Ndryshojnë çmimet e karburanteve në Maqedoni

karburantiKomisioni Rregullator i Energjetikës dhe i Shërbimeve të Ujit i Republikës së Maqedonisë së Veriut solli vendimin, me të cilin bëhet ulja e çmimeve të shitjes me pakicë të derivateve të naftës mesatarisht për 1,92% në raport me vendimin e datës 2.9.2022.

 

Çmimet e shitjes me pakicë të benzinës EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 ulen për 2,00 den/l, ndërsa çmimi i shitjes me pakicë i EURODIZELIT (D-Е V) ulet për 1,50 den/l.

Çmimi i shitjes me pakicë i Vajit Ekstra të Lehtë për Amvisëri (ЕL-1) ulet për 3,00 den/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i Мazutit М-1 SU ulet për 0,277 den/kg dhe tani do të jetë 52,463 den/kg.

Nga data 6.9.2022, ora 00:01 çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:

Benzinë motori EUROSUPER BS – 95 85,50 (denarë/litër)
Benzinë motori EUROSUPER BS – 98 88,00 (denarë/litër)
Naftë motori EURODIZEL BS (D-E V) 98,00 (denarë/litër)
Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) 94,50 (denarë/litër)
Mazut М-1 SU 52,463 (denarë/kilogram).

Çmimet referente të derivateve të naftës në tregun botëror, në krahasim me përllogaritjen e mëparshme shënojnë ulje mesatarisht: te benzina për 3,983 %, te nafta për 1,812 %, te vaji ekstra i lehtë për 4,293 % dhe te mazuti ulja është 0,568 %.

Kursi i denarit në raport me dollarin në periudhën e kaluar, sipas të cilës janë formuar çmimet në përllogaritjen e mëparshme, është më i ulët për 0,068%.

Ministria e Financave në Maqedoni: Ligjit për lojërat e fatit është në procedurë parlamentare

parlamenti rmvMinistria e Financave ka reaguar në lidhje me paralajmërimet për protesta para Qeverisë dhe Kuvendit, për shkak të mos miratimit të Ligjit për lojërat e fatit.

Nga ministria thonë se nuk bëhet fjalë për ndonjë prolongim të procedurës për miratimin e zgjidhjes së propozuar ligjore nga ky institucion, i cili është propozues i ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese.

“Propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese në lexim të parë i hartuar nga Ministria e Financave nga muaji qershor i vitit 2021 është në procedurë parlamentare, përkatësisht është në pritje për tu shqyrtuar në Komisionin amë për financim dhe buxhet. Propozimi është vënë në shqyrtim ne seancën e 34-te te Komisionit për financim dhe buxhet, e cila ishte caktuar për në date 9 shkurt te vitit 2022, me ç’rast prej atëherë nuk është caktuar vazhdimi i kësaj seance, në të cilën nuk është votuar rendi i ditës. Propozim ligji nuk është kthyer në Qeveri dhe as në Ministrinë e Financave, por është në procedurë parlamentare”.

“Krahas ndryshimeve të propozuara me Propozim ligjin është edhe distanca e objekteve ku lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese janë rregulluar të jenë së paku 500 metra larg institucioneve të arsimit. Qëllimi është mbrojtja e popullatës së re nga pasojat e dëmshme që mund të lindin nga lojërat e fatit. Kjo nevojë paraqitet nga fakti se kjo çështje nuk është e rregulluar me ligjin ekzistues dhe me qëllim gë te sigurohet orientimi i duhur i zhvillimit të popullsisë së mitur”, thonë nga Ministria e Financave.

Më tej shtojnë se që të pengohet qasja e lehtë e të miturve, ligji propozon edhe vendosjen e kufizimit të numrit të vend pagesave në bastore, si dhe kufizimin e numrit të objekteve afariste të klubeve me automate të cilat hapen me një licencë të lëshuar, si dhe vendosjen e kompensimit për çdo vend pagesë të re, respektivisht objekt afarist për klubet me automate.

 

Bugajski: Vuçiq dhe Putin po luajnë me kartën e Kosovës për kriza të reja në Ballkan

Janusz BugajskiAnalisti amerikan, Janusz Bugajski, bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin Jamestown në Uashington, thotë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe ai rus Vladmir Putin, po luajnë me kartën e Kosovës për të mbledhur nacionalistët dhe për të krijuar mosmarrëveshje. “Beogradi dhe Moska po llogarisin në përshkallëzimin e konfliktit në veri të Kosovës për të penguar zyrtarët perëndimorë nga marrja e ndonjë vendimi të ashpër për njohjen e ndërsjellë për shkak të frikës nga dhuna”, thotë ai.

 

Bugajski paralajmëron se “është vendosur skena për kriza të reja në Ballkanin Perëndimor, të cilat mund të shndërrohen në të dhunshme”.

Ai vlerëson se kombinimi i pamjaftueshmërisë së Bashkimit Evropian, mosvëmendja amerikane dhe tensionet në rritje lokale e kanë fuqizuar “qeverinë nacionaliste të Serbisë që të përshkallëzojë pretendimet e saj ndaj territoreve fqinje”.

Në kolumnën e tij të fundit mujore për portalin e Sarajevës istraga.ba, Buganjski thotë se rajoni është plot me mosmarrëveshje të pazgjidhura që i ofrojnë Moskës një thesar mundësish edhe madje edhe derisa ajo po e humb  luftën në Ukrainë.

“Kremlini e sheh Ballkanin si një aset strategjik ku mund të minojë rolin e institucioneve perëndimore dhe të pretendojë se NATO nuk ka arritur të sigurojë stabilitet”, thekson Bugajski, transmeton Telegrafi.

“Aleati kryesor i Putinit në rajon është Aleksandar Vuçiq, me të cilin është në simbiozë. Moska po ndihmon Beogradin në ndërtimin e një ‘bote serbe’, sipas së cilës të gjithë serbët duhet të jetojnë në një shtet të zgjeruar.

Në këmbim, thotë ai, Serbia i lejon Rusisë të zgjerojë shtrirjen e saj rajonale përmes marrëveshjeve energjetike, depërtimit të inteligjencës, bashkëpunimit ushtarak dhe dezinformimit.

Buganjski thotë se Beogradi kohët e fundit nënshkroi një kontratë të re furnizimi me gaz me Gazprom të Rusisë dhe po ritransmeton kanalet televizive propagandistike të Kremlinit RT dhe Sputnik pavarësisht ndalimit të tyre në të gjithë Evropën.

Sipas tij, vizita e fundit e ministrit të Brendshëm serb Aleksandar Vulin në Moskë vuri në dukje mbështetjen e fortë të Beogradit për imperializmin rus në këmbim të ndihmës së Kremlinit për të “ngrirë” Kosovën dhe për të mbrojtur Serbinë në rast të një konfrontimi të drejtpërdrejtë me NATO-n.

“Përderisa mediat serbe po lëshojnë dezinformata të vazhdueshme kundër Kosovës, Vuçiq po riciklon justifikimet që çuan në luftë dhe gjenocid në vitet ’90-ta kur ai ishte ministër i Informacionit i Millosheviqit. Nocioni se serbët po persekutohen në Kosovë duhet të pasqyrojë gjithashtu pretendimet e sajuara të Rusisë kundër Ukrainës”, thotë Buganjski, transmeton Telegrafi.

Më tej ai thotë se negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mund të regjistrojnë disa marrëveshje, si në marrëveshjen e fundit për lirinë e lëvizjes, por pa një afat të caktuar për njohjen ndërshtetërore, ato do të vazhdojnë pafundësisht.

Vuçiq dhe Putin, thekson Bugajski, po luajnë me kartën e Kosovës për të mbledhur nacionalistët dhe për të krijuar mosmarrëveshje.

“Beogradi dhe Moska po llogarisin në përshkallëzimin e konfliktit në veri të Kosovës për të penguar zyrtarët perëndimorë nga marrja e ndonjë vendimi të ashpër për njohjen e ndërsjellë për shkak të frikës nga dhuna”.

Ai thotë se Moska gjithashtu bashkëpunon ngushtë me kreun e entitetit serb në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik, ambicia e të cilit është të ndajë Bosnjën dhe të krijojë një shtet tjetër serb.

Sipas Bugajskit, Moska i ofron Dodikut forma të ndryshme të ndihmës ekonomike, ushtarake dhe propagandistike.

“Sanksionet gjysmake të BE-së nuk arritën ta pengonin Dodikun, ndërsa ambiciet e nacionalistëve kroatë për të krijuar një entitet të tretë etnik në Bosnje e ndihmuan gjithashtu atë dhe klientët e tij në Moskë”.

Ai gjithashtu thotë se “në mënyrë paradoksale, lëvizjet për të minuar integritetin boshnjak u ndihmuan gjithashtu nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR), zyrtarët e së cilës me sa duket nuk e kuptojnë se konsolidimi i çifligjeve etnike në Bosnje përmes zgjedhjeve të njëanshme është një recetë për konflikt të armatosur”.

“Mali i Zi është i destabilizuar edhe nga sulmi ndaj institucioneve të tij të pavarura nga partitë nacionaliste serbe që janë të lidhura ngushtë me regjimin rus”, thekson eksperti amerikan dhe njohës i mirë i situatës në Ballkan.

Sipas tij, kjo përfshinë kërkesat e fundit për autonomi serbe në disa komuna jugore.

