Kupchan: Ballkani të përgatitet për rikthim të angazhimit intensiv amerikan

 

Charles Kupchan, ekspert i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se rajoni i Ballkanit gjendet në listën e prioriteteve të administratës amerikane.

Kupchan, njëherësh profesor në Universitetin Georgetown në Uashington, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të bashkojnë forcat për zgjidhje të mosmarrëveshjeve në rajonin e Ballkanit, në mënyrë që të mbajnë larg ndikimin e Rusisë dhe Kinës.

Sipas tij, Christopher Hill, i nominuari i presidentit amerikan, Joe Biden, për ambasador në Serbi, është njeri me përvojë të jashtëzakonshme në Ballkan dhe nam të madh në Uashington, si dhe me shumë peshë në qarqet diplomatike.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Kupchan, administrata amerikane ka nominuar së fundmi ambasadorë të rinj në tri shtete të Ballkanit. Jeffrey Hovenier në Kosovë, Christopher Hill në Serbi dhe Michael Murphy në Bosnje-Hercegovinë. Gabriel Escobar është po ashtu i ri në pozitën e tij si zëvendës-ndihmës i Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë dhe si i dërguar për Ballkanin. Disa thonë se këto vendime tregojnë që Shtetet e Bashkuara kanë synime serioze në këtë rajon. Si e komentoni këtë?

Charles Kupchan: Nuk jam i befasuar që Departamenti amerikan i Shtetit ka emëruar diplomatë shumë të talentuar dhe me përvojë për këto pozita, për dy arsye. Njëra është që vetë presidenti (amerikan, Joe Biden) është i interesuar për Ballkanin. Ai ka qenë i përfshirë në rajon për dekada. Një nga udhëtimet e tij të fundit, sa ka qenë nënpresident, kanë qenë në Prishtinë dhe Beograd. Ekziston një rrugë që është në emër të djalit të tij në Kosovë.

Pra është person që ka lidhje për kohë të gjatë me këtë rajon. Po ashtu mendoj që këto janë edhe përpjekje për të investuar në diplomatë të karrierës në shërbim të jashtëm, për t’u rimëkëmbur nga epoka e (ish-presidentit amerikan, Donald) Trump, kur nuk ka pasur shumë performancë të mirë në Departamentin e Shtetit. Prandaj mendoj se është kombinim i përfshirjes së profesionistëve të karrierës dhe shqetësimeve të presidentit për Ballkanin.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se rajoni i Ballkanit Perëndimor është një nga rajonet me prioritet për administratën Biden, në mënyrë që të përfundohen proceset e zvarritura nga e kaluara?

Charles Kupchan: Nëse dëshironi të thoni se a është prioritet global? Përgjigja është jo. Unë them se ai ka dy prioritete kyçe. E para, që e dominon presidencën e tij, është rregullimi i gjërave brenda SHBA-së, miratimi në Kongres i paketave të mëdha për investime, për të ndihmuar popullin amerikan dhe për t’u siguruar se epoka e Trumpit, apo diçka e ngjashme, nuk do të përsëritet më kurrë.

E dyta ka të bëjë me implikimet nga rritja e Kinës. Rritja e Kinës, në disa mënyra përbën temë kyçe gjeopolitike të kohës sonë. Mirëpo nëse dikush pyet se cilat janë prioritetet rajonale, mendoj se Ballkani është ngritur në listë, kryesisht për shkak të punëve të papërfunduara të komunitetit atlantik. Mendoj se ndarja e përgjakshme e ish-Jugosllavisë, ka krijuar disa efekte politike, të cilat nuk janë përfunduar ende.

Unë mendoj se e di si përfundon kjo gjë. Kjo çështje përfundon me integrimin e plotë të rajonit në institucione atlantike. Vetëm se nuk e dimë kur do të ndodhë kjo gjë. Mendoj se administrata Biden do ta bëjë këtë gjë prioritet.

“SHBA dhe BE të bashkojnë forcat për marrëdhëniet Kosovë-Serbi”

Radio Evropa e Lirë: Në dëshminë e tij para Komitetit të Senatit për Punë të Jashtme, më herët gjatë këtij muaji, Hovenier ka thënë se nëse i konfirmohet nominimi, ai do ta inkurajojë Kosovën që të angazhohet me konstruktivitet, fleksibilitet dhe urgjencë në dialog me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. A mund të shohim një marrëveshje në mes të dyja vendeve gjatë mandatit të tyre? Në çfarë shkalle e shihni fleksibilitetin e dy palëve në arritjen e një marrëveshjeje?

Charles Kupchan: Mendoj se duhet dhënë merita, kur ka të tilla. Administrata Trump ka bërë përparim në këtë fushë, pra ka pasur lëvizje në aspektin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ato çfarë do të shohim tani janë përpjekje për kaluar në aspektin politik dhe për të normalizuar marrëdhënet në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Nuk e besoj që dikush ka iluzione për këtë punë. Do të jetë e vështirë. Politika në të dyja anët është shumë e vështirë. Mirëpo mendoj se janë bashkuar forcat në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara që mund të krijojnë presion të jashtëm dhe stimujt e nevojshëm për të orkestruar përparim. Mendoj se një nga gabimet që ka bërë administrata Biden është se ka ndjekur rrugën si e vetme, dhe BE-ja po ashtu rrugë të vetme. Pres të shoh SHBA-në dhe BE-në që të bashkohen për të shënuar përparim në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Ky më duket ekipi më i mirë për të çuar çështje përpara.

Radio Evropa e Lirë: Sa i përket kësaj çështjeje, më 21 tetor, Parlamenti Evropian ka kritikuar Bashkimin Evropian se nuk ka përmbushur premtimet ndaj Ballkanit Perëndimor. Disa ligjvënës i kanë konsideruar premtimet dhe konkluzat nga Samiti i Bërdos si “fjalë boshe”, duke përmendur refuzimin për të ofruar afate kohore për procesin e zgjerimit. Ndërkohë, BE-ja dhe SHBA-ja janë pajtuar për të forcuar edhe më shumë angazhimin e tyre në Ballkanin Perëndimor, për t’i ndihmuar rajonit që të shënojë përparim në rrugën evropiane. Çfarë mund të presim nga një përkushtim i tillë?

Charles Kupchan: Kritikat nga Parlamenti Evropian nuk janë për t’u befasuar dhe të paarsyeshme. Një kombinim i krizave politike brenda Evropës Perëndimore dhe Shteteve e Bashkuara, plus pandemia, kanë ndikuar që një periudhë të ketë më shumë fokus brenda. Prioritetet kanë qenë rimëkëmbja e ekonomisë, luftimi i pandemisë së koronavirusit, kthimi i njerëzve në punë dhe kjo ka bërë që të ketë më pak vëmendje në agjendën e politikës së jashtme. Sa i përket Evropës, kemi parë një lodhje nga zgjerimi dhe një fokus në Brexit dhe menaxhim të situatës pas largimit të Britanisë së Madhe nga BE-ja.

