Rritet numri i infektimeve me COVID-19 ndërsa vazhdojnë protesta

tubim usaNdërsa protestat kundër diskriminimit racor vazhdojnë në shumë qytete amerikane, Presidenti Donald Trump u kthye në gjurmët e fushatës së tij me një ndalesë në Tallsa të Oklahomës. Por dëshira për t’u rikthyer në një farë normaliteti po pengohet nga shtimi i rasteve të COVID-19 në shumë shtete amerikane.

Para një turme prej mijëra mbështetësish në stadiumin Bank of Oklahoma Center në Tulsa, Presidenti Donald Trump pranoi numrin në rritje të rasteve të infektimit me koronavirus në vend.

“Kur bën testime në këtë masë do të gjesh më shumë njerëz, do të kesh më shumë raste”.

Dëshira e presidentit për tju kthyer normalitetit pas disa muajsh kufizimesh u prit me mbështetje entuziaste nga pjesëmarrësit në tubim.

Ndërsa zyrtarët shëndetësorë vazhdojnë të monitorojnë numrin në rritje të infektimeve me COVID-19, tubimet dhe protestat kundër diskriminimit racor dhe brutalitetit të policisë vazhdojnë në të gjithë vendin, me demonstruesit që hoqën statuja, përfshi ato që nderojnë udhëheqësit e konfederatës nga Lufta Civile Amerikane.

Senatori republikan i Karolinës së Jugut, Tim Scott, i cili po punon për hartimin e legjislacionit të reformës policore, thotë se për agjencitë e zbatimit të ligjit, janë të nevojshme më shumë fondenë nivelin federal e jo më pak.

“Nëse dëshironi që oficerët të trajnohen në mënyrë efektive, duhet t’u jepni atyre mjetet e duhura për të arritur atje, dhe kjo kërkon më shumë burime. Ne e dimë që nëse duam më shumë informacion në nivel federal, kjo do të kërkojë më shumë burime”.

Scott tha gjithashtu se fondet federale do të sigurojnë që agjensitë e zbatimit të rendit, të ndjekin ligjin.

“Është e rëndësishme për ne të përdorim burimet që u japim forcave të rendit në një mënyrë që t’i detyrojë ata në drejtimin për të cilin ne mendojmë se është në interesin më të mirë të vendit, të komuniteteve ku ata shërbejnë dhe sinqerisht, të vetë oficerëve”, tha senatori Scott.

Ndërsa ligjvënësit vazhdojnë të punojnë për të reformuar praktikat e zbatimit të ligjit, kjo ndodh në një kohë kur pjesa më e madhe e Uashingtonit është duke përtypur rrëfimet në librin e ish Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, John Bolton, “Dhoma Ku Ndodhi”, që ofron një vështrim të brendshëm në administratën Trump.

Libri është një portretizim jo i këndshëm i udhëheqjes së Presidentit Trump.

“Mungesa e ndjeshmërisë dhe gjykimit për të cilën flet John Bolton-i, mund ta shihni në trajtimin e tij të protestave publike pas vrasjes së George Floyd tre javë më parë, thotë Nigel Sheinwald, ish ambasador i Britanisë në SHBA.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Peter Navarro hodhi poshtë shumë prej akuzave që Bolton bën në librin e tij.

“Ai u pushua nga puna sepse nuk i bindej zinxhirit të komandës, sepse pikëpamjet e tij nuk përputheshin aspak me Presidentin Donald J. Trump në lidhje me mbarëvajtjen në marrëdhëniet ndërkombëtare. Dhe ai në thelb po thyen të gjitha mënyrat e traditës, duke publikuar një libër në këtë fazë. Dhe në këtë mënyrë do të bëjë para”.

Departamenti i Drejtësisë u përpoq të bllokojë botimin e librit të zotit Bolton mes shqetësimesh se ai përmbante informacion të klasifikuar, por një gjykatës federal vendosi të shtunën se botimi mund të vazhdojë.

voa

OBSH njofton rritjen më të madhe ditore në rang botëror

intubimiOrganizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi të dielën një rritje të madhe të shifrës ditore të personave të infektuar me COVID-19 në rang botëror prej 183 mijë vetësh, rritja më e madhe ditore e regjistruar që nga fillimi i pandemisë.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha sot se kërcënimi më i madh aktualisht nuk është virusi në vetëvete, por “mungesa e solidaritetit global dhe udhëheqjes”. “Ne nuk mund ta mposhtim pandeminë me një botë të ndarë” tha ai.

Në më shumë se 12 shtete amerikane po vihet re një rritje e numrave të rasteve të reja. Të dielën doktor Tom Inglesby, drejtor i Qendrës për Sigurinë Shëndetësore në Shkollën e Shëndetit Publik Johns Hopkins tha për rrjetin televiziv “Fox News” se rritja vjen për shkak të kombinimit mes kryerjes së më shumë testimeve si dhe një rritjeje reale të infeksioneve.

Të hënën në SHBA rezultojnë mbi 2 milionë e 280 mijë të infektuar si dhe mbi 119 mijë të vdekur që prej fillimit të pandemisë.

voa

Covid 19: 90 raste të reja, 9 të vdekur dhe 48 persona të shëruar

Diagrami 22Ministria e Shëndetësisë informon se gjatë 24 orëve të fundit janë realizuar 665 teste dhe janë regjistruar 90 raste të reja të covid-19 edhe atë në – Shkup 36 – Ohër 13 – Strugë 10 – Shtip 8 – Resnjë 6 – Tetovë 4  – Kumanovë 2 – Koçani 2  – Manastir 2 – Veles 2 – Sveti Nikollë 2  – Krushevë 1 – Gostivar 1 dhe Probishtip 1 .

Gjatë 24 orëve u regjistruan 9 viktima, 5 nga Shkupi, 2 nga Tetova, 1 nga Ohri dhe 1 nga Gostivari:

– Në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup ndërruan jetë : një pacient 90-vjeçar nga Shkupi, i hospitalizuar prej 15 qershorit. Në Institutin për Sëmundje të Mushkërive dhe TBC në Shkup vdiq një pacient 64-vjeçar nga Shkupi. – Në Spitalin “8 Shtatori ” në Shkup, vdiq një paciente 70-vjeçare, nga Shkupi, e hospitalizuar më 10 qershor, një pacient 61-vjeçar, nga Gostivari, i hospitalizuar më 17 qershor, një pacient 57-vjeçar, nga Shkupi, i hospitalizuar më 17 qershor. Një pacient 64-vjeçar, nga Shkupi, me kërkesë të familjes, u lëshua nga spitali dhe vdiq në makinë gjatë largimit nga spitali, ka qenë i hospitalizuar më 17 qershor në gjendje të rëndë si i dyshuar me Covid-19, pas pranimit i vërtetuar si pozitiv.   – Në Spitalin Klinik të Tetovës ndërroi jetë një pacient 60-vjeçar nga Tetova, i hospitalizuar më 20 qershor dhe një pacient 70-vjeçar nga Tetova, i hospitalizuar më 15 qershor. – Dje, në Spitalin e Ohrit, vdiq një pacient 64-vjeçar, sot u vërtetua pozitiv me Covid-19, me këta raste të vdekjeve, numri i personave që kanë ndërruar jetë u rrit në 247.

Sot, Instituti i Shëndetit Publik regjistroi 48 pacient të shëruar në – Shtip 30 – Shkup 9 – Gostivar 4 – Veles 1 – Tetovë 1 – Strumicë 1 – Koçani 1 dhe Probishtip 1 .

Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara që nga fillimi i epidemisë është 5196, numri i pacientëve të rikuperuar është 1974, numri i të ndjerëve është 247 dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend për momentin është 2957.

Ndërsa në territorin e Tetovës, gjatë 24 orëve të shkuara u regjistruan 4 raste të reja, 2 viktima dhe 1 të shëruar, numri i përgjithshëm i rasteve aktive me Covid-19 është 326.

Ja edhe renditja e qyteteve me  rastet më të larta aktive:

  • Shkup – 2534, aktiv 1721 (territori i Shkupit me 617.646 banorë).
  • Tetovë – 538, aktiv 326 (territori i Tetovës me 200.678 banorë: Komuna e Tetovës me 91.760 banorë, Komuna e Bogovinës me 30.928 banorë, Komuna e Zhelinës me 28.044 banorë, Komuna e Tearcës me 22.916 banorë, Komuna e Bërvenicës me 16.590 banorë dhe Komuna e Jegunovcës me 10.440 banorë) .
  • Kumanovë – 694aktiv 241 (me 109.228 banorë) .
  • Shtip – 275, aktiv 188 (me 43.625 banorë) .
  • Strugë – 180, aktive 100 (me 65.801 banorë) .
  • Ohër- 112, aktiv 92 (51.591 banorë).
  • Resnjë – 65aktiv 64 (me 16.313 banorë)
  • Gostivar – 83, aktiv 50 (111.252 banorë) .
  • Veles – 167, aktiv 33 (me  54.384 banorë)
  • Dibër  – 82, aktiv 30 (me 20.863 banorë)
  • Koçani – 61, aktiv 27 (me 37.758 banorë)
  • Prilep – 231, aktiv 18 (me 75.132 banorë)
  • Probishtip – 13, aktiv 10 (me 15.085 banorë)
  • Manastir – 42aktiv 13 (me 91.983 banorë)
  • Kërçovë – 8, aktiv 5 (me 56.937 banorë)

Sartri: Jeta nuk ka kuptim në momentin që ju humbisni iluzionin e të qenit të përjetshëm

Jean-Paul-SartreZhan Pol Sartri lindi më 21 qershor të vitit 1905. Ai ishte filozof francez dhe autor, një nga figurat kryesore të filozofisë së ekzistencializmit, dhe filozofisë në përgjithësi, përfshi atë marksiste të shekullit XX.

