Shqipëri, arrihet marrëveshja për reformën zgjedhore

Ambasadorja amerikane, Yuri KimNë Shqipëri, palët politike arritën mbrëmjen e së premtes marrëveshjen për reformën zgjedhore. Zgjidhja erdhi pasi u kapërcye ngërçi që lidhej me një prej rekomandimeve bazë të OSBE/ODIHR-it, lidhur me depolitizimin e administratës zgjedhore. Edhe për zgjedhjet e ardhshme politike dhe vendore, do të mbetet e njëjta strukturë me përfaqësuesë të partive politike.

Shumica vendosi të tërhiqej nga këmbëngulja e saj për të nisur zbatimin e depolitizimit, pasi opozita, pa me dyshim formulat e propozuara për këtë qëllim, sipas të cilave në komisionet zgjedhore do të angazhoheshin nëpunës të administratës publike. “Partia Demokratike nuk ishte gati. Ne nuk donim që PD të kundërshtonte me çdo kusht këtë ligj zgjedhor dhe pse jo të shërbente si sebep që nesër të mos njihnin zgjedhjet. apo madje të mos hynte në zgjedhje. Sakrifikuam dhe rekomandime të rëndësishme të ODIHR-it, vetëm që PD të hyjë në garë politike. Kjo është gjëja më e rëndësishme që u arrit”, deklaroi përfaqësuesi socialist në Këshillin Politik Damian Gjiknuri.

Por sipas përfaqësuesve të opozitës, Oerd Bylykbashi i PD-së dhe Petrit Vasili i LSI-së, “opozita propozi sot në orën 10 zgjidhjen për depolitizimin e administratës e cila u refuzua. Shumica u përpoq të kapte komisionet zgjedhore. Nuk i kapi dot dhe u tërhoq”. Ata bënë të ditur se palët kanë rënë dakort për zbatimin e identifikimit biometrik 100 përqind, si dhe për riformatimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Në fakt për identifikimin biometrik, palët sipas tekstit të marrëveshjes “zotohen të mbështesin zbatimin për 100 përqind të votuesve në zgjedhjet e ardhshme, nëse është teknikisht i arritshëm”. Vlerësimi do të bëhet nga KQZ-ja, me mbështetjen e një ekspertize ndërkombëtare, ndërsa Qeveria, garanton fondet në kohë për zbatimin, aq sa është teknikisht i mundshëm”.

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, e cila së bashku me ambasadorin e Bashkimit Europian, Luigi Soreca, nxitën fuqimisht arritjen e një kompromisi mes palëve, tha pas mbledhjes së Këshillit Politik, ku ishte e pranishme se “secila parti e secili person dha kontributin e tij, por edhe ka hequr dorë nga diçka. Dhe e bënë këtë gjë që të jetë Shqipëria ajo që përfiton. Ky është një moment krenarie”, theksoi ajo duke shtuar se “disa do ta kritikojnë këtë marrëveshje, si jo të mjaftueshme, por po ta shikojmë në një kuadër më të gjerë, ky është një hap i madh përpara, dhe shpresoj të jetë dicka nga e cila secili mund të përfitojë”.

Ndërsa në një deklaratë të shpërndarë më pas ambasada amerikane vë në dukje se “marrëveshja po ashtu ndërmerr hapa për të depolitizuar administrimin zgjedhor në Shqipëri, duke siguruar më shumë transparencë dhe pavarësi më të madhe të personelit të zgjedhjeve. Disa masa depolitizimi do të hyjnë në fuqi menjëherë, ndërsa disa masa shtesë do të hyjnë në fuqi menjëherë më pas. Kjo marrëveshje duhet t’iu japë shqiptarëve më shumë besim në mbikqyrjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet përfshirjes së gjyqtarëve që kanë kaluar vetingun”, nënvizon deklarata.

Nga ana e tij ambasadori Soreca u shpreh gjithashtu se BE-ja e mirëpriste marrëveshje e cila “ka ardhur si rezultat i një procesi gjithë përfshirës që ka filluar në janar. Të mërkurën ne patëm një marrëveshje të mirë, pas një diskutimi të gjatë, por ju e dini që ka qenë opozita e bashkuar që ka kërkuar që të shikonte dhe shqyrtonte më tej detaje të tjera që lidhen me depolitizimin e administrimit zgjedhor. Kjo është në linjë me rekomandimet e OSBE-ODIHR, dhe ne e mbështesim. Bazuar në këtë shumica e pranoi ndryshimin dhe kemi marrëveshjen”, – shpjegoi ambasadori Soreca. Ai theksoi më tej se “prej kësaj mbrëmjeje, Shqipëria është më pranë Bashkimit Europian, sepse një nga kushtet për çeljen e negociatave, do të përmbushet së shpejti. Kjo vjen edhe në një moment shumë të mirë, pasi javën që vjen. Komisioni Europian, do të propozojë edhe kuadrin e negociatave që do të jetë baza për integrimin në BE. Kështu që le të ecim përpara”, tha zoti Soreca.

Marrëveshja u përshëndet dhe nga Prania e OSBE-së në Tiranë. “Është për t’u lavdëruar fakti që të gjitha partitë politike u bënë pjesë e këtij procesi dhe që propozimet e tyre konstruktive si edhe aftësia e tyre për të bërë kompromis e për të pranuar pikëpamje të ndryshme kontribuan në një hap të rëndësishëm përpara për demokracinë në Shqipëri, në dobi të qytetarëve shqiptarë”, nënvizohet në një deklaratë të shpërndarë në mbrëmje. “Ne shpresojmë që të gjitha ndryshimet e dakordësuara të miratohen në Kuvend sa më shpejt që të jetë e mundur”, – shprehet OSBE-ja.

Reagimet e drejtuesve politikë

Presidenti Ilir Meta përshëndeti konsensusin e arritur mes palëve, por sipas tij marrëveshja e arritur nuk mud të konsiderohet e plotë. “Lajm pozitiv, por jo i mjaftueshëm për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh zoti Meta. Megjithatë sipas Kreut të Shtetit “kultura e konsensusit duhet të vazhdojë edhe për kushtet e tjera për të përshpejtuar çeljen e negociatave”.

