180 mijë dollarë në muaj nga Bitcoin/ Ferma më e madhe në Shqipëri konsumon energji sa 5 furra buke

BitcoinProdhimi i parasë digjitale Bitcoin po josh me mijëra persona në Shqipëri.

Një fermë bitcoin është ndërtuar në një fshat pranë Tiranës dhe burimet thonë se përdor energjinë duke e vjedhur.
Nëse do të faturohej do të duhet të paguajë disa miliona lekë në muaj energji elektrike. Ngritja e një fermë me Bitcoin nuk mund të bëhet pa siguruar më parë mënyrën se si të vjedhësh energjinë elektrike. Energjia elektrike nuk mund të vidhet pa bekimin e një punonjësi të OSHEE-je ose të një polici. Prodhuesit e monedhës virtuale detyrohen të vjedhin energjinë, pasi në të kundërt për shumë vite atyre do t’u duhet të punojnë për investimin në fermë.

Pse vidhet energjia? Sepse fitimi është kolosal nëse vidhet dhe është shumë i vogël dhe i papërfillshëm nëse energjia nuk vidhet. Në qoftë se unë merrem me Bitcoin dhe paguaj energjinë elektrikë ia vlen? Nuk ia vlen sepse kostot do t’i nxirrje për një kohë shumë të gjatë. Shumë persona që janë marrë me Bitcoin që në e saj e kanë parë që është shumë e vështirë mbajtja e një ferme për shumë kohë në Shqipëri, dhe kanë gjetur si zgjidhje Mitrovicën fermat e tyre i kanë ngritur atje pasi është në mes në Kosovës dhe Serbisë dhe nuk e paguajnë fare energjinë”, shpjegon eksperti i IT-së, Gent Progni.

Ujdia që bëjnë prodhuesit e kriptomonedhës me zyrtarët është e thjeshtë, duke i bërë ata aksionerë të fermës.

Vidhet siç vidhet energjia në Shqipëri, lidh dy kabuj dhe e fut në sistem. Rëndom kemi dëgjuar që ndahen fitimet pra 30% të fitimit e merr personi që të mbulon”, thotë ai.

Pas fermave të mëdha të kriptomonedhës qëndrojnë njerëzit e që kanë shumë kapital dhe që duan ta mbajnë atë larg kontrollit të institucioneve. Ferma më e madhe në Shqipëri afërsisht prodhon 2-3 Bitcoin në muaj, afërsisht 180 mijë dollarë muaj.

Një fermë e madhe është me 2000 mijë pajisje. Dhe sa energji eletrike do kjo fermë? Kjo harxhon sa 5 furra buke pra 10 milion lekë në muaj i do energji elektrike”, tregon Progni.

Top Channel

Automjete të drejtuara nga distanca

Të marrësh një automjet me qera në ditët e sotme nëpërmjet telefonit celular nuk është e pazakontë. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Tina Trinh, një kompani në Las Vegas nëpërmjet teknologjisë së përdorur mund t’i dërgojë automjetet tek klientët pa patur nevojë për një shofer.