“Fatkeqësisht, besimi i qeverive perëndimore se aktivistët e supozuar kundër korrupsionit do të jenë udhëheqës efektivë ka dështuar. Jeta e shkurtër e qeverisë së Dritan Abazoviqit nuk është befasuese duke pasur parasysh gatishmërinë e saj për të minuar sovranitetin malazez, duke nënshkruar marrëveshje të privilegjuara me Kishën Ortodokse Serbe – një organizatë që nuk e njeh shtetësinë malazeze”, transmeton Telegrafi.

“Për më tepër, pretendimet se qeveria ka luftuar kundër korrupsionit janë të shterpe dhe hipokrite kur aleatët e saj më të afërt janë liderët partiakë dhe fetarë që u korruptuan nga Moska dhe në bashkëpunim me zyrtarët serbë”, thotë Bugajski.

Analisti amerikan vlerëson se “një hetim mbi lidhjet e paligjshme ruse të çdo lojtari të madh politik  do të ishte një shkak i denjë për gazetarët dhe organizatat joqeveritare malazeze, si dhe për të gjitha vendet e tjera të Ballkanit”.

Sipas tij, Shqipëria do të mund të futet në konfliktin rajonal nga subversioni rus.

“Depërtimi i fundit në objektet ushtarake shqiptare dhe sulmet ndaj tre ushtarëve të saj është një provokim i qartë për të trazuar vendin dhe për të krijuar probleme të reja për NATO-n. Sulmi në bazë [ushtarake] kishte për qëllim provokimin e konflikteve midis autoriteteve dhe opozitës dhe largimin e vëmendjes nga fushatat irredentiste serbe”.

Buganjski vlerëson se “mbështetja e Tiranës për nismën Ballkani i Hapur, një projekt gjeostrategjik i krijuar për të rritur rolin rajonal të Serbisë dhe depërtimin ekonomik të Moskës, nuk do të sigurojë imunitetin e Shqipërisë nga konflikti”.

Sipas tij, pretendimet e disa liderëve të BE-së për “autonominë strategjike” të Evropës tingëllojnë absurde kur ata nuk janë në gjendje të sigurojnë sigurinë në një rajon që dëshiron të anëtarësohet në BE.

Buganjski thotë se, Bashkimi Evropian ka zvarritur negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ndërsa anëtarësimi për Bosnjën dhe Kosovën është një perspektivë e largët.

“Stabiliteti në Maqedoninë e Veriut është minuar nga Bullgaria anëtare e BE-së, qeveria e së cilës mbetet e zhytur në mosmarrëveshje të pazgjidhura historike me Maqedoninë dhe në mënyrë të pavetëdijshme po e ndihmon Moskën të destabilizojë më tej rajonin”.

Bugajski thotë se administrata e Biden po i lejon gjithashtu Rusinë të depërtojë në rajon duke pranuar pretendimet e Vuçiqit se ai është properëndimor dhe nuk dëshiron të largojë mbështetësit e tij duke sanksionuar Rusinë.

“Ia vlen të kujtojmë se si Sllobodan Millosheviqin fillimisht e mashtroi Uashingtonin kur thoshte se ishte garantuesi i paqes dhe integritetit të Jugosllavisë në fillim të viteve 1990. Koha e balancimit ka kaluar – ose Serbia është një vend evropian ose është e lidhur me Rusinë perandorake, e cila kërkon të çmontojë botën perëndimore”, thotë Bugajski.

“Për të shmangur një zjarr të ri, duhet të mbrohen plotësisht edhe objektivat e politikës agresive të Serbisë”.

“Si Bosnja dhe Hercegovina, ashtu edhe Kosova kanë nevojë për një rrugë drejt anëtarësimit në NATO, dhe forcat properëndimore në Mal të Zi kanë nevojë për mbështetje më të fortë që do të largojë nacionalistët pro-Moskë të promovuar nga Vuçiq. Pa një udhërrëfyes të qartë për të garantuar sigurinë rajonale, Uashingtoni dhe Brukseli do ta gjejnë veten duke u përpjekur të shuajnë më shumë zjarre në vend që të çarmatosin zjarrvënësit”, përfundon Bugajski në kolumnen për istraga.ba. /Telegrafi/

BE: Jemi të përgatitur nëse Moska ndërpret tërësisht furnizimin me gaz

nord streamEvropa është “e përgatitur mirë”, falë kapaciteteve të magazinimit dhe masave për ruajtjen e energjisë, nëse Rusia vendos të ndërpresë plotësisht furnizimin me gaz, tha një udhëheqës i lartë i BE-së të shtunën mes të një beteje energjetike të intensifikuar midis Rusisë dhe Perëndimit për shkak të luftës në Ukrainë.

 

“Ne jemi të përgatitur mirë për t’i rezistuar përdorimit në nivel ekstrem si armë të gazit nga Rusia”, u tha gazetarëve Komisioneri i BE-së për ekonominë, Paolo Gentiloni gjatë një forumi ekonomik në Itali. “Ne nuk kemi frikë nga vendimet e presidentit rus Vladimir Putin, ne po kërkojmë nga rusët të respektojnë kontratat, por nëse ata nuk e bëjnë këtë, ne jemi të gatshëm të reagojmë.”

Komentet e zotit Gentiloni pasojnë vendimin e Moskës të premten për të shtyrë rihapjen e tubacionit të saj kryesor të gazit që e lidh Rusinë me Gjermaninë. Rusia, përmes këtij vendimit, po reagon ndaj marrëveshjes së grupit të shtatë vendeve më të industrializuara të botës për të kufizuar çmimin e eksporteve të naftës ruse me synim për të pakësuar fitimet e Moskës.

Zoti Gentiloni tha se qendrat e magazinimit të gazit në Bashkimin Evropian “aktualisht janë të mbushura në një nivel rreth 80%, falë politikave të zgjerimit të burimeve energjetike “, megjithëse situata dallon nga vendi në vend.

Gjigandi rus i energjisë Gazprom tha se nuk mund të rifillonte furnizimin me gaz natyror në Gjermani, vetëm disa orë para se të rifillonte furnizimet përmes gazsjellësit Nord Stream 1. Rusia tha se arsyeja e ndërprerjes ishte një defekt teknik në tubacion, i cili ka të ngjarë të përkeqësojë krizën energjetike në Evropë.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian Eric Mamer shkruante të premten në Twitter se vendimi i kompanisë Gazprom për të mbyllur gazsjellësin ishte i bazuar në “supozime të pavërteta”.

Prodhuesi i turbinave, Siemens Energy tha të premten se nuk kishte asnjë arsye teknike për të ndalur transportin e gazit natyror.

Moska ka fajësuar sanksionet perëndimore të vendosura pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës për pengim të përpjekjeve për të mirëmbajtur tubacionin e gazit. Evropa akuzon Rusinë se po përdor furnizimin me gaz si një metodë hakmarrjeje ndaj sanksioneve evropiane.

Të premten, ministrat e financave të vendeve të grupit G-7 thanë se do të punonin me shpejtësi për t’i vendosur një tavan çmimit të eksporteve ruse të naftës. Ministrat e financave nga Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara thanë se kjo gjë do të “bazohet në një sërë të dhënash teknike”.

“Ky kufi i çmimit për eksportet ruse të naftës synon reduktimin e të ardhurave të Putinit, duke mbyllur një burim të rëndësishëm financimi për agresionin (në Ukrainë)”, tha ministri gjerman i financave, Christian Lindner.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përshëndeti vendimin e ministrave të financave të vendeve të grupit G-7.

“Kur ky mekanizëm të zbatohet, ai do të bëhet një element i rëndësishëm i mbrojtjes së vendeve të civilizuara dhe tregjeve të energjisë nga agresioni hibrid rus”, tha të premten presidenti Zelenskyy.

Përplasja lidhur me furnizimin me energji ndodh në një kohë kur forcat ruse dhe ukrainase po sulmojnë njëra-tjetrën pranë termocentralit bërthamor të Zaporizhzhias, ku inspektorët e OKB-së po përpiqen të shmangin një katastrofë të mundshme bërthamore.

voa

“Ballkani i Hapur” bëhet gati për dimrin

ballkaniTakimi në Beograd i nismës Ballkani i Hapur, që sërish u mbajt pa Kosovën, u përshkua nga shqetësimet për dimrin që po vjen, përballe kërcënimeve nga mungesa e energjisë dhe ushqimeve për shkak të situatës së krijuar në botë me luftën e Rusisë në Ukrainë.

 

Pjesëmarrësit hodhën firmat e tyre në marrëveshjet që kanë të bëjnë me sigurinë ushqimore, mirëkuptimin në fushën e kinematografisë dhe veprimtarive audio-vizive në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimin në fushën e minierave dhe Energjisë si dhe në një plan operativ në fushën e emergjencave civile.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se suksesi i projektit Ballkani i Hapur varet shumë nga ajo se sa do të forcohet paqja dhe qëndrueshmëria në rajon.

“Nisma Ballkani i Hapur i sjell shpresë gjithë kësaj pjese të botës e cila ka qene gjithnjë e mbarsur me keqkuptime dhe me konflikte në kohët më të mira”, tha presidenti serb.

Nisma u mblodh një ditë më parë në Beograd në një panair verërash. Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se dita e djeshme ishte dita më e bukur e Ballkanit të Hapur.

