Njerëzit nuk lindin të qytetëruar, bëhen.

edukataÇka është Edukata 

EDUKATË f.

  1. Tërësia e vetive a e cilësive shpirtërore, mendore e fizike, e shprehive kulturore etj. (botëkuptimi, vetitë morale, tiparet e karakterit e të vullnetit, zakonet, shijet etj.), që fiton njeriu nën ndikimin sistematik të shkollës, të familjes e të shoqërisë dhe duke mësuar e punuar; formimi i përgjithshëm e i veçantë i njeriut. Edukatë e shëndoshë. Edukatë komuniste. Edukatë morale (politike, ushtarake). Edukatë familjare. Edukatë shkollore. Edukatë estetike (muzikore, shëndetësore). U japim fëmijëve edukatën e punës.
    2. Sjellje e njerëzishme. Njeri me (pa) edukatë. Ka edukatë (të mirë). I mungonte edukata. I është bërë edukatë.
    * Edukatë fizike lëndë mësimore që bëhet në shkollë për t’i formuar nxënësit e studentët nga ana fizike, për t’i bërë të aftë për punë dhe për mbrojtje. Edukatë moralo – politike lëndë mësimore që zhvillohet në shkollën tetëvjeçare për ta formuar nxënësin nga ana morale e politike.

Ja disa Aforizma:

Edukata e një populli mund të gjykohet nga ajo që ndodh në rrugët e tij. Aty ku ka pabesi në rrugë, ka pabesi edhe në shtëpi.

Edmondo De Amicis

 

Shumë të rinj mendojnë se janë spontanë, ndërkohë që janë thjesht të paedukatë.

François de La Rochefoucauld

 

Detyra e vetme dhe kryesore e edukimit mund të përmblidhet në konceptin e moralitetit.

Johann Friedrich Herbart

 

Çdo njeri lind i mirë: janë përvojat e jetës dhe edukimi që e bëjnë të keq.

Vittorino Andreoli

 

Për t’u edukuar nuk mjafton arsimi.

Sigmund Freud

 

Njerëzit nuk lindin të qytetëruar, bëhen.

Baruch Spinoza

Njerëzit lindin të paditur, por jo të pamend. Të pamend bëhen përmes edukimit.

Bertrand Russell

 

Fëmijët edukohen nga çfarë të rriturit janë, jo nga çfarë të rriturit thonë.

Carl Gustav Jung

Ukraina raporton për luftime të ashpra në Azovstal

Smoke rises above a plant of Azovstal Iron and Steel Works in MariupolLuftime të ashpra po zhvillohen në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, raportoi ushtria ukrainase. Një zyrtar rus më herët mohoi se trupat ruse kanë hyrë në këtë fabrikë, por komandanti i forcave ukrainase brenda kësaj fabrike tha se trupat ruse janë dëbuar nga territori i Azovstalit.

“Me mbështetjen e avionëve, armiku ka rinisur ofensivën në mënyrë që të marrë kontrollin e fabrikës”, tha Shtabi i Përgjithshëm në Kiev, duke shtuar se rusët po “tentojnë të shkatërrojnë njësitë ukrainase”.

Këto raportime nga Kievi vijnë teksa Rusia ka paralajmëruar për një armëpushim treditor në Azovstal, që do të mundësonte evakuimin e civilëve.

Armëpushimi u paralajmërua, teksa shtetet e Bashkimit Evropian debatuan për ndalimin e importeve të naftës ruse më 4 maj.

“Forcat e armatosura ruse do të hapin korridoret humanitare nga ora 08:00 deri në orën 18:00, sipas kohës së Moskës, më 5, 6 dhe 7 maj nga fabrika e Azovstalit, në mënyrë që të evakuohen civilët”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes së Rusisë.

Civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, janë ende të bllokuar brenda qytetit të rrethuar ukrainas të Mariupolit dhe një armëpushim i zgjatur është i nevojshëm për të siguruar evakuimin e tyre, tha të enjten presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Pasi dështoi që të marrë kontrollin e kryeqytetit ukrainas, Kiev, në javët e para të luftës që ka lënë mijëra të vrarë, Rusia ka intensifikuar sulmet në lindje dhe jug të Ukrainës, ku gjendet edhe qyteti-port i Mariupolit.

Rusia shpalli fitore në Mariupol më 21 prill, pas javësh të rrethimit dhe granatimeve. Ky qytet është kyç për përpjekjet e Moskës që ta shkëpusë Ukrainën nga Deti i Zi dhe të lidhë territoret që janë nën kontrollin rus.

Kombet e Bashkuara dhe Kryqi i Kuq gjatë kësaj jave kanë evakuuar qindra persona nga Mariupoli dhe zona të tjera. Por, edhe afër 200 civilë, si dhe ushtarë ukrainas, ende gjenden në bunkerët nën fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, thonë zyrtarët ukrainas.

Gjatë një adresimi në orët e para të së enjtes, Zelensky tha se Ukraina është e gatshme për të siguruar një armëpushim në Mariupol.

“Do të duhet kohë thjesht për të nxjerrë njerëzit nga ato bodrume, nga ato strehimore nëntokë. Në kushtet aktuale, ne nuk mund të përdorim pajisje të rënda për të larguar rrënojat. Gjithçka duhet të bëhet me dorë”, tha Zelensky.

