Ekspertët kërkojnë më shumë vaksinime të treta

Vakcina perforcimiSiç pritej, rastet e koronavirusit në Gjermani do të rriten sërish në vjeshtë. Një vaksinim i tretë mund të parandalojë infektimet, por për momentin shumë pak mund të vaksinohen.

Sa më ftohtë të jetë jashtë, aq më shumë zakonisht qëndrojmë brenda. Dhe kështu virusi Corona mund të përhapet më lehtë në dhoma të mbyllura. Sipas Institutit Robert Koch (RKI), incidenca shtatëditore në fundjavë ishte sërish treshifrore dhe u rrit në rreth 110 të infektuar për 100.000 banorë. Vetëm një javë më parë incidenca ishte 74.4.

Për shkak të rritjes së shpejtë të numrit të të infektuarve, ekspertët dhe politikanët kanë kërkuar edhe shtimin e numrit të personave që vaksinohen për herë të tretë, për të moshuarit dhe grupet e rrezikut. Vaksinimet e treta nevojiten urgjentisht për këto grupe të rrezikuara, thotë Dirk Heinrich, Kryetar Federal i Shoqatës së Mjekëve Virchow, për gazetën “Neue Osnabrücker Zeitung”.

Eugen Brysch, anëtar i bordit të Fondacionit Gjerman për Mbrojtjen e Pacientëve, u ankua gjithashtu për një “proces të ngadaltë” të vaksinimit. “Tani po na duket se ishte e gabuar heqja e qendrave të vaksinimit dhe ekipeve mobile për vaksinim”, tha ai.

Eksperti shëndetësor i SPD, Karl Lauterbach thotë se ka shumë punë për të bërë në mesin e qytetarëve të moshuar dhe bën thirrje për një zgjerim të konsiderueshëm të vaksinimeve të treta përforcuese. “Kur marrim parasysh numrit e rasteve në rritje, përfshirë edhe ato tek të moshuarit, një fushatë e re vaksinimi ,e vaksinat e treta në këtë grupmoshë është absolutisht e nevojshme”, tha Lauterbach për gazetat e grupit mediatik Funke.

Edhe liderja e të Majtës, Susanne Hennig-Wellsow mendon ngjashëm: Vaksinimet e treta tani duhet të fillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur. Numrat aktualë të Coronës janë “të tmerrshëm”, paralajmëroi ajo në një intervistë. Vaksinimi i tretë duhet të reklamohet në të njëjtën mënyrë si i pari dhe i dyti.

Sipas Ministrisë federale të Shëndetësisë, vetëm 1.6 milionë njerëz në Gjermani kanë marrë një vaksinë të tretë deri tani. Në Gjermani deri tani plotësisht janë vaksinuar 55.1 milionë njerëz, ose 66.2 përqind e popullsisë së përgjithshme. Sipas RKI, numri i pacientëve me koronavirus të pranuar në klinika për 100.000 banorë në shtatë ditë është aktualisht 2.77.

bc/djo/kle (dpa, epd, rtr)

Çfarë është COVID-i i zgjatur dhe si mund të kurohet

covid i zgjaturDisa nga simptomat e sëmundjes së zgjatur të shkaktuar nga koronavirusi janë lodhja kronike, turbullimi i mendimit, pagjumësia, probleme në zemër dhe vështirësi në frymëmarrje. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lesia Bakalets, përshkruan se çfarë përfaqëson realisht COVID-i zgjatur dhe se si po e kurojnë atë mjekët në Amerikë.

Pasi kalojnë COVID-19ën, shumë njerëz ankohen për simptoma të vazhdueshme për muaj të tërë.

Sipas një raporti të organizatës jofitimprurëse FAIR Health, rreth 15-20% e atyre që janë prekur nga virusi vazhdojnë të kenë simptoma muaj më vonë.

14-vjeçarja Seaenna nga shteti Cleveland u sëmur nga COVID-i rreth një vit më parë.

