Diell dhe temperaturat mbeten të larta, njihuni me parashikimin e motit

shqiperi pushimeVendi ynë sot do të mbizotërohet nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash duke sjellë mot të qëndrueshëm dhe të nxehtë në të gjithë territorin.

Sipas Meteoalb, sot temperaturat do të kenë një rritje të ndjeshme ku do të variojnë: në zonat malore, nga 18°C në 30°C, në zonat e ulëta nga 22ºC në 39°C dhe në zonat bregdetare nga 24°C në 40°C.

Era do të fryjë në drejtim Verior- Veriperëndimor ndërsa forca e valëzimit në det do të jetë 3 ballë.

Kosova sot do të mbizotërohet nga alternime vranësirash dhe kthjellimesh të cilat do të sjellin mot kryesisht të qëndrueshëm. Temperaturat do të pësojnë një rritje të lehtë ku do të variojnë: në zonat malore nga 16°C në 27°C dhe në zonat e ulëta nga 20°C në 35°C.

Top Channel

Shqipëri, pastrimi i parave, ekspertët shqetësim për depërtimin në ekonomi

Money LaunderingShqipëria ka mangësi në luftën kundër pastrimit të parave dhe ndodhet në listën gri të Maneyval një strukturë e Këshillit të Europës për vlerësimin e masave kundër pastrimit të parave. Ky organizëm i kërkon qeverisë shqiptare, përmirësime në disa fusha që lidhen me uljen e informalitetit dhe monitorimin e parasë kesh në ekonomi. Ekspertët, bazuar në disa të dhëna indirekte, ngrenë dyshime se në disa sektorë si ndërtimi apo tregu i pasurive të paluajtshme pastrohen para. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së parandalimit të pastrimit të parave në një përqindje të lartë të rasteve të identifikuara, nuk dihet origjina e parave të pista dhe në 30% të rasteve që dihen ato vijnë nga trafikimi i lëndëve narkotike.

Shqipëria është renditur nga Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit, një strukturë e përhershme e Këshillit të Europës, e njohur me emrin MONEYVAL, në listën e vendeve që kanë mangësi në luftën kundër pastrimit të parave. Ndërsa sipas Departamentit amerikan të Shtetit “Shqipëria mbetet e ndjeshme ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare, me një ekonomi të madhe të parasë në dorë (kesh) dhe sektor informal të gjerë”. Sipas statistikave të autoriteteve të paradalimit të pastrimit të parave në 5 vitet e fundit në 67% të rasteve nuk dihet origjina e parave, dhe në 30% të rasteve që dihen, paratë vijnë nga trafikimi i lëndëve narkotike, që pasohet nga mashtrimi, korrupsioni kryesisht pasiv dhe shpërdorimi i detyrës.

Bazuar në disa analiza ekspertët ngrenë dyshime se një pjesë e mirë e parave të pista investohen në sektorë me ndikim në ekonomi si ndërtimi dhe tregu i pasurive të paluajtshme. Edhe në raportin e Drejtorisë së parandaimit të pastrimit të parave për vitin 2020, vihet re se nga raportimi i akviteteve të dyshimta mbizotërojnë tipologjitë që lidhen me blerje të pasurive të paluajtshme, transferta të dyshimta etj.

Sektori i ndërtimit është nga sektorët kryesorë të ekonomisë, duke zënë në 5 vitet e fundit rreth 9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Gjatë vitit të kaluar, si pasojë e krizës së shaktuar nga Pandemia e Covid-19, ndërsa ekonomia e vendit ra, sektori i ndërtimit shënoi një rritje të lehtë me 1.62% dhe ai i tregut të pasurive të paluajtshme u rrit ndjeshëm me 6.7%.

“Si është e mundur kur shumë sektorë të tjerë si bujqësia apo turizmi jetik për vendin, arritën të zvogëloheshin dhe ishin në kushtet e mbijetesës, ndërsa sektori i pasurive të paluajtshme pati një rritje. Ky është një indikator, që tregon faktin se këto ndërtime po përdoren si një mënyrë e paligjshme e parkimit dhe e ruajtjes së parave të pista”, thotë për Zërin e Amerikës Fatjona Mejdini Kordinatorja e Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, për Ballkanin.

Por edhe pse në raportet e Drejtorisë së Paradalimit të Pastrimit të Parave, tregu i pasurive të paluajtshme veçohet me risk për pastrimin e parave, zyrtarët i hedhin poshtë këto argumenta duke sjellë një qasje tjetër. Rritjen e tij ata e lidhin me disa politika favorizuese të bankave, që sipas tyre i shtyn qytetarët në blerjen e pasurive të paluajtshme përmes kredive.