“Mund të kishte qenë një ditë tipike e keqe për Ballkanin në tërësi dhe në vend se të hapnim dyert për njerëzit e punës, për njerëzit e tokës, për njerëzit e prodhimit, të ushqimit dhe për shumë të tjerë nga e gjithë bota, mund t’i kishim haur dyert një lajmi tjetër të keq, për tension, për konflikt, për rrezik lufte e të gjitha me radhë. Fatmirësisht ka ndodhur e para”, tha ai.

Kryeministri Rama iu referua fillimit të zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat që nga e enjtja njohin dokumentet e e identifikimit të njëra tjetrës.

Ai vlerësoi me këtë rast veprimet e presidentit serb duke theksuar se ai “dha një shenjë shumë të qartë për të gjithë se zgjedhja e parë është paqja dhe zgjidhja për njerëzit”, ndërsa nënvzioi se nuk do kishte qenë nevoja të shpenzohej gjithë ajo energji dhe të humbej gjithë ajo kohë nëse edhe Kosova edhe vendet e tjera do ishin në Ballkanin e Hapur.

Kosova refuzon t’i bashkohet nismës në radhë të parë për shkak të qasjes së Serbisë e cila nuk e njeh pavarësinë e saj, por edhe që të mos bëhet pjesë e nismave që sic thonë udhëheqësit e saj, synojnë zëvendësimin e proceseve integruese evropiane.

Shtetet e Bashkuara e mbështesin nismën dhe i kanë bërë thirrje Kosovës të bëhet pjesë e saj, por kanë nënvizuar se ajo është një nismë ekonomike që mund të ketë sukses vetëm nëse do të përfshijë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë.

Takimeve të fundit në cilësinë e vëzhguesve u janë bashkuar përfaqësuesit e Bosnjës dhe Malit të Zi.

Presidenti serb, Vuçiç, kryeministri shqiptar Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski thanë se dimri që po vjen do të jetë një periudhë e vështirë, madje kryeministri Kovaçevski tha se do të jetë më i vështiri që pas Luftës së Dytë Botërore.

Ata u pajtuan të formojnë një komision të përbashkët për të ndihmuar njëri-tjetrin përballe kërcënimeve nga mungesa e energjisë dhe ushqimit, duke e cilësuar shumë të rëndësishme marrëveshjen për sigurinë ushqimore sipas së cilës çdo vendim i mundshëm për ndalimin eksporteve të drithërave dhe prodhimeve bujqësore, nuk do të përfshijë vendet anëtare të nismës. Po ashtu ata vunë theksin tek shkëmbimet energjetike.

Nisma Ballkani i Hapur e cila deri në korrik të vitit të kaluar njihjej si “Mini-Shengeni Ballkanik”, ka nxitur shume reagime e vlerësime nga më të ndryshmet, Kritikët e saj vënë theksin te pohimi se është Serbia ajo duke qenë ekonomikisht më e fuqishme do të përfitojë më së shumti nga kjo nismë.

voa

Shteti apelon që të kursehet energjia elektrike! Janë siguruar 50 milionë euro për rritjen e prodhimit

largpercuesitEMV nga dje ka në dispozicion 3,1 miliardë denarë ose rreth 50 milionë euro për të rritur prodhimin dhe për të siguruar sasi shtesë të energjisë elektrike. Kompania apelon që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike. Çdo kilovat orë e kursyer, thekson EMV, do të nënkuptojë më pak shpenzim të qymyrit, mazutit dhe gazit.

 

Edhe shteti bën thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike. Ai po ashtu bën me dije se për përballimin e krizës energjetike janë dhënë mbi 100 milionë euro.

EMV-së  i janë vënë në dispozicion 3,1 miliardë denarë për rritjen e prodhimit dhe sigurimin e sasive shtesë të energjisë elektrike. Mbështetjen financiare EMV do ta shfrytëzojë edhe për furnizim me lëndë të parë bazë, thëngjill, mazut e të tjera, e cila është në funksion të mbështetjes së vazhdimit të prodhimit për furnizim të pandërprerë me energji elektrike”, njoftoi Ministria e Financave.

SHA  EMV njoftoi se do të bëjë të gjitha përpjekjet për të prodhuar sasitë e nevojshme deri në fund të sezonit të ngrohjes.

“Nëse respektojmë masat, energjia e kursyer do të mund të ridrejtohet në ekonomi, veçanërisht në kompani dhe institucione të mëdha që blejnë energji elektrike në tregun e lirë me çmime jashtëzakonisht të larta, dhe kështu do të mund t’u ofrojmë atyre një  shumë të caktuar  me çmime më të ulëta, me të cilat kostot e funksionimit të tyre do të ulen. Vetëm duke kursyer energjinë elektrike mund të ndihmojmë spitalet, shkollat, kopshtet dhe ekonominë që së bashku të dalim nga kjo krizë e imponuar”, theksojnë nga  EMV.

Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime të Ujit (KRRE), Marko Bislimoski dje ka dërguar mesazh se duhet kursyer energjia elektrike.

“Mendoj se i gjithë opinioni duhet t’i marrë pak më seriozisht masat e kursimit, sepse në kushtet e çmimit të energjisë elektrike në bursat prej 700-800 euro, mendoj se asnjë kompani nuk mund të punojë normalisht, veçanërisht kompanitë që kanë proces prodhimi. Besoj se edhe shteti do të duhet  të ndihmojë në këtë pjesë në sigurimin e energjisë elektrike më të lirë”, tha Bislimoski në një konferencë për media.

Vlerësimi i tij është se EMV për nevojat e tregut të rregulluar, veçanërisht për amvisëritë, jep një çmim relativisht të ulët.

“Tashmë qytetarët mund të shohin në faturat e tyre se tarifa e lirë u kushton 10 euro për megavat orë si produkt. Fakti që në bursë është 400, 500, 600 euro dhe ka pasur ditë edhe 800 qytetarëve tanë u kushton 10 euro për megavat orë, tarifë e lirë. Blloku i parë kushton 71 euro, blloku i dytë 76.5 euro, blloku i tretë 86 euro dhe blloku jashtëzakonisht i katërt 229 euro. Kur i krahason këto çmime me ato që janë në bursë, ka situata ku blloku i parë dhe i dytë janë diku 10 herë më të lira se sa është në bursë në Hungari, një bursë referente për rajonin tonë”, specifikon Bislimoski.

 

KRRE ndjek vazhdimisht tregtarët e energjisë elektrike dhe monitoron tregun

Siç tha Bislimoski, për gjashtë muajt e parë çmimi i shitjes së furnizuesve në vendin tonë është më i ulët se çmimi i blerjes, sepse furnizuesit më të mëdhenj kanë kontrata me çmime shumë më të ulëta.

“Diku në korrik apo gusht nuk i kemi marrë të dhënat, por ajo që marrim nga kompanitë, diferenca varion nga 5 deri në 20 për qind, e diku edhe 25 për qind, por ende nuk i kemi marrë të dhënat përfundimtare”, theksoi Bislimoski.

KRRE, shtoi Bislimoski, nuk mund të kufizojë marzhet për shitjen e energjisë elektrike.

“Duhet të ndjekim rekomandimet e BE-së, të cilat do të përcaktojnë një boshllëk të caktuar – maksimumi deri në të cilin mund të shkojnë marzhet dhe besoj se kjo do të ndodhë shpejt në vendin tonë”, tha Bislimoski.

Kryetari i KRRE-së siguron se nuk ka tarifë të re për energjinë elektrike. Sipas tij, për energjinë e konsumuar gjithmonë është paguar një tarifë e rrjetit. Rrjetet nga ana tjetër janë bërë më të shtrenjta për shkak se humbjet e energjisë elektrike janë rritur në mënyrë drastike.

“Kur shtohet kostoja e energjisë elektrike për shembull për bllokun e parë dhe shtohet kostoja e tarifës së rrjetit, çmimi total për energjinë elektrike do të merret si më parë. Është vetëm një e vërtetë, ajo është se nuk ka taksë të re, por në faturat e reja qytetarët marrin çmimin e energjisë elektrike si produkt dhe çmimin e përdorimit të tarifës së rrjetit. Kjo praktikë ekziston në të gjitha vendet anëtare të BE-së”, sqaroi Bislimoski.

Ai po ashtu përkujtoi se legjislacioni i Maqedonisë  dhe vendimet e KRRE-së janë në përputhje me praktikën evropiane, kështu që qytetarët marrin çmim të veçantë për energjinë elektrike si produkt dhe çmim për çdo bllok, që të dinë se sa u kushton rryma.

 

TE-TO duhet të punojë në sezonin e ngrohjes

“Funksionimi i TE-TO në pjesën e energjisë elektrike është i nevojshëm në muajt e dimrit nga pikëpamja teknike, për të stabilizuar kushtet e tensionit në rrjet. Sipas meje, nuk ka mundësi që TE-TO të mos punojë në muajt e dimrit”, thekson Bislimoski.

Kryetari i KRRE-së është i vendosur se tashmë është shpallur një situatë krize në sektorin e energjisë dhe shteti do të gjejë mënyrën për të funksionuar sistemin e ngrohjes dhe energjisë elektrike.

MIA

Biden: Demokracia amerikane nuk është e garantuar, duhet ta mbrojmë atë

BidenPresidenti amerikan Joe Biden u bëri thirrje amerikanëve gjatë një fjalimi të enjten në mbrëmje që të shprehen kundër ekstremizmit kur të shkojnë në kutinë e votimit në nëntor, ndërsa ai intensifikon kritikat ndaj politikanëve që mbështesin ish-presidentin Donald Trump.
“Barazia dhe demokracia janë nën sulm”, tha presidenti Biden.