Kur m’u rikthye nuhatja, ishte komplet ndryshe, si e transformuar. Ushqimet e rregullta më japin shijen e llastikut që digjet. Një aromë e çuditshme”, thotë ajo.

Doktorët e quajnë këtë periudhë të gjatë rikuperimi “COVID-i i zgjatur”. Organizata Botërore e Shëndetësisë e quan periudhën “post-COVID”.

Ndodh tek individët që janë infektuar nga SARS-CoV-2, zakonisht rreth tre muaj më pas. Me simptomat që dallohen për të paktën tre muaj pas infektimit me koronavirus dhe zgjasin edhe për të paktën dy muaj të tjerë dhe që nuk mund të shpjegohen nga një diagnozë tjetër”, thotë Janet Diaz, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve përshkruajnë 18 simptoma të zakonshme, përfshirë kollën, dhimbjet e kokës, probleme me frymëmarrjen, pagjumësinë, çrregullimin e rrahjeve të zemrës dhe shpesh lodhje kronike.

“Është shumë e pranishme. Lodhja kombinohet me simptoma si ‘mjegullimi i trurit’, që do të thotë vështirësi në përqëndrim, mungesë kthjellimi…”, thotë Linda Geng, nga klinika “Stanford PACS”.

Dr. Geng kuron pacientët me COVID-in e zgjatur.

Ajo thotë se sfida është diagnostikimi i saktë, që këto simptoma të zakonshme janë për shkak të post-COVID-it dhe jo diçkaje tjetër.

“Ka një lidhje mes vazhdimësisë së simptomave, që nuk i kishin përpara se të merrnin COVID-in dhe të faktit që nuk patën ndryshime të tjera shëndetësore. Kjo eliminon disi mundësitë e tjera”, thotë doktore Geng.

Qendrat shëndetësore për COVID-in e zgjatur po shtohen me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara.

Në mediat sociale janë krijuar grupe për të ndihmuar pacientët që përballen me pasojat mendore të simptomave post-COVID.

Ish-infermierja Laney Bond thotë se grupit të saj në mediat sociale i shtohen 1500 persona në javë.

“Jemi përqëndruar tek informimi i pacientëve”, thotë ajo.

Institutet Kombëtare të Shëndetit kanë filluar një projekt prej 470 milionë dollarësh, për të mësuar më shumë rreth simptomave të post-COVID-it dhe për të gjetur një kurë për to.

voa

Covid 19: prej 3622 testeve, kemi 511 raste të reja, 10 viktima dhe 497 persona të shëruar

E martePasi u dogjën për së gjalli 14 pacientët në spitalin e ndërtuar nga qeveria aktuale, si duket shkaku i zgjedhjeve lokale edhe shifrat janë të dyshimta gjegjësisht nuk janë të besueshme.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit, janë kryer 3622 teste dhe 511 raste të reja të Covid-19 janë regjistruan në:

  • Shkup – 247 (territori i Shkupit me 617.646 banorë)
  • Tetovë – 15 (në territorin e Tetovës me 200.678 banorë që dtth.: Komuna e Tetovës me 91.760 banorë, + Komuna e Bogovinës me 30.928 banorë, + Komuna e Zhelinës me 28.044 banorë, + Komuna e Tearcës me 22.916 banorë, + Komuna e Bërvenicës me 16.590 banorë dhe + Komuna e Jegunovcës me 10.440 banorë).
  • Gostivar – 1 (111.252 banorë)
  • Kërçovë – 7 (me 56.937 banorë)
  • Kumanovë – 54 (me 109.228 banorë)
  • Manastir – 20 (me 91.983 banorë)
  • Strumica – 3 (me 57.175 banorë)
  • Ohër- 4 (51.591 banorë)
  • Kavadarci – 15 (me 38.741 banorë)
  • Koçani – 21 (me 37.758 banorë)
  • Prilep – 15 (me 75.132 banorë)
  • Veles –29 (me  54.384 banorë)
  • Resnje – 2 (me 16.313 banorë)
  • Shtip – 15 (me 43.625 banorë)
  • Radovish – 3 (me 29.100 banorë)
  • Kriva Pallanka – 10 (me  20.820 banorë)
  • Gjevgjeli – 8 (me 22.706 banorë)
  • Sveti Nikollë – 6 (me 17.683 banorë)
  • Negotinë – 6 (me  19.327 banorë)
  • Vinicë – 4 (me 19.391 banorë)

