përfundon të hënën (08.06.2020) në ora 05:00.

Kurti: Dialogu me kushtet e armikut është dorëzim

Albin KurtiIsh-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se Qeveria Hoti, nuk është qeveri, e cila do të qeverisë pasi sipas tij, me të, do të qeverisë presidenti Hashim Thaçi.

Kurti thotë se protestat kundër qeverisë janë të pashmangshme dhe se ato, siç thotë ai, do të vijnë shpejt. Kurse sa i takon mundësisë se një marrëveshjeje me Serbinë, e negociuar nga presidenti dhe kryeministri, Kurti thekson se nuk do të ketë marrëveshje, sepse thotë ai, ‘Thaçi e Hoti, nuk kanë kapacitet për t’u përballur me Serbinë’.

blob:https://www.evropaelire.org/1a06d366-f435-4773-ae3f-2ad6a8937077

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, keni thënë se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, është e paligjshme. Pse mendoni kështu?

Albin Kurti: Qeveria Hoti është qeveri e paligjshme, meqenëse është paraprirë nga një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, që është në kundërshtim me vetë vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese. Është në kundërshtim me Kushtetutën dhe në këtë mënyrë, kjo gjykatë, në vend se të jetë gjykata më e lartë në republikë, është gjykata kulmore e kapjes së shtetit.

Prandaj, nga ky aspekt, qeveria aktuale është qeveri e paligjshme. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm për ne.

Ndërkaq, në anën tjetër, kjo është sërish e paligjshme për shkak se u kantrabandua në kuvend nga presidenti. Pra, nuk është vullnet politik nga poshtë, as nga brenda kuvendit, por nga presidenti që ndodhet jashtë.

Radio Evropa e Lirë: Si do ta sfidoni këtë qeveri? Do t’i drejtoheni prapë Gjykatës Kushtetuese?

Albin Kurti: Tash, Qeveria Hoti është qeveri koti. Kjo nuk është qeveri, e cila do të qeverisë. Kjo është qeveri, me të cilën do të qeveriset, qartazi [nga] presidenti, klani ‘pronto’. Këtyre të korruptuarve, që u goditën nga katër muaj të qeverisjes së mirë, iu levërdis një qeveri koti. Andaj, ne do ta bëjmë betejën tonë edhe brenda kuvendit, edhe jashtë. Grupi ynë parlamentar do t’i marrë vendimet se kur, për çka, cilës gjykatë do t’i adresohet. Por, natyrisht që bëhet fjalë për një qeveri të dobët, jetëshkurtër, por ne do të kujdesemi që të mos e ketë dëmin e madh.

Radio Evropa e Lirë: A i besoni më Gjykatës Kushtetuese?

Albin Kurti: Pas këtij aktgjykimi, gjykata ka zhvlerësuar veten. Pra, ata nëntë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese praktikisht kanë treguar që nuk janë aty për të interpretuar Kushtetutën, por për të justifikuar dekretet presidenciale.

Radio Evropa e Lirë: A do t’i drejtoheni prapë Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje?

Albin Kurti: Këtë e vendos grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Radio Evropa e Lirë: Ju kërkoni zgjedhje, a keni afat se kur duhet të mbahen ato dhe nëse nuk janë në pajtim me pritshmërinë tuaj, çfarë do të bëni?

Albin Kurti: Ne duhet të mbajmë zgjedhje edhe në Kosovë në përgjithësi, por gjithashtu edhe në Llap, në Besianë, në veriun e Mitrovicës, për komunën veriore të Mitrovicës. Duhet të mbajmë zgjedhje, pra në përgjithësi, në mbarë Kosovën, për shkak se ekziston një hendek i madh në legjitimitet, i cili nuk mund të urëzohet me asgjë tjetër, përveçse me zgjedhje të reja. Dy të tretat, së paku dy të tretat janë në opozitë. Ndërkohë që kreu i qeverisë së paligjshme ka diç më shumë se një të shtatën e votave të kryeparlamentares [Vjosa Osmani].

Pra, si mund t’i prijë një qeverie dikush, i cili ndodhet në një parti, e cila ka garuar me një kandidat tjetër që ka gati shtatëfishin e votave në zgjedhjet e 6 tetorit, 2019? Pra, kjo është një krizë e jashtëzakonshme legjitimiteti, ku institucionet, në vend se të jenë përfaqësuese, janë tjetërsuese.

Radio Evropa e Lirë: Si do ta sfidoni këtë qeveri? Me gaz lotsjellës, protesta?