Ende nuk e kemi tejkaluar pandeminë, ende duhet bërë shumë punë. Mirëpo e vërej që, si në Bruksel, ashtu edhe në Uashington, ka një marrëveshje që për çështjet e papërfunduara në rajonin e Ballkanit, kjo është kohë e përshtatshme për t’i adresuar ato. Vlen të përmendet se ajo çfarë po motivon të dyja palët e Atlantikut janë Rusia dhe Kina. Rusia ende përpiqet të shfrytëzojë mosmarrëveshjet politike në rajon, në të mirë të saj. Kina është duke tentuar të depërtojë në Evropën Juglindore. Prandaj SHBA-ja dhe BE-ja dëshirojnë ta mbajnë Ballkanin Perëndimor larg ndikimit rus dhe atij kinez. Dhe kjo gjë nënkupton zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike dhe drejtimin e të gjitha shteteve të rajonit në rrugë për anëtarësim në BE dhe NATO.

Radio Evropa e Lirë: Të kalojmë në Bosnjë. Ambasada amerikane në Bosnje-Hercegovinë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se SHBA-ja është e gatshme të përdorë të gjitha sanksionet e mundshme kundër atyre që dëmtojnë Marrëveshjen e Dejtonit për Paqe. Kjo deklaratë ka ardhur pas vendimit të Republikës Sërpska që në mënyrë jokushtetuese të miratojë një ligj për krijim të një agjencie për ilaçe, në nivel entiteti. Është thënë se e njëjta gjë do të ndodhë me forcat e armatosura të Bosnjës, Agjencinë e Sigurisë dhe Autoritetin Indirekt të Tatimeve. Si i komentoni vendimet e anëtarit të presidencës trepalëshe, Milorad Dodikut dhe deri në çfarë niveli mund të përdoren sanksionet amerikane?

Charles Kupchan: Nuk dua të spekulojë se çfarë hapa specifikë mund të marrë SHBA, qoftë vetëm, apo në koordinim me BE-në. Mirëpo ka zemërim në të dyja anët e Atlantikut rreth zhvillimeve politike në Republikën Sërpska, në lidhje me mënyrën sesi Dodik është duke luajtur lojë të rrezikshme dhe është duke qëndruar në pushtet në Bosnje-Hercegovinë. Sërish, nuk dua të spekulojë, mirëpo më duket se ka nevojë në rritje për të shënuar përparim të rëndësishëm në rajon.

Qoftë përmes sanksioneve, apo përmes rishikimit të Marrëveshjes së Dejtonit dhe për të krijuar struktuara që vendosin më pak theks në partitë që udhëheqin në baza politike. Mbetet të shihet. Mirëpo shihet qartë se tentimet për të krijuar politikë më të shëndetshme dhe konstruktive në Bosnje-Hercegovinë janë një nga prioritetet në rajon, bashkë me normalizimin në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Rusia i shfrytëzon gjithmonë ndasitë”

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni pozicionin e Rusisë në ndasitë politike në Bosnje?

Charles Kupchan: Rusia është shtet që gjithmonë tenton që të shfrytëzojë nga ndasitë. Dhe është e mirë në këtë gjë. Kjo është një nga arsyet pse them se BE-ja dhe SHBA-ja do të tentojnë të ndihmojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshje politike. Në rastin e Serbisë, rusët janë shumë të mirë për të shfrytëzuar ndasitë politike brenda Ballkanit Perëndimor. Prandaj ky është arsyetim i mirë për të tentuar që të tejkalohen ndasitë politike nga e kaluara.

Radio Evropa e Lirë: Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur fuqishëm nisjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Por, a mund të bëjë diçka Uashingtoni për ta përshpejtuar këtë proces?

Charles Kupchan: Shtetet e Bashkuara në këtë rast janë të interesuara në negociatat për anëtarësim në BE, mirëpo nuk mendoj se janë lojtare dhe mund të ushtrojnë shumë ndikim të jashtëm. As nuk mendoj që duhet. Fusha e vetme ku them unë se diplomacia e SHBA-së dhe BE-së duhet të jetë në linjë, ka të bëjë me Serbinë dhe Kosovën. Ajo çfarë po shohim tani janë mënyra për të ofruar një sërë stimujsh, bashkë me shkopinj e karota, për t’i shtyrë palët më afër njëra-tjetrës. Dhe një nga joshjet më të mëdha për zgjidhje të mosmarrëveshjeve është perspektiva e anëtarësimit në BE. Prandaj them se SHBA-ja dhe BE-ja duhet të punojnë ngusht, për faktin e joshjes së fuqishme të anëtarësimit në bllokun evropian.

“Christopher Hill, njeri me shumë peshë në qarqet diplomatike”

Radio Evropa e Lirë: Cilat mendoni se do të jenë prioritetet e Christopher Hill-it në Serbi? Vetëm Kosova, apo edhe diçka tjetër?

Charles Kupchan: Do ta ketë një agjendë të gjerë. Marrëdhënia me Kosovën do të zë pjesën më të madh, por gjithashtu edhe përfshirja ruse në Serbi, më pas ekonomia ruse dhe nevoja për ta bartur Serbinë në drejtimin e duhur, jo vetëm në aspektin politik, por edhe atë ekonomik. Marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë besoj se do ta dominojë mandatin e tij, për aq kohë sa ekziston si çështje në rajon dhe që vazhdon të krijojë tensione në mes të shqiptarëve dhe serbëve etnikë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në linja kufitare në Maqedoni të Veriut. Mendoj se kjo çështje është e vështirë, por që do të ndihmojë në përmirësim të marrëdhënieve në rajon.

Radio Evropa e Lirë: Christopher Hill ka luajtur rol të rëndësishëm në vitet e 90-ta, kur marrëdhëniet në mes të Beogradit dhe Uashingonit kanë qenë në pikën më të ulët. Çfarë ndikimi do të ketë përvoja e tij nga periudha e përgjakshme, për marrëdhëniet në të ardhmen me elitën politike në Serbi, të udhëhequr nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq?

Charles Kupchan: Fillimisht, Christopher Hill, i njeh lojtarët dhe do të ketë marrëdhënie personale të fuqishme me disa prej figurave të rëndësishme në rajon. Dhe kjo është gjë e mirë për fillim. Nuk do t’i duhet të krijojë lidhje. Së dyti, ai është njeri me përvojë të jashtëzakonshme dhe ka shumë kredibilitet në Uashington. Kjo nënkupton se ai do të ketë qasje të drejtpërdrejtë jo vetëm te Sekretari (amerikan i Shtetit, Antony) Blinken, por edhe në Shtëpi të Bardhë dhe lojtarë tjerë kyçë. Ai ka shumë peshë në qarqet diplomatike. Ai ka shumë përvojë brenda Departamentit të Shtetit. Ka qenë edhe jashtë për një kohë dhe ka krijuar reputacion si komentator i zgjuar, si dhe analist. Ai është një prej individëve më me përvojë dhe reputacion të lartë dhe mendoj që ky është lajm i mirë për Serbinë.

Radio Evropa e Lirë: Ambasadorit amerikan në Mal të Zi do t’i përfundojë mandati shumë shpejt. Marrë parasysh rritjen e interesimit për situatën në Ballkan, a mendoni se ambasadori i ri në këtë shtet do të jetë dikush me njohuri më të mëdha për çështjet e Ballkanit? Thënë me fjalë tjera, a do ta përdorë Departamenti amerikan i Shtetit recetën serbe – sikurse me rastin e zotit Hill – edhe në rastin e Malit të Zi?