Tonet e drejtuesve të opozitës ishin të matura. “Sot kemi hedhur një hap përpara, për të mundësuar më shumë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. PD dhe Opozita e Bashkuar është e gatshme dhe po punon përditë për t’jua kthyer qeverisjen shqiptarëve”, shkroi në Twitter kryetari demokrat Lulzim Basha.

Ndërsa për Monika Kryemadhin, drejtuese e LSI-së “rezultati i sotëm në Këshillin Politik, i arritur dhe me kontributin e partnerëve ndërkombëtar është pozitiv dhe duhet implementuar pa humbur kohë, me integritet, ashtu siç e kërkon dhe kushti i radhës i BE, ashtu siç e meritojnë qytetarët shqiptarë. Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme s’ka demokraci dhe pa demokraci s’ka ekonomi e mirëqenie për shqiptarët”, theksoi zonja Kryemadhi në një postim në Facebook.

Kryeministri Edi Rama më shumë se sa përmbajtjen e marrëveshjes, komentoi me tone ironike qëndrimin e opozitës. “Pas 3 vjetësh marshim e 3 netësh ngujim na sollën fjalën e fundit: “Mirë e kishim ashtu siç e kishim” Po mirë, unë kam menduar e mendoj që ka edhe më mirë, po meqë Lulzim Basha e PD janë të kënaqur me kaq për zgjedhjet e ardhshme, bujrum, si ta duan ata.

Rëndësi ka që: Lulzim Basha e PD do hyjë në zgjedhje me Kodin Zgjedhor siç e deshën vetë. ODHIR është dakord që kjo nuk e cënon lirinë e zgjedhjeve. BE është e kënaqur. Shqipëria s’ka më pikëpyetje në prag të vendimit për datën e nisjes zyrtare të negociatave. Ah po, mbaroi edhe revolucioni”, shkroi kryeministri në Twitter.

Reagime të tjera ndërkombëtare

Në një deklaratë të përbashkët, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Josep Borrell dhe Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi uruan palët politike për arritjen e marrëveshjes. “Kjo është një arritje e rëndësishme nga e cila do të përfitojnë qytetarët e Shqipërisë. Pasi të miratohen nga Parlamenti, dispozitat e reja të Kodit Zgjedhor, do t’i japin Shqipërisë një proces zgjedhor me integritet dhe standarde transparence më të larta, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, përfshirë edhe depolitizimin gradual të administratës zgjedhore”, nënvizon deklarata, sipas së cilës “ato trajtojnë një kusht kryesor për të filluar negociatat e pranimit në BE, siç thuhet në përfundimet e Këshillit të Marsit 2020, duke e çuar kështu Shqipërinë një hap më pranë të ardhmes së saj në BE. Kjo na bën të shpresojmë për përparimin e ardhshëm në reformat e kërkuara për rrugën e Shqipërisë në BE”, përfundon deklarata.

Nga ana e tij, drejtori i ODIHR-it, Ingibjörg Sólrún Gísladótti përdori terma më të matur ndërsa foli për “një marrëveshje mbi elementë të rëndësishëm të reformës zgjedhore në Shqipëri”, duke saktësuar se “marrëveshja tani duhet të kthehet në ligj, të miratohet dhe zbatohet. ODIHR është e gatshme të vazhdojë të mbështesë procesin e reformës”.

voa

Tiranë: Konsensus i partive politike për reformën zgjedhore

ParlamentiBashkimi Europian e vlerëson arritjen e konsensusit për reformën zgjedhore, si një hap më pranë të ardhmes europiane për Shqipërinë.

Më në fund u arrit. Dy vjet pas ndërprerjesh dhe rifillimesh të tryezave politike për reformën zgjedhore, pas ecejakesh të faktorit ndërkombëtar dhe 3 netësh rradhazi ngujimi në ambasadën amerikane në Tiranë, partitë politike nënshkruan mbrëmë (5.05.2020) marrëveshjen e shumëpritur, që synon garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri, si një kusht kryesor i BE për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE, Josep Borrell dhe Komisioneri për Zgjerimin e BE, Oliver Varhelyi, në një deklaratë të përbashkët përshëndetën arritjen e konsesnsusit si një “adresim të një kushti kryesor për të filluar negociatat e pranimit në BE, gjë që e çon Shqipërinë një hap më pranë të ardhmes së saj në BE”. Në Mars të këtij viti, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, BE hapi dritën e gjelbër për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit, ndonëse nuk caktoi ndonjë datë. “Ky është një sinjal i mirë për progresin e ardhshëm në reformat e nevojshme në rrugën e Shqipërisë drejt BE” theksohet në deklaratën e përbashkët Borrel & Varhelyi.

SHBA: Marrëveshja mes palëve “një moment historik”

“Liderët e Shqipërisë lanë mënjanë momarrëveshjet mes tyre dhe punuan për të arritur një rezultat të prekshëm për popullin shqiptar” theksohet në një deklaratë të ambasadës amerikanëe në Tiranë. Vullneti i popullit shqiptar në proceset zgjedhore post-komuniste është deformuar nga parregullsi, blerja e votës, manipulimi i rezultatit. Në raportet përfundimtare të misioneve ndërkombëtare të OSBE/ODIHR-it, që ka vëzhguar dhe monitoruar këto procese, zgjedhjet nuk janë vlerësuar “të lira dhe të ndershme” por ” më të mira se ato të mëparshmet”.

Sakrifikimi i depolitizimit për të arritur marrëveshjen

Administrata zgjedhore thellësisht e politizuar ka qënë një nga shkaqet kryesore të parregullsive kronike të proceseve zgjedhore në Shqipëri. Marrëveshja e tanishme mes palëve nuk i depolitizon komisionet zgjedhore. Palët ranë dakort që formula e përbërjes së tyre në  zgjedhjet parlamentare 2021 të mos ndryshojë dhe të vijojë me përfaqësues të partive politike në garë.