Ai u bëri thirrje drejtpërdrejt republikanëve të moderuar që të bashkojnë forcat me demokratët, duke thënë se qëllimi i vetëm duhet të jetë mbrojtja “e demokracisë sonë, pavarësisht nga ideologjia”.

“Për një kohë të gjatë, ne kemi pasur bindjen se demokracia amerikane është e garantuar. Por nuk është ashtu. Duhet ta mbrojmë atë. Mbrojeni atë”, tha ai.

Presidenti Biden foli nga Filadelfia, vendlindja e demokracisë amerikane dhe fjalimi është pjesë e një kthese të fortë nga ana e tij ndërsa afrohen zgjedhjet e Kongresit.

“Kam ardhur këtu në vendin ku e ka zanafillën gjithçka që t’i flas hapur kombit për kërcënimet me të cilat përballemi. Për forcën që kemi në dorë për t’u përballur me këto kërcënime. Dhe për të ardhmen e jashtëzakonshme që na pret nëse zgjedhim këtë rrugë”, tha ai.

Pasi ia kushtoi pjesën më të madhe të vëmendjes në vitin 2022 inflacionit të lartë në vend dhe agresionit rus në Ukrainë, dhe pasi u infektua dy herë me COVID-19 gjatë verës, zoti Biden filloi ditët e fundit të vërë në shënjestër republikanët e lidhur me zotin Trump.

Të enjten në mbrëmje ai vuri në shënjestër lëvizjen e ish-presidentit Trump “Ta bëjmë Amerikën Përsëri Madhështore ” dhe vetë paraardhësin e tij, duke e përmendur me emër, ndryshe nga më parë.

“Ish-presidenti Trump dhe republikanët që mbështesin MAGA-n, përfaqësojnë esktremizmin që kërcënon vetë themelet e republikës sonë”, duke shtuar se forcat e saj janë të vendosura ta çojnë këtë vend prapa.

“Prapa tek një Amerikë ku nuk ekziston e drejta për të zgjedhur, e drejta për privatësi, e drejta për kontraceptivë, e drejtë për t’u martuar me atë që do”, tha ai.

Në një aktivitet për mbledhje fondesh javën e kaluar në Maryland, presidenti Biden e krahasoi atë që e quajti ” filozofi ekstreme të MAGA-s” – me një “gjysmë-fashizëm”.

Ai tha se nuk do të lejojë që zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të vidhen nga ata që thjesht refuzojnë të pranojnë se kanë humbur.

Fjalimi i zotit Biden pasqyron një urgjencë në rritje për t’iu përgjigjur prirjeve antidemokratike mes republikanëve, si dhe nevojën për të parandaluar një fitore masive republikane në nëntor, si edhe për të krijuar mbështetje për një rikandidim të mundshëm të tij në vitin 2024, thonë këshilltarët e tij.

Të martën, në një nga tre vizitat brenda një jave në shtetin e Pensilvanisë, që është një fushëbetejë politike, zoti Biden foli ashpër ndaj kërcënimeve kundër FBI-së pas një kontrolli në shtëpinë e zotit Trump në Florida, duke i quajtur ato “të pështira”. Ai iu rikthye kësaj teme të enjten.

Ai ironizoi anëtarët republikanë të Kongresit të cilët refuzuan të dënojnë sulmin e 6 janarit në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara,

Përpara fjalimit të presidentit Biden, udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy e akuzoi atë se po lë pas dore krimin dhe inflacionin “për të shpërfillur punonjësit amerikanë”. Zoti McCarthy planifikon të mbajë një fjalim në qytetin e lindjes së zotit Biden, Scranton, Pensilvani, përpara fjalës së presidentit.

ZGJEDHJET E LIRA NË RREZIK?

Presidenti Biden e mbajti fjalimin në Sallën e Pavarësisë, ku u ra dakord për Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.

Historianë, studiues ligjorë dhe disa zyrtarë të zgjedhur thonë se me rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit përcaktohet mënyra se si shihen zgjedhjet e lira dhe përkushtimi ndaj sundimit të ligjit.

Ata thonë se humbja e shumicës nga demokratët në Kongres jo vetëm që do ta bënte zotin Biden një president joefektiv, por mund ta kthente kontrollin mbi certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale tek simpatizantët e zotit Trump, disa prej të cilëve nuk e pranuan kurrë fitoren e zotit Bideni në vitin 2020 dhe janë zotuar t’i

Të përballur me kërcënime pas humbjes së ish-presidentit Trump, një ndër pesë punonjës zgjedhorë të anketuar këtë vit thanë se mund të largohen përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.

Shtëpia e Bardhë vuri në dukje se bëhej fjalë për “një fjalim optimist. Është një fjalim për atë që mund të arrijmë ne si vend, si demokraci.”

 

Ish-oficeri i policisë së Nju Jorkut, 10 vjet burg për sulmin ndaj Kapitolit

Një oficer në pension i Departamentit të Policisë së Nju Jorkut është dënuar me 10 vjet burg për sulmin ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara dhe përdorimin e një shtize flamuri për të sulmuar një nga oficerët e policisë që po përpiqeshin të ndalnin një turmë mbështetësish të ish-presidentit Donald Trump.

Dënimi me 10 vjet burg i Thomas Websterit është më i gjati deri tani mes afro 250 personave që janë dënuar për veprimet e tyre gjatë trazirave të 6 janarit 2021.

Webster, që kishte shërbyer për 20 vjet me policinë e Nju Jorkut, ishte i pandehuri i parë për trazirat e Kapitolit që u gjykua me akuzën për sulm ndaj një personi.

Një juri hodhi poshtë pretendimin e Websterit se ai po vetëmbrohej kur u përball me oficerin e Departamentit të Policisë Noah Rathbun dhe ia mori maskën e gazit jashtë Kapitolit më 6 janar.

voa

Kosova dhe Serbia: Kompromis apo përshkallëzim i ri?

MitrovicaKosova dëshiron të arrijë barazi në trafikun ndërkufitar me Serbinë. Kjo gjithmonë çon në konflikte. Qytetarët në veriun e Kosovës janë të lodhur nga tensionet në jetën e përditshme dhe duan zgjidhje.

 

52-vjeçari serb i Kosovës Veroljub Petroniç parkon makinën e tij të kuqe të ndezur në një rrugë kryesore të frekuentuar në veri të qytetit të Mitrovicës, afër monumentit të Car Llazarit. Edhe pse Petroniç ka mbi 20 vite që jeton në Kosovë, vetura e tij ka targa serbe. Kjo nuk është e vetmja gjë e çuditshme në përditshmërinë e burrit, i cili nuk dëshiron të dihet se ku punon “për arsye sigurie”. Por ajo që thotë sinqerisht Petroniç: Edhe pse është shtetas i Kosovës dhe në fakt jeton edhe këtu, ai është çregjistruar zyrtarisht nga Kosova për të marrë pasaportën serbe. Nëse e pyet për këto absurditete, ai reagon thellësisht i nervozuar. “Thjesht dua të mund të udhëtoj me familjen time”, thotë ai, “kjo është gjithçka që kërkoj”.

Pasojat në jetën e përditshme

Gërshetimi i targave dhe dokumenteve të Petroniç tingëllon i ndërlikuar – dhe është në fakt i tillë. Kosova, dikur pjesë e ish-Jugosllavisë, ka qenë një shtet i pavarur de fakto që nga viti 1999 dhe shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008. Por Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës – dhe kjo ka pasoja drastike në jetën e përditshme të njerëzve në Kosovë. Ata nuk lejohen të hyjnë në Serbi me pasaporta kosovare apo me shenja dhe simbole zyrtare – siç janë targat e veturave. Anasjelltas, si përgjigje ndaj presionit ndërkombëtar, Kosova deri më tani ka ndjekur një praktikë tjetër: ka lejuar dokumentet e identitetit dhe targat serbe të hyrjes në vend.

 

Tema e nxehtë e reciprocitetit 

Por kjo praktikë është shumë e diskutueshme në shtetin më të ri të Evropës, veçanërisht nën qeverinë e kryeministrit të majtë Albin Kurti, i cili ka qenë në detyrë që nga marsi i vitit 2021 dhe i është paraqitur Serbisë me shumë më shumë vetëbesim se çdo paraardhës i tij. Fjala kyçe është reciprociteti, që nga përdorimi diplomatik mund të përkthehet si: trajtim i barabartë. 

Qëllimi i deklaruar i Kurtit është që gradualisht të futet reciprociteti në marrëdhëniet dypalëshe me Serbinë. Qeveria e tij nuk dëshiron më të pranojë që qytetarët e Kosovës të mos lejohen të hyjnë në Serbi me dokumentet dhe numrat e regjistrimit të veturave, ndërkohë që Kosova nga ana e saj pranon dokumente dhe targa serbe. 

Kur qeveria Kurti donte të zbatonte reciprocitetin e hyrje – daljeve në kufirin me Serbinë në fillim të gushtit 2022, kjo pothuajse çoi në përleshje të dhunshme në veri të Kosovës. Serbët e Kosovës i bllokuan me kamionë rrugët për në pikat kufitare. Si rezultat, Kosova dërgoi njësitet e policisë speciale në kufi. U raportua se pati të shtëna.

 

Tensione të reja? 