Charles Kupchan: Është e vështirë që të thuhet se kë mund ta dërgojë atje Departamenti amerikan i Shtetit. Mirëpo mendoj se diskutimi lë të kuptohet se rajoni është në listën e prioriteteve. Në këtë rajon janë duke u dërguar diplomatë me përvojë, qoftë si ambasadorë apo edhe zëvëndës-ndihmës Sekretari për këtë rajon, si dikush me reputacion të madh. Mesazhi që është duke u dërguar është se, SHBA-ja e sheh rajonin si prioritet. Qeveritë në rajon duhet të jenë të përgatitura dhe mund të presin rikthim të angazhimit intensiv amerikan.

 

rel

Rama paralajmëron kryebashkiakët: Gjeni zgjidhje me plehrat, ndryshe qeveria do marrë bashkitë, ju do jepni llogari!

RamaGjatë mbledhjes së mbajtur këtë të premte me kryebashkiakët dhe prefektët, Kryeministri Rama me tone të larta tha se asnjë vend depozitim i paligjshëm nuk do të tolerohet dhe nëse shihen parregullsi do të sanksionohen bashkitë dhe buxheti i bashkive!

Madje, më tej Rama shton se do të shkohet deri aty sa qeveria do të marrë në administrim bashkinë dhe kjo parashikohet në ligj. Kreu i qeverisë shton se nëse ndodh kjo gjë kryetari i bashkisë së bashku me gjithë punëtorët e tjerë do të japin llogari!

“Është e paimagjinueshme dhe për ta thënë fjalën e fundit, kjo bisedë s’do bëhej para disa vitesh sepse do na mungonin pikat fundore, sot i keni këto pika dhe duhet të merrni masa që të gjitha mbetjet të shkojnë në pikat fundore. Asnjëlloj vend depozitimesh i paligjshëm nuk do të tolerohet, do të sanksionohen bashkitë dhe buxheti i bashkive, do të shkohet deri në marrjen në administrim të bashkisë, e merr qeveria në administrim bashkinë. Nëse shkojmë në atë pikë kryetari i bashkisë bashkë me gjithë të tjerët do të shkojnë të përgjigjen për gjithë këtë gjënë, shpresoj që s’do të jetë nevoja të shkojmë në atë pikë”, u shpreh Rama.

Në fjalën e tij, Rama përgëzoi bashkinë e Maliqit për menaxhimin e situatës, duke thënë:

“Shkoni në Maliq, shkoni shikoni, nuk është më e pasur se bashkitë e tjera, dhe kur të gjeni plehra si ato gjenden me shumicë në Himarë si ato që janë në Dhërmi, edhe tani që flasim, më informoni edhe mua, do jemi shumë të surprizuar, ça ka bahskia e Maliqit? Ka një njeri atje që nuk pajtohet dot me plehra. Vullneti dhe miradministrimi me atë që janë në këtë proces, operatorë privatë apo publik që e ka vendosur bashkia ta mbajë vetë, janë pjesë e autonomisë tuaj”.

Kreu i qeverisë iu bën thirrje kryetarëve të bashkisë t’ju rrisin tarifat bizneseve që stërmbushin kazanët, që janë thjesht për konsum familjar, ndërsa më tej Kryeministri ju tregon edhe një zgjidhje!

“Se mos kujtojë njeri se çfarë u tha ‘tarifat’ dhe ju të rrisni tarifat, rritjani atyre që ndosin më shumë, jo pesnionistëve dhe jo familjeve, t’jua rrisni bizneseve që ndotin më shumë Nuk ju kushton gjë tju thoni që zotrote gjithë këto plehra, se kazanët nuk i stërmbushin qytetarët por bizneset dhe ato duhet të hyjnë në një tjetër metodologji, dhe duhet ti lënë mbeturinat nëpër thasë në një orë të caktuar në një pikë afër lokalit, jo nëpër kazanë, kazanët janë për konsumin familjar, si në gjithë botën. Nëse kalon në rrugët e Parisit, janë të mbushur me thasë të zinj që janë në anë të dyerve, në atë orë vijnë i marrin makinat dhe s’ka asgjë dhe po të shkosh në kazan dhe të jesh biznes të mbyllin biznesin. Po kush iu bën këto? I bën kryebashkiaku, duke u zgjuar i pari dhe duke fjetur i fundit, duke mos mbyllur sytë derisa pika e fundit të jetë pastruar. Na rroftë rritja e numrit të turistëve nëse i shoqërojmë me rritjen e pirgjeve. Mjaftojmë ne, mjafton kjo sallë që kjo situatë të përmbyset pa diskutim në një kohë të shkurtër dhe sezoni i ardhshëm të jetë gjë tjetër”, shton më tej kryeministri.

Top Channel

BB: Në Shqipëri e Kosovë rimëkëmbje e fortë e ekonomisë

WorldBankGroupShqipëria dhe Kosova rregjistruan një rimëkëmbje të fuqishme të ekonomisë së tyre pas frenimit që pësuan vitin e kaluar për shkak të pandemisë Covid 19, bëri të ditur sot raporti periodik i Bankës botërore mbi zhvillimet ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Ekonomia shqiptare pritet të rritet këtë vit me 7.2 përqind, ndërsa ajo e Kosovës me 7.1 përqind, një nga nivelet më të larta në rajon, duke u renditur pas Malit të zi, Prodhimi i brendshëm bruto (PBB) i të cilit parashikohet të arrijë në 10.8 përqind.

 

Shqipëria

Ecuria e aktivitetit ekonomik në Shqipëri mbështetet kryesisht në sektorët e shërbimeve dhe ndërtimit. Sipas drejtuesit të zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, Emanuel Salinas “rritja më e qëndrueshme në sektorë të tjerë është endë një fushë mundësishë për vendin”. Parashikimet e Bankës Botërore janë që rritja të bjerë ndjeshëm në dy vitet e ardhshme, duke u reduktuar në një nivel mesatar prej 3,8 për qind për vitin 2022 dhe 3,7 për qind për vitin 2023. Ecuria e mëtejshme e saj, sipas Bankës Boterore, do të ndikohet dhe nga situata e pandemisë, përfshirë procesin e vaksinimit, i cili në Shqipëri po ecën me ritme të ngadalta, por dhe nga faktorë të tjerë që pritet të ndikojnë të gjithë rajonin, si rritja e çmimeve të energjisë që do të ketë ndikim në ekonomi gjatë muajve në vijim. “Pasiguria mbetet e larte dhe kjo kërkon ndërmarrjen e veprimeve apo kujdes në hartimin e politikave nga ana e autoriteteve”, theksoi zoti Salinas. Shqipëria është gjithashtu një ndër vendet me deficitin fiskal dhe borxhin publik nga më të lartët në rajon.

Sipas Bankës Botërore, rimëkëmbja e shpejtë e ekonomisë ka ndikuar dhe në ujen e varfërisë, niveli i së cilës, pritet të bjerë në kuotat e para pandemisë. Megjithatë, sipas të dhënave të këtij institucioni financiar ndërkombëtar, Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të varfërisë në rajon, me 30.8 përqind, ndërkohë që vendet e tjera janë në kuota ndjeshëm më të ulta.

 

Kosova

Rritja ekonomike në Kosovë është nxitur kryesisht nga rikuperimi më i fortë se sa pritej në numrin e vizitorëve nga diaspora, rikthimit të besimit të konsumatorit dhe rritjes së nivelit të kredive konsumatore. “Ekonomia e Kosovës po rimëkëmbet me hapa të shpejtë nga pandemia COVID-19, dhe deri në fund të vitit 2021 pritet që prodhimi i brendshëm bruto të tejkalojë nivelin e vitit 2019, megjithatë rreziqet për perspektivën mbeten të larta pasi vendi vijon përpjekjet në luftën kundër pandemisë”, thuhet në raport.