Depolitizimi i administratës zgjedhore është një nga rekomandimet kryesore të OSBE/ODIHR-it, që kjo reformë merr përsipër të plotësojë. Depolitizimi i komisioneve zgjedhore ka qënë pika ku PD nuk ka qënë dakord, deri në momentin e fundit, me arsyetimin që angazhimi i nëpunësve të administratës publike si komisionerë, si propozoi maxhoranca socialiste, nuk përbënte depolitizim, pasi sipas saj kjo administratë është e politizuar. “Sakrifikuam rekomandimin e rëndësishme të ODIHR-it, vetëm që PD të hyjë në garë politike. Kjo është gjëja më e rëndësishme që u arrit,” u shpreh Damian Gjiknuri, përfaqësuesi i maxhorancës socialiste në Këshillin Politik, për Reformën Zgjedhore.

Por për PD dhe opozitën jashtë parlamentit, propozimi i maxhorancës socialiste synonte”kapjen e komisioneve zgjedhore,”prandaj ajo e refuzoi. Oerd Bylykbashi, përfaqësues i PD në këtë Këshill, u shpreh pas arritjes së konsensusit se “maxhoranca socialiste nuk i kapi dot dhe u tërhoq.” Sipas marrëveshjes, depolitizimi i komisioneve zgjedhore do të bëhet për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Për zgjedhjet parlamentare 2021 do të riformatohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, (KQZ).

Ku fokusohet marrëveshja?

Ajo fokusohet në identifikimin biometrik të votuesve. Palët marrin përsipër të mbështesin zbatimin e tij, për 100 përqind të votuesve në zgjedhjet e ardhshme, të mbështetura nga ekspertë ndërkombëtarë, në kushtet kur kjo është e mundur nga pikëpamja teknike. Ndonëse përbërja e komisioneve zgjedhore do të mbetet me përfaqësues të partive politike në garë, marrëveshja, krahas riformatimit të KQZ përmban elemente depolitizimi në administrimin e zgjedhjeve dhe teknika që sigurojnë më shumë transparencë dhe pavarësi të administratës zgjedhore, në plotësim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Sipas marrëveshjes mes palëve, Kolegji Zgjedhor do të përbëhet nga gjykatës që kanë kaluar procesin e vetingut. Ankimimet do të shqyrtohen nga ky kolegj dhe jo nga Gjykata Kushtetuese, si propozoi PD. Depolitizimi i administratës zgjedhore do të bëhet për zgjedhjet e ardhshme, parlamentare e lokale të vitit 2025.

Marrëveshja nuk përfshin ndryshimin e sistemit zgjedhor proporcional rajonal nga me lista të mbyllura në atë me lista të hapura pasi për trajtimin e kësaj ꞔështjeje nuk pati konsensus.. Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari, që këmbëngul për ndryshimin e sistemit si instrument për qarkullimin e elitave politike, deklaroi se “ka marrë garanci nga SHBA dhe BE që bisedimet për ndryshimin e sistemit zgjedhor do të vijojnë.”

A garanton marrëveshja zgjedhje të lira dhe të ndershme?

Për presidentin Meta marrëveshja e sapo arritur “nuk është e mjaftueshme” për të garantuar zgjedhjet. Kurse kryetari i PD dhe i opozitës jashtë parlamentare, Lulzim Basha, e cilësoi marrëveshjen ” një hap përpara për të mundësuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Kryeministri Edi Rama, në reagimin e tij pas arritjes së marrëveshjes shprehu keqardhje që komisionet zgjedhore mbetën po njëlloj, me përfaqësues politikë. “Rëndësi ka që Lulzim Basha e PD do hyjë në zgjedhje me Kodin Zgjedhor siç e deshën vetë. ODHIR është dakord që kjo nuk e cënon lirinë e zgjedhjeve. BE është e kënaqur. Shqipëria s’ka më pikëpyetje në prag të vendimit për datën e nisjes zyrtare të negociatave” u shpreh Rama në Twitter.

dw

Komisioni i Venecias: “Paketa shqiptare e anti-shpifjes cënon lirinë e shprehjes”.

Komisioni i VeneciasKomisioni Europian për Demokraci përmes Ligjit vlerësoi në Draft – Opinionin e vet paketën ligjore të Shqipërisë, e ashtuquajtura paketa anti-shpifje.

Komisioni Europian, i njohur si Komisioni i Venecias, shqyrtoi ndryshimet ligjore, që iu bënë dhjetorin e kaluar ligjit për shërbimet mediatike audio-vizuale.

Në përfundimet e Draft-Opinionit, Komisioni thekson se projekt-amendamentet e ligjit nuk janë gati për t’u zbatuar në formën e tyre aktuale.

“Ligji vuan nga paqartësitë dhe rrezikon të shtypë në mënyrë të ngurtë diskutimin e lirë dhe shprehjen politike përmes internetit në Shqipëri” – theksoi Komisioni i Venecias.

Ai tha se një prej të metave kryesore është synimi i hartuesve për të zgjeruar komptencat e AMA-s dhe Këshillit të Ankesave për të ushtruar kontroll editorial ndaj përmbajtjes së botimeve në mediat online.

“Kjo nuk është e përcaktuar qartë në ligj dhe ekziston rreziku që blogerët individualë, përdoruesit e platformave sociale do të goditen nga ky ligj, ndaj është thelbësore që projekt-ligji të përjashtojë nga fusha e veprimit çdo prodhim joprofesional në mediat online – thuhet në Draft – Opinion.

Si një tjetër mangësi kryesore renditet edhe kërkesa e ligjit për të zbuluar burimet e mediave shqiptare online.

“Kjo mund të shkojë në kundërshtim me standartin ndërkombëtar, sipas të cilit, duhet respektuar gjithmonë dëshira e përdoruesve të internetit për të mos zbuluar identitetin e tyre” – thekson Draft-Opinioni i Komisionit të Venecias.

