Vaksina e BioNTech ka efekt ndaj variantit Delta të Coronës

BioNTech Ugur SahinJavët e fundit në Europë e Gjermani po përhapen infektimet me variantin e ri Delta të Coronës, me origjinë nga India. Kreu i sipërmarrjes gjermane BioNTech dha tani lajmin e mirë.

“Aktualisht nuk kemi të dhëna, se është e nevojshme përshtatja e vaksinës sonë me variantet e virusit në qarkullim”, tha drejtuesi i bordit të BioNTech, Ugur Sahin në takimin kryesor virtual të sipërmarrjes bioteknologjike.

Vaksina e tretë mund të ndihmojë

BioNTech po punon për procedura më pak të ngurta në sektorët e teknlogjisë, prodhimit dhe marrjes së lejeve, kjo për të qenë gati dhe për të reaguar shpejt, nëse do të jetë e nevojshme një dozë e tretë për vaksinimin e mëparshëm apo një përshtatje me një degëzim të ri të virusit. BioNTech e analizon aktualisht efektshmërinë e vaksinës edhe kundër varianteve të reja, tha themeluesi i BioNTech, Sahin. Dija për mutacionet e reja të virusit po rritet dita-ditës, shtoi shpikësi i vaksinës. Ajo që vihet re është se imuniteti i të vaksinuarve me kohë dobësohet dhe nga ana tjetër krijohen variante të reja. “Unë pres që një vaksinë e tretë për rigjenerimin e imunitetit mund të ketë një rëndësi të madhe”, shpjegoi kreu i BioNTech. “Por ne ende nuk e dimë, kur dhe sa shpesh do të jetë i nevojshëm një vaksinim i ri.”

RKI: Infektimet me variantin Delta mund të çojnë në sëmundje të rëndë

Sipas Sahin sipërmarrja bioteknologjike e Mainzit dhe partneri Pfizer në këtë vit planifikojnë një kapacitet prodhimi prej 3 miliardë dozash vaksine- vitin e ardhshëm prodhimi do të rritet. Të paktën 50% të prodhimit BioNTech kërkon ta ofrojë vetë.

Se sa shpejt përhapet varianti Delta i virusit i zbuluar në Indi, këtë e tregon edhe landi gjerman, Hesen. “Kemi shenja të qarta, që Delta në Hesen dominon në më shumë se 20% të rasteve”, u shpreh ministri i Shëndetësisë së landit, Kai Klose. Prandaj ka shumë rëndësi vaksinimi sa më i shpejtë, theksoi politikani i gjelbër.

Sipas Institutit Robert Koch, RKI infektimet me variantin Delta mund të çojnë në sëmundje të rëndë të Covidit. Sipas RKI në Gjermani mund të rriten infektime në të ardhmen, sepse varianti Delta është më infektues. Në Britaninë e Madhe ky variant i virusit është bërë mbizotërues në shifrat e infektimeve brenda pak javësh dhe po i shton ato, megjithë suksesin e Britanisë së Madhe në fushatën e vaksinimit. Lisbona, kryeqyteti portugez u mbyll dy ditë në fundjavë për shkak të rritjes së infektimeve. Në Moskë është shënuar një rekord i ri infektimesh me variantin e ri.

la/nob/qu (dpa,rtr)

Várhelyi: Presidenca sllovene ka prioritet negociatat

Komisioneri i zgjerimit Olivér VárhelyiKomisioneri i zgjerimit, Olivér Várhelyi deklaroi se Komisioni Europian do të vazhdojë të punojë me Presidencën Sllovene të BE për hapjen e Konferencës së I-rë Ndërqeveritare me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi ka reaguar mbrëmë, (22.06) pas mos rënies dakord të Këshillit të BE për Çështjet e Përgjithshme për datën e zhvillimit të Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, (MV) për hapjen reale të negociatave të hyrjes së tyre në BE. “Puna do të vijojë në Presidencën sllovene të BE që nis në korrik për të përmbyllur edhe këtë çështje; ne duhet të hapim Konferencat e I-ra Ndërqeveritare me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut si një çështje përparësie” ka shkruar në median sociale, komisioneri Várhelyi.