Jean-Paul Sartre u lind dhe u rrit në Paris nga Jean-Baptiste Sartre, një oficer i Marinës Franceze, dhe Anne-Marie Schweitzer. Kur Sartri mbushi 15 muaj, babai i tij vdiq nga një sëmundje.

Mamaja e vet e rriti atë me ndihmën e babait të saj, Charles Schweitzer, një profesor gjimnazi i Gjermanishtes, i cili ia mësoi Sartrit matematikën dhe ia prezantoi atij literaturën klasike në një moshë shumë të re. Si adoleshent në vitet 1920, Sartri u interesua për filozofi pasi lexoi libra nga Henri Bergson.

Ai studio dhe u diplomua në filozofi në Paris në elitën École Normale Supérieure, një institucion i edukimit të lartë që kishte nxjerrë disa mendimtarë dhe intelektualë të rëndësishëm Francezë.

Sartri i ndikua nga shumë aspekte të Filozofisë perëndimore, duke marrë ide nga Kanti, Hegeli, Husserli dhe Heideggeri, ndër të tjerë. Sartri kreu shërbimin ushtarak në Ushtrinë Franceze nga viti 1929 deri më 1931. Më 1939 ai ishte në ushtrinë franceze, ku shërbente si meteorolog.

Ai u kap nga forcat gjermane më 1940 në Padoux, dhe kaloi nëntë muaj si i burgosur lufte. Sartri u lirua në prill 1941. Pasi iu dha statusi i civilit, ai rifilloi punën si mësues në Lycée Pasteur afër Parisit, i vendosur në Hotel Mistral afër Montparnasse tek Paris dhe iu dha një pozicion i ri tek Lycée Condorcet, duke zëvendësuar një mësues hebre të cilit i ishte ndaluar mësimdhënia nga i ashtuquajturi Vichy law apo Statuti mbi Hebrenjtë.

Pasi u kthye në Paris në maj 1941, mori pjesë në themelimin e grupit nëntokësor Socialisme et Liberté me shkrimtarët e tjerë Simone de Beauvoir, Merleau-Ponty, Jean-Toussaint, Dominique Desanti, Jean Kanapa, dhe studentët e École Normale. Sartri gjate jetës së vet mori pjesë edhe në politikë.

Sartri ndikoi edhe në sociologji, kritikë, studime letrare, dhe vazhdon të ndikojë. Ai mbeti i angazhuar deri në fund të jetës së tij (viti 1980). Në verë të vitit 1968 gjatë protestave në Paris Sartri u arrestua për mosbindje civile. Presidenti Charles de Gaulle ndërhyri dhe e liroi.

Në vitin 1964, Jean-Paul Sartre nderohet me Çmimin Nobel në letërsi, “për punën e tij plot ide të mbushur me frymën e lirisë në kërkim të së vërtetës, duke ushtruar ndikim shumë të gjerë në epokën tonë”.

Shumë njerëz u çuditën, kur Sartri e refuzoi çmimin, duke thënë se ai gjithmonë i ka mohuar nderimet zyrtare dhe se “një shkrimtar nuk duhet ta lejojë veten që të shndërrohet në institucion”.

I urryer, i nderuar, dhe duke dërguar njerëzit në një shqetësim të madh ekzistencial që nga viti 1940, vepra e Zhan Pol Sartrit mbetet tepër e rëndësishme.

Me qëllim “sfidimin e çdo ideje dhe çdo personi”, pohimet e Sartrit kërkojnë që ne të pranojmë përgjegjësinë për zgjedhjet tona dhe botën tonë, duke përqafuar të panjohurën e pakonceptueshme. Filozofia e tij shkatërruese për qenien dhe asgjënë vazhdojnë të zhysin njerëzit në krizat e tyre më të thella ekzistenciale.

Satri vdiq më 15 prill 1980 në Paris nga një sëmundje në mushkëri. Ai prehet në Cimetière de Montparnassenë Paris. Shumë njerëz morën pjesë në varrimin e tij, numri i tyre gjatë marshimit dy-orësh vlerësohet të ketë qenë nga 15 000 deri te 50 000.

Disa nga aforizmat më të famshme të Sartrit janë:
– Jeta nuk ka kuptim në momentin që ju humbisni iluzionin e të qënit të përjetshëm.
– Çdo gjë, çdo gjë do të ishte më mirë se agonia e mendjes, kjo dhimbje që të gërryen, por që nuk dhemb kurrë mjaftueshëm.
– Ferri janë njerëzit e tjerë.
– Ne nuk dimë çfarë duam dhe përsëri jemi përgjegjës për atë që jemi.
– Çdo gjë është zbuluar përveç faktit se si jetojmë.
– Çdo gjë që ekziston është lindur pa arsye, përzgjatet në gjendje të dobët dhe vdes rastësisht.
-Ne duhet të zbulojmë pasionin tonë përpara se ta ndjejmë atë.
– Zoti është mungesa. Zoti është vetmia e njeriut.
– Njeriu është një pasion i kotë.
– Njeriu është i dënuar për të qenë i lirë, sepse sapo hidhet në botë, ai është përgjegjës për çdo gjë bën.
– Fjalët janë pistoleta të mbushura.

konica.al

Më 21 qershor 1527 u nda nga jeta Niccolò Machiavelli, politikan, diplomat, filozof, historian dhe poet nga Firenca

Niccolò MachiavelliNikolo Makiaveli ishte një politikan, diplomat, filozof, historian dhe poet nga Firenca. Së bashku me Leonardo da Vinçin mendohet si një shembull tipik i njeriut të rilindjes. Ky përcaktim – sipas shumë njerëzve – veçorizon në mënyrë më të kryer qoftë njeriun ashtu edhe letrarin dhe jo emërtimin makiavelizëm, që ka hyrë për tjetër gjë në gjuhën e tanishme për të treguar një mençuri dhe një mprehtësi të mendimit kurdoherë të hollë e kulmor.

Pas një kohe studimesh të tendosura, në vitin 1498 hyri në jetën politike si sekretar i republikës . Është autori i veprës së famshme Il Principe (“Princi”).

Gjatë viteve të jetës së tij politike (1498 – 1512) pati mundësi të njihte ambasadorë, politikanë, princa dhe të studiojë me themel zhvillimin e ngjarjeve.

Jetëshkrimi

Nikolo lindi në Firence më 3 maj 1469. Ai ishte djali i një juristi. Për rininë dhe formimin e tij dihen shumë pak gjëra. Por është e qartë se ishte familjarizuar me poetët kryesorë, filozofët dhe historianët grekë dhe latinë. Zotërimi i shkencave politike dhe njohja e thellë e intrigave të kohës së vet, të dukshme në veprën e tij, të shtyjnë të hamendësosh se Makiaveli u përzie që shumë i ri në jetën politike të qytetit. Më 1498 u bë sekretar i Këshillit të të Dhjetëve, organizëm i ngarkuar me politikën e jashtme dhe ushtarake të Senjorisë. Në vitet që pasuan, shumë ambasada e çuan në qendrat e mëdha të pushtetit, si në Itali ashtu edhe jashtë. Më 1512, kur ra Republika, Makiaveli humbi detyrat e tij për arsye të pjesëmarrjes së hamendësuar në një përbetim kundër Mediçëve të ardhur në pushtet. I arrestuar dhe i torturuar, u shtrëngua të tërhiqej në pronën e tij në San Kashiano, jo larg Firences. Po atë vit shkroi veprën e tij më të njohur Il Principe (Princi, që u botua vetëm më 1532), dhe punoi për veprën Fjalë për dekaden e parë të Tit Livit, botuar më 1531. Makiaveli, gjatë këtyre gjashtë viteve, shkroi pjesën më të madhe të shkrimeve të tjera, midis të cilave poema didaktike mbi modelin antik dhe një komedi, Mandragora, botuar më 1524. Më 1518, ai u bashkua me rrethin politiko-letrar të “Orti Oriçelari” në Firence dhe lexoi aty pjesë të zgjedhura nga vepra e vet. Me ndërmjetësinë e lidhjeve të reja, u fut në punë pranë Mediçëve, nderet e të cilëve kishte kohë që i kërkonte me ngulm. Duke filluar nga viti 1519, zotërit e Firences i besuan detyra të shumta, pa ndonjë rëndësi të veçantë, dhe sidomos pa ndonjë lidhje me politikën. Për llogari të kardinalit Xhulio de Mediçis, ai krijoi të famshmen Histori të Firences, botuar më 1523. Makiavelit iu kthye më në fund qytetaria e tij prej borgjezi të Firences, që e lejoi të zgjidhej në të gjitha detyrat e Senjorisë. Më 1526, atëherë kur trupat e Karlit V kërcënonin qytetin, u emërua, me urdhër të papa Klementit VII (një Mediçi), kancelar i shërbimit mbrojtës.