“Nuk duhet të bëjmë gabimin që të lidhim ecurinë e disa tregjeve që kanë faktorë të tjerë kryesor makro që ndikojnë në to, me ecurinë e parasë kriminale. Për paranë kriminale ne nuk kemi kontabilitet që të mbajmë shënim, sa para krimianle është futur dhe ka lëvizur. Bankat kanë ulur interesin që aplikojnë për kredidhënien dhe për njerëzit është më e lirë të blejnë pasuri të patundshme. Dhe po të shohësh trendin për kredidhënie për pasuri të patundshme, me tregun e pasurive të patundshme, kanë një korrelacion të lartë dhe ai është faktori bazë që ndikon”, tha për Zërin e Amerikës, Drejtori i Drejtorisë së paradalimit te pastrimit të parave Elvis Koçi.

Pas një moratoriumi gati dy vjeçar për bllokimin e lejeve të ndërtimit që u hoq në vitin 2016 sektori i ndërtimit pësoi një hov. Sipërfaqja e ndërtimit u dyfishua në vitin 2020, në 1 milion e 600 mijë metra katror krahasuar me vitin 2017.

Sipas ekspertëve edhe pse sipërfaqet e ndërtimit rriten, duke rritur ofertën në treg, kjo nuk është shoqëruar me uljen e çmimit. Çmimet e banesave në Shqipëri vijojnë të mbeten më të lartat në kontinent në raport me të ardhurat, kryesisht në kryeqytet. Nga ana tjetër kostot sipas INSTAT janë disa herë më të ulëta, se çmimi i shitjeve.

“Shikoni të gjitha ndërtimet e larta në Tiranë, kanë çmime shitje 2 mijë deri ne 4 mijë euro metro katror, për hapësira banimi. Të mos harrojmë një gjë, të gjithë të pasurit shqiptar, ata që vijnë nga biznese të ekonomisë së ligjshme nuk preferojnë të marrin apartamente në mes të Tiranës, por kanë blerë vila jashtë kryeqytetit. Kjo do të thotë se e gjithë kjo sipërfaqe e madhe jo vetëm për banim por edhe për zyra, në qendër të Tiranës me këto çmime, nuk bën asnjë sens ekonomik”, pohon për Zërin e Amerikës Neritan Sejamini, ekspert për ekonominë.

Fatjona Mejdini kordinatore e Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, për Ballkanin, bazuar në disa të dhëna, ngre dyshime se çmimet e larta të pasurive të paluajtshme aplikohen për të parkuar paratë e pista.

“Në Shqipëri 70% e popullsisë merr një pagë që nuk e kalon shifrën 50 mijë lekë në muaj. Për këtë arsye të gjitha këto ndërtime që ne shohim, jo vetëm në Tiranë por edhe në bregdet, në fakt nuk duhet shumë shkencë për të kuptuar, se një pjesë e tyre financohen nga paratë e paligjshme”, vijon Fatjona Mejdini Kordinatorja e Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, për Ballkanin,

Autoritetet zyrtare e pranojnë mungesën e efektivitetit në uljen e informalitetit dhe qarkullimin e parasë kesh në ekonomi, ndaj dhe nënvizojnë nismat e ndërrmara në Kuadër të rekomandimeve të Manyval, për implementimin e fiskalizimit, vijimin e dixhitalizimit të kadastrave, rregullimin e fushës ndërmjetëse të pasurive të palujatshme, ndryshime në ligjin për noterinë si dhe rritjen e transparencës nga bizneset dhe organizatat joqeveritare.

Sipas një raporti të Drejtorisë së Parandalimit dhe Pastrimit të Parave që nga viti 2016 janë bllokuar nëpër banka mbi 55 milionë euro që dyshohet se i përkasin botës së krimit. Por sasia e parave të bllokuara ka ardhur në rënie nga viti në vit. Nga rreth 29 milionë euro në vitin 2016 në pak më shumë se 1 milion vitin e kaluar. I pyetur nga Zëri i Amerikës nëse mund të quhet sukses apo dështim rënia e shumës së bllokimeve, Drejtori i Drejtorise së Parandalimit të Pastrimit të Parave thotë se nuk ka një analizë për këtë, pasi insitucioni që ai drejton, shqyrton vetëm rastet e dyshimta që raportohen nga vetë Bankat. Ai sqaron se mjaft prej transfertave ato mund t’i kenë mënjanuar pa qenë nevoja t’i raportojnë.

“Ka ardhur në rënie sepse aq ka patur. Sa raportohen dhe vërtet ka dyshime ne i bllokojmë dhe i lëmë mundësi prokurorisë të vendosë sekuestro. Këto shifra kur shohim pastaj konfiskimet janë shumë më të ulëta. Më mirë bllokon ato që pritet të shkojnë në konfiskime se sa të tjera”, thotë Drejtori i Drejtorisë së paradalimit te pastrimit të parave Elvis Koçi.

Drejtoria e parandalimit të pastrimit të parave merr në vit afro 1 mijë e 400 raportime për aktvitete të dyshimta dhe referon në polici dhe prokurori rreth 20% -30% të tyre. Në vitin 2020 ajo referoi 34% më pak raste se 5 vjet me parë. Autoritetet e shpjegojnë këtë rënie me rritjen e cilësisë së dosjeve që dërgohen në këto organe.