Kriteri i meritës dhe ai i ꞔiftëzimit të vendeve

Shpresat për të zgjidhur mosmarrëveshjen dypalëshe Bullgari – MV mbeten tanimë tek Presidenca Sllovene e BE. Derisa këto shpresa të bëhen realitet situata mbetet ende e pandryshuar. Në takimin e Luksemburgut të martën, (22.06) ministrat e Jashtëm të BE rikonfirmuan rëndësinë strategjike të zgjerimit të BE me anëtarë të rinj si një “investim për paqen, demokracinë dhe stabilitetin”, citon KE.

Veto e Bullgarisë për mosmarrëveshjet me MV, një konflikt ky dypalësh, mbajti peng edhe Shqipërinë, pasi Këshilli i BE për Çështjet e Përgjithshme të BE nuk pranoi idenë e ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, edhe pse kësaj here të gjitha vendet anëtare të BE ishin dakord se Shqipëria i ka plotësuar kushtet ose përndryshe kriterin e meritës.

Mosndarja e Shqipërisë nga MV ose si po quhet  “ꞔiftëzimi” i tyre po shfaqet si një kriter i ri në kuadrin e metodologjisë së re të zgjerimit, e cila kërkon vendime unanime të anëtarëve të BE, kur është fjala për hapje negociatash anëtarësimi, hapje dhe mbyllje kapitujsh për vende ku këto negociata janë hapur. Ekspertë në Tiranë të procesit të integrimit të  Shqipërisë në BE, pas mos arritjes në Luksemburg të ujdisë për një datë për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe MV janë të mendimit, se metodologjia e re e zgjetimit të BE ka nevojë të përmirësohet. Sipas tyre duhet të zëvendësohet unanimiteti me votë të cilësuar të vendeve anëtare, gjë që do të ruante njëherazi të pacënuar edhe besueshmërinë e BE për vënien në jetë të premtimeve të veta.

dw

Shkupi i zhgënjyer nga vetoja e re bullgare

ShkupiReagimet në Shkup pas vetos së re bullgare, që bllokoi çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut nxjerrin në pah jo vetëm zhgënjimin, por edhe humbjen e besimit tek BE.

Kryeministri Zoran Zaev ka reaguar pas vetos bullgare, e cila bllokoi sërish Maqedoninë e Veriut për çeljen e negociatave duke theksuar, se Maqedonia e Veriut i ka përfunduar me sukses reformat që ishin përcaktuar si të detyrueshme nga BE. “Dua t’i falënderoj të gjitha shtetet anëtare të BE-së, të cilat na japin mbështetje të plotë që procesi i negociatave të filloj gjatë presidencës portugeze ose edhe gjatë presidencës sllovene me BE-në”.

Megjithë zhgënjimin e Maqedonisë së Veriut, kryeministri Zoran Zaev, premtoi, se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë t’i përkrahë vlerat evropiane, të demonstroj qëndrime evropiane dhe gatishmëri politike për fqinjësi të mirë. Kemi nevojë për Ballkan të integruar në BE, për një Ballkan që jeton të tashmen dhe sendërton ardhmërinë me perspektivë, ndërsa e kaluara na tregon se ndarësit dhe përçarjet nuk na çojnë askund, tha Zaev.

Pendarovski: Vetoja detyron Shkupin për alternativa të tjera

Kritika erdhën nga Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cila tha se vendimmarrja me konsensus në Bashkimin Evropian është problemi kryesor për BE-në dhe se pa e ndryshuar këtë rregull, BE nuk mund të bëhet një “lojtar gjeopolitik”. “Kjo gjithashtu çon në një rritje të euroskepticizmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Maqedoni të Veriut në veçanti, por edhe në vetë BE-në, që është shkatërruese”, ka thënë Pendarovski .

Presidenti maqedonasverior vlerësoi, se për shkak të kësaj mënyre të vendimmarrjes, dyshon se është e mundur që BE do të marrë një vendim për të filluar negociatat me Maqedoninë e Veriut. “Pala jonë ofroi gjithçka që mund të ofronte si një gjest i vullnetit të mirë, dhe kjo nuk shkon përtej bisedimeve dhe negociatave të arsyeshme të marrëdhënieve bilaterale me Sofjen. Sigurisht, ne nuk mund të futemi në çështjen e identitetit dhe nëse dikush pret që ta bëjmë këtë pas korrikut ose gushtit,  gabohet”, thotë Pendarovski.