Nën presionin e BE-së, Prishtina u përmbajt përkohësisht nga zbatimi i vendimit vetëm pak orë pas ngjarjeve dramatike. Në fund të javës së kaluar u arrit një kompromis paraprak, i pjesshëm me ndërmjetësimin e BE-së: Sipas kësaj, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë në Serbi me dokumentet e tyre personale për herë të parë nga 1 shtatori 2022. Megjithatë, çështja e targave është ende e pazgjidhur. Prandaj Kosova po kërcënon sërish, se nuk do të lejojë hyrjen e automjeteve me targa serbe në vend nëse Serbia nuk ndryshon qëndrim. Prandaj, skenari i tensionuar nga fillimi i gushtit mund të përsëritet.

 

Sa herë që është në rrezik reciprociteti, tensionet në pjesën veriore të Kosovës rriten. Këtu jetojnë pothuajse ekskluzivisht serbët. Përditshmëria përcaktohet nga politikanët dhe njerëzit e biznesit, të cilët konsiderohen si krahu i presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Qytet i ndarë 

Ndikimi serb vërehet edhe në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës. Dikur ky qytet ishte i famshëm për festivalet e tij të xhazit dhe bluzit, të cilat bashkonin kultura dhe kombësi nga e gjithë ish-Jugosllavia. Por, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, qyteti praktikisht është ndarë. 

Në veri të lumit Ibër jetojnë pothuajse vetëm serbët etnikë. Flamujt serbë valëviten gjithandej, veturat janë me targa serbe, mbishkrimet janë në gjuhën serbe. Pothuajse gjithmonë ka trazira kur autoritetet e Kosovës ndërmarrin veprime këtu – nëse duan të zbatojnë masat e reciprocitetit apo edhe thjesht të kryejnë aksione policore kundër krimit të organizuar. Sirenat dëgjohen, barrikada ndërtohen, kamionët bllokojnë rrugët. 

Përfaqësuesit politikë të minoritetit serb të Kosovës – të cilët sipas kushtetutës kanë secili përfaqësues të detyrueshëm në parlament dhe në qeveri – po kërcënojnë këto ditë të tërhiqen nga të gjitha institucionet shtetërore. “Nëse nuk arrihet një zgjidhje kompromisi për çështjen e reciprocitetit, do të fillojmë të largohemi nga të gjitha institucionet e Kosovës, duke filluar nga institucionet qendrore dhe lokale, duke përfunduar me gjykatat, policinë dhe prokurorinë”, tha Srdjan Milosavljevic, kryetar i Kuvendi Komunal i Zveçanit, në veri të Mitrovicës, ditë më parë në një konferencë për media në Prishtinë. 

Ndjenja e përditshme e kërcënimit 

Por situata është ende e qetë në veri të Kosovës. Në pjesën veriore të Mitrovicës, njerëzit shëtisin nëpër zonën e këmbësorëve në qendër dhe ulen në kafenetë e rrugës. Megjithatë, shumë mendojnë se janë në një lloj gjendjeje rrethimi të përhershëm dhe jetojnë me një ndjenjë kërcënimi. Gjithashtu edhe Veroljub Petroniç. “Këtu në veri të Kosovës jemi vazhdimisht të tensionuar dhe të frikësuar, shpesh ka demonstrata dhe konflikte me policinë, helikopterët po qarkullojnë lart dhe e gjithë kjo ka një ndikim shumë serioz tek njerëzit, veçanërisht tek fëmijët, për shkak të konflikteve shkollat ​​janë shpesh të mbyllura”, thotë Petroniç. 

Një ndjesi të ngjashme prej shumë vitesh e ka edhe shqiptari i Kosovës, Betim Osmani. 41-vjeçari është një nga shqiptarët e paktë që jeton në veri të Mitrovicës dhe zotëron një kompani që shet mbulesa dyshemeje dhe orendi për shtëpi. “Kemi më shumë se dy dekada nën tension. Jemi mësuar aq shumë me të gjitha këto probleme sa nuk shohim më zgjidhje”, thotë Osmani. Pas një pauze ai shton: “Ne, shqiptarët dhe serbët, duhet të ndihemi si fqinj dhe kolegë dhe jo si të huaj dhe armiq”. 

dw

Kriza energjitike, Balluku: Na pret një dimër jo i lehtë

BallukuNë Shqipëri, duke nisur nga muaji i ardhshëm, çmimi për konsumatorët familjarë të energjisë nuk do të jetë më i njëjtë. Ata që konsumojnë më shumë se 800 kilowat/orë në muaj, do të duhet që për sasinë e harxhuar mbi këtë kufi, të paguajnë, një çmim që pritet të jetë disa herë më i lartë se kuota aktuale prej 9.5 lekë, për kilowat/orë. Kjo ndërhyrje e qeverisë synon nga njëra anë të reduktojë kostot e larta, të importeve të mëdha të energjisë, dhe anga ana tjetër të nxisë kursimin nga ana e qytetarëve. Në një bisedë me Zërin e Amerikës, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku shpjegon se deri më tani kostot e importit kanë shkuar në mbi 280 milion euro, dhe sipas skenarit negativ të qeverisë mund të arrijnë dhe 680 milion euro deri në fund të vitit. Ministrja Balluku thotë se pavarësisht krizës së rëndë, në vend nuk do të zbatohen kufizime të energjisë

Kriza e rëndë energjitike që ka mbërthyer veçanërisht Europën, por dhe kushtet e pafavorshme të motit, me rreshje të kufizuara e kanë vënë dhe Shqipërinë përballë zgjedhjeve të vështira. Në kushtet kur çmimet në tregjet ndërkombëtare po rriten dita ditës, nën ndikimin e drejtpërdrejtë të luftës në Ukrainë, ecuria e tyre e ardhshme mbetet e paqarta, sikundër dhe parashikimet atmosferike, të cilat kanë një luhatshmëri të lartë, dimri i këtij viti, nuk do të jetë gjithashtu si më parë.

“Eshtë një moment i vështirë për të parashikuar se si do jetë ky dimër. Por çfarë kemi kaluar në këto 8 muaj, na bën të jemi të përgjegjshëm se do të jetë një dimër jo i lehtë”, deklaron ministrja Balluku.

Krahasuar me vitin e kaluar, prodhimi vendas i energjisë në 8 muajt e parë të këtij viti rezulton të ketë rënë me 40 përqind. Korporata energjitike, KESH, është detyruar të importojë gjatë gjithë kësaj periudhe. “Nga buxheti i shtetit janë injektuar më shumë se 280 milion euro dhe do të vijojë të injektohet në formën e kapitalit buxhetor, edhe një sasi tjetër, pasi vijmë të jemi në import në mënyrë konstante. Unë shpresoj shumë të kemi rreshje gjatë stinës se vjeshtës, që të kemi mundësi të prodhojmë gjithë sasinë e nevojshme për tregun dhe nga ana tjetër të nisim dhe eksportet, duke optimizuar kështu të gjitha kushtet financiare të sektorit”, shpjegon zonja Balluku.

Në rast të kundërt, sipas skenarit negativ të Qeverisë, financimi për blerjen e energjisë do të mund të shkojë deri në 680 milion euro.

Për të amortizuar sado pak kostot e larta të importit, por dhe për të nxitur kursimin nga ana e qytetarëve, qeveria pritet të vendosë zbatimin e çmimeve me dy nivele. “Sipas të gjithë të dhënave tonë dhe analizës që kemi bërë, fasha duhet të shkojë deri në 800 kilowat/orë në muaj. Në analizën tonë, rreth 70 përqind e kontratave, harxhojnë deri në 800 kilowat/orë, pjesa tjetër harxhon mbi këtë nivel, dhe do të trajtohen me një çmim tjetër”, tregon ministrja

Kjo diferencë në çmim do të reflektojë deri diku çmimin në treg? “Do të jetë një çmim miks. Pra kur ne blejmë me 300 euro megaëat/orën, apo kur blejmë me 1040 euro, sigurisht ka një ndryshim të çmimit miks, ku ndodhet brenda dhe çmimi i prodhimit. Kështu që do të jetë i reflektuar sipas raporteve mes dy çmimeve”, përgjigjet zonja Balluku.

Ministrja e Energjisë, thotë se qeverisë do t’i paraqiten disa variante për çmimin mbi 800 kilowat/orë, pa përcaktuar se sa do të mund të shkojë. Por me gjasë ai pritet të jetë disa herë më i lartë se çmimi prej 9.5 lekësh që zbatohet aktualisht pa dallim mbi sasinë e konsumuar. Edhe sepse, siç deklaroi zonja Balluku, çdo kilowat/orë mbi kuotën e përcaktura do të konsiderohet përdorim luksi.

Në mbështetje të sigurimit të burimeve të energjisë, autoritetet kanë kontraktuar dhe dy anije që prodhojnë përmes naftës, të cilat do të ankorohen në gjirin e Vlorës. Ato i përkasin kompanisë amerikane Excelerate Energy. “Ne presim që në ditët e para të shtatorit të ankorohen. Ka një kohë përgatitore të gjatë. Pra nuk është se sa arrijnë fillojnë prodhimin. Sasia që do të prodhohet është 114 megaëat/orë, një sasi e rëndësishme ditore që i shtohet kaskadës”, deklaron ministrja.

Sipas zonjës Balluku çmimi i energjisë së përfituar pritet të luhatet mes 170 deri 200 euro për kilowat/orë, që krahasuar me atë aktual në tregjet ndërkombëtare konsiderohet mëse i favorshëm. Por për ministren Balluku “çelësi i suksesit është kursimi” dhe për këtë shmë shpejt qeveria pritet të dalë me një strategji të posaçme.