Kanë ndërruar jetë 10 persona: 4 nga Shkupi (82, 79, 64 dhe 51 vjeç), Kumanova (81 dhe 49 vjeç)  dhe nga 1 nga Manastiri (71 vjeç) , Velesi (75 vjeç), Shtipi (67 vjeç) dhe Makedonska Kamenica (69 vjeç).

Sot, Instituti i Shëndetit Publik regjistroi 497 pacientë të rikuperuar.

Aktualisht sipas analizave epidemiologjike shpërndarja sipas qyteteve të personave të infektuar (gjithsej) dhe rasteve aktive (gjithsej) është si vijon:

  • Shkup – 87721, aktiv 3177 (territori i Shkupit me 617.646 banorë)
  • Tetovë – 10964, aktiv 105 (territori i Tetovës me 200.678 banorë: Komuna e Tetovës me 91.760 banorë, Komuna e Bogovinës me 30.928 banorë, Komuna e Zhelinës me 28.044 banorë, Komuna e Tearcës me 22.916 banorë, Komuna e Bërvenicës me 16.590 banorë dhe Komuna e Jegunovcës me 10.440 banorë)
  • Gostivar – 7998, aktiv 25 (111.252 banorë)
  • Kumanovë – 12158, aktiv 443 (me 109.228 banorë)
  • Kërçovë – 4081, aktiv 69 (me 56.937 banorë)
  • Manastir – 7361, aktiv 207 (me 91.983 banorë)
  • Strumica – 5892, aktive 134 (me 57.175 banorë)
  • Dibër  – 1453, aktiv 5 (me 20.863 banorë)
  • Ohër- 6133, aktiv 183 (51.591 banorë).
  • Strugë – 3836, aktive 40 (me 65.801 banorë)
  • Prilep – 9393, aktiv 243 (me 75.132 banorë)
  • Koçani – 3514, aktiv 166 (me 37.758 banorë)
  • Shtip – 6081, aktiv 191 (me 43.625 banorë)
  • Kavadarci– 6209 , aktiv 196 (me 38.741 banorë)
  • Veles – 6720, aktiv 316 (me  54.384 banorë)
  • Pehçevë– 319aktiv 3 (me 5.517 banorë)
  • Sveti Nikollë – 1993, aktiv 78 (me 17.683 banorë)
  • Resnjë– 1576aktiv 36 (me 16.313 banorë) …

Deri më tani, janë kryer gjithsej 1,369,624 teste të Covid-19 në vend. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me COVID-19  që nga fillimi i epidemisë është 200,412, numri i pacientëve të rikuperuar është 187,149, numri i të vdekurve është 7,072, dhe numri i rasteve aktive është 6,191

Ambasadori gjerman: Politizimi i sporteve nuk është kurrë ide e mirë

Jörn RohdeAmbasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka thënë të martën se politizimi i sporteve nuk është kurrë ide e mirë.

Duke komentuar vendimin e fundit të autoriteteve serbe, që t’ia pamundësojnë pjesëmarrjen ekipit të Kosovës në Kampionatin Ndërkombëtar të Boksit, që po zhvillohet në Beograd, Rohde ka cituar reagimin e Bashkimin Evropian duke thënë se normalizimi afatgjatë i raporteve dhe pajtimi i qëndrueshëm mes shoqërive fillon me shkëmbimet intelektuale, kulturore, sportive dhe artistike.