Stevo Pendarovski shprehet, se në kohën, kur zgjerimi i BE-së është de facto i ngrirë, vendi  ka dy mundësi, të sjellë Evropën këtu dhe, së dyti, të filloj zbatimin e Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik të 2008-s me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij kjo nuk do të thotë të heqësh dorë nga integrimi evropian, por nëse mosmarrëveshja me Bullgarinë vazhdon, Shkupi duhet të ketë një alternativë.

Dimitrov: Nëse çmimi është depersonalizimi, s’kemi nevojë për BE

Kur zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Nikolla Dimitrov pas mosmarrjes së datës për çeljen e negociatave u pyet, sa sa Evropian është Bashkimi Evropian ia u përgjigj, se nëse çmimi për rrugën tonë drejt BE-së është depersonalizimi, atëherë ne nuk kemi nevojë për një BE të tillë. “Me Sofjen kemi pasur bisedime të hollësishme për zhvillimin e bashkëpunimit sektorial dhe bisedime mbi procesin e punës së komisionit për çështje historike dhe arsimore. Në një farë mënyre, ai duhet të jetë një dokument dypalësh që sipas propozimit portugez do të merret në konsideratë gjatë procesit të stabilizimit dhe shoqërimit. Oferta kishte të bënte me dhënien e dritës së gjelbër tani. Sigurisht që ne do të vazhdojmë përpjekjet tona, por nuk mund ta zgjidhim këtë çështje pjesërisht pasi i përshtatet njërës palë”, ka thënë Dimitrov.

VMRO-DPMNE: Qeveria është fajtore për veton

Opozita e VMRO-DPMNE thotë, se bllokimi i Bullgarisë dëshmon mashtrimin e Qeverisë se vendi do të marrë datën për fillim të negociatave me BE-në. “Qeveria jonë para tre viteve manipulonte se tashmë kemi marrë datë për negociata, por duket se jemi larg nga ai vendim pozitiv. Nëse BE vazhdon të punojë në këtë mënyrë, vlerësoj se do ta humbë  kredibilitetin e saj në rajon”, ka deklaruar Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Byrnes: SHBA të dëshpëruara për bllokimin e RMV-së

Mbetëm të dëshpëruar që vendet anëtare të BE-së nuk arritën që të miratojnë kornizën negociuese për Republikën e Maqedonisë së Veriut është shprehur ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Kate Marie Byrnes. SHBA-të do të jenë në këtë rrugëtim të Maqedonisë së Veriut sepse kjo është në interes të përbashkët strategjik për të dyja vëndet. Edhe pse rruga është e gjatë, Maqedonia e Veriut duhet ta vazhdojë këtë rrugë, sepse ajo i takon dhe duhet të jete pjesë e familjes së Bashkimit Evropian, ka thënë ambasadorja e SHBA-ve. “Qëllimet e SHBA-ve në Ballkan mbeten të qarta dh të pandryshuara, që e ardhmja e rajonit të jetë në paqe të qëndrueshme me fqinjët, stabël dhe e integruar tërësisht në korrnizën euroatlantike”, ka deklaruar ambasadorja Byrnes.

dw

Sekretari Blinken në Berlin – Nord Stream 2, kërcënim për sigurinë energjetike të Evropës

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të përkushtuara ndaj marrëdhënieve dypalëshe me Gjermaninë, me gjithë mosmarrëveshjet për disa çështje.

Sekretari Blinken është në Gjermani në një periudhë kur administrata e presidenti Joe Biden vazhdon me veprimtari diplomatike që synojnë të për të qetësuar aleatët e Evropës Perëndimore, pas katër vjet marrëdhëniesh të trazuara nën ish presidentin Donald Trump.

Këto përpjekje vazhdojnë pavarësisht disa dallimeve të vazhdueshme me aleatët kryesorë lidhur me përparësitë në fushën e energjisë dhe të mbrojtjes.