Në ditët e sotme për të bërë një udhëtim mund të kërkosh një automjet nëpërmjet telefonit celular dhe kjo nuk është e pazakontë.
Përveç rastit kur automjeti nuk ka nevojë për një drejtues, pra mund të shkojë vetë tek klientët.
“Po tërheqin shumë vëmendje. Të gjithë duan t’i shikojë këto automjete, t’i prekin, të provojnë këtë ndjesi”, thotë Anand Nandakumar, themelues i kompanisë “Halo”
“Halo”, është një kompani që ofron automjete të cilat nuk kanë nevjë për një drejtues. Janë elektrike, gjysmë-autonome dhe mund të kontrollohen nga distanca.
Këto automjete mund të përdoren nga qytetarët në Las Vegas, të Nevadës, ndërsa kompania ka krijuar një qendër ku rrinë shoferët që i drejtojnë nga të paktën 50 kilometra largësi.
“Ne po blejmë automjete elektrike, më pas iu vendosim atyre sensorë dhe një sistem drejtimi që na mundëson të bëjmë punën nga distanca”, thotë zoti Nandakumar.
Por cila është pjesa më e rëndësishme e makinës? Sipas drejtuesëve të kompanisë janë kamerat e instaluara që iu japin shoferëve që i drejtojnë nga distanca mundësi të kenë pamje në 360 gradë.
Një rol të rëndësishëm ka dhe rrjeti 5G i kompanisë T-Mobile.
“Për mua, kjo është një mënyrë për të treguar dhe demonstruar fuqinë e rrjetit 5G”, thotë zoti John Saw, drejtues në kompaninë T-Mobile.
Në momentin që automjeti shkon tek klienti, është ky i fundit që më pas merr drejtimin. Ekspertët thonë se ky është një hap i vogël drejt të ardhmes ku makinat plotësisht autonome mund të jenë më të përhapura.
Tani për tani, themeluesi i kompanisë “Halo” thotë se ky eskperiment mund të rrisë besimin e konsumatorit.
“Ekziston një mosbesim tek njerëzit për mjetet e trasnportit në të ardhmen, ku të gjitha automjetet potencialisht do të jenë pa shofer dhe autonomë. Pra, që ne të ndërtojmë atë besim, duhet të fillojmë diku”, thotë Anand Nandakumar, themelues i kompanisë Halo.
Ky lloj shërbimi eleminon po ashtu edhe një problem tjetër: parkimin.
“Kur ju të keni mbaruar punë, thejsht dil nga automjeti dhe mbyll derën. Më pas ne do ta drejtojmë atë”, thotë themeluesi i kompanisë “Halo”.
voa

Kritikët e Erdoganit: Kërkesa për dëbimin e diplomatëve, shpërqendrim nga problemet ekonomike

ErdoganKundërshtarët politikë të Presidentit Tajip Erdogan thanë se thirrja e tij për të dëbuar ambasadorët e 10 vendeve aleate perëndimore ishte një përpjekje për të hequr vëmendjen nga vështirësitë ekonomike që po kalon Turqia. Nga ana tjetër diplomatët shpresojnë ende që dëbimet të shmangen.

Të shtunën zoti Erdogan tha se ka urdhëruar që ambasadorët e disa vendeve të shpallen “persona të padëshiruar”, pasi kanë kërkuar lirimin nga burgu të filantropistit Osman Kavala. Ministria e Jashtme turke nuk e ka zbatuar ende udhëzimin e presidentit, një masë që do të krijonte përçarjen më të thellë me Perëndimin në 19 vitet e Erdoganit në pushtet.

Kriza diplomatike përkon me shqetësimet e investitorëve për rënien e lirës turke, në nivele të ulta rekord, pas një vendimi javën e kaluar të Bankës Qendrore, për të ulur papritur normat e interesit me 200 për qind, nën presionin e Presidentit Erdogan për të stimuluar ekonominë.

Kemal Kilicdaroglu, udhëheqës i opozitës kryesore (CHP), tha se zoti Erdogan “po e çonte vendin me shpejtësi drejt greminës”.

Arsyeja për këto lëvizje nuk është mbrojtja e interesave kombëtare, por krijimi i arsyeve artificiale për shkatërrimin e ekonomisë“, shkruante ai në një postim në Twitter.

Osman Kavala, i cili ka kontribuar financiarisht për grupeve të shumta të shoqërisë civile, ka qendruar në burg për katër vjet, i akuzuar për financimin e protestave mbarëkombëtare në vitin 2013 dhe për përfshirje në një grusht shteti të dështuar në vitin 2016. Ai i ka hedhur poshtë akuzat dhe po qëndron në paraburgim ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij vazhdon.

Zoti Erdogan i quajti kërkesat e diplomatëve “të pacipa” duke shtuar se ata nuk kishin të drejtë të kërkonin lirimin e zotit Kavala, duke theksuar se gjyqësori turk është i pavarur.

Sinan Ulgen, kryetar i institutit studimor “Edam” me qendër në Stamboll dhe një ish-diplomat turk, tha se shpresonte që Ankaraja të mos i dëbojë diplomatët. Në një postim në twitter ai e quante propozimin e presidentit turk, si një masë të pashembullt mes aleatëve të NATO -s.

Ministria e Jashtme turke po punon shumë për të gjetur një formulë më të pranueshme. Por koha po mbaron”, shktuante ai.

Por jo gjithmonë Presidenti Erdogan nuk i ka çuar deri në fund kërcënimet e tij.