Luftëtarët ukrainas brenda Azovstalit janë duke luftuar “beteja të përgjakshme dhe të vështira” kundër trupave ruse, tha të mërkurën Denis Prokopenko, komandant i batalionit Azov të Ukrainës. Ndërkaq, një deputet ukrainas tha se forcat ruse kanë hyrë brenda fabrikës.

Më 4 maj, mbi 300 civilë janë larguar nga Mariupoli dhe nga zonat e tjera në jug të Ukrainës, në operacionin e përbashkët të OKB-së dhe Kryqit të Kuq, tha koordinatori i Kombeve të Bashkuara për çështje humanitare në Ukrainë, Osnat Lubrani.

“Përderisa ky evakuim i dytë i civilëve nga zonat në Mariupol dhe zona të tjera është i rëndësishëm, duhet të bëhet më shumë për t’u siguruar që të gjithë civilët që gjenden në zonat e luftës të mund të largohen”, tha Lubrani.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, duke e cilësuar luftën si “operacion të posaçëm ushtarak” për çarmatosjen e Ukrainës dhe për mbrojtjen nga fashistët të popullsisë rusishtfolëse.

Kievi dhe mbështetësit perëndimorë thonë se ky ishte pretekst për luftën e paprovokuar të presidentit rus, Vladimir Putin, luftë që ka detyruar mbi 5 milionë ukrainas të largohen jashtë vendit.

Ushtria ukrainase tha të enjten se forcat e saj kanë zmbrapsur 11 sulme ruse, kanë rrëzuar katër avionë rusë dhe kanë shkatërruar dhjetëra makina ushtarake, përfshirë edhe tanke.

Beteja po ashtu po zhvillohen edhe në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.

Së fundmi, Moska ka thënë se ka përqendruar ofensivën e saj për të marrë kontrollin e rajonit lindor ukrainas të Donbasit, që përbëhet nga rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut, të cilat pjesërisht janë nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Rusia.

rel

Shqipëri, sfidat e prodhimit të energjisë nga panelet diellore

Albania solar energyShqipëria vlerësohet nga ekspertët si një nga vendet më të favorshme në Europë për prodhimin e energjisë elektrike nga panelet diellore.

Por vendi aktualisht prodhon rreth 1% të energjisë nga dielli, ndërsa pjesa tjetër e nevojave sigurohet nga hidrocentralet dhe importi.

Ndërtimi i parqeve fotovoltaike ka ecur me ngadalësi, ndonëse janë dhënë nga qeveria disa leje, kryesisht në zonën e Fierit, Lushnjës e Vlorës, ndërkohë që ky sektor po përballet me mjaft sfida.

Në Topojë të Fierit është realizuar një nga projektet e para për prodhimin e energjisë nga panelet diellore në Shqipëri.

Parku fotovolatik i Topojës me një fuqi 10 Megavat të instaluar, ndërtuar afër bregdetit të Semanit, në një sipërfaqe rreth 15 ha është tashmë në prodhim në vitin e katërt, thotë për Zërin e Amerikës Sadik Llapashtica, koordinator i këtij projekti.

“Ne e kemi filluar aktivitetin në vitin 2015 , në atë vit nuk kishte fare eksperienca në fushën e industrisë fotovoltaike, ndonëse Shqipëria shquhet për rrezatim të lartë diellor nga pozicioni gjeografik. Pas studimeve dhe konsultimeve me kompani të huaja, me ndihmën e sistemit bankar në Shqipëri dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e përfunduam projektin në Dhjetor të Vitit 2018 dhe prodhimi i energjisë në këto vite ka qenë në formatin e parashikuar”, thotë zoti Llapashtica.

Për 15 vitet e para, Parku Fotovolatik ka detyrimin ta shesë energjinë për 100 euro /MW tek kompania shtetërore e shpërndarjes (OSHEE).

Zoti Llapashtica thotë më tej se se sektori i prodhimit të energjisë diellore po njeh një trend në rritje të gjithë botën.

“Aq më tepër që sot jemi në kushtet e luftës në Europë të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore. Kanë ndryshuar tregjet e gazit të naftës dhe burimet e energjisë janë duke u diversifikuar jo vetëm për këtë arsye, por edhe për shkak të ruajtjes së ambientit”, thotë ai.

Anduel Çekrezi një ekspert në fushën e enegjisë thotë se Shqipëria është vendi më i favorizuar në rajon për prodhimin e energjisë diellore.

“Pozicioni gjeografik i Shqipërisë për sa i përket rrezatimit diellor llogaritet 20-30% më mirë se vendet e tjera të rajonit si Maqedonia , Kosova apo mos themi më tej vendet e ftohta europiane. Kemi një potencial shumë të madh për të zhvilluar këtë lloj teknologjie të prodhimit të energjisë që për hir të së vërtetës nuk është në ato nivele që duhet të ishte”, thotë zoti Çekrezi.

Sipas tij sektori i energjisë diellore duhet liberalizuar duke u thjeshtuar dhe duke u shmangur procedurat burokratike nisur edhe nga kushtet e reja të krizës mbarëbotërore energjitike.

“Sfida më e madhe është demokratizmi i sistemit, liberalizimi i këtij sektori për ta bërë më të thjeshtë që gjithësejcilin që mund të investojë apo do të investojë për prodhimin e energjisë elektrike. Ka dy segmente, për ata që duan të prodhojnë për një treg të lirë dhe për ata që duan të prodhojnë me tarifë shtetërore. Nëse duhet të përfshihemi si vendet e tjera duhet të ketë një tarifë blerjeje të energjisë nga shteti si për prodhuesit e vegjël edhe ata me tarifë shtetërore. Kjo jep një potencial të madh zhvillimi, siç ka ndodhur me disa projekte të zhvilluara në zonën e Fierit”, thotë ai.

