Merkel kundër mbylljes së sërishme të kufijve

MerkelKancelarja e Gjermanisë, Merkel, ka refuzuar kategorikisht rregullat strikte kufitare me vendet fqinje europiane si me Francën gjatë ashpërsimit të krizës së koronavirusit.

Mbyllja e kufijve në valën e parë të pandemisë së koronavirusit ishte “diçka shumë e ashpër”, tha politikania kristiandemokrate gjatë një mbledhjeje  të asamblesë parlamentare gjermano-franceze të organizuar në formë virtuale për shkak të pandemisë. “Në situatën e krijuar atëherë me sa duket ishte e pashmangshme mbyllja e kufijve. Por unë e pranoj, që një gjë e tillë nuk duhet të përsëritet.” Por kjo kërkon nga ana tjetër edhe një koordinimin të fortë. “Unë besoj, që ne kemi nxjerrë mësime tashmë”, tha Merkel.

Kancelarja në luftën kundër pandemisë tërhoqi vëmendjen për një koordinim rajonal në Europë. „Ne e dimë edhe se çfarë do të thotë sprova, masat e mbrojtjes nga infeksioni për Europën tonë pa kufij”, theksoi Merkel në paraqitjen e përbashkët me kryeministrin francez Jean Castex përpara asamblesë parlamentare. „Ne u përgjigjemi si partnerë bashkarisht sfidave të përbashkëta.”

Presidenti i Bundestagut kristiandemokrati Wolfgang Schäuble në të njëjtën mbledhje e quajti si „gabim” mbylljen e kufijve në fillim të pandemisë. „Duhet të jetë e qartë, se „asnjëherë nuk duhet të përsëritet një veprim i tillë i pakoordinuar”, tha Schäuble.

Zëdhënësi qeveritar Steffen Seibert vuri  në dukje përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë federale për të arritur një rregullore të unifikuar në mbarë BE-në sa u përket udhëtimeve.

“Aty ku nuk ka uninamitet, ne vazhdojmë të përpiqemi për këtë”, tha Seibert.

Edhe ministri i Brendshëm, përgjegjës për mbrojtjen e kufijve, kristiansociali Horst Seehofer akutalisht „nuk sheh të ketë shkas për kontrolle kufitare”, tha zëdhënësi. Ministria e Shendetësisë deklaroi gjithashtu, se „ndërkohë nuk është planifikuar ndonjë ndryshim për udhëtimet”.

Landet më të rrepta se federtata?

Disa kryeministra të landeve gjermane kërkojnë nga qeveria që të veprojë. Kryeministri i Saksonisë, kristiandemokrati  Michael Kretschmer kërkoi kontrolle më të rrepta për ata që kthehen nga pushimet. „Vendimtare është, që ne tani të mos lejojmë sjelljen e koronavirusit nga jashtë”, i tha ai gazetës „Funke-Zeitungen”.

Kryebashkiaku i Hamburgut socialdemokrati Peter Tschentscher u shpreh për rregullore më të ashpër për udhëtimet për shkak të koronavirusit. Rregullojra aktuale sipas tij është në disa aspekte e dobët, është shprehur ai për gazetën „Welt”. Ai kërkon, që të gjithë të vaksinuarit që kthehen nga pushimet e kaluara në vende me incidencë të lartë infeksioni duhet të futen në karantinë, që së paku mund të shfuqizohet pas pesë ditësh me paraqitjen e një testi PCR.

Kryeministri i Bavarisë kristiansociali Markus Söder kërkon rregulla më të qarta për ata që kthehen nga pushimet. Duke iu refruar sezonit të pikut të udhëtimeve Söder tha, se “federata duhet të japë qartazi edhe njëherë rekomandimet për pushimet e verës.” Detyrimet akzistuese, për të paraqitur testin pas pushimeve, duhet të kontrollohen.

“E vetmja asamble parlamentare binacionale në botë”

Asambleja parlamentare gjermano-franceze e themeluar më 2019 – që mblidhet çdo dy vjet – një herë në Paris dhe njëherë në Berlin, përbëhet nga 50 deputetë të Bundestagut dhe Asamblesë Kombëtare franceze. Në mbledhjen online të hënën (28.06) kancelarja Merkel dhe kryeministri francez Castex iu përgjigjën pyetjeve të parlamentarëve jo vetëm për pandeminë. Tema ishin edhe klima, refugjatët, politika e jashtme dhe ajo ekonomike.