Në të thuhet se AMA-s dhe Këshillit të Ankesave u janë dhënë fuqi të mëdha administrative ndaj mediave online, gjë që është problematike në lidhje me lirinë e shprehjes së mediave online, duke nisur që nga kufizimet, pasi ka dyshime mbi pavarësinë e këtyre institucioneve.

“Këto fuqi të reja nuk duhet t’u besohen institucioneve të tilla pa u siguruar më parë nëse janë të pavarura nga partitë politike, bizneset e mëdha të mediave, ose interesat e korporatave të lidhura me politikën” – thotë Komisioni i Venecias.

Ai thekson në Draft-Opinion se AMA dhe Këshilli i Ankesave mund të ndërhyjnë në ushtrimin e lirisë së shprehjes, ndërsa pavarësia e saj është në dyshim, ndaj procedura e ankesave nuk ofron masa mbrojtëse të mjaftueshme, pasi vendimet mund të merren në mënyrë shumë të shpejtë për gjoba të rënda për t’u zbatuar menjëherë dhe për heqjen e menjëhershme të shkrimeve nga interneti.

“Kapaciteti ekonomik i këtyre mediave nuk është një faktor që merret parasysh në përmasat e gjobës, e cila mund të sjellë paralizimin e mediave të vogla (edhe të blogerëve individualë) me gjoba joproporcionale në raport me fuqitë e tyre” – thuhet në Draft-Opinion.

Sipas Komisionit të Venecias, kjo do të zmadhojë rreptësinë e këtyre masave dhe do të nxitë auto-censurën, duke dëmtuar debatin politik, që është thelbësor për demokracinë.

Për këto arsye, Komisioni i Venecias rekomandoi të rishqyrtohet miratimi i projekt-ndryshimeve në ligj përkatës, të votuara nga parlamenti shqiptar në dhjetor 2019.

“Problemet e ngritura nga autoritetet mund të jenë serioze, por mjetet ligjore të përfshira në këto projekt-ndryshime mund t’i bëjnë më shumë dëme se sa të mira lirisë së shprehjes në Shqipëri, për të cilat mediat online janë të shqetësuara” – theksohet në Draft-Opinion.

Komisioni i Venecias nxiti autoritetet shqiptare të mbështesin ngritjen e një njësie vetë-rregulluese, me funksionim të efektshëm, ku të përfshihen gjithë aktorët përkatës në fushën e medias, të aftë për të siguruar një sistem të respektueshëm për media të përgjegjshme në fushën e gazetarisë online.

“Do të ishte e dobishme të rishikohet metoda e zgjedhjes së anëtarëve të AMA-s dhe Këshillit të Ankesave, për t’u siguruar që këto institucione kanë një përbërje pluraliste, me individë të kualifikuar, përfaqësues të bashkësisë së medias, dhe që gëzojnë një autonomi të besueshme prej qeverisë dhe kontrollit të korporatave” – thuhet në Draft-Opinion.

Madje, sipas tij, është e nevojshme po ashtu të sigurohet efektiviteti i mjeteve ligjore ekzistuese që godasin shpifjen dhe fjalimet e urrejtjes në publikimet online.

Presidenca reagoi e para për këtë qëndrim të Komisionit të Venecias. Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, deklaroi se Draft – Opinioni i Komisionit të Venecias për paketën antishpifje konfirmoi qëndrimin e drejtë të Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

“Paketa antishpifje është antikushtetuese, ndaj pa liri të shprehjes nuk ka demokraci dhe për rrjedhojë as çelje të negociatave” – tha zoti Blushi.

Sipas tij, presidenti Meta vërtetoi përmes dekreteve, se paketa antishpifje bie ndesh me parimet themelore kushtetuese, me dispozitat kushtetuese, që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit, nuk janë në harmoni me standartet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut as me jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Qeveria socialiste tha se propozoi të ashtuquajturën paketën anti – shpifje për të frenuar shpifjet dhe fyerjet në mediat online, dhe e miratoi atë më 18 dhjetor në parlament, megjithë protestat e vazhdueshme nga bashkësia e gazetarëve shqiptarë.

Deputetët socialistë u tërhoqën nga paketa ligjore, duke thënë se do të pritnin Opinionin e Komisionit të Venecias.

voa

Johann Wolfgang Goethe: Gjëja më e rëndësishme që mund të bëjë një burrë për fëmijët e tij, është të dojë nënën e tyre

Johann Wolfgang Goethe“Gjëja më e rëndësishme që mund të bëjë një burrë për fëmijët e tij, është të dojë nënën e tyre.”

“Fati na i plotëson pjesën më të madhe të dëshirave tona, por në mënyrën e tij, me qëllim që të na japë diçka përtej asaj që ne kemi projektuar në dëshirimet tona.”

“Njerëzit e angazhuar në politikë janë gjithnjë dinamikë, kërkojnë pareshtur mundësi të reja, hidhen nga njëra anë në tjetrën, siç përpëlitet i sëmuri në krevat, duke menduar se ashtu do të gjejnë rehatinë e munguar.”

“Do të parapëlqeja të mbetesha në gjykimin e një fëmije, sepse për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra, fëmijët janë një gur prove, ata nuk kanë ende nevojë për të vjetrit që të gënjejnë vetveten.”

“Del se një grumbull librash nuk janë shkruar që dikush të mësojë diç nga to, më shumë janë shkruar që njeriu të hetojë se shkruesi i tyre dinte aq shumë.”

“Bukuria, ajo që gjithnjë ka aftësinë të na magjeps, është manifestim i ligjeve sekrete natyrore, të cilat nëse nuk i qëmtojmë me ngulmin e një eksploratori, do të na fshiheshin ne përgjithmonë për të mbetur mister.”

“Mos iu nënshtro shumë ndjenjave. Një zemër tepër e ndjeshme është një pasuri e palumtur në këtë tokë gjithnjë kërcënuese.”