Një aspekt tjetër që duhet rregulluar thotë zoti Çekrezi është segementi i vetëprodhimit.

“Aktualisht skema e blerjes së energjisë është me matje mujore dhe nëse një prodhues ka mbiprodhim pas një muaji energjia humbet në rrjet pasi ende nuk është përcaktuar nga autoriteti shtetëror “çmimi i tepricës” së energjisë. “Ministria e Energjisë duhet të nxjerrë çmimin e tepricës”, pasi ky detyrim është përcaktuar në ligj dhe në udhëzim, por ka mbetur në letër sepse nuk ka shkuar në Entin Rregullator të Energjisë”. Duket se çmimet për të vendosur për koncesionet shkojnë shumë më shpejt se përcaktimi i çmimit për blerjen e tepricës së energjisë”, thotë zoti Çekrezi.

Ministria e Energjisë ka pohuar se ka ngritur një grup pune për këtë çështje dhe brenda viti 2022 pritet të caktohet çmimi që sheti do ta blejë energjinë nga prodhuesit e vegjël të paneleve diellore.

Qeveria shqiptare ka miratuar dy-tre viteve të fundit disa parqe të mëdha të prodhimit të energjisë diellore në disa zona të vendit por kryesisht në Fier, Vlorë dhe Lushnjë. Kompania franceze “Voltalia as” u shpall fituese e ankandit ndërkombëtar për parkun më të madh fotovoltaik atë të Karavastasë dy vite më parë dhe në mars të 2021 edhe për parkun fotovoltaik të Spitallës në Durrës.

Sipas projektit “Parku fotovoltaik i Karavastasë” do të ndërtohet në një zonë prej 198 hektarësh ku pritet të instalohen impiante fotovoltaikë me fuqi prej 140 megavatësh, në vlerën e investimit mbi 100 milonë dollarë.

Si zoti Llapashtica dhe zoti Çekrezi thonë se zhvillimi i këtij sektori në Shqipëri nga njëra anë duhet të shfrytëzojë potencialin e madh, por duhet të marrë parasysh shfrytëzimin e dyfishtë të tokës bujqësore.

“ Shqipëria duhet të bëjë shumë kujdes me zonat ku do ti zhvillojë këto projekte. Të bëjmë kujdes me ruajtjen e ambientit dhe ta zhvillojmë këtë sektor që është trendi i boltës në zona sa më e mundur të jenë larg qendrave të banuara. Arsye tjetër që duhet të bëjmë kujdes , është që këtë lloj industrie po të kemi mundësi ta zhvillojmë në toka bujqësore, por paralel me bujqësinë që do të thotë poshtë paneleve të kultivojmë pemë ose perime ose grurë e miser çfarë kultivohet. Do ishte dëm sipas mendimit tim, por edhe sipas ekspertëve ndërkombëtarë, që në tokat bujqësor të zhvillohen vetëm panele” thotë zoti Llapashtica.

Ndërsa zoti Çekrezi thotë se është shumë e rëndësishme pjesa e integrimit të këtyre parqeve në formën e përdorimit të dyfishtë të tokës.

“Është një teknologji për panelet diellore që përdoret në bujqësi, me të cilën mund ti ngresh në lartësi dhe krahas përftimit të energjisë të sigurohet edhe kultivimi i frutave apo perimeve”, thotë ai.

Krahas sipërmarjeve të interesuara për të investuar në prodhimin e energjisë me panele diellore edhe organizatat mjedisore në Shqipëri janë përfshirë në nxitjen e këtij sektori.

Olsi Nika i organizatës “EcoAlbania” thotë se krahas një studimi të organizatave mjedisore dhe ndërgjegjësimit të publikut që orientohen drejt energjisë së ripërtërishme ka pasur edhe projekte të vogla konkrete të instalimit të paneleve diellore.

“Kemi instaluar panele fotovaltike në çatitë e ndërtesave publike që prodhojnë energji në fshatin Kutë të Mallakastrës. Janë mjaftueshëm jo vetëm për energjinë që konsumojnë këto ndërtesa publike si kopshtet, shkolla, njësia e qeverisjes vendore apo e shëndetit publik, por që bëjnë të mundur edhe ndriçimin e gjitha rrugëve dhe rrugicave të fshatit. Është një nga modelet e mira të qëndrueshme që ne ia kemi ofruar komunitetit të Kutës jo vetëm si një mënyrë e përfitimit të energjisë, por edhe si një mesazh i qartë që banorët e këtij fshati donin ti jepnin qeverisë në përpjekjet e tyre të vazhdueshme në kundërshtimin e Hidrocentralit të Poçemit që do të përmbytë tokat dhe shtëpitë e tyre”, thotë ai.

Sipas raportit vjetor të Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2021 në Shqipëri ishin në prodhim 11 centrale të vogla fotovoltaike, ndërsa nuk u vu në punë asnjë central i ri fotovoltaik.