Albin Kurti: Protestat janë të pashmangshme, protestat do të jenë paqësore dhe ne jemi partia më e madhe në Kosovë. Jemi partia e parë në Kosovë, jemi subjekti politik kryesor e më i fuqishëm në Republikën e Kosovës. Andaj, mendoj se me një qeveri të këtillë të dobët, një opozitë kaq e fuqishme që përbëhet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe ndokush tjetër, duke e theksuar këtu në veçanti kryeparlamentaren Osmani, padyshim se i ka të gjitha mjetet e duhura për rezultatin e nevojshëm – e këto janë zgjedhjet e reja dhe shkurtimi i jetës së qeverisë së paligjshme.

Radio Evropa e Lirë: Protestat, si do t’i organizoni?

Albin Kurti: Po, ne i kemi forumet dhe organet tona, si: kryesia e Lëvizjes, grupi parlamentar, këshilli i përgjithshëm, qendrat e Vetëvendosjes, dhe bashkë me to, në kohën e duhur, për çështjet e duhura, i marrim vendimet, të cilat janë të drejta e të nevojshme. Unë besoj që shumë shpejt do të vijmë deri te protestat. Ne nuk kemi dashur të bejmë protestë kur ishte në pyetje pushteti ose qeveria, por për çështjet për të cilat ekzistojmë si subjekt politik. Ato janë të pashmangshme.

Radio Evropa e Lirë: Në rast se qeveria dhe presidenti pajtohen për një marrëveshje me Serbinë, shumëkush thotë se i kanë edhe dy të tretat e votave në kuvend për aprovimin e një marrëveshjeje të tillë. A do të mund ta ndalni ju një marrëveshje nëse mendoni se është e dëmshme?

Albin Kurti: Kjo qeveri e paligjshme dhe ky president i frustruar nuk guxojnë të bëjnë marrëveshje me Serbinë. Këta e dinë se çfarëdo marrëveshjeje që do ta bëjnë, eventualisht nuk do të vlejë as sa çmimi i letrës, në të cilën është shkruar dhe çmimi i ngjyrës me të cilën kanë nënshkruar. Pra, këta nuk guxojnë të bëjnë marrëveshje me Serbinë. Ky pushtet nuk e ka kapacitetin për t’u përballur me Serbinë dhe nuk e ka legjitimitetin për të dialoguar me të.

Radio Evropa e Lirë: E, nëse do të ketë një marrëveshje?

Albin Kurti: Totalisht e pavlefshme, por nuk guxojnë ta bëjnë, sepse ka tre vjet që thuhet se do të ketë marrëveshje. Nuk ka marrëveshje, sepse s’kanë kapacitet për t’u përballur me Serbinë dhe nuk kanë legjitimitet për të dialoguar me të.

Radio Evropa Lirë: Ka pasur kritika të ashpra ndaj jush se në 100-ditëshin e qeverisjes suaj, keni rrezikuar miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës…

Albin Kurti: Nuk ka subjekt politik dhe nuk ka kryeministër si Vetëvendosja dhe unë që jemi sulmuar kur kemi qenë në qeverisje, me ç’rast nuk i patëm as 100 orët tona, për të mos thënë as 100 minutat tonë, se lëre më 100 ditët, që është një gjë normale.

Tash, paralelisht, nuk ka kryeministër në Kosovën e pasluftës, i cili nuk është marrë fare me sulmet e opozitës, sikurse që kam bërë unë. Pra, [me] sulmet e opozitës, nuk ka kryeministër që është marrë më pak sesa unë dhe, në këtë aspekt, besoj që kemi treguar një kulturë të re të qeverisjes demokratike dhe këtë e ka vlerësuar populli.

Prandaj, nuk është e çuditshme se pse për disa muaj pas zgjedhjeve të fundit, e për pak muaj në qeverisje, ne më shumë se jemi dyfishuar sa i përket përkrahjes popullore. E mbani në mend që thoshin se “po tërhiqen trupat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, nuk ndodhi.

Të gjitha ato akuza, ato sulme, kanë qenë të njerëzve të frikësuar, të shantazhuar, të cilëve po u perëndonte dielli i korrupsionit dhe po fillonte një epokë e re e progresit dhe në panik e sipër, ju e dini që këta fillojnë e piskasin “Amelika, Amelika!”. Do të thotë, çdo herë kur kanë një siklet shumë vetjak, atëherë provojnë që të gjejnë strehë te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fakt, duke mos çarë kokën se në këtë mënyrë po orvaten ta dëmtojnë imazhin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, si strehë për të korruptuarit, gjë që nuk është e vërtetë.

Radio Evropa e Lirë: A ka pasur ndonjë rast, ndonjë luhatje të prishjes së këtyre raporteve në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Si i konsideroni ju?