Në 2018, pas një mosmarrëveshje me Uashingtonin, zoti Erdogan deklaroi se Turqia do të bojkotonte mallrat elektronike amerikane. Por shitja e mallrave nuk u prek. Vitin e kaluar, ai u bëri thirrje turqve të bojkotojnë mallrat franceze, rreth asaj që ai e quajti axhendë “anti-islame” e Presidentit Emmanuel Macron, por ai nuk e zbatoi një masë të tillë.

Sipas një burimi diplomatik, të hënën, gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar pritet të merret nje vendim lidhur me diplomatët. Po sipas tij ishte mundur gjithashtu ulja e tensioneve, duke pasur parasysh shqetësimet mbi pasojat e mundshme diplomatike. Zoti Erdogan ka thënë se do të takohet me Presidentin amerikan Joe Biden gjatë samitit të G20 që mbahet fundjavën tjetër në Romë.

voa

 

Instituti i Vjenës rishikon me rritje ecurinë ekonomike të Shqipërisë më 2021

ekonomia-rritet-1Pas Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) edhe Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare në Vjenë e rishikoi me +1.9 pikë përqindje (pp) rritjen ekonomike të Shqipërisë më 2021 në raportin e vjeshtës.

Sipas ekspertëve të Vjenës, ekonomia e Shqipërisë do të rritet këtë vit me 6.4% nga 4.5% që ishin pritshmëritë më herët në raportin e pranverës. FMN tashmë pret një rritje prej 7.8% dhe Banka Botërore prej 7.2%.

Rimëkëmbja e Shqipërisë në formë “V” sugjeron që ekonomia është përsëri në rrugën e duhur dhe do të mbetet e shëndoshë. Rritja e PBB-së do të përshpejtohet në 6.4% në 2021 dhe do të vijojë mbi 4.5% në një periudhë afatmesme, sugjerojnë ekspertët e Vjenës.

Ata pohuan se rritja u ndikua nga zhvillimet pozitive në sektorin e turizmit. “Sektori i turizmit ka pasur një vit mbresëlënës dhe po i afrohet nivelit të tij para pandemisë. Rritja do të udhëhiqet nga investimet dhe nga kërkesa optimiste e jashtme dhe e brendshme, por rreziqet negative do të rrjedhin nga tregjet ndërkombëtare dhe kërcënimet që vijnë nga zhvillimet pandemike” analizojnë ekspertët.

Instituti i Vjenës pret që ekonomitë e 23 vendeve të Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE) ku bën pjesë edhe Shqipëria të rriten me 5.4% këtë vit. Prithsmëritë u rishikuan me rritje prej 1.2 pikë përqindjeje, krahasuar me pranverën. Vendet që do të kenë rritjen më të lartë janë Turqia (9.1%), Mali i Zi (8.4%) dhe Moldavia (8%), edhe pse dy vendet e fundit do rriten për shkak të bazës shumë të ulët.

Ekspertët e Vjenës analizojnë se në vitin 2021, Rajoni i CESEE ka të ngjarë të rritet ndjeshëm më shpejt se Zona e Euros (4.8%). Rajoni kaloi nivelin e parakrizës të vitit 2019 në tremujorin e dytë.

“Performanca e fortë e ekonomive të Europës Lindore shpjegohet kryesisht me rregullat më pak strikte të COVID në shumë vende, dhe me faktin se sektori i shërbimeve është shumë më i vogël se në Europën Perëndimore” , thotë Vasily Astrov, Ekonomisti Lartë në “WIIW” dhe autor kryesori raportit të Parashikimit.

Shtytësi kryesori rritjes në CESEE është konsumi privat. me një mesatare prej 14.5%, me një zgjerim të ndjeshëm në tremujorin e dytë. Investimet gjithashtu u rritën. Estonia pati shumë investime në fushën e bioteknologjisë dhe prodhimit të vaksinave Covid-19.

Eksportet gjithashtu po rriten ndjeshëm për shkak të kërkesës globale dhe rimëkëmbjes së turizmit. Megjithatë, prodhimi industrial në shumë vende të rajonit po vuan nga mungesa e lëndëve të para.

Papunësia gjithashtu mbetet një problem në shumë vende, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, por në të njëjtën kohë, ka mungesa të fuqisë punëtore në ata sektorë që janë zgjeruar pas krizës.