“Ne jo gjithmonë jemi dakord,” tha sekretari Blinken në një konferencë të përbashkët me gazetare me ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas.

“Ministri i Jashtëm dhe unë folëm sot për një nga ato fusha të mosmarrëveshjeve, gazsjellësin Nord Stream 2, i cili ne vazhdojmë të besojmë se është një kërcënim për sigurinë energjetike në Evropë”, tha ai.

Blinken arriti në Berlin të mërkurën për të filluar vizitën e tij të dytë në Evropë në shtatë ditë, pasi sapo kishte shoqëruar presidentin Joe Biden në takimet e tij në Britani dhe Belgjikë.

Sekretari Blinken do të marrë pjesë në një konferencë mbi situatën në Libi si dhe në diskutime me homologun gjerman mbi mënyrat për të luftuar anti-semitizmin dhe teoritë që mohojnë ekzistencën e Holokaustit.

Gjermania dhe Kombet e Bashkuara janë organizatore të konferencës së Berlinit për të dalë me zgjidhje që do të sillnin fundin e konfliktit në Libi dhe do të stabilizonin vendin.

I dërguari amerikan për Libinë, Richard Norland tha se bisedimet do të ofronin një mundësi për hapa specifikë që do të mundësonin zhvillimin e zgjedhjeve në dhjetor, si dhe krijimin e bazës kushtetuese e ligjore për votime.

Libia është përfshirë nga destabiliteti politik që nga kryengritja e mbështetur nga NATO-ja në 2011, e cila rrëzoi sundimtarin Moamar Gadafi. Vendi ka qenë i ndarë në rajone, që qeveriseshin nga autoritete të ndryshme deri në arritjen e marrëveshjes së tetorit, në bazë të së cilës të gjithë luftëtarët e huaj duhet të largoheshin nga Libia brenda tre muajsh.

Në diskutime do të analizohen masa për të pastruar vendin nga forcat e huaja që nuk janë larguar ende si dhe shqetësimet për praninë e rrjeteve terroriste si Shteti Islamik.

Zyrtarë të Departamentit të Shtetit gjithashtu folën për nevojën për t’iu kundërvënë teorive që mohojnë ekzistencën e Holokaustit. Përfaqësuesja amerikane për Çështjet e Holokaustit, Cherrie Daniels thekson nevojën e një informimi më të mirë mbi këtë periudhë të errët, pasojat dhe origjinën e saj në mënyrë që zyrtarët qeveritarë dhe publiku i gjerë “të dallojnë si shfaqet anti-semitizmi dhe të gjitha format e tjera të urrejtjes në ditët tona” dhe t’u bëjnë qëndresë.

Zoti Blinken do të shkojë më pas në Romë për bisedime me homologun italian Luigi Di Maio lidhur situatën në Siri.

Më pas në Francë, ai do të takohet me Presidentin Emmanuel Macron për të ritheksuar mesazhin e Presidentit Biden për forcimin e marrëdhënieve transatlantike.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të vizitojë edhe Vatikanin për takime me temë luftën kundër ngrohjes globale dhe trafikut me njerëz.

voa

Vuҫiq për kompromis me Kosovën – Prishtina kërkon vetëm njohje nga Serbia

Bruksel Kurti VucicSerbia nuk ka nevojë për një konflikt të ngrirë me Kosovën, por kërkon një zgjidhje kompromisi tha presidenti serb në kuvendin e Serbisë. Për Prishtinën e vetmja zgjidhje në dialogun me Serbinë është njohja reciproke

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha para deputetëve të parlamentit në Serbi, se vendi i tij nuk ka nevojë për një konflikt të ngrirë me Kosovën. Sipas tij, serbët në Kosovë duan që negociatat të zhvillohen me Kosovën në mënyrë që të arrihet ndonjë zgjidhje kompromisi në të ardhmen, por nuk ishte në gjendje të thotë se për çfarë kompromisi bëhet fjalë. Këto deklarata presidenti i Serbisë i bëri gjatë një raportimi në parlamentin serb për dialogun me Kosovën.