Banka Botërore vlerëson se ndikimin të madh në përshpejtimin e rimëkëmbjes patën edhe kufizimet e pakta në aktivitetin ekonomik, masat mbështetëse fiskale dhe rritja e fortë e kredisë që kanë forcuar konsumin privat.

Sipas Bankës Botërore, rimëkëmbja ekonomike është shoqëruar me rritje të punësimit formal. “Rreth 40 mijë vende pune formale janë evidentuar më shumë se gjatë viteve 2019 dhe 2020 ndërsa numri i punëkërkuesve të regjistruar pësoi rënie më shumë se 30 për qind”.

Por sfidë sipas raportit mbetet rritja e çmimeve të konsumit, i udhëhequr kryesisht nga rritja e çmimeve të importit, ku gjatë këtij viti inflancioni pritet të sillet rreth 3.5 për qind.

Banka Botërore parasheh që gjatë këtij viti eksporti dhe importi i mallrave të shënojë rritje të lartë. Importet pritet të rriten me më shumë se 30 për qind në 2021 për të përballuar rigjallërimin në konsum, eksporte dhe investime ndërsa eksportet e mallrave pritet të rriten me 35 për qind.

Deficiti fiskal pritet të ngushtohet ndjeshëm për shkak të përmirësimit të fortë të perfomancës në mbledhjen e të ardhurave publike dhe ngadalësimit në realizimin e investimeve publike.

Sipas Bankës Botërore, sektori financiar po përjeton rritje të lartë të kredive dhe depozitave dhe deri në muajin korrik, rritja e kredive arriti në 12 për qind ndërsa e depozitave 14.5 për qind.

Por, rritja aktuale sipas Bankës botërore pritet të ngadalësohet gjatë viteve në vazhdim. Sipas parashikimeve të kësaj banke, Kosova pritet të ketë një rritje ekonomike më të madhe se 4 për qind në periudhën afatmesme, por kjo do të varet nga rrjedha globale e pandemisë dhe menaxhimi i suksesshëm i saj.

Megjithatë, perspektiva është nën kërcënimin e rreziqeve të konsiderueshme të lidhura me COVID-19. “Duke pasur parasysh varësinë e madhe të Kosovës nga vizitat e diasporës, arritja e objektivit të vaksinimit të 60 për qind të popullsisë deri në fund të vitit mbetet e rëndësishme për zbutjen e rreziqeve të lidhura me pandeminë dhe shmangien e rivendosjes së masave të rrepta kufizuese ndaj aktivitetit ekonomik”.

Banka Botërore bën thirrje që Kosova të përshpejtoj reformat ekonomike për të rritur potencialin e saj ekonomik, duke nisur nga përforcimi i qëndrueshmërisë makroekonomike, qeverisjes së shëndoshë, rritjen e produktivitetit të ndërmarrjeve dhe të fermave, rritjen e kapitalit njerëzor dhe nxitjen e eksporteve, konkurrencës dhe investimeve private, veçanërisht investimeve të huaja direkte.

voa

Pfizer: Doza përforcuese rikthen efikasitetin e lartë të vaksinës

PfizerDoza përforcuese e vaksinës COVID-19 e prodhuara nga kompania Pfizer dhe partneri i saj gjerman BioNTech e rikthen efikasitetin e saj në 95.6% kundër virusit, përfshirë variantin Delta, sipas të dhënave nga një studim i kompanisë me një numër të madh pjesëmarrësish që u publikua të enjten.

Kompania tha se në studim u përfshinë 10.000 persona, të moshës 16 vjeç e lart dhe se u arrit në përfundimin se doza përforcuese ofronte të dhëna pozitive lidhur me sigurinë e saj.

Rezultatet vijnë një ditë pasi Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave autorizoi doza përforcuese të vaksinave Moderna dhe Johnson & Johnson dhe tha se amerikanët mund të zgjedhin një doze të tretë të ndryshme nga vaksina e tyre origjinale.

Agjencia kishte autorizuar më parë doza përforcuese të vaksinës Pfizer/BioNTech të paktën gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë, për personat 65 vjeç e lart, ata që rrezikohen nga të sëmuren rëndë nga virusi dhe ata që janë të ekspozuar ndaj tij për shkak të profesionit.

Kompania Pfizer ka thënë se me kalimin e kohës vaksina e humbet efikasitetin, pas marrjes së të dyja dozave, duke u mbështetur tek një studim sipas të cilit efikasiteti i vaksinës reduktohej në 84% nga 96% që shënohej katër muaj pas dozës së dytë. Disa vende kanë nisur prej kohësh të ofrojnë doza përforcuese.

voa

Paneli i CDC-së mbështet zgjerimin e dozave përforcuese pavarësisht shqetësimeve

Moderna PfizerNjë panel këshillues qeveritar ka miratuar dozat shtesë të të tre vaksinave COVID-19 të zhvilluara në vend.

Këshilltarët e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thanë gjithashtu të enjten se njerëzit mund të zgjedhin vaksinën e një kompanie tjetër për dozën e tretë.

Disa amerikanë që kanë marrë vaksinat Pfizer muaj më parë, tashmë kanë të drejtë për një përforcues.

Këshilltarët thanë se disa nga ata që kanë marrë vaksinat e Modernës dhe Johnson & Johnson duhet gjithashtu të kualifikohen.

Paneli nuk rekomandoi në mënyrë të prerë që të merret doza e një marke tjetër nga ajo e mëparshmja, por e lanë të hapur opsionin – duke thënë vetëm se rekomandohej një përforcues i një nga tre llojet.

Disa këshilltarë thanë se do të preferonin që ata që kanë marrë një dozë të J&J të marrnin një përforcues tjetër, duke cituar të dhënat paraprake nga një studim qeveritar që sugjeron një rritje më të madhe të antitrupave që luftojnë viruset nga një kombinim i tillë.

Rreth dy të tretat e amerikanëve që kanë të drejtë për vaksina COVID-19 janë plotësisht të vaksinuar, dhe qeveria thotë se marrja e injeksioneve të para tek të pavaksinuarit mbetet përparësi.

Ndërsa autoritetet shëndetësore shpresojnë që dozat përforcuese do të rrisin imunitetin e dobësuar kundër infeksioneve më të zbutura të koronavirusit, të gjitha vaksinat ende ofrojnë mbrojtje të fortë kundër shtrimeve në spital dhe vdekjeve.

Këshilltarët e CDC-së gjithashtu debatuan nëse njerëzit që nuk kanë nevojë për përforcues mund ta marrin atë.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave tashmë ka autorizuar një zgjerim të fushatës përforcuese të vendit, por CDC-ja merr vendimin përfundimtar se kush duhet të vaksinohet.

Ky vendim pritet së shpejti.

voa

Operacion eksperimental, transplanti i veshkës së derrit tek njeriu

 

Për herë të parë, mjekët kanë arritur të transplantojnë përkohësisht veshkën e një derri tek trupi i një njeriu. Ky eksperiment i kryer në një spital në qytetin e Nju Jorkut jep shpresë për të ardhmen, teksa ka një mungesë të madhe të organeve njerëzore për transplant.