Inflacioni në rritje po ndihet në mënyrë të ngjashme në CESEE. Aktualisht, në shumicën e vendeve të rajonit, normat e inflacionit janë 3% deri në 4% më të larta se në fillim të vitit. Megjithatë, inflacioni i lartë duhet të jetë një fenomen kalimtar. Aty ku përdoret euro, presioni inflacionist është përgjithësisht më i ulët.

Monitor

Reagime pas ndalimit të sportistëve të Kosovës nga Serbia

BoksReagon Federata Ndërkombëtare e Boksit, AIBA dhe autoritetet e Kosovës pasi Serbia ndaloi në kufi dhe nuk lejoi përfaqësuesen e Kosovës që të merrte pjesë në Kampionatin e Boksit që zhvillohet në Beograd.

Autoritetet e Serbisë ndaluan në kufi dhe nuk lejuan ekipin përfaqësues të boksit të  Kosovës që të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit që zhvillohet në Beograd. Ky refuzim nxiti reagimin e autoriteteve të Kosovës, por dhe të Federatës Ndërkombëtare të Boksit. Zyrtarët e Komitetit Olimpik të Kosovës, thanë se përfaqësuesja e Kosovës tre herë brenda fundjavës tentoi të hyjë në Serbi, por ata u ndaluan në kufi pa ndonjë shpjegim zyrtar të autoriteteve të Serbisë.

Kosova dënon veprimin serb

Në një njoftim të Komitetit Olimpik të Kosovës thuhet se”pas dy orë pritjeje në kufi dhe kontrollimi të detajuar të makinës dhe veshjeve, policia serbe mori urdhrin nga Qeveria e Serbisë për të mos lejuar hyrjen në Serbi”.

“Komiteti Olimpik i Kosovës dënon ashpër veprimin e Qeverisë së Serbisë, derisa do të kërkojë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe organet e tjera përkatëse të marrin masa ndaj Serbisë”, thuhet në reagimin e KOK. Autoritetet e Serbisë nuk dhanë ndonjë sqarim se pse nuk u lejuan sportistët e Kosovës që të hyjnë në Serbi, ndonëse Federata e Boksit e Kosovës është anëtare me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Boksit AIBA që nga viti 2014. Zyrtarë të AIBA-as thanë se Federata e Boksit të Kosovës nuk duhet të trajtohet ndryshe nga delegacionet, e çdo anëtar tjetër i AIBA-s”.

AIBA: Sporti të jetë i lirë nga politikat kombëtare

“Ne besojmë që të gjithë atletët duhet të kenë shanse të njëjta për të garuar dhe për të treguar aftësitë e tyre më të mira në ring. Sporti ka për qëllim të bashkojë njerëzit dhe duhet të jetë i lirë nga politikat kombëtare”, u tha në një reagim të AIBA, ku shtohet se janë në kontakt me autoritetet serbe që të zgjidhet kjo ҫështje.

Vendimi i autoriteteve serbe që nuk lejoi përfaqësuesen e boksit të Kosovës që të hyjë në Serbi, nxiti reagime të ashpra të autoriteteve në Kosovë. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës tha se “qeveria së bashku me aleatët po punojnë shumë për të hequr barrikadat ilegale të Serbisë kundër konkurrencës së ndershme në kampionatin botëror”.

“Me këtë veprim, Serbia si organizatore e Kampionatit Botëror të Boksit ka shkelur të drejtën e sportistëve dhe të drejtën e Federatës së Boksit të Kosovës, për pjesëmarrje në Kampionat, siç është e përcaktuar me rregullat e organizatave ndërkombëtare të sportit. Kërkojmë nga organet kompetente të shtetit të Serbisë të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të reagojnë me shpejtësi në mënyrë që garuesit tanë të arrijnë në kohë për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet nga 24 tetori deri më 6 nëntor”, thuhet në reagimin e Ministrisë për Kulturë dhe Sport të qeverisë së Kosovës.

dw

Kamberi: Shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë të diskriminohen në Serbi

KamberiNë një intervistë për Zërin e Amerikës deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha se shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë të diskriminohen në Serbi. Deputeti Kamberi foli edhe për nismën “Ballkani i Hapur” për të clën u shpreh se, pa pjesëmarrjen e të gjithë shteteve, Ballkani do të vazhdojë të mbetet një rajon i trazuar.