Raporti pohon se gjatë vitit 2021 në Shqipëri 5 parqe fotovoltaike dhe 6 parqe për prodhimin e energjisë nga era morën miratim për lidhje me sistemin energjisë, ndërsa 6 parqe të tjera fotovoltaike morën opinion paraprak për lidhje me këtë sistem.

Por vitin e shkuar vetëm dy centrale fotovoltaike, Parku i Karavastasë dhe impianti në digën e Hidrocentralit të Vaut të Dejës janë në ndërtim e sipër, ndërsa të tjerat në procedura përgatitore.

Banka Botërore: Ekonomia e Shqipërisë po ngadalësohet nga lufta në Ukrainë

WBGBanka Botërore bëri sot të ditur se lufta në Ukrainë po ndikon në paqëndrueshmërinë e çmimeve dhe rritjen ekonomike të Shqipërisë, ndërsa parashikimet afatshkurtra janë përkeqësuar.

Në raportin e rregullt për Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore pohoi se rritja ekonomike e Shqipërisë prej 8.5 për qind gjatë vitit 2021 tejkaloi plotësisht recesionin që shkaktoi nga Pandemia Covid, por kjo rritje pritet të ngadalësohet në 3.2 për qind gjatë këtij viti, nëse piku i krizës do të zbutet në tremujorin e dytë dhe nëse efektet e sanksioneve do të vazhdojnë gjatë.

Raporti thekson se zgjatja e krizës në Ukrainë mund të ndikojë ekonominë shqiptare përmes çmimeve të larta kryesisht të drithërave dhe karburanteve.

Shkëmbimet ekonomike të Shqipërisë me Rusinë dhe Ukrainën janë të pakta, më pak se 3 për qind e totalit, por shtrenjtimi i energjisë dhe i grurit mund të rritin më tej çmimet e shportës së konsumit dhe të dobësojnë fuqinë blerëse të familjeve si dhe parashikimet e rritjes ekonomike.

Ekspertët e Bankës Botërore vlerësojnë se borxhi publik i Shqipërisë pritet të bëhet i qëndrueshëm këtë vit në 73.9 për qind të GDP-së, por hapësira fiskale mund të përkeqësohet edhe më shumë, nëse lufta zgjat dhe ngadalëson rritjen ekonomike të BE-së, e si rrjedhim edhe eksportet shqiptare me vendet anëtare të tij. Nëse kjo ndodh, qeverisë shqiptare do t’i duhet të shkurtojë shpenzimet kapitale, që të mos thellohet raporti midis borxhit publik dhe GDP-së.

Banka Botërore thekson se Shqipëria po mbështetet gjithnjë e më shumë në burimet e jashtme të financimit, ndaj mbeten të larta rreziqet e kursit të këmbimit, normës së interesit dhe rifinancimit.

“Investimet private mund të mbështesin më tej rritjen ekonomike të Shqipërisë, nëse përmirësohet klima e biznesit përmes reformave” – thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Rritja e çmimeve të mallrave, energjisë dhe importeve prej luftës në Ukrainë rriti dhe do të rritë më tej inflacionin dhe dobësoi monedhën vendase, ndërsa Banka Qendrore e Shqipërisë rriti normën bazë të interesit.

Gjatë vitit të kaluar u regjistruan rritje të eksporteve, investimeve të huaja direkte dhe të kreditimit për sektorin privat.

Ekspertët e saj pohojnë se rimëkëmbja e shpejtë ekonomike gjatë vitit të kaluar erdhi prej politikave nxitëse, si dhe rigjallërimit të turizmit, ndërtimit, prodhimi i energjisë hidrike dhe nxjerrjes së mineraleve.

Megjithatë, rritja ekonomike nuk e ktheu punësimin në nivelin e parakrizës; numri i të punësuarve është në rënie prej 3 vjetësh në pothuaj të gjithë sektorët, madje edhe forca e punës ka pësuar rënie për të dytin vit radhas në të gjithë grupmoshat, ndërsa shkalla e papunësisë mbeti në 11.5 për qind. voa

Kurti: Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së dhe NATO-s

Albin KurtiKryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi vizitën e tij të parë zyrtare në Berlin, ku u takua me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz. Për DW ai flet mbi Procesin e Berlinit, dialogun e marrëdhëniet me Serbinë.

Deutsche Welle: Zoti Kryeministër, erdhët në Berlin me ftesë të kancelarit Olaf Scholz, sepse Gjermania ka vendosur t’i japë një impuls  procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, nisur dhe nga dinamika e krijuar aktualisht nga Lufta e Ukrainës. Procesi i Berlinit, është një proces që e ka filluar kancelarja Angela Merkel, por që nuk ka patur shumë rezultate konkrete. A mendoni ju se kjo është rruga e duhur për të ofruar Ballkanin Perëndimor drejt  Bashkimit Evropian?

Albin Kurti: Unë isha i nderuar që mora pjesë në takim me kancelarin Scholz me ftesën e tij këtu në kancelari, ku për herë të parë u takuam. Ishte kënaqësi që konfirmuam se ndajmë vlera të përbashkëta. Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e kanë Gjermaninë një aleat strategjik për Republikën e Kosovës dhe ne jemi të bindur që Procesi i Berlinit me rienergjizimin e tij nëpërmjet kancelarit të ri, Olaf Scholz, është lajm i mirë për secilin vend të Ballkanit dhe në veçanti për Republikën e Kosovës. Ne kemi diku çdo të tretin qytetar të Republikës që nuk banon në territorin e Republikës, por në Evropën Perëndimore, sidomos në Gjermani. Marrëveshjet tona do të shtohen, bashkëpunimi ynë ekononmik dhe tregtar po ashtu, dhe besoj që edhe në Bashkimin Evropian edhe në Procesin e Berlinit na presin ditë të mira si Repulikë e Kosovës.

