Mbrojtje ndaj Rusisë: Armë të reja për Ukrainën?

Obuse M777 nga SHBAPothujase çdo ditë presidenti i Ukrainës, Zelensky kërkon armë më efikase. Tani disa vende kanë deklaruar, se do të furnizojnë me sisteme të mëtesjhme armatimi, ndër këto vende bëjnë pjesë SHBA dhe Gjermania.

 

Beteja për Donbasin mund të fitohet vetëm me armë të rënda. Ky konsiderohet si konsensus ndër ekspertët ushtarakë. Për të zbehur disporporcionalitetin në shifra kundrejt ushtrisë ruse, aleatët perëndimorë e kanë furnizuar ndërkohë Ukrainën me mijëra armë e municione. Por megjithatë është e qartë, se pa furnizime të tjera me armë ky vend nuk mund të mbrohet.

Njëkohësisht NATO nuk do të riskojë një luftë me Rusinë. Moska thekson vazhdimisht, se edhe furnizimet me armë mund të konsiderohen si sulm – veçanërisht nëse këto armë përdoren për të atakuar territor rus. Ndaj vendet që mbështesin Ukrainën e peshojnë me kujdes, se çfarë sistemesh armatimi mund të furnizojnë në Ukrainë.

 

SHBA

Kjo u bë e qartë në fund të majit, kur presidenti i SHBA-së, Joe Biden deklaroi, se do t’i përgjigjet dëshirës së qeverisë në Kiev, për t’u dorëzuar forcave të armatosura ukrainase raketahedhës mobil. Konkretisht bëhet fjalë për raketahedhës të shumëfishtë të tipit MLRS (Multiple Launch Rocket System) një version i lehtë ky i sistemit HIMARS (High Mobility Artillery Rocket System).

 

Të dyja këto sisteme kanë platforma lëvizëse, që mund të lëshojnë një numër të madh raketash. Dallimi mes tyre ka të bëjë me montimin e sistemit të raketahedhësve HIMARS në automjete të blinduara dhe jo në automjete me zinxhirë. Kjo ndonëse kufizon aftësinë e lëvizshmërisë në terren, nga ana tjetër bën që këto automjete të konsumojnë më pak karburant. Po ashtu edhe pesha e tyre më e lehtë mundëson transportimin e tyre me aeroplan.

Të dyja këto sisteme janë në gjendje të sulmojnë raketat me rreze të mesme veprimi në distanca disa qindra kilometra. Por qeveria e SHBA-së ka refuzuar të dërgojë këtë lloj armatimi. Në vend të tyre forcat e armatosura ukrainase do të marrin raketa me një rreze maksimale veprimi prej 80km. Qëllimi është që të sprapset sulmi rus ndaj territorit ukrainas. Për këtë do të ndihmojë edhe një sistem radarësh nga SHBA për mbrojtjen nga artileria. Nga qarqet qeveritare të SHBA-së thuhet, se Ukraina ka siguruar se nuk do të përdorë armë për të sulmuar territorin rus.

Që nga fillimi i sulmit rus, SHBA është furnizuesja më e madhe me armë në Ukrainë. Kryesisht janë dërguar sisteme raketambajtës Javelin (për mbrojtjen artilerie) dhe ato Stinger (për mbrojtje kundërajrore) . Këto sisteme kanë kontribuuar në fazën e parë, që të bllokojnë invazionin rus. Për betejat e hapura në Donbas SHBA-ja dhe shtetet e tjera të NATO-s kanë dërguar helikopterë luftarakë dhe obuset fushore të NATO-s të kalibrit 155 milimetra. Edhe të tjera njësi do të furnizohen me këto sisteme armatimi.

 

Gjermania

Ukraina si dhe partnerët e NATO-s kritikojnë Gjermaninë, se po ngurron për furnizimet me armë. Nga Berlini thuhet, se qeveria u përmbahet saktësisht marrëveshjeve me NATO-n. Fakt është, që deri tani Gjermania ndonëse ka dërguar mijëra armë të vogla si automatikë, mina, tanke, granata e disa miliona municion – nuk ka dërguar armë të rënda në Ukrainë.

Përpara disa javësh qeveria premtoi dërgimin e 50 tankeve Gepard për mbrojtjen kundërajrore të nxjerra nga përdorimi si dhe shtatë obuse tanku 2000. Këto, ndryshe nga obuset fushore që tërhiqen prej automjeteve – mund të ndryshojnë pozicionin pas çdo të shtëne në mënyrë autonome.

Tani kancelari Olaf Scholz ka deklaruar dërgimin e sistemit mjaft modern të mbrojtjes kundërajrore IRIS-T si dhe të një radari. Po ashtu Gjermania do të verë në dispozicion edhe raketahedhës të shumëfishtë nga arsenali ushtrisë gjermane, Bundeswehr.

Një problem me furnizimin e armëve të tilla është, se ushtarët ukrainas nuk i njohin shumicën e këtyre sistemeve. Ndërsa aparaturat e thjeshta mësohen me pak udhëzime, thonë ekspertët, përdorimi i këtyre sistemeve komplekse kërkon trajnim për disa javë e muaj. Edhe për këtë arsye Gjermania merr pjesë në të ashtuquajturin rreth shkëmbimi: Kjo do të thotë që ndërkohë që Çekia, Sllovenia dhe Greqia do të dërgojnë në Ukrainë tanke luftarakë dhe mbrojtës të tipit sovjetik, Gjermania do t’ua kompensojë këtyre vendeve arsenalin me tanket  “Marder” dhe “Leopard 2″ nga arsenali i Bundeswehr-it.