I ndodhur në Shqipëri në një vizitë jozyrtare, deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha gjatë një intervistë për Zërin e Amerikës se shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë të jenë të diskriminuar:

“Shqiptarët janë të diskriminuar në sfera të ndryshme të jetës. Mohimi i integrimit të barabartë në institucionet e shtetit, përdorimit të lirë dhe zyrtarë të gjuhës në intitucionet e shtetit, pra integrimit si një proces që fare nuk është zhvilluar, pavarësisht faktit se Serbia me tre programe dhe me tre marrëveshjet që ka me shqiptarët është zotuar se do ta kryejë këtë. Është pra një ndër problemet kryesore me të cilin ballafaqofen shqiptarët”.

Serbia, tha deputeti Kamberi, vazhdon t’i mohojë shqiptarëve të drejtën e përdorimit të simbolit kombëtar, ndërkohë që mban peng zhvillimin ekonomik të tre komunave në Luginën e Preshevës duke ndikuar në një shpopullim të qetë nga pjesa vitale e popullsisë shqiptare.

Duke folur për nismën “Ballkani i hapur”, deputeti Kamberi tha se çdo bashkëpunim në rajon duhet përshëndetur dhe se kjo nismë, e nisur mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, duhet të ndikojë edhe në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Për momentin ne nuk jemi duke parë ndonjë lëvizje pozitive dhe ndryshim të raportit të qasjes së Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës. T’i japim hapësisë kohës, të presim, se ndoshta mund të ketë diçka. Nëse nuk ka lëvizje në atë drejtim, për shqiptarët e Luginës së Preshevës mund të jetë një iniciativë e kotë”, thotë ai.

Deputeti Kamberi tha se për të qenë një nisëm e kompletuar, “Ballkani i hapur” duhet të përfshijë të gjithë vendet e këtij rajoni dhe jo, si deri tani, që nismës i mungojnë tre apo katër shtete:

“Siguria kolektive e Ballkanit Përendimor varet nga stabiliteti në të gjithë këto shtete. Nëse nuk është stabile Bosnja dhe raportet atje mes tre etnive, atëherë ajo mund t’a rrezikojë paqen në cilëndo pjesë të Ballkanit. Raporti i Serbisë me Kosovën mendoj se është po ashtu qenësor, jo vetëm për Ballkanin, por në rradhë të parë në raportin mes shqiptarëve dhe serbëve. Se, nëse nuk kemi lëvizje në normalizim të raporteve për njohje reciproke, Ballkani do të mbetet akoma i trazuar, pavarësisht këtyre iniciativeve tre palëshe që ekzistojnë”.

I pyetur rreth pozicionit të tij si deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë, zoti Kamberi tha se është i vendosur të flasë për të vertetën e shqiptarëve në Serbi dhe atë të Kosovës.

“Dhe ajo, që ne po synojmë, është që në mënyrë publike, para opinionit serb, para opinionit ndërkombëtar, të flasim për të vërtetën që ekziston për shqiptarët, të flasim për nevojën e demokratizimit të atij shteti, sepse pa demokratizim të Serbisë nuk mund të presim që do të ketë stabilitet në atë shtet në rradhë të parë, po kjo po e kushtëzon stabilitetin në mbarë Ballkanin. Të flasim pra për përmirësimin e raporteve ndërfqinjësore. Në rradhë të parë këtu flasim për cështjen e Kosovës. E kur jemi me Kosovën, çështja e parë që Serbia duhet të kryejë është kërkimfalja, respektivisht publikimi i të vërtetës për varrezat e shumta masive që ekzistojnë në Serbi”.

Mediat e kontrolluara në Serbi nuk japin hapësirë, tha deputeti Kamberi, ndaj parlamenti mbetet e vetmja mundësi për të shpalosur të vërtetat mbi shqiptarët, me të cilat një pjesë e madhe e opinionit në Serbi nuk është i njohur.

voa

Marrëveshja Shqipëri-Kosovë për bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike, reagon ambasadorja Kim

yuri-kimPas marrëveshjes të nënshkruar pak ditë më parë për bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike të Shqipërisë dhe Kosovës, ka reaguar ambasadorja Yuri Kim.