Intervista e plotë me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Zëri i Amerikës: Zonja Balluku, së pari u falenderoj për mundësinë e kësaj interviste. Do të doja ta nisja me një pyetje të drejtpërdrejtë. Çfarë dimri në pret këtë vit?

Belinda Balluku: Shumë faleminderit që më dhatë mundësinë për këtë intervistë me ju. Pasi ajo c’ka është me e rëndësishme sot në fushën energjitike, është komunikimi me qytetarët. Abuzohet shumë me faktet energjitike, ndërkohë që ka një krizë mbarëmbotërore që nuk e mohon dot askush, kështu që çdo intervistë, aq më tepër me mediume kaq prestigjioze siç është Zëri i Amerikës, janë të rëndësishme për komunikimin publik, kështu që unë dua t’ju falenderoj.

Çfarë dimri presim? Parashikimet janë të vështira, qofshin ato ekonomike, qofshin ato atmosferike. Parashiket ekonomike sigurisht varen nga një sërë veprimesh gjeopolitike të cilat i kemi vënë re dhe nëpër bursa, qoftë ajo energjitike, qoftë ajo e hidrokarbureve, që sa herë kemi ndonjë ndryshim qëndrimesh nga palët në konflikt, qoftë nga Rusia, qoftë nga Ukraina apo qoftë dhe nga vendimet që mund të marrë Nato, menjëherë reflektohen në çmimet e bursave energjitike, apo të hidrokarbureve. Kështu që të parashikosh se çfarë do të ndodhë në dimër është shumë e vështirë, është një moment shumë dinamik dhe shumë fluid, që varet nga vendimet politike.

Sa i përket kushteve atmosferike, ajo çfarë ne vëmë re, është që një parashikim 5 ditor, që vlerësohet nga të gjithë profesionistët që është parashikimi më i saktë, nëse e nisim javën me një pritshmëri për kushte të mira hidrike dhe për rreshje, vetëm në ditën e tretë, fronti ndryshon për shkak të rrymave ajrore dhe ne gjendemi totalisht para një fakti të ri, dhe fronti i rreshjeve lëviz nga territori i Shqipërisë në një zonë të tjetër. Pra është një moment i vështirë për të parashikuar se si do jetë ky dimër. Por çfarë kemi kaluar në këto 8 muaj, na bën të jemi të përgjegjshëm se do të jetë një dimër jo i lehtë.

Zëri i Amerikës: Le të ndalemi në disa aspekte konkrete. Si paraqitet sot situate në basenet e hidrocentraleve?

Belinda Balluku: Kaskada e Drinit, prodhuesi kryesor i energjisë, sot ndodhet në nivelin e 270 metrave dhe kapaciteti energjitik i përllogaritur është 503 Gigawat.

Zëri i Amerikës: Në situatën aktuale, deri në sa përqind të nevojave të veta, mund të mbulohen nga prodhimi vendas?

Belinda Balluku: Ne mbulojmë nga prodhimi vendas, në një kohë prej një viti, 70 përqind të kërkesave të tregut, dhe 30 përqind nga importi. Sot që flasim vijmë nga një vit pa rreshje. I vetmi event i konsiderueshëm që kemi patur, ka qenë në prill me rreth 500 milimetra sasi rreshjesh, që na ka ndihmuar të hynim në verë me një rezervë hidrike të konsiderueshme. Por gjithsesi ka qenë një vit i thatë, dhe siç duket vazhdon të jetë. Fakti që muaji ka nisur me rreshje, na bën pak më shumë optimist për të pritur në ditët në vazhdim disa evente hidrike, por siç thashë parashikimet ndryshojnë.

Zëri i Amerikës: Ky raport, 70 me 30 është konstant gjatë gjithë vitit, apo në dimër, kur është dhe periudha e pikut, mund të ndryshojë?

Belinda Balluku: Ne i referohemi prodhimit vjetor dhe kërkesës vjetore të tregut. Por, i shpërndarë sipas sezonit apo muajit ndryshon, ka momente që ne mund të mbulojmë 100 përqind të kërkesës, madje mund të dalim dhe në shitje, dhe ka momente të tjera kur prodhohet shumë më pak se 70 përqind, si 40-50 përqind, siç po bëjmë në këto momente, por kemi rriskun e lartë të përdorimit të kaskadës. Në treg sot, sa herë që arrijmë një rekord mendojmë se nuk do shkojë më tej. Para pak ditësh i jam referuar një çmimi prej 612 euro për megawat. Të martën në darkë, kemi patur një çmim prej 1040 euro për megawat/orë. Në kilowat/orë, do të thotë 120 lekë për kiloëat orë, ndërkohë që sot paguhet 9.5 lekë nga familjarët. Ne po mundohemi të optimizojmë të gjithë mënyrën e akumulimit të sasive energjitike, qofshin nga prodhimi vendas, qofshin nga importi.

Zëri i Amerikës: Deri tani, sa i ka kushtuar buxhetit të shtetit përballimi i kësaj situate?

Belinda Balluku: Ne e kemi nisur vitin me tre skenarë. Një skenar pozitiv, që në fakt nuk mund të ndodhte për shkak të kushteve atmosferike që ne ishim parapërgatur. Megjithatë ne jemi të detyruar që gjithmonë të kemi në tryezë disa skenarë. Patëm një skenar bazik, që na ndoqi deri diku në fillim të muajit maj, dhe një skenar negativ që unë shpresoj të mos shkojë deri në fund të vitit si i tillë, por të nisin rreshjet.

Sot nga buxheti I shtetit janë injektuar më shumë se 280 milion euro dhe do të vijojë të injektohet në formën e kapitalit buxhetor, edhe një sasi tjetër, pasi vijmë të jemi në import në mënyrë konstante. Unë shpresoj shumë të kemi rreshje gjatë stinës se vjeshtës, që të kemi mundësi të prodhojmë gjithë sasinë e nevojshme për tregun dhe nga ana tjetër të nisim dhe eksportet, duke optimizuar kështu të gjitha kushtet financiare të sektorit.

Zëri i Amerikës: Sa mund të shkojë kjo shifër deri në fund të vitit?

Belinda Balluku: Skenari negativ që ne kemi parashikuar ka qenë rreth 680 milion euro, pasi qeveria shqiptare ka marrë një vendim shumë të rëndësishëm, si pjesë e paketës sociale. Kjo është diçka që duhet ta përmendim, sepse unë e shikoj që shpesh herë kur flasim për paketën, i referohemi parave që u dhanë për kompensimin e shportës, apo kompensimi i litrit të naftës për transportin publik, ndërkohë që pjesa më e madhe e paketës ka të bëjë, me injektimin buxhetor për të garantuar mbrojten sociale për të gjithë abonentët e lidhur në tensionin e ulët, të cilët janë familjarët por dhe bizneset e vogla. Gjithashtu, nuk duhet harruar se edhe abonentët e lidhur ne tensionin e mesëm sot marrin një çmim preferencial prej 18 lekësh, ndryshe nga çmimi në treg që ka arritur 45 apo më shumë.

Zëri i Amerikës: Eshtë paralajmëruar mundësia e përdorimit të një tavani të konsumit të energjisë, përtej të cilit, çmimi nuk do të jetë ky që është është. Në media është folur për një tavan deri në 700, apo 800 kilowat/orë. Rreth cilave shifra po luhatet ky skenar?

Belinda Balluku: Eshtë bërë një analizë, lidhur me atë se sa është sasia e nevojshme për të mbajtur në këmbë një familje. Pra deri në atë sasi që një familje harxhon për veprimet jetike, bazike që kryen çdo ditë. Sipas të gjithë të dhënave tonë dhe analizës që kemi bërë, fasha duhet të shkojë deri në 800 kilowat/orë në muaj. Në analizën tonë, rreth 70 përqind e kontratave, harxhojnë deri në 800 kilowat/orë, pjesa tjetër harxhon mbi këtë nivel, dhe do të trajtohen me një çmim tjetër.

Zëri i Amerikës: Ky çmim tjetër, deri në çfarë mase mund të lëvizë, nga 9.5 lekë për kilowat/orë?

Belinda Balluku: Duhet patur parasysh që nëse ne konsiderojmë këtë limit, apo këtë tavan, si një tavan i nevojshëm për jetesën e një familjeje, gjithshka që shkon përtej do të konsiderohet si një përdoim luksi. Ne kemi dhënë disa variate që do të koordinohen dhe me ministrinë e Financave. Unë do t’i paraqes dhe në Këshill të ministrave për të marrë dhe nga kolegët, për të marrë mendimet e tyre pasi mbulojnë sektorë të rëndëisishëm siç është ai social, familjet në nevojë, apo konsumatorë të kategorive special. Kështu që pasi të futet në Këshillin e ministrave, do të merret një vendim për çmimin, por ne si ministri, kemi detyrimin që të sugjerojmë, dy, tre apo katër, variante të çmimit, por siç ju thashë, çdo kiloëatt orë, mbi 800 kilowat, do të konsiderohet si përdorim për luks. Po ju jap një shifër interesante, që rreth 7 përqind e konsumatorëve, dhe po flasim për tensionin e ulët gjthmonë, harxhojnë mbi 5 mijë kiloëatt/orë në muaj, që është një shifër shumë e rëndësishme sepse pavarësisht se është vetëm 7 përqind, ka një impakt shumë të madh në buxhetet e ndërmarrjeve energjitike. Kështu që duke patur parasysh të gjitha këto, edhe vendimmarrja do të jetë e duhura për të kompensuar të gjithë harxhimet që bëhen për të siguruar sasitë e energjisë

Zëri i Amerikës: Kjo diferencë në çmim do të reflektojë deri diku çmimin e tregut?