“Kur të më pyesni se çfarë është kompromisi, unë do të them, nuk e di. Fuqitë perëndimore nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës dhe ato do të pajtohen për një Kosovë të pavarur me çdo kusht. Pra, ne nuk kemi detyrë të lehtë dhe kohë për humor festiv, as kohë për pritje të tepërta, por kohë për t’u përballur me realitetin që na rrethon”, tha Vuçiq.

Vuçiq: Shqiptarët nuk janë gati për të përmbushur ujditë

Presidenti i Serbisë tha, se dialogu me Kosovën është transparent. “Dialogu është korniza e vetme e mundshme, derisa të arrihet një kompromis me shqiptarët. Ne i kemi informuar në mënyrë të vazhdueshme përfaqësuesit e Bashkimit Evropian se kemi përmbushur gati gjithçka nga Marrëveshja e Brukselit. Të tjerat janë detaje që jemi gati t’i përmbushim. Shqiptarët nuk janë gati për të përmbushur atë, për të cilën është rënë dakord”, tha Aleksandër Vuçiq. Sipas tij, “situata është shumë më e vështirë dhe më serioze si për ne, ashtu edhe për ta. Një zgjidhje kompromisi është diçka që duhet të kërkojmë”, u tha Vuçiq deputetëve të parlamentit të Serbisë.

Por kompromisin në dialog me Kosovën, për të cilin flet presidenti i Serbisë, Prishtina zyrtare e kundërshton në mënyrë të prerë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite në Austri  ritheksoi qëndrimin e Prishtinës zyrtare se “dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë brenda kufijve aktualë”. Në të njëjtën linjë shprehet edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili e ripërsëriti qëndrimin e shprehur edhe në takimin e fundit me presidentin e Serbisë, se “Kosova dhe Serbia të bëjnë një deklaratë të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim dhe që Serbia ta njohë shtetësinë e Kosovës”.

BE: Bashkëpunim shumë i mirë ndërmjet Uashingtonit dhe Brukselit për çështjen e dialogut

Takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës me presidentin e Serbisë pritet të zhvillohet në fund të muajit korrik nën ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Ky i fundit dy ditë më parë në një takim me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së tha, se “së fundi, ka biseduar me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe sipas tij, ekziston një bashkëpunim shumë i mirë ndërmjet Uashingtonit dhe Brukselit për çështjen e dialogut.

“Pala amerikane nuk po përpiqet më për t’u fuqizuar në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Ky bashkëpunim i ngushtë do ta ndihmojë dialogun”, tha Borrell para gazetarëve në Bruksel, duke bërë të ditur se edhe pas takimit të dytë mes Kurtit dhe Vuҫiqit do t’i njoftojë ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur qysh në vitin 2011. Procesi është ndërmjetësuar vazhdimisht nga Bashkimi Evropian dhe është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Kohët e fundit si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, temë debati vazhdon të jetë çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Serbia insiston që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive, gjë që hidhet poshtë në mënyrë kategorike nga Prishtina zyrtare. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sërish se nuk mund të ketë Asociacion të komunave mbi baza etnike dhe sipas tij kjo është e përkufizuar mirë edhe në aktvendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo deklaratë e kryeministrit të Kosovës erdhi pas një deklarimi të ambasadorit amerikan në Kosovë Philip Kosnet, i cili tha të mërkurën (17.06) se Kosova e ka detyrim të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. “Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por, asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Dhe praktikisht një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015″, deklaroi kryeministri i Kosovës.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, gjatë një vizite që javën e shkuar në veri të Kosovës tha se “Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka një detyrim për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe. Historia nuk filloi në ditën kur u formua qeveria e Albin Kurtit, dhe ne besojmë se vendet kanë detyrimin të respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e bëra më herët”, tha ambasadori Philip Kosnett.

dw

BE: Shtyhet sërish çelja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Ana Paula ZacariasAna Paula Zacarias, sekretare shteti për çështje të Evropës duke folur në konferencën për media pas Këshillit për Çështje të Përgjithshme, Luksemburg, 22.06.21

Kritika nga ana e Gjermanisë ndaj vetos bullgare. CDU/CSU kundër ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut.

Me gjithë përpjekjet e bëra nga presidencat gjermane dhe portugeze, Këshilli i BE-së e shtyu sërish çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo u bë e qartë pas takimit të Këshillit të Ministrave për çështje të përgjithshme, që u zhvillua të martën, më 22.06.21, në Luksemburg.