Përmes një postimi në twitter, ambasadorja shkruan se ky bashkëpunim është i barabartë me fuqi më të madhe negociuese dhe e barabartë po ashtu me çmime më të ulëta dhe më pak ndërprerje energjie.

“Shqipëria dhe Kosova nënshkruan marrëveshjen për të bashkuar tregjet e energjisë elektrike. “Bashkim” = fuqi më e madhe negociuese = çmime më të ulëta dhe më pak ndërprerje energjie. Si pjesë e mbështetjes së SHBA për sigurinë energjetike dhe integrimin rajonal, @USAID do të punojë me Shqipërinë dhe Kosovën për të krijuar shkëmbimin e forcave dhe për të lëvizur energjinë elektrike”, shkruan amabsadorja Kim.

Kujtojmë se, dy ditë më parë kryetarët e Enteve Rregullatore ERE, ZRRE, si dhe Administratorët e të dy Operatorëve të Sistemit të Transmetimit OST dhe KOSTT, nënshkruan në Tiranë marrëveshjen mbi bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike Shqipëri dhe Kosovë.

Kjo marrëveshje do të jetë bazë për marrëveshje të tjera të njëpasnjëshme, kushte dhe metodologji që do të miratohen për vënien në jetë të tregut të përbashkët energjetik nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike, ALPEX.

Kjo arritje e rëndësishme për të dy vendet pati gjatë të gjithë procesit të saj gatishmërinë dhe mbështetjen e fort të USAID në Shqipëri.

Top Channel

FDA: Përfitimet e vaksinës Pfizer për fëmijët, më të mëdha se rreziku

PfizerEkspertët e Administratës së Ushqimit dhe Barnave në Shtetet e Bashkuara thanë të premten se përfitimet nga vaksina Pfizer për fëmijët 5 deri në 11 vjeç kundër COVID-19 janë shumë më të mëdha sesa rreziku i rasteve të rralla të inflamacionit të zemrës, të quajtur miokardit.

Njoftimi vjen para se një panel ekspertësh të jashtëm të votojë të martën nëse do të rekomandojë miratimin e vaksinës nga FDA për këtë grupmoshë.

Nëse agjencia e jep autorizimin, vaksinat mund të jenë të disponueshme në Shtetet e Bashkuara në fillim të nëntorit.

Komisioni i pavarur këshillues i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve do ta shqyrtojë këtë çështje më 2 dhe 3 nëntor.

Kompania farmaceutike Pfizer dhe partneri i saj gjerman, BioNTech, publikuan të premten të dhëna që tregojnë se vaksina e tyre ndaj COVID-19 është e sigurt dhe 90,7% efektive në parandalimin e infeksioneve simptomatike tek fëmijët 5 deri në 11 vjeç.

Pfizer tha se prova u krye në mesin e 2,268 fëmijëve të moshës 5 dhe 11 vjeç, të cilëve iu dhanë doza më të vogla, sa një e treta e atyre që u jepen personave 12 vjeç e lart.

Në pritje të miratimit, Shtëpia e Bardhë këtë javë njoftoi planet për të shpërndarë doza të mjaftueshme vaksine për 28 milionë fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç që jetojnë aktualisht në SHBA.

voa

Si e zgjeron Hezbollahu shtrirjen e Iranit në Lindje të Mesme?

HezbollahHezbollah, grup shiit i Libanit, ka punuar me Iranin në Lindje të Mesme, prej kur është themeluar më 1982.

Kjo njëherësh konsiderohet një nga marrëdhëniet më të rëndësishme në Lindje të Mesme, në ditët e sotme.

Çfarë është Hezbollahu?

Garda Revolucionare e Iranit, e ka themeluar këtë grup më 1982 për të përhapur Revolucionin Islamik dhe për të luftuar forcat izraelite, që kishin pushtuar Libanin po atë vit.

Hezbollah përkrah ideologjinë islamike shiite të Teheranit, dhe e konsideron liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei si udhëzues politik dhe shpirtëror.

E shpallur nga Shtetet e Bashkuara dhe shtete tjera perëndimore si organizatë terroriste, Hezbollah e ka një krah të fuqishëm ushtarak, që e ka pranuar se është i armatosur dhe i financuar nga Irani.