Preisdenti i Bundestag-ut Schäuble e cilësoi këtë asamble „si sukses dhe si një dhomë unikale binacionale parlamentare”. Pikërisht në kohën e krizës së koronavirusit bashkëpunimi parlamentar mes të dyja vendeven është dëshmuar si i vlefshëm.

qu/kle (dpa, afp)

Antarktida në prag të katastrofës klimatike

Symbolbild AntarktisDjegia e mbetjeve të lëndëve djegëse kërcënon një nga zonat e fundit të Tokës, ende të paprekur nga industritë nxjerrëse.

Kur ‘Traktati i Antarktidës’ hyri në fuqi 60 vite më parë, nënshkruesit e tij nuk e kishin dhe aq të qartë se sa sukses do të kishte ai. Udhëheqësit botërorë ranë dakord që të linin larg luftës, armëve dhe mbetjeve bërthamore këtë kontinent të pabanuar, sa dyfishi i përmasave të Australisë. Ata deklaruan se rajoni jugor polar, i cili përbëhet në 98% të sipërfaqes së tij nga akuj dhe që nuk ka popullsi autoktone, nuk duhet t’i përkasë asnjë shteti por përkundrazi, duhet t’i shërbejë bashkëpunimit shkencor. Në dekadat që pasuan u vendosën rregulla shtesë kundër kompanive minerale dhe atyre të shpimit për naftë, duke e kthyer Antarktidën në rezervatin natyror më të madh në botë.

Tashmë, ndryshimet klimatike po e minojnë këtë histori suksesi.

Rreth 90% e ujit të freskët sipërfaqësor të botës është ‘i kyçur’ në ‘Mburojën e Akullit të Antarktidës’ dhe  ndërsa planeti ‘vlon’ nga rritja e temperaturave, akullnajat, zhbërja e të cilave do të përmbyste qytetet bregdetare nga Nju Jorku në Xhakartë, po shkrihen dhe po bëhen më pak të qendrueshme.

Udhëheqësit botërorë janë zotuar të kufizojnë ngrohjen në shumë më pak se 2 gradë Celsius këtë shekull, por politikat e tyre aktuale do ta ngrohin botën me gati 3 Celsius, sipas grupit kërkimor ‘Climate Action Tracker’, me bazë në Gjermani. Një studim i botuar në revistën ‘Nature’ në maj të këtij viti zbuloi se një rritje globale e temperaturës prej 3 Celsisus do të çonte në një “kapërcim të menjëhershëm” në ritmin e humbjes së akullit në Antarktidë, e cila, nga ana tjetër, do të shkaktonte një rritje të shpejtë dhe të pandalshme të nivelit të detit.

Një studim i dytë, botuar në revistën ‘Science Advances’ në qershor, zbuloi se një masiv akulli që mbështetet tek akullnaja Pine Island (175,000 kilometra katrorë) po shkërmoqet në ujë gjithnjë e më shpejt. Kjo akullnajë është përgjegjëse për më shumë se një të katërtën e kontributit të Antarktidës në rritjen globale të detit dhe do të shkrijë më shpejt nëse bie në kontakt me ujëra të ngrohtë.

Ruajtja e paqes

‘Traktati i Antarktidës’ u nënshkrua në vitin 1959 nga 12 shtete, shkencëtarët e të cilëve kishin qenë aktivë në rajon. Dy vite pas nënshkrimit, hyri në fuqi. Palët ranë dakord që Antarktida të ishte “një rezervë natyrore, dedikuar paqes dhe shkencës”.

Për superfuqitë si SHBA dhe ish-BRSS asokohe – të cilat do të vijonin mes tyre me luftërat proxy (konflikte të armatosura ku superfuqitë nuk merrnin pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë) në të gjithë Azinë, Afrikën dhe Amerikën e Jugut në tri dekadat e ardhshme – Antarktida u bë një vend bashkëpunimi që ofroi një “armëpushim të rrallë” pas tensioneve bërthamore të Luftës së Ftohtë.

Në hapësira të tjera diplomatike, përfaqësuesit e këtyre vendeve “do të rrihnin gjoksin dhe do të bërtisnin”, tha Sridhar Anandakrishnan, glaciolog në Universitetin Shtetëror të Penn-it në SHBA. Por, në takimet e Traktatit të Antarktidës, “ata mund të flisnin zyrtarisht dhe hapur”.