Një nga elementet e Procesit të Berlinit është Tregu i Përbashkët Rajonal, për të cilin janë zotuar liderët e Ballkanit Perëndimor, por deri tani nuk është vënë në zbatim. Çfarë duhet të ndodhë që Ballkani Perëndimor të bashkëpunojë më mirë?

Tregu i Përbashkët Rajonal është thelb i Procesit të Berlinit. Jo zëvendësim për BE-në, por si përgatitje për të. Për t’u realizuar Tregu i Përbashkët Rajonal duhet që Serbia t’i pranojë dokumentet e Kosovës dhe në këtë mënyrë të mundësohet lëvizja e katërfishtë që paraqet vlerë të Bashkimit Evropian. Unë besoj që është koha e fundit që mbi Beogradin të bëhet trysnia që t’i pranojë dokumentet e Kosovës dhe në këtë mënyrë të qarkullojnë lirshëm kapitali e shërbimet e njerëzit dhe bashkarisht t’i afrohemi Bashkimit Evropian.

 

 

Ju kërkoni që dokumentet të kenë brenda termin “Republikë e Kosovës”. Nuk jeni i gatshëm, që të bëni aty një lëshim të vogël, qoftë për t’i dhënë shtysë bashkëpunimit?

Ne nuk mund të kthehemi as para vitit 1999, kur jemi çliruar e as para vitit 2008 kur e kemi shpallur pavarësinë, as para vitit 2010  kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka legjitimuar Shpalljen e Pavarësisë dhe as para vitit 2012, kur ka përfunduar mbikëqyrja ndërkombëtare e Pavarësisë së Kosovës. Dokumentet janë të Repulikës dhe ato duhet të pranohen si të tilla, por le të mos harrojmë që Sllovakia, Greqia dhe Rumania nuk e pranojnë shtetin tonë ende –  shpresoj që kjo të ndryshojë së shpejti – por edhe kanë zyrë të tyre në Prishtinë dhe i pranojnë që të gjitha dokumentet. Pasaporta ime pranohet nga Greqia, Rumania dhe Sllovakia, e nëse Serbia dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Evropian, së paku, si hap i parë le t’u bashkohet vendeve mosnjohëse që, siç dihet, janë pakicë.

Kaluam kështu vetiu te dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Zoti Scholz ju ftoi ekstra për të zhvilluar edhe një bisedë në prani të presidentit Vuçiç dhe negociatorit Lajçak. Çfarë mund të dalë prej këtij takimi?

Prania dhe pjesëmarrja ime në takim dhe aktivitetet këtu në Berlin, natyrisht nuk ishin vetëm për takimin me kancelarin Olaf Scholz, por edhe me ministren e Jashtme, zonjën Annalena Baerbock, por edhe një takim tjetër trepalësh me Presidentin e Serbisë dhe ndërmjetësin e BE-së, zotin Lajçak. Unë besoj që dialogu duhet të jetë parimor, i balancuar, simetrik, me rezultate që dëshmohen se janë të tilla për t’i sjellë përfitime qytetarëve pa dallim, por gjithashtu edhe rezultatet, të cilat i kanë brenda vlerat e BE-së. Demokratizimin, sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, ballafaqimin me të kaluarën, reciprocitetin, e kështu me radhë.

 

A shihni ju një pengesë, që ju, që e shikoni veten si lider modern e demokratik i Kosovës, të gjeni një gjuhë të përbashkët me presidentin aktual të Serbisë, Vuçiç?

Nuk është kollaj, për shkak se për dallim nga Serbia, Kosova është vend demokratik. Ka demokraci cilësore. Në vendin tonë opozita mund t’i fitojë zgjedhjet. Dhe kemi rritjen më të madhe ekonomike në rajon. Kosova është dëshmi që zhvillimi ekonomik dhe demokracia institucionale e shoqërore shkojnë bashkë me njëra-tjetrën. Unë uroj që në Serbi të ndryshojë qasja, të mos jenë të rreshtuar sikurse deri më tani me Kremlinin zyrtar, që bëri agresion ushtarak të pajustifikueshëm dhe invazion të paprovokuar në Ukrainë dhe uroj që edhe Serbia t’ia vendosë sanksionet Rusisë dhe të distancohet në të tashmen nga Putini e për të kaluarën e saj të distancohet nga Millosheviçi.

Nga ana tjetër Serbia është një vend i fuqishëm që ka edhe lëndë të para, për të cilat ka nevojë Perëndimi ose Bashkimi Evropian. Pra, Serbia mund të kërkojë pjesën e vet. A jeni ju i gatshëm që të pranoni Asociacionin e Komunave Serbe, siç është parashikuar në vitin 2013?