Pas marrjes dhe plaçkitjes së Romës nga Karli V më 1527, Mediçët u detyruan të linin pushtetin në Firencë dhe Makiaveli i humbi përsëri të gjitha funksionet e tij. Vdiq më 22 korrik të po atij viti, në moshën pesëdhjetetetëvjeçare dhe u varros në kishën e Santa Kroçes, kisha më e madhe françeskane e Italisë, një panteon i vërtetë i lavdive fiorentinase.

Lëvizja europiane e humanizmit filloi nga zbulimi i shkrimeve të Antikitetit në Itali, në fillimet e skekullit XV; ai njohu kulmin e tij me veprën e Erazmit të Roterdamit, që bëri një përkthim të ri kritik të Biblës, sipas teksteve origjinale në hebraisht dke në greqisht. Filologjia moderne kishte lindur, me diskutimin kritik dhe me verifikimin e burimeve për shkrimet e përcjella nga tradita, ndërsa përsosuria e shtypshkronjës nga Gutenbergu siguroi një shpërndarje të gjerë të këtyre punimeve. Shpirti kritik dhe i vetëdijshëm i humanizmit u kap pas teksteve të shenjtëruara nga dogma dhe tradita, duke çuar në një komentar “laik”, përballje e vërtetë midis individit dhe Shkrimeve të Shenjta, që eci me shpejtësi në një hap me Reformën. Reforma e Martin Luterit, e Ulrish Zvinglit dhe e Kalvinit, që filloi në Europën e Veriut rreth njëzet vjet pas ekzekutimit të Savonarolës, kishte elemente të përbashkëta me protestën fetare të dominikanit fiorentinas: një kundërshti ndaj ideve tepër laike dhe vetëkënaqësisë krenare të njerëzve të Rilindjes dhe nënshtrim ndaj besimtarisë absolute, ndaj “nderit” të vendimeve hyjnore. Reformatorët patën megjithatë më shumë sukses, sepse ishin më pak radikalë dhe fanatikë se kryemurgu i San Markos të Firences dhe sepse një numër i madh intelektualësh dhe princash u rreshtuan në krah të tyre. Thënja “Qëllimi i përligj mjetet” i atribuohet Injacio de Lojolës (1491-1556), themelues i urdhrit të jezuitëve, qëllim i fundit i të cilit ishte t’u shërbente gjithmonë interesave të Papës. Fetarët duhet t’i binden atij perinde ac cadaver (“si një kufomë”) dhe të përpiqen me të gjitha forcat të përcjellin vullnetin e tij me bëma, në përputhje me shpirtin makiavelik. Jezuitët u bënë arma kryesore e Papatit për të organizuar Kundërreformën dhe modeli i aparateve burokratike mbi të cilat u themeluan shtetet absolutiste duke filluar nga skekulli XIV.

Nikola Makiaveli (Nicolas Machiavel), ka qenë mendimtari i parë që hartoi teorinë e racionalizmit praktik, duke i kthyer kështu shpinën mendimit mesjetar, për të cilin qëllimi i çdo veprimi tokësor ishte dhënë që më përpara: vullneti hyjnor, frymëzimi platonik i shpirtit në unitet me Zotin e nderit, ose energjia vepruese dhe e dobishme aristoteliane (kërkimi i formave të zhvillimit superior, si për gjërat, ashtu edhe për qeniet e gjalla). Atëherë kur mendimi mesjetar i linte pak vend lirisë së vendimit të individit, që madje nuk kishte të drejtë të vendoste kundër urdhrit të Krijimit, pra kundër shpëtimit të tij, njeriu i Rilindjes është thellësisht i pushtuar nga ndjenja e jetës: ai mund dhe duhet të vendosë vetë, si individ, për atë që është e mirë dhe e drejtë për të.

Në gjysmën e parë të shekullit XV, një fiorentinas i ri me kulturë nuk e vriste shumë mendjen nëse i ishte ruajtur ndonjë vend i vogël nën diell; ai e përmblidhte energjikisht veten (zbatimi i virtu) dhe nuk linte t’i shpëtonin nga duart të gjitha rastet që i paraqiteshin (si pasojë e fortuna).Një varg i tërë përvojash të reja e kishin nxitur në Firence shfaqjen e kësaj vetëdije krenare për veten. Familjet e mëdha fiorentinase, me në krye Mediçët, kishin grumbulluar pasuri të jashtëzakonshme, falë industrisë dhe tregtisë së pëlhurave dhe kishin tërhequr rreth tyre artistë dhe intelektualë që shërbenin për vlerësimin e pasurisë dhe lavdisë së tyre, si në qytet ashtu edhe jashtë tij. Falë punimeve të Filipo Bruneleskit, që kishte ndërtuar kupolën gjigante të katedrales, fiorentinasit e shihnin veten në gjendje të realizonin të njëjtat suksese teknike si të parët; konsili i mbledhur në qytet më 1439, që duhej të çonte në pajtimin (në dukje) të kishave të Lindjes dhe të Perëndimit, ndihmoi gjithashtu në mënyrë vendimtare për të përhapur diturinë e Greqisë antike.

Kozmo de Mediçi, burri më i fuqishëm i Republikës fiorentinase, themeloi më 1459 Akademinë e qytetit të tij. E prirë për të ripërtërirë filozofinë antike në një perspektivë platonike, ajo lindi në fakt një fe filozofike të afërt me neoplatonizmin e Plotinit, të pajtueshme me doktrinën e krishterë dhe krejt të kënaqshme në rrafshin intelektual. Zbulimi i natyrës zinte shumë vend te neoplatonizmi, synimet e të cilit ishin krejtësisht praktike. Të nxitur nga teoria e Nikolas Krebsit mbi ngjashmëritë midis “mikrokozmosit” dhe “makrokozmosit”, filozofët e Rilindjes kërkonin gjithashtu ta bënin të dobishme “simpatinë” e tokësores dhe të qiellores nëpërmjet praktikash magjiko-alkimike, duke synuar të arrinin shndërrimin e materies – për shembull për të prodhuar ar. Spekulime të tilla përmbanin rrezikun e besimit te fati astrologjik, kundër të cilit u ngrit Xhovani Piko dela Mirandola (1463-1494), përfaqësuesi më i rëndësishëm i Akademisë fiorentinase dhe zëdhënësi i saj; ai u nis nga ideja se çdo njeri duhet të arrijë të përcaktojë lirisht fatin e vet. Vetëdija e re e njeriut të Rilindjes nuk kishte një themel botërisht të shëndoshë; sidomos në shtresat e thjeshta të popullsisë, një numër individësh kishin një ndjenjë të thellë se ishin vetëm, të brishtë dhe blasfemues. Një murg dominikan që shihte vegime, Xhirolamo Savonarola, arriti të përfitonte nga gjendja kritike në të cilën ndodhej Firenca – e kërcënuar nga jashtë nga spanjollët dhe e privuar nga Mediçët, që ishin dëbuar nga francezët – për të vendosur përkohësisht një Republikë të krishterë fondamentaliste, një shtet të vërtetë teokratik e të ashpër. Në këtë kohë janë karakteristike trazirat shpirtërore dhe Sandro Botiçeli, që i kishte marrë nga mitologjia pagane subjektet e tablove të tij të frymëzuara nga Akademia fiorentinase, i dogji vetë veprat që zotëronte ende, në “turrën e famshme të kotësive”, të organizuar nga Savonaroia. Më 1498 ai vendosi rregull në sjelljet e papëlqyeshme të këtij fanatiku duke e arrestuar, gjykuar dhe ekzekutuar; kolektivizmi i tij përfshirës kërcënonte individualizmin e kulturës që po rilindte, po aq sa sundimi i princave!

Ndërsa vetëdija e re e vetvetes, karakteristikë e njeriut të Rilindjes, po shtrihej deri në kozmologji dhe rreziku i rënies në rrëmujat socialpolitike dhe në përmbysjen e gjendjes ishte i pranishëm, burri i shtetit, Makiaveli, që ishte dëbuar nga Mediçët, përfitoi nga kjo gjendje. Të gjithë këta faktorë përcaktuan planin e dytë të filozofisë politike të autorit të veprës Princi, vepër çuditërisht “moderne”, shkruar më 1513. Modeli i princit ishte Cezar Borxhia, djali jo i ligjshëm i papa Aleksandrit VI; forca e tij e veprimit (pasojë e virtu-s së tij), aftësia për të përfituar nga rastet e përshtatshme (pasojë e fortuna-s së tij) dhe shmangia e zgjuar e të pashmangshmes, i kishin dhënë mundësinë të fitonte sovranitetin mbi provincën italiane të Romanjës dhe të mbahej aty fuqishëm.