Ai ka bërë këtë reagim duke iu referuar deklaratës së njëjtë që ka dhënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, për Radion Evropa e Lirë.

“Parandalimi i boksierëve nga pjesëmarrja në Kampionatin Ndërkombëtar të Boksit shkon në drejtim të kundërt. Fatkeqësisht ky është shembull i Ballkanit të mbyllur dhe jo të hapur”, ka thënë Rohdes, në një postim në rrjetin social, Twitter.

Kampionati ka nisur në Beograd më 24 tetor dhe do të zgjasë deri më 6 nëntor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Albin Kurti, ka thënë të hënën se, vendimi i Serbisë për të mos lejuar pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë në Kampionatin Botëror të Boksit paraqet “shkelje të normave ndërkombëtare të sportit”.

“Serbia duhet ta tregojë forcën e saj në ringun e boksit, jo në kufi”, ka thënë Kurti në Twitter.

Më 26 tetor, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, ka paralajmëruar se, gjatë kësaj jave, Kosova do të vendosë për ndalimin e zhvillimit të “aktiviteteve sportive paralele” serbe.

Sipas tij, në Kosovë funksionojnë shumë struktura paralele të federatave serbe, në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

Kosova është dashur të përfaqësohet këtë vit në Kampionat nga tre boksierë: Bashkim Bajoku, Shpëtim Bajoku dhe Patriot Behrami.

Mbi 300 të helmuar në spitalin e Krujës, ndërpritet furnizimi me ujë nga rrjeti i ujësjellësit

spitali krujeMbi 300 persona me simptoma helmimi janë paraqitur në spitalin e Krujës që prej mbrëmjes së djeshme. Qytetarë të grupmoshave të ndryshme kanë kërkuar trajtim mjekësor sepse pjesa më e madhe kishin diarre e të vjella që shkaktojnë dehidratim.

“Kam kriza barku, dhimbje koke, të vjella. I shfaqa shenjat mbrëmë. Dyshoj tek uji duke e pirë përditë. S’kemi ku të dyshojmë”, tha një qytetar.

Situata e helmimit të banorëve të Krujës ka vënë në lëvizje autoritetet vendore, si dhe policinë e prokurorinë e Krujës për të kuptuar shkaqet e kësaj situate të rënduar shëndetësore në popullatën e Krujës.

Personat me simptoma janë nga zona të ndryshme të Krujës, ndaj dyshimet janë përqendruar te cilësia e ujit të pijshëm që rrjedh në rubineta.

Për këtë arsye është ndërprerë furnizimi me ujë nga rrjeti i ujësjellësit në  Krujë. Vendimi është marrë nga njësia vendore e Kujdesit Shëndetësor në pritje të përgjigjes së analizave për ngarkesën mikrobike/bakterologjike të ujit.

Mbi 80 përqind e popullatës në Krujë konsumon ujin e çezmës në përditshmërinë e tyre.

Drejtues të ujësjellësit të Krujës shprehen se janë në pritje të analizave të ujit për të vërtetuar dyshimet që kanë rënë mbi ujin si burim infeksioni për banorët dhe ndërmarrë veprime të mëtejshme.

Top Channel

Microsofti: Hakerët e mbështetur nga Rusia synojnë shërbimet ‘cloud’

FILE PHOTO: A Microsoft logo is seen in Los AngelesMikrosofti thotë se të njëjtët hakerë të mbështetur nga Rusia, përgjegjës për sabotazhin ndaj kompanisë SolarWinds në vitin 2020, vazhdojnë të sulmojnë kompanitë teknologjike, sidomos ato që ofrojnë shërbime për mbajtjen e të dhënave nëpër servera (cloud).

 

Mikrosofti tha se grupi, të cilin e quan Nobelium, po përdor një strategji të re, që e bën Nobeliumin “të duket si partner teknologjik i kompanisë të cilën sulmon, për të hyrë në sistemet e saj”. Mikrosofti tha se sipas analizës së tij, që nga fillimi i majit, më shumë se 140 kompani kanë qënë në shënjestër dhe 14 prej tyre, mundet të kenë rënë viktimë.

