Nga mungesa e dozave tek vaksinimi masiv, ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut: Ja kur mund të lajmërojmë fundin e pandemisë

Screenshot 2Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe paralajmëron se së shpejti në vendin e tij do të fillojë vaksinimi masiv.

Me ardhjen e 600 mijë dozave, shumica nga Sinovac, tashmë Maqedonia e Veriut mund të fillojë një fushatë të gjerë imunizimi në popullatë ndaj COVID-19.

Ndërkohë ai ka thënë se që të vijë fundi i pandemisë, duhen dy cikle me nga 14 ditë pa asnjë rast me COVID-19.

Nëse ndodh, atëhere Filipçe thotë se në gusht ose shtator mund të lajmërohet fundi i pandemisë së COVID-19.

“Që të lajmërohet fundi I epidemisë duhet dy cikle nga 14 ditë të mos ketë raste të diagnostikuar dhe ka disa parashikime tek ne se si kjo të ndodhë nëse numrat vazhdojnë të jenë me këtë trend dhe ajo do të kishte ndodhur diku në muajin gusht, ose ndoshta në fillim të muajit shtator. Spitalet praktikisht janë të zbrazëta, shumë pak pacientë shërohen në Klinikën Infektive, nën 10. Gjatë 24 orëve të fundit asnjë pacient nuk ishte paraqitur në Klinikë me simptome të Kovid 19”- deklaroi Venko Filipce, Ministër I Shëndetësisë.

 

 

(BalkanWeb)

Afrika e Jugut drejt një vale të re më të ashpër të COVID-it

Afrika e Jugut po lufton me një “valë të tretë” të fortë të koronavirusit. Situata ka nxitur Presidentin Cyril Ramaphosa të shpallë një sërë kufizimesh të reja, në një përpjekje për të frenuar përhapjen e variantit shumë ngjitës “Delta”.

Në një deklaratë në televizionin kombëtar të dielën vonë në mbrëmje presidenti tha se ky variant është gjetur në pesë nga nëntë provincat e vendit.

Ai tha se “përhapja e shpejtë e variantit Delta është një çështje jashtëzakonisht serioze” që kërkon “masa paraprake shtesë”.

Masa përfshijnë ndalimin e të gjitha grumbullimeve, mbylljen e shkollave, ndalimin e shitjes së alkoolit dhe ngrënien në restorante, kufizime më të ashpra për daljen nga shtëpia të popullatës dhe ndëshkime më të rreptë për shkelësit e ligjit.

Për provincën më të prekur, Gauteng-un presidenti njoftoi një ndalim 14-ditor të udhëtimeve për qëllime argëtimi.

Që nga fillimi i pandemisë, Afrika e Jugut, epiqendra e koronavirusit në kontinent, ka raportuar më shumë se 1.9 milionë raste me COVID-19 dhe rreth 60 mijë vdekje. Instituti Kombëtar për Sëmundjet Ngjitëse njoftoi në dy ditët e fundit rreth 25 mijë raste të reja me koronavirus.

Presidenti Ramaphosa tha se vendi ndodhet “nën kthetrat e një vale shkatërruese që ka të gjitha shenjat se do të jetë më keq sesa dy valë të tjera që kanë goditur vendin më parë”.

Reagimi ndaj njoftimit të presidentit ishte sipas linjave partiake, ndërsa partia në pushtet, Kongresi Kombëtar Afrikan, shprehu mbështetje, opozita kritikoi reagimin e qeverisë ndaj pandemisë.

voa

Tiranë: “Të luftohet korrupsioni”. Dhoma Amerikane, raport me 40 rekomandime për klimën e biznesit

Dhoma Amerikane e Tregtisë publikoi sot Raportin mbi Agjendën e Investimeve dhe 40 Rekomandime mbi Përmirësimin e Klimës së Biznesit në Shqipëri.

Raporti u përgatit pas intervistimit të 220 bizneseve shqiptare dhe ndërkombëtare mbi punën dhe vështirësitë e tyre konkrete në terren.

Në raport thuhet se rasti kur një investues amerikan i profilit të lartë nuk mundi të investonte në aeroportin kryesor të Shqipërisë, nxori në dritë problemet e mëdha me zbatimin e kontratave.

Shqipëria zbriti 19 pikë në renditjen e Bankës Botërore, sipas Raportit të saj “Bëj Biznes”, duke humbur terren përballë ekonomive konkurruese rajonale.