“Urrejtja është diçka e veçantë. Atë do ta gjeni më të fuqishmen, më të dhunshmen dhe të kahur deri në caqet e mizorisë atje ku shkalla e kulturës është më e ulëta.”

“Kush dëshiron të shpëtojë nga një e keqe, e di mirë se çfarë kërkon, kush kërkon diçka më të mirë nga ajo që e ka, priret të veprojë përherë verbërisht.”

Kult

Bugajski: Rusia shfrytëzon protestat, sulmon demokracinë amerikane

BugajskiJanusz Bugajski, studiues në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane në Uashington, thotë se Rusia përpiqet të shfrytëzojë protestat në qytetet e Shteteve të Bashkuara për të sulmuar demokracinë amerikane dhe rolin e Amerikës në botë. Në një bisedë me kolegun e Zërit të Amerikës Ilir Ikonomi, zoti Bugajski shpjegon se kjo është një taktikë e vjetër e Moskës por që po përdoret në kushte të reja.

Zëri i Amerikës: Zoti Bugajski, kemi parë kohët e fundit se si mediat e kontrolluara nga Kremlini, portalet e tyre, e të tjera janë përqendruar në diskreditimin e institucioneve demokratike amerikane, për shembull duke e portretizuar policinë amerikane si brutale dhe raciste. Sa të suksesshme janë taktika të tilla?

Janusz Bugajski: Ato shfrytëzojnë një pjesë të dialogut ekstremist në Amerikë. Dua të them, Amerika është një shoqëri shumë e ndarë politikisht siç e dimë, dhe në shumë aspekte edhe nga pikëpamja sociale. Nuk janë rusët që e shpikën këtë, por ata përpiqen ta shfrytëzojnë në favor të tyre. Qeveria ruse, siç e thatë ju, përdor agjentë të ndikimit, influencues në internet dhe njerëz të tjerë për të përhapur idenë sikur Amerika është një shoqëri në kolaps, një shoqëri e padrejtë, një shoqëri e ndarë nga pikëpamja racore dhe në konflikt të përjetshëm. Nëse shihni disa nga filmat në televizionin rus për atë që po ndodh në Amerikë, aty Amerika paraqitet si një vend ku askush nuk do të dëshironte të shkonte. Ata e bëjnë të duket sikur në Amerikë asnjë rrugë nuk është e sigurt, asnjë qytet nuk është i sigurt.

Zëri i Amerikës: Si ndikon ky lloj portretizimi nga ana e Moskës tek imazhi i Amerikës në botë, nëse ka ndonjë ndikim?

Janusz Bugajski: Tradicionalisht, në kohën sovjetike, propaganda nga ana e Moskës synonte jo vetëm Amerikën, por edhe vendet e tjera të botës. Me fjalë të tjera, të përpiqemi të diskreditojmë modelin amerikan të demokracisë, të përpiqemi ta paraqesim ndikimin amerikan si imperializëm dhe të denigrojmë sistemin ekonomik të Perëndimit. Ndonjëherë ata kanë patur sukses, ju e dini se njerëzit janë shumë naivë ndonjëherë. Ne e pamë këtë në kohërat sovjetike dhe mendoj se ndoshta po e shohim këtë tani, në pjesë të ndryshme të botës.

Zëri i Amerikës: Çfarë mund të thuhet për Ballkanin Perëndimor, ku Moska përpiqet të përhapë ndikimin e saj? A e ndihmojnë në fakt propagandën ruse aktet e dhunës apo plaçkitjet në qytetet amerikane, për t’u thënë këtyre vendeve: shikoni, demokracia e Amerikës është thjesht një fasadë; se Amerika është në prag të luftës civile, etj?

Janusz Bugajski: Po. Kjo është diçka që ata përhapin jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në të gjithë Evropën, në një përqindje të caktuar të popullsisë që nuk e njeh Amerikën. Dhe mund të besohet nga disa. Ajo shfrytëzon disa pozicione nacionaliste, për shembull të disa prej nacionalistëve serbë në veçanti, kundër Amerikës, por nuk mund të imagjinoj që ndonjë prej komuniteteve shqiptare në Ballkan do të ndikohej nga një propagandë e tillë simpliste për Amerikën. Shqiptarët e dinë se çfarë është Amerika, ata e dinë që ka probleme. Ata kanë atje familje dhe miq që i vizitojnë herë pas here. Pra, mendoj se shumica e njerëzve në rajon, dhe kjo mund të thueht edhe për boshnjakët dhe kroatët, nuk do të mashtrohen nga kjo.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, nëse ju do të ishit një diplomat amerikan në një nga këto vende, si do t’ua shpjegonit këtyre audiencave atë që ndodhi në qytetet amerikane ditët e fundit? Sepse duket se ka konfuzion.

Janusz Bugajski: Mënyra se si e përshkruaj unë është se Amerika është një demokraci dhe se nga një numër i caktuar policësh është bërë padrejtësi. Kjo ka ndodhur shumë herë më parë dhe fatkeqësisht nuk është trajtuar. Amerikanët kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre duke dalë në rrugë për të demonstruar, por askush nuk ka të drejtë të shkatërrojë pronën ose të plaçkisë dhe çdo demokraci duhet të mbrohet nga dhuna. Së dyti, do të thoja se ky lloj presioni publik shumë herë në historinë amerikane ka çuar në ndryshime. Për shembull, lëvizja e të drejtave civile në vitet 1960 çoi në ndryshime politike, ndryshime në legjislacionin për të drejtat e njeriut. Pra, duhet të perceptohet si një gjë shumë e shëndetshme që demokracia amerikane shpesh rigjenerohet nga opinioni publik.

Zëri i Amerikës: Në vendet si Shqipëria, ose Kosova që përballen me sfida të mëdha, si reformat zgjedhore në Shqipëri apo negociatat me Serbinë në Kosovë, mund të ekzistojë shqetësimi se Amerika është tepër e zënë me këto probleme të saj të brendshme sesa t’ju ndihmojë ju. A është kjo diçka që Rusia e përdor në avantazhin e saj?