Albin Kurti: Asnjëherë, përveçse qëndrimit tim parimor, ku unë kam mbrojtur dhe përfaqësuar shtetin e Kosovës dhe popullin e saj, në raport me ambasadorin [Richard] Grenell, i cili, si emisar i presidentit [amerikan Donald] Trump [për dialogun Kosovë-Serbi] dëshironte që ne, jo vetëm të heqim taksën, por të heqim edhe reciprocitetin. Nuk ka pasur kurrfarë problemi tjetër dhe unë nuk kam pasur asgjë personale aty, unë kam mbrojtur qëndrimin tim, qëndrimin për të cilin më kanë votuar qytetarët. Unë nuk jam në mesin e atyre që kam thënë se e heq tarifën 100 për qind dhe nuk vë reciprocitet; unë kam thënë e zëvendësoj tarifën me reciprocitet dhe ashtu kam bërë. Pra, nëse ka pasur mospajtim, ka pasur vetëm me këtë emisar.

Radio Evropa e Lirë: Shumë analistë, por edhe rivalë politikë, ndoshta edhe votues, mund të ndjehen ose thonë se janë të tradhtuar, se mund të jeni dorëzuar ndaj sfidave derisa keni qeverisur. Si mendoni ju?

Albin Kurti: Cilën sfidë për shembull?

Radio Evropa e Lirë: Për shembull… çështjen e vazhdimit të dialogut?

Albin Kurti: Unë jam gjithmonë i gatshëm për dialog, por jo për dialog ku tupanin e ka Serbia. Unë dua barazi. Duhet të diskutojmë se çka do të diskutojmë. Unë nuk jam as për armiqësi, as për servilitet. Jam për partneritet dhe aleancë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me NATO-n dhe sidomos Gjermaninë. Mirëpo, unë nuk mund të nënshtrohem dhe dorëzohem çka të thotë ambasadori Grenell, sepse ia paska thënë [presidenti serb Aleksandar] Vuçiq një gjë të tillë kur ka qenë në Beograd, e ta pranoj unë këtu. Dorëzim do të ishte pikërisht ai. Dialogu me kushtet e armikut është dorëzim. Unë këtë s’e bëj kurrë.

Radio Evropa e Lirë: A do të bashkëpunoni tash me Partinë Demokratike të Kosovës njësoj si keni bashkëpunuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës?

Albin Kurti: Kosova është shtet i kapur dhe kapja e shtetit nuk është abstrakte, është konkrete. Këtë kapje e ka bërë PDK-ja, jo secili anëtar, por udhëheqja e saj. Dhe, ne filluam që ta çkapim shtetin nga këta shpërdorues dhe, në këtë rast, mund të them se për 4 muaj nuk kemi bërë pak. Prandaj, përderisa ekziston shteti i kapur i Kosovës, ne nuk do të mund të bashkëpunojmë me këtë parti, e cila shtiret se është në opozitë, se në fakt është në pushtet edhe kur s’duket se është.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se është shfrytëzuar pandemia e koronavirusit për mosmbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare?

Albin Kurti: Këta nuk janë të interesuar për zgjedhje, sepse zgjedhjet i përjetojnë si gozhdë në arkivolin e tyre. Këta e dinë se populli i ka varrosur. Por, këta nuk e duan edhe atë gozhdën në arkivol, që quhet zgjedhje demokratike. Këta njerëz janë problem, e zgjedhjet janë zgjidhja. Edhe në raport me Serbinë, ne e kemi dëshmuar se është e mundshme ndryshe dhe se duhet ndryshe. Konkretisht, për neve reciprociteti nuk është vegël e hakmarrjes, por është vlerë e barazisë. Reciprociteti është barazi, barazia quhet reciprocitet.

Dhe, emancipimi që e kemi krijuar ne për kaq pak kohë, dashamirësia e popullit për neve e për veten për kaq pak kohë, është një gjë e pakthyeshme. Andaj, ndonëse nuk e kanë gozhdën në arkivol nuk do të mund të ngjallen më.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, ju tash nuk keni një post as në qeveri, as në kuvend. A do t’ju mungojë jeta aktive në politikë?

Albin Kurti: Unë kudo që jam, jam aktiv. Nganjëherë më duhet që këtë aktivizmin tim ta ndaj në dy-tri pozita, por tash do të jem edhe më shumë aktiv sepse e kam veç një pozitë.

Radio Evropa e Lirë: Çka ju mungon nga pozita e kryeministrit?