Ndërkohë, në Indeksi Vjetor i Biznesit të AmCham besueshmëria ra me 5 pikë përqindje – rënia më e madhe e besimit të komunitetit të AmCham në tetë vjet.

Këto tre zhvillime e shtynë AmCham të rendiste 40 rekomandime autoriteteve shqiptare për të përmirësuar konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe përmirësimin e klimës së biznesit. Më kryesori sipas saj, është hartimi i një strategjie për të tërhequr investimet e huaja direkte në sektorët strategjikë të ekonomisë, dhe vëzhgimi i saj nga nivelet më të larta të qeverisë. Kjo nevojitet për të fuqizuar këta sektorë, për të ngritur infrastrukturën mbështetëse, për të reduktuar përqëndrimin e tregut dhe proceset e paefektshme

“Zhvillimi dhe zbatimi i një programi efektiv kundër korrupsionit, për të ndërtuar besimin e publikut përmes luftës pa kompromis ndaj kësaj dukurie me masa ndëshkuese dhe me transparencë. Po ashtu nevojitet rritja e transaprencës dhe një sistem i hapur i prokurimeve publike larg ndikimeve politike” – thuhet në Raportin e Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Mes kërkesave të tjera janë edhe konsultimet publike me qytetarët dhe investuesit, një sistem modern taksash, për të rritur konkurrueshmërinë dhe investimet atraktive, rritja e eksporteve shqiptare ne tregjet ndërkombëtare, zhvendosja nga ekonomia e parave cash tek economia digjitale si dhe trajnimi i punëtorëve në botën post-pandemike.

AmCham kreu vitin e fundit një seri vëzhgimesh dhe analiza me ekspertë për të parë klimën e investimeve dhe të biznesit në Shqipëri. “Sfidat e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian, janë po aq të mëdha sa edhe mundësitë e gjera për t’u shfrytëzuar”, thuhet në raport.

Nga një anë, vëzhgimet e komunitetit të biznesit, që konfirmohen edhe nga raporte të besueshme ndërkombëtare, flasin për një klimë biznesi joefektive dhe të shtrenjtë në Shqipëri, vështirësi u përkeqësuan gjatë periudhës së pandemisë.

Por nga ana tjetër, Shqipëria ka vend-ndodhje dhe burime natyrore si dhe një fuqi punëtore të talentuar.

“Hapat e reja drejt BE-së dhe marrëveshja e fundit ekonomike me SHBA-të ofrojnë mundësi unike e të mëdha në periudhë afatgjatë” – theksohet në raport.

Dhoma Amerikane e Tregtisë deklaroi në konferencën vjetore të pranverës se presioni i efekteve të pandemisë mbi bizneset është i jashtëzakonshëm, në klimën problematike të biznesit komuniteti i investitorëve ka mungesë besimi, ndërsa korrupsioni, kërcënimi më i madh për të ardhmen ekonomike të Shqipërisë.

“Asnjë nga mundësitë për zhvillim dhe biznes që ofron vendi nuk do të japë frytet e pritshme pa luftuar korrupsionin, që është një nga 3 pengesat më të mëdha të qarqeve të biznesit” – tha në mars Presidenti i AmCham, Enio Jaço.

Dhoma Amerikane e Tregtisë vlerësoi se mundësitë për rritjen ekonomike të Shqipërisë janë të shumta, por duhet përmirësuar klima dhe besimi i komunitetit të bizneseve, duke përfituar nga pozicioni strategjik në rajon.

voa

Shtetet e Bashkuara kryen sulme ajrore ne kufirin Siri – Irak

Sulmet amerikane në Sirinë lindore pranë kufirit me Irakun, vranë të paktën pesë luftëtarë të milicisë të mbështetur nga Irani.

Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër, thanë se disa pjesëtarë të milicisë së mbështetur nga Irani janë plagosur po ashtu, gjatë sulmit të avionëve amerikanë në pjesën siriane të kufirit.

Vëzhguesit e kësaj organizate që mbështeten në një rrjet burimesh brenda Sirisë për të mbledhur informacion, thanë se në mesin e objektivave të goditura ishin edhe pozicionet ushtarake.

Agjencia shtetërore e lajmeve SANA e Sirisë tha se një fëmijë u vra dhe të paktën tre persona të tjerë u plagosën.

Sulmet, të konfirmuara me një deklaratë nga Pentagoni, shënojnë sulmin e dytë të tillë të Shteteve të Bashkuara ndaj milicive të mbështetura nga Irani në Siri, që kur presidenti Joe Biden mori detyrën

Pentagoni tha se sulmet vunë në shënjestër caqe operacionale dhe depo armatimesh në Siri dhe Irak.

