SHBA dhe Gjermania u zotuan të mërkurën të pajisin Ukrainën me disa nga armët e avancuara që Kievi i ka kërkuar prej kohësh për rrëzimin e avionëve dhe shkatërrimin e artilerisë. Ndërkohë, forcat ruse janë më afër pushtimit të një qytet kyç në lindje.
Gjermania tha se do të furnizojë Ukrainën me raketa kundërajrore dhe sisteme radarësh, ndërsa Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të sigurojnë katër sisteme raketore të sofistikuara me rreze të mesme veprimi dhe municione.
Shtetet e Bashkuara po përpiqen të ndihmojnë Ukrainën të zmbraps rusët pa shkaktuar një luftë më të gjerë në Evropë. Pentagoni tha se mori garanci se Ukraina nuk do t’i përdorte raketat e reja për të goditur objektiva në territorin rus.
Kremlini akuzoi Uashingtonin se po “hedh benzinë në zjarr”.
Armët perëndimore kanë qenë kritike për suksesin e Ukrainës në frenimin e ushtrisë shumë më të madhe dhe më të pajisur të Rusisë, duke penguar përpjekjet e saj për të pushtuar kryeqytetin dhe duke e detyruar Moskën të zhvendosë fokusin e saj në rajonin industrial të Donbasit në lindje të vendit.
Por ndërsa Rusia bombardonte qytetet në lindje të Ukrainës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy kërkonte vazhdimisht më shumë armë, lloje më të mira armësh dhe akuzoi Perëndimin se po lëviz shumë ngadalë.
Andriy Yermak, kreu i zyrës së presidentit ukrainas, përshëndeti njoftimet për dërgimin e armëve të reja nga Perëndimi. “Jam i sigurt se nëse i marrim të gjitha armët e nevojshme dhe forcojmë regjimin efikas të sanksioneve, ne do të fitojmë”, tha ai.
Armët e reja mund të ndihmojnë Ukrainën të krijojë dhe mbajë linja të reja mbrojtjeje në lindje duke goditur artilerinë ruse që kanë bombarduar qytetet e këtij rajoni dhe duke kufizuar sulmet ajrore ruse, tha gjenerali francez në pension Dominique Trinquand, një ish-gjeneral i Francës që ka shërbyer në misione ushtarake të OKB-së.
“Vendet e NATO-s, ato evropiane dhe amerikanët zgjeruar mjetet dhe armët që po i japin Ukrainës dhe ky përshkallëzim ka patur për qëllim të vë në provë reagimin e Rusisë”, tha ai. “Nëse nuk ka asnjë reagim, ata vazhdojnë të furnizojnë armë gjithnjë e më efektive dhe më të sofistikuara.”
Analistët ushtarakë thonë se Rusia shpreson të pushtojë Donbasin përpara se të mbërrijnë armët që mund të ndryshojë situatën në terren. Do të duhen të paktën tre javë për të dërguar armët precize amerikane dhe për të trajnuar trupat ukrainase që t’i përdorin ato në fushën e betejës, tha Pentagoni. Por nënsekretari i Mbrojtjes, Colin Kahl tha se ai beson se ato do të arrijnë në kohë për të bërë një ndryshim në fushën e betejës.
Sistemet e raketave janë pjesë e një pako të re prej 700 milionë dollarësh të ndihmës ushtarake për Ukrainën nga Shtetet e Bashkuara, që përfshin gjithashtu helikopterë, antitank “Javelin”, radarë, automjete taktike, pjesë këmbimi dhe pajisje të tjera.
Raketat kanë një rreze veprimi prej rreth 80 kilometrash dhe mund të lëvizen me lehtësi nga një vend në një tjetër. Ukraina ka këmbëngulur pa sukses të sigurojë raketa me rreze veprimi prej rreth 300 kilometrash.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Moska nuk u beson garancive se Ukraina nuk do të qëllojë në drejtim të territorit rus. “Ne besojmë se Shtetet e Bashkuara me qëllim po i hedhin benzinë zjarrit”, tha ai. Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha se shtytja e Ukrainës për më shumë armë është një “provokim i drejtpërdrejtë që synon të tërheqë Perëndimin në luftime”. Ai paralajmëroi se raketat e shumta do të rrisin rrezikun e një konflikti të zgjeruar.
“Politikanët e arsyeshëm perëndimorë i kuptojnë mirë këto rreziqe”, shtoi ai.
Premtimi nga Gjermania për të ofruar sistemet e mbrojtjes ajrore “IRIS-T” do të shënonte dërgimin e parë të armëve të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë që nga fillimi i luftës atje.
Gjermania është kritikuar, si brenda ashtu edhe nga aleatët jashtë vendit, se nuk po bën mjaft për të ndihmuar Ukrainën. Kancelari gjerman Olaf Scholz u tha ligjvënësve se raketat tokë-ajër “IRIS-T” janë sistemi më modern i mbrojtjes ajrore që ka vendi.
“Me këtë, ne do t’i mundësojmë Ukrainës të mbrojë një qytet të tërë nga sulmet ajrore ruse”, tha ai. Sistemet e radarëve do të ndihmojnë gjithashtu Ukrainën të gjejë vendndodhjen e artilerisë së armikut.
Njoftimet për armët erdhën ndërsa një guvernator rajonal tha se forcat ruse tani kontrollojnë 80% të Sievierodonetskut, një qytet që është kyç në përpjekjet e Moskës për të përfunduar pushtimin e rajonit të Donbasit, ku forcat ukrainase dhe separatistët e mbështetur nga Rusia kanë luftuar për vite me radhë. Një pjesë e këtij rajoni kontrollohej nga seperatistët pro-rusë para se Rusia të fillonte sulmin kundër Ukrainës në shkurt të këtij viti.
voa