 

Danimarka

Jo vetëm në Donbas po luftohet. Flota ruse në Detin e Zi ka rrethuar edhe brigjet jugperëndimore të Ukrainës. Deri tani Ukraina e ka mbrojtur Odesën kryesisht me vendosjen e minave detare. Ndërkohë që zona përgjatë bregdetit është pothuajse e pambrojtur nga një invazion prej detit, sepse Ukraina nuk posedon ndonjë flotë detare luftarake.

Raketat kundër anijeve të tipit Harpoon, që ka premtuar Danimarka do të rrisin tani shansin për përmirësimin e mbrojtjes së bregdetit ukrainas në Detin e Zi.  Ndoshta me këtë mund të çahet bllokada detare, që e ka shkëputur Ukrainën nga tregjet botërore.

 

Mbretëria e Bashkuar

Qeveria britanike, sipas të dhënave të veta, i ka dërguar Ukrainës, një seri sistemesh armatimi. Ndër to armë topa si Javelin dhe Stinger, që mund të vihen në përdorim pas një instruktimi të shpejtë të këmbësorisë për mbrojtjen nga objektiva në tokë dhe në ajër.

 

Sipas sekretarit të shtetit për Mbrojtjen James Heappey do të dërgohen në Ukrainë edhe „qindra” raketa Brimstone-1, që shkatërrojnë tanke dhe pozicionet e artilerisë, por edhe anije të blinduara. Këtyre u shtohen edhe 120 transportues trupash të tipit Mastiff me pajisje për mbrojtjen ndaj minave si dhe dron të vegjël transportues për furnizimin me ushqim dhe municion të pozicioneve në front.

 

Çekia

Çekia ka dërguar ndërkohë në Ukrainë një sërë tankesh mbrojtës dhe luftarakë, rakëtahedhës dhe obusë si dhe helikopterë luftarakë të konstruksionit sovjetik. Çekia do të vazhdojë edhe me furnizime të tjera armësh të rënda.

Edhe shtete të tjera si Kanadaja, Greqia, Norvegjia dhe Polonia do të furnizojnë armë në Ukrainë si sisteme artilerie dhe municione.

 

dw

BE heq dorë nga sanksionet kundër Patriarkut Kiril

Putin KirilPër shkak të rezistencës hungareze, BE-ja nuk vendos sanksione kundër udhëheqësit të Kishës Ortodokse Ruse, Patriarkut Kiril.

 

BE-ja i hapi më në fund e qartë rrugën paketës së gjashtë të sanksioneve kundër Rusisë. Por për shkak të rezistencës së Hungarisë BE-ja fillimisht ka vendosur të mos vendosë sanksione ndaj udhëheqësit të Kishës Ortodokse Ruse, Patriarkut Kiril. Sikurse konfirmuan disa diplomatë paketa e gjashtë e sanksioneve të BE-së, e cila përfshin gjithashtu një embargo të gjerë nafte, u miratua nga përfaqësuesit e shteteve të BE-së pa masat ndëshkuese të planifikuara kundër Kirilit.

Shtetet e tjera të BE-së donin që Kirili të përfshihej në listën e sanksioneve të BE-së për shkak të mbështetjes së tij për luftën agresore ruse kundër Ukrainës. Ai ka kontakte të ngushta me presidentin Vladimir Putin dhe deri tani është treguar shumë besnik ndaj Kremlinit. Në predikimet e tij, 75-vjeçari vazhdimisht mbështe kursin e luftës dhe së fundmi pretendoi madje se Rusia nuk kishte sulmuar kurrë një vend tjetër. Megjithatë Hungaria nuk donte të pranonte sanksionet.

Bojkotimi i furnizimeve me naftë nga Rusia, që është mjaft i rëndësishëm nga pikëpamja ekonomike, përcakton se vitin e ardhshëm në BE nuk do të lejohen më importe nafte me rrugë detare. Për shkak të nivelit të lartë të varësisë së tyre nga nafta ruse vetëm Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke do të lejohen të importojnë naftë ruse përmes tubacionit Druzhba deri në një njoftim të mëtejshëm. Sipas Presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen, deri në fund të vitit BE-ja do të blejë rreth 90 për qind më pak naftë nga Rusia.

 

SHBA thellon sanksionet kundër elitës ruse

Edhe SHBA vendosi sanksione të mëtejshme ndaj oligarkëve rusë dhe zyrtarëve të qeverisë. Departamenti i Thesarit dhe Ministria e Jashtme në Uashington njoftuan një sërë masash ndëshkuese kundër atyre që kanë lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin.

Midis tyre janë miliarderi, Alexei Mordashov dhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova. Qeveria amerikane ka hetuar gjithashtu disa jahte luksoze që thuhet se i takojnë Putinit ose personave të afërm me të. Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tashmë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë sanksione në shkallë të gjerë kundër Moskës dhe aleatëve të ndryshëm të Putinit.

dw

Hungaria bllokon sërish sanksionet e BE

Nafta ruseRruga për sanksione të reja kundër Rusisë nuk është ende plotësisht e hapur. Hungaria bllokon. Ish-kancelarja Merkel mban për herë të parë një qëndrim publik për luftën në Ukrainë.