Sipas Pentagonit, objektet përdoreshin nga grupet e milicisë, duke përfshirë Kataeb Hezbollahun dhe Kataeb Sayyid al-Shuhada, dy fraksione ushtarake irakiane me lidhje të ngushta me Teheranin.

“Këto objekte përdoren nga milicitë e mbështetura nga Irani të cilat janë të përfshira në sulme me mjete ajrore pa pilot kundër personelit dhe strukturave amerikane në Irak”, tha zëdhënësi i Pentagonit John Kirby.

Interesat amerikane në Irak janë vënë nën sulme të përsëritura muajt e fundit, ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdimisht fajësojnë fraksionet Irakiane të lidhura me Iranin.

Në muajin shkurt, sulmet amerikane në Sirinë lindore ndaj objekteve të përdorura nga grupet e milicisë të mbështetura nga Irani lanë pas vetes më shumë se 20 luftëtarë të vrarë.

Pentagoni tha se sulmet ishin hakmarrje për një sulm me raketa në Irak që vrau një kontraktor civil dhe plagosi një pjesëtar të shërbimit amerikan dhe trupa të tjerë të koalicionit.

voa

A po vëzhgojnë planetet e tjera Tokën?

GalaksiaA e keni ndonjëherë ndjenjën sikur dikush po ju shikon? Kjo gjë edhe mund të bëhet nga dikush që ndodhet shumë më larg seç mund ta mendoni. Shkencëtarët kanë zbuluar pjesë të galaksisë sonë nga ku mund të vëzhgohet Toka… Pyetja është nëse ekziston jetë inteligjente që është duke na vrojtuar.

Eksplorimi i hapësirës tregon etjen e njerëzimit për të kërkuar botë të largëta dhe për të mësuar më shumë rreth gjithësisë.

Po sikur në gjithësi të ekzistojnë forma jete që po bëjnë të njëjtën gjë? Astronomët kanë gjetur yje në galaksinë tonë nga mund të shihet Toka.

Ata shfrytëzuan një teknikë që përdoret për të kërkuar nëse ekziston jeta në planete të tjera dhe e kthyen nga ana tjetër, pra jo më për të parë çfarë ka atje, por duke u përpjekur të gjejnë se nga cilat objekte të gjithësisë shihet Toka.

Astronomët përdorën teleskopin hapësinor Gaia të Agjencisë Evropiane të Hapësirës për të kryer rrotullimin, duke kërkuar përgjigjen se cilat sisteme diellore mund ta shohin Tokën ndërsa kalon para diellit.

Përgjigja është se ekzistojnë shumë…

Sipas përllogaritjeve të shkencëtarëve del se ekzistojnë 1,715 yje në galaksinë tonë dhe qindra planete të mundshme si Toka që sillen në orbitë rrotull këtyre yjeve, që kanë pasur pamje të papenguar të Tokës, thuhet në një studim të publikuar të mërkurën në revistën “Nature”.

Kjo pjesë e galaksisë nuk është vendi ku ne kërkojmë planete të tjera, sepse është pjesë shumë e ngarkuar për të cilën nuk kemi njohuri aq sa kemi në lidhje me pjesët e tjera të gjithësisë. Por punimi ynë në thelb u jep njerëzve një arsye vërtet të mirë për të shikuar në atë drejtim. Gjithçka bazohet në idenë e vjetër të kërkimit të jetës inteligjente jashtëtokësore, e cila beson se nëse ata na kanë gjetur tashmë, mund të jenë duke na dërguar sinjale”, thotë Lisa Kaltenegger, autore e studimit nga instituti “Carl Sagan”, Universiteti “Cornell”.

Shkencëtarët analizuan 331,313 yje që ndodhen më pak se 326 vite dritë nga Toka. Një vit-drite është 5.9 trilionë milje.

Këndi prej nga mund të shihet Toka duke kaluar para diellit është aq i ngushtë, sa që vetëm 1,715 yje mund ta shohin Tokën në një moment në 5 mijë vitet e fundit, përfshirë 313 që nuk mund të na shohin më për shkak të ndryshimit të pamjes.

319 yje të tjera mund ta shohin Tokën në 5 mijë vitet e ardhshme, duke çuar në 2 mijë totalin e sistemeve diellore me pamje të Tokës.

Disa përfshijnë sisteme yjesh ku shkencëtarët tashmë kanë hasur në planete të ngjashme me Tokën, që cilësohen si kandidatë kryesorë për kontakt.