Ky grup po ashtu ka një aparat të inteligjencës për të kontrolluar zonat e veta në jug të Bejrutit dhe jug të Libanit, si dhe në zonat kufitare me Sirinë.

Si një prej dy partive dominuese shiite të Libanit, Hezbollah ka ligjvënës në parlament dhe ministra në qeveri. Dega politike e grupit është rritur më 2018, kur, bashkë me aleatët, ka fituar shumicë parlamentare.

Në mesin e veprimtarive komerciale përfshihen shitje me pakicë dhe kompani ndërtimi. Grupi udhëheq edhe shkolla e klinika.

Hezbollah, i cili është bërë më i fuqshëm sesa vetë shteti i Libranit në katër dekadat e fundit, ka qenë vazhdimisht në konflikt me Izraelin.

Forcat guerile të Hezbollahut kanë pamundësuar prezencë të Izraelit në Liban më 2000 dhe kanë hedhur 4,000 raketa në Izrael në luftën 34-ditore më 2006.

Prej atëherë, Hezbollah është kthyer në forcë edhe më të fuqishme.

Grupi është akuzuar për nisje të sulmeve me bomba nga Libani.

Argjentina fajëson Hezbollahun dhe Iranin për sulmin me bombë në një qendër të komunitetit hebre më 1994 në Buenos Aires, si pasojë e të cilit kanë mbetur të vdekur 85 persona.

Në një tjetër sulm në ambasadën izraelite në Buenos Aires më 1992 kanë mbetur të vdekur 29 persona.

Si Hezbollahu, ashtu edhe Irani, kanë mohuar se kanë përgjegjësi për sulmet.

Bullgaria ka akuzuar Hezbollahun se ka kryer sulm me bombë në qytetin Burgas më 2012, duke lënë të vdekur pesë turistë izraelitë.

Hezbollahu sërish ka mohuar përfshirjen.

Pse i ndihmon Hezbollahu Iranit në rajon?

Hezbollahu i ndihmon Iranit për të rritur fuqinë në gjithë rajonin.

Sekretari i Përgjithshëm i këtij grupi, Sayyed Hassan Nasrallah, është figurë udhëheqëse e “Aksit të Rezistencës”, lëvizje që në krye me Iranin, synon të luftojë Izraelin, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët arabë.

Zëdhënësi karizamtik, Nasralla, ndihmon në organizim të aleancave arabe në Teheran.

Lidhjet e ngushta të Hezbollahut me Iranin janë ilustruar më mirë më 2013, kur grupi i është bashkuar luftës në Siri, bashkë me Iranin, për ta mbrojtur aleatin e përbashkët, presidentin sirian, Bashar al-Assad.

Në Irak, Hezbollah e ka pranuar hapur se ka mbështetur grupe paramilitare shiite që mbështeten nga Irani.

Në Jemen, Hezbollahu ka mbështetur rebelët Huthi – të lidhur me Iranin – në luftën e tyre kundër koalicionit të udhëhequr nga sauditët.

Më 2017, Hezbollah e ka mohuar se ka dërguar armë në Jemen.

Mes tjerash, Hezbollah ka pranuar se ka ofruar ndihmë për grupin palestinez, Hamas.

Kujt i përket Libani?

Hezbollah e konsideron Iranin si lojtar të madh në Liban, shtet ku Shtetet e Bashkuara, Rusia, Siria, Arabia Saudite dhe shumë shtete tjera kanë luftuar për ndikim për shumë vjet.

Grupet në hije, për të cilat zyrtarët e sigurisë në Liban dhe inteligjenca perëndimore tregojnë se janë të lidhura me Hezbollahun, kanë kryer sulme, të cilat kanë nxitur largimin e trupave amerikane nga Libani më 1980, duke përfshirë edhe sulmet vetëvrasëse në ambasadat perëndimore.

Hezbollah nuk e ka konfirmuar as nuk e ka mohuar kurrë përgjegjësinë.

Hezbollah është vërejtur më shumë në politikën e Libanit, pasi ka vrarë ish-kryeministrin mysliman sunit, Rafik al-Hariri, dhe pas tërheqjes së trupave siriane nga Libani më 2005.