Janusz Bugajski: Po. Padyshim, kjo është diçka që rusët do ta propagandonin dhe në fakt po e bëjnë këtë. Pra, se Amerika është aq e preokupuar me krizën e saj të brendshme saqë nuk ka kohë të merret me problemet tuaja. Kjo, në fakt, nga ana tjetër u ofron mundësi vendeve të tilla si Rusia, apo të tjerëve që kanë pretendime ndaj territoreve fqinje, të nxisin kriza pa patur shumë frikë nga një ndërhyrje amerikane. Pra kjo e ndihmon këtë lloj mesazhi, nxit destabilizimin e situatës, sepse inkurajon radikalët, inkurajon konfliktin. Është diçka nga e cila Rusia mund të përfitojë.

Covid 19: 125 raste të reja, 2 të vdekur dhe 8 persona të shëruar

NdalesaMinistria e Shëndetësisë informon se gjatë 24 orëve të fundit sipas informatave të deritashme janë realizuar 1085 testime dhe janë regjistruar 125 raste të reja të covid-19 edhe atë në – Shkup 46 – Kumanovë 19 – Shtip 17 – Tetovë 16  – Strugë 7 – Gostivar 6  – Ohër 5 – Veles 3 – Negotinë 2  – Koçani 1 – Prilep 1 – Dellçevë 1  dhe Manastir 1.

Gjatë 24 orëve u regjistruan 2 viktima, në Spitalin “8 Shtator” ndërroi jetë një pacient 73-vjeçar nga Prilepi hospitalizuar në spital më 19 maj dhe një paciente 67-vjeçare nga Strumica e hospitalizuar në Klinikën e Neurologjisë më 18 maj, me çka numri i personave që kanë ndërruar jetë është 151.

Sot, Instituti i Shëndetit Publik regjistroi 8 pacientë të rikuperuar në – Veles 4 – Prilep 2 – Tetovë 1 dhe Sveti Nikollë 1.

Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara që nga fillimi i epidemisë është 2915, numri i pacientëve të rikuperuar është 1640, numri i të ndjerëve është 151, dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend për momentin është 1124.

Ndërsa sot, në territorin e Tetovës, gjatë 24 orëve të shkuara u regjistruan 16 raste të reja dhe kemi një të shëruar, numri i përgjithshëm me covid-19 është 115.

Ja edhe renditja e qyteteve me  rastet më të larta aktive :

  • Shkup – 1201, aktiv 595 (territori i Shkupit me 617.646 banorë)
  • Tetovë – 273, aktive 115 (territori i Tetovës me 200.678 banorë: Komuna e Tetovës me 91.760 banorë, Komuna e Bogovinës me 30.928 banorë, Komuna e Zhelinës me 28.044 banorë, Komuna e Tearcës me 22.916 banorë, Komuna e Bërvenicës me 16.590 banorë dhe Komuna e Jegunovcës me 10.440 banorë)
  • Prilep – 218, aktiv 29 (me 75.132 banorë)
  • Velesi – 141, aktiv 27 (me  54.384 banorë)
  • Kumanova – 545, aktive 129 (me 109.228 banorë)
  • Shtip – 161, aktiv 123 (me 43.625 banorë)
  • Struga – 98, aktive 26 (me 65.801 banorë)
  • Ohër- 30, aktiv 13 (51.591 banorë)
  • Manastir – 30, aktiv 4 (me 91.983 banorë)
  • Gostivar – 47, aktiv 26 (111.252 banorë)
  • Kërçova – 3, aktiv 1 (me 56.937 banorë)
  • Dibra  – 52, aktiv 1 (me 20.863 banorë)

Përndryshe vazhdon ndalesa për lëvizjen e qytetarëve në Shkup (të gjitha komunat e Shkupit), Kumanovë, Lipkovë, Shtip, Tetovë si dhe Bogovinë, Bërvenicë, Tearcë, Zhelinë dhe Jegunovcë edhe atë prej ditës së Enjte (04.06.2020) prej orës 21:00 deri të hënën (08.06.2020) në ora 05:00.

Ndërsa në të gjitha qytetet e tjera ndalohet lëvizja për ditën e Premte, Shtunë dhe të Dielë fillon prej orës 16:00 dhe zgjat deri ditën e nesërme, në ora 05:00 të mëngjesit.

Covid 19: 180 raste të reja, 2 të vdekur dhe 11 persona të shëruar

NdalesaMinistria e Shëndetësisë informon se gjatë 24 orëve të fundit janë realizuar 1272 testime dhe janë regjistruar 180 raste të reja të covid-19 edhe atë në – Shkup 109 – Kumanovë 26– Shtip 15 – Tetovë 12 – Gostivar 8 – Gjevgjeli 2 – Strugë 1 – Dibër 1 – Ohër 1 – Sveti Nikollë 1 – Veles 1 – Vallandovë 1 – Negotinë 1 dhe Manastir 1.

Gjatë 24 orëve u regjistruan 2 viktima, në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile ndërroi jetë një pacient 52-vjeçar prej Kumanove i pranuar në klinik me 30 maj dhe në Spitalin “8 Shtator” ndërroi jetë një paciente 68-vjeçare nga Shkupi e hospitalizuar në spital më 29 maji, me çka numri i personave që kanë ndërruar jetë është 149. Deri më tani mortalitet më të madh është regjistruar në Strugë, Kumanovë, Prilep, Veles dhe Dibër.

Sot, Instituti i Shëndetit Publik regjistroi 11 pacientë të rikuperuar në – Shkup 6 – Veles 4 dhe Prilep 1.

Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë për momentin është 2790, numri i pacientëve të rikuperuar është 1632, numri i të ndjerëve është 149, dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend për momentin është 1009.