Mjekët fillimisht kanë ndryshuar genet e derrit, në mënyrë që indet e tij të mos përmbanin më një molekulë të njohur si “alfa -gal”, e cila shkakton një sulm imunitar tek trupi i njeriut në rast transplanti.

Marrësi i veshkës së derrit ishte një grua në vdekje klinike, e cila kishte probleme me veshkat. Për tre ditë, veshka e re u lidh me enët e saj të gjakut dhe u mbajt jashtë trupit të saj, duke u dhënë mjekëve më shumë mundësi për ta studiuar.

Dr. Robert Montgomery, i cili udhëhoqi studimin thotë se funksionet e veshkës së transplantuar “ishin mjaft normale”.

“Në të kaluarën, kur një organ derri është transplantuar, ka pasur një lloj refuzimi të menjëhershëm të organit brenda pak minutave. Tani për shkak të revolucionit në inxhinierinë gjenetike të kafshëve, ne kemi shpresë se mund të tejkalojmë barrierat fillestare”, tha Dr. Robert Montgomery, sipas të cilit veshka e derrit kreu të njëjtat funksione si një veshkë njeriu e transplantuar.

“Të gjitha testet laboratorike dhe çdo studim tregoi se funksionet e veshkës dukeshin mjaft normale. Rezultate të njëjta sikur të bënim një transplant njerëzor. Nuk kishte asnjë refuzim të menjëhershëm dhe më e rëndësishmja, veshka e derrit funksionoi mirë për 54 orë që ne ishim duke studiuar. Këto janë rezultate të kënaqshme”, theksoi më tej drejtuesi i këtij eksperimenti Dr. Robert Montgomery.

Në Shtetet e Bashkuara rreth 107 mijë njerëz aktualisht janë duke pritur për transplantimin e organeve. 90 mijë prej tyre po presin për transplantin e një veshke dhe koha e pritjes mesatarisht shkon nga tre deri në pesë vjet.

Studiuesit kanë punuar për dekada me radhë mbi mundësinë e përdorimit të organeve të kafshëve për transplantime. Studiues të tjerë po shqyrtojnë nëse derrat që janë ndryshuar gjenetikisht, mund të jenë burim për shumë transplante organesh për njerëzit.

Megjithatë produktet mjekësore të zhvilluara nga derrat do të kërkojnë akoma miratim specifik nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA.

voa

Studimi: BioNTech ul infektimin 90% tek të rinjtë

vaksinaVaksina e BioNTech/Pfizer ul me 90% tek të rinjtë rrezikun e infektimit me variantin Delta të Coronës, dhe mbron 93% nga simptomat me këtë variant të virusit, sipas studiuesve.

Sipas një studimi të sigurimit shëndetësor izraelit, Clalit të publikuar të mërkurën në bashkëpunim me studiues të Universitetit të Harvardit vaksina e BioNTech/Pfizer ul me 90% tek të rinjtë rrezikun e infektimit me variantin Delta të Coronës, dhe mbron 93% nga simptomat me këtë variant të virusit. Për këtë studiuesit kanë analizuar të dhëna nga 95.354 të rinj të vaksinuar nga mosha 12 deri në 18 vjeç, thuhet në publikimin e rezultateve. Ato janë krahasuar me një numër korrespondues të të rinjve të pavaksinuar. Rezultatet janë publikuar në revistën “New England Journal of Medicine”, shkruan agjencia gjermane e lajmeve, dpa.

Të dhënat janë mbledhur nga data 8 qershor deri në 14 shtator, raportojnë studiuesit, kjo përkon me valën e katër të Coronës në Izrael, ku varianti Delta i virusit ishte dominues. Studimi nuk mund të jepte të dhëna, se sa efekt mbrojtës ka vaksina ndaj sëmundjes së rëndë apo vdekjes, sepse raste të tilla tek të rinjtë janë shumë të rralla.

Në Izrael ka përdorim më të madh vaksina BioNTech/Pfizer. Në qershor Izraeli filloi me vaksinimin e fëmijëve nga mosha 12 vjeç. Deri tani janë vaksinuar aty 45% e fëmijëve nga mosha 12-15 vjeç.

 

la/ag

Tiranë: Raporti i Progresit të KE-së mbi Shqipërinë vlerësohet nga ekspertët si një plan pune për integrimin

emaNë Tiranë u prit me reagime të ndryshme Raporti i Komisionit Europian mbi përparimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit. Opozita e komentoi me një optimizëm të matur, qeveria e mirëpriti si një vlerësim për rezultate të prekshme, ndërsa ekspertë të pavarur pohuan se qytetarët po zhgënjehen nga tejzgjatja e procesit, që po vazhdon prej 20 vitesh.

 

Një ditë pas publikimit të raportit të progresit për Shqipërinë, ekspertë të pavarur që monitorojnë procesin e integrimin të Shqipërisë në BE pohuan se për të shmangur zhgënjimin e qytetarëve nga vonesat, BE ka nisur një qasje të re, duke investuar dhe financuar në rajon projekte zhvillimi, që lidhen drejtpërdrejt me ekonominë e familjeve dhe jo me projektet e shtrenjta reformuese nëpër institucione

Drejtuesi i Lëvizjes Europiane në Shqipëri EMA, Gledis Gjipali, thotë se nga pala shqiptare reformat duhen zhvilluar me më shumë shpejtësi, jo pse i kërkon Brukseli, por sepse i kërkojnë qytetarët, si një nevojë për të rritur cilësinë e jetës së tyre.

Shqiptarët, thotë zoti Gjipali, janë qytetarët më pro europianë në gjithë Ballkanin dhe meritojnë të mbështeten për sakrifica gjatë këtyre viteve dhe të shohin përfitime konkrete nga ky proces, ndërkohë që shumë prej tyre po largohen nga vendi.

“Qytetarët kanë pritshmëri të larta nga procesi. Kemi mbi 20 vite në këtë proces dhe ai po zgjat nga ne. Asnjë nga ne, jo vetëm qytetarët, por as ekspertët që merren me studime në këtë fushë, nuk e kihsin imagjinuar që do të zgjaste kaq shumë, dhe që do të vazhdojë më tej, dhe madje vihet në diskutim edhe përfundimi i tij me sukses. Për qytetarët është akoma më e rëndësishme për të parë se çfarë përfitojnë drejtpërdrejt” – thotë zoti Gjipali.

Kryetarja opozitare e Këshillit Kombëtar të Integrimit Euopian, Jorida Tabaku, tha sot në mbledhjen e parë të këtij forumi, se “Komisioni Europian u tregua shumë mbështetës ndaj politikave të zgjerimit dhe mjaft mirëkuptues për Shqipërisë, edhe pse munguan rezultuan rezultatet konkrete”.

Ajo shtoi se “BE gjendet pranë Shqipërisë edhe në kriza si tërmeti dhe pandemia, edhe në rrugën e integrimit, duke vepruar si brenda një familje, ku vlerësimet negative nuk theksohen, por janë aty të pranishme”.

Në zyrat e Lëvijes Europiane të Shqipërisë ekspertët vërejnë se raporti vlerëson më pozitivisht se fushat e tjera luftën ndak krimit të organizuar, lufta ndaj korrupsionit vlerësohet më pak, sepse ende nuk ka zyrtarë të lartë të dënuar dhe kultura e mosndëshkimit po vazhdon.