Miniera, shpime dhe peshkim

Rajonet polare të Tokës po ngrohen më shpejt se pjesa tjetër e planetit. Por ndryshe nga Poli i Veriut, i cili është bërë fokusi i tensioneve gjeopolitike pasi shkrirja e akullit zbulon burime të pasura, Poli i Jugut ka pak minerale ose lëndë djegëse të njohura për të shfrytëzuar përveç disa rezervave të qymyrit dhe naftës. Kjo e ka ndihmuar atë të mbrohet nga vëmendja e industrive nxjerrëse.

Antarktida është ende mjaft e madhe dhe e ngjashme me zonat gjeologjike aty pranë, duke pasur mundësinë për më shumë burime. Bashkë me peizazhin aspak mikpritës – me akull të trashë dhe mot të ashpër, që e bën të kushtueshme çdo tentativë nxjerrjeje e shpimi, – Traktati e ka mbajtur Antarktidën të lirë nga çdo gjë tjetër, përveç eksplorimit shkencor. Ndalimi është i pacaktuar në kohë dhe data më e afërt e rishikimit të vendimit është viti 2048.

Por panorama e ujërave rreth saj nuk është kaq pozitive.

Ujëra të pambrojtur

“Ndryshimi i klimës po e transformon në mënyrë të njeshme pamjen në Antarktidë”, tha Laura Meller, ekologe dhe eksperte polare pranë ‘Greenpeace Nordic’, organizatë e cila bëri fushatë të suksesshme për të mbrojtur rajonin nga minierat dhe shpimet.

Peshkimi i një lloji karkalecësh ka lulëzuar në këto ujëra. Peshkatarët kapën 400 mijë tonë karkalecë në vitin 2019. Këto krijesa – një gur  themeli i ekosistemit të Antarktidës, me të cilët ushqehen pinguinët, fokat, peshqit dhe balenat – mund të mbijetojnë vetëm në një interval të ngushtë të temperaturës dhe janë një mbrojtës kundër ndryshimit të klimës.

Turistët dhe mbeturinat

Antarktida pret rreth 70 mijë turistë çdo vit, kryesisht në verë. Kjo shifër mund të duket e ulët në krahasim me madhësinë e kontinentit, por  ata shkojnë kryesisht  në të njëjtat vende, gjë që përqendron ndikimin e tyre.

Mbeturinat në Antarktidë nuk zhduken: Rajoni është aq i ftohtë dhe i thatë sa nuk ka gjasa që mbeturinat të shpërbëhen ose të zhvendosen, derisa një akullnajë të shkrihet përfundimisht dhe t’i  çojë ato në oqeane. “Shkencëtarët atje tashmë po mendojnë të gjejnë një mënyrë ndryshe se si t’i  trajtojnë mbeturinat” – thotë  glaciologu Anandakrishnan. “Bën mirë të pyesësh veten: a dua ta hedh vërtet këtu këtë paketim ëmbëlsirash, i cili pas 10 vitesh mund të mbysë një fokë?”

dw

Portugalia dhe Rusia klasifikohen si zona rreziku të lartë prej koronës

Einreise EU | Covid-19: Airport Corona TestingQeveria gjermane klasifikoi Portugalinë dhe Rusinë si zona rreziku prej variantit Delta të virusit korona. Ky vendim pritet të prekë shumë turistë gjermanë që planifikojnë të kalojnë pushimet në Portugali.

Për shkak të përhapjes së fortë të variantit Delta të virusit korona, qeveria gjermane kufizoi në mënyrë masive ardhjen në Gjermani e qytetarëve nga Portugalia dhe Rusia. Duke filluar nga dita e martë, të dy shtetet klasifikohen si të ashtuquajtura zona rreziku prej varianteve të virusit, sikurse njoftoi Instituti Robert Koch (RKI).

Ky klasifikim përfshin ndalimin në shkallë të gjerë të fluturimeve të linjave ajrore, të qarkullimit të kompanive të autobusëve dhe të trenave. Këto lejohen të transportojnë për në Gjermani vetëm shtetas gjermanë ose të huaj që jetojnnë dhe punojnë në Gjermani.

Karantinë pa përjashtime

Personat që do të lejohen të hyjnë në Republikën Federale të Gjermanisë duhet të qëndrojnë pas kthimit  14 ditë në karantinë. Karantina është e detyrueshme edhe nëse dikush është vaksinuar plotësisht, është i shëruar apo ka një test korone negativ.