Administrata amerikane, nga ana tjetër, u mundua ta zbusë lajmin. Një zyrtar që donte të mbetej anonim, tha se “aktivitetet e përmendura nga Mikrosofti, janë sulme të njohura, që synojne spiunazh, jo sabotim, që ndërmerren përditë nga Rusia apo qeveri të tjera të huaja.”

Ambasada ruse nuk iu përgjigj një kërkese për të komentuar.

Marrëdheniet mes SHBA-së dhe Rusisë janë ftohur edhe më tej këtë vit, pas një seri sulmesh kibernetike të grupeve mafioze ruse, që kanë marrë peng sisteme të tëra të disa kompanive amerikane. Presidenti Biden i ka kërkuar Presidentit Rus Vladimir Putin, që Rusia t’i ndëshkojë këta kriminelë, por disa zyrtarë të sigurisë kibernetike të administratës kanë thënë kohët e fundit se nuk kanë parë prova të tilla.

voa

Një e mbijetuar nga kanceri i gjirit tregon historinë e saj

kanceri i gjiritVetëm dy muaj pasi kishte bërë një mamografi që doli rezultate normale, Brikela Rada diktoi një gjendër në gjirin e majtë dhe e kuptoi që diçka nuk shkonte.

“Mbas dy muajsh duke bërë dush e ndjeva që diçka nuk shkonte në anën e majtë. Me thënë të drejtën u ftoha nga koka deri tek këmba. Nuk dija kujt t’i thoja përpara. I thashë bashkëshortit. Vajza më e madhe më mungonte se nuk ishte aty. Lajmërova shoqet e mia, lajmërova njerëzit e mi, pa ditur asgjë por diçka e ndjeva se ishte një gjendër goxha e madhe”, thotë ajo në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Pas disa vizitash dhe biopsisë, në mars 2017 ajo u diagnostikua me kancer gjiri, lloji më i përhapur i kancerit për gratë në gjithë botën.

Më pas Brikela, që banon në Staten Island të Nju Jorkut, mori një lajm tjetër sfidues. Kanceri që e kishte prekur ishte më agresivi, ai me tre receptorë negative, që nuk mund të trajtohet me terapi hormonale dhe ka prirjen të rritet dhe të përhapet më shpejt. Ishte në fazën e dytë, të tretë.

“Të them të drejtën, rasti i dytë që unë shpërtheva në lot, sepse nuk jam njeri që qaj kollaj, sa vajza e madhe u habit dhe tha ‘mami, mami OK, OK mos u shqetëso. Shtangu sepse nuk me kishte parë ndonjëherë një reagim të tillë nga unë”, thotë ajo.

Pas tronditjes së parë, Brikela që vetë thotë se gjithmonë ka qenë natyrë e prirur nga optimizmi dhe pozitiviteti, vendosi se mënyra e vetme për të reaguar ishte të luftonte sepse sipas saj nuk kishte “kthim prapa”.

“Edhe pse kisha mbështetjen e bashkëshortit, vajzave, shoqeve, njerëzve të mi, patjetër duhet ta luftoja vetë këtë, se ishte e pamundur… po të mos isha unë vetë ajo luftëtarja, nuk më ndihmonte dot asnjeri për këtë pjesë”, thotë nëna e dy vajzave.

Beteja e saj kundër kancerit zgjati për katër vjet, pasi iu rikthye dy herë.

“Do ta luftoja prapë. Nuk kisha zgjidhje tjetër”, thotë ajo.

Në një betejë që nuk është vetëm fizike, por edhe emocionale dhe psikologjike, dhe me një trajtim që sjell edhe ndryshime të mëdha nga ana fizike, Brikela thotë se që në fillim vendosi të mos mbante parruke, por vetëm vinte shami shumë ngjyrëshe, të lidhura bukur.