Një prej shqetësimeve kryesore që ata kanë lidhet me hetimin dhe gjykimin e veprave penale të pastrimit të parave.

“Thembra Akilit është ajo që ka të bëjë me rekomandimin për hetimin dhe dënimin e personave që kryejnë vepra penale të pastrimit të parave. Ka hetime por ato nuk arrijnë të shkojnë në një përqindje të lartë në gjykatë, dhe numri i dëmimeve duhet të përmirësohet”, shprehet Drejtori i Drejtorisë së Paradalimit te Pastrimit të Parave Elvis Koçi.

Zëri i Amerikës ju drejtua dhe Prokurorisë së përgjithshme për një reagim lidhur me këto deklarata. Ajo i shmangu komentet e drejtpërdrejta dhe tha se të gjitha analizat përfshi dhe ato për veprat penale të pastrimit të parave, janë të pasqyruara në raportet vjetore. Klodiana Lala gazetare për çështje të rendit dhe drejtësisë thotë se hetimet për këto vepra paraqesin mjaft vështirësi.

“Jënë hetime të vështira sepse paratë që pastrohen vijnë kryesisht nga trafiku i drogërave të forta që kryhet në disa vende të BE. Dhe duke qenë se aktiviteti i trafikantëve shqiptar është i vendosur atje dhe paratë pastrohen në Shqipëri, padiskutim që nevojitet një bashkëpunim i fortë institucional dhe ndërkombëtar”, tha për Zërin e Amerikës Klodana Lala, gazetare për çështje të rendit dhe sigurisë.

Pesha specifike e veprave penale të pastrimit të parave kundrejt numrit total të proçedimeve të regjistruara në shkallë vendi është 1.03%. Në 5 vitet e fundit 9% e dosjeve dhe 68% e të pandehurve të proçeduar janë dërguar në Gjykatë, ku janë dënuar mbi 50% e tyre. Për ekspertët këto shifra e vendosin luftën kundër pastrimit të parave në një nivel të ulët në raport me shqetësimin në rritje që nënvizohet nga qeveritë e vendeve perëndimore dhe në raportet e ndryshme ndërkombëtare të organizatave prestigjoze që monitorjnë krimin e organizuar ndërkombëtar.

voa

SHBA në pritje të publikimit të raportit për UFO-t

UFOÇfarë dinë Pentagoni, FBI-ja dhe agjencitë e tjera të inteligjencës amerikane rreth UFO-ve? Një raport që do të publikohet këtë javë pritet të nxjerrë disa përfundime dhe të ngrejë shumë pyetje, veçanërisht në lidhje me rivalët e Shteteve të Bashkuara.

Raporti i shumë pritur për UFO-t pritet të mbërrijë në Kongresin amerikan këtë javë.

Në raport përfshihen mbi 120 raste të atyre që ushtria i quan Fenomene Ajrore të Paidentifikuara, por ende nuk është bërë ndonjë përcaktim në lidhje me origjinën e mjeteve fluturuese misterioze, thonë zyrtarët që kanë njohuri për raportin dhe që janë intervistuar nga gazeta The New York Times.

Hetimi i qeverisë amerikane ndaj këtyre fenomeneve u nxit nga regjistrimet e marinës amerikane që tregojnë objekte të panjohura duke bërë lëvizje të pazakonshme.

Luis Elizondo drejton hetimet e Pentagonit për UFO-t, që nga viti 2008.

“Rregjistrimet janë bërë nga platformat më të sofistikuara të Amerikës. Ato ishin objekte të vërteta dhe ishin në hapësirën tonë ajrore dhe ne nuk e dimë se çfarë janë”, thotë zoti Elizondo.

Ligjvënësit nga të dyja partitë politike thonë se është koha për të përcaktuar nëse këto objekte paraqesin një kërcënim për Shtetet e Bashkuara.

Raporti pritet të përqendrohet në faktin nëse mjetet fluturuese i përkasin një kundërshtari të Amerikës. A mund të ketë zhvilluar Rusia ose Kina atë që duket të jetë teknologji shumë e përparuar?

Nuk ka ngjarë që këto dy vende të kenë bërë këtë, thotë Marik von Rennenkampff, një analist i mbrojtjes gjatë administratës së presidentit Obama.

“Ne e dimë që Kina ka ende vështirësi me teknologjinë themelore të motorëve të avionëve. Kina mbështetet në spiunazh për të siguruar pjesën më të madhe të teknologjisë së saj të përparuar të mbrojtjes. Rusia ka një buxhet të mbrojtjes që është shumë i vogël krahasuar me atë të Shteteve të Bashkuara”, thotë ai.

Duke patur parasysh informacionin e kufizuar të publikuar deri më tani, është herët të thuhet nëse fenomenet janë rezultat i përparimeve teknologjike të një vendi, thonë disa ekspertë.