Dialogu parimor duhet të sjellë marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim  të plotë të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, e cila e ka në qendër njohjen reciproke. Jo njohjen reciproke në fund të një procesi që është stërzgjatë, siç ka qenë në dekadën e shkuar, por njohje reciproke në qendër të marrëveshjes, e cila i normalizon raportet, kur Kosova është shtet normal, mirëpo raportet me Serbinë nuk i ka normale dhe ato duhet t’i normalizojmë. Unë nuk besoj që Bashkimit Evropian i nevojitet Serbia, sa i nevojitet Serbisë Bashkimi Evropian. Pra, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, të marra së bashku e kanë popullsinë sa e Holandës, ndërkaq të kombinuar  bruto-produktin vendor e kanë sa Sllovakia. Por Ballkani Perëndimor, i inkuadruar në Bashkimin Evropian e zvogëlon për tremijë kilometra kufirin e jashtëm që është mirë për sigurinë, por që besa edhe i bashkon familjet, meqënëse nuk ka familje, jo vetëm në Kosovë, por, do të thosha edhe në Ballkan, që nuk e ka një anëtar së paku në Evropën Perëndimore.

 

Ballkani vazhdon të ketë provokime nga ana e Rusisë. Ju keni folur për luftë hibride. A shihni ndonjë rrezik që kjo luftë hibride të kthehet në luftë reale edhe në Ballkan?

U dëshmua që lufta hibride nuk e zëvendëson luftën, por e përgatit atë, dhe, në anën tjetër, gjithashtu u dëshmua që vendet autokratike, kur blejnë armatim, këtë nuk e bëjnë për parada ceremoniale ushtarake, por e bëjnë pikërisht, për ta përdorur atë armatim në luftën agresore kundër fqinjëve. Andaj, jemi shumë të kujdeshëm, e shumë vigjilentë, po e ndjekim se çfarë ndodh atje, afër tre për qind e brutoproduktit vendor bëhet për investime dhe shpenzime për ushtri, me ç’rast blejnë armatim, ose marrin donacione nga Rusia, Bjellorusia dhe Kina, dhe rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë, tashmë janë 48 baza ushtarake, të cilat e rrezikojnë sigurinë dhe paqen në vendin tonë, Mirëpo me kapacitetet tona shtetërore, me faktin që ndonëse nuk jemi në NATO e kemi NATO-n në Kosovë, dhe ndonëse nuk jemi në Bashkimin Evropian edhe Bashkimin Evropian e kemi të integruar në Kosovë ne megjithatë jemi të sigurt.

Por, në fqinjën tonë veriore, në Serbi, dihet që Gazpromi ka shumicën e aksioneve në industrinë e naftës. Në Nish është qendra humanitare ruse, dhe ata kanë marrëveshje të tregtisë me Federatën Ruse dhe janë pjesë e Unionit Euroaziatik Ekonomik, që udhëhiqet nga Moska. Pra, lidhjet i kanë të shumëfishta, i kanë të thella, dhe unë mendoj që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja duhet të jenë të kujdesshëm që të mos lejojnë më që Serbia të ulet në tri-katër karrige. Në të njëjtën kohë duhet ta vlerësojnë kontributin e Kosovës, e cila nuk ka alternativë tjetër dhe nuk do të ketë kurrfarë projektesh paralele përveç BE-së dhe NATO-s.

Bisedën e zhvilloi Anila Shuka

Çfarë tha kancelari Scholz për RTK-në?

Scholz KurtiKryeministri i vendit, Albin Kurti të mërkurën ishte për vizitë në Gjermani, ku u takua me kancelarin Olaf Scholz.  Ky i fundit, po dje takoi edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në përpjekje për të shtyrë para procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Pas takimit, kryeministri Kurti e kancelari Scholz mbajtën një konferencë për media ku në mesin e medieve ishte edhe RTK.

Zyra e kancelarit ka publikuar të plotë transkriptin zyrtar të kësaj konference.

Në pyetjen e mediumit publik kosovar se në fjalimin e tij, ku ai foli për një marrëveshje gjithëpërfshirëse në dialogun  Kosovë-Serbi, a mendon se takimi mes Kurtit, Vuçiqit dhe Lajçakut do të kontribuonte në arritjen e kësaj marrëveshjeje dhe se çfarë roli specifik do të luajë Gjermania në këtë rast, pason edhe përgjigja e kancelarit Scholz.

“Faleminderit shumë për pyetjen dhe mundësinë për të hyrë më në thellësi rreth asaj që mendojmë. Unë jam shumë i etur të ndihmoj që vendet e Ballkanit Perëndimor,  që nuk janë ende pjesë e Bashkimit Evropian të kenë mundësinë të bëhen shumë shpejt pjesë e bllokut”, ka thënë Scholz, sipas transkriptim zyrtar.

“Një parakusht thelbësor për këtë dhe gjithashtu për paqen në Ballkan është sigurisht mirëkuptimi ndërmjet Serbisë dhe Kosovës; e domosdoshme”.

Scholz citohet të jetë shprehur se: “Sigurisht, kjo do të funksionojë vetëm nëse do të ketë marrëveshje konkrete që dy vendet mund të arrijnë me njëra-tjetrën, duke mbuluar shumë detaje”.

“Por sigurisht që përfshin në fund edhe atë që Gjermania e ka bërë kohë më parë, përkatësisht njohjen e Kosovës”, citohet Scholz në transkriptin zyrtar të Kancelarisë Federale.

“Kjo është arsyeja pse ne jemi të lumtur t’i ndihmojmë këto biseda që të zhvillohen, dhe jemi gjithashtu të lumtur të ndihmojmë në krijimin e një kuadri që ato të ndodhin; sepse ne nuk jemi arbitra që gjykojmë më pas se kush ka të drejtë, por jemi dikush që duhet të bëjmë të mundur që lidershipi, që krerët e qeverive duhet të tregojnë të çojë në marrëveshje dhe pasoja praktike dhe për këtë bëhet fjalë. Kam përshtypjen se ka një vullnet të madh për të bërë përparim tani”.