Zonja Kaltengger thotë se ekziston një sistem në të cilin ka shprea të mëdha.

TRAPPIST-1 është gjithmonë një nga favoritët, sepse ka katër planetëe në zonën e banueshme me madhësi të Tokës. Ende nuk mund të na shohë ne. Kjo është diçka shumë interesante për atë sistem. Sepse ne mund ta shohim atë, por… ata mund të na shohin vetëm pas rreth 1 mijë e 600 vitesh”, tha ajo.

Nëse në TRAPPIST-1 ka jetë jashtëtokësore, duhet shumë kohë që ata ta kuptojnë ekzistencën tonë.

Por, a duhet të përpiqemi të kontaktojmë me këto sisteme diellore duke shprehuar se ekziston dikush që dëgjon mesazhet tona?

Disa ekspertë, përfshirë edhe Stephen Hawking, paralajmërojnë që të shmanget kontakti me të huajt sepse ata mund të na shkatërrojnë.

Por zonja Kaltenegger thotë se nuk ka rëndësi. Nëse ato planete kanë jetë të përparuar, ata tashmë e dinë ekzistencën tonë.

Qysh para dy miliardë vitesh, ju mund ta dini se ka jetë në planet për shkak të bio-nënshrkimeve, për shkak të oksigjenit që ne thithim, apo jo? Pra është e pamundur të fshihemi. Pavarësisht nëse dërgojmë ose jo sinjale, ata mund ta dinë se në këtë planet ka jetë, Nëse kemi frikë se do të vijnë qenie jashtëtokësore të na shkatërrojnë, në fakt po pranojmë se janë një shoqëri me teknologji aq të përparuar saqë të përshkojë këtë distancë të madhe”.

Nëse ata ekzistojnë, përse nuk na kanë kontaktuar?

Duhet kohë e gjatë për dërgimin e mesazheve dhe udhëtimin e organizmave mes sistemeve diellore ndërsa qytetërimet mund të mos kenë jetëgjatësi aq të madhe.

Ndoshta jeta në gjithësi është e rrallë. Ndoshta kurioziteti është një karakteristikë unike e njeriut.

Përkundër dilemave, shkencëtarët vazhdojnë të shpresojnë që diku atje, forma të tjera jete po mundohen të kontaktojnë njerëzimin.

voa

Krijimi i imazheve të njerëzve me teknologjinë e inteligjencës artificiale

Imazhet dixhitale të individëve që nuk ekzistojnë, në dukje reale, po shiten në internet në sasi të mëdha, me mijëra. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Deana Mitchell i hedh një vështrim këtij fenomeni dhe problemeve që mund të krijojë.

Këto fytyra, të krijuara nga inteligjenca artificiale, janë produkt i Generated.Photos, një kompani që shet fytyra njerëzish, të cilat përdoren nga kompanitë e video-lojrave për të krijuar personazhe më realiste dhe biznese të tjera që kërkojnë koleksione imazhesh.

“Programi ynë ka aftësinë të mësojë se si të krijojë imazhe që u ngjajnë njerëzve, e di se ku duhet të vendoset hunda, sa sy kanë njerëzit dhe modelin e flokëve. Bazuar në këtë njohuri, programi pastaj mund të krijojë në mënyrë të pavarur portretet”, thotë Ivan Braun, themelues i kompanisë Generated.Photos.

Kompania e zotit Braun ka sinkronizuar mijëra fotografi reale të njerëzve me programin e disponueshëm për publikun të kompanisë së grafikave kompjuterike, Nvidia për të krijuar një bazë të të dhënave me më shumë se 2.5 milionë fytyra të krijuara me teknologjinë e inteligjencës artificiale.

Ivan Braun thotë se qëllimi i tij fillestar ishte thjesht ulja e kostos së punës nga punësimi i fotografëve, modeleve, parukierëve, një aspiratë mjaft e thjeshtë.

Por në mungesë të rregulloreve mbi këtë praktikë, fytyrat e sajuara kanë filluar të bëhen një burim i lehtë mashtrimi.

Ka shenja në disa imazhe që tregojnë se ato janë fytyra të krijuara nga kompjuteri, njolla të çuditshme, vathë që nuk kombinojnë ose hije afër vijës së flokëve.

Por profesori i Universitetit të Kalifornisë në Berkley, Hany Farid, ekspert në zbulimin e imazheve të rreme, thotë se mënyra më e mirë për të shmangur përpjekjet e mashtrimit është të jesh i vetëdijshëm për klikimet që bën në internet.