“Mund të ketë shpjegime që nuk kërkojnë një hap të madh në aftësinë teknologjike. Mund të jetë diçka që nuk e prisnim dhe diçka që nuk e kemi parë më parë. Nëse rezulton të jetë diçka nga Kina, Rusia ose një vend tjetër, kjo do të tregonte vërtet një dështim për ta imagjinuar këtë mundësi nga ana e agjencive tona të inteligjencës”, thotë Todd Harrison, ekspert në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Përgatitjet për raportin kanë filluar gjashtë muaj më parë dhe ai përfshin prova të mbledhura në një periudhë prej shumë vitesh. Ka patur sinjale se zyrtarët e inteligjencës nuk janë ende të gatshëm të zbulojnë një konkluzion përfundimtar për këtë. Ndërsa thuhet se nuk ka prova të jashtëtokësorëve, mundësia e ekzistencës së tyre nuk është përjashtuar.

“Nga ajo që kam dëgjuar nga njerëzit në qeveri është se nuk ka kohë të mjaftueshme për të përpiluar një raport koherent për këtë çështje. Ne nuk kemi analizën e nevojshme për këtë. Ky është një projekt afatgjatë. Mendoj se është një hap i duhur”, thotë ish-analisti i Departamentit të Mbrojtjes, Marik Von Rennekampff.

Duke shtuar intrigën, Kina ka programin e saj të studimit të UFO-ve, që bazuar në një artikull të kohëve të fundit të gazetës South China Morning Post, përcakton Shtetet e Bashkuara si një burim të mundshëm të këtyre mjeteve fluturuese.

voa

CDC: Vaksinat e Pfizerit dhe Modernës mund të shkaktojnë miokardi

Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) njoftuan të mërkurën se ekziston një lidhje e mundshme mes dy vaksinave kundër COVID-19-s dhe një efekti të rrallë anësor në zemër që përjetojnë meshkujt, kryesisht ata në moshë të re.

Agjencia federale e shëndetit publik tha se më shumë se 1,200 persona që kanë marrë vaksinën e Pfizerit apo Modernës zhvilluan miokardi, apo inflamacion të muskujve të zemrës. Efektet ishin më të spikatura tek meshkujt sesa femrat dhe ato u vunë re më shumë pas marrjes së dozës së dytë.

CDC-ja tha se efektet anësore, të cilat përfshijnë lodhje dhe dhimbje gjoksi, kanë qenë të lehta dhe se shumica dërrmuese e atyre që u diagnostikuan me miokardi janë shëruar plotësisht. Agjencia arriti në përfundimin se pavarësisht një “lidhjeje të mundshme” mes dy vaksinave dhe miokardisë, përfitimet nga marrja e vaksinave janë shumë më të mëdha se rreziqet.

Të dyja vaksinat, si ajo e Pfizerit dhe ajo e Modernës, që merren me dy doza, janë prodhuar me një metodë që shfrytëzon acidin ribonukleik (ARN).

Një zyrtar i Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave tha se pas njoftimit të rezultateve, agjencia rregullatore do të shtonte një paralajmërim për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe ata që vaksinohen mbi rrezikun e mundshëm për efekte anësore.

Ndërkohë të enjten Shtëpia e Bardhë do të dërgojë në Brazil 3 milionë doza të vaksinës kundër të COVID-it të kompanisë Johnson & Johnson, e cila merret me një dozë të vetme. Dërgesa, e cila do të mbërrijë në qytetin Campinas pranë San Paulos, është pjesë e zotimit të Presidentit Joe Biden për t’u dhuruar 80 milionë doza, vendeve të tjera deri në fund të muajit.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se “ekipet shkencore dhe autoritetet ligjore e rregullatore” të të dy vendeve bashkëpunuan për arritjen e një marrëveshjeje mbi këtë çështje.

Prej fillimit të pandemisë në Brazil janë shënuar mbi 507 mijë të vdekur si pasojë e COVID-19-s, duke e renditur të dytin në botë për nga numri i personave që kanë humbur jetën, pas Shteteve të Bashkuara, që ka regjistruar mbi 602 mijë vdekje.

voa

Çfarë duhet të dini për variantin “Delta” të koronavirusit?

Varianti “Delta” i koronavirusit është gjetur në më shumë se 80 vende, që kur u zbulua për herë të parë në Indi. Emrin e mori nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila emërtoi variante të ndryshme sipas shkronjave të alfabetit grek.

Viruset vazhdimisht pësojnë mutacione dhe shumica e ndryshimeve nuk janë shqetësuese. Por ekziston një shqetësim që disa variante mund të zhvillohen mjaftueshëm për të qenë më ngjitës, të shkaktojnë sëmundje më të rëndë, ose të shmangin mbrojtjen që sigurojnë vaksinat.