Scholz ka thënë se kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që, përveç vullnetit për të ofruar gjithmonë kornizën, për të folur me të gjithë dhe për t’i çuar gjërat përpara.

“ Njëra është ringjallja e Procesit të Berlinit, i cili ka dhënë një kontribut të madh në bashkëpunimin në Ballkan dhe të cilin ne dëshirojmë ta promovojmë. E dyta, natyrisht, është çështja e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për të cilën kam folur tashmë”.

Ai tha se nga këndvështrimi i tij, kjo është diçka që të gjithë e dinë me siguri.

“Kjo është tani një perspektivë realiste. – Në funksion të kësaj, ia vlen të merren vendime dhe të arrihet mirëkuptimi”, citohet kancelari Scholz në transkriptin  zyrtar, në përgjigjen e dhënë për RTK-në.

rtk

Kurti për Vuçiqin: Nuk distancohet nga Millosheviqi e as nga Putini

Darka Lajcak Kurti VucicDarka joformale ka zgjatur rreth një orë e gjysmë e pas saj, kryeministri Kurti,  tha se nga ana e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk ka edhe më tej distancim nga politika e Sllobodan Millosheviqit dhe as nga politika e presidentit rus, Vladimir Putin.

Pas darkës jozyrtare të shtruar në Berlin, ku i pranishëm ishte kryeministri Albin Kurti, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq si dhe i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kreu i ekzekutivit kosovar dha edhe një deklaratë RTK-në.

Kurti paralajmëroi se takimi i radhës nuk do të jetë në nivel të liderëve, por do të jetë në nivel të kryenegociatorëve.

Kryeministri kosovar rikonfirmoi se  takimi i radhës në këtë nivel do të jetë me 13 maj.

Më poshtë, sjellim të plotë deklarimin e kryeministrit Kurti dhënë RTK-së në Berlin, pas darkës joformale.

 

Pyetje: Kryeministër, si kaloi takimi i sontëm?

Kurti: Në pallatin Borsig në periferi të Berlinit ishte takimi i tretë me lehtësimin  apo ndërmjetësimin e  Lajçak, takim  që ishte në përgatitje për takimin javës së ardhme kur me 13 maj, kryenegociatorët tanë takohen në Bruksel. Qëndrimet e presidentit të fqinjit tonë verior janë të vjetra dhe insistimi im është natyrisht për një marrëveshje që natyrisht është e obligueshme, normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona, duke pasur në qendër njohjen reciproke. Mirëpo në këtë aspekt, nuk mund të them se ka përparim. Pra, nuk ka distancim nga Millosheviqi, nuk ka distancim nga Putini, dhe përveç që ka qëndrime të vjetra, ka edhe sjellje të çrregullta do të thosha.

 

Pyetje: Pra po presim një takim të ardhshëm, njëjtë në nivel  kryenegociatorësh, mirëpo jo në nivel liderësh kur flasim për Brukselin?

Kurti:  Takimi i radhës nuk do të jetë në nivel të liderëve, do të jetë në nivel të kryenegociatorëve, pra zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, me 13 maj do ta takojë homologun e tij në Bruksel dhe do të vazhdojnë diskutimet dhe shqyrtimet, por është e qartë se Kosova është në të drejtën e saj dhe tashmë edhe faktorët ndërkombëtarë e kanë të qartë se është Serbia ajo e cila duhet të ndryshojë, në mënyrë qe të kemi zgjidhje e marrëveshje.

 

Pyetje: Pra, kryeministër është e njëjta frymë sikurse në takimin  parë dhe të dytë?

Kurti:  Po e ritheksoj se  qëndrimet janë të vjetra dhe kjo është arsyeja se pse nuk mund të kemi një marrëveshja të re çfarë i nevojitet jo vetëm raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe Ballkanit në përgjithësi e do te thosha edhe Bashkimit Evropian.

 

Pyetje: Pra nuk mund të presim një takim liderësh së shpejti në Bruksel?

Kurti: Mund të ketë takim, varësisht se si shkon takimi i kryenegociatorëve me 13 maj.

Deklarata e Kurtit vjen pasi ai gjatë ditës takoi kancelarin gjerman, Olaf Scholz me të cilin mbajti edhe një konferencë për media.

Në këtë konferencë edhe një herë ai u rikonfirmuan marrëdhëniet e ngushta mes Kosovës e Gjermanisë.

Gjatë ditës, Kurti pati takime dhe me ministren e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

rtk

Kurti dhe Vuçiç në Berlin – përpjekje e re për ripërtëritje bisedimesh

Lajcak Kurti VucicKryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u takuan të mërkurën në mbrëmje në një darkë joformale në Berlin, për herë të parë që nga korriku i vitit të kaluar.

“E mirëprita mundësinë për një darkë joformale diskutimesh rreth dialogut me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç në Berlin. Mirënjohës ndaj qeverisë gjermane për pritjen. Ne do të vazhdojmë diskutimet në nivel të kryenegociatorëve më 13 maj”, shkroi në rrjetet sociale, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Darka pasoi takimet e ndara të të dy udhëheqësve me kancelarin gjerman Olaf Scholz, në të cilat u diskutua, siç thuhet, bashkërendimi i reagimeve të mëtejshme ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë si dhe bashkëpunimin rajonal.