“Ekziston një virus dhe ekziston një sëmundje e dezinformimit. Por ju jeni pjesë e problemit. Ju mund ta përhapni atë kur ju pëlqeni, ndani dhe ripostoni një gjë të tillë pa u menduar mirë. Ju jeni bartës i kësaj epidemie”, thotë ai.

Zoti Braun është i vetëdijshëm që imazhet e tij mund të përdoren për të mashtruar njerëzit.

Kështu që kompania e tij po ndan të dhënat e saj me disa kompani të mediave sociale për t’i ndihmuar ata t’i diktojnë rastet kur përdoren imazhet e krijuara nga inteligjenca artificiale.

Aplikimi i tyre i më i ri quhet anonimizuesi. Aty ju mund të ngarkoni një fotografi tuajën dhe programi pastaj nxjerr një larmi fytyrash me ndryshime të vogla nga fortografia juaj, duke e bërë më të vështirë deshifrimin e një fotografie reale nga një imazh i krijuar nga inteligjenca artificiale.

voa

Doza e tretë e vaksinës AstraZeneca rrit ndjeshëm imunitetin ndaj koronavirusit

Një dozë e tretë “përforcuese” e vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit ofron një reagim të fortë imuniteti, tregon një studim i Universitetit të Oksfordit, i botuar të hënën. Ekspertët thonë se deri tani nuk ka shenja se do të jetë e nevojshme një dozë e tretë.Vaksina është rezultat i një bashkëpunimi mes Universitetit të Oksfordit dhe firmës AstraZeneca

Një studimi i Universitetit të Oksfordit tregon se një dozë e tretë e vaksinës forcon reagimin e antitrupave dhe qelizave T, ndërsa doza e dytë mund të shtyhet deri në 45 javë dhe po ashtu çon në përmirësime të mira të sistemit imunitar. Teresa Lambe është profesore e imunologjisë dhe vaksinave në Universitetin e Oksfordit.

“Të dhënat sugjerojnë se mund ta përdorim vaksinën në një fushatë përforcuese nëse do të ishte e nevojshme”.

Qeveria Britanike ka thënë se po shqyrton planet për një fushatë vaksinash përforcuese në vjeshtë, ndërsa tre të pestat e të rriturve tashmë kanë marrë të dyja dozat e vaksinës kundër koronavirusit.

“Të dhënat për efikasitetin po tregojnë se këto vaksina kanë ndikim të madh duke parandaluar shtrimin në spital. Ka shumë vende të botës që ende nuk kanë marrë asnjë dozë ndaj këto vaksina duhet të shkojnë tek ato vende. Për momemntin nuk kemi të dhëna që do të na nevojitet një dozë e tretë”, thotë Teresa Lambe, profesoreshë e imunologjisë dhe vaksinave në Universitetin e Oksfordit.

Studimet e mëparshme kishin treguar se vaksina AstraZeneca, e krijuar nga Universiteti i Oksfordit, ka efikasitet më të lartë kur doza e dytë shtyhet me 12 javë, në vend të katër javëve.

Hulumtimi i bërë publik të hënën, u bazua në prova me 30 pjesëmarrës të cilët morën një dozë të dytë të vonuar dhe 90 të tjerë, që morën një dozë të tretë të vaksinës.

“Po vëmë re se doza e tretë e vaksinës e rrit nivelin e antitrupave edhe më lart se niveli që vihet re pas dozës së dytë”, thotë zonja Lambe, profesore në Universitetin e Oksfordit.

Të dhënat kanë treguar se dy dozat ofrojnë mbrojtje të mirë kundër sëmundjeve të rënda të shkaktuara nga varianti Alfa i virusit i cili nxiti një valë të dytë infektimesh në Britani dhe variantit Delta i cili dominon aktualisht.

Gjatë fundjavës, Universiteti i Oxfordit nisi një provë të një varianti të vaksinës që ka prodhuar vetë kundër koronavirusit e cila është modifikuar për të vepruar më mirë ndaj variantin Beta, i identifikuar së pari në Afrikën e Jugut. Ky variant është më shqetësuesi për prodhuesit e vaskinës si rezultat i mundësisë për t’iu shmangur sistemit imunitar.

voa

Vaksina ka mjaft, të gjithë të paraqiturit do të marrin termine dhe do të vaksinohen deri më 15 korrik

Nga e hëna, në dy javët në vijim do të vaksinohen të gjithë qytetarët të cilët janë paraqitur. Lista është reviduar dhe ata do të marrin termine dhe deri më 15 korrik do të vaksinohen. Arrijnë vaksina për 300.000 qytetar dhe ka numër të mjaftueshëm. Do të vaksinohen edhe mësimdhënësit dhe të punësuarit në institucionet arsimore. Pasi që të vaksinohen ata që janë paraqitur, pikat do të mbeten të hapura për vaksinim të qytetarëve.