Albin Kurti: I mungon popullit, jo mua. Sa herë që nuk ka fituar Lëvizja Vetëvendosje, ka humbur populli, ka humbur shteti. Qeverisë i mungon qeverisja jonë e mirë, e jo neve. Ne nuk kemi shkuar në atë ndërtesë si banesë apo shtëpi të re, por përkundrazi si shërbyes të rinj, me përgjegjësi të pashembullt.

 

S’jemi t’barabart as me skjaun!

Çun LajçiE hoqën reprocitetin
Ju mos e nemni Dardaninë
Kan ndrrua kohnat duhet ndrrua fara
E druej se trolli s’e duron tjetrën
E për shartime tepër vonë
Mos e nemni Dardaninë bimën po
Kopilua qenka n’sytë e shterun
Prejeni sa s’asht rritë në nyjen e dytë
Se pastaj dy herë bahet kopile
E s’hahet prej idhtësimit
Koha s’ka ndryshua po Nik Dardani
Ai e paska ndrrua rasadin
S’qenka i barabart as me vetën
As me skjaun!

Çun Lajçi  / Dardani,06.06.2020

Serbia kërcënon Marin Memën për dokumentarin mbi përvetësimin e historisë

Marin MemaEmisioni hulumtues “Gjurmë Shqiptare” i Marin Memës ka realizuar 6 ditë më parë një dokumentar i titulluar “Mashtrimi serb me objektet e kultit të krishterë në Kosovë”, ku tregohej sesi serbët kishin përvetësuar kishat iliro-arbërore. Mirëpo ky dokumentar, ku pasqyrohen qartë disa fakte historike ka ngritur në këmbë gjithë shtetin serb.

Reagime të shumta, kanë ardhur nga Serbia, si nga politikanë, historianë, gazetarë dhe opinionistë të ndryshëm.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe shef i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, duke akuzuar gazetarin Mema, ku thotë se Serbia asnjëherë nuk do të heq dorë nga shenjëtoret e saj.

Në deklaratë thuhet:

Kuptohet që Serbia kurrë dhe me asnjë kusht nuk do të heqë dorë nga shenjtorët e saj në Kosovë dhe Metohi, dhe ne besojmë se edhe populli shqiptar, i cili është krenar për historinë dhe traditën e tyre të pasur, nuk ka nevojë të shohë për historinë dhe traditën e njerëzve të tjerë.

Ndër të tjera thuhet se disa shqiptarë janë duke e sulmuar historinë dhe besimin e popullit serb, duke e quajtur propagandë të radhës të shqiptarëve kundër serbëve. Ministria serbe e Kulturës ka deklaruar se shqiptarët nuk po ndalen së provokuari shtetin serb, duke shtuar se deformimin e historisë serbe nuk do mund ta arrijnë asnjëherë.

Një reagim të tillë, ka ardhur edhe nga opinionistë të ndryshëm, të mbajtur në debate të ndryshme ku shihet edhe kërcënimi ndaj gazetarit Mema.

Ata kanë akuzuar se qëllimi i dokumentarit është denigrimi i kulturës dhe historisë serbe. Ndërkohë lidhur me këtë çështje nuk ka asnjë reagim nga shteti shqiptar.

Kult

Qeveria e Kosovës hoqi reciprocitetin ndaj Serbisë

HotiQeveria e Kosovës vendosi të shtunën shfuqizimin e vendimeve të ish qeverisë së Albin Kurtit për masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, duke hapur kësisoj rrugën për rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë të pezulluara që nga nëntori i vitit 2018.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e cilësoi votimin e sotëm si një veprim të bashkërenduar me partnerët ndërkombëtarë ndërsa bëri thirrje që pala serbe të veprojë njëlloj duke hequr pengesat e saj.

“Kemi një dakordim me miqtë tanë ndërkombëtar që presioni i tyre të jetë edhe karshi Serbisë që ata të heqin pengesat për dialog dhe pasi që të hiqen ato pengesa për dialog ne do të ulemi në tavolinën e bisedimeve. Këto vendime vijnë si rezultat i bashkërendimit të punës tonë me partnerët tanë ndërkombëtar. Zotimet që kemi marr ne si qeveri janë që ne t’i heqim këto pengesa t’i japim mundësi zhvillimit të dialogut dhe përmes saj të zgjidhim të gjitha çështjet që kemi me Serbinë”, tha kryeministri Hoti, duke theksuar se “ne ruajmë të gjitha të drejtat tona, si shtet sovran, që të vendosim të gjitha masat e nevojshme, për të ruajtur sovranitetin tonë, në koordinim me partnerët tanë”.