 

Hungaria kërkon ndryshime të mëtejshme në paketën e re të sanksioneve të BE kundër Rusisë dhe bllokon kështu sërish hyrjen e saj në fuqi. Konkretisht, gjatë negociatave të detajuara mes ambasadorëve të BE, Hungaria refuzoi të miratonte masat penale ndaj kreut të Kishës Ortodokse Ruse Kirill. Patriarku mban kontakte të ngushta me kreun e Kremlinit Vladimir Putin. Në predikimet e tij, 75-vjeçari qëndronte gjithmonë pas rrjedhës së luftës në Ukrainë.

Paketa e fundit e sanksioneve e rënë dakord nga krerët e shteteve dhe qeverive të BE në një samit të jashtëzakonshëm në Bruksel përfshin, ndër të tjera, një embargo të zgjatur ndaj naftës ruse.

 

Hungaria arriti të imponojë që furnizimet e naftës me tubacione fillimisht të përjashtohen nga ndalimi i importit. Sipas diplomatëve, sanksionet kundër Kirillit nuk u diskutuan në samit.

 

Merkel shpreh solidaritetin me Ukrainën

Në fjalimin e saj të parë publik pas rreth gjashtë muajsh, ish-kancelarja gjermane Angela Merkel e quajti sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës një “momente të thellë kthese”. Merkeli tha të mërkurën në mbrëmje në Berlin se si kancelare jo në detyrë, ajo nuk ka ndërmend të bëjë vlerësime nga jashtë. Por sulmi i Rusisë ndaj fqinjit të saj shënon megjithatë një shkelje shumë flagrante të së drejtës ndërkombëtare në historinë e Evropës që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

“Solidariteti im është për Ukrainën e sulmuar dhe të pushtuar nga Rusia dhe për mbështetjen e të drejtës së saj për vetëmbrojtje”, theksoi ish-kancelarja. Ajo mbështet të gjitha përpjekjet e Qeverisë Federale, BE, Shteteve të Bashkuara, NATO-s, G7 dhe OKB-së për t’i “i dhënë fund kësaj lufte barbare agresioni të zhvilluar nga Rusia”.

dw, rtr

SHBA, Maqedonia e Veriut mbajnë Dialog Strategjik për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe

Blinken BujarShtetet e Bashkuara dhe Maqedonia e Veriut mbajtën të enjten në Uashington për herë të parë një Dialog Strategjik, të përqendruar në thellimin e partneritetit dypalësh përsa u takon nismave rajonale, mbrojtjes dhe sigurisë, energjisë dhe mjedisit, shkëmbimeve kulturore, profesionale dhe arsimore, qeverisjes së mirë dhe marrëdhënieve tregëtare.

 

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani e vlerësuan Dialogun, si edhe marrëdhëniet dypalëshe.

“Mendoj se (Dialogu Strategjik) do të shërbejë për ta thelluar bashkëpunimin, koordinimin, bashkëpunimin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara”, tha zoti Blinken.

“Fillimi i Dialogut Strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Maqedonisë paraqet një moment historik të rëndësishëm në marrëdhëniet tona të përgjithshme dypalëshe dhe mendoj se është një hap logjik përpara që prej 30 vjetësh të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të vendosura, 15 vjetësh partneriteti strategjik, dhe veçanërisht dy vjet si aleatë në NATO”, tha zoti Osmani.

Zoti Blinken vlerësoi reformat që ka ndëmarrë Maqedonia e Veriut në demokraci, energji si edhe nismat ekonomike rajonale. Në një njoftim të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit për Dialogun Strategjik, shprehet mbështetja e Uashingtonit për anëtarësimin në BE të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

“Shtetet e Bashkuara theksuan rëndësinë e përparimit të procesit të anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në njoftim.

Zoti Blinken në komentet e tij i bëri jehonë këtij qëndrimi.

“Ne mbështesim fuqimisht ambiciet e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Ne duam shumë të shohim (që ky proces) të ecë përpara dhe do të vazhdojmë ta mbështesim atë në çdo mënyrë që mundemi”, tha ai.

Ministri Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Uashingtonit në këtë drejtim.

“Për ne është vendimtare që (Shtetet e Bashkuara) e shohin këtë si një objektiv strategjik, por edhe që kanë mbështetur shoqërinë tonë për të përmbushur kriteret. Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku në tejkalimin e mosmarrëveshjeve (me Bullgarinë) për t’u bërë anëtarë të BE-së dhe për të shtyrë përpara gjithë rajonin drejt perspektivës euroatlantike”, tha ai.

Zoti Blinken dhe zoti Osmani folën edhe për agresionin rus ndaj Ukrainës. Ministri i Maqedonisë së Veriut vizitoi së fundmi Ukrainën. Ai tha se Dialogu Strategjik do të hapë një kapitull të ri bashkëpunimi.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani kur vlerat tona janë sfiduar”, tha ai duke iu referuar agresionit rus.

Zoti Osmani falenderoi Shtetet e Bashkuara për mbështetjen politike që kanë dhënë për Maqedoninë e Veriut, e cila tha ai e ka ndihmuar vendin drejt “një demokracie funksionale multietnike, të një lloji të veçantë që shërben si referencë, si model për rajonin”.