Kancelari Scholz kishte ftuar në Berlin të dërguarin e BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. Takimit i ishte bashkuar edhe i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Diplomatët perëndimor ka kohë që janë vënë në përpjekje për të siguruar një takim të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe takimi i së mërkurës shihet si një hap shtendosjeje që do të ndihmojë ripërtëritjen e procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet palëve.

Kancelari gjerman Scholz tha më herët pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, se një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi do të hapte rrugën për integrimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.

“Qëllimi i bisedimeve të Brukselit është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme midis dy vendeve, që u hap të dyja vendeve perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe kontribuon për qëndrueshmërinë rajonale, tha kancelari Scholz, sipas të cilit marrëveshja do të përfshinte shumë hollësi, “por natyrisht këtu bën pjesë edhe ajo që ka bërë Gjermania prej kohësh, pra është njohja e Kosovës”.

Kryeministri Kurti tha se bisedimet duhet të jenë të përqendruara në njohjen e ndërsjellë “pra jo në njohje që vjen në fund të një procesi të gjatë, por si dialog për marrëveshje me njohje reciproke në qendër”.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha ndërkaq se “beson që do të kemi fuqi të përparojmë në bisedimet me Prishtinën”.

Në fillim të javës së kaluar, ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit, Karen Donfried, tha se normalizimi është rruga për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Rusisë për destabilizimin e Ballkanit.

Serbia është i vetmi vend i rajonit që nuk i ka vënë sanksione Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Kancelari gjerman tha se lufta është e papranueshme ndërsa “presidentit Vuçiç ia përcolla edhe shqetësimin tim për situatën në Bosnjë. Është shumë e rëndësishme të ruhet qëndrueshmëria atje”.

Agresioni rus në Ukrainë ka nxitur shqetësime për ndikimet e konfliktit edhe në Ballkanin Perëndimor.

“I kam premtuar kancelarit Scholz se Serbia nuk do të jetë shkaktare e asnjë problemi dhe ne e mbajmë fjalën”, tha presidenti serb.

voa

DASH: SHBA negocion me Bullgarinë për ta zgjidhur kontestit me Maqedoninë e Veriut

maqedoni-bullgari“SHBA në baza dypalëshe bisedojnë me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut për të zgjidhur kontestin në mes tyre, pasi është koha që Shkupi dhe Tirana t’i fillojnë negociatat për anëtarësim në BE”.

Kështu theksojnë nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Sekretari shtetëror Anthony Blinken dhe ministri për Punë të Jashtme i Francës, Jean-Iv Le Drien, në bisedë telefonike javën e kaluar bënë thirrje për përshpejtim të procesit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

I pyetur nga AIM për të zbuluar detaje dhe afate në lidhje me këtë, zëdhënësi Ned Price dje tha se vazhdon inkurajimi sikur i Bullgaris, po ashtu edhe Maqedonisë së Veriut, për t’i zgjidhur çështjet dypalëshe.

“Nuk do të zbulojë detaje rreth negociatave”, tha Price.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë qenë prej kohësh mbështetëse e fortë e integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE.

“Ne besojmë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE. Procesi i zgjerimit promovon paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe prosperitet në të gjithë rajonin”, tha ai.

Ai shtoi se vendimi i BE-së nga marsi 2020 për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë konsiderohet një hap pozitiv.

“Të dy vendet kanë përfunduar detyrat bazë dhe ne besojmë se është koha për të ecur përpara së bashku në fazën tjetër të procesit të gjatë dhe sfidues të pranimit”, tha Price.

Ai shtoi se “Marrëveshja historike e Prespës ka treguar se vendet e Ballkanit Perëndimor janë të afta të kryejnë detyra të vështira, të arrijnë kompromise dhe vendime të vështira dhe ne jemi të bindur se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut do të bëjnë të njëjtën gjë duke negociuar mosmarrëveshjet e tyre dypalëshe”.

/Telegrafi/

Shtrenjtohen sërish derivatet e naftës në Maqedoninë e Veriut

naftaKomisioni Rregullator për Energjetikë ka vendosur që nga mesnata çmimi i benzinës do të rritet për 2,5 denarë, ndërsa çmimi i naftës do të rritet për 3 denar.

Çmimet e shitjes me pakicë të benzinës EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 dhe të Vajit Ekstra të Lehtë për Amvisëri (ЕL-1) rriten për 2,50 denarë/litër, ndërsa çmimi i shitjes me pakicë i EURODIZELIT (D-Е-V) rritet për 3,00 denarë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i Мazutit М-1 SU rritet për 1,293 den/kg dhe do të jetë 53,587 den/kg.

Nga data 5.5.2022, ora 00:01 çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:

Benzinë motori EUROSUPER BS – 95 88,50 (denarë/litër)
Benzinë motori EUROSUPER BS – 98 90,50 (denarë/litër)
Naftë motori EURODIZEL BS (D-E V) 90,00 (denarë/litër)
Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) 87,50 (denarë/litër)
Mazut М-1 SU 53,587 (denarë/kilogram)

Theksojmë se këto janë çmimet maksimale të derivateve të naftës nga ora 00:01 e datës 5.5.2022.

Qendra Informative Shqiptare "Liria"