Makiavelit nuk i interesonte aspak që një sundimtar absolut si Borxhia kishte qenë një uzurpator; përligjja e një drejtuesi përmes nderit të Zotit nuk i interesonte shumë, sepse nuk njihte asnjë lidhje midis teologjisë dhe politikës. Makiaveli, sekretar i Senjorisë republikane, do të kishte parapëlqyer drejtimin e zgjuar të një administratori të mirë të Republikës sesa sundimin arrogant të një princi të vetëshpallur, por kjo nuk përbënte për të ndonjë ndryshim në ushtrimin e pushtetit. Shteti, qoftë republikë apo principatë autokratike, ka vetëm një qëllim: ruajtjen e tij dhe mbajtjen e pushtetit me ta vendosur atë. Dhe ky qëllim është i natyrshëm, sepse njerëzit janë të këqij nga natyra, duke dashur secili më shumë sesa ajo që merr. Pra, nuk duhen lejuar të gjithë individët, të aftë për të vendosur lirisht, të ndjekin qëllimet e tyre egoiste njëri kundër tjetrit. T’i pengosh për këtë nëpërmjet përforcimit të shtrëngesës shtetërore, ky është një qëllim që përligj edhe dhunën, gënjeshtrën dhe tradhtinë. Politika nuk ka të bëjë fare me moralin. Liria e sapofituar nga njerëzit e Rilindjes u përvetësua vetëm në dobi të atij që mori pushtetin. Megjithatë kjo liri është e kuptueshme: virtytet themelore të trashëguara nga Platoni dhe të lidhura nga Ciceroni tek etika stoike – zgjuarsi, guxim dhe përmbajtje – u zhveshën nga Makiaveli prej çdo përmbajtjeje metafizike apo etike. Ato janë tani vetëm mjete për të fituar pushtetin dhe për ta mbajtur atë.

Në mendimin politik, idetë e Makiavelit çuan në përcaktimin nga francezi Zhan Bodën (1530-1596), të nocionit të sovranit si mishërim i vullnetit të shtetit, përherë në bazë të teorisë moderne dhe në konceptin e “arsyes së shtetit”, që daton nga Shekulli i Dritave. Makiaveli, mendimtari i parë i Kohëve Moderne, në historinë e filozofisë zgjeroi një fushë të shkencave praktike, politikën, duke e shkëputur nga lidhjet e saj me teologjinë dhe metafizikën. Natyralistët do të ndiqnin rrugën e tij. Veprat kryesore: Shqyrtime për dekaden e parë të Tit Livit (1502); II Principe (1532); Sundimtari, përkth. shqip (1977).

Thënie

“Ku është njeriu, aty dyshohet më tepër”.

“Të qeverisësh do të thotë të bësh të besojnë”. (“Princi”)

“Qëllimi arësyeton mjetin”

Kureshti nga jeta e filozofit

Në misione të ndryshme diplomatike dhe në shërbime publike të vendlindjes së tij Firencës Nikolla Makiaveli e filloi karrierën e vet letrare duke kompozuar kancone, këngë kamevalesh dhe sonete. Në vitin 1513 shkroi veprën e tij më të rëndësishme juridike-politike Sundimtari. Duke i vështruar realisht ngjarjet politike të kohës së tij, Makiaveli u nis nga premisa se nuk ka dobi nga përshkrimi i ndonjë tipi ideal të sundimtarit për të cilin rrëfejnë religjionet, flasin filozofët utopistë dhe reformatorët shoqërorë. Tiparin e vet ai përpiqet ta karakterizojë në mënyrë që të mund të qëndrojë në periudhën kur fjala e nderit e një diplomati dhe e një politikani nuk vlen kurrgjë, kur bashkimet shkelen në mënyrë të paskrupullt dhe vetëm njerëzit dorëfortë dhe dinakë ngelin në këtë lojë të vazhdueshme plot mashtrimesh dhe vrasjesh. Prandaj. Sundimtari i tij është vetëm një apoteozë iluzore e tiranit të vrazhdë dhe kodeks i rregullave për krime. Duke pasur një synim të vazhdueshëm për çlirimin dhe bashkimin nacional të Italisë, ai u nis nga njëmendësia faktike (verita effetuale) për të gjetur rragëdaljet dhe mundësitë reale për realizimin e koncepcioneve të veta politike. Në luftërat e ashpra që sundonin në Itali, Makaveli mendonte se vërtet mund t’u kundërvihet vetëm me forcë, kështu që, pavarësisht nga mjetet, të arrihet çlirimi i vendit.

Nikolla Makiaveli pohon se tiraninë i krijon ose populli ose aristokrati, varësisht nga rasti që paraqitet. Ndërkaq, megjithatë ka ndryshim qenësor ndërmjet synimeve të popullit dhe këtyre aristokratëve: «Synimet e popullit janë shumë më të ndershme se synimet e aristokratëve, sepse këta duan të shtypin, popullin që të mos shtypet». Në këtë mënyrë, duke hequr maskën e gënjeshtarit të moralit dhe të fariseizmit, themeloi teorinë e parë civile të bazuar gjerësisht të shtetit dhe, në të vërtetë, ndau etikën nga politika.

Në komeditë e tij brilante (sidomos në «Mandragolen») mjeshtër i të qeshurit dhe i moralit i cili i kundërvihet drejtpërdrejt hipokrizisë priftërore dhe çdo hipokrizie «të madhërishme», Makiaveli në aspektin teorik është i afërm me hedonizmin dhe mbron të drejtën e argëtimit dhe të qeshurit të popullit, i cili është i kundërt me «fjalimin solemn dhe rigoroz» të moralistëve dhe të asketëve.

Nikola Makiaveli e liroi mendimin politik nga çdo lidhje me konceptimin metafiziko-fetar të shoqërisë, për ta bërë një sistem qëllimesh shkencërisht të arsyeshme. Ai hapi kështu rrugën e mendimit natyralist.

“Makiavelizmi” është sot sinonim i një politike force, të paskrupullt dhe pa moral, në dobi të së cilës të gjitha mjetet janë të mira. Hipoteza bazë e kësaj teorie është se çdo njeri e di çfarë do dhe se, sipas kritereve të arsyeshme, zgjedh mjetet që i shërbejnë më mirë realizimit të synimeve të tij.

Nuk është rangu që zë në zinxhirin e Qenies ai që përcakton veprimin e njeriut, por janë veprimet dhe realizimet ato që e bëjnë atë të jetë ai që është.

Shteti, qoftë republikë apo principatë autokratike, ka vetëm një qëllim: ruajtjen e tij dhe mbajtjen e pushtetit me ta vendosur atë.

«Konsideroj se është i lumtur ai që në veprimet e tij udhëhiqet nga fryma e kohës, pra, së këtejmi i palumtur është ai veprimet e të cilit nuk përputhen me kohën».

KultPlus

Më 21 qershor 1646 lindi Leibnizi, filozofi dhe shkencëtari gjerman që bëri studimin e parë për gjuhën shqipe dhe shqiptarët

Gottfried Wilhelm LeibnizGotfrid Vilhelm Lajbnici (Gottfried Wilhelm Leibniz, 21 qershor/ 1 korrik 1646 – 14 nëntor 1716), ishte filozof, shkencëtar, matematikan, diplomat dhe jurist gjerman. i cili kryesisht shkruante në gjuhën latine dhe frënge.

Lajbnici konstruktoi makinën e parë llogaritëse që ishte e aftë të kryejë shumëzimin dhe pjesëtimin. Ai gjithashtu futi në përdorim sistemin e numrave binar që sot përdoret në sistemet kompjuterike. Pavarësisht nga Isak Njutoni ai, “zbuloi” ,,njehsimin diferencial,, dhe futi në përdorim simbolet për integralin, derivatin dhe diferencialin të cilat edhe sot janë në përdorim për dallim nga simbolet e Njutonit të cilat ishin më konfuze , për integralet zgjodhi germën latine (S germa e parë e fjalës suma), të cilën e zgjati pak dhe për simbol të derivatit respektivisht të diferencialit germën D (germa e parë e fjalës latine diferentia). Lajbnici mendonte që simbolet janë shumë të rëndësishme për t’i kuptuar gjërat. Ai gjithashtu provoi të formojë një alfabet për mendimet njerëzore, në të cilin do t’i pasqyroje të gjitha konceptet bazike të përdorimit të simboleve dhe kombinimet e tyre për të pasqyruar mendime më komplekse. Lajbnici asnjëherë nuk e përfundoi këtë. Kontributi i tij filozofik për matematikën është bazë e Monadologjisë, në të cilën fut Monadat si “formë substanciale e qenies”, të cilat janë të ngjashme me atomet shpirtërore, i përjetshëm, i patretur, individual, të ndjekur nga vet ligji i tij, pa bashkëveprim (“xham dritareje”) por që nuk reflektonin Universin si tërësi. Në këtë rrugë skema e mësipërme si nocion që tret monadën në problemin e bashkëveprimit të mendjes dhe dukjes së lëndës. Ai bashkë me Rene Descartes, dhe Baruch Spinoza është njëra nga tre figurat më të rëndësishme të racionalizmit të shekullit XVII. Ai zë një pjesë të madhe në historinë e filozofisë dhe në historinë e matematikës. Është i njohur konstatimi i tij se universi ynë është më i miri i mundshmi me fjalë tjera as Zoti vetë nk do të mund të krijonte një më të mirë. Lajbnici dha kontribute të çmueshme edhe në Fizikë, teknologji, biologji, mjekësi, gjeologji, psikologji, linguistikë. Ai gjithashtu shkroi edhe për tema nga politika, Jurisprudenca,Etika, Teologjia, historia, dhe Filologjia.