Me gjithë përpjekjet  tona, nuk arritëm që të miratojmë kornizën negociuese dhe të caktojmë datat për fillimin e konferencave të para ndërqeveritare, tha Ana Paula Zacarias, Sekretare shteti për çështje të Evropës  në ministrinë e jashtme të Portugalisë, në funksionin e saj si kryetare e radhës së konferencës. Zacarias dha si shkak veton e Bullgarisë për shkak të konfliktit ende të pazgjidhur me Maqedoninë e Veriut për çështjen e historisë. Ajo tha se “e inkurajojmë presidencën sllovene që të vijojë përpjekjet për të realizuar çeljen e negociatave gjatë semestrit të ardhshëm”.

Gjermania apelon te Bullgaria

Ministri gjerman i Evropës, Michael Roth, kishte thënë para takimit në Luksemburg se shpresonte që të arrihej një marrëveshje për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Sot është në pyetje besueshmëria e BE-së në Ballkanin Perëndimor. Para një viti vendosëm që të çelen negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. E tani ka ardhur koha që kjo të ndodhë”, tha ministri socialdemokrat.

Roth nuk e fshehu pakënaqësinë e tij ndaj vetos bullgare: “Unë nuk kam aspak mirëkuptim që këto vendime kaq të nevojshme të shtyhen për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe. Këto mosmarrëveshje nuk duhet të zgjidhen në BE”, tha ai.  “Këto vende i kanë plotësuar kushtet dhe ne duhet të bëjmë tonën”, tha ministri socialdemokrat.

Michael Roth tërhoqi vëmendjen për domosdoshmërinë e shtyrjes së vendimit në planin strategjik, duke argumentuar se vonesa të tilla do të krijojnë vakuume që “do të zihen nga të tjerët, të cilët nuk përfaqësojnë të njëjtat vlera si ne”.

Ndarja nuk është opsion

Edhe zëvendëskryetarja e Unionit Kristiandemokrat dhe Kristiansocial në Bundestagun Gjerman, Katja Leikert, në një intervistë dhënë programit shqip të DW, u shpreh e pakënaqur ndaj vetos së Bullgarisë. “Na vjen shumë keq, që për shkaqe të politikës së brendshme në Bullgari të mos çelen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha ajo. Leikert  u shpreh kundër shkëputjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në rrugën drejt BE-së: “Ne do t’i donim të dy vendet së bashku, sepse të dyja kanë bërë shumë përpjekje, dhe tani duhet të shpërblehen”.

Ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut është propozuar nga Bullgaria por nuk mbështet nga shumica e vendeve anëtare.  Ministri gjerman i punëve të jashtme, Heiko Maas, e tha para ca kohësh në Berlin se ndarja nuk vjen në pyetje. Edhe ministri i  jashtëm i Sllovenisë, Anze Logar, të cilit, nga 1 korriku do t’i kalojë dosja e zgjerimit, së bashku me çështjet e tjera të BE-së,  në një intervistë me rrjetin Euractiv është shprehur se është kategorikisht kundër ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut.

dw

Dështon nisja e bisedimeve me BE-në për Tiranën dhe Shkupin, pengesë Bullgaria

Problemet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut u bënë sërish pengesë për një vendimmarrje në favor të organizimit të Konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut nga njëra anë dhe Bashkimit evropian nga ana tjetër, që do të shënonte dhe nisjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim për të dy vendet ballkanike.

“Megjithë angazhimin e madh, nuk u bë e mundur që të arrihet në një marrëveshje për kornizën e bisedimeve, e për pasojë nuk qe e mundur që të nisnim me konfernzën ndërqeveritare me këto dy vende kandidate”, deklaroi të martën pasdite Ana Paula Zacarias, Sekretare e Shtetit për Çështjet europiane e Portugalisë, vendi i cili ka mbajtur presidencën e BE-së në 6 mujorin e parë të këtij viti.