Ai theksoi se pika kryesore e bashkëpunimit ka qenë ai për anëtarësimin e vendit në NATO, të cilin Ministri i Jashtëm e cilësoi si synimin parësor strategjik të Maqedonisë së Veriut.

 

Pikat e Dialogut Strategjik

Dialogu Strategjik mes dy vendeve u zhvillua në Departamentin e Shtetit dhe u drejtua nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Dr. Karen Donfried dhe Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Në një njoftim të Departamentit të Shtetit thuhej se ata do të punojnë “për të avancuar së bashku përparësitë e përbashkëta për sigurinë dhe mirëqenien dypalëshe, në kontinentin evropian dhe në mbarë botën.”

 

Nismat Rajonale

Shtetet e Bashkuara dhe Maqedonia e Veriut nënvizuan mbështetjen e tyre të fortë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe për të drejtën e saj për të ndjekur të ardhmen evropiane që ajo ka zgjedhur. Ata i bënë thirrje Rusisë që të ndërpresë menjëherë luftën e paprovokuar dhe të tërhiqet plotësisht nga Ukraina.

Në njoftimin e Departamentit të Shtetit thuhet se dy vendet konfirmuan përkushtimin e tyre për integrimin rajonal të Ballkanit Perëndimor përmes iniciativave politike, ekonomike dhe të sigurisë dhe theksuan mbështetjen e tyre për integrimin ekonomik dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor.

“Shtetet e Bashkuara theksuan rëndësinë e përparimit të procesit të anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në njoftim.

Shtetet e Bashkuara thanë se do të mbështesin punën e Maqedonisë së Veriut kur ajo të marrë kryesinë e radhës së OSBE-së në vitin 2023.

 

Mbrojtja dhe siguria

Maqedonia e Veriut është aleatja më e re e NATO-s dhe si e tillë nënvizoi angazhimin e saj për të promovuar paqen dhe stabilitetin në kontinentin evropian.

“Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Maqedonia e Veriut theksuan rëndësinë strategjike të zhvillimit të aftësive të mbrojtjes së nivelit të lartë, kryerjes së stërvitjeve dypalëshe dhe aktiviteteve stërvitore për të përmirësuar ndërveprueshmërinë dhe gatishmërinë, si dhe rëndësinë e përmbushjes së angazhimeve të NATO-s në mbështetje të sigurisë kolektive”, thotë Departamenti i Shtetit.

Shtetet e Bashkuara përgëzuan zhvillimin e zonës së trajnimit në Krivolak të Maqedonisë së Veriut për t’i shërbyer angazhimeve komplekse stërvitore të aleatëve dhe partnerëve të NATO-s.

Dy vendet rikonfirmuan gjithashtu bashkëpunimin në kuadrin e Kartës së Adriatikut (A5), si një platformë unike për bashkëpunim rajonal.

 

Energjia dhe mjedisi

Të dy vendet ritheksuan angazhimin e tyre për rritjen e diversifikimit dhe pavarësisë së energjisë në mbështetje të sigurisë kombëtare dhe në një mënyrë që të parandalojë ndikimet e ndryshimeve klimatike .

“Shtetet e Bashkuara dhe Maqedonia e Veriut ritheksuan angazhimin e tyre për forcimin e partneritetit në prodhimin e energjisë tranzicionale dhe të rinovueshme”, thuhet në nioftimin e Departamentit të Shtetit.

Maqedonia e Veriut përsëriti angazhimet e saj për të hequr gradualisht qymyrin deri në vitin 2030.

 

Shkëmbimet njerëzore

Shtetet e Bashkuara dhe Maqedonia e Veriut konfirmuan angazhimin e tyre për të zgjeruar shkëmbimet arsimore, kulturore dhe profesionale që nxisin mirëkuptimin e ndërsjellë midis popujve të dy vendeve.

 

Bashkëpunimi dypalësh, qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit

Të dyja vendet janë të përkushtuara për të promovuar demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut si në nivel rajonal ashtu edhe në atë global, dhe për të vënë në jetë premtimet e bëra në Samitin për Demokraci të organizuar nga Presidenti Joe Biden.

“Viti i Veprimit është një mundësi për të dyja vendet që të zbatojnë angazhimet e Samitit dhe të vazhdojnë përpjekjet për të forcuar demokracinë në vend, rajonal dhe global”, thuhet në njoftim.

 

Tregtia dhe Investimet

Të dy vendet rikonfirmuan angazhimin e tyre të përbashkët për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin dypalësh ekonomik dhe tregtar. Shtetet e Bashkuara e shohin Maqedoninë e Veriut si një treg në zhvillim të rëndësishëm strategjik me potencial të lartë rritjeje.

“Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara shprehën gatishmërinë për të shfrytëzuar mundësitë tregtare, për të avancuar reformat e klimës së biznesit dhe për të vazhduar identifikimin dhe reduktimin e barrierave për tregtinë dhe investimet”, përfundon njoftimi i Departamentit të Shtetit.