Lajbnici, njëherit, ka bërë studimin e parë ndër gjermanët dhe evropianët për prejardhjen e gjuhës shqipe e të shqiptarëve. Lajbnici me tri “letrat shqiptare[1] që ai i ka dërguar bibliotekarit mbretëror në Berlin, së bashku me albanologun Erik Hemp, “një dijetar të hershëm të vërtetë të gjuhës shqipe”[2] paraqesin të parët teorin “ilire” të prejardhjes së gjuhës shqipe.

Biografia[

Gotfrid Vilhelm Lajbnici lindi më 5 korrik 1646 në Leipzig, babai i vdiq kur ai kishte 6 vjet kështu që mësimet e para nga feja dhe morali i mori nga nëna e tij. Këto mësime zgjuan tek ai një nxitje për tu marrë me filozofi. Në moshën madhore prezantohej si “von Leibniz”. Babai i tij ishte profesor i filozofisë së moralit në Universitetin Leipzigut i la një bibliotekë personale mjaft të pasur në të cilën Lajbnici filloi të studionte libra që në moshën 7 vjeçare. Kur i mbushi 12 vjet pa problem e zotëronte gjuhën latine e cila në atë kohë ishte gjuha e shkencës. Pastaj filloi të interesohej për gjuhën greke. Në moshën 14 vjeçare i filloi studimet në Univerzitetin ku punoi babai i tij të cilin pas 4 vjetësh e mbaroi në degën e jurisprudencës aty ai gjithashtu mori leksione nga logjika dhe filozofia skolastike. Edukimi i tij matematik ishte në nivelet si në Francë dhe Britani. Në vitin 1666 (ai e publikoi librin e tij të parë si temë diplome Mbi artin e Kombinatorikës.

Letrat shqiptare

Janë të njohura tri letra, si duket letërkërkesa të Lajbnicit dërguar një bibliotekisti në Berlin. Në letrën e parë të datës 24 janar të vitit 1705, Lajbnici shprehte mendimin se shqipja duhej të ishte një gjuhë sllave, kurse gjuha e ilirëve të lashtë mund të ekzistonte diku në Epir.

Letrën e dytë ai e shkroi pothuajse pesë vjetë më vonë, më 10 dhjetor 1709, pasi kishte shtënë në dorë një libër dhe një fjalor të gjuhës shqipe, që ishte identifikuar (nga Erik Hemp), përkatësisht Fjalorin latinisht-shqip të frang Bardhit (Dictioarium latinoepiroticum, Romë 1635 ) dhe veprën e Pjetër Budit.

Duke hedhur poshtë mendimin e shprehur në letrën e parë se “gjuha e ilirëve të lashtë ishte një gjuhë krejt e ndryshme nga shqipja”, në këtë letër të dytë ai arriti në përfundim se: “… kjo ishte gjuha e ilirëve të lashtë”.[1]

Filozofia e Leibniz

Laibnici ishte i pakënaqur nga mënyra se si Dekarti dhe Spinoza kishin përshkruar natyrën e substancës, sepse ai e ndiente që ata i kishin shtrëmbëruar idenë tonë për natyrën njerëzore, lirinë dhe Zotin. Të thuash, siç thoshte Dekarti, që mendimi dhe shtrirja janë dy substanca të pavarura, do të thotë të krijosh një dilemë të fortë për shpjegimin e ndërveprimit mendje-trup, si tek njeriu ashtu edhe tek Zoti. Spinoza u përpoq ta zgjidhte këtë dilemë duke thënë se egziston vetëm një lloj substance me dy lloj atribute të ndryshme, që janë mendimi dhe shtrirja. Por të reduktosh të gjithë realitetin në një substancë të vetme, do të thotë të humbësh dallimin midis elementeve të ndryshëm natyror. Megjithse Spinoza u përpoq të na e jepte botën e përbërë nga shumë mënyra, të krijuara nga format e ndryshme që merrte mendimi dhe shtrirja, përsëri monizmi i tij ishte një panteizëm ku Zoti ishte gjithçka dhe çdo gjë ishte pjesë e diçkaje tjetër. Për Laibnicin konceptimi i tyre për substoncën ishte i përshtatshëm, sepse ai turbullonte dallimin midis Zotit, njeriut dhe natyrës, të cilat Laibnici donte t’i veçonte. Në mënytë paradoksale, Laibnici pranoi teorinë e Spinozës për një substancë të vetme dhe modelin e tij mekanik të universit; por ai e paraqiti në një mënyrë kaq unike teorinë e një substonce, sa që ishte në gjendje të fliste për individualitetin njerëzor, transhendencën e Zotit, si dhe për realitetin e përbërë nga liria dhe qëllimet universale.

Laibnici ishte ai që ndryshoi supozimin bazë, mbi të cilin Dekarti dhe Spinoza kishin ndërtuar teorinë e tyre të substancës, dhe pikërisht atë që shtrirja merr përmasa dhe formë të caktuar. Dekarti supozonte se shtrirja i referohet një substance materiale, që shtrihet njësoj në hapsirë dhe nuk është e ndashme në diçka më parësore. Spinoza, nga ana tjetër, e konsideronte shtrirjen të reduktuar vetëm në vetitë e Zotit apo Natyrës. Laibnici nuk pojtohej me asnjë nga idetë e mësipërme. Duke vërejtur me anë të shqisave tona, se të gjithë trupat apo objektet janë të ndarë në pjesë më të vogla, atëherë, pyeste Laibnici, pse ne nuk mundemi të supozojmë se të gjitha gjërat janë agregate ose të përbëra? “Duhet të ketë substanca të thjeshta, – thoshte ai, “përderisa ka substanca të përbëra; përderisa një përbërje nuk është gjë tjetër veçse bashkim apo agregat i substancave të thjeshta”.

Megjithatë, në thënien se çdo gjë përbëhet nga substanca më të vogla, nuk ka asgjë të re sepse, që në kohën e Demokritit dhe Epikurit është diskutuar që substancat përbëhen nga atome. Por Lajbnici ishte ai që e hodhi poshtë nocionin e atomit, sepse Demokriti e kishte përshkruar atë si trup në shtrirje, si një pjesëz të reduktuar të materies. Këto pjesëza të vogla konsidëroheshin pa jetë ose interne dhe të cilat duhet ta merrnin lëvizjen nga diçka që ndodhej jashtë tyre. Duke hedhur poshtë idenë e materies si primare, Lajbnici argumentonte se substancat vërtet të thjeshta janë monadat, të cilat “janë atomet e vërteta të natyrës…elementet e gjithçkaje”. Monadat ndryshojnë nga atomet, pasi këto të fundit deri tani ishin parë si trupa në shtrirje. Ndërsa Lajbnici i përshkruante monadat si forcë ose energji. Ai, më tej, thoshte se materia nuk është element primar i sendeve, por monadat, me elementin e tyre forcë, përbënin substancat bazë të sendeve.

Lajbnici donte të vinte në dukje se substanca përmban jetë ose forcë dinamike. Ndërkohë që atomi material i Demokritit duhej të ndikohej nga jashtë, me qëllim që të lëvizte apo të bëhej pjesë e tufës së madhe të atomeve, Lajbnici thoshte, se substanca e thjeshtë, monada është, “e aftë për të vepruar”. Fjala monadë rrjedh nga fjala greke monas, e cila do të thotë bashkim, prandaj ai shtonte se “substancat e përbëra janë një bashkim monadash. Kështu pra, substancat e thjeshta, jetët, shpirtërat janë njësi. Rrjedhimisht e gjithë natyra është plot me jetë”.

Sipas Lajbnicit, monadat janë elemente pa shtrirje, ato nuk kanë formë apo përmasa. Një monadë është një pikë, e cila nuk nënkupton as pikë fizike dhe as atë matematike, por një pikë metafizike ekzistence. Çdo monadë është e ndarë nga tjetra dhe ato nuk kanë ndonjë lidhje të rastit me njëra-tjetrën. Megjithëse ishte e vështirë të imagjinoje një pikë pa përmasa dhe formë, Lajbnici donte ta theksonte këtë me qëllim që të bënte diferencimin nga atomi material i Demokritit. Mendimi i tij në këtë fazë është i ngjashëm me nocionet e shekullit XX, ku thuhet se pjesëzat e vogla fizike janë forma të veçanta të energjisë. Kryesisht, Lajbnici thoshte se monadat janë logjikisht parësore ndaj çdo lloj forme tjetër trupore. Atëherë, vazhdonte ai, substanca e vërtetë janë monadat, të cilat i quante substanca shpirtërore, për të theksuar natyrën e tyre jomateriale. Çdo monadë është e ndryshme nga të tjerat dhe zotëronte forcën dhe parimet e saj të veprimit, dhe, thoshte Lajbnici, “ato kanë një siguri të mjaftueshme, që shërben si burim i lëvizjeve të tyre të brendshme. Ato, gjithashtu, përmbajnë brenda vetes burimin e veprimeve të tyre”. Përveç kësaj, për të theksuar se gjithë pjesa tjetër e universit nuk mund të ndikonte në sjelljen e tyre, Lajbnici thoshte se monadat janë krejt të mbyllura (pa dritare) ndaj tij. Por duhet të jenë lidhjet midis monadave ato që i japin universit shpjegimet për veprimet e tyre të rregullt. Këto shpjegime, Lajbnici i gjeti në idenë e tij të harmonisë së paravendosur.