Deklarata e saj u bë në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, e zhvilluar sot në Luksemburg. Gjithshka të të spostohet tanimë në shtator, kur presidencën e radhës do ta ketë Sllovenia. “Presidenca Slovene është angazhuar për të çuar përpara zgjidhjen e kësaj çështjeje”, bëri të ditur zonja Zacarias.

Për Shqipërinë, ka një konsensus të pranuar nga të gjithë shtetet, për t’i ndezur dritën jeshile përparimit të mëtejshëm të vendit në rrugën e integrimit. Së fundmi dhe Hollanda një ndër vendet më skeptike, ra dakort me vlerësimin e Komisionit europian për ecurinë pozitive të Shqipërisë.

Për Maqedoninë e Veriut, problem mbetet vetoja e Bullgarisë e cila nuk lëshon pe, ndonëse shumë vende anëtare po këmbëngulin që problemet bilateral të mos bëhen pengesë në procesin e integrimit. Mosmarrëveshjet mes Sofies dhe Shkupit lidhen me historinë dhe gjuhën. Bullgaria kërkon garanci se Maqedonia e Veriut nuk do të mbështesë asnjë pretendim ndaj një pakice maqedonase në Bullgari. Po ashtu kërkon që dokumentet zyrtare të BE-së të shmangin përmendjen e “gjuhës maqedonase”, që thotë se rrjedh nga bullgarishtja.

Duke qenë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, janë trajtuar së bashku në këtë proces, shtetet anëtare nuk kanë preferuar që t’i ndajnë ato nga njëra tjetra në këtë fazë.

voa

Vettingu për prokuroren Imeraj, Kim e Soreca mbështesin ONM-në

Në Shqipëri ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ai i Delegacionit te Bashkimit europian Luigi Soreca mbështetën sot vendimin e djeshëm të Operacionit Ndërkombëar të Monitorimit për të rekomanduar që procesi i rivlerësimit për kryeprokuroren e Tiranës Elizabeta Imeraj të shkojë në Kolegjin e Apelimit

Zonja Imeraj kaloi me sukses fazën e parë duke marrë vlerësime pozitive për të tri kriteret nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por ekspertët ndërkombëtarë në të kundërt kanë sugjeruar ankimimin, po ashtu për të tri kriteret e vlerësimit.

Në një postim në Twitter ambasadorja Kim shprehet se “të gjithë duhet të ndjekim nga afër se çfarë do ndodhë më pas”, duke ngritur pyetjen nëse “përgjigjja do të jetë shfaqje guximi dhe integriteti në dhënien e drejtësisë apo, siç kemi parë shumë shpesh në të kaluarën, shmangie e përpjekjeve duke sulmuar procesin e vetingut e duke përfolur vëzhguesit ndërkombëtarë?”

Ambasadorja Kim ju drejtua më pas dhe mediave vendase të cilat thuajse e kaluan në heshtje rekomandimin e djeshëm të ONM-së duke pyetur nëse ato “do t’i shërbejnë publikut dhe ta mbulojnë këtë çështje me integritet, apo do të marrin telefonata dhe do të pranojnë të qëndrojnë të heshtur dhe të verbër?”

Nga ana e tij ambasadori Soreca deklaroi se shpreson që Kolegji i Posaçëm i Apelimit “të shqyrtojë çështjen me integritet dhe pavarësi për të siguruar që çështjet e rëndësishme të theksuara në rekomandimin për apelim të konsiderohen siç duhet”.

Edhe gjatë seancave në Komisionin e Kualifikimit përfaqësuesit e ONM-së ngritën dyshime të forta ndaj prokurores Imeraj dhe mes palëve pati një përplasje të hapur.

voa

Shqipëria e Maqedonia bllokohen: Nuk ka datë për konferencë ndërqeveritare me BE-në

keshilli_i_evropes-konica.alMediat maqedonase shkruajnë se Bullgaria nuk ka lejuar Këshillin për Punë të Përgjithshme për të caktuar një datë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut.

Agjencia e lajmeve MIA, duke u mbështetur në burime diplomatike anonime njofton se debati për zgjerimin në takimin e ministrave në Luksemburg ka qenë intensiv në këtë temë. Sofjes i është thënë se kritikat në adresë të saj për këtë bllokim janë të shumta.