Ekspertët thonë se varianti “Delta” përhapet më lehtë për shkak të mutacioneve që e bëjnë të futet më mirë në qelizat e trupave tanë. Në Mbretërinë e Bashkuar, varianti tani është përgjegjës për 90% të të gjitha infeksioneve të reja. Në SHBA, sipas të dhënave, ky variant përbën 20% të infeksioneve dhe zyrtarët shëndetësorë thonë se mund të bëhet variant mbizotërues në gjithë vendin.

Nuk është ende e qartë nëse varianti “Delta” i sëmurë më rëndë njerëzit pasi duhet të mblidhen më shumë të dhëna”, thotë Dr. Jacob John, i cili studion viruset në Indinë jugore.

Studimet kanë treguar se vaksinat që aktualisht po përdoren (AstraZeneca, Pfizer-BioNTech dhe Moderna) funksionojnë kundër varianteve të reja, përfshirë variantin “Delta”. Sipas një studimi të bërë në Angli, u zbulua se njerëzit që kishin marrë dy dozat e vaksinave ishin të mbrojtur, por shqetësime kishte për ata individë që kishin marrë vetëm një dozë të vaksinave.

Kjo është arsyeja pse ekspertët thonë se është e rëndësishme që njerëzit të vaksinohen plotësisht. Po ashtu ata paralajmërojnë se shpërndarja e vaksinave në të gjithë botën është po kaq e rëndësishme për të luftuar këtë variant të ri të koronavirusit.

Ahmeti i kthehet sërish temave etnike

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, gjatë një konference të përbashkët për media. Fotografi nga arkivi. Hapja e temës për ndryshimin e simboleve shtetërore po bëhet në kohën kur Maqedonia e Veriut po kalon nëpër në një situatë të ndjeshme, pasi Bullgaria po e konteston të kaluarën historike të vendit, ku përfshihen edhe figurat historike dhe himni kombëtarë, vlerësojnë përfaqësuesit e sektorit civil.

Këto reagime vijnë pasi kryetari i partisë shqiptare, që është pjesë e qeverisë, Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një intervistë për “TV Klan Maqedoni” tha se me palën maqedonase është diskutuar për ndryshimin e himnit, stemës dhe të flamurit shtetëror.

“Është biseduar edhe për himnin, është biseduar edhe për stemën edhe për flamurin e shtetit. Këto janë çështje për të cilat megjithatë duhet të ketë një konsensus, mirëpo kjo do të varet shumë edhe nga një marrëveshje brenda maqedonasve. Sa i takon himnit, do të thotë është biseduar, nuk ka ndonjëra palë kundërshtim të jashtëzakonshëm. Më tepër kjo është çështje kohe dhe mendoj që pa rezerva edhe mund të bisedohet”, ka thënë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Pas kësaj deklarate të Ahmetit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, por edhe zyrtarët e lartë të BDI-së, kanë hedhur poshtë se për momentin, kjo çështje është pjesë e diskutimit brenda partnerëve të koalicionit qeverisës.

Megjithatë, nga BDI-ja kanë theksuar se çështja e ndryshimit të simboleve kombëtare gjithmonë ka qenë pjesë e diskutimeve me palën maqedonase sepse, siç kanë nënvizuar zyrtarët e kësaj partie, himni shtetëror nuk paraqet një element përfshirës, pasi shqiptarët nuk janë pjesë e këtij himni.

Xhelal Neziri nga organizata joqeveritare SCOPP, thotë për Radion Evropa e Lirë se simbolet e Maqedonisë së Veriut nuk krijojnë një kohezion të nevojshëm brenda shtetit, pasi këto simbole janë miratuar pa pasur një konsensus ndëretnik. Ai shpreh mendimin se të njëjtat duhet të ndryshohen, pasi shqiptarët nuk ishin të përfshirë në procesin e miratimit të tyre, por shton se kjo temë aktualisht nuk është prioritet.

“Është fakt se shqiptarët etnikë, nuk identifikohen me këtë himn (himnin shtetëror të Maqedonisë së Veriut) për shkak se e shohin si përjashtues për ta. Nga ana tjetër, nëse një marrëveshje finale, do të nënkuptonte që disa nga figurat historike që përmenden në vetë himnin shtetëror të Maqedonisë së Veriut, do të identifikoheshin si bullgarë, atëherë shtrohet pyetja nëse ata e kanë vendin në himnin shtetëror të Maqedonisë së Veriut”, thotë Neziri.

“Ka shumë elemente që të hapen këto tema, por natyrisht ato nuk janë me prioritet dhe për këtë kërkohet një qasje më racionale dhe një kohë më e mirë, ku të gjitha partitë të kenë mendime për këto ndryshime, që në fund të arrihet një konsensus”, shton ai.

Ndërkaq, drejtuesi i Qendrës për Studime Politike, Vladimir Bozhinovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se me këtë deklaratë të Ahmetit, partia e të cilit është pjesë e qeverisë, që është temë etnike, vjen pak kohë pasi kreu i BDI-së njoftoi se partia e tij do të fokusohet në agjendën e gjelbër. Sipas tij, kjo deklaratë ka për qëllim që ta shpërqendrojë vëmendjen e opinionit nga vetoja bullgare, e cila po pengon procesin euro-integrues të shtetit.