Nga ana tjetër Gjermania zbuti kufizimet për udhëtarët nga Holanda, Danimarka, Luksemburgu, Letonia dhe Sllovenia, si dhe nga disa rajone në Suedi dhe Kroaci, të cilat nuk konsiderohen më si zona me rrezik.

dw dpa

Irani, tema qendrore në takimin mes Presidentit Biden dhe homologut të tij izraelit

Tema e Iranit mbizotëroi në një takim në Shtëpinë e Bardhë të hënën midis Presidentit amerikan Joe Biden dhe homologut të tij izraelit.

“Irani nuk do të sigurojë kurrë një armë bërthamore sa të jem unë në detyrë,” i tha zoti Biden presidentit izraelit në largim, Reuven Rivlin.

Zoti Biden e bëri deklaratën një ditë pasi urdhëroi sulme ajrore kundër atyre që zyrtarët ushtarakë amerikanë i përshkruan si objekte operacionale dhe për ruajtje armësh të milicive të mbështetura nga Irani në Siri dhe Irak.

Sulmet ndodhën ndërsa vazhdonin negociatat në Austri mes Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, në përpjekje për të ringjallur një marrëveshje që kufizon programin bërthamor të Iranit.

Gjatë takimit të tij me zotin Rivlin, Biden mbrojti urdhrin e tij për përgjigjen ushtarake.

“Unë urdhërova sulmet ajrore të mbrëmshme që vinin në shënjestër objektet e përdorura nga grupet e milicisë së mbështetur nga Irani, përgjegjëse për sulmet e fundit ndaj personelit amerikan në Irak,” tha ai, duke shtuar se kishte autoritetin ta bënte një gjë të tillë sipas nenit dy të kushtetutës amerikane që njihet nga ligjvënësit në Capitol Hill.

Disa ligjvënës në Partinë Demokratike të Bidenit, gjithsesi nuk janë të kënaqur me këtë interpretim të gjerë të autoritetit të Kushtetutës për kompetencat e luftës, si dhe autorizimet e fillimit të shekullit 21 për përdorimin e forcës ushtarake nga presidenti.

Administrata e zotit Biden ndërmori sulme të ngjashme ajrore në shkurt.

Rivlin, i cili lë postin kryesisht ceremonial muajin e ardhshëm pas një mandati shtatë-vjeçar si president i Izraelit, tha se deklarata e presidentit Biden për një angazhim të palëkundur ndaj të drejtës së Izraelit për vetëmbrojtje bën që “izraelitët të kuptojnë se kemi një mik të madh në Shtëpinë e Bardhë.”

Të dyja qeveritë po përshtasin marrëdhëniet e tyre 73-vjeçare pas ndryshimeve të fundit të udhëheqësve të tyre përkatës politikë.

Preisdenti Biden tha se ai pret që së shpejti ta ftojë kryeministrin e ri izraelit, Naftali Bennett, në Shtëpinë e Bardhë dhe në përgjigje të një pyetje të Zërit të Amerikës se kur do të vizitojë Izraelin, tha se “nuk ka një date, por do ta bëjë”, një gjë të tillë.

Paraardhësi i zotit Bennett, Benjamin Netanyahu, gëzonte një marrëdhënie të ngushtë me ish-presidentin amerikan, Donald Trump. Dy qeveritë e tyre nënshkruan Marrëveshjet e Abrahamit, që sollën si rezultat vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin të dy shteteve të tjera arabe, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini.

“Dy administratat e reja duan t’u rikthehen marrëdhënieve të mira dhe të dy do ta arrijnë këtë duke mos ndryshuar status quo-në. Izraeli ka një qeveri me shumë qëndrime ideologjike dhe nuk ndjek dot njërën ose tjetrën dhe SHBA nuk po lë të kuptohet se do ta ndjekë synimin për një zgjidhje me dy shtete, i tha Zërit të Amerikës, Paul Scham, që drejton Institutin Gildenhorn në Universitetin e Merilendit.

“Izraeli e di që nuk mund t’i ndalojë Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin hapa drejt një marrëveshjeje bërthamore me Iranin, por mbi të gjitha dëshiron marrëdhënie të mira,” thotë profesor Scham, i cili është gjithashtu studiues në Institutin e Lindjes së Mesme.

Analistë të tjerë mendojnë se qeveria e re izraelite duket qartë se do të ketë një qasje më pak partiake ndaj marrëdhënieve me Uashingtonin sesa ajo e mëparshme.