Çdo monadë vepron në përputhje me qëllimin e saj. Monadat e mbyllura, të cilat ndjekin qëllimet e tyre formojnë një bashkim apo univers të rregullt. Megjithëse secila prej tyre është e ndarë nga tjetra, qëllimet e tyre të veçuar formojnë një harmoni të një shkalle të lartë. Kjo është njësoj sikur një shumicë sahatesh të ndryshëm të bien të gjithë në të njëjtën orë, pasi secili e llogarit kohën mjaft saktë. Lajbnici i krahasonte të gjitha këto monada me një numër koresh dhe bandash muzikantësh të cilët luanin secili pjesët e tyre të ndara, që as mos e dëgjonin apo shikonin njëri-tjetrin, por, megjithatë, shkonin së bashku në mënyrë të përsosur secili duke ndjekur notat e tij, sa dikush, që i dëgjonte nga jashtë, gjente tek to hormoninë e mrekullueshme dhe habinë për mos ekzistencën e asnjë lloj lidhjeje midis tyre”. Pra, sipas kësaj, çdo monadë ishte një botë më vete, por secila prej tyre vepronte në harmoni me të tjerat. Kështu mund të thuhet se çdo monadë pasqyronte universin (por sipas një prespektive unike) në mënyrë të tillë që sikur një gjë “të ndryshonte apo të largohej prej tij, të gjitha të tjerat do të ndryshonin”. Një harmoni nuk mund të jetë pasojë e një krijimi të rastësishëm monadash, por, thoshte Lajbnici, duhet të jetë si rezultat i veprimtarisë së Zotit; pra, kjo lloj harmonie është e paravendosur.

Harmonia, që ekziston tashmë në botë, e bëri Lajbnicin të argumentonte se Zoti jo vetëm i kishte paravendosur gjërat në botë, por, gjithashtu, ai kishte krijuar më të mirën e mundëshme të gjithë botëve. Megjithëse kjo është më e mira e botëve ose qoftë vetëm e mirë, gjithmonë mbetet e hapur pyetja për arsyen e rrëmujës dhe të këqijave të saj. Në të vërtetë, Shopenhaueri mendonte se, me gjithë këtë të keqe që mbizotëron në të, kjo është më e keqja e të gjithë botëve; kështu ne nuk jemi të bindur, nëse Zoti ekziston apo ai Zot që e ka krijuar atë ka qënë një Zot i mirë. Lajbnici ishte i ndërgjegjshëm për rrëmujën dhe të keqen që ekziston, por ai e konsideronte këtë të pajtueshme me konceptin e një krijuesi me vullnet të mirë. Në njohjen e tij të përsosur, Zoti merr parasysh të gjithë llojet e botëve që ai mund të krijojë; por zgjedhja e tij duhet të jetë në përputhje me kërkesat morale që një botë duhet të përbëhet nga e mira, sa më shumë që të mundet. Por, botë të tilla nuk mund të jenë të përsosura. Përkundrazi, një botë e krijuar konsiston në kufizime dhe papërsosmëri të sendeve, “pasi Zoti nuk mund t’i japë krijesës së tij gjithçka të përsosur, pa e bërë atë gjithashtu Zot, prandaj gjithçka në botë ka kufizime të çforëdo lloji”. Burimi i së keqes nuk është Zoti, por natyra jo e përsosur dhe e kufizuar e sendeve që Ai ka krijuar. Akoma më tej, e keqja nuk është thelbësore, por thjesht një mungesë përsosje, apo privim. Prandaj Lajbnici thotë se “Zoti dëshiron të paraprijë e mira dhe rrjedhimisht më e mira.” Përfundimisht, Lajbnici mendon se ne nuk mund të bëjmë një vlerësim të drejtë të së keqes, në qoftë se do ta shikojmë atë, vetëm nëpërmjet objekteve apo ngjarjeve të veçanta. Shumë gjëra, të cilat në vetvete duken se janë të këqia, shndërrohen në paraprirëse të së mirës; si për shembull, “ëmbëlsirat bëhen të mërzitshme, në qoftë se ne hamë vetëm ato; por po t’i kombinonim me diçka të thartë, të athët apo qoftë dhe pak të hidhur, atëherë do të stimulonim shumë shijen tonë”. Akoma më tej, ngjarjet e humbin prespektivën e tyre të vërtetë. Lajbnici pyet: “Në qoftë se shikoni një pikturë të mrekullueshme, pasi kemi mbuluar një pjesë fare të vogël të saj, çfarë tjetër do të shikoni prej saj, pamvarësisht nga analiza e kujdesshme, që mund t’i bëni, veçse një masë ngjyrash pa zgjedhje dhe pa art? Por në qoftë se do të hiqni mbulesën dhe do të shikoni të gjithë pikturën prej një këndvështrimi të duhur, do të kuptoni se ajo, çfarë ju duk si një shkarravinë e pakujdesshme, është në të vërtetë një punë e bërë prej piktori me shumë art”.

Si mund të ketë liri, vazhdon Lajbnici, në një botë të krijuar prej Zotit, ku ai përcakton një rregull sistematik, duke futur qëllime specifike brenda çdo monade? Secila monadë është e përfshirë në zhvillimin e qëllimeve të saj dhe “çdo gjëndje e një substance të thjeshtë është rrjedhim i një gjëndje paraprirëse”. Çdo person, identiteti i të cilit përqëndrohet rreth një monade mbisunduese, mund të paraqesë, në këtë pamje mekanike, një shpalosje të jetës së tij që prej fillimit. Më tej, përderisa natyra bazë e këtij përsoni është mendimi, sipas tij, zhvillimi jetësor konsiston në mposhtjen e mendimeve konfuze dhe arritjen e ideve të vërteta, të cilat ndodhen të gjitha brenda nesh në formën e potencialeve të errëta, që kërkojnë të marrin përmasa aktuale.

Kur këto potenciale bëhen aktuale, atëherë ne i shohim gjërat siç janë dhe kjo, thotë Lajbnici, do të thotë të jesh i lirë. Me këtë të fundit nuk kuptohet vullneti i lirë, apo fuqia e zgjedhjes, por një vetëzhvillim i brendshëm, që tregon se pamvarësisht nga përcaktimi që secili të veprojë sipas drejtimeve specifike, është natyra e tij e brendshme ajo që përcakton veprimet dhe jo forcat e jashtme. Sipas këtij kuptimi, liria nënkupton aftësitë e dikujt për t’u bërë pa kufizime, çfarë ai është përcaktuar të jetë që më parë dhe kjo, njëkohësisht, nënkupton një ekzistencë cilësore, pamvarësisht se njohja e tij ka kaluar nga konfuzja tek më e qarta. Njeriu i lirë është ai që e di pse dhe për çfarë e bën diçka. Kjo ishte rruga që Lajbnici zgjodhi për të pajtuar pikëpamjet e tij të determinizmit në natyrë me konceptin e lirisë.

Se si Lajbnici arriti në pajtimin e botës së monadave me nocionin e lirisë, është e dyshimtë. Gjithashtu ishte ai që fliste për lirinë si një “zgjidhje e vullnetit të lirë” dhe shtonte se “liria dhe vullneti i lirë nënkuptojnë të njëjtën gjë”. Akoma, këtu, duket se ai e vë theksin, më shumë se kudo, mbi idenë e determinimit, mbi nocionin e universit mekanik dhe makinës shpirtërore. Në këtë kohë Lajbnici nuk përdori modelin e tij mekanik për shpjegimin e universit, sepse, në qoftë se do ta bënte, ai do të thoshte se pjesë të ndryshme të universit ndikojnë mbi njëra-tjetrën në mënyrë të tillë siç ndikojnë pjesët e orës në lëvizjen e njëra-tjetrës. Në njëfarë mënyrë shpjegimi i tij ishte shumë më rigoroz në pikëpamjen determinuese, se sa si sugjerim i modelit mekanik. Monadat e tij ishin krejt të pavarura dhe nuk ndikoheshin nga njëra-tjetra, por vepronin në përputhje më qëllimin e tyre, të cilin i kishin që prej momentit të krijimit nga Zoti. Ky lloj determinizmi është më rigoroz, sepse nuk varet nga shkaqet e jashtme, por nga natyra e brendshme, e përhershme dhe e fiksuar e çdo monade.