Ndërsa sot, në territorin e Tetovës, gjatë 24 orëve të shkuara u regjistruan 12 raste të reja dhe numri i përgjithshëm me covid-19 është 100.

Ja edhe renditja e qyteteve me  rastet më të larta aktive :

  • Shkup – 1158, aktiv 552 (territori i Shkupit me 617.646 banorë)
  • Tetovë – 257, aktive 100 (territori i Tetovës me 200.678 banorë: Komuna e Tetovës me 91.760 banorë, Komuna e Bogovinës me 30.928 banorë, Komuna e Zhelinës me 28.044 banorë, Komuna e Tearcës me 22.916 banorë, Komuna e Bërvenicës me 16.590 banorë dhe Komuna e Jegunovcës me 10.440 banorë)
  • Prilep – 217, aktiv 31 (me 75.132 banorë)
  • Velesi – 138, aktiv 28 (me  54.384 banorë)
  • Kumanova – 526, aktive 110 (me 109.228 banorë)
  • Shtip – 142, aktiv 104 (me 43.625 banorë)
  • Struga – 91, aktive 19 (me 65.801 banorë)
  • Ohër- 25, aktiv 8 (51.591 banorë)
  • Manastir – 29, aktiv 3 (me 91.983 banorë)
  • Gostivar – 41, aktiv 20 (111.252 banorë)
  • Kërçova – 3, aktiv 1 (me 56.937 banorë)
  • Dibra  – 52, aktiv 1 (me 20.863 banorë)

Përndryshe vazhdon ndalesa për lëvizjen e qytetarëve në Shkup (të gjitha komunat e Shkupit), Kumanovë, Lipkovë, Shtip, Tetovë si dhe Bogovinë, Bërvenicë, Tearcë, Zhelinë dhe Jegunovcë edhe atë prej ditës së Enjte (04.06.2020) prej orës 21:00 deri të hënën (08.06.2020) në ora 05:00.

Ndërsa në të gjitha qytetet e tjera ndalohet lëvizja për ditën e Premte, të Shtunë dhe të Dielë fillon prej orës 16:00 dhe zgjat deri ditën e nesërme, në ora 05:00 të mëngjesit.

“Der Spiegel”: Lufta për pushtet vendosi Avdullah Hotin kryeministër të ri të qeverisë së Kosovës

Kosovo New GovernmentKryeministri i mëparshëm Kurti humbi në një mocion votëbesimi, tani Kosova ka një kryeministër të ri të qeverisë: konservatori Avdullah Hoti u zgjodh me një shumicë të ngushtë në parlament.

Avdullah Hoti kryeministri i ri i qeverisë në Kosovë. Parlamenti zgjodhi politikanin konservator si Kryeministër me një shumicë të ngushtë prej 61 deputetëve nga gjithsejtë 120 deputetë. Ai zëvendëson Albin Kurtin, kryeministrin e majtë reformist, i cili ishte në detyrë prej muajit shkurt. Kundër Hotit votuan 24 deputetë dhe një abstenoi.

Kurti u rrëzua në fund të marsit, me një mocion votëbesimi  dhe prej atëherë, ishte vetëm kryeministër në detyrë. Udhëheqësi i partisë Vetëvendosje ishte kundër zgjedhjes së pasardhësit të tij nga Parlamenti. Hoti është anëtar i ish-partnerit të koalicionit LDK (Lidhja Demokratike e Kosovës). Ai u emërua nga Presidenti Hashim Thaçi, rival i hidhur politik i Kurtit.

Gjykata Kushtetuese, të enjten e kaluar e shpalli si të ligjshme emërimin. Përkundër Kurtit, i cili kërkon zgjedhje të reja. Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare, në tetorin e kaluar, fitoi një mandat më shumë se LDK. Që prej atëherë, sipas sondazheve Partia ka rritje të popullaritetit të saj.

Partnerët e koalicionit u prishën për shkak të diferencave serioze në politikën e jashtme. Kurti ndjek një kurs vetëbesues në marrëdhëniet me Serbinë fqinje, e cila deri në vitin 1999 sundonte mbi vendin, që tani është pothuajse ekskluzivisht e populluar nga shqiptarët. LDK, nga ana tjetër, u përkul para presioneve nga diplomatët amerikanë, që po kërkojnë një zgjidhje të shpejtë në mes të Kosovës dhe Serbisë me një shkëmbim të mundshëm të territoreve.

harta e shkembinit Spiegel OnlinePër këtë politikë në radhë të parë qëndron Presidenti Thaçi. Ish komandanti i UÇK-së, i cili ka dominuar politikën kosovare që nga përfundimi i konfliktit të armatosur me Serbinë në vitin 1999. Kritikët, e akuzojnë për korrupsion dhe paaftësi.

Fitorja e Vetëvendosjes dhe LDK në tetorit të kaluar u dha shpresa shumë qytetarëve për një fillim të ri. Por këtë, prej Hotit, gati se askush nuk e pret. Politikani i LDK-së dëshiron të qeverisë me një numër partish të vogla dhe me Listën Serbe të drejtuar nga Beogradi. Kurti, megjithatë, ka filluar një peticion për zgjedhje të parakohshme dhe mund të bëjë thirrje për protesta në rrugë.

als / dpa

George Bernard Shaw: Ata të cilët nuk ndryshojnë dot mendjen e tyre, nuk mund të ndryshojnë asgjë

George Bernard ShawGeorge Bernard Shaw (26 korrik 1856 – 2 nëntor 1950), ishte një dramaturgët më të mirë të historisë dhe bashkë-themelues i London School of Economics.

Irlandezi që ishte edhe kritik e polemit, ndikoi në teatrin perëndimor, por edhe në kulturë dhe politikë.

Shaw shkroi mbi 60 vepra dhe i njohur për satirën bashkëkohore dhe ai u bë dramaturg kryesor i brezit të tij, ndërsa në vitin 1925 u nderua me Çmimin Nobel në letërsi.