Qeveria e zotit Bennett shihet si më e moderuar në disa aspekte sesa ajo e zotit Netanyahu, por “nuk ka gjasa të marrë hapa madhore për të ndihmuar që t’i jepet fund pushtimit të vazhdueshëm dhe aneksimit de facto në Bregun Perëndimor ose te punojë fuqimisht drejt paqen Izraelito-Palestineze – dhe për këtë arsye do të vazhdojnë të kenë dallime të konsiderueshme me SHBA për këto çështje kritike, ndërsa do të gjekë gjuhë të përbashkët për të tjera, “tha për Zërin e Amerikës, Logan Bayroff, një zëdhënës i J Street, një grup me ide liberale që është i përqendruar tek Izraeli.

“Po inkurajojmë administratën e zotit Biden dhe Kongresin që ta bëjnë absolutisht të qartë se SHBA janë plotësisht të përkushtuara ndaj sigurisë së Izraelit dhe se ne konsiderojmë që status quo-ja e pushtimit nuk mund të vazhdojë pa fund dhe është e padrejtë dhe e dëmshme për interesat e dy vendeve tona, “tha zoti Bayroff.

Të pranishëm në takimin Biden-Rivlin të hënën ishin këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan dhe zyrtarë të tjerë, si dhe ambasadori izraelit në SHBA, Gilad Erdan.

voa

Forcat amerikane u kundërpërgjigjen sulmeve me raketa në Siri

Trupat amerikane në Siri u kundërpërgjigjën pas një sulmi me raketa ndaj forcave të Shteteve të Bashkuara, tha koloneli amerikan Wayne Marotto, zëdhënës i ndërhyrjes ushtarake ndërkombëtare kundër Shtetit Islamik.

Forcat amerikane në Siri, ndërsa ishin nën sulme të shumta me raketa, vepruan në vetëmbrojtje dhe u përgjigjën me artileri mbi pozicionet e hedhjes së raketave“, shkroi ai në rrjetin twitter.

Burimet i thanë Zërit të Amerikës se raketat shënjestëruan një bazë ushtarake në Deir ez-Zour e njohur fshati i Gjelbër. Zoti Marotto i tha Zërit të Amerikës se forcat amerikane u kundërpërgjigjën me predha artilerie 155 milimetërshe.

Sulmi me raketa nuk shkaktoi dëme në njerëz dhe dëmet tjera janë duke u vlerësuar, shkroi ai.

Shkëmbimi i zjarrit u bë disa orë pasi ushtria amerikane tha se goditi tre objektiva afër kufirit midis Sirisë dhe Irakut të përdorura nga milicitë e mbështetura nga Irani për të kryer sulme me dronë mbi personelin dhe objektet amerikane.

Unë urdhërova sulmet e mbrëmshme ajrore duke vënë në shënjestër vendet e përdorura nga grupet e milicisë të mbështetura nga Irani, përgjegjës për sulmet e fundit ndaj personelit amerikan në Irak“, tha të hënën në Zyrën Ovale, presidenti amerikan Joe Biden.

Sipas zëdhënësit të Pentagonit, John Kirby, objektet përdoreshin nga grupet e milicisë, duke përfshirë Kataeb Hezbollahun dhe Kataeb Sayyid al-Shuhada, dy fraksione ushtarake irakiane me lidhje të ngushta me Teheranin. Dy nga shënjestrat ishin brenda Sirisë dhe një në Irak.

Sulmet kundër trupave tona duhet të ndalen dhe për këtë arsye presidenti urdhëroi operacionin e mbrëmshëm në vetëmbrojtje të personelit tonë,” u tha gazetarëve sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Trupat amerikane në Irak janë sulmuar nga dronë tre herë në “pak më shumë se një muaj”, i tha Zërit të Amerikës gjeneral Frank McKenzie, kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së në një intervistë në Kajro më 15 qershor. Sulmet nuk shkaktuan viktima.

Në Irak ka shumë dronë. Disa prej tyre janë të vendit. Disa kanë ardhur nga Irani. Jemi të sigurt për këtë,” tha gjeneral McKenzie.

Zëdhënësja e Pentagonit, Komandante e Marinës Jessica McNulty shtoi të hënën se “milicitë e mbështetura nga Irani kanë kryer të paktën pesë sulme me mjete ajrore pa pilot të njëanshme kundër mjediseve të përdorura nga personeli i SHBA-së dhe koalicionit në Irak që nga prilli, si edhe sulme të vazhdueshme me raketa kundër SHBA-së dhe forcave të koalicionit “.

Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë konflikt me Iranin, por ne jemi të gatshëm të mbrojmë forcat tona në mbarë rajonin dhe për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi ose sulmi,” tha ajo.