Zoti Gjipali thekson se “në raport përmendet pozitivisht reforma në drejtësi, por ende ka shumë punë për të bërë; ende nuk janë plotësuar me njerëz institucionet e reja, por raporti është një plan pune për Shqipërinë”.

Kryeministri Edi Rama mori sot në dorëzim një kopje të raportit të Komisionit Europian nga drejtuesi i delegacionit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca.

Ai tha se “Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë dhe se raporti ishte është më pozitivi në vite, ku vlerësohet ecuria në disa reforma themelore që ka ndërmarrë Shqipëria”.

Nga ana tjetër, vet përfaqësuesit e BE-së u shprehën se shtyrjet e afateve për hapjen e e negociatave të anëtarësimit për Tiranën dhe Shkupin po vënë në diskutim besueshmërinë e Bashkimit Europian.

Zoti Gjipali theksoi se zhbllokimi i situatës është në dorë të vendeve anëtare dhe me saktë në dorë të Bullgarisë.

Raporti vjetor i Komisionit Europian përmban një vlerësim pozitiv tërësor për Shqipërinë, sdomos për fushat që lidhen me hapjen e konferencës së parë ndër-qeveritare, e cila sipas komisionerit të zgjerimit mund të mbahen pra fundit të këtij viti.

voa

Kina ndez konkurrencën digjitale në botë

HuaweiTubacionet, rrugët dhe projektet infrastrukturore të nismës kineze “Brezi dhe Rruga” (BRI) kanë tërhequr vëmendje të madhe dhe janë cilësuar si përpjekje e Kinës për të zgjeruar ndikimin e saj ekonomik dhe politik në të gjithë botën.

Megjithatë, është një libër i ri tani që fokusohet në anën digjitale të kësaj nisme, që mund të formësojë ekonomitë e së ardhmes.

Libri titullohet “Rruga e mëndafshtë digjitale: Përpjekja e Kinës për të lidhur botën dhe për të fituar të ardhmen”.

Autor i tij është Jonathan Hillman, analist dhe drejtor i Projektit të Rilidhjes së Azisë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, me seli në Uashington.

“Ne kemi parë vetëm fazën e parë të konkurrencës teknologjike SHBA-Kinë”, thotë Hillman për Radion Evropa e Lirë.

“Por, konkurrenca e vërtetë do të zhvillohet në të gjithë botën në zhvillim”, shton ai.

Pekini dhe Uashingtoni janë duke luftuar për kontrollin e rrjeteve të së ardhmes – nisur nga rrjeti 5G deri te sistemet e mbikëqyrjes, të mundësuara nga inteligjenca artificiale – dhe, siç shkruan Hillman në librin e tij, “luftërat e rrjetit kanë nisur”.

“Ky është një moment kompleks dhe konkurrenca në zhvillim është edhe më komplekse”, thotë ai.

Në muajin gusht, një luftë shumëvjeçare ligjore midis gjigantit kinez të komunikimeve Huawei dhe një kontraktori të vogël në SHBA ka kaluar në një gjykatë federale amerikane. Kjo, pasi kontraktori ka pretenduar se Huawei ia ka vjedhur teknologjinë dhe i ka bërë presion për të krijuar një “derë të pasme”, me qëllim sigurimin e qasjes në një projekt për zbatimin e ligjit në Pakistan.

Zyrtarët amerikanë, prej kohësh, kanë shprehur shqetësime për Huawein, duke thënë se pajisjet e tij mund të përdoren nga autoritetet kineze për të spiunuar vendet që e instalojnë atë.

Huawei i ka mohuar vazhdimisht këto pretendime.

Kontraktori Business Efficiency Solutions ka thënë në padinë e tij se Huawei e ka detyruar të krijojë një sistem, që do t’i jepte kompanisë kineze qasje në informacione të ndjeshme për pakistanezët dhe zyrtarët qeveritarë, përmes projektit të mbikëqyrjes “Qyteti i sigurt”.

Ky projekt i mbështetur nga Kina do të instalohej në Lahore, qytetin e dytë më të madh të Pakistanit.

Mosmarrëveshja është ende në gjykatë. Edhe pse e vogël në shkallë, ajo nënvizon rivalitetin në rritje midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

Zbulimi i këtij labirinti të ndërlikuar të ambicieve gjeopolitike dhe teknologjisë së gjeneratës së ardhshme është në fokus të librit të Hillmanit, i cili u botua më 19 tetor.

Përpjekja e Pekinit për dominimin digjital vjen nga lart. Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka bërë thirrje që vendi i tij të udhëheqë prodhimin e avancuar deri në vitin 2025, të vendosë standardet për teknologjitë e reja për vitin 2035 dhe të bëhet superfuqi deri në vitin 2050.

Për t’i arritur këto qëllime, Xi i ka nxitur kompanitë kineze që të investojnë shumë në infrastrukturën digjitale brenda Kinës dhe të përhapin më shumë produkte të tyre jashtë vendit, përmes nismës BRI.

Suksesi në këtë do t’i sillte Kinës përfitime komerciale dhe strategjike dhe do t’i mundësonte Pekinit të mbajë frenat në financat globale, në komunikime dhe në rrjedhën e të dhënave, të cilat mund të riformulohen për t’iu përshtatur më mirë interesave të tij gjeopolitikë.

Të gjitha këto avantazhe aktualisht gëzohen nga Shtetet e Bashkuara.

Një pjesë e librit të Hillmanit flet edhe për atë sesi Uashingtoni e ka ndihmuar rritjen e Kinës si fuqi teknologjike, duke besuar se teknologjia mund të luajë rol në mbajtjen e rrjedhës së informacionit të hapur dhe në nxitjen e tranzicionit të Kinës drejt demokracisë.

“Ka pasur një mbivlerësim të teknologjisë dhe është supozuar se përhapja e lidhjeve dhe teknologjisë do të ndihmojë në përhapjen e lirisë”, thotë Hillman.

“Por, teknologjia është një mjet dhe, siç e kemi parë, mund të përdoret gjithashtu për të shtypur dhe për të ndihmuar autoritarët”, shton ai.

Sipas një raporti të vitit 2019 nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, 71 për qind e marrëveshjeve që ka bërë Huawei për projektin “Qyteti i sigurt” janë me vendet që kanë të dhëna të dyshimta për të drejtat e njeriut.

Zhvendosja e fushëbetejës

Kompanitë kineze janë zgjeruar me shpejtësi viteve të fundit. Ato kanë fituar një pjesë më të madhe të tregut, duke i ofruar produktet dhe shërbimet e tyre me një çmim më të ulët dhe duke qenë në gjendje për të operuar me më pak mbikëqyrje sesa konkurrentët e tyre perëndimorë.

Në Azinë Qendrore, kompanitë kineze të teknologjisë luajnë rol të madh.

Në vitin 2019, Huawei ka arritur një marrëveshje me Uzbekistanin, në vlerë prej një miliard dollarësh, për të ndërtuar një sistem të monitorimit.

Kompania tjetër kineze, Hikvision, e cila ka zhvilluar një softuer për njohjen e fytyrës, është furnizuese kryesore e qyteteve në të gjithë Kazakistanin.

Një qendër komanduese e policisë, e hapur në vitin 2019 në kryeqytetin e Kirgizisë, Bishkek, gjithashtu u është drejtuar firmave kineze për kamerat e njohjes së fytyrës.