Në vijim, ju njohim me 20 nga thëniet e tij më të mira dhe si gjithnjë, për më të duruarit dhe ata që kanë dëshirë të dinë më shumë rreth kësaj figure madhështore të artit, mund të gjeni një material më të zgjeruar në fund…


  1. “Koha është një mësues i mirë, por i vret të gjithë nxënësit e saj”.
  2. “Një jetë e kaluar me gabime jo vetëm që është më e ndershme, por më e vlefshme se një jetë e kaluar duke mos bërë asgjë”.
  1. “Fuqia e vëzhgimit të saktë është quajtur zakonisht cinizëm, nga ata që nuk e kanë këtë aftësi”.
  1. “Nuk ka sekrete të mbajtura më mirë, sesa sekretet që supozojnë të gjithë”.
  1. “Mos u bëj të tjerëve atë që të tjerët të bëjnë ty, pasi nuk mund të keni të njëjtat shije”.
  1. “Nuk ka dashuri më të sinqertë, se sa dashuria për ushqimin”
  1. “Mënyra ime e të bërit shaka është të tregoj të vërtetën. Është shakaja më qesharake në botë”
  1. “Në burgun e parë që pashë ishte e gdhendur: Mos bëni keq, mësoni të bëni mirë, por ajo ishte e shkruar jashtë, kështu që të burgosurit nuk mund ta shihnin”.
  1. “Ata të cilët nuk ndryshojnë dot mendjen e tyre, nuk mund të ndryshojnë asgjë”
  1. “Nuk luajmë më sepse plakemi. Plakemi sepse nuk luajmë më”.
  1. “Rregulli i artë është se nuk ekzistojnë rregullat e arta”.
  1. “Martirizimi është e vetmja mënyrë si një njeri mund të bëhet i famshëm pa aftësi”.
  1. “Mungesa e parave janë rrënja e gjithë të këqijave”
  1. “Kur një gjë është për të qeshur, kërko me kujdes për një të vërtetë të fshehur.”
  1. “Fuqia e vëzhgimit të saktë është quajtur shpesh cinizëm nga ata që nuk e kanë atë.”
  1. “Shkenca kurrë nuk zgjidh një problem, pa krijuar dhjetë të tjerë.”
  1. “Kujdes nga dituria e devijuar, sepse ajo është më e rrezikshme se padituria”.
  1. “Rinia është e mrekullueshme. Sa krim që shpenzohet më kot tek fëmijët.”
  1. “Jeta nuk ka të bëjë me gjetjen e vetvetes. Jeta ka të bëjë me krijimin e vetvetes”

Fragmente nga Erich From, Sartre, Nietzsche dhe Yalom

jean-paul-sartre“Nëse njerëzit nuk e kuptojnë sjelljen tonë – çka pastaj? Kërkesa e tyre se duhet të bëjmë vetëm atë që e kuptojnë ata është një tentim për të na diktuar ne. Nëse kjo do të thotë të bëhesh “asocial” ose “iracional”, bëhu. Në përgjithësi ata nuk e durojnë lirinë dhe guximin tonë për të qenë vetja.

Ne nuk i detyrohemi askujt për shpjegime ose llogari, për aq kohë sa veprimet tona nuk i lendojnë ose i nëpërkëmbin ata. Sa shumë jetë janë shkatërruar nga kjo nevojë për “shpjegim”, e cila zakonisht e përfshin edhe atë se shpjegimi është “kuptuar” që do të thotë është miratuar.

Lëri veprimet tuaja të gjykohen dhe nga veprimet të gjykohen edhe qëllimet tuaja, por dije se një person i lirë i ka borxh një shpjegim vetëm vetes – arsyes dhe ndërgjegjes së vet – dhe tek disa të cilët mund të kenë një kërkesë të justifikueshme për shpjegim.”
– Erich Fromm


“Pra ky është Ferri. Kurrë nuk do ta besoja. Ju kujtohet se të gjithëve na është treguar për dhomat e torturës, për zjarrin dhe squfurin, për “tokën e ndezur. Tregimet për shtrigat! Nuk ka nevojë për djaj të kuq dhe të zjarrtë. Ferri janë njerëzit e tjerë.”
– Jean Paul Sartre


“Zoti ka vdekur. Zoti mbetet i vdekur. Ne e kemi mbytur atë. Si duhet ta ngushëllojmë veten, ne, vrasësit e të gjithë vrasësve? Çka ishte ajo më e madhja dhe më e shenjta e të gjithave që bota ende e posedon, e cila gjakoset për vdekje nën thikat tona: kush do ta fshij këtë gjakun tonë? Çfarë uji ekziston për të na pastruar neve nga vetja e jonë? Çfarë festivale të shlyerjes, çfarë lojë të shenjta duhet të shpikim ne? A nuk është madhështia e këtij veprimi shume e madhe per ne?”
– Friedrich Nietzsche


‘Djalosh, nevojat e tua janë të pakëta dhe ato lehtë mund të arrihen dhe secila vuajtje e domosdoshme mund lehtësisht të tolerohet. Mos e kompliko jetën tënde me këso qëllime të ulëta si pasuria dhe fama: ato janë armiqt e lumturisë.

Fama, për shembull, ka të bëjë me opinionin e të tjerëve për ty dhe ajo kërkon që ne ta jetojmë jetën ashtu siç të tjerët duan.  Për ta arritur dhe për ta mbajtur famën ne duhet të pëlqejmë atë që të tjerët e pëlqejnë. Prandaj, një jetë me famë ose një jetë me politikë? Ikni nga ato. Ndërsa pasuria? Shmanguni prej saj! Është një kurth, sepse sa më shumë që bëjmë aq më shumë e dëshirojmë dhe po aq i thellë do të jetë edhe pikëllimi atëherë kur dëshira jonë për të nuk do të përbushet.

Djalosh, më dëgjo mua: nëse e dëshironi lumturinë, mos e humbisni jetën tuaj duke luftuar për atë të cilën ju në të vërtetë nuk keni nevojë.”

 Irvin D. Yalom