Kryeministri irakian Mustafa al-Kadhimi dënoi të hënën sulmin ajror të Shteteve të Bashkuara në territorin e vendit të tij duke e quajtur atë një shkelje të sovranitetit kombëtar që bie ndesh me konventat ndërkombëtare. Ushtria e Irakut tha se vendi i saj nuk duhet të jetë një arenë “për të larë hesapet”.

Zonja Psaki vuri në dukje se SHBA pajtohet me një thirrje për ulje tensionesh nga kryeministri irakian por tha të hënën se administrata ndihej e sigurt tek “arsyetimi ligjor” i saj për goditjet.

Presidenti Biden ka qenë i qartë se ai do të veprojë për të mbrojtur personelin amerikan,” tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby në një deklaratë të dielën vonë, duke shtuar se sulmet ishin “të kufizuara“.

Sulmet me raketa dhe dronë kundër trupave të koalicionit kanë qenë të shpeshta që kur një sulm me dron në janar 2020 afër aeroportit të Bagdadit shkaktoi vdekjen e Qasem Soleimanit, udhëheqës i forcës elite iraniane, Quds. Udhëheqësi i milicisë irakiane Abu Mahdi al-Muhandis u vra gjithashtu në atë goditje.

Sulmet, shënojnë herën e dytë që Shtetet e Bashkuara ndërmarrin goditje ndaj milicive të mbështetura nga Irani në Siri, që kur presidenti Joe Biden mori detyrën

Në fund të shkurtit, SHBA vunë në shënjestër ndërtesa në Siri që i përkisnin asaj që Pentagoni tha se ishte milici e mbështetur nga Irani, përgjegjëse për sulmet kundër personelit amerikan dhe aleatëve në Irak.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të së hënës me ministrin e Jashtëm italian Luigi Di Maio në Romë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se SHBA ndërmori një “veprim të nevojshëm, të përshtatshëm, me qëllimin për të kufizuar rrezikun e përshkallëzimit ndërsa dërgonte një mesazh “të qartë” parandalimi.

voa

BE paralajmëron për përhapjen e variantit Delta të COVID-19

Nënpresidenti i Komisionit Evropian paralajmëroi të hënën se nuk duhet rënë në vetëkënaqësi në lidhje me pandeminë COVID-19 pasi varianti shumë infektues Delta, i zbuluar për herë të parë në Indi, vazhdon të përhapet në kontinent.

Gjatë një takimi të një komisioni parlamentar të Bashkimit Evropian, nënpresidenti i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas tha se një udhëzim i fundit nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) tregon se varianti Delta pritet të përbëjë 70% të të gjitha rasteve të reja në Evropë deri në gusht dhe 90% deri në fund të atij muaji.

Ai tha se skenarët e ECDC-së sugjerojnë se lehtësime të mëtejshme të kufizimeve të sigurisë së koronavirusit do të çonin në “një rritje të konsiderueshme të rasteve ditore në të gjitha grupmoshat me një rritje të shtrimeve në spital dhe ndoshta vdekjeve.”

Zoti Schinas shtoi se ai kishte dyshime në lidhje me vendimin që stadiumi Wembley i Londrës të mbante ndeshjen gjysmëfinale ose finale të kampionatit evropian të futbollit me kapacitet të lartë. Ai tha se duke pasur parasysh kufizimet e udhëtimit të Britanisë në lidhje me Evropën, “duhet të ketë një simetri mes këtyre vendimeve.”

“Mendoj se UEFA do të bënte mirë të analizonte me kujdes vendimin e saj,” shtoi ai.

Qeveria britanike ka thënë se stadium Wembley do të lejohet të zhvillojë gjysmëfinalet dhe finalet e Euro 2020-ës me të paktën 60,000 tifozë. Ministri i ri britanik i Shëndetësisë, Sajid David i tha Parlamentit të hënën se ai nuk sheh ndonjë arsye që qeveria të mos vazhdojë me planin e saj për të hequr të gjitha kufizimet në vend deri më 19 korrik.

voa

Nesher Ramla, hallka që shpjegon evolimin e njeriut

Shkencëtarët izraelitë njoftuan se kanë zbuluar një paraardhës të njeriut modern, të panjohur më parë. Zbulimi, thonë antropologët, po hedh dritë të re mbi procesin e evolimit të njeriut:

Zbulimi që ka entuziazmuar shkencëtarët është një kockë e fosilizuar e gjetur në Izraelin qendror. Shkencëtarët thonë se kocka, pjesë e nofullës së poshtme, i përkiste një paraardhësi të njeriut modern që ka jetuar 130,000 vjet më parë.