Një gjykatë e përkrahur nga Kombet e Bashkuara vitin e kaluar, ka dënuar një anëtar të Hezbollahut duke thënë se ka bërë komplot për të vrarë Haririn, i cili ëshë parë si kërcënim për ndikimin e Iranit dhe Sirisë në Liban, ndonëse nuk ka gjetur përfshirje të drejtpërdrejtë të udhëheqësisë së Hezbollahut.

Hezbollahu ka mohuar të ketë pasur rol në vrasjen e Haririt dhe ka akuzuar tribunalin se është bërë mjet i armiqve të grupit në Shtetet e Bashkuara dhe Izrael.

I konsideruar si bazë për Hezbollahun, Libani ka rëndësi të madhe, si për grupin, ashtu edhe për Iranin.

Hezbollahu ka shfrytëzuar degën politike dhe – me raste – edhe atë ushtarake, për të luftuar kërcënimet nga rivalët në Liban, të cilët thonë se arsenali i madh i grupit ka dëmtuar shtetin.

Më 2008, luftëtarët e Hezbollahut patën marrë kontrollin e Bejrutit gjatë një lufte për pushtet me ish-Qeverinë saudite, të përkrahur nga Perëndimi.

Së fundmi, grupi ka çuar përpara thirrjet për largim të hetuesit kryesor për shpërthimin në portin e Bejrutit, Tarek Bitar, pasi ai ka bërë hetime për disa nga aleatët më të ngushtë të Hezbollahut, nën dyshimet për neglizhencë.

Sipas Hezbollahut, hetimet e tij kanë ngjyresa politike dhe doza paragjykimi.

rel

Kosova i shpall “non grata” dy zyrtarë rusë

OsmaniKosova ka urdhëruar dëbimin e dy diplomatëve rusë, duke akuzuar Moskën për aktivitete “destabilizuese”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi të premten (22 tetor) se dy diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Kosovë janë shpallur persona të padëshiruar (non grata) dhe janë urdhëruar të largohen nga vendi.

Ajo tha se i ka kërkuar zëvendëskryeministres, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla-Schwarz, t‘i shpallë persona të padëshiruar dy zyrtarët rusë për shkak të “aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të vendit”.

“MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rus persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohë i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij”, thuhet në një njoftim të presidentes Osmani.

Presidentja Osmani ka thënë se institucionet e vendit janë të vendosura në luftën kundër ndikimit qëllimkeq të Rusisë dhe “satelitëve të saj në rajon”, të cilët, sipas saj, synojnë rrënimin e arritjeve të Kosovës, Shteteve të Bashkuara, NATO-s, dhe Bashkimit Evropian.

“Për këtë arsye do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni ynë të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse”, thuhet në njoftim.

Nuk bëhet e ditur se cilat kanë qenë aktivitetet e këtyre dy zyrtarëve që kanë nxitur autoritetet e Kosovës t’i shpallin persona të padëshirueshëm.

“I siguroj qytetarët e vendit se institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të hezitojnë të veprojnë çdoherë kur cenohet siguria dhe rendi kushtetues në vend”, thotë presidentja Osmani.

Ambasada e Rusisë në Beograd në reagimin e saj ka thënë se “asnjë vendim i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore për Rusinë”, transmeton Radio Televizioni i Serbisë, duke cituar agjencinë Tass.

“Ne nuk e njohim pavarësinë e Kosovës, prandaj nuk e njohim qeverinë e tyre apo strukturat e tjera. Asnjë vendim i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore për ne”, ka thënë Ambasada e Rusisë.

Hapja e zyrës ndërlidhëse ruse në Kosovë ishte bërë në vitin 2005 nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Hapja e saj ishte bërë tre vjet para se Kosova të shpallte pavarësinë, e cila kundërshtohet nga Serbia dhe Rusia.

Rusia nuk synon të ketë ndikim te kosovarët ose qeveria e tyre për të përvetësuar ndjenja ose politika pro-ruse, por ndikimi saj bëhet në disa forma të tjera, thuhet në një raport të mëhershëm të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

Sipas këtij raporti, operacionet ruse të ndikimit janë kryesisht të kufizuara te serbët e Kosovës, me lejen e Serbisë, kryesisht për të parandaluar zgjerimin e sovranitetit të Prishtinës në zonat me shumicë serbe dhe lufta më e madhe e Rusisë ndaj Kosovës është pengimi i saj për t’u njohur nga organizata ndërkombëtare.

rel