Edhe Rusia është mbështetur te Huawei për gjeneratën e ardhshme të rrjeteve të telekomunikimit 5G. Një gjë e tillë jo vetëm që forcon vendin e kompanisë kineze në tregun rus, por përmirëson pozicionin e saj edhe në betejën për tregje të tjera në zhvillim.

Siç shkruan Hillman në librin e tij, kjo konkurrencë teknologjike është ende në fazat e saj të hershme dhe mund të ndryshojë në mënyrë dramatike në vitet e ardhshme.

Huawei, që dikur është parë si fuqi në qarqet e politikave perëndimore, është penguar nga një fushatë diplomatike dhe sanksionesh, e udhëhequr nga SHBA-ja. Kjo e ka detyruar kompaninë kineze të eksperimentojë me linja të reja biznesi dhe të rindërtojë një zinxhir furnizimi të pavarur nga Shtetet e Bashkuara.

Në muajin gusht, Huawei ka njoftuar se të ardhurat e tij kanë rënë për 29 për qind në gjysmën e parë të vitit 2021.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, India dhe Japonia gjithashtu kanë formuar alternativa për nismën BRI dhe janë përqendruar fuqishëm në infrastrukturën digjitale, megjithëse këto nisma janë ende në fazat e tyre të hershme.

Për Hillmanin, kjo është një nga sfidat më të vështira për SHBA-në, pasi ajo duket se konkurron me Kinën në të gjithë botën.

Deri më tani, shumica e masave të SHBA-së kanë qenë “mbrojtëse”, thotë Hillman – të tilla si sanksionet dhe kontrollet e eksportit.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara do të duhet të lëvizin në “ofensivë”, duke zhvilluar teknologji të reja dhe duke zgjeruar qasjen në informacion.

“Ekziston rreziku për vetëm kritika ndaj aktiviteteve të Kinës, pa ofruar alternativa të besueshme”, thotë Hillman. “Ne duhet të mendojmë se si të konkurrojmë dhe jo vetëm të kritikojmë”, thekson ai.

rel

Abazoviç: Rruga euroatlantike e Malit të Zi nuk do të ndryshojë

Dritan AbazovicRruga euroatlantike e Malit të Zi nuk do të ndryshojë, tha Zëvendëskryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç. Në një intervistë për Zërin eAmerikës, zoti Abazoviç theksoi se mënyra më e mirë për luftimin e shqetësimeve mbi orientimin perëndimor të Malit të Zi është forcimi i institucioneve demokratike përmes reformave dhe luftimit të korrupsionit. Zëvendëskryeministri malazez, i cili të martën u takua me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit Gabriel Escobar dhe Zëvendës Sekretaren e Shtetit Wendy Sherman, foli edhe për protestat e fundit në Mal të Zi në lidhje me pronat e kishës ortodokse serbe.

Zëri i Amerikës: Zoti Abazoviç, zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, me të cilin ju u takuat të martën, duke folur për Malin e Zi tha se “ato forca politike që janë pro-serbe duhet të pranojnë që Mali i Zi duhet të jetë demokratik, i pavarur, sovran dhe i orientuar nga Perëndimi dhe të qëndrojë si pjesë e NATO-s”. Deklarimet e tilla shihen si shprehje e shqetësimit se Mali i Zi mund të mos jetë më në vijën e integrimeve euro-atlantike. A po ndryshon vërtetë kursi i Podgoricës?

Dritan Abazoviç: Unë jam dakord me mendimin e zotit Escobar. Por, gjithashtu, unë mund të them se nuk ka pasiguri lidhur me çështjen e orientimit euratlantik (të Malit të Zi). Ne jemi garanci se rruga euroatlantike e Malit të Zi nuk do të ndryshojë. Derisa kjo rrugë të jetë e sigurtë, kjo qeveri do të ketë përkrahjen tonë. Në momentin kur dikush do të sulmojë këtë rrugë, ose do të ndryshojë drejtimin e saj, qeveria në këtë formë siç është tani nuk do të ekzistojë më. Kjo është thënë qartë edhe në Departamentin e Shtetit. Ne morëm kurajo për këtë të martën nga Departamenti i Shtetit. Pra, se Departamenti i Shtetit do të mbështesë politikat euroatlantike që ne i promovojmë. Unë mendoj se nëse ka patur qytetarë të Malit të Zi që kanë patur dilemë mbi këtë, pra se do të ketë ndryshim të politikës sonë të jashtme, pas kësaj vizite ata do të jenë të sigurt se kjo nuk do të ndodh.

Zëri i Amerikës: Çfarë hapa konkretë ju, si zëvendëskryeministër dhe qeveria juaj, keni ndërmarrë dhe mund të ndërmerrni për të hequr të gjitha këto shqetësime mbi orientimin e Malit të Zi në lidhje me procesin e integrimeve evropiane?

Dritan Abazoviç: Së pari, ne nuk pranuam që në qeveri të hynin njerëz, të cilët kanë dilemma në lidhje me rrugën tonë euroatlantike. Së dyti, ne kemi promovuar marrëveshjen të cilën e nënshkruam para një viti, në të cilën kërkuam nga udhëheqësit e listave të partive fituese që të përkushtohen se kjo do të jetë rruga e Malit të Zi. Së treti, kabineti qeveritar po lufton ashpër korrupsionin dhe krimin e organizuar. Pa institucione të forta, ne do të jemi gjithmonë në dilemë se një ndikim i jashtëm mund të ndryshojë qëndrimet tona apo orientimin tonë perëndimor. Është shumë e rëndësishme që aleatët kryesor, si Shtetet e Bashkuara, të mbështesin këtë politikë (integrimin euroatlantik). Mendoj se mesazhi kryesor nga takimet qe kemi zhvilluar të martën ka qenë se Departamenti i Shtetit do të mbështesë Malin e Zi derisa vendi të vazhdojë rrugën e tij euroatlantike dhe atë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Të martën, Komisioni Evropian publikoi raportin vjetor të progresit për Malin e Zi në lidhje me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Në raport thuhet se mungesa e dialogut, tensionet e ndryshme dhe mosbesimi midis politikanëve kanë thelluar përçarjet politike. Çfarë hapa do të ndërmarrë qeveria juaj dhe ju si zëvendëskryeministër për të tejkaluar këto probleme dhe për të çuar përpara procesin e integrimit në BE?

Dritan Abazoviç: Është e vërtetë ajo që thoni, se këto gjëra ishin të përfshira në raport. Por, gjithashtu dua të them se për ato që kishin të bënin me përgjegjësitë zëvendëskryeministrit, në sektorin e sigurisë, raporti thotë se ka patur përparime. Pra, në raport thuhet se ka patur përparim në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Këto janë përdorur si shembuj të mirë të progresit. Nuk them se në këto fusha nuk ka hapësirë për më shumë progres. Jam dakord se politikanët duhet të jenë të gatshëm të bëjnë një hap mbrapa për të krijuar pak hapësirë për të arritur një marrëveshje lidhur me çështjet që janë theksuar në raportin e progresit.