Shpjegimi përfundimtar i botës, thotë Lojbnici, është se “disa gjëra ekzistojnë më shumë se disa të tjera, posi kjo është përcaktuar nga fjala e shenjtë…”. Gjërat janë kështu, siç janë, pasi Zoti i donte ato të tilla. Duke dëshiruar që disa gjëra të jenë kështu, siç janë, ai kufizoi numrin e mundësive të tjera dhe përcaktoi se cilat ngjarje mund të jenë të bashkemundshme. Zoti mund të ketë dëshiruar universe dhe bashkime të tjera të mundësive, por dëshira për këtë lloj universi bëri që tani të ekzistojnë këto lloj lidhje të domosdoshme midis sendeve. Gjithashtu, nga prespektiva e arsyetimit njerëzor, thëniet në lidhje me botën e fakteve janë sintetike ose i referohen përvojës apo verifikimit, në qoftë se do të kërkojmë të vërtetën e tyre, duhet të dimë që janë thënie analitike të përcaktuaro ngo Zoti. Vetëm Ai mund të arrijë në të vërtetën e të gjithë substancave. Dhe është vetëm injoranca, ajo që na pengon të shikojmë, në persona të veçantë, të gjitha të vërtetat që janë lidhur me to. Së fundi, të vërtetat e faktit, sipas Lajbnicit, janë po ashtu analitike. Kështu një njeri i përmban brenda tij të gjitha të vërtetat për veten dhe, në qoftë se do të arrijmë ta njohim atë, sipas një nocioni të plotë, atëherë do të arrijmë në zbulimin e asaj që është e vërtetë prej tij, si për shembull, “çfarë përfaqëson mbreti Aleksandri i Madh…”. Zoti duke njohur nocionin individual të Aleksandrit, e shihte atë, në të njëjtën kohë, si krijuesin dhe shkakun e të gjitha të vërtetave, të cilat i atribuoheshin vërtetë atij. Për shembull, ai dinte nëse do të mposhtëte Darius-in dhe Porus-in; nëse ai vdiq në mënyrë natyrale apo i helmuar, të vërteta këto të cilat ai i dinte a priori [jo nga përvoja], ndryshe nga ne [me intelektin tonë të kufizuor njerëzor], që i njohim këto vetëm nga historia”.

Pra për Lajbnicin, logjika ishte çelësi i metafizikës. Nga gramatika e thënieve, ai arriti në konkluzionin e botës reale. Së fundi, ai hodhi idenë se të gjitho thëniet e vërteta janë analitike. Si rrjedhim, si substancat ashtu dhe njerëzit, për Lajbnicin janë të njëjta me kryefjalët e një thënie analitike, të cilat përfshijnë kollëzuesit (pohimet, të vërtetat) brenda tyre. Ai, gjithashtu, zbatoi ligjin e tij të vazhdimësisë tek ideja e tij e substancës, me qëllim që të vërtetonte teorinë e tij, që çdo substancë i shpalos të vërtetat e saj sipas një renditje dhe parashikimi të përcaktuar nga Zoti. Ligji i vazhdimësisë hedh idenë se “natyra nuk bën shmangie”. Në botën e krijuar prej Zotit çdo pozicion është i zënë; kështu të gjitha ndryshimet janë në vazhdimësi. Pra monadat e mbyllura, mbajnë brenda tyre gjithë reagimet për të ardhmen. Dhe ashtu siç është e vërtetë për monadat, po oshtu është e vërtetë se të gjitha kombinacionet dhe mundësitë e ndryshme të ngjarjeve mbajnë brenda tyre gjithë të ardhmen e botës dhe arsyeja e mjaftueshme për këtë rregull është “shkaku suprem, i cili e bën gjithçka në mënyrën më të përsosur”. Gjithashtu, pamvarësisht se mendja njerëzore përmban shumë ide të lidhura dhe të vërteta, ajo nuk mund të njohë realitetin ashtu siç e njeh Zoti. Një fëmijë nuk mund të njohë gjithshka menjëherë, por duhet të presë derisa të rritet dhe derisa raste të veçoantë të përvojës së përditshme, t’ia vërtetojnë ato. Pikërisht fakti që këto ide bëhen të njohura vetëm në raste të tillë, i bën ato tepër të natyrshme. Megjithatë doktrina e idesë së lindur, shoqëruar me realitetin, pasqyroi vlerësimin e tij optimist, për aftësinë e arsyes në njohjen e realitetit dhe besimin e tij që nga të vërtetat e brendshme të natyrshme mund të burojnë dije, pothuajse të plota, të botës reale.

Veprat

  • 1666. De Arte Combinatoria
  • 1671. Hypothesis Physica Nova
  • 1673. Confessio Philosophi
  • 1684. Nova methodus pro maximis et minimis
  • 1686. Discours de metaphysique
  • 1705. Explication de l’Arithmetique Binarie
  • 1710. Theodicee
  • 1714. Monadologie
Burimi i të dhënave
  1. a b M. Reiter, Leinizen’s Albanerbriefe, Zeitschrift feur Alkanologie. Jg. XVI, 1980, fq.82-93. nxjerr nga Avni K. Këpuska, “QENËSIA E TERRITORIT DHE E KUFIJVE ETNIKË AUTOKTONË TË KOSOVËS”, fq.43, botimi i tretë, Prishtinë 2004
  2. ^ E.P. Hamp. On Leibniz’s Third Albanian Letter. Zeitschrift feur Balkanologie nxjerr nga Avni K. Këpuska, “QENËSIA E TERRITORIT DHE E KUFIJVE ETNIKË AUTOKTONË TË KOSOVËS”, fq.43, botimi i tretë, Prishtinë 2004

KultPlus

Ç’është Dita e Verës?

FaikKonica“Dita e Verës” është shumë e lashtë për nga koha dhe mënyra e kremtimit. Është festë pagane, jo fetare, që rrjedh nga lashtësia, atëherë kur njerëzit besonin tek Dielli, Hana, tek Planetët etj. dhe atyre i faleshin e i luteshin, që të sillnin shiun për të mbjellat, diellin që të piqeshin gruri, misri frutat etj.

faikJa si shkruante me stilin e vet elegant, gati 100 vjet më parë, Faik Konica.

“Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën stërgjyshit tanë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e vjetër, perënditë e lulevet, të shelgjevet.

Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtëri të ëmbël. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë t’u falen perëndivet që sjellin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës.

Në pakë ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikët pa dashur dhe pa ditur, do të rrethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjavet, të dafinavet, të gjitha shelgjevet të nderuara. Do të këputin degë të gjelbëra dhe do t’i vënë përmbi kryet e shtëpivet.

Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Një vend ku jeta e të vegjëlvet është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike të hollë e të rrallë “.

KultPlus

Koment: Partia e Vuçiqit fitoi zgjedhjet në Serbi

VucicPartia e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Partia Përparimtare Serbe, SNS, ka marrë 63 përqind të votave në zgjedhjet e djeshme në Serbi. Norbert Mappes Niediek komenton këtë rezultat në prag të takimit Vuçiq -Thaçi.

Duke i dhënë 63 përqind të votave partisë së Presidentit, duket se serbët kanë votuar sidomos për stabilitetin e vendit. Në zemër të Ballkanit sundon qetësia dhe kënaqësia, në një kohë kur bota është duke u çmendur. Me sa duket është mundur çdo lloj opozite, ashtu siç është mundur virusi i rrezikshëm Corona. Si duhet thënë më qartë?

Duket si paradoks, që dekada me radhë është thënë se shtetet e rajonit të trazuar mund të qetësohen vetëm kur të marrin të vendosur rrugën drejt Evropës, demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ky ka qenë mendim i gabuar. Sepse duket se Serbia e ka gjetur veten me autoritarin Aleksandar Vuçiq. Në vend që t’i kacavirret anijes që po mbytet, BE-së, presidenti serb e drejton shtetin me dorë të fortë duke shpëtuar nga shkëmbinjtë e detit të trazuar botëror. Duke i treguar të gjithëve se si mund të arrihet në brigje të reja: Që të shtunën e ardhshme, Vuçiq do të udhëtojë në Uashington për të celebruar në Shtëpinë e Bardhë „pajtimin“ me Kosovën, ose të paktën „për të hapur një kapitull të ri“. Nuk është Europa, nuk është Angela Merkel që garantojnë sigurinë dhe rendin. Këtë e bëjnë tani më shumë njerëz si Aleksandar Vuçiq dhe – megjithëse mezi besohet – si Donald Trump.

Mezi besohet, dhe është mirë që të mos besohet fare

Është gabim që rezultati historik i zgjedhjeve të interpretohet si dëshmi e besimit që i jepet presidentit. Partia e tij, „Partia Përparimtare Serbe“ (SNS) nuk është forcë politike që mund të konkurrojë në një sistem pluralist, ku partitë konkurrojnë me ide dhe argumente në favor të zgjedhësve. Ajo nuk është parti dokudo, por është Partia, një aparat shtetëror, siç ka qenë dikur Partia Komuniste.

Individi që kërkon punë, sipërmarrja që kërkon të fitojë tendera, politikani lokal që kërkon para nga taksat për komunën, duhet të bashkëpunojë me pushtetin e kudogjendshëm. Duke pasur 730 mijë anëtarë, partia e presidentit, SNS është partia më e madhe në Evropë, jo në krahasim relativ, por në krahasim absolut, është partia më e madhe në Evropë, duke qenë parti në një vend që nuk është më i madh se landi gjerman i Hesenit. Kush e gëzon vendin e punës apo pozicionin falë kësaj partie, dhe në Serbi janë pothuajse të gjithë të tillë, bën mirë t‘ia japë votën asaj, sepse humbet vendin e punës nëse partia bie nga pushteti. Sistemi është një qark i mbyllur. Në fushatat elektorale vazhdohet të shtohen radhët. Aktivistët u kujtojnë të gjithë simpatizantëve dhe anëtarëve të partisë, nëse i kanë borxh partisë, duke i pyetur thjesht mbi preferencat që kanë kur ndodhen para kutisë së votimit. Kush nuk do të donte të tregonte përulësinë e tij në këto kushte?