Zbulimi u raportua nga revista Science ku thuhet se specia parahistorike është pagëzuar Nesher Ramla Homo, duke marrë emrin e vendit ku u gjend kocka.

“Zbulimi i kësaj qenieje të re njerëzore ka rëndësi të madhe shkencore,” tha Israel Hershkovitz i Universitetit të Tel Avivit.

“Ky zbulim na ndihmon të kuptojmë fosilet e gjetura më parë, të cilat janë si copëzat e një panorame të paplotësuar të evolimit të njeriut. Tani po kuptojmë migrimin e njeriut nëpër botë në kohët parahistorike,” thotë Hila May, antropologe në Universitetin e Tel Avivit.

Dr Yossi Zaidner i Universitetit Hebraik e zbuloi fosilen gjatë eksplorimit të një zone minerare pranë qytetit Ramla, ku u zbuluan edhe kocka kuajsh e dreri si dhe vegla pune.

Sipas shkencëtarëve, kjo çon në përfundimin se Nesher Ramla, megjithëse më pak i evoluar se njeriut modern, mund të ketë bashkekzistuar dhe është kryqëzuar me të për më shumë se 100,000 vjet.

Sipas studiuesve, Nesher Ramla u përngjan specieve neandertale të njeriut të lashtë, që e kishin origjinën në Evropë.

“Prandaj kemi dalë me teorinë se Nesher Ramla i përket një grupimi të madh speciesh të njeriut parahistorik, nga të cilat rodhën neandertalët,” thotë Hila May, antropologe në Universitetin e Tel Avivit.

Ekspertët nuk kanë arritur të shpjegojnë përfundimisht përse gjene të njeriut modern homo sapiens janë gjetur në paraardhësit e tij më të lashtë, neandertalë, tha zonja May, duke shtuar se ekzistenca e Nesher Ramlas mund të ketë qenë hallka lidhëse mes këtyre dy popullatave.

Kocka e gjetur u analizua nga katalogët kompiuterikë gjë që vërtetoi se bëhej fjalë për një grupim të njeriut të lashtë të panjohur më parë dhe hedh dritë të re mbi procesin e evolimit të njeriut.

voa

Albin Kurti në lidhje me raportit me Serbinë, potencon katër qëndrime të rëndësishme për ecjen përpara…

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.Fjala e Albin Kurtit në mbledhjen e XLIV të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
… Sa i përket politikës së jashtme, Kosova është duke zhvilluar një diplomaci intensive dhe shumë më cilësore se në vitet e shkuara. Kurrë nuk ka pasur për vetëm tre muaj më shumë vizita të udhëheqësve ndërkombëtarë e kryediplomatëve nga jashtë, si dhe pritje jashtë vendit të Presidentes Osmani, Kryeparlamentarit Konjufca, Kryeministrit, Ministres së Jashtme Gërvalla dhe qeverisë së Kosovës në përgjithësi. Së fundmi unë u prita nga presidenti i Francës Macron, patëm në Kosovë mysafir ministrin e jashtëm të Italisë Di Maio, kryeparlamentari Konjufca ka vizituar kryetarin e Bundestagut Schauble, kemi qenë në takime në Vjenë e Bruksel, dhe jemi duke zhvilluar një partneritet edhe më të fortë me ShBA-të, ku së fundmi kemi biseduar me ta për një kontratë për blerjen e dronëve dhe armatimit të teknologjisë së fundit për ushtrinë e Kosovës. Kosova është një shtet i përkushtuar për paqe, demokraci dhe fqinjësi të mirë, dhe duke mbajtur parasysh vetëm këto principe, ne do të ecim krah për krah me aleatët e partnerët tanë në rrugën e integrimit veriatlantik dhe evropian.
Sa i përket raportit me Serbinë, ju të gjithë tashmë i dini katër propozimet të cilat i kemi dhënë më herët, e që janë theksuar edhe nga takimi i 15 qershorit në Bruksel. Por sot me lejoni të potencojë katër qëndrime të rëndësishme për ecjen përpara.
Të gjithë e dimë kërkesën për marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme. Për neve marrëveshje përfundimtare është ajo që nuk e ndan njohjen nga Serbia prej ulëses në OKB për Kosovën. Pra, një marrëveshje e cila ka vetëm njohjen nga Serbia por që nuk pasohet nga ulësja në OKB, ose ofron ulëse në OKB si zëvendësim për njohje nga Serbia, mund të jetë marrëveshje, por nuk mund të jetë përfundimtare.
Dhe, marrëveshja është ligjërisht e obligueshme, nga pikëpamja e bindja jonë, atëherë kur ajo ka formën dhe përmbajtjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare, sipas kërkesave dhe qëllimeve të Konventës të Vjenës për Ligjin mbi Traktatet.
E treta, po bëhen 23 vjet bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gati gjysma e kësaj periudhe nën ndërmjetësimin apo lehtësimin BE-së. Nuk mund të vazhdojmë pafundësisht, por, duhet ta dinë qysh në fillim që dialogu, bisedimet, nuk janë për statusin e Kosovës, por për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e që duhet të bazohet në barazi dhe reciprocitet, e tillë çfarë është edhe njohja e ndërsjelltë.
Dhe, e katërta, pavarësia që e kemi është kompromis. Pavarësinë nuk e kemi shpallur vitin e kaluar, por para 13 viteve dhe 4 vitet e para pavarësia e kishte Piter Faith-in sipër si autoritet sovran, ndërkaq tash e 13 vjet e ka Ahtisarin brenda, këtij kompromisi që është dashur ta sjell një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por që nuk ndodhi asnjëherë… ka deklaruar Kurti në takimin, sipas fjalimit që e ka publikuar në Facebook.
Këto katër qëndrime që i potencova sot sigurisht se janë udhërrëfyes të vlefshëm për ecjen e drejtë dhe të mirë përpara…