(Pas Dialogut Strategjik, Zëri i Amerikës bëri një intervistë me Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani të cilën mund ta ndiqni të premten në orën 18:00 në emisionin Ditari.)

voa

Bullgaria paralajmëron referendum për veton ndaj Maqedonisë së Veriut

maqedoni-bullgari-flamujBullgaria në qershor nuk do ta heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, bazuar në qëndrimet e fundit të presidentit Rumen Radev. Megjithatë, nuk e përjashton as mundësinë që për çdo zgjidhje të mundshme të vendoset në referendum.

Mediat në Bullgari raportuan se presidenti Radev dhe kryeministri Kiril Petkov, janë ftuar në Paris në një takim me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Presidenti Radev deklaroi se nuk ka asnjë përafrim të qëndrimeve me Shkupin, andaj edhe nuk ka se për çfarë të udhëtojë në Paris.

Agjencia bullgare e lajmeve, BGNES, kishte raportuar të enjten se dy krerët e lartë të shtetit bullgar ishin ftuar në takim nga presidenti Macron për të marrë garanci se të gjitha kërkesat e Sofjes do të jenë pjesë e kornizës negociuese me Maqedoninë e Veriut, dhe në këmbim të saj Bullgaria ta heqë bllokadën.

“Nuk ka përparim në çështjet e hapura mes Sofjes dhe Shkupit, kështu që nuk ka kushte për vizitën time në Paris te presidenti Macron. Dua të shoh rezultate reale. E vlerësoj përkushtimin dhe përpjekjet e partnerëve tanë evropianë”, ka deklaruar Radev për mediat.

Ndërkaq, kryeministri Petkov nuk ka konfirmuar nëse do të udhëtojë drejt Parisit për takimin e paralajmëruar me presidentin Macron. Megjithatë Petkov ka thënë se çfarëdo zgjidhje që mund të paraqitet, duhet të miratohet në Kuvendin e Bullgarisë.

“Po punohet shumë në nivel të ministrive të jashtme për t’i parë të gjitha mundësitë për përparim në temën e Maqedonisë së Veriut. Nuk mund të konfirmojmë asgjë për sa i përket hapave. Por, ajo që konfirmoj është se për të shmangur çdo spekulim, çfarëdo që të bëhet, gjithçka do të kalojë në Kuvend, pasi institucioni ligjvënës është shkalla e fundit dhe nuk do të ketë asgjë të fshehtë apo për të fshehur nga populli bullgar”, ka thënë Petkov.

Por, presidenti Radev ka thënë se fjalën e fundit e ka populli dhe jo deputetët, duke paralajmëruar mundësinë e organizimit të referendumit.

“Lidhur me deklaratën e kryeministrit Petkov se instanca e fundit për çështjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut është Kuvendi, më duhet të sqaroj se instanca e fundit çdoherë është populli dhe ka mekanizma kushtetues për konsultimin e tij”, ka thënë Radev duke aluduar në organizimin e mundshëm të një referendumi.

Drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut nuk i kanë komentuar përplasjet e krerëve shtetërorë bullgarë, por kanë thënë se janë në kontakt me Sofjen “për të siguruar intensifikimin e bisedimeve në periudhën vijuese, në të gjitha nivelet ndërmjet dy ministrive të jashtme, në drejtim të tejkalimit të dallimeve gjatë Presidencës franceze”.

“Ekziston një numër iniciativash nga partnerët tanë ndërkombëtarë, me idetë e tyre për t’u përfshirë në këto bisedime, ndër të cilat natyrisht edhe Franca si kryesuese aktuale e Këshillit të Bashkimit Evropian”.

“Të gjitha palët e përfshira në proces po bëjnë të gjitha përpjekjet për të siguruar një propozim në tavolinë, i cili do të hiqte veton për integrimin tonë evropian, dhe që do të ishte edhe në përputhje me qëndrimet për të cilat është zotuar Qeveria përmes deklaratës në Kuvend”, thuhet në një njoftim me shkrim të ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka thënë më parë se “në qershor duhet të nisin bisedimet pasi çdo shtyrje e procesit të integrimit, mund të ketë pasoja ndaj stabilititetit në rajon”. Sipas tij, “situata mund të shfrytëzohet për rritjen e ndikimit nga vendet tjera, në veçanti nga Rusia”, njofton radio evropa e lirë.

Kryeministri i Kosovës refuzon pjesëmarrjen në takimin e radhës të nismës “Ballkani i Hapur”

AlbinKryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevksi që të dyja vendet të punojnë se bashku për të parandaluar Serbinë që “të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajon”.

Ai i bëri këto komente duke u përgjigjur në ftesën e kryeministrit Kovaçevski, për të marrë pjesë në takimin e nismës “Ballkani i Hapur”, që pritet të mbahet në Ohër, më 7 dhe 8 qershor.

Në letër kryeministri Kurti thekson se Kosova “mirëpret bashkëpunimin rajonal të bazuar në parimet e barazisë dhe me qytetarët si përfitues përfundimtarë” dhe se për këtë qëllim “është angazhuar në mënyrë aktive në Procesin e Berlinit, i cili mbulon shumë iniciativa rajonale, duke përfshirë Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në 2020 dhe u miratua dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian”.

Por, shkruan mes tjerash kryeministri Kurti, “siç e dini, në kuadër të Procesit të Berlinit Serbia kërkon trajtim të pabarabartë për qytetarët e Kosovës dhe bllokon çdo marrëveshje brenda Tregut të Përbashkët Rajonal që mundëson bashkëpunim rajonal të bazuar në parimet e barazisë”. 