Partia e ka ngritur pushtetin me të gjithë personelin, duke dhënë subvencione të vogla, donacione për radiot lokale, duke bërë nderë për kryetarët e bashkive, duke dhënë tendera zemërgjerë. Pushteti u rrit pa rënë në sy, dhe menjëherë u shfaqën nëpër provinca pushtetmbajtësit e shumtë konkurrues. Ka vite që ish/këlyshi i Millosheviqit ka ardhur në pushtet – në fillim si zëvendëskryeministër. Sot, burri dymetërsh shfaqet i vetëm mbi turmën.

Opozita nuk ekziston më. Socialistët, që dolën partia e dytë më e madhe në vend, duke marrë 11 përqind të votave, janë bashkëlojtar në lojë, njësoj siç kanë qenë partitë e Bllokut në ish-Gjermaninë Lindore, ose siç kanë qenë Aleanca Socialiste e Punonjësve në ish-Jugosllavi.

Sistemi është stabil, aq stabil sa ka qenë dikur sistemi komunist. Ai funksionon vetëm kur ka diçka për të dhënë dhe diçka për të shpërndarë. Falë lojës së zgjuar kjo vazhdon të jetë njësoj: Deri në shpërthimin e Coronës, donacionet nga BE dhe investimet nga Kina e kthyen Serbinë në vendin me zhvillimin më të madh në rajon, bashkë me Rumaninë, dhe sipas parashikimeve kolapsi pas pandemisë do jetë më e butë se diku gjetkë. Investitorët e vlerësojnë Serbinë sepse partia e kudogjendshme e ka kthyer vendin në „One stop shop“. Licencat jepen pa problem, kundërshtime nuk pritet të ketë.

Serbia ka vepruar kundër Covid 19 më ashpër se çdo vend tjetër në Evropë: duke vendosur ndalimqarkullimin nga ora 17:00 deri në orën 5 të mëngjesit dhe ndalim total qarkullimi për të gjithë të moshuarit mbi 65 vjeç dhe duke dhënë dënime të mëdha. Por njerëzit tremben nga shteti, virusi nuk trembet. Ai ushqehet nga kushtet e këqija sociale. Mbas sukseseve të para, numri i të infektuarve është rritur sërish, sidomos në konviktet e studentëve dhe aty ku banorët jetojnë ngjitur me njëri tjetrin si sardele. Deri ditën e zgjedhjeve kjo temë mbeti pa u diskutuar. Data e zgjedhjeve duket se është zgjedhur në mënyrë perfekte.

Norbert Mappes Niediek

Norbert Mappes Niediek komenton rezultatin e zgjedhjeve serbe. Serbët votojnë për stabilitet, mendon ai. Por a mjafton stabiliteti në vendin me një parti në pushtet?

I të njëjtës natyrë është edhe stabiliteti në rajon, që drejtohet tani nga Vuçiqi. Por meqenëse atje nuk ndodhet askush që ta kundërshtojë, dhe meqë edhe Kisha Ortodokse ndodhet vetë nën kontroll, presidenti e ka rrugën e hapur për të zgjidhur çështjen e Kosovës, sipas mënyrës së tij.

Ka dy vjet që Vuçiq dhe egoja e tij e vjetër shqiptare, Hashim Thaçi diskutojnë për këmbimin e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës. Nuk mund të flitet për pajtim të vërtetë, për revizionimin e të kaluarës, për çtensionimin e jetës së përditshme, për takime në nivel shoqëror. Sepse po të flitej për to do të arrihej efekti i kundërt. Të dy udhëheqësit do të ktheheshin në zot shtëpie me zgjidhjen e tyre të preferuar dhe nuk do të kishin nevojë të merrnin parasysh të drejtat e pakicave të bezdisshme. Që Trumpi luan rolin e nxitësit të paqes, përshtatet mirë me imazhin: Zëvendësimi i rregullave ndërkombëtare me “deals” të arritur midis burrave të fortë, është politika e shpallur prej tij. Nëse manovra arrin po ashtu t’i hipë nervat evropianëve, aq më mirë.

63 përqind e votave janë një rezultat fantastik. Por në Evropë e dinë mirë si është puna e stabilitetit. „Everything was forever, until it was no more“, thoshte autori ruso -amerikan Alexei Yurtchak, duke treguar shumë mirë përvojën e një brezi të tërë.

Norbert Mappes-Niediek

Zgjedhjet në Serbi/ Alternativa Demokratike Shqiptare merr katër mandate

ADSH CakajSipas projeksioneve të para të Ipsos dhe Cesid në rezultatet e bazuara në 44.1 për qind të mostrës së përpunuar del se partia e presidentit aktual Aleksandar Vuçiq SNS ka fituar 63.4 për qind të votave në zgjedhjeve e sotme parlamentare në Serbi.

Alternativa Demokratike Shqiptare ka marrë katër mandate. Partia e Vuçiqit ka marrë 180 mandate, SPS e Ivica Daçiqit 30 mandate, ajo e ish-sportistit Aleksandar Shapiq 11 mandate, etj.

Zgjedhjet e rregullta parlamentare dhe lokale u mbajtën sot në Serbi. Vendvotimet u hapën në orën 7 të mëngjesit dhe u mbyllën në 20.00. Të drejtë vote kishin mbi 6,5 milionë qytetarë, për të zgjedhur midis gjithsej 21 partive, koalicioneve ose listave, të cilat duhet të kalojnë pragun prej tre për qind për të hyrë në parlament.

Zgjedhjet u mbajtën edhe në Kosovë, nën mbikëqyrjen e OSBE-së. Kuvendi i Serbisë ka 250 deputetë. Sipas sondazheve të fundit, një betejë shumë më e madhe do të zhvillohet për futjen në Kuvend të partive të tjera. Në zgjedhje kandidojnë 21 lista të ndryshme

Vuçiqi është në pushtet prej tetë vjetësh- në postin e kryeministrit dhe presidentit.

Kosova Press

Shqipëri: Programi “Code for Albania” dhe të rinjtë shqiptarë

Code for AlbaniaProgrami “Code for Albania” çeli sërish këtë vit aplikimet për nxënësit e shkollave 9-vjeçare në të gjithë Shqipërinë.

Ky program u krijua nga diaspora shqiptare në Silicon Valley në bashkëpunim me organizatën amerikane Code.X.

Në të mësohet kodim dhe mendim kritik me instruktorë amerikanë dhe shqiptarë.

Organizatorët e programit “Code for Albania” dhe Alfa Plan i gjetëm në një orë leksioni të kodimit me profesoren Erisa Terolli, e cila jepte një leksion online Instituti Max Plan në Sarbruken të Gjermanisë për afro 70 nxënës dhe studentë, që e ndiqnin atë drejtpërdrejt përmes kompjuterit.

Ajo po u shpjegonte bazat e programimit nxënësve të ardhshëm të Programit Code for Albania.

Sivjet programi mori formatin e një kampi veror online, që është edhe më gjithëpërfshirës.

“Projekti për orën e kodimit Code for Albania e nisi më 10 dhjetor dhe u zhvillua në 10 shkolla 9-vjecare në Tiranë, deri sa pandemia i mbylli shkollat dhe gjithë program kaloi online. Kampi veror i një viti më parë me profesorë amerikanë për dy javë, sivjet ia ka lënë vendin një kampi veror online dhe regjistrimet për këtë nismë sfiduese sapo filluan” – thotë Enea Mançellari, professor i inxhinierisë kompjuterike.

Në Shqipëri rrjeti i koduesve është zgjeruar me vajza dhe djem të kthyer nga SHBA dhe BE.

Një prej tyre është Zerina Bruci, eksperte e zhvillimit ekonomik, e cila u kthye në Shqipëri pas një punësimi shumë të veçantë në Sillicon Valley në fushën e zhvillimit kompjuterik.

“Rrjeti i diasporës që na mbështet, tashmë po përhapet nga SilIcon Valley drejt Europës. Code for Albania u ka bërë thirrje diasporës shqiptare, bizneseve, shoqatave, institucioneve publike e shkollave që t’i bashkohen kësaj nisme, sepse ky është casti i duhur për të investuar tek tek aftësimi i të rinjve, që do ta zhvillojnë Shqipërinë në të ardhmen” – tha ekspertja Bruci.

Duke bashkëpunuar ngushtë me të rinjtë, “Code for Albania” synon të krijojë një lëvizje dhe që pas 10 vjetësh Shqipëria të ketë mbi 100 mijë kodues, duke marrë një vend në në hartën e revolucionit të katërt teknologjik.

Programi “Code for Albania” është një nga nismat ambicioze në mbështetje të rinisë shqiptare.

Ai u krijua në Silicon Valley të SHBA nga diaspora shqiptare në bashkëpunim me organizatën amerikane Code.X.

voa