Kurti e Çanak diskutojnë për të pagjeturit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti me kryetarin e Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak.Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak, janë pajtuar të hënën se Serbia duhet t’i hapë arkivat, si dhe të japë më shumë informacione për varrezat masive, që dyshohet se janë në këtë shtet.

Sipas një komunikate për media nga kryeministria, Kurti është cituar të ketë thënë se Kosova ka 1632 persona të pagjetur, dhe se Qeveria e Kosovës është duke punuar për t’i gjetur trupat e tyre, pavarësisht etnisë.

Çanak, ka pikëpamje ndryshe lidhur me Kosovën, në krahasim me autoritetet serbe, dhe e pranon pavarësinë e Kosovës.

Prandaj, ai ka vizituar Kosovën bashkë me djalin dhe nipin e tij, pasi sipas tij, politika shtetërore e Serbisë, po ia paraqet të vërtetën popullit në Serbi.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6,500 persona.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Gërmimet e fundit janë bërë muajin e kaluar në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi.

Institucionet e Kosovës kanë bërë të ditur se në këtë lokacion janë gjetur mbetjet mortore të nëntë kosovarëve, të vrarë gjatës luftës.

Kryesuesi i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e të pagjeturve, Ibrahim Makolli, ka thënë në atë rast se hapja e arkivave ushtarake dhe policore në Serbi mund të ndihmojë në identifikimin e varrezave të tjera masive në Serbi.

rel

KURTI: S’KA MË MINI-SCHENGEN, RAMA, VUÇIQI DHE ZAEVI VAZHDOJNË PROJEKTIN

rama vucic zaevKryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të marrë pjesë nesër përmes një paraqitje me video në një konferencë për “mini Schengenin”. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq si dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, do të marrin pjesë gjithashtu në takim.

Rama, Vuçiq dhe Zaev e kishin nënshkruar një deklaratë në Novi Sad të Serbisë në tetor të vitit 2019 mbi krijimin e një “mini-Schengeni” midis tre vendeve. Një ftesë për t’u bashkuar në këtë iniciativë u dërgua edhe në Kosovë, Mal të Zi dhe Boznje.

Si rezultat i marrëveshjes brenda këtij projekti, nga fillimi i këtij viti, nga Shqipëria në Serbi dhe anasjelltas mund të kalohet vetëm me kartë identiteti.

Kosova u zotua në marrëveshjen e Washingtonit për t’iu bashkuar iniciativës së “mini-Schengenit”, por Albin Kurti, kryeministri aktual i Kosovës, që nga fillimi e ka pozicionuar veten si kritik i mprehtë i këtij projekti. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është në të njëjtën linjë.

Në Samitin e fundit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Kurti madje deklaroi se “mini-Schengeni” nuk ekziston më.

“Nuk ka më mini-Schengen, ka treg të përbashkët rajonal dhe këtë e ka marrë Procesi i Berlinit, që do ta ketë takimin e radhës në gjysmën e parë të korrikut”, ishte shprehur Kurti, raporton REL.

rtk