“Doja ta shihja veten time para pasqyrës ashtu siç isha”, thotë ajo.

Ajo gjithashtu vazhdoi një jetë sa më normale që mundej, dhe mes seancave të kimioterapisë dhe rrezatimit vazhdonte të shkonte në punë dhe të kishte një jetë sociale.

Mesazhi i saj për gratë dhe vajzat që përballen me këtë sëmundje, në këtë muaj ndërgjegjësimi ndaj kancerit të gjrit, është që t’i japin kurajo vetes.

“Unë këtë ia dedikoj vetes sime, falë temperamentit tim, karakterit tim. Patjetër edhe shoqërisë dhe njerëzve sepse siç thashë unë jam familje e madhe dhe kam njerëz të mrekullueshëm që më rrethojnë”, thotë ajo.

Por përveç kësaj ajo këshillon kontrolle të rregullta nga vetë gratë

“Patjetër kontrolle tek mjeku, sepse vetëm nëpërmjet kontrollit ne mund të mposhtim gjithmonë, sidomos këtë lloj sëmundjeje që ka marrë përmasa të mëdha”, thotë ajo.

Prej një viti e gjysëm ajo nuk ka më kancer.

Kanceri i gjirit në shifra

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vitin 2020, u diagnostikuan 2.3 milionë gra me kancer gjiri në shkallë globale. 685 mijë gra vdiqën prej kësaj sëmundjeje.

Në Shtetet e Bashkuara, një ndër tetë gra do të preken nga kanceri i gjirit.

Në Shqipëri, identifikohen mesatarisht 700 raste në vit me kancer gjiri, ndërsa në Kosovë këtë vit nga janari deri në tetor janë regjistruar rreth 300.

Falë parandalimit dhe kurave, vdekshmëria nga kjo sëmundje ka rënë ndjeshëm.

voa

Erdogan tërhiqet nga vendimi për shpalljen non grata të ambasadorëve

ErdoganPresidenti turk iu kundërvu apeleve të Perëndimit për lirimin e intelektualit Kavala duke dashur ta shfrytëzojë situatën për politikën e brendshme. Ai kërcënoi me dëbim ambsadorët. Por tani e tërhoqi vendimin.

Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan e tërhoqi deklaratën për shpalljen non grata të ambasadorëve perëndimorë.Erdogan tha në Ankara, se „ambasadorët janë tërhequr nga qendrimet e tyre” dhe „në të ardhmen do të jenë më të kujdesshëm”. Para kësaj deklarate të Erdoganit, ambasadorët e prekur patën postuar në Twitter një deklaratë, sipas së cilës ata i përmbahen Konventës së Vjenës për të mos ndëryhrë në punët e brendshme të vendit ku kryejnë shërbimin.

“Qëllimi ynë nuk ishte të shkaktonim një krizë”.

Përfaqësia e SHBA-së në Turqi të hënën pasdite (25.10) publikoi në Twitter një deklaratë për respektimin e Konventës së Vjenës. “Synimi ynë nuk ishte të shkaktonim një krizë”, u shpreh më tej Erdogan. Ne kishim për qëllim të mbronim të drejtat e sovranitetit të Turqisë.

Kreu i shtetit Erdogan në fundjavë shkaktoi një skandal kur deklaroi, se dhjetë ambasadorë perëndimorë do t’i shpallë persona të padëshiruar – nga protestat kundër deklaratës së tyre të solidaritetit me sipërmarrësin dhe mbështetësin e kulturës Osman Kavala, që mbahet në burg. Me shpalljen e person non grata zakonisht pason dëbimi i personave nga vendi. Të prekur nga ky qendrim ishin ndër të tjerë ambasadori gjerman Jürgen Schulz dhe kolegët e tij nga Franca, SHBA-ja dhe shtatë vende të tjera.