“Ngritja e kësaj çështjeje në një mënyrë është koincidencë me veton e Bullgarisë. Nuk është as koha e as momenti që të diskutohet për simbolet shtetërore”, thotë Bozhinovski.

Pas pavarësisë, Maqedonia e Veriut ka ndryshuar stemën shtetërore që ishte miratuar më 1946, kur shteti ishte pjesë e Federatës Jugosllave. Më 2009, shteti hoqi yllin e pestë nga stema, që ishte simbol i socializmit.

Ndërkaq sa i përket himnit, në tekstin e tij ende përdoret teksti i shkruar nga Vllado Malevski më 1941 dhe në vitin 1992, kur u pavarësua Maqedonia e Veriut, ky tekst, përmes ligjit, u definua si himn shtetëror.

Më 1995, pas presionit të Greqisë, Maqedonia e Veriut hoqi diellin e “Verginës” që ishte pjesë e flamurit shtetëror.

Zaev: BDI-ja e mbylli agjendën etnike

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev të dielën ka shprehur “kënaqësinë që Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) mbylli agjendën etnike dhe tani është përqendruar te qytetari, me agjendën e saj të gjelbër”.

Të shtunën BDI-ja, parti kjo që ka trashëguar ish-Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, njoftoi se agjenda e gjelbër do të jetë shtylla kryesore e programit të saj partiak.

“Mjaft më me fjalët shqiptarë, maqedonas, serbë, turq, vlleh. Ne kemi qytetarë në vend. Unë dua ta mirëpres atë sepse është një hap përpara, veçanërisht kur vjen nga partia më e madhe në pushtet në bllokun politik shqiptar. Është shumë e rëndësishme kur politikanët dalin në publik dhe japin fjalën e tyre. Kjo do të thotë zotim dhe detyrim për ta zbatuar atë në praktikë. Këtë e mendoj për Lidhjen Social Demokrate (LSDM), por edhe për BDI-në dhe të gjitha partitë e tjera politike”, ka deklaruar Zaev.

Ai theksoi se qytetarët presin nga LSDM-ja dhe BDI-ja, por edhe nga Lëvizja Besa, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe të gjitha partitë të tjera që janë pjesë e koalicionit qeveritar, që në të ardhmen të punojnë për forcimin e të drejtave të punëtorëve, të punojnë për agjendën e gjelbër, mbrojtjen e mjedisit si dhe zhvillimin e ekonomisë.

Gjatë shënimit të 19-vjetorit të formimit të BDI-së, kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti tha se agjenda e gjelbër si shtyllë kryesore vjen pas realizimit të agjendës së Marrëveshjes së Ohrit, për të drejtat e shqiptarëve.

“Ne kemi vendosur barazi përmes zbatimit të plotë të Marrëveshjes së paqes të Ohrit, legalizimit të arsimit të lartë në gjuhën shqipe, decentralizimit, simboleve dhe kulturës kombëtare, gjuhës shqipe, përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, integrimit në NATO, duke marrë dritën jeshile për anëtarësimin në BE”, deklaroi të shtunën kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Opozita shqiptare ka akuzuar BDI-në se po heq dorë nga të drejtat e shqiptarëve, që sipas saj ende nuk janë realizuar.

“Një parti e dalë nga lufta, që nga emblema kuq e zi, kaloi në ngjyrë të kaltër, po tenton të mashtrojë qytetarët, dhe në veçanti shqiptarët, me ngjyrën e gjelbër. Ende pa zgjidhur problemet kombëtare apo tematike siç pretendojnë t’i quajnë ata, sot thanë se do të merren me punë të gjelbra”, ka deklaruar zëdhënësi i partisë opozitare, Aleancës për Shqiptarët, Flakron Bexheti.

rel

Gjermania dhe SHBA ritheksojnë bashkëpunimin

Binken MaasMinistri i Jashtëm Antony Blinken qëndroi në Berlin në prag të vizitës së kancelares Angela Merkel më 15 korrik tek Presidenti i SHBA-së Joe Biden.

Gjatë vizitës së tij të parë në Gjermani si ministër i Jashtëm i SHBA-së, Antony Blinken deklaroi se “në të gjithë botën gjendemi në një kohë ndryshimesh të mëdha pozitive dhe negative dhe mënyra më e mirë për t’u përballur me to është përmes bashkëpunimit.”

Në takimin e tij me ministrin gjerman të Punëve të Jashtme, Heiko Maas, ata diskutuan për konfliktin në Ukrainë, si dhe për çështje që kanë të bëjnë me Kinën dhe Libinë.

Mbështetje për Ukrainën

Të dy palët i siguruan Ukrainës mbështetjen e tyre në konfliktin me Moskën: “Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë së bashku kundër veprimtarive të rrezikshme dhe provokuese nga Rusia, qofshin sulmet në territorin ukrainas, arrestimi i kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny ose përhapja e lajmeve të rreme në demokracitë tona,” – tha Blinken.