Këtë e theksoi ministri I Shëndetësisë, Venko Filipçe sot duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, duke konfirmuar se pasdite arrijnë vaksinat nga kompania “Fajzer”.

“Lista është reviduar, që do të thotë pa dallim se kur janë paraqitur qytetarët, duke filluar nga e hëna, të gjithë do të marrin termine në periudhë prej dy javëve. Nga e hëna, në dy javët në vijim do të vaksinohen edhe të paraqiturit më të rinj, por përparësi do të kenë më të moshuarit”, theksoi Filipçe.

Ai shtoi se të gjitha vaksinat do të distribuohen. Vaksinat e kompanisë Fajzer do të distribuohen drejt tetë qendrave të mëdha për imunizim për shkak të mundësisë për ruajtje në frigoriferë, ndërsa vaksinat e kompanisë Sinovak edhe në qendrat e mëdha edhe në të voglat.

“Tani arrijnë vaksina për 300.000 qytetarë, ndërkaq do të intensifikohet edhe fushata. P e përgatisim edhe sistemin për vaksinim në terren I cili do të fillojë më 15 korrik”, tha ministri I cili pret se do të rritet vetëdijesimi për imunizim dhe se numër I madh I qytetarëve do të vaksinohen.

Theksoi se tani për tani vaksinimi nuk do të jetë I detyrueshëm, sepse ide të tillë nuk ka në Komisionin për sëmundje ngjitëse dhe se shembull të tillë nuk ka në botë, por se duhet të vaksinohen numër sa më I madh I qytetarëve.

“Vaksina ka mjaftueshëm, nga javët e ardhshme do të arrijnë Brenda një jave nga 70 deri 100 mijë dhe ato janë sasitë e parapara të nevojshme nga korriku deri në fillim të tetorit”, tha ministri.

Përsëriti se mbetet në qëndrimin se Astra Zeneka t’u jepet vetëm personave mbi 60 vjeç dhe se të gjithë ata të cilët morën Astra Zeneka në vendin tonë kanë termin të caktuar për rivaksinim dhe ka sasi të siguruara.

Nuk ka grup të qytetarëve për të cilët nuk është siguruar rivaksinim edhe në momentin kur e pranuan vaksinën. Megjithatë, tani për tani nuk ka ndryshim në përbërjen profesionale. Megjithatë, Komisioni mbetet në atë vendim që ta pranojnë vetëm qytetarët më të moshuar”, sqaroi Filipçe.

Ministri tregoi për atë se sipas komunikimit të fundit këtë verë mbeten në qëndrimi që në hapësira të mbyllura të mos mbahen tubime massive, dhe se Komisioni mbledhje do të mbajë të hënën.

Drejtori i Institutit për shëndet publik, Shaban Memedi vlerësoi se numri I t[ë sëmurëve po pakësohet, që shkon në dobi të respektimit të masave të qytetarëve. Është vërejtur edhe ulje e numrit të të vdekurve.

koha

Izraeli rikthen maskat në ambiente të mbyllura

Tel Aviv, IzraelIzraeli riktheu kërkesën për të veshur maska në ambiente të mbyllura, pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus.

Shqetësimet u rritën pasi autoritetet shëndetësore regjistruan më shumë se 100 raste të reja ditore në disa ditë të njëpasnjëshme.

Shumica e tyre lidhen me variantin Delta dhe thuhet se janë importuar nga jashtë.

Izraeli është një nga vendet më të suksesshme në botë sa i përket trajtimit të pandemisë.

Ai ka zbatuar programin më të shpejtë të vaksinimit, duke imunizuar pjesërisht ose plotësisht më shumë se gjysmën e popullsisë.

Por, dhjetë ditë pas heqjes së detyrimit për maska, udhëheqësi i trajtimit të pandemisë në Izrael, Nachman Ash, tha se qytetarët duhet t’i veshin sërish ato në ambiente të mbyllura, për të frenuar rritjen e numrit të rasteve me koronavirus.

“Po shohim dyfishim [të rasteve] ditë pas dite”, tha Ash.

“Një tjetër gjë që është shqetësuese, është se infeksionet po përhapen”, shtoi ai.