Përfaqësuesi bullgar në takim, sipas MIA-s, ka thënë se “BE nuk e kupton sa i thellë është problem midis Shkupit dhe Sofjes”, se “kjo mosmarrëveshje është një çështje evropiane” dhe se “Bullgaria është në një situatë specifike për shkak të zgjedhjeve të ardhshme në korrik”. Sidoqoftë diplomatët evropianë ankohen se Bullgaria nuk mund të japë ndonjë garanci se do të zhbllokojë veton me një qeveri politike.

Vendet anëtare që mbështesin zgjerimin, edhe para takimit, janë deklaruar “pro” fillimit të negociatave duke ftuar BE-në të mos i marrë parasysh kontestet bilaterale. Gjermania mendon se BE-ja duhet patjetër të bëjë diçka në këtë drejtim.

Në takimit e Këshillit për punë të përgjithshme diskutohet edhe sundimi i së drejtës në vendet anëtare. Më vonë gjatë ditës përgatiten edhe dy konferenca ndërqeveritare, njëra me Serbinë dhe tjetra me Malin e Zi, sipas metodologjisë së re të anëtarësimit. Ministrat përgatisin Samitin e shefave të vendeve anëtare që do të mbahet më 24 dhe 25 qershor.

Alsat

Osmani: Drejtësia, parakusht për paqe të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se drejtësia është parakusht për paqe të qëndrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ajo i ka bërë këto deklarata të martën nga Vjena, pas takimeve që ka zhvilluar me zyrtarë të lartë austriakë.

Në një konferencë të përbashkët për media me homologun e saj nga Austria, Alexander Van der Bellen, Osmani ka thënë se Serbia ka kryer luftë të tmerrshme në Kosovë kundër civilëve të pafajshëm dhe se për këto krime nuk ka ende kërkimfalje dhe pendesë nga Serbia.

“I bëj ftesë presidentit (serb Aleksandar) Vuçiq që së paku ta vendosë një lule në Batajnicë, në varrezën masive ku janë gjetur qindra fëmijë të vegjël e gra, të cilët ishin vrarë gjatë luftës në Kosovë”, ka deklaruar Osmani, duke thënë edhe se Kosova pret nga Serbia që të kthejë eshtrat e të pagjeturve.

Mes tjerash, Osmani ka përmendur edhe qëndrimin e BE-së karshi Serbisë.

“Mendoj se Bashkimi Evropian duhet të jetë i qartë me Serbinë, që ajo nuk mund të luajë me dy karta, edhe me Rusinë, edhe me Bashkimin Evropian. Ajo nuk mund të ulet në dy karrige në të njëjtën kohë, duhet ta zgjedhë cila është rruga e saj e vërtetë, e jo të hiqet si pro-evropiane në njëjtën anë, por ta rrisë bashkëpunimin edhe ushtarak edhe ekonomik, edhe politik me Rusinë në anën tjetër, duke rrezikuar kështu gjithë rajonin tonë nga ndikimi rus”, ka deklaruar ajo.

Sipas Osmanit, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, nuk ka qenë kurrë për statusin e Kosovës dhe se ky proces, duhet të përmbyllet me njohje reciproke.

Po të martën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia nuk ka nevojë për një konflikt të ngrirë me Kosovën.

Duke paraqitur para Kuvendit të Serbisë raportin për dialogun me Kosovën, Vuçiq ka thënë se serbët në Kosovë duan që negociatat të zhvillohen, në mënyrë që të arrihet ndonjë zgjidhje kompromisi në të ardhmen.

“Kur të më pyesni se çfarë është kompromisi, unë do të them: nuk e di”, ka deklaruar Vuçiq para ligjvënësve serbë.

Vuçiq ka thënë se dialogu me Kosovën është “transparent” dhe se pretendimet se “dikush po fsheh diçka diku dhe po përpiqet të mashtrojë publikun” janë “gënjeshtra”.

Raundi i fundit i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është mbajtur më 15 qershor.

Ky njëherësh ka qenë takimi i parë që kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut.

Në fund të takimit, zyrtarët kanë bërë të ditur se nuk janë marrë vesh për asnjërën nga temat e ngritura.

Raundi i ri i dialogut pritet të mbahet në muajin korrik.

rel