 

Kryeministri Kurti përmbyllë letrën e tij duke theksuar se “duke pasur parasysh vlerat e përbashkëta mes dy vendeve tona, është në interesin tonë që të punojmë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës”.

Nismës “Ballkani i Hapur” që është hedhur nga Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut, e cila synon vendosjen e lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve në rajon, nuk i janë bashkuar Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi.

Ditë më parë, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq paralajmëroi pjesëmarrjen në takimin e radhës të kësaj nisme, e cila kundërshtohet nga presidenti malazez, Milo Gjukanoviç.

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, ka marrë ftesë nga Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z.Dimitar Kovaçevski, për të marrë pjesë në samitin e nismës “Ballkani i Hapur”, që pritet të mbahet në Ohër, në datat 7 dhe 8 qershor 2022.

Kryeministri Kurti i është përgjigjur ftesës së kryeministrit Kovaçevski me një letër, të cilën mund ta lexoni në vijim:

I nderuar Kryeministër,

Ju falemnderit shumë për ftesën e datës 23 maj 2022.

Republika e Kosovës mirëpret bashkëpunimin rajonal të bazuar në parimet e barazisë dhe me qytetarët si përfitues përfundimtarë.

Për këtë qëllim, ne jemi të angazhuar në mënyrë aktive në Procesin e Berlinit, i cili mbulon shumë iniciativa rajonale, duke përfshirë Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në 2020 dhe u miratua dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian.

Të dyja vendet tona ndajnë vlera të përbashkëta dhe aspirata të përbashkëta për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ne gjithashtu ndajmë një besim të përbashkët në lirinë, demokracinë, drejtësinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe qytetarit, median e lirë dhe lirinë e mendimit dhe një mjedis politik ku opozita nuk heshtet, por lulëzon dhe mund të fitojë në zgjedhjet e ardhshme.

Kjo është arsyeja pse ne kemi ndërmarrë reforma që luftojnë korrupsionin, promovojnë sundimin e ligjit, avancojnë ekonomitë tona dhe rrisin mundësitë për të gjithë. Dhe pse të dyja vendet tona rreshtohen vazhdimisht me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë edhe kundërshtimin e pushtimit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia, ku ne shpejt e dënuam dhe vendosëm sanksione kundër Federatës Ruse, pavarësisht vështirësive ekonomike.

Pasi që jemi takuar disa herë, unë besoj fuqishëm se këto janë vlerat që duam të ndjekim në rajonin tonë, për të siguruar paqe dhe prosperitet afatgjatë.

I nderuar Kryeministër,

Besoj se këto synime arrihen më së miri në Tregun e Përbashkët Rajonal, ku operojmë me rregullat e BE-së dhe vlerat e BE-së dhe ku punojmë për të siguruar mekanizma të trajtimit të drejtë nga të cilët përfitojnë të gjithë qytetarët tanë në mënyrë të barabartë. Siç e dini, në kuadër të Procesit të Berlinit Serbia kërkon trajtim të pabarabartë për qytetarët e Kosovës dhe bllokon çdo marrëveshje brenda Tregut të Përbashkët Rajonal që mundëson bashkëpunim rajonal të bazuar në parimet e barazisë.

Duke pasur parasysh vlerat e përbashkëta mes dy vendeve tona, është në interesin tonë që të punojmë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës.

Sinqerisht,

Albin Kurti

Kryeministër i Republikës së Kosovës

 

 

 

 

 

 

 

 

Lamtumira e fundit për ish-Presidentin Bujar Nishani! Ditë zie kombëtare, do të prehet në varrezat e Sharrës

bujar nishaniLamtumira e fundit iu dha sot ish-Presidentit Bujar Nishani!

 

Pas homazheve në Presidencë, u mbajt një minutë heshtje në nder të tij. Më pas kortezhi eci në këmbë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për t’u nisur në varrezat e Sharrës, aty ku do të prehet ish-presidenti.

Politikanë, zyrtarë të lartë, të afërm dhe qindra dashamirës të tij nderuan me homazhe Presidentin, duke treguar edhe respektin e madh që kishin për të.

Arkmorti i ish- Presidentit Bujar Nishani mbërriti nga Gjermania në pikën kufitare të Morinit orët e para të mëngjesit të së mërkurës.

Prej orës 10:00 arkmorti i ish-Presidentit u vendos në hollin qendror të Presidencës në ditën e dytë të homazheve.

Sot nga ora 10:00 deri në orën 12:00 u zhvillua ceremonia zyrtare funebre e homazheve sipas protokollit të Shtetit.

Ish-presidenti u nda nga jeta të shtunën, pasi ishte i shtruar prej një muaji në një spital në Berlin të Gjermanisë. Ai u shtrua fillimisht në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, pasi kishte kompliacione të post covid.

Më pas u dërgua për mjekim më të specializuar, por shëndeti i tij u përkeqësua për shkak të insuficiencës polmonare të theksuar në mushkëri.

 

Profil/ Kush ishte Bujar Nishani, presidenti i shtatë i Shqipërisë

Bujar Nishani lindi më 29 shtator të vitit 1964 në qytetin e Durrësit. Studimet e larta i kreu në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Kaliforni, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për “Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes”, në vitin 1996. Studioi për Jurispudencë në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua si jurist në vitin 2004.