Në nëntor të vitit 2018 qeveria e ish kryeministrit Ramush Haradinaj vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërvënieje ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Procesi i bisedimeve u pezullua meqë Beogradi kushtëzoi kthimin në tryezën e bisedimeve me heqjen e tarifave. Qeveria e Kosovës i rezistoi trysnisë ndërkombëtare për heqjen e tyre.

Më 31 mars të këtij viti ish kryeministri Albin Kurti vendosi heqjen e tarifave dhe zëvendësimin e tyre me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, një vendim që u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara që kërkonin heqjen tërësishme të pengesave për rifillimin e bisedimeve.

HashimPresidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e mirëpriti vendimin e qeverisë së për heqjen e të gjitha pengesave, që siç tha ai, “Serbia deri më sot i ka përdorur si pretekst për bllokimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Tani presioni ndërkombëtar duhet të drejtohet nga Serbia me qëllim që pa humbur kohë të rifillojë dialogu, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve”, shkroi ai.

LajcakVendimi i mirëprit nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. “Heqja e shpejtë e pengesave për rifillimin e bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian, dëshmon përkushtim të qartë të Kosovës për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve pa vonesë”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Ish kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se qeveria e re është “edhe e paligjshme në Kosovë, edhe në shërbim të Serbisë”. Në një postim në llogarinë e tij në facebook ai shkroi se “edhe të shtunën punojnë e mbajnë mbledhje vetëm dhe vetëm që ta heqin reciprocitetin ndaj Serbisë. Kosova ka pa numër probleme sociale dhe ekonomike, por ato nuk mund të kenë prioritet krahasuar me kërkesat e Serbisë. Kjo pra është qeveria e paligjshme e Kosovës”.

KurtiAlbin Kurti: 

Edhe e paligjshme në Kosovë, edhe në shërbim të Serbisë

Edhe të shtunën punojnë e mbajnë mbledhje vetëm dhe vetëm që ta heqin reciprocitetin ndaj Serbisë. Kosova ka panumër probleme sociale dhe ekonomike, por ato nuk mund të kenë prioritet krahasuar me kërkesat e Serbisë. Kjo pra është qeveria e paligjshme e Kosovës.

Pardje njoftuan mediet se 20 kamionë që kanë hyrë nga Serbia e respektuan masën tonë të reciprocitetit

Në dokumentet e tyre e kanë shkruar: Republika e Kosovës. Pra, ata po e zbatonin reciprocitetin. Por, pas vendimit të sotëm, nuk do të kenë më nevojë.

Hoti ka deklaruar që i ka hequr pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Në këtë mënyrë, ai ia ka mveshur Kosovës fajin për mungesën e deritanishme të dialogut. Një këso shërbimi të mirë Serbisë nuk ka mundur as vetë Beogradi ta mendojë. Përveçqë dialogu do të jetë asimetrik sepse me reciprocitet të braktisur nga ana e Kosovës, aty pala kosovare hyn si fajtore për vonesën në rifillimin e dialogut.

Historikisht shqiptarët i kanë pasur dy rryma politike varësisht nga qëndrimet e tyre karshi Serbisë. As sot nuk është ndryshe, por, si rrallë herë më parë situata është qartësuar.”

Zoti Kurti i cili më 31 maj forcoi masat e reciprocitetit, përmendi faktin se nga ajo ditë mallrat nga Serbia hynë me dokumente në të cilat Kosovës i referohen me emrin e saj kushtetues. “Por, pas vendimit të sotëm, nuk do të kenë më nevojë. Hoti ka deklaruar që i ka hequr pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Në këtë mënyrë, ai ia ka mveshur Kosovës fajin për mungesën e deritanishme të dialogut. Një këso shërbimi të mirë Serbisë nuk ka mundur as vetë Beogradi ta mendojë. Përveç që dialogu do të jetë asimetrik sepse me reciprocitet të braktisur nga ana e Kosovës, aty pala kosovare hyn si fajtore për vonesën në rifillimin e dialogut. Historikisht shqiptarët i kanë pasur dy rryma politike varësisht nga qëndrimet e tyre karshi Serbisë. As sot nuk është ndryshe, por, si rrallë herë më parë situata është qartësuar”, shkroi ai.

VjosaKryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, në një postim në llogarinë e saj në facebook shkroi se “ta quash reciprocitetin ‘pengesë’ do të thotë që barazinë e konsideron pengesë. Do të thotë që nuk e don vendin tënd të trajtuar të barabartë me të tjerët. Ta quash reciprocitetin pengesë do të thotë që ti nuk beson se ke të drejta sovrane, të pavarura e të barabarta, siç janë të parapara në Deklaratën e Pavarësisë e në Kushtetutën e vendit. Të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar i barabartë do të thotë të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës”, shkroi ajo.

voa