Belinda Balluku: Do të jetë një çmim miks. Siç e thamë dhe në fillim, ne ofrojmë një miks ditor, është prodhimi i kaskadës, dhe zoti na ndihmoftë që të mos arrijmë në pikën që nuk do të kemi prodhim nga kaskada dhe të kemi vetëm blerje në treg, dhe unë nuk besoj se do të arrijmë në ata nivele. Por ne çdo ditë reflektojmë një miks të çmimit. Pra çfarë prodhohet nga kaskada dhe çfarë blejmë nga importi. Sigurisht që çmimi rëndohet, kur rritet çmimi për megaëat/orë në import, pasi nuk ka më të bëjë me përqindjen, sa prodhohet nga kaskada, apo sa blihet nga importi, por ka të bëjë dhe me impaktin se sa ka të bëjë çmimi i importit në këtë miksim. Pra kur ne blejmë me 300 euro megawat/orën, apo kur blejmë me 1040 euro, sigurisht ka një ndryshim të çmimit miks, ku ndodhet brenda dhe çmimi i prodhimit. Kështu që do të jetë i reflektuar sipas raporteve mes dy çmimeve.

Zëri i Amerikës: Kuota prej 800 kilowat/orësh është një mesatare vjetore, apo sezonale?

Belinda Balluku: Ne e kemi përllogaritur dhe mbi bazë vjetore dhe sezonale. Shqipëria është një vend me katër stinë dhe ka pikun e përdorimit. Duhet thënë se familjet shqiptare e përdorin kryesisht energjinë për ngrohje apo për ftohje të ambienteve, dhe ngrohje të ujit. Rreth 26 përqind e energjisë përdoret për këto veprime. Pjesa tjetër përdoret për elektroshtëpiaket, për gatim etj. Kështu që analiza është bërë si në rrafshin vjetor, ashtu dhe sezonal. Janë disa muaj, që janë pak të tillë, ku ne nuk përdorim as ngrohjen as ftohjen, si maji apo tetori, por që janë pak. Nuk janë më stinë të tëra, si pranvera dikur që zgjaste 3 muaj. Ne kalojmë shpesh nga një prill i ftohtë në një fund maji ku njerëzit shkojnë në plazh. Ka një kurbë, që ne e kemi marrë parasysh, pra jo thjesht vjetore por dhe sezonale, kur konsumatori harxhon me shumë, gjatë periudhës së dimrit apo të verës?

Zëri i Amerikës: A do të preken nga një diferencim i mundshëm i çmimeve edhe bizneset?

Belinda Balluku: Kjo ka të bëjë me konsumatorin familjar. Ne kemi patur dhe një skanim të bizneseve, që ka të bëjë më shumë me ato biznese, që ndodhen në tensionin e ulët, por që për shkak të konsumit duhet të kalojnë në fashën e tensionit të mesëm, që do i ekspozonte ata ndaj një çmimi më të lartë. Nuk do preken bizneset që i përkasin fashës së tensionit të ulët, por ama do të kemi një reformim të këtyre bizneseve.

Mua më vijnë çdo ditë ankesa. Disa biznese i referohen sektorit të tyre. Nëse një biznes, ndodhet i lidhur me tensionin e mesëm, dhe ka të njejtin aktivitet dhe si sasi dhe si fushë, me një biznes tjetër që vazhdon i lidhur me tensionin e ulët, kjo para së gjithash krijon një konkurrencë të padrejtë, sepse kostot e produktit të biznesit të lidhur me tensionin e mesëm, janë më të larta se kostot e produktit të lidhur me tensionin e ulëtkështu që bërë të bërë transparencë, për të qenë të drejtë me konkurrencën, ajo çka ne po bëjmë është që po skanojmë të gjitha bizneset, duke analizuar konsumin e tyre, se kujt ata realisht i përkasin.

Zëri i Amerikës: A është kufizimi I energjisë një opsion?

Belinda Balluku: Kufizimi i energjisë do të ishte një opsion ekstrem të cilin ne nuk e konsiderojmë. Qeveria shqiptare nuk e konsideron në asnjë nga skenarët, ndërprerjen e energjisë. Ne nuk do të donim që shqiptarët të ktheheshin në vitet 2005, 2006, 2007 kur jetonin me tre-katër orë drita në ditë. Por ajo çka është e rëndësishme dhe duhet ta themi, është se pavarësisht se ndonjë herë nuk merret seriozisht, është konsumi dhe kursimi. Në ditët e sotme, është e rëndësishme që çdo qytetar, të tregojë ndjeshmëri ndaj kursimit të enegjisë. Nuk ka të bëjë as me thirrjen e qeverisë, për t’u dukur trendy, as nuk është diçka që të jetë propagandë. Eshtë diçka bazike, diçka jetësore në ditët e sotme. Siç thashë, problematika më e madhe sot, është çmimi me të cilin tregtohet, me faktin që Shqipëria e ka të bazuar të gjithë prodhimin vendas mbi energjitë e rinovueshme. Diçka për t’u përshëndetur, që partnerët tanë europianë e vlerësojnë shumë. Por nga ana tjetër jemi në varësi totale nga moti. Por çka është e rëndësishme në ditët e sotme, është mungesa e energjisë në treg, dhe nuk ka të bëjë me Shqipërinë. Ka të bëjë me një krizë ndërkombëtare, e cila padyshim është nxitur nga konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës, gjithë problematikat me gazin rus, por nga ana tjetër dhe me të gjithë ndryshimet klimaterike që ka pësuar i gjithë globi, duke nisur nga era që fryn më pak. Në Detin e Veriut janë prodhuar 50 përqind më pak, nga ç’pritej, nga plani i zakonshëm. Duke shkuar më pas te reshjet e munguara. Kemi shkuar në një situate emergjente të shpallur në Britaninë e madhe dhe Gjermani, dy vende që njihen për kushtet e mira hidrike dhe reshjet e shumta. Ishte viti i parë që ndesheshin me thatësirën. Kështu që të gjitha këto, dhe një konglomerat faktesh, ka sjellë sot botën përballë një momenti shumë të vështirë, të mungesës së sasive të energjitike në treg. Prandaj sot tregtohet me këto çmime, sepse është e pakët në treg. Dhe çelësi i suksesit është kursimi. Ne do të dalim shumë shpejt me një strategji sa i përket kursimit. Kemi disa javë që gjatë muajve të verës, në një mënyrë shumë të thjeshtë, që të jetë e kuptueshme për të gjithë, kemi nisur të komunikojmë se si një pajisje që duket komplet e pavlefshme, karikuesi, duke qenë në prizë, harxhon energji, apo se si llampat mund të ndryshojnë, nga ato normale, në led, që harxhojnë shumë më pak energji, dhe shumë e shumë veprime të tjera që do të kontribuonin në ruajtjen e sasive energjitike

Zëri i Amerikës: Eshtë paralajmëruar kontraktimi i dy anijeve që do të prodhonin energji. A ka ecur ky project, dhe çfarë sasie do të mund të prodhonin?

Belinda Balluku: Projekti ka ecur. Pas pak ditësh do të ankorohen në Triportin e Vlorës. Ndërkohë KESH-i që do jetë dhe entiteti shtetëror që ka marrë këto anije me qera, po merr të gjitha masat logjistike, së bashku me operatorin e transmetimit, sa i takon lidhjes në rrjet të dy anijeve që arrijnë. Këto anije janë kontraktuar dhe vijnë në Shqipëri, nga kompania amerikane Excelerate Energy, që është dhe një nga anëtarët e konsorciumit për ndërtimin e Portit lundrues të Vlorës, por agzin e lëngshëm, edhe për rivitalizimin e centralit të Vlorës, që tashmë do të kthehet me gaz të lëngshëm. Kështu që kemi një partner të besueshëm, një partner që ka të gjithë ekspertizën sa i përket operimit. Dhe ne presim që në ditët e para të shtatorit të ankorohen. Ka një kohë përgatitore të gjatë. Pra nuk është se sa arrijnë fillojnë prodhimin. Sasia që do të prodhohet është 114 megawat/orë, një sasi e rëndësishme ditore që i shtohet kaskadës.

Dhe kjo është një nga masat që kemi marrë për përballimin e krizës. Siç janë dhe një sërë të tjerash, siç është dhe depozitimi dhe shkëmbimi me KEK-un e Kosovës. Apo dhe iniciativa dhe ndryshimi që kemi bërë në mënyrën e operimit, duke caktuar KESH-in, si i vetmi operator me detyrim shërbimi, duke i dhënë të gjithë peshën dhe të prodhuesit dhe të tregtuesit, që na ka sjellë dhe optimizim financiar. Shpesh thuhet se ka shitur me aq, ka blerë me kaq. Nëse të gjitha operacionit, do të vëzhgoheshin se janë transparente janë online, ajo që ne bëjmë është që blejmë energji me çmim më të ulët dhe shesim energji, po të njejtën ditë me çmim më të lartë. Nëse nuk gabohem, operacioni i fundit ka qenë të premten, dhe për çdo megawat/orë është fituar rreth 70 euro, çka na bën të blejmë sasi të reja energjitike, me paratë që janë përfituar nga optimizimi financiar.