Karrierën profesionale e nisi si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988. Më pas, në vitin 1993 punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke vazhduar në vitin 1994 në Ministrinë e Jashtme në Drejtorinë e Marrëdhënieve me NATO-n dhe në vitin 1996 në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Në vitin 1997 kthehet në profesion të lirë si Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë.

Në vitin 1991 Bujar Nishani u anëtarësua në Partinë Demokratike; në vitin 2001 u zgjodh Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën, në vitin 2005, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie.

Në korrik të vitit 2005, zoti Nishani u zgjodh deputet në zonën elektorale 34, në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike.

Nga marsi 2007-shtator 2009 mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm, nga shtatori 2009-prill 2011 kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë; për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm, deri në qershor të vitit 2012, kohë kur Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi në detyrën e Kreut të Shtetit në raundin e katërt me 73 vota pro dhe 1 votë kundër. Në 24 korrik 2012, Bujar Nishani betohet në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës.

Gjatë mandatit të tij, Nishani ishte përqendruar në procesin e integrimit evropian të vendit dhe sfidat globale që prekin Shqipërinë, siç është kriza e imigrantëve ose luftimi i ekstremizmit islamik dhe radikalizmit. Ai u zgjodh në vitin 2012, i cili përkujtoi 100 vjetorin e krijimit të Shqipërisë së pavarur dhe ishte një festë një vjeçare.

Gjatë muajve të parë të detyrës, agjenda e tij u përqendrua në takime me komunitetin shqiptar në Ballkan dhe diasporën shqiptare për të përkujtuar 100 vjetorin, dhe për të nderuar dhe respektuar të gjithë ata që luftuan dhe sakrifikuan për ekzistencën e të drejtave të shtetit modern shqiptar. Vizita e tij e parë shtetërore jashtë vendit ishte në Kosovë, për të treguar se Shqipëria qëndron e angazhuar për të ndihmuar në procesin e njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Gjatë fjalimit të tij të fundit drejtuar Kombeve të Bashkuara në Shtator 2016 në Sesionin e 71-të të Asamblesë së Përgjithshme të KB ai deklaroi se, Shqipëria do të adresonte këto sfida globale në bashkëpunim të ngushtë me aktorë të tjerë. Aksionet e tij do të përfshijnë rritjen e ndihmës humanitare, ratifikimin e Marrëveshjes së Parisit për ndryshimin e klimës dhe zbatimin e të gjitha angazhimeve në fushën e sigurisë.

Gjatë shumicës së vizitave shtetërore jashtë vendit, politika e Nishani ishte orientuar maksimalisht në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, duke përmendur mbështetjen e saj për pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha aktivitetet multilaterale rajonale dhe ndërkombëtare.

Gjatë mandatit të tij, Nishani ishte përqendruar në procesin e integrimit evropian të vendit dhe sfidat globale që prekin Shqipërinë, siç është kriza e imigrantëve ose luftimi i ekstremizmit islamik dhe radikalizmit. Gjatë shumicës së vizitave shtetërore jashtë vendit, politika e Nishanit ishte orientuar maksimalisht në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, duke përmendur mbështetjen e saj për pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha aktivitetet multilaterale rajonale dhe ndërkombëtare.

Bujar Nishani ishte bashkëshort i Odeta Nishanit dhe baba i dy fëmijëve, Ersi dhe Fjona Nishani.

Top Channel

Kurti e Vuçiq ndaras në forumin e Bratislavës

forum2022.globsec.orgTë dytë do të jenë në të njëjtin forum, por nuk do të jenë pjesëmarrës në të njëjtën ditë dhe as në të njëjtin panel të diskutuesve.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do  të marrin pjesë në forumin “Globsec 2022”.

Ky forum që mbahet nga 2 deri me 4 qershor, në Bratislavë, kryeqytetin e Sllovakisë, dhe mbledh figura të rëndësishme, raporton RTKlive.

Folës në panele të ndryshme janë presidentë, kryeministra, ministra, ish zyrtarë të lartë, gazetarë të njohur, përfaqësues të kompanive të ndryshme e figura të akademive.

Zyra e presidentit të Serbisë, e ka konfirmuar për mediat e atjeshme se Vuçiq do të jetë pjesëmarrës në këtë forum, sot (e enjte).

Bazuar edhe në faqen zyrtare të “Globsec 2022”, rezulton se Vuçiq  do të flasë mbi temën “BE-ja dhe Serbia: Partneritet strategjik për të ardhmen”.

E të nesërmen, në të njëjtin vend, do të ketë një panel tjetër diskutuesish, me të cilëve edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Por, ndryshe nga Vuçiq, Kurti nuk do të jetë i vetëm në panel. Bashkë me të, do të flasin edhe Milo Gjukanoviq, president i Malit të Zi, Dimitar Kovaçevski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Miroslav Lajçak, i dërguar special i BE-së për Ballkanin perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi dhe Stuart Peach, i dërguar i Britanisë së Madhe për Ballkanin perëndimor.

Tema që do të diskutojë ky panel është “Tani ose kurrë: Zhbllokimi i të ardhmes evropiane për Ballkanin perëndimor”, raporton RTKlive.