Izraeli shtyu për një muaj edhe rihapjen e vendit për turistët e vaksinuar.

rel

Beteja juridike mes kishës e universitetit për tokën në kampus

Kisha ortodokse serbe Krishti Shpëtimtar, në kampusin e Universitetit të Prishtinës - 24 qershor 2021 Kanë mbetur edhe dy muaj deri kur Gjykata Themelore e Prishtinës, pritet të shqyrtojë çështjen se kush e ka të drejtën e shfrytëzimit të tokës mbi 4 hektarëshe, në kampusin e Universitetit të Prishtinës (UP), ku gjendet edhe një kishë ortodokse. Për këtë tokë do të përballen në gjykatë UP-ja dhe Kisha Ortodokse Serbe.

E rrethuar nga disa fakultete dhe pjesë të kampusit universitar, qëndron ndërtesa e papërfunduar e kishës ortodokse e quajtur Kisha e Krishtit Shpëtimtar.

Heshtja dhe zbrazëtia që e zotëron këtë strukturë, u thye më 10 qershor, kur u mbajt një liturgji nga Kisha Ortodokse Serbe, të cilën institucionet e Kosovës e quajtën “shkelje të rregullave të sigurisë publike”.

Se çfarë duhet të ndodhë me kishën dhe si duhet të shfrytëzohet toka e kontestuar, ka qenë subjekt i polemikave për një kohë të gjatë.

Studentët për kishën

Studentë të UP-së, konsiderojnë se problemet politike që e mbështjellin këtë çështje, po ua pamundësojnë të shfrytëzojnë në tërësi tokën që sipas tyre, do të duhej t’i takonte universitetit.

Donat Prekopuca, student i Fakultetit Juridik, tha se kisha e papërfunduar duhet të shërbejë për t’i pasqyruar krimet e luftës në Kosovë, të viteve 1998-99.

“Nuk mendoj që është e drejtë, qysh e di unë nuk ka as leje. Por nëse veç nuk rrënohet, mendoj që duhet me u bë ndonjë muze për t’i parë krimet e luftës, që janë bërë nga vet okupatori që e ka ndërtuar kishën”, tha ai.

Ndërkaq, Qëndresa Burrniku, studente e Fakultetit Filozofik, konsideron se objektet fetare të çfarëdo lloji nuk kanë vend afër ose brenda kampusit të universitetit.

“Unë mendoj që kisha nuk duhet të gjendet fare në oborre të fakulteteve. Thjesht ndonjë park ose diçka më atraktive, jo kishë ose xhami ose çfarëdo qoftë”, thekson ajo.

Mbajtja e liturgjisë në kishë në qershor, ishte konsideruar veprim politik edhe nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.

“Të organizosh liturgji politike, të bën kishë politike. Andaj në vend se të bashkojë njerëzit, ju inicioni konflikt”, kishte shkruar ai në Facebook.

Përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, nuk i janë përgjigjur kërkesës për koment lidhur me këtë çështje nga Radio Evropa e Lirë.

Megjithatë, përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, Igumeni Sava Janjiq në vitin 2015 kishte deklaruar se kjo kishë është legale dhe nuk është e Millosheviqit ashtu siç po portretizohet.

“Ne konsiderojmë se ajo nuk është kishë politike. Qëndrimi ynë është dhe ne e kemi përsëritur disa herë, se ne i kemi të gjitha dokumentet se kisha është bërë në mënyrë legale dhe se ajo nuk është kishë e Milosheviqit. Ai nuk e ka ndërtuar atë”, kishte thënë ai.
Me gjithë reagimet për liturgjinë në kishë, Milica Radovanoviq, studente e juridikut e cila gjithashtu punon në organizatën Iniciativa e Re Sociale në Mitrovicë të Veriut, mendon se askush nuk mund t’ia ndalojë përdorimin e tokës Kishës Ortodokse, pasi momentalisht ata janë pronarët ligjorë të kësaj parcele.

“Diçka që shpesh harrohet në Kosovë është se në këtë kohë, Kisha Ortodokse Serbe është pronarja ligjore e tokës në pajtim me legjislacionin në fuqi në Kosovë dhe ka të drejtë t’i përdorë tokën dhe objektin e ndërtuar në të. Gjykata e ka konfirmuar pronësinë e Kishës Ortodokse Serbe dy herë deri më tani dhe deri në fund të këtij gjykimi dhe ndoshta edhe pas tij, Kisha Ortodokse Serbe është pronare e plotë në pajtim me ligjin e Kosovës dhe e drejta e saj për të shfrytëzuar tokën, nuk duhet të vihet në pyetje”, tha ajo.