Dicka tjetër që po synojmë, por që ha diskutim në këto momente, është lidhja e kontratave afatgjata e cila na siguron dhe sasitë energjike, por dhe një çmim më të mirë të ndarë në disa vite. Por për momentin është shumë e vështirë në treg.

Zëri i Amerikës: Me çfarë çmimi do të përfitohet energjia nga këto dy anije?

Belinda Balluku: Çmimi, duke patur parasysh se prodhimi realizohet përmes naftës, por duhet të them që kanë mundësi konvertimi në gas, dhe kur do të kemi furnizim me gaz të lëngshëm amerikan në Portin e Vlorës, ato do të kalojnë menjëherë me gas.

Për momentin do prodhojnë me naftë dhe mesatarisht, çmimi varet nga tregu i naftës, në tregun ndërkombtar dhe jo atë në Shqipëri. Ne kemi bërë një sërë tratativash me kompanitë më të mëdha në botë, si Adnoc i Emirateve të Bashkuara, apo Aramco saudite. Kështu që ne përllogarisim një çmim nga 170 deri 200 euro, që karahasuar me 1040 që është sot në treg, është një arritje shumë e madhe dhe ne mezi presim që të futemi në prodhim.

Reuters analizon kthimin e mediave turke në shërbim të Erdoganit

erdogKur dhëndri i Presidentit Tayyip Erdogan u largua papritur nga posti i ministrit të Financave në fund të vitit 2020, katër punonjës të redaksive kryesore të lajmeve në Turqi thanë se morën një udhëzim të qartë nga menaxherët e tyre: mos e raportoni këtë njoftim derisa qeveria të japë miratimin.

Dorëheqja e Berat Albayrakut, të cilën ai e njoftoi në një postim në Instagram mbrëmjen e së dielës, u raportua nga mediat ndërkombëtare dhe të pavarura turke. Lira u rrit me shpresat për një drejtim të ri për ekonominë e rrënuar të vendit.

Por për më shumë se 24 orë, stacionet televizive pro-qeveritare dhe gazetat që dominojnë peizazhin mediatik të vendit qëndruan praktikisht të heshtura për përçarjen më dramatike në rrethin e brendshëm të Erdoganit në gati dy dekadat e tij në pushtet.

Incidenti ilustron faktin se si mediat tradicionale turke, dikur një përplasje më e gjallë idesh, janë bërë një zinxhir i ngushtë që merr komanda nga qeveria për titujt, faqet e para dhe temat e debateve televizive. Intervistat me dhjetëra burime në media, zyrtarë qeveritarë dhe rregullatorë japin pamjen e një industrie që është njehsuar me institucione të tjera ish-të pavarura, të cilat Erdogani i ka përkulur sipas dëshirës së tij, duke përfshirë, thonë kritikët e tij, gjyqësorin, ushtrinë, bankën qendrore dhe një pjesë të madhe të sistemit arsimor. Presioni i qeverisë dhe vetëcensurimi mediatik janë shkaktarët e kësaj gjendjeje thonë ekspertët e intervistuar nga agjencia e lajmeve Reuters.

Udhëzimet në redaksitë e lajmeve shpesh vijnë nga zyrtarë në Drejtorinë e Komunikimeve të qeverisë, e cila merret me marrëdhëniet me mediat, thanë më shumë se 12 persona të brendshëm të industrisë për agjencinë Reuters. Drejtoria është një krijim i Erdoganit, që punëson rreth 1500 njerëz dhe e ka selinë në një kullë në Ankara. Ajo drejtohet nga një ish-akademik, Fahrettin Altun.

Zyrtarët e Altunit lëshojnë udhëzimet e tyre në telefonata ose mesazhe Whatsapp-i që ndonjëherë u drejtohen menaxherëve të redaksive me shprehjen e njohur “vëlla”, sipas disa prej këtyre njerëzve dhe një rishikimi nga agjencia Reuters të disa prej mesazheve.

Kur agjencia Reuters kontaktoi drejtorinë për koment, një zyrtar i lartë qeveritar i njohur me qasjen e zotit Altun tha se ” nuk është absolutisht ” e vërtetë që ai përcakton axhendën e lajmeve. Fahrettin Altun “herë pas here informon redaktorët dhe gazetarët si pjesë e punës së tij. Megjithatë këto detyra nuk janë kryer kurrë në një mënyrë që mund të shihet si cënim i pavarësisë redaksionale të organizatave të lajmeve ose shkelje e lirisë së shtypit”.

Zyrtari nuk pranoi të komentojë nëse Drejtoria i udhëzoi mediat të ndalonin raportimin për dorëheqjen e ministrit Albayrak. Zoti Albayrak nuk iu përgjigj kërkesës së agjencisë Reuters për koment në lidhje me mbulimin mediatik.

Mbështetësit e presidentit Erdoganit kanë mjete të tjera për të ndikuar në mbulimin e lajmeve. Kompanitë më të mëdha të medias kontrollohen nga kompani dhe njerëz të afërt me Erdoganin dhe Partinë e tij AK (AKP) pas një seri blerjesh që filluan nga viti 2008. Të ardhurat nga reklamat shtetërore u jepen kryesisht agjencive pro-qeveritare, zbuloi një ekzaminim i të dhënave nga agjencia Reuters. Nga ana tjetër, rregullatorët e emëruar nga qeveria ndëshkojnë për shkeljen e kodit të medias të Turqisë pothuajse ekskluzivisht mediat e pavarura ose opozitare, tregon një analizë e agjencisë Reuters për këto dënime. Të kritikosh presidentin dhe të pretendosh se ka korrupsion qeveritar mund të përbëjë shkelje të rregullave.

“Mediat kryesore në Turqi i shërbejnë më shumë funksionit të fshehjes të së vërtetës sesa raportimit të lajmeve”, thotë Faruk Bildirici, një gazetar që punoi për 27 vjet, deri në vitin 2019, në gazetën më të madhe të vendit, Hurriyet, ku ishte edhe ‘ombudsperson’. Që nga një ndryshim në pronësinë e gazetës në vitin 2018, Hurriyet gjithashtu është bërë pro-qeveritare.

“Shqetësimet e gazetarisë janë zëvendësuar nga përpjekjet për të shkuar mirë me partinë në pushtet dhe për të realizuar dëshirat e tyre,” tha zoti Bildirici. “Partia jep udhëzime për të përcaktuar rendin e ditës… dhe kryeredaktorët, korrespondentët e Ankarasë apo drejtorët e programeve televizive janë kontaktet kryesore” me partinë dhe me Drejtorinë e Komunikimeve.

Agjencia Reuters dërgoi pyetje në lidhje me trysnitë mbi median turke në zyrën e Erdoganit dhe rregullatorëve për televizionin dhe median e shkruar. Zyra e presidentit Erdogan nuk u përgjigj.

Në një deklaratë fillestare për agjencinë Reuters, Instituti i Reklamimit të Shtypit (BIK), një degë e Drejtorisë që mbikëqyr median e shkruar dhe faqet e tyre të internetit, hodhi poshtë kritikat se është bërë një mjet për censurë që ndëshkon raportimet negative për qeverinë. Zyra tha se “nuk është e shqetësuar” me “pikëpamjet apo ideologjinë” e botimeve.

Më pas, më 10 gusht, BIK njoftoi se kishte pezulluar dhënien e dënimeve për shkelje të etikës pasi Gjykata Kushtetuese e Turqisë miratoi disa ankesa kundër Institutit nga gazeta të pavarura. Gjykata vendosi se BIK “shkel lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit” dhe i bëri thirrje parlamentit të ndryshojë ligjet përkatëse. Qeveria nuk e komentoi vendimin.

Rregullatori për mediat transmetuese, Këshilli i Lartë i Radios dhe Televizionit (RTUK), hodhi poshtë sugjerimet se ai vepron si censurë ose merr udhëzime nga Erdogani.

Ndërsa Turqia i afrohet zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, të cilat priten vitin e ardhshëm, Erdogani e gjen veten pas në shumë sondazhe. Politika e tij jotradicionale e uljes së normave të interesit shkaktoi një krizë valutore dhe një spirale inflacioniste edhe para luftës në Ukrainë që solli një rritje të çmimeve globale të energjisë dhe ushqimeve. Lira ka humbur më shumë se një të katërtën e vlerës së saj këtë vit dhe inflacioni vjetor është 80%, duke thelluar varfërinë mes mbështetësve kryesorë të klasës punëtore dhe të mesme të Erdoganit.

Analistët politikë thonë se presidenti do të ketë nevojë për sa më shumë ndihmë mediatike që mund të marrë nëse do të zgjasë mandatin e tij në një dekadë të tretë për të udhëhequr Turqinë, një anëtare e NATO-s dhe fuqi ushtarake rajonale që ndodhet në udhëkryqin e migracionit global, tregtisë dhe historisë.

Në maj, qeveria e Erdogan propozoi një ligj për të cilin thotë se do të luftonte “dezinformimin” e medias pa përcaktuar se çfarë është ai, një hap që disa mbrojtës të fjalës së lirë thanë se do të dyfishonte një goditje prej vitesh ndaj raportimeve kritike. Një artikull në projektligjin e propozuar thotë se kushdo që përhap informacione të rreme në lidhje me sigurinë ose rendin publik mund të përballet me deri në tre vjet burg. Parlamenti do ta diskutojë projektligjin kur të kthehet nga pushimet në tetor.

voa