Biden dëshiron të ndihmojë ujgurët

Duke ju referuar Kinës, të dy ministrat theksuan rëndësinë e të drejtave të njeriut. Blinken tha se SHBA nuk do ta frenojë apo ta nxjerrë Kinën jashtë skenës ndërkombëtare, përkundrazi, vendi i tij po përpiqet për bashkëpunim “të hapur, të drejtë dhe të bazuar në rregulla”, por se edhe të drejtat e njeriut janë të rëndësishme.

Blinken iu referua në mënyrë të qartë shtypjes së ujgurëve dhe bëri thirrje që konsumatorët në vendet e tjera të mos përfitojnë nga puna me detyrim e shtetasve kinezë. “Ne të gjithëve na takon të bëjmë gjithçka që mundemi që në vendet tona të mos importohen mallra që janë produkt i punës me detyrim.”

Masa të rrepta duhet të zbatohen edhe në drejtimim e kundërt, tha Blinkenn duke theksuar se në vendet që shtypin qytetarët ose kufizojnë të drejtat e tyre themelore nuk duhet të eksportohen teknologji dhe prodhime që mund të përdoren për qëllime të tilla.

Sipas organizatave të të drejtave të njeriut në provincën veriperëndimore kineze të Xinjiangun mbahen në kampe internimi të paktën një milion ujgurë dhe pjesëtarë të pakicave të tjera myslimane, të cilët sipas raporteve shfrytëzohen për punë me detyrim në sipërmarrje të ndryshme. Në këtë rajon është aktiv edhe prodhuesi gjerman i automjeteve Volkswagen.

dw

Macron: Kosova dhe Serbia të veprojnë si evropianë dhe të arrijnë një marrëveshje

Presidenti francez, Emmanuel Macron u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të arrijnë një kompromis që do të bëjë të mundur të “kthehen nga e ardhmja evropiane”.

Ai i bëri këto komente të mërkurën mbrëma në Paris në një konferencë të përbashkët me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që po viziton për herë të parë Parisin që kur mori detyrën në mars të këtij viti.

“Dua të them se për mua marrëveshja e Prespës që u jetësua falë vullnetit të përbashkët të dy udhëheqësve (Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë) është një shembull, një burim frymëzimi i dobishëm për të gjithë rajonin. Kjo është arsyeja pse unë inkurajoj Kosovën dhe Serbinë të veprojë si evropianë, duke u angazhuar plotësisht në kërkimin e një kompromisi që do të lejojë Beogradin dhe Prishtinën të drejtohen me vendosmëri drejt një të ardhmeje evropiane”, tha Presidenti Macron.

“Ky është interesi i Kosovës”, tha ai duke u zotuar se Kosova do të ketë mbështetjen e Francës në të gjitha proceset që do ta çojnë përpara këtë vend.

Kryeministri Kurti tha se “Evropa është bashkimi më i mirë për t’i hedhur bazat e një paqeje afatgjate dhe të konceptuar drejtë.”

“Tashmë, realiteti ri ka përbërës të rinj. Ju siguroj se po i ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në Bruksel, sidomos me vizitën e presidentit amerikan (Joe Biden) dhe bisedat me udhëheqësit e shteteve evropiane, të BE-së dhe më gjerë. Ne besojmë se një situatë e re politike po krijohet, një situatë e menduar më mirë, me pjesëmarrje më të artikuluara dhe drejtëpeshuara dhe një besim më të lartë”, tha Kryeministri Kurti.

Ai tha se Franca është model për Kosovën në ndërtimin e strukturës kushtetuese, në vendosjen e sundimit të ligjit dhe lirisë së shprehjes.

Presidenti francez është pjesë e përpjekjeve për të nxitur një marrëveshjeve normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Udhëheqësit e të dy vendeve u takuan javën e kaluar në Bruksel, por pa ndonjë përparim.

Të dyja palët janë pajtuar të vazhdojnë bisedimet muajin e ardhshëm, por gjykuar nga qëndrimet e tyre duket ende e largët mundësia e një marrëveshjeje që është kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve.

voa

Vendoret e 30 Qershorit 2019 Kushtetuesja i drejtohet Komisionit të Venecias

Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese vendosi të mërkurën në mbrëmje që t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një opinion mbi vlefshmërinë ose jo të zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit të vitit 2019. Vendimi erdhi pas një seance që zgjati mbi 9 orë.

Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje nga një kërkesë e Shoqatës së Bashkive për shpalljen të pavlefshme të atyre zgjedhjeve dhe përsëritjen e tyre. Zgjedhjet u mbajtën në datën e shpallur fillimisht me dekret nga presidenti Ilir Meta, i cili tre javë para zhvillimit të tyre, më 10 Qershor, vendosi anullimin duke firmosur një tjetër dekret për organizimin e zgjedhjeve në muajin tetor. Zoti Meta e argumentoi vendimin e tij me situatën tejet të tensionuar politike, duke qenë se opozita kishte nisur një seri protestash dhe kishte vendosur bojkotimin e zgjedhjeve vendore. Por dekreti i dytë i zotit Meta nuk u mor në konsideratë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në seancën e sotme Gjykata Kushtetuese ka dëgjuar argumentat e palëve, që nga ato të vetë Shoqatës deri të argumentat e Qeverisë, Presidencës, parlamentit, apo Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Secila nga këto palë, sipas vendimit të mbrëmshëm, do të ketë të drejtë të formulojë një pyetje për Komisionin e Venecias. Ato do i bashkangjiten dhe pikave për të cilat do të kërkojë sqarime dhe vetë Gjykata. Deri në një përgjigje nga Venecia, çështja në Gjykatën Kushtetuese do të mbetet pezull.

Vendimi për t’iu drejtuar Komisionit të Veneciat duket deri diku si një përpjekje e anëtarëve të Gjykatës për t’a mbajtur veten larg një çështjeje, me një ndjeshmëri të lartë politike, për më tepër që Venecia e ka trajtuar këtë temë në opinionin e saj të Tetorit të vitit 2019, duke vlerësuar ndër të tjera se “anulllimi i zgjedhjeve vendore mund të bëhet vetëm në kushtet e një situate emergjente, e madje dhe në një situatë të tillë nevojitet një bazë specifike ligjore”.

Anëtarët e Komisionit të Venecias kanë interpretuar jo vetëm dekretet e presidentit Meta, por dhe faktin se bojkoti i zgjedhjeve nga cilado forcë politike nuk mund të jetë argument për mosmbajtjen e tyre. “Bojkoti i zgjedhjeve nga partitë politike, edhe në qoftë se ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit nuk mund të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. Për ndryshe, këto parti do të merrnin fuqinë për të penguar plotësisht çdo palë zgjedhje”, vërehet në përfundimet e opinionit të Komisionit të Venecias.

voa

SHBA u propozon Kosovës dhe Serbisë modelin e trajtimit të liqenit të Ujmanit

Shtetet e Bashkuara u dorëzuan të mërkurën qeverive të Kosovës dhe Serbisë raportin e Departamentit amerikan për Energji, mbi menaxhimin e ujit të liqenit të Ujmanit, që ishte pjesë e zotimeve në marrëveshjen ndërmjet të dyja vendeve, të nënshkruar më 4 shtator të vitit të kaluar në Shtëpinë e Bardhë.

Të dyja palët qenë pajtuar në takimin e 4 shtatorit në praninë e ish presidentit Donald Trump për një studim fizibiliteti, “me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”.

Liqeni që serbët e quajnë Gazivodë, është ndërtuar në vitet e 80-ta dhe një pjesë e tij shtrihet në Serbi dhe ka rëndësi për furnizimin më ujë të termocentraleve të Kosovës dhe në muajt e verës edhe të disa komunave të Kosovës. përfshirë edhe kryeqytetin. Ai është është një nga pikat e nxehta të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në raportin prej 53 faqesh, që është dorëzuar të mërkurën janë dhënë disa propozime që kanë të bëjnë me përmirësimin e infrastrukturës ujore dhe themelimin enjë komisioni që do të trajtonte gjendjen ne lumin Ibër që është furnizuesi kryesor i liqenit artificial.

“Ne propozojmë që Serbia dhe Kosova të marrin në konsideratë bashkërendimin teknik të zhvilluar nën Traktatin SHBA-Kanada rreth lumit Columbia”, thuhet mes tjerash në raport.

Nuk ka pasur ndonjë reagim të menjëhershëm të asnjërës prej qeverive.

Përfshirja e fizibilitetit të këtij liqeni në dakordimin e 4 shtatorit 2020 nxiti reagime në Kosovë. Kritikët thonë se liqeni është pjesë e Kosovës dhe se nuk duhet të diskutohet me Serbinë.

Kosova dhe Serbia me 4 shtator të vitit të kaluar në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e ish presidentit Donald Trump arritën një dakordim për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Pjesë e dakordimit ishte edhe pajtimi për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit dhe zotimi i Serbisë që ta vendos ambasadën e saj në Jerusalem.

Në fillim të muajit shkurt Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhëniet diplomatike dhe në mars Kosova hapi ambasadën në Jerusalem, duke u bërë vendi i tretë që hap misionin e saj diplomatik në atë qytet.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, që ishte kritik ndaj marrëveshjes së 4 shtatorit, tha se i pëlqen “ta lexoj nga fundi”, tekstin e saj.

“Në fund të tekstit të marrëveshjes…është njohja e Kosovës nga Izraeli. Dhe kjo është pjesa që më pëlqen më së shumti në të dhe është pika e fundit, prandaj unë e lexoj nga fundi”, tha zoti Kurti.

voa