Gjyqi maratonik

Çështja e të drejtës së shfrytëzimit së tokës në kampusin universitar të UP-së, ka qenë objekt i gjykimit që nga viti 2012.

Universiteti i Prishtinës e kishte humbur gjyqin fillestar lidhur me këtë çështje, pasi dështuan të paraqiten në gjykatë në seancën për këtë kontest në vitin 2015.

Më pas, edhe Gjykata e Apelit në vitin 2017 i dha të drejtë kishës për pronësinë e tokës duke e hedhur poshtë padinë e UP-së.

Në po atë vit, universiteti inicioi një padi të re për të cilën nuk u mbajt asnjë seancë gjyqësore deri në fillim të vitit 2021.

Në seancën gjyqësore të mbajtur më 25 mars, përfaqësuesi ligjor i Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi kishte kërkuar shtyrjen e procesit me qëllim të grumbullimit të provave.

Kjo pasi sipas tij, në mungesë të dokumenteve të kadastratit për vitet e 90-ta, ka qenë e vështirë të grumbullohen provat që tregojnë se si toka kishte kaluar në shfrytëzim të kishës.

UP-ja në këtë rast, pretendon se tokën që është në pronësi të Komunës së Prishtinës, e ka pasur në shfrytëzim të lirë e të papenguar që nga viti 1975.

Kelmendi nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, lidhur me grumbullimin e këtyre provave, duke e quajtur “procesin të ndjeshëm”.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj teme, me keqardhje ju them që në këtë fazë nuk mund të japë asnjë informatë. Lënda është në proces gjyqësor, prandaj nuk duam që në asnjë mënyrë të interferohet në proces, ndoshta edhe të dëmtohet procesi”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga UP-ja.

Edhe pse çështja e tokës është cilësuar si problem edhe politik, deri më tani, qeveria dhe avokatia e shtetit, nuk janë përfshirë zyrtarisht në këtë çështje gjyqësore.

Sami Istrefi nga avokatia shtetërore, tha për Radion Evropa e Lirë se universitetin nuk e përfaqësojnë në gjykatë, por do të mund ta bënin këtë në rast të një kërkese të arsyetuar nga këta të fundit.

“Unë kam pasur një takim me sekretarin e universitetit, një prodekan dhe një avokat që e kanë angazhuar ata. Përjashto këtë takim konsultativ, asnjë takim tjetër as përfaqësim ose çështje tjetër nuk kemi pasur. Nuk kemi asnjë kërkesë me shkrim, përjashtimisht një takimi konsultativ dhe aty jemi munduar ta shpjegojmë të drejtën tonë pronësore në atë pjesë”, tha ai.

Lidhur me këtë proces, as përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë nuk i janë përgjigjur pyetjeve.

Kishë apo muze?

Struktura e papërfunduar e kishës që gjendet në tokën e kontestuar, u ndërtua në vitet e 90-ta, përkatësisht në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Në dhjetor të vitit 1992 janë vendosur themelet e kishës, ndërsa në fillim të vitit 1999, kjo kishë ishte ndërtuar deri në formën që e ka sot.

Historiani Jusuf Buxhovi, për Radion Evropa e Lirë, tha se kjo kishë është një ndër dëshmitë e pastra të regjimit të Beogradit, përkatësisht Millosheviqit në atë kohë.

Sipas tij, as gjyqi momentalisht në proces, nuk pritet të jetë në favor të UP-së.

“Kjo kishë nuk ka histori, është e dhunshme dhe në përputhje me këtë duhet të sillet edhe politika. Më duhet ta them se ky proces është i përfunduar fatkeqësisht në dëm të Universitetit të Prishtinës, sepse në 2017 nuk janë paraqitur në gjykatë.”

Studentë, studiues por edhe organizata jo qeveritare, tash e disa vite e kanë shtyrë idenë që kjo kishë të shndërrohet në një muze.

Sipas historianit Buxhovi, kjo do të ishte një zgjidhje e pranueshme por që do duhej të arrihej edhe me një marrëveshje mes nivelit politik në Kosovë dhe faktorit ndërkombëtar.

“Ndoshta me një marrëveshje mes Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, por edhe faktorëve tjerë, që ky objekt të paktën të kthehet në një muze të Kosovës, në një muze kulturor e të tjera por këto janë mundësi vetëm teorike”, tha ai.

rel