Zëri i Amerikës: Kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiç i ka filluar negociatat me përfaqësuesit e shumicës parlamentare për rikonstruimin e qeverisë, një synim që ju e keni kundërshtuar. Përse nuk e pranoni një gjë të tillë?
Dritan Abazoviç: Ne nuk mund të dalim kundër asaj që kemi nënshkruar vitin e kaluar, kur i fituam zgjedhjet. Pra, qëllimisht kemi kërkuar një qeveri ekspertësh, që nuk do të ndikohej nga politika të ndryshme, sidomos nga ato që nuk janë dakord me rrugën tonë perëndimore dhe euroatlantike. Pra, kjo ka qenë si një garanci e nënshkruar në marrëveshje që shpresoj se do të respektohet nga të gjithë dhe nuk do të kemi probleme. Nëse dikush dëshiron të tërhiqet nga kjo marrëveshje, atëherë potencialisht mund vijmë deri te problemet politike. Por, çdo gjë duhet të shihet nga këndvështrimi i demokracisë dhe shpresojmë që çdo gjë do ta kalojmë pa pasoja.

Zëri i Amerikës: Zoti Abazoviç, a është Mali i Zi më afër ristrukturimit të qeverisë apo zgjedhjeve të reja?

Dritan Abazoviç: Unë mendoj se (Mali i Zi) është më afër një situate, ku kjo qeveri do të vazhdonte më gjatë. Nuk jam i sigurt se ekzistojnë struktura brenda shumicës, të cilat janë të gatshme të rrëzojnë qeverinë, pra, që ato të shkojnë në parlament për një ristrukturim dhe të kërkojnë një votëbesim të ri për qeverinë. Nuk jam i sigurt, por çdo gjë është e mundshme. Kështu është jeta politike. Nëse nuk respektohen modalitet, që ishin pjesë e marrëveshjes së nënshkruar (vitin e kaluar), nëse nuk ka zgjidhje për këtë, nëse ne nuk mund të vazhdojmë së bashku, atëherë zgjedhjet mund të jenë një nga opsionet e mundshme.

Zëri i Amerikës: Zoti Abazoviç, të hënën në Podgoricë grupe protestuesish u ngritën kundër regjistrimit të Manastirit të Cetinës si pronë të Kishës Ortodokse Serbe dhe siç u tha kundër dhunës policore. Protestuesit thanë se juve do t’u dorëzohen dëshmi për dhunën e ushtruar mbi protestuesit gjatë shugurimit të kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, me 5 shtator. Si u përgjigjeni pohimeve për shkelje të të drejtave të njeriut gjatë atyre zhvillimeve?

Dritan Abazoviç: Nuk ka patur asnjë ndërhyrje të paligjshme të policisë ndaj protestuesve. Ka patur shumë negavitet nga ana e protestuesve, të cilat do të procesohen në ditët e ardhshme. Por, nga ana e policisë çdo gjë është toleruar. Në momentin kur ish shefi i policisë u nis me dhunë në drejtim të policëve, atëherë policia kishte nevojë të ndërhynte. Mendoj se ndërhyrja e policisë ishte fare e lehtë. Ne pas Cetinës, ku rreziku për konflikt ka qenë shumë i lartë, nuk kemi patur asnjë viktimë, asnjë protestues ose policë nuk ka pësuar dëmtime të rënda. Ndoshta ka mbetur një shije e keqe dhe e dobët nga gjithë ajo që ka ndodhur në atë mjedis, në atë fundjavë në Cetinë. Unë jam dakord me këtë, por në asnjë mënyrë nuk mund të pranojmë akuzat e paarsyeshme se ka patur dhunë nga ana e policisë.

Zëri i Amerikës: Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, por edhe disa analistë malazezë ju kanë akuzuar se po i shërbeni nacionalizmit serb, në një kohë kur siç thuhet Beogradi përmes Kishës Ortodokse Serbe po nxitë vazhdimisht tensione dhe po mohon identitetin malazez. Sa qëndrojnë këto vlerësime?

Dritan Abazoviç: Për mua personalisht, këto janë qesharake. E kuptoj se një pjesë e publikut ndoshta edhe u beson këtyre thashethemeve. Por, puna dhe veprat duhet të tregojnë se çka është e vërtetë dhe çka nuk është e vërtetë. Unë mendoj se puna që kemi bërë në vitin e fundit, brenda mundësive që kemi patur, ka treguar se nuk qëndrojnë gjërat që thuhej se ishin problematike. Thuhej se do të vinte deri te tërheqja e Malit të Zi nga NATO-ja, kjo nuk ndodhi. Thuhej se do të ndryshoheshin identiteti dhe simbolet kombëtare malazeze, por kjo nuk ndodhi. Madje pati spekulime se pas ardhjes së qeverisë sonë në pushtet, Mali i Zi do të tërhiqte njohjen e pavarësisë së Kosovës, por as kjo nuk ka ndodhur. Pesë ditë më parë, unë kam biseduar në Shkup me zotin Kurti. Kritikët kanë thënë se nuk do të ketë më rrugë evropiane për Malin e Zi, por as kjo nuk ka ndodhur. Pra, asnjë nga këto parashikime nuk u realizuan. Nuk është fare i diskutueshëm fakti se kujt i shërbejë. Por, ndoshta është e rëndësishme të përsëritet se u shërbejmë vetëm interesit kombëtar të Malit të Zi, shtetit të Malit të Zi, dhe të ardhmes së përbashkët të të gjithë rajonit në Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Ligji për shtetësinë dhe ligji për regjistrimin e popullsisë, që pritet të miratohen në parlament, kanë nxitur shumë reagime në Mal të Zi, përfshirë edhe ato të përfaqësuesve shqiptarë. A mund të çojnë farkimet rreth kësaj çështjeje në tensione të reja në Malin e Zi?

Dritan Abazoviç: Ligji për shtetësinë nuk do të ndryshojë. Ai ka shkaktuar një konfuzion të madh në publik në pranverë. Atëherë, jam përpjekur të bind njerëzit, sidomos diasporën se aty nuk ka asgjë përveç përpjekjeve për një manipulim politik. Dhe njerëzit nuk më kanë besuar. Një ose dy muaj më vonë, ata e kuptuan se ajo çështje është shfrytëzuar për arsye politike në një periudhë afatshkurtër në Mal të Zi. Askujt nuk do t’i hiqet nënshtetësia e Malit të Zi. Ajo nuk është një çështje me të cilën qeveria merret dot. Ndërsa, ligji për regjistrimin e popullsisë është obligimi ynë. Për shkak të koronavirusit, ne nuk arritëm ta realizonim atë kur ishte e nevojshme. Ne këtë do ta bëjmë. Për herë të fundit, regjistrimi i popullsisë u bë në vitin 2011 dhe këtë vit duhet të bëhej përsëri, por nuk i kemi kushtet administrative për ta filluar këtë proces tani dhe kemi pandeminë e koronavirusit. Këtë çështje ne duhet ta trajtojmë ashtu siç e parashikojnë standartet evropiane. Por, kjo nuk duhet me qenë një referendum politik, ku ka me qenë me rëndësi vetëm sa përqind janë shqiptarë, serbë, malazezë, boshnjakë. Kjo është një çështje statistike që bëhet çdo 10 vjet në të gjitha shtetet moderne të botës dhe duhet me qenë një burim të dhënash për poltikat e ardhshme të vendit. Regjistrimi i popullsisë nuk duhet politizuar. Njerëzit duhet të shprehen lirshëm dhe të ofrojnë të dhëna të sakta në pyetësorin e regjistrimit të popullsisë. Kjo duhet të ofrojë statistika që mund të përdoren për zhvillimin ekonomik dhe demografik të Malit e Zi, e jo si një mjet për avancimin e një grupi etnik ose nënçmimin e një grupi tjetër.

 

voa