Gjatë dy dekadave të fundit, forumi “GLOBSEC Bratislava”, e ka vendosur veten si platforma lider në rajonin e Evropës Qendrore Lindore dhe një nga konferencat kryesore strategjike në nivel global.

Forumi lehtëson shkëmbimin e lirë të ideve dhe ofron një vend takim për palët e interesuara nga të gjithë sektorët e shoqërisë për të formësuar në mënyrë aktive të ardhmen për veten dhe brezat që vijnë.

Renata Alt: BE duhet t’i ngrijë menjëherë bisedimet për anëtarësimin e Serbisë

Renata AltPas deklaratës së Aleksandar Vuçiçit gjatë seancës së betimit si president i Serbisë në lidhje me Kosovën, deputetja gjermane Renata Alt kërkon ngrirjen e menjëhershme të bisedimeve për anëtarësimin e Serbisë në BE.

 

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Ndihmën Humanitare në Bundestagun gjerman, deputetja e Partisë Liberale Gjermane (FDP) Renata Alt, tha pas deklaratës së Aleksandar Vuçiçit në lidhje me Kosovën për DW-në: “Vuçiçi tregon se nuk i kushton ndonjë rëndësi normalizimit afatgjatë të marrëdhënieve me fqinjin e tij. Tonet e mprehta nga Beogradi e rëndojnë situatën gjithësesi të tensionuar mes dy vendeve. Fakti që Vuçiçi po rrit njëkohësisht bashkëpunimin me Kremlinin dhe po nuk pranon t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë është diametralisht i kundërt me politikën e jashtme të BE-së. Prandaj negociatat e pranimit të Serbisë në BE duhet të ngrihen menjëherë”.

 

Pikturë murale në BeogradSerbia dhe Rusia forcojnë partneritetin

Në një  bisedë telefonike me presidetin rus, Vladimir Putin, presidenti serb, ra dakord që Serbia të vazhdojë të marrë edhe për tre vjet furnizime me gaz nga Rusia. Po ashtu Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiç ranë dakord gjatë telefonatës që të forcojnë partneritetin. Sipas të dhënave ruse, Putini dhe Vuçiçi diskutuan edhe për gjendjen në Ukrainë dhe për Kosovën.

dw

Danezët i dërgojnë një “sinjal të rëndësishëm” Putinit

Kryeministrja Mette FrederiksenQytetarët e Danimarkës janë deklaruar në referendum se vendi i tyre duhet të jetë pjesë e politikës së përbashkët evropiane të mbrojtjes. Rezultati i fundit është i bindshëm për shkak të luftës në Ukrainë.

 

Një rregullore speciale prej tre dekadash e Bashkimit Evropian për Danimarkën së shpejti do të jetë vetëm histori. Në një referendum, pothuajse 67 përqind e votuesve danezë u deklaruan në favor të heqjes së të ashtuquajturës rezervë të mbrojtjes së BE-së, siç u njoftua zyrtarisht në Kopenhagë.

Danimarka dërgon kështu një “sinjal shumë të rëndësishëm” për aleatët e saj në NATO dhe në Evropë, por edhe për presidentin rus Vladimir Putin, tha kryeministrja Mette Frederiksen. “Ne tregojmë se kur Putin pushton një vend të lirë dhe të pavarur dhe kërcënon stabilitetin e Evropës, atëherë ne të tjerët afrohemi edhe më shumë së bashku.”

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ishte ndër të parët që uroi danezët për këtë referendum: “Jam e bindur se Danimarka dhe BE do të përfitojnë nga ky vendim,” shkruan ajo në Twitter. Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel shkroi: “Populli i Danimarkës ka marrë një vendim historik”.

 

Nuk ka interesim për misione ushtarake

Anëtari themelues i NATO-s, Danimarka ka qenë anëtare e BE-së që nga viti 1973 (fillimisht Komuniteti Evropian). Megjithatë, në vitin 1992, rreth 51 përqind e danezëve e hodhën poshtë Traktatin e Mastrihtit, i cili, përveç një bashkimi ekonomik dhe monetar evropian, parashikon edhe një politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë për BE-në.

Por në vitin 1993 danezët ranë dakord për traktatin në votimin e dytë, pasi atyre u ishin dhënë një sërë të drejtash speciale. Midis tyre ishte edhe garancia se Danimarka nuk do të duhej të bashkëpunonte me vendet e tjera të BE-së për çështjet e politikës së mbrojtjes. Vendi i Evropës veriore deri më tani ka qëndruar larg operacioneve të përbashkëta ushtarake të BE-së.

Megjithatë, pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt ndryshoi qëndrimin e shumë danezëve dhe qeverisë së tyre. Frederiksen shpalli referendumin vetëm dy javë pas pushtimit rus. Që atëherë, socialdemokratja ka bërë fushatë për shfuqizimin e rregullit special. Njëmbëdhjetë nga 14 partitë daneze u kanë bërë thirrje mbështetësve të tyre që të votojnë “po” në referendum. Vetëm dy parti ekstremiste të krahut të djathtë dhe një ekstremiste e majtë ishin për një “jo”. E në fund rezultati ishte shumë i bindshëm në favor të heqjes së rregullit special dhe bashkëpunimit në këtë fushë me vendet e tjera të BE.

bc/wa/mak (afp, dpa, rtr)