64-vjeçari Kavala ndodhet në arrest hetimor në Stamboll që nga viti 2017, ndonëse Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka udhëzuar më 2019 lirimin  eitj. Kavala menaxhon një nga shtëpitë botuese më të mëdha në Turqi dhe angazhohet me organizatën e tij Anadolu Kültür për dialogun me grupet etnike si dhe në konfliktin me kurdët apo me Armeninë. Ai është gjithashtu themeluesi i degës turke të fondacionit Shoqëria e Hapur të filantropit nga SHBA George Soros, i cili është në shënjestër prej shumë populistëve.

sti/qu (afp, dpa, rtr)

Çmimet e “çmendura” të energjisë, vetëm në tetor u blenë rreth 65 milionë euro në treg të lirë

energjia blerjetEnergjia është kthyer në të mirën më të lakmuar të këtyre ditëve dhe çmimet në bursa kanë prekur nivele rekord teksa u theksua se nuk bëhej më fjalë për vlerë financiare, por për sasi të disponueshme për blerje.

Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL), një nga tre kompanitë pjesë e OSHEE Group, pagoi vetëm në tetor për të siguruar energjinë e nevojshme për konsum rreth 65 milionë euro, një shumë kjo rekord dhe më e madhja e regjistruar ndonjëherë në një hark të tillë kohor prej më pak se 30 ditësh. Mjafton të shohim procedurat që janë zhvilluar gjatë këtij muaji që mbulojnë periudhën nga data 4 tetor deri në 31 tetor për të llogaritur dhe shpenzimin që është dashur të bëhet.

Ajo që bie në sy për çdo procedurë është fakti që është shtrirë në të paktën tre faza dhe ku pavarësisht kësaj shtrirje nuk është arritur të sigurohet në pjesën më të madhe sasia e kërkuar e energjisë.

Për datat nga 4 tetori deri në 31 tetor janë blerë në treg të lirë mbi 237 mijë MWh energji, çka bën që çmimi mesatar me të cilën është siguruar një megavat/orë është rreth 273 euro/ MWh.

Sigurisht ky çmim rezulton nga mesatarizimi, por FTL-së i është dashur të blejë energji në nivele mbi 320 euro MWh.

Qeveria shpalli në 8 tetor gjendjen e emergjencës në furnizimin me energji elektrike duke sjellë bashkë me të një sërë masash që nisin nga pezullimi i investimeve në sektorin e energjisë nga të tre operatorët dhe fokusimi i tyre tek sigurimi i energjisë për konsum deri tek vendosja në dispozicion të instrumenteve financiarë për OSHEE-në. Kjo e fundit ka në dispozicion 100 milionë euro për të siguruar energjinë e nevojshme gjatë këtij viti në tregun e lirë ndërkohë që 100 milionë të tjera janë në dispozicion për pjesën e parë të vitit tjetër. Gjendja e emergjencës është lënë në fuqi deri më 15 prill 2022.

Por teksa u tha se OSHEE do të ketë në dispozicion për këtë vit 100 milionë euro për blerje energjie thuajse 65 për qind e këtij fondi është fshirë vetëm në muajin tetor teksa mbeten para nëntori dhe dhjetori. Sigurisht shpresat janë varur tek ndryshimi i situatës hidrike në vend dhe reshjet potenciale në vjeshtë dhe dimër por nuk ka asnjë garanci mbi ecurinë dhe sytë mbeten në tregun e lirë.

Aktualisht çmimet në bursa vijojnë të mbeten të lartë edhe pse disi më ndryshe nga mesi i tetorit. Në Bursën e Hungarisë 1 MWh për datën 26 tetor u shit mesatarisht me 235 euro, ndërkohë që në pik regjistroi vlerën 251 euro. Ekspertë ndërkombëtarë të sektorit të energjisë dhe ekonomistët parashikojnë që kriza e energjisë të zgjasë të paktën dy vjet deri në stabilizimin e çmimeve për shkak të kushteve dhe faktorëve kompleksë që e krijuan atë dhe nga e cila po vuan një pjesë e mirë e globit.

Monitor